Në kushte optimale për punë e jetesë të rrethuar nga kujdesi i shtuar

Para se të niseshim për në Bashkimin Sovjetik, gjenerali i Ministrisë së Mbrojtjes, në Tiranë, pasi na sqaroi situatat, na dha një porosi të çmuar: “Të bënim kujdes që të mos binim në provokacionet e vendasve”. Në gjirin e ish kampit socialist kishte ndodhur një e çarë e madhe. Në anët tona, kur prishet në mënyrë të pariparueshme një lidhje thonë: “Buka e thyer, nuk ngjitet kurrë”!

Kushtet e jetesës e të mësimit që gjetëm në shkollën e aviacionit të Batajskut, për hir të së vërtetës, na befasuan. Jo në kuptimin se nuk ishim mësuar me to por, për faktin që gjetëm ato kushte që na duheshin e na rrethuan njerëz dashamirë, të cilët na rrethuan me kujdes të shtuar e hera herës me një xhelozi, të pashpjegueshme. Nga treni me të cilin kishim udhëtuar gjatë, me një autobus ushtarak na çuan në shkollë. Aty na pritën jo me lule e mitingje por me korrektesë e dashamirësi. Dolën për të na pritur ata që duhet të dilnin; ata, të cilët i lidhte detyra me ne; ushtarakët që do të drejtonin përgatitjen tonë. Fillimisht na çuan në dushe, ku u lamë, me ujë të ngrohtë e me sapun dhe u veshëm me tesha të reja, të pastra, të bardha, me masa, sipas trupit. Të brendshmet, të cilat vendasit i quajnë beljo, ishin prej pambuku, të ngrohta e ”akull” të bardha. Nuk e patëm të lehtë të mësoheshim për të mbështjellë këmbët me pece fanellate, të cilat, kur i rregullonim pas këmbës, nuk duhet të krijonin rrudhë. Me durim e qetësi, kapteri kujdestar na mësoi si ti vishnim pecet e këmbëve dhe çizmet. Në shtëpitë nga kishim ardhur, ishim veshur si ishim veshur, siç kishim mundur; këtu duhet të visheshim siç duhej, sipas kërkesave të rregullores. Kapteri kujdestar dhe komandant Korzhenkovi, një kapiten i parë, rreshtor i njohur për rreptësinë e tij, dy njerëzit që na pritën e na sistemuan, u kujdesën të mos na mungonte asgjë sa i përket uniformës.

Pas banjës, siç ishim, në grup, na çuan në fjetinë. Fjetina jonë ishte një ndërtesë me dy kate, me çati, të mbuluar me eternit. Djemtë e grupit tonë, 36 vetë, do të banonim në dy dhoma, në katin e parë të ndërtesës. Njëra nga dhomat ishte më e madhe, në të u sistemuan 30 studentë; në tjetrën u vendosën 6 studentë, të cilët, fillimisht u dërguan në Krasnodar, për të mësuar aeroplanin bombardues të flotës detare, JAK – 25, avionë të cilët, në planet e Traktatit të Varshavës, do të dislokoheshin në aerodromin e Vlorës. Çarja mes vendeve të këtij traktati i prishi planet dhe djemtë erdhën në Batajsk, ku u integruan në skuadriljen me avionë JAK – 18 A e fluturuan së bashku me ne që përgatiteshim për të fluturuar në avionët gjuajtës  – bombardues të serisë Mig.

Në katin e parë, në dhomat fqinje banonin studentët shqiptarë të vitit të dytë, të cilët ishin në përfundim të programit të fluturimeve në avionët JAK – 18A. në hyrje të sallës tonë të fjetjes, ishte një sallon, i gjatë sa salla vetë, me një varëse në të cilën vendosnim kapotat dhe afër derës ishte një komodinë e një karrige ku qëndronte posta roje, 24 orë, pa ndërprerje. Përballë fjetinës ishte dhoma e kulturës, të cilën vendasit e kishin emërtuar ”Dhoma e Leninit”. Në fund të sallonit ishte dhoma e tualetit, me të gjithë komponentët. Në katin e dytë të ndërtesës ishin vendosur studentët hungarezë, për pilotë e më vonë edhe ata kubanezë. Banorët e katit të dytë ngjiteshin nëpërmjet një palë shkallësh prej betoni, të brendshme.

Salla e fjetjes, ku u sistemuam ishte e pastër, me dritare të mëdha, me perde të rënda, të bukura dhe me krevate tek, me sustë teli, njëkatësh. Çarçafët e pambukut ishin të bardhë, të larë e të hekurosur, me kujdes. Jastëkët dhe këllëfët e tyre, gjithashtu ishin të bardhë e të pastër. Mbuloheshim me batanije pambuku, të reja, me kuadrate bezhë dhe kafe. Teshat e fjetjes ishin mjaft të pastra; krevati mbante erë sapun. Dhoma jonë pastrohej vazhdimisht nga një grua, me moshë e trup mesatar, me flokë të kuqërremtë, të drejtë e të gjatë. Ajo vishej thjesht, por bukur, për moshën e saj dhe nuk ishte shumë e ngjallur. Një grua tipike ruse; pa tangërllëk e pa teprime. Kur na shikonte, aq pak sa qëndronim në sallën ku flinim, na ngulte sytë e nuk na i hiqte. Shikimi i saj na dukej disi i çuditshëm; enigmatik, i pashpjegueshëm. Gjithsesi, ajo grua na vrojtonte, nga koka tek këmbët, herë e menduar, herë e trishtuar; në sytë e saj dukej qartë pakënaqësia dhe mëria. Tjotka jonë, një grua e thjeshtë e me shpirt njeriu, kishte luftuar në Betejën e Stalingradit ku kishte mbajtur spaletat e kapterit e kishte marre pjese drejtpërdrejt në luftime të ashpra. Pjesëmarrëse në Luftën e Madhe Patriotike dhe në betejën vendimtare ku mori të tatëpjetën ushtria shumëmilionëshe naziste gruaja në fjalë ishte katandisur në pastruese fjetine. Prandaj ishte e pakënaqur e mbante mëri. Mërinë e kishte me pushtetin e atëhershëm sovjetik, i cili nuk e kishte peshuar si duhet kontributin e saj në luftë.

Gruaja ndoshta kishte dëgjuar që ne, shqiptarët, në përgjithësi ishim stalinistë dhe çmonim rolin e Stalinit në Luftën e Dytë Botërore. Donte të na thoshte diçka por nuk guxonte, nga frika se ”afijet” ishin kudo e do ta dëgjonin. Rrjeti i tyre shtrihej ne çdo qoshe e mbulonte tërë hapësirën njerëzore sovjetike; si tek ne. ”Afijet”, me shpirtin e tyre mëkatar, nuk kursenin asnjeri pa raportuar për ti bërë shërbimin punëdhënësit të tyre. Prandaj ajo ishte e heshtur dhe, me vështrimet e saj, prej gjynahqari dukej sikur ”kërkonte ndihmë”. Njërin nga shokët tanë, kur ai ishte poshtë fjetine, e ftoi të shkonte në dhomën e saj, atje ku ajo mbante kovën, fshesën dhe leckat e pastrimit. Kur hapi derën e depos së saj, studenti shqiptar u befasua, nga ajo që iu shfaq përpara syve. Përballë tij u shfaq një portret i madh, me ngjyra të ndezura, mjaft i bukur i J. V. Stalinit. Ishte ai portret i cili ishte punuar menjëherë pas fitores së Ushtrisë së Kuqe mbi ushtrinë gjermane. Në atë portret Stalini paraqitet hijerëndë, triumfues, me spaletat e gjeneralisimit mbi supe e me dy yjet e “Hereoit të Bashkimit Sovjetik” në gjoks. Studenti, i befasuar, nuk e mbajti për vete të fshehtën por na e tha neve. Folëm njëri me – tjetrin dhe arritëm në një mendje për ta vënë në dhomën tonë portretin e Stalinit, mbasi ta kishim pastruar nga pluhuri që kishte zënë si rrjedhojë e qëndrimit në atë depo. E varëm atë portret, në territorin tonë, në fjetinë, por, nga ky veprim yni u acaruan mjaft aparatçikët rusë. U përhap lajmi në të gjithë shkollën. Erdhi një gjeneral rus me moshë mesatare. Tek vrojtonte portretin që kishim nxjerrë nga depoja e pastrueses dhe e kishim varur në mur, pamë ti rridhnin lotët nëpër faqe. Siç duket gjenerali ishte njëri nga nostalgjikët e asaj kohe. U largua pa fjalë oficeri i lartë rus e nuk e pamë sërish. Siç duket e kishin spiunuar edhe atë. Pastrueses, fillimisht i drejtoheshim me nofkën ”teze”, e, pas kësaj i thërrisnim: ”mama”. Kjo ndodhi, ndoshta u bë shkas që pastruesja e fjetinës tonë të humbiste vendin e punës. Edhe atë grua nuk e pamë më. Aparatçikët bënë çmos që ne ta hiqnim nga fjetina portretin e Stalinit. Bënë presione, dhanë premtime, u munduan të bënin dhe ndonjë “përpunim individual”. Më në fund u gjet një formulë kompromisi. Në vend të portretit të Stalinit, mbas disa muajsh, u vendos portreti i Jurij Gagarinit, të cilin ne, shqiptarët e donim dhe e respektonim. Ndoshta ngaqë Gagarini ishte i sojit tonë.

Në dhomën e kulturës, kishim të gjitha kushtet për të kaluar kohën e lirë në mënyrë të kulturuar dhe aktive. Në një vend të ngritur ishte vendosur televizori i vetëm, bardhë e zi, 24 polesh. Në ato vite, teknika televizive e të komunikuarit ishte në hapat e parë. Televizori ynë kapte dy stacione: atë të Rostovit mbi Don dhe, kur lidhej me të, kapte stacionin televiziv të Moskës. Për ne, shqiptarët, ishte hera e parë që shikonim televizor. Në vitin 1960, në Tiranë, televizorët qëndronin në vitrinë, tek ”mapoja e Madhe” por stacion televiziv nuk kishte. Ishim tifozë futbolli e më tepër shikonim transmetimin e ndeshjeve të futbollit. Na tërhiqnin dhe emisionet shkencore, sidomos ata me temë nga aviacioni. Në dhomë ishte dhe një piano e një kitarë. Asnjeri nuk dinte ti binte pianos, tregues ky se nuk vinim nga familje aq të zhvilluara e të kulturuara. Njëri nga studentët, duke u munduar të tregohej se në vendin e tij pianot ishin sheshit, kishte raste i binte veglës, me këmbë. Kitarës i binte ndonjë student prej Korçe, Aristotel Poga, i cili fluturonte në helikopterët Mi – 4. Muzika që bënte kolegu ynë nuk u përmbahej notave por bënte vetëm zhurmë të mërzitshme.

Loja jonë e preferuar ishte dominoja. Shpejt mësuam një lojë dominoje, të cilën e kishin shumë për zemër vendasit, e cila quhej ”kazioll”. Fitues dilte ai që përfundonte lojën duke bërë domino me dopio gjashtën. Si ata pensionistët, në fund të rrugës, edhe ne kalonim mjaft kohë duke luajtur domino. Bukur e luanin këtë lojë studentët: Nasi Bita, nga Gjirokastra; Ramo Mejdiaj, nga Kuçi e ndonjë tjetër. Mjaft aktiv ishte dhe Rrema (Muharrem Hidaj), nga Tapiza, por, ai mundej gjithmonë.

Në ballinë të dhomës së kulturës, varur në mur ishin radhitur portretet e anëtarëve të Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, e nën të portretet e anëtarëve të Komitetit Qendror të PPSH. Dhoma e kulturës ishte vendi ku kalonim kohën e lirë dhe argëtoheshim, bënim mbledhje e përgatiteshim për aktivitete artistike. Atje bënim dhe mbledhjet e organizatës së rinisë. Them mbledhjet e rinisë, mbasi, në atë kohë, thuajse të gjithë ishim anëtarë të Bashkimit të Rinisë të Punës të Shqipërisë. Në radhët e Partisë të Punës të Shqipërisë, pretendonte se ishte shoku i grupit tonë, studenti nga Elbasani Skënder Sulejman Shahini, pretendim i cili nuk u vërtetua asnjëherë. Meqenëse mbledhjet e Organizatës – bazë të partisë bëheshin në qytetin e Krasnodarit, atje ku ishin disa anëtarë partie, komanda e shkollës dërgonte një aeroplan të posaçëm transporti AN – 2, për të çuar Skënderin në mbledhjet e partisë. Me megalomaninë që e karakterizonte, vetë Skënderi kishte filluar të besonte se ai ishte njeriu i duhur, i cili mbante lidhje të drejtpërdrejta me Ambasadën tonë në Moskë dhe se fjala e tij ishte vendimtare, në gjykimin e problemeve që lidheshin me studentët shqiptarë të Batajskut.

Në qytetin e garnizonit ushtarak të aviacionit, të cilin e quanin Aviagorodok, ishin të gjitha kushtet për t’u marrë me sport. Vetë territori i aviogorodokut, nga postblloku, deri tek fjetina dhe nga fjetina, deri tek shtabi, në hyrje të aerodromit, ishte në pyll. Pjesa në Veri të fjetinës, një sipërfaqe e konsiderueshme, deri tek magazina (dyqani ), ishte gjithashtu në pyll. Pylli ishte i kultivuar, me drurë të lartë, me rrugica, të asfaltuara të cilat përshkonin tejpërtej hapësirën e gjelbër. Vende  – vende kishte disa mjedise, për të pushuar të pajisura me stola druri e kube (strehë), të bukura, po prej druri. Në këto mjedise, të cilave vendasit u thoshin bisedka, qëndronin çiftet e dashuruar, në intimitetin e tyre. Pranë fjetinës, në pyll ishte ndërtuar një gropë kërcimi, e cila shfrytëzohej për tu stërvitur për kërcim së larti, nga studentët shqiptarë: Sherif Çelo Hajnaj (Bracki) dhe Bardhyl Kozma Lubonja, si dhe nga një student hungarez, shtatlartë e i shkathët.

Pylli, me rrugicat që ishin të asfaltuara, të cilave u thoshin tropinka, ishte një palestër e madhe, natyrore mjaft e përshtatshme për aktivitete fizkulturo – sportive. Kushtet i kishim tepër të favorshme, por, në tërësi, studentët nga Shqipëria nuk e preferonin përgatitjen fizike. Edhe gjimnastikën e mëngjesit, e cila ishte e detyrueshme, djemtë e grupit tonë, e bënin me zor, i ”hiqnin këmbët zvarrë”. Dembelizmi ynë binte në sy për keq tek drejtuesit tanë dhe tek studentët hungarezë, të cilët e donin sportin. Së bashku me fierakun Dhori Nasi Zhezha, një djalë i shkëlqyer, i pasionuar pas fizkulturës dhe sportit, i cili, më pas u bë një nga fluturuesit më të mirë në grup, me të dëgjuar zilen e zgjimit, në mëngjes, vishnim tutat dhe këpucët e lehta dhe dilnim në gjimnastikën e mëngjesit, Vraponim e bënim ushtrime të ndryshme, nëpër pyllin e dendur dhe gjithë ditën e ndjenim trupin të lehtë ”si gjeth”. Ngarkesën fizike të ditës, nuk e ndjenim fare. Duke vrapuar, një ditë, në pjesën Lindore të pyllit pamë një varrezë të madhe. Na tërhoqi vëmendjen hapësira që kishte zënë ajo varrezë dhe mermeri i bardhë, me kryq tek ballina e tyre. U afruam dhe lexuam një pllakë përkujtimore, në hyrje të varrezës. Në atë pllakë ogurzezë lexuam se, në vitet e parë të pajisjes të aviacionit sovjetik me aeroplanë reaktivë, në një stërvitje, nga pakujdesia ishin përplasur, në ajër avionët e dy skuadriljeve që fluturonin përballë njëra – tjetrës ku kishin gjetur vdekjen 24 pilotë. Të gjithë njëzetvjeçarë. Doemos që u ligështuam. Atë që pamë ua dëftuam shokëve të grupit.

Pylli nuk ishte i vetmi vend ku ne ushtroheshim fizikisht. Qyteti i aviacionit ishte i kompletuar me një inventar mjaft të pasur e cilësor objektesh sportive. Brenda qytezës ishte ndërtuar një stadium, me fushë futbolli, të dimensioneve olimpike, me tribunë dhe pistë vrapimi. Ne, shqiptarëve, na pëlqente mjaft futbolli, si sporti më popullor në vendin tonë, prandaj, në kohën e lirë, shokët tanë i gjeje në stadium, duke luajtur ose pranë televizorit, duke parë ndeshje futbolli. Nga radhët e studentëve shqiptarë, për pilotë dolën futbollistë cilësorë, si portieri i ekipit të ”Partizanit” e i kombëtares, Mikel Janku; mesfushori i ekipit të ”Flamurtarit” të Vlorës, Agim Nanaj, etj. Pranë stadiumit ishte një kënd sportiv, shumë i pasur me vegla gjimnastikore cilësore. Mes veglave të shumta, njëra prej tyre, e cila lëkundej si shilarës rreth tre boshteve i shërbente kalitjes të pilotëve për të përballuar pilotazhin vertikal me avion. Veglat e tjera ishin më të thjeshta. Hekuri gjimnastikor, paralelet e shkallëzuara, rrathët në formën e një fuçie, rrjeta e kërcimit etj, ishin disa nga veglat më në zë të atij këndi sportiv. Një fushë e bukur tenisi dhe pishina me përmasa olimpike, e cila shfrytëzohej vetëm në stinën e nxehtë, e plotësonin pamjen e asaj mrekullie sportive.

Meqenëse, në rajonin ku ndodhej shkolla jonë stina e ftohtë zgjatej goxha në kohë, në shkollë, në godinën ku ishte ”blloku” mësimor, kishim një palestër, të madhe, të kompletuar, me fusha e vegla sportive të ndryshme. Në një kënd ishte vendosur një shtangë, mbi një platformë prej dërrase, të trashë. Më pëlqente mjaft të merresha me ngritje peshash dhe shumicën e kohës së lirë e kaloja me shtangën, nën drejtimin e trajnerit rus, gjigandit Nikollaj, një biondi, me trupin tërë muskuj, i cili ngrinte komplet boshtin olimpik dhe ishte shtangist me emër në tërë hapësirat sovjetike. Në palestër ishte një fushë basketbolli të cilën, sipas rastit e përshtatnim dhe si fushë volejbolli. Unë dhe shokët e mi preferonim më shumë të luanim basketboll. Isha shtatshkurtër e loja me kosh nuk më shkonte, por inatin e kisha të madh. Për të luajtur basketboll formonim dy ekipe; unë, në zgjedhjet e shokëve, si i shkurtër, mbetesha në fund. Luaja përballë gjatoshëve, si Bardhyl Lubonja e Vaso Pesha dhe të shkathtëve Roland Sofroni, Sefedsin Tomçini, Minush Karalliu etj, mundohesha të justifikoja zgjedhjen e shokëve. Më pëlqente të bëja ”kosha”, me hark. Në hyrje të sallës sportive ishte një kënd muzike. Një ushtar nga republikat e Jugut, me mbiemër Ljubçik, i cili ishte larguar nga Konservatori i Moskës, kur ishte në vitin e tretë, u jepte mësime muzike disa grave të oficerëve të shkollës.

Përveç mjediseve për jetesë e për t’u ushtruar fizikisht, në Batajsk, kishim një mensë mjaft të mirë, të pasur në asortiment e me kalorazh të lartë. Mensa ishte në katin e parë të bllokut të ndërtesave ekonomike. E pajisur me të gjitha orenditë e nevojshme, me kuzhinierë të zgjedhur e me tri kameriere, mjaft të edukuara e me kulturë, të cilat silleshin me ne me shumë dashamirësi e nuk i kursenin buzëqeshjet. Mensa shkëlqente nga rregulli e pastërtia. Kamerierja ”kryesore” me emrin Nina, një vajzë e rritur, nga ato, të cilave vendasit u thonë ”baba” dhe Raisa, e divorcuar, me një vajzë, si yll dhe një e tretë me emrin Ljuba, shkonin nga tavolina në tavolinë, si flutura, pa u ndier. Ushqimet ishin me përbërje barishtore dhe shtazore. Mishi i derrit me dhjamë, patatet e furrës dhe lakra e bardhë, nuk na u ndanë sa kohë qëndruam në shkollë. Atje mësuam të hanim supën e hollë, të përgatitur me lëng mishi, lakër të bardhë e copa buke të thekur, e cila quhej borshë dhe ishte mjaft e shijshme. Supa, e përgatitur me makarona, e zier me qumësht, të cilës i thoshin supë malloçnoje, gjithashtu gatuhej me shumë shijë. Në stinën e nxehtë, bënim garë mes njëri – tjetrit kush të hynte më shpejt në mensë për të rrëmbyer nga frigoriferi ndonjë broke me një lloj pije freskuese, që e kishte emrin kvas dhe përgatitej në rrugë artizanale, në kushtet e familjes. Nuk ishte në traditën e të ushqyerit të vendasve gatimi i pilafit të orizit apo të makaronave, pilaf.

Fillimisht, kur shkuam në shkollë, derisa nisëm përgatitjen në tokë, në pranverë, si normë ushqimi kishim atë të studentëve jo fluturues, e cila ishte disi më e varfër, në asortiment, por jo në kalori, krahasuar me atë të pilotit. Gjithsesi, ne që vinim nga një vend ku ishim të ushqyer keq, me të ”rënë” në ushqim të bollshëm e të gatuar mirë, brenda muajit të parë shtuam në peshë e ndryshuam në pamjen e jashtme. Ishim djem të rinj, moti ishte i ftohët dhe ngarkesa fizike që morëm, na shtuan oreksin. Në mensë, edhe pse trajtoheshim me normë ushqimi jo si e pilotëve, asortimenti ishte i ndryshëm e mund të zgjidhnim.

Në një bllok ndërtesash, së bashku me mensën ishte shtëpia e kulturës e qytezës ushtarake. Në përbërje të saj ishin: Një bibliotekë, e pasur, e qetë dhe me shërbim mjaft të mirë, në katin e parë. Ngjitur me bibliotekën ishte një dyqan ku tregtoheshin, ëmbëlsira, pije freskuese, artikuj të ndryshëm ushqimorë e industrialë dhe pije” të forta”. Atje provuam, për herë të parë, në stinën e dimrit, akulloret dhe kasatat, si dhe një pije të ëmbël (lëng frutash), të ambalazhuar në disa shishe të vogla, prej qelqi. Të tillë lëng, i cili ishte mjaft i shijshëm, na servirnin dhe në mensë. Nga ëmbëlsirat, më janë ngulitur në kujtesë disa karamele cilësore, të cilat ishin të markës vendase ”iris”.

Në katin e dytë të ndërtesës, të cilën, na pëlqente ta quanim pallati i kulturës, ishte një sallë e madhe, me kapacitet, ulur, rreth 500 njerëz. Në këtë sallë, çdo të shtunë në orët e pasdites organizoheshin mbrëmje vallëzimi. Ishin në traditën e vendasve, mbrëmjet e vallëzimit. Salla ishte e pajisur me karrige e stola, të cilët, kur bëhej vallëzim, vendoseshin anash, në mënyrë që, në mes të krijohej hapësira e nevojshme, bosh, për të vallëzuar. Mbrëmjet e vallëzimit, të cilat organizoheshin çdo të shtunë, kishin fituar vlerën e traditës dhe ishin tepër interesante. Madje, për këto mbrëmje kishte dhe një këngë. Disa vargje të asaj kënge, i kujtoj edhe sot, kur kanë kaluar mjaft vite. Kënga thotë:

Subota, subota, horoshi vjeçjerok. . . dmth: E shtuna është mbrëmje e mirë. . .

Para se të binte mbrëmja, diku në të errur, mblidheshin djem dhe vajza, të rinj, të veshur mirë të cilët viheshin në radhë, përpara hyrjes së pallatit të kulturës. Femrat vinin nga qyteti i Batajskut, nga Rostovi mbi Don dhe nga rrethinat. Hyrja në mbrëmje ishte e lirë dhe falas. Interesantja konsistonte në faktin se, në radhë kishte më tepër vajza se djem. Djemtë ishin kryesisht ushtarë, studentë për pilotë, nga Shqipëria, nga Hungaria, nga Kuba etj. Vajzat vinin në mbrëmjen e vallëzimit, zakonisht dy nga dy. Çifti i vajzave ishte: Njëra nga vajzat, e pashme; tjetra  – më pak e bukur. Ishte pranuar kjo zgjidhje, jo pa qëllim. Vajzës së pashme i vardiseshin mjaft djem e ajo ”lidhej” shpejt. Ajo i vinte si kusht kavalierit të saj, të gjente një djalë që ti bënte shoqëri, shoqes të saj. Kjo ishte një taktikë e njohur dhe e pranuar nga të gjithë. Në mbrëmjet e vallëzimit bëheshin njohjet, aty realizoheshin lidhjet dhe. . . në raste fatlume edhe fejesat e martesat. Vajzat ruse, preferonin shumë të lidheshin me studentë të huaj. Favoritë ishin afro  – amerikanët nga Kuba. Vajzat ruse, në përbetimin që bënin para të huajve, e kishin në majë të gjuhës thënien: ”Me ty, shkoj në fund të Botës”. Jeta ka vërtetuar dhe të kundërtën. Praktika e vendit tonë është e mbushur me raste të tillë. Pati dhe studentë për pilotë që u martuan me vajza ruse, lindën dhe fëmijë me to e, kur ndryshoi raporti mes politikave të të dy vendeve, u prish dhe lidhja mes çifteve e cila kishte në bazë dashurinë e pavërtetë mes të rinjve.

Salla e madhe e ”pallatit të kulturës ”shfrytëzohej, për koncerte, për konkurse, për mbledhje solemne e jubilare dhe për festivale të ndryshëm. Konkurset ishin me tematikë të thjeshtë dhe bëheshin interesantë. Psh: Në mbrëmjet e vallëzimit, në çdo rast përcaktohej çifti që kërcen më bukur. Këtë e përcaktonte një juri, e ngritur aty – për aty, nga radhët e pjesëmarrësve. Pas shpalljes së fituesit, çiftit që kërcente më bukur i jepej një dhuratë simbolike. Në një konkurs, çmimin e fitoi studenti shqiptar për pilot Ahmet Sulejmani. Dhurata që mori shoku im ishte një libër i Aleksandër Sergejeviç Pushkinit, njërit nga poetët më në zë të Rusisë. Për t’u theksuar është fakti se mbrëmjet e vallëzimit përcilleshin me rregull, qetësi e kulturë. Vetëm ndonjë çamarrok nga Shqipëria ose ndonjë kubanez mund ta prishte rregullin, i cili ishte vendosur e zbatohej me vullnet të lirë. Pa krijuar bezdi për lexuesin, do të tregoj një rast të tillë, të cilin e kam përjetuar në një mbrëmje të një të shtune. Atë ditë, në mbrëmjen tradicionale të vallëzimit kishte ardhur një vajzë shumë e bukur; e gjatë, elegante, bionde, ”me kripë”, me sy bojëqielli. Ishte hera e parë që e shikonim në mjediset tona atë vajzë dhe nuk e morëm vesh nëse ishte nga Batajsku, apo kishte ardhur nga Rostovi mbi Don. E veshur bukur e me shije në shoqërinë e një shoqes të saj, jo aq të pashme, të dyja vajzat zunë vend, së bashku me djemtë dhe vajzat pjesëmarrës në atë veprimtari. Gjithë pjesëmarrësve u mbetën sytë tek bukuroshja bionde. Ajo, si për ti ”ndjellë” djemtë me hiret dhe lajkat e saj, qëndronte e qetë, krenare, disi nazike, në këndin e saj dhe hera – herës lëshonte nga një buzëqeshje që shigjetonte pjesëmarrësit.

Siç e donte tradita, me të nisur muzika e vallëzimit, drejt saj u nisën njëherazi disa djem, për ta ftuar në vallëzim. Njëri nga djemtë, ai që arriti i pari, ishte student për pilot i kombësisë hungareze. Emri i tij nuk më kujtohet veç e mbaj mend që ishte goxha djalë, i gjatë, elegant i veshur bukur me kostumin e liridaljes, të qepur prej një stofi të hollë, të derdhur, ngjyrë bezhë, që i rrinte bukur në trup. Hungarezi i bukur, tërë kulturë dhe delikatesë, u afrua tek biondja dhe, me zë të ulët, më shumë me gjeste sa me fjalë, e ftoi vajzën në vallëzim. Të gjithë e kishim drejtuar vështrimin andej, për të parë vallëzimin e saj. Në përfytyrimin tonë, biondja e bukur, me atë fustan të bardhë, me pala, të gjatë deri tek gjuri, e me atë gjoks të bëshëm adoleshenteje, do të fluturonte në krahët e bukuroshit nga Hungaria. Por, tjetër gjë prisnim e tjetër gjë na panë sytë. Kërkesës elegante e të njerëzishme të djalit, vajza iu përgjigj me një ”jo, nuk mundem”! E thënë në gjuhën e vendasve, përgjigja e vajzës ishte: ”prastitje, no, nje mogu”. Djalit nuk i erdhi mirë dhe disi i turpëruar nga një refuzim i papritur, u kthye nga shokët e vajti u ul tek vendi nga ku ishte ngritur.

U çua një student shqiptar, simpatik, i veshur mirë dhe elegant. Ne, shqiptarët krenoheshim me të, mbasi ai ishte kërcimtar elegant. U nis djaloshi drejt biondes, për ta ftuar në vallëzim dhe salla, e cila kishte parë atë që ndodhi para pak minutash, me kureshtje të shtuar, u bë sy e veshë. E ftoi vajzën, djali nga Shqipëria, me fjalët: ”Razrjeshitje tancovat”, që do të thotë: ”më lejoni të kërcejmë”! Vajza, siç i tha të parit, iu përgjigj dhe shqiptarit me fjalët mohuese: ”Një mogu”! I fyer, shqiptari sedërli, u skuq në fytyrë dhe tërë inat vajti u ul tek shokët. Ne iu grumbulluam dhe e ”mbuluam me pyetje” kureshtarësh. Në grumbullin tonë ishte dhe një student shqiptar, për pilot, i vitit të dytë, me origjinë nga fshatrat e Sarandës, i njohur si çamarrok e guximtar. Aiquhej Selman Abilaj dhe ishte me nivel mjaft të ulët kulturor e me edukatë familjare të dobët. Në rrethin tonë shoqëror, Selmani njihej si kokëkrisur, në fluturim e në jetë. Mjafton të them se ky Selmani, me trup rreth 165 cm. të lartë, shoqërohej me një vajzë rreth 200 cm. të lartë e cila peshonte mbi 100 kg. Vera ishte vajzë e një gjenerali dhe kur dilnin ata të dy, ne me shpoti thoshim me njëri – tjetrin: “Shikoni, ka dalë i gjati me të shkurtërin”. Kuptohet, shakaja jonë kishte vend larg syve dhe veshëve të Selmanit zevzek, përndryshe kriste shamata.

Shokut tonë nga Saranda, kur pa që vajza bionde refuzoi dhe studentin shqiptar, i ”hipi damari i keq”, u skuq e u çua nga vendi, dheu nis drejt vajzës bukuroshe. Duke ecur, Selmani pëshpëriste nëpër dhëmbë: ”Ia tregoj unë qejfin asaj shitmendëses”! U afrua serbes shoku ynë dhe, me një të përkulur të trupit përpara, si në ballot kalorsiake, të shoqëruar me fjalën: ”Razreshitje”! – e ftoi vajzën, në vallëzim. Kur ne prisnim që ajo të ngrihej (nisur nga mendimi se ajo kishte ardhur për të vallëzuar), dëgjuam përgjigjen negative: ”Prastitje, nje mogu” të cilën e kishim dëgjuar edhe dy herë të tjera atë natë, nga goja e bukuroshes bionde me sy bojëqielli. Atëherë u bëmë dëshmitarë të një skene të paparë. Shpërtheu hakmarrja tipike e shokut tonë. Selmani, me solemnitet dhe me zë të lartë, në një rusishte të cilën e fliste vetëm ai, i tha vajzës: ”Razvje u tjebja zallataja pizda”? është fjalë fyese e nuk ma lejon edukata ta përkthej. Gjithë salla e dëgjoi ”deklarimin e shokut tonë dhe lëshoi një ”uuuuuu” të zgjatur. Biondja e bukur, e fyer rëndë nga fjalët që dëgjoi nga goja e një kavalieri, të cilin nuk e njihte, u çua, uli kokën e me hapa të shpejtë, në shoqërinë e shoqes të saj, doli nga salla. Ajo u largua e ne nuk e pamë më atë vajzë, si në qytezën tonë dhe në Batajsk. Më tej, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, mbrëmja e vallëzimit rrodhi në shtratin e saj të zakonshëm. U komentua gjatë, në rrethet rinore kjo ndodhie pazakontë. Shokët tanë, karshi ngjarjes dhe Selmanit patën mendime e qëndrime kontradiktore. Më vjen turp, edhe pas kaq kohësh, për atë qëndrim aspak qytetar të shokut tonë, ndaj një vajze.

Në shkollën e Batajskut, për ne, studentët nga Shqipëria, por jo vetëm, ishin krijuar kushte mjaft të përshtatshme dhe tepër komode, për të mësuar teorinë dhe shkencën e fluturimit. Shumica e shokëve të mi, sidomos ne që vinim nga jeta civile, nuk kishim as njohuritë më minimale për aviacionin. E ruaj akoma, si një relike me vlerë, një fletore të teorisë të fluturimit, të cilën e kam filluar në ditët e para të jetës në shkollë. Në kapakun e fletores, të veshur me beze nga jashtë e me fletë me katrore, ku ruaj leksionet e ”Teorisë të Fluturimit”, kam vizatuar një aeroplan tejet të çuditshëm. Aeroplani im turirin e ka si reaktiv, teksa bishtin e ka, me helikë. Një hibrid tepër i guximshëm, të cilin do ta kishin zili edhe konstruktorët më kurajozë. Nga padija e kam vizatuar ashtu; nuk kisha parë aeroplan me sy. I thërrita fantazisë e ajo më mësoi asisoj.

Auditorët, në ”korpusin mësimor” ishin të paparë. Për çdo lëndë kishte një kabinet, të kompletuar me skema, albume me ngjyra dhe makete, dëftuese dhe vepruese. Baza materiale, mjaft e pasur dhe e larmishme u vinte në ndihmë pedagogëve, për të konkretizuar mësimin, në mënyrë që ne të krijonim bindje të shëndosha lidhur me domosdoshmërinë e kryerjes, në tokë e në ajër të veprimeve, sipas kërkesave të ligjeve të shkencës, të cilët, siç dihet kanë karakter objektiv. Nëse mund të veçojmë ndonjë element të mësimdhënies, unë do ta jepja votën time për pedagogët. Nuk e teproj aspak po të theksoj që pedagogët tanë ishin përzgjedhur me kujdes e sipas kritereve të shëndoshë. Nuk e kam fjalën vetëm tek niveli arsimor e kultura e tyre por tek kompletimi i tyre me të gjithë elementët e nevojshëm për të qenë pedagog i mirëfilltë. Po ti marrim një nga një pedagogët tanë, ata ngjanin shumë me njëri – tjetrin. Po çfarë kishin të përbashkët ata mësimdhënës?

E para, të gjithë ishin mjaft kompetentë për lëndën që jepnin. Të arsimuar, me horizont e kompetencë shkencore, me metodë të thjeshtë dhe depërtuese tek ata që e dëgjonin, konkretë e të kursyer në fjalë, teoriko – praktik, në shpjegimin dhe argumentimin e veprimeve, konciz e konkret, të qetë e të duruar, të drejtë në vlerësimin e dijeve etj. Nuk kishim asnjë pedagog në moshë të re. Mosha mesatare e pedagogëve nuk lidhej me njohuritë e tyre por me faktin që ata të ishin dhe familjarë të mirë e me sjellje shumë të mira, në shoqëri. Pedagogët tanë ishin një model i mirë për ne studentët, një pasqyrë, e pastër që reflektonte mirësi. Pedagogë si shefi i korpusit mësimor nënkoloneli Njedviga, pedagogu i motorit, kapiteni i parë Shashkov, pedagogu interesant i meteorologjisë, majori Kaçamirovskij etj, ishin disa modele, të cilët na mësonin e na frymëzonin.

Në korpusin mësimor, në një dhomë më vete, të shtruar me tapet, nën kujdesin e një kapteri karriere, ishte vendosur një model avioni, i cili fluturonte në tokë, sipas të gjithë parametrave të fluturimit. Trenazhorii cili quhej TLL – 1, reagonte ndjeshëm ndaj veprimeve të studentit, nga kabina e tij. Qëllimi i ”fluturimeve” me këtë trenazhor ishte praktikimi i shprehive të fluturimit. Në korpusin mësimor thuhej se një trenazhor i tillë kushtonte më tepër se një aeroplan i vërtetë. Nuk mund të mos theksoj dhe një vlerë tjetër të mësimdhënies në atë shkollë. Pedagogët, në procesin mësimor i kushtonin mjaft rëndësi luftës kundër të mësuarit mekanik të gjërave. Si rrugë efikase për ta arritur këtë gjë, theksi vihej tek argumentimi i dukurive dhe veprimeve të pilotit. Kur na pyeste pedagogu i teorisë të fluturimit, i cili ishte nga më cilësorët në shkollë, çfarë ndodh në krahun e avionit kur piloti i jep avionit moment rrotullimi, ne i përgjigjeshim, si të paditur: ”Nuk duket forca ngritëse që vepron mbi krahë, nga kabina”. Ai, me durim, e argument na shpjegonte, si e pse duhet vepruar kështu e jo ashtu.

Pjesë e pandarë e metodës të punës të pedagogëve tanë ishte të qenit të drejtpërdrejtë, të hapur e të drejtë. Nuk e kishte të vështirë të të fliste hapur pedagogu i shkollës tonë. Kësisoj pedagogët e më pas instruktorët e fluturimit, duke folur hapët me ne, na ndihmonin për të njohur mangësitë e për ti ndrequr gabimet. Si përfundim, mund të them se gjatë procesit të përgatitjes teorike, në korpusin mësimor, e gjithë trupa pedagogjike na kishte rrethuar me një kujdes të shtuar me qëllim që të ”armatoseshim” me dije të qëndrueshme e cilësore në shkencën që kishim zgjedhur vullnetarisht.

Erdhi pranvera e grupi i studentëve shqiptarë për pilotë, la auditorët e doli në terren, në sheshin e përgatitjes në tokë e në fushën e blertë të aerodromit. Dy javë, para fillimit të fluturimeve, me avion JAK-18A, kursi i studentëve, i cili numëronte 36 vetë, u nda në grupe fluturimi, me një instruktor për 2 – 4 studentë. Studentët: Xhevair Musta, Petrit Shima dhe Xhevit Kabella, pas disa testeve që na bënë në shkollë u larguan nga skuadrilja jonë e u dërguan në Krasnodar, në degë të tjera, afër e të lidhur me fluturimin por, jo pilotë. Mbetëm 33 studentë, në një skuadrilje fluturuese. Komandant i skuadriljes ishte rusi, Tirsin, me gradë major por si fluturues kishte mbi supe një përvojë të gjatë. Ai dhe vartësit e tij, më parë kishin fluturuar në aeroplanë reaktivë dhe kishin përgatitur disa breza pilotësh. Majori Tirsin ishte një pilot metodist, me njohuri mjaft të mira teorike dhe aftësi të spikatura praktike, për shfrytëzimin e aeroplanit JAK – 18A. Moshën e kishte rreth 35 vjeç; shtatin mesatar, me trup të mbushur e të lidhur mirë. Në pamje dukej shumë serioz, madje ”i egër”, me vështrim depërtues, fliste pak e rrallë dhe zinte pozicione të një njeriu që ”mbahet rëndë” e të krijon përshtypjen e një mendjemadhi por nuk ishte i tillë. Siç duket ishte mësuar të jepte urdhra e të komandonte të tjerët, kushedi prej sa kohësh. Dukej sikur qëndronte larg e veç të tjerëve. Me vartësit, madje edhe me oficerët e skuadriljes së tij mbante distancë por ishte tepër korrekt. Në qoftë se instruktorët tanë dhe disa komandantë zvene si majori Stepanov, i ”lakonin” nënat tona, disa herë në ditë dhe në të gjitha rasat, majorin Tirsin nuk e kisha dëgjuar kurrë të shante nga nëna.

Zëvendëskomandant i skuadriljes ishte një major tjetër, i cili nuk ngjante fare me të parin, si përsa i takon karakterit dhe sjelljes së tij me ne studentët shqiptarë. Majori Bondarev, me kombësi ruse, me moshë rreth 35 vjeç, i gjatë rreth 175 cm, i shëndetshëm e i lidhur mirë, biond. Bondarev futet në radhët e atyre njerëzve të qeshur e të sjellshëm, me natyrë babaxhani, të cilëve mund t’u thuhet, pa rezerva se janë ”shpirt njeriu”. Majori Bondarev na donte mjaft ne shqiptarët dhe ishte shumë i afruar me ne. Ai donte të dinte për vendin tonë dhe na ndihmonte e na orientonte mjaft, për të kuptuar e përvetësuar teknikën e pilotimit. Në mendime ishte pak liberal e në jetë disi i shkujdesur. Zhenja Bondarev nuk i merrte shumë seriozisht ndodhitë shoqërore, të cilat i përcillte me të qeshur. Në fluturim ishte mjaft serioz e kompetent. Kur ishte çështja e lidhur me fluturimin dhe avionin, në veçanti kur bëhej fjalë për disiplinën ajrore, Bondarevi nuk të falte. Në rrethet tona studentore, afrimin e majorit Bondarev, me ne, studentët nga Shqipëria e komentonin si prirje staliniste të tij. Në të vërtetë, ai, si mjaft oficerë të tjerë, nga ata që punonin me ne, nuk e kishte për zemër udhëheqësin e atëhershëm të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushovin dhe vijën politike që ndiqte partia që ai drejtonte.

Kryeshturman i skuadriljes tonë ishte kapiteni i parë, ukrainasi Oljejnik. Ne i thoshim hoholl, siç i thërrisnin në Rusi, rëndom ukrainasve. Kapiteni Oljejnik ishte i gjatë dhe elegant; më i ri në moshë e në profesion, krahasuar me dy të parët. Ai ishte i ”largët” me ne e nuk merrte pjesë në bisedat e në shakatë që bënim ne me njëri – tjetrin. Kishim përshtypjen se na spiunonte tek ushtarakët aparatçikë e partiakë të shkollës prandaj ishim të rezervuar në marrëdhënie me të. Si fluturues ishte i saktë e i shkathët, aeroplanin JAK – 18A e zotëronte mjaft mirë.

Komandantë katërshe (zvene) ishin dy rusë, të dy mbanin gradën e majorit dhe ishin me moshë rreth 30 vjeç. Këto ishin karakteristika të përbashkëta të tyre por, ata kishin dhe pika në të cilat nuk puqeshin. Majori Stepanov ishte i hollë e i gjatë, me flokë të verdhë e me fytyrë të hequr. Një burrë mjaft i shkathët, nga trupi e nga goja. Majori Stepanov fliste e shante shumë. Të sharën nga nëna, ai e kishte në majë të gjuhës. Me rast e kot së koti, e kisha dëgjuar Stepanovin të shante nga nëna, si ç thoshin vendasit: “kak sapozhniki” që do të thotë: ”si këpucarë”. Në katërshen e tij ishte shoku ynë nga Kllojka e rrethit të Tiranës Adem Çeça. E kishte mjaft qejf, Ademin komandanti ynë. E kisha dëgjuar ti drejtohej shpesh shokut tim me fjalët: ”Çeça, gdje ti? japonskij bog” që do të thotë: ”Çeça, ku je? ti, Zot i japonisë”. Ose, në çdo dy fjalë që nxirrte nga goja, njëra ishte e sharë nga nëna. Fjalën ”Job tvoja mat”, e sharë e rëndë nga nëna, majori Stepanov e kishte në vend të kafes. Veç zemrën e kishte të mirë e nuk i bënte keq asnjërit. Ishte mjaft hokatar e me ne, shqiptarët ishte i afërt. Edhe për këtë kishte fjalë se ishte nostalgjik i Stalinit. Me të qeshur, në intimitet, majori Stepanov na kishte sajuar një çastushkë të këndshme. Ai ironizonte sjelljen tonë, në zvjenën që komandonte, sipas prapësive që bënim. Renditja jonë ishte e tillë: Zhezha – Pesha – Koroveshi – Karalliu – i Nelaj – Sofroni razgildjaj (i shthurur). Kjo ishte një nga shakatë e tij të zakonshme.

Komandant i katërshes tjetër ishte majori Kllistov. Ai ishte burrë serioz e tepër korrekt. Majori Kllistov ishte komandant katërshe dhe njëkohësisht kishte një grup studentësh për pilotë.

Grupet e fluturimit u ndanë, afërsisht në këtë mënyrë:

1. Nën drejtimin e kapitenit të parë Komisarov, u ngrit grupi me studentët për pilotë: Sazan Abibi; Lutfi Islamaj dhe Bardhyl Lubonja.

2. Instruktori Aleksandër Rapajev, çeçen, nga qyteti i Groznit, kishte studentët: Adem Çeça; Petraq Koroveshi dhe Sefedin Tomçini.

3. Instruktori Ukollov, beqar i rritur, kishte në grupin e studentëve shqiptarë: Zyhdi Meçaj; Sherif Hajnaj (Bracki) dhe Pandeli Lëngu.

4. Piloti instruktor Ivan Tjurkin drejtonte grupin, në përbërje të të cilit ishin studentët: Ahmet Sulejmani; Bashkim Kozeli dhe Fadil Nenaj.

5. Në grupin e studentëve shqiptarë: Roland Sofroni e Koço Bikuishte instruktor kapiteni Bobikov.

6. Zhenja Tjuterev, kapiten i parë, beqar i rritur, kishte në grup studentët: Vangjel Koçi e Niazi Nelaj.

7. Tepër interesant ishte grupi ku bënin pjesë studentët: Dhori Zhezha; Vaso Pesha e Agron Balashi. Jo për nga përbërja e studentëve por nga statusi i instruktorit të tyre. Ky grup fluturimi kishte instruktor oficerin me kombësi ruse Nikollaj Razinkov. Kolja (siç e thërrisnin vendasit), gjysmën e vitit ishte me spaletat e majorit, mbi supe e gjysmën tjetër, ia hiqnin ato e në vend të tyre i jepnin gradën e kapitenit të parë. Shkaku i vetëm për këtë lëkundje ishte shkelja e përsëritur e disiplinës nga Nikollaj Razinkovi. Ai ishte pilot mjaft i mirë dhe instruktor i zoti por, nuk i rrihej pa shkelur disiplinën. Nuk bëhej fjalë për shkelje të disiplinës ajrore, se në fluturim ishte korrekt por, shkeljet i bënte në respektimin e kërkesave të disiplinës ushtarake. Siç tregonin, studentët e grupit të tij, kur kryenin fluturim në zonë, mbi Mokrij Batajsk, Razinkovi kthente kokën e vështronte poshtë, për të parë vendet ku gjuanin peshk, që të shkonte në ditët e pushimit. Razinkovi, herë major e herë kapiten i parë, ishte i pasionuar çmendurisht pas peshkimit. Ne, studentët shqiptarë, mes njëri – tjetrit e kishim ”pagëzuar” Razinkovin – kuligan. Kuptohet; me shaka.

8. Në një grup tjetër ishin studentët: Surri Barbullushi; Bahri Meshahu e Petraq Papaanastasi. Instruktori i tyre, piloti Shereshev, kishte qenë shok i ngushtë i kozmonautit të parë Jurij Gagarin.

9. Piloti nga Rusia Vladimir Iliç Çeçulin kishte në grupin e tij studentët shqiptarë: Agim Ismaili, Koço Ilija, Jorgaq Bakshevani e Stillo Mëlica. Në grupe të tjerë fluturimi, me instruktorë të ndryshëm ishin studentët shqiptarë, për pilotë: Rrapo Kodheli, Hysen Hyka etj.

Duhet nënvizuar një fakt, i pakundërshtueshëm: Të gjithë instruktorët e teknikës së pilotimit, ishin mjaft të përzgjedhur. Në hapësirat e Bashkimit Sovjetik nuk ishte aspak e vështirë të gjeje pilotë dhe instruktorë të kualifikuar, por vlera e përzgjedhjes lidhet me kriteret serioze që ishin përcaktuar për këtë eveniment. Meqenëse ne ishim studentë të huaj dhe vinim nga një vend si Shqipëria, e cila ”kishte ngritur krye”, për të kundërshtuar politikën që ndiqte qeveria e Bashkimit Sovjetik, komanda e shkollës së aviacionit kishte bërë kujdes që instruktorët pilotë të ishin nga më të mirët. Ata, dalloheshin për nivel të ngritur teorik dhe për aftësi të rralla profesionale, si pilotë. Të kompletuar si metodistë e pedagogë elokuentë, instruktorët tanë, me qetësi e në kohë ndërhynin për të korrigjuar gabimet tona, të mundshme, në tokë e në ajër. Ata ishin të matur, të saktë e konkretë në vërejtjet që bënin, prandaj, gjatë kohës që punuan me ne, nuk u regjistrua asnjë rast diskutimi e mospërputhje. Me figurën e tyre morale, me pamjen e jashtme, me sjelljen e me marrëdhëniet në kolektivin e instruktoreve, ata na frymëzuan e na udhëhoqën me shembullin vetjak, në udhën e përbashkët, drejt suksesit. Grupi i instruktorëve të teknikës së pilotimit, me eksperiencën dhe aftësitë e tyre ishin në gjendje të përcaktonin në kohë e me kompetencë aftësitë apo paaftësitë tona, për të ecur më tej, në udhën e përgatitjes si pilotë.

Nën drejtimin e këtyre instruktorëve pilotë, pedagogë të vërtetë, mjaft njerëzorë, dashamirë e të afruar me ne nisëm përgatitjen në tokë, fill pas përfundimit të përgatitjes teorike që bëmë në kabinetet e posaçme dhe mbasi u nënshtruam provimeve. Përgatitja në tokë i paraprin stërvitjes në ajër dhe ka për qëllim të zbërthejë e argumentojë teorikisht e praktikisht çdo detaj dhe element të fluturimit të ardhshëm. Kjo është e detyrueshme të bëhet paraprakisht, në tokë ku çifti instruktor – student ka në dispozicion më tepër kohë e mundësi për të shpjeguar, sqaruar, argumentuar, pse jo dhe për të debatuar, kur është rasti, për elementë apo probleme të veçantë të fluturimit. Meqenëse kjo lloj përgatitje zhvillohet në tokë dhe instruktori drejton një grup të vogël studentësh, edhe çështjet që zbërthehen e detajohen, zbresin shumë në terrenin konkret të gjërave. P. sh: Nëse në klasë pedagogu i thotë studentit, vetëm teorikisht se në çastin kur avioni vrapon në brezin e ngritjes dhe shpejtësia e tij, falë fuqisë motorike, pëson rritje të vazhdueshme, kur shpejtësia progresive arrin 80 km/orë dhe forca ngritëse në flatrat dhe krahët e avionit është rritur, piloti, me një të tërhequr të levës së komandimit, nga vetja e ngre rrotën e parë rreth 15cm nga toka, në mënyrë që ta ndihmojë aeroplanin për t’u çuar në ajër, dhe këtu mbaron puna e tij, instruktori, e konkretizon disi këtë veprim.

Në punën e instruktorit pilot kjo nuk mjafton. Ai, në qytetin metodik, me ndihmën e një maketi, i cili tregon pozicionin e hundës së avionit në krahasim me vijën imagjinare të horizontit natyral (aty ku duket sikur puthitet qielli me tokën ), i tregon studentit, si e ku duket vija e horizontit, që atij ti ngulitet në përfytyrim ky pozicion. Edhe kjo nuk mjafton. Instruktori e çon studentin në vendin ku janë parkuar avionët dhe, tek një aeroplan ku është vendosur një mekanizëm ngritës ose me krahë, mbasi studenti është futur në kabinë, e ngre hundën e avionit në lartësinë e nevojshme. Studenti, nga pozicioni në kabinë, vrojton dhe fikson projektimin e horizontit imagjinar tek fanari i kabinës. Kështu veprohet dhe për procese të tjerë të fluturimit, kur një gjë e tillë është e mundshme. Gjatë ditëve të përgatitjes në tokë, studenti nuk e ndan nga dora modelin e avionit dhe një maket të projektimit të fanarit të kabinës. Me këta dy mjete ai ka të bëjë, në këto ditë dhe për një kohë të gjatë, mbasi të ketë filluar të fluturojë.

Përgatitja në tokë zgjat, si rregull dy javë dhe zhvillohet në qytetin metodik. Ne e gjetëm të gatshëm qytetin metodik të aviacionit. Para nesh, aty kishte kaluar e ishte përgatitur grupi i studentëve shqiptarë për pilotë të cilët tashmë fluturonin në aeroplanët reaktivë Mig-15 në aerodromin e Kushovskës. Rreth 50 km, në Jug-Lindje të Batajskut. Ata ishin grupi i parë i studentëve shqiptarë, në shkollën e Batajskut; ne ishim të dytët. Deri atëherë, studentët shqiptarë për pilotë ishin stërvitur në shkollën e aviacionit në qytetin e Borisoglebsit. Paraardhësit tanë na lanë ”trashëgim”, përveç famës edhe këtë qytet metodik të mrekullueshëm. Çdo grup studentësh kishte kthinën e vet, me stola druri të rrethuar, me një tip kulle e cila përfundonte me një ”majë” si ato pagodat e kinezëve, në formë të rrumbullakët. Bisedkat (kështu i quanin vendasit), ishin të vendosura rreth qytetit metodik, duke lënë një boshllëk në mes. Në qendër të hapësirës të qytetit metodik ishte ngritur një reliev, në të cilin pasqyroheshin dukshëm objektet kryesorë të rajonit të fluturimeve. Me mjete të ndryshëm e me formë e ngjyrë që ti përafrohej sa më tepër terrenit konkret, ishin vizatuar, si në hartë qendrat e banuara, lumenjtë, deti, fshatrat, rruga hekurudhore e ajo automobilistike, lartësitë karakteristike e objekte të tjerë orientues. Pamja nga lart e terrenit të vizatuar në këtë skemë ngjante mjaft me terrenin mbi të cilin do të fluturonim.

Në ditët e përgatitjes në tokë, studenti për pilot duhet të mësonte përmendësh e të tregonte me veprime konkrete, në bisedkën e grupit dhe në kabinën e avionit veprimet që do të kryente, nga çasti kur do të ngjitej në avion, ulja në kabinë, lidhja me rripa, rregullimi i lartësisë me anë të një apo dy jastëkëve (për ne që ishim shtatshkurtër ), veprimet për lëshimin (ndezjen ) e motorit, ngrohjen e tij, daljen në start, ngritjen, plotësimin e fluturimit, uljen, kthimin e avionit në vendqëndrim dhe veprimet që pasonin, deri në largimin nga avioni. Veprimet që do të kryente, në çdo etapë, studenti i përsëriste disa herë, shumë herë, deri sa ti fiksonte e ti përvetësonte përmendësh. Gjatë përgatitjes në tokë kishte përparësi mësimi dhe tregimi me fjalë e me veprime konkrete, duke shfrytëzuar aparaturën e avionit dhe maketet, në rastet kur në tokë apo në ajër, ndodhte ndonjë ngjarje e veçantë. Ngjarje e veçantë, në aviacion quhet ajo ndodhi, e cila nuk është konform asaj që përshkohet në teorinë e fluturimit dhe në instruksionet e rregulloret përkatëse. Disa herë përdoret termi ngjarje e jashtëzakonshme. Të dyja janë në të njëjtën vijë, por ngjarja ka të bëjë me atë që tashmë ka ndodhur; është kryer e nuk kthehet më.

Piloti, detyrimisht duhet të dijë, si ti dallojë në kohë e si të veprojë kur në avionin e tij shfaqet një dukuri jashtë parametrave të caktuar. Ai, me veprime të shpejta e të drejta, me të dalluar parregullsinë, duhet të parandalojë, me masa efektive, agravimin e mëtejshëm të situatës ajrore, në mënyrë që të mos ndodhë diçka më e rëndë. Prandaj, nisur nga përgatitja në tokë e para çdo fluturimi, në çdo fazë apo në çdo shkallë kualifikimi që të ketë, piloti është i detyruar të përsëritë e të dijë si do të veprojë në çdo situatë që të ndodhet. Mund të mos i vijë rasti të braktisë avionin e të hidhet me parashutë asnjëherë në jetën e tij si fluturues, por mund ti ndodhë që këtë të jetë i detyruar ta bëjë që në fluturimin e parë. Prandaj ai duhet ti dijë veprimet që do të kryejë, në raste të veçantë, në perfeksion. Dikush e etiketon, padrejtësisht, këtë punë si ndjellakeqe. Në fakt nuk ka të bëjë fare me këtë paragjykim apo besëtytni. Piloti që përgatitet për të përballuar çdo të papritur, në fakt, e largon atë, i del të keqes përpara, duke e njohur e duke ditur si të veprojë, minimizon efektet negative të ngjarjeve dhe, në fund të fundit, nuk ka frikë prej tyre. E thënë me pak fjalë, një pilot i kompletuar e shikon të keqen në sy e nuk i trembet asaj.

Një vend të posaçëm, gjatë ditëve të përgatitjes në tokëze trenazhi në kabinën e avionit. Ky proces i domosdoshëm nuk i ndahet pilotit sa kohë të jetë i tillë. Trenazhi në kabinë nuk është një proces monoton që të mërzit e të lodh, pa bukë, por, është një përgatitje e plotë dhe e vazhdueshme, e cila synon që piloti, duke e njohur në detaje kabinën e avionit e kur di si të veprojë me aparaturat e saj, në çdo situatë, e ndjen veten si në shtëpinë e tij dhe është i qetë e i sigurtë në veprimet që kryen. Instruktorët tanë, na detyronin të vizatonim shumë herë, në letër, kabinën e avionit. Rëndësi i jepnin përcaktimit të pozicionit të çdo instrumenti tregues, duke respektuar përparësinë e secilit prej tyre. Ky proces merr vlera të pazakonta, po ti referohemi kërkesës, sipas të cilës, piloti, në ajër, me një vështrim rrëshqitës në kabinë, duhet të përcaktojë nëse instrumentet që ndodh në dërrasën e instrumenteve i kanë treguesit e rekomanduar për atë etapë të fluturimit apo tregojnë pasaktësisht. Bënin mirë instruktorët tanë që, duke bërë trenazh në kabinën e avionit, na mbyllnin sytë e kërkonin të gjenim e tregonim me gisht, jo vetëm pozicionin e çdo instrumenti por dhe pozicionin ku duhej të ishte shigjeta treguese e tij. Përgatitja në tokë “na dha në dorë çelësin për tu ngjitur në avion e për tu ngritur në ajër”. Në këtë çështje instruktorët tanë ishin tepër të kujdesshëm dhe kërkues.

Mjaft kohë na përpinte vizatimi i rajonit të fluturimeve. Nga lartësia e viteve që kam mbi shpinë, gjykoj sa të drejtë kishin ata instruktorë, të përkushtuar, të cilët e ndjenin thellë përgjegjësinë e misionit që kishin marrë përsipër, për të na lëshuar, në ajër të sigurtë e të përgatitur plotësisht për detyrat që na prisnin. Piloti, kur ngrihet në ajër duhet të ketë të vizatuar në tru rajonin mbi të cilin fluturon e të dijë me saktësi vendndodhjen e aeroplanit me të cilin fluturon. Në atë kohë mjaft probleme të këtij karakteri zgjidheshin, më tepër mekanikisht dhe përgatitja profesionale e pilotit merrte vlera vendimtare. Piloti, në ajër, nuk ka kohë të krahasojë hartën, të cilën e mbante mes gjunjëve por krahasonte terrenin me hartën që e kishte në mendje. Me qëllim që ta dinim përmendësh rajonin e fluturimeve, instruktori na detyronte të vizatonim në një letër të bardhë, disa herë, konfiguracionin dhe veçoritë e terrenit. Aq shumë i kam bërë ato vizatime sa edhe sot e kësaj dite kujtoj pozicionin e fshatrave: Salsk, Zjernograd, Krasnaja, Komsomolskaja, Zarja, Çunbur Kasa, Tihoreck dhe qendrat e banuara më të mëdha si: Taganrog, Jejsk, Azov, Novoçerkask, Shahti, Kushevskaja, Tambov, Armovir etj. Këta, lumenjtë, pyjet, vija e ujit, etj ishin disa objekte karakteristike që duhet të përfshiheshin në vizatimet tona. Përveç këtyre, në skemë duhet të zinin vend dhe vendndodhja e mjeteve radioteknike të fluturimit (radiostacioni SKP, prurëset, pelengatorët etj. )Jo vetëm kaq; studenti duhet të njihte dhe sinjalet që emetonin në ajër radiostacionet që ndodheshin në rajonin tonë të fluturimeve.

Në pamje të parë, krijohet përshtypja sikur, zbatimi me patjetër i këtyre kërkesave e ngarkon shumë pilotin. Që ka ngarkesë e kërkesë të lartë ndaj pilotit, kjo është e vërtetë, por po kaq e vërtetë është dhe vlerësimi real se pilot nuk mund të bëhet çdo njeri. Nuk është fjala se pilotët janë mbinjerëzorë e të paarritshëm, si profesion por për të theksuar se e jashtëzakonshmja duhet kërkuar tek cilësitë e rralla të tyre, ku reflekset dhe ambientimi i shpejtë marrin përparësi. Prandaj dhe testet shëndetësore e këqyrjet psiko – fizike janë tepër rigoroze.

Kujdesi i shtuar dhe përkushtimi njerëzor na shoqëroi dhe në organizimin e punës për të pasur fluturime të sigurta e cilësore, në aerodromin fushor të Batajskut. E them që në nisje se, në aerodrom kishim të gjitha kushtet, të cilat duhen për të organizuar fluturime vozitëse (me instruktor në kabinën e dytë ) dhe fluturime vetëm(kur studenti është i vetëm, pa instruktorin në kabinën e dytë). Le tu hedhim një vështrim, të shkurtër, këtyre kushteve:

Aerodromi fushor i Batajskut ishte një lëndinë, me bar, me strukturë toke të fortë, të cilës vendasit i thoshin grunt. Pozicioni gjeografik e fushës ishte, në Lindje-Veri-Lindje të qytetit të Batajskut, rreth 2 km larg tij. Qyteti më i afërt, i madh ishte Rostovi mbi Don; rreth 7 km, në Veri-Perëndim të tij. Në Perëndim dhe Veri-Perëndim të aerodromit ishte një gjuhëz e shtrirë e detit Azov dhe qytetet Taganrog, Jejsk dhe Azov. Objekt karakteristik orientues ishte lumi Don, i cili gjarpëronte në pjesën Lindore të Rostovit mbi Don dhe ngjitej lart, në Veri-Lindje. Rajoni përshkohej tej e mbanë nga linja hekurudhore dhe nga rrugë automobilistike, të gjëra. Përmasat e fushës ku zhvilloheshin fluturimet ishin të mëdha; ato lejonin zhvillimin e fluturimeve me studentë, në aeroplanët JAK-18 A, madje, në atë aerodrom ishin ulur aeroplanë reaktivë si gjuajtës – bombarduesit MIG-15 Bis dhe bombarduesit e frontit, me dy motorë reaktivë IL-28. Për fluturime me studentë aerodromi shfrytëzohej vetëm në stinën e thatë(në muajt prill – shtator të çdo viti). Në aerodrom ishin të gjitha pajisjet e nevojshme për zhvillimin e fluturimeve.

Komanda e skuadriljes që organizonte fluturimet dhe instruktorët tanë ishin mjaft kërkues kur ishte fjala për të respektuar të gjitha rregullat, sipas kërkesave të Rregullores të Fluturimeve. Çdo gjë, në aerodrom, në ditën kur zhvilloheshin fluturime, ndodhej në vendin e duhur e në efiçencë të plotë. Në një vend të përshtatshëm, atje ku dukej, si në pëllëmbë të dorës i gjithë aerodromi dhe lëvizjet e avionëve nëpër të, komandanti i skuadriljes, majori Tirsin ose zëvendësi i tij, majori Bondarev, të hipur mbi një makinë të pajisur me aparatura të posaçme radioteknike, drejtonin fluturimet. Pranë udhëheqësit të fluturimeve, gjatë gjithë kohës qëndronte një oficer, specialist aviacioni, në rolin e ndihmësit dhe poshtë makinës, në tokë, qëndronte një ushtar, me dylbi në sy, i cili vrojtonte avionët, në ajër. Drejtues i fluturimeve ishte njëri nga të komandës së skuadriljes (komandanti ose zëvendësi i tij ), por drejtimi i fluturimeve bëhej me ekip. Në përbërje të këtij ekipi ishte, përherë, sinoptikani, mjeku, inxhinieri, ndërlidhësi, navigatori e ndonjë specialist tjetër.

Në aerodrom, në një vend të caktuar, qëndronin, të rreshtuar, në parkim, avionët JAK – 18A, që do të merrnin pjesë në fluturimet e asaj dite. Çdo avion kishte një mekanik. Mekaniku ishte nënoficer aktiv, me arsim mekanik e me përvojë pune, i përzgjedhur nga specialistët më të mirë, njerëz me prosperitet e shembullorë, në çdo drejtim. I gjithë personeli i shërbimit, ushtarët, nënoficerët dhe oficerët që punonin me ne ishin mjaft të përgatitur e të aftë, në specialitetin e tyre dhe njerëz me personalitet të spikatur. Më të afruar me ne studentët ishin mekanikët e avionëve. Jo për shkak të gradës më të ulët që mbanin (kapterë), por ndoshta dhe për shkak të moshës që kishin. Edhe ata, si ne, ishin të rinj. Nuk mbaj mend shumë emra të tyre, mbasi kanë kaluar shumë vite, por njërin, një kuqalash, nga Ukraina, me emrin Drozd, nuk mund ta harroj. Nuk bëhet fjalë për tiparet e veçanta të tij, si kuqalash por, më shumë për sjelljen që manifestonte dhe afërsinë që tregonte, me ne shqiptarët.

Drozd, në profesionin e mekanikut të avionit shkëlqente. Në moshë ishte i ri, rreth 22 vjeç por qëndrimi i tij ishte: i thjeshtë, korrekt, me edukatë e dinjitoz. Ai ishte nga ata djem të rrallë vendas, i cili, kur bisedonte, skuqej e bëhej paparune. Mekaniku ynë me emrin Drozd po kryente periudhën e stazhit të kandidatit për anëtar të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Ndoshta kjo ishte arsyeja që partia e kishte caktuar në një vend delikat, për të dhënë prova t që kërkonte partia e tij. Në atë kohë, në hapësirat sovjetike, ku hapur e ku në ”surdinë”, qarkullonte një opinion jomiqësor për Nikita Sergejeviç Hrushovin, udhëheqësin kryesor të vendit. Madje, atij i kishin vënë nofkën ”kukuruza” që do të thotë misër, meqenëse në fjalimet e tij propagandohej me tepri vlera e kësaj bime. Ne, shqiptarët, që e kishim ”marrë inat” e nuk na pëlqente ai tullac, i shpifur, kur ndodheshim vetëm me mekanikun Drozd, i thoshim atij kukuruza. Nënteksti ishte i qartë por miku ynë nga Ukraina, vetëm qeshte. Nuk i vinim faj se e dinim që monitorohej.

Drozd, nuk ishte i vetmi i pakënaqur në atë mjedis. Majori Stepanov, i cili njihej si nostalgjik i Stalinit, kapiteni korzhenkov etj, kur ndodheshin në shoqërinë tonë, ironizonin hapët udhëheqësin e tyre. Ndonjëri, me gradë e pozicion më të lartë në hierarkinë e skuadriljes, si majori Bondarev, me dashamirësi, na jepte porosi ”djema, ruhuni nga këta”! Dhe tregonte me gisht nga aparatçikët e bezdisshëm.

Sinjali që njoftonte fillimin e fluturimeve ishte lëshimi i një rakete sinjalizuese, nga udhëheqësi i fluturimeve. Ky ishte një çast solemn dhe prej këtij çasti, i gjithë personeli përgjegjës, për garantimin e fluturimeve kalonte në vartësi të udhëheqësit të fluturimeve. Zakonisht në rolin e udhëheqësit të fluturimeve qëndronte komandanti i skuadriljes, majori Tirsin, ose zëvëndësi i tij, majori bondarev. Ata ishin ajka e pilotëve të skuadriljes. Jo vetëm sa i takon teknikës vetjake të pilotimit, mbasi, në atë skuadrilje kishte dhe mjeshtër sporti, që merrte pjesë në gara akrobatike me avionë, në shkallë vendi, si kapiteni Valentin Shereshev, por kishin disa veçori të domosdoshme për të drejtuar fluturimet. Ky problem, meriton trajtim më vete, për nga pesha që zë q roli që luan ai që mban në dorë mikrofonin, në zhvillimin e fluturimeve por, në këtë shkrim mund të përmendim, në vija të përgjithshme, disa cilësi të domosdoshme që kërkoheshin ndaj tij. Udhëheqësi i fluturimeve është piloti më kompetent që njeh në detaje, funksionimin e pjesëve materiale dhe të avionit në tërësi. Ai di të ndërhyjë, me qetësi e saktë, sa herë piloti në ajër gjendet në situatë të vështirë, duke i thënë fjalën e duhur, në kohën e duhur.

Mjeku ishte miku më i ngushtë e ”i pabesë” i pilotëve. Ai nuk na ndahej, hap pas hapi. Na këqyrte në mëngjes, para se të ushqeheshim, na rrinte pranë dhe në start, në aerodrom. Kur e gjykonte të nevojshme, tërhiqte ne kabinetin e tij, të improvizuar, aty në start, secilin nga studentët për ti matur tensionin arterial apo i bënte pyetje të drejtpërdrejta lidhur me gjendjen shëndetësore të tij. Kur mjeku diktonte edhe një shmangie, sado të vogël nga parametrat normalë, i propozonte udhëheqësit të fluturimeve ta përjashtonte studentin në fjalë nga ajo ditë fluturimi. Bëhej pikë e vrer shoku ynë, por mjekut nuk mund ti thoshte asnjë fjalë. Autoriteti i mjekut, në një repart aviacioni është absolut, i padiskutueshëm. Vendimi i tij, gjithashtu. Nuk të falte doktor Meleshkoja dhe vartësit e tij, në çështjet e shëndetit. Këtu qëndronte ”pabesia” e racës së mjekëve të aviacionit.

E kemi thënë dhe më lart që, në rajonin ku zhvilloheshin fluturimet, terreni ishte i sheshtë e orientuesit, sidomos ata sipërfaqësorë i ngjanin njëri – tjetrit. Është fjala për fushat e pamata të Rusisë. Në atë kohë, kur bujqësia sovjetike ishte e organizuar në kolkoze e sovkoze, parcelat ishin të sistemuara, të punuara, të mbjella dhe ujiteshin nëpërmjet impianteve në formë shiu. Studenti, sidomos ne që nuk ishim vendas, e kishim të vështirë të orientoheshim vizualisht. Në shkollën tonë, efektivi komandues dhe ai fluturues, bënin çmos që fluturimet tona të ishin të sigurtë e të zhvilloheshin me sukses të plotë. Për të kompensuar efektin negativ të njëtrajtshmërisë të terrenit, aerodromi ynë dhe rajoni i fluturimeve ishin të mbuluara me mjete të dendura radioteknike. Në aerodrom ishte instaluar një radiostacion tokësor, me anën e të cilit realizohej ndërlidhja me radio midis pilotit në ajër dhe udhëheqësit të fluturimeve. Ky radiostacion, në gjuhën e vendasve quhej SKP. Atje mblidheshin e bashkëpunonin ngushtë pjesëtarët e stafit drejtues. Në fundin Perëndimor të aerodromit tonë, në distancë dhe njëra pas tjetrës ishin instaluar dy radiostacione prurëse. Njëri quhej prurësi i afërt; tjetri  – prurësi i largët. Emrin e kishin marrë nga distanca ku ishin vendosur, nga fundi i aerodromit. Diku, në një vend të dukshëm ishte vendosur një radiostacion pelengator. Destinacioni i kësaj aparature të ndërlikuar ishte të përcaktonte e të tregonte në ekran vendndodhjen e aeroplanëve, në ajër. Kur fluturonim në zonë e më pas, në udhëkalim (marshrutë), në kabinën e dytë të avionit, teknikët, pa dijeninë e studentit, montonin një aparat, i cili regjistronte çdo evolucion që bënte studenti, jashtë detyrës që kishte marrë. Shpejt e mësuam ”këtë hile” dhe aparatin e quajtëm ”spiun”. Se ai na ”spiunonte” kur thyenim disiplinën ajrore.

Shkolla e aviacionit, në Batajsk kishte vetëm një aerodrom. Skuadrilje fluturuese kishte aq sa grupe të nacionaliteteve të ndryshëm mësonin aty. Skuadriljet fluturonin veç e veç; në ditë të ndryshme. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë të fluturonim së bashku: shqiptarë, hungarezë, kubanezë, vietnamezë e laosianë. Secili grup kishte kohën e vet në dispozicion. Mundet të zhvilloheshin fluturime me grupe të ndryshëm, në të njëjtën ditë, por nëse një skuadrilje fluturonte para dite; tjetra ishte e detyruar të fluturonte në turnin e dytë. Ky rregull nuk kishte të bënte me faktin se studentët hungarezë ishin më të avancuar, mbasi, në vendin e tyre, ata kishin fluturuar në aeroklube e në reparte të aviacionit, por për më tepër siguri, kishin ardhur në Bashkimin Sovjetik.

Moment i veçantë e me shumë përgjegjësi ishte lëshimi i studentëve në fluturime vetëm. Atë ditë aerodromi dukej sikur ndërpriste frymëmarrjen. Në fushë kishte qetësi absolute; çdo njeri ishte në vendin e caktuar, serioz e i përkushtuar. Dukej sikur njerëzit, madje dhe avionët qarkullonin me ngathtësi e si të përgjumur. Fluturimet nisnin herët në mëngjes, kur kushtet e aerodromit ishin pa erë (shtil), qielli ishte pa re dhe dita me diell; shikimi horizontal e ai vertikal, ishin pa kufi. Kur dilte studenti në brezin e ngritjes dhe ngrihej në ajër, në fluturimin e parë vetëm, i gjithë qielli ishte i tij; nuk lejohej të ngrihej në ajër asnjë aeroplan i dytë.

Aerodromi i Batajskut kishte 5 zona pilotimi; në formë rrethi, në distancë 5 – 6 km. larg qendrës së aerodromit. Njëra nga zonat e pilotimit, ajo me numër 1 ndodhej mbi rajonin e Mokrij Batajskut. Për arsye se në hapësirën ajrore të kësaj zone, humbitnin lartësi aeroplanët e flotës civile, të cilët uleshin në aerodromin e Rostovit mbi Don dhe se në Mokrij Batajsk fluturonin kolegët tonë, në helikopterët MI-4 dhe MI-1; fluturimet me aeroplanë JAK-18A, kryheshin tepër rrallë, në atë hapësirë dhe kjo ishte masë sigurie. Kur rreshtohej skuadrilja, për fluturim, udhëheqësi i fluturimeve, mbasi jepte udhëzimet e rastit, thoshte, në çdo ditë fluturimi, të njëjtën formulë; ”Ja svoj samoljot: dva – tri pravih krenah”. Ky ishte një kod, i cili përdorej si shenjë njohje, në qoftë se avionin tënd e ndiqnin avionët gjuajtës – kapës të rojës ajrore. Në fillim, si unë dhe shokët e mi nuk e kuptonim këtë ”kod sekret”; pyetëm një instruktor e ai na dëftoi të fshehtën misterioze.

Sa më tepër avanconim me programin e fluturimeve e sa më e madhe të bëhej autonomia jonë në ajër, aq më tepër ”na shtrëngoheshin rripat”. Kur fluturonim në zonë, afër aerodromit, në një kohë kur, pas çdo kompleksi pilotimi, studenti ishte i detyruar të drejtonte turirin e avionit në drejtim të aerodromit dhe të raportonte, me radio: ”75; ju shikoj, ju dëgjoj”. Në të njëjtën kohë, udhëheqësi i fluturimeve kishte marrë informacion nga vrojtuesi me dylbi që kishte pranë dhe e shikonte avionin e studentit në fjalë, me sy, të lirë. Mirëpo, në një ditë me diell, njëri nga shokët tanë, krutani Hysen Hyka, duke pilotuar mbi Mokrij Batajsk, papritur njoftoi se nuk dinte se ku ndodhej, prandaj kërkonte ndihmën e udhëheqësit të fluturimeve, me qëllim që të kthehej në aerodrom. Alarm në udhëheqjen e fluturimeve; shqetësim i madh në radhët tona. Na vinte inat dhe turp, njëkohësisht. Nuk e kuptonim si mund të humbasë studenti orientimin, në zonë, aq afër aerodromit, në një ditë me diell. E pyeti udhëheqësi i fluturimeve Cenin nga Kruja, i cili, në vend të qeleshes së bardhë kishte ngjeshur në kokë një kokore lëkure, me radio dhe në vend të brekusheve, me ushkur, kishte veshur uniformën e pilotit: ”çfarë shikon poshtë, në tokë”? Hyseni ynë, zgjati kokën anash, aq sa e lejonte fanari dhe u përgjigj: ”Shikoj një traktor”! Në atë zonë traktorët ishin me qindra, jo me dhjetëra. Mezi e uli Cenin, udhëheqësi i fluturimeve. ”E paguam” me disa ditë përgatitje plotësuese dhe me provime, edhe ne të tjerët që nuk kishim bërë asnjë faj. Megjithatë kjo përgatitje plotësuese na bëri mirë.

Erdhi faza e fluturimeve në udhëkalim (marshrutë). Do të largoheshim nga aerodromi rreth 50 km. e nuk do ta kishim në sferën e të parit ”shtëpinë tonë të përbashkët”. Instruktorët intensifikuan përgatitjen tonë dhe komanda e shkollës, sipas situatës së re që u krijua mendoi masa plotësuese sigurie. Njëra nga ”shpikjet” e komandës së shkollës ishte: Kur një student të fluturonte në udhëkalim, në kabinën e dytë të ishte një instruktor. Me qëllim që të përcaktonte shkallën e përgatitjes të studentëve shqiptarë, për të fluturuar vetëm në udhëkalim, erdhi nga Krasnodari, ku ndodhej komanda e shkollës, kryenovigatori i shkollës së aviacionit, nënkoloneli Efermjev. Ai i kërkoi komandës së skuadriljes tonë të fluturonte, në udhëkalim me një student të nivelit mesatar. Komanda e skuadriljes, për këtë qëllim caktoi studentin Agim Refat Ismaili. Ja si e kujton Agimi këtë rast: ”Para se të fluturoja me ”shefin” nga Krasnodari, në start, më thirri komandanti i skuadriljes, majori Tirsin e më porositi: ”kujdes, se po të kapi në gabim, na fike fare, pastaj do të fluturoni në shoqërinë e një instruktori”! Shefi mbeti i kënaqur e ne shpëtuam nga ai shoqërim i padëshiruar, i cili na dukej si përçmim. Shoku ynë nga Kolonja, ishte treguar në lartësinë e detyrës e na kishte nderuar.

Krijimin e kushteve të përshtatshme për të mësuar e për të jetuar dhe kujdesin që na rrethonte, në çdo rast e ndjemë kudo. Ato na shoqëruan, në çdo veprimtari tonën e vazhdimisht. Këta e faktorë të tjerë të cilët ishin në të mirën tonë, na nxitën e na dhanë mundësi që të përvetësojmë, në kohën e duhur teorinë dhe praktikën e fluturimit e të formohemi me kualitetet e një ushtaraku karriere, sipas koncepteve bashkëkohore të atyre viteve. Bëri mirë gjenerali i Ushtrisë Shqiptare që na porositi, para se të ngjiteshim në avionin Tu-104, se duhet të ishim vigjilentë e nuk duhet të binim në kurthe. Për hir të së vërtetës, në ato mjedise ku ishte sistemuar shkolla e aviacionit e Batajskut, nuk na mungoi asgjë, madje kushtet i kishim nga më të mirat e kohës dhe të lakmuara nga vendet e ish Kampit Socialist dhe traktatit ushtarak të tij.