Tafili u lind në fshatin Komar të rrethit malor të Tepelenës, më 10 janar të vitit 1950. Ai ishte fëmija i parë i familjes së përbërë nga 5 motra e 2 vëllezër. Familja dhe të afërmit e Tafilit u lidhën ngushtë e qysh në fillim me Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, duke u bërë pjesë aktive e saj. Pushtimi fashist i vendit, më 7 prill të vitit 1939, preku thellë ndjenjat atdhetare të familjes, fisit dhe rrethit miqësor e shoqëror të Niazi Agajt.

Që në fëmijëri, Tafili veçohej nga bashkëmoshatarët, në mëhallë e në fshatin e lindjes, për nga zgjuarsia natyrale, shkathtësia dhe shpirtmirësia. Tek djali, akoma i parritur, ishin të prekshme dëshirat dhe interesat për të përftuar sa më shumë dije, nga shkolla e nga jeta. Tafili, qysh se ishte i mitur, aq sa mundej e si i vinte përdoresh, i vinte në ndihmë nënës dhe babait, duke treguar dashuri për punën dhe interes për botën që e rrethonte. Siç duket, si vëlla i madh i atyre 6 fëmijëve dhe djalë i parë i familjes, e ndiente përgjegjësinë që kish për vëllanë dhe motrat më të brishtë.

Mësimet e para, Tafil Agaj i mori në fshatin e lindjes, në Komar të Tepelenës dhe në qytetin jugor të Pashait të Janinës, mes njerëzve të zgjuar e trima dhe të etur për dije. Ai, duke dëftuar interesa për t'u arsimuar, me punë këmbëngulëse, u bë nxënësi më i mirë i klasës dhe i shkollës, si në fshatin ku u lind, ashtu dhe në gjimnazin e Tepelenës. Tafili kishte synime të qarta për ta parë veten në radhët e të arsimuarve dhe dëshironte të bëhej një njeri me kulturë të gjerë, i pajisur me dije shkencore.

Shkollën e mesme Tafil Agaj e kreu në qytetin verior të Shkodrës, në degën e veterinarisë. Edhe në këtë shkollë, vazhduan e u ravijëzuan më qartë kërkesat vetjake të tij, ku binte në sy prirja për t'u thelluar në përmbajtjen shkencore të mësimeve që përmbante programi shkollor. I paplotësuar me ato që mësonte sipas programit, Tafili studionte literaturë jashtëshkollore, me synimin e qartë për të përthithur sa më tepër dije e kulturë. Siç më dëftoi ish-bashkënxënësi i tij, i shkollës së mesme, i moshuari Fadil Velaj, nga Ballabani i rrethit të Përmetit: "Kur përgjigjej në mësim Tafili, ne, të klasës së tij, dhe mësuesit tanë mbeteshim ‘gojëhapët’ nga përgjigja e tij me njohuri të thella e të sakta, që kishte djali nga Komari i Tepelenës". Profili i veterinarit dhe kufizimet programore të shkollës nuk e kënaqnin interesin kulturor të Tafil Agajt. Me qëllim që të plotësonte kërkesat e tij intelektuale, e për të studiuar shkencë të mirëfilltë, ai, aq sa e lejonte pjekuria e moshës, i hodhi sytë nga aviacioni, ku mësohej e aplikohej shkencë ekzakte, mbi dukuritë ajrore, të cilat ai i kishte për zemër.

Në vitin 1968 (në vjeshtë), me vullnet të plotë, ndoshta dhe pa e pleqëruar me prindërit, Tafil Agaj dhe shokët e tij: Osman Kushta; Shpëtim Baxhaj; Janaq Jorgji; Llazar Ndini; Veledin Resuli; Petrika Mita; Klement Aliko; Riza Lahi; Ylli Sinaj etj. u ulën në auditorët e Shkollës së Lartë të Aviacionit, në Vlorë. Tafil Agaj e kishte ndarë mendjen: do të bëhej pilot. Si më parë, edhe në këtë shkollë, tek i riu Tafil Agaj spikatën e u shumuan kërkesat për t'u thelluar në literaturën shkencore të profilit. Në Shkollën e Lartë të Aviacionit, Tafili gjeti kushte të përshtatshme për të studiuar në mënyrë të thelluar.

Ai vijoi të ishte në radhët e para të djemve që mësonin për t'u bërë pilotë, me horizont e aftësi praktike. Ia "rrëmbente" nga goja shpjegimin dhe argumentimin e domosdoshmërisë së veprimeve, në tokë e në ajër, instruktorit të tij të parë, çapkënit trim dhe të shkathët Roland Përmetit. Intuita e zhvilluar, mendjemprehtësia dhe logjika e shëndoshë, së bashku me shkathtësinë tipike të Tafilit, nuk vonuan të jepnin efektet pozitive edhe në procesin e përvetësimit të elementeve të fluturimit.

Ai kishte aftësinë për t'i kapur shpejt e për t'i përvetësuar qëndrueshëm proceset që ndodhin në aeroplan, në tokë e në ajër. Kësisoj, Tafili orientohej lehtë me situatën ajrore dhe u jepte zgjidhje të pranueshme kërkesave të detyrave që shtronin instruktori dhe instruksionet përkatëse të fluturimit. Tafili nuk ishte një regjistrues i rëndomtë veprimesh, por, duke bërë analizë të thelluar, depërtonte në brendësi të dukurisë ajrore.

Kjo i jepte atij mundësinë të ishte më larg premisave dhe ngjarjeve të papëlqyera dhe të vepronte, në çdo rast, me iniciativë e me kompetencë shkencore.

Në vitin 1970, Tafil Agaj dhe shokët e tij të grupit, ata që ishin të piketuar për t'u bërë pilotë helikopteri, kryen kalimin në helikopterin Mi-4, i cili, siç dihet, nuk ngjan me aeroplanin, edhe pse të dy janë aparate fluturuese. Ishte me fat Tafili që veçoritë e shfrytëzimit të helikopterit i mësoi mes mjeshtërve të mëdhenj të fluturimit në helikopter, si: Lulo Musai (Spahaj); Ndue Logu; Hetem Mehmeti; Selman Meçe; Manush Kreshpa; Sejdo Kamberi etj. Instruktor i teknikës së pilotimit ishte babaxhani, kokëplotë, toleranti me shpirt të madh, i paharruari Vangjel Vangjel Postoli (ndjesë pastë). Tafil Agaj, njëherazi, mësoi mjaft nga korifejtë e njohjes dhe të shfrytëzimit teknik të helikopterit Mi-4, si Andon Koroveshi; Tajar Ramadani; Vebi Punavija; Naltor Shehu; Petrit Levanaj; Dajlan Birce; Fatmir Karaboja; Gaqo Rrapi etj. Mësoi prej tyre veçoritë e shfrytëzimit të makinës luftarake, në tokë e në ajër, mbasi ishte me prirje të theksuara për të mësuar në mënyrë të thelluar! Fluturimet me helikopterin Mi-4, së bashku me grupin e studentëve të tjerë për pilotë, ku bënte pjesë Tafili, u zhvilluan në fushën me dimensione "gjigante" të Shtoit, në rrethinat e Shkodrës. Më 14 shtator të vitit 1970, Tafili dhe shokët e tij të grupit u diplomuan pilotë në helikopterin e mesëm Mi-4 dhe u titulluan oficerë, me gradën e nëntogerit.

Tafil Agaj u rrit në moshë e në profesion dhe u maturua duke qenë efektiv i Regjimentit të Helikopterëve, në Farkë, mes kuadrove drejtues të aftë profesionalisht e metodistë të dalluar, të sjellshëm e të kulturuar dhe në shoqërinë e kolegëve të rrallë, si për nga aftësitë profesionale, ashtu dhe nga shkalla e edukatës e kulturës. Shokë të afërt të tij ishin pilotët me interesa të gjera, si: Veledin Resuli (ndjesë pastë); Shpëtim Baxhaj; Osman Kushta; Janaq Jorgji; Sinan Çela (ndjesë pastë), etj., si dhe në shoqëri të ngushtë me Vangjel Vangjel Postolin (ndjesë pastë), i cili iu bë Tafilit si vëlla e si mik i afërt, i çiltër. Në shoqërinë e djemve të tillë, të cilët ishin njëri më i mirë se tjetri, Tafil Agaj kishte çfarë të mësonte dhe mësoi mjaft prej tyre. Në një mjedis "pjellor", i rrethuar nga dashuria e dashamirësia e shokëve dhe eprorëve, me vullnetin dhe këmbënguljen që ishin tipare esenciale të tij, Tafil Agaj dita-ditës zhvilloi e ngjiti aftësitë profesionale, duke u bërë "mjeshtër" i shfrytëzimit të helikopterit Mi-4, si pilot i talentuar dhe u poq e u kompletua me dije, në fushën teorike, e u shndërrua në një mësues dijeshumë e metodëmirë, në fushën e edukimit.

Idhull i tij ishte beratasi "shpirtmadh" e me përvojë të gjatë në lëmin e pilotimit të helikopterëve, Vangjel Postoli. Prej Vangjel Postolit, Tafili mësoi mjaft, jo vetëm se ishte kërkues dhe i përvetësonte shpejt përvojat e "komandantit" të tij, por dhe për faktin se Vangjeli i jepte shumë iniciativë "vartësit". Në përbërje të ekuipazhit organik, me të cilin fluturonte shpesh Tafili, ishte përmetari fjalëpak e mjaft i sjellshëm, i matur e i qetë, piloti Agim Qesaraku. Dëshira dhe përpjekjet këmbëngulëse të Tafilit, për t'u thelluar në studimin e literaturës artistike, tekniko-shkencore dhe politike, e formuan atë si një njeri me horizont e kulturë bashkëkohore. Me horizontin e gjerë që kish dhe me bagazhin e dijeve, në të gjitha fushat e jetës, thuajse në të gjitha konkurset që zhvilloheshin – në bazë regjimenti apo në bazë aviacioni e më gjerë –, Tafil Agaj ishte jo vetëm i pranishëm, por ai, plot aftësi e kompetencë, luante rolin e "violinës së parë". Siç më dëftoi piloti në pension, Agim Qesaraku, i cili ka meritë të veçantë në këtë rrëfim, Tafili kishte shkrim me kaligrafi të pashme, për t'u pasur zili.

Agimi më dëftoi dhe një fletore personale të Tafilit, e cila mban datësinë e para 30 vjetëve, të cilën Agimi e ka mblojtur me kujdes e dashuri të veçantë, si një kujtim i bukur, nga shoku i tij i mirë e i paharruar.

Tafil Agaj u ngjit në detyrë, si pilot e si kuadër, me meritë e shkallë-shkallë, deri në funksionin e nderuar të komisarit të skuadriles së tretë, në Regjimentin e Helikopterëve, falë cilësive vetjake që ai shfaqte përditë e vazhdimisht. Ai u bë njëri nga pilotët më në zë të regjimentit dhe një njeri, të cilit i zinte vend fjala e i kishte lezet kuvendi. I takoi të punonte me njerëz të komunikueshëm, të edukuar e të kulturuar dhe me vullnet për të punuar, me përkushtim, por ai kishte në skuadrilen që drejtonte edhe tipa "të vështirë", të cilëve "ua hante zemrën" me fjalën e ngrohtë, e cila "ngjiste" e ishte bërë si melhem.

Vlerat e tij të veçanta dhe pjekuria si pilot e si kuadër, shpirti i tij human, u vunë në provë serioze, në mjaft raste, kur ekuipazhet e helikopterëve u thirrën për t'u shkuar në ndihmë njerëzve që kishin rënë në fatkeqësi natyrore e u rrezikoheshin jeta dhe pasuria. Në përbërje të ekuipazheve të ndryshme, ku shpesh ishte në rolin e komandantit të ekuipazhit, Tafil Agaj, me helikopterin e tij, u gjend në mjaft fshatra e qendra të banuara në çdo cep të Shqipërisë, ku çonte shumë shpresë e dhuronte shpëtim. Në Vilë të Kukësit; në Lurë; në Dukagjin; në malësitë e Pukës e gjetkë, zhurma e helikopterit të Tafilit, në disa raste fatkeqe, çoi kujdesin që dëftohej për njeriun dhe pasurinë e tij, në atë kohë. Edhe pse djalit nga Komari të ndodhurit në nevojë nuk ia dinin emrin, puna e tij e vështirë, por plot pasion dhe sakrificat e shumta, që bënë Tafili dhe kolegët e tij, ia rritën emrin dhe ia shtuan famën Regjimentit të Helikopterëve. Zhurma e helikopterit u bë e dashur dhe shpresëndjellëse, anembanë vendit.

E kam njohur nga afër e në punë të përbashkët gjatë një periudhe 10-vjeçare. Për të formuluar këtë opinion bisedova e tërhoqa mendime nga mjaft bashkëkohës, shokë e miq dhe familjarë të Tafilit. Nuk gjeta asnjë njeri, i cili e ka njohur Tafilin, të thoshte një fjalë të keqe për atë njeri.

Ai, çdo lavdërim e fjalë të mirë e meritonte. Do të shtoja se, sido që të shprehemi e çfarëdo fjale të mirë të themi për figurën e tij të ndritur, jam i sigurt se diçka do të mbetej pa thënë. Tek Tafil Agaj qëndronin për bukuri, në harmoni me njëra-tjetrën, pranë e pranë: zgjuarsia natyrale; mendjemprehtësia; thellësia e mendimit; zemra e mirë; iniciativa e vetëveprimi; gjykimi i pjekur e i pavarur; dashamirësia dhe sedra për së mbari. Zemrën e kishte plot zjarr e fjalën të ëmbël, si mjaltë, Tafil Agaj.

Në gjykimin e punëve e të veprimeve të njerëzve, Tafili nuk nxitohej, por i peshonte gjërat me kandarin e paanësisë. Bindjeve të tij dhe logjikës së shëndoshë në argumentimin e gjërave, ishte e vështirë t’u bëje ballë. Tafil Agaj vërtet ishte tolerant, por nuk bënte lëshime në parim.

Ai "nuk të hapte udhë lehtë"! Këto tipare pozitive ia rritnin autoritetin e ia shtonin dashurinë tek njerëzit me të cilët ai punonte. Çiltërsia dhe drejtësia që tregonte bënë të mundur që Tafil Agaj, me dhembshurinë e tij të rrallë, të ngjitej në lartësinë e një "tribuni", në repart e në mjediset ku banonte dhe të ishte një bashkëshort, prind, vëlla e bir i denjë i atyre njerëzve të mirë që ndikuan në formimin e tij.

Tafil Agaj, në çdo rast e për çdo gjykim, përpara vinte logjikën e shëndoshë, jo pasionin apo interesin e çastit. Kësisoj, ai, siç thonë në këto anë, "nuk vinte qerren përpara buajve". Tafil Agaj ishte sedërmadh. Ai i dëshironte arritjet e repartit që drejtonte dhe mbronte ato, me këmbëngulje. Tipar që e veçonte nga mjaft të tjerë ishte guximi për t’u ndeshur, me këdo, për të vërtetën.

Ai ishte nga ata njerëz që "të shikojnë në sy" dhe kanë kurajon t’i thonë të vërtetat, siç janë, pa iu dridhur qerpiku e pa u merakosur se ndokujt nuk i shkonte për shtat çiltërsia e tij. Nuk i hidhte kurrë "poshtë" njerëzit me të cilët punonte Tafil Agaj. Veç, kur tjetri bënte gabim, nuk e linte pa ia vënë në dukje atë, veçmas, jo në sy të të tjerëve, që ta fyente.

Kështu, Tafili u bë edukator i kualifikuar e "i ngjiste fjala". Pastërtia e shpirtit të tij u kishte mbyllur udhën hakmarrjes, mëllefeve, zemërimit e nxitimit.

Tafili njihte dhe respektonte traditat e mira të popullit tonë dhe ishte një atdhetar i zjarrtë. Ai kishte zë të ëmbël dhe këndonte me pasion e bukur këngën labçe dhe këngët e trevave të tjera të vendit tonë. Në buzët e tij kishin lezet fjala dhe kënga. Shpirti human dhe dashuria e pakufishme për tjetrin u shpalosën dukshëm dhe në ngjarjen e 22 nëntorit të vitit 1989, kur ai dha jetën, për t'u shkuar në ndihmë të aksidentuarve në fshatin Kudhës të Himarës. Tafil Agaj, ky komisar zemërzjarr e fjalëshpatë, u nda nga jeta, në kulmin e pjekurisë, si njeri e si specialist i fluturimit, duke lënë pas një emër të mirë, i cili do të kujtohet, në jetë të jetëve. Eruditin gojëmjaltë e të përkushtuar do ta kujtojnë fëmijët, bashkëshortja, vëllai, motrat, shokët e punës e të jetës dhe të gjithë sa e njohën atë njeri të mirë.

I paharruar qoftë, në jetë të jetëve, kujtimi i tij i ndritur!

Një shaka e këndshme nga jeta e "heroit të rrëfimit": Sipas të thënave të shokut të tij të klasës, inxhinierit të minierave, Adem Malasit:

Citoj: "Në vitet e shkollës shtatëvjeçare, në qytetin e Tepelenës, me Tafilin ishim në të njëjtën klasë. Tafili ishte nxënësi më i mirë i klasës dhe i shkollës. Ai ishte i pari i klasës dhe më i dalluari në shkollën tonë.

Në të gjitha lëndët, dijet e tij ishin absolute. Lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsinë, në atë kohë, i drejtonte mësues Krenari, nga fshati Luzat i Tepelenës. Nole i thonim, me përkëdhelje. Tafili e donte shumë letërsinë dhe e studionte atë në mënyrë të thelluar. E ngrinte në dërrasë të zezë, mësues Nolja, e Tafili jepte gjithnjë përgjigje shumë të mirë.

Për habinë tonë dhe të vetë Tafilit, mësuesi ynë i nderuar e vlerësonte shokun tonë të mirë, me notë negative: ‘Dysh!’ – i thoshte ai. Tavolina e mësuesit, ku ndodhej regjistri, ishte larg nxënësve e ne nuk shikonim dot notën që shënonte Nolja në regjistër. Kështu vepronte mësues Krenari, sa herë e ngrinte Tafilin në mësim. Turfullonte Tafili, me veten e tij, për arsye se e dinte si ishte përgjigjur, por kurrë nuk u ankua për padrejtësi. Krahasonim përgjigjet tona me ato të shokut tonë dhe vlerësimin e mësuesit dhe skuqeshim nga turpi. Ku ne e ku Tafili?

Këtë e kishte vënë re dhe shoku ynë, por nuk ndihej.

Në fund të vitit mësimor, u nxorën notat përfundimtare e u ndanë dëftesat. Mbetëm pa frymë e na shkëlqyen sytë, kur mësues Krenari lexoi vlerësimin. Ai deklaroi: ‘Tafil Agaj vlerësohet me notën "5 me yll"!’ Habia që na goditi fillimisht u shndërrua në gëzim e kënaqësi edhe pse e dinim të vërtetën. Edhe ne, kështu e kishim vlerësuar shokun tonë brilant! Dikush nga shokët, me zë të ulët, pëshpëriti: ‘Vajti haka tek i zoti!’

Qeshëm të gjithë. Ia thamë dhe Noles. Qeshi dhe ai!"

Në Tiranë, më 30 prill 2014.

Përgatiti Niazi Nelaj