Talent në fluturim; human, kurajoz e i pamposhtur, në jetë
(Monografi, kushtuar pilotit të klasit të dytë, të paharruarit Thanas Lili Papa)
Portretin e pilotit, ma do mendja se e ka përcaktuar më saktë – Iosif Visarionovic Stalini. Gjeniu i Revolucionit të Tetorit dhe strategu i fitores së popujve mbi fashizmin, duke folur mbi këtë temë, ka theksuar: “… Pilot, do të thotë: koncentrim vullneti, karakteri dhe aftësie për të shkuar në rrezik…”!
Historia e aviacionit botëror dhe e atij shqiptar është plot me shembuj të cilëve u shkon mjaft mirë për shtat “ky kostum”. Thanas Lili Papa ka qenë i tillë, në të gjithë portretin e tij. Koka e kësaj monografie si “Lapidar i mosharrimit të tij”, shpresoj se i përngjan sadopak përcaktimit që ka bërë gjeniu i Revolucionit të Tetorit.
Thanas Lili Papën e kam pasur shok grupi, në një kohë të vështirë, kur studionim për t’u bërë pilotë në një vend të huaj dhe kur kishim shumë nevojë për përkrahjen dhe mbështetjen e njëri-tjetrit. Thanasi ishte më i rritur në moshë dhe kishte më tepër përvojë jete e si fluturues; ndaj e kisha idhull dhe udhërrëfyes. I besoja atij njeriu, mbasi më pëlqente karakteri i tij i veçantë. Prandaj e bëra shok e u afrova me të dhe nuk u ndamë, nga njëri-tjetri, derisa vdekja e parakohshme e tij bëri të sajën. Dikur ishim pranë njëri-tjetrit dhe, si shokë të asaj moshe të re, ndanim çdo opinion e çdo shqetësim. Koha dhe fatet ndoqën udhë të ndryshme në jetë, por ne u veçuam vetëm fizikisht, se ashtu rrodhën gjërat, por mbetëm të lidhur me njëri-tjetrin, shpirtërisht dhe ndienim gëzime, reciprokisht, për arritjet e shoshoqit se na bashkonte qëllimi i madh i udhës që nisëm së bashku.
Thanasi na iku para kohe, kur sapo kapi “majat” e profesionit të pilotit, të cilin e donte aq shumë. E tillë është jeta; ajo të pret atje ku dhe kur nuk e pret. Ikja e Thanas Papës nga kjo jetë la shumë shtigje të pambushura. E donte shumë jetën, ai njeri dhe donte ta jetonte atë denjësisht. Si tërë miqtë e shokët e tij të shumtë, edhe unë krenohem që kam pasur fatin e mirë të ndodhesha përkrah një “kolosi” si ai, i cili, atë pak jetë që jetoi, u shfaq me dinjitet dhe bëri e la emër të mirë. Se kush ishte Thanas Lili Papa dhe çfarë bëri ai njeri në jetë, më mirë se kushdo tjetër e dinë ata që kanë punuar e jetuar përkrah tij, si në “ditë me diell” dhe në “kohë me furtunë”.
Ja cili është opinioni i disave syresh:
Viktor Vangjeli
Pilot i klasit të dytë, ish-komisar i Regjimentit “Peza”: “… Thanas Papën e kam njohur, në fund të vitit 1963, në Regjimentin ‘Peza’ të Qytetit ‘Stalin’. Vija nga studimet për pilot në Kinë e ai nga Shkolla e Lartë e Aviacionit, në Vlorë. Të dy, në procesin mësimor, në shkollë kishim fluturuar në aeroplanët reaktivë gjuajtës-bombardues të tipit Mig-15. Ishim të diplomuar pilotë gjuajtës-bombardues dhe ishim titulluar oficerë (nëntogerë). Si të rinj në profesion, kisha kuriozitetin t’i njihja pilotët që kishin mbaruar shkollën tonë të aviacionit. Për fat, të dy na caktuan në të njëjtën skuadrile dhe përgatitjen për fluturim dhe vetë procesin e stërvitjes ajrore, i zhvillonim së bashku. Kur përgjigjej Thanasi, ‘hapja sytë’ dhe thosha me vete: ‘Këta sikur ta kenë mbaruar shkollën e aviacionit, jo për pilotë, por për teknikë aeroplani’. Aq mirë e njihte teknikën ajrore, Thanasi, si konstruksion e si funksionim. Krahasimin e bëja me veten time dhe me shokët e mi të grupit. Ne, në Kinë, mësimet teorike i zhvillonim me përkthyes. Kuptohet; duke përshkuar tri gjuhë (kinisht – rusisht – shqip), nga shpjegimi i pedagogut, deri tek ne studentët vinte fare pak dhe e tjetërsuar. ‘Mielli’ mbetej udhës.
Thanas Papa ishte njeri me vullnet të fortë dhe e donte shumë aeroplanin dhe fluturimin. Ai ishte tepër kërkues dhe korrekt, si në fluturim dhe në jetën e përditshme. Kur bëhej fjalë për zbatimin e instruksioneve dhe rregulloreve të stërvitjes ajrore, Thanasi nuk të falte.
Në fluturim ishte i saktë dhe detyrat ajrore, të çdo lloji, i kryente me pastërti. Vartësve u kërkonte shumë, por, para së gjithash, ai kërkonte nga vetja. Këta ishin disa nga faktorët bazë që mundësuan ngjitjen e shkallëve të karrierës, një nga një e me siguri të madhe. Gjatë gjithë kohës kur fluturoi, Thanas Papa nuk solli asnjë shqetësim. Thanasi e nisi karrierën e fluturuesit nga pozicioni i pilotit shoqërues; u ngjit në detyrën e komandantit të çiftit; atij të zvjenes (katërshes); u emërua zëvendëskomandant skuadrile, pastaj komandant skuadrile dhe së fundi u emërua në detyrën e lartë të zëvendëskomandantit të regjimentit për fluturim. Shpejtësia me të cilën ai ngjiti shkallët e karrierës ishte vërtet e vrullshme, por edhe siguria e tij në fluturim ishte e madhe.
Thanas Papa, pa më të voglën mëdyshje, ishte njëri nga pilotët më të mirë të regjimentit ‘Peza’. Tek ai, pilotët e hidhnin vështrimin dhe Thanasi kishte çfarë t’u dëftonte vartësve.
Thanas Papa ishte dashamirës dhe shumë human. Jo vetëm ai, si person, por dhe bashkëshortja e tij; e mira Marjetë. Ajo ishte farmaciste me emër, më vonë u ngrit në detyrën e shefit të shëndetësisë së rrethit të Beratit, falë kapacitetit dhe aftësive të saj. Të dy, me Thanasin, jo vetëm që ishin të bërë për njëri-tjetrin, por, duke shfrytëzuar njohjen falë statusit të tyre autokton beratas dhe njohjes së psikologjisë dhe mentalitetit të vendasve, kishin shumë reputacion në atë trevë e i kishin dyert të hapura, kudo ku trokisnin. Marjeta dhe Thanasi, një çift i përsosur, me shpirt human, falë detyrave dhe statusit të qytetarit beratas nuk kanë lënë njeri pa ndihmuar, cilido që të ishte; ata ta zgjidhnin problemin, deri në fund. Kur hallexhiu e kishte problemin jashtë rrethit të Beratit, Thanasi bënte të pamundurën për t’i krijuar kushtet tjetrit, duke i dhënë leje deri dhe duke i siguruar mjetin për të lëvizur, në atë kohë të vështirë, kur lëvizja ishte e kushtëzuar dhe e kufizuar.
Thanasi dhe bashkëshortja e tij, Marjeta, dy shpirtra tejet njerëzorë, me dashuri gati hyjnore për njerëzit, e bënin natën ditë, për t’u ndodhur pranë nevojtarëve, si në fushën e mjekësisë dhe në atë ekonomike. Thanas Papa shquhej si kurajoz e qëndrestar, jo vetëm në profesionin e vështirë të pilotit, të cilin e kishte përzgjedhur me dëshirë dhe i qe përkushtuar si rrallëkush. Ai dhe në jetë shquhej si njeri i duruar e me karakter të fortë. Karakteri i tij i palëkundur u vu në provë serioze, edhe në rastin kur rezultoi i sëmurë, nga sëmundje të rëndë dhe të pashërueshme, në muajin mars të vitit 1984.
Në një këqyrje mjekësore rutinë, mjeku gastrolog diktoi se, në organizmin e tij kishte nisur të zhvillohej një proces malinj. Kontrollet e specializuara në Berat e në Tiranë e vërtetuan, plotësisht këtë dyshim. Thanas Papa e donte shumë jetën, dhe kishte prirjen për ta jetuar atë, me nder e me dinjitet njerëzor.
Në muajin prill të vitit 1984, Thanasi mësoi se ishte me sëmundje të keqe, por nuk e dha veten e nuk u ankua kurrë. Ai nuk zuri me gojë asnjëherë sëmundjen që kishte. Në muajin korrik 1984, me kërkesën e tij, dr. Ismail Feta, i bëri një ndërhyrje kirurgjikale, e cila rezultoi si gjithë ndërhyrjet e këtij lloji.
Në gusht të atij viti, shkuam, së bashku me familjet në Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve, në Durrës dhe më 8 tetor të vitit 1984, Thanas Papa ndërroi jetë. Sëmundja e tij u paraqit mjaft agresive e me zhvillim të shpejtë. Vdekja mizore e rrëmbeu nga gjiri ynë, brenda shtatë muajsh nga shfaqja e sëmundjes.
Thanas Papa, të cilin e kisha njërin nga miqtë e mi më të mirë e të afërt, ishte një ‘gjigand’ i vërtetë. Ai e përballoi atë sëmundje të rëndë me shumë dinjitet e me një kurajo heroike. Thuajse çdo ditë, herë unë e herë Harilla, dilnim, në Berat, për të pirë kafe. Si nuk e dëgjova një herë atë njeri të zinte në gojë sëmundjen që kish.
Ai i përballonte ato dhimbje të forta, pa ia dëgjuar njeri rënkimin. Nga qëndresa e tij e pashoqe, nuk u habitëm vetëm ne, shokët dhe miqtë e tij, por dhe mjekët, të cilët nuk kishin parë një qëndrestar të tillë. Ai gjithë natën duronte ato dhimbje të pazakonta dhe ditën, për të ndryshuar mjedis dhe me tendencën që të gjendej pranë njerëzve, vinte në repart. Ndihej mirë midis njerëzve, ai ‘mbinjeri’. I donte e i respektonte shumë njerëzit, Thanas Papa. Edhe ata e donin dhe e respektonin, gjithashtu.
Thanasi ngazëllehej, kur vështronte aeroplanët, në ajër dhe dëgjonte utërimën e tyre. Ai gëzonte, si fëmijë kur vështronte njerëzit të qarkullonin nëpër aerodrom.
Vdekja e parakohshme e Thanas Papës na ‘preu krahët’ e na hoqi nga gjiri ynë një njeri të jashtëzakonshëm, me dashuri të paparë për punën e për njerëzit.
I paharruar qoftë kujtimi i tij!”
Kuçovë, më 15 dhjetor 2017.
Fadil Nenaj
Parashutist i klasit të parë, shok grupi i Thanas Papës: “… Thanas Papën e kam njohur në muajin gusht të vitit 1960, kur shkuam për të studiuar aeronautikë, në Bashkimin Sovjetik. Ishim në një skuadrile fluturuese dhe fluturonim në aeroplanët e tipit Jak-18A. Thanasi dhe disa të tjerë, kishin fluturuar dhe në Qytetin ‘Stalin’. Ai kishte akumuluar përvojë, në ajër dhe ishte nga fluturuesit më të mirë të grupit.
Thanas Papa ishte njeri mjaft i mirë; i dashur e i shoqërueshëm me të gjithë. Unë kam pasur marrëdhënie shumë të mira, me të, si në kohën kur studionim së bashku për t’u bërë pilotë dhe kur na kthyen në Shqipëri e u titulluam oficerë. Thanasi e ruante shoqërinë dhe e kujtonte vazhdimisht kohën kur studionim e jetonim bashkë; ai nuk i harronte shokët, pavarësisht nga koha që kalonte nga ndarja, i donte shumë ata, siç e donin dhe e nderonin atë.
Më vjen ndërmend, koha kur shkoja në Regjimentin ‘Peza’ të Qytetit ‘Stalin’, për punët e mia dhe Thanasi dilte e më priste, më takonte e më shoqëronte, me shumë dashamirësi.
Thanasi ishte i mençur e njeri me karakter të fortë. Më erdhi shumë keq kur mësova se Thanas Papa u nda nga jeta. Humbëm një shok mjaft të mirë. Doja të ndodhesha në përcjelljen e tij, por isha në shërbim e nuk munda të shkoja në Berat ku u bë varrimi i tij.
Qofshin të paharruar kujtimi dhe puna e tij; t’i rrojnë fëmijët!”
Nexhip Shena
Pilot i klasit të dytë, ish-komandant skuadrile, në Regjimentin “Peza”, të Qytetit “Stalin”. “… Me Thanas Papën, kam fluturuar, kur ai ishte në detyrën e zëvendëskomandantit të regjimentit, për fluturim; deri në vitin 1976. Thanasi ishte pilot kolaudator i avionëve Mig-19 S, të cilët i merrte nga uzina, pas riparimit kapital të trupit dhe i provonte në ajër. Në fluturimet për klasin e dytë, Thanasi më ka dhënë fluturime kontroll: ditën; ditën në re dhe natën në kondita të thjeshta të motit. Në këto fluturime, unë e drejtoja aeroplanin nga kabina e dytë, kurse ai ishte në kabinën e parë të avionit. Thanasi, si fluturues cilësor, ka marrë pjesë në Stërvitjet taktiko-fluturuese. Ai ishte qitës i mirë me aeroplan.”
Thoma Sofroni
Inxhinier mekanik, në skuadrilet e pajisura me aeroplanë Mig-19S, në Regjimentin “Peza” të Qytetit “Stalin”. “… Kam punuar me Thanas Papën dhe e njoh nga afër. Ishte fluturues i mirë dhe njeri mjaft i mirë. Dallohej për ndershmëri dhe ishte shumë punëtor”.
Niko Terpo
Pilot i klasit të dytë, fluturues në aeroplanët Mig-19S dhe në helikopterin Mi-4.
“Thanasin e kam njohur, në kohën kur fluturoja në aeroplanët MIg-19 S, në Regjimentin ‘Peza’ të Qytetit ‘Stalin’. Nakja ishte mjaft korrekt, në punë e në shoqëri; një njeri i dashur e mjaft i sjellshëm. Në detyrat luftarake shquhej si qitës shumë i mirë, me aeroplan.”
6) Rrapo Kodheli
Pensionist, nostalgjik i aviacionit; shok grupi i Thanasit, kur fluturonin në aerodromin e Qytetit “Stalin” dhe në atë të Batajskut (BS), në aeroplanët Jak-18A. Rrapua e nisi udhën e ajrit në adoleshencën e tij dhe me shumë dëshirë, por nuk qe e thënë të bëhej pilot, por ndoqi një udhë tjetër, të ndershme e plot dinjitet. Megjithëse është larguar nga shokët e grupit të fluturimit dhe sot është në pension, nostalgjinë për fluturimin e ka mblojtur thellë në zemër dhe shokët e dikurshëm të së njëjtës udhë nuk i harron. Tek heroi i këtij shkrimi, nostalgjiku Rrapo Kodheli ka pikasur: “… Thanas Papa ishte tepër i çiltër në shoqëri dhe kishte aftësi komunikuese e fjalë të ëmbël me të gjithë. Ai ishte i thjeshtë, tepër i shkathët dhe e donte me shpirt aeroplanin dhe fluturimin. Pasioni i tij për të fluturuar të bënte të skuqeshe.”
Kristaq Burda
Pilot i klasit të dytë, drejtues në Regjimentin e Aviacionit të Qytetit “Stalin” dhe në atë të Gjadrit. “… Thanas Papën e kam njohur nga viti 1970, kohë kur bëra kalimin në aeroplanët e tipit Mig-17F, në Regjimentin ‘Peza’ të Qytetit ‘Stalin’. Në vitin 1971, kur u ktheva nga studimet në Kinë, e gjeta në detyrën e zëvendëskomandantit të skuadriles së parë, e cila kishte në armatim avionë Mig-19 s. Në grupin e kalimit ishin: Agim Balili; Lutfi Mishkeri; Azis Alla; Maksim Rexha; Baudin Uka; Pellumb Bebri; Shaqir Leli; Epaminonda Tupa etj. Në atë kohë, Thanasi ishte i angazhuar me përgatitjen për fluturim të efektivit të skuadriles që drejtonte.
Në muajin tetor të vitit 1971, në një kohë rekord, përfunduam programin e kalimit në aeroplanin Mig-19 S, pas kthimit në Atdhe, dhe u shpallëm pilotë të gatshëm për t’u programuar për të marrë klasin e dytë të pilotit ushtarak. Thanasi, si fluturues me përvojë dhe i përkushtuar, u caktua të jepte fluturimet kontroll: ditën, në kushte të thjeshta të motit; natën, në kushte të thjeshta të motit dhe ditën në re; fluturime të cilat ishin kusht për të marrë klasin e dytë. Të gjitha fluturimet kontroll për klasin e dytë, i mora nga Thanasi dhe nga drejtues të tjerë të regjimentit. Puna e përkushtuar e tyre dhe fakti që moti ishte në anën tonë, na favorizuan për ta marrë klasin e dytë në kohë rekord.
Tek Thanas Papa, kam vërejtur një njeri serioz e të lidhur shumë me punën. Ai nuk merrej me llafe, por i shtrohej punës dhe e kërkonte atë. Sjellja e tij e njerëzishme, marrëdhëniet me njerëzit nga pozita të barabarta, pa arrogancë e mendjemadhësi ishin mbresëlënëse. Thanasi ishte kërkues ndaj vartësve, por, në radhë të parë, ai kërkonte ndaj vetes. Impresionuese dhe frymëzuese ishte mënyra si ai shpjegonte elementet e fluturimit, pa harruar asnjë detaj dhe me logjikë të saktë profesionale. Thanasi ishte kompetent, në fluturim e në çështjet e përgatitjes ajrore, në tërësi.
Në vitin 1974, si shoqërues i Thanasit, kam bërë detyrë taktike, në terren malor, në Terpan. Thanas Papa fluturonte pastër dhe nuk e vinte në vështirësi pilotin që e shoqëronte, por i krijonte atij kushte të përshtatshme për të manovruar në formacion. Kjo ishte njëra nga garancitë që detyrat ajrore, në formacion me Nakën, kryheshin me sukses.
Mbas vitit 1976, Thanasi u ngrit në përgjegjësi. Ai u emërua në detyrën e komandantit të skuadriles dhe kur u formua, Regjimenti i Zadrimës, ai u bë zëvendëskomandant për fluturim i Regjimentit ‘Peza’ të Qytetit ‘Stalin’. Kjo ka qenë periudha më e ngjeshur e punës për Thanasin. Ai ishte dhe pilot kolaudator që provonte, në fluturim, aeroplanët Mig-19 S, të cilët i ishin nënshtruar riparimit kapital të trupit, në Uzinën e Aviacionit.
Kur u sëmur, kolegu i tij Harilla Rjebi, mbi bazën e njohjeve që kishte në rrethet mjekësore, e shoqëroi Thanasin, për kontroll të specializuar tek një i afërm i tij, ku rezultoi me sëmundje të rëndë e të pashërueshme. Thanasi e kuptoi gjendjen e tij shëndetësore, por nuk ‘e jepte’ veten. I qëndruam pranë, si shokë e si miq që ishim, në mënyrë që ta përkrahnim moralisht. Thanasi i kishte mjaft për zemër këngët, sidomos ato të trevës nga ishte. Para se të niseshim për në fluturim, më thoshte: ‘Kicke, merrja një herë asaj këngës beratase’! Ndonjëherë, kur fluturonim së bashku në aeroplanë dyvendësh, ia merrnim edhe në ajër.
Natyrisht, duke shfrytëzuar veçoritë e radiondërlidhjes së brendshme.
Nga fluturimet së bashku me Thanas Papën, ruaj dy kujtime të shtrenjta: Në një rast, në vitin 1979, sapo prekëm pistën e betonuar, në aerodromin e Qytetit ‘Stalin’, na u ça goma e majtë e aeroplanit. Thanasi, i cili e pikasi, në kohë atë që ngjau, më tha: ‘… lëre; lëre; ma lër mua drejtimin e avionit’! Hoqa duart dhe këmbët nga komandat e avionit e atëherë, Thanasi veproi vetë.
Ai ishte mjeshtër e veprimet i kreu me përpikëri: ruajti drejtimin e lëvizjes dhe frenoi shpejtësinë. Kur shpejtësia e lëvizjes së avionit në tokë u fashit, ai liroi pistën që t’u krijonte kushte për uljen dhe ngritjen e aeroplanëve të tjerë. Në një rast tjetër, bënim bombardim natën, në poligonin e Divjakës. Regjimenti ynë ishte në garë me Regjimentin e Aviacionit të Rinasit. Thanasi ishte udhëheqës fluturimi, në poligon. Dola mbi poligon, por nuk mund të veproja, mbasi kisha defekt në radio.
Me komandën e Udhëheqësit të fluturimeve të poligonit, u ktheva në aerodrom, me bomba të varura. Kjo përbënte rrezik, ndaj donin të më shkarkonin nga detyra, si fajtor për moszbatimin e rregullores së fluturimeve. Si kompetent e ‘shpirt njeriu’, Thanas Papa u dëftua i duruar e me logjikë të fortë profesionale.
Ai u tha kolegëve: ‘Mos u nxitoni, më parë kërkoni e gjeni defektin teknik që u bë shkak për ndodhinë; pastaj procedoni; se Kicua këtu është’! Durimi dhe thellësia e mendimit të Thanas Papës, më shpëtuan nga masa disiplinore që më kanosej.
Thanas Papa, si drejtues i një sektori mjaft delikat siç është fluturimi, e thoshte fjalën me kompetencë, mbasi e gjykonte profesionalisht, me analizë shkencore, çdo dukuri, në tokë e në fluturim. Ai nuk e hidhte dëm fjalën dhe gjykimi i tij zinte vend. Thanasit i takoi të punonte e të mësonte mjaft breza pilotësh.
Ai e njihte mirë veçorinë e të fluturuarit dhe u besonte shumë pilotëve, në ato që thoshin. Nëse Thanas Papa u rrit shpejt në karrierë e u poq shpejt nga ana profesionale, kjo lidhet me punën e tij intensive dhe me dashurinë që kish për profesionin e pilotit. Sjellja njerëzore e tij; kujdesi që dëftonte për cilindo nevojtar, ia shtonin shumë reputacionin Thanas Papës, i cili do të mbetet një shembull i mirë për të gjithë brezat që vijnë. Koha që kalon nuk i shuan dot, por i nxjerr më shumë në pah tiparet e tij; si njeri e si pilot.
I paharruar qoftë kujtimi i tij i ndritur!”
7) Agim Balili
Pilot i klasit të dytë, ish-drejtues i Regjimentit “Peza” të Qytetit “Stalin”. “… Nakën e kam njohur, për herë të parë, në muajin janar të vitit 1970, kur shkova në Regjimentin ‘Peza’, në detyrën e pilotit gjuajtës-bombardues. Ai, së bashku me pilotët e grupit të kalimit ku ishte i rreshtuar, bënin kalimin në aeroplanët MIG-19 S, në Regjimentin e Rinasit. Kur u kthye nga Rinasi, në Qytetin ‘Stalin’, në gusht të vitit 1970, miqësia mes nesh nisi të forcohej. Në atë kohë isha i fejuar në Berat dhe Nakja, si vendali autokton më thoshte: ‘O dhëndër’!
Më 17 korrik të vitit 1971, kur u ktheva nga kalimi që bëmë në Kinë, në avionët Mig-19 S, në Regjimentin tonë u formuan 2 skuadrile me aeroplanë Mig-19 S dhe një tjetër me aeroplanë Mig-17 F. Nakja, në atë kohë u emërua zëvendëskomandant i skuadriles së parë të pajisur me aeroplanë Mig-19 S. Prej asaj kohe, deri në fund të jetës së tij, ne u bëmë miq, të afërt.
Thanas Papa, si njeri e si pilot ishte i veçantë. E veçanta e tij kishte të bënte me dashamirësinë dhe me zemrën e bardhë të tij. Nakja kishte shoqëri të çiltër, me të gjithë. Asokohe, ai banonte në qytetin e Beratit, në të njëjtën shtëpi, me prindërit, me vëlla Edmondin, i cili u bë stomatolog, me motrën, me bashkëshorte Marjetën dhe me dy fëmijët: Brunën dhe Ilirin.
Kur u emërua zëvendëskomandant i regjimentit, ishte i detyruar, nga rrethanat të merrte shtëpi, në Qytetin ‘Stalin’. Thanas Papa ishte familjar i veçantë. Ai, së bashku me bashkëshorten e tij të rrallë, Marjetën, në shoqëri me familjet e Vasil Andonit; Harilla Rjebit; Viktor Vangjelit; Allaman Isakut etj. u bënë strehë e ngrohtë për ne më të rinjtë.
Për mua mbeten të paharruara vizitat e ndërsjellta në raste festash dhe gëzimesh familjare tek njëri-tjetri.
Rreth 2 vjet; konkretisht në vitet 1976-1978, së bashku me Thanas Papën dhe me Viktor Vangjelin, punonim në të njëjtën zyrë. Thanasi ishte zëvendëskomandant i regjimentit, për fluturim; Viktori kryente detyrën e kryenavigatorit kurse unë atë të shefit të qitjeve të regjimentit. Të tre ishim shokë të pandarë. Gjatë punës së përbashkët, ata, të dy, si pilotë me përvojë, më kanë ndihmuar shumë. Tek Nakja, dalëngadalë e në punë e sipër, pikasa disa tipare të rralla. Thanas Papa ishte veprimtar i shquar, si në repart dhe në Qytetin ‘Stalin’ e në atë të Beratit.
Thanas Papa nuk të falte, kur gaboje, t’i thoshte të vërtetat në fytyrë dhe të jepte atë që meritoje. Për të, po-ja ishte po dhe jo-ja; jo, të pëlqente apo nuk të pëlqente. Kur diktonte një padrejtësi, Nakja ngrinte zërin, me forcë e nuk pajtohej me të keqen, pavarësisht se ke kishte përballë. Dashamirësia dhe shpirti human ishin pjesë e pandarë e jetës së tij. Nakja ishte shumë i gjendshëm dhe për të gjithë ata që kishin nevojë e i drejtoheshin për ndihmë. Lidhur me këtë tipar të Thanasit, kam një kujtim vetjak, të pashlyer:
Në vitet 1978-1980, isha student në Akademinë e Aviacionit, në Tiranë. Në shtëpi kisha lënë nënën, bashkëshorten, dy motra dhe vajzën, të mitur. Një ditë, nëna pati humbje ekuilibri dhe mjegullim të kujtesës. Bashkëshortja, njoftoi, menjëherë, Thanasin dhe Viktor Vangjelin. Të dy, gjitonë, me shtëpi pranë, shtëpisë sime. Kaq mundi të bënte bashkëshortja ime; të tjerat dinte t’i menaxhonte Thanasi.
Ai, së bashku me Marjetën, sollën, nga Berati, mjekun specialist, organizuan konsultë mjekësore, i dhanë nënës mjekimin që duhej dhe, kur erdha unë nga Tirana, nënën e gjeta të shëruar. Tek koka i qëndronin: Thanasi; Marjeta; Viktori dhe bashkëshortja ime.
Thanas Papa ishte mjaft human. Ai ishte i gatshëm të sakrifikonte nga vetja për t’i ardhur në ndihmë shokut. Në vitin 1980, mbasi përfundova Akademinë Ushtarake të Aviacionit, më emëruan në Rinas. E refuzova këtë ofertë, mbasi në Qytetin ‘Stalin’ kisha në ngarkim nënën; gruan; dy vajza dhe dy motrat. Më lanë në dispozicion. Nuk dija asgjë, por Thanasi e kishte bërë punën.
Ai kishte kërkuar lirimin e tij nga detyra e zëvendëskomandantit të regjimentit, për ta lënë vakant këtë funksion, me qëllim që ta zija unë. E kundërshtova vendimin e tij pranë organit të nomenklaturës, por Thanasi këmbënguli në të tijën dhe kaloi komandant katërshe, në skuadrilen e pajisur me aeroplanë Mig-17 F. Para se të ndahej nga jeta, Thanasit iu realizua detyra për të shkuar me banim në qytetin e Beratit.”
Koço Biku
Pilot i klasit të dytë, ish-kryenavigator i aviacionit shqiptar. “… E kam njohur djalin e Lili kafexhiut, Thanas Papën, që kur nisëm të fluturonim në Qytetin ‘Stalin’, në vitin 1959-1960 e derisa u nda nga jeta. Si pilot, ishte me nivel mbimesatar. Me shumë vullnet e pasion, ai u ngjit deri në detyrën e zëvendëskomandantit të regjimentit, për fluturim. Nivelin arsimor e kishte jo në lartësinë e të tjerëve, por për punë ishte i veçantë. Çdo arritje e tij kishte në bazë, vetëm punën. Mangësitë në teori, ai i kompensonte me praktikë dhe nuk kishte drojë të pyeste këdo e për çdo gjë. Thanasi ishte nga ata pilotë që jepnin kontrolle në të gjitha kushtet e motit, sipas klasit të dytë të pilotit.
Në shoqëri ishte i çiltër dhe i kudondodhur. Ai ishte i gatshëm për të ndihmuar këdo. Nuk ishte shitmendës e nuk merrej me grupazhe apo me prapaskena. Thanasi fliste hapët, pavarësisht se ke kishte përballë. Në zbatimin e instruksioneve dhe të rregulloreve të fluturimit ishte rigoroz. Bashkëshortja Marjetë, një grua e zonja dhe e nderuar, farmaciste e dëgjuar, kujdesej shumë për Thanasin, mes të tjerash, edhe për paraqitjen e jashtme të tij.
Sëmundja e rëndë që kapi Thanas Papën u identifikua me vonesë dhe rastësisht. Ai vuante nga një cirrozë në mëlçi dhe ndonëse u operua e u përmirësua, ajo u rishfaq, me agresivitet më të madh. Tek Nakja, nuk kisha vënë re asnjë shenjë servilizmi, as arrogancë e prepotencë.”
Ahmet Sulejmani
Njëri nga pilotët kontribuues të njohur si instruktor i teknikës së pilotimit, në aeroplanët Mig-15. “… Thanas Papa, përveç vlerave si pilot, kishte kulturë qytetare të mirëfilltë. E kam njohur nga gushti i vitit 1960, derisa u nda nga jeta. Trupin e kishte të mirëformuar e ishte i shkathët. Uniformën ushtarake e donte, e respektonte dhe e mbante të rregullt. Para se të ndahej nga jeta, Thanasi kishte dhimbje të forta e të padurueshme. E kisha gjiton dhe kisha mësuar se i thoshte Marjetës, t’i injektonte morfinë, për të përballuar dhimbjet e forta që kish.”
Bahri Meshau (Përmeti)
Ish-kryenavigator i Shkollës së Lartë të Aviacionit; shok grupi i Thanasit, nga koha kur nisën së bashku fluturimet, me aeroplanët Jak-18 A, në fushën e blertë të aerodromit të Qytetit “Stalin”. “… Si kontingjent për pilot, Nakja erdhi nga Marina Luftarake e Pashalimanit, së bashku me disa të tjerë. Kështu që, grupit tonë fillestar prej 6 vetësh: Bardhyl Lubonja; Bahri Meshau; Koço Biku; Stillo Melica; Lili Xharo dhe Rrapo Kodheli, iu shtuan dhe 14 të tjerë, të ardhur nga repartet e ushtrisë. U bëmë 20 kandidatura për t’u bërë pilotë. Nga këta, 10 vetë fluturuan në aeroplanët Jak-18 A. Pesë të rinj nga grupi ku bënte pjesë Thanasi, siç ishin: Agim Ismaili; Surri Barbullushi; Lutfi Islamaj dhe Sazan Abibi, iu nënshtruan stërvitjes ajrore. Instruktor i Thanasit, në aeroplanët me helikë Jak-18 A, ishte myzeqari punëshumë – Naun Todo. Thanasi ishte mjaft korrekt dhe detyrat që i ngarkonte instruktori i pilotimit i kryente me përpikëri. Ai përftoi mjaft nga stili i punës i instruktorit të tij, ku kërkesa e llogarisë dhe mungesa e tolerancës ishin në krye të fjalës, si në teori dhe në praktikë. Thanasi ishte duhanpirës i thekur dhe mezi priste që të shkëputej nga shokët e grupit të ngushtë të fluturimeve, për ta tymosur.
Në vitin 1960, kur studionim së bashku, për t’u bërë pilotë, në Batajsk (Bashkimi Sovjetik), ai u caktua në grupin e pilotëve që do të ishin në mbështetje të Flotës Luftarake Detare, por ky mbeti vetëm projekt e nuk u realizua kurrë. Kur na kthyen në vendin tonë, të dy nisëm fluturimet në Pishëporo, në të njëjtën skuadrile mësimore. Fillimisht fluturuam në aeroplanët Jak -18, të cilët nuk mund të kryenin fluturime të sforcuara dhe me mbingarkesë të madhe, në ajër, për shkak të mbulesës së krahëve, e cila nuk i plotësonte kushtet teknike. Gjatë vitit 1963 fluturuam në aeroplanët Mig-15, në aerodromin ranor të Pishëporos.
Në këtë rast, instruktor i teknikës së pilotimit të Thanasit ishte libohoviti i qetë e i sigurt në pilotim – Mustafa Çiçi. Prej Mustafait, Nakja mësoi të pilotonte pastër, saktë dhe me parametra siç përshkruhet në instruksionet përkatëse. Në këtë mënyrë, kërkesa e llogarisë dhe pastërtia e teknikës së pilotimit tek studenti për pilot Thanas Papa, kishin vijimësi e ai, si të thuash, u edukua me kërkesë llogarie.
Në 2 nëntor të vitit 1963 u diplomuam pilotë gjuajtës-bombardues.
Pas diplomimit pilotë dhe titullimit oficerë, Thanas Papa; Bahri Meshau (Përmeti); Pandeli Lengu dhe Vangjel Baba u emëruam në Regjimentin 23 ‘Peza’ të Qytetit ‘Stalin’. Nakja, (kështu e thërritnim ne, shokët e grupit dhe të tjerët në repart), iu bashkua një grupi pilotësh që kishin studiuar në Kinë, si: Petrika Kostani; Viktor Vangjeli; Dalip Xhixha; Jorgaq Cipi; Besnik Hashorva etj. dhe kaloi nga tipi në tipin e avionëve. Thanasi ishte pilot me sedër dhe këmbëngulës. Edhe pse nuk shquhej në çështje teorike, Thanasi e gjente mënyrën për të mos mbetur prapa shokëve edhe në këtë drejtim.
Thanas Papa fluturoi në aeroplanët gjuajtës-bombardues reaktivë, Mig-17 F e më vonë në ata Mig-19 S. Nakja nuk iu nda fluturimit, deri në fund të jetës së tij të shkurtër. Ai u nda para kohe nga familja dhe nga ne, shokët e tij. Thanasi ishte një shok i mirë e një familjar i rregullt. Siç ngjan jo rrallëherë me fëmijët e parë të një familjeje, edhe mbi Nakën ranë mbi shpatulla mjaft detyrime familjare. Ai u kujdes për shkollimin e motrës dhe të vëllait, të cilët erdhën në jetë pas tij, si dhe kontribuoi fuqishëm për rregullimin e banesës prindërore.
Ruaj një brengë nga koha kur isha në shoqëri me Thanasin: Kur ai ishte i shtruar në spital, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale të pasuksesshme, së bashku me pilotin Arqile Kosta, u shkëputëm nga Pisheporua dhe shkuam në spitalin e Beratit, për ta parë shokun tonë, për herë të fundit, por nuk na lejuan.
Qoftë i paharruar kujtimi i tij!”
Flamur Pupa
Pilot dhe pedagog, në Shkollën e Lartë të Aviacionit, bashkëkohës dhe koleg i Thanas Papës: “… Thanas Papën e kam njohur në regjimentin ‘Peza’ të Qytetit ‘Stalin’, në kohën kur jetonim e fluturonim, së bashku. Më ka mbetur në kujtesë thjeshtësia e tij. Thanasi ishte mjaft i lidhur me fluturimin e me detyrën dhe ishte i afrueshëm me ne më të rinjtë. Në atë kohë, ai banonte në qytetin e Beratit, në shtëpinë e prindërve. Thanasi ishte pilot e i duhej të ushqehej në mensën e pilotëve, e cila ndodhej në Shtëpinë e Ushtarakëve të Qytetit ‘Stalin’. Pas të ushqyerit në mensën e repartit, atij i duhej të shkonte me autobusin e linjës urbane, pranë familjes, në Berat. Kjo ishte rutinë e përditshme dhe prej saj Thanasi bezdisej. Ndoshta ky ishte shkaku që ai, mbasi formoi familjen e ngushtë, mori banesë në Qytetin ‘Stalin’, pranë Shtëpisë së Ushtarakëve…”.
Bashkim Agolli
Pilot i klasit të dytë, ish-zëvendëskomandant i skuadriles Mig-17 F. “… Thanas Papën e kam njohur qysh në vitin 1960, kur studionim për t’u bërë pilotë, në shkollën sovjetike të aviacionit, në qytetin e Batajskut (BS). Që në prezantimin e parë, më ra në sy dëshira e jashtëzakonshme e tij, për të fluturuar e për t’u bërë pilot. Dëshira për të fluturuar, tek Thanasi, ndoshta ka zënë fill qysh se ai ishte nxënës, në teknikumin e naftës, në Qytetin ‘Stalin’ dhe, për të shkuar në Berat, ku kishte shtëpinë, i duhej të përshkonte, me autobus, përqark aerodromit të këtij qyteti dhe të vështronte pilotët, të cilët, asokohe ishin të paktë, të veshur me rroba lëkure, të pëlqyera nga të rinjtë e asaj kohe dhe të vrojtonte aeroplanët tek ngriheshin e uleshin, si pulëbardha, në pistën e aerodromit. Këto pamje, të cilat Thanasi i vështronte për herë të parë, e magjepsën atë dhe, tek djaloshi adoleshent zuri vend dëshira e zjarrtë, për t’u bërë si ata. Dëshira e fshehur fillimisht, dalëngadalë u kthye në pasion e u bë realitet.
Me Thanas Papën u ndava, në Batajsk, në vitin 1960 e u ribashkuam, në Qytetin ‘Stalin’, në vitin 1966. Në gjysmën e parë të vitit 1966, me një grup shokësh fluturues, si: Stillo Melica; Nazmi Dautaj e Petraq Koroveshi, së bashku me skuadrilen e aeroplanëve Mig-17F, të cilët u bënë pjesë e parkut të aeroplanëve të Regjimentit ‘Peza’ të Qytetit ‘Stalin’, u transferova në këtë regjiment.
Në vitin 1970, Thanas Papa kaloi në skuadrilen e parë, e cila u pajis me aeroplanë të sofistikuar, superzanorë, Mig 19 S të cilët, sapo kishin ardhur nga uzinat kineze të aviacionit. Unë mbeta në skuadrilen e Migëve 17 F, të ardhur nga Rinasi. Deri atëherë fluturonim në të njëjtën skuadrile luftarake.
Thanasi, si të gjithë pilotët që vinin nga Shkolla e Aviacionit, e nisi karrierën nga detyra e komandantit të ekipazhit. Dalëngadalë, me shtimin e përvojës vetjake si fluturues, ai u ngjit në shkallët e hierarkisë, me meritë, duke kaluar nëpër të gjitha hallkat e hierarkisë ushtarake, deri në detyrën e lartë të zëvendëskomandantit të regjimentit, për fluturim. Për avancimin e tij në detyra, organi i nomenklaturës mbajti parasysh tiparet njerëzore të tij dhe aftësitë fluturuese. Thanasi ishte shumë komunikues dhe tepër rigoroz. Ai e kishte në shkallë të lartë kërkesën e llogarisë; në radhë të parë ndaj vetes e mandej ndaj vartësve.
Duke qenë i afrueshëm e komunikues me njerëzit, tiparet e mira që kish ua transmetoi vartësve të skuadriles që drejtonte. Thanasi ishte fatlum për faktin se shërbimin inxhiniero-teknik të skuadriles që drejtonte, e menaxhonte duararti e mendjeploti Llukan Kushi, nga Berati, me të cilin, Nakja mirëkuptohej.
Derisa u sëmur e u spostua nga detyra, Thanas Papa ishte shumë i vetëdijshëm për atë që duhet të bënte dhe e drejtonte skuadrilen me përkushtim. Me vartësit, ai bënte punë të diferencuar dhe rezultatet nuk mungonin.
Ne pilotët, në çdo gjashtë muaj kalonim në ‘sitën’ e komisionit shëndetësor të aviacionit. Në këto komisione bënin pjesë mjekë specialistë të fushave të ndryshme, por, në asnjë rast, ata nuk e kapën sëmundjen e rëndë të Thanasit. Vetëm kur komandanti i regjimentit, Harilla Rjebi, e çoi Thanasin për kontroll mjekësor, privatisht, tek një mjek i zoti, i cili ishte i afërt i tij, u pa qartë se Nakja vuante nga një kancer i paidentifikuar. Mjeku, në intimitet, e pyeti Harillën, nëse piloti vazhdonte të fluturonte dhe ky pohoi, me kokë. Që atëherë, Thanas Papa, me mënyra të buta dhe graduale u shmang nga fluturimet dhe u aktivizua me detyra të tjera, ndihmëse me të cilat, ai ishte i familjarizuar qysh më parë.
Thanas Papa u nda nga jeta, para kohe; kur nuk i kishte mbushur të 48 vjetët. Ai na iku shpejt, por la gjurmë të pashlyera. E kam pasur gjiton, kur banonte në Qytetin ‘Stalin’, në pallatin pranë shkollës 9-vjeçare. Thanasi ishte një familjar mjaft i rregullt dhe një gjiton që të bënte me turp. Ai ndërtoi marrëdhënie të respektit të ndërsjelltë me të gjithë kolegët, me vartësit, me fqinjët dhe me të gjithë efektivat, të cilët e donin dhe e nderonin atë. Thanas Papa, me korrektësinë mbresëlënëse, hynte e dilte në çdo familje e nuk linte sebepe pa bërë.
Në çift me të mirën Marjetë, Thanasi solli në jetë dy fëmijë: Ilirin dhe Brunildën. Ata u edukuan për së mbari dhe u bënë njerëz të devotshëm, me arsim të lartë e me edukatë të shëndoshë. Marjeta, bashkëshortja e Thanasit, ishte qytetare beratase, autoktone. Ajo ishte një grua tepër e zonja, e shkathët e me reputacion, në Berat e në rrethina. Si Thanasi dhe ajo, me shpirtin human që i karakterizonte, nuk lanë njeri në nevojë, pa ndihmuar, si nga efektivat e regjimentit dhe më gjerë; në veçanti kur bëhej fjalë për probleme me shëndetin.
Kur u ashpërsua lufta e ftohtë, Marjeta dhe Thanasi morën banesë e u vendosën në Qytetin ‘Stalin’, me qëllim që Nakja, si pilot, të ndodhej pranë repartit dhe gatishmërisë luftarake të tij. Tek Thanas Papa, kam parë një shok me tipare të rralla, plot energji pozitive dhe një njeri të sakrificës. Mbi të gjitha tiparet e tij pozitive, shkëlqente qenia njeri. Një njeri me karakter të fortë të qëndrueshëm dhe me tipare të njerëzishme.
E kam përjetuar, nga afër, veprimtarinë aktive dhe sëmundjen e tij. Në çastet e fundit të jetës, ai i tha bashkëshortes me kulturë mjekësore: ‘Ma mbyll derën e dhomës e mos i lejo fëmijët të hyjnë brenda, që të mos shqetësohen nga të bërtiturat e mia, prej dhimbjeve të forta’!
I paharruar qoftë kujtimi i tij; t’i rrojnë fëmijët!”
Në Tiranë, më 6 tetor 2017.
Petraq Koroveshi
Pilot i klasit të dytë, ish-zëvendëskomandant skuadrile, në Regjimentin e Rinasit, aktualisht veteran i aviacionit, në pension: “… Për herë të parë, Thanas Papën e njoha, kur shkuam në Bashkimin Sovjetik, për të studiuar teknikën e pilotimit. Ishim në të njëjtën skuadrile fluturuese në shkollën (regjimentin) e aviacionit të qytetit të Batajskut, qarku i Rostovit mbi Don. Në atë kohë, (viti 1960-1961) studionim dhe fluturonim në aeroplanët e lehtë mësimorë, me helikë, të tipit Jak-18 A. Gjatë atij viti (1960), Thanasi, me këtë tip aeroplani kishte fluturuar dhe në Shkollën Shqiptare të Aviacionit, e cila u çel me nismën dhe nën përgjegjësinë e themeltarit të aviacionit tonë, të talentuarit Niko Selman Hoxha. Mbasi u mbyll kjo shkollë, Nakja dhe shokët e tij të kursit u bashkuan me ne fillestarët, në një skuadrile dhe fluturoi sërish në avionin me të cilin kishte fluturuar më parë.
Tek i riu Thanas Papa, nga qyteti i Beratit, pikasa një adoleshent ‘të hedhur’, të zgjuar, të edukuar e të pashëm. Ai në shtat ishte mesatar, por veçohej nga ne, për shkathtësi. Thanasi, apo Nakja, siç i thonim ne shokët e tij, ishte i etur për të marrë dije dhe dëshironte të mësonte mjaft gjëra, brenda një kohe të shkurtër. Uniforma ushtarake e aviatorit, atij i pëlqente shumë dhe e mbante atë të pastër e të rregullt. Veç ta vështroje Nakën, sa bukur e me durim i hekuroste teshat e daljes së lirë, e cila ishte uniforma e preferuar e tij. Thanas Papa kishte në shpirt mirësinë dhe ishte mjaft i respektuar nga shokët të cilët i donte dhe e donin shumë.
Me shokët ishte i dashur e i afrueshëm, kishte kulturë qytetare dhe ndjenjë komunitare. Nuk përtonte të na vinte në ndihmë ne fillestarëve, për të kapërcyer vështirësitë e fillimit.
Pilotimin e aeroplanit Jak-18 A, Thanasi, nuk e bënte për herë të parë; ai kishte fluturuar gjatë vitit 1960, në fushën e blertë të aerodromit të Qytetit ‘Stalin’, në vendin tonë, prandaj ai ishte i familjarizuar me aeroplanin dhe me fluturimin. Thanasi zotëronte njohuritë teorike dhe kishte aftësi praktike, në fushën e aeronautikës, prandaj e kishte më të lehtë përvetësimin e programit mësimor, në Batajsk. Mbasi na përzunë nga Bashkimi Sovjetik, në vitet 1962-1963, u stërvitëm, (fluturuam) së bashku, në Shkollën tonë të aviacionit, në Vlorë. Fillimisht fluturuam në aeroplanët Jak-18, e, më pas, në verën e vitit 1963, u stërvitëm në aeroplanët reaktivë gjuajtës-bombardues Mig-15. Pas diplomimit pilotë dhe titullimit oficerë (nëntogerë), ai u emërua pilot, në Regjimentin ‘Peza’ të Qytetit ‘Stalin’ kurse unë, në atë të Rinasit. Në vitin 1966, së bashku me skuadrilen Mig-17 F, me të cilët fluturoja, u transferova në Regjimentin ‘Peza’ dhe fluturuam së bashku, deri në vitin 1970.
Thanasi i përvetësoi shumë shpejt tipat e aeroplanëve gjuajtës-bombardues reaktivë, nisur nga ai Mig-15; Mig-17 F, dhe ata supersonikë me dy motorë reaktivë Mig-19 S. Ai, përveç detyrës si fluturues, angazhohej dhe me organizimin e veprimtarive të tjera, jashtë profesionit, për llogari të regjimentit të aviacionit, falë shkathtësisë së tij dhe tipit ‘të hedhur’. E justifikonte plotësisht, ‘novkën’ që i kishim vënë, shoqërisht: ‘Nake Baruti’. Mbasi u ndamë në skuadrile të ndryshme, unë u transferova në Regjimentin e Rinasit e ai mbeti atje, në Regjimentin ‘Peza’ të Qytetit ‘Stalin’.
Tashmë e takoja më rrallë, por me mallin që na kaplon për një shok të mirë, si ai. Kalonim së bashku, pushimet, në Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve, në Durrës. Aty mësova se shoku im Thanas Papa ishte diagnostikuar me një sëmundje të rëndë e të pashërueshme.
Kur e mësova këtë njoftim të trishtë, u ndjeva keq. Familjarët e tij e dinin këtë por, Thanasit nuk ia kishin bërë të ditur. Në regjiment, gjithashtu e dinin sëmurjen e tij dhe, me kujdes e gradualisht e shmangën nga fluturimi. Një ditë, piloti i talentuar, njeriu i mirë, shoku im i vështirësive të profesionit, Thanas Lili Papa, u shua. Njoftimi më tronditi shumë dhe kujtimin e tij të mirë e ruaj, sot e kësaj dite e do ta ruaj, sa të jem në jetë.
I paharruar qoftë kujtimi i tij; u prehtë në paqe; të rrojmë e ta kujtojmë!”
Agim Matraku
Pilot i klasit të dytë, koleg i Thanasit, veteran i aviacionit, pensionist: “… Thanas Papën e kam njohur dhe kam fluturuar me të, qysh kur erdha në Regjimentin e Qytetit ‘Stalin’ dhe isha shumë pranë tij, kur grupi i pilotëve ku bëja pjesë, bëri kalimin në aeroplanët Mig-17 F. Bëmë program të plotë fluturimesh, rreth 60 orë, në ajër. Pata shansin për t’i bërë shumë fluturime kontroll, me Thanasin në kabinën e dytë të aeroplanit. Ai ishte jo vetëm pilot me përvojë, por dhe një tip shumë interesant. Thanasi fluturonte pastër e saktë dhe kërkonte që edhe unë të fluturoja si ai. Nuk të falte ai njeri, as në tokë kur të shpjegonte elementet e fluturimit, me imtësi e me seriozitet të madh, dhe në ajër, ku kërkonte ta përsëritje elementin që të dëftonte, me parametrat e nevojshëm. Ruaj një kujtim të shtrenjtë, nga një fluturim, së bashku me Thanasin, në çift avionësh, në ‘luftim ajror’:
Fluturoja me Thanasin në kabinën e dytë. Kur u futëm në pilotim vertikal, jashtë natyrës së tij, ai ndërhyri në komandat e drejtimit të avionit e krijoi mbingarkesë të madhe. M’u errësuan sytë, nga mbingarkesa. Kur zbritëm në tokë, sipas rregullit, iu paraqita, ushtarakisht, për të marrë gabimet që lejova në atë fluturim. Thanasi, me buzagazin e tij serioz, më tha: ‘… Ik – or – ik, çfarë gabimesh kërkon ti?
Kur shkuam në pilotim vertikal, mua m’u errësuan sytë për vete e nuk pashë asgjë…’. Ishte i çiltër Thanasi, në çdo rast. Thanas Papa ishte pilot kolaudator. Ai u bënte provën në ajër aeroplanëve që i nënshtroheshin riparimit kapital të trupit.
Në atë kohë, dy pilotë bënin kolaudimin e aeroplanëve të kësaj kategorie: Thanas Papa dhe Harilla Rjebi. Prej tyre mësuam dhe ne të tjerët, si: Kristaq Burda; Nexhip Shenaj; Fatmir Mecaj; Petrit Dashi; Baudin Uka dhe unë. Gjatë kohës që fluturoja në Regjimentin e Qytetit ‘Stalin’, arrita të bëja kolaudimin në ajër të më se 32 aeroplanëve Mig-19 S.
Tipari dallues i tij si pilot me kërkesa të larta e me pastërti në fluturim gjente shprehje konkrete në këtë lloj fluturimesh, ku kërkohej, përveç guximit e trimërisë, edhe cilësi.
Kolaudimin në ajër të aeroplanit të riparuar në uzinë e bënte piloti kolaudator; në rastin tonë Thanas Papa, pas një përgatitjeje serioze dhe të gjithanshme, në tokë. Avionin e lëshonte në ajër, uzina, me specialistët e saj të profilit teknik dhe e merrte në dorëzim piloti kolaudator. Pranë udhëheqësit të fluturimeve, në aerodrom qëndronte drejtori i uzinës, kryeinxhinieri ose një inxhinier mekanik i repartit ku u bë riparimi. Thanasi dhe të tjerët më pas, fillimisht bënin kontrollin e imët dhe provën e motorëve në tokë, deri në regjimin maksimal të punës. Mbasi kishin mësuar detaje nga riparimi, cilat pjesë apo agregate ishin ndërruar etj., dilte në brezin e ngritjes, shtonte xhirot e motorëve dhe shpejtësinë progresive të avionit, ngrinte rrotën e parë, pastaj bënte veprime për shuarjen e shpejtësisë, deri në lirimin e brezit të ngritjes.
Ngritja e parë në ajër, realizohej në rreth të madh (kuti të madhe), në lartësinë 1500 m, mbi nivelin e brezit të ngritjes. Shpejtësia e fluturimit, mbahej në kufijtë: 500-800 km/orë; mbi aerodrom. Piloti realizonte mbi aerodrom 3-4 kalime. Në këto kalime, ai provonte akselerimin (përshpejtimin) e motorëve, lëshimin dhe mbledhjen e rrotave të avionit, lëshimin dhe mbledhjen e flatrave dhe vrojtohej ‘sjellja’ e aeroplanit në këto manovrime. Koha e qëndrimit në ajër, në ngritjen e parë ishte 20 minuta.
Ngritja e dytë, në ajër e aeroplanit të riparuar bëhej në H = 4000 m; me shpejtësi progresive = 1080-1100 km/orë. Koha në ajër = 30 min. Fluturimi kryhej, pa praninë e rezervuarëve varës dhe pa shtratet e raketave. Në lartësinë e caktuar, piloti kontrollon balancimin anësor dhe atë gjatësor të aeroplanit, duke qenë shumë vigjilent për të ndërhyrë, menjëherë, sapo të shfaqej ndonjë tendencë për anim. Balancimi i avionit, me përdorimin e trimerëve, bëhet në shpejtësitë = 600-700-800 km/orë. Mbyllet trimeri dhe çohet shpejtësia = 1080-1100 km/orë.
Ngritja e tretë, realizohet me shpejtësi e në lartësi maksimale të fluturimit. (m = 1.25 dhe H = 14000 m). Në lartësinë 14000 m, piloti e fut aeroplanin në pikiatë dhe realizon V = 1600 km/orë, ose me m = 1.3. Marrja e lartësisë, deri në 6000 m bëhet me regjim maksimal, pas kësaj lartësie futet në punë forsazhi.
Fluturimi i katërt kryhet në H = 6000-7000 m. Në këtë fluturim, piloti provon aeroplanin, gradualisht, duke nisur nga manovrat në rrafshin horizontal, pastaj kalon në pilotim vertikal (përmbysje, lak, gjysmëlak) dhe boçkë (kade), në përfundim.
Mbas këtyre provave, në tokë e në ajër, kur aeroplani rezulton i rregullt, në të gjitha proceset, piloti kolaudator firmon dokumentet përkatëse dhe aeroplani lejohet të futet në shfrytëzim, në skuadrilen përkatëse.
Në të tilla fluturime, ndiheshin dora dhe mendja e Thanas Lili Papës, dilnin në pah vlerat e tij të karakterit e cilësitë profesionale.”
Mustafa Çiçi
Pilot i klasit të dytë, instruktor fluturues i Thanas Papës, në aeroplanin Mig-15, në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë: “… Nga të katër studentët për pilotë të grupit që drejtoja, Thanas Papa ishte i veçantë. Ajo që e veçonte Thanasin ishte dashuria e flaktë për avionin dhe për fluturimin. Ai ndihej mirë e ishte në humor, vetëm kur ngrihej në ajër, kur fluturonte. Kjo dashuri e rrallë për fluturimin, përkthehej në përgatitje serioze dhe të detajuar, për fluturim. Kur u shpjegoja e u zbërtheja elementet e fluturimit, vështroja tek Thanasi, një djalosh tepër serioz i cili bëhej sy e veshë, për të thithur çdo detaj. Në ajër ishte i guximshëm e me iniciativë.
Si student ishte mjaft i rregullt e i disiplinuar, uniformën e mbante të pastër e të rregullt; në sjelljen e tij, binte në sy edukata dhe kultura qytetare. Elementet e fluturimit i përvetësonte shpejt dhe ishte i qëndrueshëm në fluturim. Në shoqëri kishte marrëdhënie mjaft të mira e korrekte dhe ishte i sjellshëm. Mua, si instruktor i tij, më vështronte në dritë të syrit dhe nuk ma kishte bërë ‘dy’ asnjëherë fjalën. U ndjeva keq, kur mësova për ndarjen e tij nga jeta.”
Edmond Papa
Vëlla i Thanasit, mjek-stomatolog, në Tiranë. “… Vëllai im quhej Thanas; mbiemri ynë është Papa dhe jemi pasardhës prifti. Thanasi ishte vëlla i madh. Pas tij, u lindëm unë dhe ime motër. Babai ynë quhej Lili; nëna – Kristinë.
Thanasi u lind më 28.09.1939 dhe u nda nga jeta më 08.10.1984. Jemi beratas autoktonë, denbabaden. Banesa jonë prindërore gjendej në lagjen ‘Vakef’, në qytetin e Beratit. Ajo ishte me dy kate. Kati i sipërm kishte dy dhoma dhe divane. Kati i poshtëm ishte katua.
Gjitonë të familjes sonë kanë qenë: Thimi Mile; Lili Kordha; Asllan Mete; në njërën anë të banesës ishte përroi. Thanasi kishte shokë fëmijërie dhe të adoleshencës: Vlashi Xheblati; Ramadan Ago; Elham Dena e të tjerë.
Thanasi me Marjetën u martuan në Berat, në shtëpinë prindërore…”.
Intervistuar në Tiranë, më 11 tetor 2017, në orën 10.40, në vendin e tij të punës.
Shoku im, Thanasi, u bë pilot kolaudator i aeroplanëve Mig-19 S. Ai bënte provën në ajër, të aeroplanëve të këtij tipi, të cilët i nënshtroheshin riparimit kapital, të trupit, në Uzinën e Aviacionit, në Qytetin “Stalin”. Ma do mendja se Thanas Papa është përzgjedhur me kujdes, nga komanda e Regjimentit “Peza” dhe është miratuar, sipas rregullave nga Komanda e Aviacionit. Kam bindje të plotë se shoku im i grupit i plotësonte të gjitha kushtet që kërkohen për të qenë pilot kolaudator. Po cilat janë këto kushte? Sipas mendimit tim, Thanasi, siç theksojnë shokët e intervistuar, kishte zemër e karakter të fortë. Ai ishte i formuar mirë e i përkushtuar për të përballuar çdo të papritur në ajër, sido që t’i vinte.
Këto nuk mund të arrihen pa pasur njohuri të plota mbi natyrën e parregullsive, me qëllim që piloti t’i pikaste parregullsitë e mundshme që në shfaqjet e para, pa lejuar “mahisjen” e mëtejshme të situatës ajrore. E thënë me të tjera fjalë, një kolaudator i mirë, parandalon ardhjen e pasojave negative, me qëndrimet e tij. Kur piloti kolaudator, dashuron ajrin dhe aeroplanin me të cilin fluturon, siç është rasti i Thanas Papës edhe kompetenca e tij është më e madhe.
Thanas Papa bënte të gjitha përpjekjet e mundshme për të sqaruar qysh më parë (që kur është në tokë) të gjitha elementet e nevojshme. Ai vihej në dijeni mbi punimet që i ishin kryer aeroplanit të riparuar, mbi pjesët materiale që ishin zëvendësuar me të reja, cilës teknologjie i përkasin ato dhe patjetër, merrte informacionin, kush e ka bërë riparimin apo zëvendësimin e pjesëve materiale. Në ndonjë vend tjetër, piloti kolaudator bën pjesë në ekipin e specialistëve që bëjnë riparimin e avionit dhe i vështron me sy e i prek me dorë, të gjitha agregatet apo pjesët që zëvendësohen.
Kjo shton vetësigurinë tek piloti kolaudator. Tipari pozitiv i Thanasit, mosngurrimi për të pyetur këdo, për një problem që nuk e kishte plotësisht të qartë, ishte patjetër në anën e tij. Zgjuarsia dhe mprehtësia për të kapur në kohë, fillimet e dukurive negative në avion, shokut tim nuk i mungonin.
Ai ishte i pajisur me një zgjuarsi natyrale mbresëlënëse. Përveç kësaj, Thanasi, falë përvojës së fituar dhe vullnetit për të përftuar maksimumin e mundshëm nga çdo ngritje në ajër, ishte i pajisur me intuitë e kompetencë shkencore, aq shumë të nevojshme për një pilot kolaudator.
Në radhët e fluturuesve qarkullon slogani domethënës: “Ai e ndien me bythë avionin”! Mjaft i gjetur ky përfundim. Thanasi ndihej në kabinën e avionit që pilotonte, si në shtëpinë e tij dhe ishte i qetë, siç qëndronte i ulur apo i shtrirë në divan, kur ndodhej në familje. Thanas Papa pilotonte pastër e me kulturë profesionale. Atij nuk i shpëtonte pa vënë re asnjë “sjellje” e avionit, në fluturim. Atij njeriu nuk i mungonin tiparet e domosdoshme për të qenë një kolaudator cilësor, si: guximi, trimëria, mençuria, qëndrueshmëria e të tjera tipare të qenësishme.
Ai njihte dhe përvojën e reparteve të tjera, brenda vendit dhe përvojën e disa kolaudatorëve, në arenën ndërkombëtare. Këmbëngulja e tij për të qenë sa më afër të vërtetave ishte pjesë e përgatitjes “speciale” të tij, para fluturimeve kolauduese.
Thanasi, para ngritjes, mësonte, jo vetëm për pjesët apo agregatet që ishin ndërruar, por dhe të cilës teknologjie ishin ato si dhe kush kishte marrë pjesë në riparim. Shoku im kur i afrohej aeroplanit që do të kolaudonte në ajër ishte i përgatitur moralisht dhe nga ana psikologjike për detyrën që do të kryente. Ai e provonte më tepër se një herë, motorin, duke kontrolluar treguesit e punës së tij. Kontrollonte komandat e ndryshme të drejtimit të avionit.
Kjo monografi, kushtuar njërit nga kontributorët më në zë të ngjitjes së aviacionit tonë, pilotit të talentuar Thanas Lili Papa, me siguri që do të ishte më e plotë, po të kisha gjetur bashkëpunimin e familjarëve të tij. Mbetja “në hije” e disa aspekteve të jetës së heroit, në veçanti në planin personal, me siguri që do të ishte shmangur e Thanasi do të na shfaqej përpara syve të mendjes, siç ishte, me të gjitha vlerat, si njeri e si pilot me talent të rrallë e vendosmëri të paparë për t’u ngjitur lart e më lart në fushën e aeronautikës. Por, ata që e kanë njohur Thanasin, në punë e në jetë, nuk ngurruan të derdhnin në rrëfimet e tyre, çdo gjë që dinin, dhe e plotësuan boshllëkun e krijuar. Me bindjen se i kam bërë shokut tim të paharruar një shërbim dinjitoz, siç e meriton kujtimi i tij, them se kam vënë një tullë në mosharrimin e tij.
I paharruar qoftë kujtimi i tij i ndritur; t’i rrojnë fëmijët dhe ata që ka lënë pas!
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, shok grupi i Thanasit. Në Tiranë; dhjetor 2017 – shkurt 2018.




Nje shkrim i mrekullushem dhe real per shokun tone shume te mire Thanas Papa.Ne e kujtojme me simati dhe respekt ate. Faleminderit Niazi.