Në mëngjesin e 12 janarit 1985, efektivi i Regjimentit të Helikopterëve, u ngjit në Farkë, në këmbë, jo si zakonisht. Një dëborë e paparë, e cila erdhi nga Perëndimi, zbardhi vendin e izoloi mjaft fshatra e rajone, sidomos në Shqipërinë Veriore e në atë Veri-Lindore. U evidencuan, disa viktima, në njerëz dhe dëme të shumta materiale.
Efektivi i Regjimentit të Helikopterëve u urdhërua t’u gjendej në ndihmë të izoluarve dhe të dëmtuarve. Detyra e posaçme, e prevalonte atë të situatave të zakonshme. Të dëmtuarit e të plagosurit duheshin transportuar, pranë qendrave ku mund t’u jepej ndihmë e specializuar; të izoluarit kërkonin furnizime, me ushqime, veshmbathje, medikamente, dhe mjete të tjera të domosdoshme për të jetuar.
Në datat: 12; 13; 14; 15; 16; 17; 18; 19; 23; 29 dhe 30 janar të vitit 1985, efektivi që shfrytëzonte helikopterin Mi-4, u vu në provë serioze. Mbulimit të terrenit me dëborë, e cila krijonte një bardhësi ku ekipazhet e kishin të vështirë të orientoheshin, i shtohej, veprimi në terrene të vështira, malore, të njohura e të panjohura dhe me mjegull të dendur që nuk të lejonte të vështroje, as 100 m. përpara. Kishte dhe mjaft vështirësi të tjera, si koha e kufizuar e përgatitjes së ekipazheve, të cilët, shpesh, e merrnin detyrën, mbasi ishin ngritur, në ajër.
Fluturimet u kryen me ngritje nga aerodromi i Tiranës dhe nga heliodromi i Farkës. Në janar u kryen 38 fluturime, me kohën 56 orë; 52 minuta. Në këto detyra u aktivizuan 44 përqind të pilotëve, me specializim të ndryshëm, të kombinuar.
Më poshtë po vijoj me paraqitjen e një grafiku, mbi pjesëmarrjen e ekipazheve dhe helikopterëve MI-4, në këtë aksion luftarak, të vështirë, si dhe vendet ku u hodhën sende, nga ajri apo me ulje, në terren.
12 janar 1985; Hetem Mehmeti- Luan Baci- Shuaip Malo, me helikopterin= 108, çuan shtypin e ditës, në Kukës dhe në Bajram Curri. Ekipazhi shfrytëzoi, me mjeshtëri, luginat e lumenjve, dhe falë njohjes me imtësi të terrenit, nëpër mjegullën e dendur, në lartësinë 700 m. kreu detyrën.
13 janar 1985; Ali Levanaj-Tafil Agaj- Teki Zaimi, me helikopterin =6-59 hodhën ushqime në Merturth (Mirditë). Në bord ishin ngarkuar 3 kv bukë; 3 kv konserva dhe 2 kinooperatorë, Ulja u realizua në lartësinë 880 m. në një shesh, me përmasa 40x40 m, mbi të cilin vendasit kishin shtruar qilima.
13 janar 1985; Vangjel Nasto- Pjetër Picaku- Hajdar Qyra, me helikopterin 6-54, me ngarkesë 1100 kg konserva mishi, shkuan në fshatrat: Brat-Klos dhe Lari. Ngarkesa, në pamundësi për t'u ulur, u hodh, nga pozicioni “varje”, në lartësinë 3-5 m, mbi objekt.
13 janar 1985; Cen Cenaj- Vangjel Nasto- Sotiraq Pina, me helikopterin =6-44 hodhën ushqime, në fshatrat: Hebja; Lari dhe Bata (Mirditë). Terreni ishte mjaft i vështirë. Hebja ndodhet e rrethuar nga male, që shkojnë deri në lartësinë 1990 m, kur rrotullimi brenda grykës ishte i pamundur. U shfrytëzuan me njohuri e guxim, të dhënat fluturuese të helikopterit MI-4.
13 janar 1985; Beqir Barxhaj- Enver Taho- Hajdar Qyraj, me helikopterin =6-54, pas ribazimit në fushën e Shtoit, ngarkuan e çuan 10 kv bukë, në fshatin Vuk-Jak të krahinës së Shllakut. Buka, në thasë, u hodh, nga pozicioni “varje”, në lartësi 10 m. me shpejtësi 20-40 km/orë.
13 janar 1985; Hetem Mehmeti- Shpëtim Baxhaj- Reshit Shkalla, me helikopterin = 6-01 u ulën në stadiumin e qytetit të Pukës, ku çuan postën dhe një ekip të radiotelevizionit shqiptar. Pas kësaj detyre, ekipazhi u ul në Shtoj, ku mori, për në Tiranë, disa udhëheqës, të partisë -shtet.
14 janar 1985; Albert Shkurti-Enver Taho- Thoma Beci, me helikopterin =6-41, pas ribazimit në stadiumin e Shkodrës, ngarkuan e transportuan bukë, në fshatin Vuk-Jak të krahinës së Shllakut. Hedhja e bukës u bë nga pozicioni “varje”, mbi kreshtën e malit 800-900 m të lartë.
14 janar 1985; Hetem Mehmeti- Osman Kushta-Reshit Shkalla, me helikopterin 6-01, transportuan, për në Kukës, udhëheqës të partisë-shtet dhe disa punonjës të Radiotelevizionit Shqiptar. Në itinerarin; Qafë- Shtane- Krej -Lurë, mjegulla e dendur shkonte deri në lartësinë 1400 m. Ekipazhi çau, duke njohur në imtësi e duke shfrytëzuar, mjeshtërisht luginën dhe terrenin e vështirë malor.
15 janar 1985; Fatush Disha- Hetem Mehmeti- Masar Lengo, me helikopterin 6-41, transportuan ushqime, një gjenerator dhe bateri, për të ndihmuar riparimin e çatisë së rrëzuar të depos së grurit, të rezervave. Ulja u krye në malin e Sucelit (Pukë), në lartësinë 1230 m, në një shesh me përmasa 3x3 m
15 janar 1985; Sotiraq Gjylameti- Jorgo Tabaku-Hajdar Qyraj, me helikopterin = 6-54, hodhën 14 thasë me bukë dhe 10 thasë, me konserva mishi (gjithsej 700 kg), në fshatrat: Hebje dhe Dom Gjon të rrethit të Mirditës.
15 janar 1985; Mentor Rrugija- Jorgo Tabaku- Teki Zaimi, me helikopterin= 6-59, transportuan 5 punëtorë dhe disa materiale, në lartësinë 1250 m. në vendin e quajtur Livadhet e Hamzit (Pukë). Ulja u realizua në një shesh të kufizuar, me përmasa 5x5 m. Njerëzit dhe mallrat, u hodhën, nga pozicioni “varje”. Në lartësinë o.5 m këndgazi ishte 9 gradë. Njëri nga punëtorët hezitoi të hidhej, ai u kthye në Tiranë.
15 janar 1985; Sinan Çela- Spartak Mitku- Thoma Beci, transportuan në Pukë, një grup kineastësh të radiotelevizionit Shqiptar. Ulja u krye në fushën e sportit të qytetit.
16 janar 1985; Vangjel Postoli- Albert Shkurti- Teki Zaimi, me helikopterin 6-59, shkuan në ndihmë të disa të aksidentuarve, nga orteku, në malin e Vilës (Kukës). Ishte njëri nga fluturimet më të vështira. Bardhësisë që kishte mbuluar vendin i shtohej, mjegulla e dendur, e cila nuk lejonte prurjen e të aksidentuarve, në Kukës, për hospitalizim. Helikopteri u ul në Qafën e Erërave (Vilë), në kushte tejet të vështira. Njëra rrotë e helikopterit, qëndronte, mbi shkëmb, kurse tjetra, ishte në ajër. Aty ndodhi dhe një ndodhi mjaft e bukur, e këndshme dhe me domethënie, e cila është dëftuar gjetke. Detyra u krye falë aftësive të veçanta të dy pilotëve, të cilët shfrytëzuan, me mjeshtëri të dhënat taktiko-teknike të makinës që drejtonin.
16 janar 1985; Cen Cenaj- Fatush Disha- Njazi Meta, me helikopterin 6-47, u ulën në Bregun e Lumit, ku morën një grua, në lindje të vështirë dhe e sollën në Tiranë.
16 janar 1985; Agron Galanxhi- Ilija Dhrami- Masar Lengo, me helikopterin= 6-04, transportuan në Krej -Lurë 800 kg miell dhe një sasi konservash mishi. Fluturimi u krye në kushtet e erës së fortë dhe të zhvillimeve vertikale të fuqishme, kur xhirot e motorit nuk mund të mbaheshin poshtë 2300 rrot/min. Në çastin kur u shkarkua ngarkesa, grykën e mbuloi mjegulla e dendur.
16 janar 1985; Hetem Mehmeti- Reshat Mullaj- Spiro Mihollari; me helikopterin 108, realizuan një ulje në fushën e sportit të Pukës.
19 janar 1985; Hetem Mehmeti- Tafil Agaj- Spiro Mihollari, me helikopterin 108, çuan në Bajram Curri një udhëheqës partie. Në afërsi të Komanit, ekipazhit iu ndez llamba e akullimit.
23 janar 1985; Beqir Barxha- Sinan Çela- Njazi Meta, me helikopterin 6-47 u ulën në fushën e futbollit të Bajram Currit, ku morën një të sëmurë.
Vijon...
- 29 janar 1985; Albert Shkurti-Agron Galanxhi- Vehbi Lala, u nisën për në Bregun e Lumit (Dukagjin). Ekipazhi fluturoi deri në fshatin Prekaj, por, për shkak se kushtet meteorologjike ishin tejet të vështira e më tej nuk mund të çanin, ndërprenë detyrën e u kthyen në Tiranë.
Ndoshta ia vlen të shkruhet për një fluturim mjaft mbresëlënës, të datës 18 janar 1985, i cili u krye nga: Cen Cenaj- Fatush Disha- Miho Papadhima. Në Shishtavec, një nuse 18-vjeçare, me inicialet Sh. M, në lindjen e parë, të vështirë, kërkonte ndërhyrjen e mjekut kirurg -gjinekolog. Ekipazhi u nis me ngutësi, Në bord ishte ekipi mjekësor, në përbërje të të cilit ishte reanimator Tritan Shehu. Pilotët u përzgjodhën nga ajo zonë, si njohës të mirë të terrenit, të mbuluar nga bora. Fatushi është nga Novosej dhe i di mirë futjet në fshatin e lindjes dhe në Shishtavec.
Bashkëfshatarët e nuses së re, kishin tentuar ta çonin atë në Kukës, me vig, por nuk kishin çarë dot. Rrezikohej jeta e nënës dhe fëmijës. Duhej vepruar, shpejt dhe cilësisht.
Nusen e çuan tek ambulanca e fshatit, e cila, në atë kohë ishte në gjendjen që dihet. Helikopterin, ekipazhi e uli, pranë ambulancës. Moti po përkeqësohej e dita ishte në muzg. Koha nuk priste sa të gdhinte dita.
Pas një konsulte me specialistët e mjekësisë, u vendos të kryhej lindja, me ndërhyrje. Infermieria e fshatit u improvizua si sallë operacioni. Ekipazhi, mori detyrën të ngrohte mjedisin, me llamba të zakonshme. Operacioni doli me sukses dhe nusja lindi një goxha djalë.
Të nesërmen, helikopteri, me nusen nënë dhe djalin e saj, fluturoi për në Tiranë. Për nder të këtij akti tejet human, Sh. M. dhe njerëzit e saj, vendosën ta quanin djalin Shpëtim!
16 janar 1985; Vangjel Postoli- Albert Shkurti- Teki Zaimi, shkuan në Vilë të Kukësit, për të transportuar disa të plagosur nga orteku i një dite më parë. Nuk do t’i isha kthyer këtij fluturimi, po të mos kishte ndodhur diçka e pangjarë, atje, në Qafën e Erërave, ku kushtet e uljes ishin, praktikisht të pamundura. Drejtimin e helikopterit e bënte Vangjel Postoli, me detyrë zëvendës komandant i regjimentit, për fluturim, dhe pilot i dytë ishte Albert Shkurti- kryenavigator i regjimentit. Të dy, pilotë me përvojë dhe me teknikë pilotimi të përkryer.
Në faqen e malit, aty ku ishin plagosurit, ulja, dhe qëndrimi në “varje” ishin të rrezikshme, për jetën e ekipazhit dhe të helikopterit. Komandanti i ekipazhit, vendosi, me çdo kusht, të merrte të sëmurët. Piloti i dytë, dhe tekniku fluturues, gjithashtu ishin të të njëjtit mendim. U tha; u bë.
Vangjeli e vendosi njërën rrotë të helikopterit, mbi një shkëmb, teksa tjetra ishte në ajër. Motorin nuk e fikën, por e mbajtën në regjimin e “Varjes”. Tekiu, ndihmoi dy burra të moshuar, të veshur me rroba tradicionale, malësori, të ngjiteshin mbi platformën e rrotave.
Njëri nga burrat, u afrua tek xhami i pilotit të majtë. Ai futi dorën në gji dhe nxori prej andej një kokërr mollë. E fshiu, pas veshjeve, e kafshoi dhe ia zgjati Vangjelit, me kërkesën: “Kafshoje ti; jepja dhe kolegut ta kafshojë”! Nga shpirti e nxori, fisniku atë mollë e cila, në atë ngricë janari, donte të thoshte shumë.
Raste të ngjashme, janë të panumërta në praktikën fluturuese të ekipazheve të helikopterëve MI-4, në 45 vjet veprimtari humane.
Një situatë e përafërt emergjence, atë vit, u përsërit dhe në muajin shkurt. Gjatë muajit janar dhe shkurt të vitit 1985, ekipazhet e helikopterëve MI-4, u ulën, qëndruan në “varje” ose hodhën sende nga ajri, në pikat: Vilë; Krej -Lurë; Bregu i Lumit; Shishtavec; Klos; Fushë-Lurë; Lurë; Koman; Bajram Curri; Sucel; Pukë; Dom Gjon; Merturth; Vukaj; Lami; Lari; Vukaj; Mollaj Shosh; Hebaj; Kaptinë, artansh; Bizë; Lajthizë; Shëngjergj, Gollobordë, etj, etj. 4 fluturime emergjencë u kryen dhe në datat; 14; 16; 19 dhe 20 shkurt të vitit 1985.
14 shkurt 1985; Ali Levanaj- Arif Mataj- Teki Zaimi, u ulën në Klos, ku morën një të sëmurë.
19 shkurt 1985; Vangjel Nasto- Minella Kucuqi- Miho Papadhima, u ulën në Fushë- Lurë, ku çuan miell.
19 shkurt 1985; Cen Cenaj- Vladimir Selimollari- Spiro Gjini, u ulën në Bajram Curri, ku morën një mjek të sëmurë.
20 shkurt 1985; një fluturim tepër interesant e me kuptim, i cili rrëfen për bujarinë e shpirtit të malësorit tonë. Atë ditë, ekipazhi: Beqir Barxha- Agim Nanaj- Spiro Gjini, me helikopterin = 6-53, çuan miell, në Fushë- Lurë. Helikopteri u ul në një fushë futbolli fshati, me përmasa mjaft të kufizuara. Vendasit (pushtetarët vendorë) nuk kishin marrë masa për të pritur helikopterin, edhe pse njerëzit ishin pa bukë në vatër.
Dëbora, në sipërfaqen e fushës së futbollit, nuk kishte arritur të ngrinte dhe rrotullimi i helikës mbajtëse, ngrinte pluhur, përpara syve të pilotëve, të cilët e kishin mjaft të vështirë të përcaktonin lartësinë nga toka.
Pas uljes dhe fikjes së motorit, u shkarkuan thasët me miell. Tek ekipazhi u afrua njëri nga pushtetarët dhe na ftoi për drekë. Interesant: Ata ishin pa bukë e ne u çuam miell dhe na ftuan për drekë. Çfarë njerëzish fisnikë? Çfarë bujarie e paparë? U shpëtuam lutjeve të tyre, vetëm kur u bëmë me dije se na presin nevojtarë të tjerë, si ju!
Më duhet të shpjegoj diçka: Zbatimi i detyrave të emergjencës, që rendita, më sipër, nuk është e vetmja punë që kanë bërë në ato ditë të vështira, ekipazhet e helikopterëve MI-4; Por në këto raste e në të tjera, analoge, u shpalos, me tërë forcën heroizmi masiv i njerëzve.
Ju e dini që, për të ngritur në ajër një aparat fluturues, i çdo natyre qoftë, në përgatitjen e tij marrin pjesë dhjetëra, ndoshta qindra njerëz. Secili në postin e tij, në ato ditë drithëruese, ishte i përkushtuar: “Çfarë duhet të bëj, që detyra të kryhet, me sukses”? Këtë pyetje ia bënte gjithkush vetes, dhe përgjigjen e gjente në vendin e punës.
Edhe të moshuarit si Fadil Kashri; Myslum Gjoka; Eljaz Kraja; Shkëlzen Kokomiri etj, me mend fluturonin, nga gëzimi, kur kthehej në heliodrom helikopteri mbi të cilin kishin punuar, me detyrë të plotësuar dhe pa vërejtje. Kryeinxhinieri Tajar Ramadani; mjeshtrat e shfrytëzimit të helikopterëve: Dajlan Birçe; Naltor Shehu; Petrit Levanaj e mjaft të tjerë, punonin, pa zë, sikur të ishin në “surdinë”.
Ku e merrnin forcën, tërë ata njerëz, që u kthyen në “luanë” të vërtetë? Si nuk dëgjova një njeri që të ankohej e të thosh: “sa u lodha”!
Këtë sakrificë të paparë, mund ta përcaktoj si heroizëm masiv. Respekt për ata që mendojnë si unë dhe për ata që ruajnë rezerva. Të gjithë, i siguroj se ato që ju servira janë vetëm të vërteta të pastra!



Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.