Binomi instruktor – student, një lidhje interesante

Pishporo1966

Në një vështrim të parë e së jashtmi, tek mjaft njerëz formohet ndjesia sikur një instruktor i fluturimeve është analog me një mësues shkolle të çfarëdoshëm. Vërtet ngjajnë, por nuk janë e njëjta gjë. Diferenca ka të bëjë me motivet që e frymëzojnë njërin dhe tjetrin. Pikërisht motivet janë çështje e brendshme e secilit. Ato nuk mund të jenë të njëjtë. Një mësues shkolle, i kualifikuar e i përkushtuar, del përpara klasës; shpjegon mësimin e  të nesërmen kontrollon dijet e  ve një notë, sipas shkallës së përvetësimit. Ai, dorëzon regjistrin në drejtori, dhe kaq. Më tej ndjek punët e tjera, të tij. Lidhja mes një mësuesi dhe nxënësve të tij rrallëherë shtrihet jashtë mjediseve të shkollës. Kësaj lidhje i mbetet opinioni që ka njëri për tjetrin. Ma do mendja se çdo njeri e ka provuar në jetë nostalgjinë që ushqen për mësuesin e tij të parë ose për atë që i ka lënë më tepër mbresa gjatë procesit të shkollimit.

Instruktori që i mëson një studenti fluturimin në hapësirë është tjetër gjë. Lidhja e tij me studentin të cilit i mëson si pilotohet një aeroplan është e veçantë dhe unike në llojin e vet. Nuk di përse më vjen mirë ta quaj këtë marrëdhënie specifike “lidhje” mbasi më duket sikur kësisoj ajo përfshin gjithë gamën e problemit. Le të përpiqemi ta shtjellojmë atë e cila nuk është thjeshtë një komunikim mes dy njerëzve. Që në çastin që mësojnë emrin e njëri-tjetrit, instruktori i fluturimeve dhe studenti i ardhshëm i tij, pavarësisht nga njëri-tjetri nisin të hulumtojnë e rreken  të mësojnë me cilin do të kenë të bëjnë gjatë mësimit mbi shfrytëzimin e aeroplanit të dhënë.

Përpjekjet e tyre për të njohur partnerin nuk mbeten në sipërfaqe. Ato tentojnë për të depërtuar sidomos në botën e brendshme të njëri-tjetrit. Studenti, mes të tjerash përpiqet të mësojë për moshën e instruktorit të tij. Problemi i njohjes të moshës nuk është thjesht çështje e kënaqjes të kureshtjes por më gjerë. Para së gjithash, mosha dëfton pjekurinë fizike dhe  intelektuale si dhe konsolidimin e shprehive profesionale të një instruktori pilot. Eshtë e vërtetë që instruktorët e pilotimit janë, përgjithësisht të moshave rinore, por, po të kemi parasysh faktin që vlerat e tyre rriten vrullshëm, në vitet e parë të profesionit, përzgjedhja e tyre nga kjo moshë është e justifikuar. Ca më mirë po të jetë se instruktori është në lidhje martesore dhe ka fëmijë. E theksoj këtë fakt mbasi raporti i instruktorit me studentin për pilot është mjaft i afërt me atë të prindit me fëmijët e tij. Instruktori i fluturimeve i do e kujdeset për studentët e tij, sikur të ishin fëmijët që ka në vatër.

Gjatë përpjekjeve për të njohur natyrën e instruktorit të ardhshëm të tij,  studenti nuk harron të drejtojë pyetjen: ” Cilës shkolle i përket instruktori im”? Fakti që kemi kaluar nëpër shkolla të ndryshme aviacioni  e bën të natyrshme këtë pyetje. Siç është e njohur, pilotët tanë e nisën mësimin e fluturimit në Jugosllavi; disa e përfunduan në Bashkimin Sovjetik; të tjerë mësuan në shkollën kineze të aviacionit e, së fundi  janë të shumtë ata që u përgatitën në shkollën shqiptare të aviacionit. Secila nga shkollat e mësipërme ka patur e ka veçoritë e saj, të cilat bëjnë diferencën. Pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, mjaft studentë u dërguan për të mësuar të fluturojnë në shkollat Perëndimore të aviacionit të cilat ndryshojnë nga ato Lindore.

Nga të gjitha këto shkolla, ajo shqiptare, për një kohë të gjatë mori përparësi e nxori pilotë cilësorë të cilët përballuan kushtet specifike të vendit të rrethuar e të izoluar. E veçanta e shkollës shqiptare të aviacionit kishte të bënte me kushtet e fluturimit. Nuk është vetëm terreni i vështirë; mjetet teknike të kufizuara dhe, çka duhet theksuar, mungesa e traditës dhe e përvojës. Pilotët shqiptarë, për shkak të kushteve ishin të detyruar të kualifikoheshin, sipas rregulloreve e instruksioneve të Lindjes, në një kohë kur resurset tona ishin me pikatore teksa kolegët e tyre te vendeve të tjera notonin në resurse dhe i kishin depot plot, me pjesë këmbimi.

Duke u interesuar për nivelin dhe aftësitë e instruktorit të ardhshëm, studenti pyet: Sa orë fluturimi ka; në cilët kushte të motit e të kohës fluturon; në cilët aeroplanë ka fluturuar; cilin ka patur instruktor dhe me sa fluturime është lëshuar vetëm etj. Një çështje më vete është interesimi për metodën e punës të instruktorit. Studenti kërkon të dijë nëse instruktori i tij është i ashpër në pilotim apo e ka “dorën të ëmbël”, nëse sillet me edukatë e kulturë apo është abrash e arrogant. Sa i takon interesimit për klasin që mban dhe për plot vlera të tjera, vëmendja e studentit nuk mund të jetë indiferente. Jashtë vëmendjes të studentit nuk mund të mbetet niveli teorik i instruktorit dhe aftësia e tij për ti transmetuar atij, ato që ai di vetë. Çdo student do të donte që instruktori i tij të ishte i qetë e i matur dhe të gjykonte drejt e me maturi, pa qenë nevoja të shpalosë nervat e të jetë i rrëmbyer apo inatçor. Këto njohuri të studentit për instruktorin e tij të ardhshëm i shërbejnë atij për të krijuar një besim paraprak për mësuesin e tij, para se ti hyjë udhës së fluturimeve konkrete. Nuk bëhet fjalë për të krijuar stereotipe, as për modele, ndonëse ato janë brenda çështjes së interesimit paraprak.

Krahu tjetër i lidhjes, instruktori, bën përpjekjet e tij për të njohur studentët për pilotë me të cilët do të punojë. Qëllimi i njohjes së tij është të ndërtojë një metodë pune sa më efikase, të diferencuar e në përshtatje me veçoritë e secilit. Ai e ka më të lehtë punën njohëse. Instruktori bisedon me pedagogët e kabineteve të shkollës, mbi ecurinë teorike të çdo studenti, pse jo dhe për veçoritë e formimit të karakterit të tyre. Një vend parësor në këtë çështje zë studimi i dokumenteve që ndodhen në zyrën e kuadrit ( personelit). Në këtë kuadër, instruktori  njihet me testet fizike dhe ato mjekësore si dhe bisedon me kuadro e njerëz të tjerë në shkollë, të cilët kanë njohje mbi studentin në fjalë. Kësisoj instruktori formon një opinion paraprak, në funksion të ndërtimit të metodës së punës me studentët. Ky lloj opinioni është i domosdoshëm por jo i plotë. Ai do të plotësohet e do të saktësohet më tej  mbi bazën e njohjes personale, por kjo i mbetet të ardhmes, kohës kur puna të zhvendoset nga kabinetet në aerodrom dhe kur të nisin fluturimet.

Po çfarë i intereson instruktorit të dijë për studentin e tij? Para së gjithash,  një instruktor i vëmendshëm, kur prezantohet me studentin vrojton dhe çmon pamjen e jashtme të tij; e shikon atë nga “ kalliri”. Instruktori vërtet është njohur me përfundimet e testeve, fizike, psikike, shëndetësore etj. por ai përveç njohjes nëpërmjet letrave kërkon të bindet edhe nëpërmjet njohjes të drejtpërdrejtë. Një instruktor është i përzgjedhur mes komunitetit të pilotëve, jo thjesht për teknikë pilotimi më cilësore nga ajo e kolegëve të tij, por dhe si pedagog e psikolog dhe si një metodist i mirë. Ai, nëpërmjet vrojtimit “tendencioz” përpiqet të njohë fizikun; rregullsinë në paraqitjen e jashtme; mënyrën si vështron; si ecën; si qendron; sa i vëmendshëm e sa i shkathët është studenti etj. Pas kësaj njohje të sipërfaqshme, instruktori futet në bisedë me studentin ku tenton të depërtojë në njohjen e karakterit të tij. Nisur nga kërkesa që një pilot duhet të jetë i zgjuar; i shkathët; i mprehtë; me iniciativë; i qetë e i matur dhe i panxituar, instruktori përpiqet ti evidencoje e ti kërkojë këto vlera tek studentët që i janë caktuar për ti mësuar, në ajër qysh në nisje të punës.

Më tej procesi i njohjes kalon më thellë. Instruktori kërkon të dijë mbi kapacitetet teorike dhe prirjet e studentëve. Së fundi por që është me rëndësi vendimtare, instruktori kërkon të dijë nëse studentët për pilotë e duan fluturimin e janë të vendosur ti futen aventurës ajrore apo duan të shuajnë një kuriozitet. Kjo kërkesë është ndoshta më e vështira për t’u njohur, mbasi njeriu, gjithsesi i motivon qëndrimet dhe veprimet e tij. Nuk është fjala për kamuflime. Vendosmërinë e studentit dhe përkushtimin e tij për tiu futur këtij profesioni të vështirë, instruktori e ndjek, me syçeltësi nga puna konkrete, jo nga fjalët e premtimet. Një student, i cili e ka seriozisht dhe këmbëngul të bëhet pilot, i ndjek me vëmendje të gjitha mësimet dhe përgatitjet, është serioz në të gjitha disiplinat dhe ka kureshtjen të mësojë e të pyesë për çdo gjë që lidhet me fluturimin.

Në takimin e parë, aq sa mund të përcaktohet në një takim, instruktori i kujdesshëm e vështron, jo pa qëllim studentin, nga koka tek këmbët. Rëndësi kanë të gjithë elementët objekt të këtij vëzhgimi por, në plan të parë del vitaliteti i studentit. Elementët që e përbëjnë këtë dukuri janë të shumtë por instruktorit i intereson të njohë nga afër: si qendron studenti i tij; indiferent e i fjetur apo i shkathët, i zgjuar e me iniciativë. Instruktorit i intereson të shikojë tek studenti, si ecën ai, i kapardisur e me shikimin drejt apo i tërheq këmbët zvarrë e mezi shtyhet. Studenti që nesër do të bëhet pilot kërkohet të jetë çapkën e i vëmendshëm ndaj çdo gjëje që ndodh rreth tij; guximtar e vetëveprues; jo njeri që rri në pritje dhe që është mësuar t’ia diktojë dikush, veprimet e sjelljet e tij. Për të mësuar mbi vetitë fizike të studentëve, grupi i instruktorëve, asiston në një orë mësimi  fizkulture ku ata mund të vrojtojnë dhe evidencojnë shkathtësinë, vëmendjen, disiplinën, sedrën dhe shpirtin e garës të studentëve.

Kusht i domosdoshëm dhe me rol vendimtar për suksesin e punës brenda binomit: Instruktor-student është besimi i ndërsjelltë tek njëri tjetri. Ndoshta ky është elementi kyç i suksesit. Por besimi nuk është diçka që formohet vetiu e lehtë dhe  nuk mund të arrihet përnjëherësh. Kërkohen bindje të plota dhe ato lidhen me provat që jep secili. Studenti do ta donte instruktorin e tij dhe do ta besonte më tepër kur të shikonte tek ai se i ka përvetësuar kërkesat e teorisë të fluturimeve dhe ka aftësinë për ti aplikuar ato në praktikë. Konkretisht, studenti entuziazmohet  kur ve re që instruktori i tij, teorinë që zotëron e shtrin në fluturim. Kjo kërkesë e tij buron nga fakti se vetë fluturimi është konkretizimi i atyre që studenti ka mësuar nëpërmjet librave, në auditor. Në pamje të parë krijohet një ndjesi e rreme sikur mes etapave ka një mur që i ndan por, në fakt ato janë vazhdim i njëra-tjetrës dhe plotësim e konkretizim i shoqa – shoqes.

Në përgatitjen e studentëve për të fluturuar, rol domethënës luan përgatitja e tyre në tokë. Instruktori, gjatë dy javëve ( kjo është shifër variabile), me grupin e studentëve që i janë caktuar për ti bërë pilotë, në një mjedis të ndërtuar posaçërisht dhe funksional u zbërthen, sqaron e argumenton domosdoshmërinë e veprimeve në raste të ndryshëm, në ajër. Ai, po ta shprehnim në mënyrë figurative, gjatë dy javëve pune intensive me studentët u dëfton atyre, me argumente shkencorë anatominë e çdo elementi, të zbërthyer, sipas etapave të fluturimit. Duket si përsëritje e thjeshtë dhe e bezdisshme po të gjykojmë se studentët i kanë mësuar këto në auditorë. Nuk është e njëjta gjë. Pedagogu, duke dëftuar një figurë apo element pilotazhi, e ve theksin më tepër tek sfondi teorik kurse instruktori, pa zbehur anën teorike të çështjes i mëshon më tepër aplikimit të elementëve të fluturimit, në praktikë. Me pak fjalë, instruktori nuk bën një përsëritje të thjeshtë të problemit por i jep atij sfond praktik; e vështron sidomos me syrin e zbatuesit. “Këndi metodik”; modeli i aeroplanit; skemat dhe maketet, trenazhorët; instruksionet dhe rregulloret dhe vetë aeroplani bëhen pjesë e pandarë e përgatitjes për fluturim. Përgatitja e studentit duke kaluar nëpër  të gjithë këta komponentë e afrojnë atë me fluturimin real dhe i zhvillojnë fantazinë për të parashikuar raste të ndryshëm që mund ti ndodhin në ajër.

Nuk mund të vihet në diskutim apo të anashkalohet kërkesa e domosdoshme që mes instruktorit të fluturimeve dhe studentit për pilot, lipset të funksionojë një besim i ndërsjelltë e absolut. Studenti i beson instruktorit të tij jo vetëm të mësuarit e teknikës së pilotimit, por dhe edukimin e kalitjen e vullnetit e të karakterit për t’u përballur e fituar mbi rreziqe të shumta. Në procesin e të mësuarit, instruktori është i detyruar të jetë elastik e të bëjë, kur është e nevojshme dhe kur mundet, disa lëshime ndaj studentit të tij.

Le të zbresim pak nga teoria në praktikë. Qëllimi i të dyve është fluturimi i studentit i vetëm, në një aeroplan luftarak ose luftarako-mësimor, sipas rastit. Në këtë çështje me rëndësi jetike ia vlen të ndalemi e të zbërthejmë çfarë të kemi parasysh me termat: kur duhet e kur mundet. Dihet që një njeri, sado i zoti të jetë, kur i futet një pune të re, sidomos kur i duhet të mësojë fluturimin nuk mund të jetë qysh në hapat e para i përkryer në veprime. Përvoja e tij për të drejtuar një aeroplan përparon dita –ditës e në çdo ngritje në ajër. Një instruktor i kualifikuar, sipas ecurisë të studentit “i lëshon pe “ atij, duke e bërë “një sy qorr e një vesh shurdh”( për këtë çështje kërkoj mirëkuptim). Situatat dhe rastet kur ndodh kjo janë të paparashikueshme.

Nëse do të bënim një përpjekje për ti grupuar ato mund të na dilte një panoramë e përafërt si kjo. Në aeroplanët fillestarë, me helikë, të tipit Jak-18A dhe sivëllait të tij Tip-61, me të cilët studenti nis udhën e qiellit, meqenëse ky tip avioni, për shkaqe që dihen “të fal” më tepër, kur fluturohet me këtë tip, instruktori lëshon më shumë. E thënë me fjalë të tjera, kur studenti lejon ndonjë pasaktësi në kryerjen e elementëve të fluturimit, instruktori i tij, bën sikur nuk e ve re edhe pse ndërhyn, lehtë për ta riparuar pasaktësinë që lejon studenti i tij. Veçse, ai, kur zbresin në tokë, mangësinë që ka evidencuar e bën objekt përgatitje të posaçme, në mënyrë që të mos ketë përsëritje. Lëshimi që bën instruktori është pjesë e metodës së tij të punës. Qëllimi për të cilën bëhet ka të bëjë me kërkesën për ti dhënë kurajë e për ta bërë optimist studentin. Studentit, pa e kuptuar ndërhyrjen profesionalisht të instruktorit, i krijohet ndjesia se ai po i kryen veprimet me avionin vetë dhe se i ka të gjitha aftësitë për të ecur më tej. Pra, kemi të bëjmë me një inkurajim e jo me një rrezikim të fluturimit.

Po ku e si lëshon instruktori? Faktorët që e bëjnë të mundur një sjellje të tillë kanë të bëjnë me tipin e aeroplanit; kushtet e fluturimit; shkallën e përvetësimit të elementëve të pilotimit nga ana e studentit; tipi dhe personaliteti i çdo studenti të marrë veçmas; aftësia e instruktorit për të korrigjuar gabimin e studentit; rrethanat e fluturimit (lartësia, shpejtësia, gjendja teknike, pengesat, largësia nga aerodromi etj). Në një aeroplan të lehtë, i cili fluturon me shpejtësi të vogël e në lartësi të tillë, ku sipërfaqja e krahëve është relativisht e madhe dhe qëndrueshmëria e avionit në shpejtësi evolutive është e mirë, instruktori mund ti lejojë studentit edhe ndonjë shmangie të vogël. Ndryshe qendron çështja me aeroplanët reaktivë ku, më të favorshëm për lëshim mund të jenë Migu-15 dhe ai 17 me variantet e tij. Sa më i sofistikuar të jetë aeroplani, aq më të paktë janë shanset për të bërë lëshime. Kur instruktori bën ndonjë lëshim, ai, në çdo rast u referohet tipareve individuale të studentëve që mëson. Kuptohet, në radhë të parë, më të “ privilegjuar “ janë studentët më të hedhur, më të shkathët e më të saktë. Nëse ndonjë lëshim i vogël mund të bëhet në një lartësi ku sigurohet parrezikshmëria e fluturimit, nuk mund të lejohet e njëjta gjë në ulje apo në lartësi të vogla ku dhe shansi i rikuperimit të situatës është i papërfillshëm. Nëse kemi fluturime në kushte të thjeshta të motit dhe ditën, instruktori, pa ulur vigjilencën, mund ti bëjë ndonjë lëshim studentit mbasi ka kohë në dispozicion dhe mundësi të bëjë korrigjimet e nevojshme. Nuk mund të themi të njëjtën gjë kur fluturohet ditën në re, natën në të thjeshta apo natën në re, ku instruktori është i tensionuar e me përkushtim maksimal për të mos lëvizur asnjë metër, kilometër/orë apo gradë, nga e llogaritura.

Në praktikën shqiptare të fluturimeve kanë ndodhur raste interesante; ndoshta unikale në historinë e fluturimeve. Instruktori i një piloti, për shkak të funksionit shtetëror i jep mësime fluturimi ish instruktorit të tij të dikurshëm. Në raste të tjerë  një pilot me gradë apo funksion më të ulët drejton në fluturim eprorin e tij. Ose rastet kur një pilot me moshë më të rritur, për shkaqe të ndryshëm drejtohet nga një tjetër me moshë të re. Normale. Jeta është e larmishme dhe secili zë pozicionin e merituar në hierarkinë ushtarake të çdo profesioni. Ngritja në përgjegjësi, sidomos për pilotët realizohet mbi bazën e aftësive dhe treguesve konkretë të secilit, jo nga stazhi apo grada që mban ai në hierarkinë ushtarake.

Pozicion të vështirë ka instruktori i fluturimit kur e përgatit studentin, në “të thatë “; pa patur aeroplan dyvendësh që ta vozisë në ajër. Kështu u desh të kalonin në avionët e sofistikuar Mig -19PM dhe Mig-19S, mjaft pilotë e në ata Mig-21, disa të tjerë. Në raste të tillë instruktorit i duhet të punojë më tepër me studentin apo me pilotin e grupit të kalimit, në mënyrë që ata të përvetësojnë në mënyrë të përkryer, në tokë veçoritë e shfrytëzimit në ajër të aeroplanit të dhënë. Instruktori, në të tillë raste i  lëshon studentët apo pilotët e kalimit në ajër e qendron në tokë, duke i vëzhguar, nga vendkomanda apo thjesht nga hapësirat e aerodromit fluturimet e tyre, me tension të pazakontë dhe me emocione të veçanta. Ai që e tymos, ka raste në të cilët, në 5-7 minuta, aq sa vazhdon “ rrethi” e ka tretur paketën; ndiz e shuaj. Raporti instruktor-student është një marrëdhënie besimi të ndërsjelltë e cila ka brenda saj domosdoshmërish ngrohtësinë njerëzore. Me instruktorin në kabinën e dytë, studenti e ndjen veten më të sigurtë, më të përkrahur, më të mbështetur, jo i vetëm dhe mendon: “Sido që të shkojnë punët, jemi dy vetë e do t’ia dalim”. Kjo nuk do të thotë që veprimet apo përgjegjësinë për fluturimin ata ia shkarkojnë njëri-tjetrit. Lidhja mes tyre, në fund të fundit është çështje afërsie shpirtërore, ndjesie dhe e ngrohtë.

Instruktori i teknikës së pilotimit mendon shumë; lodhet e djersin si rrallëkush dhe i gëzohet djersës së tij;  kur punët me studentët që i janë besuar për ti bërë pilotë i shkojnë  mbarë. Çdo instruktori i plotësohet dëshira kur të gjithë studentët e tij lëshohen në fluturime vetëm, kur ata plotësojnë tërë programin e parashikuar të stërvitjes ajrore, titullohen pilotë dhe bëhen dikushi, në jetë. Gjithsesi, jeta është e larmishme dhe këtu qendron bukuria e saj. Do të ishte mirë që instruktori të përjetonte vetëm arritje dhe suksese, në punën e tij, por ka dhe dështime e këto janë të pashmangshme ( në kuptimin që janë të papritura).

Nuk mund të përshkruhet me fjalë hidhërimi që ndjen instruktori i fluturimit, kur i duhet të vendosë kundër dëshirës së vet. Bëhet fjalë për ata raste të rralla kur një instruktor i ka “harxhuar të gjithë fishekët”; ka bërë gjithçka varet prej tij për ta bërë një student pilot por nuk ka mundur ta arrijë këtë. Nuk do të futemi tek shkaqet mbasi ato janë mjaft të ndryshme dhe nuk do t’ia dilnim dot mbanë. Prandaj do ta trajtoj çështjen në planin teorik. Raste të tillë kanë ndodhur dhe në shkollën tonë të aviacionit ku, jo të gjithë ata që e kanë nisur fluturimin ia kanë dalë mbanë. Çasti më i vështirë është ai kur instruktori pyetet nga eprorët e tij mbi të ardhmen e studentit, kandidat për t’u përjashtuar nga procesi mësimor i fluturimit. Në shumicën e rasteve, instruktori, kur bën krahasimin mes studentëve të tij, ve re se dikush nuk mund të ecë me hapin e të tjerëve dhe detyrimisht, me dhimbje, atë duhet përjashtuar nga fluturimi. Vendimin e propozon instruktori; e merr ai që e ka në kompetencë dhe përsëri “ e vuan” instruktori.

Një instruktor me horizont, i pjekur profesionalisht e i formuar mirë, kur propozon për largimin e një studenti nga fluturimi, jo vetëm që është matur shumë dhe e ka peshuar çështjen në të gjitha anët, por, duke u nisur nga detyrimi që ka për të ruajtur jetën e studentit dhe bazuar në parashikimin e të ardhmes e perspektivës të studentit, vendos, mes “drithërimit”, largimin e tij nga fluturimi. Studenti vetë, e kupton por ka raste kur nuk e kupton brendinë e një mase të tillë, prandaj, fillimisht reagon kundër. Por, kur përshtatet e stabilizohet në një detyrë tjetër e cila i shkon më tepër për shtat, së brendshmi i është mirënjohës instruktorit të tij që është treguar largpamës. I dhimbset shumë një  “operacion” i tillë, i detyruar, që bën instruktori prandaj, nën peshën e rrethanave e të përgjegjësisë që ndjen,  ai, herë pas here, i kthehet, në vetmi ( me gjykimin e brendshëm) çështjes, për të bindur veten në drejtësinë e vendimit që ka marrë dikur. Instruktorit “ i ther në zemër” kur është i detyruar të operojë për largimin nga fluturimi të studentit të tij. Ai ndodhet përpara një dileme të madhe, mjaft të vështirë. Të dy polet shtyjnë njëri-tjetrin. Një zë, i brendshëm i thotë: ” Gjynah, është djalë i ri e i mirë, le ti japim edhe disa fluturime kontroll, mbase e merr veten”! Një tjetër zë e cyt të ketë mendim e qendrim më radikal. Ai i pëshpërit, përsëri në heshtje: ”Mirë xhanëm, ta zëmë se e lamë të fluturojë në këtë tip avioni, i cili të fal shumë e kërkesat e tij mund ti përballojë, po si do ti bëhet hallit më vonë, kur do ti duhet të fluturojë në tipa të sofistikuar e në kushte të vështira fluturimi. Ai vazhdimisht do të gjendet në fund të radhës e do të bëhet barrë për shokët, ose. . . gjë të cilën nuk do ta zëre në gojë”! Të dy rastet i ka provuar jeta, në repartet tona të aviacionit. Kur është i domosdoshëm, operacioni lipset të kryhet, madje sa më herët e pa hezitim; në të kundërt, harxhet do të paguhen më vonë e ato do të jenë me rrjedhoja negative tepër të kushtueshme.

Shembuj të shumtë pozitivë na bindin se një aradhë e tërë instruktorësh, në të gjithë tipat e avionëve e të shtrirë në kohë, na  flasin me zë të lartë se kemi patur instruktorë fluturimi të aftë, të përkushtuar, të talentuar dhe me shpirt njeriu. Pa u rrekur të bëj listë, mbasi nuk është as në kompetencën time, do të veçoja instruktorët e mirënjohur: Flamur Mickaj; Tomorr Avdiaj; Agim Spahiu; Refit Jazoj; Naun Todo; Nehar Jazexhiu; Admir Fllaga; Hamit Ulqinaku; Hamdi Arapi; Salih Dibra; Guri Merkaj; Stillo Mëlica; Bahri Meshau (Përmeti); Zija Memi; Pandeli Lëngu; Lutfi Mishkeri; Fazlli Begaj dhe heronjve të Poros: Kostandin Sadiku e Ahmet Sulejman Zogu janë shëmbuj të ndjerë e të gjallë, të asaj pune të lavdishme që është bërë për ti dhënë Atdheut pilotë të devotshëm. Puna e instruktorit është e veçantë e nuk barazohet me punët e tjera në aviacion. Çdo instruktor, në punë e sipër ka grumbulluar një përvojë autentike, të cilën e ka të vetën por që çështja e përbashkët e kërkon tua bëjë të njohur të tjerëve, ca më tepër atyre që nuk e kanë shijuar.

Gjatë shkrimit të këtyre radhëve, duke dashur të tërheq opinionin e disa ish instruktorë vetë teknikës së pilotimit, për ta bërë materialin sa më të plotë, përthitha mjaft mendime të vyera, të cilat i kam pasqyruar me besnikëri. Pati dhe ndonjë rezervë, nga shokë të veçantë, nisur nga mendimi i padrejtë se: ”Më kot lodhesh; kujt do ti shërbejnë këto që shkruan; ne, sot nuk kemi shkollë për pilotë. . . etj. etj. ”! Nuk mund të jem i një mendje me këtë pozicion nihilist. Të vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhemi, nuk mund të mendohet se kjo është e dhënë njëherë e përgjithmonë. Prandaj i ftoj, gjithë ata që  kanë qoftë dhe një copëz përvoje vetjake, sido që të jetë ajo, ta shkruajnë, që të mbetet për ata që do të vijnë më pas.

Një instruktor i aftë, në procesin e njohjes të studentit, bën përpjekje për t’u lidhur dhe me familjen e të afërmit e tij. Ai bën përpjekje për t’u njohur me prindërit, motrat, vëllezërit etj. Bëhet fjalë për të gjetur ato pika takimi, ose, siç thuhet rëndom; ato ura komunikimi të cilat e afrojnë instruktorin me studentin. I vjen mirë studentit kur instruktori i tij e pyet jo vetëm për fluturimin por dhe për shëndetin e njerëzve të tij. Ai bëhet “ me fletë” kur instruktori e pyet nëse ka marrë njoftime të mjaftueshme nga familja apo ka kohë pa komunikuar me të tijtë.  Nuk është e tepërt që instruktori të interesohet edhe për problemet e zemrës, të cilat, siç dihet, janë më të vështirat për të depërtuar. Mosha e re e studentit dhe ëndrrat e tij lipset të respektohen, pa cënuar privatësinë.

Më ka ndodhur, në një fluturim në zonë, kur nuk më dilte mirë përmbysja,  instruktori kinez, në çastin kur avioni ishte në pikën e sipërme, i përmbysur por hunda e tij ishte poshtë horizontit, mbasi e provova disa herë e nuk më doli siç duhej, më tha, me radion e brendshme: ” Njagji. . . ” bëj ashtu e kështu, e unë veprova. Ajo që më habiti ishte fakti që më foli në emër edhe pse nuk e shqiptonte dot atë, për shkak të gjuhës. U ndjeva ngrohtë e kisha ndjesinë se po më fliste një i afërmi im.

Besimi i ndërsjellët mes instruktorit dhe studentit të tij shtohet kur në ajër u ndodh ndonjë situatë e jashtëzakonshme e ata e kapërcejnë atë me kontribute të përbashkët. Një student për pilot e forcon besimin tek instruktori i tij kur shikon, në praktikë që instruktori është i zoti në profesion e “nuk ia ha qeni shkopin”. Do të shtoja se studenti e do instruktorin e tij, mundësisht të jetë më i miri i grupit të instruktorëve dhe të mburret me të. Ngjan shumë me raportin e djalit me babanë e tij. Patjetër keni dëgjuar fëmijë, jo në një rast që përsëritin se babai i tyre është më i miri  në botë. Nuk është çështje thjeshtë xhelozie për babanë por një ndjesi e brendshme që ka të bëjë me dashurinë, respektin dhe besimin që ka fëmija tek prindi. Pa krijuar bezdi, do të përpiqem ti thërras kujtesës për të paraqitur një rast konkret, nga jeta në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, në vitet e largët te dekadës ’60-’70.

MiG16_Mesimor_Pishporo_Korrik_1966

Më 6 qershor të vitit 1966 do të realizohej kalimi i aeroplanëve Mig-15 (UTI dhe Bis), nga aerodromi i Qytetit “ Stalin” në atë fushor të Poros, ku do të stërviteshin studentët për pilotë të Shkollës së Aviacionit. Atë ditë, çdo instruktor, me avionin që i ishte caktuar grupit të tij do të realizonte kalimin. Në kabinën e parë pilotonte instruktori teksa në të dytën ishte tekniku i avionit. Aeroplanët luftarakë do të pilotoheshin nga komandantët e katërsheve: Kostandin Sadiku; Avsi Gjonmemaj; Telo Dedi; Fazlli Begaj  e nga pilotë të tjerë. Do të bëja kalimin, nga njëri aerodrom në tjetrin të sparkës me numër anësor 30 e cila kishte motor VK-1A dhe ishte në gjendje mjaft të mirë teknikisht. Në kabinën e dytë ishte tekniku i avionit Shyqyri Llangozi, ndjesë pastë. Në Poro na priste udhëheqësi i fluturimeve Salih Dibra, komandant i skuadriljes së tretë të regjimentit, e cila ishte skuadrilje e shkollës së aviacionit. Pranë makinës ku ndodhej udhëheqësi i fluturimeve ishin grumbulluar të gjithë studentët për pilotë, të vitit të tretë dhe të vitit të dytë, plot 26 vetë. Ata donin të shikonin si do të uleshin instruktorët e tyre, në një aerodrom tjetër. Nuk u zhgënjyen nga ky rast. Kalimi i aeroplanëve u krye brenda normave dhe cilësisht. Kësisoj studentët e shtuan besimin tek instruktorët e tyre, mbasi e panë, në praktikë aftësinë e çdo instruktori të veçantë. Si me shaka, udhëheqësi i fluturimeve, atë ditë i la studentët të vlerësonin uljet. Kënaqësia ishte e madhe, si në anën e studentëve dhe tek instruktorët e tyre. Nuk pati qejfmbetje, por krenari, në të dy kampet. Studentët e nxorën “ merakun “ mbi aftësitë e instruktorit të tyre, por dhe tek këta të fundit u shtua e u forcua lidhja me studentët.

Pas asaj përgatitje sfilitëse  në tokë, e cila, për hir të së vërtetës është tepër e lodhshme, studentët për pilotë mezi presin sa të nisin fluturimet. Pas hedhjes tradicionale me parashutë, nisin fluturimet. Fillimisht studentët çohen në ajër me instruktorin në kabinën e dytë e më pas ata fluturojnë vetëm. Në prag të fluturimeve, studentët, për të shuar kureshtjen dhe për të mësuar diçka më shumë për ajrin, nuk lenë rast pa pyetur, çdo pilot; rrallëherë edhe instruktorin e tyre  për ajrin. Ata janë kuriozë të dinë si konkretizohen në fluturim ato që kanë mësuar në klasë. Më të vendosurit kërkojnë të dinë si “ sillet” avioni, në ajër, kur piloti vepron me këtë apo atë levë, kur shtyp butonë të ndryshëm e si veprohet për të plotësuar elementë të ndryshëm të fluturimit. Fantazia e studentit “zien”. Studenti për pilot A. A. e pyeste instruktorin e tij: “ Cili është pozicioni i eleronëve, në krahun e avionit, kur ai është në virazh ( rreth )? Vini re, deri ku shkon hamendësia e një rishtari në punët e fluturimit? Nuk mbaron këtu “ filmi”. Instruktorit i duhet ti mbushë mendjen studentit, jo me “ dokrra hiri”, as me arrogancë e prepotencë, por me logjikë të shëndoshë e me njohuri të thella teorike.

Koha disamujore e zhvillimit të fluturimeve është periudha më e ngjeshur e më e vështira, për të dyja palët. Studentit i duhet të mësojë e të konsolidojë teknikën e pilotimit, nga ngritja ne ulje dhe nga ushtrimi në ushtrim. Instruktorit i duhet të vrasë mendjen për të gjetur metoda pune sa më efektive, sipas individualitetit të çdo studenti dhe “të përvjelë mëngët” për të përballuar intensitetin e lartë të periudhës së ngjeshur me fluturime. Studenti nuk e ka të lehtë të përvetësojë gjithë ato veprime, të cilat nisin me mënyrën e afrimit tek avioni, komandat që jepen, në çdo rast, vizive apo me radio; mënyrën e kontrollit të imët të çdo nyje apo agregati; përdorimin e pajisjeve të kabinës së avionit e atyre vetjake etj. etj. Në të gjithë rastet e për çdo veprim që kryen, studenti është nën vëzhgimin e instruktorit të tij. Detyra e instruktorit nuk është monitorimi i thjeshtë i veprimeve të studentit por qenia e tij, në gatishmëri për të ndërhyrë e për të korrigjuar çdo gabim të nxënësit të tij.

Kur studenti përvetëson teknikën e pilotimit, dhe është i aftë për ta ngritur e për ta ulur aeroplanin vetë; sipas rregullave, mbasi ka kaluar në fluturime prove, shkallë – shkallë, studenti lëshohet në fluturime vetëm, pa instruktorin në kabinën e dytë. Një njeri që e vrojton së jashtmi këtë ndodhi, mund të thotë: ” Instruktori ia hodhi punës, tani studenti fluturon vetëm e atij nuk i mbetet tjetër veç të vrojtojë e të kënaqet me produktin e punës së tij” ! Një gjykim i tillë mund të jetë i drejtë por jo aq i saktë. Nëse deri sa studenti lëshohet vetëm, instruktori ka shqetësimin që ti mësojë atij teknikën e pilotimit, tashmë, pas lëshimit në fluturime vetëm atij i shtohet dhe stresi që rrjedh nga përgjegjësia që ndjen për rezultatin e punës që ka bërë. Sikur të ishte e mundur të regjistroheshin të gjitha ndjesitë që përjeton instruktori, kur studenti i tij fluturon vetëm, ju siguroj se do të kishim një mozaik të paimagjinueshëm përjetimesh.

Kur ekzistojnë mundësitë, instruktori, fluturimet e para vetëm të studentëve, zakonisht i vrojton nga kulla e udhëheqësit të fluturimeve. Ai e di çfarë ndjenjash provon në ato çaste. Me siguri duhet t’ju ketë ndodhur të jeni pranë ndonjë tifozi në një ndeshje futbolli. Duhet të keni vënë re si e ndjek dhe si e përjeton tifozi në fjalë ndeshjen. Ai, vazhdimisht bashkëbisedon me lojtarët në fushë; kryen veprimet që kryejnë lojtarët; madje dhe jep udhëzime si: “ Bjeri; gjuaje fort; paso majtas; driblo”, etj. etj. Po instruktori, i cili mban përgjegjësi të plotë për veprimet apo mosveprimet e studentëve të tij? Veç ta dëgjosh instruktorin, kur studenti vjen në ulje. Pavarësisht se është i sigurtë që studenti nuk e dëgjon, ai përsëri i flet atij, duke i kujtuar veprimet që duhet të kryejë në çdo etapë të uljes. Dikur i thotë: “ Rafshoje; merri gazin plotësisht; merre dhe pak; mos e luaj; mbaj drejtimin me pedale, etj. etj. Të kuptohemi, në këtë rast nuk kemi të bëjmë me shkarkimin e përgjegjësisë por me përjetimin e gjithë situatës konkrete që shpaloset përpara syve të tij. Askush më mirë se instruktori nuk ia njeh pluset dhe minuset studentit të tij. Ai jo vetëm i di, por dhe merakoset për to. Prandaj e përjeton çdo situatë efektivisht dhe intensivisht.

Besimi tek njëri-tjetri është faktori bazë për të arritur jo vetëm mirëkuptimin e të dyja palëve por dhe për të garantuar suksesin. Besimi i ndërsjelltë, në një farë mënyre është njohje e ndërsjelltë. Përgjithësisht, çdo pilot ka kaluar nga udha e studentit. Mund të thuhet, pa mëdyshje, se një pilot jetëgjatë në fluturim, vetëm në ndonjë rast të veçantë mund të mos ketë qenë në rolin e instruktorit. Kësisoj përvojat e akumuluara janë të ndryshme dhe larmia e tyre nuk njeh kufi. Mund e duhet të bashkohen (të grumbullohen) e të studiohen përvojat e ndryshme, me qëllim që të dilet në përfundime të drejta, dobiprurëse. Secili ka çfarë të shtojë në këtë sipërmarrje të vështirë  e të panjohur si duhet. Përvoja shqiptare në këtë drejtim, jo vetëm nuk mungon por është e veçantë dhe heroike. U takon atyre që e bartin këtë përvojë të bëhen përçues dhe transmetues të kësaj pjese të diturisë shoqërore.