Fjala e hapjes, në promovimin e librit të Aleksandër Çalës- “Meteor”

Të nderuar pjesëmarrës,

Nuk po i gjej dot fjalët që i shkojnë për shtat kësaj “ feste” me shumë vlerë. Ngërçi lidhet me përgjegjësinë dhe nderin e madh që përjetoj, për të folur përpara jush. Para së gjithash, përshëndes, me përunjësi e nderim, familjarët dhe të afërmit e të rënëve dhe personalitetet e shquar që na nderojnë këtë “festë”! Kjo që po ndodh ka vlera të shumta historike dhe njohëse. Është njoftuar se do të bëhet promovimi i librit “ Meteor”, shkruar nga mendjendrituri me shpirt bujari, zoti Aleksandër Çala. Në fakt, nuk kemi të bëjmë me një promovim libri të rëndomtë, nga ata që dergjen rafteve të librarive e u bëjnë jehonë “ bëmave” të autorit apo të afërmve të tij duke stisur të paqëna por bëhet fjalë për një enciklopedi të mirëfilltë, me vlera historike dhe njohëse.

Libri “ Meteor” është një vepër dinjitoze e serioze, me vërtetësi brenda. Është libri i dytë që po na jep në dorë autori; prandaj i jemi dy herë mirënjohës Aleksandrit. Në këtë libër, autori, me përkushtim dinjitoz e me vullnet të pamatë dhe me një durim lakmues, ka mbledhur, tok, të rënët aviatorë, të profileve të ndryshëm, në krye të detyrës. Ata, nuk u dergjën në shtrat por ranë heroikisht, në ajër dhe për fluturimin. Për të lartësuar arritjet, “ herojtë” tanë  vunë jetën në themelet e ngrehinës lavdiplotë;  lundrimit ajror.

Nga Ibish Vokshi që ra në Slloveni,në vitin 1947, tek Qemal Mërtiri, eshtrat e të cilit prehen nën ftohtësinë e tokës siberiane, deri tek dy “ dëshmorët” e kohëve të fundit: Florian Delia e Donald Hoxha, shtrihet një periudhë kohore relativisht e madhe. Zoti Aleksandër Çala, me zgjuarsi të admirueshme, me aftësi krijuese shëmbullore dhe me durim të paparë, ka ditur të qëmtojë e të gdhendë, bukur, me vërtetësi dhe art portretin e sejcilit, nga të 43 “ herojtë” tanë. Të mbledhur në një libër, na duket sikur sot, të kapur dorë për dorë, Ata vallzojnë atje ku e kanë vendin, në qiellin e lavdisë e të përjetësisë.

Ata u bënë shokë me yjet se yje ishin e yje mbeten. “ Herojtë” tanë vunë gurë themeli e ngjitën shkallë të sigurta, në udhën tonë të ngjitjes, po na mbledhin dhe sot, për ti nderuar e për ti kujtuar, siç do të ngjajë edhe më pas, pafundësisht. Të rënët, nuk u ndanë nga jeta në të njëjtën ditë; sejcili ka diçka të vetën, por i bashkon e njëjta gjë: Dashuria për avionin e për fluturimin dhe dëshira për ta parë veten “ zot” të qiellit shqiptar. Prandaj u shprehim edhe njëherë sot, respektin dhe nderimin pa kufi, për atë që bënë, duke u përulur, me nderim, ne, kolegët e tyre, familjarët, të afërmit, shokët e miqtë e shumtë. I gjithë libri është një homazh, fund e krye, që gurgullon si gurrë e pashterrur, nga thellësitë e zemrave tona.

Falemnderit zoti Aleksandër Çala, për këtë “ perlë” që po na dhuron, sot, kur së afërmi presim të festojmë, ditën e aviacionit  tonë tashmë të çbërë e jo siç na e latë e siç  do ta donit ju, të paharruarit tanë.

Promovimi i librit “ Meteor” iniciohet nga Shoqata e të Rënëve të Aviacionit, në kujdesin e posaçëm të zotit Kujtim Seranaj, i cili ka një aktivitet mbresëlënës , në këtë lëmë. Mes nesh ndodhen të dy pilotët e mbetur të çertifikuar me titullin e pilotit ushtarak të klasit të parë, qysh në vitin 1965 : Çobo Skënderi e Halit Bulku. Pjesëmarrja e tyre na e zbukuron festën, për vlerat që kanë. Në promovimin e këtij libri na nderon me pjesëmarrje: Zëvëndësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi; Komandanti i Aviacionit, gjeneral Vladimir Avdia; ishkomandantët e aviacionit, gjeneralët: Perlat Binaj; Astrit Jaupi e Dhori Spirollari; më i moshuari nga efektivat inxhenjero-teknikë të aviacionit, veterani Koli Çobo; piloti me akt heroik – Bilal Sina; përfaqësuesi i shoqatave  amerikano-shqiptare me qëndër në Filadelfia të ShBA-ve; anëtari i kryesisë të shoqatës të Dëshmorëve të Atdheut e mjaft personalitete të tjerë; shokë e miq dhe kolegë të të rënëve.

Shoqata Atdhetare “ Myzeqeja” na është gjëndur pranë në këto veprimtari përkujtimore. Nga Amerika e largët na vijnë mesazhe inkurajuese në mbështetje të kauzës tonë për mos ti harruar “fajkojtë” e qiellit.Shoqata e Aviacionit është e ingranuar seriozisht në veprimtari të ngjashme nderimi dhe në zemrën e çdo shqiptari të ndershëm buron gëzimi për ti shpeshtuar këto veprimtari përkujtimore. Në këtë “ festë” tonën  pjesëmarrja është masive. Me një organizim më të mirë, të ardhurit në këtë veprimtari përkujtimore, mesiguri që do të ishin më të shumtë. Me këtë rast, më del vetiu urimi i zemrës:

I përjetshëm qoftë kujtimi i “ fajkojve qiellorë” të vendit tonë!

Të prasmëve të “ herojve “ tanë të qiellit,uroj t’u burojë e  mos u shteroftë kurrë vullneti për të mos harruar ata që ranë për një çështje kaq  të madhe siç është zotërimi i hapësirave qiellore te vendit tonë!

Zotit Aleksandër Çala i uroj  krijime të tjera cilësore  si kjo që po na jep sot!

Në Tiranë, më 22 prill 2017-04-17

Shkroi Niazi Nelaj, ish aviator.