Selimeja, kamerierja që u dekorua

Ngritja e një aeroplani në ajër dhe realizimi i fluturimit është finalizimi i përpjekjeve dhe djersës të qindra njerëzve. Piloti realizon atë që duket, atë që bie në sy prej të tjerëve, atë që vrojtojnë gjithësa ndodhen në aerodrom. Por sa njerëz  të zhurmshëm e të heshtur marrin pjesë në përgatitjet e shumta për të bërë të mundur ngritjen e aeroplanëve  në ajër dhe për të siguruar suksesin e një fluturimi, në të gjithë drejtimet?

Disa janë të profilit teknik, të cilët, për hir të së vërtetës kanë peshën kryesore të kësaj pune përgatitore. Ata i shikon, tërë ditën e ditës, të veshur me kominoshe pune, me kaçavidë në dorë, tek hapin e mbyllin kapakë dhe kontrollojnë, me syçeltësi e në detaje çdo agregat apo pjesë të avionit që do të fluturojë. Tekniku i avionit, i cili, jo mëkot është etiketuar si “zot” i asaj makine të ndërlikuar, është garanti i parë. I bindur në gatishmërinë e avionit, për t’u ngritur në ajër, me një bllok standart në dorë, qëmton firmat e specialistëvë të shumtë, të cilët, sipas veçorive të profesionit, mbasi kanë kontrolluar sisteme e agregatë të sferës së tyre,  sigurojnë se puna e tyre është një garanci më shumë për suksesin e sigurt , në ajër.

Ka të tjerë, të cilët qendrojnë “ të mbërthyer “, sa kohë vazhdojnë fluturimet, pranë aparaturave të vëzhgimit e të drejtimit, përpara ekraneve, me kufje në vesh e me mikrofon në dorë, përherë të gatshëm, për të dhënë e për të marrë komanda . Por ka dhe një kategori njerëzish, të cilët, në dukje, paraqiten si “ të largët, e të palidhur me fluturimin”, por që, në fakt, nuk janë të tillë.  Ata punojnë e djersijnë, “pa zë e pa zhurmë”, por, pa punën e tyre, fluturimi është i pamundur. Ata djersijnë e sakrifikojnë, qetë-qetë, pranë furrit të sobës, duke siguruar ushqimet, apo duke u servirur gjellët, atyre që ushqehen në mensat e reparteve të aviacionit.  Njëra syresh ishte kamerierja e paharruar Selime Caushi, në regjimentin e Rinasit.

Ata që janë ushqyer nga duart e saj imcake, mesiguri që e kujtojnë, me nderim, atë grua të thjeshtë, me trup të imët e të thatë por me shpirt e zemër të madh prej nëne; kamerieren e veçantë,  e cila fitoi zemrat dhe respektin e pilotëve, teknikëve dhe specialistëve të aviacionit që futeshin në mensë e ushqeheshin nga duart e saj, në ditët ( netët ) kur në regjiment zhvilloheshin fluturime, në kohë e kushte të ndryshme të motit.

Bëhet fjalë për vitet ‘60 të një shekulli më parë. Në ata vite, në mensën e pilotëve të regjimentit bënte kamerierin një grua  ushtaraku, të cilën, disa e krahasonin me një nënë të mirë; disa të tjerë e barazonin me një motër të dhimbsur, e cila kishte shpirt njeriu e zemër të bardhë.  Ishin të shumtë ata, të cilët, me të drejtë mendonin se ajo grua  kishte ardhur mes nesh, si një dhuratë nga Zoti, e, aty mes njerëzve të sakrificës, ishte shndërruar në një ëngjëll e ishte vënë në mbrojtje të jetëve tona. Kur them kështu, kam parasysh portretin e asaj gruaje të mirë, e cila nuk veçohej nga shoqet e saj, për nga kurmi apo nga pamja  e jashtme, por nga shpirti i gjerëe i mirë, nga  dhimbsuria, pa kufi dhe përkujdesja e veçantë që tregonte gjatë ushtrimit të detyrës.

E imët, e dobët kockë e lëkurë, me atë fytyrë të rreshkur, më tepër se nga mosha, nga hallet e jetës dhe nga brengat e zemres së saj, me ata sy si të përhumbur e me një zë si të mekur por tërë ëmbëlsi e dashamirësi, lëvizte nëpër mensë, aty , në katin e parë të hotelit të beqaeëve, në Rinas, me hap të lehtë e pa u ndier, sikur të ishte flutur, me pjata në duar, e shkathët dhe e kujdesshme, si një nënë e përkushtuar për fëmijët e saj. Të tillë e kujtoj Selime Çaushin, portretin e së cilës nuk mund ta tjetërsojnë vitet që kanë shkuar.

Selimeja ishte grua oficeri. Bashkëshorti i saj, Islam Caushi, ishte efektiv i grupit të radiodritës,  me profil komisar grupi. Burrë e grua, të dy me origjinë nga rrethinat e Maliqit të Korçës, ishin aq harmonikë në të shkuar, sa dukeshin sikur ishin të gatuar për njëri-tjetrin. Selimeja, kish lindur e kish rritur gjashtë vajza, të cilat erdhën në jetë njëra pas tjetrës e u bënë, njëra më e mirë se tjetra. Ajo ishte e lodhur nga jeta. Telikosjen e gjatë e dëftonte gjithë qënja e saj  shtatvogël. Të dy bashkëshortët ishin të pakënaqur  që nuk kishin një pinjoll, nga “ barku “ i tyre. Ata ishin të dëshiruar për një djalë. Për të qetësuar opinionin dhe veten, ata, shpesh, kur i pyesnin njerëzit, u thonin:  “Këto janë punët e Zotit e ne nuk arrijmë  dot deri atje” ! Në fakt, kërkimin nuk e ndërprenë dhe djali u erdhi në jetë, pas gjashtë vajzave. Kur u bënë me djalë, gëzimi i Selimesë dhe i Islamit ishte pa kufi.Ata u lumturuan e u bënë “ me fletë”! Dhe nuk ishte vetëm gëzimi i tyre: Gëzoi, i madh e i vogël, në fisin e tyre, në fshatrat nga ku kishin ardhur dhe në qytezën e vogël të Valiasit, ku ata banonin.

Në mesin e vitit 1963, kur njoha Selimenë, hoteli i ri i pilotëve dhe mensa, në katin e parë të godinës së re  ishin në përfundim. Në të njëjtin mjedis ushqeheshim, ne, pilotët beqarë e të martuar dhe teknikët e specialistët beqarë.Në kthinën ku hanin pilotët, kamerierin e bënte nënë Selimeja. Në anën tjetër, atje ku ushqeheshin jofluturuesit, shërbente një tjetër grua, e cila nuk ngjante me Selimenë, as për nga fiziku, as për nga nuri, ca më pak nga dhimbsuria e kujdesi . Tavolinat ku uleshim, për tu ushqyer, ishin me nga katër e me nga gjashtë vende. Norma me të cilën ushqeheshin pilotët e avionëve reaktivë, në atë kohë ishte e lartë- 900 lekë në muaj. Arrij në  këtë përfundim,   nisur nga fakti se një pilot fillestar, në ato vite merrte një pagë mujore- 660 lekë, në muaj.  Të gjithë ata që ngriheshin në ajër, përgjithësisht ushqeheshin në mensën e pilotëve. I vetmi që ushqehej në familje ishte komandanti i regjimentit, kolonel Niko Hoxha, të cilit familja nën kujdesin e veçantë të zonjës Jolanda i siguronte asortimentin dhe cilësinë e ushqimit.

Sapo hapje derën e mensës, në të djathtë ishte tavolina e “ shefave”. Aty uleshin kuadrot e shtabit të regjimentit dhe komandantët e skuadrileve. Ajo tavolinë kishte fituar statusin e “ tavolinës kryesore “ dhe në të zinin vend : Haki Jupasi; Lulo Musai; Anastas Ngjela; Seo Trola; Gëzdar Veipi etj. Në një tavolinë pranë dritares, në mes pilotëve të rinj ulej komandanti i skuadriles të dytë, Kosta Neço Dede,njëri nga pilotët më me emër në tërë aviacionin shqiptar, si për të marrë prej tyre pak freski nga mosha e re. Me më të rinjtë ulej dhe piloti i bombarduesit Bajram Isa Hitaj, i cili ishte nga më të vjetrit, pilotë, në regjiment dhe, për respekt të moshës e kontributit të tij, ne e thërrisnim  “Batja”. Duke u ulur mes më të rinjve si : Nestor Dhaskali; Vasil Kromidha e Adem Çeça, atij i dukej sikur “ shkarkonte “ disa vite nga vitet e tij të artë. Vendet ku uleshim ishin të përcaktuara e të mirëpranuara; jo me ndonjë urdhër nga latr por , sipas zgjedhjes vetjake të sejcilit.

Në këtë çështje kishte dhe preferenca. Bilal Josja, nuk mund të ndahej nga Astrit Mersini, me të cilin kishte një jetë të tërë dhe  flinte në një dhomë të hotelit. Guri Merkaj edhe kur hante, i donte pranë shokët e tij të grupit e të zemrës, si:  Agron Daci, Zija Memi dhe Besnik Shahaj. Kështu dhe Llazar çupa, që e donte pranë Skënder Kaninën etj.Disa pilotë që banonin në Tiranë, si çobo Skënderi e Bajazit Jaho uleshin në të njëjtën tavolinë. Në pranverë të vitit 1964, kur nga shkolla e aviacionit erdhi një kontigjent i ndjeshëm pilotësh, në mensë u shtua popullsia  e mensës tonë iu shtuan disa tavolina.

Selime Caushi, fëmijëve që kishte lindur, në familje u dhuronte mjaft dashuri e mirësi por edhe neve që na ushqente me duart e saj, nuk na e kursente dashurinë dhe bujarinë e shpirtit. Ajo, me bujarinë e shpirtit të saj, të pakufishëm, na mbushte dhe zemrat tona, me dashuri nëne e motre. Këtë e kemi ndjerë ditë për ditë e për çdo vakt. Kur bisedova me veteranin Bajram Hitaj, mbi këtë çështje, ai, pa u menduar dy herë më tha:”Selimeja, ajo deli grua, na u bë mëmë e motër; Ajo të hiqte nga plantabela e fluturimeve”! Këtë të vërtetë e kam provuar në kurriz por më pëlqente ta dëgjoja nga goja e një të moshuari, të cilit, me shaka, e për respekt, kur e takoj i them “ “xhaxha “ e ai nuk ma merr për “ters”. Bajrami më kujtoi faktin se Selimeja, kujdesej për pilotët, si për fëmijët që kishte në shtëpi .

Ajo monitoronte dhe dinte mirë, nëse një pilot e kishte konsumuar ose jo racionin ditor të ushqimit. Kishte dhe raste kur ndonjëri, për arsye të ndryshme i bënte naze uushqimit . Atëherë, kamerierja jonë e mirë, ndërhynte, qetë-qetë e me fjalë të ëmbël:” Po, përse? mor bir, nuk e hëngre, fjala vjen, supën, byrekun, ëmbëlsirën, etj. Dhe vijonte , me kujdesin e një nëne: “mos je pa qejf, apo thjesht nuk ke oreks”? Ajo grua njihte dhe shijet e pilotëve të veçantë. Kur dikush nga fluturuesit nuk konsumonte ushqimin, Selimeja, nuk i raportonte kurrë komandantit të tij. E dinte ajo grua “ si ëngjëll” që komandanti, në pozicionin e drejtuesit, do të vepronte siç e kërkonte rregulli e do ta përjashtonte pilotin nga fluturimi. Një veprim i tillë, edhe pse ishte i drejtë nga ana ligjore, tek piloti linte shijë jo të mirë. Për të mos ngjarë kjo, Selimeja i afrohej mjekut dhe, me qetësi i thosh mjekut; Skënder Krajës; Lulzim Bilbilit e më pas Shkëlqim Kushovës atë që kish vënë re dhe mjeku, po sipas rregullores, por me një gjuhë “ më të butë “, si mjek e si psikolog, nuk firmoste në plantabelën e fluturimeve, për “x” apo “y” pilot  të cilin komandanti e përjashtonte nga fluturimi .

Se si e çmonte Selimeja, po t’i raportonte drejtpërdrejt komandantit; asaj i dukej sikur po i priste në besë pilotët apo sikur po i hante prapa krahëve ata. Fjala e mjekut ishte po aq e rrepte për pilotin por e thënë nga goja e tij, ishte më e mirëpritur . Nëse kamerierja jonë e dhimbsur raportonte kur një pilot paraqiste anoreksi, motivi i saj ishte shumë dashamirës dhe në mbrojtje të jetës së tij.

Ndoshta e teproj por ndonjë zgjatje do të ma toleroni. Kur ndonjë pilot mungonte, në mensë, disa ditë e nuk kishte dalë nga “forca”, Selimeja, si nëna për  pjellën e saj, i ruante çokollatat dhe frutat e ia jepte sapo ai te paraqitej. Ishte në mes të ushqimit të larmishëm, e të gatuar me shijë, por atë grua nuk e kisha parë asnjëherë të konsumonte nga ushqimet e pilotëve. Ajo e merrte ushqimin nga shtëpia dhe e konsumonte në një qoshe. Siç më dëftoi veterani i parashutizmit Fadil Nenaj  (Braho ), i cili, për shkak të detyrës,  konsumonte ushqimin që hanin pilotët e avionëve me helikë, norma e të cilit ishte më e ulët nga ajo e reaktivit:” Më takonte një gjysmë çokollatë, në ditë. Iu drejtova Selimesë, një ditë: “ Merre ti, këtë se unë nuk e ha”! Ajo, jo vetëm refuzoi ti merrte, por i grumbulloi çokollatat që më takonin, disa ditë radhazi e mi dha, së bashku;” u habita”! Më tha Fadili, dhe  vijoi: “ Më pëlqente shumë mishi i pjekur kurse Bardhyl Lubonja kishte “ dobësi “ për ëmbëlsirat. E kishim bërë si normë; i ndërronim me njëri-tjetrin. Selimeja, e zgjuar e gjithë mend, e kishte pikasur këtë e iu drejtua Bardhit, me një gjuhë të llastuar, si pej Korçe: “ Djalkë, po deshe t’ëmbla, të sjell unë, nga kuzhina; mishin haje ce ta do trupi”! Sa raste të ngjashme kisha përjetuar nga sjellja plot dashamirësi e mirësi e asaj “nëne “? Prandaj nuk mund ta harroj portretin dhe kujtimin e saj.

Shpirt njeriu ishte Selime Caushi; të pashlyera janë kujtimet e mira që na ka lënë, e patretur mbeti dashuria dhe respekti për atë grua “ ëngjëll”, që “ na ngjiti aq shumë”! Uroj që fëmijët ti kenë ngjarë sadopak, jo nga shtati sa nga tiparet!

U prehtë në paqë, ai shpirt i gjerë, si det!

 

Shkroi

Niazi Nelaj  Mars 214