Ishte viti 1963. Pas përfundimit të studimeve për pilot gjuajtës-bombardues në Shkollën e Tretë të Aviacionit Kinez, u ktheva në Shqipëri, u titullova oficer, me gradën e nëntogerit dhe u emërova në Regjimentin e Tretë të aviacionit gjuajtës-bombardues, në Rinas. Regjimenti, aso kohe drejtohej nga i Madhi e i paharruari kolonel Niko Selman Hoxha, i cili, shpejt u bë edhe idhulli im.

Regjimenti, në atë kohë përbëhej nga dy skuadrilë. Skuadrilja e parë ishte e pajisur me 12 aeroplanë mbizanorë, reaktivë me dy motorë RD9 të destinacionit gjuajtës-kapës, të pajisur me 2 sisteme raketash ajër-ajër dhe me llokator. Kjo skuadrilë drejtohej nga i Madhi Lulo Musai, me zëvendës, “brilantin”- Anastas Ngjela.

Skuadrilja e dytë kishte në armatim 12 aeroplanë reaktivë, parazanorë të tipit Mig- 17 F. Ishte aeroplan gjuajtës-bombardues i pajisur me forsazh dhe i armatosur me tre topa; mbante dhe bomba. Kjo skuadrilë drejtohej nga vunjoti i talentuar Kosta Neco Dede, dhe me zëvendës, talentin e rrallë, atdhetarin e zjarrtë Gezdar Riza Veipi.

Kur vajtëm në repart, ishte ditë fluturimi. Binte një vesë shi dhe avionët me njerëzit të gatshëm për t’i shaluar, pritnin në Zonën Nr. 1 të përmirësoheshin kushtet e motit.

Ilija Mariani ishte efektiv i Skuadrilës së parë, me detyrë shef i pajisjeve të radios. 25-vjeçari Ilija Marjani, ishte i veshur me kominoshe doku, ashtu si kolegët e profilit teknik dhe lëvizte nga njëri aeroplan tek tjetri, duke dhënë ndonjë udhëzim të rastit apo duke plotësuar këshillat e padhëna deri atëherë.... Vijon

... Vijon

Ilija Marjani kishte ardhur në Rinas, qyshse erdhi e u fut në armatim aeroplani Mig-19 PM, si ish-student në Shkollën Sovjetike të Aviacionit, në qytetin e Harkovit e më pas në atë të Krasnodarit. Nuk pranon diskutim fakti që në grupin e studentëve ku bënte pjesë Ilija Marjani, bënin pjesë djem nga më të mirët, si në qëndrim dhe në përparim. Ndihem mirë të përmend disa emra, të cilët i kanë dhënë tonin e kanë mbajtur mbi supe barrë të vështira në shfrytëzimin e aeroplanëve të parkut shqiptar të aviacionit.

Me shumë nderim kujtoj: Gaqo Rapin; Dajlan Bircen; Naltor Shehun; Thoma Ngrecin; Petrit Levanaj; Sami Sokolin; Qazim Krasniqi (Muslia); Fatmir Babameton; Qani Topollajn etj. Duarartë e mendjendritur kam parë të rrallët: Tajar Ramadani; Stefan Sallaku; Dhori Simaku; Apollon Bace etj.

Përveç faktit që Ilija Marjani vinte nga një familje me kulturë dhe edukatë të shëndoshë, qenia në të njëjtin grup me shokë të mirë, ka ndikuar pozitivisht në formimin dhe forcimin e tipareve të shëndosha të karakterit.

I veshur me kominoshe kaki, Ilija, në atë ditë fluturimi, kur e pashë për herë të parë, se si m’u duk, ndryshe nga të tjerët. Kapelja në kokë me shenjat e oficerit të aviacionit dhe mustaqet spic, fytyra disi e zeshkët, nishani në faqe dhe lëkura e fytyrës e kuruar dhe e freskët, shtati mesatar i lidhur mirë, tip sportiv, shumë energjik, fjalëpak e serioz, kompetenca në dhënien e udhëzimeve dhe mënyra e komunikimit me vartësit më lanë shumë përshtypje. Fillimisht, m’u duk i vrazhdët dhe mendova se do ta kisha të vështirë t’i qasesha, dhe njëfarë diference në moshë, më bënin të isha i drojtur përpara tij, por shpejt u zhgënjeva në opinionin fillestar që formova për të. vijon...

... vijon

Kur bisedonte me vartësit dhe me eprorët, tek Ilija nuk pashë kurrë kapardisje, shitmendje apo kapricio. Njerëzillëku, tek Ilija Marjani ishte primar. Çdo njeriu, pavarësisht nga posti që mbante në hierarkinë ushtarake Ilija i drejtohej me mirësjellje dhe me edukatë të shëndoshë.

Nuk ishim në të njëjtën skuadrilë dhe profili i punës nuk na lidhte por, në kohën pas punës, vështroja dhe me ke shoqërohej më dendur Ilija. Shokë të tij të afërt ishin Perikli Teta, të cilit i thërrisnim shkurt Pero, me Stefan Sallakun dhe me Fatmir Babameton e jo rrallë, e vështroja me Bilal Josen e me ndonjë tiranas tjetër.

Nuk them dot se shoqëria e Ilija Marjanit ishte e kufizuar. Ai njeri ta impononte respektin dhe isha i detyruar ta respektoja për atë që ishte. Ilija ishte serioz por jo nga ata që thonë: “E di unë më mirë”!

Me Peron e lidhte një miqësi e çiltër dhe marrëdhëniet mes tyre njohën vetëm ditë me diell. Karakteri i njëjtë dhe tiparet e spikatura të tij, them se i bashkonin këta të dy. Nuk ishin të të njëjtit profil e nuk e kishin bërë shkollën në të njëjtin qytet në Bashkimin Sovjetik, por u afruan me njëri-tjetrin për shkaqe të besimit reciprok dhe çiltërsisë në raportet mes tyre.

E kam thënë dhe në të tjera raste se Peron, meqenëse ishte lindur në Paris, e kishim profesor të gjuhës italiane të cilën e mësonim në ditët kur bënim shërbimin gatishmëri roja. Në “grupin” e mësimit të italishtes kisha parë që afrohej dhe Ilija. Nuk e teproj po të them se Ilija Marjani kishte ekuilibër dhe ruante sensin e masës në të gjithë sjelljen e tij. Ai, kurrë nuk e tepronte dhe e dinte mirë vendin që i takonte në shoqëri.

Tre vjet shërbeva në Rinas, dhe kam qenë me fat që kisha shokë të mirë nga efektivi inxhiniero-teknik si Ilija Marjani; Perikli Teta, Stefan Sallaku; Qani Topollaj; Sami Sokoli; Muhamet Horieti; Bejkush Bockaj; Andrea Kule; Foto Dede; Elmaz Duduni etj. etj. Shoqëria me njerëz të mirë, them se më ka bërë mirë.

Në fillim të vitit 1966 u transferova nga Rinasi e u ndava nga Ilija Marjani por fati e deshi të takoheshim sërish, më vonë, në Regjimentin e Zadrimës, natyrisht në shkallë të ndryshme hierarkie por në profile të njëjtë. vijon....

... Vijon... Në vitin 1973 u përurua aerodromi i Gjadrit. I pari, u ul në pistën e tij të gjatë, djali nga fshati Lin e rrethit të Pogradecit, Serafin Hegani, me aeroplanin e sofistikuar të kohës Mig-21. Udhëheqës i fluturimit ishte zagoriti brilant Anastas Ngjela.

Qyshse ishim ndarë, në fillimvitin 1966, Ilija Marjani kishte qenë për specializim në Kinë; kishte kryer, 2 vjet, në Tiranë, Shkollën e Lartë të Partisë dhe gjithnjë ishte me detyra të ndryshme në Regjimentin e Gjadrit.

Në fundvitin 1975, e gjeta zëvendëssekretar të Komitetit të Partisë së njësisë së Gjadrit. Po ai Ilija. Siç e kisha lënë, kur u ndamë. Për shkaqe pune, lidhjet tona u forcuan më tej dhe dashuria e respekti reciprok njohën “maja” të tjera.

E kam thënë dhe e them plot gojën se paskam qenë fatmadh që në Gjadër por jo vetëm, kisha një shok e mik të mirë, tek i cili mund të mbështetesh pa rezerva. Shumëkush mund të vërtetojë, me cilësinë e dëshmitarit okular mendimin absolutisht të vërtetë se në hapësirat e Zadrimës, sa i përket aviacionit, çdo detaj që kishte të bënte me punët e partisë (dhe partia dinte e duhej të dinte çdo gjë që ndodhte), kalonte nëpër mendjen dhe veprimtarinë e gjallë të Ilija Marjanit. Nga Ilija pritej t’u jepte udhë edhe detajeve më të thjeshta të punës me njerëzit.

Ndjeja një kënaqësi të paprovuar kur më jepej rasti të punoja me Ilija Marjanin. Nuk ka të bëjë vetëm me zgjuarsinë e tij dhe me mprehtësinë e gjykimit por dhe me kompetencën që buronte nga formimi i tij i gjithanshëm. Ilija Marjani zotëronte, në majë të gishtave, hapësirën ku shtrihej Regjimenti dhe të jepte përgjigje të shpejtë e të saktë për çdo gjë që e pyesje.

Çmoja shumë karakterin e tij të guximshëm e të drejtpërdrejtë. Ilija nuk merrte asnjërin nën sqetull, por i jepte secilit atë që meritonte. Në gjykim ishte i paanshëm e i drejtë. Punët e shumta që kryente, e lodhnin vërtet, por atë burrë nuk e pashë kurrë të humbiste durimin e të turbullohej në gjykimin e problemeve.

Në një rast, u ndodhëm, në një mbledhje organizate-bazë të Partisë në Balldre ku ishte pika radioteknike e regjimentit. E gdhimë natën dhe na zuri mëngjesi i ditës së nesërme, mbi tavolinë. Ilija, pavarësisht lodhjes dhe pagjumësisë, në fund të mbledhjes dha verdikt të logjikshëm, mbasi kishte dëgjuar gjatë gjithë natës broçkulla të cilat e kishin burimin nga thashethemet e dashakeqëve. E çmova dhe e mbështeta verdiktin që dha Ilija, dhe u bë siç tha Ai.

Dikur ishte problem popullimi i Lezhës me familje të aviacionistëve, sidomos atyre që i kishin familjet në Tiranë. Drejtuesit e Regjimentit ndonëse dhanë shembullin vetjak, si Gezdar Veipi; Dhori Zhezha; Robert Marko; Lefter Yzo; Agron Daci etj. kjo nuk mjaftonte. Mendojeni sa të vështirë e pati Ilija Marjani ta hidhte këtë hap të vështirë, por Ilija Marjani guximtar e përballoi dhe këtë sfidë. Gjiton të mirë në pallat kishte Lin Gjokën, Lefter Yzon e të tjerë. Ilija, me karakterin dhe me sjelljen e tij, bënte për vete këdo.... vijon...

... Vijon dhe përfundon...

Në prag të pensionit, Ilija Marjani u transferua, në Tiranë dhe u caktua komandant i grupit të radiodritës në Regjimentin e Helikopterëve. Ishte një transferim për të mbajtur premtimin e dhënë dhe për të mundësuar daljen në pension në një detyrë të cilën e njihte. Qëndrimi i Ilijas në këtë detyrë nuk zgjati shumë por në çdo veprim të tij spikati formimi i gjithanshëm dhe pjekuria e tij.

Në pension Ilija, një njeri që nuk mund të qëndronte pa punë e pa komunikuar me shokët, pranë shtëpisë (tek dera e saj, në rrugën e “Dibrës”) çeli një kioskë ku tregtonte artikuj të ndryshëm dhe pije freskuese jo alkoolike. Fillimisht, si çdo oficer i liruar, dhe Ilija druhej të shiste. Kur në atë udhë kalonin të njohurit e tij, Ilija përpiqej të mos dilte në pamje të parë. Shpejt u ambientua e u përshtat me punën e re. I biri, Beni, me një biçikletë tip karrocë bënte furnizimin e kioskës.

Ajo kioskë ishte shndërruar në një faltore ku gjeje kryesisht shokë të Ilijas ose oficerë të njohur. Më kishte rastisur por dhe apostafat kisha kaluar nga ajo rrugë, për të takuar Ilijan. Të ulur në një stol, gjeja, përherë Dajlan Bircen dhe Stefan Sallakun; Qani Topollajn; Fatmir Babameton etj. Shpesh, shokëve dhe kolegëve, Ilija nuk u merrte as lekët e birrës së freskët që u shërbente.

Kur ishte në pension, Ilija Marjani u sëmur nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme. Bëri çmos familja e tij dhe të afërmit për ta shëruar por e keqja kishte zënë derën. Kur ishte në ditët e fundit të jetës, i zgjuari Ilija Marjani e kuptoi se nuk do të ngrihej më nga shtrati.

Në një vajtje për ta parë, pranë shtratit të tij gjeta Perikli Tetën dhe njërin nga vëllezërit e tij. Dikujt, kur pyetëm si shkon kjo sëmundje, i shpëtoi fjala: “Zoti e bën mirë”! Atëherë mentari ynë tha: “Po përse, vetëm Zotin më keni lënë mua”?

U nda nga jeta, para kohe dhe nga një sëmundje e rëndë, e pa shpresë. Të nesërmen u përcoll, në varrezat publike të Shtishtufinës, nga një lumë njerëzish, mes lotëve dhe trishtimit, siç e meritonte Ai deli njeri!

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij!