Është ditë fluturimi. Grupi Ajror është rreshtuar dhe janë dhënë udhëzimet e fundit për fluturim nga komandant Bardhyli. Moti nuk duket aq premtues për fluturim për detyrat për të cilat janë përgatitur pilotët.
Ndërkaq pilotë, teknikë e specialistë janë shpërndarë e presin rezultatet e kontrollit të motit për fluturim, që do të kryhet nga komisari i Grupit Ajror, Hazbi Serani. Ai është ngritur në ajër që prej disa minutash me një aeroplan dyvendësh, „sparkë“ siç e quajmë në gjuhën e aviacionit.
Pas pak, me radio, Hazbiu lajmëron se kushtet meteorologjike nuk janë të përshtatshme për fluturim. Dhe vërtet, me kalimin e kohës qielli po mbushet gjithnjë e më tepër me re, sidomos në drejtim të lindjes ato po vijnë duke u ulur në lartësinë e poshtme të tyre.
Pilotët, të mërzitur, bisedojnë midis tyre dhe shprehin pakënaqësinë sepse është e dyta ditë radhazi që nuk fluturojnë.
Ndodhem me plot shokë pilotë afër Sokratit, komandantit të skuadriljes sime, kur ky i fundit, si gjithmonë organizator ndeshjesh futbolli ose volejbolli, sipas stinës, thotë me zë disi të lartë që të dëgjojnë të gjithë: „Ej, djema, do e bëjmë një futboll sot?“ Natyrisht që të gjithë janë dakord dhe nisemi për tek „brezi jeshil“ i uljes, në krahun e pistës së betonit të ngritje-uljeve, ku sajojmë dy porta.
Ndahemi shpejt e shpejt në dy skuadra. Unë si gjithmonë, „për dreq“, ndodhem në skuadrën kundër Sokratit. Kjo më ndodh përherë edhe kur luajmë volejboll. Kundërshtarë në lojë, por shumë të afërt në fluturim. Nga Sokrati, që është rreth dhjetë vjet më i madh se unë, me një përvojë të gjatë e të suksesshme fluturimi, kam mësuar shumë jo vetëm për fluturimin, por edhe në aspekte të tjera të jetës në repart. Veç kësaj edhe shërbimin e „çiftit roje“ e bëjmë gjithnjë bashkë; jam prej kohësh shoqërues i tij i pandarë.
Loja vazhdon prej minutash të tëra e shpejtë, nganjëherë e ashpër; është shënuar nga një gol për secilën skuadër, kur një top godet në krahun e njërit prej mbrojtësve kundërshtarë të Sokratit. Ky i fundit bërtet: „Ndalo lojën, ndalo lojën, është penallti!“ Loja u ndërpre. Kundërshtarët e tij nuk pranojnë. I afrohem dhe përpiqem ta kundërshtoj: „Topi goditi tek krahu kur ai ishte ngjitur me trupin“.
Por ai s’pranon duke bërtitur: „U bëre ti buzëqumësht të më mësosh mua, ishte penallti që ç’ke më të!“ Ndërkaq merr topin dhe e shqelmon fort andej nga pista e betonit. „Luani tani po deshët“, thotë dhe shkon të marrë rrobat e tij për të ikur. Loja mbaron këtu. Të gjithë drejtohemi për tek rrobat. Bëj dhe një përçapje për ta qetësuar, por më thotë: „Flamur, afrohu pak këtu; do vish të më kërkosh leje për të shkuar në Korçë ti!?“ Më prek në një pikë delikate. Si beqar kam dëshirë që herë pas here të shkoj të shoh prindërit dhe të afërmit.
Por nuk shqetësohem aspak, sepse e di që është personi më zemërbardhë dhe i arsyeshëm që kam njohur dhe ato çfarë tha pak më parë janë një shfryrje e çastit.
Marr dhe unë rrobat e drejtohem bashkë me shokët për tek çezma me ujë të ftohtë „tek oksigjeni“, ku lahemi gjithmonë pas ndeshjeve. Pas pak, të freskuar nga uji i ftohtë, fillojmë si përherë shakatë me njëri-tjetrin sikur nuk ka ndodhur asgjë disa minuta më parë. Ndodhem përsëri afër tij: „Do e bëjmë një shah?“, i them. Buzëqesh, më hedh një shikim me vetullat lart: „U bëre ti buzëqumësht të luash shah me mua?“ Pastaj: „Flamur, nesër kemi shërbimin e çiftit roje, ti gjumash, se mos vonohesh si herën e kaluar“.
……………
Zilja e orës së tavolinës që tingëllon fort më zgjon. Ora tre e gjysmë e mëngjesit. Duhet ngritur e nisur aq shpejt sepse shërbimi i çiftit roje fillon që në agim dhe mbaron një orë pas perëndimit të diellit. Në ato ditë qershori agimi fillon shumë herët. Lahem e vishem shpejt e shpejt dhe vrap nëpër shkallët e Shtëpisë së Oficerëve ku banojmë ne beqarët, pilotë e teknikë.
Autobusi i vogël me një ngjyrë gri të çelur pret tek vendi i përhershëm. Të gjithë pjesëtarët e shërbimit kanë ardhur. U them mirëmëngjes dhe ulem në një nga ndenjëset. Të gjithë më përgjigjen me mirëmëngjes ndërsa Sokrati: „Mirë, sot më mirë se herën e shkuar, ke bërë përparime“, dhe qesh me atë të qeshurën e tij karakteristike. Autobusi niset. Askush nuk flet.
Pas disa minutash jemi tek „çifti roje“. Një nga një zbresim të gjithë dhe drejtohemi tek dy aeroplanët e shërbimit të cilët ndodhen vetëm njëzet ose tridhjetë metra larg nga ndërtesa ku pushon efektivi i shërbimit. Teknikët fillojnë heqjen e mbulesave, ndërsa Sokrati dhe unë, secili në aeroplanin e tij, fillojmë kontrollin e zakonshëm të aeroplanit. Mbas këtyre veprimeve, secili sipas dëshirës, dikush ka marrë një libër apo revistë e lexon, dikush shtrihet në krevat për të pushuar. Mua „nuk më lejohet“ asnjë nga këto: „Bëj gati shahun, sa të vij unë!“ Vendos gurët e shahut dhe pres. Sokrati vjen shpejt: „He, si dukesh sot, je përgatitur ndonjë çikë apo jo?“ Unë qesh e i them: „Ec pa do e shohësh sot!“
Ai ma kthen: „Lëre, mos e pyet, e kur ke fituar ndonjëherë me mua ti?“
Koha kalon. Në orën shtatë vjen gjithë efektivi.
Sot është ditë stërvitjeje në tokë, kështu që të gjithë shkojnë në klasa e vende stërvitjeje. Vetëm ne mbetemi te „çifti roje“. Është e disata lojë, por Sokrati „nuk ngopet“ me fitore.
Aty rreth orës dhjetë tingëllon fort zilja e alarmit. Vrapojmë të gjithë tek aeroplanët. Sokrati tek i tiji, unë tek imi. Futem në kabinë, vendos shlemafonin, takoj spinat për t’u lidhur me radion; me ndihmën e teknikut lidh rripat e parashutës, pastaj ato të ndenjëses; ndez radion. Mendoj se do jetë një alarm i rremë, siç ka ndodhur shumë herë, por jo, pas pak vjen në kufje zëri i drejtuesit të vendkomandës: „70-ta dhe 73-shi, ndizni motorët, do ngriheni në ajër sa më shpejt!“ Zbatojmë urdhrin.
Pas pak Sokrati lëviz me shpejtësi në drejtim të pistës. Mua më pengon makina e lëshimit së cilës i është fikur motori. Mblidhen teknikë e ushtarë, e shtyjnë fort dhe më lirojnë rrugën. I jap gaz motorit dhe lëviz sa më shpejt për tek brezi i ngritjes.
Në fillim të tij nuk ndaloj, siç është rregulli, por shtyj dorezën e gazit deri në fund për të fituar kohën e humbur. Aeroplani vrapon. Në shpejtësinë e duhur ngre rrotën e parë dhe pas pak ai shkëputet nga toka. Mbledh rrotat dhe shikoj për Sokratin. E shoh diku përpara lart duke u rrotulluar majtas. Filloj të rrotullohem edhe unë majtas me anim më të madh për „t’i prerë rrugën“, për ta arritur sa më shpejt.
Pas pak ndodhem afër tij, në krahun e djathtë. Vazhdojmë të marrim lartësi. „70-ta, merrni kursin 160 gradë“. Vazhdojmë në këtë kurs derisa kalojmë kodrat e Terpanit. Moti duket i mirë por vende-vende në qiell duken re të bardha grumbullore. Mali i Tomorrit dhe ai i Shpiragut janë të mbuluar me re të tilla që ngjiten lart deri katër-pesë mijë metra. Vjen urdhri tjetër „kthehuni në drejtim të aerodromit“, dhe pas pak kur ndodhemi aty, gjithmonë në katër mijë metra, „Nisuni në drejtim të 38-es“, d.m.th. Fierit.
Kur kemi kaluar qafën e Sqepurit dëgjoj zërin e Soktratit në kufje „Unë 70-ta e shikoj ‘Sorrën’“. Në kodin tonë të radios kështu quhej objekti i huaj. Siç duket një emocion i natyrshëm në një rast të tillë tepër të veçantë, e bën Sokratin që të lëshohet poshtë me aeroplanin e tij, në humbje të shpejtë lartësie.
Pas tij edhe unë. Përpiqem të shoh edhe unë „Sorrën“, dhe ja ku shfaqet diku përpara-poshtë, në lartësi të ulët, një aeroplan i vogël, me dy motorë me helikë. Duke humbur lartësi e duke iu afruar vë re që është një aeroplan gjashtë ose tetëvendësh që ka një diçka që s’e kam parë kurrë më parë, motorët i ka të vendosur mbrapa krahëve, d.m.th. që helikat krijojnë forcë shtytëse, jo tërheqëse si në të gjithë aeroplanët e tjerë me motorë me helikë. Për arsye të shpejtësisë së tij shumë të vogël, ndoshta 180 apo 200 kilometra në orë, e parakalojmë me shpejtësi relativisht të madhe sepse ne, me aeroplanët tanë, nuk mund të fluturojmë me shpejtësi më të vogël se 350 kilometra në orë; megjithatë dallojmë fytyrat e habitura apo të trembura të njerëzve brenda tij. Rrotullohemi energjikisht majtas për të bërë një gjysmërreth e për t’u afruar përsëri tek ai.
Ndërkaq pyetjes nga vendkomanda „Çfarë objekti është?“, Sokrati i përgjigjet: „Është një aeroplan i vogël civil, dymotorësh me helikë, nuk ka asnjë shenjë apo flamur të ndonjë shteti, ka në trup vetëm një numër gjashtëshifror“. Sokrati vazhdon fluturimin energjik duke harruar që jam edhe unë dhe që përpiqem të mos i ndahem e të ruaj vendin në formacion, gjë që e bëj me shumë vështirësi.
Ndërkaq aeroplani i huaj po i afrohet Fierit. Gjatë parakalimit të dytë, kur Sokrati ndodhet gati ngjitur me të, i bën me shenjë me dorë dhe duke e anuar aeroplanin në drejtim të tij, që të kthehet.
Por gjatë rrotullimit përsëri majtas vëmë re që ai vazhdon me këmbëngulje rrugën e tij pa iu bindur paralajmërimeve tona. Sokrati raporton: „‘Sorra’, pavarësisht nga veprimet tona, vazhdon rrugën e tij.“ Në kufje dëgjohet urdhri i Vendkomandës Qendrore në Tiranë: „70-ta në asnjë mënyrë nuk do të mbushni armët; në asnjë mënyrë nuk do të hapni zjarr“.
Kur afrohemi herën e tretë, vë re që helika e motorit të majtë rrotullohet me xhiro fare të vogla; d.m.th. atyre u është fikur motori i majtë dhe helika rrotullohet si rezultat i veprimit të ajrit. Ndërkaq zvogëlon akoma më tepër lartësinë gjë që ne na vështirëson akoma më shumë manovrimin. Vendkomanda jonë përsërit urdhrin e asaj qendrore për të mos qëlluar kundër objektit të huaj.
Vazhdon rituali: parakalojmë, rrotullohemi, përsëri parakalojmë dhe aeroplani i huaj vazhdon rrugën e tij pa iu bindur shenjave tona për t’u kthyer e ulur në aerodromin tonë; kalon mbi Vlorë, drejtohet për tek cepi i Karaburunit, mbi det, dhe kur e kalon atë kthehet majtas e vazhdon rrugën përgjatë bregut të detit. Duke qenë se Karaburuni mbulohet nga një re e stërmadhe që ngrihet lart dy apo tre mijë metra, detyrohemi që mbas parakalimit të rrotullohemi djathtas, mbi det, gjë që na vështirëson akoma më shumë fluturimin e manovrimin në lartësi aq të vogël. Tashmë për arsye të lartësisë shumë të ulët dhe Karaburunit humbasim valët e radios dhe s’kemi asnjë lidhje me tokën.
Ato bukuri të rralla të atij bregdeti t’i shikosh nga ajo lartësi e vogël do të ishte një kënaqësi e veçantë, por ne gjithë vëmendjen e kemi tek objekti dhe manovrimi.
Kështu vazhdojmë deri afër Himarës, kur dëgjojmë në kufjet tona zërin e një prej pilotëve tanë, ngritur me urgjencë në lartësi mbi aerodrom që transmeton urdhrin e vendkomandës: „Ndërprisni detyrën, kthehuni në bazë.“
Marrim rrugën e kthimit duke marrë lartësi. Unë kam zënë vend si gjithmonë, në krahun e djathtë të Sokratit. Shoh profilin e fytyrës së tij; i kredhur në mendime. Me siguri mendon „Si na iku, çfarë duhet të bënim?“ Me siguri i vijnë ndër mend disa raste në të shkuarën kur aeroplanë të huaj ushtarakë kanë shkelur hapësirën tonë ajrore dhe janë detyruar nga kolegët tanë të ulen në aerodromet tona.
Por në fakt, ky yni ishte një rast tepër i veçantë: ishte aeroplan civil i cili, me sa duket, për shkak të motit të keq kishte humbur orientimin dhe s’dinte ku shkonte, prandaj mori rrugën drejt brigjeve të Adriatikut. Pastaj, nuk përbënte asnjë rrezik, apo kërcënim për objektet tona. Ç’duhej bërë për ta ndalur? Kish vetëm një mënyrë: t’i zbrazje një breshëri predhash në trup e ta rrëzoje në tokë, gjë e cila mund të bëhej fare kollaj nga ne kundër një objekti si ai që fluturonte me shpejtësi aq të vogël dhe që nuk bënte asnjë lloj manovrimi.
Por a do të kishte kuptim një veprim i tillë, të vrisje njerëz të pafajshëm?!
Sokrati nuk duket aspak i qetë. Diku mbi Gjirin e Vlorës shoh shpejtësinë: 350 kilometra në orë. Ai pa vëmendje kishte zvogëluar shpejtësinë tek minimalja. I them me radio: „70-a shto shpejtësinë“. Kthen kokën nga unë, më shikon me një vështrim të turbullt, „i bie kokës me grusht“ si të më thoshte: „Si na iku?“ Atë sedra s’e linte rehat për gjëra të vogla e jo për një rast të tillë që të ndodh vetëm një herë në jetë. Vazhdojmë fluturimin drejt Vlorës, pastaj jemi mbi Fier dhe më tej drejt aerodromit. Treguesi i karburantit tregon se fluturimi i ulët dhe me kthesa energjike të shoqëruara dhe me gaz gati maksimal, na kishte harxhuar shumë karburant.
Por ja ku ndodhemi mbi aerodrom. Shpërndajmë formacionin për të shkuar njëri pas tjetrit në ulje.
Secili veç e veç, në largësi nga njëri-tjetri, lëshojmë rrotat dhe më pas flatrat dhe ulemi në atë pistë nga ku ishim ngritur me alarm disa dhjetëra minuta më parë.
Kur arrij, ngadalë-ngadalë, tek vendqëndrimi i aeroplanëve, tashmë Sokrati ka zbritur nga kabina; e shoh të rrethuar nga pilotë, teknikë e specialistë të cilët, natyrisht, duan të marrin vesh sa më parë ç’ndodhi gjatë fluturimit. E njëjta gjë ndodh edhe me mua, sapo zbres nga kabina. I emocionuar përpiqem t’u shpjegoj ashtu si mundem për gjithçka ndodhi.
Pas pak të dy ndodhemi tek „çifti roje“ në mes të të gjithë pilotëve të cilët kishin ndërprerë stërvitjen. Të gjithë diskutojnë për ngjarjen. Gati të gjithë na japin të drejtë për veprimet e kryera gjatë fluturimit. Dikush me të qeshur thotë: „Ju dha rasti, por s’e varët dot nga një medalje në gjoks“.
Nuk kalon shumë dhe në sallën e mbledhjeve, mblidhet Grupi Ajror. Në fillim raporton Sokrati për gjithçka ndodhi në fluturim. Pastaj diskutuan disa pilotë dhe më në fund komandanti. Të gjithë bënë vlerësime pozitive për veprimet tona në atë fluturim aq të veçantë.
Do të kalojnë vite të tjera përvoje fluturimi për Sokratin, si pilot dhe komandant, por atë fluturim ai do ta kujtojë shumë herë, dhe në biseda intime me shokë do të shprehë pengun që i ka mbetur, që nuk ia ndërpreu fluturimin dhe nuk e uli në aerodromin tonë atë aeroplan të huaj.


I perulem kolegut Flamur Pupa, atij njeriu te mire e pilot i " shkelqyer, i cili na solli ne kujtese njerin nga pilotet me te spikatur e njeriun e njerezishem Sokrat Prifti.Nuk behet fjale te shkruash mire per ata qe jane ndare nga jeta. Jo e jo; Sokrat Prifti e meriton plotesisht lapidarin e kujteses qe ka shkruar Flamur Pupa, per te. Iliri,i biri i Flamurit dhe kushdo qe ben perpjekje per mos ta harruar ate njeri , me Nj. te madhe , Sokratin tone te dashur e shume te respektuar, lavdi pacin! Sokrati u shkri per vendin e tij dhe per aviacionin , te cilin e donte aq shume. E ndjejme mungesen e tij e do ta ndjejme me shume , ne te ardhmen. Pinjollet e tij dhe njerezit e mire , si Flamur pupa , te cilet akoma i gjejme me shumice mesiguri do ta skalitin figuren e Sokratit , ne te gjithe gamen e jetes se tij. I paharruar qofte njeriu e piloti i mire Sokrat Prifti!