Agim Nuredin Spahiu- pilot i elitës; njeri i përkryer

Prolog

Aviacioni është cilësuar : “ atdheu i mrekullive”! Thënë me të tjera fjalë, në ajër ngjajnë ato që nuk ndodhin në tokë. Lundrimi ajror është punë e guximtarëve. Atë e bëjnë realitet disa njerëz të një specie të veçantë, siç janë pilotët, kur dihet se për të ngritur një aeroplan në ajër, punojnë disa dhjetra e më tepër të tjerë, sejcili në detyrën e tij. Ata që ngrihen në ajër, veçohen për guxim e trimëri dhe për qendrueshmëri të rrallë. Përndryshe, nuk i jepet jetë tërë asaj djerse e mundi.

Në vendin tonë, për shkaqe që njihen, lundrimet ajrore kanë nisur të praktikohen relativisht më vonë, krahasuar me disa vende të zhvilluara, madje dhe me gjitonët tanë shekullorë. Pas Luftës së Dytë Botërore, në Shqipërinë e prapambetur, aeronautika mori zhvillim të vrullshëm. Mjaft djem; të zgjuar, të shkathët e shëndetmirë, me prejardhje, kryesisht nga trungje familjarë fisnikë, të kamur e atdhetarë  të spikatur, përqafuan idenë e fluturimit. Në anën e tyre qëndronte dhe fakti që ata ishin dhe me nivel të ngritur, arsimor e kulturor. Disa syresh u bënë pilotë cilësorë e të tjerë hynë në hullitë e shërbimit inxhenjero-teknik të aviacionit. Me shumë vullnet e dashuri por dhe me aftësi, disa herë, të lindura. Një numër jo i vogël kuadrosh të talentuar morën përsipër barrën e rëndë për ti çuar punët përpara; në fusha të pashkelura.

Në etapa të ndryshme  të rritjes, mjaft pilotë, teknikë e specialistë, u bënë pre e një lufte klasash të paparë, të egër e të pajustifikuar  dhe u shmangën nga detyrat që kryenin ,për shkaqe banale e të pajustifikuar. Do të pyesni: Përse? E theksoj, madje me forcë, se faji i vetëm i tyre ishte origjina e familjes dhe e trungut nga kishin prejardhjen. Njëri prej tyre ishte i linduri për të fluturuar, talenti i rrallë, piloti i “ elitës”, gjirokastriti Agim Nuredin Spahiu. Ai mori “ statusin” e “ fajtorit, pa faj”, për shkak të mbiemrit të njëjtë me njërin nga kuadrot e lartë të partisë e të shtetit, të ndëshkuar, për faje të tij.

Idhtarët e luftës së klasave, ata që fërkonin duart, kur ndodhte ndonjë ndëshkim, mbasi u hapej punë për të rëmuar, nëpër biografitë e atyre që kishin lidhje të afërta apo të largëta me të ndëshkuarit. Mbiemri i njëjtë largoi nga skena e fluturimeve  “ yje” e talente të rrallë, të cilët e donin, me shpirt, aeroplanin dhe fluturimin. Po të bëhej një evidencë e atyre qëkanë ngjarë, mesiguri që do të dilte në pah ajo “ masakër”, e zhvilluar, për arsye nga me të ndryshmet, të mbështetura tek kollona më e ndjeshme-  tek e kaluara e viktimave ose të afërmve të tyre.

Agim Nuredin Spahiu përshkoi një rrugëtim të gjatë e të vështirë , për t’u bërë pilot i kalibrit të lartë, i diplomuar, si gjuajtës- bombardues, në aeroplanët reaktivë Mig-15 Bis. Ai, ishte me fat që e mësoi shkencën e fluturimit, në njërën nga shkollat më në zë të aviacionit sovjetik, në atë të Borisoglebsit, e cila mbante emrin e të lavdishmit  Valerij Çkallov. Në kohën kur Agimi ishte në kulmin e arritjeve në fushën e fluturimit dhe arriti një pjekuri të lakmueshme  si njeri, si rrufe, në qiellin pa re, e njoftuan  se nuk do të fluturonte më. Këtë “ mandatë”, Agimit ia dhanë jo vetëm një herë, por, në dy raste, njëri pas tjetrit.

Gjykojeni vetë makabritetin e atij veprimi në kurriz të talentit dhe tragjizmin që pasoi, jo vetëm ndaj personit, por dhe ndaj familjes së tij. Jeta e një piloti të “ elitës” e ndërtuar me shumë mund e përpjekje,  duke kaluar, shumë herë, në fije të perit, u shkatërrua, menjë të rënë të lapsit. Agim Spahiu, si kolegët e shumtë të tij, që patën të njëjtin “fat”, kishte nisur një udhë të vështirë; atë të ajrit.  Ai e përshkoi këtë udhë heroike, me shumë vullnet e këmbëngulje dhe me përkushtimin e nevojshëm, si dhe dëftoi, në fushën e burrërisë talentin e lindur të tij, me cilësinë që shpalosi, derisa dikush, me ligësi e pashpirtësi njeriu, i tha: “ Mos u afro më tek aeroplani”! Dhe kujt i tha kështu? Një njeriu të pastër e të vendosur, i cili e donte, si veten e tij, aeroplanin dhe fluturimin. Agim Spahiu  ndihej në kabinën e aeroplanit, si në shtëpinë e vet dhe avioni, në dorën e tij, ngjante me një lodër.

Në shkollë e në jetë, Agim Spahiu, pinjoll i spahinjve të nderuar të Gjirokastrës, ishte futur në të fshehtat e aeronautikës, me tipin e kërkuesit këmbëngulës; ai ishte futur në çdo skutë të profesionit të vështirë të pilotit. Dashuria e tij për aeroplanin dhe për ajrin gjente shprehje konkrete tek shfrytëzimi i teknikës ajrore, në tokë e në fluturim, me njohuri të thella teorike dhe me disiplinë shkencore. Aq shumë e donte Agim Spahiu, binomin : avion-fluturim sa, kur i komunikuan se nuk do të ngrihej më nëqiell, atij trimi, të cilit nuk ia pa njeri lotin, qau, me lotët çurkë, nga dëshpërimi e inati, njëherazi, sikur të ishte fëmijë. Ndoshta kemi të bëjmë me një rast unikal.

Asnjeri nuk iu fut llogarisë se po shkatërronte një jetë njeriu dhe jo vetëm. Përgatitja e tij, si pilot, i kishte kushtuar vendit “ qimet e kokës”. Po jeta e Agimit dhe e familjes së tij që u ç’bë pas asaj “gjëme” dhe që nuk mund të ketë çmim, si llogritej? Ai që kish kaluar, sa e sa herë, nëpër vrimën e gjilpërës, i shkëputuri nga gjiri dhe kujdesi i nënës e babait që në moshë fare të njomë e veshi uniformën ushtarake, për ta nderuar atë, siç dhe e nderoi, papritur u gjend mes kurtheve që ngriti lufta e klasave. Me zellin e puthadorit të regjimit e me vrullin e atij vrapuesit të pazotë që vrapon sipas erës, disa shërbëtorë dashakeq, nëpunës të shkallëve të larta të hierarkisë, morën atë vendim çnjerëzor, i cili tjetërsoi, padrejtësisht njeriun e mirë. Dikush, përfshi dhe atë që shkaktoi gjëmën, me lotë krokodili, përpiqet të justifikojë aktin makabër me mendimin shterpë se:  “ ashtu ishte vija, të atilla ishin normat, bëra vetëm detyrën”etj.etj. broçkulla. Këto ishin “ larje goje” dhe përpjekje për të shpëtuar veten.

Nuk marr përsipër të analizoj këtë dukuri antinjerëzore, as ti bëj kritikën ,këtij gjykimi të mbrapshtë; më poshtë do të keni shansin të njiheni me një tjetër gjykim, të asaj kohe, i cili bazohet në vlerat e individit e jo në të dhënat biografike të tij. Spostimi i Agim Spahiut dhe kolegëve të tij dhe  largimi nga detyrat i kuadrove të tjerë, u bë duke “ i prerë drutë shkurt” e duke gjykuar “ bardhë e zi”. Siç duket, në këta raste gjykimi nuk është bërë bazuar në filosofinë e popullit, sipas të cilës, “çdo berr varet pas këmbëve të tij”. Shëmbuj të shumtë na bindin se të qënit me të njëjtin mbiemër, nuk mjafton për të ndëshkuar aq rëndë një njeri të pastër, ca më tepër një pilot, si Agim Spahiu, i cili e donte me shpirt avionin dhe fluturimin. Nuk mjaftoi largimi i tij nga fluturimi.Të zellshmit e diktaturës morën masa drastike, për të fshirë, me fshesë të hekurt, sipas orientimeve, nga lart, çdo gjurmë të jetës dhe veprimtarisë së tij. Kemi të bëjmë me një barbari mesjetare.

Kësisoj është prekur historia. Po çfarë do të thotë të prekësh historinë? Të prekësh historinë e një populli, do të thotë ta lësh atë pa njërën nga shtyllat e jetës së tij. E theksoj këtë, jo për tju krijuar bezdi, por për tju bërë me dije se nuk e kam patur të lehtë të shkruaj për “ yllin” që ndriti pak por shkëlqeu dukshëm e la pas gjurmë të pashlyera. Kam arsye që e theksoj këtë: Shokët e shkollës e të punës, të Agim Spahiut, janë ndarë nga jeta, prej shumë kohësh. Dokumentet dhe gjurmët e jetës së tij, janë zhdukur, qëllimisht. Në këta kushte të vështirë, nuk qenkam fare i pafat. Mjaft  nga bashkëkohësit e tij, dhe nga ata që e kanë njohur qoftë dhe për pak kohë, më kanë dhënë opinione, të cilët, për mua çmohen si shpëtimtarë. Shkrimi u bë i mundur në bazë të të dhënave që më ofruan  shumë njerëz, të profileve të ndryshëm. Kësisoj, shkrimi mban firmën e tyre dhe merr vlerat e një vepre kolektive. Opinione me vlerë më dhanë:

  • Gëzdar Veipi ( ndjesë pastë), pilot iklasit të parë;
  • Çobo Skënderi, pilot i klasittë parë;
  • Halit Bulku, pilot i klasit të parë;
  • Skënder Dusha, teknik avioni, jetëgjatë;
  • Kostandin Sadikaj, pilot i klasit të dytë; mjeshtër i fluturimeve;
  • Admir Fllaga, instruktor pilot, jetëgjatë;
  • Servet Murati, pilot,ish komandant i shkolles se aviacionit;
  • Vaso Leko Pesha, ish student për pilot;
  • Mustafa Çiçi, pilot i klasit të dytë, bashkëkohës i Agim Spahiut;
  • Kapo Selmanaj, pilot i klasit të dytë, bashkëkohës i Agim Spahiut;
  • Servet Muka, ish pilot , ishkursant i Agim Spahiut;
  • Burhan Nurja, ishpilot, kursant i Agim Spahiut;
  • Vangjel Nakuçi, pilot helikopteri, kursant dhe bashkekohës i Agim Spahiut;
  • Vladimir Hoxha, biznesmen, i afërt i Agim Spahiut;
  • Fejzo Dabulla, veteran, bashkëqytetar i Agim Spahiut;
  • Fadil Nenaj, parashutist i klasittë parë, bashkëkohës i Agim Spahiut;
  • Telo Dedi, veteran i aviacionit, bashkëkohës i Agim Spahiut;
  • Fejzi Rrokaj, veteran, ishpilot, bashkëkohës i Agim Spahiut,etj.
  • Fredi Prifti, pilot helikopteri, në pension, etj.

Nëpër mjegullnajën e kujtesës, sejcili prej tyre solli atë që ka mbetur në memorjen e largët. Të gjithë opinionet kanë si të përbashkët: “ Agim Nuredin Spahiu ishte pilot “ brilant “ dhe njeri i poërsosur”.  Këtë opinion e shfaqën ata pilotë dhe të tjerë; teknikë e specialistë, të cilët kanë qenë përkrah Agimit, ishkursantë që kanë mësuar mjeshtërinë e të fluturuarit, prej atij talenti të lindur dhe cilido që e ka njohur atë. Këtë mendim kam dhe unë. Derisa është kështu, përse u dashka dënuar sërish një njeri që nuk e meriton dënimin. Dënimi me harrim, të cilin do ta dëshironte shumëkush nga ata që e kanë në gjak mohimin, është, ndoshta dënimi më i rëndë e më i pamerituar i njerëzve të tillë.

Kur nisa shkrimin e kësaj monografie, sido që është, i hyra punës me shumë dëshirë e me vrull.  Shpresova se do të gatuaja diçka me vlera njohëse, për një pilot të lindur por të panjohur e të lënë në harresë, jo pa qëllim. Vështirësitë i ndesha udhës; disa të njohura e të tjera, të befta. Megjithatë, nuk u ktheva nga udha e nuk u stepa. E kam të qartë se, në kohët moderne që kalojmë, komercializmi, ka përparuar goxha, në dëm të humanizmit. Por, ca me kokëfortësi e ca me dëshirën e mirë për të shkruar diçka që ia vlen, vijova punën. E nisa me intervistat. U takova e mora mendim, nga disa kolegë të Agim Spahiut, të cilët, e kanë njohur nga afër, ose kanë qenë bashkëkohës të tij. Disa i takova fizikisht e i intervistova Live; me të tjerë, u lidha nëpërmjet telefonit. Bëra mirë që tërhoqa shumë opinione mbasi ata më ndihmuan për të qenë më i plotë e më i aktë në atë që kam shkruar. Njihet përparësia e mendimit kolektiv, krahasuar me atë vetjak.

Ato që më pohuan kolegët e tij, kompensuan, në një farë mënyre, bllokimin e dokumenteve, nga ata që e kanë patur të mundur këtë. Një padrejtësi tjetër e kohës dhe një dënim, me mosnjohje, ky, i  atij “ ylli” të rrallë, shkëlqimi i të cilit, nuk e pati jetën të gjatë. Si çekan, mbi kokë, më ka qëndruar, nëproçesin e të shkruarit të kësaj monografie, porosia e një mikut tim, pilot i” klasit të parë”, që: “ Shkrimin kushtuar Agim Nuredin Spahiut, bëje shumë të mirë, “qaje”, siç di ti, se ai ishte i mirë, me të gjitha, por qe fatkeq”! Këtë porosi e çmoj si një amanet dhe me të tilla gjëra, nuk mund të luaj. Theksoj: kjo porosi, më shtoi obligimin , për të rëmuar, në çdo skutë, me shpresë që të qëmtoj gjithë sa ka mbetur nga detajet e jetës dhe veprimtarisë të tij, si fluturues. Me qëllim që lexuesi të ketë një përfytyrim sa më të plotë për heroin e këtij shkrimi, po ju paraqes, disa tipare fizike dhe vlera profesionale të Agim Nuredin Spahiut.

Agimi kishte shtat mesatar. Ai nuk ishte trupmadh, por, shtati i tij ishte i ngjeshur, i lidhur mirë e muskuloz. Kur ishe përpara tij dhe e vështroje , me vemendje, të lindëte ndjesia se kishe të bëje me një gjimnast profesionist. Konstruksioni trupor dhe rezistenca e lartë, e lejonin atë të aktivizohej në mjaft lloje sporti e të ishte rezultativ. Agim Spahiu ishte gjimnast i përkryer dhe atlet i spikatur. Lodra më e pëlqyer e tij ishte, ajo që preferohet, në tërësi nga shqiptarët- futbolli. Veçori e tij ishte fryma e lartë dhe sedra e shëndoshë. Ai luante futboll cilësor, në të gjithë pozicionet; gjuante fort dhe kishte saktësi.

Flokët e Agim Spahiut ishin të zinj; pak me onde. Sytë dhe vetullat i kish të zeza, të rregullt dhe ngjaninme ngjyrën e ullirit të pjekur, me shkëlqim karakteristik të syve. Fytyrën e kishte mjaft simpatike, bojëgruri. Kapelen e mbante, pak të anuar majtas. Një tufë kaçurrelash i dilnin poshtë kapeles dhe kjo krijonte ndjesinë e një djali çapkën. Veshët dilnin jashtë kapeles e ishin në përmasa tej normales.

Portretin fizik të Agim Spahiut e zbukuronte, hijshëm figura e pastër mnorale dhe shpirti i tij i kulluar. Agimi ishte i mirëedukuar, i kulturuar dhe tejet i sjellshëm.Në karakterin e tij, mirësia ishte ulur këmbëkryq. Shpirti i mirë dhe dashuria për tjetrin, ishin tipare dalluese që sundonin në qënjen e tij humane. Bujaria dhe dashamirësia ndaj më të dobëtit, tek Agimi ishin të bartura. Nënë Ikbalja dhe baba Nuredini, veçoheshin në fisin Spahiu dhe në Palorto, ku banonin, si derë bukëdhënë. Së këtejmi buron tipari i qënësishëm i djalit të tyre, Agimit për të qënë tip shoqëror.

Që në fëmijërinë e herëshme, kur ai luante me bashkëmoshatarët ( me top, cingli, dërrakthi, kala dibrançe, syllambyllazi) etj. djali i spahinjve, heroi i këtij rrëfimi shquhej, jo vetëm për shkathtësi e zgjuarsi natyrale por dhe për solidaritet, tolerancë e korrektësi. Agim Spahiu rridhte nga një trung e familje e kamur. Kushtet materiale, kishin krijuar mundësinë që ai të rritej e të zhvillohej  fizikisht, në kushte më të mira e me të dhëna më të larta; por ai, asnjëherë nuk e vuri veten mbi shokët, për të cilët përgjërohej dhe “ linte kokën”. Ia vlen të theksohet se agimi ishte i thjeshtë, në shoqëri, edhe pse i dinte epërsitë ndaj të tjerëve. Me rritjen në moshë e në gjykim, duke kaluar nëpër proçesin e edukimit e shkollimit në shkollën ushtarake “ Skënderbej”, më tej në shkollën e aviacionit “ Çkallov” të Borisoglebsit  e më pas në proçesin e punës, në vendin tonë, tek Agim Spahiu, tiparet e qënësishme që u rrjeshtuan më sipër u shtuan e u shumuan. Konstante mbeti dashuria për tjetrin. Thjeshtësia, të cilën ai e shpaloste kudo e kurdoherë, i qëndronte, si medalion e ajo “ ndriçonte “ gjithë qënjen e tij.

Figura e Agim Nuredin Spahiut kishte disa përparësi, të cilat nuk përpiqej ti nxirrte në evidencë  për t’u veçuar nga të tjerët. Ai nuk e zinte kurrë në gojë e nuk lëvdohej me prejardhjen e tij; nuk “ shiste mend” se ishte më i miri i grupit, në fluturim dhe se falë zgjuarsisë natyrale dhe përpjekjeve vetjake, fotografia e tij ishte vendosur e qëndronte në tabelën e nderit, të klasës e të shkollës. Agimin e gjeje në qëndrën e ekipit, kur luhej futboll, kur luante shah , fitonte mbi të gjithë e matej me më të mirët  por, në asnjë rast nuk i quante arritjet, si meritë e tij. Nëse mund të bëhet fjalë, për ndonjë dobësi të tij, do të mjaftonte thënja se, në ndonjë rast, rrëmbehej. Pa bërë përpjekje për të justifikuar “ huqet e tij”, më duhet të sqaroj se Aagimi rrëmbehej kur po vinte re një padrejtësi apo kur dikujt po i “ mohoej e drejta”. Kësisoj, sedra dhe ambicja e Agimit ishin në kahun e mirë. Ai synonte të arrinte maja të larta, si në mësime, në fluturim e kudo. Ai ishte, pamëdyshje, më i miri në komunitetin ku bënte pjesë.

Agim Spahiu u lind në Palortonë e njohur, të qytetit të Gjirokastrës, në fisin e Spahinjve dhe rridhte  nga dy prindër autoktonë shqiptarë, me përkatësi gjirokastrite,më 20 prill, të vitit 1933. Nënë Ikbalja dhe baba Nuredini, ishin njerëz të thjeshtë, atdhetarë, të përkushtuar ndaj fëmijëve, familjes së gjerë, fisit dhe gjitonëve. Shtëpia e tyre ishte derë emadhe e bukëdhënë. Gjitonë të tyre, në Palorto ishin: Skëndulajt; Shametët; Sherifenjtë e të tjerë. Spahinjtë ishin me prirje atdhetare e me ndikim të madh, si në qytetin e Gjirokastrës dhe në rrethina. Në vitin 1920, gjyshi i Agimit, mobilizoi mjaft djem gjirokastritë, mashkulloritë e nga Kardhiqi, formoi një çetë luftëtarësh, e, në krye të tyre shpejtoi në Vlorë,  ku luftoi për mbrojtjen e trojeve amëtare.

Në ekonominë familjare të Spahinjve, vendin kryesor e zinte blegtoria. Ajo sillte të ardhurat, me të cilat “mbahej” familja. Nuredini, babai i Agimit, menaxhonte një kope të leshtash e cila, numëronte 500 krerë dhen. Në stinën e ftohtë, kopeja e spahinjve dimëronte në Fushën e Gjirokastrës ( në Kollo); në stinën e thatë, bagëtitë veronin në Malin e Çajupit. Çobanët që u shërbenin dhenve, ishin çobanë të marrë me hak, nga rrethi fqinjë i Tepelenës, nga fshati i Salarisë.  Çobanët nga ky fshat ishin esnafë, e njihnin mirë zanatin dhe ishin besnikë. Vetë Nuredini, menaxheri i kopesë, ishte një mjeshtër i madh i mbarështimit të dhenve mbi bazën e traditës shumëvjeare të trevës.

Nuredini, babai i Agim Spahiut ishte luftëtar i çetave territoriale të zonës dhe njëkohësisht menaxhonte ekonominë e familjes së madhe. Në mal, në formacionet partizane, ishin vëllezërit e tij dhe disa të afërm. Në Operacionin e Qershorit të vitit 1944, Nuredini, ishte në stan, me dhen të cilat i kulloste në malin e Çajupit. Një grup partizanësh të Brigatës së Tetë, të cilët e kishin aktivitetin luftarak në atë zonë, gjetën tek Nuredin Spahiu  furnizimin me ushqime, derisa përfundoi ky operacion armik. Siç thonë në Gjirokastër,” Nurua i fshehu, nën gjuhë ata”! Nuredini furnizoi me mish dele dhe me djathë, nga stani i tij edhe dy batalione partizane të Brigatës së Tetë, kur ata u grumbulluan në afërsi të terrenit ku ai mbarështonte bagëtitë.

Gjatë periudhës kur zhvillohej Lufta nacional Çlirimtare e popullit shqiptar, Agim Spahiu ishte akoma i parritur e qëndronte në familje, pranë Nënë Ikbales dhe baba Nuredinit. Ai, si pinjoll i një familje fisnike e të kamur, nuk u rrit me pekule, por përjetoi kufizimet e kohës. Kufizimet kanë të bëjnë me faktin se, si familje e lidhur tërësisht me Luftën Nacionalçlirimtare, ajo ishte në qendër të sulmeve gjithëfarëshe, të pushtuesve të huaj dhe shërbëtorëve të tyre, brenda vendit.  Kushtet e luftës penguan shfrytëzimin e përparësive që krijonte kamja, për plotsimin e të gjitha nevojave jetike të tij. Por, krahas gatimeve me shijë e me vlera ushqimore që përgatiste Nënë Ikbalja, në familjen ku u rrit, Agim Spahiu përftoi edukatë të shëndoshë edhe nga geni. Ai trashëgoi zgjuarsinë, intuitën, trimërinë, të qënit guximtar e iniciativën  vepruese. Në komunitetin e bashkëmoshatarëve të tij, duke luajtur lojërat e fëmijërisë, Agimi u shkathtësua, duke kapërcyer mure e arishta, bahçe e oborre, rrugica të shtruara me gurë e sokakë, si dhe u formua fizikisht, si një djalë me trup azgani, të lidhur mirë e muskuloz. Kur luante me shokët, ai nuk merrte pozicionin e liderit të skuadrës, ndonëse ishte më i forti e më i zoti i grupit ku bënte pjesë. Megjithatë sedra dhe dëshira për t’u radhitur në anën e fitimtarit  e shtynte atë të dëftohej i nxituar e hera –herës gjaknxehtë.

Fizikisht i zhvilluar e mendërisht i shëndoshë, me një zgjuarsi të lindur tipike, në vjeshtën e vitit 1947, djali adoleshent i Ikbale dhe Nuredin Spahiut, u fut në vitin e parë të Shkollës së Mesme Ushtarake, e cila mbante emrin e legjendarit “ Skënderbej”. Në klasë e në shkollë, ai ishte në shoqërinë e djemve të zgjedhur , nga treva të ndryshme të vendit, nga fshatrat e nga qytetet e Shqipërisë. Agimi u lidh me shoqëri më të ngushtë me : Bardhyl Taçin dhe me Anastas Ngjelën. Nuk ishte fare e rastësishme kjo përzgjedhje shokësh. Agim Spahiu që nga fëmijëria shquhej si tip shoqëror. Bardhyli vinte nga shtëpia e fëmijëve të Korçës dhe kishte mbetur jetim, nga të dy prindërit. Anastasi, i cili vinte nga Sheperi malor i Zagorisë, ishte i urtë, sillej si nuse e nuk i ndihej zëri.

Agim Spahiu e njihte epërsinë që kish mbi komunitetin mes të cilëve jetonte, si në mësime ku ai nuk lëvizte nga tabela e nderit dhe në veprimtaritë fizkulturore- sportive, ku renditej në  “elitën” e shkollës ushtarake “ Skënderbej”. Ai, gjat gjithë jetës shpalosi qëndrime dashamirëse ndaj të tjerëve dhe përherë merrte anën e të varfërve. Në lojën e futbollit, ku Agim Spahiu  “shkëlqente” e luante fort e me sedër, këmbëngulte dhe kontribuonte që ekipi i tij të ishte fitimtar. Loja e tij ishte me frymë e rezistencë për t’u patur zili  dhe me energji të rralla. Ai luante njëlloj, si në fillim dhe në fund të lojës. Fiziku i formuar, geni dhe të ushqyerit shëndetshëm, ia mundësonin qënjen e tij, në ballë të shokëve, në çdo lloj sporti. Mënyra e rritjes dhe të ushqyerit bio e me orar, në shkollën “ Skënderbej”, i kishin dhënë frytet. Të ushqyerit me orar, të fjeturit në kohë të caktuar,  gjithë regjimi ditor e formuan Agimin, me të gjitha të mirat e një trupi atleti.

I pëlqente uniforma dhe puna e ushtarakut, me të cilat, ai “u miqësua” shpejt e i kishte për zemër. Në shkollën ushtarake, ai, ende i parritur mësoi të vishej vetë e ti shërbente vetes, në të gjithë komponentët. I dashuruar pas uniformës ushtarake, Agimi e mbante pastër atë, e hekuroste dhe si djalë simpatik e me trup azgan, i kishte hije veshja ushtatrake. Rregulli dhe disiplina në shkollë, mënyra e të jetuarit në frymën e rregulloreve dhe kërkesa e llogarisë “shkundën”tek djaloshi nga Palortoja atë “pluhur egoizmi”, që ai pruri, me vete, kur erdhi në shkollë.

Në muajin mars të vitit 1951, mbasi kishte dalë i suksesshëm në testimet dhe analizat ushtarako- mjekësore, Agimi, i përcaktuar, i aftë për t’u bërë pilot, profesion, të cilin e ëndërronte prej kohësh, së bashku me Hamit Ulqinakun, Bardhyl Taçin; Anastas Ngjelën; Vasil Andonin dhe Andrea Stavre, u nisën nga porti i Durrësit, me një anije mallrash të prodhimit sovjetik, për në Odesë e më tej, për në Borisoglebsk, ku do të bëheshin pilotë. Agimi; Anastasi dhe Bardhyli kishin kryer katër vjet të plotë të gjimnazit të shkollës “ Skënderbej”, kurse Hamiti; Vasili dhe Andrea, vinin nga jeta civile. Pas katër ditësh lundrim, nëpër detin Adriatik; Jon; Egje dhe nëpër Detin e Zi, grupi i djemve shqiptarë mbëritën në portin e Odesës.

Rruga ujore nuk ishte e gjatë por detet që kaluan, në veçanti Deti Mesdhe dhe ai i Zi, pavarësisht se janë të mbyllur, janë dallgëshumë e përballohen me vështirësi nga udhëtarët. Agim Spahiu, falë fizikut të kalitur e tipit sportiv e supertoi suksesshëm lundrimin. Mikpritësit, në portin sovjetik, u krijuan kushte 18 vjeçarëve nga vendi ynë, që, brenda 24 orëve të njiheshin me bukuritë e qytetit bregdetar të Odesës. Pas 24 orësh, me një tren komod për kohën, ata u nisën në rrugë hekurudhore, nëpërmjet Harkovit dhe Voronezhit për në Borisoglebs. Fati i çoi në shkollën “ elitë” të aviacionit sovjetik, e cila mbante emrin e pilotit legjendar Valerij Çkallov. Kjo shkollë e aviacionit sovjetik, e themeluar në vitin 1930, kishte nxjerrë mjaft pilotë “ Heronj të Bashkimit Sovjetik”, të cilët u dhanë tonin betejave ajrore të Luftës së Dytë Botërore.

Në shkollën e aviacionit të Borisoglebsit, ata gjetën kushte mjaft të përshtatshme, për të mësuar e për t’u stërvitur, si në kabinetet mësimorë dhe në startet e fluturimit. Kabinetet mësimorë ishin të kompletuar më së miri me literaturën përkatëse, me skema e me makete funksionalë, në shërbim të ngritjes të nivelit teorik të kandidaturave për pilotë.

Pas disa muaj përgatitje teorike dhe trenerimeve në tokë, me makete dhe në kabinën e aeroplanit, djemtë nga vendi ynë dolën në startet e fluturimeve. Ata i nisën udhët e qiellit me aeroplanët e lehtë, mësimorë, me helikë të tipit Jak-18U. Grupin e kursantëve për pilotë e drejtonte majori Sozin, një pilot instruktor me përvojë të gjatë, pjesëmarrës në betejat ajrore të Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë përgatitjes teorike, e cila u zhvillua në kabinete mësimorë modernë të pajisur, më së miri, me literaturë tekniko-shkencore, me skema e makete, të drejtuar nga pedagogë me përvojë e të nivelit të lartë shkencor, të cilët ishin me reputacion në të gjithë vendin. Agim Spahiu, që në nisje të proçesit mësimor shpalosi vullnet  të paparë dhe këmbëngulje kokëfortë për të depërtuar tek çdo detaj dhe e fshehtë e profesionit të vështirë por heroik të pilotit. E nisën me mësimin e Gjuhës Ruse, ku Agimi shkëlqeu; madje u erdhi në ndihmë dhe disa shokëve të grupit, në nevojë. Ai e përvetësoi mirë dhe shpejt Rusishten dhe e artikulonte më saktë e më bukur nga të gjithë shokët.

Kur nisën fluturimet, që në ngritjet e para, tek kursanti Agim Spahiu, instruktori i fluturimit pikasi disa veçori tipike që lidheshin me dëshirën e tij të pamatë për të fluturuar dhe me aftësi të pazakonta për të kapur e përvetësuar elementët e fluturimit. Agimi, shpejt dëftoi, në praktikë se ishte një talent i lindur për të fluturuar. Ai, jo vetëm i kapte shpejt ato që i dëftonte instruktori i tij, por dhe ishte mjaft i saktë për të përsëritur ato që i dëftoheshin dhe ishte i qendrueshëm në ruajtjen e shprehive të pilotimit. Talentin e tij për të fluturuar e pikasi instruktori Dokuçajev, e mësuan gjithë drejtuesit e stervitjes ajrore, mes tyre dhe majori Sozin, të cilit i la mbresa saktësia e veprimeve dhe shkathtësia e Agim Spahiut, për të vepruar, në kohë me komandat e avionit. Duke çarë qiellin me krahë të metaltë, Agimi, shpejt u dashurua me ajrin dhe me aeroplanin dhe  në qiell gjeti realizimin e ëndrrës së tij fëminore për të fluturuar si zogjtë fluturakë.

Agim Spahiu, nuk ishte i talentuar vetëm në fluturim. Ai kishte hobi futbollin dhe luante në mënyrë të paqortueshme; me dëshirë për fitore, me frymë dhe me shpirt gare. Forcës fizike dhe rezistencës së lartë të tij, i shtohej shkathtësia në përdorimin e topit dhe gjuajtjet e forta e me preçizion. Agimi, shpejt u bë pjesëtar i ekipit të futbollit të shkollës por dhe i atij të qytetit të Borisoglebsit, ekip, i cili, në atë kohë aktivizohej në kategorinë e dytë të kampionatit sovjetik të futbollit. Të dyja veprimtaritë; fluturimi i pari e fill pas tij futbolli ishin fushat ku ai printe, në ballë të shokëve.

I rritur e i formuar në një shkollë ushtarake, ku disiplina dhe rregulli ishin kryefjalë, Agim Spahiu, në shkollën sovjetike të aviacionit, i shtoi prirjet dhe përkushtimin për t’u bërë jo vetëm pilot i mirë por dhe një kuadër oficer i devotshëm. Atij i pëlqente uniforma ushtarake, në veçanti kishte një dashuri e nderim të veçantë për pamjen e jashtme të aviatorit. Uniforma e bukur e daljes së lirë dhe aksesorët e armës së aviacionit, i shkonin për mrekulli, atij shtati të rregullt, muskuloz e të shkathët. Agimi e mbante të pastër, të hekurosur me kujdes dhe i pëlqente të vishej e të paraqitej bukur, në sytë e të tjerëve. Me shëmbullin e mirë, ai bëhej nxitje dhe për shokët e grupit ku bënte pjesë.

Siç kujton piloti veteran Kostandin Sadikaj, njëri nga bashkëkohësit e Agim Spahiut, “… uniformën ushtarake, ai e mbante të pastër, të hekurosur e i rrinte bukur në shtat. Agimi, nuk dilte kurrë nga fjetina, i pahekurosur ( i ngrinte petkat) dhe pa i lustruar këpucët. Ne, më të rinjve, ai na qëndronte pranë dhe na ndihmonte për të kuptuar rëndësinë e disiplinës e të rregullit, për të mësuar si të silleshim me edukatë e me kulturë dhe për të përvetësuar Gjuhën Ruse…”.

Veterani tjetër i aviacionit, piloti i klasit të parë Çobo Skënderi, i cili, e gjeti Agimin dhe shokët e tij të grupit, në proçesin e përgatitjes, në shkollëm e Borisoglebsit, duke kujtuar figurën e Agim Spahiut shprehet: ”… Agim Spahiu u bë pilot i “ elitës”. Ai, njëkohësisht ishte sportist cilësor, vital, i fortë, rezistent, sedërmadh e i thjeshtë.Agimi nuk mburrej kurrë me biografinë e tij…. mësonte shumë e ishte i shoqërueshëm dhe i dashur me shokët dhe me eprorët…”.

Në shkollën e aviacionit “ Çkallov”, të Borisoglebsit, Agimi dhe shokët e tij, e nisën përgatitjen ajrore, në stinën kur sipërfaqja e aerodromit fushor të qytetit në fjalë, ishte e mbuluar nga një shtresë bore. Për këtë, avioni me të cilin ata fluturonin, ishte i pajisur me ski, të vendosura nën rota. Në vitin e dytë të shkollës, stervitjen ajrore, ai e përcolli  me fluturime në aeroplanin kalimtar Jak-11, i cili ishte më i fuqishëm dhe çlironte shpejtësi, deri në 550 km/orë. Viti i tretë i shkollës ishte më fatlum. Pas futjes në proçesin mësimor të fluturimeve të aeroplanit reaktiv Mig-15, i cili bëri revolucion në përdorimin luftarak të aviacionit, Agimi e pa veten në pozicionin që ëndërronte, atë të akrobatit të ajrit, ku ai shfaqi vlera të papara si i lindur për të fluturuar.

I pasionuar pas fluturimeve dhe me dashuri të patreguar për avionin e ri, Agimi, shumë shpejt u distancua nga shokët dhe shpalosi vlerat e tij vetjake, në drejtim të përvetësimit të pilotimit dhe përdorimit luftarak të avionit. Grupi i kursantëve ku bënte pjesë Agim Spahiu ishte i pari grup shqiptar që fluturoi me aeroplanë reaktivë Mig-15 Bis. Diapazoni i gjerë i shpejtësive dhe manovrueshmëria e lartë e aeroplanit gjuajtës-bombardues reaktiv, i dhanë mundësi talentit të lindur, të dëftonte aftësitë e tij të lindura.

Në vjeshtën e vitit 1955, Agim Spahiu përfundoi shkollën e aviacionit “ Çkallov” të Borisoglebsit, me tregues mjaft të mirë, teorik dhe praktikë, u titullua oficer ( toger), u diplomua pilot gjuajtës-bombardues dhe u kthye në Atdhe. Ai u emërua pilot, në skuadrilen e parë të Regjimentit “ Peza” të Qytetit “ Stalin”, ku ishte komandant regjimenti, i Madhi Niko Hoxha. Togeri i ri Agim Spahiu, fillimisht u emërua pilot shoqërues, siç ndodhte rëndom me pilotët e sapoardhur nga shkolla. Shpejt ra në sy talenti i lindur i gjirokastritit të rregullt e të disiplinuar dhe dashuria e pamatë e tij, për avionin dhe fluturimin. Në raport me kolegët që gjeti në regjiment, ai ishte i dashur e i afruar dhe u bë njësh me ta, pavarësisht nga stazhi, në detyrë dhe nga  aftësitë vetjake të tij.

Në Regjimentin e Aviacionit të Qytetit “ Stalin”, Agimi, gjeti e përftoi nga përvoja e mjeshtërve të mëdhenj të ajrit si : Vasil Trasha; Peço Polena; Niko Hoxha; Fari Bubësi; Haki Jupasi; Kosta Neço Dede etj.  Prej tyre, Ai mësoi mjaft dhe u perfeksionua më tej në fushën e fluturimeve. Aftësitë profesionale dhe karakteri i Agim Spahiut, nuk kishin si të mos binin në sy të të ngjashmit me tiparet burrërore të tij- Niko Hoxhës. I Madhi Niko Hoxha, kur u përcaktua përbërja e çifteve të pilotëve, e përzgjodhi Agimin shoqërues të tij. Rolin dhe vendin e shoqëruesit, mesiguri që e dinë shumë nga ata që shërbejnë apo që kanë patur fatin të punojnë në aviacion. Gjatë plotsimit të detyrave ajrore, Agimi nuk i ndahej Nikos ( avionit me të cilin ai udhëhiqte formacionin ajror) dhe nuk lëvizte as centimetrin, nga vendi i caktuar në formacion. Siç dëftojnë bashkëkohësit, në pistën e aerodromit të Qytetit “ Stalin”, Niko Hoxha, ulej në çift, vetëm në shoqërinë e Agim Spahiut. Kjo lidhej me saktësinë e mbajtjes në formacion të Agimit.

Sjellja korrekte, me edukatë e me kulturë, të qënit i thjeshtë, dashuria për shokët, vartësit dhe për kolegët si dhe përkushtimi ndaj tyre, shpejt, i dhanë Agim Spahiut një reputacion të merituar,  në regjiment e më gjerë. E donin shumë kolegët dhe vartësit, Agim Spahinë dhe ai i donte po shumë ata. I Madhi Niko Hoxha, kishte parë tek Agimi tipare të ngashme, ndaj e shoqëronte dhe e përkrahte atë, në çdo veprimtari.

Në çdo veprimtari, teorike dhe praktike, si në ato që lidheshin me fluturimin dhe në të tjerat, sidomos në veprimtaritë fizkulturore- sportive, roli dhe kontributet e Agim Nuredin Spahiut ishin të ndjeshme. Ai, brenda disa muajve, në Regjiment, arriti tregues impresionues në fluturim. Agimi shpalosi talentin e tij të lindur dhe u bë protagonist i tendencës drejt të resë. Dukej sikur  çdo gjë ishte mbroth e jeta po i buzëqeshte djalit nga Palortoja, në të gjithë drejtimet. Djali i xha Nuros, me kapacitetet intelektuale, profesionale dhe fizike, të cilat ai i shpaloste përditë, e çuan Agimin në radhët e “ elitës”  të fluturuesve, në Regjiment e në aviacion. Agim Spahiu, me punë e me pasion, kishte gjetur paqën, me veten e tij, me familjen e origjinës, me shoqërinë e afërt dhe me kolegët e tij, si dhe gëzonte simpati, tek të gjithë ata që e rrethonin.

Papritur e pakujtuar, në jetën e Agim Spahiut, ndodhi një kthesë epaparë, e përmasave të mëdha e ogurzezë, e padëshiruar e me pasoja të papara e të paimagjinuara, e cila i ndryshoi rrjedhën e jetës. Piloti i talentuar Agim Spahiu u bë viktimë, pa faj,  vetëm se kishte mbiemër të njëjtë, me shkaktarët e tragjedisë. Një goditje e rëndë dhe e pamerituar kjo, për djalin e ri, i cili, akoma nuk kish mbushur një vit jetë në Regjiment, por që kish “ shkëlqyer” e ishte vënë, efektivisht, në krye të lëvizjes për kualifikim, në fushën e pilotimit dhe manifestonte, vetëm mirësi e përhapte dashuri, tek komuniteti ku jetonte e stërvitej.

Në muajin qershor të vitit 1956, kur Agim Spahiu ishte në lulëzim, Komiteti Qëndror i PPSh, përjashtoi nga organet udhëheqëse e nga radhët e partisë, Bedri Spahiun, i cili ishte njeri i trungut familjar të Agimit. Në praktikën partiake të asaj kohe, po të ndëshkohej një njeri, qoftë dhe për bindje të ndryshme politike, familjarët dhe të afërmit e tij, domosdo, që do të ndiqnin fatin e tij e do të shmangeshin nga detyrat, edhe kur nuk kishin patur ndonjë ndikim, nga i ndëshkuari. Kësisoj, ata, pa e kërkuar, merrnin “ statusin” e “ fajtorit, pa faj”. Agim Spahiu ishte në një detyrë mjaft të rëndësishme, në atë të pilotit gjuajtës-bombardues. Dhe nuk ishte pilot dosido, por një fluturues i “ elitës”. Pavarësisht nga shkalla e afërsisë familjare, dhe nga ndikimi faktik, i të ndëshkuarit, tek viktima, për të qënë “ brenda”, nëpunësit e lartë i “ prenë drutë shkurt” dhe urdhëruan largimin e Agimit nga fluturimi.

Në atë kohë, pilotët, në zhargonin e përditshëm, konsideroheshin “ njerëz pa pasaportë”! Kjo do të thosh se ata, në ajër nuk mund ti kontrollonte asnjeri. Me këtë përcaktim, shprehej besnikëria e tyre ndaj Atdheut, Partisë në pushtet dhe udhëheqjes së saj. Le ta shtrojmë thjesht çështjen: Agim Spahiu ishte atdhetar  i formuar, jo vetëm nga mësimet e Nënë Ikbales e të Baba Nuredinit, si atdhetarë të flaktë, të cilëve u dhimbsej çdo pëllëmbë e trojeve amëtare dhe çdo gjë shqiptare, dashuri të cilën , ata ia injektuan birit të tyre; ca më shumë nga formimi që mori në shkollën ushtarake “ Skënderbej” e në atë të aviacionit, më vonë. Ai e donte Shqipërinë se ishte Atdheu i tij e jo i ndonjë tjetri. Agimi ishte pilot dhe e donte avionin dhe fluturimin, si jetën e tij. Pa u ngritur në ajër, dhe pa e parë Shqipërinë nga lart, jeta e tij ishte e pakuptimtë. Ta largoje, nga ëndrra e tij e fëmijërisë, nga fluturimi, ishte e njëjtë me likujdimin fizik të tij. Aq i lidhur ishte me profesionin që e dëshironte, aq shumë dhe që e realizoi atë me shumë sakrifica.  Prandaj, kur i komunikuan se nuk duhet të afrohej më tek avioni. Agim Spahiu qau, me lot. Ato pika loti ishin vaji i shpirtit të tij, jo shfaqje aktoreske. Aq thellë e ndjeu dhimbjen, njeriu i përkushtuar e i dhënë, tërësisht pas fluturimit sa dukej sikur shpirti i tij i pastër po kullonte , çurkë , në ata lotë dëshpërimi.

Largimi i detyruar, me dhunë, nga fluturimi, ishte vetëm hapi i parë, në vargun e represioneve; të tjera “ gjëma” e prisnin. Koha i vërtetoi plotësisht zemërligësinë dhe shpirtin bosh të puthadorëve të regjimit. Më pas katastrofa që nisi, u thellua e vijoi me shkatërrimin tragjikisht të familjes së tij. Komandanti autoritar Niko Hoxha, nisur nga reputacioni i Agimit dhe besnikëria e tij ndaj Atdheut, të cilën e kish parë përditë e në çdo hap të djaloshit gjirokastrit, me autoritetin e fituar dhe nën përgjegjësinë personale, mori udhën e i shkoi në zyrë Drejtorit Politik të Ushtrisë, gjeneralit Sadik Bekteshi, të cilit i deklaroi: “ Po të ndodhë gjë me pilotin Agim Spahiu, do të vihem përpara përgjegjësisë, unë dhe familja ime”! Kjo ishte një garanci më shumë, në anën e 22 vjeçarit nga Palortoja, gjë që e zbuti disi ndëshkimin e tij.

Fakti që Agim Spahiu ishte rritur dhe edukuar nga dy prindër “ për ti pirë në kupë”, si Nënë Balja dhe Baba Nuredini dhe në shoqërinë e djemve “ shpuzë” të Shkollës “ Skënderbej” dhe asaj të aviacionit, ishin, gjithashtu në anën e Agimit. Prandaj, jo nga zemërgjerësia, por nga trysnia, kompetentët, bënë një “ lëshim” dhe e lejuan Agimin të fluturonte në aeroplanët me helikë dhe në helikopter. Ishte i detyruar ti nënshtrohej këtij verdikti Agimi, duke menduar se të paktën do të çohej në ajër e do të qe më pranë aviacionit. Por ai e kishte mendjen tek “pulëbardha”, tek “ dashuria e tij e parë”. Tek migët i rrinte mendja dhe shpresa e mbante se një ditë “do ta shalonte” sërish kalin e bardhë e do të bënte akrobaci me të. Asgjë nuk i hynte në sy djaloshit të zgjuar e të shkathët, veç pilotimit, me aviobë reaktivë gjuajtës-bombardues.

Kur e njoftuan se nuk duhet të afrohej më tek avioni, për një çast , Agimit i erdhi bota vërdallë e u mpi, e tërë qënja e tij. Ku nuk i shkoi mendja. Mos kishte bërë ndonjë gabim që nuk e dinte? Mos isdhte sjellë keq, me të tjerët? Mos ishte nën nivelin e kërkesave? etj . etj. Por nuk i shkonte ndër mend se do të paguante haraç, për një gjë, me të cilën ishte vite dritë larg. Ndërkohë, Ai, u ul, “në bisht”, vuri dy duart në kokë e, për një çast, shkoi nëpër mend, si në një film,  gjithë jetën e tij.  Atë urdhër gjëmëmadh të gatuar kushedi se në cilat zyra ku pashpirtësia kish bërë fole, e përjetoi me ngashërim. Në ato lotë djaloshi 22 vjeçar, kishte shumë dëshpërim e zhgënjim, por, tek piloti i ri, me zemër të madhe, akoma nuk ishte grumbulluar ai lëmshi i urrejtjes, për  kuzhinierët e asaj gjelle që nuk haej. Nuk kishte informacion për gabimet e të ndëshkuarit, mbasi ishte larg ndikimit të veprimtarisë të tij, madje, nuk dinte fare për punën e njeriut të trungut familjar, ndaj pyeste veten: “ çfarë kam bërë? Ku kam gabuar që po ndëshkohem kaq rëndë”?

Nëna dhe babai e kishin Agimin “ dritën e syve” . Ata u shqetësuan shumë për fatin e djalit të tyre, por, meqënëse e njihmin mirë pinjollin e tyre, nuk u hodhën në sulm, për ti dalë në krah, siç ndodh rëndom, në raste të tillë, por qëndruan në pritje. Ata shpresonin se gjërat do të sqaroheshin, drejtësia do të fitonte, por dolën të zhgënjyer në ndjenjën e tyre humane.  Çështja e djalit të tyre pilot ishte tejet delikate, e  nuk duronte asnjë ngutje. Por ata, si dy prindër të dhimbsur, e ndjenë thellë në shpirt dhe e vuajtën gjatë helmimin që pësuan.

Siç dëftojnë bashkëkohësit e Agim Spahiut, ndarja e tij nga Regjimenti i Qytetit “ Stalin”, ishte një kujë e vërtetë. Agim Spahiu, ai “ gjigand” i fluturimit e veprimtar i shumë aktiviteteve sportive, me dhimbje në shpirt e më lotë në sy, mbasi puthi duraluminin e ftohtë të avionit Mig-15 bis, me të cilin ishte ngritur sa e sa herë në ajër e nuk ishte turpëruar, e u nda, me duar në qafë, me kolegët, shoqërinë e repartit dhe vartësit, i përcjellë nga Niko Hoxha, që e donte shumë, mori udhën për në Tiranë, me kokëm pas e me shpresën se kishim të bënim me një keqkuptim, ose me një keqinterpretim, i cili mesiguri që do të sqarohej e do të ndreqej. Kjo ishte ndarje e paparë, ndarje e të gjallit me të gjallët, më e rëndë nga çdo ndarje tjetër. Ajo shkaktoi dhimbje në të dy polet, si tek Agimi , që u largua dhe tek ata që mbetën në repart.

Erdhi në Repartin e Aviacionit, në Laprakë, ku, pas një përgatitje të shkurtër teorike e praktike, me zemër të thyer, Agim Spahiu, nisi fluturimet  në aeroplanët me helikë, të parkut të aeroplanëve, të cilët ishin larg “pulëbardhave “, me të cilët ishte mësuar të fluturonte, në shkollë e në Regjiment. Ardhja, për herë të parë e helikopterëve Mi-4, në vitin 1957, e çoi Agimin në kabinën e kësaj makine fluturuese. Pilotët e “ vjetër “ e njihnin talentin e tij dhe nuk u deshën shumë fluturime kontroll, për ta lëshuar në fluturime vetëm. Instruktor i kalimit ishte Sejdo Bilush Kamberi, njëri nga të parët që mësoi helikopterin Mi-4, në Pugaçov, gjatë atij viti. Nuk i kënaqte prirjet dhe dëshirën e zjarrtë të Agimit, fluturimi me helikopter, me të cilin nuk kryhen manovra të thella, si në aeroplanin reaktiv, me të cilin , ai ishte praktikuar. Megjithatë, Agim talenti, pa dekonsideruar helikopterin dhe ata që fluturonin me të, kur e pyesnin, pas fluturimit: “Si t’u duk”? Ai përgjigjej: “ Si shkaf” rusisht, (e cila do te thotë: “ Si dollap”). Kur krahasonte fluturimet e tij në aeroplanët gjuajtës, me ata në helikopterët Mi-4, “ pilotit talent i lindur” Agim Nuredin Spahiu i shtohej mërzitia dhe një lëmsh i mblidhej në grykë. Ishte lëmshi i pakënaqësisë për paudhësinë që i bënë.

Viti që pasoi, 1957-ta, në fundin e tij, kishte rezervuar çeljen e një dritare shprese, edhe për gjirokastritin, nga Palortoja. Me iniciativën e legjendarit Niko Hoxha, në përbërje të repartit të aviacionit të Laprakës, por si organizëm më vete, uformua shkolla e parë e aviacionit shqiptar, nga e cila do të dilnin pilotë. Përvoja ruse e fluturimeve ajrore, u kopjua e u përshtat, në të gjithë komponentët. Komandant i Shkollës së Aviacionit u emërua piloti i aftë, majori Areteo Konomi, njëri nga pilotët themeltarë të Aviacionit Shqiptar të pasluftës së Dytë Botërore.  Instruktorë të teknikës së pilotimit ishin: Irakli Grazhdani; Hektor Lako; Flamur Mickaj; Refit Jazoj ; Petrit Majlindi dhe Agim Spahiu. Përvoja e fluturimeve në aeroplanët reaktivë ku ai shkëlqeu, talenti i tij i rrallë dhe vullneti për të fluturuar, ishin në të mirë të Agim Spahiut dhe garantonin suksesin e tij, për të dhënë mësime fluturimi.

Agim Spahiu shquhej si njëri nga pilotët me nivel të ngritur teorik dhe me aftësi praktike të lkmueshme. Duke u aktivizuar në rolin e pilotit instruktor, Agimit “ i erdhi në shteg” të shpaloste në punën me kursantët njohuritë e thella teorike, në shkencën e aeronautikës dhe e kishte më të lehtë të bënte zbërthimin dhe argumentimin teorik të elementëve të fluturimit. Kësisoj edhe forca bindëse dhe besueshmëria ndaj tij u rritën. Siç e kishte në karakter, Agimi  u miqësua shpejt me kolegët e u lidh, ngushtë me kursantët. Shok, më të afërt , në radhët e instruktorëve të pilotimit, ai kishte Petrit Majlindin.

Në radhët e kursantëve për pilotë ishin: Bilal Josja; Astrit Mersini; Thanas Naçi; Llazar Çupa; Nestor Dhaskali; Lili Laçka; Vasil Kromidha; Niko Qëndro; Servet Muka; Servet Murati; Burhan Nurja; Agim Nanaj; Aristotel Poga; Ilija Kovaçi; Luan Sinaj; Muharrem Hida; Vangjel Nakuçi;Sotiraq Gjylameti, etj. Përgjegjës i grupit të kursantëve për pilotë u caktua shkodrani Burhan Nurja. Me çështjet e organizimit e të drejtimit të punëve, u caktua piloti Fejzi Alemi  (Rrokaj).

Mësimet teorike, kursantët për pilotë i nisën më 20 Nëntor, të vitit 1957, në fushën e bletrë të aerodromit të Tiranës. Kushtet e të mësuarit dhe mjetet ( baza materiale, dëftuese dhe vepruese) ishin larg atyre që kishin përjetuar instruktorët e pilotimit, në shkollën sovjetike të aviacionit. Do të fluturohej fillimisht në aeroplanët e lehtë mësimorë, me helikë, Jak-18U. Agim Spahiut, po i “ ndrinte fati”; Atij “i erdhi gjahu në shteg “ “shkriftohej” disi në ajër, nëpërmjet akrobacive, të cilat, i kishte, mjaft për zemër. Ndonëse ishte e dukshme epërsia e tij si fluturues, krahasuar me kolegët dhe për faktin që kish fluturuar në gjuajtës reaktivë, Agimi paraqitej i thjeshtë, i dashur, i afruar e pa mburrka. Ai nuk e veçonte e nuk e vinte veten mbi shokët. Siç më rrëfeu kursanti për pilot i atyre viteve, Servet Muka: “… Instruktor Agim Spahiu ishte i dashur, i qeshur, komunikues e na drejtohej me fjalë të ngrohta, të cilat na jepnin kurajë… Ai kishte nivel të ngritur e ishte vital; “qullacët”nuk i kishte qejf…. Këmbëngulte, që kursantët e grupit të tij dhe gjithë kursantët e tjerë, ta donin avionin dhe fluturimin, siç i donte ai. Agimi, si natyrë ishte sentimental dhe sedërli i madh. Atë e pikasje, menjëherë kur nuk ishte në qejf…. I vinte shumë inat kur vështronte shokët e tij të fluturonin në aeroplanë reaktivë, kurse ai ishte i detyruar të fluturonte në Jak-18U, i cili ishte avioni fillestar nga e nisnin pilotët udhën e ajrit. Kursantë të grupit të tij ishin: Niko Qëndro ( ndjesë pastë); Çerçiz  Zeka ( ndjesë pastë); Divin Abazaj ( ndjesë pastë) dhe Lirim Kokona… Agimi kishte identitet të theksuar dhe karakter të fortë; Ai, nuk lejonte ta prekte njeri në sedër dhe skuqej, nga inati… Ishte mjaft energjik, sillej shumë miqësisht, me kolegët dhe me kursantët. Ishte i dashur e shoqëror, aktivizohej suksesshëm, në disa lloje sporti, luante bukur dhe fort futboll, ishte nga më të mirët lojtarë shahu dhe ishte lexonte në mënyrë sistematike…”.

Në dimrin e vitit 1957, në një ditë me ngricë, kur në aerodromin e Tiranës zhvilloheshin fluturime me kursantët; pilotit Agim Nuredin Spahiu, kur donte ti dëftonte kursantit Niko Qendro, lartësinë e rrafshimit -1m, nga toka, mbi brezin jeshil, i ra temperatura e kokës së cilindrave, motorri paksoi ndjeshëm fuqinë tërheqëse dhe avioni u përplas, pas një peme, në afërsi të Fabrikës së Shkrepseve. Për fat të mirë, edhe pse aereoplani pësoi dëmtime të ndieshme, të dy pilotët, shpëtuan, mrekullisht.

Fluturimet me kursantët, me urdhër të udhëheqjes së lartë, nga fusha e Laprakës, u ndërprenë dhe, në pranverën e vitit 1958, grupi që përgatiste pilotë, me gjithë aeroplanë dhe bazën e nevojshme materiale, u shpërngul, në fushën e blertë të Shijakut, e cila ishte përshtatur si aerodrom, nga pushtuesit, në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Edhe pas ribazimit në Shijak dhe stërvitjes ajrore, me ngritje nga ajo fushë, Agim Spahiu i shoqëroi e u dha mësime në ajër, kursantëve të grupit të tij, derisa ata përfunduan programin e plotë, në muajin gusht të vitit 1958.

Në pranverën e vitit 1960, Agim Spahiu u caktua instruktor i teknikës së pilotimit me kursantët për pilotë që kaluan, nga aeroplani Jak-18, në atë reaktiv Mig-15 bis. Skuadrilja shkollë, tashmë ishte e inkuadruar në përbërje të Regjimentit të Qytetit “ Stalin” ku komandant ishte iniciatori i çeljes së shkollës së aviacionit, Niko Hoxha.

Pas përgatitjes teorike dhe asaj në tokë, Agimi zhvilloi disa fluturime në rreth, me kursantët, nga  aerodromi i këtij reparti, të cilin , ai e njihte mirë, me avionë mëimorë reaktivë Mig-15. Në muajin qershor, të vitit 1960, kur aerodromi fushor në Poro u përgatit për uljen dhe ngritjen e aeroplanëve Mig-15, efektivi i kursantëve për pilotë, në përbërje të të cilit ishin: Jovan Kacorri  (ndjesë pastë); Petraq Qafëzezi; Baftjar Metaj ( përgjegjës grupi); Lirim Kokona; Servet Murati; Servet Muka; Muço Muçaj; Çerçiz Zeka ( ndjesë pastë); Divin Abazaj ( ndjesë pastë); Raif Hoxha  (ndjesë pastë) etj. kaluan në Poro ku u organizuan e u zhvilluan fluturimet. Instruktorë të teknikës së pilotimit ishin: Agim Spahiu; Salih Dibra; Hamdi Arapi; Sokrat Prifti dhe Tomorr Avdia.

Por, ngjarja e jashtzakonshme ku humbi jetën kursanti “ brilant” Jovan Kacorri ( Dëshmor i Atdheut) dhe ngjarja që pasoi, me braktisjen e aeroplanit, me katapultë, nga kursanti Petraq Qafëzezi, dy javë më pas, diktuan mbylljen përfundimtare të Shkollës që përgatiste pilotë dhe dërgimin e kursantëve në shkollën sovjetike të aviacionit. Pas ngjarjeve, u morën masa drastike, të cilat pezulluan nga detyrat kuadrot drejtues të fluturimit, duke i dërguar në repartet respektivë nga kishin ardhur. Për Agim Spahiun, pasoi katastrofa pa aeroplan. Ai u përjashtua, përfundimisht nga aviacioni e iu hoq e drejta e fluturimeve, në çdo lloj aeroplani, meqenese ishte nipi i një gjenerali të ndëshkuar. Absurditet monstruoz që çoi në tragjedi. Ëndrra e tij fluturuese, u shua e një tjetër fat, i trishtë e priste atë trim. E përjashtuan nga aviacioni, por e lanë të shërbente si oficer gjitharmësh, fillimisht në SHNUM e më pas, në Ndërmarrjen Bujqësore të Lezhës dhe, së fundi në Shkollën e Lirë Uahtarake, me qendër në Kombinatin e Tekstileve “ Stalin”, në Tiranë. Agimit iu duk sikur kaloi në një jetë tjetër. Energjiku i papërmbajtur, sportisti gjithëfarësh, i dashuruari pas ajrit dhe lundrimit ajror, djali i zgjedhur i Palortosë, atdhetari i spikatur- Agim Nuredin Spahiu nuk do të ngrihej më në ajër. Është pak të thuash se u tret ëndrra e tij fluturuese. Shpirti i tij e dinte trishtimin që përjetoi ai “ kollos”, i lindur për të fluturuar. Pas këtej, çdo punë që bënte, sido që ishte i vendosur e kurajoz, nuk e “plotsonte”. Një boshllëk të paprovuar, ndjente ai njeri i rrallë, shpirti i të cilit nuk ndahej nga fluturimi.

Piloti veteran Mustafa Çiçi, ka një kujtim interesant që e verteton këtë. Më 13 mars të vitit 1977, në ekipazh me Fredi Priftin dhe me Sinan Breshanin, me helikopterin 6-03, mori urdhër të ulej në Malin  me Gropa, afër vendfushimit të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve  “ Enver Hoxha”, për të evakuar një studente të Fakultetit të Mjekësisë, e cila kishte pësuar infarkt të miokardit, gjatë një marshimi në Malin e Miçekut,ku lartësia ishte 1740m. Nuk e dinim vendin e uljes dhe sipërfaqja e tokës ishte e mbuluar nga bora. Fillimisht, u ulëm në Feken, afër kampingut. Tek helikopteri u afrua një oficer dhe 3-4 rezervistë. E njoha, oficerin, ishte ish piloti Agim Spahiu. Edhe ai më njohu e më foli me gjuhën që komunikojnë me njëri-tjetrin dy pilotë: “ E aksidentuara nuk është këtu , por afër majës së malit, tha ai. Vendi ku do të uleni është me gropa e i mbuluar, nga bora dhe  nuk duket parrafshtësia e vendit. Prandaj lypset të bëni  kujdes, tha ai”! Bëmë siç na tha Agim Spahiu e u ulëm në lartësinë 1740m, ku morëm studenten nga Tragjasi i vlorës dhe e sollëm në Tiranë. Agim Spahiu, edhe kur drejtonte stërvitjen e rezervistëve këmbësorë, mendjem e kish tek fluturimi dhe ngazëllehej , a herë i jepej mundësia të ndhmonte.

Epilog

I pikëlluar e i ligështuar, me buzë të plasur nga dëshpërimi, Agim Nuredin Spahiu u nda nga pasioni i tij i jetës, nga “lodra pulëbardhë”, e cila e kishte nxjerrë, faqebardhë, në çdo rrethanë. Ai u nda nga të dashurit e tij të së njëjtës rracë, nga ajo jetë intensive e kolovitjes të kursantëve për pilotë dhe nga profesioni i tij i preferuar, nga pilotimi. Ta thuash me fjalë dhe pas kaq vitesh, nuk është aq e vështirë, por ta ndjesh, së brendshmi, ta kesh pjesë tënden, të të bëhet si hije që të ndjek pas e nuk e largon dot nga vetja, është tjetër gjë.

Zija dhe pikëllimi, nuk kapluan vetëm protagonistin e këtij rrëfimi, Agim Spahiun. Nënë Ikbalja dhe Baba Nuredini, të cilët e vështronin djalin fluturak, në dritën e syrit dhe e kishin “ shpresën” dhe motivin e jetës së tyre, e përjetuan me dhimbje e me lot, gjëmëm që i pllakosi. Një familje e tërë u shkatërrua,pa shkak, fatkeqësia u ul në atë vatër , si në shtëpinë e saj. E dinin ata njerëz e prindër të mirë se në shtëpinë e tyre kishte hyrë e keqja; e cila , në ata vite nuk mund të ndalej lehtë e ajo nuk do të  mbaronte me kaq. Dëshpërimi që e “ shkërmoq” njeriun, si luhatja  e temperaturës –gurin, e bëri të tijën produkti ogurzi nuk vonoi të vinte. Tri orë, njëri pas tjetrit, gruaja shtëpiake, nënë Balja para e Nuredini, çobani i dhenve të fermës, pas saj, u ndanë nga jeta. Këta ishin dy prindër të mirë, fisnikë e bujarë, por dëshpërimi që i kaploi u mori jetën. Pas tyre, djali i madh, i Agimit, Artani, rekordmen kombëtar në vrapimin 110m, me pengesa, pjesëtar i ekipit të “Partizanit” dhe atij kombëtar të atletikës, u nda nga jeta me vetëgjyqësi.

Pas atyre që ngjanë, Situata në familje dhe pozita shoqërore e Agim Spahiut u përkeqësuan mjaft. Përfytyroni, një situatë, kur shkëmbehesh në udhë, rastësisht me atë që ke ndarë kënaqësi e ke kapërcyer vështirësi e  rreziqe dhe që e ke dashur e të ka dashur si vëllai – vëllanë e mirë  të kthen kokën në krahun e kundërt. Shokët, miqtë, të gjithë sa e njihnin, e vështronin Agimin , me një sy tjetër dhe përqaseshin, tek ai, si me drojë, si me rezervë, thua se çfarë kishte bërë? Agimi, përveç humbjes së dashurisë të tij të parë, fluturimit, humbi dhe shoqërinë e aviatorëve, e cila është e rrallë e me tërë ngjyrat e dashurisë, respektit tëndërsjelltë, solidaritetit dhe përkrahjes për njëri-tjetrin. Kjo ishte një brengë tjetër, po aq e madhe, të cilën duhet të përballonte Ai trim i rrallë. Ishte zemra dhe karakteri i fortë, i Agim Spahiut, që e supertuan këtë katastrofë, jo vetëm individuale. U gjend dhe ndonjë njeri, me zemër të madhe e me shpirt njeriu që e përkrahu dhe e ndihmoi të rikthehej në jetë.

“ Fajtori pa faj”, Agim Spahiu përjetoi tronditje e papajtueshmëri të paparashikuara e të paimagjinuara, dhe  shumë vështirësi e privacione, por u përshtat shpejt me gjendjen e re sociale. Ai e kishte në edukatë e ishte rritur me disa tipare të rralla, ku kryefjalë ishte rregulli, disiplina, përkushtimi i lartë në detyrë dhe bërja e punëve të paqta. Agimi u përshtat me detyrën e re,kudo ku u caktua dhe me shoqërinë e re, ndryshe nga sa ishte mësuar,por, mendjen dhe shpirtin e kishte lënë në aerodrome, atje ku utërinin turbinat dhe ku zjente një tjetër jetë. Agim Spahiu ndihej keq, sa herë dëgjonte utërimën e turbinave reaktive e kur vështronte, lart, në qiell,  vija të bardha, prapa siluetave, të argjendta të aeroplanëve gjuajtës, reaktivë që çanin ajrin, në lartësi të mesme e në stratosferë.

Agim Nuredin Spahiu, e ruajti nostalgjinë për aviacionin, deri në fund të jetës së tij. Shprehje konkrete e kësaj nostalgjie ishte mbajtja prej tij, e veshur, e uniformës ushtarake, me shënjat simbolike të aviacionit. Ai, sa herë ishte i veshur ushtarak, nuk e hiqte nga koka kapelen me shënjat dalluese të aviatorëve ( me krahët e shtrirë të një zogu, me siluetën e zogut në jakë e me të tjerë aksesorë). Këtë paraqitje të tij, na e sjell, në kujtimet e tij, njëri nga veteranët e aviacionit, parashutisti i klasit të parë: Fadil Nenaj ( Braho). Ai theksoi: “… Ishim ulur, për qejfin tonë, në një tavolinë të restorantit “ Vollga”, së bashku me Bilalin; Bardhin dhe Rolandin. Në një tavolinë pranë, si ne, ishin ulur disa oficerë. Njëri syresh, mbante shënjat dalluese të uniformës së aviatorëve. Nuk i njihja, as unë; as miqtë e mi, me të cilët darkoja. Oficerët e tavolinës pranë, u konfliktuan me disa qytetarë, të ulur në një taviolinë më tej. U konfliktuan e arritën deri në goditje të ndërsjellta. Në mjedis u bë rrëmujë e klientët erastit u shqetësuan. Për të shuar sherrin, u thirr policia. Më pyetën si dëshmitar okular. Mbajta anën e oficerit me shënja aviatori, pa e njohur atë. Kur u qetësua situata, oficeri “aviator”, erdhi në tavolinën ku isha ulur e u prezantua: “Jam Agim Spahiu; kam qenë pilot, fajin e kisha unë, për sa ngjau; ty të falenderoj që më more në mbrojtje, dhe shtoi: Ato që keni konsumuar e çfarë do të konsumoni, i paguaj unë” e shkoi tek shokët. Nuk e njihja, Agim Spahinë, ndonëse kisha dëgjuar për të. Më la ndjesi të mira, sinqeriteti i tij i rrallë.

Në një rast tjetër, thekson Fadili, e takova në radhën e qumështit. E mbajta mend që nga takimi i parë e nuk e pata të vështirë për ta njohur. E njoha nga uniforma ushtarake e stolisur me shënjat e aviatorëve. Shitësja e qumështit u vonua e ne, të dy, patëm kohë të pinim kafe, me “ bisht”. Shpejt e shpejt ,”i rrokullisëm”, nga dy dopjo konjak. Ndërkohë i  bëra me dije se në depon që menaxhoja, kisha parë një shlemafon( kokore) piloti, brenda të cilit ishte shkruar emri i tij: Agim Spahiu. “ Aman, m’u lut bashkbiseduesi, ma bjer ta puth atë shlemafon e, pastaj, le të des…” Unë ta fal, i thashë, por nuk e takova më; e kërkova,por, mësova se Agim Spahiu ishte ndarë nga jeta. U ndjeva keq kur mësova këtë fatkeqësi e mendova: njeriu i mirë , nuk ka të mira!…”

I mësuar me mënyrën e jetesës në aviacion, dhe me korrektësinë në çdo hap, ai bëri ndryshim në përgatitjen e rezervistëve ku shumica ishin studentë të Universitetit të Tiranës, dhe në shoqërinë që e rrethonte. Por, në kushtet e dëshpërimit e të zhgënjimit të thellë, i lidhur me shoqëri jo si ajo që la në aviacion, Agimi u dha, pas përdorimit të alkoolit dhe, gradualisht degradoi. Meraqet që kishte në jetë dhe nostalgjia për fluturinin, e “ gërryen”, pak nga pak, atë njeri të hekurt, i cili , u sëmur nga një sëmundje e pashërueshme dhe u nda nga jeta, në Sanatoriumin e Tiranës, në vitin 1989. Sipas amanetit që kish lënë, i linduri për të fluturuar, atdhetari i përkushtuar, Agim Nuredin Spahiu, u përcoll , në banesën e fundit, në varrezat publike të Sharrës, në Tiranë, në një parcelë ku prehej i biri, Artani, të cilin, Ai e donte shumë. Kështu përfundoi një jetë, e një njeriu me karakter të fortë, por me shpirt të mëndafshtë, i cili e donte jetën ta jetonte siç e ëndërronte, por që ajo rrodhi jo siç do ta donte e ai ishte i detyruar ta pranonte, siç i erdhi.

Nuk e pata të lehtë realizimin ekësaj nisme, me karakter tejet human; përshkrimin e një jete jo si të tjerat. Përveç peripecive e pengesave qe hasa gjatë udhës, m’u desh të bëja përpjekje kokëforta, për të gjetur varrin e tij, në Sharrë. Me ndihmesën që ndodh rrallë , në këtë kohë, dy menaxherët e atij mjedisi, gjeta vendin e “ shënjtë”, ku prehet “legjenda” e ajtit, Agim Nuredin Spahiu. Njëvarr i thjeshtë e i braktisur. Me brodura granili , siç beheshin atëherë varret; pa plaka e aksesorë. Për fatin tim të mirë,pllaka , tek koka e varrit ishte e ruajtur e ne te dalloheshinqarte, ditelindja dhe dita e ndarjes nga jeta, si dhe emri e mbiemri. Kush të dojë le ta besojë: Pas shumëperipecish ,kur gjeta atë vend paqeje, dhe lexova identitetin e njeriut që prehet nen dhe: Agim Spahiu e njoha fotografine e tij, me kapelen e aviatorit, me simbolikën perkatëse, u ndjeva i lehtësuar e i çliruar nga ankthi që më kish kapluar.

Dua të theksoj dhe një tjetër fakt, shumë domethënës: Më mirë se disa nga bashkëkohësit e tij, besoj se askush nuk mund ta përshkruajë tipin e agim Nuredin Spahiut, me të gjitha nuancat e karakterit. Le tu referohemi, disa opinioneve, që më dhanë, disa syresh, lidhur me sa u tha:

  • Halit Bulku, pilot i klasit të parë, veteran i aviacionit: “… Në vitin 1955, kur isha në Borisoglebsk ( BS), Agimin e gjeta, në shkollë. Ai ishte në grupin e dytë të pilotëve, së bashku me : Bardhyl Taçin; Hamit Ulqinakun; Anastas Ngjelën dhe Vasil Andonin. Ishte “yll”, si në fluturim dhe në veprimtaritë sportive. Luante futboll cilësor, me sedër dheishte tepër rezistent. Kishte dëshirë të luante në një ekip me Gëzdar Veipin dhe me Mahmut Hysën. Nuk e di përse u lidha ngushtë me të e më donte shumë. Kur erdhëm në Shqipëri, ai përsëri dallohej, në fluturim dhe në veprimtaritë sportive. U largua nga aviacioni kur po ngjitej shpejt si pilot…”
  • Skënder Dusha; veteran i aviacionit, teknik aeroplani i klasit të parë: “ … Agim Spahiu ishte i shoqërisë. Teknikën e pilotimit e kishte fenomenale. Ishte futbollist i shkëlqyer e luante me sedër. Luante me ekipin e qytetit, si në shkollë dhe kur erdhi në vendin tonë. Agim Spahiu ishte më i miri, në grupin ku bënte pjesë… nënën e kishte shumë bujare dhe amvisë të përkryer. E kam çuar Agimin, disa herë në shtëpi, kur Ai banonte tek rruga e “ Kavajës”, në gjendje të dehur; së bashku me teknikunTh. M. Nënë Ikbalja, më shtroi në krevat; ata, të dy i vuri të flinin në dysheme…”.
  • Servet Muka, veteran, ish pilot, kursant, në kohën kur Agim Spahiu, ishte instruktor në avinët Mig-15, në Poro: “… E kam simpatizuar Agim Spahinë, për tiparet burrërore që kish. Ai ishte fjalëmbajtur, fluturonte me pasion dhe kishte ëndrra; ishte ambicioz dhe trim…”.

-Admir Fllaga, veteran, pilot instruktor jetëgjatë: “… Agim Spahinë e kam njohur në Qytetin         “Stalin” dhe në Poro. Ish pilot shumë i mirë dhe i dhënë pas shoqërisë. Ishte pak i rrëmbyer… “.

  • Burhan Nurja, veteran, ish pilot, “ fajtor pa faj”siheroi ynë: “… Ai ( Agim Spahiu), ka hangër vedin. Më ka qa shpirti kur mora vesh se ka dek. I kam dash e respektu shumë pilotët. Njanin, të cilin e kam pas shumë shok, më ka kthy kokën… Nuk ia ve fajin, kërkujt, ia ve fajin kohës dhe fatit…”.
  • Kostandin Sadikaj, pilot, veteran, njëri nga legjendat e shkollës së aviacionit: “… Agim Spahiu, ishte njeri e pilot i shkëlqyer. Fluturonte në Mig-15, mbahej në formacion, me milimetra. Ai ishte i fortë fizikisht; dhe shumë i mirë për shoqërinë; lidhej më shumë me të varfërit; përkrahte fukarenjtë. Luante shumë mirë futboll; kishte nivel të lartë teorik dhe praktik. Gjuhën ruse e mësoi shpejt dhe e fliste mirë…”.

Ndarja nga jeta e Agim Nuredin Spahiut është “ shuarja e një “ylli”, i cili, sapo nisi të ndrinte. Në kohën që jetojmë, kur ndikimi i mendësive të gjykimit të gjërave “ bardhë e zi”, të cilat janë refleks i të shkuarës diktatoriale është akoma i pranishëm, kjo monografi modeste, le të shërbejë si një lapidar kujtimi e nderimi, kushtuar një talenti të rrallë, të cilin, nuk e lanë të shpaloste gjithë sa kishte mundësi të jepte.

Ata që nuk e njohin heroin e këtij shkrimi, kanë mirësinë, të njohin jetën e tij interesante; nëse dikush që e ka njohur, bën përpjekje ta fshijë nga kujtesa, ca më keq për atë vetë. Njerëz të mirë e fluturues të lindur, si Agim Nuredin Spahiu, nuk mund të harrohen. Ai rrjeshtohet në aradhën  e atyre që e vendosën veten në tribunën e nderit, për atë që kanë bërë, pavarësisht se jetën si fluturues, nuk e pati të gjatë.

Në Tiranë, Dhjetor 2016- Janar 2017

Shkroi  Niazi Nelaj   

One thought on “Agim Nuredin Spahiu- pilot i elitës; njeri i përkryer”

  1. Neve familjareve na le pa fjale zoti Njazi. Mund te te ndihmonim me ndonje fotografi. Gjithsesi deshiroj tju falenderoj e nese eshte e mundur tju takoj. Me respekt nipi i tij, djali i vellait te Agimit. Edvis Gramoz Spahiu

Comments are closed.