Fjala në promovimin e librit të Aleksandër Çalës “Aviacioni dhe Myzeqeja”

24 prill 2016

Mirëdita, të gjithëve!

Ju përshëndes e ju uroj: “ Mirëseardhët, në këtë ndodhi të pandodhur!

Shumë shkrime janë bërë e njaft faqe letre janë nxirë, deri më sot. Shumica e tyre kanë qenë shkrime për vete, nëpërmjet të cilëve, autorët, janë rrekur të mbeten në histori nëpërmjet tyre. Libri që po na sjell Aleksandri është tjetër gjë. Ai, nuk shkruan për vete, dhe kjo është vlerë. Aleksandri pastë faqen e bardhë e juve u mbuloftë mirësia, që u bashkuat në këtë ndodhi dinjitoze.

I përkas brezit të mesëm të pilotëve shqiptarë. Nuk vij, as nga aradha e themeluesve e nuk u përkas atyre guximtarëve që u ngjitën, në majat më të larta të shkencës së fluturimit. Por, kam qenë me fat se jam ndodhur pranë e kam punuar tok me mjaft djem florinj, nga Myzeqeja, të cilët u futën në aviacionin tonë, të ardhur nga kasollet me baltë, mbasi shkundën e shtynë tutje fukarallëkun tradicional të të parëve të tyre; u bënë pilotë, teknikë e specialistë të denjë  që guxuan, garuan e sfiduan, me mençuri, ndershmëri, guxim e trimëri të pashoqe. Djemtë nga Myzeqeja, si dhe vëllezërit e tyre nga trevat fqinje, në çdo front ku shërbyen, u veçuan si punëtorë të shquar, për thjeshtësi, dashuri për profesionin dhe përkushtim të rrallë, duke lënë gjurmë në historinë e aviacionit tonë.

Aleksandri, pavarësisht se mjaft prej tyre nuk i ka njohur nga afër, si djalë i kësaj treve, na i ka bashkuar, tok, si dikur, djemtë flakërimë të Myzeqesë, duke skalitur, me daltë mjeshtërore, portretet e tyre brilante. Duke mos shkruar për vete, as për shefat, cilëtdoqofshin ata, duke thënë vetëm të vërtetën e pastër, Sandri i ka shtuar vetes, vlerat, si njeri i letrave, që sapo ka nxjerrë periskopin, mbi ujë. Libri i tij është një homazh i denjë, për ata që janë ndarë nga jeta dhe thurje lavdije, e merituar, për ata që janë shkrirë për aviacionin e kanë lënë gjurmë të pashlyera, në jetën e reparteve të tij.

Ndihem mirë kur vështroj vrullin e Sandrit dhe guximin për tiu futur një pune, e cila pritej prej kohësh. Me këtë libër, Aleksandër Çala u ve kufirin tek thana, thashethemeve dhe pretendimeve, gjeopolitike se, gjoja aviacionin na e paskan themeluar disa dhe e kanë masivizuar të tjerë. Sandri i shkruan gjërat, me emrin që kanë e kjo është, gjithashtu vlerë.  Në një kuptim, ky libër është një befasi, për lexuesin e vemendshëm. Tjetër mendim kam, për këtë e nuk e fsheh. Aviacionin e kanë bërë djemtë e nënave shqiptare, nga çdo trevë e krahinë. Ata që përpiqen të nxjerrin gjoksin e të tunden e shkunden, sikur “ kanë vrarë ariun”, apo që hiqen si baballarë, nuk janë veç të fundit në radhë.

Më posht do t’u dëftoj ato që ndjej për ata “ gurë kilometrikë”të aviacionit shqiptar, të cilët i kam njohur, më së miri, e nga afër si dhe kam patur fatin e mirë t’u gëzohem e të lumturohem me  arritjet e tyre dhe të krenohem që i kam shokë të mirë.

  • Llazar Çuçi; pilot dhe shkrimtar; një mentar, i cili nuk e “ gremiste “ fjalën kollaj. Kur fliste Llazar Çuçi, ngulte gozhdë, të cilat nuk shkuleshin kollaj. Qetësia, thellësia e gjykimit, maturia dhe siguria me të cilat ai e diskutonte problemin, i thoshin kujtdo ti vinte gishtin kokës e të mos prashirste veresije. E nisi karrierën si kursant në avionët gjuajtës, në Borisoglebsk te Bashkimit Sovjetik, e vijoi në helikopter dhe në Il-14 dhe e mbylli në An-2. Fluturoi, ditën dhe natën, në kushte të ndryshme të motit; kreu detyra sipas destinacionit të avionit e u ul, me aeroplan, në të gjithë aerodromet dhe fushat e uljes, të vendit.

Përveç kryerjes të detyrave si pilot, Llazari na ka lënë shkrime me vlerë, në të cilët trajtohet, gjërësisht çështja e fluturimeve. Libri i tij “ Fluturimi i fundit” ku fiksohen figurat e paharruara të dëshmorëve të Atdheut, të rënë në fluturim, është një kontribut me vlerë në letërsinë e aviacionit. E nis me Vasil Trashën dhe e përfundon me Fluturim Mollën. Personazhet e tij realë, duket sikur bëjnë apel e thonë:” Ej, ju që vini pas nesh, mos harroni si është ngjitur aviacioni ynë, në majat ku arriti…”

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij; ti rrojnë ata që ka lënë pas!
  • Naum Todo; Një pilot, me trajektore në ngjitje të vazhdueshme dhe me stabilitet të dukshëm. Treguesit cilësorë të Todos, në fluturim janë impresionues, dhe për t’u patur zili. Fshatari pa tokë, i cili rrugëtonte çdo ditë, 5 e më shumë orë, këmbëzbathur, për të shkuar në shkollë, me vullnet e këmbëngulje u bë pilot, instruktor i fluturimit, nga më të mirët. Pilot e çfarë piloti? Në “shtrungën” e tij kanë kaluar, thuajse të gjithë pilotët shqiptarë. Aq jetëgjatë ka qenë Nauni, si instruktor i teknikës së pilotimit. Teknikës individuale të pilotimit, e cila ishte pa verejtje, i shtohej metoda e përparuar e mësimdhënies.

Naunin, pa bërë gabim, mund ta identifikoje me rregulloren. Ai, ishte rregullorja vetë. Disa thoshin se “ është cingun “ në vlerësimin që bënte, kur merrte në kontroll pilotët. Nuk të falte Nauni. Kjo është e vërteta. Ai, sejcilit i jepte atë që meritonte, pa bërë as diferencime e favore, as nuk pranonte ndërhyrje. I qetë, i saktë, i duruar, i përkushtuar, i ndershëm e serioz, në çdo hap; ai u rreshk nëpër fushat e blerta të aerodromeve dhe mes pluhurit të Poros, derisa dikush u kujtua ta lëvizte nga detyra shumëvjeçare e instruktorit të fluturimeve.

  • Uroj të jetojë gjatë, në paqe me veten dhe me të tijët, siç e meriton ai njeri me shpirt njeriu!
  • Llazar Çupa; Shoqërisht, i thonim :”bujk” e atij nuk i mbetej qejfi. I thonim kështu, jo se ishte nga Myzeqeja, por, Llazari e “ qëndiste “ fluturimin, siç bën një bujk i mirë, me arën e tij. Llazari ishte “babaxhan”, nga natyra. Në avionët reaktivë, u bë përçues i kualifikimit të pilotëve të rinj; në avionët me helikë u bë mjeshtër i vërtetë i shfrytëzimit  dhe shtysë për ti çuar detyrat përpara. Profesor i AN-2 –shit, i thonin kolegët.

Me njohuri të thella teorike dhe me aftësi të lakmuara praktike, ai i kreu me nder detyrat duke marrë pjesë në të gjithë proçeset; në fluturime natën dhe ditën, në kushte të ndryshme, në destinacionet perkatëse, me ulje në të gjitha fushat e uljes dhe aerodromet e vendit. Llazari mori pjesë dhe u dha tonin, disa eksperimentimeve të dobishme në avionët me helikë An-2.

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij!
  • Andrea Toli; korrekt, si ai; guximtar për të synuar majat, në fluturim; sedërli i rrallë; zemërbardhë; trim e i vendosur; talent i paparë. Zor se i gjendet shoku, sa i takon vullnetit për të çarë e për të ngjitur, me meritë shkallët e karrierës, deri në detyrën e komandantit të skuadriles me Mig-21. Andrea kishte zgjuarsi natyrale dhe kulturë të gjerë e sjellje dashamirëse, me kolegët, vartësit dhe masën. Sedra e mirë dhe ambicja e tij, të bënin të skuqeshe e të shtynin përpara. Kur diskutohej për ti hequr nga armatimi Migët-19Pm, Andrea, në çift me Çobo Skënderin, kryen një qitje reale, me raketa te drejtuara, nga lartësia 12000m, mbi aerodromin e Rinasit, duke u dëftuar “ shefave servilë”, se mund të mbahej akoma në shfrytëzim ky avion i sofistikuar.

Me tipare të rralla të karakterit, dhe me aftësi të lakmuara, ai ishte i prirë ti kapte shpejt e ti bënte të tijat çdo element të fluturimit që kur ishte në grupin tonë të kursantëve për pilot. Me orë të reduktuara, akoma pa mbushur vitin në regjiment, Andrea bëri kalimin në avionët supersonikë, në Rinas, pa patur avionë mësimorë. Në kushte të njëjtë me kolegët, Andrea i kapërceu të gjitha shkallët e ngjitjes, deri tek detyra e komandantit të skuadriles Mig-21, të cilën e kreu me përkushtim, derisa u largua nga fluturimi. Dashuria, kujdesi dhe meraku i Tolit, për shokët, për vartësit dhe për të tijët, kanë qenë të veçantë e mbresëlënës.

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij!
  • Dhori Zhezha; Që nga fluturimet e para që kreu në Batajsk ( BS), me instruktorin Razinkov, i cili, një vit mbante spaletat e majorit e në vitin tjetër ato të kapitenit, si shkelës i disiplinës, djaloshi nga Baltëza, bir i një kuzhinieri, u stërvit me këmbëngulje e dashuri të rrallë, për aeroplanin dhe për ajrin. Dhori përparoi, i sigurtë, nga detyra në detyrë, e nga niveli më i ulët në më të lartin, deri në funksionin e komandantit të regjimentit të Gjadrit, ku fluturoi me aeroplanët më të shpejtë që kishim, Mig-21.

Në çdo vend e në çdo funksion, Dhori, me seriozitet e pa nënvleftësuar asnjë element, u shqua, si për nivel të lartë teorik dhe për teknikë pilotimi brilante. Dhorin zemërgjerë e shikoje përherë mes njerëzve, të qeshur e të menduar, me kokën plot e me zemrën zjarr, për të çarë, me guxim e me trimëri, përpara, drejt lartësive e shpejtësive të mëdha, duke ruajtur thjeshtësinë që ka në gen. Një njeri që nuk di ç’është inati e mëria. Dhorit i rrihte mendja dhe zemra për punën dhe për njerëzit që e rrethonin. Dashamirësia e tij nuk njeh kufi. Përkushtimi i tij në detyrë mbetet shëmbull e vijë sjelljeje që duhet ndjekur.

  • I uroj, shokut tim shumë shëndet e jetë të gjatë!
  • Pandeli Lëngu; Një uragan i vërtetë; në ajër e në jetë. Njeri me vitalitet të jashtzakonshëm. I pa përtuar e i papërmbajtur. I dashuruar pas fluturimit dhe i përkushtuar në detyrë. Ishte më i riu i grupit tonë, mes 36 kursantëve për pilotë, në qytetin e Batajskut. Shëmbull guximi e trimërie, i vendosur për ti shkuar detyrës ajrore, deri në fund, dha shëmbull, vendosmërie e qendrueshmërie, si pilot, në situata ajrore tejet të vështira, përfshi qitjen , me zjarr , në Belsh, mbi një shënjë tokësore, ku një ditë më parë kishte gjetur vdekjen talenti i lindur për të fluturuar , Azbi Seranaj. Pandushka ka qenë një talent i rrallë, në fluturim dhe një trim i çartur që nuk të bënte për burrë.

Ritja profesionale e Pandushkës, nuk njohu stanjacion edhe kur duhej fluturuar me pak orë, në detyra që kërkonin mjeshtëri në pilotim, siç ishin eksperimentimet dhe përgatitjt e grupeve të kalimit. E kërkonte, me këmbëngulje përfshirjen në fluturim, edhe kur detyrat ajrore ishin të vështira e delikate. Nuk i trëmbej syri atij njeriu.

-I uroj shokut tim të grupit, shumë shëndet e jetë të gjatë, si dhekthim të shpejtë në Atdhe!

7) Vangjel Koroveshi; Sikur të mundja, do ti kisha përfshirë të gjitha fjalët e mira që mund të thuhen për një njeri, për të portretizuar Vangjel Koroveshin; pilotin cilësor të avionëve supersonikë Mig-21 dhe njeriun e mirë, me zemër të bardhë e me fjalën që ngjiste fort. E kam njohur qyshse ishte kursant për pilot, në vitin 1966. Vangjeli, me hapa të sigurtë, qetë-qetë, u ngjit nga njëri tip avioni në tjetrin, me pak orë fluturim, por me shumë përgatitje dhe me kujdes të shtuar. Fakti që gjatë jetës së gjatë të tij në fluturim, nuk i ndodhi asnjë premisë, është shumë domethenese.

Vangjel Koroveshi, me fjalën si mjaltë e me urtësinë e një mentari të moshuar, gjithnjë i qetë e me zemër në dorë, fitoi zemrat e kolegëve dhe të vartësve, duke u ngjitur në detyrën e lartë të komisarit të skuadriles të avionëve Mig-21. Fjala e tij e mënçur, e thënë me gjuhë të ëmbël, ngjiste fort e linte gjurmë siç lë pika e ujit që rrjedh vazhdimisht mbi një gur. Për fat të keq, u nda shpejt nga jeta, kur shoqëria dhe familja kishin shumë nevojë për të. – I paharruar qoftë, kujtimi i tij!

Bëni durim, ju lutem për të transmetuar një “ amanet” nga një pilot veteran, me banim në Vlorë. Ai m’u lut tju dëftoj se në Pishëporo, për shumë vite ka fluturuar një myzeqar, i cili, ishte “ ajkë e qumështit”. Në libër ështe shkruar për komisarin e skuadriles reaktive Kristaq Mileti, i cili kishte një dëshirë e vullnet të rrallë, për të mësuar,ndaj rrugëtonte rreth 4 orë, në këmbë, çdo ditë për të shkuar nga shtëpia në shkollë. Kristaqit nuk i vajti mundimi dëm; ai, me vullnet e këmbëngulje u bë pilot cilësor, madje dhe mësues i fluturimit me kursantet dhe sillej me ta si vëllai më i rritur, me vëllanë më të vogël, me dashuri, përkujdesje e dashamirësi. Nuk e harroi baltën nga kishte ardhur Kiçua, prandaj e kishte gojën sheqer e dashurinë për njerëzit të pamatë. Besoj se shoku im i kujdeshëm, nuk do të kishte çfarë t’u shtonte vlerave  të atij njeriu që nuk mund të harrohet!

Ju falenderoj, për vemendjen dhe sakrificën!

Në Tiranë, më 24 prill 2016                     Përgatiti Niazi Nelaj

Shënim: Ky material u lexua përpara pjesëmarrësve në përurimin e librit të shkrimtarit e publicistit Aleksandër Çala “ Aviacioni dhe Myzeqeja”, në një sallë të Muzeut Historik Kombëtar, në datën 24 prill të vitit 2016. Meqënëse mjaft lexues të interesuar nuk janë njohur me të, jam i detyruar ta postoj në blogun : “aviacioni shqiptar. Com” me ballinë : Era e fluturimeve. Uroj lexim të këndshëm!

Autori

 

One thought on “Fjala në promovimin e librit të Aleksandër Çalës “Aviacioni dhe Myzeqeja””

  1. I dashur Niazi, të lumtë mendja dhe pena për dashurinë dhe respektin që ke derdhur për ata aviatorë nga Myzeqeja të cilët edhe unë i kam njohur dhe mendoj se kanë qënë nga më të mirët. I kujtoj me mall si të gjallët dhe të ikurit në Qiellin që e deshën aq shumë…, ku kanë ngelur të përjeshëm. Të falenderoj

Comments are closed.