Mbasi ke bërë një copë udhë, kthen kokën pas e kujton ato që ke përjetuar dhe njerëzit që ke takuar në atë rrugë. Disa njerëz lënë gjurmë, të cilat nuk i tjetërson dot koha, madje i kujton ata, i malluar për t’i parë përsëri, për të kuvenduar me ta e, po të jesh fatlum, edhe për të punuar e jetuar pranë tyre. Tek djali si flori nga Çorrushi i Mallakastrës, Azbi Ramadan Seranaj, natyra, me bujari, e ka derdhur të gjithë nektarin e mirësisë. I pashëm deri në përsosmëri; i zgjuar si asnjeri; i shkathët përmbi moshatarët e tij; me kokën plot mençuri.

Kur u nda nga jeta, Azbiu ishte mjaft i ri dhe i atillë do të kujtohet, në jetë të jetëve. Ky është një privilegj, të cilin nuk e ka çdo njeri, përjashto ata që bien, në krye të detyrës, që të rrojë në shekuj Atdheu. Edhe pse fare i ri, kur uleshe e kuvendoje me të, Azbiu të linte ndjesinë se po flisje me një të moshuar, plot mençuri e njerëzi. E kam njohur pak, por, nga sa shkrova më sipër, e kisha zili e synoja ta arrija.

Për pilotin e shquar Azbi Ramadan Seranajn, kanë shkruar shumë e do të vijojnë të shkruajnë të tjerë. Mirë bëjnë që shkruajnë, në veçanti ata që kanë pasur fatin të mësojnë, të punojnë e të jetojnë pranë atij "engjëlli". Shkrimet e merituara le të jenë të shumta; ato veç hedhin dritë mbi jetën dhe veprën e tij të ndritur dhe e bëjnë atë të paharruar. Një njeri e pilot si Azbiu nuk duhet e nuk mund të harrohet. Atë e bëjnë të tillë vlerat që ka shpalosur në jetë. Prandaj, çdo shkrim kushtuar atij deli djali, i cili i ngjante një enciklopedie të gjallë, ia shton vlerat dhe e përjetëson kujtimin e tij.

Kur e njoha Azbiun, ai sapo kishte marrë detyrën e komisarit të grupit ajror, në Regjimentin e Aviacionit "Peza", të dislokuar në aerodromin e Qytetit "Stalin". Ai ishte i vetëdijshëm se niveli i tij kërkohej të ishte më i lartë nga ai i vartësve, prandaj nuk e ndante librin nga dora. Studionte shumë e nuk linte asnjë çast pa shfrytëzuar, me dobi, komisar Azbiu. Literatura politike, në duart e tij, ishte në radhë të parë; por ai nuk linte pas dore as literaturën tekniko-shkencore, atë kulturore e artistike. Azbiu e kishte kokën plot dhe fjalët që nxirrte nga goja ishin të mençura e ngjitnin lehtë. Horizonti i tij lejonte depërtimin në çdo skutë të jetës së njerëzve e u përshtatej kërkesave të veçanta të tyre.

Azbi Seranaj e donte shumë fluturimin e përgjërohej për të. Ai ishte i përkushtuar për të dhënë maksimumin e mundshëm, në çdo detyrë, dhe nxirrte nga avioni rendimentin maksimal. Në çdo detyrë e në çdo stërvitje, vendi i komisar Azbiut ishte në krye të formacionit luftarak të avionëve. Nuk kishte alternativë tjetër për komisar Azbiun, veç prirjes me shembullin vetjak. Ishte sedërli e nuk pranonte të mbetej pas shokëve.

Në fund të viteve ’60 të shekullit të kaluar, me 2 aeroplanë An-2 fluturonim, nga aerodromi i Qytetit "Stalin", për të spërkatur fushat e Myzeqesë. Sipas urdhrit të komandës, bëja kontrollin e kohës, në parcelat e punës, me ngarkesë, jepja udhëzimet dhe shkoja në drejtimin e fluturimeve. Vinte Azbiu, me shlemafon në dorë e me atë buzëqeshjen e ëmbël, plot dashamirësi.

Në konfidencë, më thoshte: "Si je, o patriot? Përse nuk fluturon, por mbyllesh këtu, në kullën e fildishtë?" Me po atë ton dashamirësie i thosha se njëri duhet t’i drejtojë fluturimet nga toka. Azbiu e kishte mendjen tek fluturimi e vetëm atë quante punë për pilotin.

Në vitin 1963, Azbiu u përzgjodh si më i përshtatshmi për të qenë instruktor i teknikës së pilotimit, në avionët Mig-15, me kursantët që sapo ishin kthyer padrejtësisht nga shkolla ruse e aviacionit. Fluturoi, cilësisht, në Poro, në kushte tejet të vështira dhe diplomoi 4 pilotë gjuajtës-bombardues. Në grupin të cilit ai i mësoi fluturimin ishin kursantët: Thanas Papa (ndjesë pastë); Mustafa Gjokutaj (ndjesë pastë); Bardhyl Lubonja dhe Sefedin Tomçini (ndjesë pastë).

Kursantët që ai mësoi mbetën të mrekulluar nga kultura e gjerë e tij; nga edukata e shëndoshë qytetare që manifestonte, nga komunikimi korrekt e i ëmbël me ta; nga aftësia e tij për të transmetuar tek kursantët ato që dinte vetë dhe nga teknika e përsosur e pilotimit.

Më ka rënë rasti të lexoj, diku nëpër arkivat e kohës, një karakteristikë fluturuese, të shkruar nga dora e Azbiut, për fluturimin në zonë të kursantit të tij Bardhyl Lubonjës, të cilit ai i thoshte, me shaka: "gjatosh". Më besoni, jam mrekulluar prej asaj karakteristike. Ajo nuk ishte karakteristikë, por i ngjante një fotografie besnike, ku çdo fjalë ishte në vendin e vet. Çfarë logjike të shëndoshë? Çfarë saktësie kompjuterike? Çfarë kompetence profesionale? Çfarë kulture në formulim e në të shkruar?

Çfarë optimizmi përcillte ai njeri? Azbiu, si një qëmtues i kujdesshëm, kishte çmuar e gdhendur çdo element të fluturimit. Peshorja e tij ishte si ajo që përdorin farmacistët. U mrekullova, mësova shumë prej saj dhe thashë me vete: "Çfarë kanë humbur familja, shoqëria dhe aviacioni ynë?"

Njerëz si Azbiu vijnë rrallë e mbeten gjatë në kujtesën e atyre që e kanë njohur. Ndihem mirë që i vëllai, Kujtimi, është i angazhuar e punon, me përkushtim, për përjetësimin e të rënëve, në krye të detyrës. Kujtimi, siç ka dhe emrin, me vlerat e rralla që manifeston, bën beli për prejardhjen dhe qenien e tij.

I paharruar qoftë kujtimi i Azbi Ramadan Seranajt, jeta dhe vepra e të cilit do të mbeten lapidar e pikë referimi në historinë e aviacionit shqiptar!

Shkroi Niazi Nelaj

Më 3 tetor 2015.