I kisha thënë vetes: “Stop me shkrimet” por njeriu i mirë si Ismaili, edhe po të jesh në shtratin e vdekjes, të ngre e të thotë: “Prit se jam dhe unë këtu”! Aq i mirë është Ai njeri. I mirë me të gjitha të mirat. Ata që e kanë njohur, në punë të përbashkët, nuk ka si të mendojnë ndryshe.

Sot, Ismailit i festuam 90-vjetorin e lindjes. Ai njeri ka kaluar jetën aktive si teknik katërshe, nëpër kalvarin e “ferrit” me emrin Poro. Kolegë të tij, në vitin e largët 1966 kanë qenë: Novruz Kocileri; Misto Bulku; Muharrem Rrapaj; Hille Bardhi; Trifon Tanku; Hiqmet Memoajdinaj; Mihal Miraka; Sabri Matraxhi; Agim Asqeri; Agron Sulo; Manol Janaqi; Yllson Shytko (Agolli); Andrea Silla; Andon Gjeci; Isuf Gera; Shyqiri Llangozi; Qani Veizaj e ndonjë tjetër.

Në kujtesën time, Ismaili është skalitur si një përmendore, e lyer me të bardhë, me dy flamure në duar dhe me plantabelën e ditës së fluturimit në dorë. Ai nuk pranonte as të vinte konupjere në kokë, si shokët, por ishte i mbuluar në bardhësi, e ishte vështirë ta identifikoje. Edhe ushqimin e hante mes pluhurit të rërës që krijonin turbinat dhe së bashku me pidhezat, teksa i piqej buza për një pikë ujë. Mirë e ka thënë një shoku im: “Kush nuk ka provuar Poron, nuk e njeh aviacionin”.

Moli nuk ishte si të gjithë. Ai shquhet për ndershmëri e për drejtësi të kulluar. Me kokën ulur, duke parë punët e tij, i shkuar me të gjithë, njeri i punës, jo i llafeve, njeri që nuk di të përgojojë njeri etj. etj. të tillë e kam njohur Ismail Arizin, të tillë e pashë dhe sot. Pleqëria të rrudh e të plogështon por tiparet nuk t’i shuan dot.

  • Në këtë përvjetor të lindjes, i uroj mikut tim të mirë Ismail Arizit, shumë vite jete të shëndetshëm, pa telashet e moshës së thyer!

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, koleg i Ismail Arizit, i viteve të largëta.

Në Tiranë, më 11.04.2023.