(Kujtime)

Ishte fundviti 1982. Në veriperëndim të vendit, në rajonin e Hotit dhe në malin e Velecikut punonte një „brigatë“ me ushtarë që kishin plotësuar kohën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe dolën vullnetarë për të punuar një muaj pas kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, për të kontribuar në punimet për fortifikimin e mbrojtjes. Ata hapën transhe, në një terren të thyer e shkëmbor. „Brigata“ e improvizuar kishte në përbërje 3 batalione: Njëri i Regjimentit të Gjadrit; një tjetër i Regjimentit të Rinasit, dhe i treti, me ushtarë të Regjimentit të Qytetit „Stalin“. Ishte dhe një kompani me ushtarë të Regjimentit të Helikopterëve dhe të Skuadriljes së Transportit Ajror; të miksuar. Në këtë „brigatë“ bënin pjesë 1500 ushtarë „të liruar“ dhe rreth 150 oficerë (kryesisht nga radhët e kandidatëve për anëtarë partie); shefat e xhenios të regjimenteve të aviacionit, të cilët drejtonin punimet dhe shtabi i „Brigatës“, me të gjitha shërbimet.

Më caktuan komisar të këtij aksioni delikat e me përgjegjësi të madhe. Meqenëse isha zëvendëssekretar funksionar i Komitetit të Partisë së Aviacionit, përfaqësoja këtë komitet. Komandant i aksionit ishte kuadri Hysen Birçe, në atë kohë, shef i përgatitjes fizike të aviacionit shqiptar dhe komandant i Poligonit të Aviacionit. Mjek i aksionit u caktua dr. Lefter Yzo, i cili, në atë kohë kryente detyrën e Shefit të Shëndetësisë së Regjimentit të Gjadrit dhe të tjerë kuadro drejtues.

Efektivat e aviacionit pjesëmarrës në këtë aksion, rrëmuan transhe në një terren malor – të gurtë. Puna ishte e rëndë dhe terreni tejet i vështirë. Çdo ditë kryheshin rreth 500 plasje me mina. Kushtet e jetesës dhe të ushqimit ishin, krahasimisht më të dobëta se ato që lanë në repartet përkatëse. Karakteristikë e përgjithshme ishte shkalla e lartë e entuziazmit të njerëzve dhe gatishmëria e tyre për të përballuar çdo sakrificë e privacion. Ndoshta motivet nxitëse ishin të atilla sa prevalonin vështirësitë.

Fakti që djemtë e kishin kryer me sukses shërbimin e detyrueshëm ushtarak i cili mbahet mend gjatë gjithë jetës dhe, pas aksionit do të shkonin pranë familjeve ishte njëri nga motivet nxitës. Dikush, i cili kishte lënë në fshat të dashurën ose të fejuarën, ndonjëri edhe bashkëshorten e fëmijët të cilët do t’i takonin, me mall, tashmë më të rritur, ishte një motiv tjetër i fortë.

Në tërë atë punë voluminoze e me rrezikshmëri të lartë nuk na ngjau asnjë aksident apo premisë për ngjarje të jashtëzakonshme. Kujdesi për jetën e djemve 20-vjeçarë dhe masat e sigurisë teknike ishin në shkallën më të lartë të mundshme. Gjatë asaj pune vetëmohuese dhe voluminoze ku punohej gjatë gjithë ditës; nga mëngjesi derisa binte errësira e mbrëmjes, u plagos lehtë në dorë, nga ciflat e gurëve, një ushtar aksionist nga kompania e Farkës. Shefat e xhenios të reparteve të aviacionit, si specialistë të mirëfilltë ishin në „timon“ të punëve. Ata i drejtonin proceset e hapjes; të mbushjes; të ndezjes dhe të plasjes së minave, drejtpërdrejt. Kandidatët për anëtarë partie, falë reputacionit që kërkonin të merrnin, udhëhiqnin, kudo, me shembullin vetjak.

Ata ishin përherë në ballë të aksionit.

Gjatë ditëve të aksionit u përballëm me një rast fatkeq, të cilin, mendoj se e zgjidhëm siç na përkiste dhe siç e donte puna. Ishte rast fatkeq e tepër i dhimbshëm. Ushtarit Rrok Gjoka, efektiv i Regjimentit të Gjadrit, nga fshati malor Kalivaç i rrethit të Lezhës iu nda nga jeta Nëna. Dhimbje dhe trishtim i madh për Djalin, për familjen e tij, për fisin dhe për të gjithë ata që e ndjenë ikjen e Saj. Merreni me mend sa dhimbje i shkakton vdekja e Nënës, një djali të ri 20-vjeçar, gjatë kohës kur Ai ndodhet në Ushtri, duke kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Përafërsisht edhe kur tjetri është i linçuar, në burg, ose kur ndodhet larg familjes në kurbet, dhimbja është më e madhe.

E pleqërova këtë ndodhi fatkeqe me komandën e me shtabin e aksionit si dhe me drejtuesit e Regjimentit të Gjadrit e së bashku vendosëm ta përcillnim djaloshin në fshatin e tij të lindjes, në Kalivaç të Lezhës, për t’u ndodhur pranë të tijve e për të përcjellë Nënën në banesën e fundit. Do të ishte tepër e rëndë sikur Biri të mos t’i hidhte një dorë dhe asaj që i dha jetën dhe e bëri aq. Siç dihet, rruga që duhet të përshkonim ishte e largët; terreni i thyer, malor dhe dimër. Nuk mund ta linim të vetëm djaloshin të shkonte në fshatin e tij në atë gjendje shpirtërore të rrënuar. Po ta bënim këtë, dhimbja e birit të asaj nëne do të ishte më e madhe dhe rreziqet të shtuara. Nuk do të ishte as burrërore.

Të tjera tradita ka populli ynë, i cili nuk e lë tjetrin të vetëm, si në gëzim, ca më tepër në fatkeqësi. Kësisoj, vendosëm, kolegjalisht të çonim një dërgatë, për të shoqëruar Rrokun në Kalivaç të Lezhës, në këtë fatkeqësi të rëndë që e kishte pllakosur. Barra morale e përgjegjësisë binte mbi mua. Përgjegjësia ligjore, sipas hierarkisë - gjithashtu. Si më të afërm të tij, në batalion e në regjiment u gjykua që në dërgatë të ishte komandanti i tij, oficeri Abdurrahman Arseni Shehu, nga fshati Dames i rrethit të Tepelenës. Ushtari i liruar – Fran Lleshi nga Lezha i cili ishte shok i Rrokut dhe sekretar i rinisë, u gjykua si njeri me shumë vlera në këtë dërgatë.

Së bashku me ushtarin fatkeq, u bëmë katër. Për të përshkuar atë rrugë malore, në mes të dimrit, kërkohej një mjet i fuqishëm e i sigurt. Dinim se rruga, deri në fshatin Ugrej, ishte me taban të fortë e të ngjeshur dhe e kalueshme nga mjetet, kurse më sipër, duhet të rrugëtonim rrugë e pa rrugë, nëpër gjurmët e rrotave të makinave të rënda që transportonin truba. Meqenëse kërkohej një makinë e fortë dhe e sigurt, u vendos t’i drejtoheshim komandës së Regjimentit të Gjadrit, për të shfrytëzuar makinën e tyre të tipit Bc, të re e në gjendje të mirë teknike. Ishim 4 vetë, të gjithë të rritur. Komanda e Regjimentit të Gjadrit u dëftua mjaft humane dhe dashamirëse, për rrjedhojë nuk e bëri fjalën dysh.

Nuk ishim gabuar. Deri në Ungrej udhëtuam të qetë e të sigurt. Po më sipër? Djali fatkeq ishte banor i këtyre anëve dhe e njihte mirë rrugën dhe terrenin. Ky ishte njëri nga faktorët kryesorë që na siguronte se nuk do ta humbisnim orientimin në atë pyll me drurë të lartë ku rrallë ndeshje mjete dhe njerëz. Shoferi i makinës ishte nga më të përgatiturit e parkut automobilistik të Regjimentit të Gjadrit, i ri e i fuqishëm dhe mjeshtër në profesion.

Nga Hani i Hotit u nisëm herët në mëngjes, me qëllim që ta kishim ditën përpara, të arrinim në kohë në fshatin ku kishte ngjarë morti dhe të mund të ktheheshim, në mbrëmje, në Vendin ku ishte fushimi i trupave tona. Pas Ungreit, makina jonë rrëshqiste sa majtas, sa djathtas, nëpër gjurmët që kishin lënë makinat e transportimit të trubave. Vende-vende na duhej të zbritnim nga makina, për ta lehtësuar atë e për ta shtyrë. Mbërritëm në Kalivaç dhe në shtëpinë ku kishte ngjarë morti pa ardhur mesdita. Djaloshi, të cilit i kishte vdekur Nëna, u tregua në lartësinë e karakterit burrëror të malësorëve të këtyre anëve. Ai, e mbuloi dhimbjen për Nënën brenda vetes e nuk e lëshoi veten as kur e gjeti Nënën të pajetë, të shtrirë në mes të shtëpisë, e rrethuar nga malësorë, shumicën e të cilëve i njihte, por kishte dhe nga ata që nuk i kishte parë kurrë në shtëpi.

Ushtar Rroku, me moshë adoleshenti, na shpalosi, hapët, karakterin tipik të malësorit shqiptar, i cili nuk tutet përpara asnjë rrethane.

Nuk më kujtohet, cili nga ne të dërgatës hyri i pari në atë shtëpi, por mbaj mend se, për të na nderuar siç i nderuam, edhe pse vajtëm pa i njoftuar më parë (në atë kohë nuk kishte telefone celulare), dikush, i ngarkuar nga familjarët e të ndjerës, na priti në oborrin e shtëpisë. Xhenazen e kishin vendosur, pa arkmort, në mesin e shtëpisë njëkatëshe. Familjarët, burrat e fisit dhe të ardhurit, sipas traditës vendore e kishin rrethuar të ndjerën. Banorët e këtij fshati janë të besimit ortodoks, katolikë.

Pa e prekur të ndjerën, duke zënë vendin që më rekomandoi burri që drejtonte atë ceremoni mortore, iu drejtova atij që ishte në krye dhe nëpërmjet tij, gjithë sa ishin të pranishëm, me fjalët: „A jeni mërzitë?“ Dhe më pas: „U dhashtë Zoti kivetin!“ Dhe: „Shëndoshë ju!“ Të pranishmit, sikur të ishin në një kor, u përgjigjen: „Ju faleminderes; për të mirë ua shpërblefshim!“ Këto fjalë, i mësova nga banorë vendas, njerëz të traditës, para se të shkonim në shtëpinë ku kishte ngjarë morti. Nuk di nëse fjalët që thashë ishin apo jo ngushëlluese dhe sipas traditës, por vura re se të pranishmit i mirëpritën ato e nuk shkaktuan reagim të kundërt.

Unë dhe Abdurrahmani jemi jugorë; fjalët ngushëlluese, me patjetër që janë të ndryshme edhe pse brendia është e njëjtë. Shoqëruesit, Abdurrahmani dhe Frani, përsëritën të njëjtat fjalë. Burri që ishte ngarkuar të drejtonte mortin, sipas Kanunit, si për të vijuar bisedën e nisur, pas fjalëve ngushëlluese, më pyeti: „Nga të kemi, or mik?“

„Nga Kalivaçi“, gjegja unë, jo pa krenari! Të pranishmit, sikur të ishin befasuar nga kjo përgjigje, lëshuan një ofshamë: „Ua. A.a.a“, sikur t’i kisha kapur në befasi. Sqarova: „Unë, vërtet jam nga Kalivaçi, por jo nga fshati juaj; jam nga Kalivaçi i Tepelenës!“ Sikur të ishin çliruar nga një siklet i madh, dëgjova prej tyre, një „Uf.f.!“ Shprehje, e cila, në një gjuhë të huaj do të përkthehej: „Shyqyr!“

Nëpërmjet ofshamës së mësipërme që dëgjova, sikur u shkundën ata burra si lisa. I pari i tyre na bëri me dije se, sipas traditës së hershme duhet të qëndronim në drekën mortore. „Është e pamundur“, thashë! Prerazi. U rrëfeva dhe shkakun: „Në Hanin e Hotit më presin diçka më tepër se 1500 vetë. Jo se ata nuk bëjnë dot pa mua, por se nuk më lë meraku mua për ta. Ndjej përgjegjësi të thellë për mbarëvajtjen e këtij aksioni“. Detyra më kërkon të ndodhem atje. Dhe vijova: „Djalin tuaj mbajeni sa të dojë Ai e sa të doni Ju; Sekretari i rinisë dhe komandanti i Tij, të qëndrojnë sa të varroset e ndjera e të vijnë në vendfushimin e njësisë vullnetare“. Në fytyrat dhe në sytë e tyre vura re një kontradiksion. Ata ishin të kënaqur që u shkelëm derën e shtëpisë kur ndjenin dhimbje, por mbetën të pakënaqur kur mësuan se do të largohesha, pa ngrënë drekën mortore. Gjithashtu ndjeva kënaqësi kur pashë një çiltërsi të jashtëzakonshme tek ata burra, të cilët, ftesën e kishin me shpirt, jo sa për të kaluar radhën.

U ngrita e iu drejtova derës së dhomës. I pari i burrave, u çua në këmbë, në shenjë nderimi. Pas tij dhe ata që ndodheshin në dhomë. Duke dalë, i përshëndeta burrat, me fjalët: „Ju ardhshim për të mira e në gëzime mbas sodi!“ Dhe, si për ta bërë më të plotë ngushëllimin, me disa fjalë optimiste, të cilat përdoren rëndom në fshatin tim e më gjerë në këto raste: „Qyç e liga!“ Ndoshta nuk e kuptuan si duhet të gjithë atë që thashë, por vura re se mbetën të kënaqur nga ato që dëgjuan.

Më përcollën me nderim. Pas meje erdhën ata që më shoqëronin. Disa vendas, në numër 4 - 5 vetë, të cilët u prezantuan dhe rezultoi se ishin nga të „elitës“ së fshatit, më shoqëronin në atë mort. Ata shfrytëzuan vajtjen në atë familje për të bërë ngushëllime, sipas traditës vendase. Pati dhe të tjerë, të cilët qëndruan më larg. Edhe ata ngushëlluan por nuk u prezantuan.

Ndoshta ashtu e kishin urdhrin e ashtu ua donte puna. Një mesoburrë, nga ata që më shoqëruan, më pyeti: „Ku do të drekojmë?“ „Në Ungrej“, u përgjigja, „në mensën e punëtorëve“. Vendasit që më shoqëronin, si njerëz bujarë e të traditës, me siguri që e kishin porositur drekën. Këtë e vura re dhe në gatimet e veçanta e me shije me të cilat u servir dreka jonë.

Rruga, nga shtëpia ku kishte ngjarë morti, për të dalë tek rruga zbritëse, kalonte në një si luginë të ngushtë, siç ishte vetë rruga e fshatit e asaj mëhalle. Në këtë rrugë, ku kalonin vetëm këmbësorë e ndonjë kalorës, u shkëmbyem me një grua të moshuar. Ajo ecte e drojtur dhe herë vështronte udhën e herë dërgatën tonë. Ndoshta mendonte: „Po këta njerëz, disa nga të cilët nuk i njoh; mes tyre ka dhe ushtarakë, me uniformë plot me lulka e bulka; çfarë lidhjesh mund të kenë me këtë familje të thjeshtë fshati?“ Ajo e kishte të vështirë të pyeste, mbasi ashtu e donte zakoni i vendit. Pyeta burrin që më rrinte më afër: „Kush mund të jetë ajo grua, e cila ecën si e trembur?“

„E njoh unë“, tha burri; „ajo është motra e Gjon Marka Gjonit, kapedanit të Mirdites, është e martuar në këtë fshat, në mëhallën atje tej“, e më dëftoi me dorë një grup shtëpish, në fund të „bishtit“ të kodrës.

Burri që më shoqëronte nga afër, ishte me moshë rreth të pesëdhjetave; nga artikulimi, m’u duk i shkolluar. Mora guximin dhe e pyeta: „Diku kam lexuar se Gjoni i Markajve ka qenë nga i njëjti fis, me luftëtarin e lirisë - Bardhok Biben; si është e mundur kjo?“, i thashë. „E di unë këtë, – tha burri, – se i kam njohur, të dy, si para Luftës së Dytë dhe gjatë saj“ dhe vijoi: „Ata, vërtet ishin nga i njëjti fis, por teksa Bardhok Biba ishte nga gjak i pastër; Gjoni i Markajve ishte nga gjak i prishur“. Çudi e madhe; dy kushërinj të afërt; njëri ekstremist i majtë; tjetri i djathtë i bindur. Sa e sa raste numëron Lufta e Dytë Botërore, në vendin tonë, madje dhe në fshatin tim të bekuar, vijova unë, bisedën me „mikun e atij rrugëtimi“. „Meqenëse e paske njohur personalisht Bardhokun; çfarë mendimi ke për Të?“ E Ai më ktheu përgjigjen: „Bardhok Biba ishte nga ata njerëz, për të cilët të merr malli t’i takosh!“

E hapi grykën e thesit „miku“ im, mendova me vete. Siç kuptova, Ai ishte sekretar partie.

Zbritëm në Ungrej ku drekuam këndshëm. Në mensën e punëtorëve, me porosi, ishte përgatitur një drekë e veçantë. Mishi i gicit të pjekur ishte kryepjata e atij vakti. Në mbrëmjen e asaj dite u ktheva në Hanin e Hotit, në krye të detyrës. U ngjita në fshatin Kalivaç të rrethit të Lezhës, për mort, por më doli plot; mësova gjëra të cilat ndoshta nuk do të kisha rast t’i mësoja gjatë gjithë jetës. Qasja e atyre malësorëve fisnikë dhe të besës, më bëri me borxh; ata më mësuan një tjetër shkollë, me vlerë të cilën është e vështirë ta gjesh në vend tjetër.

Në Tiranë, më 20 tetor 2022. Shkroi Niazi Xhevit Nelaj