Thuajse një jetë njeriu. Rëndom, kur njerëzit urojnë njëri-tjetrin, në përvjetorë të lindjes, thonë: “Edhe njëqind!” Nuk ma nxe goja të them kështu. Gjykuar nga aktualiteti dhe nga tendencat e kohës. Nuk ma do qejfi as të them: “Na ishte një herë”!

Këtë pozicion ma imponon fakti se mjaft nga aviacionistët që i vunë shpatullat dhe mbajtën mbi supe barrët e rënda të ngjitjes dhe u përballën e kapërcyen shumë pengesa e vështirësi njerëzore apo të rritjes janë akoma në jetë dhe se kujtesa njerëzore është e gjallë.

Me nderim e respekt të merituar, deri në përunjësi, në këtë përvjetor të lavdishëm kujtojmë ata që çanë të parët qiellin e Atdheut tonë, më 24 prill të vitit 1951, me në ballë të paharruarin Petraq (Peco) Polena; të talentuarin Vasil Trasha, i cili e lau me gjak udhën e ngjitjes më 23 mars të vitit 1958, në aerodromin e Qytetit “Stalin”; Babanë e Aviacionit Shqiptar Niko Hoxha dhe dhjetëra pishtarë të tjerë që u ndritën udhën shokëve.

Kujtesa mbarëkombëtare nuk mund të harrojë ata dhjetëra guximtarë, të cilët me talentin, vullnetin e paepur dhe me sakrifica të panumërta e me përkushtim të rrallë e çuan lavdinë e Aviacionit tonë në majat që dihen. Situatat janë të paqarta e kohët në ndryshim të vazhdueshëm.

Të dashur kolegë të të gjitha specialiteteve: Ju lutem, mos e mbani kokën ulur e mos u dëshpëroni, por qëndroni ballëlartë e krenarë për atë që keni bërë! Nëse nuk i dëgjoni utërimat e motorëve reaktivë të avionëve që keni menaxhuar, mos mendoni se kaq e pat e aviacioni ynë u shua! Jo, or jo; nëse nuk e kemi më afatin kalendarik të avionëve të mëparshëm, ky nuk është faji juaj. Koha bën të sajën, por ëndrra e popullit tonë vital për të fluturuar si zogjtë, nuk mund të shuhet kurrë!

  • Rroftë e u kujtoftë në jetë të jetëve Aviacioni Luftarak Shqiptar, aspirata e kahershme e brezave!

Në Tiranë, më 18.04.2023. Shkroi – Niazi Xhevit Nelaj; ish-aviator.