Studentët shqiptarë të Batajskut

Nuk e kam të lehtë të shkruaj për një të kaluar më se 50 vjeçare, në një kohë kur gjurmët e atyre viteve të largët më vijnë përmes kujtimeve e mbresave të të mija e të bashkëkohësve, të cilat , gjithsesi nuk mund ta kenë saktësinë e një ditari të mirëfilltë.

Konceptimi i këtij materiali jetësor u bë i mundur pas konsultimeve, në biseda të lira e spontane me mjaft shokë që e kanë përjetuar atë kohë, teksa ishin adoleshentë e tanimë në moshën e tretë. Ishim “njomëzake”; pa vënë brisk në faqe e tash jemi kokëbardhë e flokërarë. Përmes tymnajës që ka derdhur mosha, në kujtesën e tyre, shokët e asaj kohe, me të cilët u konsultova, më prunë mjaft episode, ndodhi e fakte me vlerë, nga jeta e përbashkët studentore, në udhën e vështirë, por të lavdishme për t’u bërë pilotë ushtarakë.

Tepër të sakta e të plota m’u dukën kujtimet e 75 vjeçarit Adem Ceça, i cili ka një kujtesë për t’u patur zili.Të freskëta, sikur të kenë ndodhur dje, ishin episodet dhe mbresat që solli njëri nga pilotët më jetëgjatë në aviacionin luftarak reaktiv, instruktori legjendë i Poros, dibrani Ahmet Sulejman Zogu dhe veteranet e aviacionit, pilotët: Bardhyl Lubonja, Roland Sofroni dhe Petraq Korroveshi. Një ndihmesë të vyer, përmes mbresave e kujtimeve, sollën ata që e nisën rrugëtimin si studentë për pilotë, por fati e deshi të përfundonin në specialitete të tjerë, me vlerë, brenda aviacionit ose jashtë tij si :Agim Refat Ismaili,Fadil Selam Nenaj( Braho), Zyhdi Feta Meçaj, Sherif Çelo Hajnaj( Bracki) etj. Për çështje të veçanta, me vlerë ishte konsulta me shoqen time të mirë, mjeken veterane Haxhire Eshja dhe specialistë të tjerë.

Kur shkuam në Bashkimin Sovjetik, në gushtin e vitit 1960, ishim 18 vjeçarë. Vinim në një vend më të zhvilluar, e me hapësira të pamat, nga një vend, siç ishte Shqipëria e asaj kohe; me nivelin, psikologjinë dhe mendësitë që dihen. Shkuam, me shumë dëshirë e kureshtje, në një vend tjetër, për të cilin kishim dëgjuar plot gjëra, të qena e të paqena, të cilat propaganda e kohës i kishte fryrë e glorifikuar përtej kufijve te se besueshmes. Shpejt u zhgënjyem, por nuk e dhamë veten; u përshtatëm, me maturi e pjekuri dhe e kapërcyem ngërçin .Mjaft nga shokët tanë, në atë kohë, nuk kishin as njohuritë më të thjeshta, për shkencën e fluturimit dhe nuk kishin parë me sy e nuk kishin prekur me dorë ndonjë avion.

Shkuam në Bashkimin Sovjetik të pas Luftës së Dytë Botërore, kur popujve të tij u ishin vrarë e martirizuar mbi 25.000.000 njerëz, kryesisht meshkuj, të moshës aktive. Shkuam për të mësuar fluturimin, në një kohë kur akoma nuk ishin shëruar plotësisht pasojat shkatërrimtare të asaj lufte çnjerëzore, kur ende ndihej era e barutit dhe në një grusht me dhe, njeriu nuk ishte vështirë të dallonte copat metalike të predhave që mbollën vdekjen. Por, siç dihet pasoja më mizore e asaj lufte u ndie në situatën demografike . U vranë meshkujt e femrat mbetën në shumicë. Në ato vite, konsiderohej me fat ajo vajzë që gjente shokun e saj të jetës. Ne, adoleshentëve të ardhur nga Shqipëria, të paparë e të pagjezdisur, na vinte turp ti ndalonim e të bisedonim me vajzat .Gjithsesi, atje, mes atyre njerëzve të mirë, zemërgjerë, bujarë e të drejtë, edhe pse pak naivë, mësuam si të jetonim në komunitet, si të ushqeheshim shëndetshëm, si të silleshim, në mënyrë të kulturuar, si të fluturonim, pa u rrezikuar, deri dhe si të ecnim, në rresht, pa penguar e pa u përplasur me njëri-tjetrin.

Në një shkrim si ky, sado të shumta e cilësore të jenë kontributet, ndoshta diçka do të mbetet e paplotë, e cila me siguri do të ketë nevojë të ushqehet e të mbushet me kujtime, mbresa e kontribute, nga kushdo që i ka përjetuar ato ditë, kur tek ne shpërtheu vrulli i moshës rinore, në një terren të begatë.