Sherifi, nostalgjiku i përjetshëm i fluturimve

Studentet per pilote ne Batajsk

Bëhet fjalë për një njeri, të prerë për t’u bërë pilot, të cilin, fati nuk e lejoi të prekte ëndrrën

Sherif Çelo Hajnaj ( Bracki), u lind në Patos të Vjetër, më 16 prill të vitit 1942, nga dy prindër, me origjinë nga vise të ndryshëm të vendit. Babai i tij- Çelo Shako Hajnaj ( Bracki), me origjinë nga fshati Brataj i rrrethit të Vlorës, u fut “ dhëndërr brenda “ në familjen e Rabijes, nga Rerësi i rrethit të Fierit. Çifti i sapomartuar : Rabije e Çelo Hajnaj ( Bracki ) u shtua, brenda pak vitesh me plot 8 fëmijë. Xha Çelua, burrë me haber e reputacion, nuk mund të vazhdonte të ishte “i vetëm”, në atë derë. Sherifi erdhi në jetë, i pari fëmijë i familjes që u shtua, me shpejtësi.Pas tij, erdhën në jetë: motra Bahrije; Shakua dhe binjkja e tij – Natasha; Sazani; Vjollca; Gjergji dhe, më në fund Drita.

Me pagën e një punëtori të thjeshtë nafte dhe nën kujdesin  e shtuar të nënë Rabijes, fëmijët e shumtë të çiftit u rritën, me frymën e ngrohtë të njëri-tjetrit dhe me ushqimin që përgatiste , me shijë, nëna e tyre heroinë. Në komunitetin ku jetonin, nënë Rabija ishte e veçantë, nga shoqet, sa i takon kujdesit për fëmijët dhe bashkëshortin e saj. Ajo ishte dhe e njohur si grua e normave zakonore  dhe për bujarinë e shpirtit të saj. Në shtëpinë e Çelo Shakos, hynin e dilnin, drekonin e darkonin miq e mysafirë të shumtë nga të dyja anët; si nga të xha Çelos dhe nga të nënë Rabijes. Ata gjenin në atë familje, një grua, së cilës i qeshte nuri e i kishte lezet mikpritja.

Sherifi, si të gjithë pinjollët e familjes Hajnaj ( Bracki), trashëgoi nga të parët atdhetarinë  e fiseve, në të dyja anët e origjinës. Atij i takoi fati të ishte më i madhi i tetë fëmijëve të çiftit, të cilin prindërit , shpesh e ngarkonin me detyra kujdestarie, për më të vegjëlit e familjes.  Ndoshta ky qe njëri nga faktorët kryesorë, të cilët, ndikuan, fuqishëm, për hedhjen shtat, si selvi, të djalit të madh të dy prindërve  bujarë, i cili u rrit, e u poq, më shpejt se koha, me dashurinë e me dhimbsurinë e vëllait më të rritur, për ata që erdhën në jetë, pas tij. Kur ai nuk ishte rritur akoma, e shkonte në shkollë, së bashku me torbën e sajuar, me mballoma, nga gjyshja e tij, ku mbante librat e shkollës shtatëvjeçare të fshatit, kur nisej për në shkollë , gjyshja dhe nëna i jepnin, të merrte “ kopanec” motrën Natashë, të cilën e çonte në çerdhe. Vëllai Shako, binjak me Natashën, ishte i lindur “ me këmishë”! Ai kish lindur mashkull dhe në atë familje me të kaluar patriarkale, ku djemtë trajtoheshin në mënyrë të diferencuar, në krahasim me vajzat, Shakon e mbanin në shtëpi, si “pekul” dhe kujdesi për të kalonte nëpër shumë sy.

Kur binte shi e rruga nga duhet të kalonte për të çuar Natshën, në çerdhe, bëhej e rrëshqitshme, për Sherifin akoma fëmijë, vështirësitë shtoheshin. Jo në një rast, ai kishte rrëshqitur dhe petkat e pastra që i kishte veshur nënë Rabija, bëheshin me baltë. Një ditë, pas rrëshqitjes së radhës, me Natashën në krah, Sherifi hyri në klasë; i lagur e me petka të ndotura, nga balta. Mësuesja e pikasi e i tha: “Paske rënë, o ditëzi “ ? U turpërua djaloshi, u skuq në fytyrë dhe, si i zënë në faj,  vetëm sa pohoi, me kokë. Atëherë, mësuesja e dhimbsur dhe e kujdesshme, e cila e njihte “në majë të gishtave” gjendjen e fshatit e të fshatarëve dhe e donte shumë Sherifin , si nxënës i zgjuar, e ftoi atë, të afrohej, tek soba e ndezur, me dru, të cilat i kishin sjellë vetë nxënësit. Nuk kuptohej, kush ishte skuqur më shumë? Sherifi, disi i turpëruar apo soba prej llamarine, e cila ishte ndezur e përhapte nxehtësi për vocërrakët? U ter Sherifi aty, pranë sobës, prej llamarine dhe mësuesja e mirë, atë ditë nuk e çoi në mësim e nuk e pyeti fare.

Në fshatin e lindjes, në Patos të Vjetër, djali i pashëm, i zgjuar, punëtor e shëndetplotë i Xha Çelos, i cili ishte mjaft i njohur e me reputacion në tërë trevën,qysh në fëmijërinë e herëshme, veçohej nga moshatarët e tij. Ai ishte jo vetëm i zhvilluar fizikisht e i shkathët, por dhe dëshmonte pjekuri e dhimbsuri për më të vegjëlit. Tipar dallues i figurës së djalit që po rritej,  ishte karakteri njerëzor dhe bujaria e shpirtit, të butë “ si mëndafsh”. Në lojërat që zhvillonin bashkëmoshatarët e tij, Sherifi shpaloste  jo vetëm tiparet e zgjuarsisë e të shkathtësisë, por dhe një fantazi të zhvilluar e gjetje të shpejta për zgjidhjen e situatave të lojërave fëmijërore. Shtatlartësia dhe tiparet e qënësishme, i jepnin atij pozicionin e liderit të komunitetit fëminor, kur organizonin lojëra të ndryshme.

Sherifi i luante, me dëshirë dhe cilësisht, thuajse të gjitha lojërat fëmijërore. Ai aktivizohej, fuqishëm,  si në shkollë dhe jashtë saj. Si tek çdo fëmijë i asaj moshe, edhe tek Sherifi, lodra më e preferuar ishte futbolli. Por nuk mund të them se mbeteshin shumë pas edhe lojërat e shpejtësisë, vrapimet në naryrë, lojërat e forcës, atletika e lehtë, deri dhe notimi. Sherifi dhe shokët e tij të njëmoshe e mësuan notimin në një “ govatë” të betonuar, të mbushur me ujë, e cila ishte e ndërtuar nga shoqëria italiane e shpimit dhe shfrytëzimit të vendburimeve të naftës. “ govata” kishte formën e një rezervuari uji, dhe shërbente për të furnizuar zonën, me ujë të pijëshëm. Fëmijët e asaj kohe, në kërkim të ndonjë pellgace me ujë, ku thellësia e saj lejonte notimin, e kishin gjetur të gatshme  “govatën”, e cila, plotsonte, për mrekulli kërkesat për të mësuar notin. Sherifi, aty e mësoi notimin dhe falë asaj “ govate” me ujë, u bë notar i mirë. Bashkëmoshatarët e tij, kur moti nxehej e vapa përvëlonte, nuk shkonin larg, por iknin nga shkolla, herë me leje e herë pa leje dhe kridheshin në atë “ pishinë” prej betoni, thellësia e të cilës arrinte në disa metra.

Në verën e nxehtë të vitit 1956, Sherifi i Xha Çelos, nga Patosi i Vjetër, përfundoi mësimet, në shkollën shtatëvjeçare, të fshatit, me tregues mjaft të mirë dhe, u nis, së bashku me të atin, në Qytetin “ Stalin”, ku ishte një shkollë e mesme e profilit të teknikut të naftës. I kishte bërë mirë llogaritë xha Çelua: Të shkollonte djalin e madh, në një profil ku duheshin mjaft kuadro të mesëm dhe ta mbante atë pranë familjes, në Patos të Vjetër. Akoma pa mbushur 15 vjeç, në shtator të vitit 1956, sherifi, së bashku me babanë e tij, u nisën për në qytetin e naftëtarëve. Rrugën, nga Patosi, në Qytetin “ Stalin”, e cila është rreth 25 km e gjatë, babë e bir, e bënë  të hipur mbi një kamion të rastit, të cilët, në atë kohë qarkullonin rrallë në ato udhë. Për xha Çelon, rrugëtimi, me kamionë të rastit, edhe pse i bezdisshëm, nuk  përbënte ndonjë problem të madh. Ai ishte njeri me reputacion, në krahinë e më gjerë. Vlerat e veçanta të tij, si trimëria, atdhedashuria, burrëria, fjala e mbajtur dhe fisnikëria, i kishin kapërcyer “gjerdhet” e trevës e dëftoheshin, rëndom, si historira zbavitëse.

Sherifi, u sistemua në konviktin e shkollës së mesme teknike, ku iu nënshtrua një regjimi  ditor, të përafërt me atë të një kazerme ushtarake. Në shkollë e në konvikt, djali i madh i xha Çelos u njoh e u miqësua me shumë shokë, moshatarë të tij, me disa nga të cilët e mblojti miqësinë edhe pas përfundimit të shkollës teknike të naftës. Shokë të afërt të tij u bënë:Pandeli Lëngu; Koço Ilija; Dhori Zhezha; Zydi Meçaj etj. Si në shkollën shtatëvjeçare të Patosit, dhe në Teknikumin e Naftës, djali simpatik i familjes Hajnaj ( Bracki), u rrit në moshë e në shtat, u poq e u burrërua dhe u pajis me njohuri të mirëfillta shkencore, në lëndët egzakte, të cilat i kishte për zemër; në shkencat e natyrës e  në ato shoqërore.

Kur ishte në maturë, në vitet 1959-1960, kur jetonte  vitet e adoleshencës dhe kishte shumë dëshira e ëndrra prej tyre  mori përparësi e doli më në evidencë dëshira për të fluturuar, si zogjtë e qiellit e për ta parë tokën nënë, nga lartësitë e qiellit blu. Shkolla  ku mësonte Sherifi dhe shokët e tij ishte pranë aerodromit të Qytetit “ Stalin”, në pistën e të cilit, lodronin disa zogj, të bardhë, të cilët bënin akrobaci, mbi hapësirën që vrojtonte Sherifi  me shokë, të hipur në kodrat e qytetit.Endra  e djaloshit mori krahë, kur pa që nëpër qytet shëtisnin pilotët, me uniforma të bukura lëkure dhe sidomos, kur dëgjoi se ato pulëbardhat që çanin qiellin, drejtohehin nga këta djem, të cilët i kishte rritur kjo tokë e kishin pirë sisë , nga gjoksi i nënave , si ajo e Sherifit. Se si i dukeshin ata njerëz; të tjerë, si nga veshja dhe nga sjellja. Ata ishin me trup të zhdërvjellët, të shkathët e të zgjuar,jo me trup katana por tërë muskuj, të cilët ecnin me kokën lart e me vështrim të mprehtë, si të shqiponjës. I shkrepi në kokë të bëhej shok me ta e të shëtiste nëpër qiell, si zog.

Më 26 gusht të vitit 1960, së bashku me 35 djem, si ai, të mbledhur nga të gjitha trevat e vendit, Sherifi, me një aeroplan gjigand të tipit TU-104, u nis nga aerodromi ushtarko- civil i  Rinasit dhe, mbas 2 orësh,  u ul në aeroportin e kryequtetit sovjetik, në atë të Sheremetjevos, në Moskë. Pas gati 48 orë rrugëtim me trenin që shkonte në Jug, Sherifi dhe shokët e tij, u pritën në stacionin e trenave të Rostovit mbi Don, nga disa studentë shqiptarë , për pilotë, shkuan në Aviogorodok ku u sistemuan në qytezën e aviacionit) të Batajskut. Do të bëhej pilot gjuajtës-bombardues, djali nga Patosi i Vjetër,  pa patur, deri atëherë asnjë  njohuri, për aeronautikën dhe për fluturimin e aeroplanëve. Rajoni ku e shtrinte veprimtarinë fluturuese shkolla e aviacionit, i përkiste rajonit të Kakukazit të Veriut, ku klima dhe traditat e popullsisë vendase ishin më afër me ambientimin që kishin studentët shqiptarë.

Në proçesin teorik, i cili u zhvillua në auditorët e shkollës së aviacionit, në gjuhën Ruse dhe ku lëndët drejtoheshin nga pedagogë në nivele shkencëtarësh, Sherifi, që në krye të herës ra në sy, jo vetëm për intelektin e tij të spikatur  dhe qetësinë, por dhe per sjelljen me edukatë e kulturë, të cilën ai e shfaqte në përditshmërinë e tërë veprimtarisë të tij. Fizikisht ishte më i zhvilluar e më i kompletuar, nga ne që vinim nga fshati, por ai, nuk e vinte veten, asnjëherë, mbi shokët.

Në mësim e në kohën e lirë, derisa u njoh e u miqësua me djem të tjerë, fillimisht, Sherifin e shikoje me ata që njihte, nga koha kur kishte kryer Teknikumin e Naftës, të cilët , si Sherifi, u futën , me dëshirë, në udhët e qiellit. Shokë të Sherifit ishin: Pandeli Lëngu; Dhori Zhezha; Koço Ilija; Zydi Meçaj etj., me të cilët kishte konsumuar ” një barrë me bukë” dhe kishte pirë “ një kazan , me çaj”, gjatë katër viteve të shkollës teknike. Ai , i konsideronte këta “ të tijët” e u jepte shoqëri , si më parë. Dita- ditës, Sherifi, u njoh e u miqësua me djem të zgjuar e të shkathët si: Mustafa Gjokutaj; Bardhyl Lubonja; Ahmet Sulejman Zogu; Vaso Leko Pesha  e mjaft të tjerë të cilët i bashkonte profesioni dhe karakteri.Në proçesin e përgatitjes teorike, e bëra shok Sherifin, bazuar në disa karakteristika të përbashkëta. Të dy vinim nga shkolla të mesme teknike, me vite të plotë studimi. Si Sherifi dhe unë, kishim vullnetin e mirë për të depërtuar në të fshehtat e shkencës e të teknikës së fluturimit, të cilat,  për ne dhe shokët tanë ishte një fushë e panjohur por e dëshiruar, nga të dy. Karakteri i çiltër i tij; sjellja qytetare, marrëdhëniet e barabarta me shokët, gatishmëria e tij për tiu ndodhur tjetrit, pranë,  kur ai e kishte të domosdoshme ndihmën e tij, ishin disa pika ku u mbeshtet lidhja jonë shoqërore.

Në shkollën e aviacionit gjetëm kushte të përshtatshme, për të zhvilluar prirjet tona, në drejtim të ushtrimit fizik dhe ne, të dy, të “ etur” për të konsumuar, shkencërisht, energjitë tona rinore, u dhamë, pa rezerva, pas kalitjes tonë  fizike. Ndoshta kjo ishte një pikë tjetër kontakti që na shtyri drejt njëri-tjetrit. Sherifi, ishte e në shkollë u bë ca më tepër, një sportist, cilësor. Kushtet që na ishin krijuar, palestra e pajisur me të gjithë aksesorët; fushat e volejbollit, të basketbollit, këndet e veglave, pedanat e atletikës, pishina verore , gropat e kërcimit, një kënd me vegla sportive , speciale, me shkallë të lartë vështirësie etj. ishin disa nga mjediset ku Sherif Hajnaj ( Bracki) kalonte kohën e lirë në dispozicion. I shim me fat se në çdo disiplinë sporti drejtoheshim nga trajnerë, me rezultate individuale,olimpike dhe së paku, me rekorde kombëtare vetjake. Sherifi i luante, me dëshirë, të gjitha lojërat por “ shpirtin” e kishte tek atletika e lehtë e në veçanti tek kërcimi së larti. Fakti që përqark fjetinës së përbashkët me studentë hungarezë, ata kubanezë dhe të tjerë, nga Vietnami, ishte një pyll, i dëndur e i lartë, Sherifie gjente një gropë me rërë, ose, vendoste, thjesht një stekë të sajuar mbi dy gërveça dhe niste kërcimin së larti. U puq dhe me studentin tjetër nga Shqipëria, Bardhyl Lubonja, një dymetrosh i gjatë, i cili e kishte hobi kërcimin së larti, dhe, të dy shalëgjatët tanë, stërviteshin, ku e si të mundnin dhe u bënë shokë, “për kokë”; shoqëri të cilën e ruajnë sot e kësaj dite.

Në një festival atletike që u zhvillua në qytetin bregdetar të Jejskut, mes ushtarakëve të aviacionit, shkollën tonë e përfaqësuan dy studentë shqiptarë: Sherif Hajnaj ( Bracki) dhe Bardhyl T. Lubonja. Të dy kapën norma të ndieshme sportive, për vendin tonë dhe zunë vende nderi në atë veprimtari sportive. Në pranverën e vitit 1961, mbasi kishim përfunduar përgatitjen teorike dhe atë në tokë, ishim hedhur dhe me parashutë, nisëm fluturimet me aeroplanët fillestarë, me helikë, Jak-18A. U ndanë grupet  fluturimit dhe instruktorët përkatës. Sherifi e ruajti “ gjeografinë”. Ai u caktua, në një grup fluturimi me instruktorin e teknikës së pilotimit, sovjetikun Sasha Ukollov; një beqar i madh; shok i ngushtë i instruktorit tjetër, me të njëjtin status- Zhenja Tjuterev. Shokë të grupit të Sherifit ishin: Pandeli Lëngu dhe Zydi Meçe; të dy bashkënxënës të tij, në Teknikumin e Naftës, në Qytetin “ Stalin”.

Kur dolëm në startet e fluturimeve dhe nisëm të fluturonim, nuk kaloi shumë kohë dhe Sherifi shpalosi vlerat e vërteta dhe tiparet dalluese të tij. Sherif Hajnaj ( Bracki), dëftoi, në praktikë se nuk ishte “ ujë i ndënjur”, por “një krua që gurgullon ujë të pastër e sulet vrullshëm, përpara”. Si fluturues, ai, u rendit shpejt me studentët më të përparuar të grupit tonë. Ajo që e dallonte nga të tjerët, djaloshin nga Patosi i Vjetër, ishte shpejtësia dhe saktësia me të cilën ai kapte elementët e fluturimit.Në përgatitjen për fluturim, ai ishte mjaft serioz dhe e shfrytëzonte  maksimalisht kohën e caktuar, për të zbërthyer, saktësuar e detajuar, çdo detaj. Ai nuk i linte gjërat ”zvarrë” e nuk i klasifikonte atë , në të vogla e më pak të rendësishme dhe, “ të mëdha  e me peshë. Akoma më serioz e më rigoroz, ai bëhej, sapo futej në kabinën e aeroplanit. I biri i xha Çelos, i kishte vënë vetes për detyrë tja përthithte, kapitenit Ukollov, instruktorit të tij të mirë, gjithë bagazhin që ai kishte grumbulluar në fushën e pilotimit të avionit Jak-18A. Dhe ia arriti qëllimit. Sherifi u lëshua në fluturime vetëm ( pa instruktorin në kabinën e dytë ) së bashku me studentët e grupit tonë më të përparuarit, si Agim Ismaili; Koço Biku; Bardhyl T Lubonja; Rrapo Kodheli; Bahri Meshahu ( Përmeti); Roland Sofroni; Sefedin Romçini ; Dhori Zhezha; Vaso Pesha etj. Jo vetëm kaq: Sherifi, pa u ndierë, pa shumë zhurmë e bujë, u bë njëri nga studentët më të përparuar të grupit tonë prej 36 studentë për pilotë.

Sherifin ne nuk e kishim vetëm shok në veprimtarinë tonë të përditshme, në fluturim. Ai ishte dhe  “berberi ynë” pa shpërblim. Ai na qethte, me shumë kujdes e sipas qejfit, me krëhër e me gërshërë. Nuk dinte të përdorte makinën e qethjes dhe e kishte të vështirë tu përgjigjej kërkesave të veçanta të disave nga shokët tanë, për tu qethur polluboks ( një lloj qethje tipike ruse, ku pjesa prapa kokës qethej “ zero”.  Disa nga shokët tanë, sidomos nga radhët e atyre që kishin fluturuar në vendin tonë kishin “tangërllëk” dhe megjithse në rregullore floku i studentit nuk duhet ti kalonte 2 centimetra gjatësi, ata kërkonin të qetheshin me modë.

Na rrëmbeu fluturimi, me intensitetin e tij dhe me befasitë që na shfaqte, kur kalonim nga njëri ushtrim në tjetrin, aq sa nuk e vumë re si kaloi vera e nxehtë dhe u habitëm kur vumë re se kishte ardhur vjeshta  e ne ndiemë erën e flladit të shtatorit 1961. Kishim përfunduar programin e fluturimeve e pritnim, pas fluturimit provim, të nisnim një etapë të re, më të lartë në fushën  e fluturimeve. Për fatin tonë të keq, marrëdhëniet mes dy partive dhe dy shteteve tanë, atij sovjetik dhe shqiptar, kishin arritur në pika kulmore acarimi, saqë, na u desh të përballeshim me një ultimatum ogurzi, i cili na urdhëronte të linim kufirin Sovjetik ( Moskën ) brenda 48 orësh. Për këtë është folur e shkruar mjaft herë dhe do të ishte pakuptim përsëritja. Më 16 shtator të vitit 1961, me një aeroplan të tipit, si ai që shkuam, u kthyem në Atdhe.

Pas disa peripecive të rëndomta, në fund të nëntorit 1961, një pjesë e grupit të studentëve të Batajskut, ku bënim pjesë dhe unë e Sherifi, u nisëm për në Kinë, nga porti i Durrësit,me anijen oqeanike me të njëjtin emër. Fati e deshi të ishim në të njëjtën listë. Po deshe quaje rastësi, po deshe quaje fat! Për mua kjo i kishte të dyja brenda. Sidoqoftë, si për mua dhe për për shokun tim, Sherifin, kjo ishte e dëshirueshme, edhe pse shoqëria mes nesh, deri atëherë kishte qenë normale, si me të gjithë të tjerët, dashamirëse dhe tepër korrekte. Sherifi është nga ata njerëz që ta imponon respektin dhe korrektesën dhe ta shpërblen me të njëjtën monedhë. U nisëm për në Kinë, me qëllim që të vijonim mësimin e të fluturuarit, në aeroplanë reaktivë, Mig-15 Bis. Me anijen e shoqerisë të sapokrijuar ÇHAL ku bënin pjesë dy anijet tona oqeanike, ajo me emrin: “ Vlora” dhe ajo me të cilën u nisëm ne, në atë lundrim të gjatë ( 54 ditë), i cili u kthye në një kalvar i vërtetë. Anija ishte e re dhe e bënte për të parën herë këtë lundrim të gjatë.Kaluam dete e oqeane, pamë porte, qytete e karvanë me anije të bukur, u relaksuam e u kënaqëm, jashtë mase, por dhe u bezdisëm e u mërzitëm prej monotonisë të lundrimit të gjatë.. Ishim mes kaltërsisë të detit dhe asaj qiellore. Mezi prisnim të zbrisnim në tokë e të shkonim në shkollën që na priste. Ishim të dashuruar pas qiellit e donim të ngjiteshim lart, në kaltërsinë e tij, sa më parë.

Në Kinë, mbërritëm në datën 8 janar të vitit 1962, në të gdhirë. Zbritëm në portin e Kantonit dhe pas disa ceremonive protokollare u çvendosëm në Veri për t’u sistemuar, në Mançuri, në qyttin Çin Zhou, në Shkollën e Tretë të Aviacionit Kinez. Klima në atë rajon është e ashpër por zona është e begatë dhe niveli i jetesës i banorëve, relativisht më i lartë. Që në ditët e para të jetesës së përbashkët, në këtë qytet, u lidha fort me Sherifin, me një shoqëri të pastër, e cila e pati jetën të gjatë. Banonim në të njëjtën dhomë e në të njëjtit kushte; ushqeheshim në të njëjtën mensë, me ushqime të panjohura deri atëhere, supertuam kalvarin e një jetese tjetër, siç nuk ishim mësuar. Jeta e vështirë që bënin, në ata kushte, siç duket ishte njëri nga faktorët kryesorë që na afroi e na miqësoi. Dalngadalë e ditë për ditë, u bëmë miq të mirë. U binda, ca më shumë edhe nën ndikimin e kushteve të jetesës, në pastërtinë e karakterit të tij, si adoleshent me pjekuri që prevalonte moshën dhe serioz. Fshimë dhe disa fije  ekonomikë që mund të na mbanin të veçuar. Ç’farë ekonomie? Mjerane, siç ishte, e na duhej ta  ekonomizonim.

Të dy pinim cigare. Kur ishim në Batajsk, studentët dhe ushtarët, sipas rregullores ekonomike furnizoheshin, pa pagesë me paketa, të cilat na mjaftonin për të gjithë muajin. Cigaret ishin te cilësisë të dobët, por ne nukkishim pretendime. Pinim aq sa na duheshin; të tjerat i shisnim. I blinte Golja dhe Zina. Këtu, në Çin Zhou, na duhej ti blinim cigaret, me ato pak para që merrnim, si pagë muajore. Kushtet e vështira të jetesës, na cytën ta shtonim duhanpirjen. Me Sherifin bëra një marrëveshje, “ të heshtur”: I blinim cigaret,duke synuar më të lirat, që në fillim të muajit, i futnim në komodinë dhe sejcili, pinte, kur donte e sa donte dhe për këtë nuk mbanim evidencë. Të dy ishim në mirëbesim e në mirkuptim, të plotë.

Pas një përgatitje teorike, të shkurtër, e cila, më tepër ishte përsëritje e atyre që kishim mësuar, na ndanë në grupe të vegjël fluturues. Meqënëse dokumente të shkruara nuk kishte ( ne u larguam nga Batajsku, në rrugë ultimative), administratorët evendas, na ndanë sipas të dhënave gojore. Na besuan në ato që u thamë. Në njërin nga grupet e fluturimit bënin pjesë: Sherif Hajnaj ( Bracki); Dhori Zhezha dhe Niazi Nelaj. Instruktor të teknikës së pilotimit, na caktuan pilotin kinez Li. Rëndom, meqënëse ishte beqar, i thonin : Sjao Li, që do të thotë Liu i vogël. Për skjarim të lexuesve: Kur një femër apo mashkull ishte beqar, emrit të tij i vihej parashtesa = sjao ( i vogël ); kur martohej; ai( ajo) hynin në radhën e të rriturve e merrnin parashtesën llao. Instruktori ynë i fluturimit, ishte akoma i parritur edhe pse i kishte, nën lëkurë- nja 26 vjeç.

U dëshpëruam mjaft, kur na çuan, për të fluturuar, në fshatin Sui Xun, ku ishte aerodromi Verior i shkollës. Një lëndinë e mbuluar nga bari, me strukturë të fortë zhavori, në shtresën, poshtë sipërfaqes. Fusha kishte pjerrësi, në drejtim të Jugut e nuk mbante ujë. Fshati dhe fusha e stërvitjes, gjendeshin rreth 5 km. në Veri të qytetit Çin Zhou. Për të shkuar atje, duhet të kaloje nëpër një rrugë fushore, tërë gropa. U habitëm kur na thanë se, sipas urdhrit “nga lart”, duhet të fluturonim në aeroplanët me helikë Jak-18U. Ne kishim fluturuar në avionin Jak-18 A. dhe jo pak, por rreth 100 orë.Avioni me të cilin kishim fluturuar, në Batajsk ishte më i përparuar, teknologjikisht dhe me të dhëna fluturuese më të avancuara. Na duhej të ktheheshim “ prapa”, në kohë. Këtë “manovër,” vendasit u përpoqën ta lidhnin me faktin se kishin kaluar 7-8 muaj, pa fluturuar, dhe, para se të fluturonim në Mig-15, duhej të “ shkriftëroheshim” e të rikujtonim shprehitë fluturuese. Deshëm; s’deshëm; iu nënshtruam fatit. Përndryshe do ta pësonim si kolegët tanë shqiptarë, të cilët ndodheshin, disa dhjetra kilometra, më në Lindje. .

Në Shkollën Ruse të Batajskut, si unë dhe Sherifi ishim caktuar në grupin e studentëve që do të përgatiteshin si gjuajtës – bombardues. Në Kinë, shkuam për t’u trajnuar në avionët Mig -15 Bis. U befasuam nga një kthim prapa, të cilin e zbatuam, por pa dëshirë. Instruktori ynë i fluturimit, kinezi sjao Ma= ( kalë i vogël), ishte “ shpirt njeriu. Ai, jo vetëm që kishte teknikë pilotimi të pastër dhe aftësi treguese të mira, por ishte dhe mjaft i duruar. Kur duan të thonë: “paske durim kinezi”; hëtë duan të thonë. Merreni me mend sa i duruar ishte Maja, i cili supertonte lloj – lloj gabimesh që bënim ne. Me Sherifin,  ai nuk e pati të vështirë ta gjente gjuhën e përbashkët, mbasi shoku im, ishte natyralisht i zgjuar dhe, për këtë shkak i kapte shpejt, ato që zbërthente dhe argumentonte instruktori ynë durimmadh. Sherifi, si në tokë dhe në ajër, ishte absolut ( në kuptimin, më i miri i grupit tonë). Pakënaqësia e Sherifit, e pa shpallur me pompozitet, rrihte gjetiu: Ai ishte i befasuar që na kthyen për të fluturuar në Jak-18 U. Bëmë si bëmë; ne me ankesa e vendasit me premtime, i kaluam 6 muaj në Liu Shi Bao.

Në vjeshtën e vitit 1962, kur ishte pragdimri dhe njerëzit që qarkullonin nëpër aerodrom, vunë në përdorim maskat prej nape, që të ruanin hundët dhe gojën, nga era e ftohtë, kaluam në aerodromin  ushtarak të Sui Xunit, afër ishullit San Hae Guan, pranë Gjirit të Detit të Verdhë. Do të bënim një përgatitje teorike, të shkurtër, me qëllim që të njiheshim me veçoritë e shfrytëzimit të aeroplanit Mig-15 dhe, në “ palcën e dimrit “ nisëm nga fluturimet. Disa ditë, para se të zbrisnim në pistat e fluturimeve, të shtatë studentët e grupit tonë: Andrea Toli; Bashkim Agolli; Adem Çeça; Dhori Zhezha dhe Mihal Pano  (Misha) , iu nënshtruam një testi mjekësor “ të fortë”. Në këtë test, dora e specialistëve të mjekësisë të aviacionit, ishte mjaft “e shtrënguar”. U deklaruan të paaftë për të fluturuar në aeroplanët reaktivë dy nga shokët tanë më të dashur: Sherifi dhe Misha. I pari e kishte frekuencën më të lartë nga sa rekomandohej kurse, i dyti, meqënëse ishte më i riu e më trupvogëli, nuk e justifikonte besimin e specialistëve të fluturimit, për të ecur, më tej, në tipa më të sofistikuar.

Njoftimin e pritëm jo vetëm me rezerva por dhe u ligështuam mjaft. Po na iknin nga grupi dy nga njerëzit më të mirë. Sherifi: i pjekur e serioz; Misha, i këndshëm e shakambajtës. Të gjithë u ndiemë keq, por, më rëndë më ra mua, që e kisha Sherifin, shok e mik të mirë dhe ndaja me të edhe  të fshahtat e moshës adoleshente. Do të mbetesha pa një mik, të cilin e doja dhe e respektoja mjaft. Ai e dinte këtë raport dhe ishte ambientuar  e kënaqej me raportet tona shoqërore. M’u duk sikur, prej meje u shkëput gjysma e trupit. E nisëm së bashku aventurën në udhët e qiellit e tani, pa dëshirën tonë, na duhej të ndaheshim. Të them të drejtën, e përjetova keq situatën që u krijua.

Një natë, kur gjumi nuk po më merrte, duke u rrotulluar, në shtrat, kalova në retrospektivë gjithë jetën tonë të përbashkët, në Batajsk, “tek Rrapi i Treshit”, në lundrimin e gjatë  dhe  në Kinë.M’u faneps një ndodhi, të cilën e përjetuam në Çin Zhou, ku, protagonistë u bëmë të dy. Procesi teorik, si përsëritje, dhe kushtet e vështira të jetesës, na mërzitnin shumë. Territori i shkollës, rrethohej nga një mur tulle, i lartë rreth 2m. Në afërsi të shkollës ( ngjitur me të), kalonte një udhë këmbësorësh, e paasfaltuar, nëpër të cilën, në ditët kur në qytet bëhej Pazar, vërshonte një lumë njerëzish, të gjinive e moshave të ndryshme, të veshur me rroba doku, të prera njëlloj. Argëtimi ynë, në territorin e shkollës ishte i varfër e i kufizuar. Ndjenim kënaqësi, kur dilnim në qytet, në ditët e zakonshme, ndonëse, në çdo rast, nuk na ndahej “përkthyesi”, i Gjuhës Ruse, i cili, vetëm përkthyes nuk ishte.

Një ditë kur në qytet zhvillohej Pazar, pa e biseduar më parë, me njëri-tjetrin, vendosëm “ të ar ratiseshim” nga shkolla. Në raportin mes nesh, po të thonte njëri po, gjëja ishte e kryer. Kapërcyem murin, në anën Veriore dhe u bashkuam me turmën. Vijuam udhën, për në qendër të qytetit. Me hundën të madhe, me veshjen jo si vendasit dhe me tiparet europiane, ne, midis kalimtarëve të kombësisë kineze, binim në sy, si “ kau balash”. Njerëzit, kthenin kokën e na vështronin, diçka i thonin njëri tjetrit, në “ gjuhën e zogjve “ dhe vijonin udhën. Mbërritëm dy të rinj. Pa e parë fytyrën e tyre, nga flokët e gjatë që mbanin, nga veshja elegante dhe nga mënyra si ecnin, i thamë njëri-tjetrit: “ A u flasim?; duken si djem trendi”? Dhe u folëm, në gjuhën e tyre ( aq fjalë i dinim): “ Nji hao”!  Ata, njerëzisht u përgjigjën : “ Njimën hao”! Më tej nuk e shtynim dot bisedën. U kërkuam të na jepnin shkrepse, për të ndezur cigaren e ata nuk ngurruan. Sapo na e ndezën, panë sa majtas – djathtas, shpejtuan hapin e u zhdukën, mes turmës. Ata ia mbathën sapo vunë re se ne nuk ishim aziatikë. Ajo që ngjau, më pas, ndoshta është vështirë të imagjinohet, pa e parë, me sy.

Synonim të shkonim në qendër të qytetit të Çin Zhout, për të hyrë në njërin nga supermarketët ku tregtonte një femër e bukur. Sa herë dilnim në qytet, ne, si të rinj, në moshë, e mbanim vrapin tek ajo. E vështronim e ajo na buzëqeshte . E dinte lozonjarja se ne, shkonim atje, për të vështruar hiret e saj vajzërore; prandaj bënte naze. Ky veprim yni, siç duket u çmua si teprim e kapërcim të kufijve të mirësjelljes dhe, një dorë e padukshme e largoi nga vendi i punës, idhullin tonë. Nuk dua të dëftoj atë episod; tjetër gjë dua tju rrëfej. Pa mbërritur në qendër të qytetit, unë dhe Sherifi, përpara këmbëve tona, ndali një tricikël, i ri, i  markës sovjetike, me kosh, i cili guidohej nga një kapiten. Diku e kishim parë atë oficer, por nuk po na kujtohej, as funksioni, as lidhja e tij me ne. Sidoqoftë, ai vinte nga shkolla jonë. Kpiteni na vështronte dhe vetëm qeshte. U gajas së qeshuri, pa na thënë asnjë fjalë. Qeshëm dhe ne të dy, kuptohet, “pas berihajt”. Na ftoi të hipnim në tricikël e ne zbatuam urdhrin e tij. Kur hymë në postbllokun e shkollës, ushtari roja, me automatik në gjoks, mori drejtqendrim dhe nderoi, me armë. Kuptuam se kapiteni mund të ishte ndonjë oficer shtabi, me peshë. Nuk na e përmendi njeri, atë rast, sa kohë ishim në proçesin mësimor dhe neve na pëlqente ta harronim atë rast. Kapiteni që na shoqëroi në shkollë, ishte dikushi, në atë mes. Ai i kishte dhënë tonin çështjes e askush nuk merrej më me të.

Sherifi, vërtet u deklarua i paaftë për të fluturuar, në aeroplanët reaktivë, e do të largohej, pa dëshirë nga grupi, por ai, gjithsesi ishte me fat. Së bashku me tironsin me humor të këndshëm, Enver Muça dhe me djalin tjetër kryeqytetas Flamur Dede ( ndjesë pastë), të cilët ishin në grupin e shturmanëve të Shadrinskut ( BS ) dhe erdhën në Kinë, për të mësuar fluturimin, si pilotë fituan një të drejtë studimi, për t’u bërë përkthyes të Gjuhës Kineze, në Universitetin e Pekinit.

E ruajta miqësinë me Sherifin, edhe pas largimit të tij, nga Shkolla e Aviacionit; e ruaj dhe sot e kësaj dite. Kur përfundova shkollën, në muajin prill të vitit 1963, dhe do të nisesha për në Atdhe, ai më priti, në Pekin, më mikpriti e më përcolli, për në Jug, ku hipa në anijen e kthimit. Miqësia jonë rezulton nga më jetëgjatat. U lidhëm kur ishim njomëzakë, pa vënë brisk në faqe dhe vazhdojmë të jemi miq, edhe tani, kur na është zbardhur koka e vatrën e kemi plot me nipër e mbesa.

Kur unë isha pilot, në Rinas e ai student në Universitetin e Pekinit, Sherifi shfrytëzoi një rast, kur ekipi i futbollit të “ Partizanit”, nga Hanoi, shkoi në Pekin, meqënëse portierin M.J. e kishim shok shkolle dhe njiheshim me të, më dërgoi disa aksesorë të shtrenjtë, të cilët, aso kohe, në vendin tonë siguroheshin, me vështirësi. Në kompletin e aksesorëve ishte një kuti cigaresh, me çakmak, një unazë femrash, me gurë, një palë vëthë, po me gurë dhe dy kapëse mëngësh, me gurë . Në kutinë e cigareve, kishte futur një shënim, ku shkruhej me ngrohtësi shpirti e me ndjenjën e të qënit më i madh , në moshë: “ Martohu, o lumëmadh, se mbete beqar”! Isha vetëm 24 vjeç. Pas një viti e realizova këshillën e mikut tim. Të them të drejtën, u ndieva mirë, jo për vlerën e sendeve që më dërgoi, por për faktin që nuk më kishte harruar. E kisha vëlla, më të madh e ai po kujdesej si vëllai për vëllanë.

Mbasi përfundoi Universitetin e Pekinit e u bë përkthyes, Sherifi u kthye në Shqipëri e  u sistemua, në punë me një grup gjimnastësh kinezë, të cilët kishin ardhur për të dhënë përvojë. E rigjetëm njëri-tjetrin  dhe rivendosëm miqësinë e ndërprerë. Nuk mund të mohoet se edhe kur na është dashur të largohemi nga njëri-tjetri, për shkaqe pune, ndjesinë shpirtërore e kemi ruajtur. Por, Sherif Hajnaj  (Bracki), miqësinë nuk e ka ruajtur vetëm me mua. Ai është shok e mik i mirë, me Fadil Nenaj  (Braho), me Petraq Koroveshin; me Bardhyl Lubonjën; me Dhori Zhezhën; me Pandeli Lengun etj etj.  Nuk na është ndarë ai njeri, si në raste festash e gëzimesh dhe në vaki e hidhërime. Shpirti i tij është si det dhe në zemrën e tij ka vend për gjithë njerëzit e mirë.

Xha Çelo Shakaj, si atdhetar i flaktë e njeri i lidhur ngushtë me mbrojtjen e vendit, nuk mund të rrinte pa një pilot, në familje. Me këmbënguljen e tij, u fut në radhët e pilotëve të helikopterit, i biri, Gjergji, i cili është berë një specialist nga më të mirët, në llojin e vet. Sherifi, shokët më të mirë i ka në radhët e aviatorëve dhe pavarësisht nga mosha, ai ndihet mirë mes nesh.

Në vitin 1968, Sherifi lidhi martesë me Luizë Sinoimerin, pinjoll i fisit të ndjerë të sinoimerëve të Gjirokastrës.  Vajza me origjinë nga Gjirokastra, e bëri Sherifin  të lumtur dhe e shtoi me dy djem: Armandon dhe Renaton dhe me një numnër të madh nipër e mbesa. Sherifi u lashtua në moshë dhe e ka vatrën plot, me nipër e mbesa, të cilët i edukon, së bashku me Luizën, me tiparet e njeriut – njeri.

Pavarësisht nga ngarkesat që ka, Sherifi, asnjëherë nuk është ndarë nga shokët e  tij të hershëm. Me njërin, shkëmben një telefonatë për ta uruar apo për ta ngushëlluar; me dikë tjetër pi një kafe   apo një gotë raki, diku, e gjen të ngërthyer në një bisedë të rastësishme, etj. Ai i mban lidhjet me shokët.  Në shoqërinë e tij, nga sa kam vënë re, aviatorët zenë vendin e parë. Ndoshta keni të bëjme me një rastësi; mundet të kemi të bejmë me një përzgjedhje karakteresh apo kemi të bejmë me një nostalgji për zanatin e pilotit, të cilit iu fut, me dëshirë të madhe, por që nuk e finalizoi dot, për shkaqe që nuk varen prej tij.

Tani, Sherif Çelo Hajnaj  ( Bracki), jeton vitet e “pjekurisë”, mes të tijëve. Së bashku me Luizën fisnike, i rrethuar nga djem, nipër e mbesa, të cilët i duan shumë, ata kalojnë pjesën më të madhe të vitit, në qytetin e bukur klimaterik të Voskopojës. Ai e ndan jetën mes Voskopojës dhe Tiranës, ka njohur e takon mjaft shokë e miq të rinj, por shoqërinë e vjetër nuk e harron. Me këtë rast i uroj shumë vite jetë, shëndet e lumturi, pse jo dhe begati!

 

One thought on “Sherifi, nostalgjiku i përjetshëm i fluturimve”

  1. Behet fjale per nje nga shoket e mij me te mire Sherifin. Niazi Nelaj si zakonisht “e ka thare”. Eka pershkruar aq bukur
    Sherifin.

Comments are closed.