Homazh për pilotin ushtarak të klasit të dytë Mentor Muharrem Rrugia

Mentor RrugiaMentori u lind në qytetin e Durrësit, më 5 mars, të vitit 1942, në një familje atdhetare, me traditë qytetarie. Prindërit, Kimete e Muharrem Rrugia, lindën e rritën 5 fëmjë, katër djem dhe një vajzë. Mentori ishte fëmija i parë. Mësimet shtatëvjeçare i mori në shkollën: “Kristaq Boshnjaku” të qytetit. Pastaj bëri 3 vite gjimnaz në shkollën “16 shtatori”, në qytetin e lindjes. Në çdo klasë, ai u shqua si nxënës i rregullt, me sjellje të mirë e me vullnet, për të mësuar. Familja tipike durrsake e tij, e ushqeu Mentorin me veti e virtyte njerëzore nga më të mirat. Kudo ku mësoi e punoi, durrsaku virtuoz la gjurmë si njeri i kulturuar, me edukatë të shëndoshë, serioz e me vullnet të fortë për të kërkuar e mësuar, gjithnjë duke marrë anën e së resë progresive. Babai i tij, Muharremi, ishte avokat me emër, i nderuar e i respektuar, në qytetin e Durrësit ku jetoi e punoi.

Në familje, në shkollë e në shoqëri, Mentori u mbrujt me dashuri për prindërit, vëllezërit e motrën, për të afërmit e gjithë sa ishin rreth tij.  Ai u formua me tipare të shëndosha të karakterit e dallohej për urtësi, zgjuarsi, mençuri, qetësi, logjikë të shëndoshë. Ishte zemërmirë, i drejtë e i ndershëm, studiues kureshtar, qytetar model e atdhetar i përkushtuar.

Në muajin korrik të vitit 1959, vetë i gjashtëmbëdhjetë, Mentori u nis për studime, në Bashkimin Sovjetik, me anijen “Kirgiz”. Pas katër ditë e netë lundrimi, grupi i studentëve shqiptarë ndaloi në Odesë e, prej andej, me tren, u drejtua për në Shadrinsk (Siberi) ku do të studionin në shkencën e aeronautikës, për navigatorë fluturues. Shokë grupi të Mentorit ishin: Perlat Lako; Petrika Kostani; Viktor Vangjeli; Jorgaq Çipi; Jorgo Tabaku; Xhulian Popa; Enver Muça; Flamur Dede; Besnik Hashorva; Spiro Moçka; Llazi Rrapi; Hivzi Minxha; Sabri Çiku dhe Ylber Laknori. Në shkollën e aviacionit, në Shadrinsk, djemtë nga Shqipëria, deri në pranverën e vitit 1960, mësuan teorinë e navigimit dhe fluturuan në avionët Li-2, në rolin e navigatorit të ajrit.

Pranvera e vitit 1960, i gjeti ata në qytetin Jugor të Krasnodarit, ku vijuan mësimet teorike dhe praktikën e fluturimit. Kjo rutinë nuk mund të shkonte përtej shtatorit të vitit 1961, kur grupi i tyre, si gjithë studentët e aviacionit, u përzunë, dhunshëm, nga shkolla dhe nga territori sovjetik. U kthye në Durrësin e tij të dashur, Mentori dhe në atë fundviti u nis për në Kinë, me anijen oqeanike shqiptare “Durrësi”. Plot 56 ditë (netë) lundroi nëpër dete e oqeane, Mentori dhe shokët e tij, mes peripecive të padëgjuara. Do të ndryshonin profil, në shkollën kineze të aviacionit; do të mësonin për pilotë gjuajtës-bombardues. Në atë lundrim të gjatë, i cili na mërziti, u njoha me Mentorin e shokët e tij. Më bëri përshtypje një gjë interesante: Qendruam aq shumë kohë në një sipërfaqe kuverte rreth 300m katrore e nuk më ra në sy, si shokët e tjerë. Ishte i qetë e nuk përzihej Mentori.

Kur shkuam në shkollën e Tretë të aviacionit kinez, në qytetin Çin Zhou të Mançurisë, u njoha e u miqësova me Mentorin. Studiuam në të njëjtët auditore e fluturuam në aerodrome të përbashkët; në Liu Shi Bao e në Sui Xun. Na puqeshin karakteret, prandaj u bëmë shokë e miq të mirë. Me Mentorin, në kohën e lirë luanim ping-pong, shah e domino dhe lojën kineze me letra: ”Njanja”. Ai ishte mjaft i zgjuar e i shkathët dhe dilte fitues. Ishte i shkathët, në lojërat e tavolinës; unë isha i prirë pas sporteve të rënda.

Që nga koha kur u njohëm, deri sa u ndamë, në vitin 1992, kemi punuar, së bashku; herë në të njëjtin repart e herë brenda të njëjtës njësi, asaj të aviacionit. Në Kinë, Mentori u diplomua pilot gjuajtës –bombardues, në aeroplanët Mig-15 Bis dhe pas kthimit në Atdhe, në fund të vitit 1963, u emërua pilot, në Regjimentin e Aviacionit të Qytetit “Stalin”. Fluturoi atje, deri në vitin 1966, kur, për shkaqe shëndetësore, doli i paaftë për të fluturuar në aeroplanët reaktivë e kaloi në ata me helikë An-2. Kur u formua Regjimenti i Helikopterëve, në vitin 1967, Mentori ishte ngatë parët që u përgjigj thirrjes për të kaluar në helikopterin Mi-4, ku mund të them se “gjeti veten”.

Sa e kam njohur, Mentor Rruginë mund ta veçoj si një njeri të qetë, të matur, të edukuar e të kulturuar. Nuk nxitohej kurrë Mentor Rrugia por i zgjidhte problemet me qetësi, paanësi e disi me pjekuri. Ai ishte i etur për dije dhe studionte literaturë artistike dhe tekniko-shkencore, në mënyrë të thelluar; në gjuhën tonë e në Rusisht, gjuhë të cilën e kishte fort për zemër. Gjatë fluturimeve me helikopterin Mi-4, Mentori mori pjesë aktive, në të gjitha detyrat dhe aksionet që kreu regjimenti; ditën e natën duke ardhur vazhdimisht në rritje profesionale. Në ajër ishte i qetë, i matur e kurajoz. Njihte mirë terrenin ku vepronte helikopteri dhe ishte tepër i saktë në zbatimin e instruksioneve e rregulloreve të fluturimit. Njohja e pjesëve materiale dhe teknologjisë të shfrytëzimit të helikopterit Mi-4, prej tij, ishte emocionuese.

Sjellja e Mentor Rrugisë ishte qytetare dhe ai nuk e nxirrte fjalën nga goja, pa e “përtypur mirë” atë. Mentor “Mentari”, nuk e hidhte fjalën “dëm” por i gjente vendin asaj. Kjo ia kishte rritur vlerat si pilot e kuadër dhe për metodë të mirë pune, e si njeri me kulturë të gjerë, ai u caktua instruktor i teknikës së pilotimit dhe komandant zvene.  Tek Mentori njoha një njeri, i cili, kurrë nuk përgojoi të tjerët. Për të ishin të huaja konformizmi, servilizmi e izma të tjerë. Ai kishte mendimin e tij të pavarur dhe e thoshte fjalën hapët, siç e mendonte gjënë, pa pyetur si do të pritej nga të tjerët. I shoqërueshëm,  I ëmbël, korrekt e dashamirës, i tillë mbeti, deri në fund të jetës piloti Mentor Muharrem Rrugia.

Vitet e fundit të jetës i kaloi në qytetin e tij të dashur, në Durrës. Ndihej mirë Mentori, në qytetin e të parëve të tij dhe kujdesej shumë për familjen e origjinës e atë që formoi vetë dhe për të tijtë. U nda nga jeta, papritur, nga një sëmundje e rëndë, më 29 mars të vitit 2014. Do ti mungojë bashkëshortes, fëmijëve, të afërmve, shokëve e miqve të shumtë që bëri gjatë gjithë jetës.

I paharruar qoftë kujtimi i tij, i ndritur, ti rrojnë ata që ka lënë pas!

2 thoughts on “Homazh për pilotin ushtarak të klasit të dytë Mentor Muharrem Rrugia”

  1. Faleminderit z. Niazi,ke vlerësimet e mia dhe të gjithë familjes Rrugia…

  2. nese do me pyesnin te pershkruaj nje njeri te nderuar,guximtar ,I ndershem dhe plot virtyte,patriot dhe me vlera do thoja Mentor Rrugia.

    I paharruar qofte kujtimi I tij.

Comments are closed.