Disa mendime, në 41-vjetorin e rënies së tij, në krye të detyrës, në udhën e ngjitjes së shkallës së kualifikimit të pilotit.

Kur pija kafe me njërën nga «ikonat» e aviacionit shqiptar, pilotin e klasit të parë, Gëzdar Riza Veipi, në bisedë e sipër më tha: «Shumë shokë na ka marrë marsi!» U orvata të numëroja ata që kanë rënë në fluturim, në këtë muaj, të cilin, si për t’i nxjerrë inatin, e quaj muaj të mbrapshtë. Njëri nga të rënët në këtë muaj është piloti i klasit të dytë Bego Isa Hoxha. Sa shpejt kaluan 41 vjet! Gati gjysmë shekulli që nuk e kemi Begon tonë të dashur, mes nesh.

Në kujtesën time, Bego Hoxha ka mbetur si atëherë, në verën e vitit 1966, kur ai dhe shokët e tij të grupit fluturonin në aeroplanët Mig-15, në Pishëporo, ku bënin përdorimin luftarak të aeroplanit të mësipërm. Ata ishin 20 studentë për pilotë. Ishin njëzetvjeçarë; nga ata djem që u shkrepëtijnë sytë e nuk i mban vendi, nga dëshira për të fluturuar. Nuk ishin 20 djem dosido, por ishin 20 yje vezullues që rrezatonin zhvillim. Mes tyre, Bego Isa Hoxha kishte një shkëlqim tjetër, të veçantë, i cili rrezatonte më fuqishëm. Çfarë t’i kujtosh e çfarë t’i harrosh atij deli djali? Ai ishte i ndritshëm në të gjithë qenien e tij djaloshare. Vetë rinia tek Begua kishte ardhur mjaft bujare.

Sot, pas kaq vitesh, më duhet të riprodhoj portretin interesant të tij, por kam drojë se mos lë pa përmendur ndonjërën nga vlerat e shumta të tij. Bego Hoxha e kishte shtatin të lartë. Shtatlartësia e tij nuk binte në sy. Begua e kishte trupin elegant, muskuloz, të drejtë e të shkathët, me një të ecur e qëndrim nazik. Uniformën ushtarake e mbante të pastër e i kishte hije në atë trup të rregullt. Fytyrën e kishte gjithë nur e buzëqeshja nuk i ndahej e nuk kishte limite. Sytë ngjyrë kafe të Bego Hoxhës nuk dëftonin thjesht zgjuarsi të natyrshme. Bego Hoxha ishte nga ata djem që shikojnë «dhe pas krahëve». Atij nuk ia hidhte dot asnjeri.

Ai erdhi në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, nga shkolla e mesme ushtarake «Skënderbej». E donte ushtrinë, rregullin dhe disiplinën e ishte i sjellshëm, por nuk duronte dot ngurtësinë, servilizmin, konformizmin dhe shablonizmin e të tjerëve. Nga natyra ishte disi çapkën e pak rebel. Një gjë që nuk i pëlqente, ai ia përplaste kujtdo, në fytyrë e nuk bëhej merak si do ta priste kritikën tjetri. Bego Hoxha ishte njeri i kulturuar, me humor të këndshëm dhe me karakter tejet human. I donte e i respektonte shumë shokët dhe ishte i gatshëm të hidhej në zjarr, për të mbrojtur personalitetin e tyre, kur ai shkelej pa të drejtë.

E them me bindje e me vërtetësi se Bego Isa Hoxha ishte njëri nga studentët e sërës së tij që lexonte shumë e dinte më shumë. Ai, në çdo drejtim, qëndronte në nivele mbi mesataren e grupit ku bënte pjesë.

Për këtë arsye, disave, të cilët nuk e përballonin dot logjikën e tij të shëndoshë, se si u dukej Bekatori e i kishin ngjitur padrejtësisht epitete, të cilat nuk i meritonte. Bego Hoxha ishte njeri me integritet e me intelekt të rrallë. Atij nuk ishte nevoja t’ia thoshe dy herë të njëjtin problem. Në ajër ishte i qetë, i qëndrueshëm e i saktë. Begua e donte avionin dhe ajrin, kënaqësia e tij më e madhe ishte kur fluturonte. Me zgjuarsinë e mprehtësinë tipike, që e karakterizonin, ai i kapte e i përvetësonte shpejt elementet e fluturimit. Më kujtohet kur polemizonte me instruktorin e tij, të urtin e të duruarin Avdi Gjonmemaj, kur ai i përsëriste disa herë të njëjtin element fluturimi. Instruktori ishte në të drejtën e tij, mbasi nuk kishte vetëm Begon student, në grupin e tij të fluturimit.

Gjykuar nga vlerat dhe njohuritë teorike dhe ato praktike, Bego Hoxha i kishte shokët të rrallë, si në shkollë, ashtu dhe kur kaloi në regjiment. Ai ishte një enciklopedi dhe kishte njohuri të sakta, në çdo fushë të jetës. Horizonti i tij ishte i pamatë.

Bego Hoxha ishte në ato nivele sa diskutonte për letërsinë dhe artet, me të madhin Ismail Kadare e me mentarë të tjerë të sferave të larta të dijes. Shokët e grupit ku bënte pjesë, si: Luto Sadikaj; Petrit Bebeçi; Vangjel Koroveshi; Stiljan Tanka; Lutfi Jaho; Isa Arapi; Flamur Pupa; Alqiviadh Dede; Sabri Toçi; Bilal Sina etj., e kishin pranuar Begon si «të parin» e tyre. Ndarja nga jeta, para kohe, e atij talenti të rrallë, në përpjekje për ta përsosur nivelin profesional të pilotit, solli mjaft dhimbje, brengë e lot tek shokët e tij dhe tek ata që punuan e ishin pranë tij. Bego Hozhës i kishte lezet fjala e i ngjiste kuvendi. Ai i jepte dritë mjedisit ku gjendej dhe ngrinte peshë zemrat e shokëve.

  • I ndrittë shpirti e mos iu harroftë vepra dhe emri!

  • Fëmijët që la pas e paçin jetën të gjatë e i ngjafshin atij deli babai!

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij!