Urim Petrit Bebecit, me rastin e ditëlindjes

Emrin nuk e zgjedhim vetë; atë e kemi dhuratë nga ata qe i duam e na duan shumë. Më së shumti, janë prindërit ata që e zgjedhin emrin tonë. Emri, siç thonë rëndom në trevën e Korçës, është kapistall. Por nuk është pa gjë, çdo emër ka simbolikën e vet dhe është domethënes.

Partizani i regjur Sado Bebeçi, i vuri djalit një emër zogu; e quajti atë Petrit. Petrit e donte të birin xha Sadua ; ti ngjante atij shpendit të egër, mjaft i zgjuar e i mprehtë dhe i shkathët. Dhe nuk u gabua ; Petrit Bebeçi i ngjau emrit që mban.
Sa herë urojmë dikë, fjalët e mira nuk i kursejmë, por i derdhim, si lumë. Mirë bëjmë, se njeriu i mirë e do një fjalë të mirë, me qëllim që të ndihet mirë. Disa herë urimi del nga zemra e është i bazuar në realitete të dukshme e të prekshme. Ka dhe raste, në të cilët, fjalët e mira dalin për inercion; ndjekin gjurmët e rutinës. Ditëlindja e Petrit Bebeçit nuk ngjan me të tjerat; ajo është e veçantë, në llojin e vet, siç është i tillë vetë Petriti.

Petrit Bebeçi, erdhi në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, për t’u bërë pilot. Ai kishte kryer Shkollën e Mesme Ushtarake “ Skënderbej”, një nga gjimnazet më të mirë të vendit, ku ishte formuar, kalitur e burrëruar, në vazhdën e traditave të familjes e fisit, nën një disiplinë e rregull, të fortë ushtarak; me tiparet e një djaloshi që i shkëlqenin sytë e i vlonte, si zjarr, atdhetaria. Petriti trashëgoi nga të parët vlera të spikatura dashurie, për vendin dhe kishte në gen guximin, trimërinë dhe përkushtimin për t’u vënë në roja të trojeve amëtare.
Në shkollën e pilotëve, ku Petriti u fut në hullinë e fluturimeve, ai u gjend mes një grupi djemsh të përkryer, shumica e të cilëve, vinin nga “ shtrunga” e shkollës “ Skënderbej”, me të cilët ai njihej prej kohësh e kishte shoqëri. Instruktor i teknikës së pilotimit, në avionët reaktivë, ishte “ Divi” Guri Merkaj. 19 shokët e grupit të tij ishin njëri më i mirë se tjetri. Luto Sadikaj ( ndjesë pastë); Vangjel Koroveshi ( ndjesë pastë); Sabri Toçi ( ndjesë pastë); Stiljan Tanka ( ndjesë pastë ); Bego Hoxha (ndjesë pastë); Dhimitër Vasho ( ndjesë pastë); Alqiviadh Dede; Isa Arapi; Hetem Aliaj; Lutfi Jaho; Flamur Pupa; Lutfi Hyseni ( ndjesë pastë) etj.

Petrit Bebeçi u diplomua pilot gjuajtës-bombardues, me të dhëna shpresëdhënëse, për perspektivën e tij të afërt. Në Regjimentin e Rinasit, ku ai u emërua, në fundvitin 1966, Petriti gjeti një mjedis të favorshëm e shkëlqeu, si fluturues, me të ardhme . Ishte “ me fat” djali i Sado Bebeçit, se, në atë kohë, në Rinas fluturonin disa nga “korfejtë” e aviacionit shqiptar si Haki Jupasi ( ndjesë pastë); Agron Daci ( ndjesë pastë); Mahmut Hysa ( ndjesë pastë); Andrea Toli ( ndjesë pastë); Roland Sofroni ( ndjesë pastë); Bilal Josa; Bardhyl Lubonja; Gezdar Veipi; Halit Bulku; Nestor Dhaskali; Dhori Zhezha etj.

Në gjurmët e sipas shëmbullit të tyre, Petriti u formua e u poq, si pilot klasi dhe kaloi, nga njëri tip avioni, në tjetrin, deri në më të sofistikuarin e kohës Migun 21F. Me çeljen e Regjimentit të ri të aviacionit, në Gjadër, Petrit Bebeçi u ndodh në krah të komandantit të Regjimentit të sapoformuar, së bashku me një grup djemsh të talentuar që fluturonin, si ai, në avionët Mig-21F. Duke qenë në detyrën e komandantit të skuadriles së tretë dhe në atë të zëvendëskomandantit të regjimentit, për fluturim, Petriti, si specialist i mirëfilltë i fluturimit, si në Regjimentin e Gjadrit dhe në atë të Rinasit ka dhënë kontribute me vlerë, në lëmën e ngritjes profesionale.

Pas daljes në pension, mes peripecive të pabazuara në realitete konkrete, Petriti nuk rreshti së kontribuari në të mirë të familjes biologjike dhe për aviacionin, në tërësi. Kur është në pension, njeriu ka tjetër mënyrë të jetuari e të menduari; ndjesitë e tij nuk janë më si më parë. Kush e njeh nga afër Petrit Bebeçin, mesiguri e ka vënë re se ai e ka mendjen tek avioni e në fluturim. Siç duket, ai nuk është “ i ngopur”me ajrin e tashmë, për shkak të moshës, u referohet kujtimeve të kohëve që nuk vijnë më.

E shikoj të jetë aktiv në takime e në mbledhje përkujtimore.Po shkruan përvojën e tij dhe të shokëve, në çështjet e të fluturuarit. Mirë bën që shkruan, mbasi ka çfarë të dëftojë dhe ato që dëfton ai janë të jetuara; jo të dëgjuara. Më emocionon fakti që i biri, Ditjoni, edhe pse nuk e ka patur fatin të fluturonte si i ati, me faqen që menaxhon në facebok, kushtuar aviacionit ushtarak, po i bën një shërbim të pallogaritshëm fiksimit dhe propagandimit të vlerave heroike të kësaj arme të dashur të popullit tonë.
-Me rastin e ditëlindjes, ndihem i privilegjuar, të uroj, këtë “ aset” të eronautikës shqiptare për jetë të gjatë e të gëzuar, vetjake dhe në familje!

Në Tiranë, më 30 maj 2015

Niazi Nelaj