Xakja

Njeriu që lë pas një mal me krijime , si Rizai e fut veten tek të pavdekshmit!

Jetojmë në kohë të çuditshme.Interesant mbetet vlerësimi për njerëzit. Peshoret janë të ndryshme. Saktësia varet shumë nga ai që mban në dorë peshoren. Më e sakta është peshorja e historisë. Historia nuk të fal. Peshorja e historisë, i jep gjithëkujt atë që meriton. Koha bën të sajën. Ajo harron ata që duhen harruar e ngre lart, ata që janë ngjitur vetë e qëndrojnë në lartësinë e saj. Harrimi është i trishtë e i pamëshirshëm. Ai mbulon të pandierët me pluhurin e tij ose i mbështjell ata me tisin e mjegullimit. Me Riza Xhevdet Lahin, ndodh tjetërsoj.

Sa më tepër largohemi nga ajo ndarje e beftë dhe e papritur, aq më lart ngrihet figura e tij e ndritur. Rizai ynë do të kujtohet përherë, siç ishte: I afërt, i dashur, i kudondodhur e plot vlerë.  Të paharruar e bëjnë krijimet e shumta që na ka lënë. E kam të vështirë të përzgjedh çfarë të kujtoj e çfarë të harroj nga ai njeri i madh. Riza Lahi ishte i talentuar e mendjen e kish mjaft pjellore. Gjithpërfshirja dhe toleranca e tij ishin, emocionuese.

Dua tju përcjell dy fjalë zemre, si mik i tij, jo për shkrimet e panumërt të tij, botërisht të njohur, por për anën njerëzore të rij, për humanizmin e tij mbresëlënës. Nuk e largoj dot nga mendja atë burrë, i cili u burrërua e u bë ai që ishte, në sytë tanë. Hera-herës, Xakja më shfaqet në gjumë, por shpejt zhgënjehem e vazhdoj ta kërkoj, mëkot. Miku im i mirë, më shfaqet, ashtu, i qeshur e i gëzuar, me ata sy që rrezatonin veç, mirësi e dashamirësi shëmbullore, vital e i papërtuar, gojëmjaltë e fjalë mënçur, me horizont të gjerë e komunikim perfekt.

Xakja ishte njeri i rrogozit e jo i kapardisjeve boshe. Ai nuk e kish për gjë të ulej, shesh-besh, me këdo e të kuvendonte shtruar, si i barabartë, pavarësdisht nga niveli dhe pozita, ngjyra dhe pozita shoqërore, e ndryshme. Fjala e tij e ëmbël ishte si melhem e ngjiste kudo. Riza Lahi ishte mjeshtër i fjalës së lirë dhe, pavarësisht se kish arritur në nivele të lakmuar, të cilët nuk i arrijmë dot, kur bisedonte me njerëzit u përshtastej atyre, për bukuri.

Na iku, aq papritur, Xakja ynë, si në një aksident automobilistik e na la pas  mjaft dhimbje e trishtim. Afërdita, Ledia, Nëna burrneshë, vëllezërit dhe gjithë pinjollët e familjes së tij, po na japin një shëmbull të rrallë  përballimi, siç u ka hije, të kësaj humbje të madhe. Shpreh besimin se Riza Lahi do të jetë përherë midis nesh, nëpërmjet trashëgimisë të shkruar. Kështu ngjan me të mëdhejtë. Ata, për atë që lënë pas, e kanë radhitur veten me të përjetshmit; prandaj u festohet vetëm dita kur kanë lerë.

Më vjen mirë për faktin që Këshilli Bashkiak i qytetit të Shkodrës, e ka nderuar mikun tim me çertifikatë mirënjohje. E donte shumë e nuk e hiqte nga goja, Xakja i Madh, vendlindjen e tij; Shkodrën Loce, prandaj i këndoi me aq pathos e dashuri, siç dinte ai.

Botimi i librit të dytë të “ Dinosaurët e fundit” është, në faktplotsimi i një amaneti që na la Xakja ynë. Më duhet të shpreh mirënjohje të thellë, për familjen e tij dhe për gjithë ata që krijuan mundësinë për të parë dritën e botimit kjo vepër madhore e tij.

Shoqata e Aviatorëve të Shqipërisë i ka akorduar” Çertifikatën e Mirënjohjes”. Mirë ka bërë dhe kjo është në nderin e saj e të gjithë komunitetit. Rizai e donte shumë aviacionin dhe fluturimin. Kur merrte penën e shkruante për aviatorët, Xakja fluturonte nga lumturia dhe i buronte muza.

Në cilësinë e mikut, shokut, mësuesit dhe nxënësit të tij, ndjej obligimin  për t’u përulur, përpara jush dhe kujtimit të Riza Xhevdet Lahit. Xaken e mirë, vërtet nuk e kemi më fizikisht mes nesh, por kujtimi i tij nuk tretet. Ai jeton e do të jetojë në zemrat e dashamirëve të tij e prej andej nuk ka forcë që ta nxjerrë.

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij, i ndritur!
  • Të rrojnë e ta kujtojnë gjithë sa ka lënë pas!

Tiranë, më 16 tetor 2016.

Shkroi e lexoi Niazi Nelaj

Shënim. Veprimtaria përkujtimore, kushtuar ditëlindjes së eruditit Riza Xhevdet Lahi, u zhvillua në njërin nga ambientet e Bar – restorant “ Tafaj”, në Tiranë. Dikush tha: “ Një sallë e vogël, për një aktivitet si ky”. Konstatimi është i saktë, por nuk është salla e vogël; befasia qëndron në faktin se për të kujtuar Xaken me aq popullaritet, kishin ardhur mjaft dashamirë të tij; miq e shokë, nga radhët e ish aviatorëve, familjarë, bashkëqytetarë shkodranë, madje dhe miq nga Kosova. Dhe mendoni se nuk kemi të bëjmë me përvjetorin e parë të ndarjes së tij , nga jeta.  Ai do të rrojë e do të kujtohet për jetë, në zemrat e dashamirëve të tij. Trashëgimia letrare që ka lënë pas, e bën Xaken e talentuar, të pavdekshëm. ( N.N.)