Homazh, në kujtim të njeriut të mirë e pilotit të rrallë Azbi Ramadan Seranaj

Mbasi ke bëtë një copë udhë, kthen kokën pas e kujton ato që ke përjetuar dhe njerëzit që ke takuar  në atë rrugë. Disa njerëz lenë gjurmë, të cilat nuk i tjetërson dot koha, madje i kujton ata, i malluar për ti parë përsëri, për të kuvenduar me ta e po të jesh fatlum, edhe për të punuar e jetuar pranë tyre. Tek djali si flori nga Çorrushi i Mallakastrës, Azbi Ramadan Seranaj, natyra, me bujari e ka derdhur të gjithë nektarin e mirësisë. I pashëm, deri në përsosmëri;  i zgjuar, si asnjeri; i shkathët  përmbi  moshatarët e tij; me kokën plot  mënçuri.

Kur u nda nga jeta, Azbiu ishte mjaft i ri dhe i atillë do të kujtohet, në jetë të jetëve. Ky është një privilegj, të cilin nuk e ka çdo njeri, përjashto ata që bien, në krye të detyrës, që të rrojë në shekuj Atdheu.Edhe pse fare i ri, kur uleshe e kuvendoje me të, Azbiu të linte ndjesinë se po flisje me një të moshuar, plot mënçuri e njerëzi. E kam njohur pak, por, nga sa shkrojta më sipër, e kisha zili e synoja ta arrija.

Për pilotin e shquar Azbi Ramadan Seranaj, kanë shkruar shumë  e do të vijojnë të shkruajnë të tjerë. Mirë bëjnë që shkruajnë, në veçanti  ata që kanë patur fatin të mësojnë, të punojnë e të jetojnë pranë atij “ ëngjëlli”. Shkrimet e merituara le të jenë të shumtë, ata veç hedhin dritë mbi jetën dhe veprën e ti të ndritur  dhe e bëjnë atë të paharruar. Një njeri e pilot si Azbiu nuk duhet e nuk mund të harrohet. Atë e  bëjnë të tillë vlerat që ka shpalosur në jetë. Prandaj, çdo shkrim kushtuar atij deli djali, i cili i ngjante një enciklopedie të gjallë ia shtojnë vlerat dhe e përjetësojnë kujtimin e tij.

Kur e njoha Azbinë, ai sapo kishte marrë detyrën e komisarit të grupit ajror, në Regjimentin e Aviacionit “ Peza”, të dislokuar në aerodromin e Qytetit “ Stalin”. Ai ishte i vetëdijëshëm  se niveli i tij kërkohej të ishte më i lartë nga ai i vartësve, prandaj nuk e ndante librin nga dora. Studionte shumë e nuk linte asnjë çast pa shfrytëzuar, me dobi, komisar Azbiu. Literatura politike, në duart e tij, ishte në radhë të parë; por ai nuk linte pas dore, as literaturën teknike-shkencore, atë kulturore  e artistike.Azbiu e kishte kokën plot dhe fjalët që nxirrte nga goja ishin të mënçura e ngjitnin lehtë. Horizonti i tij lejonte depërtimin në çdo skutë të jetës së njerëzve  e u përshtatej kërkesave të veçanta të tyre.

Azbi Seranaj e donte shumë fluturimin e përgjërohej për të.  Ai  ishte i përkushtuar për të dhënë maksimunin e mundshëm, në çdo detyrë, dhe nxirrte nga avioni rendimentin maksimal. Në çdo detyrë e në çdo stërvitje, vendi i komisar Azbiut ishte në krye të formacionit luftarak të avionëve. Nuk kishte alternativë tjetër për komisar Azbinë, veç prirjes me shëmbullin vetjak. Ishte sedërli e nuk pranonte të mbetej, pas shokëve.

Në fund të viteve ’60 të shekullit të kaluar, me 2 aeroplanë An-2 fluturonim, nga aerodromi i Qytetit “ Stalin”, për të spërkatur fushat e Myzeqesë. Sipas urdhrit të komandës, bëja kontrollin e kohës, në parcelat e punës, me ngarkesë, jepja udhëzimet dhe shkoja në drejtimin e fluturimeve. Vinte Azbiu, me shlemafon në dorë e me atë buzëqeshjen e ëmbël, plot dashamirësi . Në kofidencë, më thosh: “ Si je, o patriot? Përse nuk fluturon, por mbyllesh këtu, në kullën e fildishtë”? Me po atë ton dshamirësie i thosha se, njëri duhet  ti drejtojë fluturimet, nga toka. Azbiu e kishte mendjen tek fluturimi  e vetëm atë quante punë, për pilotin.

Në vitin 1963, Azbiu, u përzgjodh, si më i përshtatshmi për të qenë instruktor i teknikës së pilotimit, në avionët Mig -15, me  kursantët që sapo ishin kthyer, padrejtësisht nga shkolla ruse e aviacionit. Fluturoi, cilësisht, në Poro, në kushte tejet të vështirë dhe diplomoi 4 pilotë gjuajtës- bombardues. Në grupin që ai u mësoi fluturimin ishin kursantët: Thanas Papa ( ndjesë pastë); Mustafa Gjokutaj  (ndjesë pastë); Bardhyl Lubonja  dhe  Sefedin Tomçini ( ndjesë pastë).

Kursantët që ai mësoi mbetën të mrekulluar nga kultura e gjërë e tij;nga edukata e shëndoshë qytetare që manifestonte, nga komunikimi korrekt e i ëmbël, me ta; nga aftësia e tij për të transmetuar tek kursantët ato që dinte vetë dhe nga teknika e përsosur e pilotimit.

Më ka rënë rasti të lexoj, diku nëpër arkivat e kohës një karakteristikë fluturuese, të shkruar nga dora e Azbiut, për fluturimin në zonë të kursantit të tij Bardhyl Lubonja, të cilit, ai i thonte, me shaka:  “ gjatosh”: Më besoni, jam mrekulluar prej asaj karakteristike. Ajo nuk ishte karakteristikë por i ngjante një fotografie besnike, ku çdo fjalë ishte në vendin e vet. Ç’farë logjike e shëndoshë?  Ç’farë saktësie kompiuterike?  Ç’farë kompetence profesionale?  Ç’farë kulture, në formulim e në të shkruar?  Ç’farë optimizmi përcillte ai njeri?  Azbiu, si një qëmtues i kujdesshëm, kishte çmuar e gdhendur çdo element të fluturimit. Peshorja e tij, ishte si ajo që përdorin farmacistët. U mrekullova, mësova shumë prej saj dhe thashë me vete: “Çfarë ka humbur familja, shoqëria  dhe aviacioni ynë”?

Njerëz si Azbiu, vijnë rrallë e mbeten gjatë në kujtesën e atyre që e kanë njohur.Ndihem mirë që i vëllai, Kujtimi, është i angazhuar e punon, me përkushtim, për përjetësimin e të rënëve, në krye të detyrës.Kujtimi, siç ka dhe emrin, me vlerat e rralla që manifeston, bën beli për prejardhjen dhe qënjen e tij.

I paharruar qoftë kujtimi i Azbi Ramadan Seranaj, jeta dhe vepra e të cilit do të mbetet lapidar e pikë referimi në historinë e aviacionit shqiptar!

  • Shkrojti  Niazi Nelaj

Më 3 tetor 2015.