Bardhyl T K. Lubonja- pilot i “ elitës”, i ngjiti me shpejtësi shkallët e kualifikimit

Në ndonjë rast,domethënia e emrit, përkon me personalitetin e mbajtësit të tij. Paska qenë “profet” kumbari i Bardhyl Lubonjës, i cili ka paraparë ardhmërinë e jetës të heroit tonë simpatik. Gjuhëtarët, për të zbërthyer e spjeguar domethënien e këtij emri, janë në fushën e tyre; mua do të më mjaftonte pësëritja e atyre që më sygjeruan ata që e njohin, ndoshta më mirë, protagonistin e këtij rrëfimi.

Nga sa më thanë disa bashkëkohës të tij, emërues i përbashkët i etiketimeve nbetet togfjalëshi:“ Bardhyl T K. Lubonja është zemërgjerë e zemërbardhë”! Një përcaktim i tillë, nuk më duket i paktë, për të portretizuar një njeri  të mirë. Për fat të keq, të tillët nuk i kemi me shumicë, por me pikatore. Bardhyli  është njëri syresh. Veç, tek figura e Bardhit nuk ka si të mos bierë në sy një ndryshim, jo i pakët:  Bardhyl T K. Lubonja nuk ka të bardhë vetëm zemrën por dhe shpirtin.  Ai njeri,  të gjithë qënjen e ka të bardhë.

Në trevën ku erdhi  në jetë e hodhi shtat  shoku im i kahershëm, dikur kanë thënë: “ Emri është vetëm një kapistall”. Dakort; ashtu ndodh rëndom, por më duhet të shtoj diçka, jo pa vlerë:  Vetë natyra “e ka zgjidhur thesin” dhe është dëftuar bujare, madje, me tepri, me atë njeri.  Çfarë të thuash për të? Shtatlartë, tërë nur, i zgjuar, mendjehapët e mendjendritur, i çiltër deri  në naivitet, trim e guximtar;  një njeri me tërë të mirat që mund të thuhen për një qënie humane. Bardhyl T.K. Lubonja është nga ata njerëz që rrezatojnë vetëm mirësi e dashuri.

Bardhyli e nisi jetën e adoleshentit si zog furtune;  Ai u ngjit në hapsirën qiellore të Atdheut, kur ende nuk i kish mbushur të tetëmbëdhjetë vjetët. Heroi ynë e vijoi  lundrimin ajror mbi  hapsirat e pamata të Rusisë, u specializua për të fluturuar mbi një kalë të azdisur e të frikshëm, siç është gjuajtës-bombarduesi  mbizanor Mig-21F, në hapsirat e “ ngjeshura” të Kinës ; i ngjiti shkallët e kualifikimit vetëtimthi  e  “pa i hyrë asnjë gjëmb në këmbë” e tani, siç shkruan vetë: “ … kilometrat e fundit… “ po i përcjell, në qetësi,  përtej  oqeanit, në Bostonin e largët, i rrethuar nga dashuria dhe respekti, i miqve e shokëve  të shumtë që qëmtoi gjatë gjithë jetës aktive, në të katër anët e globit.

Jam njohur me Bardhylin, në shtatorin e largët të vitit 1955, kur hymë, në të njëjtën  Shkollë të Mesme “ Irakli Tërova” në Korçë. Do të mësonim për t’u bërë teknikë të mesëm, për bujqësinë, në degë të ndryshme. Ai në degën e agro-zooteknisë e unë në atë të frutikulturës. Pas përfundimit të shkollës së mesme dhe diplomimit, në profile të ndryshëm, Bardhi nisi udhën e qiellit, e unë një vit më pas, ndoqa të njëjtin profesion. Fati e deshi të ndaheshim disa herë e përsëri  të bashkohemi, në pozicione të ndryshëm,  nën “ të njëjtën çati” ( lexo njësi e profesion).

Sido që e solli fati, me të priturat e me  befasitë që pruri jeta, miqësia jonë e dikurshme nuk pësoi lëkundje, përkundrazi, ndryshimet e papritura veç sa nxitën më tepër dashurinë dhe respektin e ndërsjelltë e ne mbetëm po aq miq të mirë, si dikur në adoleshencën tonë. Bashkëmoshatarë e miq të tjerë, të shumtë që Bardhi hasi gjat udhës së gjatë të jetës, ndoshta e kanë njohur më mirë e për më tepër kohë, në punë të përbashkët dhe sejcili, patjetër ka opinion të pavarur mbi personalitetin e tij. Disa opinione, të cilët i çmova më të mundshëm, i kam pasqyruar, me vërtetësi në këtë shkrim.

Robert  Marko;  Bahri Meshau ( Përmeti );  Rrapo Kodheli;  Sherif Hajnaj ( Bracki );  Koço Biku; Ahmet  Sulejman  Zogu;  Petrit Bebeçi  etj, janë disa syresh të cilët nuk kanë hezituar të derdhin kujtimet e tyre në këtë rrëfim. Mësuesi   ynë i përbashkët, miku i mirë, piloti i klasit të parë Çobo Skënderi,  mendjethellë e i çiltër, kur i kërkova mendim:  çfarë të shkruaj për Bardhin?  U mendua pak dhe, si njeri  me kompetencë i letrave shqip, më porositi: “ … Kumbari  i ka vënë emrin Bardhyl e Ai e justifikoi atë, plotësisht. Ashtu u bë;  i bardhë, nga koka, tek këmbët . Mbi të gjitha, Bardhi ka shpirtin dhe zermrën të bardhë. Sa i takon dashurisë njerëzore dhe shoqërore, Bardhi ngjan nga Naimi e nga Fishta; për nga atdhetaria,  ai nuk ve njeri, mbi  legjendarin Skënderbe…”! Vlerësime të tillë, nuk mund të kenë kontestues. Ato janë thënë me mend në kokë e me këmbë në tokë.

Bisedova, mbi këtë temë, me pilotin veteran Osman Kushta.  Ai e ka njohur për pak kohë Bardhin, por koha e njohjes ka qenë e mjaftueshme  për të formuar një opinion të saktë e të merituar, për heroin e këtij shkrimi. Mes të tjerave, Osmani më bëri dhe  një kritikë të drejtë, kur tha:  “… Ke shkruar shumë për aviatorët;  për Bardhin, që e ke mik jetëgjatë, përse u kujtove kaq vonë…”?  Kritika  është me vend e po i përgjigjem çiltër asaj:  Në radhën e shkrimeve, Bardhyl T.K. Lubonja e ka vendin në podiumin e nderit, ose si i thonë rëndom, në “ presidiumin e mbledhjes”, ndoshta më parë se të tjerët;  jo duke gjykuar nga shtatlartësia por nga vlerat që bart, si njeri  e si fluturues. Por ju duhet ta dini se pengesë për të shkruar për të është bërë vetë Bardhyli. Dikush, me të drejtë mund të bëjë të habiturin e të thotë: “ Si është e mundur kjo”? Më poshtë po e sqaroj këtë çështje e cila është e vërtetë; jo e stisur.

Bardhyl  Lubonja, nuk shquhet vetëm si zemërbardhë e shpirtmirë; ai mund të merret dhe si model i thjeshtësisë. Bardhi, nuk vetëlëvdohet kurrë dhe e ka bezdi ta mburrin të tjerët. Prej kohësh,” u lodha “, duke i kërkuar të dhëna biografike, me qëllimin e mirë, që të shkruaj diçka për të,  por, ai, në çdo rast më ka “ bojkotuar”. Sa herë i kam kërkuar të dhëna, Bardhi, me elokuencë, është shmangur dhe e ka transferuar bisedën gjetkë. Justifikimi  i  pabazë ka qenë: “ Çfarë do të shkruash për mua , bre, tinë? Unë kam qenë njëlloj si shokët , e çfarë kam bërë unë më shumë”?  Besoj se ky pohim nuk lë vend për interpretim e për koment.

Diçka për fëmijërinë e tij.

Bardhyl T K. Lubonja, u lind, në qytetin e bukur e të pastër të Korçës, në rrugën e “ Durove”, Nr 39, e cila, më vonë u quajt  me emrin: “ Sotir Gurra”, më 17 korrik të vitit 1942. Të dy prindërit që e sollën në jetë: Nëna Gurre dhe Baba Kozmai ishin korçarë autoktonë. Për origjinën e largët të tyre, egzistojnë të dhëna kontradiktore, të cilat kanë nevojë për konfirmim.  Për origjinën e Babait të Bardhit, thuhet se mund të jetë nga Mali i Zi, ose nga Kroacia, madje dhe nga Sllovenia.  Për Nënën e tij, disa të dhëna gojore dëshmojnë se prejardhja e saj mund të jetë nga Maqedonia. Sidoqoftë, ata u ngulën në Korçë, jetuan e u fikën në atë qytet dhe si korçarë njihen, në trevë e më gjerë.

Nga martesa e Nënë Gures me Baba Kozmanë, u lindëm dy vajza e katër djem.  Motra e madhe e Bardhit është Antoneta.  Ajo ka kapur moshën 90 vjeçare dhe banon, në Korçë. Afërsisht, të njëjtën moshë ka dhe motra tjetër e tij – Lirika, e cila, gjithashtu banon në Korçë. Pas dy vajzave, çifti Lubonja solli në jetë dhe katër djem: Gaqon, në vitin 1928; Dhimitrin, në vitin 1929; Sotiraqin, në vitin 1933 dhe Bardhylin, në vitin 1942. Në kohën kur ata u lidhën me njëri-tjetrin, me martesë, banonin në rrugën e “ Durove -39”, e cila ndodhej pranë Mitropolisë të qytetit të Korçës. Kjo shtëpi e Zotit, ishte ndërtuar akoma pa ardhur në jetë Bardhyli dhe fëmijët paraardhës të çiftit Lubonja, me kontributet e qytetarëve, të cilët ishin në konflikt me pushtetin e kohës, përsa i takon lejes së ndërtimit të këtij objekti  kulti. Qytetarët, natën hapnin themelet dhe ditën i mbulonin ata, me bar, në mënyrë që të mos ta diktonin dredhinë e tyre pushtetarët. Ata ishin të vendosur e kërkonin të ndiqnin ritet fetare, doemos. Në këtë dyluftim  fituan qytetarët dhe Mitropolia u ngrit. Në këtë objekt kulti u pagëzua Bardhyli, siç kishte ngjarë dhe me vëllezërit e me motrat e tij, paralindës. Në kishën ortodokse të qytetit të Korçës, Bardhyli mori dy emra; njërin- Bardhyl e tjetrin Tomi, prandaj njihet si Bardhyl Tom K. Lubonja.

Shtëpia e tyre ishte, e thjeshtë; një dykatëshe, me qilar. Muret e banesës ishin prej guri, mbulimi i saj ishte bërë me qoromidhe të kuqe. Përpara shtëpisë ishte një oborr, i  madh e pranë tij një kopësht.  Në kopshtin e familjes kultivoheshin disa hardhi dhe një  vishnje.  Oborri dhe kopshti i shtëpisë ishin të rrethuar nga një mur guri, jo i lartë. Në anën e jashtme të tij ishte një gardh teli me gjëmba. Si muri  dhe gardhi, ishin lehtësisht të kalueshëm nga fëmijët çapkënë të rrugicës e të mëhallës. Kafshë prodhimi  e shtëpiake, familja e Bardhit, nuk mbante. Gjitone me familjen e Bardhit ishte ajo e Robert Markos. Shtëpitë dhe avllitë e të dyja familjeve gjitone ishin të mbështetura pas njëra-tjetrës; ato i ndante një mur. Në fëmijërinë e herëshme, Roberti dhe Bardhi luanin, së bashku  lojërat e fëmijërisë të kohës.

Siç kujton veterani i aviacionit, Robert Marko, shok i fëmijërisë të Bardhyl TK. Lubonjës : “ Lojërat tona i zhvillonim përpara shtëpisë të Bardhit. Ai ishte më i vogël nga unë dhe nuk merrte pjesë në të gjitha lojërat, por vështronte, me kërshëri, nga dritarja e shtëpisë ose qëndronte përpara portës. Unë dhe bashkëmoshatarët e mi, luanim me ashikë ( onoma); me detka ( sfera); me fugë ( një lojë fëmijësh e ndërtuar mbi parimin e centrifugës); topagropthi; me cingëla e me plloça; kala dibrançe; syllambyllazi ose hapa dollapa, kush është fshehur mbrapa ( raqe-raqe-kikiko); Kikidhi; perustidhi,   etj. Lodrën me top, e zhvillonim ne porta e Bardhit. Atë, si më të vogël dhe gjatosh symprehtë e linim, zakonisht, portier. Ishte portier i mirë Bardhi e i kish vënë kyçin portës. Luanim me një top bejzbolli, të cilin ia kishin dërguar Raqkës, nga amerika. Topi ishte i stërgjatë, si dardhë, e ia “ morëm dorën” me vështirësi. Më të vështirë e kishte Bardhi, se topi i rrëshqiste. Ne bënim si bënim; ia tërsëllonim (  gjuanim fort) atij e nuk mbanim përgjegjësi se ku shkonte e kë godiste.

Në dimër, dëfton Roberti; “së bashku me Bardhin dhe me disa shokë që banonin në rrugicën tonë, bënim ski dhe me rrëshqitnim me patina ( patinazh i thënçin). Ngjiteshim sipër rrugicës së mëhallës tonë, deri tek Çesma e Rrotës  e që andejza, lëshoheshim poshtë, deri tek gjimnazi “ Raqi Qirinxhi”; atje ku ishte shtëpia e Vaso Pykës. Përpara liceut ishte një ski, e madhe, të cilën e kishin lënë gjermanët, nga koha e luftës.  Skija ishte e rëndë dhe e tërhiqnim me litar, deri sipër. Pastaj hipnim sipër saj, 2-3 vetë dhe e lëshonim atë tatëpjetë. Rrëshqiste skija , me zhurmë e tërhiqte vemendjen e njerëzisë.

Shokë fëmijërie, kishim:  Niko Zguron; Raqkën;  Maqon;  Gaqon e të tjerë. Bardhi ishte mjaft i bukur, me faqka buçko e fytyrëbardhë, me flokë kokoridhka  e i brishtë. Atë e vishte dhe e rregullonte me merak, çdo ditë, motra e madhe  Antoneta. Bardhi ishte vazhdimisht nën kujdesin e saj dhe si kur dilte jashtë, për të luajtur dhe  kur shkonte në shkollë, ishte i rregullt në veshje dhe i pastër. Ai shquhej për brishtësinë e tij dhe për urtësi e sjellje model”.

Mësimet e shkollës shtatëvjeçare, Bardhi i përcolli në shkollën  “ Ballamaçi“, e cila, në vonë mori emrin: : 7 nëntori”. Ajo ndodhej pranë shtëpisë të tij. Përpara se të shkonte në shkollë, në moshën parashkollore, Bardhin e çuan në një kopësht, pranë Mitropolisë të qytetit të Korçës. Klasën e parë të shkollës fillore, ai e kreu në  shkollën  “Ballamaçi”; vitet që pasuan, i vijoi në shkollën shtatëvjeçare “ 7 nëntori”, në vitet 1948-1955. Në shkollë, Bardhi shquhej, më tepër se për rezultate, për sjelljen e tij shëmbëllore. Ai, për shkak të shtatit të lartë që rritej vazhdimisht, qëndronte në bankat e fundit të klasës. I urtë, i qetë, i vemendshëm, tepër interesant, Bardhi  thithte dhe bënte të vetat të gjithë elementët e mësimit dhe “ shkëlqente “ në përgjigje, kur e pyeste mësuesja.

Në vitet e shkollës shtatëvjeçare, Bardhi mori njohuritë fillestare për natyrën e shoqërinë dhe mësoi të shkruajë e të lexojë, shqip. Me tipare të qënësishme  tejet njerëzore dhe me sjelljen e tij “ të mëndafshtë” Ai fitoi fitoi respektin dhe dashurinë e shoqeve dhe të shokëve të klasës e më gjerë. E veçanta e djaloshit adoleshent që po hidhte shtat vrullshëm ishte një tipar i rrallë i tij. Bardhi nuk e veçonte veten nga të tjerët por ndihej njëlloj si ata. Që në vështrimin e parë, binte në sy qëndrimi i qetë, në klasë e jashtë saj, urtësia dhe interesimi që shfaqte për të mësuar  në çdo orë e nga çdo lëndë. Sjelljen e mirë dhe dëshirën për t’u thelluar në mësime, Bardhi e kishte vazhdë nga edukimi që kishte marrë në familje, ku kryefjalë e edukimit të tij ishte Nëna Gure dhe motra e madhe- Antoneta.

Kur përfundoi shkollën shtatëvjeçare, në vitin 1955, së bashku me disa shokë, Bardhi  vendosi  të regjistrohej në Shkollën e Mesme bujqësore të qytetit, në Teknikumin Bujqësor “ Irakli Tërova”, për t’u diplomuar teknik i mesëm, në degën e agro-zooteknisë. Kjo shkollë, ishte në vitin e tretë nga koha e çeljes dhe Bardhi, së bashku me shokët e tij bashkëqytetës:  Maksim Tuxhari;  Gëzim Kuqo;  Vaso Boçi; Pandeli Tabaku;  Gjergji Nako dhe me bukuroshen  elegante me origjinë franceze- Irenë Mëria etj. u regjistruan si nxënës të jashtëm të këtij institucioni arsimor.

Bardhi, së bashku me disa të tjerë u caktuan në degën e agro-zooteknisë. Si në shkollën shtatëvjeçare  dhe në teknikum, shtatlarti  nga  qyteti  binte në sy për sjellje qytetare, urtësi e vullnet të rrallë për të mësuar. Ai, me inteligjencien që e karakterizonte bëhej sy e veshë për të përthithur esencën e spjegimit të mësuesve të lëndëve të ndryshme, i etur për të nxënë sa më shumë e për t’u veshur me kompetencë shkencore, aq sa ishin mundësitë.

Kaluam së bashku katër vjet, në këtë shkollë të mesme. U njohëm e u miqësuam me njëri-tjetrin, mbi baza të dashurisë dhe respektit të ndërsjelltë , të çiltër e të pa interes. Korçari Bardhyl Lubonja, krahasuar me të tjerët që ishin nga i njëjti qytet, dallonte jo pak.  Ai veçohej nga ata, prej sjelljes tepër korrekte dhe nga sinqeriteti, në madhëdhënie me mësuesit dhe me ne bashkëmoshatarët e tij.

Tek Bardhyli gjeta një shok e mik besnik; të urtë e të heshtur. Ai zinte vendin qe i takonte në klasë e nuk ndihej. Ne, shokët e tij të klasës, e ndjenim që Bardhi ishte i pranishëm në atë mjedis ku mësohej shkencë, vetëm kur e pyeste mësues Kiço Metaksai, i cili drejtonte lëndën e matematikës e të fizikës; mësuesi i letërsisë- Kristaq George, ai i zooteknisë Adem Bilimani, mësuesja e rreptë Klementina Dishnica etj. Bardhi çohej nga vendi, gjithë mirësjellje dhe, si nuse e bukur  jepte spjegimet që i kërkoheshin.

Gjatë katër viteve që ishim së bashku, Bardhi, asnjëherë nuk u veçua si prishës i rregullit e i disiplinës dhe nuk u bë kurrë problem, për ecurinë në mësime. Edukata familjare dhe qetësia me të cilën i përcillte dukuritë, ishin karakteristika të veçanta të atij djaloshi. Si në klasë dhe në veprimtaritë mësimore-sportive apo në ato kulturore, Bardhin e gjeje tok me shokët, të njëjtë e të ndryshëm  njëkohësisht. Sjellja dhe shtati e veçonin atë njeri nga shokët e shoqet e klasës dhe të shkollës. Pa bujë e pa zhurmë, Ai çapitej, i qetë, me detyra  shtëpie të plotsuara e me mësime të mësuara nga shtëpia në shkollë e anasjelltas.  Bardhi, me një çantë shkolle, si e shokëve, në dorë, hynte në klasë e ulej në bangën e tij, pa rënë në sy të shokëve e të mësuesve dhe ishte tepër i  vemendshëm.. Në komunikimin me shokët dhe me mësuesit, Bardhi Lubonja ishte i veçantë. Sjellja e tij “e mëndafshtë” ishte rrjedhojë e edukatës së shëndoshë që Ai kishte marrë në familje. Ndonëse shumica dërrmuese e nxënësve ishin nga fshati,  nuk e dëgjova, asnjëherë të sillej në mënyrë diskriminuese, me fjalë fyese ndaj tyre.

Në raportet me shokët e klasës e të shkollës, tek Bardhyl Lubonja mund të dalloje, pa vështirësi frymën komunitare. Ai nuk e vinte veten, asnjëherë mbi të tjerët por qëndronte, vazhdimisht mes tyre. Kujtoj, me nostalgji ato ditë me vapë, kur relaksoheshim, si shoqëri ( një grup djemsh çapkënë, të klasës e të shkollës), nga kodrat e Shëndëllisë. Në ata vite nuk kishte pube e disko, si tani, as jetë nate, nuk bëhej, përveç ndonjë mbremje vallzimi me tematikë të caktuar, të monitoruar e të censuruar. Të shpeshtë ishin ekskursionet dhe aksionet vullnetare.

Njëri nga ekskursionet e parë ishte ai për të ndjekur një festival të zonës , në fshatin Ravonik, të fushës së Korçës, i cili u pasua nga një tjetër ekskursion, në distancë më të madhe, me ngjitje, nëpërmjet faqes Perëndimore të Malit të Moravës, tek vendi i quajtur Guri i Capit ku bëmë fotografi kolektive dhe qendruam e u freskuam në burimin ujëftohtë të Çardhakut.

Aksionet “vullnetare” ndiqnin njëri –tjetrin. Ndoshta ishte një mënyrë për të bërë punë pa pagesë. Pavarësisht se shfrytëzohej puna , pa pagesë e minorenëve. Me aksion u mbollën fidanët pyjorë në Kodrat e qytetit , atje ku sot eshte ngritur Parku Rinia; u punua për ndërtimin e Stadiumit “ “Skenderbeu” dhe në punë të tjera. Panoramën e punëve të papaguara e kompletonte praktika mësimore , në Ndermarrjen Bujqësore te Vloçishtit dhe në atë “ Irakli Terova”, në Korçë etj.

Në vjeshtën e vitit 1957, shkolla dhe konvikti u shpërngulën në sektorin e Vloçishtit të Ndërmarrjes Bujqësore të Maliqit. Në këtë sektor , nxënësit qendruan rreth 10 ditë. Ata mësuan , duke punuar. E lodhëshme ishte puna e tyre , nëpër ugaret torfikë, për të qëmtuar e grumbulluar patatet dhe panxharin e sheqerit që shkulte traktori.Ishte periudhë rreshjesh atmosferike dhe qyteza e vogël e fermës , shpejt iu shndërrua në një baltovinë të mërzitshme. Bardhit nuk i ndihej zeri , edhe pse ishte nga qyteti  e kushtet e jetesës ishintejet të vështirë.

Në periudhën e grumbullimit të të lashtave, për shkak se mësonte për t’u bërë agronom, Bardhi dhe klasa ku bënte pjesë aktivizohej dhe për të veçuar kokrrat nga kashta e nga byku. Një proçes pune ky , tejet i vështirë dhe që nuk i përshtatej natyrës të Bardhyl  Lubonjës. Kishte raste , kur praktikën që i përkiste degës së zooteknisë , nxënësit e kryenin në stallat ku mbarështoheshin derrat dhe gjedhët. Ata u bënë dëshmitarë okularë të proçeseve të skartimit të kafshëve dhe therjes së tyre. Fatlumë ishin nxënësit e degës së frutikulturës, të cilët e kryenin praktikën mësimore , në plantacionet me pemë ose në vreshtat rreth qytetit e më larg. Këta merrnin pjesë aktive në krasitjen e rrushit dhe të pemëve frutore , teksa nxënësit e degës sgro-zootekni, i vështronin me zili. Punë interesante ishte kultivimi i krimbit të mëndafshit, ku nxënësit merrnin njohuri shkencore për të qënë.

Ne, nxënësit konviktorë dhe disa nga nxënësit e jashtëm kishim “ shpikur” një mënyrë origjinale për t’u argëtuar . Argëtimi në gjirin e nënës natyrë mbushi , në një farë mënyre vakumin që krijonte mungesa e veprimtarive argëtuese. Praktika që kishim përzgjedhur ishte fare e thjeshtë:

Blinim një paketë me cigare të markës “Diamant me kuti” ose “ lux” dhe shpejtonim për t’u futur në gëmushat e kodrës së Shëndëllisë. Shoku ynë i klasës- Maksim Tuxhari ( (ndjesë pastë), pinjoll i një familje fisnike qytetare, sillte nga biblioteka e pasur e shtëpisë të tij, ndonjë libër  të “ verdhë , ku hynte dhe libri i Aleksandër Dumas, Konti i Monte Kristos. Futeshim në gëmushat që mbulonin sipërfaqen e kodrës, për të mos rënë në sy, ndiznim e thithnim, me qejf nga një cigare, tek sa dëgjonim, me vemendje leximin e librit, të cilin e bënte shoku ynë i klasës  Gëzim Kuqo ( ndjesë pastë). Mezi pritnim të shkonim në atë lloj pikniku që Maksi të na sillte ndonjë libër të ri ose të dëgjonim leximin e vëllimit pasardhës , nga Gëzimi me zë të qartë, i cili lexonte rrjedhshëm.

Ndoshta, ky paragraf i shkrimit, dikujt mund ti ngjajë i tepërt e pa ndonjë interes të veçantë. E përshkrova me kaq hollësi, për të vetmin fakt, që të dëftoj se Bardhyl Lubonja ka qenë me prirje komunitare që në adoleshencën e herëshme, vlerë të cilën e shtoi dhe e përsosi, me rritjen në shtat e në moshë si dhe për të dëftuar se Ai, herët ka nisur të lexojë libra jashtë shkollorë e nuk e hoqi librin nga dora, as kur u rrit e u bë burrë, as tani , që përcjell moshën e tretë.

Katër vitet e shkollës së mesme, e rritën në shtat dhe e poqën mendërisht Bardhin. Ai u bë më i ndërgjegjshëm për misionin që kishte marrë përsipër e u pajis me horizont shkencor , të lavdërueshëm. Përfundoi shkollën e mesme bujqësore, u diplomua dhe punoi, disa muaj, në Ndërmarrjen Bujqësore të Vloçishtit, në profesionin e agrozooteknikut të mesëm.

Puna e teknikut të mesëm agrozoteknik nuk i plotsonte kërkesat intelektuale dhe ëndrrat rinore të djaloshit, madje , disa proçese pune të rëndomta që përjetoi, e mërzitën atë dhe kërkoi rrugëdalje. Ai e hodhi  vështrimin nga qielli. Në qytetin e Korçës, mjaft djem, nga më të zgjedhurit, kishin nisur apo kishin përfunduar programet e ushtrimit të shkencës aeronautike dhe të shërbimit inxhenjero-teknik të aviacionit, në auditorët dhe në startet e vendeve të tjerë, kryesisht në Bashkimin Sovjetik . Djemëria korçare  në ata vite, u intrigua, masivisht pas lundrimit ajror. Aviatorë të shumtë, si:  Peço Polena; Vasil Trasha; Niko Papavangjeli,Qirjako Trebicka, Vasil Qeraxhi, Areteo Konomi , Niko Isak, Fillota Koruni, Stefanaq Stratobërda Raqi Sevo, Bardhyl Taçi etj. me pamjen e tyre dinjotoze, dhe me aksesorët e ndryshëm që zbukuronin uniformën, kishin “ ndezur” tek mjaft të rinj dëshirën për t’u ngjitur në hapësirat qiellore. Mjaft të tjerë, më të rinj në moshë, si Pandi Buci, Robert Marko, Jovan Kacorri,Iljaz Kelo etj. tashmë ishin rrjeshtuar në shkollën për tu bërë aviatorë etj. Ndonjërin prej tyre si Jovan Kacorri, Bardhi e njihte që në shkollën e mesme bujqësore dhe i shërbeu si model  kurse Robertin e kishte shok fëmijërie dhe gjiton.

Ky fakt, i cili shërbeu si joshje dhe vështirësitë që ndeshi në praktikën e punës si agro-zooteknik, i shtuan  dëshirën Bardhit  për t’u larguar nga bujqësia  dhe blegtoria, punë të cilën ai nuk e pëlqente. Prandaj, e ndau mendjen dhe, shkoi në Tiranë, për tiu nënshtruar analizave dhe këqyrjeve mjekësore, si kandidat i mundshëm për të hyrë në shkollën e aviacionit ku përgatiteshin pilotë. Pas një sërë analizash mjekësore, në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak, në Laprakë, Bardhi dhe shokët e tij:  Agim Ismaili;  Bahri Meshahu ( Përmeti);  Koço Biku;  Rrapo Kodheli; Stillo Mëlica ( ndjesë pastë) dhe Lili Xharo ( ndjesë pastë), kaluan përpara një komisioni mjekësor –ushtarak, ku u shpallën të aftë për t’u bërë pilotë. Analizave mjekesore iu nënshtruan 30 kandidatë , por , të aftë për të fluturuar dolën  vetëm këta shtatë vetë.

Më 2 nëntor të vitit 1959, me një autobus të posaçëm ushtarak, nën drejtimin e pilotit instruktor Thanas Gjiknuri, i cili, në atë kohë ishte emëruar komandant i Shkollës së Aviacionit brenda Regjimentit Luftarak të Aviacionit, kandidatët për pilotë dhe disa të tjerë që u klasifikuan për t’u bërë teknikë aviacioni, shkuan në Qytetin “ Stalin”.

Në Regjimentin e Aviacionit, në Qytetin “Stalin”, një vit më parë, me iniciativën e të paharruarit Niko Hoxha, ishte përfshirë një skuadrile, mësimore, me avionë fillestarë me helikë të tipit Jak-18A, ku vijonin proçesin mësimor, një grup kursantësh për pilotë. Në përbërje të këtij grupi ishin kursantët: Robert Marko; Jovan Kacorri ( Deshmor i Atdheut); Baftjar Metaj ( përgjegjës grupi ); Myrteza Arapi; Muço Muçaj; Divin Abazaj ( ndjesë pastë) ; Çerçiz Zeka ( ndjesë pastë) ; Sotir Majko ( ndjesë pastë); Niko Qendro ( ndjesë pastë); Pandeli Prifti ( ndjesë pastë) etj. Instruktorë të tyre ishin: Agim Spahiu  (ndjesë pastë); Salih Dibra ( ndjesë pastë); Sokrat Prifti ( ndjesë pastë) dhe Hamdi Arapi. Komandant i skuadriles ishte libohoviti Tomorr Avdia.

Deri në muajin janar të vitit 1960, kur grupi i kursantëve të vitit të parë u plotsua me 20 vetë, Bardhi dhe shokët e tij bënë përgatitje teorike; sa për të mbushur kohën. Kur grupi u kompletua  me 20 kursantë mes të cilëve: Surri Barbullushi; Sazan Abibi; Thanas Papa ( ndjesë pastë); Vaso Pesha  (ndjesë pastë); Lutfi Islamaj ( ndjesë pastë) etj. U bë ndarja e grupeve të fluturimit dhe u caktuan instruktorët e teknikës së pilotimit , të cilët ishin pilotë , të përgatitur në shkollat sovjetike të aviacionit. Çdo instruktori pilot iu caktuan katër kursantë për t’u mësuar teknikën e fluturimeve. Bardhyl Lubonjës i takoi të kish për instruktor, Petrit Majlindin, i cili, shquhej dhe si gjimnast i kualifikuar. Instruktorë të tjerë të teknikës së pilotimit ishin: Flamur Mickaj; Refit Jazoj; Naun Todo; Admir Fllaga; Nehar Jazexhi etj. Të gjithë këta kishin kaluar në shkollën sovjetike të aviacionit. Thanas Gjiknuri, i cili mbante titullin e pilotit ushtarak të klasit të parë, ishte caktuar komandant i shkollës së aviacionit, brenda regjimentit luftarak.

Skuadrilja tjetër, nën komandën e Thanasit ishte ajo që kishte përfunduar fluturimet në avionët me helikë dhe përgatitej për të fluturuar në aeroplanët reaktivë Mig 15. Ata ( kursantët), deri sa të thahej fusha ranore e aerodromit operativ të Poros, kryen proçesin e përgatitjes teorike, përgatitjen më tokë dhe nisën fluturimet me avionë dyvendësh, Mig-15 mësimorë. I vështronin kursantët e grupit të Bardhit, si lundronin në qiell pulëbardhat dhe kjo shërbeu si një nxitje tjetër, për tiu përfillur, më me zell mësimeve teorike.

Gjatë përgatitjes teorike, ku vendin kryesor e zinte teoria e fluturimeve dhe aeronavigacioni, Bardhyl Lubonja, i cili ishte “ ngulur “ mirë në përvetësimin e lëndëve të kulturës së përgjithshme, diktoi një lidhje të çuditshme mes matematikës, fizikës e kimisë, me aerodinamikëne në tërësi dhe me shkencën e aeronautikës, që po mësonte në shkollën e aviacionit. Prandaj , Ai iu përfill punës për njohjen në imtësi të çdo detaji që lidhej me lundrimin ajror dhe sidomos me sqarimin e domosdoshmërisë të veprimeve të pilotit, në etapa të ndryshme të fluturimeve dhe nësituata të veçanta, në ajër. Duke vepruar kësisoj, Bardhi e pati më të lehtë të kryente veprimet në tokë e në ajër, siç përshkruheshin në literaturën përkatëse, në instruksionin e teknikës së pilotimit dhe në rregulloren e zhvillimit të fluturimeve. Përvetësimi i literaturës tekniko-shkencore formoi bindje të qendrueshme tek Bardhi, se suksesi në ajër lidhet  domosdoshmerisht me zbatimin e ligjeve të shkencës e të teknikës ajrore.

Studimi në detaje i kërkesave të shkencës së fluturimeve, e dha rezultatin, dukshëm, kur nisën fluturimet vozitëse, me instruktorin në kabinën e dytë. Instruktori i tij, Petrit Majlindi dhe kontrolluesit e niveleve më sipër, diktuan tek djaloshi  Bardhyl Lubonja, një njeri të prirur e të lindur për të fluturuar. Fundja, aftësitë për të fluturuar janë prirje; ato janë dhuratë e nuk mund të jenë të njëjta, tek individë të ndryshëm. Qysh në ngritjet e para në ajër, Bardhyli shfaqi intelekt të veçantë e përkthyer në prirje për të kapur shpejt dhe qëndrueshëm, çdo element të fluturimit e të punës me teknikën ajrore. Ai ishte një fotokopjues i përsosur dhe imitues besnik i atyre që i dëftonte instruktori.  Bardhi u lëshua vetëm në ajër, i pari nga grupi i kursantëve që fluturonin në Jak 18A e kështu vazhdoi të qëndronte në ballë të shokëve, deri sa u largua nga fluturimi. Për t’u përmendur është fakti, se, kontrollin dhe lejimin për tu ngritur në ajër, me avion të vetmuar, pa instruktorin në kabinën e dytë, Bardhi pati fatin ta kryente me të Madhin e të pa arritshmin Niko Hoxha.

Fluturimet stërvitore, me aeroplanin Jak-18A, Kursantët e grupit ku bënte pjesë Bardhyl Lubonja  i kryenin në brezin jeshil të aerodromit të Qytetit “ Stalin”. Në brezin e betonuar,  ngriheshin e uleshin aeroplanët reaktivë Mig- 15; mësimorë e luftarakë. Kursantët që aso kohe mësonin për të fluturuar në avionin me helikë, i cili kishte disa minuse, krahasuar me pulëbardhën që kishin shaluar shokët e tyre pararendës, u motivuan më tepër për ta përvetësuar sa më shpejt dhe qendrueshëm avionin me helikë.

Bardhi, vërtet fluturonte me aeroplanin Jak-18 A, por vështrimin e kishte të përqëndruar tek bojëargjendi, Mig 15 Bis. Në biseda të lira me pararendësit si ai, me të cilët banonin në mjedise të njëjtë e i nënshtroheshin të njëjtit regjim ditor, Ai mësoi se në aeroplanin reaktiv ishte më lehtë të fluturoje dhe se avioni ishte më komod, por ishte kusht sine qua non që piloti të njihte e të zbatonte, me fanatizëm, rregullat dhe normat e kërkuara, madje me një rigorozitet shkencor më të rreptë, si dhe kërkonte më tepër vigjilencë shkencore  e kujdes të shtuar.

Jeta në “ kamping” (nëse mund ta quajmë kështu), organizohej e zhvillohej mbi bazën e rregulloreve ushtarake. Lëvizjet nëpër repart kryheshin me rrjesht dhe kursantët duhet të “ shkëlqenin” për nga pamja e jashtme dhe në sjellje. Përgjegjës i grupit të kursantëve ku bënte pjesë Bardhi, ishte shoku i tyre, përmetari Bahri Meshau ( Përmeti). Një ditë, Bahriu mori urdhër që grupi i kursantëve, në kollonë për dy, të vinin në repart, nga vendqendrimi i avioneve, nëpërmjet një rruge të gjatë. Këtë urdhër, përgjegjës Bahriu ua bëri të njohur shokëve dhe, së bashku u nisën për udhë.

Në krye të kollonës ishin më të gjatët e grupit: Bardhyl Lubonja e Koço Biku. Bardhit, gjatë ecjes në rrjesht, i shkrepi  në kokë ta priste udhën shkurt, dhe u fut në parcelën e mbjellë me tërshërë. Shokët e ndoqën pas, që të mos lodheshin, duke kaluar nga postablloku. Duhet përmendur se Bardhi, me sjelljen e tij, kishte reputacion tek shokët prandaj ata e ndoqën. Vetëm, përgjegjësi i grupit, “ kapteri” Bahri Meshau  (Përmeti), i vetmuar zbatoi urdhrin  eprorëve për të kaluar nga postablloku. Ndodhia u komentua me humor, nga kursantët. Deshi, s’deshi, me nota humori e përcolli ndodhinë edhe komanda që dha urdhërin. Bahriu, po me të qeshur, u drejtua shokëve: ” Po ju, të poshtër; përse më latë vetëm”’ por nuk mbajti mëri, e nuk mori inat asnjerin prej tyre.

Në mjedisin ku banonin kursantët për pilotë dhe ushtarët, anës udhës automobilistike që të çonte në Qytetin “ Stalin”, aty ku ka qenë fusha e futbollit, disa fshatarë të zonës, kur piqeshin fiqtë e parë, dilnin në “ treg”, për të shitur ndonjë kosh me fiq. Mblidheshin rreth koshit me fiq kursantët, për të njomur gojën e për të shijuar diçka, ndryshe. Fshatarët, nuk kishin peshore dhe ua shisnin fiqtë ushtarakëve, me hamendje. Lutfiut, i cili e kishte mendjen pjellore për të sajuar prapësi, i lindi ideja që fiqtë ti blinin me grushta. Për ta realizuar këtë ide të tij, u caktua Bardhi, që i kishte gishtat të gjatë e grushtin të madh. Veç ta vështroje Bardhin, kur i bënte duart si skreper dhe në to futeshin më shumë fiq. Nga kjo lloj tregtie mbeteshin të kënaqur të dyja palët: fshatari shiste fiqtë e kursantët njomnin gojën.

Profesioni i pilotit kërkonte ushtrimin e të rinjve që mësonin fluturimin, në ushtrime fizike komplekse, në natyrë dhe në vegla. Bardhi nisi të ushtrohej seriozisht, me objektiva të përcaktuar qartë. Ai synonte që nëpërmjet ushtrimit fizik të formonte trup të bukur, të fortë e rezistent ndaj mbingarkesave të pritshme. Ai u ndodh me fat që kishte për instruktor fluturimi , një gjimnast cilësor,  si Petrit Majlindi, nga i cili mësoi jo vetëm fluturimin. Në pranverën e vitit 1960 dhe në një pjesë të verës të atij viti, Bardhyli fluturoi me aeroplanin me helikë Jak-18A, fillimisht në rreth, mandej në zonë ( në pilotazh). Me këtë aeroplan, ai qëndroi në ajër rreth 50 orë. Po aq kohë, fluturuan dhe shokët e tij të grupit. Në të gjithë ushtrimet , Bardhi Lubonja u dëftua me prirje dhe la ndjesi të mira tek drejtuesit e skuadrlies e të regjimentit. Specialistët e fluturimeve e piketuan atë si njëri nga kursantët më me perspektivë . Koha e vertetoi kazatërcipërisht këtë parashikim.

Në gushtin e vitit 1960, kur fluturimet po intensifikoheshin dhe Bardhyli , po fitonte përvojë në ajër, në aerodromin fushor të Poros, ndodhën, njëra pas tjetrës, një katastrofë ajrore dhe një premisë për katastrofë ajrore. Humbja e jetës nga kursanti Jovan Kacorri ( Dëshmor i Atdheut) dhe braktisja e aeroplanit me katapultë nga kursanti Petraq Qafzezi  bënë që shkolla e aviacionit, e formuar me iniciativën e kolonelit Niko Hoxha dhe kur stërvitja ajër, dukej se po ecte në rrjedhën e normalitetit, u mbyll, përfundimisht. Kursantët për pilotë, të të dyja skuadrileve, më 26 gusht të atij viti, u dërguan në shkollat sovjetike të aviacionit. Në atë ditë përvëluese gushti, me një aeroplan transporti TU-104, të prodhimit e me ekipazh sovjetik, pas dy orë lundrimi ajror, Bardhyli dhe shokët e tij fluturuan drejt Moskës. Me grupin e tyre u bashkuan dhe mjaft rishtarë, të cilët nuk e kishin shijuar më parë fluturimin. Gjithsej, në grup ishin 36 kandidatë për pilotë.

Kur zbritën nga aeroplani, në aeroiportin e Moskës ( jo qeveritar, kursantët për pilotë i priti një oficer sovjetik i aviacionit, i cili i shoqëroi ata deri sa i “ dorzoi” në shkollë. Ky bëri dhe financierin, me tagër  pagimin e  shpenzimeve të domosdoshme , derisa kursantët të sistemoheshin në vendin ku do të studionin. Bardhyli dhe shokët e grupit të tij, të cilët kishin fluturuar në vendin tonë ishin të veshur me uniformën e bukur të daljes së lirë, të kursantit të aviacionit. Xhaketat dhe kapelet e tyre ishin të zbukuruara me aksesorë të ndritshëm e bënin goxha figurë të mirë. Rishtarët, ata që vinin nga jeta civile, ishin veshur me uniformën e punës të kursantit shqiptar gjithëarmësh. Në këmbë kishin mbathur këpucë me qafë, me gozhdë nga poshtë dhe me gambale.

Kur kursantët kapërcyen udhën  aeroportit  nëpërmjet mbikalimit metalik, këpucët me gozhdë të kursantëve bënë  zhurmë të paparë. Kalimtarët e rastësishëm vendas, të shtyrë nga kurreshtja për të parë ndodhinë interesante, me habi i frejtoheshin njëri-tjetrit”: Ç’të jenë e nga kanë ardhur këta”? Hamendësitë  vërshuan vrullshëm eqenë të ndryshme. Dikush tha se mund të jenë robër lufte; një tjetër u shpreh  se mund të jenë ushtarakë të demokracive popullore. Dikush  shkoi më larg e tha se janë efektivë të njësive zjarrfikëse të ushtrisë. Asnjëri nuk i ra në të.

Atë ditë, kursantët drekuan në një restorant ku çmimet ishin të ulëta e mjedisi ndodhej në afërsi të Sheshit të Kuq. Restoranti i përngjante një mense popullore. Ushqimi ishte i njëjtë dhe konsumi i tij i detyruar. Për të ngrënat që konsumuan kursantët, asnjeri nuk e futi dorën në xhep, veç oficerit sovjetik, shoqërues i grupit të kursantëve shqiptarë. Në atë restorant  kursantët provuan, për herë të parë shijën e gatimeve tradicionale ruse. Atje hëngrën shi ( një lloj supe), gjellë me patate e me mish dhe diçka tjetër. Kursantët, si ballkanas të vërtetë, gjatë drekës konsumuan shumë bukë. Ata, nuk mund të përcillnin, asnjë gjellë, pa bukë. Kamerieret bukuroshe dhe nazelie, shkonin e vinin me kanistra plot me bukë dhe nuk ua dilnin dot kërkesave.

Njëri nga kursantët, i cili, si të tjerët vetëlëvdohej se e dinte Gjuhën Ruse dhe se këtë ai r kishte mësuar në shkollën e mesme, ku Gjuha Ruse, në ata vite ishte në “ modë”.  Ai i kërkoi kamerieres, me një gjysma shqipe e gjysma rusisht: “ Djevushka, mozhno pak ujë”! Mos, o gomar, ndërhyri Minush Karalliu  (ndjesë pastë), i cili kishte ndërprerë studimet në universitet, në vitin e dytë, për t’u bërë pilot dhe e fliste më mirë rusishten. Në gjuhën e vendasve, tha Minushi, fjala ujë ka komutacion negativ. Kamerierja bukuroshe dhe e zgjuar, me sa duket  e nënkuptoi dialogun e ashpër mes dy të huajve, vuri buzën në gaz e kësisoj u bë më simpatike.

Në të ngrysur të asaj dite, kursantët u ngjitën në trenin që shkonte në Jug dhe zunë vend në vagonët  me fjetje, sipas preferencave. Rreth orës 20.00, shoqëruesja e vagonit, u serviri pasagjerëve, batanije, çarçafë dhe jastëkë, për të kaluar natën. Të paktë ishin ata që vunë gjumë në sy atë natë. Të gjithë ishin të gëzuar se po u buzëqeshte fati; ëndrra e tyre e kahershme, fluturimi, po merrte krahë. Shkonin drejt tokës së premtuar. Gjatë dy ditëve rrugëtim me hekurudhë, Bardhi  vrojtoi fushat e pamata të ultësirës ruse, arat e qëndisura nga plugu, tokën e zezë, me strukturë torfë, si ajo e Fushës së Maliqit. Në çdo stacion, ku treni ndalej, gra të bëshme,  nga  ato që vendasit u thonë  “baba”, për arsye se u ka kaluar mosha për martesë, tregtonin fara luledielli të pjekura  dhe sende të tjerë. Ato “ ndillnin “ me zë të lartë klientët, që të blinin diçka nga tezga e tyre.

Pas gati dy ditë( netë) rrugëtimi, me linjën hekurudhore të Jugut të Rusisë, djemtë nga Shqipëria, ndaluan në qytetin 1.5 milionësh të Rostovit mbi Don. Aty u pritën nga disa kursantë që mësonin fluturimin në shkollën ku do të shkonin. Mes tyre ishin: Nazmi Dautaj; Skënder Shahini dhe Anesti Pojani. Prej andej, së bashku me shokët, Bardhyli shkoi në qytetin e Batajskut, ku ishte një aerodrom fushor i cili, njëherazi ishte dhe një vendqendrim gjigand aeroplanësh Mig-15 dhe IL-28. Pas organizimit të skuadriles që do të fluturonte në aeroplamët Jak 18-A, Bardhi dhe shokët e tij : Koço Biku; Lutfi Islamaj ( ndjesë paste); Stillo Mëlica ( ndjesë pastë); Thanas Papa (ndjesë pastë);Bahri Meshau ( Përmeti) dhe Sazan Abibi  shkuan në qytetin e Krasnodarit ku ishte kryeqendra e shkollës së aviacionit me  të ardhur nga vende të demokracive popullore.

Atje, Bardhi, qëndroi tre muaj , për të mësuar teorinë e fluturimeve dhe të dhëna të tjera lidhur me fluturimin në aeroplanët e sofistikuar  Jak-25 dhe Jak -28. Gjatë kësaj kohe qëndrimet dhe veprimet e dy vendeve tona ndryshuan, marrëdhëniet mes tyre pësuan krisje dhe për rrjedhojë, planet e mëparshëm ushtarakë u anuluan. Me riorganizimin e ri të forcave tona ajrore, sipas të gjitha gjasave, nuk ishte më e nevojshme  për një bazë ajrore me aeroplanë të tillë. Në këta kushte, Bardhi dhe shokët e tij, u kthyen në Batajsk, tek shokët.

Në Regjimentin e Batajskut, ku ishin dy skuadrile me aeroplanë Jak-18 A dhe një skuadrile me helikopterë Mi-4 dhe MI-1, fluturonin kursantë nga Shqipëria, nga Hungaria, nga Kuba e nga Vietnami. Mes tyre , kishte një koordinim veprimesh dhe fluturimet , cdo skuadrile i zhvillonte në ditë apo në turne të ndryshëm.

Gjat kohës kur fluturoi në Batajsk, Bardhi u lidh me miqësi, me disa kursantë nga Hungaria, sdomos me kursantin Kish, përgjegjësin e tyre.  Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se kursantët nga Hungaria ishin të edukuar e të pasionuar , pas fluturimeve. Para se të vinin në Bashkimin Sovjetik, për t’u bërë pilotë, ata kishin fluturuar  në vendin e tyre, në aeroklube.

Për Bardhyl Lubonjën, proçesi teorik e ai praktik i fluturimeve në avionët Jak-18 A, nuk ishte i panjohur e i vështirë. Ai  kishte fluturuar rreth 50 orë, në Qytetin “ Stalin”, me të tillë aeroplan dhe në fluturime kishte paraqitur cilësi. Edhe në Batajsk, Bardhi ishte në ballë të grupit të kursantëve, në sjellje e në fluturim. Ai, si talent i lindur duke i kushtuar vemendje të shtuar çdo elementi në përgatitje për fluturim e në ajër dhe  duke zbatuar me përpikëri  instruksionet e kërkesat e teorisë së fluturimeve, përvetësoi shpejt dhe qëndrueshëm proçeset ajrore, sipas ushtrimeve dhe detyrave të kursit të përgatitjes. Në ditën kur u planëzua lëshimi në fluturime vetëm i kursantëve, në aeroplanin Jak -18 A, Bardhi nuk u ndodh në shkollë edhe pse nivelin dhe cilësinë e kishte të arrirë; prandaj, i pari u lëshua një koleg i tij; Koçua.

Gjatë kohës së qendrimit në Batajsk, ashtu si dhe në Krasnodar, si i ri, në moshën e adoleshencës, Bardhi u njoh e u lidh me miqësi të sinqertë me dy shoqe; me Katerinën  dhe me Verën si dhe zuri shoqëri me Zhora Vollkovin, një djalë çapkën të cilin e kishim si shëmbëlltyrën e djalit “ të fortë” të atij qyteti. Përveç kësaj, shtatlartësia e Bardhit dhe prirja e tij për t’u marrë me sport, ra në sy të drejtuesve të veprimtarive sportive të shkollës dhe ai u aktivizua, me sukses, së bashku me shokun e tij të grupit Sherif Çelo Hajnaj ( Bracki), në sportin e kërcimit së larti. Të dy këta djem të shkathët, përfaqësuan shkollën e aviacionit, në një spartakiadë  që u zhvillua në qytetin bregdetar të Jejskut, i cili laget nga Deti Azov.

Në përbërje të skuadriles mësimore ku bënin pjesë kursantët: Koço Biku; Lutfi Islamaj ( ndjesë pastë); Sefedin Tomçini ( Dëshmor i Atdheut); Mustafa Gjokutaj ( ndjesë pastë); Stillo Mëlica ( ndjesë pastë); Roland Sofroni ( ndjesë pastë); Minush Karalliu ( ndjesë pastë); Thanas Papa ( ndjesë pastë): Agim Ismaili; Surri Barbullushi; Sazan Abibi; Rrapo Kodheli; Bashkim Kozeli; Fadil Nenaj ( Braho); Novruz Duraj; Vangjel Koçi; Ahmet Sulejmani; Vaso Leko Pesha; Zyhdi Meçaj; Petraq Koroveshi; Petraq Papaanastasi; Jorgaq Bahshevani; Bahri Meshau ( Përmeti); Agron Balashi etj. Bardhi, në përgatitjen ajrore, ishte, në mos më i miri; në radhët e më të mirëve . Perspektiva e tij dukej qartë.

Mirëpo, kjo ngjitje e tij, u ndërpre, dhumshëm, nga një vendim absurd i qeverive të të dy vendeve, të cilët ishin në kundërshtim me njëra tjetrën, për shkaqe ideologjike. Të gjithë kursantët për pilotë, ashtu si dhe ata që studionin në shkollat ushtarake sovjetike, u kthyen në Shqipëri. Në një ditë të bukur shtatori, kur data shënonte 16, me një aeroplan transporti TU-104, Bardhi dhe shokët e tij, u kthuen në Rinas. Nuk i eci edhe në vendin e sovjetëve, djaloshit nga Korça, të mësuarit e aeronautikës; profesion, të cilin ai e kishte përzgjedhur dhe e kishte mjaft për zemër. Në të dy rastet, si njëvit më parë dhe tani, ndërprerja e fluturimeve u bë me urdhër nga lart, pa përfillur dëshirat rinore të djemve që kishin zgjedhur qiellin për   “fole”.

Kthimi në Atdhe, pa kaluar në aeroplanët reaktivë ku ai synonte e ligështoi Bardhylin, por nuk e dekorajoi atë. Bardhi dhe shokët e përzënë nga shkolla sovjetike e aviacionit u sistemuan në garnizonin ushtarak të Rrapit të Treshit, ku kaluan disa muaj, në pritje për t’u nisur për në Kinë, ku do të vijonin mësimin e fluturimeve. Por, edhe kjo mundësi u sfumua dhe kursantët, u trajtuan keq, në atë venddislokim, ku fjetja, ushqimi dhe regjimi ditor ishin larg pritmërive të tyre. Jo vetëm kaq; trajtimi i kursantëve për pilotë, në ata mjedise e  në kushtet konkrete ku u vendosën për të jetuar,  ishte shumë larg  nga mënyra e trajtimit dhe kushtet që lanë në Batajsk. Sikur të mos mjaftonte kjo, Bardhi dhe shokët e tij, pësuan një zhgënjim tjetër: Duke qendruar në pritje, për t’u nisur për në Kinë,  një urdhër i dytë, i ardhur nga lart, bëri që ata të shpërnguleshin në Skuadrilen e Laprakës  ku nisën përgatitjen teorike, në kushte  tejet të vështira , për të mësuar veçoritë e shfrytëzimit të aeroplanit reaktiv Mig-15.

Në fillim të vitit 1962, në Vlorë u rihap Shkolla e Aviacionit, e cila ishte mbyllur gati një vit e fgjysmë më parë. Komandant i shkollës u emërua  Babaçe Faiku, njëri nga pilotët themeltarë të aviacionit shqiptar. Kontigjenti i parë i kusantëve për pilotë ishte  pikërisht me ata që u kthyen  dhunshëm nga Bashkimi Sovjetik. Pesë prej tyre : Dhori Zhezha; Adem Çeça; Sherif Hajnaj ( Bracki) ; Mihal Pano dhe Niazi Nelaj, së bashku me dy të tjerë nga grupi i kursantëve të Kushovskës dhe grupi i kursantëve që do të ndryshonte profesionin, nga aviodrejtues  fluturues, në pilotë gjuajtës- bombardues ku bënin pjesë: Ylber Lakrori ( ndjesë pastë); Mentor Rrugia ( ndjesë pastë); Sabri Çiku  (ndjesë pastë); Jorgaq Çipi ( ndjesë pastë); Ivzi Minxha; Lili Xharo ( ndjesë pastë); Kozma Sinjari ( ndjesë pastë); Jorgo Tabaku ( ndjesë pastë); Dalip Xhixha ( ndjesë pastë); Petrika Kostani etj. me një anije mallrash shqiptaro –kineze, të shoqërisë  të  përbashkët  lundruese” ÇHAL”, bënë një lundrim historik 56 ditor dhe mbërritën në Kinë në fillim të janarit të vitit 1962. Në Mançuri, ata mësuan fluturimin, të inkuadruar në shkollën e tretë të aviacionit ushtarak kinez.

Bardhyli dhe ata që nuk u nisën për më Kinë, u mashtruan për të tretën herë. U thanë se do të studionin teorinë e aeroplanit reaktiv Mig-15 e do të nisnin fluturimet me këtë avion, në Pishë, në verën e vitit 1962. Mbas proçesit teorik kursantët u shpërngulën në Pishëporo, por, për mungesë resursesh, në vend që të fluturonin me Mig -15, u detyruan ti “ falen “ avionit Jak- 18, varjantit të dalë nga koha, me rrotë në bisht i cili ishte, në fakt kthim prapa.

Mbi kursantët që mbetën nga grupi i Batajskut ra një valëe ashpër skartimesh; gjoja për shkaqe shëndetësore. U larguan nga fluturimi kursantë të pasionuar pas fluturimit dhe që e donin shumë aviacionin, si Rrapo Kodheli; Vaso Leko Pesha; Minush Karalliu ( ndjesë pastë); Lutfi Islamaj ( ndjesë pastë), Fadil Nenaj ( Braho); Bashkim Kozeli etj. Disa syresh u perfeksionuan në profile të tjerë, një pjesë e kursantëve u nxorren në rezervë.

Së bashku me Bardhyl Lubonjën, nisën fluturimet në Poro, me aeroplanin Jak-18, kursantët për pilotë: Koço Biku; Ahmet Sulejmani; Roland Sofroni ( ndjesë pastë); Petraq Koroveshi; Petraq Papaanastasi; Thanas Papa ( ndjesë pastë); Mustafa Gjokutaj ( ndjesë pastë); Sefedin Tomçini  (Dëshmor i Atdheut)); Surri Barbullushi; Stillo Mëlica ( ndjesë pastë); Bahri Meshau ( Përmeti) dhe dy të tjerë, të shkëputur nga grupi i tyre i kushovskës.

Fluturimet, me këtë aeroplan, ishin, kthim prapa dhe sa për të mbushur kohën. Them kështu mbasi kursantët kishin fluturuarm në avionë më të përparuar se ky, siç ishte ai Jak-18 A e u duhej të ngriheshin në ajër, sa për të rikujtuar shprehitë e të fluturuarit, jo për të pilotuar. Asqë bëhej fjalë të pilotonin me këtë tip avioni dhe në gjendjen teknike të tyre. Në një shpejtësi të caktuar , pa bërë asnjë manovër, avionit i fryheshin krahët e rrezikonte të binte në shtopor ( një lloj figure e padëshiruar për pilotin) në çdo etapë të fluturimit. Në këtë avion, Bardhi dhe shokjët e tij fluturuan rreth 25 orë, në ushtrime pa mbingarkesë e me shpejtësi  të kufizuar. Instruktorë të teknikës së pilotimit ishin: Flamur Mickaj; Refit Jazoj; Hamit Ulqinaku; Naun Todo; Admir Fllaga; Nehar Jazexhi etj. Në zhegun e vapës, të bezdisur nga mushkonjat e shumta dhe nga pluhuri që ngrihej, pas çdo ngritje e ulje, pa ndonjë progres në fluturim e kënaqësi shpirtërore, kursantët i shtynë si mundën ditët e nzehta të verës dhe pritën ardhjen e freskimit të motit , periudhë të cilën do ta përcillnin në auditorët e shkollës së re.

Organizimi i fluturimeve , në këtë rast , ishte interesant. Në të njëjtin aerodrom, në fushën me rërë mbuluar, të Poros fluturonin , të alternuar me ditë, pilotët e Regjimentit “ Peza”, me aeroplanë Mig 15 dhe  kursantët që mësonin për t’u bërë pilotë, të cilët fluturonin në aeroplanët Jak 18. Inxhenier i skuadriles ishte Servet Tusha, kurse teknikë katërshe ishin: Tajar Ramadani  dhe Thoma Ngreci. Në vjeshtë, mbasi kishin përfunduar programin e fluturimeve, kursantët u kthyen  në auditorët e shkollës së aviacionit që po ngrihej, për të mësuar teorinë e shfrytëzimit të aeroplanit reaktiv Mig-15, i cili ishte shfaqur, në horizont e i priste “ta shalonin”. Pedagogë të mësimeve teorike ishin: Drini Shtylla, i cili drejtonte teorinë e fluturimeve;  Iljaz Kelo, drejtonte lëndën e Aeronavigacionit; Viktor Konomi, drejtonte teorinë dhe konstruksionin e motorrëve RD- 48 e Vk-1A;  Petrika Manastirli, jepte mësim në lëndën e Pajisjeve elektrike; Frrok Prenga, drejtonte lëndën e Radiopaisjeve dhe Vasil Qeraxhi, i cili drejtonte lëndën e taktikës, etj.

Vjeshtën e vitit 1962 dhe pranverën e vitit 1963, kursantët që përgatiteshin për t’u diplomuar pilotë gjuajtës –bombardues të grupit të Bardhyl Lubonjës, i përcollën në auditorët e shkollës së aviacionit, e cila po merrte formë. Nuk mund të pretendohej për ato kushte mësimore e laboratorike që ata lanë në Batajsk. Duhet theksuar pjesëmarrjen  kursantëve në punë të drejtpërdrejtë ndërtimore, me llaç e me tulla, për ngritjen e godinave, sipas shëmullit vetjak të komandantit të shkollës, kolonelit me prirje interesante- Babaçe Faiku dhe pastaj për pajisjen e klasave me skema, makete, e bazë tjetër materiale mësimore. Literatura shkencore, ishte e kufizuar dhe ata që zotëronin gjuhën ruse dhanë kontribut me vlera për përkthimin e instruksioneve, rregulloreve dhe literaturës tjetër shkencore.

Ishte fat i madh, që të gjithë kursantët, gjat kohës që studiuan në Batajsk, mësuan gjuhën ruse dhe literatura ishte kryesisht në këtë gjuhë. Fakti që instruktorët e teknikës së pilotimit kishin dalë nga shkolla sovjetike e aviacionit, gjithashtu ishte një avantazh i dukshëm. Ata, terminologjinë e fluturimit si ngritje, ulje, rreth, zonë dhe figurat e pilotimit i artikulonin në terma të njohur për kursntët. Këta faktorë i shërbyen  krijimit të kohezionit dhe shtimit të vlerave të punës së përbashkët pedagog- instruktor- kursant.

Pranvera e vitit 1963 i nxorri kursantët për pilotë në startet e fluturimit, si fillim në aerodromin e Qytetit “ Stalin”. Aty, grupi i kursantëve zhvilloi përgatitjen në tokë, rreth 2 javë, ku, nën drejtimin e instruktorëve të fluturimit, duke iu referuar kryesisht instruksionit të pilotimit, i kushtuan shumë kohë dhe vemendje  praktikimit në kabinën e aeroplanit Mig-15. Vend të veçantë, në përgatitjen e tyre, mori mësimi, përmendësh i kabinës së avionit dhe veprimeve të pilotit kur në tokë e në ajër ndodhin parregullsi, në funksionimin e aeroplanit dhe të motorrit të tij. Përgatitja dyjavore, në tokë, u pasua nga fluturimet në rreth, me qëllim që kursantët të njiheshin me disa veçori  të lëvizjes nëpër tokë të aeroplanit Mig-15 dhe “ sjelljes” së tij në ajër. Për këtë qëllim, u përvetësua lëvizja me aeroplan nëpër tokë dhe, aq sa ishte e mundur u zhvilluan dhe fluturime në rreth ( kuti), derisa kursantët u bënë gati për t’u lëshuar në fluturime vetëm. Rezultoi që në aerodromin e Qytetit “ Stalin” nuk mund të lëshoheshin, mbasi përmasat e brezit të betonuar ishin të kufizuara.

Instruktorë të teknikës së pilotimit ishin: Mustafa Çiçi e Mahmut Hysa ( ndjesë pastë), të ardhur nga Regjimenti i Rinasit; Bardhosh Hasani ( ndjesë pastë) e Azbi Seramaj ( dëshmor i Atdheut), të ardhur nga Regjimenti “ Peza” i Qytetit “ Stalin”. Të katër instruktorët e teknikës së pilotimit, kishin kryer shkollë aviacioni për pilot, në Bashkimin Sovjetik, në qytetin e Borisoglebsit, zotëronin bukur Gjuhën Ruse dhe kishin teknikë pilotimi individuale, mjaft të mirë e sjellje qytetare. Përzgjedhja e tyre u bë mbi bazën e kritereve të shëndoshë fizikë; tekniko-profesionale dhe të karakterit. Ata dalloheshin për horizont të lartë kulturor, edukatë të shëndoshë dhe sjellje me takt.

Çdo instruktor kishte për të mësuar 4 kursantë. Ndarja e grupeve u bë si vijon: Azbi Seranaj kishte kursantët: Bardhyl Lubonja; Sefedin Tomçini; Mustafa Gjokutaj ( ndjesë pastë) dhe Thanas Papa  (ndjesë pastë). Bardhosh Hasani kishte kursantët: Petraq Koroveshi; Petraq Papaanastasi ; Pandeli Lëngu dhe Vangjel Baba. Mahmut Hysa, do të mësonte kursantët: Ahmet Sulejmani; Bahri Meshau  (Pëemeti); Surri Barbullushi dhe Skënder Shahini. Mustafa Çiçi kishte në grup: Koço Bikun; Stillo Mëlicën ( ndjesë pastë); Roland Sofroni ( ndjesë pastë) dhe Jorgaq Bahshevani.

Në javën e parë të muajit qershor të vitit 1963, Skuadrilja e tretë e Regjimentit “ Peza”, e cila ishte në vartësi të Shkollës së Aviacionit me qendër në Vlorë, u shpërngul në aerodromin fushor të Poros. Komandant i skuadriles ishte piloti nga Shkodra Salih Dibra ( ndjesë pastë); inxhenier i skuadriles ishte  njeriu i mire Novruz Koçileri. Me qëllim që të përçonte tek pilotët instruktorë dhe tek kursantët për pilotë, përvojën e gjatë e me vlera në teknikën e pilotimit, nga Regjimenti i Rinasit ishte komanduar në detyrën e zëvëndëskomandantit të Shkollës së aviacionit, piloti i klasit të parë, majori Haki Jupasi. Fluturimet nisën me ngritje dhe me ulje në brezin jeshil të aerodromit të Poros, sipërfaqja e të cilit ishte ranore dhe, pas uljes, nuk ishte nevoja për një frenim intensiv, me qëllim që të shuhej shpejtësia e avionit.

Të drejtuar nga instruktorët e fluturimit, kursantët, mbasi bënë disa ngritje, në rreth e në zonë, u lëshuaan në fluturime vetëm. Bardhi  e ruajti traditën; ai doli i pari, si në avionin Jak-18 A, në Qytetin “ Stalin” dhe në Poro në aeroplanin Mig-15. Mirëpo, kur ai kish filluar fluturimet e ishte lëshuar në fluturime vetëm, një shqetësim i pandodhur e kaploi dhe Bardhi përjetoi një situatë të rëndë psikologjike. Meqënëse ishte shtatlartë, disa “ pseudospecialistë”, më tepër” për të qenë brenda”, i vunë “gardh” karrierës së tij, si pilot gjuajtës-bombardues. Me justifikimin se Bardhi ishte tepër i gjatë dhe, po të hidhej me katapultë, do të dëmtonte kolonën vertebrale, “ kompetentët “ urdhëruan pezullimin e tij nga fluturimet. E përjetoi keq Bardhi këtë situatë të rëndë, të cilën e përcolli me mërziti. Ai e kishte pasion dhe qëllimin e jetës, fluturimin në aeroplanët  gjuajtës-bombardues dhe e donte shumë avionin. Si mund të ndahej prej tij e të fluturonte në aeroplanë transporti, me shpejtësi të vogël e që nuk kryenin “akrobaci”, në të cilët kabina ishte më e lirshme dhe e nxinte “ gjatoshin”, siç i thërriste instruktori i tij, Azbi Seranaj ( ndjesë pastë).

Bardhi, në ato ditë, kur ishte në pritje të vendosej  përfundimidht e ardhmja e tij si pilot, qëndronte i veçuar e i shqetësuar. Shokëve të tij, atyre që e njihnin mirë pasionin dhe aftësitë e tij fluturuese, u vinte keq, tek e vështronin ashtu shokun e tyre. Ata ishin fluturues dhe e ndjenin gjendjen e rëndë në të cilën gjendej kolegu i tyre. Kjo nuk kaloi pa u vënë re dhe nga instruktor Azbiu, një njeri i zgjuar e tepër i gjëndur. Në përgjegjësinë vetjake, një ditë, Azbiu u afrua tek kursanti i tij i mërzitur, i hodhi dorën në qafë e i tha: “ Mos u mërzit “ gjatosh”; do të fluturosh në avionët që dëshiron ti. U çel e u gjallërua Bardhi e nisi fluturimet, si shokët.

Fluturimet në Poro përfunduan në fundverën e vitit 1963. Kursantët fluturuan në të gjithë ushtrimet dhe në detyrat ajrore, sipas kursit të përgatitjes luftarake. Ata, shkuan në Vlorë, në Shkollën e aviacionit ku u përgatitën teorikisht dhe në Tetor të atij viti, mbasi iu nënshtruan provimeve përkatëse, u titulluan oificerë, me gradën e nëntogerit dhe  u diplomuan pilotë gjuajtës – bombardues.

Me qëllim që të përvetësonin teorinë e përdorimit luftarak të aerolanit Mig-15 Bis, të 16 pilotët e sapodiplomuar, gjatë dimrit 1963-1964, qëndruan në shkollën e aaviacionit dhe  në muajin prill të vitit 1964, 11 prej tyre u emëruan pilotë gjuajtës-bombardues, në detyrën e shoqëruesit, në Regjimentin e Tretë të aviacionit, në Rinas, i cili mbante numërin konvencional  7594. Ata ishin: Bardhyl Lubonja;  Koço Biku;  Ahmet Sulejmani;  Jorgaq Bahshevani;  Surri Barbullushi;  Mustafa Gjokutaj  ( ndjesë pastë);  Roland  Sofroni  ( ndjesë pastë);  Sefedin Tomçini ( Dëshmor i Atdheut); Stillo Mëlica ( ndjesë pastë); Skënder Shahini dhe Petraq Koroveshi.

Duhet thënë se mes kursantëve për pilotë ishte formësuar e funksiononte një miqësi e ngushtë , e sinqertë dhe e hpët. Siç kujton shoku i grupit, veterani Bahri Meshau ( Permeti):  “ Me Bardhin u njoha në tetor të vitit 1959, kur shkuam për të bërë analizat mjekësore në Spitalin Ushtarak.  Me të u lidha me shoqëri,  që në fillim.  Bashkë bënim fizkulturë e luanim futboll, volejboll e basketboll. Në basketboll,  ai ishte më i miri, se përfitonte nga shtatlartësia.  Bënim gara  në veglat rrotulluese;  kush të rrotullohej më shumë herë e kush të ikte më larg, me rrotullime. Bardhi, ishte inteligjent, tepër korrekt dhe i kapte shpejt elementët teorikë dhe ata praktikë të fluturimit. Ishim në të njëjtën bangë kur bënim përgatitje teorike.  Ai dinte not, më mirë nga unë dhe, të dy bënim pjesë në skuadrën e shpëtimit të kursantëve të grupit tonë.  Kur kaluam proçesin teorik në Vlorë, dilnim bashkë, pinim dhe ndonjë gotë konjak Korçe apo  fërnetë të zezë, tek bar “ Lulëzimi”. Në kohën e lirë, kur dilnim në xhiro, dallonim për nga shtatlartësia e ai, me shaka më thoshte: “ Unë të fut në rrënjë katrore”! Nuk e kundërshtoja.  Me Bardhin, e kam ruajtur shoqërinë deri në ditët e sotme, madje, dy muaj më parë, ai erdhi nga Bostoni dhe , për të më takuar, erdhi deri në Vlorë ”.

Në Regjimentin e Rinasit, të 11 rishtarët u emëruan efektivë të skuadriles së dytë, e cila ishte e pajisur me aeroplanë gjuajtës-bombardues të tipit Mig-17 F. Komandant i skuadriles së dytë ishte i talentuari  Kosta  Neço  Dede, nga Vunoi. Zëvendëskomandant ishte Gëzdar Veipi dhe komandantë katërshe: Çobo Skënderi e Bajazit Jaho. Bardhyl Lubonja u përshtat shpejt me detyrën, me aerodromin dhe aeroplanin e ri dhe fluturoi 2 vjet në këtë aeroplan, ku u aktivizua në të gjitha detyrat. Në përfundim të plotsimit të kushteve, në vitin 1965, Bardhi, së bashku me shokët e grupit, mbasi  kreu fluturimin bazë skuadrile ( 12 aeroplanë), në lartësinë 12000m. nga niveli i detit dhe plotsoi elementët e përdorimit luftarak të avionit ( Kapje, sulme tipike, luftim ajror, qitje e bombardime), në të cilat ai “ shkëlqeu”, morën klasin e tretë të pilotit ushtarak. Fluturimet sipas një programi të menduar mirë në aeroplanët Mig 17 F i shërbyen Bardhit dhe shokëve të tij, si tramplinë  për t’u hedhur më tej, me synim që të fluturomin në aeroplanin gjuajtës-bombardues mbizanor Mig -19 S, që pritej të vinte nga Kina.

Fillimi i vitit 1966 shënoi një kapërcim në jetën e Bardhit e të shokëve të tij, në profesionin e pilotit. Ai dhe shokët e tij të dalluar për teknikë të lartë pilotimi, të cilët u dalluan për  shfrytëzimin e avionit Mig -17 F, bënë kalimin nga aeroplani Mig-17 F, në atë Mig-19S, i cili është aeroplan me shpejtësi mbizanore dhe me armatim të fuqishëm. Ky tip aeroplani, dalngadalë u bë avioni bazë i parkut të aroplanëve gjuajtës-bombardues që dispononte  aviacioni ynë në atë kohë.

Duhet theksuar fort fakti domethënës, se kalimi i pilotëve në këtë aeroplan u bë pa patur  në përdorim aeroplanë  mësimorë dyvendësh. Funksionin e aeroplanit mësimor, në atë kohë e kreu aeroplani UTI-Mig 15, me karakteristika larg kërkesave të atij Mig-19 S.  Nuk duhet nënveftësuar dhe faktin se të gjithë pilotët që kaluan atë vit në avionin e ri supersonik, ishin me një sasi orësh të pamjaftueshme , për të bërë atë kalim. Bardhi, tashmë pilot i formuar, edhe gjatë kalimit në aeroplanin MIG-19 S, dëftoi  vlerat e tij të padiskutueshme, si i lindur për të fluturuar.

Si mjaft kolegë të tij, edhe Bardhi, në ata vite ishte beqar.  Ai banonte në hotelin e pilotëve beqarë, në Rinas, në të njëjtën dhomë me tiranasin trim e të shkathët, pilotin Bilal Josja, të cilin e kishte shok të afërt.  Jeta e përbashkët, ashtu si fluturimet dhe veprimtaritë jashtë pune, e forcuan më tepër miqësinë mes dy pilotëve të “ elitës fluturuese” të regjimentit dhe t aviacionit tonë luftarak.

Kur në regjiment erdhën pilotë të rinj, si: Petrit  Bebeçi;  Sabri Toçi ( Dëshmor i Atdheut), Alqiviadh Dede,  Vangjel Koroveshi ( ndjesë pastë), Bego Hoxha ( Dëshmor i Atdheut),  Luto Sadikaj ( Dëshmor i Atdheut), Dhimitër Vasho ( ndjesë pastë) etj.  të cilët shumë shpejt morën programin për të fluturuar në avionët Mig-19 S, Bardhi u caktua komandant çifti dhe u printe atyre, në ajër. Siç kujton veterani Petrit Bebeçi, njëri nga pilotët më cilësorë:  “Ai Bardhyl aq i qetë, aq i urtë e aq i matur, në tokë, sapo çohej në ajër e vihej në  rolin e komandantit të çiftit, tjetërsohej e bëhej tepër agresiv  e me iniciativë. Ishte e vështirë të mbaheshe në formacion, kur fluturoje me Bardhin udhëheqësçifti”. Petriti  solli disa shëmbuj gjatë intervistës.

Bardhyl Lubonja, ishte njëri nga qitësit më rezultativë, në regjiment, në poligonin e aviacionit. Ai atakonte me kënd të madh e arrinte tregues të “ shkëlqyer”.  Ai  shkëlqente dhe në ulje. Uljen e avionit e realizonte me kënd të madh e me pozicion tepër normal. Prekja me tokën e avionit të pilotuar prej tij ishte e butë dhe gomat e tij nuk nxirrnin asnjëherë tym të zi ,nga fërkimi me betonin. Pilotimi që bënte Bardhyli, shquhej për mbingarkesa në shifra të larta dhe komplekset vertikale që ai realizonte ishin  të pastër profesionalisht.

Gjat qëndrimit në Regjimentin e Rinasit, Bardhyli ishte beqar dhe banonte në hotelin e pilotëve, në katin e tretë, në të njëjtën dhomë me kolegun e ij Bilal Josja, me të cilin u lidh ngushtë , jo vetëm për shkak se të dy ishin pilotë cilësorë; ndoshta dy nga më të mirët në atë regjiment e në aviacion. Ai formoi një trup të  bukur e të bëshëm dhe kapi peshën trupore 117 kg. Komisioni ushtarako-mjekësor periodik, e këshilloi Bardhin të ulej në peshë, domosdo.  Edhe vetë Bardhi e ndjente trupin të rënduar. Prandaj ai nisi një stërvitje intensive, në natyrë dhe në vegla të ndryshme sportive, si  lojëra sportive, hedhje disku, shtytje gjyle;  në veçanti u aktivizua me hedhjen e çekiçit . Bardhi, shpejt u bë anëtar i ekipit sportiv të “ Partizanit” ku u stërvit, për 10 vjet dhe atij kombëtar, duke kapur rezultate nga më të lartët në vend; deri në atë të nënkampionit të vndit. Ai mori pjesë në disa kampionate kombëtarë, në të cilët zuri vende nderi dhe meritoi titullin e kandidatit për mjeshtër sporti.

Në fund të muajit shtator të vitit 1969, në prag të festës tradicionale të Kinës ( 2 tetor), me një aeroplan Boing-707 të kompanisë ajrore pakistaneze PIA, në të cilin fluturonte dhe një delegacion qeveritar shqiptar, për të festuar, në Pekin, festën e vendasve; Bardhi dhe 11 pilotë të tjerë tëshquar e me të ardhme si fluturues, mes të cilëve: Anastas Ngjela;  Gëzdar Veipi; Mahmut Hysa; Serafin Shegani;  Agron Daci;  Bilal Josja;  Dhori Zhezha;  Andrea Toli; dhe dy më të rinjtë ,në moshë e në profesion: Petrit Bebeçi e Vangjel Koroveshi  (ndjesë pastë); etj.  shkoi  në  Kinë. Aeroplani  me të cilin fluturonim, ndoqi itenerarin: Rinas- Kajro- Karaçi- Daka- Shanhaj. Nga Shanghai, në Pekin ata fluturuam  me një aeroplan transporti special. Në Pekin, udhëtarët, (brenda grupit ishin dhe qeveritarët), i priti Çu En Lai ( në atë kohë kryeministër i Kinës). Pilotët më të zgjedhur, nga ata që fluturonin  me avionët Mig-19 S, do të mësonin Migun -21 F, i cili ishte gjuajtës-bombarduesi më i sofistikuar i kohës. Grupin e drejtonte Babaçe Faiku, pilot i klasit të parë. Në grup ishin dhe: Elmaz Hasamataj ( oficer shtabi);  Shaban Danaj( parashutist) dhe pilotët:  Bajram Hitaj,  Kapo Selmanaj etj. të cilët do të mësonin fluturimin në avionin bombardues IL-28.

Gjatë fluturimit  nga Kajro  për në Karaçi, në ndënjësen  ku ishin ulur Bardhi dhe Petrit Bebeçi, kishte zënë vend dhe një italian, i cili qëndronte i heshtur. Mbi  Detin Mesdhe, ai humbi durimin dhe pyeti , nga jeni, ku shkoni dhe çfarë pune bëni? Bardhi, për çudinë e shokëve, komunikoi me të me një italishte të pastër. I huaji, me intuitë, kundërshtoi ato që i tha Bardhi, se gjoja, i dhe shokët e tij  ishin minatorë e shkonin në Kinë për t’u bërë inxhenierë minierash dhe tha:” Duart tuaja nuk janë duar minatori”!…

Nga Pekini , oficerët e aviacionit shkuan në Çanzhou  ku ishte shkolla për kalimin e pilotëve në aeroplanët Mig-21 F. Ata u ndanë në grupe fluturimi, me 4 kalimtarë për çdo instruktor kinez. Bardhi ishte në të njëjtin grup me Bilal Josën, të cilin e kishte shumë për zemër, shoqërinë me të cilin, e ruan, sot e kësaj dite.  Mësimet zhvilloheshin në gjuhën ruse. Përkthente Gëzdar Veipi ( ndjesë pastë). Dy pilotë, të cilët nuk e zotëronin gjuhën Ruse:  Petrit Bebeçi e Vangjel Koroveshi ( ndjesë pasastë), i merrnin mëainet të përkthyera në Shqip, nga Bardhyl Lubonja.

Fluturimet e kalimit në aereroplanin Mig-21 F, tanët, ashtu si vendasit, i kryen pa fluturuar më parë në aeroplanë dyvendësh të këtij tipi. Në atë kohë, kinezët nuk dispononin aeroplanë të tillë dhe për dyvendësh shfrytëzohej avioni Mig 17. Fluturimet me avionë Mig-21 F nisën pas një muaji përgatitje teorike dhe dy javë përgatitje në tokë, me qëllim, mësimin e veçorive të aeroplanit për të cilin kishin shkuar pilotët nga vendi ynë.

Bardhyl T K. Lubonja “u dashurua”  shpejt me aeroplanin e ri dhe iu përkushtua seriozisht përvetësimit të teknikës së pilotimit. Ai shquhej mes kolegëve shqiptarë dhe vendas, për tregues cilësorë, në pilotazh dhe në elementët e përdorimit luftarak.

Pas përfundimit të programit të kalimit, siç është në traditën kineze, pilotët nga Shqipëria , bënë vizita e shëtitje turistike, në Pekin e në Çansha dhe, më 6 shkurt të vitit 1970 ata, të gjithë, u kthyen në Atdhe. Pas një pushimi të shkurtër, Bardhi dhe shokët e grupit, u kthyen në Regjimentin e Rinasit ku nisën fluturimet, rishtaz, në aeroplanët Mig 19 S. Shkak i vetëm , për këtë vonesë 7-8 mujore ishte ardhja me vonesë nga Kina e aeroplanëve Mig-21 F që priteshin dita –ditës.

Bardhyli dhe gjithë ata që kaluan në Mig 21 F, fluturuan në avionin Mig-19 S, deri në fund të vitit 1970. Bardhi ishte në Skuadrilen e Dytë të Regjimentit të Rinasit, ku komandant ishte piloti i klasit të parë Gëzdar Riza Veipi. Aeroplanët Mig-21 F erdhën në Rinas në fillim të vitit 1971, u montuan e u bë kolaudimi i tyre në ajër, brebda 2 javësh dhe nisën fluturimet me ta. Me avionët e rinj, Mig 21 F, Në Regjiment u formua një skuadrile , më vete. Komandant i skuadriles u caktua Gëzdar Veipi.

Bardhyl T K. Lubonja u emërua komandant çifti. Më 1 maj të vitit 1972, pesë aeroplanë Mig 21 F, në formacion parade, kaluan, në lartësi të vogël mbi tribunën e bulvardit “ Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Një aeroplan të tillë, me krahë delta shqiptarët nuk kishin parë më përpara. Bardhi, ishte në përbërje të formacionit të paradës  por ai nuk ishte thjesht pilot parade. Pilotimi i tij me mbingarkesa të mëdha e në veçanti qitjet dhe bombardimet me aeroplan ishin ndoshta pikat më të forta të tij.

Në fluturimet e natës, kur ishte në ajër me një avion dyvendësh, së bashku me  pilotin me përvojë, komandantin e skuadriles Gëzdar Veipi, Bardhi, me gjakftohtësi e aftësi përballoi një situatë të rëndë ajrore e cila, pa kontributin e tij, mund të kishte përfunduar në ngjarje  të jashtzakonshme. Por ky nuk ishte një rast i shkëputur; as nuk ngjau  rastësisht. Bardhyl T K. Lubonja ishte i përgatitur për të përballuar situata nga më të rëndat, në tokë e në fluturim. Aftësitë profesionale të spikatura, dashuria e tij për fluturimin dhe fiziku i zhvilluar e i kalitur, e  bënin të mundur këtë.

Në vitin 1975, me efektiva të përzgjedhur dhe me teknikë fluturuese të re, u formua Regjimenti i Aviacionit në Gjadër. Ky regjiment, u formua me dy skuadrile me aeroplanë Mig-19 S, të prodhimit kinez dhe me një skuadrile me 12 aeroplanë të tipit Mig-21F. Në fakt, skeleti  organik i regjimentit u ravijëzua  qysh në Rinas dhe stërvitja ajrore e efektivave  zhvillohej në këtë repart. Bardhi u emërua në detyrën e kryenavigatorit të regjimentit të ri dhe, në atë kohë fluturonte në aeroplanët Mig -21 F.

Në verën e vitit 1974, kur Bardhi fluturonte në aerodromin e Rinasit, lidhi martesë me Lida Gjinin. Ai u fejua në muajin maj të atij viti dhe martesën e bëri në muajin dhjetor 1974. Nga martesa mes tyre erdhën në jetë dy fëmijë: Katerina  dhe Henri, por martesa nuk e pati jetën të gjatë e çifti, jo për faj të Bardhit dhe ndodhi divorci.

Në një kohë kur gjithkush mendonte se punët, për Bardhyl T K. Lubonjën po rridhnin në shtartin e duhur e ai ishte në kulmin e kualifikimit si pilot, ndodhi një zhgënjim i madh e i papritur. E ashtuaquajtura “ luftë e klasave”, e cila, mjerisht u shtri dhe tek fluturuesit, të cilët ishin të mirëstudiuar biografikisht dhe etiketoheshin si njerëz pa pasaportë, për “ heroin” e këtij rrëfimi erdhi aq papritur sa i befasoi të gjithë. Ngjarja, është tronditëse dhe rrënqethëse. Ajo kujtohet, me keqardhje, edhe sot e kësaj dite dhe shkaktoi një përjetim mospajtues  e kundërshtues tek cilido që i dhimbsej aviacioni e djemtë që e ushtronin këtë profesion të veçantë. Nuk bëhet fjalë për moslejimin e një piloti  të zakonshëm apo mesatar për të fluturuar, por, u ndalua të ngrihej në ajër një “ as” e  iu prenë krahët një të linduri për të fluturuar,  i cili ishte njëherazi njëri  nga më të përkushtuarit  e më të përgatiturit. Spiuni  mjeran, vrapoi, me përulje servile të raportonte, kurse dora mëkatare e një shpirtziu, firmosi largimin e tij nga stërvitja ajrore.  Përse ngjau kështu? Kjo është një pyetje që lind vetvetiu. Po mundohem ti përgjigjem, siç e di e siç e kuptoj unë:

Njëra nga motrat e Bardhyl T K. Lubonjës ishte e martuar me Nexhip Vinçanin. Këtë fakt, Bardhi e kishte të shkruar në dokumente dhe të gjithë e dinin. Një ditë, kur Bardhi mori udhën për ta vizituar kunatin të sëmurë, të shtuar  në spital e pikasi spiuni i djallit dhe e mbajti vrapin për të raportuar , tek “ padroni” i tij. Kaq u desh , për të nisur “ gjuetinë e shtrigave” edhe në mes fluturuesve.

Puthadori i regjimit diktatorial, sigurimsi i kamufluar por  zemërzi, i cili mezi e priste këtë rast, fërkoi duart e vrapoi të raportonte se “ zbuloi një armiqësi”. Raportimi i të besuarit të regjimit mjaftoi që Bardhin ta përjashtonin nga radhët e Partisë të Punës, më 4.2. 1976 dhe i hoqën të drejtën për të fluturuar më 30.4.1976. Në fakt, qyshse e përjashtuan nga partia, atë nuk e lanë më të ngrihej në ajër.

Ja si e kujton veterani Petrit Bebeçi, pilot shoqërues i Bardhit, njëri nga pilotët më cilësorë të aviacionit tonë, atë vendim absurd e makabër: “… Kur u hodh në votë përjashtimi i Bardhit nga partia dhe heqja e të drejtës për të fluturuar, asnjëri nga pilotët nuk votoi pro. Edhe njëri nga drejtuesit kryesorë të regjimentit, i cili e njihte mirë Bardhin dhe ishte i rreptë por i drejtë, nuk mund të ishte dakort me një barbari të tillë. Mirëpo u bë siç ishte orientimi dhe piloti u përjashtua nga partia e iu hoq e drejta për të fluturuar. Po kujt iu bë kjo poshtërsi? Bardhi ishte pilot instruktor, dhe kishte bërë shumë  për përgatitjen e pilotëve të rinj, në të gjithë tipat e avionëve. Kështu u largua nga stërvitja ajrore një pilot i papërsëritshëm, një i dashuruar pas aviacionit e i lindur për të fluturuar. Edhe sot, pas më se 40 viteve, Bardhit i shëndrisin sytë  e gjallërohet gjithë qënja e tij, sa herë bie fjala për fluturimin. Ai ka një kujtesë të jashtzakonshme  dhe me këtë kujtesë ka habitur edhe specialistë të mirëfilltë, në vendin ku jeton  aktualisht ( në Sh B A-të)”.

Ndodhia ishte tepër e rëndë dhe e padrejtë. Bardhi, si njeri i formuar e me karakter të fortë, u ligështua e u zhgënjye keq, por nuk u dha e vijoi luftën, me besimin se ndoshta diçka mund të ndreqej. Ai kishte kaluar nëpër disa labirinthe zhgënjimi  e, si të thuash ishte përshtatur me to. Në vitin 1960, u mbyll shkolla e aviacionit e ai, së bashku me shokët shkoi në Bashkimin Sovjetik, për të vijuar fluturimet. Shkoi në Krasnodar , për të mësuar shfrytëzimin e aeroplanëve Jak-25 e Jak-28, por e çara në marrëdhëniet mes dy vendeve , prishi planet e gzistuese e ai u kthye tek shokët, në Batajsk,  për të mësuar shfrytëzimin e gjuajtës- bombarduesve. Në mesin e shtatorit 1961, me një urdhër mizor, po nga lart, Ai u kthye nga Bashkimin Sovjetik, pa përfunduar progranin. Në pritje për të shkuar në Kinë, Ku Ai do të vijonte fluturimin atje ku e kishte lënë, një urdhër i dytë e çoi në Poro. Iu premtua se do të fluturonte në avionët reaktivë por , kur shkoi në Poro iu kthye avionit Jak-18, me krahë që i fryheshin në ajër. Mirëpo ky,  i fundit ishte zhgënjimi më i madh e u vuri vulën gjithë të tjerëve. Ai rezultoi i pandreqshëm.

Bardhyl T K. Lubonja u ndalua nga fluturimi, por nuk u lirua nga ushtria. Ky manovrim i paskrupullt, dëshmon se masa që u muar kundrejt tij , ishte një veprim i pastudiuar mirë dhe u bë nxitimthi, i pabazuar dhe për të qenë brenda. Ai u caktua instruktor i përgatitjes fizike në Regjimentin e Aviacionit, në Gjadër. Bardhi Jetoi  në qytetin e Lezhës e shërbeu në Regjimentin e Aviacionit të Gjadrit nga viti 1975 deri në pranverën e vitit 1986. Si kandidat për mjeshtër sporti dhe nënkampion i vendit, atij, iu dha mundësia për të ndjekur studimet e larta në Institutin e Kulturës Fizike “ Vojo Kushi”, në vitet 1978-1981. Arsimimi përkatës dhe përvoja që kish, e mundësuan Bardhin ta drejtonte përgatitjen fizike, ndoshta si asnjë tjetër në aviacion. Mirëpo edhe në këtë detyrë, heroi ynë nuk e pati të lehtë punën dhe jetesën; afijet e zellshëm, e gjurmonin atë, në çdo hap dhe për çdo veprim e mendim të shfaqur të tij, raportonin tek “ shefat” e tyre të pashpirt. Sikur të mos mjaftonin tërë këto paudhësi, Bardhi, në vitet e fundit të karrierës ushtarake u përball me çështje të shëndetit e kaloi peripeci nga më të pabesueshmet.

Në kohën kur ishte në Kinë, për të përvetësuar avionin e sofistikuar Mig-21 F, Bardhit iu shfaq një puçër në fytyrë, të cilën e nënvleftësoi dhe e shtypi. Puçrra u infektua dhe nga mjekimi  jo i duhur, u infektua e formoi gjëndërr. Në një lodër basketbolli  mes kolegësh, pa dashje e goditi me bërryl, një shok e gjëndrra u aktivizua. Një ndërhyrje kirurgjikale, në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak, pa kompetencën e nevojshme, bëri pastrimin e vendit por e la gjëndrrën  siç ishte.  Në një tjetër operacion, atij i dëmtuan nervin facial e ia përkeqësuan gjendjen teksa tumorin nuk e shkulën por rekomanduan nxjerrjen për kompetencë jashtë shtetit. Në vitin 1986, Bardhi, u transferua në Regjimentin e Helikopterëve, me detyrë shef stërvitje në skuadrilen e parë. Në Tiranë, ai pati më tepër mundësi  për të  shfrytëzuar  afërsinë me mjekët specialistë dhe institucionet perkatëse për të bërë dokunentet e nevojshmë për mjekime jashtë shtetit.

Mes shumë peripecive, më 3 prill të vitit 1989, me një aeroplan të kompanisë ajrore “ Interflug” , Bardhi fluturoi për në Berlin dhe u shtrua në spitalin “ Charite”, i cili kishte kushte mjaft të mira për jetesë dhe për kurim. Më 20 prill të atij viti, pas kontrolleve rutinë, Bardhin e operuan mjekët kompetentë  të drejtuar nga Oberartz Bernard  Rink. Një ndërhyrje efikase e cila largoi tumorin dhe bëri pastrimin radikal. Atë mbasdite, pas operacionit, Bardhi,  shëtiti  lirshëm, pa ndjerë asnjë dhimbje e pengesë. Më 1 qershor 1989, Bardhi u kthye në Atdhe. Pas pushimit dymuajor , atij iu dha një shtëpi nga komanda e Regjimentit të Helikopterëve, ku u mblodh m fëmijët, dhe u interesua më tepër për dukimin e tyre. Më 31.12. 1989, Bardhyl T K. Lubonja , në moshën 48 vjeç doli në pension të plotë, duke i dhënë lamtumirën ëndrrës së tij fluturuese dhe karrierës ushtarake, në tërësi.

I dëshpëruar prej poshtërsisë që i bënë dhe i zhgënjyer keq, nga fakti se iu pre në mes shpresa për të finalizuar ëndrrën e tij flutruruese, Bardhi, me shpresë se diçka mund të bënte edhe pas daljes në pension, i drejtoi sytë nga Perëndimi. Ndoshta rasti i Bardhi Lubonjës ishte unikal në historinë e aviacionit e në tërësi, në vorbullën e luftës së klasave.

Deri atëherë lufta e klasave kishte përfshirë njerëz të të njëjtit gjak apo nga ata që kishin vese;  por Bardhi, që e kishte genin qelibar dhe ishte nga djemtë më tëmirë të aviacionit, njeri pa vese e “për ta pirë në kupë”; përse u larguan nga fluturimi? Përgjigjen e kësaj pyetje ndoshtsa e marrim nga pendimi i disa njerëzve objktivë e që mendonin me kokën e tyre.  Ai, si sportist me vlera  u prit ngrohtë në Gjermani, ku u shërua, plotësisht  nga sëmundja, të cilën mjekët tanë e komplikuan më tepër. Prandaj ai synoi, së pari Gjermaninë.

Ndryshimet demokratike që ndodhën në vendin tonë, në vitet ’90 të shekullit që lamë pas dhe lëvizjet e ndryshimet që përcolli Evropa, në atë kohë, krijuan kushtet që edhe Bardhi të kërkonte një vend më të mirë ku mund të jetohej në qetësi. Ai kishte mbajtur korespondencë  me gjermanin Piter, i cili u dëftua mjaft dashamirë me të. Rrugëtimet dhe peripecitë që ndoqën heroin tonë, në kërkim të tokës së premtuar, nuk kishin të sosur. Disa herë Bardhi T K. Lubonja u end nëpër kryeqytete të Evropës, gjeti strehim të përkohshëm dhe një punë , në Gjermani ku u miqësua me disa njerëz të mirë, të cilët iu ndodhën në ditë të vështira.

Pas shumë ecejakeve, në muajin nëntor të vitit 1992 ai filloi punë si trajner  atletike me ekipe djemsh dhe vajzash, në Rhens dhe Koblenez. Trajneri  gjerman Richard, me të cilin Bardhi u lidh me miqësi, shpesh i linte ekipin që stërviste vetë dhe Bardhi ndjeu kënaqësinë e punës. Një ditë, Richardi  dhe bashkëshortja e tij, Henrietë i përgatitën një surprizë Bardhit. Ata, larg syve të tij kishin organizuar ditëlindjen e mikut nga Shqipëria  gjë që e befasoi dhe e relaksoi, pa masë Bardhin. Në festë morën pjesë mjaft trajnerë të atletikës dhe prindëtr të fëmijëve atletë në shënjë mirënjohje për punën kualitative që kryente Bardhi, si dhe për sjelljenm e tij korrekte.  “Ftohtësia” e lakuar e gjermanëve, atë ditë shkriu përballë mirësisë dhe miqësisë të shqiptarit zemërbzrdhë.

Mbasi punoi rreth 2 muaj, Bardhi u kthye në Tiranë dhe aplikoi për vizë amerikane. Në mars të vitit 1994, ai bëri kërkesën për vizë dhe më 28 qersdhor të atij viti, fluturoi nga Tirna në Athinë e prej andej në Boston. Vështirësitë e fillimit, mosnjohja e gjuhës të vendasve, mentalitti dhe psikologjia jo e njëjtë dhe telashe të tjera, të shumta, e detyruan Bardhin të banonte në mjedise të ndryshme e të kryente punë të rëndomta. Ai punoi për përgatitjen e kutive të kartonit, në një fabrikë këpucësh,kreu shërbime të ndryshme sigurie dhe trajner e arbitër volejbolli.

Mbas  divorcit me Lida Gjonin, kur ishte në Boston, Bardhi lidhi martesë me z. Judith Hall, në Mansfield MA, në vitin 1996. Aktualisht, Bardhyl T K. Lubonja jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qytetin e Bostonit dhe është në pension të plotë. Emrin e ka të kuptimtë, por jeta nuk i erdhi siç do ta donte e siç e meritonte. Disa “ marifetçinj” e zemërzinj, duke i prerë drutë shkurt, sajuan largimin e tij nga fluturimi dhe e lanë, atë deli njeri e pilot të përsosur, me kokën pas e me nostalgji, për avionin dhe për shokët e tij të shumtë. Për tiparet e qënësishme të Bardhit, si pilot e si njeri, të gjithë ata që kanë punuar eqë kanë jetuar me të, kanë opinion mjaft të mirë e të merituar. Edhe ndonjëri që është bashkuar me “ korin” e të ligjve, pas prononcimit u pendua e mallkoi orën e “ keqe”, në të cilën , ai “u gjet në befasi”.

Bardhyl T K. Lubonja i do e i respekton shumë miqtë dhe shokët. Ndoshta është universal veprimi i tij. Ai ¨Vjen nga rrugë e gjatë, kapërcen oqeane e dete dhe shkon për të takuar shokët e vdikurshëm e atas të rinj. Dhe respekti që ka për njerëzit, shpërblehet me mirënjohjen dhe konsideratën e tyre për shokun.  Emigracioni i gjatë nuk e ka bjerrë dashurinë e Bardhyl T K. Lubonjës për njerëzit e mirë. Domethënëse e me shumë vlerë është nostalgjia që ai ka për avionin dhe për fluturimin. Në një tregim teknike , në formë show që u organizua në vendin ku banon aktualisht Bardhi, një pilot vendas po dëftonte kabinën e avionit Mig -21 F. Ai e dëftoi gabim funksionin e një çelësi të kabinës. Ndërhyri Bardhi  dhe e korrigjoi mjshtrin amerikan, i cili, i habitur, pyeti me kë kish të bënte. Kur mësoi se Bardhi kish fluturuar me këtë tip, dikur, në vendin e tij, amerikani, përsëri i habitur shtroi pyetjen: “ Si është e mundur, pas kaq vitesh ky kujton edhe funksionin e çelsave të kabinës”?

Nuk dua ta përfundoj këtë rrëfim pa shprehur mirënjohje dhe respekt të thellë, për atë njeri, i cili na nderoi rracën në një vend tjetër ku ka të tjera tradita e mënyra e jetesës nuk është si jona. Bardhyl T K. Lubonja, kudo që të ndodhet, mbetet një shqiptar për së mbari, nga ata për të cilët të merr malli ti takosh.

Shkroi Niazi Nelaj

Tiranë, mars- prill 2017

One thought on “Bardhyl T K. Lubonja- pilot i “ elitës”, i ngjiti me shpejtësi shkallët e kualifikimit”

  1. Niazi te falenderoj per respektin,nderin,qe me ben dhe fjalet shume te mira ne adresen time.Te faleminderit per mundimin,kohen qe ke harxhuar,per te punuar dhe shkruar kete shkrim per mua. Te vleresoj shume nderin,respektin qe tregon per mua dhe shoket e tjere te vjeter. Dhe pas vdekjes tone keto shkrimet tende dhe te tjerat do na mbajne gjalle…
    E pelqeva shume,e ke bere te tille sa vetem ti di ta besh,Nje shkrim per shokun tend te vjeter. E thurur aq mire sa me s’behet. Une mendoja se do ma dergoje me pare per ndonje verejtje te vogel… Te uroj shendet dhe gjith te mirat ne familjen tende. Te fala te gjithve.

Comments are closed.