(Një monografi mes kundërshtish)
Emrin e plotë e kishte Ivanov. Novi i flisnin me përkëdheli: shokët, familjarët dhe gjithë sa e njohën. Babai i Tij - Haxhiu ishte oficer i Ushtrisë Popullore. Nënë Asija dhe Baba Haxhiu, prindërit e Tij biologjikë, ishin autoktonë, nga fshati Val i rrethit të Skraparit. Mbiemri Meta s’është veç një koincidencë e rastit.
Novi, i mbetur jetim nga Nëna që në fëmijërinë e hershme, u rrit bonjak (pa Nënë). Ai u rrit e u brumos me frymën e kohës dhe me traditat e trevës. Në këto kushte Novi u formua: i mbarë, i zgjuar, i shkathët, me shtat si kavak, i dashur me njerëzit, serioz e trim i çartur. Fakti që nuk i shijoi ledhat e Nënës Biologjike, as në fëmijëri, kur kishte shumë nevojë për to, e bëri Novin disi të mbyllur e deri diku të ashpër. Jeta u soll ashpër me Të e i mori Nënën, gjënë më të shtrenjtë për një fëmijë.
Duke parë e duke çmuar tiparet vitale të të birit dhe prirjet e Tij, Baba Haxhiu e dërgoi Ivanovin në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” me qëllim që të ndriçohej e të kalitej më tej dhe të bëhej një oficer cilësor, si Ai. Katër vitet e Novit në shkollën “elitë”, e cila mbante emrin e të lavdishmit Gjergj Kastriot “Skënderbe”, e zhvilluan dhe e kalitën Atë fizikisht, e poqën dhe e burrëruan mendërisht. Novit, që kur ishte fëmijë, i kishte lindur ideja të çante qiellin, si zogjtë fluturakë. Novi ishte i lindur për t’u bërë pilot. Ëndrra fëmijërore e tij mori krahë vetëm në vitin e largët 1967.
Pas kryerjes me sukses të shkollës së mesme, Ivanovi u ul në katedrat e Shkollës së Lartë të Aviacionit në Vlorë, ku do të bëhej pilot. Në këtë shkollë të vetme, Novi, në katedrat mësimore, mori njohuritë e para aerodinamike dhe, më pas, iu nënshtrua përgatitjes në tokë (gati 2 javë), nën drejtimin e instruktorit të teknikës së pilotimit. Ishin përcaktuar grupet e fluturimit dhe nisi përgatitja e detajuar për të mësuar procesin e vështirë të përgatitjes ajrore që nga futja në kabinë deri tek dalja prej saj. Para se të niste përgatitja në tokë, u përcaktuan grupet e fluturimit dhe instruktorët e teknikës së pilotimit. Nisjes së fluturimeve u parapriu hedhja me parashutë e studentëve për pilotë, si një domosdoshmëri profesionale.
Novit i erdhi në ndihmë fati kur e caktuan të kishte instruktor të teknikës së pilotimit, përmetarin nga Kajca, babaxhanin kokëplotë Isa Arapaj, nga i cili kishte çfarë të mësonte. Isai ishte jo vetëm “mjeshtër” i pilotimit, por dhe njeri me horizont e kulturë të gjerë, tipare të cilat i vinin për hosh djaloshit simpatik nga Vali i Skraparit. Novi nuk ishte nga studentët e rëndomtë, të cilët i quajnë të mjaftueshme njohuritë që morën në katedrat mësimore të shkollës së aviacionit, dhe nga studimi i instruksioneve e rregullores së fluturimit, por lexonte shumë, në shqip e në rusisht dhe tentonte të futej në thellësi të dukurive ajrore. Kur nisi të fluturonte, Novi, për ato çka lexonte në literaturën aeronautike, kërkonte t’i provonte në aeroplan. Njohja e mirë e gjuhës ruse i lejonte Novit të njihej me përvojën botërore të aeronautikës dhe me dukuritë e veçanta që vepronin në avion, kur ai çante ajrin e në evolucionet që kryente. Theksoj se gjuhën ruse, Ivanovi e kishte përvetësuar në rrugë autodidakte.
Këtë shkrim e kam nisur disa herë. Duke e menduar gjënë, në të gjitha anët, me inat, me veten time në radhë të parë dhe me kohën, ia nisa rishtaz e në një mënyrë të veçantë. Nuk dëshiroj të harrohet një talent i lindur për të fluturuar dhe një guximtar i rrallë, si Ai.
Nëse jeni kuriozë ta dini të vërtetën, përse ia nisa rishtaz të shkruarit të kësaj historie, po ua rrëfej, me çiltërsi: Këmbëngulja për të shkruar doemos e ka motivin fare të thjeshtë: Ai është kryesisht human. Ivanovi nuk njihet nga mjaft aviacionistë, nga ata që janë futur vonë në vallen e fluturimeve. Ata të paktë, të cilët e kanë njohur “heroin” e këtij shkrimi, po “firojnë” dita-ditës. Një takëm druhen ta pranojnë ose duan ta harrojnë atë ndodhi. Mendova: Përse të mos njihet, ca më tepër; a e meriton harresën një dukuri e rrallë? Një bashkëkohës i tij, dikur shkruante: “Novi ishte pilot i dalluar dhe disi ‘rebel’”.
Disa druhen ta kujtojnë, sikur të ishte një ëndërr e frikshme, për shkak se Novi u linçua për gati 6 muaj. Ishte ndër të paktët pilotë që u linçuan për thyerje të disiplinës ajrore. E pagoi shtrenjtë të qenit trim i çartur. Me çiltërsi, kërkoj një prononcim nga ata që kanë mbajtur në dorë dorezën e drejtimit të aeroplanit dhe i kanë dhënë përpara dorezës së gazit: Cili syresh, kur ka qenë i ri e në nisje të karrierës, nuk ka provuar të thyejë disiplinën ajrore, duke fluturuar ulët, mbi fshatin e tij ose mbi çatitë e shtëpive të të dashurave?
Edhe sikur të bëjë be e rrufe dikush, për mendimin tim një përgjigje negative do të ishte e pavërtetë. Një koleg yni, në vitet e para, shkonte në fshatin e tij, fluturonte ulët dhe i hidhte gazeta e revista Babit të tij që ruante bagëtitë. Një djalë nga Progonati kaloi brejushi (fluturim kositës) me një aeroplan reaktiv mbizanor, me dy motorë, mbi Tiranë të Re kur synonte të fejohej me të bijën e Xhemalit. Nga utërima e aeroplanit, kandidates për nuse, e cila po qeraste mysafirët, i ra tabakaja nga duart. Një student, i cili orvatej të fejohej me një deli vajzë, në Fier, kur fluturonim në çift, m’u lut të fluturonim ulët mbi tarracat e banesave në bulevardin kryesor të Fierit, kurse, mbi shkollën e vjetër të Maminaasit, një pilot fluturoi ulët, duke flakur tjegullat e çatisë për të zbatuar ritin e sivëllait të tij, i cili, atë ditë, nuk ishte në plantabelën e fluturimit. Jam kurioz të di: cili nuk ka shkuar mbi fshatin e tij, kur ishte i sapodiplomuar, për t’u krekosur përpara bashkëfshatarëve?
Rastet janë pa fund e secili ka përvojën e vet në këtë çështje.
Kur u gjykua ndodhia, kam qenë pjesëmarrës në sallën e gjyqit, në kinemanë e Regjimentit të Rinasit.
Ishin thirrur fluturues nga të gjitha repartet e aviacionit (nga Qyteti “Stalin”; nga Shkolla e Lartë e Aviacionit; nga Regjimenti i Helikopterëve, nga Skuadrilja e Transportit ajror dhe nga Gjadri). U zhvillua gjyq “shembullor” si ata që bënte Katerina e Madhe e Rusisë, në kohën e vet. Të gjithë ishim dakord me vendimin e atij gjyqi, por, secili përbrenda seç ruante një rezervë, të cilën, për shkak të situatës, nuk e shfaqte dot. Ama, vesh me vesh e midis shokëve të ngushtë pëshpëritej.
Përveç linçimit, Novi u privua dhe nga e drejta e fluturimit. Ai e donte shumë ajrin, aeroplanin dhe shokët. Prandaj e puthi avionin, për herë të fundit dhe mori përsipër fajin, që në fillim. Kështu kishte bërë dhe i paharruari Agim Nuredin Spahiu vite më parë, kur e urdhëruan të largohej nga Regjimenti “Peza”.
Penën time e ka frenuar dhe një lloj opinioni, të cilin do ta quaja egoist e konservator, i cili, në këtë rast, nuk u dëftua aspak human e tolerant. Jo në kurriz të disiplinës e të rregulloreve, por të bazuar në një realitet që flet, pa zë. Në aviacion ka një rregull të pashkruar, por që na bind në drejtësinë e tij. Piloti avancohet në detyrë në vitet e para të karrierës, kur rinia e tij është aktive dhe portreti i tij zhvillohet vrullshëm. Tradita e kërkon që fluturuesit të lidhen e të martohen shpejt, rreth moshës 25 vjeç.
Ky kufi moshe është variabël dhe, në fund të fundit, është çështje shansi e vetjake. Kështu ngjau dhe me Ivanovin, i cili u caktua instruktor i teknikës së pilotimit, kur nuk kishte shumë kohë që ishte diplomuar pilot gjuajtës-bombardues dhe u caktua t’u jepte fluturime treneruese edhe pilotëve të diplomuar, por që kishin kohë pa fluturuar. Përballë opinionit jodashamirës dhe frenues, më duhet ta ashpërsoj tonin duke shprehur një mllef: “Kush e paska vrarë ariun e ne nuk e paskemi ditur që t’i thurnim osanara?” Të moshuarve vërtet u pëlqen t’i lavdërosh, por kjo nuk duhet të shkojë deri tek injorimi i të tjerëve. Nga historia kemi mësuar t’i japim Qesarit atë që është e tij. Ndoshta rasti i prekjes së valëve të detit me “barkun” e avionit, siç ngjau me Novin atë ditë, mund të jetë unik; ngritja prapë dhe ulja në aerodromin e ngritjes në tërë historinë e aviacionit botëror mund të jetë rast i rrallë, në mos i vetmi.
As që mund të vihet në diskutim se në këtë rast, fajtori i vetëm ishte Ivanov Meta, por kjo nuk do të thotë të mos rrëfejmë të vërtetën (atë të vërtetë që di unë, e cila nuk është absolute dhe mund të kundërshtohet nga ata që dinë të thonë vetëm “Jo”). E them këtë mbasi, si përherë, para se të nisja për të shkruar, tërhoqa mendimin dhe e pleqërova gjënë me disa “mjeshtra” të fluturimit, të cilët kanë mbi shpatulla një bagazh të gjerë dhe e ndiejnë uljen e aeroplanit me të ndenjura. E kam njohur pak atë djalë çapkën e doja ta mbushja këtë boshllëk me mendimet e shokëve e kolegëve të tij. Opinionet që thitha, sikur të jenë vazhdim i njëri-tjetrit, më sugjeruan se Novi, edhe mbasi u ndalua nga fluturimi dhe kreu dënimin, në funksione të tjera ku u caktua, jashtë aviacionit, reflektoi të njëjtën figurë të ndritur e të njëjtin karakter, të pastër e të palëkundur.
Kjo vërteton edhe një herë se karakteri i njeriut mbetet po ai dhe se tiparet e figurës së tij shfaqen në punë e në jetë, kudo, pavarësisht se intensiteti mund të jetë i ndryshëm.
Si rezume e të gjitha opinioneve del se Ivanov Meta kishte vlera shoqërore të spikatura, të cilat nuk mund të injorohen. Nëse do të përpiqesha të radhisja disa nga tiparet e karakterit të tij, mund të thoja se Ai njeri ishte një punëtor i papërtuar, i zgjuar e i shkathët, zemërmadh e zemërgjerë, i dashur e i shkuar, i thjeshtë, buzagaz e i çiltër; buzagazi i tij nuk mbaronte. Nuk mund të thotë njeri të kundërtën se Novi ishte guximtar i rrallë, kërkues dhe këmbëngulës për të gjetur të vërtetën. Në rrafshin social, janë të shumtë ata që vërtetojnë se Ivanov Meta ishte gjiton i rregullt, dashamirës e i gjendur, prind i dhimbsur, bashkëshort korrekt e njeri me shpirt sakrifice; i gatshëm për t’u shkuar në ndihmë njerëzve në nevojë. Dashamirësia e tij ishte e dukshme dhe e vërtetë.
Natyra ishte treguar bujare dhe sa i takon fizikut të tij. Novi ishte i lartë në shtat, me trup elegant e muskuloz; i pashëm, i shkathët e me tipare sportisti. Uniformën e ushtarakut e pëlqente; me të ishte mësuar qysh se ishte skënderbegas, petkat i kërkonte të ishin të pastra e kujdesej shumë për to; këpucët e tij, në çdo kohë, ndrinin e në to mund të shikoje veten si në pasqyrë.
Në karakter ishte i drejtë dhe i referohej gjithmonë të vërtetës; madje edhe kur rrezikohej e përcaktohej fati i tij i mëtejshëm. Këtë e vështrojmë më së miri dhe qartë në ndodhinë e 19 korrikut të vitit 1973, kur pas ngjarjes së njohur dhe kur avioni dyvendësh po shkonte në ulje të detyruar në aerodromin e ngritjes dhe Danja (Ramadan Anija) gjeti rastin ta pyeste: “... Po tani, o instruktor, si do të bëjmë...?” Instruktor Novi u përgjigj: “... Dane, dëfto vetëm të vërtetën, siç na ngjau...!” Më thoni: A nuk kemi të bëjmë edhe në këtë rast me shpërfaqjen e një burrërie të karakterit të tij dhe me një sinqeritet të pastër? Vërtet ngjarja ishte e dukshme e fliste qartë, por, në praktikë ka pasur dhe raste kur fajtori ka tentuar t’i shpëtojë përgjegjësisë me lloj-lloj kamuflimesh e manovrash. Pra, Ivanovi nuk ishte dredharak, por i drejtpërdrejtë.
Lejtmotivi i tij ishte shprehja e hershme: “E bëre dobiçin, dili për babë!”
E kishte të qartë Novi se me atë që bëri, nuk do të ngjitej më në kabinën e aeroplanit, prandaj, kur doli nga kabina e zbriti shkallët dhe pa se po e pritnin specialistët e linçimit me pranga në duar, para se t’i vinin prangat, “Pritni pak”, u tha të njohurve; doli pranë fundit të trupit të avionit, e puthi duraluminin e qau, ashtu si vite më parë veproi talenti i rrallë, Agim Spahiu, në Qytetin “Stalin”. Ishte i sigurt Novi se nuk do ta linin të ngjitej më në kabinën e aeroplanit, ndaj e ndërmori këtë veprim të çuditshëm. E puthi duraluminin e ftohtë me shumë epsh e me dashuri, sikur të kishte puthur një të afërmin e tij apo një shok të ngushtë. Shok e çfarë shoku, besnik e të gjendur e konsideronte Novi aeroplanin dhe e dini përse? Avioni i tij, edhe kur Novit iu rrezikua seriozisht jeta, si shok besnik, e mbajti mbi shpinë e i shpëtoi jetën (ashtu siç do të vepronte një shok të cilit po i mbytet shoku e ai e merr në shpinë për ta çuar në breg). Prandaj Ivanov Meta ishte i lidhur ngushtë dhe e donte, si veten, mjetin fluturues, të cilit i njihte “dhëmbë e dhëmballë”.
Një gjë nuk mund të vihet në diskutim: Ivanov Meta, si mjaft fluturakë, e ndjente veten në kabinën e aeroplanit sikur të ishte në shtëpinë e tij. Ai kishte teknikë pilotimi të përkryer, gjë që i lejonte të bënte dhe ndonjë akrobaci si ajo e uljes mbi valët e detit, duke pasur vetëbesim të tepruar dhe ndjesinë se çdo shmangje nga parametrat e caktuar mund ta ndreqte. Por, rasti u ndodh fatkeq dhe nuk i erdhi në ndihmë Novit; përkundrazi e ndëshkoi rëndë. Më ka ndodhur të lexoj për “pushkatime politike”. Sa isha i ri, sloganin e kuptoja e nuk e kuptoja tamam. Tani e kam më të qartë se një lloj pushkatimi politik është dhe ta përjashtosh tjetrin nga të fluturuarit, t’i heqësh atij të drejtën për të bërë atë që di të bëjë më mirë.
Kur tërhoqa opinione për Novin, për hir të së vërtetës, ndesha në një dukuri, të cilën nuk e prisja. Mendoja se të gjithë opinionistët do të ishin të të njëjtit mendim e do të shpreheshin pozitivisht për të, por nuk ngjau kështu. Shumica e të pyeturve jo vetëm që ishin dashamirës, por më kritikuan, me të drejtë, se jam i vonuar; se po shkruaj me vonesë për atë njeri e pilot të veçantë, nga ata që nuk është se na vijnë përherë, duhet ta kisha për nder të shkruaja. “Do t’i bësh nder Novit, të cilin e kam njohur e ruaj mendim të mirë për Të” – më shkruan një mik nga Newyorku. “Dëgjo zemrën tënde e mos pyet njeri” më tha një kokëplotë, etj. etj.
Kishte dhe të tjerë, të cilët, për shkaqe të pabazuara, më thanë: “Çfarë do të shkruash për Të? Ai ka shërbyer pak në aviacion dhe e ka mbyllur karrierën me një thyerje të rëndë të disiplinës ajrore, e cila i rrezikoi seriozisht jetën”. Pra, sipas tyre, Novi kishte dhënë një shembull të keq, i cili nuk duhet të ndiqej nga të tjerët. Arsyetim i arsyeshëm ky. U prapsova, por, vetëm përkohësisht. Mendja më rrinte tek detyrimi njerëzor për të gdhendur atë figurë interesante.
U mendova shumë e për një kohë të gjatë. Një mendje më thosh: “Po mua, ç’më duhet të ngacmoj ‘folenë e grerëzave’ e t’i hap vetes telashe?” Një mendje tjetër më thosh: “Po nuk shkrova unë, kush do të shkruajë?
Ai njeri nuk e meriton të harrohet mbasi dikush ka qenë e diçka ka bërë!” Fitoi mendimi i dytë, i nxitur dhe nga disa opinione të spikatura të njerëzve me vlera të shumta e me reputacion të gjerë në aviacion e më gjerë.
Jo për të shmangur përgjegjësinë, por me qëllim që të isha sa më i vërtetë në rrëfimin tim, përzgjodha të flisja, jo me zërin tim, por me fjalët e atyre që kanë qenë më pranë tij dhe që kanë shërbyer apo punuar së bashku me Novin. Siç e kam thënë më sipër, instruktor i teknikës së pilotimit i Novit ka qenë piloti i shquar Isa Arapaj. Në vitet kur në Shkollën e Lartë të Aviacionit studionin për t’u bërë pilotë Ivanov Meta dhe shokët e tij të grupit: Valter Gargaj; Dante Dusha; Astrit Sala dhe vetë Novi, funksiononte rregulli sipas të cilit instruktori i teknikës së pilotimit u mësonte studentëve teknikën e pilotimit në aeroplanët fillestarë me helikë të tipit Jak-18 A dhe i shoqëronte ata në aeroplanët reaktivë Mig - 15. Kjo metodë i lejonte instruktorit ta njihte më gjatë e të kishte mundësi t’i korrigjonte pasaktësitë apo shmangiet nga rregulli.
Ja si shkruan për Novin, instruktori i tij i teknikës së pilotimit, përmetari Isa Arapaj, më 5 qershor të vitit 2021: “... Novin e kam njohur kur merrte mësime fluturimi në avionin fillestar Jak - 18 A e më pas, kur kaloi në aeroplanët reaktivë të tipit Mig – 15; mësimorë dhe luftarakë. Novi ishte djalë i gjallë, elegant e tip sportiv, shtatlartë e me trup të rregullt, i vëmendshëm e i respektueshëm, i vendosur e këmbëngulës për të arritur objektivat...”.
Novi ishte i dashur me shokët dhe shumë i shoqërueshëm me ta. Po ta bëje shok Novin, kishe fituar një njeri që të dëgjonte me vëmendje e të respektonte. Ai ishte mendjehapët. Edhe shokët e donin dhe e respektonin shumë. Djali nga Vali i Skraparit kishte formim të mirë e u dilte për zot punëve të cilave kishte vullnetin dhe aftësinë për t’u shkuar deri në fund.
Në grupin e fluturimit ku bënte pjesë, Ai ishte më i miri, si në anën teorike dhe në atë praktike. Novi ishte shembull në arritjen e treguesve cilësorë dhe kjo nuk e bënte mendjemadh, por i jepte kënaqësi.
Bazuar në cilësitë e tij të veçanta si student për pilot i “ekselencës”, Novi u përzgjodh për të qenë instruktor i teknikës së pilotimit. Përpara Tij dilte një detyrë mjaft e vështirë e delikate dhe me shumë përgjegjësi. Për ta kryer me faqe të bardhë këtë detyrë, të cilën e vlerësoi siç ishte, Novi iu përvesh punës për të rritur nivelin e përgatitjes vetjake, në mënyrë që t’u përgjigjej kërkesave të veçanta të detyrës së re dhe veçorive të studentëve që do të mësonte.
Në datën 10 dhjetor të vitit 2021, në rrjetin social Facebook, në një shkrim përkujtimor lidhur me figurën e Ivanov Metës, si pilot e si instruktor i teknikës së pilotimit shprehën opinione disa shokë e kolegë të Tij dhe të tjerë që e kanë njohur, në punë të përbashkët apo si gjiton, mbasi iu hoq e drejta e pilotimit. Opinionet, të cilat nuk janë të pakta, shprehin esencën e vlerave të Tij; shkurt, por saktë.
Instruktori i Tij, piloti veteran Isa Arapaj, edhe në këtë rast, ruajti e shpalosi të njëjtin opinion. Mes të tjerash, Isai theksonte: “... Ivanov Meta ishte një djalosh mjaft i zgjuar, energjik, shoqëror, i dashur e i përkushtuar. Ai ishte njeri me zemër të madhe dhe me cilësi të larta morale...”.
Bilal Kadena (ish-pilot): “... U prehtë në paqe, piloti me zemër të madhe - Ivanov Meta ...!”
Robert Përmeti (piktor): “… Në Shkollën ‘Skënderbej’, me Novin kam qenë në të njëjtën kompani. Ishim përherë bashkë. Novi i la kujtimet mes nesh dhe iku, duke buzëqeshur...!”
Kujtim Cako (ekonomist, ish-funksionar i lartë): “… Kujtimet e Shkollës së Mesme ‘Skënderbej’ janë homazh, për Novin... Ai ishte i shkathët e i guximshëm... Novi shquhej për guxim të tepruar dhe për pasion për ajrin… braktisi ekonomistin dhe vazhdoi Shkollën e Aviacionit, për pilot, në vitin 1967...!”
Qemal Lame (ish-funksionar i lartë): “… Novi ishte shembull, për atdhedashuri, për trimëri e për ndershmëri. E mbaj mend, vetëm: Fol e qesh. Ishte njeri me humor e dashamirës… Novi ishte person i veçantë; Ai rrezatonte mirësi e dashuri të pafund… Një kuadër ushtarak model. E kam pasur gjiton. Ishte shok i mirë: i qeshur e babaxhan. Ushtarak i zoti; shok i mirë e me virtyte të larta.
Ai ishte i zgjuar, i shkathët e djalë trim… një pilot i ‘shkëlqyer’…!”
Ilir Shalari (nga NewYorku): “… I paharruar qoftë kujtimi dhe buzëqeshja e Tij…!”
Besnik Imeraj: “… Novi ishte pilot i talentuar dhe kuadër inteligjent… Ivanov Meta ishte një kuadër ushtarak model; një familjar shumë i mirë dhe një gjiton shumë i rregullt; i respektuar e i dashur, me të gjithë...!”
Selim Allajbej: “... E mbylli jetën e vet, me nder e dinjitet. Gjithmonë i qeshur...!”
Mehill Deda: “… Në Rrëshen, Ivanovin e prunë shef kazermimi, pastaj e çuan komandant të batalionit të fortifikimit. Fliste shumë mirë rusisht. Novi ishte tepër rezultativ e një shok i ‘shkëlqyer’. Ndarja e tij nga jeta na hidhëroi keqas të gjithëve... Ata që punuan me Të, ne shokët dhe kolegët e Tij, e kujtojmë me mall. Novi ishte i dashur, i thjeshtë me shokët dhe një punëtor i papërtuar… Novi ishte pilot klasi…!”
Daut Bezati: “… Shok i rrallë; njeri i mrekullueshëm; shumë i dashur…!”
Cimi…: “… Novi ishte gjithmonë i qeshur…!”
Vladimir Ndojaj: “… Ruaj kujtimet më të mira, për Novin si ushtarak profesionist që diti të mbijetojë, në kushte tepër të vështira profesionale, duke kaluar nga pilot, në xhenier. A e mendoni çfarë ndjente Ai njeri për profesionin e tij të pilotit, duke kaluar në atë të fortifikuesit, madje dhe të shoferit të taksisë? Shumë ka duruar, prandaj i ra infarkt, gjë që është e tmerrshme për një pilot…!”
Arben Gjata: “… Major Ivanov Meta ka qenë njëri nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë. Për Të ruaj kujtimet më të mira dhe konsideratat më të larta…!”
Vlash Dodaj: “… Novin e kujtoj gjithnjë si një ushtarak të denjë që të impononte respekt… Për Ivanovin mund të shpreh vetëm mirënjohje dhe respekt…!”
Nexh Bala: “… Një vdekje e trishtë. Ivanov Meta ishte një burrë i lartë; një specialist shumë i mirë dhe një ushtarak dinjitoz…!”
Duro Ormeni: “… E njoh mirë. Kam punuar disa vite me Të. Nuk gjej fjalë për të folur për mirësinë e tij…!”
Mimoza…: “… Më të rreptë nuk kisha njohur. Ai ishte tepër profesional dhe hokatar...!”
Anila …: “… Ishte njeri i mrekullueshëm. E kam pasur koleg në zyrë... Asnjëherë nuk mund ta shikoje pa u marrë me problemet e punës... Ishte buzagaz...!”
Luljeta...: “… Novi ishte shumë i qeshur e i humorit… një shok i veçantë…!”
Disa opinione të shprehura në atë faqe Facebook-u, i kam paraqitur shkurt e pa emra. Opinionet ishin aq të shumta saqë mendova mos t’i shkruaja të gjithë emrat dhe mendimet e tyre. Sidoqoftë, vlerat e Novit tonë janë të qarta e të pranishme.
“… E mbaj mend, vetëm fol e qesh. Novi ishte me humor dhe dashamirës…!”
“… Ivanov Meta ishte pilot i dalluar e model…!”
“… Profesionist i ‘shkëlqyer’!”
“… Sa i mirë ka qenë?”
“… Novi ishte i zgjuar, i shkathët e djalë trim. Një pilot i ‘shkëlqyer’ e me pasion…!”
“… Ivanovi do të ngelet në zemrat tona, ashtu siç ishte…!” etj. etj.
Asllan Hasani kujton: “... Ivanov Meta ishte një shok, shumë i dashur me të gjithë. Atë ditë, ishin në fluturim 2 aeroplanë Mig - 15 mësimorë, të cilët erdhën së bashku me teknikët përkatës, të komanduar nga Shkolla e Lartë e Aviacionit...”.
Sofokli Caliqi (Ish-aviodrejtues në Vendkomandën Qendrore të Ushtrisë). “... Novin e kam njohur, personalisht. Në ndonjë rast, kam pirë kafe e kam biseduar me Të. Ishte mjaft i përgatitur profesionalisht. Ishte njeri i shoqërisë e i muhabetit pa interes. Kam dëgjuar dhe për marrëdhënie mjaft të mira në familje. U ndjeva keq kur mësova për ndarjen e tij nga jeta.
Ai goxha njeri pësoi aksident. - Qoftë i paharruar kujtimi i tij; t’i rrojnë fëmijët!”
Piloti Ramadan Anija, i cili në atë ngjarje të jashtëzakonshme ishte në kabinën e parë të avionit që pësoi aksident ajror, na ka dhënë një opinion të plotë, të saktë e të besueshëm. Them kështu, mbasi vetë Ramadani është njeri i besueshëm dhe e ka përjetuar live atë që ndodhi. Ja si e kujton Ramadani atë fluturim interesant: “... Më 19 korrik të vitit 1973, ditën e martë, në 0ren 11. 30, në temperaturë të lartë të ajrit rrethues (rreth 42 gradë Celsius), në Aerodromin e Rinasit, në procesin e fluturimeve mësimore, ngjau një dukuri e rrallë, mbase në të gjithë botën. Një aeroplan mësimor i tipit Mig - 15 u ul aq shumë mbi sipërfaqen e detit Adriatik, në plazhin e Patokut, saqë takoi sipërfaqen e ujit, u largua prej saj i dëmtuar rëndë, mori lartësi dhe u ul në pistën e betonuar të Aerodromit të Rinasit. Protagonistë të kësaj ndodhie të rrallë ishin Ivanov Meta, në kabinën e dytë të këtij aeroplani dhe piloti Ramadan Anija, në kabinën e parë të aeroplanit.”
Shkrimi është i vërtetë dhe homazh. Homazh për një talent, i cili vërtet nuk është në jetë, por ka lënë gjurmë në Historinë e Aviacionit Shqiptar. Opinionet e kolegëve të Novit dhe të aviacionistëve që e kanë njohur personalisht vendosa t’i paraqes siç m’i kanë thënë opinionbërësit. Kjo mënyrë më duket më e drejtë e më e saktë. Po i rendis opinionet që munda të siguroj:
Asip Budo; pilot në pension: “... Novin e kam pasur shok grupi, në Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë. Nuk ishim në të njëjtin grup fluturues me Të, por ishim në të njëjtën klasë. Instruktor të teknikës së pilotimit Novi kishte pilotin me përvojë Isa Arapaj... Vërtet kanë kaluar shumë vite qysh nga ajo kohë, por, shokun e klasës, në veçanti kur ai kishte tipare të veçanta, si në rastin e Novit, kurrsesi nuk mund ta harroj. Novi iu bashkua grupit tonë, me vonesë, kur ne kishim filluar mësimet teorike. Erdhi nga Tirana, nga Shkolla e Mesme Ushtarake ‘Skënderbej’ ku kishte kryer gjimnazin. Me shaka, ne, shokët e tij të klasës, pas nesh e gjithë shkolla, i thoshte: ‘Tiranas kokëkuq’ e ai nuk na mërzitej.
Ivanov Meta ishte djalë i mirë; tip sportiv e i hedhur. Teorikisht, Ai ishte në nivel të lartë; thuajse në perfeksion. Ai lexonte shumë e vazhdimisht dhe kishte qejf të eksperimentonte. Teknikën e pilotimit e kishte të lartë dhe dallohej nga shokët e grupit. Ishte koha kur u dha orientim (i pazyrtarizuar) që pilotët të përgatiteshin për të fluturuar në lartësi të vogla e shumë të vogla. Këtë orientim gojor, Novi e dinte dhe e shfrytëzoi për të kryer eksperimente me aeroplanin Mig - 15, me të cilin fluturonte.
Teknika e përparuar e pilotimit që kishte dhe toleranca e avionit që pilotonte e lejonin këtë gjë. Novi e donte shumë aeroplanin dhe fluturimin. Ai, në kabinën e avionit, ndihej si në shtëpinë e tij.
Novi ishte shtatlartë; me trup të bukur atletik e i zhdërvjellët. Uniformën ushtarake e kishte për zemër dhe e mbante të pastër e të hekurosur.
I paharruar qoftë kujtimi i tij!”
Asip Budo, në Tiranë, më 22.o6.2022
Seit Shehu (ish-teknik helikopteri Mi-4): “… Në Shkollën e Lartë të Aviacionit, në Vlorë, nuk pata shansin ta njihja Ivanovin. Kam pasur mjaft shokë e miq të Tij, si të njohur dhe miq të mitë. Ata që e kanë njohur, në punë e në jetë, kishin opinion mjaft të mirë për Novin, si njeri me karakter të fortë e të qëndrueshëm; si i kompletuar e i shkuar me të gjithë.
Kur punoja fotograf, në rrugën: ‘Barjam Curri’, pranë Medresesë së Tiranës, Novi vinte shpesh në dyqanin që menaxhoja unë. Ai vinte i vetëm ose i shoqëruar nga shokë të tij. Aty u njohëm e u miqësuam. Në atë kohë më lindën disa probleme me shëndetin. Ivanovi u interesua për shëndetin tim, në maksimumin e mundshëm; madje më tepër se disa të tjerë, të cilët kishin detyrime ndaj meje.
Kam vlerësim maksimal për atë njeri dhe ruaj kujtime të vyera për Të. Ndjeva keqardhje që iku aq shpejt.
Qoftë i Xhenetit; u pastë lënë jetën, shëndetin dhe mbarësi atyre që la pas!
U prehtë në paqe!”
Seit Shehu, në Tiranë, më 24.06.2022
Razmadan Anija (ish-pilot, protagonist në atë ngjarje): “… Novin e njoha në verën e vitit 1973, kohë kur po kryenim fluturime treneruese në aeroplanët mësimorë Mig - 15, në aerodromin e Rinasit, për të ruajtur reflekset e pilotimit, para se të niseshim për në Kinë. Në vjeshtën e atij viti, shkuam në Kinë për specializim, në aeroplanë më të përparuar.
Unë dhe dy shokë të mitë nisëm fluturimet me instruktorin Ivanov Meta. Fluturimet i kryenim me ngritje dhe me ulje në Aerodromin e Rinasit, në të cilin brezi i betonuar ishte më i gjatë dhe ngarkesa e aerodromit me fluturime ishte krahasimisht më e lehtë. Novi ishte diplomuar pilot gjuajtës-bombardues në aeroplanët reaktivë të tipit Mig - 15, para 2 - 3 vitesh.
Fluturimet tona nuk kishin si qëllim mësimin e fluturimit, por ‘mbajtjen’ apo ruajtjen e shprehive të fluturimit. Prandaj dhe instruktorët tanë nuk kishin objektiva mësimdhënieje dhe nuk kishin përkushtim maksimal. Novi, në ajër, praktikonte herë pas here figura pilotimi dhe akrobaci ajrore të cilat jo çdo pilot i praktikonte...
Në lartësinë e caktuar, Novi plotësonte tetën vertikale. Lakun e parë, Ai e kryente me shpejtësi inertive, kurse lakun e dytë e plotësonte me shpejtësinë e përftuar nga fuqia motorike. Novi kishte hobi fluturimet në lartësi shumë të ulët: 1 - 2 m; ndonjëherë edhe më ulët. Dy kolegët e mi nuk ia kishin miratuar Novit të kryente manovra të tilla në ajër e Ai zbatonte vullnetin e tyre. Unë, kur fluturoja me Novin, e nxitja të më dëftonte diçka të veçantë, jashtë ushtrimit dhe ai ma plotësonte dëshirën.
Kur ishim duke fluturuar në segmentin Durrës - Shijak dhe përpara na shfaqej fusha në brigjet e lumit Erzen, humbisnim lartësi energjikisht dhe e ‘shtronim’ aeroplanin brejushij (fluturim kositës) mbi parcelat me jonxhë (jo dhe mbi ato me grurë). Kultivarin e shquanim nga ngjyra dhe nga kalliri. Nuk duhet të bëni të habiturin, kur të mësoni se kur kalonim në fluturime brejushij, në ndonjë rast lëshonim dhe rrotat e aeroplanit e avioni ynë linte gjurmë, në parcelën e mbjellë me jonxhë. Kuptohet, kemi të bëjmë me një çmenduri e aventurë, por, kështu vepronte Ivanov Meta kur fluturonim së bashku.
Një situatë e përafërt ngjau dhe në fluturimin e datës 19 korrik të vitit 1973.
Në atë fluturim, u ngritëm në çift aeroplanësh mësimorë të tipit Mig - 15, nga pista e Aerodromit të Rinasit. Fluturoja, në të njëjtin aeroplan, me Ivanov Metën. Në ngritje ishim në rolin e shoqëruesit. Diku mbi Kavajë (qytet) dolëm përpara, në rolin e drejtuesit të çiftit. Sapo dolëm përpara, nisëm humbjen e lartësisë energjikisht. Fillimisht u ulëm në lartësinë nga toka 100 m e më vonë, u ulëm edhe më poshtë.
Po fluturonim me kurs magnetik 320 gradë. Aeroplani ynë fluturonte në drejtim të majës së Kepit të Skënderbeut. Sapo dolëm mbi det, humbëm lartësi, deri 1 - 2 metra mbi sipërfaqen e ujit. Aeroplani shoqërues, i cili fluturonte pas nesh (në interval e në distancë siç fluturohet në çift avionësh), ishte në lartësi të parrezikshme. Si komandant çifti, piloti përgjegjës, disa herë na tërhoqi vëmendjen, nëpërmjet radios RSIU - 3 M, me fjalët urdhër: ‘Më lart; më lart!’, por ne nuk reaguam, por vijuam të fluturonim rrafsh me sipërfaqen e ujit, për disa sekonda. Deti ishte, siç thonë, ‘vaj’. Fluturonim me shpejtësi progresive sipas instrumentit të avionit (shpejtësimatësit) rreth 800 km/orë.
Temperatura e ajrit rrethues ishte mbi 40 gradë Celsius. Si rrjedhojë e diferencës së presionit të sipërfaqes së ujit me avionin që fluturonte mbi det, mbi fanarin e avionit tonë u formua një spektakël i mrekullueshëm e i paparë.
… mijëra ngjyra si të ylberit vezullonin përpara meje duke krijuar një pamje fantastike. Atë mrekulli e ruaj në kujtesë, edhe pas kaq vitesh. Ishin çaste ekzaltuese, të cilat shkaktojnë shpërqendrim e adrenalinë të shtuar. Në këto çaste ekzaltuese ne u përplasëm me sipërfaqen e ujit. Ndodheshim mbi det, rreth 10 km thellë, larg bregut e nga Kepi i ‘Skënderbeut’, në drejtim të Derdhjes së Lumit Buna. Goditja me sipërfaqen e ujit krijoi një frenim të jashtëzakonshëm e të menjëhershëm.
Instinktivisht morëm dorezën e komandimit të aeroplanit nga vetja dhe e kaluam avionin në marrje lartësie me rrotullim të djathtë me qëllim që të dilnim mbi bregdet. Avioni u lehtësua dhe ne kuptuam se rezervuarët varës ishin shkëputur nga krahët e avionit. Kur ishim duke kryer kthesë luftarake të djathtë, gjatë procesit të marrjes së lartësisë, ktheva kokën mbrapa e pashë, mbi sipërfaqen e ujit, dy vija të bardha. Rezervuarët varës ishin shndërruar në silure e ndiqnin trajektoren e fluturimit, me shpejtësi që vinte në fikje. Këtë dukuri, mendoj se e kanë vënë re më mirë dy pilotët që fluturonin pas nesh, në avionin e shoqëruesit.
Shpejtësia me të cilën fluturonte avioni ynë (rreth 800 km/orë) na dha mundësi të ngjiteshim në lartësinë rreth 1000 m e ta drejtonim avionin për në Aerodromin e Rinasit. Aeroplani, nga goditja hidraulike mbi sipërfaqen e ujit, u dëmtua rëndë. Tubacionet që përcjellin karburantin u çanë dhe vajguri derdhej si lumë. Ishim me fat dhe udhëzimet që na dha komandanti i çiftit, i cili nuk na u nda, pas ngjarjes, si dhe udhëzimet e udhëheqësit të fluturimeve, ishin të sakta e ne u ulëm në pistën e Aerodromit të Rinasit, para se të mbarohej karburanti. Treguesit e instrumenteve të kontrollit në kabinën e avionit u bllokuan plotësisht, ashtu si dhe ndërlidhja e dyanshme me radio.
Duke u kthyer në aerodromin e Rinasit, komunikova me Ivanov Metën nëpërmjet radios së brendshme SPU. E pyeta instruktorin tim: ‘Po tani, si do të veprojmë, o instruktor; çfarë do të themi?’ Përgjigja që mora ishte e qartë dhe e prerë: ‘Dane, trego të vërtetën për gjithçka!’ Këto fjalë të tij më çliruan nga një siklet i madh e sikur u lehtësova në shpirt. Ivanov Meta ishte djalë trim e mjaft i çiltër. Novit nuk i dridhej as qerpiku në çdo situatë sado e vështirë të ishte ajo.
Ivanov Meta nuk e njihte frikën. Ai nuk dinte çfarë ishte frika. Prej guximit të tij u trimërova edhe unë. Gjatë 30 viteve në fluturim, disa herë jam ndodhur ‘ngushtë’, por asnjëherë nuk jam stepur. Në çdo rast kam menduar se mund të dilet nga çdo situatë dhe se mund të gjendet një rrugëdalje po të kesh besim tek vetja dhe tek avioni që piloton. Atje tej, mbi valët e detit Adriatik e pashë vdekjen time me sy, fare pranë e ia dolëm mbanë, të ndihmuar nga fati.
Krijova bindjen se, sido që të më shtjellohej situata në ajër, nuk do të ishte fundi im. Fluturova në aeroplanët Mig - 15 të të dy varianteve; në Mig – 17 F; dhe në Mig – 19 S, aeroplani m’u bë shok i ngushtë i qiellit e unë isha një me të. Kishim besim të ndërsjelltë tek njëri-tjetri.
Për Novin kam mall; shumë më ka marrë malli për atë njeri. Na iku shpejt prej një arresti kardiak. Besoj se goditja që pati ishte rezultat i asaj ndodhie dhe prej largimit të parakohshëm nga fluturimi. Ajo ndodhi e rëndë e me rrjedhoja të shumta na lidhi shumë, ne të dyve. Novin e lidhi përjetësisht me aviacionin dhe me aviatorët. Edhe pse u caktua të shërbente në sektore të ndryshëm të ushtrisë Popullore, në cilësinë e oficerit, Novi nuk u nda kurrë, as shpirtërisht, as fizikisht, nga shokët dhe nga kolegët e tij.
Ai jetonte me ajrin dhe me fluturimin.
Novi vinte nga Shkolla Ushtarake ‘Skënderbej’ e ishte djalë oficeri. Ai u rrit bonjak nga e ema, si Unë dhe kaloi nëpër një kalvar të pazakontë.
Ivanov Meta e donte Ushtrinë dhe e mbante në mënyrë perfekte uniformën. Këpucët i fshinte përditë dhe mund të vështroje tek ato veten, si në pasqyrë, në çdo çast. Novi ishte shumë i dashur dhe dashamirës me këdo. Kishte humor të këndshëm dhe kurdoherë e vështroje me buzë në gaz. Ivanov Meta ishte shok i vërtetë. Ai asnjëherë nuk mungoi në festat dhe në takimet që bënin shokët e tij.
- I paharruar do të jetë tek unë kujtimi i Ivanov Metës; skraparliut buzagaz, trim dhe fisnik!
Mendoj se i thashë disa vlera të atij njeriu. Ndoshta të tjerë shokë të tij kanë më tepër kujtime e do ta plotësojnë opinionin tim.”
Tiranë, më 04. 06. 2021 Ramadan Anija, ish-pilot, protagonist i asaj ngjarjeje të rrallë.
Dhori Mertiri (pilot): “… Nuk e paskam të lehtë të jap opinion për Ivanov Metën; skraparliun, burrë me dy rr. Merakun e kam të madh. Ai ka të bëjë me faktin: A do ta kem të mundur ta çmoj saktë, siç ka qenë, atë njeri të veçantë, në të gjitha dimensionet?
Edhe pse kanë kaluar shumë vite që kur e kam njohur, portreti i Ivanovit më ‘zbret’ në kujtesë, siç e kam njohur: Shtatlartë; i shkathët; tip sportiv; i dashur e i respektuar nga të gjithë; i rregullt e mjaft inteligjent. Ana profesionale e tij dëshmonte se Novi ishte i lindur për të fluturuar dhe kishte një dashuri të paparë për aeroplanin dhe për ajrin. Novi ishte një talent i rrallë, nga ata tipa të cilët e duan pa masë profesionin që kanë zgjedhur. Novi i përket racës së guximtarëve. Ai nuk e ndante librin nga dora dhe lexonte shumë. Lexonte libra të të gjitha fushave të jetës, por, në leximet e tij, binte në sy pasioni për aeronautikën.
Njohuritë e thella teorike, njohja në detaje e proceseve që ndodhin kur aeroplani çan rrymat e ajrit, i jepnin Novit siguri, në tokë e në ajër dhe bënin të mundur që Ai të ndihej si në shtëpinë e tij, kur ulej në kabinën e aeroplanit. Ivanov Meta ishte ‘Zot i ajrit’.
Pavarësisht si e përse i ndodhi, largimi i tij nga fluturimi nuk e largoi dot Novin nga shokët dhe nga kolegët, të cilët e dëshironin dhe Ai i donte me shpirt e i çmonte për vlerat që kishin. Edhe shokët e donin dhe e çmonin shoqërinë e Tij.
Novi, pavarësisht se nuk ngrihej në ajër pas asaj që i ngjau, e ndjente veten pjesë të pandarë të aviacionit e nuk u veçua nga shokët, në asnjë rast e për asnjë event. Si në gëzime dhe në fatkeqësi, Novin e kishe në mes të shokëve. Edhe në rastet kur aviacionistë të veçantë druheshin ta takonin dhe e anashkalonin në rrugë; Novi me zemër të madhe, nuk mërzitej e nuk zemërohej, por buzëqeshte. Ngjante sikur thosh me vete: ‘... Fali, o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë...!’
Qoftë i paharruar kujtimi i Tij; t’i rrojnë vajzat dhe ata që ka lënë pas!”
Tiranë, më 11. 03. 2023 opinion nga Dhori Mertiri (pilot)
Përmbyllje dhe përkushtim
Po të kishte ngjarë në të tjera kohë, rasti i Novit: (prekja e aeroplanit me sipërfaqen e ujit, ngritja prapë në ajër dhe ulja në aerodromin e ngritjes), ndoshta mund të shqyrtohej në kuadrin e çmimit Gines. Mbasi rast i rrallë ishte, si në vendin tonë dhe në tërë rruzullin tokësor. Sidoqoftë, Ivanov Meta u fut në Historinë e Aviacionit Shqiptar dhe në atë botërore. Koha i dha shkëlqim Novit; pavarësisht se njerëzit i dhanë ndëshkim; disa e nemin edhe sot.
Biografët e Tij, në të ardhmen, mbase do të kenë mundësinë për të rrëmuar e për të gjetur rrënjët dhe degët e Tij. Kjo do të jetë “thelë mbi bisht”, siç thonë rëndom njerëzit. Unë po përpiqem të paraqes publikisht atë që di, se jam i ndërgjegjshëm që nuk di çdo gjë.
Kam mësuar se Novi mbeti herët bonjak nga e ema dhe i tillë u rrit. Edhe pse me këtë kufizim e me fëmijëri tejet të vështirë, Novi u brumos me atdhetari, e u bë djalë trim e guximtar. Shtati i bukur i Tij; i lartë si kavak e tërë muskuj; zgjuarsia natyrale e tij favorizonin çdo punë e specialitet, por djali nga Vali i Skraparit ëndërronte të çante qiellin, si zogjtë fluturakë.
Ëndrra e tij mori krahë, vetëm në vitin 1967, kur Ai nisi studimet për t’u bërë pilot, në Shkollën e Lartë të Aviacionit, në Vlorë.
Thonë se fati nuk u buzëqesh bonjakëve. Ky slogan është e nuk është i vërtetë. Në rastin tonë, Ivanov Metës, fati i erdhi në ndihmë për të vënë në jetë ëndrrën e tij të kahershme. Shansi i erdhi në ndihmë Novit edhe kur instruktor i Tij i teknikës së pilotimit, si në avionin fillestar, me helikë dhe në ata reaktivë, u caktua përmetari mjeshtër në fluturim, mendjehapuri e kokëploti Isa Arapaj nga Kajca. Kishte çfarë të mësonte Novi nga Instruktori i tij.
Në grupin fluturues, ku bënte pjesë Novi, ishin studentët për pilotë: Dante Dusha; Valter Qerimi (Gargaj) etj. Novi shquhej në grup, madje dhe në klasë, si në teori dhe në praktikën e fluturimit. Në vitet e studimit, Novi kishte bashkëkohës: Përparim Hilen (ndjesë pastë); Asip Budon; Asim Bimen; Maksim Rexzhen; Epaminonda Tupen; Pellumb Bebrin (ndjesë pastë); Mane Bullutin (ndjesë pastë); Kujtim Kryekurtin; Arqile Kosten; Sinan Çelën (ndjesë pastë) etj.
Instruktorë të teknikës së pilotimit, në të dy tipat e avionëve ishin: Avdi Gjonmemaj; Sillo Melica (ndjesë pastë); Guri Merkaj; Kostandin Sadikaj; Fazlli Begaj (ndjesë pastë); Ahmet Sulejman Zogu; Salih Peci; Azis Alla; Delo Isufi (Seraj); Sabri Toci (ndjesë pastë); Eqerem Tuga (ndjesë pastë) etj.
Ivanov Meta u diplomua pilot gjuajtës-bombardues, në Shkollën tonë të aviacionit; Ai ishte “mall vendi”.
Pas emërimit të Tij, në Regjimentin “Peza” të Qytetit “Stalin” ku u stërvit në avionët Mig - 15 të të dy tipave, duke çmuar aftësitë fluturuese dhe nivelin teorik të ngritur të Tij, organi i nomenklaturës e caktoi Atë në detyrën e vështirë e me përgjegjësi të madhe të instruktorit të teknikës së pilotimit, në aeroplanët reaktivë Mig - 15, në Shkollën e Lartë të Aviacionit, në Vlorë. E çmoi si nder të madh Novi, këtë detyrë dhe iu përvesh punës për ngritjen e nivelit teorik dhe praktik të Tij; me qëllim që t’u përgjigjej kërkesave të veçanta të studentëve. Zotërimi i gjuhës ruse, të cilën e kishte mësuar në mënyrë autodidakte, dhe pasioni i tij për të lexuar e ndihmuan mjaft Novin, për të njohur më thellë e në mënyrë të gjithanshme shkencën e aeronautikës. Nuk e ndante librin nga dora Novi. Ai lexonte shumë dhe literaturë të shumëllojshme.
Ndodhia e datës 19 shtator 1973 nuk mund të jetë rastësi. Ajo është në vazhdën e prirjes së tij për të provuar në praktikën e fluturimeve dukuritë, që shfaqen tek avioni dhe tek piloti, kur ai çan rrymat e ajrit. Atë që lexonte në libra, Novi donte ta vështronte vetë që të bindej dhe ishte një vrojtues i saktë i sjelljes së avionit në procese të ndryshme të evoluimit.
Ai e kishte hobi kryerjen e evoluimeve me avion, deri në risk. Dikush e njëson Novin me një aventurier. Është mendimi i tij e nuk i futem punës për ta kundërshtuar. Mendoj se më tepër se një aventurier, Novi ishte njeri që donte të eksperimentonte e të bindej vetë në mundësinë e realizimit të atyre që lexonte, por që nuk i kryente gjithkush. Mirëpo eksperimentet e kësaj natyre janë kryer kohë më parë e janë paguar shtrenjtë. Novi shpëtoi për mrekulli.
Pas ndodhisë, vëmë re një qëndrim burrëror dhe trimëror të Novit, i cili na dëshmon karakterin e tij të brumosur dhe vazhdimësi në karakterin e tij. Novi ishte i drejtpërdrejtë dhe i ndershëm. Përgjigja dhënë Ramadanit, kur Ai e pyeti, çfarë do të thonin, kur t’i pyesnin për shkaqet e ngjarjes: “Dane, thuaj të vërtetën dhe vetëm të vërtetën”, diçka thotë!
Pas uljes, kur sigurimsat i shkuan tek shkallët e avionit me pranga në duar, Novi, si Bilbilejtë dikur, u tha të njohurve të tij: “Pritni pak!” Dhe vajti afër bishtit të avionit, puthi duraluminin e ftohtë, qau e u zgjati duart puthadorëve të regjimit që t’i vinin prangat. Ky veprim dhe ato që rrëfejnë kolegët e tij, se nuk u ndahej, në asnjë rast, na dëftojnë gjithashtu për karakterin e tij të spikatur.
Pas kryerjes së dënimit dhe emërimit në detyra të ndryshme, jashtë aviacionit, Novi shpërfaqi të njëjtin formim e po atë karakter, si më parë.
Novi u shua, në datën 30 shtator të vitit 1970, nga një burg kardiak. Ka shumë mundësi që ky aksident të ketë zanafillën tek brenga e madhe që përjetoi Novi, kur e shmangën nga të fluturuarit. Në njëfarë mënyre, largimi i tij nga stërvitja ajrore ishte një lloj “pushkatimi” i Tij. E vuajti përbrenda këtë brengë, Novi dhe plasi. Përcjellja e tij u bë të nesërmen, më 1 tetor të atij viti, në Varrezat Publike të Sharrës, në Tiranë. Kortezhi i përmortshëm i ngjante një lumi që rrjedh në heshtje drejt deltës.
Po të ishte organizimi e njoftimi më i mirë, mbase edhe pjesëmarrja e njerëzve do të ishte më e madhe. Më vjen keq që nuk pata ndihmesën e dy vajzave dhe të bashkëshortes së tij, për të thithur më tepër të dhëna; qoftë dhe të një fotografie.
- I paharruar qoftë kujtimi i Tij; t’i rrojnë vajzat dhe gjithë sa ndiejnë dhimbje për Të!
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, më 17 mars 2023.
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.