Padyshim; Niko Selman Hoxha, ishte dhe mbetet një gur themeltar - hijerëndë, në Historinë e Re të Aviacionit Shqiptar. Jo më kot e kanë quajtur: “Baba” i aviacionit Shqiptar. Nikua e themeloi këtë armë të re të Ushtrisë Çlirimtare dhe e ngjiti me guxim e me krenari në nivele mjaft të larta.
Kisha dëgjuar për personalitetin e Tij, si njeri, si pilot e si kuadër ushtarak, nga më të spikaturit. Kisha dëgjuar dhe për bëmat e tij trimërore, por nuk kisha pasur fatin ta njihja personalisht. E kisha ëndërr dhe rasti e pruri ta realizoj atë.
Në pranverën e vitit 1963, kur u ktheva nga studimet në Kinë, Niko Hoxhën e gjeta Komandant të Regjimentit të Rinasit; me gradën kolonel. I formuar e i kalitur në zjarrin e betejave partizane dhe në Shkollën dhe me disiplinën e njohur të Shkollës Sovjetike të Aviacionit, u mrekullova, kur e pashë, për herë të parë në Zonën Nr. 1 të Aerodromit të Rinasit, të vetëm, përballë efektivit të rreshtuar, sipas nënreparteve dhe shërbimeve që merrnin pjesë në atë ditë fluturimi.
Isha emëruar pilot, me gradën e nëntogerit, në atë Regjiment e do ta kisha komandant. Do të kisha kohë e mundësi për ta njohur më nga afër e në punë e sipër, njeriun, për të cilin, sapo e pashë, nuk di pse u ndjeva aq mirë, e më lindi një simpati e nderim i pangjarë deri atëherë.
Po çfarë e mikloi ndjenjën time të simpatisë e nderimin për atë burrë, i cili, nuk më ngjante me të tjerët? E përfytyroja “gjigand” e ashtu më doli. Niko Hoxha kishte shtat të lartë e të zhdërvjellët. Pamja burrërore e tij, i jepte “ngjyrat” e një kreshniku.
Uniforma e fluturimit me kurtkë, pantallona kilota e çizme treçerekshe prej lëkure, i rrinin bukur në trup e ishin si të prera posaçërisht për Të. Në kokë, mbante një shlemafon (kokore piloti), me rrjetë, të mënjanuar pak anash, si shenjë e mospërfilljes.
Kishte bërë fluturimin e kontrollit të motit dhe të kushteve për fluturimin e asaj dite dhe jepte udhëzimet përpara fluturimit. Të gjithë të pranishmit e dëgjonin, në heshtje e asnjëri nuk pipëtinte.
Më la shumë mbresë artikulimi i qartë e i saktë i atyre që thoshte. Sipas rregullit, në atë ditë fluturimi, Nikua do të ishte udhëheqës i fluturimeve. Në ato që thosh, kuptova kulturë dhe kompetencë shkencore. Të qenit i vetëm përpara efektivit të rreshtuar, ia miklonte Nikos egon, të cilën Ai e kishte merak dhe e dëshironte.
Në Regjiment e më gjerë kishte kuadro të cilët e kishin idhull e mundoheshin ta imitonin Nikon; si në pamje dhe në qasje. Dikush mbante mustaqe të kuruara, si Ai; ndonjëri ishte shtatlartë e shquhej si volejbollist; të tjerë e imitonin në veshje; të gjithë mbanin uniformë fushore, me rrip krahëqafë e me gjimnastikore të pajisur me qafore të bardhë, të cilën e ndërronin çdo ditë. Edhe pse nuk e shfaqte hapët, vura re se vetë Nikos, i pëlqente fakti që e imitonin dhe e mbanin uniformën të pastër, të rregullt e të hekurosur.
Prirjen për të lexuar e për të shkruar nuk e kam injoruar. Por kisha arritur deri tek hartimi; më tej nuk kisha shfaqur aftësi. I frymëzuar nga “shkëlqimi” i atij njeriu, në të gjithë qenien e tij, më lindi ideja për ta gdhendur atë figurë me përmasa gati biblike.
Po mendoja, nga t’ia nisja e kisha merakun se a do t’ia arrija qëllimit? Monografia nuk është as e thjeshtë; as e lehtë, për t’u shkruar. Doja të justifikoja nismën time dhe të nderoja figurën e madhërishme të idhullit tim.
Më duhej të bëja përgatitje serioze, para se ta nisja shkrimin. Mendova se ishte në nderin tim të zgjeroja e të thelloja njohuritë për Nikon, pa pretenduar se dija shumëçka. U vura përpara përgjegjësisë e nuk më lejonte ndërgjegjja të bëja punë shkel e shko.
Diçka e mirë më vlonte në gji e mendova ta nis, puna do të më mësonte udhës. Po të kisha “mjaft miell në magje, brumin do ta gatuaja më lehtë”. Këtë përfundim arrita, tek mendoja për shkrimin e ardhshëm. Nisa të rrëmoja e të grumbulloja njohje të atyre që kishin punuar e jetuar më gjatë me Niko Hoxhën.
Në qershor të vitit 2012 isha me pushime në Vlorë, në Zonën e Ujit të Ftohtë. Pushoja në Vilën e Bardhoshit nga Qishebardha, e cila ndodhet në rrugën “Pavli Flloko”, në afërsi të shtatë pallateve. Meqenëse ishte verë e gjatë orëve të nxehta të ditës, nuk mund të shkruaja; mbasditeve qëndroja gjatë në balkon e shkruaja (Sistemoja e sillja në kujtesë mbresat e mia, për Niko Hoxhën).
Një grua me moshë rreth të gjashtëdhjetave, më surprizoi e më mrekulloi me ato që më tha. Gruaja quhej Nurhane, ishte e zonja e vilës dhe grua e fisme, si vetë emri i saj.
Një mbasditë, gruaja më pyeti me një ton e theks lab: “Zotëri! Çfarë shkruan çdo ditë në atë tefter?” U befasova nga kjo pyetje e papritur; sidomos më habiti toni që përdori gruaja. Ia ktheva me të njëjtën monedhë: “Unë shkruaj çfarë më do qejfi - iu përgjigja”!
Vura re se nuk i erdhi mirë. Ajo nuk e la me kaq. Siç duket ishte e informuar e, ditën tjetër më pyeti: “Mos ke qenë pilot zotrote”?
Si t’i përgjigjesha? Më kapi “mat”! “Po; i thashë, pse, ke njohur njeri në aviacion, ti”? “Kam pasur dajon - tha gruaja, por Ai nuk jeton më”!
“Si e kishte emrin e pyeta”? Niko Hoxha – tha gruaja! Siç isha i ulur, brofa në këmbë e mora drejtqëndrim.
Çfarë të gjeti, pyeti Nurhana? “... Më kujtove komandantin tim; mësuesin tim; idhullin tim; Atë burrë që më mësoi të fluturoj dhe mjaft gjëra të tjera, nga jeta e pilotëve” u përgjigja dhe vijova: “Unë për Nikon dua të shkruaj”.
U zbut ajo, e ula tonin - unë. Tamam - tamam, çfarë e kishe Nikon Ti? Unë di që Nikua ishte nga Tragjasi ju jeni nga Qishebardha? Ashtu është por Nikua ishte vëllai i Nënës sime, nga Tragjasi. Dhe vijoi: “Ku i dihet fati i femrës”?
Më tej biseda rrodhi në shtratin që doja unë. Kur vura re se bashkëbiseduesja ishte e gatshme të fliste, vijova kërkesat që më interesonin: Fillimisht e pyeta Nurhanën: “Sa vjeçe ke qenë kur, u vra Niko Hoxha dhe a di gjë, për fëmijërinë e tij”?
Gruaja me emrin Nurhane, më bëri me dije se Niko Hoxha, i biri i Selmanit, rridhte nga derë e pasur; shtëpitë e tij ngjanin me saraje mbreti e ishin nga më të mirat në Tragjas. Ajo, gjithashtu më bëri me dije se Niko Hoxha emrin nga prindërit e kishte Neki; në Luftën Partizane u quajt Niko e derisa u nda nga jeta, këtë emër mbajti.
Në rrëfimin interesant të Nurhanës fisnike, mësova dhe disa detaje me vlerë. Nikua i donte shumë motrat dhe kujdesej mjaft për to.
Bashkëshortja e Bardhoshit nga Qishebardha, më tronditi, kur më tha se Nëna më ka lënë një amanet: “Po më takove në rrugën e jetës, shokë të Niko Hoxhës, të m’i mbash në pëllëmbë të dorës”! Në ditët e qëndrimit tim në vilën e saj, ajo grua fisnike, më mbajti në pëllëmbë të dorës.
Meqenëse kisha të bëja me një njohëse të mirë të traditës dhe mentalitetit lab, e pyeta Zonjën Nurhane: “A të kujtohet beja më e fortë që bënte Nëna jote”? Dhe ajo, sikur të ishte e parapërgatitur, më tha: “Kur betohej Nëna ime, për kockat e Nikos”, mos pritje tjetër fjalë prej saj.
Më tej, gruaja e Bardhoshit e “zbrazi thesin” e më rrëfeu mjaft episode, të cilat më duheshin për shkrimin e ardhshëm. Një mbasditë, ajo grua fisnike dhe e mençur më bëri një surprizë të cilën as që e kisha menduar.
Ishte ngritur herët, që në pikë të mëngjesit gruaja me shpirt të mirë dhe rrëzë Shashicës ku dielli e zë vonë, kishte mbledhur lakra të egra. Mbasi i kishte larë mirë e mirë ato, kishte përgatitur një byrek, me lakra të egra, të shijshëm për të lëpirë gishtat. Dhe qetë - qetë m’u afrua, tek shkruaja e më zgjati byrekun, të paprekur, me dorë.
E kishte palosur me katërsh e ma zgjati: “Haje tha e të bëftë mirë se Nikos i pëlqente shumë byreku me lakra të egra”! Në shenjë nderimi e me mirënjohje si për kujtimin e Niko Hoxhës dhe në nderim të asaj gruaje fisnike, e cila ma bëri borxh.
Ky detaj, i rrëfyer me vepra, më “shokoi” e sikur më “shajtoi” (goditi rëndë e më mori mentë)! I premtova, Nurhanës se kopjen e parë të shkrimit do t’ia përcillja në rrugë elektronike dhe e mbajta fjalën.
Pas Vlorës, “era e hulumtimeve” më shpërnguli në Voskopojën e bukur turistike. Me ata që më shoqëronin; paradite ngjitesha në mal; në mbrëmje shkruaja kujtimet e njerëzve me të cilët takohesha dhe sistemoja kujtimet e mia për kolonelin.
Edhe në Voskopojë nuk m’u ndanë surprizat. Një mesdite, kur dielli ishte në “Zenith”, po zbrisja, nga mali.
Sapo kalova resortin turistik me emrin “Ozon”, në dishezën e fortë që të çon tek Kisha e Shënepremtes më zunë sytë një burrë shtatshkurtër, si unë, por më të “bëshëm”, i cili shoqërohej nga të tijtë. Ai po ngjitej. Burri, me kapele republikë në kokë mbante syza dielli të përmasave jo të zakonshme.
E njoha e i zura rrugën. E ndalova kalimtarin, me trup e i thashë:“Nuk po më njeh? Kemi punuar bashkë, dikur”! “Fytyrë e parë, po më dukesh - foli burri i huaj”.
Mbasi u prezantova me emër e me mbiemër, tjetri u kthjellua e më tha: “Po hajde të përqafohemi atëherë”! U takuam e u përqafuam.
Ishte kolonjari Koço Andoni, i cili ishte njëri nga pilotët më të lashtë të vendit dhe që kishte punuar, së bashku e nën drejtimin e Niko Hoxhës për shumë kohë.
Koha dhe vendi për bisedë të zgjatur ishin të papërshtatshme, ndaj i paraqita kërkesën për një opinion për Kolonel Nikon. U tregua i gatshëm e më rrëfeu shkurt për “idhullin tim”, e më tha, në esencë, vlerat e tij, si njeri e si pilot.
Ca më poshtë, në hije të mureve të Kishës së Shënepremtes, hodha në letër ato që më tha Koço Andoni e u ktheva në resortin ku pushoja. Nuk më doli keq ajo ngjitje në Malin e Voskopojës, atë ditë.
U ktheva në Tiranë e vijova të mbledh opinione për Niko Hoxhën. Shumë më shërbeu takimi me “gjigandin” Gezdar Riza Veipi, i cili e kishte idhull dhe e imitonte atë. Me interes ishte takimi me njërin nga pilotët më jetëgjatë në aeroplanët Mig - 19 S, poradecarin Serafin Shegani; me Koço Biku; me Halit Bulkun; me Dhori Zhezhën; me Andrea Tolin (ndjesë pastë); me teknikun e aeroplanit Mig - 19PM, libohovitin shtatlartë me mustaqe- Sulo Gorica; me teknikun e aeroplanit të vetëm bombardues IL- 28’ veteranin e aviacionit – Skënder Sherif Dushaj; me Barjam Hiten nga Kuçi i Kurveleshit etj. etj. etj.
Nuk më mjaftuan opinionet e tyre dhe e shtriva kërkimin në Amerikën e Largët. Bisedova në telefon me Bardhyl Lubonjën; mora mendimin e Bardhyl Taçit; pyeta Koço Gjinin; Elmaz Dudunin e Pali Totonin, të cilët kanë punuar nën komandën e Niko Hoxhës, në Rinas.
Thashë të mbledh dhe diçka në Vlorë e të hidhem përtej detit, në Italinë fqinje. Mora opinion nga Kostandin Sadikaj; nga Guri Merkaj; nga Lutfi Jaho (ndjesë pastë) e nga të tjerë. Në Itali iu drejtova pilotit nga Tragjasi; Avdi Gjonmemaj; libohovitit Mustafa Çiçi; e disa të tjerëve që kanë punuar me Nikon.
Me një tog letrash plot me opinione kushtuar të madhit Niko Selman Hoxha, ia nisa punës për të shkruar atë rrëfim të cilin, fillimisht e titullova:“… Piloti legjendë që bëri histori ...”.
Nuk mund të mos ta shkruaj opinionin “amanet” të veteranit Ramadan Ramadani, i cili ka shërbyer fillimisht në teknikën fluturuese e më pas u bë përgjegjës i shërbimit të sigurisë në Regjimentin “Peza”. Ramadani më porositi të postoj një fotografi të Niko Hoxhës, me uniformë të daljes së lirë, me shpatë në brez (siç ishte uniforma e viteve’50). Veterani, gjithashtu më porositi të shkruaj, domosdo se Niko Hoxha është ulur i pari në aerodromin fushor të Poros; në pistën e Qytetit “Stalin”, e variantin e shkurtër të saj; se Ai kishte eksperimentuar, i pari karburantin e aeroplaneve reaktivë të prodhuar në vendin tonë dhe se Niko Hoxha e mësoi aeroplanin modern Mig - 19PM, pa shkuar në Bashkimin Sovjetik, me grupin e pilotëve dhe pa aeroplan dyvendësh (mësimor Mig - 19).
Nga koha kur ndërroi jetë Niko Hoxha, në një aksident ajror, kryesisht për fajin e tij, kanë rrjedhur shumë vite. Ka ndryshuar koha, janë tjetërsuar njerëzit. Si kërpudhat, pas shiut, kanë bujisur e kanë dalë në skenë mentalitete e psikologji të ndryshme. Koha dhe njerëzit (nëse mund të quhen të tillë), u përpoqën të hedhin baltë e ta kamuflojnë ngjarjen e jashtëzakonshme me tise të ndryshme, por asnjëri nuk ka mundur e nuk do të mundet të errësojë, jetën dhe veprën monumentale të të lindurit për të fluturuar, “shqiponjës” – Niko Selman Hoxha. Nikua është e mbetet “binjak” me aviacionin luftarak shqiptar, i cili, sot është katandisur, siç e dini.
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, në Tiranë, më 21 janar 2023
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.