Guximi, trimëria dhe iniciativa vepruese, i rrinë si kurorë lavdie kolonelit të papërsëritshëm

Niko Selman Hoxha: Gjerdan heroizmi në shtatin plot lavdi të Aviacionit Shqiptar

Çdo punë ka lavdinë dhe heronjtë e saj. Në aviacion, për shkak të rreziqeve dhe të papriturave, lavdia dhe heroikja shpalosen përditë, sa herë çohet në hapësirë një aeroplan. Në themel të heroizmit masiv, bijtë e zgjedhur të këtij vendi, në kohë të ndryshme kanë vendosur gurë kilometrikë, në udhën e vështirë të ngjitjes, duke na dëshmuar se nga kanë ardhur pararendësit tanë. Në gjerdanin e lavdisë e të heroizmit shndrit jeta dhe vepra e paharruar e disa korifenjve aviatorë, të cilët e kanë shkruar emrin në qiell, ku mbetën fajkoj, në përjetësi.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Aviacioni Shqiptar mori vrull e u vendos mbi kritere shkencore. Sot, duke hedhur vështrimin në shkallët e ngjitjes, na tërheqin vëmendjen disa figura me rol parësor, të papërsëritshëm. Niko Hoxha, Vasil Trasha, Azbi Seranaj, Luto Sadikaj, Jovan Kacorri e të tjerë, jetuan pak por i dhanë aviacionit dhe vetë Kombit shumë, madje dhe jetën e tyre të re  dhe mbetën pika referimi  e burim frymëzimi, për breza të tërë.

Niko Selman Hoxhën, shumëkush e ka quajtur: “Baba i Aviacionit Shqiptar”. Një vlerësim ky i pakontestueshëm e plotësisht i merituar. Është e natyrshme që brezat të zënë vendin e njëri-tjetrit, në kohën që rrjedh, pareshtur. Niko Hoxhën, disa nuk e kanë njohur; të tjerë, të cilët mund ta kenë njohur, koha e gjatë që ka kaluar, u ka mjegulluar kujtesën e mund ta kenë harruar. Ky është rasti më i mirë. Por, historia, si gjykatës i drejtë e i paanshëm, gjigandë të sërës së Niko Hoxhës, nuk mund ti anashkalojë, as ti mbështjellë me tisin e harresës. Vendi i tyre, ka qenë, është e do të mbetet panteoni i lavdisë, tëmerituar.

Cili ishte Niko Hoxha e përse e ka vendin, përjetësisht, në atë piedestal nderi? Do të përpiqem, pa pretenduar se dëftoj çdo gjë që lidhet me figurën e tij të ndritur, të rendit disa nga vlerat e atij personaliteti të rrallë, i cili na erdhi si bekim, u bë ëngjëll mbrojtës e iku, aq shpejt e papritur, kur kishim mjaft nevojë për të. Gjurmët e punës së tij  prej titani, trokasin në vite e na bëjnë apel, për të qenë syçelët  e për të mos harruar udhën e vështirë por heroike  të cilën e ka përshkuar me shumë përkushtim e me guxim të rrallë, aviacioni ynë, aktualisht i heshtur e kur aerodromet i ka pllakosur zija.

Niko Selman Hoxha, u lind në fshatin Tragjas të rrethit të Vlorës, në vitin 1926, në një familje fisnike, me traditë atdhetarie, të kamur e me ndikim të fuqishëm, ne trevën përkatëse. Prindërit e quajtën me emrin Neki; kur dhe si u transformua emri i tij në Niko, nuk e dimë. Fëmijërinë e përcolli në fshatin e lindjes. Në fëmijërinë e hershme, Nekiu mbeti bonjak, nga e ëma. Babai i tij, Selmani, u martua sërish dhe Nekiut të vogël i ra barra të kujdesej, për vete dhe për motrën e sëmurë, Burbuqen, të cilën e sistemoi në një shtëpi fëmijësh.

Mes bashkëmoshatarëve dhe nën ndikimin e të tijëve, ai u mëkua me tipare të qënësishme, si bujaria e shpirtit, dashamirësia, intelekti i natyrshëm dhe tipare të tjera të një djali fshati, azgan, i shkathët e guximtar si dhe u formua me një fizik të zhdërvjellët e me kapacitet atletik. Pas kryerjes së shkollës fillore të fshatit, Nekiu u shpërngul në qytetin e Elbasanit, për të ndjekur mësimet në Shkollën Normale, e cila, në atë kohë ishte mjaft e preferuar. Banonte në një shtëpi të marrë me qera; xhepi i Selman Hoxhës e përballonte koston e jetesës të të birit, normalist. Në Shkollën Normale, si në atë para saj, djaloshi nga Tragjasi shkëlqeu në mësime e u zhvillua më tepër fizikisht, nxorri në pah tiparet e një çapkëni që nuk i trembej syri dhe u bë veprimtar i shquar shoqëror. Në shkollë e në qytet u njoh me njerëz të mentalitetit të tij, si Edip Ohri, Fari Bubësi etj, me të cilët miqësia zgjati shumë.

Nikua, në shoqërinë e njerëzve përparimtarë të kohës, gjat kohës që studionte në Shkollën Normale të Elbasanit ra në kontakt me idetë komuniste e u bë njëri nga përhapësit më të flaktë të idesë për çlirimin e vendit. Kur veprimtaria Atdhetare e tij ra në sy të pushtuesve dhe veglave të tyre, Nekiu adoleshent, u detyrua të braktisë shkollën e doli në mal. Ai u bashkua me luftëtarët e lirisë, në formacionet partizane të trevës. Fillimisht, Nekiu u inkuadrua në formacionet e Brigatës së 5-të Sulmuese, ku mbajti dhe funksionin e sekretarit të Rinisë Komuniste. Më pas, po në përbërje të kësaj brigate heroinë, Neki Hoxha, luftoi kudo, në Shqipëri e jashtë saj, kudo ku shkeli Brigata e 5-të Sulmuese, deri në viset e Jugosllavisë. Djali azgan i xha Selmanit, me shkathtësinë dhe guximin që e karakterizonin linte në hije edhe partizanë me përvojë të gjatë lufte. Niko Hoxha, në çdo aksion lufte gjendej në radhën e parë të formacionit luftues. Iniciativën e tij guximtare nuk arritën ta frenonin, as kritikave të vazhdueshme të shokëve dhe të drejtuesve të formacioneve partizane, për të luftuar, jo në këmbë, siç luftonte ai, por si të gjithë shokët.

Vendi u çlirua dhe Niko Hoxha, së bashku me bashkëluftëtarët u kthye në Atdhe. Djemtë si ai, me fizik më të zhvilluar e me më tepër shkollë, u dërguan në Jugosllavi, për të mësuar aeronautikë  (teknikën e pilotimit dhe teknologjinë e aviacionit), në shkollën e aviacionit të Zemunit. Niko Hoxha; Edip Ohri; Fari Bubësi; Babaçe Faiku ( Imeri ); Peço Polena; Vasil Trasha; Hasan Shyti; Sazan Xhelo; Areteo Konomi; Vullnet Aliaj; Pertef Myftari; Irakli Grazhdani; Vasil Qeraxhi, ishin ndër të parët që u futën në hullitë e hapësirës ajrore dhe mësuan fluturimin. Niko Hoxha, gjatë kohës së studimeve  aeronautike, në shkollën jugosllave mësoi teknikën e pilotimit , në disa tipa aeroplanësh e u rendit në nivelet më të lartë të përvetësimit.

Ishin vitet e parë të jetës së lirë, pa pushtues. Uashtria Nacionalçlirimtare, e dalë nga lufta, si forcë fitimtare, kishte nevojë për kualitete të rinj armësh. Niko Hoxha, së bashku me një bërthamë pilotësh të kthyer nga studimet në shkollën Jugosllave të aviacionit, bashkuan, në një repart, në aerodromin e Tiranës ( Laprakë), një amalgamë pilotësh, teknikë e specialistë të aviacionit, të cilët kishin nivele të ndryshëm dhe prirje jo të njëjta për shfrytëzimin e teknikës ajrore egzistuese, të mbetur nga lufta e Dytë Botërore. Në vitin 1952, me komandant Niko Hoxhën, u organizua i pari repart luftarak i aviacionit shqiptar. Kompaktësimi i atyre njerëzve të ndryshëm, rreth një aeroplani të vetëm, të kohës, siç ishte ai Jak-9P, është vepër e Niko Hoxhës, kryesisht.

Për t’u thelluar në njohuritë organizuese dhe drejtuese, si në teori dhe në praktikë, së bashku me Edip Ohrin, Niko Hoxha, shkoi për studime të larta, në Moskë, në shkollën ku përgatiteshin kuadro drejtues të aviacionit. Gjatë asaj kohe, Nikua fluturoi dhe me aeroplanin bombardues PE-2, në Shkollën “ Maria Raskova” të Novosibirskut, ku përgatiteshin dhe disa pilotë për vendin tonë. I pajisur me teorinë bashkëkohore të përdorimit luftarak të aviacionit, pas përfundimit të kursit të lartë, Niko Hoxha u kthye në Shqipëri, në krye të repartit të vetëm të aviacionit luftarak, në Laprake.

Pas specializimit në aeroplanët reaktivë të tipit Mig -15, kur u krijuan kushtet për formimin e regjimentit të parë të aviacionit, më 15 maj të vitit 1955, Niko Hoxhës iu besua detyra e komandantit të këtij regjimenti luftarak, në Qytetin “ Stalin”. A “e mori për dore”, regjimentin e sapokrijuar dhe e futi efektivin e tij në udhën e vështirë të konsolidimit, në ata kushte kur kërkohej rritje e shpejtë e niveleve tekniko- profesionalë me atë gjendje që kish, sa i takon aftësive, niveleve dhe karaktereve të ndryshëm. Me guxim e me iniciativë dhe me aftësi profesionale, gjithnjë duke qenënë ballë të aksionit luftarak, sedërliu Niko Hoxha iu përfill punës për të rritur aftësitë profesionale të efektivave; në veçanti të pilotëve. Ai i donte shumë ata që fluturonin dhe ishte i lidhur ngushtë me punën e tyre të vështirë. Puna me pasion e me frymë militante e të Madhit Niko Hoxha, bëri që, brenda një kohe të shkurtër, niveli dhe aftësitë profesionale të pilotëve tanë u krahasuan, madje, në drejtime të veçantë e tejkaluan atë të kundërshtarëve tanë të mundshëm.

Si psikolog i talentuar, tipar dallues i cili buronte nga geni dhe bazohej në zgjuarsinë natyrale të tij, Niko Hoxha mblodhi rreth vetes, fluturues, të cilëve u shkëlqenin sytë e u gufonte zemra nga dëshira e zjarrtë për të fluturuar. Ata ishin trima e guximtarë të rrallë dhe me mendim të kthjellët, për ngritjen e nivelit dhe të aftësive profesionale. Ai u ndodh me fat,  që, në krah pati talentin e lindur për të fluturuar; trimin e çartur – Vasil Nikollë Trasha; shqiponjën e qiellit, sypatremburin Babaçe Faiku ( Imeri); pilotin me horizont, të kulturuarin Fari Bubësi; talentin e rrallë, Haki Jupasi; guximtarin Kosta Neço Dede; fjalëkursyerin, Anastas Ngjela; mentarin Bardhyl Taçi; të qetin Edip Ohri etj. Duke u prirë me shëmbullin vetjak, Nikua,i futi këta dhe pilotë të tjerë në shkallët e ngjitjes profesionale, në “garën” për të marrë klasin e parë të pilotit, si shkalla më e lartë e kualifikimit.

Pa këmbënguljen dhe vendosmërinë e Niko Trimit, nuk do të kishim pilotët e klasit të parë: Vasil Trasha ( pas vdekjes ); Niko Hoxha; Edip Ohri; Fari Bubësi; Haki Jupasi dhe Thanas Gjiknuri, në natën e zezë të 23 marsit 1958, kur humbi jetën talenti Vasil Trasha, në kursin e zbritjes, duke shpuar poshtë retë e ngarkuara. Ishte përzgjedhja e mënçur e komandant Niko Hoxhës, dërgimi i 12 pilotëve cilësorë, në Sevaslejkë ( BS), për të kaluar në aeroplanët e sofistikuar Mig-19 PM, në verën e vitit  1958. Jo më pak vlerë pati përballimi i detyrave të gatishmërisë luftarake të aviacionit, me pilotët e mbetur. Nuk do të qe bërë e mundur, çelja e shkollës së aviacionit në vendin tonë, po të mos vepronte me guxim e iniciativë kolonel Nikua, i cili, formoi një skuadrile mësimore, brenda regjimentit që drejtonte; më pas, në vitin1960, u bënë dy skuadrile mësimore, brenda regjimentit. Hapja e shkollës së aviacionit, ishte, ndoshta hapi më serioz dhe guximtar, në udhën e zotërimit të hapsirës ajrore nga pilotë të përgatitur në vndin tonë.

Kur zhvillimi shtroi në rendin e ditës zgjerimin e aviacionit dhe shtrirjen e tij në të gjithë vendin; Niko Hoxhën e thirri detyra, në postin drejtues të Regjimentit të ri, i cili, u formua në Rinas i cili ishte, drejtpërdrejt, në mbrojtje të kryeqytetit. Kryerjen e kësaj detyre të rëndësishme, Nikos ia mundësonte militantizmi partiak, aftësitë organizuese e drejtuese, niveli i lartë profesional, eksperienca pozitive dhe autoriteti e ndikimi i tij në rrethin shoqëror e në mjediset ku jetonte e punonte. E kreu këtë detyrë, i lavdishmi Niko Hoxha, me kompetencë e përkushtim mbresëlënës, nga pranvera e vitit 1962, deri sa ra, në krye të detyrës, në një aksident ajror, më 20 nëntor, të vitit 1965, në atë të shtunë të mbrapshtë.

Kush merr përsipër të gdhendë portretin shumëdimensional të Niko Hoxhës, mendoj se ka obligimin ti dëftojë të gjitha. Sikur edhe një tipar i atij burri, të mos theksohet, portreti i tij, i ndritur do të qe i mangët e do të çalonte. Mendoj se nuk kishte fushë të veprimtarisë luftarake dhe shoqërore ku të mos spikatëte roli brilant i heroit tonë. E kisha idhull; mësova shumë prej tij; përpiqesha ti ngjaja, por nuk e arrija dot se idhulli im kishte kapur maja të larta, ku asnjeri nuk ngjitej dot. Veç e vështroja  “gjenialitetin “ e tij e kënaqesha, me atë që më kapte syri. E kam të qartë se opinioni im, sido që të shprehet, nuk e ka të mundur, të dëftojë, gjithë sa ndjej për të. Për ta bërë më të plotë panoramën, do të përpiqem të paraqes mendimet e disa bashkëkohësve të tij. E them qysh në nisje, se të gjithë ata konvergojnë në një pikë: Përveç tipareve të guximit e trimërisë, të cilat ishin të pranishme në karakterin e tij, horizonti dhe niveli e lejonin kolonelin ta kapte problemin në kohë e ta çnte, deri në fund, zgjidhjen e tij.

  • Gëzdar Veipi ( ndjesë pastë), pilot i klasit të parë, më tha: “ … Nikua e ndiqte stërvitjen, hap pas hapi. Ai ,kishte aftësinë për ti kapur problemet shpejt dhe vendoste, drejt e menjëherë. Nivelin teorik e kishte mjaft të lartë; Ai qendronte më lart nga kolegët…”
  • Serafin Shegani- njëri nga pilotët më jetëgjatë në aeroplanët mbizanorë, theksoi: “… Pa kontributin e Niko Hoxhës, nuk do të kish marrë, atë zhvillim aviacioni shqiptar. Karakteristikë e veçantë e Niko Hoxhës ishte udhëheqja, kudo e kurdoherë, me shëmbullin personal… Nikua kishte dëshirë dhe ia arrinte të ndodhej në përbërje të formacioneve luftarake, ku zgjidheshin detyra ajrore nga më të vështirat. Gjithnjë, në sfondin taktik. Ai donte të fluturonte në të gjithë tipat e aeroplanëve. Nuk linte njeri ti dilte përpara, Ai. Detyrat ajrore i çmonte me seriozitetin maksimal e ishte mjaft sedërli…”.

Tiparet e karakterit të Niko Hoxhës, të formuara e të kalitura që nga fëmijëria e tij, ishin më tepër dhunti të atij njeriu. Po t’u shtojmë vlerave të karakterit të tij, dhe aftësitë metodike që fitoi në punë e me shkollë, tabloja bëhet më e plotë.

Vetëm zërin e tij, po të marrim veçmas, kemi të bejnë me një vlerë të rrallë e të paparë deri atëherë, por dhe pas tij. Zëri i Niko Hoxhës, në radio, ishte si melhemi për plagën. Ai kish zë të qartë, të ëmbël, të qetë, të qartë, i artikuluar pastër e me timbër shumë meliodioz. Kur të fliste Niko Hoxha, të dukej sikur e kishe pranë, në kabinën e dytë të avionit e të ndihmonte, me optimizmin dhe qetësinë  që të injektonte, për të dalë nga situata të vështira. Ta kishte ënda ta dëgjoje ligjërimin e atij burri.

  • Vangjel Koçi, një veteran, i cili ka shërbyer si aviodrejtues dhe sinoptikan, kur e pyeta, u shpreh: “… Kur fliste koloneli, zëri i tij i përngjiste këngës së bilbilit…”.
  • Serafin Shegani: “… Fluturonim në aerodromin e Qytetit “ Stalin” dhe, herë pas here e kalonim radion në kanalin e Rinasit, vetëm për të dëgjuar zërin e Niko Hoxhës…”.

 

Si këta, mund të dëshmojnë shumë të tjerë të cilët e kanë ndjerë pranë kolonelin, në situata të vështira ajrore dhe e kanë patur si busull orientimi, fjalën e tij, për të dalë nga ajo gjendje . Niko Hoxha, me drejtimin dhe ndihmën e  pakufizuar që na ka dhënë, na u bë “ jatak”; “ nënë e baba”; shok e vëlla; mik; për kokën e mikut. U rritëm përkrah tij, na dha krahë, nga krahët e tij, na u gjend pranë, si asnjë tjetër. E pamë komandant Nikon tek sulej mbi avion, “ si i marrë”, me padurimin që të çohej në ajër, sa më parë me vullnet e guxim të paparë. Guximi dhe trimëria, iniciativa vepruese e tij, u bënë lokomotivë që i çoi punët përpara. E vumë re si qeshte me lot, me duart në mes dhe tek gëzonte si fëmijë, kur efektivat kapnin tregues pozitivë dhe si dëshpërohej, pa masë, kur diçka nuk shkonte siç ai dëshironte. Ai ulej me ne rishtarët, “shesh – besh”, luante, qeshte e argëtohej dhe na dëftonte, me talentin dhe gojëtarinë e një aktori të vërtetë, ndodhi nga jeta në aviacion. Por, ai njeri, aq masovik, tjetërsohej, bëhej serioz, rigoroz e kërkues, sa herë bëhej fjalë për fluturimet, për rregulloret dhe instruksionet.

Koloneli kishte një “ peshore”: Ai ishte i balancuar dhe peshonte me peshore farmacisti. Niko Hoxha, i jepte gjithkujt atë që meritonte.

  • Roland Sofroni ( ndjesë pastë), njëri nga pilotët instruktorë të kalimit në aeroplanët mbizanorë Mig -19S, kur cekte këtë temë, nënvizonte: “ … Niko Hoxha, si komandant, të jepte atë që meritoje. Ai nuk ta hante hakun, kurrë. Nikoja, kishte njohuri teorike dhe taktike mjaft të mira. Kur zbërthente e shpegonte elememtët e fluturimit ishte tepër i saktë. Si udhëheqës i fluturimeve, Ai ishte i përsosur e gjakftohtë… Koloneli ishte dhe një metodist mjaft i mirë…”

Mendimin e Rolandit, e përforcon dhe piloti “ emblemë” i aviacionit shqiptar, veterani Bardhyl T Lubonja, me banim në Boston të ShBA-ve:

  • Bardhyl T Lubonja: “… Kur fluturonja me aeroplanët Jak-18A, në rolin e kursantit për pilot, në vitin 1960, në aerodromin e Qytetit “ Stalin”, Niko Hoxha, më kontrolloi në ajër, para lëshimit në fluturime vetëm. Në ajër, nuk më ndërhyri, por më la të veproja vetë. Kur zbritëm e dolëm nga kabinat; iu paraqita ushtarakisht për të marrë verejtjet e ai më tha: “ … Tani, ngreu në ajër, i vetëm”! Dhe u ngrita. ishte hera e parë , në jetën time që fluturoja i vetëm, pa instruktorin në kabinën e dytë…”.
  • Bahri Meshau ( Përmeti ): “… Koloneli, në çdo rast të jepte hakun..”.

Për qëndrim të barazpeshuar të kolonelit, dëfton dhe rasti që na sjell në kujtesë, veterani Pajtim Elmazaj, ish ushtar, në ndërlidhjen e regjimentit, në kohën kur regjimentin e drejtonte Niko Hoxha. Në pohimin e tij bie në sy të qënit i drejtë, në qëndrime e në vndime të komandant Niko Hoxhës. Pajtimi, pohoi:

  • Pajtim Elmazaj: “ … Kur kontrolloi pajisjet e mija në çantën e ushtarit dhe i gjeti sipas kërkesave të rregullores, koloneli më shpërbleu, me shtatë ditë leje, pranë familjes… kur verifikoi prezencën e ushtarëve, në një thirrje të mbrëmjes e unë mungoja, pa arsye, ai urdhëroi të më ndëshkonin me shtatë ditë arrest…”

Shëmbuj të shumtë na bindin se Niko Hoxha, në gjykime e në veprime, ishte i drejtë dhe, në çdo rast,  merrte anën e rregulloreve e të instruksioneve. Me të tillë qëndrime, Ai, kishte fituar simpatinë dhe besimin e vartësve, të cilët “ hidheshin në zjarr”, me fjalën e tij.

Niko Hoxha ishte ushtarak i lindur. Shtatin e kishte të lartë, muskuloz, të lidhur mirë, ngjante si atlet e i kishte lezet uniforma ushtarake që mbante në trup. Nuk e pashë, asnjëherë të veshur me uniformë civile, atë njeri. I pëlqente të vishej, me çisme, me pantallona qillota, me një bluzë ushtarake të mbyllur ( gjimnastorkë) e me rrip krahëqafë. Edhe në stinën e nxehtë, qaforja e tij e bardhë dhe gryka e mbyllur i shkonin për mrekulli, atij trupi azgan. Gjithmonë i qethur e i rrojtur, me flokë bojë gruri, të cilët nuk i dilnin jashtë kapeles, me shënjat dalluese të fluturuesit. Mbante mustaqe, të cilat ishin në ngjyrën e flokëve, të cilave u shërbente rregullisht e ato hijeshonin fytyrën e tij të rregullt. Dy sy, bojëkafe, xixëllonin, si sytë e shqiponjës dhe përhapnin mirësi. E gjithë qënia e tij ishte simpatike dhe buzagazi  i kursyer të ngrohte, edhe me një vështrim.

Me Niko Hoxhën, kur ishte i ulur, mund të bisedoje lirshëm, si mik e si shok; por, sapo çohej, me atë burrë, mund të komunikoje vetëm me gjuhën e rregullores. Siç i zbatonte vetë, kërkesat e rregulloreve, ashtu kërkonte dhe nga vartësit. Këtë ma theksuan mjaft bashkëkohës të tij.

  • Bajram Hitaj, veterani 90 vjeçar, i cili, ka fluturuar, një jetë të tërë, së bashku me Niko Hoxhën, më bëri me dije se: “… Si pilot, Nikoja ishte trim e guximtar. Ai ishte njeri i besës, tolerant dhe dashamirës. Ai të kritikonte kur gaboje, por, i njihte dhe gabimet e tij. Nikoja ishte i lindur për ushtarak dhe Zoti i kishte dhënë të gjitha bukuritë e një oficeri e komandanti “ brilant …”.

Shokët sjellin shëmbuj të rrallë të qendrimit të tij burrëror e autokritik, edhe në çaste tepër të vështirë, siç ishte ai i ceremonisë mortore të komandantit të skuadriles Hektor Lako , i cili u vra në një katastrofë ajrore, në fluturimet e natës  të 23 marsit të vitit 1962, kur Nikoja ishte transferuar në Rinas. Niko Hoxha, menjëherë sapo dëgjoi për katastrofën, shkoi pranë arkivolit të mikut të tij, të pajetë, e nderoi atë ushtarakisht dhe tha: “ Të vrava te ‘u “!, duke pranuar kështu ndikimin e tij për avancimin e shpejtuar të Hektorit. Qëndrimi i çiltër i Nikos, të bënte me turp.

Niko Hoxha ishte njeri i sakrificës dhe i fjalës së mbajtur. Ai, nuk i ndante fjalët nga veprat. Nikoja sakrifikonte vetë, i pari, që të kërkonte sakrifica, nga vartësit. Ato që u spjegonte vartësve, i provonte vetë i pari. Nuk është e vështirë për ti konkretizuar këto tipare të tij. Kur u prodhua karburanti i parë shqiptar ( vajguri special ), në Qytetin “ Stalin”, nga një grup specialistësh të aviacionit dhe të Uzinës së Naftës, Niko Hoxha, fluturonte, në detyra të ndryshme, dy javë me radhë me kaburantin e vendit, në një kohë kur kolegët e tij nuk dinin asgjë. Kur vinte në ulje, tek kthesa e katërt, Nikua kishte lartësi të madhe, dhe planëronte ne kend të madh dhe ulej, me motorr të fikur. Nga kjo manovër mbeteshin pa fjalë kolegët që e vështronin, nga toka. Në vitin 1958, Niko Hoxha, mund të shkonte por nuk shkoi, në Sevaslejkë, së bashku me kolegët, për të kaluar në aeroplanin Mig-19 Pm, por e mësoi atë, në Rinas, pa avion mësimor. Ishte fjalëmbajtur dhe sedërmadh, prandaj u ngrit i pari, në formacionin me katër avionë, në ditën që u nda nga jeta, etj.

Niko Hoxha, ishte i papërtuar dhe gjurmonte kushtet për fluturim, gjatë 24 orëve, me shlemafon në dorë, me një durim e vendosmëri të paparë. U gjendën nga ata që thanë:” Po ky, nuk paska familje…”? Do të përgjigjem, pas kaq vitesh, siç e mendoj unë : “ Niko Hoxha kishte familje, madje jo nje, si të gjithë, por dy të tilla. Njërën e kishte në Valias, me dy djem si yje dhe Lanën Zonjë të rëndë dhe familjen tjetër në Rinas, Regjimentin ku e kishte “ vatrën  plot me fëmijë”. Të dyja, Ai i donte e i respektonte shumë. Pa këmbënguljen dhe vendosmërinë e atij “korifeu”, nuk do të kishte fituar aviacioni pilotët e klasit të parë: Lulo Musai ( Spahaj); Anastas Ngjela; Kosta Neço Dede; Gëzdar Veipi; Çobo Skënderi; Mahmut Hysa; Halit Bulku dhe Bajazit Jaho. Kur bëheshin kushtet e motit për të fluturuar, Nikua, i kërkonte pilotët me makinë, nëpër shtëpitë e tyre, në Tiranë.

Për sakrificat e Nikos, bën fjalë dhe rrëfimi i teknikut veteran Sulo Gorica, i cili menaxhonte aeroplanin Mig-19 Pm, në të cilin ishte komandant ekipazhi Niko Hoxha. Në një takim shoqëror, Sulua më tha: “… Nikua, në ditën ( natën) e fluturimit vinte në aerodrom, më herët se ne teknikët dhe specialistët, që bënim përgatitjen dhe kontrollin e avionit. Kur i gjente avionët akoma të pahapur, me të qeshur thoshte: “… Akoma nuk i keni hapur avionët, ju, gjumashë…”?

  • Gëzdar Veipi ( ndjesë pastë ), e shprehte kësisoj opinionin e tij, për këtë çështje: “ … ne, e morëm klasin e parë të pilotit, me vendosmërinë e Niko Hoxhës. Çdo ditë pritnim kohën, në aerodrom, me shlemafon, në dorë; që të kapnim retë “ e mira”; jo “ retë agresive”…”.

Koloneli, nuk ishte i dhënë vetëm pas stërvitjes, rregullit e disiplinës, të cilat ai i kishte pasion, por ishte dhe mjaft i njerëzishëm. Humanizmi i tij ishte veprues dhe konstant. Ai kujdesej mjaft, për jetën e efektivave dhe të familjeve të tyre. Nën drejtimin e tij në Regjimentin e Qytetit “ Stalin” u formua një kohezion mbreaëlënës, i cili, vazhdoi gjatë e upërhap edhenërepartet e tjerë të aviacionit. Kur u ndanë shtëpitë, në Qytet, në kushte tejet të kufizuara të viteve ’50, kur , në një hyrje strehoheshin dy familje, vendimet dhe zgjidhjet e bazuara, në disa raste, ai fitoi zemrat dhe besimin e vartësve. Këtë e verteton veterani Ismail Harizaj dhe mjaft të tjerë, të cilët e kanë pëtjrtuarsituatën.

Si psikolog e mendjemprehtë, Niko Hoxha, pikasi qëndrimin të mënjanuar e të mërzitur të një ushtari, foli, hapët me të; e mori në makinë, vajti në fshatin e tij, bisedoi me të dyja familjet që nuk merreshin vesh, mori fjalën nga të dyja palët, dhe e qetësoi ushtarin, i cili donte një vajzë, por nuk binte dakort me familjen e saj. Niko Hoxha, kishte autoritet, të padiskutueshëm, lidhje të shëndosha e ndikim të madh, në terren. Një ditë, kur shkonte në Tiranë, hipur në makinën e komandës së Regjimentit, midis Valiasit dhe Kamzës, pikasi një grumbull vocërrakësh, me çanta në krahë, e me këmbet zbathur, tek po çapiteshin në baltovinën e udhës. Mbasai i pyeti e ata i thanë se po shkojnë në shkollë. në Kamëz, mbasi në Valias, nuk kishte shkollë; Nikua, bisedoi me organet kompetente dhe në Valias u ngrit shkollë, madje u ndërtua dhe një kinema, për banort e fshatit dhe për ushtasrakët e qytezës..

Ka fituar vlerat e një barcalete dhe dëftohet, jo pa humor, një vprim interesant i Niko Hoxhës, me një kuadër, mosha e të cilit ishte rritur e koha për martesë nuk priste. Oficeri ishte simpatik. Kur paraqitej me kapele, vajzat pranonin të lidheshin me të por, sapo hiqte kapelen dhe koka e tij dilte zbathur, vajzat, kandidate për fejesë, ia mbathnin vrapit. Nikua e thirri, në zyrë oficerin e i tha: ”… Ik me leje; qëndro sa të duash e kthehu kur të kesh kryer punë, vetëm se të dua të më vish në repart, me nuse…”! Ashtu bëri oficeri dhe “ magjija “ funksionoi. Nuk mund të numërohen rastet humanitare, mes tyre dhe thjeshtësia,lidhja me masat dhe interesimi i Nikos, për jetën e vartësve. Ingjenieri veteran Xhevair Shega, theksoi se Nikoja, kur zhvilloheshin fluturime qëndronte me ne , që i shërbenim teknikës, në zonën 1; e kam parë me sy kur luante me oficerët dhe me ushtarët  futboll e volejboll, në repart e në Valias; kur merrte pjesë në aksionet për grumbullimin e të vonave, në aerodrom etj. etj. Me rastin e festave popullore, komandant Nikoja ftonte në familjen e tij, kuadrot më të shquar të repartit dhe festonte, së bashku me ta. Kemi të bëjmë me një rast unikal e të papërsëritshëm. Kur u ndalua nga fluturimi, piloti i elitës, Agim Spahiu, për shkak të origjinës së tij, Nikoja, i cili  nuk i “ lëshonte” kuadrot që kishte përzemër, i shkoi në zyrë Beqir Ballukut dhe e garantoi, për besnikërinë e pilotit. “ Agimin e marr unë përsipër”- i tha Ai Ministrit dhe ky, mbasi u mendua, u përgjigj: “ Atëherë, bëhu garant i tij”! Dhe Agimi fluturoi, sërish.

Respekti dhe dashuria për Niko Hoxhën, të cilat burojnë nga veprimtaria e tij e njerëzishme, i ka kapërcyer kufijtë e repartit, të aviacionit e është shtrirë, edhe më tej.Rrallë mund të gjësh njerëz me moshë mesatare që të mos ketë dëgjuar për bëmat e kolonelit. Një opinion më të plotë, mund tua përcjell, nëpërmjet rrëfimit të pilotit në pension, të verbrit Guri Demir Merkaj, se:”… Niko Hoxha ishte njeri i besës e i fjalës së mbajtur… në fluturim, ne të rinjve na jepte iniciativë… atë që thosh, Niko Hoxha, e bënte. P-o në e kishte p-o dhe j-o në e kishte j-o… e mbaj mend sikomandant të zotin dhe burrë-tamam… burra si ai nuk vijnë kollaj, në këtë vend…”. Jeta i vërtetoi, plotësisht, thëniet e të verbërit Guri, të cilat dalin nga shpirti i tij i pastër.

Viti 1965, po rrokullisej, me shpejtësi, drejt fundit. Për Regjimentin e Rinasit, deri atëherë rezultoi i begtë. Treguesit e stërvitjes e të gatishmërisë, thuajse ishin përmbyllur, me arritje konkrete. Ishte data 20 nëntor, ditë e shtunë, ora lokale, ishte rreth 10.oo. Një ngjarje tepër e rëndë ndryshoi krejt rrjedhën e veprimtarive e jetës në repart. Në një qitje treguese, në poligonin e improvizuar, në fund të aerodromit, në sytë e të gjithë efektivave të regjimentit të aviacionit e atij të artilierisë kundërajrore dhe të popullsisë vendase, humbi jetën, në katastrofë ajrore, kolonel Niko Selman Hoxha, komandant i Regjimentit; “ Baba” i aviacionit shqiptar. Sejcili, sipas të tijës, kishte bërë plane për të përcjellë fundjavën por ngjarja e rëndë, jo vetëm anulloi gjithë veprimtaritë festive, por helmoi keqas mjedisin, në repart e më gjerë. Ishte ditë e shtunë, paradite. Që atë herë, nuk di përse e kam marrë inat këtë ditë edhe pse e kam tç qartrë se ajo është njëlloj me ditët e tjera.

Nga plani vjetor i fluturimeve, disa pilotëve, për shkaqe të ndryshëm, u kishin mbetur pa kryer disa ushtrime; kryesisht në përdorimin luftarak të avionit. “ Të vonuarit”, atë ditë do të zhvillonin qitje, me zjarr, në poligonin malor të Krujës, ku shënjat vendoseshin në lartësinë 500m. Mirëpo, atë ditë, kufiri i poshtëm i reve ishte rreth 1000m. e kjo ishte e pamjaftueshme për të bërë qitje. Koloneli, i cili jepte leksione mbi përdorimin luftarak të aviacionit, përpara dëgjuesve të Akasdemisë Ushtarake, kishte premtuar se do t’u dëftonte, në praktikë, qitjen me avion, siç e spjegonte teorikisht atë. Niko Hoxha, ishte autoritar e fjalëmbajtur; prandaj, nuk mund të lejonte shmangje nga premtimi i dhënë. Regjimenti ishte në pritje të përmirësimit të motit, por pritja rezultoi e pafat. Atëherë, koloneli, i cili kishte ardhur në repart, sipas zakonit të tij, para efektivave, urdhëroi ndryshimin e variantit. Do të zhvilloheshin qitje reale, në fund të aerodromit. U morën masat organizative dhe ato të ruajtjes së mjedisit. Udhëheqës fluturimi, në poligon, u caktua, piloti i klasit të parë Haki Jupasi. Koloneli, do të ngrihej në ajër, në krye të një katërsheje, me pilotë të zgjedhur si: Niko Hoxha; Zija Memi; Kosta Neço Dede dhe Bilal Josja.

Para ngritjes së katërshes, Niko Hoxha, kreu një fluturim, në çift, me shoqërues pilotin Zija Memi, në imitim qitje, kundër radiostacionit të Kasharit. Të dy, përdorën manovër të thellë dhe veprime energjike, aq sa, kur dilnin nga pikjata, avionët linin pas vija të bardha. Ndërkohë,në aerodrom kishin mbërritur dëgjuesit e Akademisë Ushtarake, të cilët, për të vrojtuar më mirë manovrën, u vendosën mbi ledhin e kanalit kullues- ujëmbledhës të aerodromit. Pas uljes, komandant Nikoja, mblodhi ata që do të zhvillonin qitje dhe u dha udhëzimet e rastit.

Rreth orës 10.00, u ngrit në ajër katërshja treguese. Katërshen e printe Niko Hoxha. Pas marrjes së lartësisë të nevojshme, Nikoja, me avionin Mig-17 F, me numër anësor 211, sulmoi shënjën, me kënd më  të madh nga sa e këshillonin instruksionet përkatëse dhe rregullorja e qitjeve në poligon. Koloneli, sedërmadh, në përpjekje për të futur në rreth ( shënjë), sa më shumë predha, sipas teorisë të probabilitetit, zmadhoi këndin dhe hapi zjarr, me vonesë. Pas shkrepjes së armëve të avionit, kur shpejtësia progresive ishte, afërsisht 700 km/orë e ai duhej ta nxirrte avionin energjikisht, nga këndi i pikjatës, në fakt largimin nga toka e bëri të ngathët ( viallo ) e ne kujtuam se donte “ ta shtronte”, me shpejtësi e shumë zhurmë, mbi kokat e dëgjuesve. Mirëpo nuk rezultoi kështu: Thika prej duralumini, e vendosur në fund të trupit të avionit, takoi me ledhin, avioni kërceu, si cjap dhe shpërtheu në flakë. Avioni u nda në tri pjesë e, sejcila prej tyre ndoqi një trajektore, më vete, duke u djegur, në formën e një bukete me lule, në arën e korrur, ku kishte vetëm kallamishte misri dhe baltë.

Shtangëm, të gjithë e na pushtoi një gjendje “ shoku”. Edhe pse e pamë, me sytë tanë, shpresonim, me naivitet  se koloneli, ndoshta kishte mbetur i gjallë. Instinktivisht vrapuam drejt flakës. Shoku ynë B.A.,i paktë nga shtati, duke vrapuar, tok me shokët, ra në kanalin me ujë. E kapi nga rrobat Ademi gjigand dhe e nxorri, nga kanali. Më të rinjtë e më të shkathëtit, si Roland Sofroni; Sefedin Tomçini; Petraq Koroveshi; Andrea Toli; Dhori Zhezha e ndonjë tjetër, së bashku me autorin e këtyre radhëve, mbërritën, me një frymë tek pika fundore që digjej. Kolonelin e kishte nxjerrë katapulti, dhe e kishte hedhur në gjuhëzën e djathtë, të flakës. Po digjej . Pulpa e majtë edhe pse me çisme e me pantallona lëkure po digjej e mbante erë mish i djegur. Fytyra vetëm sa ishte shtypur. Nga arteria karotite, prapa veshit të djathtë , rrithte një curril gjaku. E kisha idhull e m’u dhimbs shumë. Doja ta ndihmoja të mos digjej . Në atë gjendje “ shoku”, nuk ma mori mendja të merrja një grusht me dhe të lagur, për të fikur këmbën që digjej, por i vura dorën, pa dorashka. Mu ngjit mishi që digjej, pas dorës e atëherë erdha në vete. Një sigurims, disi i moshuar, i cili po vraponte, me gulç, me zë të fortë e ton urdhërues, na bërtiti:” Ju, pilotët, mos qëndroni më këtu”! U bindëm që koloneli nuk ishte në jetë dhe si në kor lëshuam një psherëtimë, e cila dilte nga thellësitëe shpirtit: “ Mallkuar qofsh ti sahat i lig  që na bëre këtë gjëmë”! Dhe u larguam, në repart, ku, me shpejtësi të pa besueshme ( 15 minuta  pas ngjarjes), na mblodhi Kadri Azbiu, në atë kohë Ministër i Brendshëm. Të nesërmen, më 21 nëntor të vitit 1965, trupi i pajetë i të Madhit Niko Hoxha u përcoll, me të gjitha nderimet, me pjesëmarrje masive, në varrezat publike të Sharrës, në parcelën e parë, pranë hyrjes kryesore.

Me vendim Nr.228, datë 22 prill 1996, Keshilli i Ministrave, e shpalli Niko Hoxhën “ Dëshmor i Atdheut”. Eshtrat e tij u rivarrosën në parcelën e aviatorëve, në Varrezat e Kombit. Këshilli i qytetit “ Stalin” e shpalli atë “ Qytetar Nderi”, për kontributin e pazakkontë të tij, në të mirë të komunitetit.

Niko Hoxha, u nda nga jeta dhe aviacioni shqiptar mbeti pa “ Baba”. Pas katastrofës u bënë analiza e u formuluan konkluzione, sa për të mbyllur dosjen. Ngjarja u komentua, nga specialistë e nga jo të tillë; nga kompetentë e nga ata që ia futin kot. E vërteta u varros, së bashku me protagonistin e ngjarjes. Siç ka ngjarë dhe me të tjerë. Edhe sot, kur kanë kaluar më se 50 vite nga ajo ditë fatkeqe  kemi vetëm hamendësime, për ngjarjen e rëndë. Nuk është as rasti i vetëm, as i fundit që ndiqet kjo rrugë pa krye.

Niko Hoxha, u vra e mbeti përjetë, atje, në arën me misër të korrur, në Jug të pistës, por jehona e veprës së tij, troket, në vite e na bën apel, për të qenë vigjilentë. Aerodromet, kanë rënë në heshtje e i ka mbuluar zija. Kjo është e palavdishme dhe e pamerituar. Koloneli, punoi; dha dhe jetën, që aviacioni ynë të ngjitet, në majat që i përkasin. Historia, trima e “ kollosë” si Niko Hoxha, nuk i harron por ipërjetëson ata e i vendos në piedestalin e nderit. Populli ipërjetshëm, i thuri këngë trimërie dhe e kujton si një lider  historik Niko Hoxhën. Poetë të shquar, si Ismail Kadare; Çobo Skënderi; Zeqo Cama, etj. i kushtun vargje heroizmi, atij “ Vigani”. “ Zgalem “ e quajti bashkëkohësi i tij Çobo Skënderi; “Luan e cilësoi piloti i klasit të parë, talenti i lindur Haki Jupasi; lokomotivë do të thoja , për të.

Ky shkrim, duke u rrekur të evokojë disa nga vlerat më të qënësishme të figurës së ndritur të Niko Hoxhës, tenton të vendosë një tullë, në murin e lavdisë e të kujtesës dhe ti japëpëtjetësinë e merituar, atij fajkoi qiellor!

 

  • I paharruar kujtimi i tij!
  • Lavdi jetës dhe veprës gjigande të Niko Hoxhës!

 

 

Në Tiranë, gjatë muajit dhjetor të vitit 2016.                        Ripunoi Niazi Nelaj

 

 

 

2 thoughts on “Guximi, trimëria dhe iniciativa vepruese, i rrinë si kurorë lavdie kolonelit të papërsëritshëm”

  1. Peshendetje Njazi Nelaj!!! Nje shkrim teper i vecante dhe shume fryme heroike nder rreshta ashtu sikunder keni qen ju pilotet e asaj kohe Shqiponja te Qiellit dhe Heronj te vertete.Une kam qene vetem disa muajshe kur ka ndodhur ngjarja po me pas mbaj ment shum mire se ne cdo dasme e gezim familjar ne familjen tone i kendohej kenga vargjet e te ciles i kam akoma ne mendje: Lule Niko Hoxha Komandanti trim!:

  2. Te lumte pena z Njazi Nelaj qe e pershkruan aq bukur jeten dhe vepren e Niko Hoxhes. Te kam lexuar dhe te lexoj vazhdimishte dhe te pergezoj per shkrimet e bukura qe pasqyron ne faqet e internetit. Urime shume urime per vitin 2017 dhe arritsh qe keto shkrimet tuaja te bukura ti lidhesh ne nje liber. Miqesishte Bashkim Saliasi

Comments are closed.