Shaban Laze Danaj – Parashutist i klasit të parë

Shaban Danaj

Emrin parashutë ( le ta quajmë kështu), pajisjen që lundron, në ajër, ia dha fizikani nga Franca – Lenorman. Ai, bashkoi dy fjalë: atë greke “ para”, e cila do të thotë: kundër dhe fjalën frënge “Chufe”, që do të thotë rënie. Të dyja formojnë togfjalëshin: “ kundër rënies”. Ky togfjalësh, i kuptimtë, pas evolucionit gjuhësor që pësoi, u quajt parashutë dhe e justifikoi destinacionin. Fizikani me emër, pas përpjekjeve të mënçura, përgatiti një parashutë, e cila ngjante me çadrën por që nuk palosej. Në vitin 1878, Lenorman, me parashutën që përgatiti, zbriti, publikisht, nga kulla e Observatorit të Parisit, në Monpelje. Vite më pas, më 1897, në Paris, aviatori Garneren, zbuloi parashutën e palosshme dhe, me të kreu një eksperiment me rrezikshmëri të lartë. Në prag të shekullit të nëntëmbëdhjetë, më 6 shtator, në gjysmën e parë të ditës, tregtari moskovit Fjodor Nikitin, demonstroi lundrimin ajror të një baloni të mbushur me ajër, në parkun Neskushov.

Me shfaqjen e eroplanit të parë, përpjekjet për të ndërtuar një parashutë të përshtatshme u shtuan e u shpeshtuan. Nisi një erë tjetër, për parashutizmin. Punët me rrezikshmëri të lartë ndoqën njëra-tjetrën. Konstruktimi dhe ndërtimi i aeroplanëve paraprinte. Në udhën e zhvillimit e të perfeksionimit të mjeteve ytë lundrimit ajror u sakrifikuan dhjetra jetë. Pengesat e shumta u kapërcyen me guxim e trimëri, me njohuri shkencore dhe me viktima.
Përgatitja dhe përsosja e ndërtimit të parashutës kërkonte përdorimin në sasi e cilësi të pëlhurës. Një parashutë, fillimisht mori 50-60 m. pëlhurë. Parashuta e parë u shfaq në vitin 1911. Epërsia e saj, krahasuar me pararendëset ishte hapja vetiu, sapo piloti shkëputej prej aeroplanit. Kjo lloj parashute u quajt Rrysak. Lufta e Parë Botërore shënoi praktikimin masiv të parashutave, në veprimtaritë ajrore. Aeroplanët e asaj kohe ishin të përmasave të mëdha, kishin shpejtësi të vogël dhe ishin të ngathët, në manovrim. Ata, çoheshin në ajër, mbasi pilotët kishin veshur parashutat. Parashuta ishte mjet shpëtimi, kur aeroplani i tyre goditej nga armët e tokës ose nga interceptuesit e tyre, ajrorë. Parashutat e asaj kohe ishin të pajisura me rripa.

Rusia, në këtë ndërmarrje ishte disi më prapa kundërshtarëve të saj, Perëndimorë që merrnin pjesë në luftë. Në Rusi, parashuta e parë luftarake u prodhua në fund të vitit 1914. Parashuta u përsos parreshtur, derisa arriti tek kjo që kemi sot. Parashutistët, si njerëz të veçantë, në këtë veprimtari të paparë, sfiduan rreziqe, thyen tabu e vendosën rekorde. Hedhjet e tyre me sukses, davaritën dhe një lloj ngurrimi e frike që kishin shfaqur mjaft mjekë të aviacionit mbi rreziqet që i kanoseshin pilotit, gjatë hedhjes me parashutë.
Vitet që pasuan, sidomos Lufta e Dytë Botërore, solli përdorim të gjërë të parashutizmit, për qëllime ushtarake. Në shtator të vitit 1936, në hapësirat e ish Bashkimit Sovjetik, në ultësirat e Biollorusisë, u krye një desantim ajror, me përmasa të mëdha. Në një operacion desantimi u hodhën 1000 parashutistë. Ata, u ndodhën në ajër të pajisur me armatim e me pajisje luftarake, brenda 7-8 minutash. Një aksion desantimi i përpiktë, i cili habiti edhe disa specialistë ushtarakë Perëndimorë, siç ishte gjenerali anglez, i cili e ndiqte nga afër këtë operacion çudibërës. Lufta e Dytë Botërore, ku morën pjesë, masivisht aeroplanët gjuajtës, bëri “ presion”, tek konstruktorët e parashutave, në kërkim të perfeksionimit të parashutës, si konstruksion dhe për mënyrën e hedhjes. Palët ndërluftuese, në përpjekje për të superuar njëra- tjetrën, i çuan përpara arritjet, edhe në fushën e parashutizmit.
Diçka, lidhur me teknikat dhe mënyrat e hedhjes me parashutë.

Parashutistët janë njerëz të përkushtuar e të vendosur për të çarë përpara. Ata janë trima guximtarë që mposhtin frikën dhe emocionet, në prani të mjaft shqetësimeve. Në forma të ndryshme, edhe tek ata, egziston droja dhe ankthi; madje jo në një rast por sa herë hidhen me parashutë. Dy janë çastet kur u duhet të përballojnë e të kapërcejnë gjendjen emotive që përjetojnë. E para lidhet me daljen e tyre tek dera e aeroplanit dhe shkëputja prej tij e rënja e lirë, në ajër, me parashutë të veshur por, akoma të pahapur. Vjen një kohë qetësimi e relaksi dhe, e dyta, vjen çasti kur parashutisti prek tokën, me këmbë.

Në këta dy çaste, një parashutist, cilido qoftë, si rregull përjeton tensionim të lartë nervor, drojë, hezitim, tek disa edhe frikë ( për shkak të futjes në të panjohurën e në të paprovuarën). Këto dukuri, janë më të pranishme, gjatë hedhjes së parë. Është i papranueshëm pretendimi i ndonjërit që deklaron se, kur është hedhur me parashutë, për herë të parë, ka qenë i qetë e nuk ka përjetuar asnjë shqetësim. Dukuritë e sipërdëftuara, patjetër kanë qenë të pranishme, por, falë veçorive të karakterit, tipareve luftarake e burrërore, ai i ka përballuar e kapërcyer ato. Motivet që e bëjnë një parashutist trim e guximtar janë vetjakë e të ndryshëm, psikologjikë, socialë etj; gjithsesi, në çdo rast janë individualë.
Njerëz që janë marrë me shkencën e hedhjes, nga ajri, në studimet e tyre të mirëfillta, kanë bërë dhe matje e regjistrime të qënësishme, të cilat na bëjnë me dije për teknikat dhe mënyrat e hedhjes me parashutë, të cilat, nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë, por u nënshtrohen rregullave të evoluimit e përsosjes së vazhdueshme. Kur trupi i desantit bie, në rënje të lirë, derisa të hapet e të mbushet kupola e parashutës me ajër, e ka shpejtësinë vertikale 50-60 m/sekondë. Kjo shpejtësi i takon rënjes së parashutistit, gjatë 11-12 seondave të para, pas shkëputjes nga aeroplani. Pas hapjes së parashutës e mbushjes së kupolës me ajër, në çastin e parë, litarët mbajtës, tërhiqen fort dhe i japin parashutistit një goditje të ndjeshme. Në këtë rast, si rrjedhojë e mbingarkesës, pesha trupore e njeriut, rritet thuajse 6 herë, krahaasuar me peshën e zakonshme e tij. Pas hapjes së parashutës e mbushjes së kopolës me ajër, rënja vertikale e atij që bie me parashutë realizohet me shpejtësi rreth 5 m/sek. Madhësia e shpejtësisë vertikale të rënies është variabile. Faktorët që ndikojnë janë: Pesha e trupit, lartësia e hedhjes, dëndësia e ajrit, forma e trupit,temperaturat e ajrit, drejtimi dhe shpejtësia e erës, sipërfaqja e kupolës së parashutës, pozicioni i hedhjes etj.

Një çast delikat, i cili mund të sjellë rrjedhoja negative tek parashutisti është prejka e tokës, prej tij, me këmbë. Theksoj me këmbë, mbasi, toka mund të preket dhe me pjesë të tjera të trupit, gjë që ka ngjarë. Parashutisti, duke zbritur, është i detyruar të përcaktojë, me sy, duke bërë krahasimin me objektet e njohura, në tokë, lartësinë që e ndan nga vendi ku do të zbresë, e cila vjen duke u zvogëluar. Në këtë proçes, ai bën disa veprime përgatitore, me qëllim që të shmangë spontaneitetin dhe të realizojë parrezikshmërinë e takimit me tokën. Problemi kyç mbetet pozicioni i mbajtjes të këmbëve. Prekja tokës, më e sigurt e më e butë, realizohet kur të dyja këmbët, parashutisti i mban të bashkuara e të përthyera, me kënd 45 gradë, në mënyrë që ato të veprojnë si sustë amortizuese, me qëllim që të zbutet goditja e parë. Ata që e kanë provuar, nuk ka si të mos kenë vënë re se, në këta parametra, prekja me tokën është sikur të hidhesh nga një lartësi 2metra.
Jo më kot janë përcaktuar këta kushte. Në praktikë, kanë ngjarë gjëra të trishta. Kur nuk janë respektuar rregullat përkatëse, pilotë ose studentë për pilotë, me të ardhme, të dukshme, i kanë dhënë lamtumirën fluturimit e kanë përjetuar vuajtje fizike të zgjatura.
Në betejat ajrore gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga të dyja palët ndërluftuese u përdorën, masivisht aeroplanë me helikë, të cilët nuk çlironin shpejtësi, sipër 450 km/orë. Kur një pilot, për shkaqe të ndryshme, nuk mund të vazhdojë më tej fluturimin e nuk ka udhë tjetër, veç të braktisë aeroplanin, në këto shpejtësi fluturimi, hedhja me parashutë realizohet, sipas mënyrës së thjeshtë, përmes krahut të avionit ose me rënie nga kabina e pilotimit. Parashuta, në çdo rast, ishte e pajisur me litarë mbajtës dhe me një litar, i cili bënte hapjen e saj. Njëri skaj i këtij litari fiksohej pas ndënjëses së pilotit, kurse tjetri, përfundonte me një “ gjilpërë”, të futur në “ folenë “ e një aparati sekondmatës, i cili, nëpërmjet tërheqjes së gjilpërës çliron kyçin ku bashkohen rripat e parashutës dhe e hap atë, vetiu, edhe kur piloti nuk është në gjendje ta hapë atë.

Për ta realizuar një hedhje të kësaj natyre, piloti, ul, sa të jetë e mundur, shpejtësinë progresive të aeroplanit, e vendos aeroplanin, kur është e mundur, në fluturim horizontal, zgjidh rripat që e mbajnë të fiksuar pas ndënjëses të avionit, hap kabinën ( xhamin e sipërm) dhe hidhet, aty ku lidhet krahu, me trupin e aeroplanit. Kur shpejtësia progresive e aeroplanit ishte më e vogël se 450 km/orë, nuk ishte i pranishëm rreziku që pjesa horizontale e bishtit të avionit të prekte e të dëmtonte pilotin.

Një tjetër mënyrë, e mundëshme, e hedhjes, me parashutë është dalja nga aeroplani nëpërmjet përmbysjes. Vetëm se, në këtë rast kërkohet të jetë i komandueshëm avioni, në atë shkallë sa të mund të kryhet përmbysja e tij. Në këtë rast, piloti, më parë zbërthen rripat e ndënjëses dhe, me anën e komandave të komandimit të avionit, e përmbys atë, në 180 gradë ( me rrota përpjetë). Trupi i pilotit, nën peshën e vet, bie, me rënie të lirë. Kur është e mundur, piloti, çvendos dorezën e komandinit përpara, për të krijuar mbingarkesë negative, e cila lehtëson daljen e tij nga avioni. Veprimet e tjera, janë të njëjtë si në rastin e parë të hedhjes.

Parashuta dhe hedhja me parashutë kanë ndjekur, hap pas hapi përsosjen e aeroplanëve, në shërbim të të cilëve dhe janë. Në vendin tonë shërbimi parashutist u duk relativisht vonë; organizimi i tij, si shërbim më vete, u përket viteve ’50 të shekullit që lamë pas. Hedhësit e parë me parashutë shin pilotë. Ata ishin pjesëtarë të grupeve të aviatorëve që shkuan, fillimisht në Jugosllavi e më pas, në Bashkimin Sovjetik, si kursantë, për të mësuar aeronautikën. Në muajin maj të vitit 1948, në një stërvitje ushtrimore, në aerodromin e Laprakës ( Tiranë), nga aeroplani biplan Po-2, nga lartësia 800 metra, u hodhën me parashutë, pilotët shqiptarë: Areteo Konomi; Vasil Trasha; Fahri Bubësi; Peço Polena; Sazan Xhelo; Vaskë Kosti; Irakli Grazhdani;Mateo Baba etj. Të gjithë këta, ishin kthyer nga shkolla jugosllave e aviacionit, pa përfunduar programin, pas prishjes së marrëdhënieve mes dy vendeve. Ata, në atë kohë fluturonin në aeroplanë me helikë, të mbetur nga Lufta e Dytë Botërore. Qysh prej asaj kohe, u vendos rregulli: Një kursant për pilot ose një pilot, para se të vinte këmbë në aeroplan, detyrimisht, duhet të ishte hedhur me parashutë. Ky rregull u kthye në rit dhe përsëritej çdo vit.
E mendoj të tepërt spjegimin, me hollësi të shkakut të këtij rregulli. Një pilot, po ti shkojnë mirë punët, mund të fluturojë, disa vite, madje disa dhjetvjeçarë, siç ka ngjarë e të mos ketë nevojë të hidhet, me parashutë; ashtu si mund ti rastisë të hidhet qysh në ngritjen e parë në ajër.

Në vitin 1950, në qytetin Harkov të Ukrainës, e cila, në atë kohë ishte në përbërje të Bashkimit Sovjetik, me pilotë shqiptarë, u formua skuadrilja e parë e aviacionit shqiptar. Skuadrilja kishte në përbërje 12 aeroplanë me helikë, biplan- PO-2. Para nisjes të fluturimeve të organizuara, u krye hedhja me parashutë e pilotëve. Kjo ishte hedhja e parë masive e pilotëve.
Me pilotët që u kthyen nga Bashkimi Sovjetik dhe me disa të tjerë që ndodheshin në aerodromin e Tiranës ( Laprakë), më 24 prill të vitit 1951, u formua skuadrilja e parë luftarake, me pilotë shqiptarë. Kjo u quajt dita e forminit të aviacionit shqiptar. Po atë ditë, në aerodromin e Tiranës, u vendos gatishmëria luftarake, ( roja në aerodrom), me një çift aeroplanësh gjuajtës Jak- 9P. Lindi nevoja e formimit të një bërthame të shërbimit parashutist, si i lidhur ngushtë me fluturimin e në shërbim të tij. Deri atëherë, zbatohej rregulli që, të gjithë pilotët duhet të hidheshin me parashutë, por roli i drejtuesit ishte i papërcaktuar e atë e kryente kush të mundëte. I pari që e mori përsipër këtë rol ishte piloti guximtar, Sazan Xhelo, i biri i Heroit të Popullit Halim Xhelo, nga Tërbaçi. Sazani ishte pilot; detyrën e parashutistit e kryente vullnetarisht, si detyrë mbi detyrën.

Në vitin 1952, në Tranë mbërriti një major i Ushtrisë Sovjetike, me mbiemrin Ivanov. Ai ishte parashutist dhe erdhi në rolin e këshilltarit, për të bërë organizimin e shërbimit parashutist të aviacionit. Më parë, ai kish qenë pilot, por kish ndërruar profil dhe ishte hedhur 750 herë, me parashutë. Majori Ivanov, qendroi në Shqipëri 2 javë, e gjatë kësaj kohe, u hodh 2 herë, me parashutë nga aeroplani PO-2. Në njërën nga këto hedhje, para se të ngrihej në ajër, ai qëndronte në një cep, i vetmuar, mendohej e thithte cigaren paprerë. Një pilot, nga tanët, i cili u ndodh pranë dhe e pikasi shqetësimin e majorit, në koefidencë e pyeti atë: “ Të vështroj të shqetësuar; mbase nuk ke besim tek piloti; por Babaçen e kemi nga pilotët më të mirë”! Jo, u përgjigj tjetri:” Unë, parashutizmin e kam zanat e nuk e ndërroj, por, para çdo hedhje, kam emocione, si në hedhjen e parë”! U hodh, edhe një herë tjetër, pas kësaj.
Komanda Supreme ( Seksioni Aeronautik pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë), caktoi, në detyrën e shefit të shërbimit parashutist të sapoorganizuar, pilotin Sazan Xhelo, i cili, në atë kohë mbante gradën toger. Ndihmës i tij u caktua ish kursanti për pilot, Shaban Danaj, me gradë aspirant. Shabani e kishte nisur udhën e ajrit qysh kur shkoi në Jugosllavi, me synimin për t’u bërë pilot dhe e vazhdoi atë edhe në Rusi, por, për fat të keq, u deklarua i paaftë, për profilin e pilotit, pa e përfunduar progranin. Më vonë, ndihmës i Shabanit u bë Enver Isufaj, me gradën aspirant, i cili kishte mësuar, në Bashkimin Sovjetik, për pajisjet elektrike të aeroplanit por u kthye në parashutist dhe e drejtoi këtë shërbim, në Shkollën e aviacionit, derisa doli në pension pleqërie.

Shaban Danaj II

Shaban Laze Danaj, me shumë vullnet e këmbëngulje iu përvesh punës për të përvetësuar profesionin e parashutistit, në të gjitha detajet e tij. Ai, ishte hedhur me parashutë, si të gjithë pilotët, por profesioni që po merrte, kërkonte më shumë njohuri, teorike dhe aftësi praktike. Parashutat, para hedhjes, dhe pas saj, duheshin paketuar, sipas një rregulli të caktuar dhe kjo duhej përvetësuar prej Shabanit; teknikat e hedhjes, nga tipa të ndryshëm avionësh nuk janë të njëjta, etj. Veçoritë e shfrytëzimit të parashutave, Shabani duhet ti njihte teorikisht dhe ti provonte në praktikë, vetë i pari. Dëshira për t’u bërë parashutist instruktor dhe mjeshtër në profesion, ishin motive të fortë, që e shtynin përpara mjeshtrin e ri të parashutizmit. Kur Shabani e ndjeu veten të përgatitur, për misionin që mori përsipër, Sazan Xhelua, ia la atij vendin dhe kaloi, përfundimisht në profesionin e tij bazë, në atë të pilotit. Deri atëherë, Sazani ishte hedhur me parashutë plot 25 herë. Ai ishte një kokëshkretë nga ata që nuk e njohin frikën. Në një hedhje, në prani të këshilltarit sovjetik Ivanov, Sazan Xhelua u hodh me parashutë, mbi aerodromin e Laprakës, por e vonoi hapjen e saj. Ivanovi, kur pa që parashuta e tij nuk po hapej dhe trupi i Sazanit shkonte, me shpejtësi të madhe, drejt tokës, mbylli syytë, me dorë, në mënyrë që të mos shikonte përplasjen. Në lartësinë rreth 200m, mbi tokë, parashuta u hap e kupola e saj u mbush me ajër. Një “Ah”, e fuqishme, shpëtheu nga gjokset e atyre që po vrojtonin atë hedhje të rrezikshme.

Këshilltari sovjetik, majori Ivanov, pas organizimit të shërbimit parashutist dhe hedhjes, dy herë, dy javë, pas qëndrimit, në Tiranë, u largua për në vendin e tij. Shabani vijoi përgatitjet vetjake për rritjen e shkallës së kualifikimit me qëllim që të bëhej mjeshtër në profesion. Kështu, Sazani kokëshkretë ia dorzoi stafetën një tjetër kokëngjeshuri; Shaban Laze Danaj, nga Qesarati i Tepelenës. Shabani mori për ndihmës vlonjatin me ngjyrë Enver Isufaj, i cili mbante gradën e aspirantit. Shpejt erdhi “ prova e zjarrit” edhe për kokëshkëmbin Shaban Danaj.

Më 5 korrik të vitit 1953, në prag të festës së Ushtrisë Popullore, në poligonin e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, në Tiranë u krye një demonstrim ajror. Një çift aeroplanësh gjuajtës të tipit Jak-9P, kreu imitimin e një luftimi ajror. Një çift tjetër, në variantin gjuajtës-bombardues kreu qitje, me predha reale, kundër shënjave në tokë. Në atë tregim, mori pjesë, me një veprim spektakolar, dhe mjeshtri i parashutizmit, vullnetshumi, Shaban Danaj. Ai kreu një hedhje të rrezikshme, aventureske, me parashutë, me një aeroplan Po-2, nga lartësia 200metra, e cila paraqiste shkallë të lartë vështirësie dhe ishte e mbarsur me shumë rreziqe, për jetën e parashutistit. Spektakli që dhuroi Shabani, atë ditë, e zbukuroi festën dhe ai u dekorua, me ketë rast, me medaljen e trimërisë.
Mund të thuhet, pa mëdyshje se parashutizmi i mirëfilltë, si veprimtari luftarake dhe si sport, në vendin tonë nisi e përfundoi me protagonist Shaban Laze Danaj. Atij i përket merita e ngritjes, nga hiçi të shërbimit parashutist të aviacionit dhe përgatitjes e kualifikimit të specialistëve të tij.
Jeta dhe veprimtaria e “ heroit” të rrëfimit:

Shaban Laze Danaj, parshutist i klasit të parë, u lind në fshatin Qesarat të rrethit të Tepelenës, më 13 Janar të vitit 1930. Ai, erdhi në jetë nga dy prindër vendas: nga babai Laze dhe nga nëna Durrije. Lazja ishte nga Qesarati, autokton, kurse Durrija, kish ardhur nga fisi Drizaj, i fshatit Toç; fshat kufitar me Qesaratin. Çifti që solli në jetë Shabanin, lindi dhe tre fëmijë të tjerë: Abazin; Hamon dhe Zengjinen. Trualli ku u lind dhe kaloi fëmijërinë e herëshme Shabani, ishte plot me atdhetarë, të cilëve u dhimbsej çdo pëllëmbë e tokës mëmë dhe ishin të gatshëm, ta mbronin atë, me çdo çmim.
Babai i Shabanit, Lazja, një fshatar i thjeshtë, i cili, menaxhonte, së bashku me vëllanë, ekonominë bujqësore të familjes, në Luftën e Vlorës, të vtit 1920, luftoi, me armë në dorë e u shqua, mes bashkëfshatarëve të tij, në mbrojtje të trojeve shqiptare. Luftëtarët nga Qesarati, pas Luftës së Vlorës, u kthyen në fshatin e lindjes dhe sollën me vete frymën atdhetare të saj.

Shtëpia ku u lind Shabani, ndodhej në mëhallën Zeqaj, të Qesaratit. Ajo ishte me dy seksione: njëri me një kat; tjetri dykatësh. Seksioni dykatësh, ishte i destinuar, kryesisht për të pritur miq e për të bërë dasma e gosti. Ajo ishte e shtruar me dysheme dhogash dhe me çati të mbuluar me pllaka guri të zi. Kati i parë i saj, shërbente si katua, ku strehoeshin bagëtitë e imëta, në pronësi të familjes, lopët, qetë e parmendës dhe kafshët e ngarkesës. Oda ishte me tavan dhoge, të zbukuruar me gdhendje e me punë artizanale. Seksioni tjetër i kësaj shtëpie ishte me përmasa më të mëdha dhe shërbente për të “ mbledhur” fëmijët e për të gatuar. Në vatër ishte një buhari, nga e cila zbriste një çengel, tek i cili varej kusia, ose jamakja. Poshtë çengelit qëndronte një saç e një palë këmbje mbi të cilat vendosej saçi, gjatë pjekjes. Në fund të dhomës ishte një hambar, i madh, prej dhoge, i cili shërbente për depozitimin e drithërave të bukës, tagjisë për kuajt dhe zaireve të e dimrit.

Ngjitja në katin e dytë të ngrehinës bëhej nëpërmjet shkallëve prej guri, nga jashtë banesës. Shkallët përfumndonin me një sheshfushim, ku vendoseshin opingat dhe ishte wc-ja. Muret e të dy seksioneve dhe shkallët ishin të ngritura me mur guri, të lidhur me llaç gëlqere. Gurët e faqes së jashtme të murit mbajtës ishin të gdhendur me cmilar. Ata ishin të zinj; gur, i cili është më kompakt, krahasuar me gurin gëlqeror. Gurët e qosheve, ishin të gdhendur dhe me ngjyrë të bardhë. Ata, ndoshta shin prurë nga larg; mundet nga Kalivaçi ose nga Mogilat e Vasjarit.

Shtëpia ku u lind Shabani ishte e ndërtuar nga gjyshi i tij; babai i babait, Kamberi. Shtëpia rrethohej nga një avlli, e madhe. Avllia rrethohej nga një mur, i lartë 2.5-3metra, prej guri të zi. Në hyrje të avllisë ishte një portë e madhe, prej druri, me dy kanata, e gjerë sa të kalonte kafsha e ngarkuar. Përpara portës, mbështetur pas murit të shtëpisë, ishte një sofat, prej guri. Porta ishte e mbuluar nga një çati, me sipërfaqe të kufizuar. Avllia, me përmasa të mëdha, ishte e shtruar me pllaka guri dhe brenda saj nuk ishin mbjellë pemë. Sipërfaqja e shtruar, me pllaka guri, shërbente, kryesisht për të luajtur fëmijët e për të qëndruar bagëtitë e imëta, të cilat, aty brenda ishin të sigurta nga sulmi grabitqar i egërsirave të pyllit ( ujqërve).
Babai i Shabanit, Lazja, kur u martua me Durrinë, nga Toçi pati parasysh slloganin e përdorur rëndom nga vendasit : ” Lopën dhe gruan, merre nga fshati yt”! Prandaj, ai dhe familjarët e tij, në zgjedhjen që bënë, nuk u shmangën nga ky slogan e nuk u “lodhën”. Qesarati dhe Toçi janë fshatra kufitarë me njëri-tjetrin dhe historikisht nuk kanë patur ngatrresa e kundërshti. Të dy komunitetet, të cilët e kanë njohur mirë shoqi-shoqin dhe kanë karakteristika të përafërta, me dashamirësi kanë ndërtuar lidhje të shëndosha krushqie e miqësie, të cilat i kanë rezistuar kohës.
Kur u martua Lazja me Durrinë, në dasmë erdhën shumë dasmorë. U tund fshati dhe gëzuan të vegjël e të rritur. Në vitin 1930 u lind Shabani,djali i madh i familjes. Kjo lindje e shtoi gëzimin dhe harenë në atë çerdhe të rrethuar, nga mirëkuptimi e nga mjaft shokë, miq e dashamirë. Hamua, me lindjen e saj, si fëmija e parë, vërtet i gëzoi prindërit dhe familjarët, por lindja e Shabanit, si djalë, ishte e shumëpritur dhe e preferuar nga të gjithë. I tillë ishte mentaliteti sundues i trevës. Pas Shabanit u lind Abazi dhe pas tij vajza e fundit- Zengjinja. Sa ishte gjallë Kamberi, por dhe më pas, të dy vëllezërit e familjes Danaj, jetuan të bashkuar dhe shkonin shumë mirë me njëri-tjetrin. Prindërit e tyre ishin shëmbull për fëmijët dhe ndikonin, fuqishëm për forcimin e lidhjeve mes tyre.

Në familjen e xha Kamberit funksiononte një ekonomi bujqësore e mjaftueshme për të ushqyer familjen dhe për të plotsuar nevojat jetike të saj. Kjo ekonomi kishte 30 krerë dele; 2 lopë me qumësht; 2 qe parmende dhe një pelë, të shpejtë, qimekuqe. Pela e xha Kamberit ishte e mirënjohur, për shpejtësi, prej Qafës të Symizës, deri në rrethinat e Gjirokastrës. Arat, trualli dhe gjëja e gjallë e familjes, menaxhohej nga babai ( Kamberi) dhe dy djemtë e tij: Lazja dhe Sinani.

Në vitin 1934, në fund të muajit gusht, Lazja u nda nga jeta, tragjikisht e krejt papritur. Në një kohë kur familjarët, të afërmit, miqtë dhe dashamirët e familjes Danaj mendonin se qeliza që krijoi Lazja me Durrijen, mbas ardhjes në jetë të katër fëmijëve, po konsolidohej dhe ata, burrë e grua, së bashku me fëmijët, në familjen e madhe prindërore jetonin të lumtur e në paqe me njëri-tjetrin, ndodhi ajo që nuk mendohej e nuk pritej, gjëma e madhe, me pasoja katastrofale- vdekja papritur e Lazes dhe shpërbërja e familjes së tij, të ngushtë. Si ndodhi e pandodhura?
Babai i Shabanit, Lazja dhe nëna e tij Durrija, atë fund gushti, kishin “ prerë” misrin, në një arë në pronësi të familjes së tyre, në fushën e Qesaratit, e kishin mbledhur e stivosur atë, në pritje për të zhveshur kallinjtë. Moti ishte i kthjellët e në qiell nuk dukej asnjë re. Teksa ata punonin dhe fëmijët e tyre lodronin aty pranë, papritur në Luginën e Vjosës, nisi të frynte një erë e fortë dhe filluan të grumbulloheshin retë, të cilat, u duk sikur dolën nga Gryka e Ylynecit. Retë ishin grumbullore dhe të ngarkuara me elektricitet. Në fushë kishin dalë mjaft bujq të tjerë e, sejcili, në parcelën e tij, bënin manipulimin e misrit, i cili, atë vit kish ardhur i mbarë.

Retë u përplasën me njëra-tjetrën dhe shumë shpejt nisën bubullimat e shkrepëtimat. Vetëtimat shkarkonin ku të mundnin. Një vetëtimë shkarkoi pranë togut me nisër që kishte grumbulluar Lazja me Durrinë dhe goditi, për vdekje Lazen, i cili u shtri, i pajetë, përpara syve të fëmijëve. Lazja, dha shpirt aty, në mes të stivës me misër, e asnjeri nuk mundi ti vinte në ndihmë. U lebetit e shoqja, Durria dhe nisën të ulërinin 4 fëmijët e tyre. Ata, pa e kuptuar atë që ngjau por instinktivisht, duke ndjerë rrezikun që u kanosej, u mblodhën, si zogjtë pranë klloçkës, pas fustanit të nënës. E vogla e fëmijëve, Zengjinja, në atë kohë ishte foshnjë gjiri. Shabani mbeti jetim; pa baba. Jeta e kish ndëshkuar rëndë. Fatin, të cilin, deri atëherë e kish patur në anën e tij, papritur i doli kundra. Të mbeturit jetim, ai, në atë moshë nuk e kuptonte plotësisht, vetëmse ndjente mungesën e të atit dhe e kërkonte atë.

Gjëmë e madhe plasi në atë prag dhe në fisin Danaj të Qesaratit. U ligështua, e befasuar nga ngjarja e rëndë miqësia, gjitonët dhe shoqëria e familjes. Dikush, duke tentuar të gjente shkakun e fatkeqësisë, nuk ngurroi të thoshte: “ Çiftin që shkonte mirë, e ka parë syri i keq”! Të dëshpëruar e mjaft të shqetësuar ishin dhe në krahun tjetër të krushqisë; në familjen e Durrisë, në Toç. Bija e tyre, Durrija, e re në moshë dhe me katër fëmijë, të mitur, kish mbetur e ve.

Sipas traditës së trevës, në shtëpinë e të ndjerit u kryen ritet përkatëse të pasvdekjes. Pas ceremonisë të përcjelljes në banesën e fundit, sipas ritit bektashian, të ndierit iu bënë të shtatat. Për të kujtuar Lazen dhe në nderim të tij, për të kremtuar “ të shtatat”, erdhën njerëz nga familja e Durrijes dhe u mblodhen miq e shokë të familjes Danaj.

Atë natë, në shtëpinë e Kamber Danaj, në Qesarat, asnjeri nuk mbylli sy. Të gjithë qanin, disa me zë e të tjerë psherëtinin. Pati dhe nga ata që i bënin shërbimin qëllimit të tyre të mbrapshtë. Ngjante si një mbledhje, ku sejcili bën llogaritë e tij, pavarësisht se çfarë kishte ngjarë para një jave. Vëllai i madh i Durrijes, si dajo i katër jetimëve, respektohej e nderohej në atë komunitet dhe i zinte vend fjala . Mendimi i tij, dëgjohej, me vemendje e fjala e tij ishte me peshë. Ai, pa pyetur të motrën, në atë kuvend, shfaqi mendimin e mbrapshtë duke shpalosur variantin më të rëndë për të gjithë të hidhëruarit e asaj tragjedie. Ky variant ogurzi, ishte në interesin, vetëm të këtij xhahili. Sipas këtij varianti; Durrija, e mbetur e ve, me katër fëmijë të parritur, pas kalimit të të shtatave të burrit, duhet të linte shtëpinë ku erdhi nuse e lindi katër yje, pra “të dilte” dhe të shkonte për të jetuar në derë të babës, në Toç.

Përfytyroni për një çast atë gjendje shpirtërore tejet të rënduar të gruas së re . Kë të qante më parë ajo grua e mjeruar: Burrin që u nda nga jeta, tragjikisht e aq papritur; katër fëmijët që do ti linte, pa nënë e pa baba, apo shtëpinë e burrit, me të cilën e lidhnin shumë kujtime të shtrenjta, mallin e katandinë dhe miqësinë e shoqërinë që e donin dhe e respektonin shumë? Ngado që ta kthente kokën ajo grua e mirë, vështronte vetëm hije të errët e asnjë rreze drite. Vëllai i madh i saj, me karakter të formuar për së mbrapshti e me vese, i bënte llogaritë në interes të tij. Ndoshta ai kishte bërë “pazare” e kish hyrë në tratativa ç’njerëzore dhe, në fund të fundit, “ fitoi” “ uni “ i dajos, të cilit i shkonte fjala, jo vetëm për shkak të statusit që gëzonte.

Mendimi i tij ishte dukshëm i kamufluar e keqdashës.
Në Danaj, por jo vetëm, u krijua një situatë mjaft e nderë. Shumë burra ( se gratë, aso kohe nuk pyeteshin, as për fatin e tyre),e kundërshtuan mendimin e dajos, me logjikë por, në fund të fundit, u bë siç donte dajua i madh. Të shumtë ishin ata që të trullosur nga gjëma që i pllakosi, e kishin të vështirë të gjykonin me mendje të kthjellët e me objektivitet. Vocërrakët, asqë mendohet të kuptonin e të reflektonin, për fatin e tyre, pas asaj që ngjau. Ata, tashmë përkundeshin në tallazet e një deti, vala e të cilit nuk dihet se ku do ti përplaste.

Pas kaq vitesh dhe në kushte relativisht të qeta, më duket e lehtë të bëjmë analiza e të lëshojmë deklarata, në të mirë të grus së ve apo kundra saj. Ju ftoj, sejcili ta vere veten në vendin e në rolin e asaj gruaje, të cilën e goditi aq keq gjëma e madhe- vdekja e burrit dhe mbetja vejushë, me katër fëmijë. Durrijes i iku “ drita e syve”, burri, të cilin e donte shumë dhe me të kish lindur katër fëmijë të cilët, fati i dënoi të rriteshin jetimë. Sa të rëndë e kish ajo grua të “ dilte” nga shtëpia e burrit e të linte, në mëshirë të fatit, katër jetimë. Pa e pyetur fare Durrijen, protagonisten kryesore te kësaj ndodhie, sipas mentalitetit anadollak, me një frymë “ uni” të shfrenuar dajua i fëmijëve, duke i bërë shërbim planeve dhe pazareve që kish bërë, mori një vendim që vinte ndesh me interesat e pesë njerëzve të pafajshëm.

Çfarë bluante në mendje ajo grua e çfarë përjetonte shpirti i saj i trazuar? Gjendja psikologjike e një gruaje, në rast të tillë është, jo vetëm e rënduar dhe çoroditja e pranishme, por, ajo, në shpirt mallkonte shkaktarët e gjendjes së krijuar, pa ditur cilët ishin ata. Për hir të traditës me të cilën ishte ushqyer dhe besimit të verbër që kish, tek vëllai i madh i saj, Durrijes nuk i shkonte mendja se i vëllai kish plane ogurzeza, për atë dhe për fëmijët e saj. Ajo “e gëlltiti”, në heshtje dhe e ndau me veten e saj, helmin që i ofroi fati dhe iu nënshtrua situatës së rëndë që u krijua.
Me zemër të copëtuar, e brengosur e me dhimbje therëse në shpirt, Durrija, mes ulërimave lebetitëse të vocërrakëve të saj ,të cilët ishin kapur pas fustanit të zi të nënës e nuk shqiteshin kollaj prej tij, të nesërmen e të shtatave të burrit, u çapit , me përtesë e mëdyshje, sikur ta tërhiqnin zvarrë, i ktheu krahët shtëpisë ku kaloi halle e u bë katër herë nënë, u largua nga shtëpia bashkëshortore, e cila ndodhej në mëhallën Zeqaj të Qesaratit, e shkoi drejt fshatit Toç ku ishte shtëpia e nënës së saj. Vëllai përpara, i hipur në kalë, e Durrija, pas tij, e ngarkuar me brenga e derte, afër mesditës, mbërritën në Drizaj të fshatit Toç. Mbi një kafshë ngarkese, e cila vinte pas tyre, ishin ngarkuar disa nga plaçkat që Durrija kish prurë, në Zeqaj, si pajë. I duheshin edhe ato vëllait gjyhnaqar.

Edhe në familjen e saj, në Drizaj, sundonte zija. Kur në shtëpi hyri Durrija, kuja u theksua më tepër e njerëzit e ngritën tonin. Shumë qanin me zemër. Më të rriturit bënin kurajo për vete dhe mbanin me gajret me të vegjëlit. Gratë, nën zë bënin komente nga më të ndryshmit. Shumica e tyre, në veçanti gato që ishin bërë nëna me fëmijë e ishin të përkushtuara pas tyre e për familjen, dënonin, me shpirt, lënjen prej Durrijes të katër fëmijëve, jetimë të dyfishtë. Ato dënonin dhe “ veton” që kish vendosur vëllai i madh, si “ zot shtëpie” e njeri me influencë. Nuk ia dinin hallet ato gra zemërmira, Durrijes , prandaj bënin fajtore atë, kur foleja e fajit ishte gjetkë.
Në mjediset e fshatit e më gjerë egzistonte një kornizë e pashpirt traditash, e rregullash të pashkruara të huajtura, nga pushtuesit osmanë, për trajtimin e gruas. Ato e konsideronin atë skllave dhe të detyruar ti përjetonte ndodhitë, qoftë dhe të hidhura, si rasti që sollëm, në heshtje. Durrija, në atë mjedis, si të gjitha gratë, ishte “ memece”. Ajo, vetëm duhet ti bindej asaj që vendosnin të tjerët, për atë e për fatin e fëmijëve të saj dhe ta ndrydhte hidhërimin, brenda qënjes të saj të brishtë.

Për Shabanin, vëllanë dhe dy motrat e tij, largimi i nënës nga shtëpia prindërore, ishte një tjetër vdekje, ndoshta më e rëndë nga e para. Të mbetur pa nënë e pa baba, ata do të endeshin, në dorë të fatit e do të rriteshin derë më derë, pa kujdesin e atyre që i kishin lindur. Shabani dhe motra e madhe, Hamua, u mbështetën tek xhaxhai ( vëllai i Lazes)- Sinan Danaj, në Qesarat. Sinani dhe e shoqja e tij, Lalaja, i futën ata në vatër, së bashku me fëmijët e tyre biologjikë e i rrethuan me dashuri e përkujdesje prindërore. Dy fëmijët e tjerë: Abazi dhe latantja Zengjine, shkuan në Toç, tek nëna e nënës, e cila jetonte, e ndarë nga djali i madh, gjëmëmadh.

Mjaft tragjike rrodhi jeta e Durrijes, gruas së re që mbeti e ve, me katër jetimë të parritur. Ajo qendroi në derë të babës, dy vjet. Shpirti i saj e di si qëndroi, ajo grua? Si mbi gjëmba i përcolli ata dy vite jetë, të trishtë. Nuk e mbante vendi për fëmijët që i kish braktisur, nën presionin e vëllait të madh. Sikur të mos mjaftonte kjo gjëmë e madhe, që i kish rënë mbi supe, pas dy vitesh, i vëllai mëkatar, bëri një prapësi tjetër: Ai ia shtoi brengën dhe barrën të motrës, Durrisë. Ai u bë nismëtar, për ti gjetur burrë së motrës dhe e martoi. Kjo martesë e re, mund të quhet ogurzezë, për rrjedhojat që solli. Durrija vajti nuse në një shtëpi, e cila ishte përballë shtëpisë të burrit të parë, të ndjerit Laze. Ajo grua e bindur, me zemër e shpirt të copëtuar, në shtëpinë e burrit të ndjerë kish lënë katër të lindurit prej saj, fëmijët që kish sjellë në jetë, të cilët i donte si zemrën dhe shpirtin e saj.

Vëllai i madh dhe ata që e përkrahën mendimin e tij të mbrapshtë, kujtuan se e veja Durrije e kish kapërcuer brengën dhe dëshpërimin që e pllakosi, pas ndarjes nga jeta e burrit të parë dhe pasojat që rrodhën, por u gabuan, rëndë. Durrija , nën presionin e vëllait dhe të sajve, shkoi nuse në një derë tjetër, në Qesarat. Për ironi të fatit, shtëpia e re ishte përballë asaj që kish lënë gruaja fatkeqe. Durrija, tek vështronte, nga dritarja fëmijët e saj, që luanin në oborr, i therte në zemër e shokohej. Ajo, vajti “nuse”, ditën e enjte dhe, asaj të diele ( pas tri ditësh), u kthye në shtëpinë prindërore, e pa jetë. Kishte “plasur” nga brenga e thellë që e kaploi. Pas ndarjes nga jeta të nënës së tyre, tragjedia e katër jetimëve mori përmasa të tjera, më të mëdha, nga ajo që shkaktoi, vdekja e babait të tyre. Ata mbetën edhe pa nënë, të cilën edhe pse nuk e kishin pranë, imazhi i saj, i mblojtur me fanatizëm në përfytyrimin e tyre , i “ ngrohte” e i mbante me shpresë.

Nën kujdesin e xhaxhait e të bashkëshortes së tij, Shabani, u rrit pak; ai u bë 7vjeç. E kish moshën për të shkuar në shkollë, si bashkëmoshatarët e tij, por, për fat të keq, aso kohe, në Qesarat, nuk kish shkollë; të asnjë niveli. Ai mësoi për të shkruar e për të lexuar,” vjedhurazi”, në kusshte mjaft të rënda shpirtërore. Ishte djali i madh i familjes, të mbetur pa asnjërin nga prindërit dhe, nëvend që ti drejtohej derës së ndonjë shkolle, nisi jetën e vështirë të yzmeqarit. Me ndërhyrjen e rrethit familjar e miqësor të Danajve, Shabani u pajtua hyzmeqar, në një familje humane në Krahësin Nr.1 të rrethit të Tepelenës. Dera e njohur, për bujari e Sulo Dervishit, u bë jatak për jetimin e parritur Shaban Laze Danaj. Në atë “ prag” bamirësish, Shabani gjeti një mjedis të ngrohtë e u ndie mirë. Bashkëshortët Sulo Dervishi dhe e shoqja-Memja, e cila, ishte zonjë e zotëruar, e trajtuan jetimin, jo si yzmeqar, por nuk e ndanë atë nga fëmijët e tyre. Nënë Memja, një grua fisnike, me “ Z” të madhe, me shpirtin e saj, si det e me zemër nëne i mbushi, disi, njomëzakut, atë boshllëk që krijoi ndarja nga jeta e prindërve të tij.

Në anët tona, ata që e besonin fatalitetin, kur bisedonin mbi këtë temë thonin: “ Po erdhi e keqja, hapi derën”! Për ta justifikuar slloganin e rëndomtë, përdorin dhe thënien :” Jo çdo e keqe bën vetëm keq”! Në rastin tonë, heroin e këtij rrëfimi, Shaban Laze Danaj, e pllakosi rëndë, që në fëmijëri, një gjëmë e rrallë. U ndanë nga jeta dy prindërit e tij. Por, jeta, me larminë e saj, e çoi atë në një familje ku, jo vetëm gjeti strehë, por dhe ngrohtësinë e dhimbsurinë që i mungonte. Shabani, vetëm emrin kishte yzmeqar; ai u bë pjesëtar i familjes dhe çifti “ kujdestar” qasej tek ai, si tek të gjithë fëmijët e tjerë. Të qënit në një mjedis miqësor, nuk ishte i vetmi faktor; vlera të rralla ka ajo grua me dhimbsuri nëne dhe bashkëshorti i saj, me zemër të gjerë, i cili , kur trajtonte fëmijët, në vatër nuk bënte diferencime.
Meqënëse Shabani ishte në moshën e një fëmije të pjekur para kohe, nga hallet që i ranë mbi kokë, në vegjëlinë e tij, bënte punë të rëndomta, nga ato që nuk kërkonin forcë fizike të madhe si: kujdesej për bagëtitë e imëta; mbushte ujë, afronte drutë tek varta apo tek furri i shtëpisë, u hidhte gjedhëve dhe kalit, zaire etj. etj. Tek shkonte për të kryer punët që i ngarkonin, Shabani vështronte fëmijët e moshës së tij, disa nga të cilët me torba rrobe, në krah, brenda të cilave mbanin libra, shkonin në shkollën, e cila ndodhej në krye të fshatit, tek xhamija. Sa do të donte jetimi yzmeqar, që në torbën e tij të bukës, brenda së cilës e mira Meme kish vendosur pak bukë, një copë djathë apo çfarë ti ndodhej, të kishte libra, si shokët. Por nuk e pati atë shans, prandaj, “ vodhi” çfarë mundi, nga shkollarët dhe arriti të mësojë shkrim e këndim, pa shkuar në shkollë.

Ai çonte në kullotë bravaret e familjes Dervishi dhe i kulloste ato, atyre brinjave e rrëpirave. Dobia e këtij statusi për Shabanin e vogël ishte e shumëfishtë. U shërbente bagëtive të imëta, me shumë kujdes e dashuri, por dhe ato ia shpërblenin. Qumështin e pinte, një thelë mish të pjekur, kur “bëhej gjak”, e konsumonte; nënë Memja i kish thurur një triko, të trashë, të leshtë, nga leshi i dhenve që kish përpara . Edhe çorapet që vishte e nuk futnin ujë, nga dhëntë që ruante vetë ishin thurur etj. Duke bredhur pas bravareve, në atë terren jo të rrafshët e nëpër pyll, Shabani u shkathtësua e u aftësua për të vrapuar edhe nëpër terrene tëvështirë e në rrëpira. I rastiste që ndonjë dele të shkëputej nga shoqet e Shabani i vogël kthehej, e kërkonte atë në kullotë dhe në shtëpi e çonte të plotë numërin e dhenve, aq sa nzorri nga katoim në mëngjes. I njihte dhentë që kish përpara e u drejtohej me emër: Bejka, syska, sykuqe, llajë, mënjë, vakërra , krruta, kaleshe etj. Kur u fliste dhenve, në emër e ëmbël, atij i dukej sikur bisedonte me motrat dhe vëllanë që kish lënë në Qesarat e skiur shmallej pak me ta. Duke qëndruar shpesh në pyll, atij iu largua frika nga egërsirat, dhe duke u rritur, u burrërua e u trimërua, në vazhdimësi.

Jetimi nga Qesarati, u rrit në shtat e u burrërua në karakter, por, në shpirt ndjente një boshllëk, të cilin nuk mund ta mbushte, me asgjë. Vendin e nënës dhe të babait të tij, biologjik, nuk e zinte dot njeri, sido që në familjen ku ishte yzmeqar, gjeti gjithë ngrohtësinë dhe kushtet, sipas kohës. Në atë kohë, në hapësirat e Krahësit e në rrethina kish nisur propagandimi i ideve të Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Trualli për këtë ishte i përgatitur. Breza të tërë atdhetarësh, “e kishin pluguar tokën” e atdhetaria, tek njerëzit e thjeshtë kishte dalë në plan të parë. Kuvendet e burrave e të grave, nuk linin rast pa thënë të vërtetat, lidhur me pushtimin fashist të vendit dhe domosdoshmërinë e shporrjes të ushtrive të tij, nga trojet shqiptare. Shabani kish parë e i kish lënë mbresë portreti i luftëtarit të lirisë nga Krahësi Nr1, Kalo Brahim Xhaferaj, kapedanit famëmadh të trevës, pjesëmarrës në disa luftëra e aksione luftrake dhe donte ti ngjante atij.

Në adoleshencë, Shabani ra në kontakt me idetë e Rinisë Antifashiste të Shqipërisë. Në krahës e në rrethina kish aktivitet luftrak, batalioni partizan “ Baba Abaz” i cili kish dhe krahun e tij rinor. Shaban Laze Danaj, me urrejtjen që kish akkumuluar në gji për pushtuesit fashistë, falë dhe genit atdhetar që trashëgonte nga të parët e tij, me disa të rinj nga krahësi e nga fshatrat përrreth, fillimisht u regjistrua aktivist i rinisë komuniste e më pas u bë efektiv i batalionit partian të zonës “ Baba Abaz”. Kur u regjistrua partizan Shabanin e pajisën me një pushkë tip i vjetër, të prodhimit italian, me bajonetë. Ishte i parritur akoma bonjaku nga Qesarati dhe shëndetlig; pushkën e tërhiqte zvarrë; kur e hidhte në krahëqafë, ajo takonte në tokë. Jetimi Shaban Laze Danaj, u rrjeshtua në radhët e Brigatës së 5-të Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe u rrit e u burrërua, në luftë; duke luftuar.
Kudo ku luftoi formacioni partizan ku ai bënte pjesë, bonjaku, i pakët nga trupi e i njomë në moshë, u shqua për guxim e trimëri. Ato nuk ishin reflekse të moshës së tij të parritur por buronin nga dashuria për trojet e të parëve dhe nga urrejtja për pushtuesit. Shabani e kish “ vrarë” frikën, që kur u bë “shok” me pyllin dhe me natën, pa përfillur rrezikun imagjinar që dëftonin për egërsirat e pyllit dhe për qentë agresivë të fshatit. Në shëmbullin e partizanëve më të vjetër e me përvojë luftimesh, ai mësoi, në fushat e betejave si të luftonte e si të mbrohej. Pushka e Shabanit pionier, u dëgjua në mjaft troje amëtare, kudo ku luftoi Brigata e 5-të të famëmadhe dhe jashtë tyre, deri në luftimet për çlirimin e tokave të Jugosllavisë; në Vishegrad.
Në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe kapitullimit të ushtrive fashiste, kur shokët e tij partizanë, po ktheheshin, çlirimtarë, në vatrat e tyre, Shabanin dhe disa nga bashkëluftëtarët, e njësisë ku ai bënte pjesë, i zuri tifua e morrit të kuq, në fshatrat jugosllave, ku luftoi njësia e partizanëve shqiptarë. Ky ishte shkaku i vetëm i kthimit të tij në Atdhe, më pas shokëve të tij të njësisë partizane.

Më 24 shkurt të vitit 1945, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë kishte lëshuar një qarkore, sipas të cilës, pionierët partizanë duhet të ktheheshin në Atdhe, për të vijuar mësimet, në vitin e ri shkollor, atje ku e kishin lënë para se të dilnin partizanë. Shabani, ndërkohë ndodhej i sëmurë, në shtëpinë e një familje Jugosllave, e cila i shërbeu, me gjithçka duhej për shërimin e tij. Në atë gjendje shëndetësore, i ligështuar fizikisht e me temperaturë të lartë, ai nuk mund të merrte udhë, në këmbë, prandaj u kthye në Tiranë, pas shokëve. Kur u bë i aftë për të udhëtuar, Shabani, në këmbë, përmes peripecive të rrugëtimit të gjatë, në kushtet kur rrjeti rrugor i vendit ishte inegzistent e urat ishin të shkatërruara, bonjaku nga Qesarati u kthye në Tiranë, tek bashkëluftëtarët dhebashkëmoshatarët e tij ishpartizanë.
Më 28 mars të vitit 1948, në Tiranë, ishte përuruar Shkolla e Kadetëve, e cila mblodhi, fillimisht pionierët partizanë të cilët u ulën në bangat e shkollës, për të vijuar mësime; aty ku i kishin lënë. Nxënësit kadetë, u kthyen nga lufta valë –valë e ashtu nisën mësimet. Mes nxënësve kish disnivel të theksuar. Kishte kadetë që e kishin ndërprerë proçesin e të mësuarit në klasën e pestë, kur të tjerë, si bonjaku ynë, nuk kishin shkuar asnjë ditë, në shkollë por kishin mësuar shkrim e këndim “vjedhurazi”, në fshat, apo në shkollën e malit. Nxënësit i nisën mësimet, siç erdhën nga mali: me veshjet partizane e me armatimin personal në krahë. Armët i mbanin me vete, kudo, në klasë e jashtë saj, si në formacionin partizan nga erdhën. Ndonjëri, mbabte nën jastëk bombat e dorës, me të cilat nuk ishte ndarë kurrë, madje dhe kish fjetur me to, në mal.

Më 29 nëntor të vitit 1945, Shkolla e Kadetëve mori emrin e Heroit tonë Kombëtar “Skënderbej”. Skënderbegasit ishpartizanë, u gëzuan shumë që morën këtë emër dhe kjo dukej hapët, në fytyrat e tyre që ndrinin. Shaban Laze Danaj, vërtet ishte 14 vjeçar kur doli në mal, por, në zjarrin e luftës, ai ishte dalluar për vlera të veçanta si guximi e trimëria. Më 9 korrik të vitit 1946, së bashku me bashkëmoshatarë të tij ish partizanë, ai u dekorua me: “ Medaljen e Kujtimit”; me atë të trimërisë e të Çlirimit. Për jetimin Shaban Danaj, ditët e brengës dhe ankthi, nuk kishin të sosur. Pas 10 korrikut të vitit 1946, skënderbegasit, shokë të Shabanit, shkuan me leje, pranë familjeve. Përpara bonjakut, lindi dilema e madhe: ku të shkonte? Prindërit e tij ishin ndarë nga jeta e në Qesarat kishin mbetur vetëm të afërmit e tij. Motrat dhe vëllai biologjik ishin shpërndarë, si “ zogjtë e korbit”! Shtëpia prindërore nuk ishte më e tij e në Qesarat, nuk e priste njeri.
Pranvera e vitit 1947, për heroin tonë çeli një rreze drite. Skënderbegasit iu nënshtruan një kontrolli mjekësor. Shabani, kur ishte partizan, në Jugosllavi, ishte sëmurur nga tifua e morrit të kuq. Ai, vajti në kontroll, me drojën se mos sëmundja kish lënë gjurmë në organizmin e tij, por, për fat të mirë, kontrolli mjekësor, rezultoi i pëlqyeshëm për jetimin. Sëmundja nuk i kish prekur organet jetikë të tij dhe ai u deklarua i aftë për të ndjekur studimet në fushën e aeronautikës. Një bonjak me zemër të zjarrtë, si Shabani, do të bëhej pilot. Dihet, se, në atë kohë, në vendin tonë të varfër e të prapambetur, nuk kishte shkollë aviacioni dhe njohuritë për shkencën e fluturimeve tek njerëzit ishin të pakëta.
Në muajin janar të vitit 1948, dy grupe skënderbegasish, u nisën për të kryer studime, në Jugosllavi. Djemtë e njërit nga grupet, do të studionin për aviacion; tjetri –për xhenjo. Shabani u klasifikua në grupin e aviatorëve të ardhshëm. Si shokët, dhe ai, nisi, me shumë vullnet e përkushtim, programin e shkollimit, në fushën e aeronautikës, në Zemun. Akoma pa përfunduar programin marrëdhëniet mes partive dhe shteteve tanë morën të krisur e, më në fund, u ndërprenë. Studentët e të gjithë specialiteteve u kthyen në Tiranë. Dsa, u ingranuan në sherbime teknike dhe me fluturime, me aeroplanë të tipave të ndryshëm, të mbetur nga Lufta e Dytë Botërore.

Pas një pushimi disaditor, në kryeqytet, shumica e studentëve, u dërguan në Bashkimin Sovjetik, për të vijuar studimet, në profilet dhe sipas prograneve të ndërprerë. Shabani, me një grup shokësh, shkuan, fillimisht në qytetin “Çkallov” e më pas në “ Engels”, në Siberi. Atij, nuk i eci në mësimin e mjeshtërisë së pilotimit dhe u deklarua i paaftë për të fluturuar, si pilot. Në muajin shkurt të vitit 1951, së bashku me një grup aviatorësh shqiptarë, me anijen sovjetike “ Çitauri”, Shaban Danaj, u kthye në Atdhe.
Më 24 prill të vitit 1951, në aerodraomin e Laprakës, në Tiranë, u formua reparti i parë luftarak i aviacionit tonë, i pajisur me aeroplanë lufte të tipit JAK-9 P. Ajo ditë njihet si ditë e formimit të aviacionit luftarak shqiptar dhe festohet, çdo vit. Po atë ditë, në aerdrom u vendos shërbimi i gatishmërisë roja, me një çift aeroplanësh JAK-9 P. Pilotë që fluturonin në këtë tip avioni në atë kohë ishin: Niko Hoxha; Edip Ohri; Babaçe Faiku; Fahri Bubësi; Peço Polena; Vasil Trasha; Thanas Gjiknuri; Haki Jupasi; Masar Aga ; etj. Skuadrilja e sapoformuar , kishte në përbërje 12 aeroplanë gjuajtës JAK-9P, të rinj, të prodhuar në uzinat sovjetike të aviacionit.
Skuadrilja bazë u formua; por asaj i duheshin disa shërbime. Njëri syresh, më i afërti ishte shërbimi parashutist. Me vullnetin e tij dhe me pasion, para se të formohej reparti luftarak, këtë shërbim e menaxhonte piloti guximtar, togeri Sazan Halim Xhelo, i biri i “Heroit tëPopullit”- Halim Xhelo. Pas formimit të repartit, kishte ardhur koha të mendohej, seriozisht edhe për shërbimin e parashutizmit që ti përgjigjej situatës së re, që u krijua, pas datës 24 prill të vitit 1951.
Në fillim të vitit 1952, në Tiranë, erdhi një major i Ushtrisë Sovjetike, me tagrin e instruktorit të parashutizmit, i cili quhej Ivanov. Ai kish qenë pilot dhe kishte ndryshuar profilin; ishte bërë parashutist. Majori Ivanov ishte hedhur me parashutë 750 herë, nga aeroplanë të tipave të ndryshëm e në kushte të ndryshëm të kohës dhe të motit. Lartësitë e flutuimit nga të cilat ishte hedhur Ivanvi, gjithashtu ishin të ndryshme. Misioni i ardhjes së tij, në vendin tonë ishte organizimi i shërbimit parashutist të aviacionit. Në Tiranë, majori sovjetik qendroi dy javë dhe gjatë kësaj kohe, u hodh me prashutë, dy herë.
Në njërën nga hedhjet, para se të ngjitej në kabinën e avionit PO-2, i cili pilotohej nga piloti shqiptar Babaçe Faiku, Ivanovi qendronte, i heshtur e i mendueshëm, i vetmuar, në një kënd dhe pinte duhan, pa pushim. Njëri nga pilotët tanë, i ndodhur pranë tij, kur vuri re shqetësimin e majorit, e pyeti atë, në koefidencë; si piloti –pilotin: “ Përse je kaq i menduar e i shqetësuar, shoku major? Mbase nuk ke aq besim tek piloti, por ai është nga më të mirët që kemi , quhet Babaçe Faiku dhe është trim. “ Jo, u përgjigj Ivanovi, nuk e kam aty hallin, por, sa herë hidhem me parashutë, më kaplojnë emocionet, si në hedhjen e parë.

Gjatë atij dyjavori, disa nga pilotët shqiptarë, ashtu si Ivanovi, u hodhën me parashutë, nga dy herë, sejcili. Në një hedhje, piloti trim i çartur, Sazan Xhelo, i cili përflitej si një njeri me “ fitil” të gjatë, por që ishte nga ata, të cilët nuk e njohin frikën; u hodh me parshutë, me hapje të vonuar. Sazani e vonoi shumë hapjen e pajisjes. Kur Sazani po i drejtohej tokës, dhe shokët që po vrojtonin hedhjen e tij, panë se lartrësia po paksohej, me shpejtësi marramendëse e mund të ndodhte e pa dëshiruara; majori sovjetik Ivanov, mbuloi sytë, me dorë që të mos shikonte përplasjen e tij me tokën. Mirëpo në lartësinë rreth 200m, nga sipërfaqja e tokës, parashuta që mbante Sazanin u hap ( e hapi Sazani) dhe kupola e saj u mbush, shpejt, me ajër. Një “ Ah” e zgjatur, me tone habie e me dëshirë të mirë, shpërtheu nga gjokset e të pranishmëve. Kur shokët shtrënguan duart dhe e prqafuan surprizantin, përveç urimit të tyre, nuk mungoi dhe ndonjë kritikë, e lezetuar me humor.
Shabani, i cili nuk arriti të bëhej pilot, por që trimërinë e mblonte përbrënda vetes, vështronte, me zili majorin sovjetik dhe miratoi, në heshtje, veprimin kurajoz, por të rrezikshëm të shokut të tij Sazan Xhelos. Atij i hipi në kokë dhe vendosi të mos i ndahej profesionit që kërkonte trimëri, siç qe parashutizmi. Pra, ai vendosi të mos ti ndahej profesionit trimëror por ndryshoi vetëm profil. Në atë kohë, Shaban Danaj mbante gradën e aspirantit. Ai iu përfill, seriozisht dhe intensivisht punës për të përvetësuar, sa më parë, të fshehtat e profesionit të vështirë të parashutistit.

Nuk e pati të lehtë, djali nga Qesarati orientimin në atë labirint pajisjesh e rregullash të panjohura deri atëherë, të cilat ishin përshtatur nga Ushtria Sovjetike, ku parashutizmi kish njohur zhvillim emasivizim dhe kish arritje të njohura. Iniciativën, guximin, trimërinë dhe vendosmërinë, ai i kish; i duhej të përvetësonte çështjet teknike. Jeta baritore e fshatit, shkolla e Malit që përjetoi, aktivisht, rruga e fluturimeve që nisi, në Jugosllavi e më pas, në Bashkimin Sovjetik dhe përjetimi i hedhjes me parashutë, si pilot e kishin bërë Shabanin të mos përfillte rreziqet e profesionit të ri por ti vështronte ato, “ në sy” e ti sfidonte.
Specialisti i ri i parashutizmit, bonjaku Shaban Danaj, në përpjekjet për të bërë të vetin profesionin e dëshiruar, u hodh, disa herë, me parashutë, nga avioni biplan PO-2, në aerodromin e Tiranës dhe jashtë tij. Bëri dhe përgatitjet e nevojshme teoriko-praktike, për të mësuar disa proçese pune, si palosja e parashutës, njohja e aparaturës përkatëse etj. dhe u bë parashutist i kualifikuar.
Në muajin korrik të vitit 1953, në kuadrin e festës së krijimit të Ushtrisë Popullore, në poligonin e Shkollës së Bashkuar të oficerëve, në Tiranë, u zhvillua një demonstrim i teknikës ajrore. Një çift aeroplanësh luftarakë, zhvilloi imitimin e luftimit në ajër; një çift tjetër avionësh, kreu qitje, me predha reale, kundër shënjave tokësore, kurse Shaban Danaj, u hodh me parshutë nga aeroplani biplan PO-2, me hapje të menjëhershme. Tashmë Shabani ishte bërë mjeshtër i madh i hedhjeve me parashutë dhe drejtonte shërbimin përkatës. Ai u hodh, me parashutë nga lartësia e fluturimit 200metra. Kjo lartësi, deri atëherë ishte e pa provuar nga parashutistët tanë dhe e panjohur, në vendin tonë e më gjerë. Rezikshmëria e kësaj manovre lidhej me pamjaftueshmërinë e lartësisë dhe të kohës për të bërë mbushjen, me ajër të parashutës, sipas llogaritjeve teorike. Ishte guximi, trimëria, pse jo dhe shpirti i aventurës të Shabanit kokëshkretë, i cili, me ndërgjegje të plotë e përballoi këtë situatë me rrezikshmëri të lartë. Nga komentet e shumta, dashamirëse të kolegëve dhe nga diskutimet analitike që u bënë, doli e qartë se, mbi situtën e pakëndshme që u krijua, fitoi trimëria eShabanit. Me këtë rast, ai u dekorua, me medalje trimërie. Gjoksit plot dekorata e medalje të Shaban Laze Danaj iu shtua dhe një simbol tjetër trimërie.

Viti 1954, e çoi Shabanin në krye të shërbimit parashutist të regjimentit të spoformuar të aviacionit, në Qytetin “ Stalin” i cili, u pagëzua, me emrin konvencional “ Peza”. Regjimenti i ri, i vetmi rgjiment në vendin tonë, u pajis me teknikë luftrake reaktive. Aeroplanët reaktivë Mig 15 çlironin shpejtësi të madhe dhe fluturonin deri në lartësi stratosferike. Për të dalë nga aeroplani, në raste ekstreme, pilotit i duhej të përdorte katapultën. Por, katapultimi nuk është një punë e lehtë; as një ndjesi e këndshme, për pilotin. Ai është një proçes i detyrueshëm, i cili i imponohet pilotit, kur nuk ka tjetër dalje. Kemi të bëjmë me një proçes, i cili kalon nëpërmjet disa veprimeve që pasojnë njëri-tjetrin. Në fund të fundit, hapja e parashutës, pas shkëputjes nga aeroplani dhe mbushja e kupolës së saj, me ajër, është akti final që siguron zbritjen e sigurtë të pilotit të rrezikuar.
Shabanit, të cilit i duhej të përvetësonte pajisjet dhe teknikën e re të daljes nga aeroplani,nëpërmjet katapultimit, i duhej dhe të vijonte hedhjet me parashutë, në kushte e lartësi të ndryshme, në të gjithë territorin e vendit, nga avionët egzistues, deri sa erdhën në vendin tonë aeroplanët AN-2 (në pranverë të vitit 1963), i cili çmohet si njëri nga aeroplanët më të përshtatshëm, për hedhje me parashutë. Hedhjet me parashutë, me hapje të menjëherëshme e sidomos ato me vetëhapje, nga parashutisti, ishin, jo vetëm hobi për Shabanin. Ai ishte familjarizuar me parashutën e ndihej mirë, vetëm kur hidhej me të. Mjeshtri, nuk iu nda, për asnjë çast hedhjeve me parashutë, derisa u nda nga jeta.

Shaban Danaj III

Në vitin 1956, në muajin prill, u importua nga Rumania, një mjet për mësimin e katapultimit, në tokë. Mjeti i trajnimit plotsonte të gjithë kushtet dhe krijonte ndjesinë tek piloti, se po shkëputej nga avioni. Mungonte vetëm shpejtësia e aeroplanit dhe rrethimi i trupit të pilotit nga rrymat e ajrit. Mjeti ri i trajnimit, u montua, në aerodromin e Qytetit “ Stalin” e u vendos, diku në mes të regjimentit. Në rolin e montatorit dhe të menaxherit, fillimisht u aktivizua, tiranasi Muhamet Farka, njëri nga specialistët e orëve të para të armatimit të aviacionit.
Repartt e aviacionit, nga viti në vit u shtuan e shërbimit të parashutizmit i duhej ti shoqëronte ata, në çdo rast e në çdo aerodrom. Në pranverë të vitit 1962, u formësua Regjimemti i Tretë i Aviacionit, në Rinas, i pajisur me 12 aeroplanë Mig-19 PM; me 12 aeroplanë Mig-17 F dhe me 2 të tjerë Mig -15, mësimorë. Ndërkohë ishte rihapur Shkolla e Aviacionit, në Vlorë, ku u grumbulluan e nisën proçesin mësimor, studentët e profileve të ndryshëm ( pilotë, teknikë e specialistë të aviacionit), të cilët ishin kthyer nga shkollat sovjetike të aeronautikës, pa plotsuar programet përkatëse. Në vitin 1967, u formësua Regjimenti i Helikopterëve, në Farkë dhe në vitin 1974, u përurua Regjimenti i Aviacionit gjuajtës-bombardues, në aerodromin e ndërtuar rishtaz të Gjadrit. Shërbimi parashutist, detyrimisht u bë pjesë e tyre. Shabanit iu paraqit detyra të përgatiste e të kualifikonte kuadrot oficerë, të cilët do të drejtonin këtë shërbim. Enver Isufaj, oficer me vjetërsi shërbimi, thuajse sa ajo e Shabanit dhe i caktuar, fillimisht ndihmës i tij, u emërua shef i shërbimit parashutist të SHkollës së Aviacionit, ku shërbeu, derisa doli në pension pleqërie.

Duheshin plotsuar organikisht dhe vendet e tjerë, në funksionin e drejtuesit të shërbimit parashutist, në regjimentin e Qytetit”Stalin”, për të zëvëndësuar veten dhe në atë të Rinasit, ku vendi ishte pa drejtues. Nga studentët e grupit të Batajskut, ishin deklaruar të paaftë, për tu bërë pilotë, dy studentë: Fadil Nexhip Nenaj ( Braho) dhe Nevruz Velo Duraj; të dy trima e guximtarë. I pari u emërua në Rinas; i dyti, në Qytetin “ Stalin”. Kjo ndodhi në fillim të vitit 1962. Kur u çel aerodromi i Gjadrit e u formësua Regjimenti përkatës, shef i shërbimit parashutist, u emërua Jovan Koruni. Të gjithë këta djem të gjallë e trima, u përgatitën e u stërvitën nga ana profesionale, prej mjeshtrit tëparashutizmit shqiptar, Shaban Laze Danaj.
Por nuk ishin vetëm këta “ nxënës “ të Shabanit. Në vitin 1965, në një tip kazerme, në Laprakë, u organizua Detashmenti i Sigurimit të Ministrisë së Mbrojtjes. Më vonë, u formësuaua, në Zall Herr, afër Kryeqytetit, Detashmenti i Zbulimit, ku bënin pjesë oficerë, nënoficerë dhe ushtarë të përgatitur ushtarakisht e të zgjedhur për nga kualitetet fizike. Shabani instruktoi, përgatiti e hodhi, me parashutë 800-1000 parahutistë; ushtarakë aktivë dhe nga ata në rezervë, të cilët linin punën dhe familjet e vinin , për t’u hedhur me parashutë. Përballimi i kësaj ngarkese fizike dhe psikologjike që iu imponua Shabanit, e detyroi atë të kualifikonte disa kuadro me të dhëna fizike cilësore dhe, domosdoshmërisht trima. Si të tillë u përzgjodhën: Ali Çena dhe Maliq Tonuzi, nga treva e Krujës; Baki Saliasi, nga Skrapari si dhe Sheme Kosova; Gani Elezi ; Osman Bilbili etj. Tërë përvojën vetjake që kish qëmtuar mjeshtri i parashutizmit Shaban Danaj, gjatë periudhës së gjatë të ushtrimit dhe në ato rreth 300 hedhje me parashutë, ua transmetoi, me bujari e përkushtim, “ nxënësve “ të tij mësimdashës. Ai gëzonte, kur djemtë trima që përgatiste, hidheshin, nga avioni, pa më të voglën drojë e hezitin dhe e dashuronin profesionin e parashutistit.

Në disa raste tipikë, ku u shpalos karakteri, aftësitë, iniciativa profesionale dhe shpirti njerëzor e bujar i të rriturit bonjak, ishin ata kur ai u shkoi në ndihmë e u shpëtoi jetën disa të rrezikuarve, nën peshën e fatkeqësive natyrore dhe atyre njerëzore. Tipik e me vështirësi të paparë ishte ndërhyrja e Shabanit, nga ajri, me parashutë, në vjeshtën e vitit 1955, kur lumi Mat, prej shirave intensivë që ranë ato ditë, kishte vërshuar e kish dalënga shtrati. Diku, në një “ ishull” në mes të lumit, ishte bllokuar një ekskavatorist, jeta e të cilit rrezikohej; nga çasti, në çast. Detyra u shtrua: Të shpëtohej njeriu, domosdo! Po si? Iniciativën për zgjidhjen e këtij problemi jetik, e mori përsipër vetë Shabani. Koha për të vepruar, nuk priste. Rreziku ishte iminent e rrugë tjetër shpëtimi, veç ndërhyrjes nga ajri, nuk kish. Prandaj, ai, ndërtoi në kokë planin e ndërhyrjes konkrete dhe urgjente. Bëri gati një parashutë, të tipit sportiv, nga ato që hapen nga parashutisti, montoi, në trup parashutën dhe dy varka shpëtimi, prej gome, nga ato që fryhen me gojë, u ngjit në një helikopter Mi -4 dhe u hodh, mbi “ ishullin”, e formuar nga ndarja e lumit, në dy pjesë, në mes të valëve të rrëmbyeshme të lumit, nga lartësi shumë e vogël; me preçizion. Shabani zbriti pranë ekskavatoristit, fryu varkat prej gome, njërën ia dha fatkeqit; tjetrën e mbajti vetë. Të dy dolën në tokë, pa as më të voglën gërvishtje. Kësisoj u shpëtua një jetë njeriu i cili ra në fatkeqësi; jo për spektakël e pa bërë llogari, por për humanizëm e përgjegjshmëri, ndaj detyrës, duke shpalosur shpirt sakrifice e trimëri.

Kur u hodhën me parashutë vajzat e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “ Enver Hoxha”, në aerodromin e Rinasit, aksion në të cilin ai ishte përgjegjësi kryesor; pas hedhjes së suksesshme të tyre, Shabani, siç e kish për traditë, kaloi në eufori e gëzonte, si fëmijë. Në koefidencë, ai i tha njerës nga parashutistet – Lidës: “ Sa emocione kam patur sot, që u hodhët ju, as në hedhjen e parë timen , nuk kam patur “! E ndjente shumë dhe i përjetonte shpirtërisht fuqishëm, mjeshtri i madh i parashutizmit emocionet e detyrës së vështirë që kish mbi shpatulla. Ndjente thellë përgjegjësinë që kishte, për mbarëvajtjen e “aksionit” dhe për të ruajtur jetën e pjesëmarrësve në të. Prandaj, para çdo hedhje me parashutë, atë e vështroje të vetmuar e në heshtje tek thithte duhan, pandërprerë.
Në të gjitha stërvitjet me hedhje faktike, Shaban Danaj, jo vetëm që ishte “ lojtar i mesit të fushës”; ai që mbante barrën kryesore të veprimtrisë por, në çdo hedhje, ai merrte pjesë, fizikisht. Ai ishte nismëtari dhe organizatori kryesor, i hedhjes me parashutë, për herë të parë të vajzave sportiste të Institutit të Kulturës Fizike: “ Vojo Kushi”, në aerodromin e Tiranës, nga helikopteri Mi-4, nga lartësia 800 metra mbi nivelin e detit. Pesë vajza e pesë djem sportistë si: pedagogja Flora Toto, kampione e vendit, në gjimnastikë; gjimnastja Polikseni Vjeshta; sportistet: Drane Cara e Vezire Meta, dhe shokët e tyre: Banush Kasalli; Dalip Lani; Kujtim Cicillari e Servet Kallo, duke u hedhur me parashutë, thyen mentalitete e çelën udhë të re drejt qiellit të Atdheut. Bashkëkohësit e Shabanit kujtojnë, me respekt, vendosmërinë dhe përkushtimin e tij, për t’u ndodhur, në krye të “ aksionit”, duke prirë me shëmbullin vetjak edhe në këtë rast. Ai, në ato ditë ndodhej i shtruar në Spitalin Ushtarak, duke u mjekuar. Për të mos shtyrë ditën e hedhjes, Shabani këmbënguli,tek drejtori, doli nga spitali, akoma pa u shëruar plotësisht, dhe u hodh me parashutë, i pari, për t’u dhënë zemër vajzave dhe sportistëve të tjerë. Nuk ka vend për t’u habitur e për ta trajtuar rastin, si shkelje të rregullave. Njeriu, i dashuruar pas profesionit e i përkushtuar në detyrë, në ndonjë rast mund të kalojë dhe në aventurë. Reputacioni që kish krijuar Shabani dhe roli i padiskutueshëm i liderit në fushën e parashutizmit, i erdhën në ndihmë mjeshtrit të madh edhe në këtë rast.

Nga njohja që kam dhe nga puna e përbashkët me heroin e rrëfimit; mund të konfirmoj, pa mëdyshje dhe pa e tepruar me epitete të pamerituar që krijojnë bezdi, se Shaban Laze Danaj, faktikisht dhe me punë këmbëngulëse, duke patur në anën e tij guximin dhe trimërinë e rrallë që e karakterizonin, u bë “ babai” parashutizmit shqiptar. Kjo nuk është glorifikim i figurës së tij, por një realitet, i cili ka gojë e flet, të cilin nuk e kam pikasur vetëm unë. Le tju bëj një informim të shpejtë dhe mendojeni vetë si ka rrjedhur puna: Pas ndarjes nga jeta, të heroit të rrëfimit, në atë fundviti 1987 e më pas, parashutizmi në vendin tonë, faktikisht pushoi së funksionuari. Në qiellin tonë, nuk u panë më, as “ pulëbardhat” që po flenë prej vitesh, në natyrë apo poshtëbetonit; as kupolat e mbushura me ajër, të cilat mbajnë poshtë vetes një desant ajror. Nuk e kam fjalën për disa hedhje amatoreske, qoftë dhe profesionale të disa të rinjve, me parashutat e kohës , qoftë dhe ato të tipit Ozone BU 22-Z 5. Por për një parashutim të mirëfilltë , me shkëputje nga aeroplani. .
Sa bukur do ti shkonin për shtat, këtij aktiviteti, vargjet brilante të Nolit tonë të paarritshëm:
“… Atje nisi, atje mbaroi;
Atje krisi, atje pushoi…”
Unë, këtë togfjalësh do ta përktheja: Parashutizmi shqiptar , nisi me Shabanin e perfundoi me largimin e tij nga jeta.
Portreti fizik i Shabanit:

Uniforma e ushtarakut i shkonte për bukuri atij shtati të lartë rreth 180 cm, të lidhur mirë e me muskuj. Trupi i tij ishte i mbushur dhe i shkathët. Flokët i kish të dëndur, të zinj dhe me onde. Ballin e kish të lartë, shënjë e fisnikërisë të tij, që nga geni. Vetullat e tij kishin ngjyrë të zezë,vetiu e ishin me formë e përmasa normale. Fytyra e Shabanit ishte e rrumbullakët, bojëgruri, disi vrarëlije. Sytë e tij ishin gështenjë, hunda –normale, e rregullt . Petkat i mbante të pastra, të rregullta e të hekurosura. Ai ishte i rregullt, e i disiplinuar. Shaban Laze Danaj i bënte nder figurës së ushtarakut dhe, në raporte pune, korrektësia ishte karakteristikë dalluese e atij njeriu. Në komunikim shpaloste edukatë të shëndoshë e kulturë qytetare. Si ushtarak me përvojë dhe i bindur, Shabani, në detyrë dinte të drejtohej vetëm: “ Urdhëro; siurdhëron”! Në raporte shoqërore ishte i qeshur e i gëzuar e me dorë në qafë.

Jeta në familje – shprehje e edukatës së shëndoshë dhe përkushtimit të tij.

Shaban Laze Danaj, nëvitin 1953, lidhi martesë me fisniken si ai, Ismianin, me origjinë nga Selenica e Kolonjës. Dasmën, çifti i ri, për vetë rrethanat familjare, e bëri në Tiranë; në prani të shumë miqve e shokëve. Banesa e parë ku u strehua çifti i sapomartuar ndodhej tek ish Radio Tirana.
Në vitin 1954, familja e re u vendos në Qytetin “ Stalin”, në banesën ku u strehuan familjet e aviatorëve: Haki Jupasi; Vasil Trasha; Thanas Gjiknuri; Bajram Hitaj; Sejdo kamberi; Kosta Dede etj. Nga martesa e tyre erdhën ë jetë 4 fëmijë: 2 djem e dy vajza. Fëmija i parë ishte Lidia. Pas saj u lind Gjergji e më pas Vjollca; për ta mbyllur me Agimin, si i prasmi i fëmijëve.
Shabani, së bashku me Ismianin i rrethuan fëmijët, jo me pekule e me lëshime, por me kujdes e interesim prindëror. Përkujdesja e tyre, përveç edukatës së shëndoshë, synonte plotsimin e kushteve sipas mundësive dhe kohës, që atyre të mos u mungonte asnjë komoditet i nevojshëm. Heroi i këtij rrëfimi shquhej për korrektesë dhe komunikim me edukatë, në raportet me fëmijët, në gjitoni e në shoqëri.

Pas shërbimit “ shëmbullor” në Regjimentin “ Peza” të Qytetit “ Stalin”, prej vitit 1970, Shaban Danaj, shërbeu në Tiranë, fillimisht në Depon Qëndrore të parashutave të aviacionit, dhe kish në menaxhim Regjimentin e Helikopterëve dhe Skuadrilen e Transportit Ajror. Të flasësh për rrugën lavdiplotë të parashutizmit në Shqipëri, është e pamundur të mos vesh re gjurmët e kontributeve të tij me vlerë.
Jeta ka disa limite dhe mjaft të papritura. Vdekjet, nuk i ngjajnë nëra-tjetrës, por, ato, gjithsesi lenë pas shumë dhimbje e trishtim. Jeta e ndritur e Shaban Laze Danaj, u pre krejt papritur, nga një atak kardiak, në Tiranë, më 3 Dhjetor të vitit 1978. Përcjellja në banesën e fundit, u krye të nesërmen, më 4 dhjetor 1978, në varrezat publike, të Sharrës, në Tiranë, me të gjitha nderimet; me shumë lot e dhimbje. Për ti dhënë lamtumirën e fundit, atij burri, erdhën mjaft përfaqësues, nga të gjithë repartet e aviacionit dhe nga Ministria e Mbrojtjes; shokë, miq, familjarë, gjitonë e dashamirë të tij. Vite më vonë, kur u nda nga jeta bashkëshortja e Shabanit, Ismiani, nën kujdesin e djalit të madh të tyre, Gjergjit, për të çuar në vend amanetin e të ndjerës, ajo u varros, atje ku prehet Shabani, në sharrë.

Opinione:
E kisha, thuajse të pamundur, gdhendjen e portretit të të paharruarit Shaban Laze Danaj, pa ndihmesën e miqve të mi, dashamirë, të cilët, kur i pyeta, derdhën në mbresat dhe në kujtimet e tyre, për “heroin” tonë, gjithësa dinin e mblonin në kujtesë, për atë njeri e specialist të rrallë. Pyeta shumë kolegë e bashkëkohës të tij dhe shkrojta, aq sa munda e si më frymëzoi jeta dhe vepra e tij. Tërë vlerat e Shabanit, si ato që mbaj mend vetë dhe mjaft të tjera që më sygjeruan të pyeturit prej meje, është e pamundur të pasqyrohen në një shkrim si ky. Prandaj po ju sjell në vemendje disa nga këta opinione:
1) Sulo Nelo Gërbi, veteran, bashkëfshatar dhe mik i fisit Danaj, të Qesaratit ( Tepelenë), njeri i letrave më tha: “ Shabani, u lind në Qesarat të Tepelenës, në një familje të varfër. Ai, mbeti jetim, qysh në moshë të vogël. Shabani nuk kreu shkollë, për arsye se në atë kohë, në fshatin tonë nuk kishte shkollë, por mësoi të shkruante e të lexonte autodidakt. Për të ushqyer veten, dy motrat dhe vëllanë, si fëmijë më i madh nga ata, kur ishte akoma i parritur Shabani u pajtua yzmeqar, në Krahës Nr.1, në një familje fisnike.
Në muajin maj, të vitit 1944, Shabani doli partizan e u inkuadrua në Brigatën e 5-të Sulmuese. Në përbërje të këtij formacioni partizan, ai luftoi, deri në Vishegrad. Pas çlirimit të vendit, Shabani u dërgua në Jugosllavi, e më vonë në Bashkimin Sovjetik, për t’u bërë pilot. Për kohën që ka qenë në fshat, ishte djalë urtë, i sjellshëm e i dashur. Shabani ka qenë tip i gjallë e i zgjuar. Sulo Nelo Gërbi, i ka kushtuar dhe një poezi Shabanit, e cila veçohet për realizëm e ndjesi të mirë. Po e citoj, më poshtë, atë poezi të ndjerë:
“… Po hidhem në Danaj, me ca vargje nderi;
Në krye të tyre, qëndronte Seferi;
Ka qenë i palodhur, në punën e vet- zot;
Ashtu siç e kishim, e kemi dhe sot;
Ashtu siç ka qenë, e kemi përherë;
Jetën seç ia shtoi, Qemua zemërgjerë.
Eh, Laze Kamberi, person i nderuar;
Me vështirësi të shumta, jetën ka mbijetuar;
Ishte bujk i mirë, por edhe i dorës;
Si trim ka luftuar, në Luftën e Vlorës;
Ka qenë atdhetar, e donte vatanin;
Në luftë dërgoi, dhe djalin, Shabanin;
Nga Brigatë e Pestë, gjer në Vishegrad;
Emrin e të atit, e ngriti, më lart.
Ishte mjaft i zoti, u bë oficer;
Dhe emrin e fisit, e mbajti me nder;
E thonë të gjithë: Ishte “ xhevahir”;
Në tërë Qesaratin, përmendej për mirë;
Me juve, o Danaj, puna qëndron ndryshe;
Se nga trungu juaj, kam patur një gjyshe;
Ne, nga gjaku juaj, kemi përfituar;
Ashtu si ju jeni, jemi të nderuar!

2) Fadil Nexhip Nenaj ( Braho)- parashutist, ish nxënës i Shabanit:
“… Shabanin e kam njohur qysh në vitin 1962, kur i hyra mësimit, prej tij, të profesionit të parashutistit. Ai ishte organizator shumë i mirë. Shaban Danaj, ishte i thjeshtë e fjalëpakë. Ai nuk kishte fjalë por ishte shumë i përkushtuar për detyrën, të cilës ia bënte shërbimin. Nuk ishte mendjemadh; as fudull, por i thjeshtë e i dashur, me njerëzit. Teknikën e hedhjes me parashutë e kishte mjaft të përpunuar e të saktë. Kisha vënë re ndikimin e përvojës së gjatë, si parashutist dhe faktin se Shaban Danaj u besonte shumë vartësve të tij. Mjeshtër Shabani është hedhur me parashutë në lartësi e në kushte të ndryshme, të motit, terrenit dhe të kohës; ditën dhe natën. Ai është hedhur në të gjitha hedhjet me parashutë, dhe, në çdo hedhje ishte i pari…”

3) Maliq Vath Tonuzi, veteran, ish paketues cilësor parashutash.
“… Mjeshtrin e parashutizmit shqiptar, e kam njohur në vitin 1965, kur isha ushtar i shërbimit të detyrueshëm, në Batalionin e Sigurimit të Shtabit të Pëegjithshëm të Ushtrisë. Ai më ka hedhur me parashutë, me duart e tij, për herë të parë, nga aeroplani AN-2, Në Shënavlash të Durrësit, nga lartësia e fluturimit 800 metra , mbi nivelin e detit. Sipas peshës së trupit, isha i shtati, në radhë. I pari, ishte Flamuri, nga Shkodra. Përgatitjen për t’u hedhur me parashutë, na e zhvilloi oficeri Baki Saliasi, nga Skrapari dhe Ali Çena, nga rrethi i Krujës, nën drejtimin e Shabanit.
Ku nuk është hedhur me parashutë, ai burrë? Po më kujtohen disa vende ku janë bërë hedhje, me parashutë, nën drejtimin e tij të drejtpërdrejtë: Akërnia, në Pishëporo, afër Novoselës, rrethi i Vlorës; Kthesa e Patosit; Mallakastër; Rinasi, në Tiranë; Derdhja e Matit; Bushnesh; Pylli i Drenushës; Koplik; Shënavlash etj. Shabani ishte burrë i mirë, i urtë e i “ shkëlqyer”, si njeri; si parashutist, ishte më i miri në Shqipëri. E dalloje lehtë mjeshtrin e madh, edhe pa e njohur , personalisht. Ai ishte fjalëpak e punësakt.
Shabani, më ka çmuar e më ka besuar shumë. Ato që mësova për parashutizmin dhe parashutën; të gjitha mi ka mësuar Shaban Danaj. Ai ka qenë mësuesi im,i vetëm. Sa i takon parashutizmit, nuk njoh tjetër njeri. Shaban Danaj ishte trim e printe me shëmbullin vetjak. Këtë na e futi në gjak edhe neve, nxënësve të tij. Ai nuk thosh: Hidhuni kështu e bëni ashtu, por, vishte parashutën, ngjitej në avion e hidhej i pari.

Para hedhjeve me parashutë, atij njeriu nuk i qeshte nuri. Kjo lidhej me përgjegjësinë që ndjente, si organizator e si drejtues i drejtpërdrejt i aktivitetit. Ai kishte merak edhe për punën tonë, si instruktorë të parashutizmit. Ishte tepër korrekt e nuk përtonte. Na i përsëriste veprimet , shumë herë , deri sa ti përvetësonim ato. Nuk përdorte alkool por pinte shumë duhan. Për çdo aktivitet, Shabani mbante ditar e ishte i rregullt. Pas kryerjes së detyrës, qeshte e gëzonte dhe na hidhte dorën në qafë. Ai ishte njeri i të dy ekstremeve në qendrimin ndaj detyrës: aq sa ishte i rreptë e kërkues,ishte , para detyrës; aq i dashur bëhej pas kryerjes së saj. Kur ishte fjala për të zbatuar rregullat dhe normat, Shaban Danaj, nuk të falte. Kur bënim paketimin e parashutave, Shabani qetësohej, vetëm kur vrojtonte, me vemendje e kur prekte, me dorë, çdo detaj, i cili neve, na dukej “vogëlsirë”

Në një hedhje me parashutë, në aerodromin e Rinasit, kur në rolin e kursantit ishin vajzat e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, si instruktor i tyre, e hapa parashutën me vonesë. Ky veprim imi, në kundërshtim me rregullin, nuk kaloi pa rënë në sy të Mjeshtrit të Madh. Kur zbritëm në tokë, Shabani m’u afrua e u mat të më godiste me pëllëmbë. “Të kam si djalin tim, më tha ai, e ti shkel disiplinën teknike, nënvleftëson rregullat e hedhjes me parashutë” Dhe më ndëshkoi, duke më hequr të drejtën për të shfrytëzuar parashutën sportive, në hedhjen e radhës. Për të ndryshuar mendim, ndërhyri Novruz Duraj, si shef parashutizmi dhe koleg i Shabanit, ndërhyri dhe komisari i repartit, Çobo Skënderi, por mjeshtri muk lëvizi nga vendimi që kishte marrë. I tillë ishte Shaban Danaj; ai nuk bënte lëshime e diferencime; prandaj ia vlen të shkruhet për të.
4) Koço Biku, veteran, ishpilot, kryenavigator i aviacionit: “… Në sektorin e parashutizmit, ku ka drejtuar Shaban Danaj, gjatë shumë viteve, nuk kemi patur, asnjë shqetësim. Duhet theksuar se edhe pas bllokadës që na u bë lidhur me furnizimin material, rezervat që kishte krijuar Shabani, përballuan furnizimin me pjesë këmbimi edhe për 20 vjet…”
Përveç këtyre, ndihmesë me vlerë, më dhanë , nëpërmjet opinioneve edhe:
– Abaz Laze Danaj- vëlla i Shabanit;
– Gjergji Shaban Danaj- i biri i Shabanit;
– Telo Rako Dedi- pilot, bashkëkohës i Shabanit;
– Çobo Ibro Skënderi- pilot, bashkëkohës i Shabanit;
– Mustafa Hajdar Çiçi- pilot, bashkëkohës i Shabanit;
– Rait Ramaj- veteran, patriot i Shabanit;
– Kostandin Sadikaj – pilot, bashkëkohës i Shabanit;
– Aleksandër Çala – gazetar;
– Bahri Daut Meshau ( Përmeti) – pilot, bashkëkohës i Shabanit;
– Ylli Sefedin Sinaj – pilot, bashkëkohës i Shabanit;
– Flamur Mickaj – pilot, bashkëkohës i Shabanit , autor i librit: “ Mes qiellit e tokës mëmë”;
– Mateo Baba, bashkëkohës i Shabanit, autor i librit:” Historiku i aviacionit”;
– Thanas Gjiknuri- pilot, bashkëkohës i Shabanit, autor i librit me kujtime: “Në gjurmët e jetës time”.
Një shaka, pa mërziti:

Ndihmës të parë, Shaban Laze Danaj, qyshse ky mori detyrën e menaxherit të parashutizmit, në aviacionin tonë, kishte vlonjatin Enver Isufaj. Ai kishte studiuar në qytetin Serpuhov, të Bashkimit Sovjetik, në shkollën e aviacionit ku përgatiteshin specialistë për pajisjet elektrike të aeroplanëve. Shokë grupi të Enver Isufaj ishin: Todi Shuke ( ndjesë pastë); Myslym Gjoka; Refat Vrenezi, etj. Enveri ishte më shtatshkurtëri në grup dhe lëkurën e kishte me ngjyrë. Karakteri i hokatarit, tek ai, bënte që shokët të shkriheshin gazit edhe kur i kish kapluar mërzitia. Në biseda të lira, ai ishte i këndshëm e me zor e merrje vesh, nëse e kishte seriozisht atë që thoshte apo bënte shaka.

Në atë kohë, në mbasditët e të shtunave, në shtëpinë e kulturës të ushtarakëve të qytetit, organizohej vallëzim. Mezi e prisnin studentët tanë e sidomos vajzat ruse, këtë mbasdite relaksuese. Në modë ishte kënga që këndohej rëndom nëpër rrugët e qyteteve :
“… Subota, subota;
Horoshij vjeçjerok…”
Kënga i bënte jehonë mbrëmjes të së shtunës.
Në njërën nga këto mbrëmje, studentët shqiptarë të grupit ku bënte pjesë Enveri, u vonuan, duke u larë , fshirë e pispillosur, siç kërkohej në një mbrëmje vallëzimi. Pjesëmarrësit vendas kishin zënë vend në sallën e veprimtarive të tilla kulturore. Të kapardisur e si për ti dhënë vetes pak rëndësi, edhe pse ishin të pakët në numër, studentët shqiptarë, kishin menduar një shaka. Ata, mblodhën të gjitha medaljet, urdhrat dhe shënjat dalluese dhe, në xhaketën e daljes së lirë, ia varën Enver Isufit. Ky, si “ i bukuri shejtan”, i printe komunitetit shqiptar, i cili, në rrjesht për një hyri në sallën plot.
Sapo hynë në sallë tanët, të pranishmit u çuan në këmbë dhe përshëndetën, të huajt. Njëri nga studentët shqiptarë, i njohur si përgjegjës i grupit, tentoi të prezantonte Enverin, i cili mezi ngrinte xhaketën plot me dekorata. Menaxheri i asaj mbrëmje, përgjegjësi i shtëpisë të kulturës të atij qyteti, ndërhyri, me një ligjëratë të shkurtër, të thënë me zë të lartë dhe me qartësi. Ai tha: “ Nuk ka nevojë ta prezantosh; duket ai, kush është e çfarë është”! Të gjithë i drejtuan sytë nga shqiptari i ngarkuar me medalje dhe nisëm ti bënin atij elozhe. Shokët, ndryshe nga vendasit, e njihnin më së miri Enver Isufin. Disa nisën ta përgojonin, të tjerë e ironizuan e ia mbajtën si “ avaz” edhe pas mbrëmjes.

Bëri si bëri, ca me shaka e ca si të vërtetë, atë natë, ezmeri shqiptar shtatshkurtër, sipas motivit: “ “qesh e ngjesh”, fitoi një bonus më shumë nga shokët dhe vajzat ruse, të cilat, për hir të së vëtetës “ vdisnin” për t’u shoqëruar me të huaj, pas asaj ndodhie, nguteshin, kush ta ftonte më parë, “ heroin” e asaj mbrëmje, në vallëzim.

Për kurreshtarët:
Kohët moderne prunë në skenë teknikën reaktive; aeroplanët të pajisur me katapultë. Në vendin tonë, teknika reaktive e pajisur me katapultë u shfq, relativisht vonë. Vetëm në vitin 1954 e pas tij, u bë e mundur të pajiseshin repartet tona të aviacionit me aeroplanë të serisë: Mig 15; Mig-17F; Mig- 19 P M; Mig -19 S dhe Mig-21. Në rastet që vijojnë, pilotë të aviacionit shqiptar, në kohë e në reparte të ndryshëm, kanë qenë të detyruar të braktisin aeroplanin me katapultë, në rrethana, në të shumtën e rasteve të pa qartë, të mbarsur me rreziqe iminentë, për jetën e pilotit. Parë historikisht, mund të paraqesim këtë panoramë:
Ipari, u hodh me katapultë kursanti Petraq Qafëzezi, në verën e vitit 1960. Ai dhe shokët e tij të grupit, në atë kohë fluturonin, në aerodromin fushor të Pishëporos, për të mësuar pilotimin e aeroplanëve reaktivë Mig-15 Bis. Lartësia e fluturimit në të cilën katapultoi Petraqi ishte 4000metra dhe detyra që plotsonte ishte pilotazh, në zonë. Kursanti, në rrethana të paqarta për të, vendosi të braktiste aeroplanin, dhe u hodh me katapultë. Sistemi zinxhir i mekanizmave të katapultimit, për fat të mirë, funksionoi normalisht dhe parashuta u hap e u mbush me ajër. Kursanti zbriti në tokë shëndoshë e pa probleme.

I dyti, braktisi avionin me katapultë, piloti, Mustafa Gjokutaj, në fundvitin 1966. Ai fluturonte në pilotazh, në zonë, në rajonin e Çermës,me një aeroplan Mig-19S, në lartësi mesatare= 5000-6000 metra. Piloti ishte në proçesin e kalimit, në këtë tip aeroplani, dhe, duke kryer figura vertikale, të pilotimit, siç duket ra në iluzion e ka menduar se ra në shtopor ( një pozicion i padëshiruar, për pilotin) dhe vendosi, me miratimin e udhëheqësit të fluturimeve, të hidhej me katapultë. Edhe në këtë rast, mekanizmat funksionuan, parashuta u hap e kupola u mbush me ajër, piloti u ul, suksesshëm,në rajonin e Çermës.

Pas tij, braktisi aeroplanin, duke katapultuar nga aeroplani Mig-15 Bis, në lartësinë e fluturimit 4000 metra, gjatë pilotimit vertikal, në zonë, në aerodromin e Qytetit “ Stalin”, në vitin 1979, piloti i ri Valter Gargaj ( Qerimi). Edhe në këtë rast, sistemi i katapultimit, funksionoi “ perfekt” dhe piloti e takoi tokën, pa asnjë problem. Rasti u analizua dhe veprimi i pilotit u çmua si i nxituar.
Një katapultim me shkak iminent e të qartë ishte ai i pilotit të aeroplanit të sofistikuar Mig -21, nga piloti i talentuar Dhimitër Robo. Rasti, hapët, na dëftoi se aeroplani që pilotonte Dhimitraq Robo kishte defekt serioz dhe më në fund erdhi bllokimi i komandave. Piloti shtatlartë dhe i pashëm Taqo Robo, përballë kësaj situate serioze që iu krijua në ajër, me kompetencë profesionale dhe qetësi të parparë, u detyrua të katapultojë, duke braktisur makinën luftarake, mbi një terren malor, por, sistemi nuk funksionoi, si duhet dhe ai ra në tokë, pa parashutë.
Rast tjetër, por jo i ngjashëm me atë që u përshkrua më sipër, ishte ai i katapultimit të pilotit, me detyrë drejtues i skuadriles së parë, në Rinas, Sefedin Hasan Tomçini. Sefedini, atë ditë ( më 8 qershor të vitit 1976) do të ngjitej në lartësi stratosferike. Në proçesin e marrjes së lartësisë, për të shkuar në tavanin praktik të aeroplanit Mig-19S, piloti katapultoi, por, për fat të keq, mekanizmat nuk funksionuan plotësisht dhe piloti ra në tokë, pa parashutë, në rrethinat e qytetit të Lushnjës.

 

Ka ndodhur dhe një rast unikal e disi i çuditshëm. Në aerodromin e Qytetit “ Stalin”, në verën e vitit 1978, fluturohej me aeroplanë luftarakë, reaktivë, të tipave të ndryshëm dhe me avionë mësimorë. Në një situatë ajrore të vështirë, kur pilotit që kontrollohej iu shkëput, në ajër fanari i kabinës dhe kontrolluesi, Bashkim Duçkollari, nga kabina e dytë, në pamundësi të pilotonte avionin, për shkak të rrymave të fuqishme të ajrit, të cilat ishin verbuese, katapultoi. Ai u ul në tokë, me parsashutë, kurse piloti i ri, nga kabina e parë, me vështirësitë që njihen, e pruri avionin, në aerodrom.

Ky rrëfim i sinqertë, i cili i kushtohet mjeshtrit të madh të parashutizmit shqiptar Shaban Laze Danaj, njërit nga parashutistët më në zë të këtij profesioni burrëror, nëvendin tonë. Shabani bën pjesë në “gardën “ e atyre njerëzve trima, që vunë bazamentet e shërbimit jetik për aviacionin, siç është ai i parashutizmit. Sa kontributorë të tjerë me shumë vlera, kanë shërbyer, me devocion e janë ndarë, prej nesh, pa u ndier. Është në nderin tonë ti nxjerrim ata nga harresa e pamerituar e ti vendosim në piedestalet ku u përket. Një veprim i tillë, më tepër se një dëshirë e mirë dhe humanizëm, është një obligim madhor, për kontributorët e çdo fushe.

Në Tiranë, shkurt- mars 2016 Shkroi Niazi Nelaj