Aviacioni shqiptar, si dhe ai i vendeve të tjera, rreth nesh e më gjerë, u rrit, mes “bëmave” dhe “gjëmave”. Nuk trashëguam nga e kaluara, ndonjë traditë, as njohuri, në fushën e fluturimeve ajrore. Të parëve tanë u vlonte në deje geni i rritjes dhe ai i zhvillimit, por kushtet, nuk e bënin këtë të mundur. Megjithatë, me guximin e trimërinë që kishin në gji dhe me kurajon për t’u radhitur me të përparuarit, ata, kapërcyen vite e flakën tej mentalitete dhe u ngjitën në lartësi të papara edhe në fushën e aeronautikës, ku kishte padituri e mungesë praktike. Në mesin e viteve ’40 të shekullit të shkuar, kur popujt, me luftë të armatosur e me kosto të lartë në jetë njerëzish, hoqën nga qafa zgjedhën fashiste dhe morën frymë lirisht, një grusht djemsh, nga trojet arbërore, të përzgjedhur, me kujdes, nga radhët e ishpartizanëve, nisën, plot guxim e trimëri, udhën e vështirë të fluturimeve.

Në vitin 1945, u nisën për në Pançevo (Jugosllavi), 50 djemtë e parë, në shkollën e aviacionit, për t’u përgatitur si pilotë, teknikë e specialistë. Në radhët e tyre ishin ishpartizanët: Niko Hoxha; Babaçe Faiku; Edip Ohri; Fari Bubësi; Vasil Trasha; Areteo Konomi; Thanas Gjiknuri; Estref Sherko; Ibish Vokshi; Sazan Xhelo; Hasan Shyti; Masar Aga; Vaskë Kosturi; Irakli Grazhdani; Pertef Myftari; Niko Papavangjeli; Vasil Qeraxhi; Mili Grebizi etj. Pas tyre, për t’u futur në këtë udhë, u erdhi radha ishpartizanëve, me moshë më të re, ku bënte pjesë dhe talenti i lindur, nga Starja e Kolonjës, Haki Iljaz Jupasi. Hakiu dhe bashkëmoshatarët e tij, fillimisht u ulën në bankat e shkollës së mesme ushtarake, e cila sapo u çel, në vitin 1945, u quajt: “Shkolla e kadetëve” dhe, më vonë mori emrin e famëmadhit, heroit tonë kombëtar “Skënderbej”. Tre vjet u ulën në bankat e shkollës, për të kompensuar, atë që kishin humbur nga lufta, në fushën e arsimimit dhe në muajin janar të vitit 1948, u nis për në Pançevo grupi i dytë i pilotëve të pritshëm dhe i specialistëve të aviacionit. Ata do të zëvendësonin paraardhësit e tyre, të cilët, tashmë kishin përfunduar shkollën e ishin kthyer në Atdhe, në përbërje të forcave të armatosura, të dala nga lufta, me “uri” për t’u pasuruar me kualitete të reja. Shkenca jonë mjekësore, në vitet e para, pas çlirimit të vendit, për shkaqe të njohura ishte në nivele mjerane.

Në një vend jo aq të zhvilluar, siç ishte Shqipëria e atëhershme, as që mund të mendohej përzgjedhja e kandidaturave të mundshme për t’u bërë pilotë mbi baza e kritere të mirëfillta shkencore. Për të kompensuar këtë mangësi të justifikuar, u shfrytëzuan disa mënyra, të thjeshta, në dukje empirike, të cilat rezultuan dobiprurëse e fatlume. Si kriter bazë u çmua vullneti i lirë i adoleshentëve kandidatë për pilotë. Nuk mund të bëhet fjalë për dashuri për profesionin, në ato kushte, por, thjesht për dëshirë e vullnet të lirë për t’u futur në një profesion të vështirë, deri atëherë të panjohur. Një njeri nuk mund të bëhet pilot, as pa vullnet të lirë; as rastësisht. Djemtë nga Shqipëria, edhe pse akoma të parritur, para se të futeshin në udhët e qiellit, të panjohura për ta, para se të hidhnin hapin vendimtar, kishin dëftuar pjekuri.

Ata e kishin pleqëruar gjënë, me familjarët e tyre dhe me të afërmit si dhe me të tjerë që kishin sadopak njohuri për aeronautikën. Prandaj mund të themi se vendimi i tyre për t’i hyrë shkencës së fluturimit, ishte i pjekur e jo rastësor. Faktori tjetër bazë; guximi dhe trimëria, tek këta djem nuk mungonte. Ata vinin nga jeta partizane, si të thuash, kishin zbritur nga mali e në luftë kishin kaluar, kushedi sa herë në “vrimën e gjilpërës”. Pra, guximi dhe trimëria ishin shndërruar në “pjesë organike” të tyre. Lufta Nacionalçlirimtare, në zjarrin e saj, i kishte bërë ata sypatrembur e të gatshëm për të shkuar, me vetëdije, drejt rrezikut.

Aviatorët e ardhshëm ishin të kompletuar dhe me tiparet e domosdoshme për të qenë të tillë, në veçanti, ata kishin fituar e kishin kalitur, shkathtësinë, iniciativën e vetëveprimin dhe kishin përpunuar reflekset e nevojshme e ishin, tërësisht të zgjuar e të sakrificës. Ata që kishin atributet shtetërore, për të përzgjedhur kandidaturat e mundshme, mbi bazën e njohjes vetjake të këtyre tipareve të domosdoshme, gjykuan përzgjedhjen e djemve që do të bëheshin pilotë dhe gjykimi i tyre zëvendësoi analizat laboratorike që bëhen sot dhe testet moderne, të cilave u nënshtrohen ata që do të futen në programet e pilotimit. Mund të thuhet se metodat “empirike” të përzgjedhjes, nuk i zhgënjyen autorët e tyre, përkundrazi, në mjaft raste, ato prevaluan mbi mentalitetet frenuese dhe dolën fitimtare mbi paragjykimin apo snobizmin e disa drejtuesve nga vendet “mike” që u ngarkuan për të përgatitur pilotët nga vendi ynë. Ngjitja e aviacionit shqiptar në nivelet që njihen, ishte një rrugë e vështirë e duheshin kapërcyer mjaft pengesa; cilësitë e njerëzve tanë ishin baza e këtij rrugëtimi dhe kapja e kulmeve, botërisht të pranuara. Djemtë “azganë” që shaluan makinat luftarake të ajrit u bënë pilotë në dhe të huaj, dhe, me përpjekje të shumta, në luftë me një sërë gjerdhesh që kishte rezervuar koha, shpërndanë mjegullnajën e paditurisë dhe paragjykimet që kishin hedhur rrënjë e sollën risi në radhët e kualiteteve të Ushtrisë Popullore. Ata u bënë pilotë; disa syresh shpalosën talentin e tyre, të lindur apo të fituar në startet e fluturimeve e në auditorët ku mësuan shkencën, por disa prej tyre nuk e patën udhën, nëpër qiell, të gjatë.

Famëkeqja, luftë e klasave, e cila, shpesh nxitej artificialisht e binte siç bie furtuna në arë me drithëra, u veshi disa djemve me talent të spikatur, petkun e saj ogurzi e i përjashtoi, padrejtësisht nga radhët e fluturuesve. Haki Iljaz Jupasi, të cilit shumëkush i detyrohet në fushën e të mësuarit të fluturimit, ishte njëri nga talentet e rralla, i cili mbajti mbi supe barrë të rëndë dhe për një kohë të gjatë lidhur me mësimin, kontrollin dhe drejtimin e fluturimeve, në disa starte e aerodrome të vendit. Ndoshta kemi të bëjmë me një rast të rrallë, tipik e të papërsëritshëm kur një pilot shqiptar është ngritur në ajër në më tepër se 26 vjet, në aeroplanë reaktivë, përfshi dhe ata mbizanorë: Mig-19 Pm e Mig- 19S dhe gjatë rrjedhës së kohës, nuk ka pasur asnjë avari, të shkaktuar nga faktorë subjektivë. Dikush, nuk e di nga cilat motive, mund të thotë se Haki Jupasi, në këtë çështje ka qenë njëri nga pilotët të cilët fati i ka përkëdhelur. E kundërshtoj, prerë dhe kategorikisht, këtë mendim, i cili, së paku nuk ka brenda vetëm padijeni por dhe më duket dashakeq. Nisur nga njohja personale që kam dhe nga ato që më kanë dëftuar bashkëkohësit dhe nxënësit e tij, e them fort, se Haki Jupasi, në çështje të fluturimeve ka qenë një talent i lindur dhe ia ka bërë shërbimin profesionit të tij, të vështirë.

Kur them kështu, nisem nga fakti se Haki Jupasi zotëronte teknikë pilotimi të përkryer. Kur të dëftonte një figurë pilotimi apo një ushtrim të ri ai “i ngjiste” shigjetat e instrumenteve dëftues në pozicionet respektive, siç përshkruhet në instruksionet përkatëse. Në përforcim të kësaj ideje, mund të them se Haki Jupasi, në cilësinë e fluturuesit dhe si drejtues ishte i kompletuar, me të gjitha tiparet e një ushtaraku tipik. E nënvizoj fort këtë fakt mbi bazën e njohjes që kam në punë të përbashkët. Në aviacion kanë fluturuar e kanë “shkëlqyer” me dhjetëra, madje me qindra pilotë të njohur e me emër në elementë të veçantë; Haki Jupasi ishte i kompletuar e shkëlqente në të gjithë elementët e fluturimit. Pa u rrekur të bëj evidencë, as karakteristika personash të veçantë, në praktikë kam parë pilotë që shquheshin nga të tjerët për suportim mbingarkesash, të tjerë kanë “shkëlqyer” si qitësa e bombardues të pakonkurrueshëm, disa vinin në ulje si “të mëdhenj”, dikush, shquhej si “akrobat i ajrit” që zhonglonte me aeroplanin sikur ta kishte lodër; njërit ishte mjaft e vështirë t’i futeshe në bisht në “luftime ajrore” etj. Etj.

Disa ishin “të prerë” për udhëheqjen e fluturimeve, me kompetencë e cilësi etj. Etj. Haki Jupasi, në të gjithë këta elementë e në tërësi në të gjithë praktikën si fluturues ka qenë i ekuilibruar e me kompetencë absolute.

Kur ishte në udhëheqje të fluturimeve e të merrte në ulje, me Haki Jupasin ta kishte ënda të bashkëbisedoje me të e të dëgjoje vazhdimisht në kufje zërin e tij të veçantë, i cili, jo vetëm të orientonte drejt por dhe të jepte kurajo e besim për ulje të suksesshme. Kur bëhet fjalë për një pilot të kompletuar, në mjaft drejtime të veprimtarisë së tij si fluturues, na duhet të sqarojmë dhe burimin e kompetencës së tij. Mendoj se shkaku kryesor që bënte të mundur kompetencën e tij, ishte, para së gjithash horizonti i gjerë i Haki Jupasit. Ai njihte mirë e mbi baza shkencore teorinë e fluturimeve, jo të një aeroplani të vetëm por të objekteve ajrore, në tërësi. Ai njihte, në detaje kufijtë dhe limitet e sjelljes së aeroplanit në regjime fluturimi e në pozicione të ndryshme ajrore. Haki Jupasi, në jetën si pilot, fluturoi në disa tipa aeroplanësh; me helikë dhe me motorë reaktivë, nisur nga Ut-2 nga u nis, deri në atë Mig-19 S, me të cilin e mbylli karrierën e gjatë si fluturues.

Avantazhi i tij ishte njohja e thellë e konstruksionit të planerit dhe motorit të tyre dhe aftësia e menaxhimit të tyre, në tokë e në ajër, me kompetencë e njohuri shkencore. Fluturoi në të gjitha kushtet e motit e të kohës dhe mori pjesë drejtpërdrejt në kryerjen e mjaft detyrave luftarake, në formacione të ndryshme luftimi, në detyra të larmishme ku fitoi përvojë të gjatë vepruese. Përvoja i dha siguri dhe iniciativë veprimi, gjë që është e domosdoshme për një drejtues luftarak. Çdo pilot, i çdo niveli qoftë, kur ka fluturuar me Haki Jupasin në kabinën e dytë, në cilësinë e instruktorit apo të kontrolluesit, me siguri është ndjerë më i qetë e më i sigurt se, do të mësonte diçka të re, brenda programit dhe se do t’i thuheshin hapët e me saktësi të metat e dobësitë. Njohuritë e tij të gjithanshme, deri tek njohja e situatës sinoptike dhe vlerësimi i drejtë e i shpejtë i dukurive meteorologjike ishin pjesë e kompetencës së tij. Një nga tiparet karakteristike si oficer shtabi që binte në sy, menjëherë tek oficeri Haki Jupasi, ishte, gjithashtu horizonti dhe kultura; aftësia për t’u dhënë udhë problemeve dhe vështirësive që i dilnin përpara, në procesin e punës e të drejtimit.

Po të flas me ato që më tha parashutisti trim, Fadil Nenaj (Braho), i cili ka qenë oficer shtabi, në regjimentin e Rinasit dhe ka punuar, së bashku me Haki Jupasin, do të thoja: “Në të gjithë karrierën time si oficer shtabi, nuk kam njohur komandant më të aftë e më të kompletuar. Pas Niko Hoxhës, ai ishte komandanti që më ka ndihmuar, më tepër. Haki Jupasi ishte kompetent, në çdo fushë, edhe në atë të profesionit tim, të parashutizmit”. Në portretin e komandant Hakiut, vartësit e tij shikonin një oficer të pashëm, elegant, të shkathët, gojëëmbël e dashamirës, të qartë në ato që fliste dhe të vendosur si dhe një pilot të talentuar. Sjellja qytetare e tij, edukata dhe kultura në komunikim me njerëzit, qëndrimi i hapët dhe mosmarrja me cic-mice e gërr- vërre ia shtonin autoritetin dhe respektin tek njerëzit. Haki Jupasi ishte absolut në fushën e udhëheqjes së fluturimeve.

Ai, me qetësinë dhe saktësinë e udhëzimeve që u jepte ekipazheve, në ajër, sidomos kur ata kishin nevojë për ndërhyrjen e tij, u dhuronte atyre optimizëm e siguri. Dhe kjo nuk ka ngjarë vetëm në një rast. Në përfundim të kësaj hyrjeje, më vjen mirë të shkruaj se jeta e Haki Jupasit, si pilot e si oficer ka qenë intensive dhe e ka lodhur atë. Por, në zjarrin e përpjekjeve për të kryer detyra me përgjegjësi e delikate, Hakiu është kalitur dhe është armatosur me guxim, trimëri, iniciativë e vetëveprim për t’u dalë ballë për ballë e për t’i kapërcyer sfidat e kohës. Të shumtë janë ata që e kanë informacionin se Haki Jupasi ishte pilot ushtarak i klasit të parë, por, ma do mendja, të paktë janë ata që e dinë, me siguri në cilën kohë e mori ai, atë titull të lartë, të merituar. Është e vërtetë që viti 1958, kur Haki Jupasi dhe një grusht pilotësh fluturuan në kushte tejet të vështira, me një infrastrukturë mjerane, morën klasin e parë të pilotit ushtarak, ka mbetur larg por nuk mund të harrohen korifejtë e kësaj “bëme” të veçantë e të paparë.

Niko Hoxha; Edip Ohri; Vasil Trasha; Fari Bubësi; Thanas Gjiknuri e më i riu prej tyre Haki Jupasi, çanë, me guxim e trimëri të rrallë atë prapambetje shekullore dhe me punë e djersë, pse jo dhe me gjak, i hapën udhën përgatitjes së pilotëve për t’u ngjitur në atë cilësi të re, në maja të paimagjinuara. Pranojmë se Haki Jupasi, mes kolegëve të tij që u programuan për të marrë klasin e parë të pilotit, ishte më i riu në moshë dhe i viteve pasardhës krahasuar me disa më të lashtuar, por kur i futemi analizës, arrijmë në përfundimin se Hakiu u bashkua me ta, falë aftësive vetjake, si pilot me teknikë pilotimi të përsosur. Për fat të mirë, nuk jam i vetëm që mendoj kësisoj mbi vlerat e Haki Jupasit. Po ju citoj disa opinione nga ata që kanë punuar e fluturuar, së bashku me Hakinë ose që kanë qenë pranë tij.

Bardhyl Lubonja, ishpilot në aeroplanët më të sofistikuar të kohës, aktualisht me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: “Haki Jupasi ishte pilot i talentuar, udhëheqës fluturimi absolut dhe njeri i përkryer. Ai ishte i qytetëruar, i kulturuar, i zgjuar e i shkathët, nga natyra...

Kur fluturonje me të nuk të përzihej e nuk të ngacmonte, të jepte autonomi veprimi”.

Çobo Skënderi, pilot i klasit të parë, bashkëkohës i Haki Jupasit. “Haki Jupasi ishte fisnik. Ai ishte një pilot i përkryer, por nuk vetëlavdërohej kurrë. Pse nuk tha një herë ai njeri: “Dëgjomëni mua, se unë jam kështu e ashtu”... Ai nuk të qortonte më kot e nuk të mbante mëri, as inat. Sa kohë ishte komandant, Haki Jupasi nuk dënoi asnjeri”.

Petraq Koroveshi, pilot i klasit të dytë, nga më jetëgjatët në aviacionin reaktiv: “Pata fatin për ta njohur, nga afër, pilotin e talentuar Haki Iljaz Jupasi... I cili, ishte një pilot për t’u pasur zili.

Ai ishte, jo vetëm talent i rrallë, si fluturues, por dhe një psikolog e metodist i shkëlqyer, i cili dinte të komunikonte ëmbël, me pilotët dhe me të gjithë vartësit e tij.... Hakiu njihte, nga afër karakteristikat e çdo piloti dhe vepronte, në çdo rast, sipas kërkesave të veçanta të tyre”.

Bilal Sina, pilot i klasit të dytë, i njohur për aktin heroik që kreu, duke ulur avionin Mig-15, pa motor, nga lartësia 6000 m: “Haki Jupasi ishte shumë i matur, në gjykimin e veprimeve dhe tepër njerëzor... Kur të merrte në ulje Haki Jupasi, fliste shumë, por qetë, ngrohtë, saktë dhe kuptueshëm.

Kur ishte në udhëheqje të fluturimeve, ai e kujtonte pilotin, gjatë gjithë kohës, me fjalët: “bëj këtë e mos harro atë veprim”; të mbante gjatë gjithë kohës nën tension dhe, kur vije në ulje, të korrigjonte udhës”.

Fadil Nenaj (Braho), parashutist i klasit të parë, guximtar i rrallë: “Përveç Niko Hoxhës, komandant regjimenti, si Haki Jupasi, nuk më kanë zënë sytë. Ai njeri, ishte i gjithanshëm, si njeri, si pilot dhe si komandant... Ai i donte shumë njerëzit e punës dhe ata që ishin të ndershëm... Si nuk më ka folur, qoftë edhe një herë, me ashpërsi, ai njeri”? Këtij argumenti i vjen në ndihmë vetë jeta e Haki Jupasit, në etapa të ndryshme të saj ku u shpalosën me forcë vlerat më të spikatura të këtij personaliteti të rrallë.

Fara që mbiu në një truall atdhetarësh u rrit e u zhvillua shëndetshëm

Haki Jupasi u lind në fshatin Starje të rrethit të Kolonjës, rrëzë malit të Gramozit, në një truall atdhetarësh të njohur, më 14 shkurt të vitit 1928. Ai erdhi në jetë nga dy prindër të thjeshtë, të cilët ushtronin, kryesisht punën e bujkut dhe jetonin me djersën e ballit. Nëna, Ballkize dhe babai, Iljaz, lindën e rritën gjashtë fëmijë.

Sipas radhës kur erdhën në jetë, të pjellët e çiftit Jupasi, ishin: Liria; Shanikua; Hakiu; Gulja; Qenami dhe Bukuria. Përmes ninullave që i këndonte nënë Këzja dhe rrëfimeve të më të moshuarve të fisit, Hakiu u njoh me rrënjët e fisit të tij.

Kur u rrit, Hakiu mësoi për qëndrimin atdhetar të të parëve të tij, në mbrojtje të trojeve amëtare kundër shovinizmit të fqinjëve të Jugut, të cilët nuk u ndalën, përpara asnjë masakre, me qëllim nënshtrimin e popullit tonë. Revolta e djaloshit të parritur u shtua, kur ai mësoi se në vitin 1914, andartët kishin djegur, të gjallë, gjyshin e tij –Qenanin dhe vëllanë e tij –Rexhon. Njohja e masakrave kundër të tijve e mbrujti Haki Jupasin, me ndjenjën e atdhetarisë për vendin e tij e me urrejtje ndaj qëllimeve shoviniste të fqinjëve dhe e poqi atë, para kohe. Djaloshi simpatik dhe i përkëdheluri i xha Iljazit e i nënë Ballkizes u rrit, i shkathët, hodhi shtat e u burrërua në sytë e prindërve, të familjes e të fisit dhe ishte i preferuari i tyre. Hakiu, si djalë i zgjuar e i shkathët dilte mbi nivelin e moshatarëve të tij dhe për shkak se ishte edhe i saktë, shpesh e dërgonin për të bërë pazare të vegjël.

Në këtë “llavë” atdhetarie kur në hapësirat e Kolonjës e të gjithë Shqipërisë frynin erërat në mbrojtje të kufijve amëtarë, kundër pushtimit të huaj dhe varfërisë ekstreme të popullit, e gjeti 11-vjeçarin Haki Jupasi, pushtimi fashist i vendit. Ky pushtim preku sedrën e djalit të parritur, pinjoll nga shtëpia e xha Iljazit.

Babai i Hakiut, Iljaz Qenani i Starjes kishte punuar në emigracion, në Boston, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 13 vjet radhazi, në një fabrikë lëkurësh. Ai ishte anëtar aktiv i shoqatës atdhetare –shqiptare të “Vatrës” dhe kishte dhënë kontribute të ndjeshme financiare, në të mirë të rekrutimit të luftëtarëve shqiptarë, që do të niseshin për të marrë pjesë në Luftën e Vlorës, të vitit 1920. Burri i mençur e trim, Iljaz Jupasi, për kontributet e çmuara, në të mirë të çështjes kombëtare, u shpall “kampion”, për kontributet financiare dhe u nderua me një dhuratë mjaft interesante, simbolike, në nderim të aktit të madh patriotik të xha Iljazit. I madhi Fan S. Noli, i dhuroi Iljazit një stilograf, me unazë të artë, mbi të cilën shkruhet: “Dhuratë, Iljaz Qenan Starja, nga kryekordari S. Noli”, e cila mban datën 1922 dhe ruhet në familjen e Haki Jupasit, në Tiranë. Para se xha Iljazi të largohej për në Atdhe, pronari i fabrikës së lëkurëve ku punonte ai, meqenëse i pëlqente djali nga Shqipëria, i propozoi atij ta bënte dhëndër e ta martonte me çupën e vetme të tij.

Por Iljaz Jupasi e kishte mendjen në Kolonjë. Atë e kishte marrë malli për të tijtë dhe për përkëdheljen e erës që fryn në hapësirat e Kolonjës. Atë e kishte pikur malli të dëgjonte këngët e grave e të burrave të trevës së tij, të cilët i këndonin natyrës së bukur dhe trimërisë së atyre njerëzve trima e të besës.

Kur pronari i bëri propozimin për martesë me të bijën, Iljazi iu përgjigj prerë: “Erdha në kurbet; punova 13 vjet, bëra kapital; tani do të shkonj në vatanin tim, se atje kemi punë të madhe”! Kështu i tha manjatit amerikan, kolonjari krenar, njeriu i thjeshtë që i falej vetëm flamurit kombëtar dhe tokës nënë! Donte të shkonte në Vlorë, për të luftuar kundër pushtuesve, në krah të luftëtarëve nga Kolonja por, peripecitë e shumta të lundrimit të gjatë dhe rrugëtimit të pasigurt, nuk e mundësuan atdhetarin e flaktë, i cili mori udhën, nga anë e anës, për të luftuar, në mbrojtje të trojeve amëtare, si të parët e tij. Iljaz Jupasi, mbërriti e u vendos në Starje, pranë të tijve dhe, pas një viti, u martua me Ballkizen, nga një derë e sërës së tij. Ballkizja ishte fisnike, ajo rridhte nga pinjollët e të dëgjuarit Hasan Zyko Kamberi. Iljaz Jupasi ishte djalë i pashëm, i mençur e i sjellshëm.

Mërgimi i gjatë, në dhe të huaj, sidomos lidhja me shqiptarët, anëtarë të shoqatës atdhetare “Vatra” të Bostonit dhe veprimtaria e tij në dobi të çështjes kombëtare, e kishin formuar mirë atë njeri, me idetë përparimtare të kohës dhe kishte përftuar kulturë e qytetërim. Ai, pas mbërritjes në fshatin e lindjes, me forcën e shpirtit e me mendim të qartë iu përvesh punës për të krijuar kohezionin mes fshatarëve dhe për të rritur begatinë e tyre. Banorët e Starjes, e shprehën dashurinë dhe respektin që krijuan për Iljaz Jupasin, duke e zgjedhur, tri herë radhazi kryeplak të fshatit. Çiftit Ballkize e Iljaz Jupasi, pas lidhjes me martesë u erdhën, njëri pas tjetrit gjashtë fëmijë; katër çupa e dy djem. Kësisoj familja Jupasi u shtua e u fuqizua dhe u bë derë e madhe. Ndikimi i saj, në fshat e në krahinë u rrit ndjeshëm.

Roli i Iljaz Qenanit, në çdo rast, ishte vendimtar. Krushqitë dhe miqësitë që pasuan, pas martesës së Këzes me Iljazin e lidhën këtë familje fisnikësh me të tjerë fisnikë dhe ajo zuri vendin që i përkiste, në komunitetin e fshatit e të zonës. Xha Iljazit i dëgjohej fjala e i zinte vend kuvendi, në odën e burrave të fshatit e më gjerë. Ishin të shumtë bashkëfshatarët dhe krahinarët që vinin nga larg për të pyetur xha Iljazin, si burrë i mençur, për punët e tyre e për çështje jetike. Siç më dëftoi bashkëshortja e Hakiut, Myrvetja, e njohur me emrin e shkurtuar (Veko): “Nuk gjenje njeri më të mirë, më të drejtë e më të ndershëm, gojëëmbël e fjalëmirë, si Iljaz Jupasi, në fshat e në krahinën tonë...

Pas martesës, qëndrova gati një vit, në familjen e madhe Jupasi, kur burrin e kisha në detyrë e ai nuk më theshte kurrë, duke m’u drejtuar si nuse e djalit por, në raportet nuse- vjehrr ishte mjaft interesant. Edhe kur kërkonte t’i çonja një gotë ujë, ai më drejtohej, me përkëdheli e me shumë njerëzillëk: “O Veçko, të keqen babai, më sill një gotë ujë etj...”! Ndihesha ngrohtë - theksoi ajo; si në shtëpinë ku isha lindur, si tek prindërit e mi, me atë njeri, i cili, nuk e njihte fjalën e ashpër dhe nuk e vinte në punë autoritetin që i jepte të qenit në krye të familjes”.

Haki Jupasi me gruan dhe vajzat

Vekoja ishte me fat që erdhi nuse në këtë shtëpi. Ajo i gëzohej jo vetëm sjelljes qytetare të vjehrrit të ditur e të gjezdisur, por dhe sjelljes me takt të vjehrrës së saj, zonjës Ballkize, e cila rridhte nga një derë fisnikësh, në dejet e së cilës rridhte gjak, nga ai i bejtexhinjve me famë, njerëz të mençur e me ndjenja të spikatura atdhetarie. Aq e prekshme ishte fisnikëria e asaj gruaje, dëfton e reja, sa që edhe kur donte ta qortonte nusen e djalit, Vekon, nuk e lëndonte, duke ia vënë në dukje mangësinë hapët e në sy të të tjerëve, por, i thoshte, si me “anë llafi” kritikën që donte të bënte. Këzja kishte në gen dhuntinë e bejtexhiut dhe, siç kujton Vekua, kur ajo bëri një gabim e në shtëpinë e tyre kishte mysafirë, Këzja i thuri një bejte së resë, me fjalët: “Këpucët e tua, me baltë Pojani (fshat në fushën e Korçës); kaq e mirë s’ishe, po të doli nami”. Ballkize Jupasi, ishte nga familje fisnikësh, të kamur e të ditur. Në dejet e saj rridhte gjak fisniku.

Ajo ishte zemërmirë dhe kishte shpirt bujar. Një grua e shtruar dhe e pritur, me një përkushtim të veçantë për familjen dhe për fëmijët e saj. Vekoja përftoi shumë nga sjellja dhe tiparet e saj, të cilat i bëri të vetat e i shpalosi, dukshëm në jetë. Mmyrvetja (Vekua) më dëftoi dhe historinë e lidhjes së saj me heroin e këtij shkrimi, me pilotin e klasit të parë Haki Jupasi. Siç kujton ajo, “... Me Hakinë ishim nga i njëjti fshat, nga Starja e Kolonjës.

Dy familjet tona ishin në lidhje miqësie e kishin krushqi të hershme, lidhje që na kishin shkuar mbarë. Lidhja e krushqisë konsistonte: Djali i xhaxhait tim (në atë kohë banonin së bashku), kishte për bashkëshorte motrën e Hakiut- Gulen. Kjo Gulja, ishte më e rritur, por mua nuk më trajtonte si kunatë që më kishte, por si motër më të vogël. Duheshim shumë e shkonim mjaft mirë me njëra-tjetrën. Gulja, kishte parë tek unë, disa tipare që i pëlqenin.

Një ditë, në intimitet, edhe pse akoma isha e parritur, më shfaqi synimin e saj. “Do të të marr nuse për vëllanë - Hakinë, më tha ajo, e unë u skuqa”. Isha vetëm 12 vjeçe e nuk e njihja fare vëllanë e kunatës Gule. Për herë të parë dëgjoja për të tilla punë e nuk merrja vesh fare nga këto gjëra. As që më shkonte në mendje se një ditë do të bëhesha nuse piloti.

Kur Hakiu përfundoi shkollën ushtarake “Skënderbej” dhe erdhi në fshat, para se të nisej për në shkollën e aviacionit, në shtëpinë e tyre u bë një gosti. Familja ime ishte e preferuar në atë shtëpi e unë, së bashku me Gulen dhe prindërit e mi, shkuam, si të ftuar nderi. Aty e pashë, për herë të parë Hakinë e më pëlqeu. Ai ishte i ri, i bukur e i shkathët e unë e pashë me syrin se mund të bëhej burri im.

Pas gostisë, Hakiu iku në shkollën e aviacionit, për t’u bërë pilot e unë fillova të mendoja për të. Fakti që do të bëhej pilot, ma përkëdhelte sedrën vajzërore. Më pëlqente të lidhesha me të, por këtë dëshirë e mbloja fort, në fundin e ndërgjegjes time, e nuk ia shfaqa asnjeriu. E mbajta, gjatë brenda vetes e thurja lloj –lloj ëndrrash, me fantazinë time fëmijërore. Hakiu, kur ishte në shkollë, për pilot, dërgonte fotografi, të cilat i mbante e motra, Gulja. Unë ia merrja asaj, fshehurazi e i vështroja.

Hap pas hapi, e ditë pas dite, duke menduar për të, nisa, ta doja, nëpërmjet pamjeve të fotografive që vinin e nisa të ngacmoj fantazinë time, me mendimin se shoqet e mija, kur të martohesha unë, me Hakinë do të thonin: “E shikoni atë çupën e bukur? Ajo është shoqja jonë dhe është martuar me një pilot”! Mendoja dhe si do ta përballoja këtë xhelozi të tyre. Me ëndrra e me shpresë, të cilat m’i mbante gjallë ime kunatë, Gulja e cila, sikur u dërgua enkas për të mbajtur të ndezur zjarrin e kësaj dashurie platonike, në këtë bullçitje të vajzërisë time. Kështu i përcolla ditët dhe kohën e viteve të shkollës, së tij jashtë shtetit, ku Hakiu kishte shkuar për t’u bërë pilot. Erdhi koha e ai u diplomua dhe erdhi në Starje, i veshur ushtarak, me uniformën e bukur të pilotit dhe me spaletat e nëntogerit, mbi supe.

Kur e pashë ashtu; të bukur, të ri, të shëndetshëm e plot gjallëri, më ngjau me një yll të shkëputur nga yllësia. Sytë më lëshuan xixa e zemra po më dilte nga kraharori. Më dukej sikur fluturoja; aq shumë u gëzova, por, entuziazmin nuk e shpalosa, nga turpi që ndjeva.

Mirëpo Gulja; si shoqe e si motër që m’u bë, “e kishte marrë kalanë nga brenda”. Sapo ma bënë propozimin, në familje, e pranova, pa asnjë lëkundje. Isha e parapërgatitur për ta pranuar këtë lidhje. Nuk kisha arsye ta lija të më ikte nga dora ai rast fatlum. Cila vajzë do t’i thoshte jo, asaj kërkese, e cila, për mua ishte hyjnore, jo tokësore. Më 16 tetor të vitit 1953, në vjeshtën “e artë”, siç ishte traditë në trevën tonë, para se të binte dimri, u zhvillua dasma jonë e paharruar.

Ishte një dasmë e paparë; përrallore. Dy familjet tona ishin të lidhura me miqësi, me njëra-tjetrën por lidhja e re, kjo jona, i përtëriu e i forcoi, më tepër këto marrëdhënie. Të dyja familjet ishin me miqësi e krushqi të shumta; atyre u shkonte fjala jo vetëm në Starje, por në tërë krahinën. Dasma u zhvillua në Starje, sipas traditës vendase. Familja e Hakiut, erdhi në familjen time, me shumë krushq; disa mbi kuaj e mjaft të tjerë, meqenëse shtëpitë ishin afër, erdhën në këmbë. Afërsia e shtëpive tona e favorizonte këtë gjë.

Ishin gjetur dy kuaj shale, të bukur e të stolisur. Dhëndri ishte hipur mbi një kalë në ngjyrë të kuqe, i veshur me kostum, të ri aviatori dhe me spaletat e nëntogerit mbi supe. Në brez kishte ngjeshur një shpatë kalorësi, nga ato që mbanin ushtarakët në paradë. I bukur, si yll, hipur në atë dori të kuq, të bukur dhe elegant, mbi të cilin qëndronte lirshëm. Një dhëndër i tillë nuk ishte parë në anët tona. Krushqit kishin prurë dhe një kalë për mua”.

Ai, gjithashtu ishte me shalë, por ngjyrën e kishte të bardhë. E kishin zbukuruar me ornamente të ndryshme, të cilat e bënin të ngjashëm si kalë fluturues, nga ata që kemi parë vetëm në përralla. Vekoja, nuk flet kollaj për veten e saj, por ajo, nga sa më dëftuan bashkëkohëset dhe nga tiparet e bukurisë që i ruan akoma edhe në këtë moshë të thyer, e veshur nuse, me petka të bardha, hipur mbi atë kalë përrallor, mbi të cilin qëndronte disi me drojë, ngjasonte me një mjelmë të bukur, të cilën po e rrëmbente një shpend i rrallë. Nusja, e veshur me të bardha, mbi atë kalë, rrezatonte me bukurinë e saj, e ndriçonte tërë atë mjedis festiv, si borëbardha e përrallës. E re, e hijshme, e brishtë, e gëzuar dhe e lumturuar, me një motiv të fortë që ia bënte tërë qenien e saj, të lumtur, ajo, herë pas here, ia qepte sytë Hakiut dhe donte ta pushtonte, fort, ashtu siç ishin, mbi kuaj, por kishte drojën e nuses së re. Të dy, të fejuarit, të dashuruar, pas njëri-tjetrit, në atë ditë e cila ishte tërësisht e tyre, ishin, siç thuhet rëndom, në “qiellin e shtatë”.

Të gëzuar e të lumtur, çifti mbi kuaj, “parakaloi” përpara njerëzve të fisit të nuses dhe, së bashku me krushqit, në ballë të tyre, shkuan në familjen e dhëndrit, ku njerëzit e familjes e të tarafit të Hakiut, në eufori, festonin hareshëm. Siç më dëftoi Vekoja: “Mezi qëndroja mbi kalë. Dridhesha, nga sikleti por dhe më kishte kapluar gëzimi e isha si e dehur. Ishte gëzimi i dasmës time fatlume, të cilën do ta donte çdo vajzë e moshës dhe e sërës time.

Pas dasmës, siç ishte në traditën e fshatit e të krahinës, të afërm të Hakiut e të mitë, na ftuan, në gosti; kush për drekë e kush për darkë. Në këto veprimtari festive, në vatrat e njerëzve tanë, të dashur, na u krijuan mjedise fantastike lumturie, ku pamë të derdhej, pa masë, nektari i dashurisë që ata ushqenin, për ne të dy dhe respekti që kishin për familjet respektive. Në çdo familje ku shkuam, si në përrallë, na rrethuan djem e vajza të reja, të veshur për festë, faqekuq e buzagazë. Ata, nga kureshtja apo nga zilia, seç na vështronin me ca sy të paparë, të cilët shkëlqenin e më dukej sikur shkrepërtinin, nga gëzimi e nga krenaria. I kishte rrëmbyer atmosfera e gëzuar e dasmës tonë e nuk donin të na lëshonin, për të shkuar në shtëpinë tonë të përbashkët, ku gjithashtu na prisnin njerëzit e Hakiut, të cilët “notonin në gëzim e hare”. Njerëzit dashamirë të të dyja familjeve, kur na vështronin pranë njëri-tjetrit, nuk ngopeshin së pari, kur vinin re që unë dhe Hakiu, si dy gardalina të bukura në një kafaz (dhomë), ndjenim e përjetonim lumturinë e njëri-tjetrit dhe nuk pushonim “cicërrimën”.

Donim të qëndronim sa më gjatë, të dy, veçmas syve dhe veshëve të njerëzve, në shoqërinë e njëri-tjetrit, si dy të rinj të sapomartuar por kjo gjë, ishte, praktikisht e pamundur. Na duhej t’u bënim qejfin, gjithë dashamirëve tanë e të respektonim traditat e mira të vendit. Nënat, motrat, gratë e moshuara dhe të reja, në ato gosti të hareshme, “na mbytën” me puthje, përqafime, urime, lëvdata e pyetje, për të dy. Sikur të ishin në një garë të pashpallur, ato, herë një nga një e herë si në kor, nuk linin t’u ikte rasti nga dora, pa vënë në dukje pamjen e hijshme të nuses së re, duke lartësuar bukurinë trupore, vlerat fizike dhe morale të saj. Gratë e “anës” të dhëndrit, nuk i kursenin lëvdatat për Haki Jupasin. Ato, me zë të lartë e me artikulim të qartë i bënin jehonë bukurisë trupore, elegancës, shkathtësisë dhe zgjuarsisë së birit të tyre”.

Ato, s’linin rast pa nxjerrë në evidencë vlerat e veçanta të Hakiut, të cilat, dilnin, si ata lastarët e rritur shpejt që dilnin sipër tufës. Veç t’i dëgjoje, kur i mëshonin fort faktit se: “Dhëndri është djalë i zoti; trim e i zgjuar; ai është bërë fluturak, zog i qiellit”! Të dy këndet e seksit të dobët, kur “polemizonin” me njëri-tjetrin, binin në ujdi për një vlerë të çiftit. Disa gra e vajza, me gojëtari të pafrenuar i dëgjoje tek i përshpërisnin njëra-tjetrës: “Shiko, moj ditëzezë, moj të preftë perëndia ditën (në sensin e përkëdhelisë), sa të bukur janë; sikur janë prerë me një gërshërë e janë bërë për njëri-tjetrin; mos marçin sy”! Dhe largonin “qoftëlargun” duke bërë sikur nomotisnin, me ptu.ptu, syri në vend të lig! Ndonjëra shkoi më larg; ajo dha mendim që t’i vinin nuses dhe dhëndrit nga një kokë apo thelb hudhre që të mos merrnin “sy”.

Disi më të “kursyer” në fjalë ishin burrat e të dyja anëve. Ata, me fjalë të menduara mirë e me seriozitetin që u falte mosha, bënin komente e jepnin vlerësime, por, gjithsesi ishin më të “kursyer” se gratë; disa nga të cilat i lëshonin fjalët, fare “pa doganë”. Burrat flisnin më pak por në sytë e tyre dukej qartë shkëlqimi që buronte nga kënaqësia. Ata, me sjelljen e tyre, plot elegancë e burrëri, në pamjen e jashtme i dëftonin botës se kjo martesë ishte një lidhje e gjetur dhe e zgjedhur. Miqësia mes dy familjeve, vërtet kishte qenë fatlume, por kjo krushqi, e re dhe e goditur i përtërinte lidhjet e vjetra të miqësisë e i bënte ato më jetëgjata. Dhëndri i ri, qëndroi në Starje, tek nusja rreth 10 ditë; mandej, u nis për në Tiranë, tek e kërkonte detyra ushtarake.

Vekon e la në Starje, tek prindërit e tij, rreth 2 muaj, derisa u mor vesh me mikun e tij, ushtarakun e profilit teknik të aviacionit, Andrea Peçi, për t’u vendosur në shtëpinë e tij. Në përfundim të këtij episodi, i cili na kujton ato përrallat fatlume ku çifti martohet e trashëgohet dhe e shton vatrën me fëmijë si të Vekos e të Hakiut, mund të arrijmë në përfundimin logjik se Veko e Haki Jupasi u lidhën me martesë, me rekomandimin e njerëzve të tyre dashamirë por dhe me pëlqim të dyanshëm. Martesa mes tyre rezultoi fatlume dhe jetëgjatë. Plot 60 vjet jetuan së bashku, në një çerdhe ata të dy, ku lindën e rritën tri vajza, si drita, të bukura, të zgjuara, të shkolluara e me sjellje për t’u pasur zili. Do të kemi mundësi, gjatë udhës, t’i kthehemi këtij problemi, por le të merremi pak me jetën personale dhe punën e Haki Jupasit, për t’u bërë pilot, deri në shkallët e larta të kualifikimit e të karrierës, deri në fund të jetës së tij. Terreni shoqëror dhe mjedisi familjar ku u rrit Haki Jupasi ishte përparimtar, atdhetar e arsimdashës.

Zaten, kolonjarët janë të njohur, historikisht, si njerëz të mendjes, të penës e të pushkës. Nuk mund të bëhej tjetër djali i madh i xha Iljazit e i nënë Ballkizes, Hakiu. Ai, mori në shkollën fillore të fshatit katër klasët e para; të pestën e bëri në Ersekë. Shkonte e vinte, nga fshati, në qytet dhe e kundërta, çdo ditë, për të nxënë, ato që nuk mund të mësoheshin në shkollën e fshatit. Në sërën e bashkëmoshatarëve të tij, Haki Jupasi, qysh në fëmijëri shquhej për zgjuarsi, natyrale, dhe për shkathtësi e trup të bukur, atleti. I ushqyer mirë që në mituri, ai zotëronte dhe një kapacitet fizik mbi moshatarët. Erdhi e u bë një goxha djalë, i bukur e i fuqishëm.

Trualli i Jupasve i ushqente pinjollët e tij, cilësisht edhe me dashurinë për vendin e të parëve dhe me urrejtje ndaj pushtuesve. Motra e Hakiut, Shanikoja, ndër të paktat vajza të krahinës ishte partizane. Në tetor të vitit 1944, duke qenë në radhët e Brigatës së 15-të sulmuese, ajo ra dëshmore e luftës për liri, në afërsi të Cërrikut. Një muaj më parë, në muajin shtator të atij viti, Hakiu u radhit në rreshtat e partizanëve të Brigatës së Dytë Sulmuese, në Batalionin e Dytë të saj. Luftoi ai në përbërje të këtij formacioni partizan, deri në mars të vitit 1945.

Lufta përfundoi e Shqipëria u çlirua por për kolonjarin e ri Haki Jupasi, jeta do të hapte një kapitull të ri i cili ishte një luftë e paparë deri atëherë. Ai do të futej në udhët e vështira të qiellit, por më parë i duhej të përfundonte mësimet e shkollës së mesme, atje ku e kishte lënë kur doli malit, për liri. Me një grup ishpartizanësh, moshatarë të tij, në fundvitin 1945, Haki Jupasi u ul në bankat e Shkollës së “Kadetëve” e cila sapo kishte hapur dyert, për djemtë e parritur që u kthyen nga lufta. Ishte kontingjenti i parë i ishpartizanëve të rinj që u ulën në bankat e kësaj shkolle ushtarake, e cila, më vonë mori emrin e Kryetrimit “Skënderbej”. Plot tre vjet, iu nënshtrua programit mësimor në këtë shkollë, e cila, dalëngadalë u transformua në shkollë elitë, kolonjari i zgjuar Haki Jupasi. Në përfundim të kësaj shkolle, ai u klasifikua ndër më të përparuarit e grupit të ishpartizanëve dhe u piketua për të ndjekur studimet, në shkollën jugosllave të aviacionit, për t’u bërë pilot.

Ushtria Popullore Shqiptare, e dalë nga lufta, kishte uri për kualitete të kohës, e për armatime të ndryshme të niveleve bashkëkohore. Këtë përzgjedhje dhe mundësinë që iu dha për të “shijuar” fantazinë e mjaft të rinjve, Hakiu, edhe pse akoma i papjekur sa duhet, e çmoi si një privilegj e përgjegjësi të madhe. Prandaj ai mobilizoi gjithë qenien e tij e iu përkushtua, me zell të mësuarit.

I sistemuar në shkollën e aviacionit të qytetit Pançevo, pas një procesi të shkurtër teorik dhe nisjes së praktikimit për të fluturuar, prapësitë e kohës; politika e diktimit dhe nënshtrimit ndaj “fuqisë së madhe”, bënë të ndërpriteshin marrëdhëniet partiake e ato shtetërore, mes vendit tonë dhe Jugosllavisë. Studentët shqiptarë, të cilët kishin shkuar për të mësuar teknikën e aviacionit dhe aeronautikën, pas 8 muajsh, në korrik të vitit 1948, në kulmin e programit fluturues në tipin mësimor të aeroplanit Ut-2, u kthyen në Shqipëri, të pezmatuar e me qejfmbetje. Shqipëria e asaj kohe nuk kishte, as shkollë aviacioni; as aerodrome e as aeroplanë të sajtë. Djemtë që u kthyen, nga Jugosllavia, u dërguan disa qindra kilometra më në Lindje, në Bashkimin Sovjetik, për të vijuar studimet në shkollën e aviacionit. Së bashku me Sejdo Kamberin; Seo Trolën; Hektor Lakon; Mersin Mminxhën etj., të cilët gjithashtu kishin qenë në shkollën jugosllave të aviacionit, Hakiu, po atë vit, u dërgua në qytetin “Engels”, mbi Vollgë, në shkollën sovjetike të aviacionit, e cila mbante emrin e gruas pilote, Heroinë e Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore: “Maria Raskova”. Do të vijonin programin për t’u bërë pilotë në avionët shturmovikë të kohës.

Në këtë shkollë, Hakiu dhe shokët e tij u bashkuan me grupin e studentëve shqiptarë, të cilët kishin shkuar më parë e kishin nisur programin mësimor të pilotit. Ndër ata që gjetën ishin: Flamur Mickaj; Refit Jazoj; Lulo Musai; Shaqo Hoxha; Riza Ramadani; Elmaz Hasamataj; Gani Gjondedaj etj. Atje, Hakiu u njoh dhe me Niko Hoxhën e me Edip Ohrin, të cilët kishin shkuar në atë shkollë, për të fluturuar, në intervalet e Akademisë së kuadrove drejtues, të aviacionit të Moskës, ku ishin studentë. Në auditorët e shkollës dhe në startet e fluturimit, studentët e grupit ku u integrua Hakiu, vunë re zgjuarsinë, shkathtësinë dhe talentin e Hakiut, për të fluturuar dhe e pranuan atë si përgjegjës të tyre.

Në muajin janar të vitit 1949, studentët shqiptarë, të cilët mësonin pilotimin, në shkollën sovjetike të aviacionit “Maria Raskova”, në qytetin “Engels”, u hodhën me parashutë e më 12 prill të po atij viti nisën të fluturonin. Fillimisht, ata fluturuan në aeroplanin mësimor Ut-2, të cilin, vendasit e kishin pagëzuar me nofkën: “Çakalli”, ngaqë i përkiste serisë dalëkohe të aeroplanëve mësimorë. Futja në procesin e stërvitjes së studentëve e aeroplanit mësimor Jak-18 U, u quajt revolucionarizuese. Më vonë, studentët për pilotë fluturuan në aeroplanët: Utb-2, e më në fund, në ata Pe-2, të cilët ishin avionët bombardues më të fuqishëm të kohës. Haki Jupasi dhe shokët e tij të grupit, përjetuan me dhimbje e trishtim rënien në një fluturim, në pilotazh, në zonë, të shokut të tyre, Qemal Mërtiri, nga Tragjasi i Vlorës, të cilin e lanë nën borën shekullore të Siberisë.

Hakiu e përfundoi programin mësimor, si në teori dhe në praktikë, me tregues të “shkëlqyer” dhe u kualifikua i kategorisë së parë. Në fletën karakteristike lëshuar nga komanda e shkollës, e cila mban datën 22 gusht, të vitit 1952 dhe ndodhet në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes, citohet: “... Programin e fluturimeve e përvetëson lehtë dhe shpejt; pilotazhin në zonë e ka të përpunuar “shkëlqyeshëm”... Të fluturojë, ka qejf... etj.”. Kësisoj, akoma pa përfunduar shkollën, në procesin mësimor, tek i riu Haki Jupasi kishin “trokitur” tiparet e një piloti luftarak të aviacionit gjuajtës –kapës, të cilat u shtuan e u përsosën, pas kthimit në Atdhe. I kompletuar me këto tipare luftarake, oficeri i ri, i shkathët e i zgjuar, me spaletat e nëntogerit, mbi supe, u paraqit e u inkuadrua në skuadrilen e vetme të aviacionit shqiptar, të dislokuar në aerodromin e Laprakës.

Kjo Skuadrile ishte formuar më 24 prill të vitit 1951, ditën kur u ngrit në qiellin e Tiranës, për herë të parë, duke pilotuar një aeroplan luftarak shqiptar, korçari i lavdishëm Petraq Polena. Në Skuadrilen e Laprakës, ku komandonte njëri nga themeluesit e aviacionit tonë, Babaçe Faiku dhe komisar ishte talenti i rrallë Vasil Trasha, Hakiu fluturoi në aeroplanin Jak-9P, i cili, në kohën e tij, si gjuajtës-kapës, ishte shumë i fuqishëm.

Në muajin tetor të vitit 1953, piloti i ri Haki Iljaz Jupasi u lidh me martesë me fisniken Veko, e cila ishte bijë, nga fshati i tij, Starja e Kolonjës. Dhjetë ditë pas martesës, ai u kthye në Tiranë, ku e prisnin kolegët dhe fluturimet. Të dyja, këto, Hakiu i kishte të “shenjta” e i donte shumë. E kishte shumë për zemër fluturimin dhe kur ishte në Starje, mezi priste të vinte në Tiranë, për të “shkriftëruar” pak kockat, në një fluturim në zonë, me mbingarkesa. Shqipëria, ishte e rreshtuar në Kampin e Lindjes dhe teknika e teknologjia ushtarake ndiqnin, hap pas hapi zhvillimet që ndodhnin në vendet e Lindjes. Gjatë vitit 1954, në kampin sovjetik po frynte era e zëvendësimit të aeroplanëve me helikë nga ata reaktivë.

Vendi ynë, u përfshi në vorbullën e ndryshimeve të tilla. Avionët gjuajtës –kapës Jak-9P do të zëvendësoheshin me aeroplanët reaktivë gjuajtës-bombardues Mig-15 Bis. Ky tip avioni lipsej të përvetësohej, si nga pilotët dhe nga efektivi inxhiniero-teknik i aviacionit. Për të realizuar këtë plan, në korrik të vitit 1954, u dërgua në Bashkimin Sovjetik, një grup pilotësh dhe një tjetër, me teknikë avionësh e specialistë aviacioni. U përzgjodhën pilotët dhe teknikët e specialistët më të përparuar e me përvojë pune. Në grupin e pilotëve ishin: Niko Hoxha; Babaçe Faiku; Fahri Bubësi; Vasil Trasha; Petraq Polena; Masar Aga; Thanas Gjiknuri; Edip Ohri dhe më të rinjtë: Haki Jupasi; Kosta Neço Dede; Lulo Musai; Refat Kasimati dhe Elmaz Hasamataj.

Ata u sistemuan në bazën ajrore të qytetit të Groznit (Ç eçeni), pranë Gorkit ku kryen kalimin, në avionët Mig-15, deri në muajin maj të vitit 1955.

Në Akademinë e aviacionit të qytetit të Groznit (Çeçeni), pilotët nga Shqipëria përvetësuan veçoritë e shfrytëzimit të aeroplanit Mig-15, në të gjitha versionet. Ata fluturuan, me cilësinë e pilotit në të gjitha variantet; u përgatitën dhe si instruktorë, për të fluturuar nga kabina e dytë. Kushtet e fluturimit, në të cilat u stërvitën ata ishin të ndryshme, si përsa i përket kohës dhe motit. Maji i vitit 1955, e solli Haki Jupasin dhe shokët e tij, në Atdhe. Ai u rreshtua në përbërje të Regjimentit të sapoformuar, i cili mori emrin simbolik “Peza” dhe u dislokua në aerodromin e Qytetit “Stalin”, afër Beratit. Regjimenti, u formua me dy skuadrile luftarake, të pajisura me aeroplanë reaktivë Mig-15, të cilët u montuan në aerodromin e Laprakës dhe u ngritën e u ribazuan në regjimentin e ri.

Haki Jupasi, qysh në krijimin e regjimentit u rreshtua në Skuadrilen e dytë, me detyrën e zëvendëskomandantit të Skuadriles. Komandant i regjimentit u caktua, i paharruari Niko Selman Hoxha. Detyra të reja e të papara dolën përpara kuadrove drejtues të regjimentit të ri, mes të cilëve ishte dhe Haki Jupasi. Krahas organizimit të ngritjes së regjimentit, detyra kryesore ishte fluturimi; përsosja e teknikës së pilotimit dhe rritja e shkallës së kualifikimit të pilotëve. Pilotët që bënë kalimin në aeroplanët Mig-15, në qytetin e Groznit (Çeçeni), sapo kishin nisur të fluturonin për të marrë titullin: “Pilot ushtarak i klasit të dytë”.

Kur erdhën në vendin tonë, ata e vijuan zbatimin e programit të fluturimeve, për këtë klasë, të cilën e morën në muajin mars, të vitit 1956, në aerodromin e Qytetit “Stalin”. Me marrjen e klasit të dytë, disa pilotë shqiptarë mund të fluturonin, për kryerjen e detyrave luftarake natën, në kushte të thjeshta të motit dhe ditën, kur qielli ishte i mbuluar nga retë. Por, puna për kualifikimin e pilotëve, nuk mbaron këtu. Synimi ishte për më tej; një grup pilotësh, të përparuar e kishin hedhur vështrimin tek klasi i parë i pilotit. Në ballë të kësaj pune u vu komandanti i regjimentit “Peza”, guximtari i rrallë Niko Hoxha. Në grupin e pilotëve që nisën zbatimin e programit ajror, për të marrë klasin e parë, para së gjithash u grupuan ata pilotë që kishin hedhur themelet e aviacionit luftarak shqiptar: Niko Hoxha; Fari Bubësi; Edip Ohri; Vasil Trasha; Thanas Gjiknuri dhe më i riu në moshë e në profesion – Haki Jupasi.

Organizimi dhe drejtimi i fluturimeve për të marrë klasin e parë të pilotit, aso kohe ishin tejet të vështirë. Para së gjithash mungonte përvoja, tek ne, për fluturime të tilla, ku shkalla e vështirësisë është realisht e madhe. Infrastruktura, përfshi dhe shkallën e kualifikimit të efektivit që shfrytëzonte mjetet tokësore të sigurimit të fluturimeve, ishte në hapat e parë. Një vështirësi, e cila nuk mund të neglizhohej, ishte fakti që kushtet e motit, të përshtatshme për të fluturuar në kushtet që përcaktoheshin në instruksionet përkatëse, për këtë aerodrom gjendeshin me vështirësi. Prandaj pilotëve të kësaj kategorie u duhej të “gjuanin” me shlemafon në dorë kushtet e përshtatshme të motit. Deklarimi i paaftë për të fluturuar në avionët reaktivë, për shkaqe shëndetësore, i Petraq Polenës, pilotit që u ngrit i pari, mbi qiellin e Tiranës, me aeroplan luftarak, i cili mbante detyrën e komandantit të skuadriles, nuk kaloi pa lënë gjurmë.

Haki Jupasi, si zëvendës i tij u caktua komandant skuadrile, gjë që e obligoi atë, jo vetëm me çështjet e fluturimeve por dhe me të gjitha çështjet e skuadriles. Zbatimi i programit ajror, për të marrë klasin e parë të pilotit, në Regjimentin “Peza”, u shtri në dy vite; fluturimet e këtij karakteri nisën në vitin 1957 dhe përfunduan në fund të marsit të vitit 1958, ditën kur u aksidentua, me vdekje, talenti Vasil Trasha. Hakiu e kishte Vasilin shok të ngushtë dhe e ndjeu thellë humbjen e tij. Ata, të dy, kishin fluturuar prej mjaft kohësh dhe, veç kësaj, edhe familjet e tyre ishin gjitonë si dhe gratë e tyre: Fanika e Vasilit dhe Vekua e Hakiut ishin si motra. Natën kur u vra Vasil Trasha, pilotët e grupit të tij u certifikuan me titullin e lartë të pilotit të klasit të parë. Ishte nata e fundit e fluturimeve të kësaj natyre dhe ngritjet e avionëve, pas rënies së Vasil Trashës u konsideruan të kryera.

Vasilit, ky titull iu dha, pas vdekjes.

Teksa rendnin pas marrjes së klasit, pilotët që kaluan në Mig-15, në Grozni (Çeçeni), duhej të kryenin dhe rolin e instruktorit e të kontrolluesit të teknikës së pilotimit, me pilotët rishtarë, që kishin ardhur si prurje e re, nga shkolla sovjetike e aviacionit. Detyrë tjetër e vështirë ishte kalimi në avionët reaktivë i disa pilotëve me përvojë, të cilët, deri atëherë fluturonin në avionë me helikë. Vështirësia e kësaj pune qëndronte në faktin se, mjaft syresh, jo vetëm nuk u treguan në lartësinë e mundësive por dhe sollën, me veprimet e tyre, dëme të pariparueshme, në teknikën fluturuese.

Erdhi muaji maj, i vitit 1959. Vendet e Traktatit të Varshavës, ku bënte pjesë dhe vendi ynë, po e pajisnin aviacionin e tyre me aeroplanë të sofistikuar Mig 19Pm, të pajisur me katër raketa të drejtuara, ajër-ajër. Kriteret për të bërë kalimin në këta avionë, të cilët e kishin shpejtësinë më të madhe nga ajo e zërit dhe tavanin të konsiderueshëm, ishin të rrepta. Praktika e aviacionit tonë nuk i plotësonte kriteret e vendosura sa i takonte klasit të pilotëve, orëve të fluturimit, tipave të avionëve dhe funksionit organik. Duke mbajtur parasysh, gjendjen konkrete të efektivit fluturues, përballë kërkesës që shtrohej nga aleatët tanë, Niko Hoxha, si kryespecialist i kësaj fushe, “shtrydhi” gjënë e hartoi një listë emrash, nga pilotët më të përparuar të regjimentit, për t’i dërguar në Bashkimin Sovjetik, për të bërë kalimin në avionët Mig-19 Pm. Grupi i pilotëve të kalimit u dërgua në bazën ajrore të Sevaslejkut, ku do të bënin jo vetëm përvetësimin e avionit të ri, në ajër e në tokë por dhe do të kryenin qitje, me raketa të drejtuara, kundër objekteve ajrore reale.

Në grupin e pilotëve të kalimit ishin:

  1. Edip Ohri (përgjegjës)

  2. Lulo Musai (Spahaj)

  3. Bardhyl Taçi

  4. Vasil Andoni

  5. Kosta Neço Dede

  6. Çobo Skënderi

  7. Haki Jupasi

  8. Gezdar Veipi

  9. Halit Bulku

  10. Bajazit Jaho

  11. Anastas Ngjela

  12. Mahmut Hysa.

Nga këta, vetëm dy: Edip Ohri dhe Haki Jupasi, ishin pilotë të klasit të parë; 5 vetë kishin klasin e dytë të pilotit dhe 5 të tjerë, mbanin vetëm klasin e tretë të pilotit ushtarak. Kriteri i përcaktuar për orët e fluturimit dhe funksionin organik, gjithashtu nuk plotësohej. Në bazën ushtarako-ajrore të Sevaslejkut, nuk kishin shkuar për të kaluar në avionët Mig-19 Pm, vetëm pilotë nga Shqipëria. Vendet e Lindjes, pa përjashtim, përfshi dhe vetë sovjetikët, kishin dërguar në Sevaslejkë pilotë të klasit të lartë, nga vendet e tyre të cilët, jo vetëm kishin fluturuar gjatë por dhe ishin në poste drejtuese të larta. Drejtuesit sovjetikë të procesit të kalimit të pilotëve, kur u njohën me sivitë e tanëve dhe panë që ato nuk i plotësonin standardet e përcaktuara, rrudhën buzët, e të pakënaqur, u treguan skeptikë. Por, kur në procesin e kalimit, panë treguesit konkretë të pilotëve tanë, jo vetëm u deziluzionuan por, ndonjëri kërkoi ndjesë.

Mjafton të themi se në qitjen përfundimtare, me raketa të drejtuara ajër-ajër, kundër shenjave ajrore (avion Mig-15, pa pilot në bord), pilotët shqiptarë rrëzuan 10 shenja, nga 12 të mundshme. Kjo qitje reale, mori karakterin e një gare ndërshtetase ku tanët zunë vendin e dytë. Në vendin e parë u klasifikuan pilotët nga Çekosllovakia, të cilët rrëzuan 11 shenja.

Pas përfundimit të programit të fluturimeve për kalimin në aeroplanët mbizanorë, të sofistikuar, Mig-19Pm dhe plotësimit të detyrave të përdorimit luftarak të këtij avioni, në muajin nëntor të vitit 1959, grupi i pilotëve u kthye në Atdhe. Aso kohe, në aerodromin akoma të papërfunduar të Rinasit u formua Skuadrilja Autonome e aviacionit gjuajtës-kapës, me 12 aeroplanë Mig-19Pm, të cilët erdhën nga uzina sovjetike e prodhimit të aeroplanëve të tillë. Avionët erdhën në arka e u montuan në aerodromin e Rinasit, nga teknikë e specialistë të përbashkët: Sovjetikë e shqiptarë. Komandant i kësaj skuadrileje autonome u emërua kolonjari i zgjuar Haki Jupasi, pilot i klasit të parë. Në muajt shtator- nëntor të vitit pasardhës (1960), pilotët e kësaj skuadrile, meqenëse hapësirat e vendit tonë nuk favorizonin zhvillimin e qitjeve me raketa të drejtuara ajër- ajër, për arsye që dihen, shkuan përsëri në Bashkimin Sovjetik, kësaj herë në brigjet e Detit Kaspik, në Astrahan, për të zhvilluar qitje luftarake me raketa.

Në muajin shkurt të vitit 1962, në aerodromin e Rinasit erdhën nga Kina 12 aeroplanë gjuajtës – bombardues Mig-17F. Kësisoj, atë muaj, u formua regjimenti i tretë i aviacionit gjuajtës-bombardues, me 2 skuadrile. Njëra kishte në inventar 12 aeroplanë mbizanorë, të pajisur me raketa ajër-ajër, Mig-19 Pm dhe tjetra me 12 aeroplanë Mig-17F, të pajisur me tre topa (2, 23 m/m e një tjetër -30 m/m) dhe me bomba, të kapacitetit deri 500 kg. Komandant i Regjimentit të “Tretë” të aviacionit gjuajtës-bombardues, me qendër në Rinas e me detyrë kryesore të mbronte hapësirën ajrore të kryeqytetit u emërua koloneli Niko Hoxha, i cili u transferua, me detyrë paralele, nga Regjimenti “Peza” me qendër në Qytetin “Stalin”. Meqenëse në vitin 1962, për të përballuar kërkesat për përgatitjen ajrore të studentëve që u kthyen nga Bashkimi Sovjetik, u çel në Vlorë Shkolla e Aviacionit, Haki Jupasi u komandua atje, zëvendëskomandant, për fluturim, me qëllim që të ndihmonte në organizimin e punëve. Komandant i Skuadriles së parë, të pajisur me avionë Mig-19 Pm, u emërua shoku i shkollës i Hakiut, piloti nga Smokthina – Lulo Musai (Spahaj).

Pas aksidentit ajror të 20 nëntorit 1965, ku gjeti vdekjen piloti guximtar, trimi i çartur Niko Hoxha, në detyrën e komandantit të Regjimentit të Rinasit, derisa të fashitej ndjesia që la pas ajo katastrofë ajrore, u caktua kolonel Edip Ohri. Ai qëndroi në detyrë deri në dhjetor të vitit 1967, kur ia dorëzoi regjimentin Haki Jupasit, i cili kishte përvojën e nevojshme organizative dhe ishte me teknikë pilotimi më të lartë nga të tjerët. Kur ishte në krye të regjimentit të tretë të aviacionit të Rinasit, për nder të komandantit të vrarë, njësia ajrore e mbrojtjes së kryeqytetit mori emrin: “Niko Hoxha”! Në këtë detyrë të lartë si drejtues i regjimentit gjuajtës-bombardues, Haki Jupasi qëndroi deri në muajin tetor të vitit 1975, kohë kur ai u nxor në rezervë, për shkaqe shëndetësore.

Gjatë kohës kur ishte komandant regjimenti, Haki Jupasi shpalosi aftësitë si pilot me talent dhe si organizator i aftë e me horizont. Vlerat e tij si kuadër e si specialist u vunë në provë serioze dhe mbijetuan, në atë proces të vështirë, ku çdo ditë e re sillte kufizime të reja. Stërvitja ajrore, si veprimtari kryesore e regjimentit, gjatë viteve kur komandoi Haki Jupasi njohu rritje edhe pse vështirësitë u shtuan. Disa grupe pilotësh të rinj, të ardhur nga Shkolla e Aviacionit e Vlorës, të cilët kishin fluturuar në aeroplanë parazanorë, bënë kalimin në avionët supersonikë Mig-19 S e më pas, në ata Mig -21. Si metodist i arrirë dhe organizator i shkathët, Haki Jupasi e vuri tërë bagazhin e tij të fluturimeve, si pilot i klasit të parë, në shërbim të rritjes cilësore të fluturimeve, në kushte të ndryshme të kohës e të motit. Aftësitë luftarake të kësaj njësie speciale, njohën rritje të ndjeshme.

Haki Jupasi, si pilot, përvojën e akumuluar në vite, nuk e mblonte për vete por ua transmetonte, bujarisht vartësve të tij. Këtë dhunti nuk e kanë të gjithë. Ka mjaft të tjerë që dinë e bëjnë shumë, por atë që dinë vetë nuk ua përçojnë dot të tjerëve. Kjo është çështje vetjake. Pilotët ndiheshin të qetë e të gëzuar kur në kabinën e dytë të avionit kishin komandant Hakinë. Siç ishte në tokë, në raportet me vartësit: I qetë, i afrueshëm, i matur e i përkushtuar, ca më shumë i shpaloste këto tipare, kur ndodhej në fluturim Haki Jupasi.

Ai ka bërë histori, në fushën e udhëheqjes së fluturimeve. Aq e vërtetë është kjo, sa, të shumtë mendonin se Haki Jupasi ishte “i prerë” për të qenë në udhëheqje të fluturimeve. Ky perceptim lidhej me kompetencën e tij, në këtë lëmë. Me zërin e tij të veçantë: të ëmbël, elokuent, të qetë, të qartë, me udhëzimet që kishte, brenda bashkëbisedimit me pilotët në ajër, me kompetencën e rrallë që buronte nga njohja e thellë e terrenit, ai u jepte guxim e shpresë dhe u dëftonte udhën e daljes, kur ata gjendeshin në situata të vështira.

Puna e udhëheqësit të fluturimeve, nuk është punë si çdo punë por ka veçori të shumta. Madje, edhe brenda sektorit të fluturimeve ajrore, udhëheqësi i fluturimeve ka disa tipare karakteristike, të cilat bëjnë që ai të jetë ndryshe nga pilotët e zakonshëm. Siç thonë rëndom, tek ky “specialitet”, sikur shkon më mirë ajo shprehja se: “Nuk është me të thënë, por është me të dhënë”. E Haki Jupasi ishte i dhënë për të kryer detyrën e udhëheqësit të fluturimeve. Përvoja e gjatë si fluturues, doemos që favorizonte, por ai kishte dhe zgjuarsinë e mprehtësinë për t’i kapur situatat shpejt e për t’u dhënë udhë të mbarë. Hakiu, në cilësinë e atij që drejtonte fluturimet e kolegëve, kishte diçka që nuk ngjasonte me homologët e reparteve të tjerë të aviacionit.

Nëse Fari Bubësi fliste pak por saktë në radio; Vasil Xoxi Andoni, nga entuziazmi dhe kënaqësia për t’u thënë pilotëve gjithë sa dinte vetë, kur e shikoje të salduar pas karriges rrotulluese të udhëheqësit të fluturimeve, nxirrte shkumë nga goja e dukej sikur donte ta gëlltiste mikrofonin; Haki Jupasi i fliste shumë pilotit dhe zëri i tij e shoqëronte deri në ulje. Në një farë mënyre, Haki Jupasi, në rolin e udhëheqësit të fluturimeve “e merrte për dore” pilotin, e kujtonte: bëj atë e mos harro këtë veprim; e korrigjonte kur dilte jashtë parametrave të fluturimit të rregullt, pse të mos ta them, në raste rreziku, me ndërhyrjen e tij, në kohë e të saktë, ai ka shpëtuar jetë pilotësh.

Le të kujtojmë rastin kur Mustafa Gjokutaj, duke pilotuar avionin Mig-19S, në rajonin e Çermës, afër Lushnjës, raportoi, me një zë, të përhumbur, të cilin, kur e dëgjoi, nuk e njohu as vetë, se kishte rënë në shtopor, ishin zëri i qartë dhe komandat e prera të Haki Jupasit: “Mblidh këmbët e merr pozicionin e katapultimit” që i shpëtuan jetën pilotit. Ndoshta do ta kishim mes nesh, pilotin Stiljan Tanka, i cili, në situatë të vështirë ajrore, braktisi avionin me katapultë por zbriti në tokë, pa këmbë dhe humbi jetën. Po të ishte urdhëruar (kujtuar) që të mblidhte këmbët, mbase nuk do të kishte ndodhur ajo gjëmë. Ata që e kanë “shijuar” fluturimin e dinë fare mirë se zëri i udhëheqësit të fluturimeve, në raste të veçanta, kur ndodhesh përpara një të papriture, e cila, zakonisht ka elementin befasi, po të jetë i qetë, të qetëson; po qe i alarmuar, të çorienton. Hakiu rreshtohej tek të parët. Atë mund ta krahasoj me një klloçkë, e cila vërtet nuk bën dallim tek zogjtë e saj, por kur i nxjerr ata për të shëtitur, i rri pranë atij që pengohet e mezi ecën ose atij që nuk është në një ritëm me të tjerët. Hakiu njihte jo vetëm individualitetet e pilotëve dhe dinte, kujt, çfarë, kur t’ia thosh por ishte dhe kompetent, mbasi njihte në detaje e në thellësi avionin, fluturimin e rastet e veçanta në ajër. Nëse pati ato rezultate të lakmuara në detyrë, kjo, para së gjithash është rrjedhojë e cilësisë së tij, të përkthyer në vlera.

Dimensioni human i Haki Jupasit

Tek njerëzit, ndoshta më tepër se kudo gjetkë, bien në sy individualitetet e tyre. Kjo është gjë e mirë; përndryshe do të na zinte frymën, njëtrajtshmëria, zymtësia dhe monotonia e mërzitshme. Tek njerëzit që shërbejnë në teknikën ajrore, ca më e theksuar tek ata që çajnë qiellin, fluturimi sikur u “injekton”, përveç adrenalinës, edhe të njerëzishmen. Po të vrojtosh, me vëmendje, një njeri që zbret nga ajri, sikur është “i tjetërsuar”; bëhet më “i butë”; më zemërgjerë e, në tërësi, më human. Ndoshta ky “tjetërsim” ka të bëjë me situatat ajrore që suporton. Njerëzit e ajrit, në tërësi e kërkojnë shoqërinë, janë më komunitarë dhe me zemërgjerësi fshijnë gjerdhet që i veçojnë nga të tjerët.

Këtu lipset t’i kërkojmë rrënjët e asaj lidhjeje të ngushtë shoqërore që ekziston mes atyre që ngrihen në ajër. Natyrisht, kjo nuk mund të absolutizohet. Vlerat e kësaj dukurie njerëzore janë koeficient i lëkundshëm. Tek tipi i Haki Jupasit, një vrojtues i vëmendshëm nuk kishte si të mos dallonte humanizmin, në sjelljen e tij. Hakiu, mendohej shumë para se të kryente një veprim apo para se të gjykonte mbi diçka. Ai nuk nxitohej, kurrë, por matej shumë para se ta thoshte fjalën.

Nuk është rastësore ajo që më thanë mjaft shokë se komandant Hakiu, gjatë karrierës së tij si oficer, nuk ka ndëshkuar asnjeri. E dinte ai se prapa çdo mase ndëshkimore qëndronte, të paktën një njeri e nuk donte të lëndonte asnjë vartës. Sjellja humane tek Haki Jupasi nuk ishte e rastësishme. Disa tipare njerëzore ai i kishte në gen. Tek i ati shkonin njerëz, nga ana e anës, për t’i kërkuar një mendim apo një ndihmë e ai ishte i papërtuar e gojëmjaltë. Qysh në vegjëli, Hakiu, dallohej si një djalë i bindur, i zgjuar e i saktë.

Jo më kot, atë e aktivizonin njerëzit e shtëpisë për të bërë pazare të vegjël e ai ishte tepër korrekt. Fakti që gjatë një periudhe të gjatë kohe, kur ai ishte në funksione komanduese, tek figura e tij nuk u dukën shfaqje të vrazhdësisë, arrogancës e prepotencës dhe qejfmbetja apo cinizmi, këto ishin vlera sa të trashëguara, aq dhe të kultivuara. Shpresoj të mos bezdiseni, po t’ju dëftoj një episod të shkurtër, nga jeta e Haki Jupasit, kur ishte me banim, familjarisht, në Qytetin “Stalin”. Familja e tij banonte në një apartament, në të cilin sipërfaqja e banueshme ishte më e madhe nga nevojat e familjes së sapokrijuar, teksa disa kuadro të repartit banonin në apartamente të përbashkëta. E pleqëroi me fisniken Veko, Hakiu dhe i lëshuan Kosta Dedes dhe bashkëshortes së tij Sofisë, një dhomë, duke shuar kështu një “sherr” mes gjitonësh. Ky qëndrim prej fisniku nuk mund të ishte një rast sporadik, por një vazhdë e sjelljes së tij humane.

Kur familja Jupasi banonte në qytezën ushtarake të Valiasit të cilën e themeloi një gjeneral ngaqë i pëlqeu fusha e mbjellë me jonxhë, para se të niste ngritja e banesave për oficerët e aviacionit e ata të artilerisë kundërajrore, gjitonët: Hamdi Mullaj; Eqerem Nexhipi; thoma Mano etj., e ndjenë, në vazhdimësi humanizmin e Hakiut. Të mos afrohemi, më pas, në kohë. Në Laprakë, pas shpërnguljes së familjeve të ushtarakëve të aviacionit, nga Valiasi, shtëpitë e Mustafa Gjokutës; Çobo Skënderi; Haki Jupasi; Halit Bulku; Nestor Dhaskali; Sefedin Tomçini etj. ishin kthyer në “tyrbe”, ku bashkëshortet e pilotëve gdhiheshin, në dritare, për të pritur ardhjen nga Rinasi të burrave, pilotë. Pjesë e dimensionit human të pilotit të klasit të parë, oficerit me kulturë ishte, para së gjithash sjellja e tij, me edukatë të shëndoshë, kulturë të gjithanshme e horizont të gjerë. Jam mrekulluar kur lexova një shkrim, për jetën e tij, formuluar me shumë kulturë e shkruar me një disenjo që rrallëkush e ka. Çfarë bukurie, çfarë pastërtie, çfarë uniformiteti e drejtëshkrimi ka në atë material biografik?

Hakiu ishte i ekuilibruar, me edukatë e sjellje qytetare, jo vetëm kur ishte në detyrë por dhe pas daljes në rezervë. Në çdo mjedis, mes shokëve, gjitonëve apo njerëzve të fisit e miqësisë, bënte figurë të mirë sjellja e tij qytetare. Një njeri që nuk nxirrte nga goja, kurrë fjalë të rëndomta (lexo të pista). Bujaria e shpirtit të tij ishte e dukshme.

Kur uleshe në një tavolinë, me shokët apo miqtë e tij dhe konsumoje një vakt, edhe pse nuk ishte qejfli pijesh, ndonjë gotë, për shoqëri, e për të këmbyer bisedë, e rrokulliste, por kishte një ves të njohur: Haki Jupasi nuk të linte të fusje dorën në xhep. Kavalier i madh ishte komandant Hakiu, jo nga ata “shefa” që thonë: “Rroftë sebepi; hajde t’i biem qylit”! Gëzonte kur i shkonin njerëz të zemrës në shtëpi. Deviza e sjelljes së tij, në këto raste ishte kënga e zemrës: “Pini, shokë, pini, se këtu është burimi”! Mos duhet përkthyer kështu, këtë togfjalësh: “Tek ka rrjedhur do të pikojë”? Unë, kështu e kuptoj.

Haki Iljaz Jupasi, kolonjari i traditës e i modernes, “ndihej ngushtë” e i “zihej fryma”, kur ndodhej i vetëm. Ai ishte mjaft i dhënë pas shoqërisë dhe donte ta shikonte veten mes njerëzve të dashur. Ishte mjaft i dhënë pas vizitave, tek shokët dhe tek të tijtë. E kishte nevojë dhe ndihej keq kur nuk ishte mes njerëzve. Sa me pasion e luante lojën e mendjes, shahun, ku nuk ia dilte njeri. Sa i shkathët e vigjilent dhe rezultativ ishte, kur merrte në dorë stekën e luante bilardo.

Dikush më tha se, me sedër, edhe pse nuk e kishte moshën për të bërë lëvizjet që kërkojnë shumë energji e shkathtësi, luante ping-pong, me më të rinjtë. Të mos flasim për leximin e literaturës, të cilën “e përtypte”, nuk i bënte një lexim të përcipët, sa për të marrë informacion. Më poshtë do të tentoj të shkruaj ndonjë mendim përse ndodhte kështu me këtë njeri, i cili ishte mjaft i dhënë pas fluturimeve por nuk ishte vetëm “zog” i qiellit; ai tentonte dhe e kishte të domosdoshme të gjendej mes njerëzve? A ishte kjo tendencë dhe pëlqim i komandantëve të sërës së tij apo kemi të bëjmë me një përjashtim nga rregulli? Përgjigja ime do të ishte e bazuar në individualitetin e formimit të secilit dhe në veçoritë e punës. Haki Jupasi, qysh se iu fut udhës së ajrit, madje që në shkollë, falë tipareve të tij, disa nga të cilat qëndronin mbi nivelin e shokëve të grupit; u përzgjodh, nga komuniteti vetë, përgjegjës grupi.

Më pas, kur u diplomua pilot e u titullua oficer ai u emërua në detyra komanduese, deri në atë të komandantit të regjimentit të aviacionit. Përvoja e gjatë si fluturues dhe aftësitë vetjake sa i takon teknikës së pilotimit, i diktuan të qëndronte gjatë, thuajse gjatë gjithë ditës së fluturimeve, “i ngujuar” në kabinën e ngushtë të udhëheqësit të fluturimeve, me mikrofon në dorë dhe i tensionuar. Se piloti, në ajër, suporton emocionet vetjake, kurse udhëheqësit të fluturimeve i duhet të suportojë emocionet e të gjithë atyre që janë në ajër. Kësisoj, në çdo rast, komandant Hakiu gjendej i detyruar t’i nënshtrohej vetmisë dhe efekteve negative të saj. Prandaj, ai sapo lirohej nga detyrat shtetërore, sulej, mes njerëzve, pleksej e bëhej njësh me ta. Aktivizohej dhe në ato veprimtari, sidomos sportive, për të cilat nuk e kishte moshën.

D.m.th., ai “qethej me shelegët”, siç thonë në ndonjë trevë shqipfolëse. Sa kohë fluturonte e ishte tejet i ngarkuar, bashkëshortja e zgjuar, kolonjarja Veko, duke iu përshtatur kërkesave të veçanta të detyrës që kryente Hakiu, i kishte krijuar atij kushte të përshtatshme, për të mbajtur regjim piloti. Dhe në çfarë kushtesh? Në ato kohë kur ngushtësia ishte bashkëshoqëruese, në çdo drejtim, jo thjesht në mjedise familjare. Ajo, merrte mbi vete detyrat e saj, si zonjë shtëpie; kompensonte e lironte dhe të shoqin nga detyrimet ekonomike të familjes.

Hakiu, si pilot, vërtet që ushqehej në mensën e pilotëve të repartit dhe trajtohej shkencërisht, por, kur vinte nga puna, në familje dhe gjente qetësi e detyra prindërore të kryera, e kishte më të lehtë të ruante parametrat e regjimit ditor të pilotit. Nga martesa e Haki Jupasit me fisniken Veko erdhën në jetë tri vajza. E para syresh ishte, Rajmonda. Ajo u lind në Ersekë e u rrit në Qytetin “Stalin”; në Valias e në Tiranë.

Pas saj, në Qytetin “Stalin”, u lind e dyta, Flutura dhe e treta erdhi Arjana e cila u lind në Tiranë. Siç kujton bashkëshortja e tij, Vekua, Haki Jupasi, gjatë kohës së shtatzënisë së saj, ishte mjaft i ndjeshëm, për krijimin e kushteve dhe lehtësirave për shoqen e tij të jetës. Lidhja e gjatë e çiftit nuk solli në jetë djem edhe pse djemtë ishin të dëshiruar nga të dyja familjet respektive. Por, Haki Jupasi, për këtë fakt, nuk ndihej aspak keq. Përkundrazi, ai ishte mjaft i kënaqur me praninë e vajzave, në familje, për të cilat, si baba i kujdesshëm i rrethoi ato me tërë interesimin që të mos u mungonte asgjë, nga të mundshmet, sipas kohës. Vajzat e Vekos e të Hakiut, u rritën të shëndetshme, të edukuara e të kulturuara, si prindërit që i lindën e i rritën dhe u arsimuan, sipas prirjeve dhe kapaciteteve.

Çifti Jupasi ndihej fatlum, për faktin që, të trija vajzat erdhën të mbara e nuk u shkaktuan prindërve asnjë shqetësim por veçoheshin për të mirë mes komunitetit ku jetojnë e punojnë. Hakiu bënte shumë pas vajzave e i donte shumë, të trija. Ai nuk bënte dallim mes vajzave të tij, por, kur ishte pilot e në mensë mblonte për vajzat çokollatat që i jepnin si ushqim e ua ndante atyre, në mënyrë të barabartë, për më të voglën, Arjanën, ruante një çokollatë, më tepër, jo se e donte më shumë atë, por që t’i jepte shansin që të rritej, më shpejt e të kapte motrat e saj më të rritura. Nga intervista që zhvillova me bashkëshorten e Hakiut, Vekon, mësova diçka tepër interesante, të cilën dua ta ndaj me lexuesin: “Kur linda vajzën e tretë, Arjanën, të them të drejtën, u mërzita shumë. Doja të sillja në jetë një djalë, mbasi isha motër pa vëlla. U mërzit dhe nëna e Hakiut, Këzja dhe nëna ime, Bulja.

Në shtëpinë e lindjes, erdhi të më vizitonte Hakiu. Erdhi mengut, mbasi atë ditë regjimenti kishte fluturim e ai ishte komandant. Kolegët dhe vartësit e tij e kishin diskutuar çështjen, madje kishin vënë dhe baste se; Po të lindja vajzë, komandant Hakiu do t’i anulonte fluturimet, atë ditë. Erdhi Hakiu e më pa. Pa dhe vajzën e sapolindur, së cilës, më pas i vumë emrin Ariana. E pa foshnjën tek flinte, si engjëll e m’u drejtua mua: “Për këtë je mërzitur ti”?

“Po kjo qenka dhe shumë e bukur”? E pa e uroi: “E pastë jetën të gjatë”! Qëndroi, aq sa i lejohej e u largua, për të shkuar në repart, ku do të zhvilloheshin fluturime. Kolegët, në Rinas, kishin dalë në aerodrom e po prisnin komandantin. Ata e dinin ku ishte Hakiu por nuk kishin informacion se çfarë kisha lindur unë. Të mbledhur kokë më kokë, në pritje të ndonjë njoftimi, ata po hamendësonin: “jo djalë”! “jo vajzë”!

Dikush, bëri kasandrën, kur tha “Po të jetë shtuar me vajzë, komandanti do t’i anulojë fluturimet, për sot”! Nuk i doli profecia qyqarit. Hakiu i gjeti duke polemizuar dhe i qeshur, si përherë urdhëroi të lëshoheshin motorët e të niste fluturimi. Vetë shkoi në udhëheqje të fluturimeve, ku çdo gjë ishte gati. Fluturuan tërë atë ditë”.

Kur u mbyllën fluturimet e Hakiu shkrepi në ajër raketën e kuqe sinjalizuese i ftoi kolegët, shokët e vartësit tek klubi i repartit e i tha Idrizit, t’u shërbente çfarë të dëshironin. “Tani uromëni, për vajzën e tretë”- qenë fjalët e kursyera të komandant Hakiut dhe pranoi urimet e tyre. Komuniteti i aviatorëve që u ndodh në klub, kur dëgjoi që kishte lindur vajza e tretë e komandantit, vetiu lëshoi një ofshamë të zgjatur: Ua.a.a, në shenjë habie që nuk i doli profecia kolegut të tyre. I tillë ishte Haki Iljaz Jupasi. Ai, brenda mërzisë dinte të kapej pas optimizmit dhe, me aftësi, buzagaz, mërzinë e kthente në kënaqësi. Vekua dhe Hakiu, rritën tri vajza, njëra më e mirë se tjetra. Ato, me ledhat e tyre e shlodhnin babanë, i hiqnin stresin e punës dhe e relaksonin, pa masë.

E mesmja, Flutura, kishte një damar poetik, i cili buron nga geni si stërmbesë e bejtexhiut nga Kolonja, Hasan Zyko Kamberi. Kur vinte nga kopshti e ulej pranë të atit, ajo “e thumbonte”, me ledha babanë e ndjeshëm, me një shaka të sajuar, nga vetë ajo. Krijimi i saj bënte fjalë: “Babin e kam pilot. Një zakon e ka i shkreti: gjithmonë në bilardo mbeti”! E donte të qëndronte më gjatë në shtëpi, babanë, vajza e dhimbsur. Ajo “kompozoi” dhe shkroi fjalët në kartolinën me tre trëndafilë të kuq, që i drejtuan vajzat, nënës së tyre, me rastin e ditëlindjes.

Flutura poete, me këtë rast formuloi këto vargje prekëse:

Tre trëndafilë të dërgojmë,
Tri vajza të urojnë:
Dhe 100 vjeç o nëna jonë,
Mirësia jote, pa kufi,
Do të sjellë vetëm lumturi!
Gjithë jetën, për ne ke sakrifikuar,
Je lodhur e je munduar,
Ndaj për ne je shumë e çmuar,
Po ta dish sa shumë të duam?
Dhe sa shumë të vlerësojmë,
I harron, të gjitha mundimet,
Dhe të rrethojnë gëzimet!
Të urojmë shëndet e lumturi,
Me të gjithë ata që do ti!

Urimi mban datën 5 prill 2005 dhe është i firmosur nga të trija vajzat: Nga Rajmonda, nga Flutura dhe nga Arjana. Sa i gjetur është teksti i këngës popullore: “Kush ka vajza; botën ka”!

Rasti ynë është një votë më tepër në të mirë të saj. Haki Jupasi kishte tri vajza e bëri tre dhëndurë. Ata iu bënë djem e shkuar djemve dhe Hakiu nuk i veçonte ata nga vajzat. Edhe në përcjelljen e heroit të këtij shkrimi, dhëndri i mesëm, bashkëshorti i Fluturës, Agim Sinoimeriu shpreh, krenar se: “Unë jam njëri nga tre djemtë e Haki Jupasit”! Haki Jupasi doli në rezervë në muajin tetor të vitit 1975 dhe u nda nga jeta, në shtator të vitit 2014. Gati 40 vjet, ai ishte pensionist.

Edhe në statusin e pensionistit, komandant Hakiu preferonte të mbante të njëjtin regjim ditor. Gjumin e bënte të rehatshëm e të zgjatur, si dikur, kur fluturonte. Pushimin në mesditë e kishte shumë për zemër. Ushqimet i konsumonte me dëshirë. Frutat dhe perimet, nuk i ndante nga dieta e ditës. Në mëngjes, hante, me shumë kënaqësi trahananë, me djathë të bardhë e me vaj ulliri, përzier.

Kur doli në pension, ai e mbushte kohën e lirë në mënyrë aktive dhe të dobishme. Kur dilte në treg, për të blerë sende të ndryshme Hakiu, bashkëshortja ishte e qetë dhe e sigurt se ai do të sillte në shtëpi sende cilësore. Mësoi të gatuante gjellë, me shije; vishej me gusto dhe e kishte merak pastërtinë e trupit. Vajza e mesme e tij, Flutura, kujdesej vazhdimisht për pamjen e jashtme të babait të saj duke ia mikluar dëshirën e tij për t’u veshur me gusto e me veshje të shtrenjta. Geni, të ushqyerit dhe regjimi ditor ishin komponentët kryesorë që bënë të mundur jetëgjatësinë e pilotit Haki Iljaz Jupasi.

Mirëpo jeta ka ligjet dhe limitet e saj. Prej tyre, askush nuk është i përjashtuar. Më shtator të vitit 2014, në Tiranë, u shua jeta e njërit nga “yjet” e aviacionit shqiptar- Haki Iljaz Jupasi. Ai u përcoll, në varrezat publike të Sharrës, në Tiranë, nga bashkëshortja, vajzat, dhëndurët, kolegët e shumtë, miqtë, e dashamirët dhe fqinjët e tij, me të gjitha nderimet që i takonin. Për merita në luftë dhe si pilot i rrallë Haki Jupasit iu dha titulli i lartë Qytetar nderi i Ersekës. Haki Iljaz Jupasi jetoi një jetë plot me tallaze.

Gjatë jetës në një profesion tejet të vështirë, ai përballoi vështirësi e pengesa të shumta. Ai zgjodhi profesionin e guximtarëve e u shqua, në çdo hap të jetës e të punës së tij. Ndarja e tij nga jeta, la pas shumë dhimbje e lot, por dhe gjurmë, të cilat nuk i shlyen dot koha.

I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Të rrojnë ata që ka lënë pas dhe shokët e miqtë e shumtë, të cilët e kanë kokën lart dhe kanë çfarë të kujtojnë prej tij!