Homazh kushtuar pilotit nga minoriteti grek në Shqipëri, Vasil Thoma Noni

Vasil Thoma Noni

Këtë monografi homazh, kushtuar njerit nga djemtë më të mirë të aviacionit shqiptar, birit të Sofratikes, pilotit të vetëm gjuajtës-bombardues nga minoriteti grek, në vendin tonë, Vasil Thoma Noni, e kam shkruar, me ndihmën e paçmuar të shokut dhe mikut të tij, të mirë, pilotit dibran – Zylfi Hoxha. Pa opinionet dhe materialin jetësor të servirur prej tij dhe thënjet e  kolegëve e bashkëkohësve te Vasilit, ndoshta ky material do të kishte mbetur i paplotë e i paarrirë. Më duhet ti falenderoj, përzemërsisht e t’u përulem, me nderim, tërë atyre njerëzve të mirë, të cilët vunë një dorë për ti ngritur këtë lapidar të merituar, atij djali “ flori”, i cili u shfaq, në radhët e pilotëve shqiptarë, si një “ëngjëll” i pashëm e na iku, krejt papritur e aq shpejt, sikur na e rrëmbeu dikush e na e përpiu toka ku ra.

Vasil Thoma Noni, u lind në fshatin minoritar të Sofratikës, në rrethin e Gjirokastrës, në një familje të thjeshtë fshati, greqishtfolëse, në vitin 1951. Babai i Vasilit, Thomai, u nda nga jeta, herët e i la nën kujdesin e bashkëshortes së tij, dy vajzat dhe dy djemtë. Gruaja e vuajtur dropullite, e cila nuk fliste shqip, mes vështirësive të kohës, duke u rropatur në punë të rënda të bujqësisë, rriti dhe edukoi, me ndershmërinë karakteristike të saj motrat: Krisafgjinë e Anthullan dhe djemtë : Jorgon dhe Vasilin. Vasili ishte më i vogli i katër fëmijëve te barba Çomes, njeriut zemërmirë,i cili ishte i njohur në tërë atë trevë e më gjerë.

Fëmijërinë dhe mësimet e para, Vasil Noni i mori në shkollën shtatëvjeçare të fshatit Sofratikë, në gjuhën greke e në atë shqipe. Mes djemve të fshatit ku u  lind, të së njëjtës moshë, kur ata luanin, së bashku, binte në sy shkathtësia, zhdërvjellësia, trupi i bukur e i lidhur mirë dhe zgjuarsia natyrale e djalit të vogël të xha Thomait, të ndjerë. Bukurisë fizike që i kishte dhuruar natyra, me hiret e një fëmije “ pekul”, i shtohej mprehtësia, shkathtësia dhe rezistenca fizike. Kur luante futboll, me shokët e mëhallës, jetimi këmbëzbathur ishte më i fuqishmi e më i kudondodhuri “ lojtar”.

Në vitin 1965, ate vjeshte kur sapo kishte përfunduar shkollën shtatëvjecare të fshatit Sofratikë, Vasil Noni, me rezultate mjaft të mira në mësime, u pranua te ndiqte shkollën e mesmeushtarake“Skënderbej”, në Tiranë. Do të bëhej oficer djali nga minoriteti, për të mbrojtur Atdheun e përbashkët. Kur u ul në bangat e kësaj shkolle, e cila, në ato vite dhe gjat gjithë egzistencës së saj u konsolidua si gjimnazi më i mirë i vendit tonë.Jo mëkot ajo shkollë ishte cilësuar si “ elita” e shkollave te mesme. Në vitin e parë të Shkollës Ushtarake “ Skënderbej”, kur erdhi nga Sofratika, Vasili e fliste pak dhe keq gjuhën shqipe. Ai, nuk ishte “ thuthuq” por, në të folur e theksonte shumë gërmën “ L”. Siç kujtojnë shokët e tij të klasës, qysh në fillim, tek djaloshi nga minoriteti u duk qartësisht mirësia e shpirtit të tij, të pastër. Vasil Noni ishte një djalë shumë i dashur; rrezatonte çiltërsi dhe veçohej për vullnet e këmbëngulje, në mësime. Ai, për nga rezultatet në mësime qëndronte në nivele, mbi mesataren e klasës. Me zgjuarsinë dhe mprehtësinë që i kishte dhuruar nëna natyrë dhe me tiparet e skalitura të karakterit, të cilat i kishte gatuar, në “ magjen” e saj, me kujdes e durim prej nëne“mitera “ lexo ( nëna plakë), Vasil Noni u integrua shumë shpejt me bashkëmoshatarët skënderbegas dhe duke qenë i përparuar në mësime, ai ishte dhe tepër aktiv në veprimtaritë kulturore; sidomos në ato sportive. Me atë trup të lidhur mirë e me rezistencën fizike per t’u patur zili, kur luanin futboll ose lojëra të tjera, Vasilin mund ta shquaje lehtë mes shokëve, mbasi ai, me lojën e fuqishme shpesh merrte rolin e ” liderit” të ekipit.

Në vjeshtën e vitit 1969, pas përfundimit të shkollës së mesme, mbasi kaloi me sukses testet fizike dhe shendetësore, Vasil Noni, u piketua për të vazhduar shkollën e Aviacionit, ku do të behej pilot gjuajtës- bombardues. Ndoshta ishte i vetmi djale nga minoriteti grek ne Shqipëri, të cilit i ndriti fati për t’u bërë “ zog” i qiellit, nëkëtë specialitet. Ai u ul në auditorët e Shkollës së Lartë të Aviacionit, në Vlorë, së bashku me shokët e tij të shkollës së mesme “ Skënderbej “ e me djem të tjerë, të ardhur nga shkolla te mesme civile te vendit. Në klasën e tij ishin: Zylfi Hoxha; Bardhyl Hamzallari; Fatmir Muskaj; Sokol Kuçana;Agim Cami; Ndoc Selimaj; Hamdi Mujaj;Shahin Gurraj;Ylli Bullari ( ndjesë pastë);Reshat Mullaj; Shyqyri Dashi; Murat Arra; Robert Papa;Veli Përleka; Shuaip Malo;Thanas Dupi; Mithat Çaushi; Ismet Dollanga; Aliko Çino ( ndjesë pastë); Kristaq Mileti ( ndjesë pastë ); Andrea Gjikdhima; Bardhyl Brinja; Fatmir Meçe( Elezi); Çajup Zeka; Spartak Papadhima etj.

Në Shkollën e Lartë të Aviacionit, Vasil Noni shkëlqeu si më parë .Tashmë ai kishte dhe një tjetër hobi – dashurinë per avionin dhe fluturimin.I pëlqeu ajri e u miqësua shpejt me të, dropulliti simpatik. I  “shkëlqyer” në teori, talent, në fluturim, djali  i guximshëm nga minoriteti, me atë dhemb të artë, në nofullën e sipërme, i cili llamburiste sa here  qeshte, Vasil Noni, buzagaz e shpirt mirë, shpejt fitoi dashurinë dhe respektin e instruktorit të fluturimeve, pedagogëve të kabineteve dhe gjithë njerëzve të shkollës. Instruktor të teknikës së pilotimit kishte pilotin me tipare burrërore ,nga Picari i Gjirokastres, Salih Peci. Të sjellshëm, të qeshur, të gëzuar, shpirt mirë, të çiltër e të dhënë pas shoqërisë, i tillë është ulur në kujtesën e shokëve dhe miqve të shumtë ai djalë i përkryer e i paqtë.

Njeri nga instruktorëtmë jetëgjatë të skuadriles reaktive të Shkollës së Aviacionit, Ahmet Sulejman Zogu, kur e pyeta për Vasil Nonin, si fluturues, m’u përgjigj me superlativa. ” Vasili kishte teknikë pilotimi mjaft të mirë. Ai i “thithte” shpejt elementët e fluturimit dhe i përvetësonte ato qendrueshëm. Në ajër ishte i saktë e i qetë; orientohej shpejt në hapësirë dhe njihte mjaft mirë veprimet e pilotit në raste të veçanta”! Ishte pilot i rrallë, Vasil Noni, e përfundoi rrëfimin Ahmeti, të cilin , dikush që e njeh mirë e krahason me një legjendar të Poros, ku shërbeu plot 22 vjet.

Në fundvitin 1971, pas përfundimit, me rezultate mjaft të mira të Shkollës së Lartë të Aviacionit, Vasil Noni u titullua oficer dhe u emerua pilot gjuajtës-bombardues në regjimentin e aviacionit që mban emrin konvencional” Peza”, në Qytetin “ Stalin”. Fillimisht, ai u caktua në skuadrilen që ishte e pajisur me aeroplanët Mig-17 F. Kur u stabilizua në regjiment, Vasili nuk harroi te shkonte herë pas here në fshatin e lindjes, për të parë nënën e moshuar dhe vellanë e vetëm. Nderkohë motrat : Krisafgjia dhe Anthulla ishin martuar. Burrat e tyre, për koinçidencë mbanin emrat e vëllezërve Jorgo e Vasil . Krisavgjia ishte vendosur me banim në qytetin e Gjirokastrës, kurse e motra, Anthulla, banonte ne fshatin e lindjes, në Sofratikë. Nëna, nuk e largoi nga vetja vajzën e dytë por e mbajti pranë, që ajo ti gjindej pranë, në çdo rast.

Kalimin në aeroplanët Mig 17 F, Vasili dhe shokët e tij, të një niveli, e kryen në Kinë. Pas kalimit në këtë tip, pilotët e grupit të tij do të bënin dhe kalimin në aeroplanin mbizanor gjuajtës- bombardues Mig-19 S. Sapo nisën fluturimet e kalimit, në avionët Mig 17F, Vasili u sëmur nga një pleurit e u shtrua në spital. Rehabilitimi i tij mori mjaft kohë. Shokët e tij, gjat kohës që ai ishte i shtruar , në spital, kishin avancuar mjaft në fluturimete programuara.  Kësisoj, për shkaqe të mirëfillta shëndetësore, Vasil Noni, ishte i detyruar të ndërpriste kalimin dhe u kthye në Atdhe, para shokëve. Si dhe më parë, ai u vendos në Regjimentin e Qytetit “ Stalin”, ku vazhdoi kalimin në avionët Mig-17F. F. Viti 1975 e gjeti pilotin Vasil Thoma Noni, në detyrën e komandantit të katërshes, në skuadrilen e avionëve Mig-17 F. Pas këtij kalimi, Vasili u transferua në Regjimentin e Aviacionit të Rinasit, ku kreu kalimin në avionët mbizanore Mig -19 S. Këta avionë, me përparësitë qe kishin, ishin bërë “ bërthama “ e aviacionit gjuajtës – bombardues, në vendin tonë. U gëzua djali nga Sofratika, për mundësinë që iu dha, për të kaluar në avionin Mig-19 S dhe për faktin se tani e tutje do të banonte në kryeqytet. Dashuria për profesionin e pilotit dhe prirja për të fluturuar në aeroplanë të përparuar të kohës, ishin motivet bazë, të cilët e shtynë vasilin nga minoriteti grek, në Shqipëri, të futej në skutat e teorisë e të praktikës së fluturimit, në aeroplanë e në detyra të tjera. Ai përvetësoi reletivisht shpejt, shfrytëzimin, në tokë e në ajër të gjuajtës- bombarduesit mbizanor, të pajisur me dy motorre RD-9B e të kompletuar me armatim të fuqishëm.

Detyrat ajrore, pilotiVasil Noni, i kryente, zakonisht i udhehequr nga komandanti i çiftit fluturues, djali nga Dibra ( Sllova ) Zylfi Hoxha, të cilin ai e kishte shok e mik të zemrës. Fakti qe keta dy pilotë i kryenin së bashku detyrat, në ajër, u kthye në një motiv të fuqishëm për forcimin e miqësisë mes tyre. Aso kohe Zylfiu ishte i martuar, kishte krijuar familje, madje kishte dhe një fëmijë. Miqësia e çiltër mes dy pilotëve nga treva të ndryshme të vendit, u forcua dita-ditës dhe u shtri edhe në familje. Vasili, me karakterin etij të çiltër, me zgjuarsine karakteristike dhe me shpirtin si det, dalengadalë e shtoi praninë në familjen e Zylfiut e u bë si i shtëpisë. Në këtë familje dibrane, me tradita të shëndosha e korrektesë shëmbullore, Vasil Nonit i ra në sy bukuria e rrallë dhe dëlirësia e adoleshentes E fejuara, me origjinë nga Saranda. Ai u dashurua marrëzisht pas vajzes së re dhe vendosi të lidhte jetën me të. Adoleshentja, nga ana e saj, gjithashtu u përfshi nga një dashuri e paparë për pilotin e ri nga minoriteti grek në Shqipëri, simpatikun Vasil Thoma Noni. Dashuria mes tyre ishte e paster, e çiltër dhe e brishtë, por, mjerisht nuk arriti të konkretizohej e te finalizohej me martesë.

E ëndërronte dhe mezi e priste Vasili datën 11 shtator të atij viti, kohë kur e fejuara do të mbushte moshën 16 vjeç dhe, të dy do ti drejtoheshin zyrës të gjendjes civile, për të lidhur martesën, përpara autoritetit të shtetit. Fati nuk e deshi që lidhja mes dy të rinjve të dashuruar marrëzisht pas njëri-tjetrit, të përfundonte siç u nise siç e dëshironin dy të dashuruarit. Më 28 gusht të vitit 1978, ndodhi ajo që nuk pritej e që nuk duhej të ndodhte. Në kulmin e pjekurisë e të vrullit rinor, kur kishte vërshuar e po konkretizohej hobi i Vasilit, pas fluturimit, në atë orë të mallkuar, jeta e djaloshit nga Sofratikas u pre, në mes dhe ëndrrat e dy të dashuruarve, mbetën vetëm ëndrra.

Kronika e ngjarjes:

Në datën 15 gusht të vitit 1978, efektivi i Regjimentit të aviacionit të Rinasit zhvillonte fluturime në qitje e bombardime, në poligonin fushor të shtratit të lumit Mat, afër derdhjes së tij, pak me në Perëndim te Urës së Zogut. Aty ku sot ndodhet ura e re mbi mat, e cila lidh rrethin e Kurbinit me atë të Lezhës. Atë ditë fluturohej ditën, në kushte të thjeshta të motit, në elementë të përdorimit luftarak, siç ishin qitjet me zjarr kundër shënjave tokësore dhe hedhjen e bombave. Fluturimet ishin konceptuar e planifikuar të kryheshin në sfondin taktik, në formën e një stervitje taktiko-fluturuese. Detyra ajrore do të plotsohej , duke fluturuar me çifte organike, me aeroplanet gjusajtës-bombardues të tipit Mig-19 S, të skuadriles së parë të regjimentit. Pilotët ishin të përgatitur në detaje për detyrën e ditës, e njihnin mirë terrenin ku do të fluturonin dhe e kishin shkelur atë.Të qartë kishin dhe  skemën e mënyrën e sulmit. Moti, atë ditë gushti, ishte i kthjellët, transparenca e ajrit, e mirë. Dita ishte e bukur dhe pilotët që do të fluturonin atë ditë gëzonin, mbasi në të atilla kushte, detyra do të plotsohej pa me të voglin dyshim. Gëzimi i pilotëve dukej në sytë e tyre, të cilët shkëlqenin e ishin tërë optimizmë. Kjo dukej qartë në biseda mes shokësh, në grupe të vegjël e në bisedat intime, mes piloteve te te njejtit formacion. Aeroplanët që do të merrnin pjesë në fluturim, atë ditë ishin të përgatitur e të kontrolluar dhe të gatshëm për të kryer detyrën; motorrët e tyre ishin të provuar dhe në parametrat e nevojshëm teknologjikë. Grupi i drejtimit, me përbërje të plotë, në njerëz e në mjete, atë mëngjes, herët kishte shkuar në poligon e ishte në gatishmëri të plotë për të pritur avionët që do të bënin qitje e bombardim. Udheheqesi i fluturimeve në poligon, piloti me përvojë Qirjako Dhima, “i rrahur “ në këto lloj stërvitje, me radion e drejtimit te hapur, ndiqte komandat e udhëheqësit të fluturimeve në aerodrom dhe lëvizjen e aeroplanëve që drejtoheshin për në poligon. Ndihmës i tij ishte piloti i klasit të dytë, dibrani gjigant, Sabri Toçi, edhe ai me tërë përvojën e nevojshme për këtë detyrë.

Në orën10. oo pilotët, nëpër kabinat e avionëve ishin në pritje të urdhërit të Udhëheqësit të Fluturimeve, në aerodromin e Rinasit, për të ndezur motorrët e për të dalë në brezin e ngritjes. Në atë çast u ngrit në ajër çifti i avionëve, në përbërje të të cilit ishte Delo Isufi, komandant i formacionit dhe Vasil Noni, pilot shoqerues i tij.Çifti , pas ngritjes, mori lartësinë e nevojshme dhe u drejtua për në Veri –Lindje, të Rinasit, për të dalë, mbi poligonin ku do të kryente qitjen. Meqënëse detyra ishte planifikuar të kryhej në sfondin taktik, çifti nuk do të kryente  fillimisht një kalim “ bosh” mbi poligon por do të sulmonte, me kalimin e parë. Qëlloi komandanti i çiftit , Delo Isufi e pas tij sulmoi Vasil Noni. Vasili kishte teknikë pilotimi të mirë dhe shquhej për vullnet e dashuri për fluturimin si dhe ishte serioz në përgatitje. Ai e priti me gëzim kalimin në avionët Mig-19 S dhe u shqua për vullnetin e tij të spikatur  për ta përvetësuar shfrytëzimin e këtij aeroplani, në të gjitha skutat e teknikës së pilotimit. Vasili e kishte të qartë rolin e këndit të madh në qitje kundër shënjave tokësore, për sa i takon probabilitetit të goditjeve, prandaj, sulmoi me kënd më të madh nga i rekomanduari , për këtë rast. U fut në qitje, realizoi goditjen e objektit por nuk mundi ta nxirrte aeroplanin nga këndi i pikjatës dhe u përplas, me tokën. Aeroplani i komanduar prej tij , preku token dhe Vasil Noni mbeti aty në shtratin zhavorishtë të lumit Mat. Piloti humbi jetën qysh në çastin e taakimit të parë me tokën.  Ora shënonte 10. 48, kur avioni qe pilotohej nga Vasil Thoma Noni u përplas me tokën dhe shpërtheu, në flakë.

Vasil Noni, i cili humbi jetën në atë fluturim të pafat, nuk u kthye kurrë në aerodrom, pranë shokëve të tij, të cilët e prisnin me dashuri dhe e respektonin shumë. Fluturimi i tij në atë fundgushti i ngjan shtegtimit të dallëndysheve, të cilat afrohen kur ngrohet moti e shtegtojnë në vise të largëta, kur ndihet ardhja e motit të freskët. I pashmi djalë nga Sofratika, u shkëput nga shokët e punës e u bë shok me yjet, për të ndriçuar, kushedi se ku? Shokët e tij, në aerodrom ishin në pritje të urdhërit për të dalë në “ start “ por një komandë ndjellakeqe i urdhëroi të dilnin nga kabinat e avionëve e të qendronin në pritje. Diçka e keqe, e jashtzakonshme kishte ndodhur atë çast. Me intuitë pilotët e parandjenë të keqen. Përvoja nuk mungonte edhe në këtë çështje. Vetëm kur mbi aerodromin e Rinasit, u shfaq, i vetëm aeroplani i pilotuar nga Delo Isufi dhe raportimi i tij se : “Vasili nuk do të kthehej më në aerodrom”, pilotët dhe efektivi i specialiteteve te tjerë që ndodheshin aty kuptuan se në Derdhjen e Matit kishte ngjarë ajo gjëmë e madhe. Vasil Noni ishte vrarë!

Po si kishte ngjarë ajo katastrofë ajrore, e cila helmoi jo vetëm njerëzit , por dhe drurët e gurët?

Vasil Thoma Noni ishte pilot luftarak, me cilësi të rralla, si fluturues, i përgatitur për detyrën ajrore që iu besua. Ai ishte njeri me sedër të madhe dhe ishte rritur së bashku me suksesin. Edinte Vasil Noni qe sulmi kundër shënjave tokësore, me kënd të madh pikiate, sillte më shumë goditje në shënjë, prandaj sulmoi kësisoj. Ai hapi zjarr, kur shënjestra dëftonte distancë e lartësi normale. Veprimet e mëtejshme të tij, për ta nxjerrë avionin nga pikiata, në fluturim horizontal ishin energjike, madje disi të ashpra. Por ligjet e shkencës, në rastin konkret ai i gravitacionit universal dhe dukuria e renjes së avionit, si pasojë e ndryshimit të shpejtë të trajektores së fluturimit, e bënë të vetën: avioni u përplas me tokën dhe eksplodoi. Piloti Vasil Noni humbi jetën dhe avioni i pilotuar prej tij u shkatërrua plotësisht.

Katastrofa ndodhi; ajo që u bë nuk mund të ç’bëhej më. Trupi i të ndjerit duhej përcjellë, siç e meritonte ai deli djalë. Në këtë shkrim do të mundohem të kujtoj disa nga çastet e skenat kritike që pasuan atë gjëmë. Sipërmarrje tepër e vështirë ishte njoftimi i të fejuarës së Vasilit mbi ndarjen nga jeta të njeriut të saj të zemrës. E fejuara, e cila ende nuk i kishte mbushur të gjashtëmbëdhjetat, e dashuruar marrëzisht pas pilotit të ri, nuk e kishte përvojën e jetës. Për të çuar njoftimin gjëmë në familjen e saj, u caktua shoku e miku i afert i të dyve, dibrani Zylfi Hoxha. Duke gjykuar se nuk do ta kishte të lehtë këtë “ mision”, Zylfiu zgjodhi tia thoshte më parë lajmin e zi, babait të vajzes, Sotirit nga Saranda, i cili, në atë kohë punonte në një repart tankesh, në Zallherr. Me makinën Gaz-69 të komandës së regjimentit, Zylfiu, i tronditur nga ajo gjëmë, i shkoi në punë babait të adoleshentes e i foli për atë që duhet të bënte. Sotiri, duke e njohur mirë karakterin e së bijës dhe lidhjet e ngushta të saj me Vasilin, e paraqiti si të pamundur këtë sipërmarrje. Megjithatë,të dy burratvendosën të shkojnë në shtëpinë e të dashurës së Vasilit , për të transmetuar atje atë gjëmë të madhe.  Në oborrin e pallatit ku banonte familja e Sotirit,diku tek ish kinema “ Partizani”, të dy burrat zbritën nga makina, të shokuar, dhe u çapitën drejt apartamentit, me këmbët zvarrë e me sy të përlotur. Njëra nga vajzat e pikasi ardhjen e pazakontë të të atit, të shoqëruar nga miku i shtëpisë dhe u tha motrave dhe nënës se diçka e rëndë ka ndodhur. Kur burrat hynë në mjediset e banesës, pa pritur njoftimin e zi, të trija vajzat dhe nëna e tyre, të mbështjella pas njëra-tjetrës, kokë më kokë, kur panë sytë e përlotur të sapoardhurvedhe trishtimin që kishte mbuluar fytyrat e tyre, pa pritur asnjë fjalë , u shkrehën në vaj.

Të nesërmen , më 16 gusht të vitit 1978, trupin e të ndjerit duhej ta çonim në fshatin e tij të lindjes, për ti bërënderimet e fundit , në shërbimet e lamtumirës. Sofratika ishte rreth200km larg Tiranës dhe rruga, në atë kohë ishte tejet e vështirë. Më ra barra e rëndë të ishja në përbërje të kortezhit të përmortshëm. Kortezhi përbëhej nga autobusi i piloteve të regjimentit , me të cilin udhëtonin shokët e Vasilit dhe të afërmit e tij  dhe një makinë ( nga ato që tërheqin avionët . në të cilën udhëtonte arkivoli me trupin e të ndjerit dhe ushtaret e togës së shoqerimit). Përfaqësoja Komitetin e Partisë të Aviacionit . Komandën e njësisë e përfaqësonte Elmaz Hasamataj, në atë kohë shef i shtabit të aviacionit. Gjatë atij rrugëtimi të gjatë e të mynxyrshëm, më kanë mbetur të fiksuara të qarat, me ligje, në greqisht të tezes dhe dy të moshuarave të tjera, njerëz te aferm të të ndjerit. Ligjet me të cilat vajtonin Vasilin : “Kardia-mu “; “ Psixi-mu” etj . tek i dëgjoja,më trokisnin si çekanë , në kokë e diçka më trishtonte zemrën. Vasilin e kishja njohur personalisht. Ai, me sjelljen e tij më kishte imponuar respekt. Vrasja e tij më ligështoi shumë; atë gjendje “ shoku” e përjetova gjatë. Gjat gjithë udhës mendoja: Si do tja çojmë asaj nëne të fatkeqe, atë deli djalë, në arkivol. Kush do tja thotë gjëmën e si do tja thotë? Ky mbetej problemi më i vështirë, atë ditë. Pamë njëri-tjetrin , në sy, unë dhe Elmazi. Sikur do të hidhnim në short përgjegjësinë e madhe. Nëna e moshuar  e Vasilit, e veja e barba Çomes, ishte rropatur, e vetme, në punë të rënda, në bujqësi dhe, me ndershmëri e sakrifica, mezi e kishte rritur djalin dhe fëmijët e tjerë. Ajo “zonjë grua” priste ta martonte të birin e ta shikonte me nuse përkrahu; nuk i shkonte në mendje se do të mësonte atë gjëmë. Fati e solli të provonte të dytën dhe e pa të birin ashtu , të mbuluar me të kuqe.

Të jem i sinqertë, nuk më mjaftonte guximi e nuk ma nxinte goja të jepja në atë mjedis dropullit njoftimin e kobshëm. Të njëjtën ndjesi kishte dhe kolegu im, ish partizan. Ai, edhe pse kishte përcjellë  në takime lamtumiretë përafërt shumë  nga bashkeluftëtarët e formacioneve partizane ku kishte marrë pjesë, sot nuk e kishte të lehtë. Më erdhi në ndihmë fati dhe rasti. Para se të niseshim për në Sofratikë, m’u dha ti telefonoja dy grave “ të forta “ vendase : Deputetes të Kuvendit Popullor, zonjës Vitori Çurri dhe Sekretares të Komitetit të Partisë të rrethit të Gjirokastrës, zonjës Rashide Gjini. Kërkova ndihmën e tyre dhe te disa shtetarëve të tjerë nga ajo trevë. Gratë “ e forta”, të cilave u ecte fjala dhe  disa pushtetarë nga ajo trevë, të cilët i njihnin mirë traditat e vendit në të tillë raste , jo vetëm që na pritën, në hyrje të fshatit , por dhe morën përsipër të transmetonin atë lajm të zi. Situata ishte tepër e vështirë.Kishte humbur jetën , në katastrofë ajrore Vasil Noni , ai farë djali, nga Minoriteti grek në Shqipëri. Sikur të mos mjaftonte kjo, në fshat ishte përhapur legjenda sikur Vasili, me aeroplanin e tij ishte ulur, në një rast emergjent ne njërin nga aerodromet e vendit fqinjë. Jo të gjithë njerëzit e dinin se kjo ishte vetëm një legjendë . Megjithse në formë thashethemi , ky njoftim i rrremë kishte vajtur deri në veshin e nënës dhe ajo e përjetoi keq atë. Dhimbja e nënës për humbjen e të birit u dyfishua. Dyshimet , gjithashtu. Zemra e saj prej nëne edhe pse ndjente të keqen, shpresonte se ishte ne një ëndërr të frikshme. Ajo kërkoi të ndahej nga i biri pa jetë. Kërkoi të pamundurën. Vereni veten për një çast në vendin tim e nuk do ta keni të vështirë të më besoni se ajo skenë, edhe pse kanë kaluar kaq vite, nuk mund të riprodhohet;as të supertohet. Merreni me mend sa të vështirë e kam ta hedh në letër atë që përjetova atë ditë. Pa u rrekur të prek sentimentet e njerëzve të dashur të Vasil Nonit, ca më pak të familjarëve të tij ( ata që janë aktualisht në jetë), dua vetëm tu dëftoj një të vërtetë, siç ka ngjarë.

Vasil Thoma Noni u përcoll për në banesën e fundit, më 16 gusht 1978, në orët e para të mbasditës. Ai u varros në varrezat e fshatit Sofratikë të rrethit të Gjirokastrës, pranë varrit të babait të tij, barba Çomes. Terreni ishte shkëmbor dhe ceremonia zgjati, në kohë. Nderimet iu bënë siç e meritonte ai “ lule” djalë. Eqau, me “0i” nëna plakë, e qanë motrat, vëllai, te afermit, fshati mbarë dhe treva ku u lind e u mëkëmb. Vasil Nonin e qanë, me shpirt shokët, kolegët dhe miqtë e tij të shumtë. Atë njeri, pa e tepruar, e qanë drurët dhe gurët e atij vendi të lavdishëm. Për shkaqe që u theksuan më sipër, na u desh qe ceremoninë ta përcillnim me masa të forta sigurie.

Vitet rrjedhin e ne i përcjellim, pa vasilin mes nesh. Ai mbeti atje, në zhavorishtën e shtratit të lumit Mat, në një qitje reale, luftarake, duke u bërë shok me yjet . Se “ Yll” ishte e si “ yll” do të kujtohet. Familjaret, kolegët, shokët dhe miqte e tij, të gjithë ata që e kanë njohur Vasil Nonin, mesiguri do ta mblojnë kujtimin e tij të ndritur në thellësinë e shpirtit e ne mendjen e tyre. Kujtimi i tij do të mbetet i përjetshëm e do të përcillet, me respekt e nderim të veçantë, siç ishte jeta e tij brilante; siç u vulos ajo, me atë akt heroik. Me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr.228; datë 22.04. 1996,piloti Vasil Thoma Noni , i rënë në krye të detyrës, u shpall “ Dëshmor i Atdheut” e u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve të rrethit të Gjirokastrës, atje ku i takon të prehet, mes trimave që ranë për Lirinë e këtyre trojeve. I paharruar qoftë kujtimi i tij i ndritur!