Sefja – Homazh për pilotin gjuajtës-bombardues Sefedin Hasan Tomçini, rënë në krye të detyrës

Sefedin Tomcini

Sefedin Hasan Tomçini (Sefja) , u lind në fshatin Pollozhan të rrethit të Dibrës, më 7 qershor të vitit 1942. Ardhja e tij në jetë, si fëmijë i dytë i çiftit: Shime e Hasan Tomçini solli shumë gëzim në atë familje të re dibrane.

Pas tij, çifti prindëror Tomçini solli në jetë edhe 7 fëmijë të tjerë. U mbush dera e asaj familje fisnike me jetë të përtërirë, pas kalvarit të vuajtjeve të shumta e sakrificave të panumërta të bonjakut Hasan Tomçini. Atdhetaria dhe traditat e mira të asaj familje dibrane me emër, iu përcollën pinjollëve të nënë Shimes dhe baba Hasanit. Së bashku me prindërit, fëmijët e familjes së xha Hasanit përcollën, me dinjitet, mjaft kufizime të kohës, mes tyre dhe vështirësitë për të siguruar ushqimin ditor për nëntë gojë. Tek Sefja, qyshse ishte fëmijë, spikatën disa tipare të rralla, të cilat e shoqëruan atë djalë gjat gjithë jetës. Njera nga tiparet kryesore të Sefes ishte zgjuarsia natyrale e dibranit, shkathtësia e paparë, guximi dhe trimëria për të përballuar të keqen, në çdo rast e situatë. Shpirti i mirë, në atë fizik imcak por të lidhur mirë bënë që Sefedini, kur ishte ende i parritur, tu gjendej në krahë, në punë të ndryshme, prindërve të tij për të përballuar punët dhe hallet e familjes. Shkonte, në ato kullota të bukura por në atë terren të vështirë, përqark Pollozhanit e rrëzë Korabit, me bagëti të imëta ku, veç kullotjes së bagëtive fitoi dashurinë për punën e u mbrujt me një dashuri tjetër të madhe, atë për ato vende të bukura e per ata njerëz të mirë. Me mirësitë dhe prapësitë e të shkathëtit Sefedin Tomçini dhe të shokëve të ngushtë të tij: Bajramit dhe Zhevdetit, të cilët, bashkëfshatarët, me shpoti i kishin pagëzuar: “Banda e vocit të Hasanit”,mbasi ai ishte berë trazovaçi më i madh i fshatit. Nuk kishte gardh në fshat e pemë të vështira që të mos kishte kapërcyer e të mos ishte ngjitur Sefja i Hasan Tomçinit. Pamjaftueshmërinë e racionit ditor të ushqimit, Sefedini dhe shokët e tij, shpesh e kompensonin me manat e butë, të cilët, në Pollozhan ishin bërë pyll e nuk i mblidhte as nuk i ruante njeri. Nënat i thërrisnin që të hanin bukë e ata përgjigjeshin, nga maja e manit se e kishin ngrënë drekën. I rritur në atë mjedis trimash, ku shkolla e parë ishte ajo që u mësonte të rinjve burrërinë, për shkaqe thjesht ekonomike, Sefja nuk mundi të përfundojë as shkollën e mesme pedagogjike të qytetit të Peshkopisë, por u mjaftua me plotsimin e tre viteve të parë. As pushimet e verës Sefja nuk i kalonte si gjithë fëmijët e moshës së tij, por ishte i detyruar të futej në punë e të kryente proçese nga më të rëndat, në bujqësi. Shumë i lidhur ishte me familjen dhe ekonominë e saj voci i xha Hasanit. Dita – ditës, në shkollë e në jetë, u rrit, u burrërua, u kalit e u formua Sefja ynë. Ai u bë goxha djalë: i pashëm e i fuqishëm, i mbrujtur me tiparet e një çapkeni dibran, i zoti i fjalës e i polemikës dhe me një fizik të fortë. Në shkollën pedagogjike, doli në pah një aftësi e rrallë e Sefedin Tomçinit të ri, si vallëtar i përkryer. E donte shumë atë trevë e ata njerëz dhe folklorin e tyre të pasur, ndaj fluturonte në skenë kur ishte puna për të treguar vlerat e folklorit të asaj treve që ka nxjerrë burra të fortë e të mprehtë dhe gra si zana. Në shkollë atij i kishin vënë novkën : “Boksieri i shkollës” dhe Sefja ndeshej jo vetëm me moshatarët por dhe me ata që ishin më të rritur.Kur Sefedini ishte në vitin e tretë të shkollës Pedagogjike të Peshkopisë,kur në tërë rrethin e Dibrës u kërkua një kandidaturë për të mësuar në shkollën e aviacionit, në Bashkimin Sovjetik, për pilot. Shumë moshatarë të Sefes, iu nënshtruan testeve mjekësorë dhe dhe atyre psikiko – fizikë, por vetëm njëri doli i përshtatshëm. Ishte pikërisht djaloshi adoleshent nga Pollozhani, Sefedin Hasan Tomçini, i cili plotsoi kërkesate u u përzgjodh për të vijuar studimet në shkollën e aviacionit. Nuk dihet si i lindi ideja Sefes për t’u futur në udhët e vështira të qiellit por, një gjë është e sigurtë: guximi dhe trimëria, të cilat buronin nga geni i tij dhe fiziku i shkathët e i formuar mirë ishin ato që bënë të mundur këtë ndërmarrje të tij. Përballë dëshirës së Sefes u vunë pjesëtarët e familjes, në veçanti vëllai i madh i tij Sulejmani, i cili, në atë kohë ishte student, në Universitetin “Lomonosov” në Moskë. Megjith kundërshtinë e Sulës dhe të tijëve,vendosmëria e Sefedinit apo kokëshkretësia e 18 vjeçarit dibran, doli e fituar. Ai e kishte ndarë mendjen për t’u bërë pilot i forcave ajrore të Atdheut të tij. E përzgjodhi këtë profesion të vështirë Sefja, për tu ngjarë paraardhësve të tij, për nga burrëria dhe trimëria të cilat ua ndritnin ballin e ua zbukuronin shtatin atyre burrave si lisa. Në fundin e gushtit të vitit 1960, Sefedini, në përbërje të një grupi adoleshentësh nga Shqipëria, u nis për t’u shkolluar në shkollën sovjetike të aviacionit të qytetit të Batajskut. E mori udhën e gjatë. Sefja dhe sivëllezërit e tij, për në atë qytet i cili shtrihet përgjatë brigjeve Jugorë të lumit Don, në rajonin e Kaukazit të Veriut. Djali i zgjuar e i shkathët nga dibra, shpejt u ingranua për bukuri në jetën e studentit për pilot ku shkëlqeu, si në përvetësimin e programit teorik dhe në detyrat e fluturimit.Me disa dhunti të rralla, të lindura e të fituara si dashamirësia, zotësia për ti transformuar në shaka edhe situatat më të vështira,temperamenti dhe hijeshia me të cilat ai egzekutonte vallet e bukura dibrane, thjehtësia dhe bukuria e shpirtit e afruan shpejt dibranin me shokët e grupit ku bënte pjesë.

Sefedin Tomcini dhe Niazi Nelaj

Sefedin Hasan Tomçini, me mendjen e tij të mprehtë e me shkathtësinë natyrale u kthye ne njërin nga “prijësit” e grupit prej 36 djemsh, të cilët ishin grumbulluar nga të gjitha trevat e vendit tonë.Ai zuri shoqëri të ngushtë,në veçanti me dibranin fisnik Ahmet Sulejman Zogu; me vlonjatin – Mustafa Bajram Gjokutaj; me korçarin –Roland Mandi Sofroni e me mjaft shokë të tjerë. Çiltërsia e Sefedinit në raportet shoqërore ishte njëri nga faktorët që e “salduan” atë në qendër të shokëve. Shakatë “me kripë “të Sefes bënë që shokët e tij të harronin për një çast qenjen e tyre larg Atdheut e familjeve, në mënyrë që ata ta kishin vemendjen tek mësimi i profesionit delikat të pilotit. Marrëdhënie të ngushta e korrekte, Sefja krijoi dhe me tiranasit: Adem Çeça e Petraq Koroveshi, me Minush Karalliun e me Pandeli Lëngun etj. Fjala e tij ishte si një lloj “melhemi”për shokët e grupit. Pas një viti, mbasi kishte përfunduar programin e fluturimeve në avionët e lehtë me helikë Jak-18 A, ku rezultoi një nga studentët më cilësorë, Sefedin Tomçini dhe shokët e tij, papritur, me një ultimatum ogurzi u përzunë nga shkolla e aviacionit dhe nga Bashkimi Sovjetik e u kthyen në Atdhe. Në vitin 1962 u rihap shkolla e Aviacionit, në Vlorë dhe Sefedini, së bashku me 15 të tjerë u ul në auditorët e saj e, më pas, edhe në startet e fluturimit. Fluturoi fillimisht ne avionët me helikë Jak-18 U dhe ne vitin 1963, në ata reaktivë Mig-15 (UTI e BIS) . U ndodh me fat Sefedin Tomçini që në avionin reaktiv Mig-15, kur fluturonte ne Pishëporo, kishte për instruktor, pilotin e talentuar dhe njeriun e përkryer Azbi Ramadan Seranaj. Në grupin e fluturimit ku Sefja u caktua të ishte përgjegjës, bënin pjesë studentët për pilotë: Bardhyl Lubonja; Mustafa Gjokutaj dhe Petraq Papaanastasi. Gjatë fluturimeve në aeroplanin reaktiv Mig-15, ashtu si dhe më parë djaloshi i hedhur nga Dibra, Sefedin Hasan Tomçini ishte në ballë të shokëve e në pararojë të veprimtarisë ajrore të grupit të tij.Në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, e cila në atë kohë drejtohej nga piloti heroik Babaçe Faiku (Imeraj) , Sefja dhe shokët e tij u formuan e u kompletuan, si pilotë e si kuadro ushtarakë. Në vjeshtën e vitit 1963, pas përfundimit të programit të fluturimeve, 16 djemtë e përzgjedhur, shokë të Sefes, u titulluan pilotë gjuajtës – bombarduese u graduan oficerë. Në pranverën e vitit pasardhës, Sefedin Tomçini, së bashku me Bardhyl Lubonjën; Koço Bikun; Mustafa Gjokutën; Roland Sofronin; Ahmet Zogun; Jorgaq Bahshevanin; Petraq Koroveshin; Surri Barbullushin; Skënder Shahinin e Sillo Mëlicën u emëruan në Regjimentin e Rinasit, i cili,në atë kohë komandohej nga i lavdishmi Niko Hoxha; në skuadrilen e dytë të tij, me komandant talentin e rrallë kosta Neço Dede. Gjatë vitit 1964 – 1965 e 1966 Sefedini dhe shokët e tij të grupit fluturuan në avionët reaktivë Mig-17 F. Viti 1966, për Sefen shënoi një shkallë më lart në përvetësimin e një teknike luftarake më të avancuar, avionit mbizanor Mig-19 S. Tiparet e rralla vetjake të Sefedin Tomçinit si zgjuarsia, mprehtësia, shkathtësia, orientimi i shpejtë në situata të ndryshme etj. veti të spikatura në personalitetin e tij, ranë shpejt në sy të drejtuesve të kohës e u bënë shtrat i ngrohtë për ngjitjen në karrierë, si pilot e si kuadër drejtues. Sefja u ngjit në detyrën e rëndësishme të komisarit të Skuadriles së Parë, në Rinas, detyrë e cila i shtoi përkushtimin dhe i dyfishoi punën. Sefja ishte tip që lexonte shumë literature profesionale , te kulturës së përgjithshme dhe ideopolitike; konspektonte literature e mbante ditar, për zhvillimin e ngjarjeve . Në kushtet e reja, pas emërimit në detyrën e komisarit të skuadriles, ai duhej të përgatitej dyfish: Si pilot e si funksionar i edukimit te njerëzve. Sefedin Tomçini e donte shumë ajrin dhe fluturimin, ishte mjaft i përkushtuar për të përparuar në profesion e në teresi për t’u renditur në nivele të përparuar, si specialist i te dyja fushave; i fluturimit dhe i edukimit. Me meritë e sakrifica, Sefja mori klasin e dytë të pilotit ushtarak, në aeroplanet bazë të aviacionit tonë Migët – 19S. E donte shumë Atdheun e ishte i gatshëm të flijohej për të. Atdheu, për Sefen niste nga arat, kullotat, nga përrenjtë dhe nga bjeshkët e trevës ku u lind e u rrit, nga Korabi e nga çdo vatër trimi të atyre anëve.I lidhur ngushtë me vendlindjen, edhe pushimet vjetore, Sefja preferonte ti bënte në Pollozhan, sidomos në muajin qe piqeshin mamat dhe qershitë, ku bënte shëtitje në natyrë, thuajse çdo ditë, së bashku me të tijët, në shtratin e Drinit e në fshatin Hotesh.Sefedin Tomçini Ishte i dashuruar pas natyrës së bukur të trevës së tij, të cilën nuk e ndërronte me asnjë tjetër.

Zana dhe Sefedin Tomcini

Edhe martesën, në vitin 1970, me Zanën plot dinjitet, ai e bëri në fshatin e lindjes, sipas traditës vendase duke gëzuar njerëzit e shumtë të familjes, fisit dhe gjithe të dashurve të asaj dere. Nga kjo martesë, e cila rezultoi e pafat, lindën dy vajza : Elda dhe Arlinda. Si baba e bashkëshort model, Sefedin Tomçini ishte një familjar i kujdesshëm e mjaft i dhimbshëm. Dashuria e tij për Eldën, të cilën e la 6 vjeç ishte modeli i përkushtimit të një babai të lidhur ngushtë me pinjollët e tij. Dashurinë dhe respektin e ndërsjelltë për bashkëshorten, Zanën, Sefedini e shprehte dhe ne një aspekt tjetër jetik; ai bënte çmos ta lehtësonte të shoqen kur ajo ishte në proçesin e ndjekjes së studimeve të larta, pa shkëputje nga puna. Sido që me ngarkesë të pazakontë, në repart, Sefja, egjente kohën për ta marrë përdore Eldën e vogël e për ta shëtitur në ajër të pastër ku i dëftonte mjaft kuriozitete dhe e edukonte ate me takt e dashuri prindi. Meqënëse profesioni i tij ishte sa serioz, aq dhe i mbarsur me rreziqe, dikush nga dashamirët e shumtë, një ditë i sugjeroi Sefedinit të largohej nga fluturimi, e të merrej me detyra të tjera. E kundërshtoi prerë Sefja këtë sygjerim, mbasi ai e donte shumë fluturimin dhe avionin, siç donte dhe jetën.” Kam një ëngjëll mbrojtës, mos u merakosni për jetën time” – përsëriste shpesh Sefedini, duke patur parasysh parashutën dhe sistemin e katapultimit. Por, ky “ëngjëll”, më 8 qershor të vitit 1977, në atë orë fatkeqe, kur i duhej Sefedinit tonë të dashur, ishte i përgjumure nuk funksionoi, në ato çaste kritike për jetën e tij dhe Dibrani “si luan”, Sefedin Hasan Tomçini, në një fluturim stërvitor, me një aeroplan supersonik të tipit Mig-19 S, nuk na u kthye sërish në tokë. Ai u bë shok me yjet e mbeti përjetësisht në llogoret e qiellit, si “Dëshmor i Atdheut”!

Kronika e ngjarjes: Atë ditë regjimenti i Rinasit kishte organizuar fluturime në lartësi stratosferike, me aeroplanët mbizanorë Mig-19 S. Pilotët kishin për detyrë të ngjiteshin në lartësinë 17.000m. lartësi që shënon tavanin praktik të këtij tipi aerolani. Ishte një ushtrim të cilin pilotët e nivelit të Sefedinit e kryenin në mënyrë të përsëritur, një herë në në një vit. Dita ishte e pastër, pa re dhe qielli i përshtatshëm për të zbatuar skemën e marrjes së lartësisë të caktuar. Një ditë më parë, siç ishte rregulli, skuadrilja bëri përgatitje të detajuar për këtë detyrë dhe Sefedini, pavarësisht se ishte në detyrën e drejtuesit të skuadriles, iu nënshtrua gjithë përgatitjeve dhe testeve të nevojshme, si çdo pilot. Ai bëri dhe provën e kostumit të lartësisë, nën drejtimin e shefit të parashutizmit të regjimentit, specialistit kompetent Fadil Nenaj (Braho) . Sefedini ishte ngjallur disi e nga temperaturat e larta te ajrit, gjatë provës të kostumit të lartësisë u be qull në djersë. Rezultoi se kostumi i lartësisë i rrinte i ngushtë fizikut të tij të ndryshuar. Propozimit të parashutistit me emër për ta ndërruar kostumin e lartësisë, me një tjetër, më të madh; Sefja iu përgjigj negativisht. “Jam mësuar me këtë që kam e nuk e ndërroj me të ri” – tha komisari. Më datën 8 qershor 1977, Sefedin Hasan Tomçini u ngrit në ajër, për të plotsuar detyrën e ditës – ngjitjen në tavanin praktik të avionit. E nisi marrjen e lartësisë, në drejtimin Jugor dhe, siç ishte rregull, i raportpoi Udhëheqësit të fluturimeve, (sipas rregullit, në çdo pikë ku kalonte, duhej të raportonte vendndodhjen) deri në lartësinë 10.000m. Pas kësaj lartësie, në efir nuk u dëgjua më zëri i komisarit të skuadriles së parë, pilotit Sefedin Hasan Tomçini. Ai u gjet, i pa jetë, pak metra larg aeroplanit që pilotonte, me sistemë katapultimi të pafunksionuar e me parashutë të pahapur. U orvat gjatë komisioni i ekspertimit për të përcaktuar shkaqet që çuan në këtë katastrofë ajrore, në të cilën u nda nga jeta, një pilot i kualifikuar e trim dhe u shkatërrua plotësisht aeroplani Mig-19 S i pilotuar prej tij por nuk mundi të dilte në një përfundim të saktë. Katastrofa ajrore e asaj dite, mbeti enigmë,për nga natyra e shkaqeve; pa një konkluzion bindës. Sot e kësaj dite vazhdojnë hamendësitë dhe komentet nga këndvështrime të ndryshme. Sefedini u përcoll, të nesërmen, më 9 qershor 1977, në varrezat e Sharrës, në Tiranë, mes dhimbjes dhe lotëve. Një shok i grupit të tij, shkrojti ato ditë: Sa shumë e deshe këtë tokë; prej saj shkëputeshe, prap uleshe, me dashuri; një ditë, nga lartësitë, nuk u ktheve tok me shokët; në llogoret qiellore te Atdheut, mbete në përjetësi! Fillimisht, këto vargje u gdhendën si epitaf; më vonë, kur Sefedini u shpall” Dëshmor i Atdheut dhe eshtrat e tij u transferuan në varrezat e dëshmorëve të Kombit, për këtë epitaf nuk u kujtua njeri. Bashkia e Peshkopisë, e shpalli Sefedin Hasan Tomçinin “Qytetar Nderi “të këtij qyteti, me ç’rast u zhvillua një ceremoni madheshtore, me pjesëmarrje të gjerë. Për Sefedinin u këndua këngë e ngritur posaçërisht dhe u bënë nderimet e nevojshme. Ai djalë i fisëm e i rrallë, bir i një “dere të madhe”, do të kujtohet sa të jetë jeta se ka zënë vend në panteonin e të pavdekshmve, atje ku i takon! I paharruar qoftë kujtimi i atij trimi “të çartur”!

Pak relaks: Sefedin Tomçini, ishte një njeri me shumë humor. Shakatë e tij të linin me duar në mes. Një herë kishte blerë një orë tavoline, nga ato që përdoreshin si sinjale alarmi, në familje. Orën, akoma pa e çuar në shtëpi, Sefja e kishte me vete, në kinema. Kur njerëzit që shikonin filmin po ndiqnin me shumë kurreshtje zhvillimin e episodeve të shfaqjes. Papritur ra, me tërsëllëmë të madhe, zilja e orës, e cila shkaktoi alarm tek të pranishmit. Mezi e “qetësoi “orën e tij Sefedini, i cili doli nga kinemaja, pa rënë në sy, ende pa përfunduar filmi. Kur banonim në hotelin e beqarëve, në Rinas, edhe pse ishim pilotë, dilnim në Tiranë, si ushtarët, me liridalje, 2 herë në javë. Ishim të rinj e na tërhiqte jeta e kryeqytetit; ndonjëherë “ia mbathnim “, në këmbë, nga Valiasi e Kamza.Duke kaluar në qendër të Kamzës, ku zhvillohej një film, në natyrë, nga autokinemaja, po çapiteshim, me drojë se mos na shikonin ata që e kishin zanat raportimin, Sefja dëgjoi një dialog filmi. Njëri nga aktorët i drejtohej shokut me batutën: “Ku po shkon ? o Sefedin”? Sefja, ktheu kokën nga erdhi zëri e tha :”Bo, bo, më paskan pikasur”! Një tipar i rrallë i Sefedinit ishte shkathtësia për të dalë nga situata. Një ditë, kur kishte dalëshëtitje nëpër Tiranë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku bëhej shëtitja më e gjatë (nga Universiteti, tek Skënderbeu) Sefja pa një burrë i cili i shëmbëlleu me një të njohurin e tij. Iu afrua dhe i dha dorën. Tjetri nuk e njihte dhe qendroi disi i hutuar. “Nuk po më njeh? bre” – i tha Sefja; ndërkohë që e kuptoi se e kishte lajthitur.Për të dalë nga situata, si mjeshtër i kësaj pune, Sefedini vazhdoi:” Mirë, vazhdoje xhiron dhe kur të kthehesh, mbase do të jesh kujtuar”; dhe “ngau” këmbet, përtu larguar nga i panjohuri.