Në vendin tonë, por jo vetëm, kanë qenë e janë të rrallë njerëzit e përkushtuar me vullnet të rrallë të cilët kanë shpërfaqur pasion e këmbëngulje për t’u pasur zili, në profesionin që kanë përzgjedhur. Zija Memi, djali nga fshati Sasaj, i rrethit të Sarandës, bir i dëshmorit të Luftës Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar- Shyqo Memi, u rrit e u burrërua në shkrepat e atij fshati buzë Jonit ku u kalit me tipare luftarake të një bregdetasi të spikatur.
Të qenit burrëror u përkthye në dëshirë të zjarrtë për t’u radhitur me trimat, prandaj përzgjodhi të bëhej pilot, profesion ky i trimave me fletë.
Zijai ishte i sëmurë. Ai kishte një proces në mushkri, për kurimin e të cilit u shtrua në Sanatoriumin e Tiranës ku i shkova për vizitë. Edhe pas kaq vitesh më tingëllojnë fjalët e tij keqardhëse: “Po jam i sëmurë, a i vrarë”! Të cilat i dëgjoja nga goja e tij, sa herë dilnim për të fluturuar teksa mjekët nuk e lejonin të zinte vend në plantabelën e fluturimeve të asaj dite. Zijait i grumbulloheshin ushtrimet e pabëra, në fund të vitit kalendarik, e Ai duhej t’i nënshtrohej një stërvitjeje intensive.
Në ditën kur u vra Babai i Aviacionit Shqiptar, i papërsëritshmi Niko Hoxha, Zijai bëri 2 fluturime në ushtrimin e qitjeve; njërin me imitim mbi antenën e Kasharit dhe tjetrin si shoqërues i Nikos, kur Ai u vra. Zijai ishte shoqërues i Nikos, në të dy rastet dhe kujtoj si e bënë imitimin, me vija të bardha, kur dilnin nga pikjata.
Zijai kishte shokë grupi pilotë cilësorë, si Agron Daci; Guri Merkaj; Andrea Toli; Harilla Rebi; Vangjel Llazari; Petraq Thomai etj. Zijai ishte sedërmadh.... Vijon...
vijon... Sa shumë u gëzua Ai burrë, kur e përzgjodhën për instruktor të teknikës së pilotimit, në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, në fillim të vitit 1966. Në grupin që trajnonte, Zijai kishte 4 studentë për pilotë. Konkretisht, Ai u mësoi fluturimin në aeroplanët reaktivë Mig-15 djemve të zgjedhur: Luto Sadikaj; Vangjel Koroveshi; Flamur Pupa dhe Lutfi Hyseni (Luka). Kujtoj, me çfarë dëshirë e vullnet të rrallë, Zijai u shpjegonte e u bënte të qarta, studentëve, të gjitha detajet e fluturimit dhe u përcillte atyre vlera nga përvoja e tij e nga ajo botërore. Ai nuk donte e nuk toleronte të “ndërronte dorë” tek studentët e grupit të Tij.
Veç, kur u detyrua, për shkaqe shëndetësore të mos fluturonte më në aeroplanët reaktivë, e “lëshoi” grupin në dorë të Telos. Sa shumë u pezmatua Ai njeri, kur u deklarua i paaftë për të fluturuar në aeroplanë reaktivë. Ky fakt ia rëndoi më tepër gjendjen shëndetësore.
Zijai ishte i sapofejuar me një vajzë “bravo”, nga derë e fisme, në Kuç të Kurveleshit të Poshtëm dhe të njohur në Tiranë. Ajo ishte vajzë e përkryer dhe me karakter. U puqën dy shpirtra engjëllorë të prerë për njëri-tjetrin. vijon...
...vijon dhe mbaron... Kujtoj një rast, i cili më bëri të qesh duke mbajtur ijet me duar: Zijai, herët në mëngjes, shkonte në Poro, për t’u ndodhur në rreshtimin para nisjes së fluturimeve. Komandanti që drejtonte stërvitjen, një rrondokop i bezdisshëm nuk falte. Ai i donte të gjithë instruktorët e teknikës së pilotimit, në rresht dhe mbante “fjalime” të gjata në një kohë të papërshtatshme.
Zijai kishte qenë në Tiranë, tek e fejuara e shkonte në krye të detyrës. Unë, për qejfin tim kisha marrë udhën, për në Tiranë. Rrugëtonim me mjete të rastit, herë në karroceri e herë në kabinë, pranë shoferit, në një udhë copë-copë.
Unë, në karrocerinë e një makine, ruhesha nga era e freskët e atij mëngjesi. Në Levan të Fierit, kamioni me të cilin udhëtoja, papritur ndaloi, gjatë. Shoferi po këmbehej me një shokun e tij dhe, të dy, ndaluan përbri njëri-tjetrit e po bisedonin, si shokë. U ngrita, në këmbë për të çlodhur pak gjunjët, të cilët më ishin mpirë nga qëndrimi “në bisht”.
Po vrojtoja karrocerinë e kamionit përballë, i cili kishte ngarkuar fuçi. Pamja, kur u ngrita në këmbë u zgjerua dhe, në një fuçi, diktova një kapele oficeri të aviacionit, me shkabë. Nën kapele diktova kokën pa flokë të Zijait. Ai, që të mos ftohej nga era e freskët e mëngjesit dhe nga shpejtësia që krijon kamioni në ecje, ishte futur e udhëtonte brenda fuçisë.
Vura të dy duart në ije dhe u gajasa. Qeshi dhe Ai, kur më pa.
Pas lirimit nga ushtria, Zijai u mor me punë të ndryshme. Kur e pyesnin njerëzit: “Çfarë profesioni ke ushtruar”? Zijai përgjigjej: “Kam qenë roja në repartet e aviacionit”! Ishte i thjeshtë shoku im i paharruar. Zija Shyqo Memi ka vite që është ndarë nga jeta, në Tiranë, por kujtimi i tij, mbetet i paharruar, si njeri e pilot i rrallë!
I paharruar qoftë, në jetë të jetëve!
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj- shok i tij; në Tiranë, më 8 prill 2023.
Shënim: Këtë kujtim e sjell për lexuesit në kuadrin e përvjetorit të Aviacionit Shqiptar- 24 prillit të këtij viti.
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.