Roland Mandi Sofroni, pilot i klasit të dytë, instruktor i pilotëve të kalimit në aeroplanët Mig- 19 S.

( Monografi,  kushtuar  një  jete talenti, të pa fat)

 

 

 

 

                                       

Nuk  kanë  qënë  të  paktë  aviatorët që e kanë shkruar historinë e tyre,  me bujë e me zhurmë.  Ka dhe mjaft të tjerë,  të cilët janë “fikur”,  pa u ndjerë, mbasi  i kanë dhënë aviacionit shumëçka; prandaj nuk duhen harruar.  Njëri syresh ishte talenti i heshtur,  pilot i elitës fluturuese,  biondi vlerashumë  Roland Mandi Sofroni.  Rrallëherë kanë ardhur në aviacion njerëz të kompletuar si Rolandi,  të cilët dhanë atë që kishin e u larguan, në heshtje,  nga profesioni i tyre i dashur dhe nga jeta.  Vlerat e Rolandit ishin në shumë plane.  Ai nuk shkëlqeu vetëm në fluturim, ku kaloi shpejt,  nga njëri tip avioni,  në tjetrin dhe nga kushtet  më të thjeshtë  të motit në ato më të vështira,  por reflektoi tipare të rralla edhe në fusha të tjera të jetës.

Roland Sofroni  u kompletua me njohuri të thella teorike dhe u bë njëri nga pilotët më rezultativë,  në praktikën e fluturimit, falë talentit dhe punës këmbëngulëse , me pasion për profesionin që zgjodhi, të cilin e adhuronte.  Ai  përgatiti, në rolin e instruktorit të teknikës së pilotimit,  disa grupe pilotësh të kalimit dhe mjaft pilotë të veçantë, nga ata që mësuan pilotimin e aeroplanit mbizanor,  gjuajtës-bombardues Mig-19 S.  Rolandi,  u kompletua e shkëlqeu individualisht  dhe  ato që dinte vetë, kishte aftësinë tua transmetonte vartësve që iu besuan,  me bujari e cilësisht.  Tipar i qënësishëm i tij ishte aftësia për të transmetuar profesionin tek të tjerët dhe kjo është cilësi e disa njerëzve si Ai. Njeriu, ca më tepër piloti,  mund të dijë shumë por nuk ka aftësinë e transmetimit për rrjedhojë vlerat që disponon,  mbeten të izoluara e nuk bëhen pronë e të tjerëve.  Në këtë kuptim,  Roland Sofroni ishte pedagog i mirëfilltë dhe mjaft i saktë në ato që thosh.

Në udhën e ngjitjes të aviacionit tonë, kur,  në plan të parë doli kompletimi i parkut të avionëve me aeroplanë të rinj gjuajtës –bombardues të tipit Mig-19 S, kalimi i pilotëve në këtë tip u bë nevojë urgjente dhe masive.  Tipi në fjalë i aeroplanit,  u bë baza e parkut të avionëve. Kjo punë kryhej në kushte specifike,  vetëm shqiptare.  Specifika lidhej me dy vështirësi të karakterit objektiv.  Për të mësuar veçoritë e pilotimit me aeroplanin e ri,  nuk kishte aeroplan mësimor dhe pilotët, si askush tjetër në botë,  kalonin nga njëri tip aeroplani në tjetrin,  me pak orë fluturimi dhe pa përvojën e nevojshme në fluturime natën dhe ditën në kushte të vështirë të motit.  Ata që e kanë përjetuar këtë praktikë e dinë mirë çfarë do të thotë të rritesh në klasë e të kalosh në një tip aeroplani më të sofistikuar,  me atë sasi orësh.  Ishte e lehtë të deklaroje nga zyra,  për shtimin e llojit të përgatitjeve në tokë,  për të kompensuar mungesën e orëve.  Një fjalë goje kjo,  kur dihet se pilotin e bën të tillë ajri,  jo studimi i librave,  instruksioneve e rregulloreve.

Në këto kushte të vështirë e të pashoqe,  Roland Sofronit iu ngarkua detyra  e vështirë e me shumë përgjegjësi të përgatiste në tokë pilotët e kalimit,  duke u zbërthuer e dëftuar një për një,  në detaje e me argumentim teorik,  veçoritë e shfrytëzimit,  në tokë e në ajër të aeroplanit mbizanor Mig – 19 S, i cili ka ndryshime cilësore nga paraardhësi i tij Mig -17 F,  me të cilin ishin praktikuar pilotët e kalimit.  Nuk bëhet fjalë për përkushtim ndaj detyrës,  i cili nuk u mungonte as atyre që kryenin kalimin;  as instruktorit të tyre.  Më tepër se dëshirë e pasion,  çështja e fluturimit është dhe aftësi,  prirje e talent.  Rolandi ishte njëri nga talentet e rrallë,  të lindur për të fluturuar.  Ai mori përsipër të drejtonte përgatitjen e pilotëve që kaluan nga një aeroplan parazanor në gjuajtës-bombarduesin,   supersonik,  me dy motorrë reaktivë RD-9 B dhe me delta krahë,  i cili sapo u fut në përbërjen  e flotës ajrore të vendit tonë,  shkaktoi përmbysje të koncepteve e të praktikave të përdorimit luftarak të aeroplanëve . Në vargun e risive që solli ky tip avioni,  përveç peshës fluturuese,  e cila ishte më e madhe,  krahasuar me paraardhësin,  shpejtësisë progresive më të madhe dhe mbingarkesave të papara në pilotim, ishte i pajisur dhe me një armatim me fuqi zjarri më të madhe , si dhe ishte i pajisur me mjete të sofistikuara  pilotimi dhe orientimi.

Shfrytëzimi racional dhe maksimal i kapaciteteve luftarake të aeroplanit të ri kërkonte  tjetër  përqëndrim,   aftësi më të shumta,  shkathtësi më të artikuluar dhe qëndrueshmëri më të madhe , në ajër.  Rolandi i kishte aftësitë dhe kapacitetet e nevojshme  prandaj u përzgjodh të drejtonte instruktimin dhe drejtimin e grupeve të kalimit. Ai, mbasi e pranoi ketë detyrë  të vështirë,  e vlerësoi seriozisht sipërmarrjen që bëri dhe iu përfill punës konkrete për përgatitjen individuale,  në mënyrë që të kishte çfarë tju servirte vartësve dhe fjala e tij të ngjiste tek ata duke krijuar bindje në atë që thoshte. Me punë pasionante, Landi,  ngjante jo vetëm  thjesht me një rrëfyes por mori pozicione të qarta  si psikolog i përgatitjes dhe i fluturimit.

Niveli i lartë teorik dhe prirjet profesionale,  i krijuan Landit terrenin e nevojshëm për të zotëruar, deri në perfeksion,  të veçantat e sjelljes ajrore të aeroplanit Mig-19 S,  jo vetëm duke sqaruar e dëftuar,  me gjuhë të qartë dhe me elokuencë,  ku duhej përqëndruar vemendjen,  në etapa të ndryshme të fluturimit,  por dhe duke bërë të qartë se  me përgatitje të gjithanëshme,  mund të dilet me sukses dhe nga situata të veçanta ajrore.  Kishte çfarë tu dëftonte Landi atyre djemve të rinj,  të pasionuar pas fluturimit dhe progresit,  prandaj u shkëlqenin sytë,  kur instruktori i tyre,  zbërthente elementët e një fluturimi duke e vënë theksin tek argumentimi i veprimeve.  Instruktor Rolandi u rrëfente “ nxënësve” të tij me gjuhë teknike,  të artikuluar bukur dhe ata përcillnin në ajër,  kur ngriheshin me aeroplanë të vetmuar,  ato që u kishte mësuar instruktori.  Kësisoj reputacioni dhe besueshmëria e  “nxënësit” tek “mësuesi” rriteshin,  së tepërmi.

Tiparet vetjake të spikatura;  dëshira e veçantë dhe pasioni për të fluturuar,  së bashku me guximin dhe shpirtin eksplorator u dukën tek djaloshi me origjinë nga Punëmira malore që në fillimet e tij,  në udhën e qiellit, atje,  në një territor të huaj,  në Batajskun e largët e të ftohtë.  Hap pas hapi, duke u rritur në profesion, nëpërmjet stërvitjes ajrore në tipa të ndryshëm aeroplanësh dhe në detyra e kushte që erdhën duke u rritur,  Roland Sofroni “u poq” si njeri e si pilot,  dhe u rendit mes fluturuesve të elitës luftarake të flotës ajrore shqiptare.  Rritja e tij profesionale ka shënuar një vijë të drejtë,  të qëndrueshme dhe në ngjitje.  Kemi të bëjmë,  ndoshta me njërin nga pilotët e rrallë të vendit tonë,  pa premisa e ngjarje të jashtzakonshme,  të shkaktuara për faj të tij.  Në një rast,  kur Rolandit iu ça njëra gomë e avionit,  në ulje,  ai,  mjeshtërisht shmangu pasojat negative dhe doli fitimtar mbi të metën teknike që i ndodhi. Ky rast, ia shtoi reputacionin dhe besimin në sytë e vartësve, Landit tonë.

Diçka për jetëshkrimin e “ Heroit” të këtij rrëfimi:

Rolandi u lind në fshatin malor të Punëmirës,  në rrethin e Korçës,  më 4 janar të vitit 1942. Koha kur erdhi në jetë Rolandi  ishte kohë lufte dhe fshati  ku u lind,  siç dihet është tepër malor,  me klimë të ashpër e me toka jo aq pjellore.  Dy prindërit e tij; Nënë Olimbia dhe Baba Mandi,  ishin dy shqiptarë  me rrënjë,  autoktonë,  njerëz që rronin me djersën e ballit dhe ishin atdhetarë  të ndershëm.  Landi ishte fëmija i pestë në radhë,  i ardhur në jetë nga çifti i mësipërm.  Para tij, ishin lindur:  Kristina; Sotiri dhe Ilija e më pas u lindën:  Rolandi; Thomai e më i vogli- Petrika. Të gjithë fëmijë të zgjuar e të shkathët.

Situatat e luftës dhe kushtet e vështira të jetesës në atë fshat ku ha “pula gur”,  e detyruan Nënë Olimbinë dhe Baba Mandin të shtegtonte në kërkim të një vendi më të begatë ku të kishin mundësi të ushqenin fëmijët e shumtë që erdhën në jetë njëri pas tjetrit. Të dy prindërit e Rolandit kërkuan një vend tjetër ku puna e tyre e krahut të siguronte, të paktën bukën e gojës. Si vend më të preferuar,  e më pranë fshatit të tyre,  për të cilin ndjenin nostalgji,  ata përzgjodhën fshatin – qytet të Voskopojës  ku mendohej se kushtet ishin më të përshtatshme për të siguruar të ardhura më të mira për familjen shumëfrymëshe.  Por,  xha Mandi,  si njeri i gjezdisur e me horizont,  synonte për më mirë.  Ai,  pas qëndrimit në Voskopojë,  u hodh në qytetin e Korçës,  ku mundësitë për punësim ishin më të shumta dhe vetë treva përqark ishte më e begatë.

Rolandi,  në Voskopojë kreu vetëm shkollën fillore,  në godinën ku sot ndodhet njësia administrative e zonës, në qëndër të fshatit-qytet.  Mësuesit që i jepnin mësim  Landit,  që në fillimet e proçesit mësimor pikasën tek Ai, disa tipare me vlerë,  tek të cilat prevalonin zgjuarsia dhe shkathtësia.  Edhe pse nuk radhitej me nxënësit  e elitës,  tek Roland Sofroni,  qysh në atë moshë spikatnin,  fort,  tipare të tilla si qetësia,  guximi,  maturia dhe pjekuria,  ndryshe nga bashkëmoshatarët.  Ai mori dije të sigurta e të qëndrueshme  në shkollën fillore dhe shquhej për vullnet e aftësi të rrallë, për të mësuar.

Në bazë të një gjykimi të bazuar në kushtet reale të familjes Sofroni  dhe me dashamirësi,  organet lokale të pushtetit të asaj kohe,  vendosën që Rolandin e vogël, mbasi kreu shkollën fillore,  në Voskopojë e çuan,  me bursë të plotë shteti,  në konviktin e shtatëvjeçares,  në qytetin e Pogradecit,  ku zakonisht akomodoheshin nxënës që vinin nga familje të vobekta e me shumë fëmijë.  Aty,  Landi kreu mësimet e shkollës unike ( shtatëvjeçare) nëpërmjet të cilave mori njohuri më të plota,  për botën e për jetën.  Ndërkohë,  xha Mandi,  i cili u bind se bukuritë natyrore,  klima e Voskopojës dhe mirësia e banorëve të saj,  nuk mjaftonin për të “ mbushur barkun “ e familjarëve të tij;  kur u poqën kushtet , bëri një kapërcim tjetër cilësor,  duke u vendosur në qytetin e Korçës,  i cili jo vetëm që ishte më i zhvilluar,  por dhe më i begatë.  Në këtë qytet të madh e të zhurmshëm ku jeta gjallonte me tjetër puls,  xha Mandi gjeti kushte për të ushtruar profesionin e tij të dashur të zdrukthëtarit dhe,  me të ardhurat që rridhnin prej tij, rriti fëmijët e shumtë.

Familja e Mandi Sofronit,  burrit të mënçur e duarartë,  u vendos në një banesë tipike korçare,  me dy kate,  pranë poliklinikës të qytetit.  Para se të vendosej në të familja e Nënë Olimbisë dhe e Baba Mandit,  ajo banesë ishte populluar nga vajzat  e shkollës fetare,  në të cilën mësoheshin bazat e fesë të krishterë ( ortodokse) dhe praktikoheshin ritet e saj.  Banesa kishte disa dhoma,  të shtruara me dysheme e të pajisura me tavanë druri të gdhëndur  me mjeshtëri artistike.  Në fund të hapsirës të dhomave ishin të ndërtuara,  në mur, musëndra  prej druri,  me kapakë të zbukuruar, me gdhendje, brenda të cilave,  ishin të vendosura,  në rafte,  si në një bibliotekë,  libra fetarë të shumtë e të trashë.  Dritaret e shtëpisë ishin në përmasa normale,  si ato të banesave përqark;  ato hapeshin nga lart.  Banesa rrethohej nga një oborr i madh,  i shtruar,  pjesërisht me kalldrëm e pjesërisht me pllaka guri.  Në oborr nuk kishte pemë,  por mbilleshin lule të bukura e të llojeve të ndryshëm.  Në oborr ndodhej një pus,  jo aq i thellë dhe në hyrje të tij ishte një portë e madhe druri,  me dy kanata,  e cila mbyllej  nga brenda me dy hekura të fortë,  si ganxha.  Çatia e shtëpisë ishte e mbuluar me tjegulla të kuqe;  banesa nuk kishte qilar ( bincë).

Në konviktin e Pogradecit dhe në shkollën unike,  Rolandi u njoh e u miqësua me mjaft fëmijë të moshës e të sërës të tij,  të ardhur nga treva të ndryshme të rrethit,  tek të cilët spikatnin prirje e tipare të ndryshme,  të bartura nga fshatrat e nga familjet e tyre.  Në tre vitet e shkollës shtatëvjeçare,  atje,  buzë liqenit që mban emrin e qytetit,  Rolandi u rrit në trup e u mënçurua;  u kalit me erën e ftohtë që zbret nga malësitë e Mokrës dhe nga sipërfaqet ujore,  të përziera  me ajrin e ngjeshur të asaj rrëzëmali.  Në mësime,  “ heroi” ynë vërtet nuk shkëlqeu,  por në proçesin e të mësuarit,  tek djali nga Punëmira,  shpërthyen dhe spikatën prirjet drejt lëndëve egzakte.  Pasioni për matematikën,  edhe në vitet që vijuan,  u bë pjesë e pandarë e qënies së tij.

Më shumë se rritja e zhvillimi i fizikut,  tek “ heroi” ynë u kultivua dashuria për bashkënxënësit, respekti i ndërsjelltë dhe jeta në komunitet, në  të gjithë komponentët.  Prirja drejt sporteve u bë tipar dallues i tij.  Si dhe bashkëmoshatarët,  Rolandi shquhej për shkathtësi e rezistencë,  jo vetëm në lojën e futbollit që e kishte për zemër por dhe në lojërat e tjera të moshës.  Të notuarit në ujërat e freskëta të gjolit dhe ajri i pastër e i ngjeshur i tij,  së bashku me shëtitjet në ajër të pastër në bregun e liqenit,  deri në Volorek e në Tushemisht,  e kalitën atë fizikisht  e i shtuan rezistencën trupore,  i cila i shërbeu deri në fund të jetës.  Në vitet e shkollës shtatëvjeçare  Landi vërtet nuk ishte në radhët e më të mirëve në mësime,  por ato dije që fitoi ishin të ngritura mbi baza të shëndosha  dhe,  në klasë Ai ishte i urtë,  i qetë,  i bindur e i vemendshëm.  Rolandi përthithte e bënte të tijat spjegimnet e mësuesve dhe dijenitë që merrte nga leximi i librave shkollorë e jashtëshkollorë.  Shkollën shtatëvjeçare,  Ai e nisi  në shtatorin e vitit 1952 dhe e përfundoi në verën e vitit 1955.

Në vjeshtën e vitit 1955, Roland Sofronit i trokiti në derë një shans i ri,  të cilin,  shumëkush i moshës së tij e lakmonte.  Ai nisi mësimet e shkollës së mesme në njërin nga institucionet shkollorë më prestixhiozë të vendit,  në famëmadhen Politeknikumi “ 7 nëntori” në Tiranë, në degën e vështirë mekanike.  Katër vjet,  në bangat e kësaj shkolle me emër,  ku kërkeasa e llogarisë dhe niveli i mësimdhënies ishin bashkëkohorë,  i shërbyen Rolandit për  hedhur,  të shëndosha bazat e formimit të tij arsimor e kulturor dhe u duk prirja për tu shkolluar,  në shkallë të tjera të diturisë.  Mësimet në degën mekanike përforcuan tek Landi prirjet e tij për t’u thelluar në lëndët egzakte,  ku morën përparësi matematika dhe fizika.  Duke u thelluar në proçeset që ndodhin në teknikë,  Ai vuri re një lloj ngjashmërie mes makinës dhe funksionimit të trupit të njeriut.  Nën drejtimin e të mirënjohurit,  mësuesit të talentuar Kuneshka,  Rolandi,  me shumë dëshirë u fut në labirintet e matematikës,  lëndë në të cilën ai shkëlqeu në çdo etapë të jetës aktive të tij.

Me bindjen se lëvizja përbën burimin e vitalitetit,  Roland Sofroni  u lidh fort,  pas veprimtarive fizkulturore- sportive,  ku morën përparësi  lojërat me top ( futbolli,  basketbolli  dhe  volejbolli).  Si në shkollë dhe në jetë,  Landi  formoi një trup sportiv për t’u patur zili dhe u dëftua aktiv në disa lloje sporti  ku dhe mori pozicione lideri.  Në vitin 1959, Roland Sofroni përfundoi mësimet në Politeknikumin “ 7 nëntori” dhe u diplomua mekanik i mesëm.  Për tiu nënshtruar rregullit të kohës  apo për nevoja ekonomike,  Ai punoi,  gati një vit,  në detyrën e mekanikut agrar,  në Stacionin e Makinave e të Traktorëve,  në qytetin e Ersekës.  Në gjirin e punëtorëve që u shërbenin makinerive bujqësore,  Rolandi,  gjatë punës me hekura, mësoi e përjetoi sakrificat që bënin ata,  punën me orë të zgjatura që sillte cfilitje,  si dhe mësoi si ishte disiplina në punë.  Në mënyrë të veçantë,  Aimësoi të menaxhonte jetën e tij,  në kushte larg familjes, në autonomi adoleshente.

Roland Sofroni i përfundoi  mësimet e shkollës së mesme,  me tregues shumë të mirë.  Kësisoj ai e kishte vështrimin larg,  tek rritja e kapacitetit të tij arsimor  e kulturor, tek një profesion që ti vinte më për shtat,  prirjeve të tij shkencore.  Nuk di si dhe përse, çfarë e shtyri të përzgjidhte profesionin e nderuar e tepër të vështirë të pilotit?    Ndoshta  në këtë udhë e futi ngjashmëria që vuri re mes matematikës e fizikës dhe fantazisë për të çarë qiellin,  si zogjtë fluturues.  Më 26 të gushtit të vitit 1960, në përbërje të një grupi solid prej 36 djemsh të përzgjedhur me kujdes,  Rolandi u ngjit në shkallët e një aeroplani transporti,  të prodhimit sovjetik, të tipit TU-104, dhe fluturoi,  nga aerodromi gjysmëcivil i Rinasit,  në atë të Sheremetjevos,   në Moskë,   ku u ul, mbas 2 orësh.  Ishte fluturimi i parë i Rolandit dhe ai e supertoi atë denjësisht.  Pas një rrugëtimi me hekurudhë,  48 orë rrjesht,   grupi i studentëve shqiptarë për pilotë,  ku bënte pjesë Rolandi,  u sistemua në Regjimentin e Batajskut ( pranë Rostovit mbi Don),  i cili i përkiste Shkollës së Aviacionit të Krasnodarit.  Në këtë regjiment funksiononin dy skuadrile me aeroplanë të lehtë mësimorë,  me helikë të tipit Jak-18 A; njëra për studentët shqiptarë;  tjetra për ata nga Hungaria.  Ishte dhe një skuadrile e përzier me studentë nga vendi ynë,  të cilët mësonin shfrytëzimin e helikopterëve MI-4 e MI-1,  të cilët erdhën nga shkolla e Pugaçovit. Shokë të Roland Sofronit në këtë “ aventurë” ishin:  Bardhyl Lubonja;  Koço Biku; Sazan Abibi;  Ahmet Sulejmani;  Bashkim Kozeli;  Fadil Nenaj ( Braho);  Adem Çeça;  Petraq Koroveshi;  Dhori Zhezha;  Sherif Hajnaj ( Bracki);  Minush Karalliu (ndjesë pastë);  Bahri Meshau  (Permeti);  Rrapo Kodheli;  Vaso  Pesha;  Thanas Papa ( ndjesë pastë); Lutfi Islamaj ( ndjesë pastë); Surri Barbullushi; Agim Ismaili; Jorgaq Bahshevani  etj.

Më vjen i freskët,  në kujtesë portreti i djalit  me origjinë nga Punëmira,  Roland Mandi Sofroni, në përbërje të grupit tonë solid. Në fytyrën e tij ndrinin dy sy larushë, të cilët shprehnin shumë mirësi dhe dëshirë për tu ngritur në ajër.  Me trup mesatar, tip atletik, i  zhdërvjellët,  por imcak,  me flokë gjysmë biond,  me gjymtyrë të zgjatur,  me shkathtësi e zgjuarsi,  mbi të tjerët,  disi i rezervuar në marrëdhënie me të tjerët,  qetë-qetë Landi u integrua me grupin dhe  nisi proçesin mësimor, i cili, fillimisht ishte përgatitor.  Në programin mësimor paraprak,  vend qëndror zinte mësimi i Gjuhës Ruse, mësimin e të cilës e drejtonte një goxha grua, Nina, e sjellshme, e edukuar , e kulturuar dhe kompetente në pedagogji. Pastaj iu nënshtruam një lloj  të  testimi,  për programin që kishim kaluar në shkollën e mesme, në Shqipëri.  Më duhet të them se,  ndryshe nga grupet para nesh, pjesëtarët e të cilëve kishin ardhur në aviacion me shkollë të mesme dy vjeçare, ose me shkollë katërvjeçare të papërfunduar,  grupi ynë përbëhej nga djem 18 vjeçarë që kishin përfunduar katër vite të plotë të shkollave të mesme.

Rolandi,  jo vetëm që ishte me maturë të përfunduar dhe ishte i diplomuar në degën mekanike,  por,  në lëndët egzakte,  Ai shkëlqeu,  krahasuar me ne të tjerët.  Ai e kishte bërë me të nderuarin Kuneshka,  lëndën e matematikës dhe në testimet që na bënë pedagogët kompetentë sovjetikë, Landi përgjigjej edhe për elementët e matematikës së lartë,  si integralet dhe diferencialet,  të cilët,  disa prej grupit tonë i ndeshnin për herë të parë.  Tek Roland Sofroni,  me të cilin studionim shkencën e aerodinamikës në të njëjtin kabinet,  ushtroheshim fizikisht në të njëjtin kënd sportiv e në të njëjtën palestër,  ushqeheshim në të njëjtën mensë e pushonim në të njëjtën fjetinë,  pikasa disa tipare të veçanta, të cilat më lanë mbresë e më pëlqyen.  Ai kishte dëshirë të madhe për të fluturuar dhe ishte tepër i vemendshëm për të fituar njohuri sa më të plota,  për shkencën e fluturimit.  Lexonte shumë Rolandi,  literaturë shkencore dhe artistike dhe jo sa për të zgjeruar horizontin por në mënyrë të thelluar.  Prirja tjetër e tij ishte përgatitja fizike. Me qëllim që të formonte një trup të “plotë” e për të kalitur reflekset e nevojshme,  në mënyrë që ti kapte shpejt e ti përvetësonte  qëndrueshëm  elementët e fluturimit.  Ai ushtrohej në disa lloje sporti,  ku vend të rëndësishëm zinin lojërat me top.  Binte në sy dëshira e tij e madhe për të luajtur futboll,  por jo vetëm.  Ai luante mirë edhe basketboll e volejboll; lojëra në të cilat shfaqej me  rendiment e cilësi. Pasimet e sakta dhe loja e shkathët , me shkëputje të befta , në rjetë , karakterizonin lojën e tij në volejboll. Në basketboll ishte driblues  i shkathet vështirësisht i markueshëm. Nga të gjithë studentët e grupit tonë , ishte ndoshta i rralli që aktivizohej në disa lloje sporti. Kushtet e mira të jetesës dhe të ushqyerit shkencërisht i dhanë mundësi  Rolandit , por jo vetëm atij, të “ mbushte” imtësinë e brishtë të fizikut dhe të bëhej një trup sportiv i fortë e potent.

Në pranverën e vitit 1961, kur nisëm përgatitjen ajrore konkrete,  Rolandi nuk bënte dallim nga shokët e grupit.  Ai nuk qëndronte as në krye,  as në fund të grupit,  por renditej në mes të shokëve. Nën drejtimin e instruktorit Bobikov,  i cili ishte një pilot sportiv,  i zgjuar e i shkathët si Rolandi, shoku ynë i grupit dalngadalë,  pas lëshimit në fluturime vetëm,  kaloi i sigurtë ushtrimet e programit dhe,  siç del nëndetësja nga ujët,  edhe Landi nisi të veçohej për tregues cilësorë të stabilizuar. Për fatin tonë të keq,  në ditën e fundit të fluturimeve,  kur dolëm në start për të dhënë provim,  një urdhër makabër,  i Sovjetit Suprem të Bashkimit Sovjetik, na  ndëshkoi rëndë e në mënyrë të pamerituar,  me ndërprerje të studimeve,  në atë vend ku heroizmi i pilotëve kishte bërë fole.

Më 16 shtator të vitit 1961, me një aeroplan sovjetik të tipit TU-104, në mënyrë ultimative,  morëm udhën e kthimit në atdhe.  Pas një pushimi gati njëmuajor,  pranë familjes,  Rolandi si dhe shokët e tij,  priti, në ankth,  një lajmtë mirë që do të shënonte vijimin e mëtejshëm të fatit si pilot. Pas shumë peripecive,  të pasura në mashtrime e me premtime boshe, një pjesë e grupit ( 7 studentë) shkuan në Kinë,  për të vijuar fluturimet e ndërprera;  disa u deklaruan të paaftë nga ana shëndetësore, padrejtësisht,  kurse Rolandi,  me 15 shokë, iu përfillën përgatitjes ajrore, në Shkollën e Aviacionit,  në Vlorë,  e cila sapo kishte hapur dyert,  pas një ndërprerje  mëse një vjeçare. Meqënëse ndërprerja në fluturime e tyre ishte relativisht e gjatë ( rreth 6 muaj ) gjë që për një fillestar ndikon mjaft në anën profesionale,teksa ata pritnin të nisnin fluturimet me aeeoplanë reaktivë, në Poro, komanda e aviacionit , vërtet i çoi në atë aerodrom fushor , por jo në avionët reaktivë por në ata me helikë të një tipi më të prapambetur nga ai që kishin fluturuar në Batajsk. Aeroplanët ishin të sajuar , me pjesë nga rikuperot; vetëm motorrët ishin të arkës. Kur ngriheshin në ajër , studentët për pilotë , nuk mund të kryenin evolucione me mbingarkesë mbasi avionëve u fryheshin krahët , nga cilësia e dobët e mbulesës, prej bezeje.

Vetëm në verën e vitit 1963 u krijuan kushtet për të nisur fluturimet në aeroplanët mësimorë reaktivë të tipit Mig- 15 e më pas në ata luftarakë.  Në aerodromin ranor të Poros,  kushtet e jetesës dhe të fluturimit ishin larg atyre që lanë në Batajsk,  por dashuria për fluturimin prevaloi mbi kushtet e vështira të jetesës dhe Rolandi,  së bashku me shokët e grupit, mes vapës përvëluese, mushkonjave bezdisëse dhe resë të pluhurit që ngrihej nga gazi i turbinave,  me shumë sakrificë arritën të mbyllin suksesshëm programin ajror,  përfshi dhe elementët e përdorimit luftarak të avionit gjuajtës-bombardues Mig-15 Bis.  Në nëngrupin e studentëve për pilotë që i shpëtuan “masakrës” ( si të asaj mjekësore dhe për shkaqe të tjerë) bënin pjesë:  Roland Sofroni;  Bardhyl Lubonja;  Koço Biku;  Ahmet Sulejmani;  Mustafa Gjokutaj ( ndjesë pastë);  Surri Barbullushi;  Thanas Papa ( ndjesë pastë);  Jorgaq Bahshevani;  Stillo Mëlica ( ndjesë pastë);  Sefedin Tomçini ( ndjesë pastë);  Pandeli Lëngu;  Bahri Meshau ( Permeti);  Vangjel Baba;  Skënder Shahini;  Petraq Korovesshi dhe Petraq Papaanastasi.  Rolandi bënte pjesë në grupin e studentëve që kishte për instruktor të teknikës së pilotimit njeriun e mirë nga Libohova dhe pilotin e kualifikuar Mustafa Çiçi. Në të njëjtin grup fluturimi ishin dhe : Koço Biku; Stillo Mëlica ( ndjesë pastë) dhe Jorgaq Bahshevani.  Gjatë fluturimeve në Poro dhe në proçesin teorik , në katedrat e Shkollës së Aviacionit në Vlorë,  Rolandi shfaqi ambicie për të marrë njohuri të qëndrueshme dhe  në rritje sa i takon shkencës aeronautike dhe teknikës së pilotimit.

Në fund të vitit 1963, nëngrupi,  u akomodua në Vlorë ,  iu nënshtrua provimeve dhe mbasi ishin deklaruar pilotë gjuajtës-bombardues,  u titulluan dhe oficerë,  me gradën e nëntogerit.  Kryesisht , për shkaqe familjare,  katër pilotë të rinj: konkretisht:  Bahri Meshau ( Përmeti);  Thanas Papa  (ndjesë pastë) dhe  Pandeli Lëngu u emëruan në Regjimentin e Aviacionit “ Peza” të dislokuar në Qytetin “ Stalin”;  të tjerët u emëruan në Regjimentin  e Rinasit,  në skuadrilen e dytë,  të komanduar nga vunjoti  vlerashumë – Kosta Neço Dede.  Në këtë skuadrile,  Rolandi dhe shokët e tij fluturuan në aeroplanët gjuajtës-bombardues Mig-17F,  deri në fillim të vitit 1966, kur bënë kalimin në aeroplanin e ardhur rishtaz në këtë repart të tipit Mig-19 S. Duke përcjellë programet ajrore të dy viteve,  në këtë tip aeroplani parazanor, Rolandi konsolidoi përvojën ajrore të fituar deri atëherë,  mori klasin e tretë të pilotit dhe me vështrim përpara,  ishte i gatshëm për të kaluar në një tip të ri aeroplani,  me shpejtësi mbizanore;  gjuajtës-bombardues me dy motorrë reaktivë,  me peshë fluturuese më të madhe dhe me delta krahë.  Doemos, shfrytëzimi i këtij tipi kia veçori dalluese që duhen njohur dhe teknikë pilotimi të vështirë.  Rolandi ishte nga pilotët e kalimit,  të niveleve që i plotsonte të gjithë kriteret e nevojshëm.  Ai kishte pilotuar në avionët paraardhës,  i sigurtë,  i qëndrueshëm dhe nuk kishte shkaktuar asnjë premisë për ngjarje të jashtzakonshme.  Po tu shtojmë dhe dëshirën e zjarrtë të tij për të fluturuar në aeroplanë të kohës,  në sivinë e Rolandit, përfshiheshin të gjithë kushtet e nevojshme për të nisur “ aventurën” e re.

Gjatë proçesit të kalimit në aeroplanët Mig-19S,  Rolandi bëri diferencën me shokët dhe u vu në ballë të këtij aksioni të rëndësishëm.  Fizikisht i shëndetshëm,  teorikisht i qartë dhe me vlera praktike të spikatura,  shumë shpejt Landi u përzgjodh,  të luante rolin e instruktorit të kalimit të pilotëve,  në aeroplanët Mig-19S.  Ai drejtoi,  me kompetencë dhe me cilësi,  kalimin e disa grupeve të pilotëve të  kalimit . Pilotë,  të cilët morën mësime fluturimi prej tij ishin: Vasil Noni ( ndjesë pastë);  Bardhyl Hamzallari;  Ramadan Anija;  Fatmir Kareci;  Agim Duro;  Aliosha Gjylameti;  Perlat Binaj;  Skënder Demollari;  Sajmir Demiri;  Gëzim Ismaili;  Mark Gjini;  Bashkim Male;  Jani Tarifa  (ndjesë pastë)  etj. pilotë cilësorë. Mësimet e fluturimit që zhvillonte Rolandi me pilotët e kalimit,  ishin në kushte të jashtzakonshme e me kufizime drastike limitesh. Propaganda e fryrë partiake rekomandonte përgatitje të shumëllojta për të kompensuar mungesën e orëve të fluturimit,  por kjo nuk ishte aq e lehtë të bëhej. Kjo u bë e mundur,  veç të tjerave, se  në çdo aeroplan që ngrihej në ajër,  rrihte një zemër shqiptare dhe pulsonte një jetë e përkushtuar për të kapur e superuar kundërshtarët e të njëjtit lloj.  Rolandi,  si pedagog e psikolog i mirë në punën e specialitetit,  me shumë maturi e kujdes, frymëzonte kurajo e optimizëm të bazuar tek “ nxënësit”. Në metodën e t ij të punës vendin kryesor e zinte argumentimi i veprimeve dhe përshkrimi i saktë i dukurive,të cilat, së bashku me vullnetin,  përbënin garanci e siguri mbi bazën e bindjeve, jo me llafe boshe.

Në verën e vitit 1968, Rolandi kishte bërë një hap të ndieshëm përpara, në drejtim të formimit të familjes. Ai u lidh me martesë me zonjën Ana Misto Treska, në një kohë kur ishte në kulmin e përpjekjeve për të arritur objektivat që i kishte vënë vetes për kualifikimin profesional, kur “ ylli” i tij ishte në ngjitje. Nga martesa u lindën dy vajza, të cilat u rritën , u edukuan e u shkolluan , siç kishin traditën familjare. Rolandi, si prind, nuk mund të ishte ndryshe , nga Landi njeri dhe specialist brilant. Kultura e tij dhe horizonti i veçantë, bënë të mundur ndikimin , fuqishëm në mirërritjen dhe edukimin për së mbari të vajzave.

Në rrethet shoqërorë, mes shokësh të afërt, me dashamirësi është diskutuar, madje gjerësisht si e pakuptueshme dhe e paspjegueshme një farë distancimi e qëndrimi mënjanë i Rolandit, në marrëdhënie me shokët. Edhe kur piketova këtë shkrim , monografi të merituar , ndonëse e kisha shok grupi dhe kam ndarë me të ditë të mira e të vështira dhe pretendoj se e njoh në detaje, isha i detyruar të kontaktoja mjaft kolegë të tij , të viteve të parë e të viteve të prasëm të karrierës ushtarake të tij; njerëz të profileve e moshave të ndryshme, për të mësuar diçka më shumë rreth këtij problemi. Mund të them se , u bashkuan disa faktorë, të cilët krijuan një “ koracë” që e rrethonte dhe e largonte Landin “shpirt njeriu” nga ata që e rrethonin. Rolandi nuk ishte hokatar e nuk bënte shaka , me vend e pa vend dhe në mjedise të ndryshëm. Ai ishte njeri serioz e i kulturuar , me kulturë të mirëfilltë qytetare  korçare dhe lexonte shumë e përftonte mjaft nga leximet. Ata që janë ndodhur së bashku me Landin kur zhvilloheshin diskutime të fushave të ndryshme, mepatjetër që e kishin vënë re horizontin dhe kompetencën e fjalëve të tij. Landi ishte pilot i elitës, vetë kualifikimi i lartë i tij , krijonte ndjesinë e rreme tek njerëzit , sikur ai ishte i distancuar nga shokët. Vetë fakti që Roland Sofroni , si pilot i kualifikuar e i kompletuar u caktua të bënte instruktorin e kalimit, ia shtoi  mëshumë reputacionin dhe e shkëputi disi nga rutina e përditshme. Qënja tip sportiv dhe në rolin e liderit, sidomos në futboll i jepnin atij mundësinë të pëlqehej e të duartrokitej , në repart e më pas në vendin  ku banonte, në Laprakë. Së fundi, lidhja miqësore me një familje intelektuale të traditës, pjesë e të cilës ishte bashkëshortja e tij, po tu shtohet angazhimeve të tjera të tij , ia zinte mjaft kohën e nuk e linte të merrej si më parë me punët që e mbanin në gjirin e shokëve.

Për ti dhënë një përgjigje më të plotë e më të saktë, kësaj mëdyshje. Mendova tu referohem rrëfimeve të disa kolegëve të tij , të afërt apo të largët , në profesion , të cilët e kanë njohur më gjatë e më nga afër Roland Sofronin.

  • Myzafer Zaho; pilot në pension, shok i Rolandit per nje kohë të gjatë.

“… E kam njohur Rolandin qyshse erdha ne regjimentin e Rinasit. E kam njohur si njeri me karakter. Muk e duronte dot servilizmin dhe urrente servilët. Në diskutimet që bënim mbante qëndrim pozitiv. Landi nuk ishte njeri i prapaskenave por çdo gjë që kishte ta thosh hapur e në sy. Në detyrën e pilotit ishte mjaft i përkushtuar. Në fluturim, Ai ishte një talent i lindur.

Roland Sofroni ishte tip sportiv; shumë sportiv dhe kishte fizik  elegant e të formuar mirë. Nuk u shmangej kurrë veprimtarive sportive ,masive që organizoheshin në atë kohë. Luante mjaft mirë futboll dhe në çdo pozicion loje. Në futboll luante e krahasohej me Gëzdar Veipin; Mahmut Hysën; Bilal Josën; Luto Sadikaj, me Bajram Hysën, me Hysen Birçen etj.

Në Regjimentin e Rinasit Rolandi kreu detyra të ndryshme, deri në atë te zëvëndëskomandantit të skuadriles.  Ai kreu me cilësi e me ndjenjë të lartë përgjegjësie detyrën e instruktorit të kalimit në aeroplanët mbizanorë Mig-19 S.

Kur banonim në Laprake, hymë e dolëm dhe në familjet e njëri-tjetrit. Aty formuam ekipin e futbollit të lagjes dhe luanim vazhdimisht. I dhamë gjallëri këtij lloj sporti në Laprakë dhe na nderonin të gjithë banorët. ..”

  • Përparim Hila; pilot në pension, ishkoleg i Rolandit si instruktor i kalimit të pilotëve në Mig-19 S.

“… Me Rolandin, në skuadrile të ndryshme kemi përcjellë disa grupe kalimi dhe në disa vite. Roland Sofroni ishte një pilot me cilësi e aftësi të admirueshme profesionale. Ai ishte shok i devotshëm dhe kishte shoqëri me të gjithë. Më për zemër kishte shokët e grupit të tij si : Petraq Koroveshin; Adem Çeçën; Jorgaq Bahshevanin; Bardhyl Lubonjën dhe ata me të cilët luante futboll si Myzafer Zaho; Gezdar Veipi; Mahmut Hysa; Bajram Hysa; Bilal Josja; Sajmir Demiri; Hysen Birçe etj. Landi ishte njeri i gjerë e nuk merrej me çikërrima…”

  • Eqerem Tuga; pilot në pension, koleg i Rolanditdhe drejtues ne sektorin e fluturimeve të regjimentit.

“… Roland Sofronin e kam njohur nga viti 1968, kur u emërova pilot gjuajtës-bombardues në Regjimentin e Rinasit. Rolandi, në atë kohë fluturonte në aeroplanët mbizanorë Mig-19 S. Shpejt u bë komandant katërshe dhe më pas zëvëndëskomandant i skuadriles së dytë. Ai ishte pilot i përgatitur dhe e donte fluturimin.  Landi veçohej si talent i rrallë në ajër dhe ishte i kompletuar si në pikëpamje teorike dhe në praktikën ajrore. Rolandi ka drejtuar kalimin e pilotëve , në aeroplanët Mig-19 S, pa avion mësimor. Fluturonte : ditën në kushte të thjeshtë të motit; natën në kushte të thjeshta të motit dhe ditën , në kushte të vështira të motit.

Në qitjet me aeroplan Rolandi ihte rezultativ. Preferonte qitjet në mal , sidomos ato në poligonin malor të Pukës. Kur zhvillonim fluturime natën dhe moti ishte i pastër , në intimitet , më thoshte: “ … Leme, hajde të hipim mbi një sparkë ( avion dyvendësh) dhe shkojmë mbi Kavajë ku mund të bëjmë pilotazh…” Më afër qëndronte me Bilal Josën; Myzafer Zahon; Mahmut Hysën; Gëzdar Veipin; Bajram Hysën; dhe me Hysen Birçen, me të cilët luante dhe futboll. Doli në pension të parakohshëm, në vitin 1985”.

  • Dhori Mërtiri; pilot në pension, e kujton kështu Roland Sofronin:

“… Rolandin e kam njohur si një njeri të dashur e shumë korrekt. Në detyrë ishte shëmbullor dhe fluturonte mjaft mirë. Ai ishte profesionist me nivel të lartë. Si instruktor i kalimit , Landi ishte kompetent , me vartësit sillej me korrektesë e i trajtonte mirë . Veçori e tij ishte se dinte ta jepte zanatin dhe po ti kërkoje ndihmë , nuk kursehej. Së jashtmi të linte përshtypjen e një fodulli , por , po të afroheshe me të dukej që ishte korrekt e jo qyfyrexhi. Lexonte shumë dhe merrte pjesë aktive në diskutime. Mendimet që jepte për probleme të ndryshme ishin me vlerë.  Në biseda të lira ishte i afrueshëm e reflektonte nivel të lartë. Shoqëri bënte me Delo Isufin ( Seraj) dhe me shokët e grupit të tij. Landi ishte dhe një futbollist i shkëlqyer.  Më tepër luante rolin e organizatorit të lojës , pasonte saktë, pasonte me saktësi, luante me të dyja këmbët , gjuante fort dhe shënonte shpesh. Luante futboll zakonisht me Gëzdarin; Me Mahmut Hysën; me Bajram Hysën; me Hysen Birçen etj. Shoqërohej sidomos me Asip Budon; me Myzafer Zahon e me të tjerë. Doli në lirim të parakohshëm , në vitin 1985.

  • Interesant është opinioni që mora nga ish ushtari i sektorit të armatimit Janaq Kromidha.

“… Kam qenë ushtar i shërbimit të detyrueshëm, në vitet 1978-1979-1980, në sektorin e armatimit . Në atë kohë , Rolandi ishte në detyrën e zëvënbdëskomandantit të skuadriles.  Ai ishte i mirë me të gjithë e për të gjithë. Me ne ushtarët Rolandi sillej me korrektesë e me dashamirësi. Ai çmonte punën time si armëtar për mbarëvajtjen e fluturimeve.  Edhe ne ushtarët, në biseda me njëri-tjetrinkrenoheshim që kishim fatin e mirë të shërbenim në një repart special e me njerëz si Rolandi, i cili na trajtonte , para së gjithash si njerëz që kryenim një detyrë të caktuar. Krenaria jonë merrte krahë kur në fluturim ngrihej Roland Sofroni , i cili , kthehej nga qitjet , përherë me rezultate të larta. Në atë rezultat ne kishim djersën dhe mundin tonë. Nuk na ndodhi , në  asnjë rast , të mosrealizoheshin qitjet , për mangësitë tona.

Krenoheshim , pa masë e përplasnim duart , atje në vendqëndrimin e avionëve kur lëshoheshin në fluturime vetëm pilotët e kalimit në Mig-19S; ata që kishte përgatitur instruktor Rolandi. Na tërhiqte mjaft loja elegante e Rolandit në futboll dhe ishim tifozë të tij.

  • Luan Baraj, veteran, ishkoleg i Roland Mandi Sofronit

Në muajin tetor të vitit 1975, kur u ktheva ,nga kalimi , që bëra në Kinë, e gjeta Rolandin zëvëndëskomandant të skuadriles së dytë , në Regjimentin e Rinasit. Ai fluturonte në aeroplanët mbizanorë Mig-19 S dhe mbante klasin e dyte te pilotit. Që në takimin e parë më tërhoqi serioziteti me të cilin Ai çmonte punët; bota e madhe shpirtërore e tij;  korrektësia në punë dhe ndjenja e lartë e përgjegjësisë për detyrën. Me klimin e kohës, të gjitha këto i vertetoi koha e unë u binda në ato që pikasa fillimisht tek personaliteti i Roland Sofronit.

Roland Sofroni, edhe pse ishte në funksione drejtuese dhe shquhej si profesionist, ishte shumë i thjeshtë e i komunikueshëm , me njerëzit. Në një rast, luanim futboll  të ndarë në dy skuadra. Në njërën ishin ata që nuk i kishin mbushur të tridhjetat kurse në tjetrën ishin ata që e kishin shkelur këtë moshë. Rolandi bënte pjesë në skuadrën e “pleqve”, siç na pëlqente ne të rinjve ta emërtonim atë. Kishim vënë bast: Kush do të humbiste lojën , do ti jepte frutat dhe çokollatën e asaj dite , fituesit. Ishim më të rinj e na zjente gjaku. E fituam lojën , me meritë , por mua , si i ri , më vinte rëndë ti merrja bastin më të moshuarit . Po strukesha e nuk guxoja. Rolandi , më pa e ndërhyri me këmbëngulje që të veproja siç ishte vendosur. U bë siç tha Ai.

Më kujtohet , sa i lirshëm e sa komunikues me njerëzit ishte në kohën e lirë. Ama, në detyrë ,nuk të falte dhe printe me shëmbullin vetjak. Rolandi ishte kompetent, si në përgatitje dhe në fluturim. Ai ndiqte me vemendje ,të gjithë fluturimet dhe kënaqej kur gjërat shkonin mirë. Asnjëherë nuk vura re tek Ai njeri të nxirrte “unin” edhe pse renditej mes pilotëve të elitës dhe ishte komandant i kompletuar”

  • Bardhyl Tom K Lubonja, ishpilot,  veteran,  shok jetëgjatë i Roland Sofronit.

“ Roland Sofronin e kam njohur shumë kohë më parë se të bëhej pilot.  Me të njihesha qysh kur ishim të rinj,  në Korçë.  Më 26 gusht të vitit 1960, së bashku shkuam për të studiuar në shkollën e aviacionit sovjetik ,  në qytetin e Batajskut.  E them që në fillim se atë shok e kam njohur si njeri,  pilot dhe sportist i “ shkëlqyer”.  Ishte një shok tepër inteligjent,   i sjellshëm,   i edukuar,  i gëzuar dhe i shoqërueshëm.  Si fluturues ishte nga më të mirët,  por nuk kishte asnjë shfaqje karrierizmi. Rolandi zotëronte disa gjuhë të huaja;  mes tyre Rusishten;  Frëngjishten etj.  Nuk mbaj mend të ketë patur ndonjë rast në të cilin,  Landi të mërziste apo të grindej me dikë.  Ai ishte mjaft i drejtë,  i ndershëm e korrekt.  Ishte njëri nga shokët më të mirë e më inteligjentë të grupit tonë.  Në Bashkimin Sovjetik,  ne fluturuam me aeroplanët  Jak-18 A.  Rolandi shquhej,  si në teori dhe në praktikë.  Nuk mund të mos theksoj,  faktin se Roland Sofroni  ishte tip sportiv;  më sportivi nga të gjithë ne,  shokët e grupit.  Landi i luante bukur , në të gjithë llojet e sporteve.  Kur u kthyem nga Bashkimi Sovjetik,  e vazhduam shkollën e aviacionit në Vlorë,  ku u diplomuam pilotë gjuajtës –bombardues dhe së bashku me Landin në vitin 1964 u emëruam në Regjimentin e Rinasit.  Në këtë repart,  fluturuam e jetuam,  së bashku,  shumë kohë.  Të dy,  shpesh,  kemi shkuar dhe në Shtëpinë e Pushimit të ushtarakëve, në Durrës,  ku kthenim dhe ndonjë gotë.  Rolandin e dalloje lehtë.  Ai ishte jo vetëm fluturues i “ shkëlqyer” por dhe futbollist,  basketbollist e volejbollist nga më cilësorët.

Ai goxha njeri e pilot i “elitës” nuk i shpëtoi dot “ Luftës mizore të klasave “ që zhvillohej në vendin tonë,  e cila nuk i kurseu njerëzit e mirë edhe kur nuk ishin fajtorë,  vetëm për faktin që ishin në lidhje,  qoftë dhe krushqie me të ndëshkuarit.  E kam provuar në kurriz, një fat të tillë dhe i kam vuajtur  gjatë,  pasojat e etiketimit “ për zbutje të luftës së klasave…”. Roland Sofroni ishte njeri me zemër të madhe dhe mjaft i çiltër në shoqëri.  Në një rast,  kur isha në detyrën e shefit të përgatitjes fizike në Regjimentin e Gjadrit, së bashku me ekipin e repartit,  erdha në Rinas,  në spartakiadën e aviacionit.  Nëpër shkallët e hotelit,  po zbriste Rolandi.  Tentova ti hidhesha në qafë e ta përqafoja, si shok i kahershëm i tij. “ Mos më tako- tha Rolandi- se do të më futin “ brenda” dhe do të kesh pasoja”. Nuk hezitova ti bëj me dije se: “ Ti je shoku im dhe unë nuk pyes për pasojat. Unë jam njëlloj si ti  dhe e këshillova të ketë kujdes, nga zemërligjtë”.  Vetëm tani kuptohet qëllimi i asaj masakre që “mori në qafë”,  pa asnjë faj,  njerëz të mirë,  inteligjentë,  të zotë e të ndershëm.  Kësaj masakre iu nënshtrua Roland Sofroni dhe mjaft të tjerë, si Ai.

Më erdhi shumë keq për vdekjen e parakohëshme të Rolandit.  Ai,  mesiguri do të jetonte gjatë,  po të mos qenë rrjedhojat e asaj kohe çnjereëzore”.

Mund të kisha biseduar dhe me të tjerë kolegë e specialistë që e kanë njohur nga afër Rolandin, por dhe me kaq sa munda , formova bindje se edhe gjatë kohës kur nuk kemi punuar së bashku , shoku im i grupit mbeti po aq i mirë, si njeri dhe vetëm se u rrit profesionalisht. Mirësia e tij dhe aftësitë e gjithanëshme, ishin faktori bazë që e donin , e respektonin dhe e mbrojtën , kur ishte rasti i intrigave që u thurën në kurrizin e tij, njëzëri, shokët dhe kolegët e tij. Në një kohë kur Rolandi kishte arritur kulmin e pjekurisë, si pilot e si kuadër dhe kur nuk kishte plotsuar akoma moshën e përcaktuar në ligjë, e keqja e zuri dhe Rolandin , duke u renditur me fajtorët pa faj. Ai u largua nga fluturimi dhe nga ushtria , para kohe, në vitin 1985; në moshën 43vjeçare. Roland Mandi Sofroni u nda nga fluturimi , i detyruar nga gjykimi me mentalitetin e asaj kohe . Ai u ndëshkuar rëndë, për një faj që nuk e kishte bërë kurrë. Siç patën fatin e keq të ndëshkoheshin dhe kolegë të tjerë të tij. Vendimi makabër për ta larguar nga fluturimi , nuk mund të shuante kurrsesi dëshirën e zjarrtë të Landit për të çarë qiejt. Kabina e aeroplanit ishte bërë si shtëpia e tij dhe ai , në ajër ndihej fare mirë. Iku me mendje tek “pulëbardha” e tek detyrat luftarake , për të cilat përgjërohej , edhe kur ishte në pension të parakohshëm. Ndonëse larg shokëve dhe në distancë nga reparti që e donte shume , se u rrit në atë mjedis burrëror, edhe kur ishte në pension , Landi nuk rreshti së punuari, së ëndërruari e së luajturi. Me shokë të tjerë të devotshëm , Ai formoi një ekip futbolli , në vendbanimin e tij , në Laprakë, ku gjallëroi jetën sportive dhe fitoi zemrat e banorëve , me përkushtimin e rrallë që dëftoi. Ishte rritur me punë e i “hanin duart”, prandaj u aktivizua në punë të ndryshme , ku kompensonte dëmin financiar që pësoi. Megjithatë, mendja e tij , deri në fund të jetës, mbeti në stsartet e fluturimeve dhe në rajonin e zhvillimit të tyre. Me nostalgji kujtonte shokët, aereoplanët, repartin dhe detyrat luftarake që kishte zgjidhur tok me shokë. Sido që të sillej biseda, Rolandi nuk harronte ta lidhte atë me fluturimin. Aq i pasionuar e i dashuruar ishte ai njeri , pas aviacionit dhe pas fluturimeve.

Jo rastësisht , intervistova njërin nga specialistët më në zë të aviacionit tonë , parashutistin e klasit të parë Fadil Nenaj ( Braho) , i cili më bëri me dije sa më poshtë: “ Roland Sofronin e kam njohur nga 26 gushti i vitit 1960, kur shkuam në Bashkimin Sovjetik, për të mësuar fluturimin. Isha në të njëjtin grup me të; instruktor fluturimi kishim rusin Bobikov; i cili ishte pilot sportiv. Që në fillim u bëmë shokë dhe studionim e luanim së bashku. Në vitin 1963, Rolandi dhe shokët e tij të grupit u titulluan pilotë gjuajtës-bombardues, në Shkollën e Aviacionit , në Vlorë dhe në pranverën e vitit 1964, u caktuan në Regjimentin e Rinasit, në skuadrilen e dytë, ku komandant ishte Kosta Dede dhe zëvëndës i tij – Gëzdar Veipi. U bashkuam sërisht , ndonëse ai ishte pilot e unë parashutist. Në pranverën e vitit 1966, Rolandi dhe shokët e grupit , bënë kalimin , nga avionët Mig-17 F, në ata superzanorë Mig 19 S; Në Rinas, pa avionë mësimorë.

Roland Sofroni , u rrit shpejt në profesion dhe u bë pilot shumë i mirë. Ai u caktua për të përgatitur pilotët e grupeve të kalimit në avionët Mig-19 S dhe ishte pilot kolaudator që bënte transferimin e aeroplanëve Mig-19 S , nga uzina e aviacionit , në Qytetin “ Stalin”, i ulte në Rinas. Në detyrë ishte kompetent dhe tip serioz. I mbeti peng fakti që e larguan nga fluturimi. Landi e donte shumë aviacionin dhe fluturimin , prandaj u mërzit shumë kur e larguan. Kur doli në pension të parakohshëm , me raste takoheshim , pinim ndonjë kafe e ndonjë gotë. Gjithmonë , me pishman , përmendte largimin e tij nga fluturimi dhe lënien e detyrës në mes të udhës.

Landi ishte tip sportiv. Qysh kur ishim studentë, në Batajsk, Ai luante , mjaft mirë futboll, basketboll dhe volejboll. Në Vlorë e në Rinas, merrej shumë me sport; e vështroja shpesh , kur luante, në fushë dhe kur bënte stërvitje speciale , në palestër. Shoqërohej me Bardhyl Lubonjën , me Jorgaq Bahshevanin etj. Më tepër qëndronte pranë atyre që ishin nga Korça.  Me Bego Hoxhën ( ndjesë pastë) shkonte shumë mirë.  Kohët e fundit , para se të largohej nga reparti e vështroja të vetmuar e të brengosur. E kam patur shumë shok e i kam qëndruar pranë…”

Roland Mandi Sofroni, njeri me karakter të fortë e sedërli, përjetoi një moshë të tretë siç nuk do ta donte kurrë. Vetmia e tkurri , e ligu dhe e tjetërsoi. Kemi të bëjmë me një jetë njeriu të përkushtuar e të dashuruar pas fluturimit , i cili , në kulmin e pjekurisë , u detyrua të braktiste , ajrin, pa të cilin e pati të vështirë të jetonte. Rolandi u nda nga jeta, më 30 nëntor të vitit 2013, në Tiranë, pas një sëmundje të rëndë. Trupi i tij , u përcoll , me nderim, të nesërmen , nga mjaft familjarë, miq e shokë të tij, të cilët , mes lotësh hidhërimi , i dhanë lamtumirën e fundit . Rolandi prehet në varrezat publike të Sharrës, në Tiranë. Për fat të keq, pas Rolandit, kolegët e tij të specialitetit përjetuan një tjetër dramë e cila përfundoi me asgjësimin brutal të Flotës Ajrore të vendit tonë, lavdinë e të cilës e ngriti lart, deri në maja të merituara , Roland Sofroni dhe shokët e tij të armës.

  • I paharruar qoftë kujtimi i Roland Mandi Sofronit, talentit të rrallë që u lind për të fluturuar , por u nda nga jeta me brenge në zemër e me kokën pas!
  • Ti rrojnë ata që la pas !

Shkroi Niazi Nelaj, shok grupi i Roland Sofronit.   Në Tiranë, nëntor- dhjetor 2017