Goxho Çelo Kondi, partizani pionier, njëri nga pilotët e parë të vendit

Jetët e njerëzve, janë të ndryshme; fati i tyre nuk është i njëjtë. Dikujt, gjithë jetën, nuk i thotë njeri: “Punë e mbarë”, por, për të punon fati. Një tjetër sakrifikon e rropatet, sa kohë është në jetë, por nuk e arrin dot atë që dëshiron. Në anët tona, për këtë të fundit (të pafatin), thonë: “Fati i tij, kushedi ku rrokullis gurë”! Nuk jam supersticioz e nuk u besoj fallxhoreve por, disa mesazhe që kanë mbërritur, deri tek ne, nga përvoja shumëvjeçare e njerëzve, i konsideroj.

Goxho Çelo Kondi, heroi i këtij rrëfimi, u lind në Kuç të Kurveleshit, në këtë trevë me atdhetari të spikatur, e cila ka nxjerë e ka rritur burra të rrallë, më 10 shkurt të vitit 1930. Familja e tij ish nga ato çerdhe trimash,që i përkiste shtresës së mesme, në fshat, me jetë të thjeshtë baritore që jetonte me djersën e ballit.Si mjaft bashkëfshatarë të saj, edhe Kondët ku u lind Goxhua, mbarështonin bagëti të imëta  (të dhirta) e shquheshin në këtë fushë.Në inventarin e blegtorisë të konakut të xha Çelos, vendin kryesor e zinin bravaret e imëta, që ushqeheshin me gjethe pylli- dhitë.

Babai i Goxhos, Çelua dhe nëna e tij- Refija,ishin lidhur me martesë, sipas zakonit të vendit dhe e shtuan çerdhen  që formuan, me prurjen në jetë të katër fëmijëve: Tre djem e një vajzë. Ata erdhën në jetë njëri pas tjetrit dhe sollën në atë vatër mjaft gëzim e lumturi. Dera e fisme e Çelo Kondit u shtua e u bë më e ndierë, si në fshat e në krahinë. I pari nga fëmijët erdhi Mahmuti. Pas tij u lind Goxhua e, pas tij motra Lefteri dhe djali i prasmë i atij çifti- Ymeri.

Fëmijërinë e herëshme, djali i zgjuar, i shpejtë e i shkathët, guximtar e trim, Goxho Kondi e përcolli pranë prindërve, e nën kujdesin e tyre dhe më të rriturve. Por jeta, me Goxhon u soll e ashpër.Kur ish ende i parritur e çapitej, pas bagëtive e në gjurmët e të atit, ai mbeti bonjak ; pa baba.Atëherë, Goxhua nuk qe më tepër se 9 vjeç. Kjo qe goditja e parë e fatit të mbrapshtë,  i rezervuar për atë  deli djalë i cili nuk iu nda gjat gjithë jetës.

Në atë mjedis blegtorësh të regjur, djali  çapkën i xha Çelos, i rritur mes kufizimeve të kohës dhe pa praninë e njërit nga prindët, gjë që ishte një humbje e pamatë,u mëkua me traditën e të parëve të tij e u formua me tiparet e një njeriu të drejtë e të ndershëm. Nuk e faforizoi fati tja përthithte babait, gjithë “nektarin” e traditës labe, dhe iu prenë në mes rrëfimet interesante të tij, për Heronjtë e hershëm e të rinj, të fshatit e të trevës, të cilat, Goxhua i dëgjonte, me vemendje e kënaqesi, me veshët ngretë e gojëhapur.

Bonjaku i vogël ish mësuar të bridhte atyre shpateve, pas bravareve. Pas humbjes të babait, djalit të shkathët Goxho Kondi, i duhej të qëndronte pak më i tërhequr e disi i drojtur, në raportet me moshatarët. Familjarët dhe të afërmit e tij, tashmë e donin atë, ta kishin në sy, mbasi ishte shumë i shkathët, ndonëse nuk bënte prapësi, nga ato të moshës së tij. Por, qëndrimi në shtëpi, mes mureve e kufizimeve të avllisë, për Goxhon ish e pamundur.  Shtëpia dhe oborri i saj, “nuk e nxinin” bariun e vogël. Ai kish nevojë për tringëllimën e zileve të dhive, për erën e freskët që fryn nga lugina e Shushicës e nga qafa e Dërrasës si dhe nga Qafa e Shkallës, që zbret në Kudhës e Qeparo. Goxhon e shlodhte dhe e relaksonte ulja, mbi një shkurre në Pyllin e Gjomollës, me drurë lisi dhe në atë të Gjoshkurtës pranë. Ai e shuante etjen, vetëm në Buronjat e  rrëzëmalit dhe i pëlqente të kapërcente nëpër gurët e Shurit të  Kuçe.

Për Goxhon e vogël  ish e panjohur frika. Pas të atit, duke u kujdesur për ushqimin e bravareve, ditën dhe natën, nëpër ato gurishte, e shtigje mali, ku në çdo hap mund të thyeje qafën e të ndeshje egërsira, të cilat vareshin deri afër fshatit, pas bagëtive, Goxhua “ vrau” frikën e nuk i lëvizte qerpiku  edhe kur i duhej të rrugëtonte natën, i vetëm, nga shtëpia, në stan, për ti çuar ushqim të atit apo në raste të tjerë.

Mbetja bonjak, e detyroi Goxhon ta hidhte vështrimin më tej e të lidhej më ngushtë me shokët. Djali i vogël, me trup të imët e i veshur keq; me një palë shollë të sajuara në këmbë,  sa të mos i vriteshin këmbët, nga gurët, kërkoi shoqërinë e djemve të fisit e jashtë tij. Në rrethin shoqëror të Goxho Kondit, ende fëmijë, kish moshtarë të tij, por kish dhe mëtë rritur në moshë. Njëri nga shokët e tij, natyrisht më i rritur, kish hobi- gjahun. Largimi i djalit ( Goxhos) larg familjes, ishte në kundërshtim me dëshirën e nënës së tij, Refijes.Ajo, pas ndarjes nga jeta të të shoqit, si klloçka zogjtë, i donte fëmijët rreth vetes e shqetësohej, kur ndonjëri, bëhej “ mistrec” e dilte nga “ vatha”, siç shqetësohen nënat labe, por jo vetëm, për të pjellët e tyre.

Babanë, Goxhua e donte shumë e nuk e ndjente si kalonte koha, kur ishte pas tij e në gjurmët e bagëtive të imëta që kish përpara. I ati i dëftente historira e rrefime trimash me fletë, nga të parët e fisit Kondi e nga bashkëfshatarët e tij; i fliste për heronjtë e shumtë të fshatit dhe për trimat  “levendë” të asaj treve që lind e rrit djam e vajza sypetritë. I ati i jepte mësimet e para: për natyrën, për bukuritë e fshatit dhe të krahinës, për pyjet, burimet, drurët e pyllit, gurët, kafshët shtëpiake dhe ato të pyllit, për egërsirat etj rrëfime interesante. Ai ishte mësuei i parë i Goxho Kondit, në lëmin e edukimit me vetitë e virtytet e të parëve të tij. Babanë, Goxhua e kishte shtyllën ku mbështetej, i sigurt e pa merak. Ai i mësoi dhe pemën e trungut gjenealogjik, i foli për  lidhjet e gjakut  e për miqësitë të familjes së tyre, me të tjerët.

Nuk dimë kur e si i lindi në mendje Goxhos së vogël, ideja për t’u bërë pilot e për të fluturuar, si era që qarkullonte, nga të gjitha anët, në Kuç dhe si zogjtë e qiellit. Një ditë, kur po bisedonte me një shokun e tij, më të rritur në moshë, i cili ishte djalë i një gjahtari të fshatit dhe i rrëfente Goxhos për vështirësite e gjuetisë, Goxhua, papritur, i tha:” Ti mos u mërzit, shoku im, prit dhe ca, se unë do të bëhem pilot e kur të vij mbi pyllin e Gjomollës e të Gjoshkurtit, me zhurmën e aerplanit tim do të tremb derrat që fshihen në pyll, të cilët do ti nxjerr në shteg, që ti dhe babai yt t’i vrisni”. U habit tjetri por nuk  zgjati. Vetëm i përkëdheli  kokën Goxhos e miratoi vendimin e tij prej fëmije.

Kur e çmojmë këtë deklaratë të të parriturit Goxho Kondi, pas kaq vitesh, na habit fakti i parashikimit të tij fëminor. Ç’të ish kjo vallë? Një fantazi fëmije? Apo një parandjenjë e largët? Ndoshta i pëshpëriti në vesh, ëngjëlli i tij mbrojtës? Ose dëshira e tij e mirë, për ti ardhur në ndihmë shokut të tij? Një gjë u duk e qartë dhe në të pastajmen, madje në shkallë të shumëfishuar: Goxhua ishte një njeri shpirtbutë e shpirtmirë. Ai bëhej copë e çikë, kur ishte fjala, për t’iu ndodhur tjetrit në krah.  Mirësia e e shpirtit e shoqëroi atë njeri, si në fëmijëri dhe në rini e në pleqëri. “Shpirt njeriu”, ishte bonjaku nga Kuçi i Labërisë. Mirësi falte ajo zemër e ndjeshme dhe me dhimbsuri të pamatë.

Nuk mjaftoi mbetja pa baba, në atë moshë,kur ai i duhej shumë. Pak pas të atit, u nda nga jeta dhe e ëma, Refija, në vitet e parë të Luftës çlirimtare që kishte nisur. I mbetur jetim, ngatë dy prindërit dhe kur gjithë të afërmit kishin ikur në luftë e kishin marrë anën e çlirimtarëve, Goxhos nuk  mbeti tjetër udhë veç t’u bashkohej  radhëve partizane.  Ishte akoma i parritur. Sapo kish mbushur 12 vjeç dhe nga shtati vinte imcak, por me zemrën e kishte “ zjarr”dhe ihte mjaft i shkathët. Fundviti 1942 e gjeti Goxho Kondin partizan; në radhët e Brigatës së Tetë. Drejtuesit e njësiteve partizane të Brigatës së Tetë, panë tek Goxhua i vogël,  modelin e korrierit partizan të shpejtë, të zgjuar e besnik. E vunë në provë: shpejtësinë, shkathtësinë dhe besnikërinë e tij dhe i ngarkuan detyrën e rëndësishme të korrierit partizan. Goxhua, dha prova se ishte mjaft e gjetur kandidatura e tij, për të çuar e për të prurë, njoftime, urdhra e materiale me përmbajtje të fshehtë e të një rëndësie tëveçantë.

Në zjarrin e luftës, pa iu trembur syri, imcaku nga Kuçi, jetimi Goxho Kondi, i cili e gjeti familjen dhe mbështetjen tek formacionet partizane, duke kryer detyrat e korrierit partizan, u rrit e u kalit e u bë, si gjithë shokët e tij në formacionet partizane, një djalë “ fajkua”, për nga shpejtësia e kryerjes së detyrave dhe  syçeltësia e qendrueshmëria  për të ruajtur, me fanatizëm, fshehtësinë e materialeve që transportonte. Ai ishte trim e në mal, trimëria e tij gjeti terren e mori krahë.Si pjesëtar aktiv i formacioneve partizane, Goxho Kondi, shkeli , mal më mal e shteg më shteg, nga Kuçi, në luftimet që zhvilloi Brigata e Tetë, nga Zagoria, deri në Vishegrad.Në zjarrin e luftës partizane, tek Goxho Kondi, u rizgjua e mori krahë ëndrra e tij, për t’u bërë pilot. Ai, tek vraponte për të shpurë njoftime të rendësishme, nga njësia në njësi, vështronte si kacafyteshin me njëri-tjetrin aeroplanë të fuqive kundërshtare, mbi qiellin tonë, ku disa ishin superiorë e disa të tjerë dilnin me humbje ( rrëzim aeroplanësh). Vendi ynë, të cilin Goxhua e donte shumë dhe dëshironte ta shikonte një ditë të lirë, ishte bërë shesh beteje. Aeroplanët e fuqive agresive  qarkullonin lirisht në hapsirën tonë ajrore, pa pyetur njeri e pa u hyrë asnjë gjëmb në këmbë. I sëmbonte në zemër djaloshit të ri, nga Kuçi dhe, duke ushqyer ëndrrën e fëmijërisë , për t’u bërë pilot, u tundte dorën avionëve të huaj e dukej sikur thosh:” Bëni qejf, ju, bëni, sa të bëhem unë pilot, pa do ta shikoni me dylbi qiellin e vendit tim.

U çlirua Shqipëria e Goxhua, tashmë, më i rritur e më i kalitur, u kthye në fshatin e lindjes, por atje nuk gjeti asnjeri  nga të tijët. Masakra e fashistëve, të  cilët për t’u hakmarrë ndaj banorëve të Kuçit, që kishin marrë anën e çlirimtarëve,  kish kthyer në gërmadhë e kish shndërruar në pluhur e hi, shtëpinë e Çelo Kondit. I mbetur fillikat e me shkollë të pambaruar, Goxhua, si partizan i vogël, në vitin 1945, kur u çel, për herë të parë Shkolla e Mesme Ushtarake “ Skënderbej”, u ul, së bashku me moshatarët e tij, ish partizanë, në bankat e kësaj shkolle, me emrin e  Heroit tonë Kombëtar.

Kaloi tre vjet, në bankat e shkollës “ Skënderbej”, ku vijoi programin mësimor të shkollës së mesme, dhe,në vitin 1948, së bashku me një grup djemsh, të përzgjedhur nga radhët e ish partizanëve, u nis për të studiuar aeronautikë, në shkollën jugosllave të aviacionit. Shokë të tij,në këtë ndërmarrje të re, për Goxho Kondin u bënë:  Haki Jupasi; Seo Trola; Refat Kasimati; Sejdo Kamberi; Mersin Minxha etj.   Ata, bazuar në të dhënat fizike, mbasi  kishin kaluar me sukses testet përkatëse, do të bëheshin pilotë, në shkollën Jugosllave të aviacionit, me qendër në qytetin Pançevo.

Para tyre, qysh në vitin 1945, kishin shkuar, në atë shkollë, po për të mësuar aeronautikën, 50 djem të zgjedhur, të cilët kshin nisur të shkolloheshin, në fushën e fluturimit dhe në atë të sigurimit tokësor të fluturimeve. Grupi i tyre ish i përparuar dhe kursantët për pilotë: Niko Hoxha; Babaçe Faiku; Fari Bubësi; Vasil Trasha; Edip Ohri; Hasan Shyti; Estref Sherko; Mili Grebizi; Areteo Konomi etj. mbasi kishin kaluar proçesin teorik, kishin fluturuar në disa tipa avionësh.

Kursantët, që shkuan në vitin 1948, në fillim të vitit, pa përfunduar proçesin teorik e pa nisur stërvitjen në ajër, për shkak të ndërprerjes së mardhënieve mes dy partive e dy shteteve tanë, u kthyen në Atdhe.  Ata erdhën, në Shqipërinë e asaj kohe, e cila sapo kish dalë nga lufta, e drobitur dhe e shkatërruar, pa zënë fill, detyrën kryesore  për të cilën kishin shkuar ( mësimin e të fluturuarit).

Djaloshi nga Kuçi i Vlorës, Goxho Kondi, i cili e kish pritur vajtjen në shkollën jugosllave të aviacionit për të mësuar aeronautikën e për t’u bërë pilot,si një fat, që u kujtua,më në fund për të, për ti dhënë jetë ëndrrës së tij të dashur.Por, kthimi, para kohe në Atdhe, e zhgënjeu keqas por ai nuk i humbi shpresat. Kishte bindje  të brendshme Goxhua se, një ditë edhe atij do ti buzëqeshte fati .

Mbasi qendruan pak kohë pranë familjeve, ish kursantët për pilotë të grupit në të cilin bënte pjesë Goxhua , sërish u rrjeshtuan, me qëllimin që të shkonin për t’u bërë oficerë, në shkollat  ushtarake të Bashkimit Sovjetik, në profile të ndryshëm. Këtu ndodhi diçka interesante dhe e bukur, e cila dëshmoi  për vendosmërinë e Goxho Kondit për t’u bërë pilot.

Në një ditë vjeshte, në oborrin e Shkollës Ushtarake “ Skënderbej”, në prani të disa kuadrove me funksione të larta në Shtatmadhorinë e Ushtrisë Shqiptare, u bë një rrjeshtim, me prapamendim. Do të përzgjidheshin kandidatura, nga ish skënderbegasit  për të shkuar, për studime të larta, në shkollat ushtarake sovjetike. Kuptohet, djemve të rinj u duhej dhe ndonjë përkrahje e shtysë, që të shkonin në degë e shkolla të zgjedhura, e të preferuara, për opinionin vendas. Goxho Kondi e kishte “ndarë mendjen”; ai do të bëhej, domosdo pilot. Këtë ëndërr, ai  ia kish ushqyer vetes që në fëmijëri.  Tani, kur ai ishte më i rritur e më i formuar, kish vendosmërinë e burrërinë të këmbëngulte në të tijën, përpara kujtdo qoftë.

Një i afërm i tij, me gradë të lartë e me peshë, në fushën e mbrojtjes së vendit, gjenerali Qazim Kondi, emrin e të cilit, Goxhua nuk  permendi kurrë, si të tijin, për të përftuar privilegje e lehtësira të pamerituara. Duke menduar se po i bënte një të mirë, djaloshit nga fisi i tij, Qazimi, e mori Goxhon nga dora dhe e futi në rrjeshtin e adoleshentëve që do të shkonin në shkollë, për të mësuar mjekësi.

Ndodhia gazmore e interesante u zhvillua prapa krahëve të Qazimit. Ai e linte Goxhon në rrjeshtin e mjekëve të ardhshëm, por, sapo të kthente krahët xhaxhai, Goxhua, me vrap shkonte e futej tek radha e pilotëve. Kjo ndodhi u përsërit  2-3 herë. Kur e pa vendosmërinë  e nipit, i cili përsëriste, me zë të fortë, që ta dëgjonin të pranishmit: pilot; pilot, dhe se nuk mund tja mbushte dot mendjen, Xhaxhai me funksione të rëndësishme e me atë trup gjigandi, e kërcënoi, duke i tundur gishtin , përpara fytyrës, Goxhos, e i tha: “ Bëj si të duash, unë heq dorë nga imja”! Doli fitimtar, në idenë e tij jetimi nga Kuçi , i cili u rrjeshtua tek shokët e profesionit të tij të dashur, të cilin e kish ëndërruar që kur ishte i parritur dhe kish hyrë në udhën e konkretizimit të kësaj dëshire fantastike, kur vajti në Jugosllavi.

Në fund të nëntorit të vitit 1948, me një aeroplan transporti të Ushtrisë së Kuqe, u ngritën nga aerodromi i Laprakes, në Tiranë e u ulën në atë të Moskës, kandidatët për pilotë, Goxho Kondi dhe shokët e tij: Haki Jupasi ; Refat Kasimati;Sejdo Kamberi ; Seo Trola dhe Mersin Minxha. Mbasi fjetën një natë, në Moskë, të gjashtë shokët, të cilët i kishin nisur studimet në Jugosllavi,por i kishin ndërprerë ato, hipën në tren, dhe, pas katër ditësh, mbërritën në Siberi. Ata u sistemuan në qytetin “Engels” mbi Vollgë, në shkollën e aviacionit sovjetik “ Maria Raskova”. Kjo shkollë, e cila mbante emrin e gruas pilote me të njëjtin emër e cila kryesoi disa  regjimente pilotësh sovjetikë, në Luftën e Dytë Botërore, ishte me përvojë të pasur e cilësore , për përgatitjen e pilotëve bombardues.

Aty, të vajturit rishtaz, gjetën shokët e tyre, ishskënderbegas: Bajram Hitaj; Flamur Mickaj; Shaqo Hoxha; Lulo Musai ( Spahaj); Refit Jazoi; Hektor Lako; Elmaz Hasamataj; Gani Gjondedaj; Riza Ramadani dhe Qemal Mërtiri, me të cilët ata njiheshin mirë. Këta, mbasi kishin shkuar për pushime,  në Atdhe, me një urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë tonë dhe me ndërhyrjen e këshilltarëve sovjetikë të çështjeve ushtarake, u rikthyen në Novosibirsk, për të  ndryshuar destinacionin. Ata do të përgatiteshin e do të diplomoheshin si pilotë gjuajtës. Sipas brendisë të atij urdhri, të papritur, Ushtrisë Shqiptare, e cila mbronte kufijtë e vendit të saj, nuk i duheshin aeroplanë bombardues por gjuajtës, siç qe, në atë kohë avioni i fuqishëm Jak-9P.

Goxho Kondi

Më 26 Prill të vitit 1951, në orën 7.00, grupi i pilotëve ku bënin pjesë: Flamur Mickaj; Lulo Musai  (Spahaj); Bajram Hitaj; Hektor Lako;Shaqo Hoxha; Gani Gjondedaj ( Selami); Qemal Mërtiraj; Elmaz Hasamataj;Riza Ramadani dhe Refit Jazoj, zbriti në qytetin e Novosibirskut dhe djemtë nga Shqipëria shkuan në shkollën  e mirënjohur prej tyre:“ Maria Raskova”, ku u bashkuan me shokët e tyre : Haki Jupasi; Refat Kasimati; Goxho Kondi; Sejdo Kamberi; Mersin Minxha; Seo Trola; Shahin Vala; Xhorxhi Sinjari dhe Shaban Danaj; tre të fundit kishin ardhur nga qyteti  Borisoglebsk. Po nga ky qytet erdhën në shkollën “ Maria Raskova” dhe oficerët: Vasil Qeraxhi; Koço Andoni dhe Viktor Laçi, të cilët i përfunduan studimet në muajin dhjetor të vitit 1951.

Të vajturit rishtaz në shkollën “ Maria Raskova”, grupi ku bënte pjesë Goxho Kondi, e nisën veprimtarinë me veshjen dhe sistemimin në fjetinë e në mjedisete tjerë të jetesës. Ishte dimër e në rajon kish nisur të binte borë. Rrugicat ishin të mbuluara nga akulli, i  cili kishte ngrirë e ishte i rrëshqitshëm. Kursantët nga Shqipëria ishin të pamësuar me klimën e fortë kontinentale të Siberisë. Ata vinin nga një vend  Mesdhetar, si vendi ynë, ku, përgjithësisht klima është e ngrohtë, si të tillë e kishin të vështirë të qarkullonin nëpër rrugët kallkan të qytetit .

Në një pistë patinazhi, ku shkuan tanët, në një qytet klimaterik ku pushonin oficerët sovjetikë, tanët qendruan  21 ditë dhe u stërvitën për të bërë patinazh e ski nën drejtimin e vajzës së Mareshallit të Bashkimit Sovjetik, Jerfonenko, e cila banonte aty pranë, në vilën e babait të saj. Moszotërimi i patinazhit nga tanët, binte lehtë  në sy të vendasve mbasi ata i shikoje  të shumtën e kohës,të shtrirë përtokë, duke rënë me të ndënjura mbi akull.

Bashkimi i dy grupeve, nuk pati  asnjë problem lidhur me kompaktësimin e tyre, mbasi ata njiheshin,  prej kohësh, me njëri-tjetrin e ishin shokë. Kishte dhe një faktor tjetër të qënësishëm që e bënte të mundur unitetin dhe kompaktësinë mes tyre:  kur shqiptarët gjenden jashtë vendit të tyre, e larg të afërmve, lidhen më shumë me shoku-shokun.

Oficerët shqiptarë që erdhën nga Çkallovi, u lidhën shpejt me studentët hungarezë, të cilët, për hir të së vërtetës, ishin me nivel më të lartë nga tanët  dhe më të disiplinuar. Duke fjetur në të njëjtin mjedis me studentët nga Hungaria, tanët, shpejt u përshtatën me ta dhe kishin respekt të ndërsjelltë për njëri-tjetrin.

Le të kthehemi tek jeta e kursantëve shqiptarë, për pilotë, të të dy grupeve që u shkrinë në një të vetëm:

Për tre vjet me radhë, grupin e drejtonte djali  i shkathët e i zoti, nga Tragjasi i Vlorës- Qemal Mërtiri. Ai, për shkaqe vetjake dha dorëheqjen  e, në vend të tij u caktua drejtues i grupit të bashkuar, kolonjari i talentuar  e i pasionuar pas fluturimit – Haki Jupasi. Në grup ishte dhe Elmaz Hasamataj, nga Smokthina e rrethit të Vlorës. Ai ishte më i shkolluar se të tjerët, por që nuk i pëlqente detyrat shoqërore. Këtë qendrim të vetin , Elmazi e argumentonte me mendimin se caktimi në një detyrë do ta largonte nga shokët, me të cilët ishte mjaft i lidhur e i donte shumë.

Në një vizitë mjekësore të specializuar, pesë nga kursantët që erdhën nga  shkolla famëmadhe e Borisoglebsit, midis të cilëve : Shaban Danaj; Xhorxhi Sinjari; Shahin Vali e Seo Trola,u deklaruan të paaftë për të fluturuar në aeroplanët gjuajtës dhe, pas festimit të 1 Majit 1951 të gjithë u larguan nga shkolla “ Maria Raskova”, e u dërguan  për t’u specializuar në profesione të tjerë, pranë aviacionit.

Në muajin shtator të vitit 1951, në shkollën “ Maria Raskova” erdhën, nga Moska, oficerët shqiptarë të aviacionit, pilotët: Niko Hoxha dhe Edip Ohri, të cilët ishin duke ndjekur studimet në vitin e fundit të Akademisë të kuadrove drejtues të aviacionit. Ata do të fluturonin për përvetësimin e aeroplanit gjuajtës Jak-9P. Ardhja e tyre në shkollë, i ngrohu kursantët shqiptarë dhe forcoi, më tej lidhjet e tyre  me vendlindjen. Të dy oficerët ishin të pjekur e të mirëformuar, si pilotë e si kuadro ushtarakë të aviacionit. Ata kishin shkuar në Akademi , për të zgjeruar njohuritë drejtuese , në fushën e aviacionit e si gjithëarmësh. Arritjet e tyre binin në sy të kursantëve, të cilët përpiqeshin ti imitonin.

Rusët e duan dhe e respektojnë shumë rrobën ushtarake. Ata, edhe mbasi  dalin në pension pleqërie, vishen me uniformë ushtarake, vendosin në gjoks serinë e dekoratave të shumta, rëndom,  venë edhe kapelen me shënjën  e armës ku kanë shërbyer, me përjashtim të pjesës së emblemës me yll.  Drejtuesit e shkollës së aviacionit ku shkuan kursantët nga Tirana, si të fiksuar që ishin pas uniformës, i pajisën tanët me veshjet e dimrit, që ti ruanin nga të ftohtit dhe për ti patur të njëjtë nga pamja e jashtme, me ushtarakët e tyre në atë garnizon. Shkuan në depo  (kaptjorkë) rishtarët, të cilët, me ndihmën e shokëve të tyre që kishin shkuar më parë në atë shkollë, u veshën me uniformën e punës; provuan dhe atë të daljes së lirë. Problemi  më i madh, që u lindi gjatë veshjes së uniformës, ishte veshja e peceve prej fanellati, nën çisme e brenda çismeve valenki ( një lloj Çisme, e punuar me shajak, siç punohen tek ne qeleshet). Gjatë veshjes së uniformës, Goxhos, i ngjau një episod, interesant, të cilin po ua kursej për më poshtë.

Pas akomodimit në mjediset e përbashkët; fjetinë, mensë,bibliotekë, klasa, etj. Goxho Kondi dhe shokët e tij të grupit, nisën përgatitjen teorike. Kur studionin në Jugosllavi, ata e kaluan programin teorik, të fillestarit, në fushën e aeronautikës por, në shkollën “ Maria Raskova”, e cila njihej si shkollë e konsoliduar, djemtë që ishin piketuar për pilotë, gjetën rregulla të tjera e të ndryshme nga ato që lanë pas. Ata iu nënshtruan, sërish proçesit teorik, me program të plotë, gjë që ishte një përsëritje e rëndomtë dhe e mërzitshme  e programit që kishin përcjellë në Pançevo. Në fjetinë, ishin në mjedise të përbashkët me studentët hungarezë, me të cilët, për hir të së vërtetës, kaluan qetësisht, nën kujdesin e shqiptarëve më “ të vjetër”, në atë shkollë.

Grupi i studentëve që erdhi në dhjetor 1948, në qytetin e “ Engelsit”, e shfrytëzuan kohën për të mësuar teorinë dhe për të njohur qytetin, jetën e atyre njerëzve dashamirë ndaj tanëve dhe mjaft bujarë, në shpirt e të vemendshëm ndaj shqiptarëve. Në këtë proçes,  adoleshentët e ardhur rishtaz, përcollën edhe njohjet e para, me njerëz të moshave, niveleve, sekseve, profesioneve e karaktereve të ndryshëm.

Është i mirënjohur fakti se, në ata vite, të cilët përkonin me  pasluftën e Dytë Botërore në hapsirat  sovjetike, ishte eviente një krizë martese. Në luftë ranë mjaft milionë njerëz, shumica e të cilëve ishin në moshë vitale, rreth 20 vjeç. Shumë vajza të reja plakeshin të vetmuara dhe ishin të gatshme të shkonin, në çdo pikë të globit, mjafton të gjenin një burrë. Lidhjen me të huajt, në veçanti me  djemtë shqiptarë e kishin mjaft të dëshiruar.

Djemtë tanë, të cilët ishin në moshë mjaft të re dhe vinin nga një vend si Shqipëria e asaj kohe, me atë mentalitet e psikologji dhe me një prapambetje ekonomike, të njohur, kishin një farë droje, në raportin djalë-vajzë. Ata paraqiteshin të rezervuar e “ të turpshëm “ edhe në mbrëmjet e vallëzimit, të cilat, sidomos në ditët e shtuna shndërroheshin në arena gëzimi e relaksimi masiv në radhët e të rinjve. Goxho Kondi, një djalë  që nuk i kish  kapur ende të njëzetat, për shkak të origjinës dhe gjendjes sociale, i edukuar shëndetshëm, në një familje fisnike, ku ndershmëria ishte evidente,  në luftën partizane dhe në shkollën ushtarake “ Skënderbej”, ndonëse Zoti dhe prindërit i  kishin  dhuruar një pamje të hijëshme, madje simpatike dhe kishte një fizik të shkathët e të zhdërvjellët,në këta raporte njerëzore, qëndronte disi i tërhequr, e nuk përfshihej në aventura rinore edhe kur  ndonjëri nga shokët e tij të  grupit,  ishte mjaft i hedhur, e me sjellje maço.

Për tiu përshtatur më mirë fytyrës së tij simpatike, të “ hequr”, bojë gruri dhe me mjekër disi të zgjatur dhe  për hobi, Goxhua, aso kohe, la mustaqe, të cilave ai u bënte shërbim të veçantë, e i mbante “ spic”. Për shkak ngjashmërie me personazhin e romanit “ Doni i Qetë” të Mihail Shollohovit- Grigor Melehovit, shokët e grupit, e më pas edhe të tjerë nisën ta thërrisnin Grisha,  (përkëdheli e emrit Grigor). Këtë novkë, shokët e Goxhos e  sollën dhe në Shqipëri e, në mjedise aviacioni, Goxhos i thonin : Grisha. Kështu më pëlqen dhe mua ta quaj.

Qendrimi i Goxho Kondit dhe shokëve të tij të grupit, në qytetin “ Engels” të Siberisë,vazhdoi deri në muajin dhjeror të vitit 1951, kur ata u shpërngulën në aerodromin fushor të Tollmaçovos, 20-30 km . në  Jug-Perëndim të qytetit “ Engels”. Aerodromi  i Tollmaçovos kish përparësinë se mund të shfrytëzohej për të fluturuar, gjat gjithë vitit. Kushtet e jetesës, në Tollmaçovo ishin më të mira se në “ Engels”. Kursantët nga Hungaria, të cilët banonin në mjedise të përbashkët me tanët,  ishin më të përparuar e më të disiplinuar por vendasit kishin simpati, më së shumti për shqiptarët. Siç duket, tanët ishin më pranë mentalitetit rus e ishin më të drejtpërdrejtë, në raportet me ta.

Në kulmin e dimrit, kur të ftohtit e acartë të Siberisë kish nisur të dëftojë “ dhëmbët”, kursantët nga Shqipëria nisën fluturimet. Fillimisht, ata filluan të fluturonin me aeroplanët mësimorë UT-2, i cili ishte tepër primitiv, aspak komod, aq sa vendasit i kishin vënë novkën “ Çakalli”. Në atë dimër të egër, kur temperaturat e mjedisit arrinin shumë gradë, nën vlerën zero, kursantëve u duhej të dilnin në start ( ambientet e fluturimit ) kur era të bënte kallkan dhe, nga të ftohtit, zogjtë fluturakë rrëzoheshin përtokë e rripi i mesit thyhej me lehtësi. Avionët me të cilët ata nisën të fluturonin përdornin ski, nën rrota, në mënyrë që të qarkullonin lehtësiaht e te ngriheshin e të uleshin me lehtësi, mbi qilimin e bardhë të borës.

Avioni mësimor UT-2, nuk ishte aspak komod e i lehtë për t’u drejtuar nga piloti. Mësimi i tij nga kursantët vështirësohej mjaft. Qe gëzim i madh, mes kursantëve dhe instruktorëve të tyre, kur ky tip avioni u zëvëndësua nga aeroplani i lehtë mësimor Jak 18U, i cili u bë avion i preferuar për fluturuesit. Ai ishte një hap përpara, krahasuar me paraardhësin e tij.

Vrasja, në një fluturim stërvitor, në zonë e kursantit Qemal Mërtiri, nga Tragjasi i Vlorës, dhe përcjellja e tij në banesën e fundit, pa praninë e familjarëve dhe të  afërmve, në varrezën e qytetit, nën borën e trashë, ishte një goditje e rëndë për kursantët shqiptarë. Në përcjelljen e tij morën pjesë, përveç ushtarakëve të garnizonit, mjaft qytetarë, nga Novosibirsku e Tollmaçovo dhe nga gjithë treva, solli një farë përjetimi disi ligështues, tek kolegët shqiptarë që fluturonin atje, gjendje, e cila u kapërcye shpejt,por jo pa dhimbje.

Goxho Kondi, e donte shumë avionin dhe fluturimin. Ai bënte të gjitha përpjekjet e mundëshme për të përthithur gjithë sa i dëftonte instruktori  i tij sovjetik, në tokë e në ajër. Me korrektesë shëmullore, Grisha, përvetësoi , një nga një, të gjithë elementët e fluturimit dhe, me këmbëngulje e vullnet të fortë, duke “ ecur” tok me shokët e grupit, përfundoi programin e fluturimeve, duke kaluar nga njëri tip avioni në tjetrin, nisur nga ai Jak-11; Jak-9V dhe Jak-9P.

Në 29 Gusht, të vitit 1952, Goxho Kondi dhe shokët e grupit të tij, i lanë lamtumirën shkollës “ Maria Raskova” dhe qytetit të Novosibirskut e morën udhën për t’u kthyer në Atdhe. Ata, deri në Moskë u shoqëruan nga  nënkoloneli sovjetik – Kosarev. Rrugëtimi, me tren, deri në Moskë, zgjati 5 ditë. Në Moskë, ata u takuan me të tjerë kursantë e oficerë shqiptarë, mjaft nga të cilët, të njohur të tyre. Edhe ata, me shkollë të përfunduar, do të ktheheshin në Shqipëri, pranë familjeve të tyre dhe në detyra të reja. Grisha dhe shokët e tij të grupit, ishin diplomuar pilotë gjuajtës e ishin titulluar oficerë, me gradën e nëntogerit. Rrugën për në Odesë, ku do të hipnin në anije, nëntogerët e rinj e bënë me tren.  Në Odesë ata hipën në anijen sovjetike “ Çitauri”, mbasi e  kishin kaluar natën , në shkollën e artilierisë të qytetit.

Në Varna të Bullgarisë, në një kupe të veçantë, të destinuar për vipa, u ngjit Gogo Nushi, në atë kohë anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të P.P.SH. Gjatë rrugës, oficerët e rinj dhe partiaku i lartë shkëmbyen mendime. Ata e bënë me dije udhëheqësin e partisë e të shtetit se gradat, atyre ua kishte akorduar  Ministri i Mbrojtjes i Bashkimit Sovjetik, Mareshalli Vasilienko. Jo pa revoltë, Gogo Nushi, ishte shprehur se “ Gradat, oficereve tanë ua jep Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare”. Pas katër ditësh lundrimi, nga Odesa, në mëngjes, kur sapo mbuloi dielli dhenë, Goxho Kondi dhe shokët e tij, mbërritën në Durrës. Duke zbritur shkallët e mjetit lundrues, djemtë e rinj, i përkëdheli , siç u fërkon nëna flokët fëmijëve të saj, era e freskët e detit që lag brigjet e tokës mëmë. Në hyrje të portit i priti Niko Hoxha dhe Edip Ohri. 10 ditë më parë, ishin kthyer në Atdhe pilotët: Petrit Majlindi; Kosta Dede; Liktor Stafa; Zebo Durmishaj dhe Sulo Saliaj, të cilët kishin fluturuar në shkollën sovjetike të aviacionit, në aeroplanët “ YLA-5”, të përdorur nga aviacioni sovjetik, në Luftën e Dytë Botërore. Erdhën në Tiranë dhe, pas pushimeve, të domosdoshme pranë familjeve, të gjithë u paraqitën në Skuadrilen e aviacionit, në Laprakë, ku sapo ish formuar reparti luftarak i aviacionit shqiptar, i cili kishte grumbulluar avionë, pilotë e specialistë  të ndryshëm. Goxho Kondi  dhe shokët e tij u emëruan në Skuadrilen e Laprakës, ku, një vit më parë ishte formuar reperti i parë luftarak i aviacionit shqiptar, me një urdhër të posaçëm të Shtatmadhorisë. Organizimi i të gjithë kualiteteve, në një repart luftarak aviacioni ishte një hap i madh përpara dhe kusht për ta bërë ushtrinë tonë të kompletuar me specialitete të domosdoshëm si rojat e qiellit. Në atë kohë, aviacioni ynë dispononte një skuadrile me avionë gjuajtës, të fuqishëm Jak-9Pdhe disa avionë të tipave të tjerë, si Jak-11; Po-2 etj. Goxhua dhe shokët e tij, në vitin e parë të shërbimit fluturuan në tipa të ndryshëm avionësh.

Në repartin e aviacionit ku u rrjeshtuan, pilotët e grupit ku bënte pjesë Goxho Kondi , gjetën pilotë të klasit të lartë, si Vasail Trasha; Niko Hoxha; Babaçe Faiku ( Imeraj); Edip Ohri; Peço Polena; Fari Bubësi etj . Të gjithë e kishin syrin tek avioni Jak-9P, i cili ishte njëri nga gjuajtësit më të fuqishëm e më të manovrueshëm të kohës dhe që dispononte fuqi zjarri të madhe. Për të fluturuar në këtë tip avioni, ishte përgatitrur e diplomuar dhe Goxho Kondi.

Pas formimit të repartit luftarak të aviacionit, në aerodromin e Laprakës, në kushte tejet të vështirë, me një superstrukturë që limte për të dëshiruar, me një çift aereoplanësh Jak-9P, u vendos gatishmëria luftarake, me  kohëzgjatje 24 orë.Qysh atëherë u hoq nga shërbimi roja, me patrullim  në ajër, natën, e avionëve Po-2. Para se të nisnin fluturimet me avionët Jak-9P, Goxhua dhe shokët e tij fluturuan  me avionët Po-2, në një ngritje që kish për qëllim njohjen e territorit të vendit. Pastaj u stërvitën në fluturime me Jak-9V e me Jak-11 dhe, kur u bënë gati, u futën në formacion e në gatishmëri roja, me avionët Jak -9P. Duhet thënë se, pilotët e rinj, përftuan shumë nga përvoja e fluturuesve, me përvojë që drejtonin repartin e parë luftarak të aviacionit tonë; në veçanti nga aftësitë fluturuese dhe drejtuese të Niko Hoxhës e Edip Ohrit dhe nga talenti i Vasil Trashës, Peço Polenës, Kosta Dedes, Haki Jupasit etj.

Në vitin 1954, një grup pilotësh, të zgjedhur, me cilësi të veçanta si fluturues dhe me perspektivë, si Niko Hoxha; Fari Bubësi; Edip Ohri; Vasil Trasha, Haki Jupasi; Babaçe Faiku, Koço Andoni; Peço Polena etj. u dërguan në bazën ajrore të Groznit, në Çeçeni ( Republika Sovjetike e Gjeorgjisë), për të mësuar aeroplanin reaktiv Mig-15, i cili do të zëvëndësonte aeroplanët gjuajtës me helikë  Jak-9P.

Grisha dhe kolegët e tij, gjat kohës kur kolegët e tyre ndodheshin për kualifikim, përballuan, me aftësi e dinjitet, detyrat e vështira të gatishmërisë luftrake dhe stërviteshin intensivisht për të rritur shkallën e kualifikimit.

Shërbimi i gatishmërisë  roja në aerodrom, në atë kohë kryhej në kushte tejet të vështirë. Pilotët, teknikët, specialistët dhe efektivi që siguronte gatishmërinë luftarake, jetonin në kushtet e një superstrukture të prapambetur dhe sakrifikonin shumë. Vështirësitë lidheshin me pushimin, ushqimin, sinjalizimin, drejtimin, e tyre, në tokë e në ajër. Këto dhe të tjera vështirësi, u kapërcyen me shumë dëshirë e vullnet, për të ruajtur të pastër qiellin e Atdheut e për të ndëshkuar shkelësit e huaj të hapsirës ajrore.

Në fund të vitit 1954, në repartin e aviacionit ( Skuadrilen e Tiranës), mbërritën aeroplanët reaktivë Mig-15, luftarake e mësimorë, nga disa vende të Lindjes. Aeroplanët ishin të prodhimit të uzinave sovjetike të aviacionit. Së bashku me avionët, në Tiranë erdhën dhe një grup inxheniero-teknik, me qëllim që të bënin montimin dhe kolaudimin, në ajër të këtyre aeroplanëve.

Pas montimit, avionët Mig-15, të pilotuar nga pilotë sovjetikë, u ngritën nga pista e aerodromit të Laprakës ( 1ooo m e gjatë) dhe u ulën në pistën e aerodromit të Qytetit “ Stalin”. Ndërkohë ishin kthyer nga Bashkimi Sovjetik, grupi i pilotëve që shkuan në Grozni, Republika e Gjeorgjisë, për të mësuar  shfrytëzimin e aeroplanit Mig-15.

Në prill të vitit 1955, në kuadrin e ditës së aviacionit luftarak shqiptar, me bazë aerodromin e Qytetit “ Stalin”, u formua regjimenti i parë i aviacionit shqiptar, i cili mori emrin konvencional “ Peza” dhe numërin 1875. Efektivi dhe superstruktura që siguronte fluturimet, u shpërngulën, nga Skuadrilja e Tiranës, në regjimentin e sapokrijuar, në Qytetin “ Stalin”. Komandant i Regjimentit të parë u emërua piloti guximtar e me iniciativë, i papërsëritshmi Niko Selman Hoxha.

Në përbërje të regjimentit u krijuan dy skuadrile luftarake. Njëra, e para, komandohej nga korçari Peço Polena, i cili, u ngrit, i pari në ajër, mbi qiellin e Tiranës, më 24 prill të vitit 1951. Ajo ditë, mori vlerat e ditës së formimit të aviacionit ushtarak shqiptar dhe u festua çdo vit, e u bë njëra nga festat më të dashura të aviatorëve tanë. Komandant i Skuadriles së dytë u emërua, talenti në fluturim, trimi i çartur, Vasil Nikollë Trasha, nga Dishnica e Korçës. Pilotë me emër të mirë, në atë regjiment ishin: Fari Bubësi; Haki Jupasi; Thanas Gjiknuri; Kosta Neço Dede; Koço Andoni; Bardhyl Taçi; Anastas Ngjela etj.

Një grup pilotësh sovjetikë, në përbërje të të cilit ishin pilotët me përvojë dhe metodistët e rrallë: Nënkoloneli – Bokov; Majori- Bellov dhe togeri- Jellukov , të cilët bënë kolaudimin e avionëve Mig-15,  në Laprakë dhe, me anë të ajrit i ribazuan ata në aerodromin e Qytetit “ Stalin”. Ata bënë dhe rolin e instruktorit të fluturimit, me një pjesë të pilotëve që u piketuan për të fluturuar në avionët reaktivë Mig-15. Në këtë grup ishin pilotët: Goxho Kondi;  Lulo Musai ( Spahaj); Tomorr Avdia;  Hektor Lako;  Kosta Neço Dede etj. Ata e bënë kalimin në aeroplanët reaktivë në aerodromim atëherë të kufizuar të Qytetit “ Stalin”.

Nuk ish e lehtë të bëje kalimin nga avionët me helikë në ata reaktivë  në kushtet e aerodromit të kufizuar të këtij qyteti. Era e avionëve reaktivë që nisi të frynte nëpër botë, nuk kish të bënte vetëm me probleme teknike. Siguria dhe përparimi teknik ishte i lidhur me përmbysje konceptesh e praktikash, lidhur me përdorimin luftarak të aviacionit gjuajtës-bombardues. Kjo ndodhi dhe tek ne. Pilotët që shkuan për të bërë kalimin, në aeroplanët reaktivë Mig-15, krahas shfrytëzimit teknik të avionëve, atje, në hapësirat sovjetike, mësuan diçka dhe nga përdorimi taktik i tyre. Pilotët që e bënë kalimin në Qytetin “ Stalin”, si Goxho Kondi me shokë, i mësuan, metodat dhe taktikën e përdorimit të aeroplanit, pak nga pak, në truallin amëtar; sipas pikpamjeve të ushtrisë sonë.

Nuk ishin vetëm përmasat e kufizuara të brezit të betonuar, që e vështirësonin kalimin, por dhe infrastruktura e aerodromit dhe sherbimet, në funksion të fluturimit të cilat ishin në valën e konsolidimit. Përvoja e çmuar që sollën instruktorët sovjetikë të fluturimit, e pleksur me vullnetin dhe këmbenguljen e pilotëve tanë të kalimit, prevaluan mbi vështirësitë dhe pengesat. Goxho Kondi dhe kolegët e tij pilotë, shumica, ishpartizanë, të cilët e njihnin prej kohësh njëri-tjetrin, në luftë e në shkollë dhe më pas në fluturimet me aeroplanët me helikë, përvetësuan shpejt e me cilësi avionin e ri dhe u futën në formacion luftarak, së bashku me kolegët e tyre që e kryen kalimin në Grozni.Meqënëse numëri i pilotëve, në atë kohë ishte i kufizuar, ishte gjetur si formë origjinale , përcaktimi i ekipazheve ku komandant ishte një pilot dhe në përbërje të tij ishte tekniku i avionit dhe një ushtar, mekanik. Të përcaktuar ishin dhe avionët , për çdo ekipazh. Goxho Kondi kishte në ekipazhin që drejtonte , aeroplanin Mig-15 Bis, me numër anësor 117 e dikur atë me Nr.114.

 

Disa nga shokët e grupit të Grishës, nga ata që e kryen kalimin në aerodromin e Qytetit “ Stalin”, si Tomorr Avdia; Kosta Neço Dede; Lulo Musai etj. u erdhi në ndihmë fati, krahas aftësive vetjake profesionale dhe u ngjitën lart, në profesion e në detyrë. Deri në vitin 1960, kur ai ishte mjaft i ri, në kulmim e pjekurisë  si njeri dhe arriti të konsolidonte teknikën e pilotimit, Goxhos iu shfaq një sëmundje, e cila i dobësoi dëgjimin. Sëmundja, e cila u shfaq e përparoi dalëngadalë u bë shkak për t’u deklaruar Grishën: i paaftë, për të fluturuar si pilot. Sipas shkallës së avancimit të sëmundjes, e cila ishte shkallë-shkallë erdhi dhe largimi i tij, nga fluturimi.

Në muajt e fundit të veprimtarisë si pilot, Grisha, në cilësinë e komandantit të çiftit të gatshëm, kreu një fluturim të vështirë, për kapjen dhe interceptimin e një aeroplani të huaj, i cili fluturonte  mbi Kanalin e Otrantos, në kushte të vështirë të motit. Goxho Kondi arriti në detyrën e zëvendëskomandantit të skuadriles, por, në çiftin roja, në aerodrom, sipas rregullit  ishte në detyrën e komandantit të çiftit. Detyrat në ajër dhe ato të gatishmërisë roja në aerodrom, Goxho Kondi, si rregull i kryente me pilotin Çobo Skënderi, i cili ishte më i ri në moshë e në profesion. Fluturimin që la mjaft mbresa mbresa, Çobua e kujton kësisoj:

“Ishte muaji dhjetor i vitit 1958. Njerëzit, sipas mundësive, kishin nisur të thurnin plane e të bënin përgatitje për të pritur ndërrimin e viteve. Në aerodromin e Qytetit “ Stalin”, i pari e i vetmi regjiment aviacioni në vendin tonë, kryhej shërbim roja, me një çift aeoplanësh Mig-15. Kushtet e gatishmërisë ishin tejet primitive. Pilotët, teknikët, specialistët dhe ushtarët e shërbimit jetonin ku e si të mundnin. Kërkohej, me këmbëngulje që sinjali i alarmit ajror duhet të transmetohej në kohë dhe pilotët të kalonin menjëherë në zbatim. Më tej, Çobua vazhdon rrëfimin:” Një ditë isha në çiftin roja, në detyrën e pilotit shoqërues. Komandant çifti kisha njërin nga pilotët e parë të vendit tonë, ishpartizanin e Brigatës së 8-të-Goxho Çelo Kondi. Mbaja klasin e tretë të pilotit ushtarak e përgatitesha për të marrë klasin e dytë. Goxhua, ishte me detyrë zevendëskomandant i skuadriles, por në rastin konkret ishte komandant çifti. Në shërbimin e gatishmërisë roja, në aerodrom, ishim të dy, mbasi edhe fluturimet stërvitore e detyrat e ndryshme ajrore, kështu, në çift i kryenim.

Atë ditë moti ishte : “as mish; as peshk”. Qielli ishte i mbuluar nga re të larta, me shtresë të hollë, të tipit shtresore-puplore; në lartësinë mbi 6000m. Vende-vende lodronin re, të shkëputura, shtëllungore, të ngarkuara me rreshje shiu e me ngarkesë elektrike; Ato, ne udhën ku çvendoseshin , shkaktonin rreshje shiu e  tek-tuk shoqëroheshin m stuhi. Transparenca e ajrit, për shkak të reve dhe shiut që binte, ishte e kufizuar. Era frynte nga Perëndimi e Veri- Perëndimi. Mali i Tomorrit, orientuesi karakteristik për rajonin tonë të fluturimit nuk dukej; ai ishte i mbuluar nga retë. Edhe vargmali i Shpiragut, kish vënë kapuç të bardhë. Koha, siç e mbaj mend unë ishte mesditë; efektivat e regjimentit, akoma ishin në repart.

Në mjediset e gatishmërisë, një zile e fortë dhe e pandërprerë, na prishi qetësinë. Ishte sinjali i njohur i alarmit. Ajo na njoftonte për një situatë ajrore, me shkelës të hapsirës tonë dhe na ftonte të ngriheshim në ajër, sa më parë e të suleshim drejt Jug-Perëndimit, për të zbuluar e interceptuar shënjën ajrore, që ishte shfaqur në ekranin e operatorit të Vendkomandës Qendrore të Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit. Siç duket, kishim të bënim me një shkelje të hapsirës ajrore.

Në atë kohë, shërbimi  roja kryhej me aeroplanë të rinj nga pilotë të përgatitur, por kushtet tokësore të sigurimit të fluturimeve linin mjaft për të dëshiruar. Mjetet radioteknike të zbulimit ajror e të drejtimit, edhe pse ishin të reja, e nuk kishin shumë kohë që kishin ardhur nga  uzinat sovjetike të këtij lloji, ku ishin prodhuar, akoma nuk ishin të kolauduara e të vendosura në vende të përshtatshme, sipas destinacionit.  Shfrytëzimi i tyre, sipas instruksioneve e rregulloreve përkatëse, me efektivitet, ndeshej me një sërë kufizimesh.

Ishte koha kur, nëpërmjet provave ajrore dhe eksperimentimeve,bëheshin përpjekje për të gjetur vendin ku mjetet radioteknike të zbulimit dhe drejtimit do të stacionoheshin në mënyrë që të jepnin maksimalen e mundësive, sipas të dhënave që ishin shënuar në instruksionet përkatëse. Këto, ishin vetëm disa nga vështirësitë. Nuk mund të jetë e plotë tabloja po të mos mbanim parasysh faktin që vendi ynë, mesdhetar ndodhet në qendër të dheut por  mes zonës malore dhe asaj fushore e detare,ku  formohet një “ mur” ndarës, e  përplasen kontrastet e temperaturave dhe  klima është variabile. Këtyre u shtohet efekti malor dhe ai detar, të cilët, në masë të ndryshme ndikojnë negativisht në përcaktimin dhe përllogaritjen e të dhënave të zbulimit e të drejtimit të avionëve.

Këtë situatë e rëndonte fakti që efektivat e aviacionit dhe ato të Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit, të cilët ishin shkolluar në shkollat sovjetike që përgatitnin specialistë të shërbimit radioteknik, edhe pse kishin njohuri të mjaftueshme teorike, në çështjet praktike të drejtimit, ndesheshin me vështirësi të karakterit subjektiv. Vendkomanda Qendrore e Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit, e cila ishte ngarkuar me ruajtjen e paprekshmërisë të hapsirës ajrore të vendit, diktoi, në llokatorët e operatorëve të saj një shënjë ajrore e cila fluturonte, mbi rajonin e Kanalit të Otrantos, sikur ndodhej mbi ujërat tona territoriale. Prandaj, ajo lëshoi sinjalin e alarmit ajror, të shoqëruar me urdhrin për ngritjen në ajër të çiftit roja të Regjimentit “ Peza” të Qytetit “ Stalin”. Përpara ekranit të operatorit të drejtimit, në Vendkomandën  Qendrore, e cila ish  ngarkuar të drejtonte “ operacionin”, ishte njëri nga kuadrot më të përgatitur, në këtë specialitet, Llesh Gjoni. Përpara ekranit të operatorit aviodrejtues, në vendkomandën e regjimentit “ Peza”, ishte kuadri, Shyqyri Balla shef i shërbimit të aviodrejtimit , në këtë njësi. Vendkomanda e regjimentit, kishte detyrën e dublimit të komandave që lëshonte Vendkomanda Qendrore e Mbrojtjes Kundërajrore të shtetit.

Faktorët pengues që renditëm më sipër dhe të tjerë, bënin që përllogaritjet që kryheshin mbi bazën e të dhënave nga zbulimi ajror, të ishin të pasakta. Kështu ngjau dhe në atë ditë të funddhjetorit të vitit 1958. Shënja ajrore që zbuluan mjetet radioteknike, fluturonte mbi Kanalin e Otrantos, në për korridorin ndërkombëtar të fluturimeve  të aeroplanëve të linjës ajrore  Lindje- Perëndim. Poshtë shtrihej hapësira detare e ujërave ndërkombëtare. Efektet negative që ndikonin në pasaktësinë e të dhënave të zbulimit të shënjave ajrore, jepnin të dhënën sikur shënja ajrore fluturonte mbi ujërat tona territoriale dhe sikur ajo kish shkelur integritetin e vendit tonë.

Mbi bazën e të dhënave të pasakta, u ngrit në ajër çifti roja, i përbërë nga dy aeroplanë gjuajtës-bombardues Mig-15 Bis. Këta aeroplanë ishin të pajisur me shënjestër balistike dhe me tre topa; dy të kalibrit 23 m.m dhe një tjetër të kalibrit 37 m.m, të cilët kishin, në kompletin luftarak të avionit 200 predha. Rreth  2 minuta,pas marrjes së sinjalit, pilotët, siç ishin, të veshur me xhupa e çisme lëkure, u futën në kabinat e avionëve, lëshuan motorrët, dolën në brezin e ngritjes, realizuan ngritjen, në çift dhe mblodhën rrotat e aeroplanëve, me qëllim që  të ulej rezistenca ballore  e  aeroplanit, dhe të rritej , më shpejt shpejtësia progresive e tij. Pas ngritjes, kur shpejtësia arriti në vlerat evolutive, komandanti i çiftit Goxho Kondi, me një rrotullim të majtë, energjik, me marrje lartësie, doli në drejtimin që të çonte mbi Kanalin e Otrantos.

Çifti i pilotëve që u ngrit në ajër e u drejtua , për të zbuluar e interceptuar shkelësin e ajrit, përbëhej nga dy pilotë të zotë, të përgatitur e me origjinë nga treva labe, e cila, siç dihet, ndodhet  pranë vijës detare dhe afër rajonit ku ishte zbuluar shkelësi i hapsirës ajrore. Grisha, i qetë, i saktë, me iniciativë e kompetent, drejtonte çiftin, sipas urdhrave që vinin në kufjen e pilotit, nga operatori i Vendkomandës Qendrore të Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit. Shoqëruesi i tij, piloti  Çobo  Skënderi, i ri në moshë e në profesion , por plot energji, kish në mendje urrejtjen për armikun e mezi priste të ndeshej, për herë të parë me një shkelës të hapsirës ajrore të Atdheut të tij, të cilin e donte, mbi çdo gjë tjetër e ishte i gatshëm ta mbronte , edhe me jetën e tij. Progonatasi  syçelët, me dëshirën e pamatur pë të provuar shijën e kapjes së shënjës ajrore, nuk i ndahej kamandantit të çiftit, por, duke ruajtur parametrat e fluturimit, që siguronin kompaktësinë e çiftit, njëkohësisht shtoi vrojtimin ajror.

Pilotët, fluturonin në çift, në formcion të zgjeruar, në mënyrë që të bënin dhe kërkimin e objektit ajror. Kur dëgjuan në kufje të dhënat , se shënjën e kishin përpara –djathtas , rreth 10 km. ata shtuan vrojtimin ajror e “i bënë sytë katër”. Pilotët  u vunë “ në një garë të heshtur”, kush do ta zbulonte i pari shënjën ajrore. Çifti i avionëve ndodhej mes dy shtresave të reve. Sipër ishin retë puplore – shtresore, të rralla; në hapësirat boshe mes tyre depërtonin rreze dielli. Poshtë kishin retë grumbullore, si lëmsha  shtëllungash, të bardhë, nga ato që endin, në furkë, gratë labe. Po të futet avioni brenda tyre, do të lëkundet, si rrjedhojë e zhvillimeve vertikale, brenda tryre. Vende – vende binte shi i rrembyeshëm, i shoqëruar nga bubullima e shkrepëtima, zhurma e të cilave vinte në kufjet e pilotëve,  si kërcitje.  Vendkomanda Qendrore, urdhëroi  që çifti i aeroplanëve të ngjitej në lartësinë 6000m. Komandant Goxhua, me tagrin e udhëheqësit të çiftit, në ajër, i dha urdhër shoqëruesit të vendoste maskën e oksigjenit . Këtë veprim bëri dhe vetë. Në atë lartësi fluturimi nuk mund të vazhdohej gjatë, pa oksigjen.

Formacioni i avionëve, në ajër,  ishte në kërkim të shënjës ajrore. Të dy shruan vrojtimin dhe kërkonin në distancën 10km. para –djathtas, siç urdhëroheshin nga toka. Në një çast, Çobua diktoi një llamburisje duralumini, poshtë reve, të ndriçuar nga rrezet e diellit që depërtonin shtresën e hollë të tyre. Dukej qartësisht se ishte një aeroplan. I bardhë, me dy motorrë turbo-helikë, nënkrahë, me flamur të huaj e që fluturonte, pa ndryshuar drejtimin e lartësinë. Nga gëzimi dhe euforia që e kapluan, piloti shoqërues  bërtiti: “ Shikoj sorrën”; përpara djathtas, rreth 1o km. U gëzua Goxhua si udheheqës i çiftit; gëzimi ndihej dhe në komandat që transmetoheshin,vazhdimisht nga Vendkomanda Qendrore. Ishte një fitore , për të gjithë ata që morën pjesë në “ aksion”!

Grisha urdhëroi shoqëruesin: “ Ruaj intervalin, shto shpejtësinë e avionit, dil përpara e afrohu tek shënja! Vetë u vu në pozicionin e pilotit shoqërues, dhe zuri  vendin përkatës në formacion. Kur çifti i gjuajtësve iu afrua shënjës  sajrore në distancën nga e cila  dalloheshin, me sy të lirë, detaje të avionit “ shkelës”, pilotët tanë panë se kishin të bënin me një aeroplan transporti ajror, i cili fluturonte, në linjat ndërkombëtare. Teksa po merrej me raportimin e situatës ajrore, Çobua pa poshtë dhe dalloi se kishin mbërritur mbi çismen italiane. Pa paralajmëruar “shoqëruesin” komandant çifti, ai e rrotulloi energjikisht aeroplanin; djathtas dhe mori udhën e kthimit për  në “ shtëpi”.

Goxhua, me qetësinë karakteristike, vazhdonte të “mbahej” në formacion. Çobua, mbasi mori udhën e kthimit  e u çtensionua pak, i foli komandantit të tij: “ Dil përpara e na udhëhiq”! Ndërkaq, mori përgjigjen:” Vazhdo të udhëheqësh çiftin”! I vinte zor, Çobos, i cili e respektonte shumë komandantin e tij të çiftit. Megjithatë, urdhri është urdhër e duhet zbatuar. Këtë e dinte mirë progonatasi, me stazh të gjatë në ushtri. Ai vuri në zereo shigjetën e “ artë” të radiokompasit ARK-5, dhe vendosi në busull vlerat Veri- Lindore e vazhdoi fluturimin në vijë të drejtë.

Shigjeta e “ artë” në Zero donte të thosh se çifti i aeroplanëve po fluturonte drejt aerodromit të ngritjes dhe se, po të shkonte, mbi prurësin e largët, i cili ndodhej në fshatin Arrzë, aerodromin do ta kishte 4km larg. Para se të shkonte atje, çiftit i duhej të ulej në lartësinë e rrethit 500m dhe shpejtësinë progresive ta kishte 500 km/orë. Këta ishin tregues që siguronin fluturimin normal , në kushtet e rrethit dhe  uljen, në aerodromin e Qytetit “Stalin”. Që të zbatohej kjo manovër, çiftit i duhej të “gjarpëronte”, me qëllim që t’u shmangej reve grumbullore dhe dukurive atmosferike , të pafavorshme.

Kur çifti u fut në rajonin e aerodromit dhe  po shkonte në ulje, çobua që drejtonte formacionin, i tha, sërish , nëpërmjet radiostacionit RSIU-3M, komandant  Goxhos: “ Kalo përpara”! Por mori përgjigjen:   “Vazhdo, ashtu e shko në ulje”! Si rrallë herë, çifti i avionëve shkoi në ulje, duke qenë shoqëruesi përpara e komandanti, pas tij. Ndërkohë që çifti ishte në ajër, komandanti i regjimentit, kolonel Niko Hoxha, me ndjenjën e përgjegjësisë për detyrën, mbi supe, la çdo punë e shkoi tek operatori, përpara ekranit, nga ku ndoqi zhvillimet.

Pilotët, krenarë që kaluan, me sukses, një provë gatishmërie, ndonëse kundër një shënje të supozuar, pas uljes në tokë, liruan brezin e ngritjes e  i çuan aeroplanët tek vendi i furnizimit, me karburant, fikën motorrët e dolën nga kabinat e aeroplanëve. Ata morën drejtinin për tek vendi i të gatëshmve kur në rrugë u doli përpara komandanti i regjimentit. Goxhua, si komandant i çiftit, me ta parë eprorin, mori drejtqëndrim dhe me dorën të shtrirë pranë kapeles i raporrtoi: ” Shoku kolonel, çifti roja e zbatoi urdhrin, por shënja rezultoi të ish një aeroplan pasagjerësh i linjës…”. E dëgjoi, Niko Hoxha, me respekt e vemendje, mikun e tij të kahershëm dhe, mbasi i dha komandën: “ Qetësou”! i tha:” Po ju, a u humbtë varri” ( kështu shprehej Nikua, sa herë donte të thosh një mosaprovim), ku shkuat në këtë ditë kiameti, plot me re të ngarkuara e përmes furtunës? Goxhua, i cili, gjithashtu e donte dhe e respektonte shumë komandantin e regjimentit, mbasi e dëgjoi, mori, sërish drejtqendrim e tha: “Kur një ekipazh i huaj, fluturon në këto kushte, po ne që mbrojmë Atdheun tonë, përse të mos ngrihemi kundër tij? Kjo ndërhyrje me fjalë të mënçura të Grishës, siç duket i erdhi “ për shtat” kolonelit, i cili, si rrallëherë vuri buzën në gaz, i kënaqur nga përkushtimi dhe serioziteti në detyrë i pilotëve që ai kishte përgatitur.

Ky qe vetëm njëri rast, në vazhdën e qendrimeve heroike, në detyrë, i Goxho Kondit dhe kolegëve të tij. Ai ishte fryt i punës dhe sakrificave të qindra njerëzve, të profileve të ndryshëm që bënin të mundur ngritjen në ajër, pa probleme teknike të pilotëve, të cilët sfidonin vështirësitë  e motit dhe të profesionit dhe dilnin fitimtarë mbi to.

Le të ndalemi pak  tek tiparet fizike të Goxho Kondit. Nuk ishte i gjatë por gjatësia trupore mesatare që kishte, e favorizonte të ish tepër i shkathët. Ai ishte kërcyes i mirë i lartësive. Në shtat ishte i thatë, por i thantë. Flokët i kish gështenjë, kokën të vogël, pak  të stërgjatur e fytyrën të mprehtë. Ballin e kish normal e hundën- gjithashtu; sytë bojëkafe, tek të cilët ravijëzohej zgjuarsi e çiltërsi. Goxhua ishte fisnik , nga rrënja , tek degët. Nëse do të duhej të thoshja dhe ndonjë mangësi a ves të tij ;  për ta mësuar këtë ;pyeta shumë e mësova pak gjëra. Grisha pinte mjaft duhan. Thuajse i ndizte cigaret me zjarrin e njëri-tjetrit. Nuk dihet, kur nisi ta pinte duhanin ai njeri, si ëngjëll? Ndoshta kur mbeti jetim; apo nga meraku për ta dërguar postën partizane, në destinacion, në kohë e me fshehtësi? Mundet, ta ketë shtuar, këtë “ves”, si rrjedhojë e sedrës për të dalë sa më mirë në fluturim, kur ende ishte kursant? Mbase e shtoi kur u deklarua i paaftë për të fluturuar, për shkaqe të uljes së dëgjueshmërisë? Edhe shkaqet e kësaj paaftësie, mbeten enigmë. Them se mund të jetë bërë shkak, një fluturim me rrufë; një humbje lartësie me shpejtësi vertikale  të shtuar; një pilotazh në lartësi, pa përdorur maskën e oksigjenit etj. Një siguri e kam : Në gen, ai nuk e ka patur këtë defekt. Të paktën, deri tani, nuk kam mësuar të ketë njeri, në xhinsin e tij  me dëgjim të dobët.

Pas largimit nga fluturimi, Goxho Kondi mbeti aktiv e po aq i mirë

Në çdo punë a veprimtari është i njohur fakti që ka një nisje e një mbarim. Për Goxho Kondin, ky përfundim: largimi nga fluturimi, nuk ishte aq i këndshëm, madje i solli shumë keqardhje e trishtim. Grisha, pasi provoi çobanërinë, përcolli bonjakërinë, përjetoi kushtet e malit dhe , prej vitit 1948 ushtroi profesionin e vështirë të pilotit ishte “ i dënuar të shijonte” dhe këtë paudhësi të fatit.. Kësisoj, çdo etapë e jetës së  tij, kaloi nëpër një kalvar vështirësish, sakrificash pse jo dhe rreziqesh. Në vitin 1961, kur Goxhua,pas jetës plot sakrifica e privacione, dhe me rreziqe mbi kokë, u deklarua i paaftë për të fluturuar, ishte tepër i ri. Një sëmundje që iu shfaq në dëgjim, e privoi nga e drejta për t’u çuar në ajër, si pilot.

Kishte ngjarë dhe tek të tjerë, kjo që i ndodhi Goxhos , por ai e përjetoi  dhimbshëm e u nda prej avionit e fluturimit me shumë keqardhje. Ai, jo vetëm e donte shumë avionin e ndihej si në shtëpinë e tij, i lumturuar, kur shalonte “ kalin e bardhë”, por  krenohej  me profesionin që kishte zgjedhur, të cilin e kish ëndërruar që në fëmijëri. Kur fluturonte mbi Atdhe, ai mrekullohej me bukuritë e Nënës Shqipëri e i shtohej krenaria  me  të qënit shqiptar. E kishte të vështirë të ndahej nga profesioni  e nga shokët me të cilët qe rritur; në moshë e në profesion.Nuk “ e donte veten” kur vështronte kolegët të çoheshin në ajër e ai qëndronte në tokë. Ishte nostalgjia , “ dashuria e tij e parë” të cilës duhet ti thosh lamtumirë, kur sapo kish lënë pas të tridhjetat.

Siç dihet, piloti ka profil të ngushtë dhe është i realizuar në një profesion të caktuar, në atë të njohjes të ligjeve të aeronautikës. Ai ëhtë i lidhur ngushtë me profesionin e tij dhe njohuritë e tij  jashtë  profilit janë të kufizuara.  Pa dashur të prek asnjë fluturues, dua të them se një pilot, merr vesh dhe kupton, nga fusha të ndryshme të shkencës e të jetës, ai është kompetent, kryesisht për profesionin e tij. Të shumtë kanë qenë ata që e kanë nisur udhën drejt hapësirës, por nuk janë sosur dot deri në fund të veprimtarisë aktive, si të tillë.Disa, rrugës janë seleksionuar e kanë dalë mënjanë, për shkaqe objektive  apo të brendshme. Ndarja ka qenë gjithmonë e vështirë, në veçanti kur individë të veçantë e kanë nisur fluturimin me shumë dëshirë e pasion.

Kam njohur dy adoleshentë: Minush Karalliun, nga Tirana dhe Dhimitër Vashon, nga Durrësi, ( të dy paçin ndjesë), të cilët,  me shumë pasion  për fluturimin, braktisën, studimet  në vitin e dytë  të universitetit, e hynë, me këmbëngulje  në shkollën e aviacionit, për t’u bërë pilotë. Ata, të dy, aktualisht nuk janë në jetë por i kanë shkruar emrat, në historinë e aviacionit shqiptar, në faqen e lavdisë e të mosharrimit, si fluturues të veçantë, të pasionuar pas fluturimit por , për fat të keq , të parealizuar. Edhe Grisha ynë, kësaj kategorie i përkiste. Ai ëndërroi të bëhej pilot qysh kur qe fëmijë bonjak, mbasi kish humbur të dy prindërit. Aeroplani dhe fluturimi u bënë qëllimi dhe kënaqësia e jetës së tij.

Jetëgjatësia e pilotit, si fluturues është një kompleks aftësish e ndjesish; ajo ka të bëjë me  dëshirën, aftësinë , shëndetin dhe fatin e njeriut. Të parat, Goxhua i kish, por shëndeti dhe fati, nuk rezultuan,të ishin, plotësisht, në anën e tij. Përndryshe, ai nuk do të largohej nga fluturimi ende pa u shuar jehona e tridhjetvjetorit të lindjes.  Se çfarë përjetoi ai njeri, kur mësoi se nuk do të fluturonte më, si pilot, këtë fatkeqësi të madhe, vetëm shpirti i tij e dinte.

Rrjedhojat ishin të prekshme: Ai nuk do të përgatitej më, për të fluturuar, si kolegët, nuk do të asistonte në shtrimin e plantabelës së fluturimit; nuk do tu nënshtrohej pyetjeve të kontrollit, nuk do të merrte më raportimin e teknikut, para se të futej në kabinë etj. E thënë me pak fjalë, Grisha, nuk do ta shalonte më doriun e tij të bardhë, për të fluturuar, mbi të, nëpër hapësirën e kaltër të Atdheut. I ndiqte si “ rriteshin” kolegët e tij : Bardhyl Taçi; Vasil Andoni; Koço Andoni; Sokrat Prifti; Kostandin Sadikaj; Tomorr Axdia; Kapo Selmanaj; Fari Bubësi etj. nën drejtimin e të lavdishmit Niko Hoxha, e ngazëllehej por, vetë ai , nuk ngjitej dot më, në ajër. Ndarja nga fluturimi , bëhej përgjithmonë.

Njëri nga veteranët e aviacionit , piloti në pension Mustafa Çiçi, kur e pyeta si e ka njohur Goxho Kondin , pa u menduar dy herë , më tha:”… që në fillim, pas ardhjes tonë nga studimet , në vitin 1959, si pilotë të rinj, të emëruar me detyrë në Kuçovë… personi i parëqë më ra në sy , si njri i afrueshëm dhe shumë dashamirës, qe Goxhua, i cili, me sa pashë, i tillë mbeti  edhe më vonë, gjatë gjithë kohës, sa ishim bashkë. Ishte i thjeshtëe tepër i sinqertë , në shoqëri , aq sa dhe popullor… prej shumë shokëve kam dëgjuar se , në shkollë ka fluturuar mirë dhe , sipas mendimit tim,ai, ashtu ishte : pilot cilësor; fluturonte bukur dhe pastër… nuk e dija që Marjana Kondi, aktorja e mirënjohur e humorit, shumë e dashur për spektatorin shqiptar, ishte vajzë e tij.Më kujtohet , kur ajo ishte e vogël. Ajo dhe vëllai i saj , Leka, vështronin avionët në fluturim , dëftonin , me gisht dhe bërtisnin:”Babi; Babi; shikoni Babin si fluturon”! Mora shkas nga këto thënje të tyre ,dhe , në atë kohë shkrojta , në gazetën e ushtrisë të asaj kohe” Luftëtari”, një artikull , me titullin: “ Shikoni, Babi im fluturon”! Goxhua, kur e lexoi shkrimin u gëzua shumë e më përgëzoi”.

Si në çdo punë e profesion tjetër edhe në atë të fluturimit, i cili , është tejet i vështirë dhe egzekutohet nga njerëz të caktuar, fëmijët, në veçanti ata të moshave parashkollore, përjetojnë veprimet e prindërve të tyre dhe mburren , me ta. Në Qytetin “Stalin”, aerodromi dhe regjimenti ishin përuruar në vitet , pas mesit të shekullit të kaluar. Fluturimet e avionëve , ishin akoma risi , në këtë qytet dhe banorët ngrinin kokën kur, sipër tyre fluturonte ndonjë reaktiv. Aleksandri dhe Marjana , aso kohe ishin ende të parritur por , kur fluturonte babai i tyre , Goxho Kondi , ata në mjedise të hapur dëftonin me dorë nga aeroplani e bërtisnin: “ Babi; Babi; Babi ynë fluturon”, për të nxjerrë në pah prioritetin e punës që bënte babai i tyre.Kësisoj , në një farë mënyre, nuk fluturonin vetëm pilotët , por dhe fëmijët e tyre. Ishin vitet e parë të jetës së Regjimentit dhe ndjesia e utërimave ishte tepër e madhe.

I donte dhe e donin shumë shokët Goxho Kondin. Kishin  punuar e jetuar për shumë kohë së bashku, prandaj e kishin të vështirë ndarjen nga njëri-tjetri. Grisha ishte shumë i nderuar  në komunitetin  e aviatorëve. Ai njihej si njeri  i drejtë, i ndershëm, i çiltër,i qshur, korrekt e i urtë, dashamirës e i gjendur . Për shokun e mikun e sinqertë, Goxho Kondi  “ linte kokën”. Prandaj e donin dhe e respektonin, të gjithë ata që e njihnin apo punonin pranë tij. Deklarimi i paaftë për të fluturuar, e bëri disi të menduar e të vetmuar dhe të “ mbyllur”, në vetvete;  dukuri të spjegueshme që lidheshin me gjendjen e re emocionale të tij. Këtë qendrim ndryshe të burrit kurveleshas, krenarinë e tij “ të vrarë”, e të tjera dukuri të burrërisë të tij, të dobësuar, i vinin re të gjithë, në repart e u vinte keq.

Mjaft i prekur, nga kjo ishte koloneli, i cili e donte mjaft Grishën dhe e njihte mirë tipin e tij. Donte ta ndihmonte, me çfarë ti vinte ndoresh,Goxhon, Niko Hoxha, i cili njihej si komandant që nuk “i jepte” kuadrot e në veçanti pilotët. Ai nuk donte ta largonte Grishën, nga regjimenti dhe u përpoq ta sistemonte në një detyrë tjetër, jashtë fluturimit por pranë përgatitjes ajrore. Mbasi doli i paaftë, Goxho Kondi, me këmbënguljen e Niko Hoxhës, u emërua përgjegjës  për stërvitjen në skuadrilen e parë të regjimentit.

Në shtabin e regjimentit, Goxhos iu ofruan disa detyra të tjera, në funksione ku ai , mund ti shfaqte , me forcë, aftësitë dhe vlerat e tij. Goxhua , përveç sa rrjeshtova më sipër, ishte mjaft besnik e i sakrificës. Ai ishte “ fanatik” e i palëkundur në çështjen e ruajtjes të të fshehtave  prandaj u caktua në detyra të tilla, si përgjegjës i sekratarisë sekrete; përgjegjës i sektorit të organizim –mobilizimit , në sektorin e kuadrit ( personelit) dhe,së fundi, në atë të sinoptikës, nga ku dhe doli në pension.

Në pranverë të vitit 1962, Në Rinas u formua Regjimenti i Dytë i aviacionit luftarak. Komandant i regjimentit u emërua kolonel Niko Hoxha. Goxho Kondi ishte me origjinë nga Kuçi i Kurveleshit dhe, meqënëse, nuk fluturonte,ia kishte ënda të ndodhej afër trevës ku kish lindur. U gjend një drejtues tjetër, tepër njerëzor e i dhimbshëm si ç qe kolonel Babaçe Faiku ( Imeraj), i cili e afroi Goxhon në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, ku  e caktoi në detyra të rëndësishme, sipas kapacitetit dhe vlerave morale të tij. Në Shkollën e Aviacionit, Grisha gjeti shokë të vjetër, të malit e të shkollës  së aviacionit të qytetit “ Engels” të Siberisë, pilotët me stazh: Flamur Mickaj; Refit Jazoj; Koço Andoni dhe mjaft të rinj, të cilët i njihte, si kuadro e si pilotë. Në gjirin e aviatorëve ose ishpilotëve, Goxhua u integrua shpejt dhe nisi një jetë të re. Ai punoi e jetoi, plot 22 vjet në mjedise të aviacionit. Puna dhe sjellja e tij u çmuan  fisnike dhe me përkushtim të rrallë. Në çdo detyrë që u caktua, Goxho Kondi shpalosi vlerat e një Atdhetari të përkushtuar e të një njeriu me njerzillëk.

Nuk mund ta mbyll këtë rrëfim, pa shkruar diçka për jetën personale të Goxho Kondit. I rritur e i edukuar me një sjellje korrekte e njerëzore, ai nuk mund të qëndronte jashtë normave e vlerave morale të shoqërisë në të cilën u rrit e jetoi. Goxho Kondi, rriti dhe edukoi kater femijë; dy vajza e dy djem; njëri më i mirë se tjetri. Të arsimuar, të edukuar, me kulturë e sjellje për t’u patur zili, të përkushtuar në detyrë, siç qe babai i tyre, njerëz me integritet e personalitet të spikatur. Vajza e madhe e tij Marjana Kondi, u formua e shkëlqeu në fushën e artit skenik enë veçanti , në atë  të humorit. Vajza tjetër, Etleva, një specialiste e spikatur në fushën e hidroteknikës; dy djemtë, po ashtu të shkolluar e të edukuar, i kanë bërë vend vetes, në komunitetet përkatës, ku punojnë e jetojnë. Për të nderuar kujtimin e babait aviator, fëmijët e tij, pas ndarjes së Goxho Kondit, nga jeta , fëmijët e tij, xhiruan një dokumentar të bukur televiziv, me skenar të artistes së mirënjohur Marjana Kondi. Nuk mund të nënçmohet vendi dhe roli i bashkëshortes fisnike të Goxhos, Vitorisë, e cila ka ndikuar pozitivisht e ka dhënë çdo vlerë që ka, për të rritur dhe edukuar pinjollë dinjitozë.

Goxho Kondi

Vitet e fundit të jetës, kur dhe shëndeti i tij u ligështua, Goxho Kondi  e  shpërnguli  familjen  në  Tiranë, me synim që të ishte më pranë institucioneve mjekësore të specializuara. Që nga viti 1992, kur doli në pnsion pleqërie, deri sa u nda nga jeta, në datën, 17 shtator të vitit 2013, jeta e tij nuk qe aq aktive. Kuptohet, si  në çdo rast, mosha dhe  vitaliteti i rënë prej sëmundjes së gjatë,patën ndikim jo të pakët. Përcjellja e Goxho Kondit për në banesën e fundit, në varrezën publike, në Tufinë u bë mes dhimbjes, hidhërimit e lotëve. Fjalën e lamtumirës, e mbajti piloti i klasit të parë, ish shoqëruesi i tij, në vitet ’50 të shekullit të shkuar, Çobo Ibro Skënderi. Më posht, po citoj, të plotë, fjalën e lamtumirës:

Goxho Kondi

U Këput dhe një yll

Më datën 17.09.2013, ndërroi  jetë pionieri i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, veterani i ndeuar, piloti i shkëlqyer, oficeri i talentuar dhe njeriu i virtytshëm Goxho Kondi. Eh! Askush nuk habitet, kur dëgjon: Që : kush vjen në jetë, një ditë do të ikij, por e rëndësishme  është të thuhet, çfarë gjurmë, mbresa  e kujtime la pas.

Goxhua u lind në fshatin sa heroik, aq dhe legjendar, siç është Kuçi i Labërisë, i cili i ka dhënë Atdheut e mbarë kombit figura të ndritura, në të gjitha kohët, si Zenel Gjolekën, që udhëhoqi, si rrallëkush, kryengritjen e madhe fshatare të Jugut, më 1847, kundër  tiranisë osmane dhe Myslym Gjolekën, luftëtar i Lidhjes së Prizrenit. Kuçi i ka dhënë Atdheut katër Heronj si : Abdyl Hakiu; Jaho Gjoliku etj. Po nuk mund të lemë pa përmendur Mësuesin e Popullit- Mustafa Luçin, poetin e shquar- Tahsin Gjokutën e  me dhjetra intelektualë vizionarë, në të gjitha fushat e jetës, si civilë dhe ushtarakë. Është e vërtetë që Goxhua hodhi shtat në një familje tejet të varfër ekonomikisht, por, ama, shumë të pasur me atdhetari  e shqiptarizëm. Në atë djep petritësh, u ngjiz e u mëkua me ndjenjat naimjane: “ Ti Shqipëri më jep nderë…” dhe me vargjet brilante të Çajupit:”Ku është balta, më e ëmbël se mjalta…”? Goxho Çelo Kondi.

Goxhua, sa njohu veten, pra, që në moshën dymbëdhjetëvjeçare, rrëmbeu pushkën dhe u rrjeshtua përkrah motrave e vëllezërve të fshatit të vet, të cilët, që në vjeshtën e vitit 1942, kishin formuar dy çeta partizane: “ Hajredin Tremishti” e “ Toto Bolena. Pavarësisht moshës së njomë e kohës së ashpër, pushka e tij gjëmoi, nga Jugu në Verie nga Lindja në Perëndim të trojeve tona. Ai, së bashku me bashkëfshatarët, kaloi nga çeta, në batalion e pastaj, në brigatë e në divizion të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe kushdo që ka qenë me të, në ata vite të stuhishëm, flet me respekt e adhurim, për guximin e trimërinë e tij. Motua e partizanit pionier ishte: “ Nënës  Shqipëri  ti  falim të gjitha dashuritë”.

Mbas çlirimit të Atdheut, Goxho Kondi, si një ushtar apo luftëtar i përkushtuar i lirisë, së cilës, kombi ynë, vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore i fali mëmëdheut njëzetetetëmijë dëshmorë. Dhe se ende i vogël në moshë, ëndërronte e dëshironte që, në të ardhmen të bëhej një rojtar i denjë i kufijve ajrorë të Atdheut. Ai kërkonte të mësonte, të stërvitej e të aftësohej në njërën nga tri llogoret e territorit tonë, siç janë : toka, deti dhe ajri. Dhe trimi Goxho Kondi, zgjodhi më të vështirën, pra atë qiellore. Këtë ndjesi, a pasion për të fluturuar, ia kishin injektuar apo frymëzuar, që në fëmijërinë e hershme, moria e shqiponjave, të cilat i lodronin, në dimër e në verë, mbi malet e vendlindjes. Ndaj ai kërkonte, me çdo kusht e çmim, të gjente ndonjë rrugë apo shteg, për t’u bërë pjesëtar i tyre. I vetmi qëllim i tij ishte:” Mbrojtja e kaltërsisë e bukurisë të qiellit tonë”.

Duhet pohuar se ai u ngazëllye e u lumturua, si askush, kur komandanti i Shkollës “ Skënderbej” i komunikoi daljen e bursës për pilot, në shkollën e aviacionit, në Novosibirsk të BRSS ( Bashkimi Sovjetik), ku dimrat janë me temperatura atmosferike mjaft të ashpra, apo të ulëta, që shpesh mbërrijnë deri në pesëdhjetë e më shumë gradë, nën zero! Po Goxhua që nuk u tremb prej pushkëve të këmishëzinjve të Duçes e kryqthyerve të Hitlerit, si mund të thyhej prej dimrit rus? Ai, së bashku me shumë bij të shqipes shkoi, me dëshirë të zjarrtë, në njërën nga ato shkolla, që i kishte dhënë vendit të vet, me qindra pilotë e me dhjetra heronj. Në ato institucione fenomenale kishin dalë me dhjetra “Yje”, të cilët mahnitën mbarë globin, si: Legjendari Çkallov e tre heronjtë e Bashkimit Sovjetik si Pokrishkini e Kozhedubi dhe famëmadhi Aleksandër Mersejev, i cili, me të dyja këmbët të prera, rrëzoi rreth tridhjetë avionë nazistë.

Goxhua,i brumosur me idealin kombëtar të Skënderbeut e të Ismail Qemalit, edhe atje, si kudo ishte në vijë të parë të përvetësimit të teorisë e të fluturimeve. Nga viti në vit kalonte nga njëri tip avioni, në tjetrin, sigurisht, në më të sofistikuarin, e më të domosdoshmin, për kohën. Në saje të vullnetit herkulian, durimit e këmbënguljes, për të realizuar kryeëndrrën. Që të bëhej mbrojtës i vërtetë i qiellit shqiptar, mësonte me ngulm e përkushtim, ditë e natë.Në saje të mundit e djersës, ai mposhti,  si askush, vështirësitë e motit e të kohës, dhe, në krye të tre viteve, u diplomua pilot gjuajtës.

Me t’u kthyer në Atdhe, grupi i parë i pilotëve luftarakë, në repartin e sapokrijuar, vjen një përfaqësues i Kuvendit Popullor, për të lexuar e bërë të ditur një vendim historik të krijimit të armës së ëngjëllorëve. Pra, ishte data 24 prill 1951, ku sërish Goxhua ndodhej në rrjeshtin e parë të skuadriles luftarake, ku dëgjoi e brohoriti, si rrallë herë në jetë realizimin e ëndrrës sublime. Ajo ditë ishte vendosur, nga Kuvendi Popullor që të ligjërohej e të festohej, si ditëlindja e Aviacionit Luftarak të Shqipërisë. Që nga ai moment mbresëlënës e i lavdishëm, Goxhua, së bashku me efektivin e skuadriles luftarake u vunë në shërbim të kufijve ajrorë të Shqipërisë, në të gjithë kushtet atmosferikë.

Për hir të së vërtetës, duhet pohuar se Goxho Kondi, në çdo hap të jetës shquhej e karakterizohejnga një vullnet i çeliktë, guximi, trimëria, modestia,thjeshtësia e besnikëria fenomenale.Ai, në çdo bisedë e mësim, si me ushtarët dhe me oficerët apo me pilotët që kish nën komandë, gjatë orëve të mësimit që drejtonte, demonstronte  urtësi, mençuri, zgjuarsi dhe përpikëri. Në shpirtin e tij nuk kish vend xhelozia, smira apo ligësia; përkundrazi, Goxhua krenohej , me këdo që ngrihej në detyrë apo që dekorohej. Mbi të gjitha, tek ai burrë, nuk njihej fare frika. Madje, me qëndrimin e tij,  ai mundi të vertetojë se, nga biri i Labërisë, kish frikë- vetë frika!

Profesionin e pilotit Goxhua e vijoipër gati dy dekada, në aeroplanët reaktivë e në ata me helikë, në Kuçovë, ku , pothujse shkriu tërë talentin e vet për të shumuar e kualifikuar efektivin që kish nën komandë. Një kontribut me vlerëai dha dhe në Shkollën e Lartë të Aviacionit, në Vlorën e Babaçe Faikut e të Niko Hoxhës, të cilët i donte, si  prindërit e tij.

Ndarja përgjithmonë nga një njeri, sa fisnik aq dhe zenërbardhë, siç ish Goxho Kondi, ishte shumë e dhimbshme, në veçanti për të gjithë ata që morën pjesë në ceremoninë përcjellëse. Sigurisht, plagën më të rëndë e patën pjesëtarët e familjes së tij, mbasi ata humbën : atin, gjyshin, bashkëshortin e vëllanë, ose njeiun më të shtrenjtë e më të shenjtë. Në sytë e tyre , në ata çaste rrushkulluese , ashtu si shpërthen ujët e Buronjave të Kuçit, në vjeshtë, breshëronin lotët, sidomos tek vajzat; djemtë dhe i vëllai. As ne, nuk e patëm të lehtë, në atë çast, mbasi u ndamë nga shoku e miku ynë, nga pionieri i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe i aviacionit luftarak si dhe nga njeriu shëmbullor, në të gjithë drejtime

-I përjetshëm qoftë kujtimi i tij i ndritur!

Çobo Skënderi

Falenderime

Goxho Çelo Kondi i përket aradhës së pilotëve që hodhën themelet e Aviacionit Luftarak Shqiptar. Ai i takon brezit të fluturuesve, para meje. Për të ravijëzuar portretizimin e tij më është dashur të qëmtoj të dhëna nga familjarë e bashkëkohës të tij, nga miq e shokë, të cilët janë të shumtë e nuk u përtuan të më thonë mjaft gjëra të vyera. Njëri syresh, edhe pse i ka lënë të tetëdhjetat e çapitet me ndihmën e bastunit, kur e pyeta, si e kish njohur Goxhon, më tha:” Shkruaj për Goxho Kondin, fjalët më të mira, se i mirë ishte, në çdo drejtim”! E mora si një mesazh dashamirësie dhe respekti, këtë porosi të shokut tim të hershëm, dhe u përpaqa të shkruaj siç më porositi ai. Nëse e kam gdhendur portretin e Grishës, siç më porositi Kostandini, e po qe se Goxhua im ngjan me atë që keni njohur ju, do të isha shumë i lumtur.

Burimi ku u freskova, ishte ujëplotë, si Buronjat e Kuçe. Pa këtë gurrë të pashterrshme, ( kujtimet e shokëve dhe mendimet e njerëzve të shumtë që takova), mesiguri që do ta kisha të vështirë të shkruaja këtë rrëfim modest, në kujtim e nderim të njërit nga pionierët e Luftës Nacional Çlirimtare dhe të Aviacionit tonë; bonjakut Goxho Çelo Kondi.

Me këtë rast, më shkon medja e nderimi tek shoku i tij i halleve, i luftës e i punës, tek shoku i grupit të kursantëve për pilotë, i paharruari Flamur Mickaj, i cili me kujtimet e tij, shkruar në librin autobiografik:” Mes qiellit e tokës mëmë”, i ka prurë, sikur të kishin ngjarë dje, ato vite të vështirë të shkollës për pilotë, në një vend të largët; nën acarin e dimrit të egër rus.

Falenderimi shkon tek familjarët e Goxhos- Vito Kondi ( bashkëshortja e tij); Marjana Kondi ( e bija); Etleva Kondi ( e bija); Aleksandër Kondi ( i biri); Arjan Kondi ( i biri); si dhe tek shokët e bashkëkohësit e tij:

  • Çobo Skënderi,
  • Bajram Hitaj;
  • Kostandin Sadikaj;
  • Mustafa Çiçi;
  • Gëzdar Veipi;
  • Guri Merkaj;
  • Telo Dedi;
  • Petrika Kostani;
  • Kapo Selmanaj;
  • Ismail Harizaj;
  • Drini Shtylla;
  • Viktor Vangjeli;
  • Robert Marko;
  • Ahmet Sulejmani;
  • Myzafer Zaho;
  • Lutfi Jaho;
  • Luan Bare;
  • Servet Muka;
  • Bahri Meshau; etj.

Jam përpjekur ti pasqyroj, me vërtetësi  ato që më dëftuan  bashkbiseduesit. Mendoj se  e meriton Goxho Kondi, ti ngremë një lapidar kujtese, për sakrificat e privacionet që ka bërë, në të mirë të vendit, popullit, familjes dhe shokëve e miqve të tij të shumtë. Goxho Kondi, nuk ish vetëm një njeri  me nerv atdhetar e me pulsin e kohës, por dhe një model sjellje, për t’u ndjekur. Disa nuk e kanë njohur; kjo monografi, mund t’u shërbejë për këtë qëllim; ata që e kanë njohur e kanë punuar pranë tij, pavarësisht se e kanë të vështirë ta harrojnë njeriun e mirë, buzagazin e shpirtmirin Goxho Kondi, ky shkrim, mesiguri do t’ua freskojë kujtesën

I përjetshëm qoftë kujtimi i Goxho Kondit, njeriut e pilotit të mirë!

Një ndodhi, e ndodhur

Ajo ngjarje i takon vitit të largët dhe ka ngjarë, me vërtetësi,  në qytetin :” Engels”, të Siberisë, mbi Vollgë, në fundvitin 1948. Atë vit, në hapsirat siberiane, bëri dimër i egër, rus dhe temperaturat e ajrit kapën shifra rekord.Në shkollën e aviacionit për pilotë:”Maria Raskova” të këtij qyteti, vijonin studimet edhe dhe kursantët nga Shqipëria:Flamur Mickaj; Elmaz Hasamataj;Refit Jazoj; Gani Gjondeda  (Selami);Qemal Mërtiri; Lulo Musaj ( Spahaj);Bajram Hitaj; Shaqo Hoxha; Hektor Lako dhe Riza Ramadani.

Pas verës së nxehtë e provimeve raskapitëse, grupit të kursantëve nga Shqipëria iu shtuan dhe djemtë  që kishin përcjellë luftën partizane dhe shkollën  e mesme ushtarake “ Skënderbej” dhe kishin nisur proçesin e studimeve në Jugosllavi : Goxho Kondi; Seo Trola; Refat Kasimati; Sejdo Kamberi; Haki Jupasi dhe Mersin Minxha.

Me të mbërritur në shkollën e qytetit “ Engels”, kursantët rishtarë, u integruan e u miqësuan shpejt me ata që gjetën. Ata njiheshin dhe më parë me njëri-tjetrin; qysh në luftën partizane, në shkollën “Skënderbej “ dhe në shkollën e aviacionit jugosllav, por, këtu e forcuan më tepër miqësinë. Jetonin, studionin dhe stërviteshin në kushte të njëjtë, vinin nga i njëjti vend, ishin të rinj e të padalë e me moshë të re. Kësisoj, të gjithë faktorët ishin në anën e miqësisë të tyre.

Siç dihet, rusët janë të fiksuar pas uniformës ushtarake. Edhe mbasi kanë dalë në pension, ish ushtarakët, kapardisen me uniformë ushtarake veshur, varin dekorata  e dëftojnë bëmat në luftë. Nuk kishin kaluar shumë vite nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe sejcili nga ata që kish  marrë pjesë në të , kishte çfarë t’u dëftonte të tjerëve. Në shkollën e aviacionit “ Maria Raskova”, drejtuesit e kishin shumë për zemër pajisjen e efektivit me uniformë ushtarake dhe kërkonin mbajtjen pastër të saj. Si rrjeshtorë model, tek rusët ,në përgjithësi  e tek drejtuesit e shkollës së aviacionit, në pveçanti, uniforma ishte komponent me peshë në paraqitjen e ushtarakëve.

Sapo u akomoduan, në mjediset e shkollës, kapterri ( starshinaja), i mori djemtë e i çoi në dhomën e veshjes ( kaptjorkë). Provuan, në trup dhe veshën djemtë tanë, teshat e dimrit, për t’u përshtatur  me temperaturat e ulëta të mjedisit. Goxho Kondi, po provonte teshat e reja. Një mëndje i tha , të kontrollonte dhe në xhepat e xhaketës. Në njërin nga xhepat e xhaketës, gjeti një copë letër, të palosur, me estetikë; të cilën e hapi dhe e lexoi. Letra ishte e shkruar në një rusishte të pastër dhe me shkrim, të bukur, siç shkruanin rusët. Në shkollat e tyre i kushtohej shumë vemendje bukurshkrimit. Në atë letër, disi enigmatike shkruhej:”… Ti që do të marrësh këtë letër, je i lutur të telefonosh, në” x” numër”! Aso kohe, në atë qytet, si në të gjitha hapësirat sovjetike, nuk egzistonin celularë, por njerëzit komunikonin me njëri-tjetrin nëpërmjet ndërlidhjes telefonike të centralizuar (me çentral). Grisha, për të shuar kurreshtjen e adoleshentit, nxitoi të telefononte.  Kurioziteti e shtynte të mësonte : Kush do të përgjigjej në anën tjetër të telefonit?

Një zë femre: i ëmbël, i qartë, me një elokuencë të llastuar, i erdhi Grishës në vesh  dhe e ngazëlleu. Femra, në anën tjetër  artikulonte në një rusishte të pastër  dhe, në zërin e saj diktohej lehtë emocioni e ngazëllimi. “ Më erdhi fati në derë”! – mendoi Grisha, i cili ishte në moshën  më të bukur të adoleshentit  nga Shqipëria. Femra ruse që fliste nga ana tjetër e telefonit, nuk mund ta fshihte kënaqësinë dhe gëzimin, paçka se rusishtja e Goxhos ishte e çalë e artikulohej me  gjysma fjalësh.

Kur Goxhua i tha bashkëbisedueses se ishte nga Shqipëria, ajo mënt kërceu, përpjetë, nga gëzimi. Kish arsye vajza  të gëzonte. Lufta e Dytë Botërore, i mori kombit rus miliona djem, në moshën më të bukur të rinisë. Femrat që mbetën, kërkonin të lidheshin, me dashuri e me martesë. Në një rast si ky  yni, vajzës beqare i jepej rasti të lidhej me një të huaj e konkretisht me një shqiptar.” Vdisnin” vajzat ruse për t’u lidhur me të huaj e sidomos me shqiptarë. Grisha, i ri, i shkathët, i zgjuar e simpatik, nuk vonoi, por shfrytëzoi  telefonatën, e i la takim vajzës së panjohur.

Ishte i ri në atë qytet e nuk i njihte mirë rrugët e rrugicat dhe objektet sociale  që shtriheshin përgjatë tyre. Gjuhën Ruse, si fillestar, nuk e zotëronte mirë dhe e fliste copa –copa, pa bërë fjalë për artikulimin e shprehjeve. Prandaj, mori, për  shoqërues, një shokun e tij të kursit, i cili ishte më me stazh e me përvojë,në këto punë dhe e fliste më mirë Rusishten. Në orën e caktuar, të dy, të veshur trashë e të kapardisur, dolën në vendin e takimit, në orar fiks. Donin të dëftonin se studionin për pilotë dhe ishin të saktë, në llogaritjen e kohës. Moti ishte mjaft i ftohtë e frynte erë Siberie. Në rrugë shikoje kalimtarë të paktë, nga ata që halli i kishte nxjerrë në mjedise të tillë, të hapët. Burrat dhe gratë ishin të veshur me xhupa të trashë e të ngrohtë, me gëzof; në kokë mbanin kokore të ngrohta, me gëzof e në këmbë ishin të mbathur me valenki ( një lloj çisme, e përgatitur me shajak të presuar, si qeleshet tona, të cilat të mbajnë mgrohtë e nuk rrëshqasin, në rrugët me akull mbuluar). Njerëzit dukeshin të njëjtë e ishte  ishte e vështirë të dalloje femrat nga meshkujt. Ata ecnin ngadalë, me hapa të rëndë, që të mos rrëshqitnin; çapiteshin duke u tundur nga njëri krah në tjetrin, si arinj përtacë.

Grisha  po vrojtonte, me syçeltësi  e me vështrimin tipik, të mprehtë si të shqiponjës,në vendin e takimit. Ai ishte i stërvitur për të dalluar lëvizjet qysh kur qe çoban, në pyjet e Kuçit dhe e kishte forcuar vrojtimin e ishte më i saktë në përcaktimin e objekteve, në kohën kur ishte korrier partizan. Në mendje kishte kurdisur një plan, të cilin ia kish mbajtur të fshehtë shokut që e shoqëronte. Plani konsistonte: Ajo femra që pritej të vinte në takim, po të ish e re dhe e bukur, Grisha  do ta takonte e do të bisedonte me të; përndryshe, do të largohej, pa e takuar e do të autorizonte shoqëruesin të merrej me të. E pikasi, së largu, tek afrohej , me hapa të ngadaltë, femrën, e vetme që po afrohej, tek dy shokët. Ajo ishte e veshur me xhup e me valenki në këmbë,dhe në qafë kishte vënë një shall,  të bukur, me lule. Kjo ishte shënja që bënte të mundur veçimin e saj, si femër.

Goxhua, megjithse, femra përpiqej ta mbulonte defektin që kish e ta mbante veten, duke ecur ngadalë e me hapa të vegjël, diktoi se ajo që afrohej ecte çalë-çalë. “ Më fal, i tha papritur shokut që kishte në krah, do të shkoj deri në  DKA – (Shtëpia  e kulturës e ushtarakëve); e, po erdhi ajo që presim, takoje e bisedo me të”! Ndërkaq, Grisha u zhduk, prapa godinave, aty afër. Erdhi vajza, u prezantua me shokun, e mori për bashkëbiseduesin e djeshëm dhe biseduan, përzenërsisht. Shoku i Goxhos, u soll me të si një kavalier xhentëlmen.  U ndanë, si miq, por nuk lanë takim.

Kur shkuan në shkollë, shoku , i zemëruar, iu drejtua Grishës:” Po ti, or maskara, mua gjete të ma ngecësh atë topallicën”? Qeshën të dy e kjo nuk e cënoi, aspak miqësinë mes tyre. Kur ua bënë me dije shokëve të grupit , ata u relaksuan , pa masë, e dëftonin , rast e pa rast e më nëfund e sollën në Shqipëri , ku u dëftua si barcaletë.

2 thoughts on “Goxho Çelo Kondi, partizani pionier, njëri nga pilotët e parë të vendit”

  1. Me pelqyen gjithe shkrimet, shume terheqese e emocionuese,plote profesionalizem dhe portretizimesh te bukura

  2. Impresionuese, aq me teper me terhoqi per faktin se behej fjale per babain e Marjana Kondit.

Comments are closed.