Sot u nda nga jeta njeriu i mirë Mustafa Hajdar Çiçi. Fluturoi dhe një shqiponjë e lartësive. U ngjit lart, në qiell, atje ku e kishte vendin. Vajti t’u bëjë shoqëri shokëve dhe kolegëve, idhujve të tij të cilët i deshi e i nderoi tërë jetën.

Për më se 30 vjet, Mustafa Çiçi la gjurmë të pashlyera në kaltërsitë e qiellit shqiptar, për të mbrojtur trojet e të parëve dhe për t’u gjendur pranë njerëzve në nevojë. Mustafai shërbeu me aftësi e me përkushtim duke e radhitur veten në elitën fluturuese dhe në tribunën e më të mirëve si njeri.

Mustafa Çiçi u lind në qytetin e Libohovës, më 21 shkurt të vitit 1935, në një familje atdhetarësh të zjarrtë. Me baba Hajdarin dhe me Nënë Hajrien, Mustafai u formësua e u kalit me ndjenjat e atdhedashurisë, si shqiptar flakërime.

Kur sapo kishte mbushur moshën gjashtëmuajshe, ai mbeti bonjak nga i ati e u rrit mes vështirësive e ngushtësisë ekonomike nga nëna burrëreshë dhe nga fisi i tij. Fëmijërinë dhe adoleshencën Mustafai nuk i pati të lehta por përmes tyre ai u formësua e u kalit me tipare të qenësishme të karakterit e u bë një njeri për së mbari. Tek i biri bonjak, nënë Hajria dhe rrethi i tij familjar e ai shoqëror ngulitën frymën komunitare, bujarinë e shpirtit, dashurinë për jetën e për tjetrin, të qenit i ndershëm e i drejtë, çiltërsinë dhe virtyte të tjera të larta. Mustafai, përmes vuajtjeve e sakrificave çoi më tej e ngjiti më lart zgjuarsinë natyrale të genit e u rrit një djalë i dashur, i mençur e gojëmjaltë. Trimërinë dhe burrërinë i kishte në sua, ndaj, kur u bë madhor, përzgjodhi udhën e trimave.

Jeta e re në Tiranë dhe avancimi në moshë zgjuan tek Mustafai ndjenjën e përgjegjësisë për të ndihmuar sadopak familjen ekonomikisht, si më i rrituri i fëmijëve të mbetur pa baba. Pa mbushur 18 vjeç, ai nisi punë si elektricist dhe vazhdoi shkollën pa shkëputje nga puna. Mes punëtorëve Mustafai shumoi tiparet e mira e u bë burrë me burrëri.

Në gusht të vitit 1956, së bashku me një grup djemsh azganë si vetja, me anijen Krimea, Mustafai lundroi drejt Bashkimit Sovjetik ku mësoi e u bë pilot gjuajtës- bombardues. Në grupin e pilotëve ku bënte pjesë ishin: Kostandin Sadikaj, Avdi Gjonmemaj, Kapo Selmanaj, Nehar Jazexhi, Naun Todo dhe Dalip Shabanaj. Si më i miri në teori e në praktikë dhe si artikulues i përkryer i gjuhës ruse, Mustafai u përzgjodh përgjegjës i grupit dhe e përfundoi shkollën me tregues të shkëlqyer, duke merituar gradën e togerit.

Në vitin 1959, po me anijen Krimea Mustafai dhe shokët e tij u kthyen në atdhe. Ai u emërua komandant çifti në Regjimentin Peza, një rast i rrallë ky. Dy herë u caktua në detyrën e instruktorit të teknikës së pilotimit në Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë, së bashku me pilotët e elitës fluturuese të vendit, përkatësisht: Azbi Seranaj, Bardhosh Hasanaj e Mahmut Hysa, të përzgjedhur si mjeshtër të pilotimit, pilotë të qetë, në tokë e në ajër, të shquar në artin e komunikimit, kuadro me edukatë e me kulturë të shëndoshë. Mustafai u bë një metodist shumë i mirë e përgatiti pilotë cilësorë si: Koço Biku, Roland Sofroni, Thanas Papa, Stillo Melica etj.

Më 21 qershor të vitit 1963, Mustafai e lidhi jetën me fisniken Shpresa nga radhët e bluzave të bardha. Ata, në çift sollën në jetë 3 djem, përkatësisht: Gencin, Arbrin dhe Bleronin si dhe të vetmen vajzë, Rudjanën. Të katërt u rritën e u formësuan me virtytet dhe me edukatën që u dhanë prindërit e u bënë njëri më i mirë se tjetri. Si erudit e si njeri me vizion të qartë, Mustafai përgatiti dhe botoi 6 libra artistikë e biografikë në të cilët spikat qartësia e mendimit dhe pastërtia e artikulimit.

Në fundvitin 1967, kur u formua Regjimenti i Helikopterëve në Farkë, ai iu përgjigj thirrjes e u bashkua me stafin e kësaj njësie famëmadhe. Mustafa Çiçi fluturoi për një kohë të gjatë me helikopterin legjendë të tipit Mi-4, me të cilin, në pozicione të ndryshëm të hierarkisë e në kushte të ndryshme të motit u gjend pranë njerëzve në nevojë. Mustafai, praktikisht, me këtë helikopter shkeli në çdo pëllëmbë të atdheut. Zhurma dhe silueti i helikopterit që pilotonte Mustafai u kthyen në besim e në shpresë shpëtimi për njerëzit në nevojë për ndihmë nga ajri.

Në vitin 1986 Mustafai doli në pension si pilot. Ai e ndau kohën mes Tiranës dhe Milanos, i rrethuar nga dashuria dhe përkujdesi i fëmijëve dhe bashkëshortes së përkushtuar.

Nesër (e martë, 18 shtator 2023) e përcjellim në banesën e fundit, njeriun e mirë Mustafa Çiçi. Sa do të donim ta kishim më gjatë mes nesh dhe në gjirin e familjes së tij këtë njeri të rrallë, por jeta ka rrjedhën e saj.

I dashur e shumë i nderuari Mustafa Çiçi, e dimë që do të na mungojë fjala jote e mençur dhe e mëndafshtë. Do të kemi nevojë për këshillën tënde të urtë dhe të premtojmë se këtë dhimbje që na shkaktoi ndarja jote do ta shfrytëzojmë për të vijuar veprimtarinë tënde, siç na ke mësuar. Kemi me çfarë të krenohemi, si ne dhe fëmijët e tu. Trashëgimia që ke lënë nuk do të zhbëhet.

  • Lamtumirë i dashuri ynë Mustafa Çiçi!
  • E paç të lehtë dheun e Tokës Nënë!
  • U paç lënë jetën atyre që le pas!

Shënim: Ndihem i pafat që për shkak të largësisë fizike nuk mund të jem i pranishëm fizikisht në këtë ndodhi të trishtë. I bashkohem dhimbjes dhe përjetimit të familjes dhe miqve që do ta përcjellin nesër (e martë, 18 shtator 2023) në banesën e fundit.