Vebi Hysen Punavija – Inxhinier mekanik aviacioni në Farkë

Vebi Hysen Punavija

U lind ne fshatin Mallunxë të rrethit të Matit, me 1 janar te vitit 1942,  ne një familje tradicionale malësore dhe atdhetare. Fëmijërinë e kaloi ne fshatin e lindjes, ku mori dhe mësimet e para. Kur ishte ne klasën e gjashte, Vebiu erdhi ne Tirane e u sistemua ne Shkollën Ushtarake “,  ku përfundoi shkollën shtatëvjeçare dhe gjimnazin “elitë”,  i cili, ne atë kohe ishte nga me te mirët e vendit. I shquar ne mësime, i urte e i bindur,  Vebiu, mes shokësh u rrit e u burrërua dhe i ngriti përherë e me lart traditat atdhetare te familjes e te fisit dhe u kalit me disipline e rregull,  me ndjenjën e komunitetit dhe me vullnetin për tu futur ne brendësi te shkencës.

Ne gjimnaz u pikasën prirjet e tij për shkencat ekzakte. Parapëlqente matematiken, fiziken dhe shfaqi interesim për astronominë e kiminë. Ne korrik te vitit 1959,  Vebiu u nis për studime ne shkollën e marinës luftarake – detare sovjetike. Fillimisht, në Odesë e me pas ne Leningrad (sot Shën Peterburg),  ai studioi dy vjet, për inxhinieri detare. Ne vitin 1961,  kur u ndërprenë, me dhune, studimet e ushtarakeve shqiptare, Vebiu u kthye ne Atdhe e u fut ne Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, te Universitetit te Tiranës. Me dëshirën për me tej, ne fundvitin 1965, Vebiu ndërpreu përkohësisht studimet ne universitet dhe shkoi ne Shkollën e Larte te Aviacionit, ne Vlorë. U fut ne vitin e trete dhe brenda shtate muajve, mbasi dha provimet përkatëse, u diplomua teknik aviacioni. I rikthyer ne universitet, ai përfundoi studimet e larta e u diplomua inxhinier mekanik.

Ne vitin 1967,  u emërua në regjimentin ne formim te helikopterëve, fillimisht ne detyrën e teknikut e me pas deri ne atë te inxhinierit te skuadriljes, ku punoi për shume vite. Ishte i pari teknik helikopteri i cili, pa e ditur qëllimin e rikonicionit, u ul, me helikopterin e tij 6-25 te pilotuar nga Lulo Musai (Spahaj) dhe Stavri Prenda në Farke, ku u vendos te dislokohej regjimenti. Ne vitet 1991-1992, periudhe e cila përkoi me daljen e tij në pension, Vebiu u caktua përgjegjës i ofiçinës së helikopterëve në Farkë. Shokë shkolle te tij ishin: Fadil Leli, Shyqyri Alushi, Ibrahim Kapllani, Enver Lame, Engjell Muho, Halil Bello, Sadik Punavija, etj. Ne Bashkimin Sovjetik, kishte në grup Agim Bylykun, i cili, gjithashtu u be inxhinier, si Vebiu.

Ne çdo detyre e funksion, njerëzit panë tek Vebi Punavija një njeri me “kokën plot”,  të urtë e të shtruar, shumë i duruar e buzagaz, me takt e me dashamirësi. Në skuadriljen që drejtonte, efektivi inxheniero-teknik ishte me nivele, aftësi e prirje te ndryshme, kishte te bënte me disa tipa “të vështire”, të cilëve u përshtatej, me takt e me punë të diferencuar. Një njeri tejet i drejtë e i ndershëm, korrekt e me logjikë të shëndoshë. Problemet i zgjidhte me qetësinë qe i jepte thellësia e njohurive tekniko-shkencore. Tek Vebiu, kam parë një shok e mik besnik,  të sinqertë e të përkushtuar. Së bashku me bashkëshorten, ata rritën dhe edukuan dy djem, si drita, të denjë për origjinën e tyre. Kohët e fundit, ai i është nënshtruar një operacioni të vështirë dhe është në procesin e rehabilitimit. I uroj shëndet e jetë të gjatë!

One thought on “Vebi Hysen Punavija – Inxhinier mekanik aviacioni në Farkë”

  1. Shoqeria ne Aviacion ishte e bukur,teper miqesore,model.Vebiu,i tille me shume shoke si Ramadani,Fadili,Sinani,Muameti,”Napolon Bonoparti”… etj etj etj.Respekt konsideratash

Comments are closed.