Burhan Nuro Nurja- ëndrra e ndërprerë e një piloti pasionant

 

Jemi mësuar të shkruajmë e të lexojmë për jetët e njerëzve  të shquar duke numëruar bëmat dhe gjëmat e tyre sikur të ishin stoli e në pronësi vetjake të tyre. Në disa raste i zmadhojmë ato e në të tjerë nuk arrijmë as ti evidencojmë. Për një kategori njerëzish të mirë, zhvillimet pozitive nuk vijnë deri tek ne me shumë zhurmë e bujë, por rrjedhin, natyrshëm, në shtratin e tyre; qetë-qetë. Ndodh që disa syresh, nuk arrijnë të korrin, as frytet e djersës e të mundit të tyre. Në këtë kategori, mund të futet dhe ndonjë fluturues, si Burhan Nuro Nurja, shkodrani 24 karat, i cili e nisi ëndrrën për të pushtuar qiejt, me shumë pasion e me vullnet të rrallë, të cilat u prenë në mes dhe jeta e tij u kanalizua e vijoi përmes peripecive të të humta e të pamerituara.

Burhani u lind në qytetin e Shkodrës, në Tepe, më 2 janar të vitit 1937, në familjen fisnike, me tradita atdhetarie të Naxhije e Nuro Nures. Babai i Burhanit, zemërbardhi Nuro, ishte kafexhi, në tregun e lashtë të qytetit; në Bexhisten. Nënë Naxhija ishte shtëpiake por meritonte statusin e heroinës, mbasi ajo lindi e rriti, plot 10 fëmijë: nëntë djem dhe një vajzë. Djemtë e çiftit Nurja morën emrat: Adem; Sitki; Ilmi; Xhemal; Burhan; Ymer; Shuaip; Enver dhe Ferit, kurse vajza e vetme, e tij u quajt -Lejla.

Fëmijëria e Burhanit rrodhi si e të gjithë moshatarëve të tij shkodranë në ata vite. Në vitet e trazuar të Luftës së Dytë Botërore, Burhani ishte i mitur. Kur u mëkëmb e mund të çapitej, ai nuk i ndahej babait, edhe pse nuk ishte më i rrituri ndër vëllezërit. Nëpër rrugicat me kalldrëm, ai, së bashku me të atin, shkonte në kafeterinë e familjes Nurja, në Bexhistan, ku shërbente xha Nurua, qëndronte gjatë atje, dhe “ blinte” nga sjallja e babait esnaf, me klientët e këndshëm, tradicionalë, shkodranë. Rritja dhe forcimi i trupit të tij, solli dhe daljen e Burhnit, me bashkëmoshatarët, për të luajtur e për të bërë “ prapësi”, në bahçet e mëhallalinjve.

Loja me top, futbolli, shpejt u bë loja më e preferuar e tij. Burhani ishte i pakët nga trupi dhe thatim, por shquhej për shkathtësi e ishte sedërli i madh, në lojë. Shokë të afërt kishte: Elez Hysën; Emrush Danin; Hamdi Tahirin etj. Luante futboll, me shokët, me një top prej lecke të sajuar nga duart e arta të nënave të tyre të mira. Më pas, djemtë gjetën topa të vegjël prej llastiku, gjë që, në atë kohë,  ishte “lux”, për fëmijët e sërës së tij. Në shtat, Burhani ishte mesatar, por trupi i tij ishte i lidhur mirë dhe rezistent. Prandaj ai parapëlqente lodrën në mesfushë e në sulm.

Si mjaft djem shkodranë, në ata vite, në stinën e nxehtë, edhe Burhani frekuentonte lumin. Ata, në grupe, shkonin në Kir, në Bunë e në Drin , ku bënin banja rëre e në veçanti futeshin në ujë. Në lumë Burhani mësoi notimin dhe shpejt u bë notar cilësor. U dashurua mjaft pas ujit, adoleshenti i xha Nuros e nuk i ndahej lumit. Shpesh, duke notuar, ai harrohej e nuk shkonte në shtëpi as për të drekuar. Edhe kur më të rriturit e familjes, e kërkonin Burhanin, në anë të lumit dhe aty e gjenin, të zhytur në ujë ose duke bërë banjo dielli, në rërën e pakët.

Kur mbushi moshën shtatë vjeç, në vitin e parë të lirisë, në 1945-sën, Burhani nisi mësimet në klasën e parë, në shkollën fillore të Ajastmës ( Shkodër), ku kreu dhe mësimet e shkollës unike  (shtatëvjeçare). Mësues të tij ishin: Shaqir Demnori; Jonuz Bala de të tjerë. Burhani ishte nga më të mirët e klasës dhe mësimet i kapte, kryesisht që në klasë, nga spjegimi i mësuesit; kështuqë i mbetej mjaft kohë në dispozicion, për të bërë detyrat e shtëpisë.

Pas përfundimit të shkollës unike ( shtatëvjeçare), nisur nga pjekuria e parakohëshme dhe nga niveli arsimor i arritur deri atëherë, Burhanin e piketuan për mësues. Ai kreu një kurs gjashtëmujor, në Shkodër, ku mori njohuri në fushën e mësuesisë. Akoma pa mbushur moshën 14 vjeç, Burhan Nurja u caktua të jepte mësim, në ciklin e ulët, në zonën malore të Kelmendit, në Veri të vendit.

Ishin vitet e rëndë, të pasçlirimit, kur, në Shqipëri sundonte analfabetizmi. Në vitin 1945, anë e kënd Shqipërisë nisi një luftë masive kundër kësaj dukurie shekullore. Për më të rriturit u çelën kurse kundër analfabetizmit, kurse për fëmijët nisi funksionimi i shkollave. Të parët, u ushtruan vetëm sa mësonin të shkruanin e të lexonin gjuhën shqipe, kurse të dytët nisën mësim të rregullt, në klasë. Niveli arsimor dhe ai pedagogjik i mësusve ishte mjaft i ulët dhe institucionet arsimore, për kualifikimin e tyre ishin mjaft të rrallë. Burhani, edhe pse me moshë të vogël, shquhej ndër moshatarët dhe bashkënxënësit, për nga pjekuria, zhvillimi dhe sjellja, prandaj u përzgjodh të ishte mësues.

Në fshatrat e malësisë të bukur të Kelmendit, ai u mahnit nga bukuritë e rralla të trevës, nga zgjuarsia natyrale e vendasve dhe nga bujaria e tyre. Interesimi i fshatarëve të atyre anëve për shkollimin e fëmijëve dhe dëshira e të vegjëlve për të mësuar ishin impresionuese. Këtë, Burhani e vështronte në sytë e fëmijëve që xixëllonin dhe nga përkushtimi e sjellja e tyre, në klasë e jashtë saj. Ai dha mësim  në shkollën e fshatit Vukël dhe njohu nga afër jetën e fshatarëve të Vermoshit, Tamarës, Selcës, Brojës dhe të Nikçit. Bukurive magjepsëse të atyre trojeve, u shkonte për shtat shpirti bujar i fshatarëve dhe përkushtimi i nxënësve për të mësuar. Mirëpo këto përparësi ndeshnin në ngushtësinë e mjediseve ku zhvillohej mësim dhe  mungesa e mjeteve mësimorë, gjë që ja vështirësonte punën Burhanit adoleshent.

Në shtator të vtit 1954, Burhani nisi mësimet në vitin e parë të shkollës së mesme, në Politeknikumin “ 7 Nëntori”; në degën mekanike. I zellshëm në mësime, i shkuar e i dashur me shokët, korrekt e i dëgjueshëm me mësuesit kompetentë e dashamirës, në këtë shkollë serioze, Burhani përcolli katër vite e u diplomua mekanik i mesëm. Ashtu si në shkollën e mëparshme, edhe në politeknikum, ai shkëlqeu në mësime dhe fitoi simpatinë e bashkëmoshatarëve dhe mësuesve.

Më 20 nëntor të vitit 1957, kur sapo kish përfunduar mësimet e shkollës së mesme, Burhani, tashmë 20 vjeçar, mbasi kaloi me sukses testet e mjekësisë u rrjeshtua përkrah shokëve, në skuadrilen shkollë, brenda repartit të vetëm të aviacionit shqiptar, në Laprakë ( Tiranë ), e cila u çel për të përgatitur pilotë, për Ushtrinë e dalë nga lufta, e fortë por pa kualitetet e nevojshme. Ishte hera e parë që në Shqipëri çelej një shkollë aviacioni. Komandant i shkollës, u emërua majori i aviacionit , piloti Areteo Konomi njëri nga pilotët e parë të vendit.

Shkolla për të përgatitur pilotë u organizua brenda repartit egzistues të aviacionit, i cili kishte komandant legjendarin Peço Polena; atë që u ngrit i pari, mbi qiellin e Tiranës, me një aeroplan luftarak, më 24 prill të vitit 1951, ditë e cila u caktua si ditë e krijimit të aviacionit luftarak të vendit tonë. Instruktorë të teknikës së pilotimit u caktuan: Irakli Grazhdani; Flamur Mickaj; Refit Jazoj; Agim Spahiu; Hektor Lako dhe Petrit Majlindi. Kursantë, shokë grupi të Burhan Nures, ishin: Bilal Josja; Astrit Mersini; Thanas Naçi; Llazar Çupa; Lili Laçka; Nestor Dhaskali; Pandi Buci; Vasil Kromidha; Niko Qendro; Albert Shkurti; Muharrem Hida; Luan Sinaj; Vangjel Nakuçi; Agim Nanaj; Sotiraq Gjylameti; Astrit Spahia; Gëzim Picari; Aristotel Poga; Ilija Kovaçi etj.

Grupi i kursantëve për pilotë fluturuan në aerodromin e Laprakës ( Tiranë ), në brezin e gjelbër, të drenazhuar mirë, gati dy muaj, pa ndërprerë. Qarkullimi i aeroplanëve me helikë të tipit Jak 18-U, me të cilët ngriheshin e uleshin kursantët për pilotë, kalonte mbi “ Bllokun” ku banonte udhëheqja e lartë e partisë –shtet, nisnin, herët, në mëngjes, dhe fluturonin, gati 300m. mbi banesat e tyre.  U prishej qetësia “ burrave të shtetit” dhe familjarëve të tyre, prandaj, ata, nuk i rreshtnin ankesat, për largimin e “ zhurmuesve”, tek udhëheqja e lartë.  Premisa për ngjarje të jashtzakonshme, përplasja pas një peme e aeroplanit me të cilin fluturonte instruktori Agim Spahiu me kursantin Niko Qendro, e cila, fatmirësisht përfundoi pa viktima, i vuri vulën, vendimit për ta larguar shkollën e sapoçelur nga aerodromi i Laprakës dhe vendosjen e saj në fushën e blertë të Shijakut, e cila kishte shërbyer si aerodrom i aviacionit italian , në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Në këtë fushë të gjelbër, kursantët për pilotë fluturuan deri në fund të muajit korrik, të vitit 1958 dhe përfunduan, me sukses programin e  fluturimeve mësimore të parashikuar për atë vit.

Mbasi u përcaktuan kursantët që do të fluturonin në aeroplanët gjuajtës-bombardues dhe në aviacionin helikopter, grupi i kursantëve për pilotë, i ndarë në dy nëngrupe, më 8 gusht të vitit 1958, u nis, nga porti i Durrësit, për në Odesë ( Bashkimi Sovjetik), me anijen gjysmë mallrash e gjysmë pasagjerëdsh – “ Bielloostrov”, e prodhimit sovjetik mr flamurin e atij vendi në kiç. Kursantët: Burhan Nurja; Vangjel Nakuçi; Agim Nanaj; Albert Shkurti; Muharrem Hida; Luan Sinaj; Sotiraq Gjylameti; Aristotel Poga; Ilija Kovaçi; Stavri Prenda; Agim Veleshnja; Astrit Spahija; Sybi Koçi; Ndue Mëhilli  (Logu); Nase Leka; Ramo Mmejdiaj; Vangjel Nasto; Hetem Mehmeti; Agron Galanxhi dhe Mikel Janku, do të studionin për t’u bërë pilotë helikopteri, kurse të tjerët do të fluturonin në aeroplanët reaktivë gjuajtës-bombardues.

Në anijen sovjetike “ Bielloostrov”, në atë rrugëtim të parë ujor, së bashku me kursantët për pilotë rrugëtonin  dhe disa turistë sovjetikë, për qejfin e tyre. Anija në fjalë kishte kushte të mira, për jetesë e për rrugëtim. Në kuvertën e saj, ishte një fushë volejbolli, ku djemtë nga vendi ynë kalonin kohën, e relaksoheshin, në shoqërinë e bashkëudhëtarëve.

Rruga ujore, nga porti i Durrësit në atë të Odesës zgjati 4 ditë e 4 netë. Ndonëse Deti Mesdhe njihet si pellg ujor  tepër i trazuar, e dallgët e përkundin anijen sikur të jetë një djep fëmije, Burhani, si sportist e në veçanti si notar i mirë e supertoi për mrekulli lëkundjen, krahasuar me shokët e tij. Anija u ndal, në portin e Pireut ( Greqi ), për furnizim e për turizëm, por kursantët nuk u lejuan të dilnin, as në kuvertë. Ishin vitet e të ashtuquajturës “ luftë e ftohtë” dhe orientimet nga lart nuk lejonin të dekonspirohej vajtja e kursantëve ushtarakë, në veçanti e atyre që do të studionin për t’u bërë pilotë, në Bashkimin Sovjetik. Kjo ishte një propagandë bajate dhe e kotë, mbasi kundërshtarët tanë, nëpërmjet shërbimeve inteligjente, dinin edhe sa miell kishim në magje e ku i kishim furrikët e pulave…

Anija që transportonte kursantët për pilotë, ndaloi dhe në Ngushticën e Dardaneleve, por dhe aty kursantët nuk u lejuan të dilnin dhe “ sekreti ushtarak” u ruajt. Në portin bullgar të Varnës ( Bullgari),  të njohur si qytet i luleve, anija qendroi 8 orë. Kursantët,  ndodheshin në një “ vend mik”, prandaj u lejuan të dilnin në qytet. Ata përfituan nga axhenda e turistëve sovjetikë për të vizituar qytetin dhe e pritën, me kënaqësi urdhrin e kapitenerisë, për të parë qytetin e bukur. Kishin dëgjuar për bukuritë e qytetit të luleve dhe u erdhi rasti ti “ shijonin” ato live.  Disa syresh shëtitën nëpër rrugë; të tjerë u ulën në lokale. Burhani, me disa shokë të afërt, bënë dhe ndonjë lodër ping-pongu.

Pas disa orë lundrimi, ndalesa e radhës, u bë në portin e Kostancës ( Rumani ). Aty anija qëndroi 6 orë e kursantët patën mundësi të dilnin, në qytet. Ishin ditët e para të gushtit dhe temperaturat e ajrit, kishin kapur shifra të përfillshme. Vendasit, në çifte dhe sipas shoqërisë, bënin plazh. Tanët, aty patën “shansin të kullotnin sytë”. Ata, për herë të parë në jetën e tyre vrojtuan plazhin nudo. Femra e meshkuj, të zhveshur lakuriq, në shoqërinë e njëri-tjetrit, bënin plazh, për qejfin e tyre. Në Shqipërinë e asaj kohe, një gjë e tillë ishte e pamundur. Kursantët nga Shqipëria kishin nxehtë e donin të freskoheshin, por nuk mund të zhvisheshin. Disiplina ushtarake, nuk i lejonte.

Ndalesa e fundit ishte portri i Odesës, në Detin e Zi. Odesa është qytet i bukur; i bardhë; kryesisht ushtarak. Tanët, të cilët mezi pritnin të preknin tokë, zbritën nga anija dhe i lanë lamtumirën rrugëtimit ujor. Ata kishin qëndruar mbi ujë, plot 4 ditë e po aq netë dhe ishin të dëshiruar për të parë këtë qytet të lavdishëm, të bukur, në bregun e Detit të Zi, i cili është det i mbyllur. Në këtë qytet të bukur port, kursantët mbërritën në mbrëmjen e datës 11 gusht të vitit 1958. Në kalatë i priti dhe u uroi mirseardhjen, një oficer i Ushtrisë Sovjetike, me gradën e kapitenit. Ai i shoqëroi kursantët nga Shqipëria, në hotelin e shkollës që përgatiste oficerë tankistë, për Ushtrinë Sovjetike, ku ata fjetën 2 netë.

Në Odesë, Burhani dhe shokët e tij të grupit patën kohë të mjaftueshme për të shëtitur e për të “shijuar”bukuritë e atij qyteti të lashtë ku shqiptarët kishin bërë “ furrik” qysh në kohë të lashta. Paraardhësit tanë, duke rendur pas porteve, ishin stacionuar aty e kishin formuar koloni, në të cilat flitej shqip dhe përcilleshin  rite të mirëfillta shqiptare. Njëzetvjeçarëve të ardhur rishtaz nga vendi ynë u la mbresa të thella ai qytet i sistemuar, me rrugë të drejta, me lulishte masive dhe me ndërtesa të larta, të herëshme e të kohës. Ata u mrekulluan dhe me kushtet e jetesës, në shkollën ushtarake të oficerëve tankistë, me të cilat u familjarizuan shpejt e nuk mund të ndaheshin lehtë prej tyremë 11 gusht të atij viti, pas dy netësh që kaluan në atë mjedis ku sunduese ishin: rregulli, pastërtia dhe disiplina, djemtë shqiptarë të të dy grupeve, u ngjitën në trena të veçantë e nisën rrugëtimin hekurudhor.

Grupi i kursantëve që drejtohej nga Burhani, do të shkonte në qytetin e lashtë të Pugaçovit, ku do të mësonin pilotimin e helikopterëve, kurse grupi tjetër, do të shkonte në Shkollën e famshme të aviacionit, në qytetin e Borisoglebsit, e cila mbante emrin e famëmadhit Valerij Çkallov, ku do të përgatiteshin si pilotë gjuajtës- bombardues, në aeroplanët reaktivë të tipave Mig. Të parët ndoqën linjën : Odesë- Harkov- Moskë- Saratov- Pugaçov kurse, grupi i dytë përshkoi rrugën: Odesë- Voronezh- Borisoglebs. Burhani ishte caktuar përgjegjës i grupit që kur kursantët kishin nisur të fluturonin, në shkollën shqiptare të aviacionit, në aerodromin e Tiranës. Pas tri ditë rrugëtimi me tren, kursantët egrupit të helikopterëve mbërritën në Moskë.

Në metropolin sovjetik, i cili sikur të imponohej me madhështinë e tij të paparë, kursantët e patën kohën të kufizuar dhe nuk mundën të vështronin gjithë bukuritë e tij, por, diçka panë. Ata shëtitën në qendër të atij qyteti gjigand; panë Sheshin e Kuq; Kremlinin; Teatrin Balshoj ( nga jashtë), vizituan galerinë Tretjakovskaja; panë Maozoleun e Leninit e të Stalinit, Lumin e Moskës; Së largu panë Universitetin “ Lomonosov” e të tjera bukurira, të cilat, u ngjanin sikur po i vështronin në ëndërr, me sy hapët. Aq e shpeshtë dhe e paparë ishte propaganda që i bëhej kryeqytetit sovjetik dhe hapsirave të atij vendi, në vendin tonë.

Në atë mbrëmje, kursantët zunë vend në trenin e linjës që të çonte në Lindje të vendit, në hapsirën siberiane. Ata do të ndalonin në qytetin e Saratovit, nga ku niste degëzimi për të mbërritur në qytetin e Pugaçovit dhe në shkollën e vetme të aviacionit helikopter në hapësirat sovjetike. Në stacionin e trenit, në Saratov, ata i priste një autobus ushtarak, me ngjyrë të gjelbër dhe një oficer, i shkollës, i cili mbante gradën e kapitenit. Ai ishte përfaqësues i shkollës së aviacionit helikopter të Pugaçovit. Në Saratov, ata mbërritën në mbrëmje dhe nuk u premtonte  koha për të parë qoftë dhe disa nga bukuritë e atij qyteti- qendër e rajonit. Sapo zunë vend në autobus djemtë u nisën për në Pugaçov dhe rrugën e përshkuan natën.  Drejtuesi i mjetit dhe oficeri shoqërues nxitonin, për të mbërritur sa mëparë në shkollë. Shoferi, ngatërroi rrugën automobilistike dhe nisi të rrugëtonte nëpër stepë. Autobusi me kursantët brenda, u vërdallis nëpër hapsirat e pamata të stepës tërë atë natë.  Udhëtarët dhe vetë drejtuesi i mjetit, tek vrojtonin dritat e makinerive bujqësore që punonin, kujtuan se po i afroheshin qytetit. Në të gdhirë, kur orientimi vizual u qartësua, autobusi që transportonte pasagjerë të veçantë, u fut në portat e shkollës së aviacionit. Në shkollën e aviacionit, ata mbërritën në mëngjesin e datës 18 gusht të vitit 1958.

Kur u bë ditë e mund të vrojtohej me lehtësi, kursantët shqiptarë, aq sa ishte e mundur, panë qytetin e lashtë të Pugaçovit, i cili dominohej nga ndërtesa të ulëta, të ngritura me thupra e të mbuluara me kashtë, të cilave, vendasit u thonë:” Izba”. Ndërtesa më e lartë në atë qytet, ishte Shtëpia e Kulturës; Kisha ortodokse vendase dhe shkolla e aviacionit. Në shkollë, njeriu i parë me të cilin djemtë u takuan ishte kujdestari, të cilit ata i thoshin “ starshina”. Ai u dëftoi kursantëve, mjediset ku do të flinin, mensën, fjetinën, kabinetet, banjën dhe i çoi të bënin dush e i ndihmoi të visheshin me uniformën e kursantit vendas.  Pugaçovi, si qytet i lashtë e historik, para Revolucionit Socialist të Tetorit, quhej Nikollajev. Ata mësuan se, në shkollën e aviacionit, në vitet e Luftës Civile ka qenë i vendosur shtabi i luftëtarit të njohur Çapajevit. Emrin Pugaçov, qyteti e ka marrë, në nder të udhëheqësit të kryengritjeve fshatare ruse- Emiljano Pugaçovit.

Shkolla e pilotëve e Pugaçovit ishte e vetmja shkollë që përgatiste pilotë helikopteri, në hapsirat sovjetike. Kushtet e jetesës dhe të studimit, në atë shkollë ishin mjaft të mira. Auditorët ishin të kompletuar me tekste mësimore dhe shkencore dhe me bazë materiale treguese. Pedagogët kishin nivel të lartë teorik dhe drejtonin mësimet teorike prej shumë kohësh. Ata ishin në nivele shkencëtarësh, të fushës së tyre. Teorinë e fluturimeve e drejtonte majori Ignatesian, i cili kish kombësi dhe pamje armeni. Ai ishte një shkencëtar i mirëfilltë, me njohuri të thella në fushën e aerodinamikës dhe të shkencave që lidhen me të. Përgatitjen fizike, si lëndë me peshë dhe orëshumë, e drjetonte 50 vjeçari Stjepanenko, kurse matematikën e drejtonte një çifut. Mësimin e Gjuhës Ruse, e drejtonte një zonjë e pashme, me moshë rreth të dyzetave- Maria Segullova. Ajo ishte bashkëshorte e pedagogut që drejtonte konstruksionin e motorrit; majorit Segalin. Komandant i shkollës ishte koloneli Hickov.

Instruktorët e teknikës së pilotimit ishin të përzgjedhur, jo vetëm për aftësitë individuale, si pilotë, por dhe si metodistë. Instruktor i teknikës së pilotimit i Burhan Nures, ishte togeri Poliniçkin; një njeri i mrekullueshëm, i thjeshtë e dashamirës; një “ artist” i vërtetë; një pedagog me qasje mbresëlënëse, në tokë e në ajër.  Instruktorë të tjerë që mësonin pilotim ishin: Pallunin; Bronikov etj. Vlen tëpërmendet se pedagogët e mësimeve teorike dhe instruktorët e teknikës së pilotimit  ishin tepër njerëzorë e të sjellshëm, me kursantët nga Shqipëria. Ata, si psikologë me përvojë, u familjarizuan shpejt me karakteret dhe temperamentin e kursantëve nga vendi ynë. Para së gjithash, ata pëlqenin korrektësinë e tanëve dhe të qënit të drejtpërdrejtë. Këtyre tipareve karakteristike shqiptare, iu shtua dhe vullneti i kursantëve për të mësuar fluturimin. Kur e pikasën dhe këtë veçori, instruktorët e fluturimit, u përkushtuan për të dhënë më të mirën e mundshme.

Proçesi teorik i kursantëve të grupit ku bënte pjesë Burhani, ndoqi një udhë tjetër; të re dhe origjinale. Programi i mësimeve teorike, u ndërtua në mënyrë të atillë, që, pa pritur të mësohej gjuha e huaj, kursantët, paralel me këtë, nisën dhe lëvrimin e lëndëve të tjera teorike. Kjo u bë e mundur, falë faktit që kursantët vinin nga familje dhe nga mjedise ku ndikimi i Gjuhës Ruse dhe i mënyrës sovjetike të të jetuarit nuk mund të mos merrej parasysh. Njëherazi, ia vlen të thuhet se shumica dërrmuese e kursantëve të grupit kishin fluturuar në vendin e tyre dhe terminologjia që përdorej në fluturim ishte thuajse e njëjtë. Kursantët dinin, kujt i thonin vzljot, posadkë, virazh, shtopor, petla, kabinë, sidenie, etj. kësisoj, mjaft terma ishin të njohura dhe veshi i tyre i kapte shpejt.

Burhan Nurja ishte përgjegjës, i të dy grupeve të kursantëve që mësonin për t’u bërë pilotë helikopteri dhe mbante gradën e starshij serzhantit apo të kapterit të parë, siç emërtohej në ushtrinë tonë. Ai shpërblehej me 250 rubla në muaj, në një kohë kur shokët e tij merrnin, vetëm- 100 rubla. Ai shpërblehej më tepër, edhe nga kursantët e vitit pasardhës të cilët e pranuan si përgjegjës të tyre, por, të gjithë ishin me spaleta të zbukuruara nga fijet e “ makaronave”. Më i shkurtëri në shtat, i atij nëngrupi mbante gradën më të lartë.

Në Pugaçov, i cili shtrihet buzë lumit Irgiz, në zonën qëndrore- Lindore të Rusisë, në stinën e dimrit, temperaturat e ajrit rrethues arrinin deri në – 40 gradë dhe akullin e ndeshje kudo, vendasit, në këtë stinë ushtroheshin me ski e në patinazh, dy nga sportet e tyre të preferuar. Të ndodhur në këta mjedise, kursantët nga Shqipëria, u ushtruan dhe në këta sporte, thuajse të panjohur në vendin tonë mesdhetar. Siç kujton Mikel Janku, njëri nga shokët e grupit të Burhanit: “ Në Shkollën e Mesme Ushtarake “ Skënderbej”, për katër vjet isha ushtruar në sporte të ndryshëm, madje, në futboll, isha lider ( në portë) dhe mendoja se isha mjaftueshëm i kalitur fizikisht. Në Pugaçov, i shtova begraundit tim sportiv edhe rrëshqitjen me ski e patinazhin. Trainier kisha Burhan Nuren, nga Shkodra. Nën drejtimin e tij, u perfeksionova në futboll dhe mësova të rrëshqas, me ski e të bëj patinazh”.

Në muajt mars- prill të vitit 1959, në aerodromin fushor të Pugaçovit ( Balakov ), kur dimri i ashpër, akoma nuk ia kishte bërë dorzimet pranverës, në fushën e gjelbër të mbuluar nga dëbora, kursantët nisën fluturimet, me aeroplanët e lehtë mësimorë, me helikë, Jak 18 U, me përdorimin e skive, nën rrota. Në nëngrupin e parë të kursantëve për pilotë ishin:

  • Burhan Nurja ( përgjegjës);
  • Stavri Prenda;
  • Vangjel Nasto;
  • Sotiraq Gjylameti;
  • Albert Shkurti;
  • Muharrem Hida;
  • Nasi Leka;
  • Mikel Janku;
  • Sybi Koçi;
  • Ndue Logu ( Mëhilli);
  • Hetem Mehmeti;
  • Agim Nanaj;
  • Ramo Mejdiaj;
  • Aristotel Poga;
  • Ilija Kovaçi;
  • Luan Sinaj;
  • Agron Galanxhi;
  • Ali Levanaj;
  • Vangjel Nakuçi
  • Agim Veleshnja;
  • Astrit Spahia.

Në stinën e thatë, kur sipërfaqja e aerodromit gjelbërohej  nga bari që buiste e vëllazëronte  (proçes i rritjes së barit dhe vegjetarëve të ngashëm), skitë hiqeshin e avioni lëvizte, në tokë, me anën e rrotave. Kësisoj, fluturimet u kryen, pa ski dhe provimi në fluturim, në fund të programit, u krye po kështu. Në fundvitin 1959, deri në muajin gusht të vitit 1960, kursantët e grupit të parë, pas përgatitjes teorike, fluturuan në helikopterët e lehtë Mi-1. Fluturimet me këta helikopterë u zhvilluan në aerodromin fushor të qytetit të Batajskut, i cili ndodhet në Kaukazin e Veriut dhe i përkiste qarkut të Rostovit mbi Don. Në atë vit, kursantët për pilotë të shteteve të tjerë ( jo rusë), u grumbulluan në Krasnodar, atje ku u transferua shkolla e Borisoglebsit dhe ajo e Pugaçovit.

Në qytetin e Batajskut, ishte formuar një regjiment aviacioni, me komandant- Heroin e Bashkimit Sovjetik, kolonelin Vollkov, pilot i klasit të parë, pjesëmarrës në betejat ajrore të Luftës së Dytë Botërore. Ky regjiment ishte pjesë e shkollës së aviacionit të Krasnodarit dhe në vartësi të saj. Në aerodromin e Batajskut fluturonin, aeroplanët mësimorë me helikë Jak-18A dhe helikopterët: Mi-1 e Mi-4. Në aviagorodok ( qyteti i aviacionit), ku jetonin e mësonin kursantët shqiptarë, kushtet e jetesës e të mësimit dhe ato të fluturimeve ishin mjaft të përshtatshme.

Gjatë dimrit të vitit 1960-1961, kursantët shqiptarë përcollën një program teorik, ku u njohën me anën konstruktive dhe me veçoritë e fluturimeve me helikopterët e mesëm Mi-4. Në fund të gushtit 1960, në banesën dykatëshe që ndodhej në mes të pyllit, brenda aviogorodokut, u bashkuan me kursantët, e vitit të tretë, 36  djem, të ardhur rishtaz, nga vendi ynë,për të mësuar fluturimin , në tipa të ndryshëm aeroplanësh dhe helikopterësh. Ata, fillimisht do të fluturonin në aeroplanët e lehtë me helikë të tipit Jak-18 A; në vitin e dytë të shkollës, disa do të fluturonin në gjuajtës – bombarduesit Mig, në aerodromin e Kushovskës; një pjesë e tyre do të fluturonin në avionët bombardues, në Krasnodar dhe të tjerët do të përgatiteshin si pilotë helikopteri , në teknikën helikopter, kundër nendetëseve.

Në vjeshtën e vitit 1960, në muajin tetor, nga Pugaçovi erdhën, në Batajsk, 8 kursantë, të cilët kishin fluturuar atje,në aeroplanin mësimor JAK-18 U dhe në vitin e dytë ku kishin hyrë, do të fluturonin në helikopterin e lehtë Mi-1. Të 8 kursantët e ardhur rishtaz, u sistemuan në të njëjtën fjetinë, ku banonin dhe të njohurit e tyre, kursantë të vitit të tretë. Në katin e dytë të fjetinës banonin kursantë të ardhur nga Hungaria  dhe nga Vietnami. Kursantët hungarezë, të cilët,për hir të së vërtetës ishin me nivel më të lartë, do të fluturonin në avionët Jak-18 A, në një skuadrile më vete. Më vete ishin të organizuar dhe kursantët nga Vietnami. Në fundvitin 1960, në regjimentin e aviacionit, në Batajsk erdhën disa djem të rinj, të shëndetshëm e të shkathët, nga Kuba, të cilët kishin marrë pjesë si luftëtarë të revolucionit kubanez. Ata, kishin ardhur me qëllim që, brenda një kohe të shkurtër të përvetësonin helikopterin Mi-4 dhe të ktheheshin në Kubë, për të luftuar. Në atë kohë mes Kubës dhe Bashkimit Sovjetik egzistonin marrëdhënie të afërta plitike, të cilat u shtrinë dhe në fushën e mbrojtjes. Kursantët nga Kuba ishin mjaft të shkathët e të zgjuzar, por dhe shumë të zhurmëshëm.

Meqënëse aerodromi fushor i Batajskut, në pranverën që pasoi ( viti 1961), rezultoi tepër i ngarkuar ( fluturonin kursantët shqiptarë dhe ata hungarezë, në avionët Jak-18 A, me turne, fluturonin kursantët me helikopterë Mi-1 e Mi-4, humbisnin lartësi avionët civilë të linjës që çonte në aereodromin qëndror të Rostovit mbi Don etj.) u vendos që kursantët që përgatiteshin për pilotë helikopteri, ti kryenin fluturimet në Mokrij Batajsk ( Batajsku i lagur ), i cili ndodhet 7-8 km, në Lindje të qytetit të Batajskut, i përzgjedhur për heliodrom në fushat e një kolkozi. Për të shmangur rreziqet që vinin nga pleksja e lëvizjes së aeroplanëve dhe helikopterëve, përveç diferencimit në lartësi dhe alternimit në orarë e në drejtime,u ndërmorr dhe çvendosja e një pjese të fluturimeve intensive, në një fushë tjetër ulje, siç ishte heliodromi i improvizuar në Mokrij Batajsk.

Kursantët që fluturonin në helikopterët e të dy tipave, përgatitjen pë fluturim e zhvillonin në aviogorodokun e shkollës, në Batajsk dhe nëpërmjet një eshelloni ajror, realizonin çvendosjen me helikopterët eplanifikuar për të fluturuar, të personelit fluturues dhe të atij inxhenjero-teknik, së bashku me mjetet përkatëse. Sipas radhës të përcaktuar në plantabelën e asaj dite, helikopterët, të ngarkuar,  herët, në mëngjes, ngriheshin nga aereodromi i Batajskut dhe uleshin në Mokrij Batajsk. Pas përfundimit të fluturimeve, si rregull, në mesditë, ata, ktheheshin sërish, në Batajsk, ku kryenin proçeset e mbetur, të asaj dite. Kësisoj, këtyre kursantëve, u jepej mundësia të shfrytëzonin paraditen, çdo ditë, pa penguar fluturimet e tipave të tjerë të aeroplanëve.

Ky lloj organizimi, mori jetë në pranverë, kur, në Kaukazin e Veriut, dimri i ashpër ia linte vendin stinës së ngrohtë, dhe në parcelat e kolkozeve të mbështetur njëri pas tjetrit, zjente puna për të përgatitur mbjelljet e stinës dhe për t’u bërë shërbimet të mbjellave egzistuese. Në pranverë jeta e fshatarëve kishte hedhur tej plogështinë e dimrit dhe në ugare e në parcelat me bimë të lashta kishin vërshuar makineritë e shumëllojta bujqësore të cilat lëvrinin, duke lënë pas zhurmë e tym.

Fluturimet mbi mjediset kolkoziane, ku parcelat dukeshin njëlloj, bënin që orientimi i kursantëve nga ajri të ishte i vështirë. Kjo dukuri ishte e pranishme, sidomos në fluturimet që kryheshin larg heliodromit ku ata ishin ribazuar. Në arat e qëndisura bukur, si rrjedhojë e plugimit dhe kultivimit të tyre, në stinën me temperatura të mgritura, orientimin vizual, nga ajri e favorizonin shatrivanët që hidhnin ujë në formë shiu, për ujitjen e bimëve, si teknologji e përparuar, në fazën eksperimentale. Nga lartësia e pilotimit në zonë, kur helikopterët ngjiteshin në lartësinë 1500m. orientimi bëhej më i lehtë, si rrjedhojë e vrojtimit më të lehtë nga ajri, të ravijëzimit  të bregdetit Azov, konfiguracionit të lumit Don, qytetit të madh të stërgjatur buzë lumit, të Rostovit mbi Don dhe ravijëzimit të linjave hekurudhore, të cilat, kapardisur, drejtoheshin për në Jug të vendit.

Në rajonin ku zhvilloheshin fluturimet me helikopter, kursantëve u vinte në ndihmë për t’u orientuar më lehtë, një masiv pujor, në vendin e quajtur Çumbur Kasa dhe ndryshimet dalluese të  mozaikut që formonin parcelat e qëndisura bukur, me kultivarët e mbjellë dhe me ugaret që përgatitnin mbjelljet e pritshme.

Në dimër, kur qilimi i bardhë i dëborës që mbulonte sipërfaqet e rajonit vështirësonte shumë orientimin, si pasojë e bardhësisë që formohej dhe ngatymnaja e dëndur, kursantët kryenin përgatitjen teorike, në kabinetet të pajisur më së miri me bazë materiale cilësore dhe ku lëndët drejtoheshin nga pedagogë komptentë e me nivel të lartë. Në aviogorodok funksiononte një palestër  e pajisur me fushë volejbolli e basketbolli dhe me vegla gjimnastikore të larmishme e funksionale, në shërbim të kalitjes fizike dhe shkathtësimit të kursantëve. Veglat gjimnastikore, shtangat, fushat e pingpongut, mjediset për mundje etj. ishin disa nga mundësitë që ishin çelur në shërbim të relaksimit dhe kalitjes të fizikut tëkursantëve. “Orët  e lira”, nuk ishin orë për të vrarë kohën sipas dëshirës të gjithsejcilit, por, ato ktheheshin në orë të pushimit aktiv. Në territorin e aviogorodokut ishte një pyll i dëndur, i lartë e i sistemuar, me rrugica lidhëse të asfaltuara, në të cilin kursantët vraponin apo shëtisnin, në ajër të pastër e në mënyrë të kulturuar. Dhoma e kulturës, e përbashkët, për të gjithë kursantët nga vendi ynë, kishte kushte për të luajtur shah e domino, për të lexuar, për ti rënë pianos apo për t’u ushtruar në vegla të tjera muzikore ku vështronin dhe programet televizive, që ishin në hapat e parë.

Burhan Nurja, jo vetëm ishte i emëruar por dhe i mirëpranuar nga të dy grupet e kursantëve që fluturonin në helikopter. Në grupin e dytë të kursantëve të kësaj kategorie bënin pjesë:

  • Vangjel Postoli;
  • Namik Agolli;
  • Cen Cenaj;
  • Mihallaq Nole;
  • Theodhori Zotaj;
  • Bektash Bebeçi;
  • Idriz Kasaj;
  • Halil Gashi.

Të dy grupet flinin në të njëjtën kthinë të godinës dykatëshe, në katin e parë të saj. Ata ishin të familjarizuar me njëri-tjetrin, qysh kur studionin në Pugaçov, por gjatë jetës dhe stërvitjes në Batajsk,  miqësia mes tyre njohu zhvillim të ri e u forcua më tej. Ishte koha kur çdo gjë në procesin mësimor të kursantëve po shkonte sipas programit dhe pa shqetësime serioze. Të dy nëngrupet, sipas versionit përkatës, ishin futur në të fshehtat e shfrytëzimit të helikopterëve dhe vihej re një kohezion i lakmueshëm mes tyre. Burhanin, si njeri i sjellshëm, korrekt e i dashur, me shokët dhe i preferuar nga drejtuesit e regjimentit, e donin dhe e respektonin, të gjithë. Ai, me figurën e tij simpatike, kish fituar një autoritet të merituar; fjala e tij dëgjohej e zinte vend. Ajo që pasoi është e paparë, e paimagjinueshme dhe mjaft tronditëse.

Më 28 dhjetor, paradite, në një kohë kur “ antenat” e të gjithëve ishin drejtuar nga pritja e Vitit të Ri 1961, ndodhi  një e papritur, e cila nuk i shkonte në mend asnjeriu por që mbeti e “izoluar” tek pak njerëz. Protagonist i kësaj ndodhije mizore u bë përgjegjësi i grupit të kursantëve shqiptarë Burhan Nuro Nurja.

Në periudhën para ndodhisë që do tju rrëfej, marrëdhëniet ndërpartiake e ato ndërshtetërore mes vendit tonë dhe Bashkimit Sovjetik kishin marrë tatëpjetën. Pas vitit të Ri 1961, ato u rrokullisën, për keq, deri në shkëputje. Në sipërfaqe, dukej sikur çdo gjë shkonte si më parë, por, një sy i mprehtë dhe një logjikë e shëndetshme, nuk kish si të mos vinte re ndryshimin për keq, që sillte çdo ditë. Në këtë kohë, kur sejcila palë i bënte shërbimin interesit të saj, fijet e “nëndheshme”ishin bërë tepër aktive dhe, si ai i mbyturi që kërkon të kapet edhe pas kotësisë të pashpresë, puthadorët e sistemit përkatës përpiqeshin të akkumulonin kapital, për vete. Situatat e ndera, u mbështollën me tisin e një mjergulle iluzioniste, ku, në sipërfaqe, çdo gjë dukej e bukur, teksa “ kazani” ziente në brendësi. Sejcila nga palët punonte për interesat e saj; fijet e padukshme u bënë tepër aktive.

Kursantët shqiptarë të Batajskut, si dhe të tjerët që studionin në shkollat ushtarake sovjetike, vërtet jetonin në kushte relativisht më të mira dhe nën kujdesin e shtuar të vendasve, por ishin të izoluar e në terr informativ. Djemtë nga vendi ynë, në kundërdhtim me traditën e vendit tonë, ishin larg nga familjarët e  tyre dhe nga njerëzit që kishin për zemër në Shqipëri. Ata  nuk komunikonin jo vetëm me  familjarët dhe me të afërmit, por dhe me kolegët e tyre, në hapësirat sovjetike. Terri informativ ishte kudo i pranishëm në mjediset ku ata studionin e fluturonin. Kështu, letrat dhe telegramet, nga Shqipëria, mund të përbënin vetëm ndonjë përjashtim e ishin tërësisht nën çensurë; shtypi shqiptar nuk mbërrinte deri tek ata dhe Radio Tirana si e vetmja në vendin tonë, nuk mund ti mbulonte me valë hapsirat e pambarim të atij vendi kurse valët televizive ishin vetëm në projektet e njerëzve tanë. Më duhet të theksoj se mjetet moderne të komunikimit që kemi sot në përdorim ishin vetëm fantazi, në kokat e njerëzve. Kursantët për pilotë rridhnin nga familje “ të shëndosha” e me qëndrim atdhetar, por, në kushtet ku ata jetonin, kishin “ uri” për informacion, nga vendi i tyre dhe ishin në padije, mbi situatën e njerëzve që kishin lënë në Shqipëri. Aq të izoluar ishin, sa, as atasheu ushtarak i vendit tonë i akredituar pranë qeverisë sovjetike, nuk lejohej të kontaktonte me ta. Vetëm kur si përfaqësues i Traktatit të Varshavës  u caktua gjeneral majori Dilaver Poçi, ai u lejua të shkonte në Batajsk, tek kursantët, nën një regjim të rreptë sigurimi, i monitoruar, në çdo hap.

Ajo që ngjau në atëfundviti, me kursantin për pilot Burhan Nuro Nurja, ishte jo vetëm e pashëmbullt,  por dhe mjaft cinike. Presionin dhe shantazhin që përjetoi Burhani, në atë ditë të 28 dhjetorit 1960, i cili ishte përgjegjës i grupit të kursantëve për pilotë helikopteri, mund ta kryejnë, me zell e pashpirt, vetëm puthadorët e përbetuar të një pushteti kriminal, të specializuar e të denjë për poshtërsi të këtij lloji. Vetëm përshkrimi i asaj ndodhie, pas kaq vitesh, të trondit fort e të revolton, me të drejtë, po ai që e përjetoi love, situatën ku u ndodh papritur, si e ka përballuar vallë? Vështirë ta përshkruash, aq më keq ta besosh, edhe pse ngjarja është e dëftuar nga protagonisti i saj. Megjithatë, do të tentoj ta përshkruaj, me vërtetësi e me besnikëri:

Në datën 28 dhjetor të vitit 1960, paradite, kur shokët ishin në pushimin e orëve të mësimit, Burhanin e thirrën në një takim teta-tetë, në dhomën e kulturës, dy oficerë të panjohur, të veshur shik, të cilët mbanin gradën e kapitenit. Pa u prezantuar; as si detyrë; as me emrat përkatës, dy të panjohurit, me fjalë të kursyera,të menduara qysh më parë, shkurt e qartë, i paraqitën Burhanit kërkesën: “ Tani e tutje do të punosh për ne”! Burhanit i “plasi bomba”, papritur e iu mjegullua pamja. Nuk e kishte shkuar as nëpër mend, adoleshenti nga Shkodra se, një ditë do të ndodhej në një situatë kaq absurde dhe të pamerituar. Ai e donte, me shpirt vendin e tij dhe ishte gati të flijohej për të në çdo kohë. Edukatën  shëndoshë që kish marrë, së bashku me qumështin e nënë Naxhijes, po të kishe mundësi ta shtrydhje, prej saj do të nxirrje vetëm atdhetari. Burhani e donte, pa masë, ajrin dhe fluturimin, prandaj ishte i përkushtuar të bëhej pilot e të fluturonte, i lirë, mbi qiellin e Nënës Shqipëri. Fjalët që i zunë veshët, i trullosën vetëdijen dhe, për një çast i doli përpara, jeta e tij, prindërit dhe familjaret që kish lënë në Shkodrën Loce, gjitonët, farefisi, shoqëria e dikurshme dhe ra  në mendime të thella. Me pjekuri të rrallë e me vendosmëri të palëkundur, djaloshi shkodran, u dha dy të panjohurve një përgjigje të denjë për statusin që përfaqësonte: :  “Me kenë mu ba axhent i sigurimit të shtetit, nuk kisha pas ardhë në shkollën e pilotëve…” duke u lënë të kuptonin se. në asnjë mënyrë nuk e pranonte ofertën e tyre. Dy sigurimsat, kur panë vendosmërinë e djaloshit, ua donte puna ti jepnin kohë, për të reflektuar. Ata, i thanë Burhanit se prisnin përgjigjen përfundimtare të tij, pas 24 orësh, dmth, deri në orën 10.00, të datës 29 dhjetor të atij viti. Përgjigja duhet të ishte lakonike; me “po”, ose me “jo”, siç flisnin ata; me fjalë të kursyera e me tone urdhërues.

Burhan Nurja, pavarësisht se ishte me moshë të re, me zgjuarsinë që e karakterizonte, kuptoi se kishte të bënte me një ofertë tejet mizore e cila nuk i shkonte për shtat, as atij; as të tjëve. Ndodhia i ra rëndë djaloshit, por ai nuk e humbi toruan. Pas një nate pa gjumë, kur koka i buçiste, nga inati që e kishte kapluar dhe nga pagjumësia, ai , të nesërmen, në orën që i lanë të panjohurit, për të cilët ndjeu neveri, qysh në fjalët e para që nxorrën nga goja, me korrektesën e tij karakterisike, Burhani, e mbajti fjalën, e u ktheu përgjigjen, siç e meritonin : “Jo”; nuk do të punoj, për ju”. Prerë e me kuptim.Kur dëgjuan përgjigjen, të dy kapitenët rrudhën turinjtë. Do të donin një përgjigje tjetër, që të fitonin pikë tek eprorët e tyre.

Burhani ua ktheu përgjigjen “ dy peshkatarëve”, të cilët kërkonin shtrirje të agjenturës edhe tek specialistë të këtij lloji, por në mendje i rrihte, si çekan, mendimi i “ athët”: përse më zgjodhën mua, xhanëm? Dhe hamendësonte, me inatin që i ziente përbrenda: “ Mundet të jenë nisur nga biografia e mirë që kam; mbase janë nisur nga fakti se në sjelljen time sundon pjekuria, korrektësia dhe dashamirësia; ndoshta ka ndikuar fakti që jam përgjegjës i grupit etj. etj. Ta zëmë se do të pranoja, po kë do të spiunoja? Mos vallë do të bëhesha spiun për  shokët e mi, me të cilët kam kapërcyer sa e sa situata të vështira, i kemi dëftuar njëri-tjetrit “ edhe zorrët e barkut” e kemi ndarë edhe kafshatën e bukës.  Gjë që nuk mund të bëhej! Nuk jam i poshtër që të bëj poshtërsi! Si do të ishte gjykimi i shokëve dhe si do të mendonin të mitë, po të ndërnerrja një qëndrim të gabuar? Çfarë pasojas do të ketë im vëlla- Shuaipi, i cili studion për t’u bërë pilot në avionët bombardues, në këtë rast? Këto dhe të tjera pyetje që e mundonin, u mundua ti hidhte në peshoren e gjykimit vetjak. Burhani, në netët që vijuan, të cilat i përcolli me pagjumësi e me gjyqin e ndërgjegjes. Mos kishte vepruar gabim? Mos ishte nxituar? Mos kish lënë ndonjë shteg për keqinterpretim? Në qetësi, e me këndvështrim të qartë, qetësisht dhe burrërisht, Burhani priti hakmarrjen, i sigurt se ajo nuk do të vononte.

Në datën kur Burhanit i ndodhi e papritura e pakëndshme, kursantët shqiptarë për pilotë të grupit të Batajskut, sipas kushteve dhe mundësive, ishin të përfshirë në atmosferën e përgatitjeve për të pritur vitin e Ri 1961. Ata kishin bërë rakordimet e nevojshme për ti dhënë dorën e fundit grafikut të shërbimit të brendshën, kishin pastruar e hekurosur uniformën më të mirë, ishin marrë vesh me vajzat dhe kishin përgatitur pijet dhe ushqimet që do të konsumonin në atë natë të “ shenjtë”. Nga koha e largët kur ata erdhën në Bashkimin Sovjetik u kishin mbetur fare pak ushqime dhe ndonjë shishe me konjak “ Ekstra”,i cili, në atë kohë ishte mjaft  pëlqyer e në modë. Shokët e e tyre të vitit të dytë, të cilët përgatiteshin për të fluturuar në helikopterin Mi-1, të cilët ishin ndarë një vit më pas nga familjet, kishin mblojtur, sipas mundësive: një grusht me arra; një dorë bajame; një varg me fiq, një kokërr ftua, një shegë etj. etj. për ti konsumuar atë natë. Të gjithë djemtë ishin të gëzuar e mezi e prisnin atë natë të shënuar, për të cilën ata kishin thurur plane e kishin ushqyer ëndrra gjithëvjetore.

Llogaritë e tyre ishin bërë në mënyrë të atillë që disa orë ti kalonin në shoqërinë e të dashurave, duke vallzuar në kinoklubin e shkollës dhe disa orë të tjera, në shoqërinë e miqve më të afërt të tyre. Papritur, gjithë ajo atmosferë e gëzuar festive, me atë që i ngjau Burhanit, ishte prishur, për të mos thënë ndonjë fjalë  më të rëndë. Dy të panjohur, shtatlartë dhe elegantë, me fjalë të kursyera, në formën e një urdhri, ia kishin nxirë festën e shumëpritur çapkënit gjithë humor të këndshëm, nga Shkodra. Shokët, nuk e dinin atë që ngjau dhe vetë Burhani mundohej të mos shfaqej, por sjellja e tij  disi e tërhequr dhe qëndrimi i mendueshëm, nuk kish kaluar pa shkaktuar dyshime, mbi qëndrimin e tjetërsuar të shokut të tyre. Urdhri, në formë ultimatiumi, me 24 orë afat, vërtet iu dha Burhanit në vetminë e tij, por, edhe pse e përballoi burrërisht dhimbjen që ndjeu, së brendshmi, refleksionet e jashtme të tij, nuk kishin si të mos binin në sytë e shokëve.

U mërzit tej mase kursanti 22 vjeçar nga Shkodra, kur u njoh me kërkesën e pakëndshme e të papranueshme, të dy oficerëve puthadorë të regjimit. Jo vetëm natën e Vitit të Ri, por dhe disa netë të tjera, pas saj, ai i përcolli, pa vënë gjumë në sy. Mendojeni veten, për një çast e çojeni mendjen në vitet e rinisë tuaj, kur fluturonit, pa krahë e kur thurnit ëndrra të bukura, të realizueshme për të ardhmen; gjykoni nga e tanishmja si do të ndiheshit, po tua priste dikush ëndrrat në mes, i nisur nga pozita meskine, servile dhe të pashpirta, vetëm për ti shtuar “tagjinë” vetes? Vereni veten në vendin e djaloshit shkodran, alegro e me shpirt të mëndafshtë, në moshën kur është i gatshëm të hidhet edhe në zjarr, për të realizuar ëndrrat rinore. Burhanit, sapo i ishte hapur një dritare shprese, për ta ndërtuar jetën, siç e ëndërronte dhe papritur e pakujtuar, dikush, nga “ustallarët” që gatuanin prapësi si këto, i vunë shqelmin çdo gjëje, vetëm e vetëm për interesa meskine dhe ogurzeza. Ishin kohë të vështira. Hante njeriu njerinë e poshtërsitë nuk kishin as masë ; as kufi. Burhan Nurja i dinte këto prapësi, por nuk i binte ndër mend se do të binte viktimë e intrigave dhe planeve të mbrapshta jo njerëzore.

Nuk mund të qëndronte në të njëjtin vend; lëvizte, vazhdimisht e, ndryshe nga sjellja e tij e mëparshme, qëndronte vazhdimisht i menduar. U ndodh në hall të madh ai djalë. Burhani, vërtet ishte i rrahur nga jeta dhe ishte përballur që i vogël me vështirësi, por, prapseprap, nuk ishte aq i pjekur sa të vendoste brenda një kohe të shkurtër për gjëra aq serioze, siç ishte: drejtimi që do të merrte jeta e tij në të ardhmen.  Burhani ishte përgjegjës i të dy grupeve të kursantëve dhe shokët e vështronin në dritë të syrit. Atij i duhej të mos linte keqkuptime dhe keqinterpretime, as tek shokët më të afërt të grupit. Atë që ngjau me dy të panjohurit, në dhomën e kulturës, Burhani e mbajti për vete. Kishte përsipër një barrë të rëndë, për supet e tij të njomë. Po çfarë mendonte ai djalë, në ato netë pa gjumë, kur shokët e tij, në krevatët pranë bënin gjumë të tjellë dhe vështronin ëndrra të bukura?

Ëndrra e tij, sa i takon anës profesionale, tashmë kishte marrë fund. Burhani, me ndërgjegje të pastër i bënte gjyqin vetes. Dhe sejcili prej nesh e pranon se gjyqi i ndërgjegjes është mjaft i rëndë dhe i çiltër. Burhan Nurja është tip interesant. Ai nuk e jep veten, kurrë, pavarësisht si zhvillohen ngjarjet, por i mblon përbrënda pakënaqësitë e nuk i shpreh ato nëpërmjet pamjes së jashtme. Përcjellja me sportivitet, duke u dhënë ngjyra shakaje, edhe  ndodhive të tilla të rënda si ajo e datës 28 dhjetor 1960. Shokë e miq, mes kursantëve, ai kishte mjaft, madje të gjithë i donte shumë e mbështetej në vitalitetin e tyre, por gjëra të tilla, kaq serioze, ai nuk mund ti bisedonte me asnjerin prej tyre. Me kë ta pleqëronte gjënë, apo në mirë tëthemi, gjëmën që e kishte pllakosur? Ah, sikur të kish pranë Nënë Loken; Naxhijen e bukur e të dhimbsur! E donte pranë Nënën, në ata çaste të rëndë, që ta pyeste, si të vepronte në atë rast të vështirë. Ishte mësuar, që kur e mbante mend veten, se, në raste të vështirë t’i drejtohej asaj: “ Ah, moj Nanë”! Atij ëngjëlli mbrojtës, Burhani ia pa pikën e lotit, ti rridhte poshtë syve të bukur, vetëm në çastin kur u nda prej saj,tek dera e oborrit e u çapit drejt një udhe të gjatë. Vetëm Nënës që i dha jetën, mund tja besonte këtë të fshehtë, e cila i ishte mbledhur si lëmsh, në fyt dhe i bënte vazhdimisht presion!

Por, Nënën e shpirtit, ai e kishte lënë larg, shumë larg, mijëra kilometra, nga Batjsku ku ndodhej e ajo nuk e dëgjonte dot zërin e ankesës të të birit që ti vinte në ndihmë. Në këta çaste të rëndë, Burhanit i erdhi në ndihmë geni të cilin Nëna ia kishte dhënë me vete. Burhan Nurja, ishte pjekur e burrëruar para kohe. Vetë jeta dhe vështirësitë që i ofroi djaloshit, e kishin gatuar këtë burrëri. Ai i njihte fare mirë rrënjët e origjinës  dhe e dinte mirë çfarë gjaku rridhte në dejet e tij shqiptare. Prandaj, nuk u ndie kurrë i vetëm, në vendimet që i duhej të merrte. Në këta çaste përgjegjësie të shtuar, kur ndonjëri nga shokët e tij, me dashamirësi e pa paramendim e pyeste: “ Si je, Burhan”? ai përgjigjej shkurt e qartë: “ Ma zi nuk bahet”! Zija, për të cilën bënte fjalë Burhani, nuk ishte sajesë por diçka e vërtetë, të cilën vetëm burhani dhe dy të panjohurit e dinin.

Pas Vitit të Ri, kanalet e nëndheshme, kishin arritur të komunikonin mes tyre dhe Burhanit, me pretekstin e sajuar se duhet të bënte disa analiza shëndetësore, i komunikuan se duhej të shtrohej, disa ditë në spitalin e aviacionit, në Rostov mbi Don. E priste hakmarrjen Burhani dhe ajo kishte nisur. Ky ishte një çast delikat në jetën e të riut shkodran dhe këtë prapësi, Burhan Nurja, i cili e priste, prej ditës kur refuzoi të bëhej spiun i shokëve vetëm se nuk dinte natyrën e hakmarrjes dhe intensitetin e saj. Nuk ishte në natyrën e tij, ti “ hante “ shokët prapa krahëve, ndaj ai mbajti qëndrim të prerë: ”jo”! Si rrufe në qiell të pastër i ra Burhanit “vendimi” i të ashtuquajturit komision mjekësor, i cili e deklaroi atë të paaftë për të fluturuar. Burhani, me të drejtën e Zotit, kërkoi motivacionin, apo si të themi “ diagnozën” e cila e bënte atë të paaftë si fluturues por ajo nuk u bë enjohur kurrë. Pas veprimeve që pasuan “ viktima “ e më pas shokët kuptuan se diagnoza e vetme e Burhanit ishte refuzimi i tij për t’u bërë agjent i sigurimit të shtetit.

Vendimi i “ padronëve” të dy të panjohurve që Burhan Nurja të ndërpriste studimet për pilot e të kthehej në Atdhe, i ra rëndë jo vetëm protagonistit të këtij rrëfimi por qe mjaft i beftë e shqetësues, edhe për shokët e tij të grupit, të cilët e njihnin Burhanin, si veten e tyre. Burhani gëzonte shëndet të plotë dhe këtë, shokët, më mirë se kushdo tjetër e dinin dhe e kishin parë, në vazhdimësi; të paktën prej tre vitesh që ai ushtronte pilotimin. Ai nuk ishte ankuar kurrë se ishte i pamundur shëndetërisht dhe mjekët që monitoronin e curinë e shëndetit të tij, si fluturues nuk kishin asnjë shënim për këtë, madje, në pasqyrën e tij të shëndetit, nuk egzistonte asnjë përjashtim nga fluturimi, për shkak të rrufës. Shpejt u qartësua se ky vendim i papritur nuk ishte thjesht vepër e dy të panjohurve por urdhër i atyre që drejtonin “rrjetën e merimangës”. Pra, nuk kishim të bënin me një veprim arbitrar e individual, por një strategji e menduar mirë, në interes të qëndrimeve meskine dhe zemërzeza.

Burhanit iu shtua meraku për fatin e vëllait të tij, Shuaipit, i cili, në atë kohë studionte për t’u bërë pilot në aeroplanët bombardues, në qytetin e Krasnodarit. I deklaruari si “ i paaftë” për të fluturuar, para se të nisej për në Atdhe, kërkoi pranë komandës e u lejua të shkonte në Krasnodar, për të parë e për të biseduar me të vëllanë. Një ditë janari, të vitit 1961, me një autobus të linjës, Burhani mbërriti në shkollën e aviacionit të Krasnodarit, ku studionte Shuaipi. U shmall me të vëllanë, bisedoi me të për situatën e re dhe kaloi  një natë në shkollën e aviacionit, në Krasnodar. Të nesërmen, me një aeroplan të vogël ( taksi ), Burhani u kthye në Batajsk, tek shokët e grupit, të cilët vijonin mësimet teorike për të njohur veçoritë e shfrytëzimit të helikopterit të mesëm Mi-4.

Më 21 shkurt të atij viti, kursantët për pilotë helikopteri të të dy nëngrupeve përpara se të nisnin të fluturonin,  shkuan në një ekskursion, në qytetin e Stalingradit ( Sot Vollgograd ). Kishin lexuar e kishin dëgjuar djemtë nga Shqipëria për këtë qytet hero, buzë lumit Vollga. U erdhi radha të njiheshin nga afër, me bukuritë e tij dhe me simbolet e heroizmit masiv mbarëpopullor.  Kursantëve u la shumë përshtypje vizita në uzinën e traktorëve të qytetit. Atë ditë, nga kjo uzinë doli traktori i njëmiliontë. Shumë mbresa u la monumenti kushtuar të rënëve në Stalingrad, i cili ishte ngritur jo nga vendasit. Vizita në muzeun që pasqyronte kabinetin e luftës të gjeneralit nazist Paulus, ishte një tjetër pikë kulmore e atij ekskursioni. Të relaksuar e mbasi panë e mësuan më shumë, kursantët u kthyen në Batajsk, për të vijuar mësimet teorike . Burhani, i shpallur i paaftë për të fluturuar, me trup ishte me shokët, mes tyre, por mendja i punonte tek gjëma që i kishte ndodhur. Jeta e tij, pas asaj dite gjëmëmadhe, do të rridhte në drejtim tjetër, të padëshiruar.

Më 31 mars të vitit 1961, kursanti për pilot Burhan Nurja, i brengosur e me ëndrra të prera në mes, me një aeroplan transporti TU-104 të prodhimit sovjetik, mori udhën e kthimit të detyruar, në Atdhe. Ishte një rrugëtim ajror i dyzuar; ai  kishte brenda, gëzimin dhe dëshpërimin e Burhanit. Gëzonte djali i malluar se do të shkonte tek nënë Naxhija, tek vëllezërit dhe tek motra e vetme,Lali dhe ishte fort i dëshpëruar se po kthehej, pa dëshirën e tij, nga një rrugëtim tjetër, nga ëndrra ajrore e shumëdëshiruar prej tij.

Në të njëjtin aeroplan, por në klasa të ndryshme, rrugëtonin dhe pushtetarët e lartë Ramiz Alia e Beqir Balluku të cilët ktheheshin nga një mbledhje e rëndësishme që kishin patur në Moskë. Së bashku me Burhanin, në të njëjtën kohë por për motive të ndryshëm, kthehej nga studimet dhe shoku i tij i grupit, skraparliu Agim Veleshnja, një djalë për kokën e djalit , pinjoll i një familje me atdhetari të njohur, në të gjithë vendin.

Meqënëse të dy bashkudhëtarët ishin kursantë për pilotë, njerëz me biografi të pastër që kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik, shtetarët e lartë i ftuan ata në kthinën e tyre. Të katër, ata  nisën të këndonin këngë me theks patriotik – revolucionar. Ata, për ti dhënë rëndësi vetes  dhe për të reklamuar se ishin të thekur në mbrojtje të figurës së Stalinit, kënduan këngën: “Bijtë e Stalinit jemi ne”. Dy kursantëve, të cilët ishin atdhetarë të vërtetë, të kënduarit e këngës për Stalinin, ishte një kënaqësi e natyrshme, prandaj kënduan, me shpirt, siç dinin e si mundnin. Ata, edhe kur ishin në Pugaçov dhe panë si po i hidhnin poshtë,vendasit veprat e Stalinit, e kishin shprehur mosdakortësinë, me një rrudhje buzësh.

Familja e tij, në Shkodër e priti Burhanin  krahëhapët, siç pritet djali kur vjen në çerdhen që e lindi dhe e rriti me mundime; me mallin e grumbulluar e me lotë gëzimi në sy. Familjarët nuk dinin asgjë për motivin që e pruri,para shokëve, pjesëtarin e dashur të tyre, në atë çerdhe. Ata ishin të gëzuar e të lumturuar që po e vështronin të dashurin e tyre, me sy, pasmë sedy vitesh. Tjetër mozaik ndjenjash kishin kapluar tërë qënjen e Burhanit. Në çastin e takimit me të tijët, Burhani përjetoi ndjesi të kundërta: Gëzimi që ndjente në zemër, i cili buronte nga ky takim i parakohshëm i tij ishte i dyzuar. Ai vërtet qeshte, me buzë e me pamjen e tij por përbrënda kishte rezervë dhe i rrihte mendja tek fakti që nuk erdhi, siç donte të kthehej; bashkë me shokët dhe i diplomuar pilot helikopteri.  Donte ta fshihte dëshpërimin në mënyrë që familjarët e tij të mospëonin deziluzion e të dyshonin, për kthimin e parakohshëm të tij. Duke u përpjekur për ta  mbajtur të fshehur dëshpërimin, Burhani dhuronte buzëqeshje e jepte dashuri, tek të gjithë ata që e pritën dhe e takuan. Kjo ishte një situatë e rëndë për Burhanin; përballimi i atyre që ndjente në shpirt, kërkonte sjellje aktoreske, prej tij.

Kur mbërritën në Tiranë, të dy kursantëve u dhanë nga një dëshmi, si ushtarakë. Kujt i vlenin ato copa letre, kur, askush nga pushtetarët nuk i thirri, nuk i dëgjoi e nuk u interesua për të ardhmen e tyre. Djemtë ishin të rinj  e kishin nevojë për një angazhim konkret, natyrisht në drejtimin më të përshtatshëm, sipas prirjeve dhe aftësive të sejcilit. Por ata ndeshën në veshë që nuk dëgjonin, apo nuk donin të dëgjonin mbasi vetë e kishin gatuar atë” gjëmë”. Përveç kësaj, siç thotë Burhani: “Kishin nisur të më vështronin me bisht të syrit e si me dyshim. Në atë situatë Burhani, duke e njohur veten, u ndie mjaft keq. I përngjante vetja si një grua e para shumë viteve e përzënë nga burri. Ai nuk la derë pa trokitur e njeri pa ndaluar, por askush nuk e vuri ujët në zjarr. U mërzit shumë njeriu i mirë. Mbasi u shmall me të tijët, në Shkodër; erdhi në Tiranë, me shpresën se diçka do të behej për atë njeri, kur të ndodhej më pranë organeve drejtuese dhe kuadrove kryesorë të ushtrisë: ( Ministri e Mbrojtjes; Kryeministri; Komitet Qendror; Presidium i Kuvendit Popullor etj.). Por heshtja kishte hedhur tisin e saj, kudo që shkelte Burhani. Provoi pritje me buzëqeshje, veshë më vesh e fjalë të mira, me premtimin se do ta shqyrtonin rastin e tij dhe, mori, siç i thonë fjalës, “ gurë në trastë”!

Burhani mbeti i vetëm në luftën e tij dinjitoze dhe vetmija e vriste më tepër se heshtja e zgjatur e pushtetarëve. Një ditë, i erdhi në mend një variant, të cilin, deri atëherë nuk e kishte aplikuar. “ Ta provoj një herë- tha djaloshi nga Shkodra- edhe po nuk fitova; nuk besoj se do të humbas diçka”! Ai pastroi dhe hekurosi, veshjen e kursantit të aviacionit, me pamje të jashtme që shkëlqente së largu, dhe i doli përpara makinës  së zezë të tipit “ Zim”, me të cilën rrugëtonte Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, me shpresë se ai do ta njihte e do të kujtohej që kishte flurturuar me të njëjtin aeroplan, nga Moska në Tiranë dhe, në kuartet kishin kënduar këngë me theks atdhetarie. Ministri, përpara hotel “ Dajtit” e njohu kursantin dhe i dha urdhër shoferit: “ Ndaloje makinën, të marrim vesh, ç’hall ka ky kursanti”? Burhani, i gëzuar, për hapin e parë të suksesshëm që bëri, por jo pa emocion, u afrua tek xhami i makinës dhe i tha, me pak fjalë Ministrit të Mbrojtjes, gjëndjen e tij. “ Ne kemi nevojë për pilotë- tha Ministri; nesër, në mëngjes shko në Drejtorinë e Kuadrit të Ministrisë së Mbrojtjes”! Fluturonte nga gëzimi, heroi ynë. Një rreze  e re drite ishte hapur për të dhe një fije shprese i pushtoi ndërgjegjen. Shpresoi shumë në fjalën e shtetarit zemërmirë dhe , atë natë e përcolli, thuajse, i pagjumë. Mezi priti të zbardhte dita dhe i dukej sikur ora lëvizte ngadalë. Mezi priti sa të paraqitej  tek Drejtori i Kuadrit, siç i dha porosi shtetari i lartë.

Të nesërmen, me pamje  “ shik”, në orën kur nëpunësit ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes nisnin punën, Burhani u paraqit në postabllok. Ushtari roja, një gardist i gjatë e i qeshur në fytyrë,  pa pritur që kursanti ti drejtohej me kërkesë për takim, siç ishte rregulli, i foli, i pari atij: “Ti je ai kursanti që je kthyer nga Bashkimi Sovjetik”? Po, u përgjigj, tjetri. “Ngjitu lart se të pret, në zyrë Drejtori i kuadrit – Hetem Gjinushi”, i tha ushtari roja. Në zyrën e Drejtorit të Kuadrit,  Burhanin e pritën ngrohtë Oficerët që ndodheshin në zyrë, thirrën Drejtorin e ai erdhi, menjëherë. Mbasi e përshëndeti kursantin, i komunikoi: “ Me urdhër të Ministrit të Mmbrojtjes, qysh nesër do të fillosh të fluturosh, me helikopter, në Repartin e Laprakës, dhe do të mbash  gradën e nëntogerit”! Nuk dinte çfarë të bënte Burhan Nurja. Për një çast, iu errësua zyra dhe iu duk se i dolën krahët, të cilët dikush, me të padejtë ia kishte shkulur. Nuk e mori vesh, doli vetë nga zyra e Drejtorit të Kuadrit dhe nga Ministria e Mbrojtjes, apo e nxorrën ata që e shoqëronin. Më në fund, ai do të ngjitej në qiell, me helikopter dhe ëndrrës së tij të kahershme do ti dilnin krahët, përsëri.

Të nesërmen, në orarin e fillimit të punës, ai u paraqit në Repartin 5818, në Laprakë ku funksiononte një repart aviacioni i përzier. Atje fluturonte një aeroplan i tipit IL- 14, i destinacionit qeveritar, një aeroplan i lehtë me helikë Jak-18 A, me të cilin fluturonte komandanti i aviacionit, koloneli Edip Ohri,  tre helikopterë Mi-1 dhe tre të tjerë të tipit MI-4. Burhanin e ptiti e i uroi mirseardhjen, kapiteni i parë, Sejdo Bilush Kamberi, njëri nga pilotët e parë dhe më i miri, për shfrytëzimin e helikopterit të  mesëm MI-4. Ai i dha Burhanit një libër, në Gjuhën Ruse, i cili përmblidhte përshkrimin dhe mënyrën e shfrytëzimit të helikopterit MI-4.  Nuk ishte i panjohur për Burhanin, ky tip helikopteri; ai po përgatitej teorikisht për të fluturuar, me ketë tip helikpoteri, në kohën kur u deklarua i pa aftë për të fluturuar, në Batajsk të Bashkimit Sovjetik. Pas tri ditësh, Burhani nisi fluturimet, me helikopterin MI-4. Instruktor i teknikës së pilotimit ishte Sejdo Kamberi, nga Prongjija e rrethit të Gjirokastrës, një fluturues i elitës, në këtë tip.

Burhan Nurja, shquhej për teknikë pilotimi mjaft të pastër e të sigurtë dhe, ndonëse nuk ishte ngjitur në helikopter, prej disa muajsh, ai nuk e kishte harruar drejtimin e makinës ajrore. I kënaqur nga veprimet e sakta në ajër të nëntogerit të ri, mjeshtri i fluturimeve me helikopter, Sejdo Kamberi, iu drejtua “ nxënësit” ië tij: “ Fluturoke mirë”! Burhani, duke fshehur vetëkënaqësinë, me modesti e me anëfjale i tha instruktorit të tij: “ Nuk paskam harruar- shoku kapiten”! E mirëkuptuan gjuhën e njëri-tjetrit, të dy specialistët e mirëfilltë të ajrit.

Me qëllim që të rivendoste shprehitë e të fluturuarit, Burhani plotsoi disa ngritje ( fluturime), në rreth e në zonë, me instruktorin në kabinën e djathtë, pastaj zuri vend në atë kabinë , në rolin e pilotit të dytë. Ai fluturoi vazhdimisht me Sejdon  komandant  ekipazhi, si në detyrat stërvitore dhe në ato speciale. Sejdo Kamberi kishte përvojë të gjatë fluturimesh në helikopterin MI—4. Ai ishte njëri nga pilotët e parë që shkuan në Bashkimin Sovjetik, për të mësuar helikopterin, në vitin 1957. Në atë aventurë, ai kishte shokë grupi: Petrit Majlindin; Zebo Durmishaj; Manush Kreshpa; Selman Meçaj; Peço Polena ; Andrea Stavre; Daut Xhaferi etj. Disa syresh, ishin stërvitur më parë në aeroplanët gjuajtës – bombardues reaktivë dhe kishin kaluar në helikopter, për shkaqe të ndryshëm. Në stërvitje e në detyra të ndryshme, Burhani kishte fluturuar me helikopterin me numër anësor 64, të prodhimit sovjetik.

Në verën e vitit 1961, kur Burhani u aktivizua në flururimet me helikopter, në repartin e aviacionit, në Laprakë, ishin në shfrytëzim disa tipa aeroplanësh dhe helikopterësh. Në helikopterët MI-4 fluturonin pilotët: Sejdo Kamberi; Andrea Stavre; Peço Polena; Selman Meçaj dhe Daut Xhaferri, kurse në ata MI-1 aktivizoheshin në fluturime pilotët: Zebo Durmishaj; Manush Kreshpa e Mersin Minxha. Në aerodrom dergjeshin dhe disa aeroplanë PO-2; Jak 11 e Jak -9P, të lënë në mëshirën e fatit. Nga injoranca dhe nga mungesa e largpamësisë të drejtuesve, në një kohë kur vende me aviacion më të zhvilluar i ruajtën. qoftë dhe si relike, këta tipa aeroplanësh me histori, në vëndin tonë, ata iu nënshtruan shkatërrimit vandal. Nga shkaqe njerëzore, u shkatërruan e u bllokuan në tokë, ose u prishën, në fluturim 3 helikopterët MI-1, të cilët ishin me resurse të plotë, si të motorrit dhe të trupit.

Pas rivendosjes të shprehive në pilotim, Burhani u aktivizua për kryerjen e detyrave speciale, me Sejdon në kabinën e majtë. Në një rast, kur ky ekipazh kthehej nga Bajram Curri, ku kishte kryer një detyrë ajrore të rëndësishme dhe do të ulej në fushën e Shtoit, në Shkodër, në çastin kur  helikopteri ndodhej mbi qytetin e Pukës, komandanti i ekipazhit- Sejdo Kamberi, falë përvojës së gjatë të fluturimeve, pikasi një lëkundje të treguesve të motorrit dhe u shpreh, për të kaluar në ulje të detyruar, në rrethinat e qytetit të Pukës. Mirëpo Burhani, i cili nuk e kishte pikasur defektin që kishte ndodhur, në rolin e pilotit të dytë, këmbënguli të shkonin në ulje normale në fushën e Shtoit. Atje, ekipazhin e priste e do ta merrte në ulje, vëllai i Burhanit, Shuaipi, i cili ishte kthyer nga Kina, i detyruar, me grupin e oficerëve dhe ishte caktuar në detyrën e dispeçerit, në fushën e Shtoit.

Këtë episod, sikur të kishte ngjarë këto ditë, Burhani e kujton kësisoj: “ Sapo u ulëm në fushën e Shtoit, pranë stacionit të sinoptikës, borttekniku i helikopterit, duararti i urtë Gaqo Rrapi, një mjeshtër i vërtetë në profesion, hapi kapakët  dhe diktoi se nga bateria dilte tym. E fikëm motorrin e helikopterit dhe zbritëm prej tij. Pritëm  nën hijen e qershive të fermës, sa të na sillnin nga Tirana, bateri të re. Kur baterinë e prunë, e vendosëm në helikopter, u ngritëm në ajër e u kthyem në Tiranë. Atëherë kuptova çfarë kishte ndodhur në ajër, në rajonin e Pukës dhe përse komandanti i ekipazhit kishte ngulur këmbë të kalonim në ulje të detyruar”.

Gjatë kohës së pritjes të baterisë të re, Sejdua, në intimitet iu drejtua Burhanit, i cili, në atë kohë ishte beqar, me fjalët: “ Kur të bëhesh baba e të kesh fëmijë, ke për ta kuptuar përse doja të kalonim në ulje të detyruar në rrethinat e Pukës”? Kaluan rreth 55 vite e Nurhan Nurja u bë gjysh. Gjatë intervistës të datës 11 tetor të vitit 2016, në një kafeteri, në Tiranë, ai më hapi zemrën e më bëri me dije se tani i jep shumë të drejtë mjeshtrit Sejdo Bilush Kamberi, për atë vendim të pazbatuar, si rrjedhojë e këmbënguljes time, për të kaluar në ulje të detyruar në rrethinat e Pukës nën presionin e defektit teknik që zbuloi, në atë fluturim interesant, në vjeshtën e vitit 1961, kur duhej dalë nga situata ajrore e papritur, me kosto sa më të vogël. Për fat të keq, mjeshtri i shfrytëzimit të helikopterit MI-4, Sejdo Kamberi, prej kohësh është ndarë nga jeta dhe, ajo situatë ajrore ka mbetur vetëm në kujtesën e Burhanit flokëzbardhur.

Pranvera e vitit 1963 rezultoi e begatë. Në aerodromin e Tiranës, erdhën nga Kina, u montuan e u lëshuan në fluturime 13 aereoplanë transporti An-2. Dy prej tyre ishin të pajisur me kolltukë dhe kishin ndotje akustike më të pakët. Ata ishin të destinacionit për të transportuar kuadro drejtues të niveleve të lartë, të ushtrisë e të partisë shtet. Burhanit, i trokiti sërish fati në derë dhe e caktuan në grupin e kalimit në aeroplanët e sapoardhur. Aeroplani An-2, për hir të së vërtetës është teknikë ajrore relativisht më e thjeshtë e më e lehtë për shfrytëzim, krahasuar me helikopterin MI-4,  me të cilin kishte fluturuar Burhani.

Pas një përgtitje të shkurtër teorike dhe pas trenerimit, disaditor, në tokë, Burhani, ky “kursant i përjetshëm”, u ngjit në ajër me një aeroplan të tipit AN-2. Instruktor të teknikës së pilotimit ai pati pilotin me përvojë të gjatë në flututime, njërin nga pilotët e parë shqiptarë të pasluftës së Dytë Botërore, të urtin e të mirin Irakli Grazhdani, nga fshati Progër i rrethit të Korçës. Pas përfundimit të progranit të kalimit, dhe gjat gjithë kohës që fluturoi në aeroplanët e mësipërm, Burhani ishte në ekipazh me kuksianin Ylber Lakrori dhe kryesisht dhe me myzeqarin Llazar Çuçi, i cili ishte mjaft i sjellshëm e i kulturuar dhe nuk ngutej kurrë për të thënë një fjalë apo për të marrë një vendim. Llazari ishte i sukseshëm dhe në fushën e lëvrimit të letrave shqip e në pikturë. Ai na ka lënë një trashëgimi me vlerë në të dyja fushat që lpvronte. Të dy tipat e kolegëve fluturues kishin tipare të përbashkëta, por dhe individualite spezifike. Ata u integruan shpejt dhe merreshin vesh, për bukuri me njëri-tjetrin.

Fluturuan së bashku; Llazari në funksionin e komandantit të ekipazhit e Burhani, në atë të pilotit të dytë, së shumti me aeroplanin me numër anësor 14, në detyra të zakonshme e në të ashtuquajturat “ detyra speciale”.  Ata u ulën në fushën e gjelbër të Kukësit ( Bicaj ); në atë të Shkodrës ( Shtoj ); në Korçë ( Drenovë); në Gjirokastër ( Valare) dhe në aerodromet : në Rinas; në Vlorë; në Tiranë e në Qytetin  “Stalin”. Në një rast, ekipazhi u ul, për herë të parë dhe në mënyrë të papërsëritshme, në fushë të hapët, pa përgatitje paraprake, në Ersekë ( përpara stacionit të sinoptikës ). Kjo ngjau më 12 tetor të vitit 1965, kur në rrethin e Kolonjës, zhvillohej një stërvitje e Armatës Shqiptare. Ulja u krye në sytë e kuadrove drejtues të Ushtrisë Popullore, të cilët e porositën dhe e kërkuan, me kënbëngulje këtë ulje. Udhëheqës i fluturimeve, në “ aerodromin e improvizuar” ishte komandanti i aviacionit shqiptar, koloneli Edip Ohri.

Pas uljes së parë, ekipazhi, meqënëse nuk e njihte fushën e uljes, menjëherë mbasi takonin rrotat me tokën, frenonin, me qëllim që aeroplani të ndalonte sa më shpejt. Ishte hera e parë që në atë fushë, ulej një aeroplan. Pas fikjes së motorrit, avionin e rrethuan qindra kurreshtarë: burra, gra dhe fëmijë. U ngrit sërish aeroplani edhe tri herë të tjera. Në njërën nga ngritjet, shuan kuriozitetin e rrugëtimit në ajër dhjetë përfaqësues të klasës punëtore; radhën e dytë u ngritën dhjetë gra  dhe në ngritjen e tretë, për ti stimuluar, u ngritën në ajër dhjetë nxënës të dalluar në mësime. Pati dhe kërkesë që ekipazhi të ngrihej përsëri në ajër, me të tjerë “ pasagjerë”, por, Komandanti i Aviacionit e urdhëroi ekipazhin të çohej në ajër dhe të kthehej në Tiranë.

Me shumë interes ishte një fluturim që zhvilloi ekipazhi, në përbërje të të cilit ishte Burhani, në luginën e Drinit; për të përcaktuar vendin ku do të ngriheshin hidroçentralet e mëvonshëm. Kësisoj, Burhanit po i shkonin punët mbarë. Pas Burhanit, në aeroplanin AN-2, kryen kalimin edhe disa kolegë të tij, të kthyer nga Bashkimi Sovjetik, në fund të vitit 1961, me të cilët ai ishte njohur e kishte studiuar në shkollën e Pugaçovit dhe në Regjimentin e Batajskut. Disa syresh kishin fluturuar në helikopterin Mi-1 e të tjerë në helikopterin MI-4. Por, për shkodranin mendjehapët e zemërmirë, Burhan Nuro Nurja, telashet nuk kishin të përfunduar.

Më 19 korrik, të vitit 1966, Burhan Nurja u largua përfundimisht nga radhët e fluturuesve. Një muaj më parë, ai, në kundërshtim me vullnetin e tij, në rrethana tejet të vështirë, kish firmosur, një dokument, sipas të cilit, do të punonte si informator i organeve inteligjente të vendit tonë. Nuk iu ndanë Burhanit njerëzit  që punonin nën rrogoz. Peripacitë për dalin shkodran, nuk kishin të sosur. Burhan Nurja, vërtet kish firmosur një dokument që e kompromentonte, por në kokë kishte një tjetër plan, të cilin e shpalosi, menjëherë.  Ai, qysh të nesërmen, u shtir si i sëmurë psikik dhe u shtrua, për observacion, në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak. Komisioni i aviacionit e deklaroi atë të paaftë për të fluturuar dhe këtu, aventura e tij ajrore mori fund. I kishte nisur fluturimet ajrore, dhjet vjet më parë dhe tani i duhej ti linte lamtumirën profesionit të tij të dashur- fluturimit.

Hallkat që e kishin në kompetencë, i ofruan Burhanit detyra e funksione të tjerë, në aviacion e jashtë tij, por ai nuk pranoi, asnjërën prej tyre. Urdhrin e lirimit nga Ushtria, sipas rregullit, duhet ta firmoste Ministri i Mbrojtjes, i asaj kohe Beqir Balluku, por meqënëse ai nuk u ndodh në zyrë ato ditë, dokumentin e firmosi  njëri nga zëvëndësit e tij.

Preferoi të largohj nga aviacioni e nga ushtraia, Burhani dhe e mbajti vrapin në Shkodër, në shtëpinë e madhe të fmiljes Nurja; atje ku i kishte bërë koka “dëng”. Aty, mes të tijëve ai do të gjente: ngrohtësinë, qetësinë dhe sigurinë e munguar. Meqënëse kishte përfunduar shkollë teknike, Burhani,deri në muajin shtator të vitit 1968, punoi në Fabrikën e Cigareve të qytetit, në detyrën e mekanikut. Dëshira për më shumë dije, e çoi Burhanin, në shkollën e mesme, natën, ku u diplomua teknik i mesëm, mekanik.

Telashet nuk kishin të mbaruar, për njeriun e mirë. Shuaipi, vëllai i tij më i ri, në moshë, ishte kthyer nga Kina, me një grup oficerësh, të cilët kishin shkuar për specializim, e perfeksionim në teknikën e pilotimit. Ai u burgos  dhe nga familja Nure, u bënë dy të burgosur. Vëllai tjetër, Ademi, i cili kishte studiuar për inxhenier, në Poloni, gjithashtu ishte i burgosur. E ashtuquajtura luftë klasash, e nxitur artificialisht, kishte shpalosur shpatën e po bënte kërdinë. Asaj situate do ti shkonte bukur për shtat slogani se “ po digjej bari i njomë, së bashku me të thatin”. Situatë e rëndë u krijua dhe për Burhanin, i cili, aso kohe ishte në radhët e Partisë së Punës të Shqipërisë. 4 letra anonime dhe 5 mbledhje të organizatës-bazë të partisë u zhvilluan  për çështjen e tij. Pretendohej se Burhani nuk ishte dëftuar i sinqertë kur kishte deklaruar të dhënat biografike.

Nisi një jtë tjetër, e mundimshme, për ish pilotin Burhan Nurja, i cili duhet të përshtatej me kushtet e reja të punës e të jetesës. Krahas kësaj, ai duhet të mblonte në thellësinë e shpirtit dashurinë për ajrin e për fluturimin dhe të ruante nostalgjinë për shoqërinë e sinqertë, mes aviatorëve.

Arsimimi i mesëm,edhe pse i përsëritur, nuk e mbushte Burhanin. Intelekti i tij, kërkonte diçka më shumë. Prandaj atij iu desh të niste studimet e larta, në Filjalin e Inxhenierisë Mekanike, më Vaun e Dejës, natën. Studimet i nisi në muajin shtator të vtit 1969 dhe u diplomua inxhenier mekanik- teknolog më 25 janar të vitit 1975. Dëshira për më tepër dije, e shtynte Burhanin të përballonte vështirësitë e shumta të të studiuarit, krahas punës që bënte dhe rrugëtimin sfilitës, çdo ditë; vajtje –ardhje, Shkodër – Vau i Dejës, me mjete të rastit.

Vitet e fundit të jetës aktive, djali i pestë i Nënë Naxhijes dhe i baba Nuros kafexhi, i përcolli, në Shkodër, në pozicionin e mësuesit  të lëndëve teknike, në Shkollën e Mesme teknike. Sa interesante! Të jetë vallë  një rastësi? Burhan Nurja “e nisi vrapin” e jetës së mësuesit  në vitin e largët 1951, në Kelmendin e thellë  malor, kur ishte vetëm 14 vjeç dhe e përfundoi “turravrapin”, në vitin 1992, po në këtë profesion të bukur por tepër të lodhshëm të atij që u jep dituri fëmijëve, tashmë në një moshë të pjekur, në Shkollën e Mesme Teknike, në Shkodër. Aktualisht, Burhani i gëzohet pensionit të plotë dhe banon në Tiranë, mes të tijëve, i rrethuar  nga fëmijë të denjë ( 2 djem )dhe nipër e mbesa, të cilët ia lezetojnë jetën, atij dhe bashkëshortes së nderuar të tij, zonjës Ibadet Nurja  (Ishmaku),me të cilën u lidh me martesë, jo mëkot në ditën e formimit të aviacionit, më 24 prill të vitit 1967.

Burhan Nuro Nurja, ka kaluar një jetë plot tensione e vështirësi nga më të ndryshmet, të cilën është vështirë ta ndeshësh gjetiu. Jeta e tij i përmbledh të gjitha. Brenda saj gjen si gëzime dhe hidhërime të cilat kanë pasuar njëra –tjetrën e kanë qenë të alternuara ,në kohë e në vende të ndryshëm. Me intelektin e tij të spikatur dhe me karakterin e çiltër e gazmor, Burhani i përcolli, me sportivitet ndodhitë, sido që i erdhën dhe  krenar e dinjitoz, doli fitimtar mbi kurthet dhe mbi prapësitë që i thurën të ligjtë. Kufizimet dhe paudhësitë që i solli jeta, siç ishte privimi nga e drejta për të fluturuar, kryerja e kursit tremujor për oficer rezervist, kur ai kishte qenë oficer aktiv, deri tek hyrja në Tiranë me dokumente të shumtë ( nuk më vjen mirë të them : “ me vizë”), nuk e bënë njeriun e mirë të pakënaqur, por e bënë më të fortë, më të kalitur, për tu përballur me to dhe më guximtar, për tja përplasur kujtdo, në fytyrë, të pavërtetat. Burhan Nurja , nuk mban mëri asnjë njeri, madje as ata që e kanë dëmtuar në udhën e jetës.

Më bën ti përulem e ta çmoj si hyjnore shprehjen e tij: “ Bënë detyrën”! Është Burhani që e artikulon kësisoj, ligësinë e tjetrit, mbasi ai ka në shpirt mirësinë . Në optikën time, ai që me servilizëm e me izma të tjera mundohet ta ndërtojë karrierën mbi jetën dhe vuajtjet e tjetrit, nuk bën veç një ligësi dhe e keqja, po të duam ta quajmë me emrin e saj, nuk mund ti vemë tjetër emër, veç poshtërsi.

Burhani, ka lexuar gjatë gjithë jetës; lexon dhe tani. Ai nuk i kalon thjesht nëpër duar librat, por nxjerr mësime të vyera prej tyre. I mënçuri nga Shkodra qëmton nga leximi atë që vlen, si bleta nektarin.  As tani që është në pension, ai nuk ze një qoshe, nga ku të dëftojë kalvarin e jetës së tij, të thjeshtë, por plot peripeci e qendrime dinjitoze, por është veprues. Me dashamirësi e përkushtim, Burhani ka mbledhur në një libër me titull domethënës: “ Me sytë e mendjes”, gjithë sa ka mundur të vjelë nga mençuria botërore, ku lexuesi gjen, edhe opinionin e autorit; për jetën dhe për njerëzit. Kushdo që e ka njohur Burhan Nuren, nuk ka si të mos ketë vënë re e ti ketë berë përshtypje, sjellja e tij, konstante, dashamire dhe e thjeshtë, pa mburrka e vetëlavdërime të bezdisshme.

Në këtë shkrim pa pretendime, të inicuar nga shoku i tij i grupit, piloti punëshumë e fjalëpak Vangjel Kalan Nakuçi, u përpoqa të fiksoj disa detaje nga jeta e një piloti, plot vështirësi e të papritura, mbushur me peripeci të pamerituara, me qëllim që ajo të njihet e të mosharrohet si mjaft jetë të tjera kolegësh. Burhani ka qenë i dashuruar pas ajrit dhe e ka shijuar atë qysh në rini, por, për fat të keq, ai ra pre e ligësisë e u bë viktimë e saj. Ëndrra e tij e “ çmendur” për të fluturuar, u pre, në një kohë kur ai kishte mjaft për të shpalosur, me aftësi e talent, pa bujë e pa shumë fjalë. Është në nderin tonë ta shpalosim e tua bëjmë të ditur më të rinjve ,rrugën nëpër të cilën kanë kaluar ata që e kanë nisur aventurën si Burhani, por që ranë viktimë e të panjerëzishmes. Të tillë, në aviacion nuk ka patur pak; sejcili paraqet specifika, të cilat duhen njohur e dëftuar.

Burhanin e kam njohur në vitin 1960 dhe e intervistova kohët e fundit. Kur i thashë se dua të shkruaj për jetën tënde, ai, me atë thjeshtësinë tipike, m’u përgjigj: ” Përse do të shkruash për mua? Unë jam një pikë në oqean, në krahasim me kontributet e të tjerëve. Nuk meritoj të përkëdhelem kaq shumë”. E kundërshtova; prerë. Ruaj mendim të mirë për atë njeri e pilot të rrallë. Mendoj se duhet shkruar, madje duhet “gdhëndur”, me saktësi e me mjeshtëri, portreti i këtyre njerëzve të rracës tonë, të cilët nuk arritën ta shpalosin talentin, jo për faj të tyre. Ato që kam shkruar për Burhanin janë opinione vetjake. Jam i bindur se jeta e  Burhan Nuro Nures, është e veçantë, është e tij e nuk i ngjan, as nuk i ngjitet tjetër njeriu.

Shkroi Niazi Nelaj, në Tiranë- Tetor- Nëntor 2016