(Mos e harroni njeriun e mirë!)

Si kudo, edhe në aviacion, njerëzit kujtohen për vlerat që kanë shpalosur. Pavarësisht nga profili i punës që kanë kryer, çdo njeri, e ka shkruar vetë opinionin dhe pozicionin që i përket. E thënë me pak fjalë, njeriu e gdhend emrin në bëmat e tij. Disa pilotë kujtohen si “qitës të shkëlqyer”… të tjerë mbahen mend si “akrobatë të ajrit”; ka pasur dhe metodistë të kualifikuar etj. Etj. Nuk mund të harrohen disa inxhinierë, teknikë e specialistë aviacioni, të cilët kanë kontribuar në kohë të ndryshme dhe pavarësisht nga niveli arsimor e kulturor që kanë pasur, ata kanë vënë në themel të punës së tyre zemrën dhe shpirtin dhe e kanë mbuluar veten me lavdi të merituar. Një kategori kontributorësh, vërtet mund të mos kenë “vrarë ariun”, si disa që tunden e shkunden por, në fund të fundit diçka kanë bërë e kjo diçka është e tyre, përfaqëson një tullë, në murin e ngrehinës së përbashkët që quhet Aviacioni Shqiptar.

Kështu ka ndodhur e historia nuk harron. Dikush ka ardhur në histori me zhurmë shumë e me bujë të madhe, kurse të tjerë, të cilët nuk kanë derdhur më pak mund e djersë, e kanë përshkuar udhën, pa u ndier e janë “fikur”, në heshtje. Këta të fundit, më tepër se si specialistë të mirëfilltë, janë shquar për vlera të rralla njerëzore, ku, kryefjalë mbetet mirësia e shpirtit dhe dashamirësia. Këtu ekziston një problem, tek i cili, ia vlen të ndalesh me nënvizim: Kujtesa individuale dhe ajo kolektive, të dyja, janë të limituara në kohë. Përjetësi, nuk ka e nuk mund të pretendohet, nga asnjeri. Historia, po nuk qe e shkruar, ka si veti të saj – harresën.

Ajo, cilindo e harron duke e mbuluar me pluhurin e saj, kur bëmat nuk janë të fiksuara në shkrime. Nuk pretendoj se them ndonjë gjë të re, por më duhet të përsërit se ajo që shkruhet rron e kujtohet nga të prasmit, edhe kur protagonistët apo bashkëkohësit e tyre i ka mbuluar pluhuri i mosnjohjes.

Këtë nuk e them më kot; një nxitje e kam e këtë dua ta ndaj me lexuesin, i cili, në çdo rast, duke gjykuar me gjakftohtësi e maturi, është i drejtë e i paanshëm. Kohët e fundit bisedova me një koleg dhe njërin nga bashkëkohësit e mi. E pyeta, e i kërkova opinion, për njërin nga themeltarët e aviacionit helikopter, shqiptar, i cili, është ndarë nga jeta, para shumë vitesh dhe shumëkush nuk e ka njohur ose mjaft nga ata që e kanë njohur, mund ta kenë harruar. Më duket e tepërt, të them: përse nuk duhet të bjerë pluhuri i harresës, mbi kontributorë si ai. E dini si u përgjigj kolegu im veteran? Po ua dëftoj unë dhe besnikërisht: “Po ti, përse lodhesh duke u marrë me të vdekurit? Pak të gjallë ka? Shkruaj për ata që janë në jetë!” Të them të drejtën, pa doreza, fjalët e tij jodashamirëse për kujtimin e një të vdekuri më befasuan. Nuk ma rrokte mendja që një veteran i racës sime, i cili ka mësuar profesionin nga themeltari në fjalë, të gjykonte kësisoj. Kam tjetër optikë e atë e deklaroj hapët: Të shkruash për ata që janë ndarë nga jeta, natyrisht, kur e meritojnë, është fisnikëri dhe bamirësi. Ata, jo vetëm që nuk kanë mundësi të reklamojnë punën e tyre, cilado që ka qenë, por dhe nuk mund të mbrohen, kur dikush i atakon, pa të drejtë.

Janë të gjallët, ata që duhet ta bëjnë këtë. Besoj se nuk janë të paktë ata që mendojnë: “I gjalli me të gjallët e i vdekuri me të vdekurit!” Mendoj tjetërsoj: “I gjalli për të vdekurit!” Kolegun tim veteran e respektoj për atë që ka bërë, por nuk mund të bie dakord me pozicionin e tij mohues ndaj veprës së tjetrit. Ca më keq, kur ai nuk është në jetë. Edhe kjo bisedë interesante dhe befasuese më nxiti të shkruaj më me vendosmëri, për një pilot e njeri, si Sillo Melica, i cili, kurrsesi nuk meriton harresën, por piedestalin e kujtesës njerëzore.

Harrimi është me vlerë por kur është i merituar. Shoku im nuk ishte e nuk punoi për t’u harruar. Prandaj rrëmbeva penën, ndonëse disi vonë.

“Heroi” i këtij rrëfimi, Sillo Melica, i përngjante një blete punëtore; Ai, pa bujë e pa zhurmë punonte, me cilësi të lartë e nuk i bënte jehonë apo nuk trumbetonte punën që bënte. Është shumë e vërtetë që në jetën e reparteve tona të aviacionit ka pasur mjaft të ngjashëm me “heroin” tonë, të cilët nuk njihen ose tentohet të harrohen por, është detyra e atyre që merren me shkrime për t’i fiksuar vlerat e tyre. Ai që shkel mbi punën e tjetrit, ca më keq, ai që tenton të përvetësojë meritat e të tjerëve, së pari, rëndon ndërgjegjen e tij dhe “i bie në qafë” historisë. Dikush shprehet kundër pasaktësive dhe glorifikimit. Të dyja janë “brejtës” dhe shërbejnë si perde tymi për të penguar njohjen e të vërtetës së pastër.

Sillo Melica ishte nga fshati Çorraj i rrethit të Sarandës, i cili është nga më të lashtët e më të veçantët në të gjithë Bregdetin shqiptar të Jugut. Pata shansin të lexoj librin e djalit nga Çorrajt, mikut tim të mirë Jorgo Melica, i cili është vëlla i Sillos. Libri titullohet: “Çorraj- traditat dhe njerëzit e tij”. Një libër mbresashumë, i paraqitur thjeshtë e bukur, me vërtetësi e paanësi, me kulturë e me prurje interesante nga udha e gjatë heroike e fshatit të tij të dashur e cila nuk është tërësisht e njohur. Fshatit Çorraj, i cili bart me vete, një heroizëm të rrallë, të atyre njerëzve qëndrestarë të rrallë e me tipare karakteristike. Por, historisë së tij të pasur i shtohet dhurata që i ka bërë Zoti, duke e vendosur në atë trevë, të cilën shumëkush e ka zili.

Çorriotët janë fatlumë; për tokën e të parëve, për klimën e butë mesdhetare, për botën e pasur, bimore e shtazore të fshatit dhe për gjithë begatinë, të cilën e kanë shfrytëzuar dhe e kanë mbrojtur, në shekuj. Po të mos isha lindur 34 km më tej, në Verilindje, në një tjetër fshat, të cilin e dua shumë e nuk e ndërroj kurrsesi, ndoshta do të pohoja me krenari se jam nga Çorrajt.

Dy fshatrat tanë; Kalivaçi dhe Çorrajt, kanë shumëçka të përbashkët dhe mua, me shokun tim të mirë Sillo Vangjel Melica na bashkonte e na bënte miq të mirë pikërisht ajo shumëçka, sidomos tiparet e karakterit gjë që mendoj se është ushqyer nga gjeni ynë. Më tej do të keni mundësinë të njiheni me disa nga tiparet e qenësishme të të mirit Sillo Vangjel Melica i cili, edhe pse është ndarë nga jeta vite më parë, ka lënë gjurmë të pashlyera me sjelljen dhe me karakterin e tij të rrallë, të cilat nuk mund të mos ndikonin në portretizimin e tij, si pilot e si njeri. Të paktë janë ata që e kanë njohur ose kanë punuar pranë tij. Koha e gjatë që ka kaluar, ka bërë që edhe të njohurit e tij, me kalimin e viteve të kenë firuar. Por, gjurmët e njeriut të mirë, nuk mund t’i fashitë koha, ca më tepër ajo nuk i fshin dot, kur ato janë të shkruara e lexohen nga cilido që ka dëshirë.

Po çfarë trashëgoi Sillo Melica, nga ajo trevë e lashtë dhe interesante dhe nga ata njerëz heroikë, të cilët, trimërinë e kishin të shkruar në ballë? Po të mundohesha për t’i përmbledhur tiparet e atij njeriu, pa i thënë të tëra, mund të pohoja se Sillua veçohej për urtësinë e tij biblike; për zgjuarsinë tipike bregdetase, për shpirtin e mirë e të gjerë, si deti që lag atë trevë dhe për zemërbardhësinë e pakrahasueshme. Thua të ketë ndikuar gjeni? Patjetër, do të thoja. Sillua ishte nip nga nëna, tek Qyrku, një njeri me shumë edukatë e kulturë, me njohuri të sakta për njerëzinë e atyre anëve dhe i përkushtuar pas predikimit të mësimeve fetare të krishtera. Si prift i Himares dhe i fshatit të tij, gjyshi i Sillos ishte mjaft i nderuar e i respektuar, në Çorraj, në Himare në tërë Bregun, si njeri i ditur e i kulturuar dhe me zemër të madhe.

Për të shkruar këtë monografi, kërkova opinionin e mjaft bashkëkohësve e kolegëve të Sillos, njerëz të specialiteteve të ndryshëm, të cilët kanë punuar së bashku me “heroin”, apo kanë jetuar pranë tij. Sikur ta kishin bërë me fjalë, të gjithë sa pyeta, më dhanë të njëjtën përgjigje, e cila, kam bindjen se është ashtu siç e mendoj dhe vetë. Sillo Melica ishte një njeri shumë i mirë; më i mirë, njeriu nuk ka si bëhet. Në pamje të parë, për atë që e ndeshte për herë të parë, Sillua të linte përshtypjen e një njeriu të largët, të ftohtë, të heshtur e që nuk binte në sy. Nisur nga këto veçori të tij, dikush mund të mendonte se kishte të bënte me një tip indiferent e mospërfillës. Unë që e kam njohur nga afër e për shumë kohë, kam tjetër mendim.

Sillo Melica ishte nga ata njerëz që blejnë shumë e shesin pak, ndonëse e kanë kokën plot. E them me bindje se Sillo Melica, vërtet vështronte punët e tij e nuk përzihej në punët e të tjerëve, por, Ai nuk ishte indiferent për çka ndodhte rreth tij.

Jeta të pleks me lloj-lloj njerëzish, të cilët nuk e kanë të shkruar në ballë, karakterin, i cili zbulohet gradualisht. E them me kompetencë e me përgjegjësi se Sillo Melica nuk ishte syunjur nga ata që u mungon kurajua për t’u ballafaquar; as nga ata, të cilëve u lëvrijnë sytë e nuk të vështrojnë dot drejt, nga droja se mos lexon në sytë e tij dredhinë që po kurdis. Sikur vetëm shpirtin e tij human të çmojmë, të cilin do ta shpalos më poshtë dhe të qenit dashamirës, besoj se janë të mjaftë për të kuptuar se prapa asaj fytyre engjëllore, brendas qenies së tij fisnike, fshihej një botë e tërë, e pasur dhe e pastër me përmasa qiellore. Nëse Sillo Melica nuk përgojonte njeri, nuk bëhej palë për të goditur dikë, pabesisht, nuk fliste keq, për asnjeri e nuk kishte qejf të polemizonte për çështje të rëndomta, këto shprehnin karakterin e tij të pastër, edukatën e shëndoshë dhe kulturën që kishte marrë; në familje e në shoqëri. Ai, jo vetëm që nuk i kishte rënë në qafë asnjeriu dhe askush nuk ka pësuar prej tij, përkundrazi, Sillua ka qenë mbështetje e fuqishme për atë që ishte në nevojë e i paraqitej për ndihmë.

Është e vërtetë se Sillo Melica nuk i kishte për zemër polemikat e rrugës, por, Ai njeri nuk e gremiste kot fjalën. Polemizimi i tij ishte i fuqishëm e ndikonte fort, në vendin dhe në kohën e duhur. Parimi bazë i tij ishte: “korr e lidh; jo korr e mos lidh”. Sillua nuk i bënte reklamë vetes e nuk ndihej, edhe kur puna e tij binte në sy qartë, përpara bashkëpunëtorëve të tij. Duke mos bërë reklamë të bezdisshme, edhe për gjëra të rëndomta, ishin fatlumë ata që punonin me Sillon, i cili, kur punonte, nuk ndihej nëse ishte i pranishëm; apo nuk ishte aty. Fjalën, Ai njeri e lëshonte atje ku zinte vend e nuk ishte njeri i sherreve të kota e i zhurmës, sa për t’u dukur.

Banorët e fshatit Çorraj, historikisht janë shquar për trimëri e atdhetari; si burrat dhe gratë. Këtë e gjejmë në historinë e lashtë të fshatit; në thëniet e njerëzve dhe në këngët e popullit, të cilat përthithin ajkën e mendimit kolektiv të njerëzve të mençur. Të tilla janë fjalët “lapidar”, të cilat shprehin thelbin e tipareve luftarake të një banori nga fshati Çorraj:

“Të gjithë fshatrat u falë; corrajte: ‘Hale e brihale’…”

Na duhet të qëmtojmë me kujdes e të marrim atë që është thelbësore në këto fjalë. Lexuar me sytë e mi dhe gjykuar me mendjen time, në këtë shprehje koncentrat gjejmë me fjalë të kursyera, tiparet karakteristike të atyre njerëzve kreshnikë, trima e qëndrestarë të rrallë, besnikë të autoktonisë së atyre trojeve. Çorrajt – hale e brihale do të thotë se janë të mprehtë e të shpojnë, si hala e grurit apo e peshkut e nuk janë qullace e të mefshtë. Për ta ilustruar, mund të them se në vendin tonë e gjetkë, i gjejmë të rrallë fshatrat ku bashkëjetojnë dy përkatësi fetare të ndryshme. Një pjesë e fshatarëve ushtrojnë ritet fetare ortodokse, kurse një pjesë tjetër, ndjekin ritet e fesë myslimane. Edhe këtë aspekt të jetës së atij komuniteti, lipset ta lexojmë e ta interpretojmë me dashamirësi; jo sipas interesave të çastit.

Sillo Melica, për të shprehur përkatësinë trimërore të fshatit e të fisit të tij luftarak, zgjodhi një udhë mjaft të vështirë e origjinale, më të vështirën që mund të ekzistojë në jetën e njeriut, atë të udhëtimeve ajrore. Ai u bë pilot dhe fluturoi jo pak, në tipa të ndryshëm aeroplanësh, si në ata Jak-18; Jak-18 A; mig -15 bis dhe Uti-Mig, në Mig 17F; në An-2, dhe në Il-14; të shtrirë në kohë, në rreth 25 vjet dhe në kushte të ndryshme të motit; ditën dhe natën. Ndoshta është një vlerë më vete e shtuar të qenit instruktor i teknikës së pilotimit, në aeroplanët reaktivë, Mig-15, në aerodromin me pluhur të Poros. Është provë e rëndë sakrifice, puna në këtë aerodrom e duke vozitur kursantë për pilotë. Vetëm ata që e kanë “shijuar”, mund ta dëftojnë sakrificën që kanë përjetuar, në atë “ferr” të vërtetë. Nuk mund të diskutohet kërkesa ndaj një piloti, i cili, para se të futet në udhën e fluturimeve e ka të qartë se trimëria dhe guximi, përbëjnë kryefjalën e qenies së tij.

Sillo Melica ishte trim, por jo shitmendes nga ata që tunden e shkunden, sikur kanë bërë “namin”!

Në rastin e Sillo Melices, kemi të bëjmë me një fluturues i cili u rrit gradualisht e arriti në nivele të përshtatshme për detyrat ajrore që kryente. Ai e nisi udhën e lundrimeve ajrore me aeroplanë të lehtë mësimorë të tipit Jak-18, në vitin 1959-1960, në përbërje të grupit të dytë të kursantëve për pilotë, i cili u konturua si një skuadrilje brenda Regjimentit të Aviacionit të Qytetit “Stalin”, e vijoi atë në qytetin e Batajskut, në ish-Bashkimin Sovjetik. Pas ndërprerjes së dhunshme të studimeve në këtë vend, Sillua dhe shokët e tij të grupit u kthyen në Shqipëri dhe vijuan përgatitjen ajrore, në Shkollën e rihapur të aviacionit, në Vlorë, ku u titullua pilot gjuajtës-bombardues. Në pranverën e vitit 1964, Sillua u emërua në Regjimentin e Rinasit ku fluturoi, deri në pranverën e vitit 1966, në skuadriljen e dytë të këtij reparti, e cila kishte në armatim aeroplanë gjuajtës-bombardues të tipit Mig-17F. Në pranverën e vitit 1966, kur e gjithë skuadrilja me avionë Mig 17F, u transferua në Regjimentin “Peza”, Sillua, së bashku me shokët e tij: Petraq Koroveshi; Bashkim Agolli dhe Nazmi Dautaj, bënë shoqërimin e avionëve dhe mbetën efektivë të këtij regjimenti. Pas gati 2 vitesh në këtë regjiment, Sillo Melica u caktua instruktor i teknikës së pilotimit, në avionët Mig-15, të Shkollës së Aviacionit, në Vlorë, ku mësoi disa pilotë cilësorë si: Përparim Hila; Asip Budo; Ahmet Kamberi; Enver Bajraktari; Dante Dusha etj. Në fillim të vitit 1972, një vit radhazi, Sillua, së bashku me një grup fluturuesish nga vendi ynë, kreu kalimin në aeroplanin e transportit ajror të udhëheqësve të Partisë-shtet Il-14, ku fluturoi derisa doli në pension pleqërie, si pilot, në vitin 1991.

Vetë zhvillimi i aviacionit tonë ka kaluar në disa etapa. Pilotët dhe gjithë ata që kanë kryer fluturime ajrore, në rolin e navigatorit ajror, teknikut të bortit, bortradistit etj. kanë kryer fluturime në avionët e kohës aktive të tyre. Nuk mund t’i kërkohet llogari një fluturuesi që ka fluturuar me aeroplan derizanor, kur flota jonë ajrore në atë kohë nuk dispononte aeroplanë supersonikë. Sillo Melica, kudo ku e caktuan dhe në çdo detyrë që kreu si pilot i thjeshtë apo si instruktor fluturimi, jo vetëm që nuk u shmang, me lloj-lloj marifetesh, por u dëftua realisht ekzigjent ndaj vetes e ndaj të tjerëve. Sillua nuk ishte hileqar e nuk e njihte dredhinë. Fluturimi me aeroplanët Il-14, me destinacion “special” vërtet ishte një privilegj e nder i madh, për cilindo fluturues, por Sillo Melica, atë vend e meritoi plotësisht, me karakterin dhe me aftësitë e tij, e nuk ia dha njeri për shkaqe të tjera.

Karakteri trimëror i Sillo Melices duket dhe në një plan tjetër, të kapshëm: Ai e donte me gjithë shpirt avionin dhe fluturimin, prandaj, me shumë vullnet e aftësi, punoi, dita-ditës, për t’u rritur në profesionin e vështirë të pilotit. Sillua nuk u shmang asnjëherë detyrave ajrore por i kreu ato me shumë mobilizim e përkushtim, me disiplinë të lartë teknike e shkencore dhe me aftësi. Përfytyroni për një çast, çfarë punë kolosale dhe me përgjegjësi është t’i mësosh kursantit teknikën e pilotimit. Çfarë durimi, tolerance, dashamirësie e njohurish kërkohen për t’i zbërthyer e argumentuar, shkencërisht, pilotit të ardhshëm elementët e fluturimit dhe veprimet në raste të veçanta, në tokë e në ajër.

Sillo Melica ishte nga vendi i trimave por dhe nga treva e njerëzve të etur për dije e kulturë. Mos u habitni me vendimin që mori Sillo Melica, për të vazhduar shkollën e lartë; Fakultetin e Histori-gjeografise të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Nuk i dukej vetja e plotësuar, Sillos, me arsimin që mori në shkollën e mesme dhe në atë për pilot. Ai e hodhi vështrimin larg dhe pa se bashkëfshatarët e tij nga Çorrajt, u ishin përfillur dijeve, në fusha të ndryshme, madje, duke u arsimuar, mjaft prej tyre kishin bërë emër e ishin bërë dikushi; kontributi i tyre në dobi të vendit ishte rritur. Ai fshat (Çorraj), ka nxjerrë jo vetëm trima por dhe njerëz të ditur e të shkolluar, në shkollat brenda vendit e jashtë tij. Po të përmendja emra, të cilët janë të shumtë, më ngjan se do ta ngarkoja, në mënyrë të panevojshme këtë material monografik.

Përveçse lexonte jo pak dhe dispononte një bibliotekë vetjake të pasur e të larmishme, Sillua synonte t’i sistemonte dijet e tij, për shoqërinë e për botën edhe duke e zyrtarizuar nivelin e tij arsimor.

Në bibliotekën e Sillos gjeje libra të shumëllojshëm, ku vendin kryesor e zinte literatura artistike, ajo politiko-shoqërore dhe literaturë që kishte të bënte me historinë e gjeografinë, të cilave Ai iu përkushtua në shkollën e lartë. Siç rrëfejnë shokët e tij të dhomës e të punës, Sillua lexonte më tepër libra të tipit novele, tregime dhe romane të shkurtër. Ai nuk kishte qejf të lexonte libra voluminozë dhe nuk preferonte të lexonte poezi. Kur paraqitej rasti dhe në ditë të veçanta, Sillua lexonte dhe në Gjuhën Ruse. Mund të them, me kompetencë se Sillo Melica dinte shumë dhe kuptonte shumë, por nuk shfaqej. Kur në rrethe të ngushtë nisnin bisedat me temë nga politika, Ai shmangej me takt, duke u thënë bashkëbiseduesve, shoqërisht: “Lerini këto gjëra!”

Origjina nga predikues të fesë ortodokse dhe natyra e butë, e qetë e dashamirëse e Sillos, e bënin Atë shumë bujar. Humanizmi i tij ishte realisht i dukshëm e lehtësisht i matshëm. Më poshtë, dëshmitë e disa shokëve të tij të afërt që do t’ju paraqes, janë mjaft domethënëse e vlerashumë. Kush e ka bërë, t’i japë tjetrit rrobat e trupit, të reja e të bëra me shumë pasion, për t’i mbajtur jo një ditë, por një javë të tërë? Kush të dojë le ta provojë të dëftohtë i gatshëm madje t’i ofrojë tjetrit një shumë të hollash, nga kursimet e tij, për t’i përdorur, me të drejtë kthimi, ose në pamundësi, pa kthim; siç ka vepruar Sillua?

I lidhur ngushtë me shpirtin human të tij, është dhe të ndierit keq, kur tjetri kishte keq. E kam parë me sy, sa keq e përjetoi Sillo Melica, kur humbi jetën, në fund të aerodromit të Rinasit, i lavdishmi Niko Hoxha, në një aksident ajror. Kështu dhe kur u nda nga jeta me vetëgjyqësi duke u hedhur nga Shkëmbi Buzes se Qarrit, një i afërt i tij, apo kur i dha fund jetës me vetëgjyqësi, shoqja e tij e punës – Doli. Në këto raste, kam parë botën e pasur shpirtërore të shokut tim, ndjeshmërinë e rrallë të atij njeriu i cili, e donte shumë jetën por i dhimbsej edhe jeta e tjetrit. Duke qenë mjaft i ndjeshëm, Sillo Melica përjetonte intensivisht dhe me dhimbje, çdo parregullsi, jo më humbjen e jetës së një njeriu.

Jetëshkrimi

Sillo Vangjel Melica u lind në fshatin Çorraj, më 15 nëntor të vitit 1940. Ky fshat, në atë kohë ishte në juridiksionin e rrethit të Vlorës, më pas i kaloi në administrim atij të Sarandës.

Babai i Sillos quhej Vangjel kurse nëna – Paolina. Shtrati nga rridhnin familja dhe fisi Melica është autokton shqiptar, me të shkuar heroike dhe të tashme të lavdishme. Rrallë mund të gjesh fshat, në vendin tonë por dhe më gjerë që, brenda të njëjtit komunitet të ketë dy besime fetare. Një pjesë e fshatit është e besimit ortodoks, kurse pjesa tjetër është kthyer në myslimane. Ata që nuk e ndërruan besimin fetar, kundërshtuan me vendosmëri e me forcë, privilegjet që ofruan osmanët, për të ruajtur identitetin e tyre. Kemi të bëjmë me një bashkëjetesë shembullore të dy përkatësive fetare të ndryshme.

Vetë fshati Çorraj dhe fisi i Meliceve, është, jo vetëm më i lashti fshat i Bregut dhe nga më luftaraket e atdhetare të spikatur.

Fëmijërinë, Sillua e përcolli në fshatin e lindjes, në Çorraj, pranë prindërve dhe mes njerëzve të fisit të tij. Aty, Ai kreu dhe arsimimin në shkollën fillore të fshatit dhe mësimet e shkollës unike (shtatëvjeçare). Shokë të fëmijërisë së Tij ishin: Viktor Qyrku, i cili u bë shkrimtar dhe poet i njohur; Hektor Veshi, i titulluar Profesor-Doktor etj. Mësues të tij kanë qenë: Zaho Zhupali; Kleanthi Lami etj. Në të gjitha vitet e shkollës shtatëvjeçare, treguesit cilësorë të Sillo Melices ishin mjaft të lartë. Ai u rrit, një djalë i urtë, i sjellshëm, i edukuar, zemërmirë e mjaft i zellshëm në mësime. Dashuria e tij për dijet dhe përpjekjet për të qëndruar në ballë të komunitetit të nxënësve ishin të dukshme dhe konstante.

Çifti: Paoline e Vangjel Melica, gjatë jetës bashkëshortore, pruri në jetë katër fëmijë: Jorgon; Saven; Sillon dhe Jorgon. Shtëpia prindërore e Sillos ishte njëkatëshe, me çati. Muret ishin të ngritur me gurë të gdhendur, të lidhur me llaç gëlqereje, pa breza druri. Dhoma ishte pa tavan dhe e pashtruar me dysheme. Në vend të dyshemesë prej dhoge, sheshi i shtëpisë ishte i shtruar me çimento. Muret ishin të suvatuar vetëm në anën e brendshme dhe çatia mbulohej me tjegulla.

Përpara shtëpisë ishte një oborr, i madh, në të cilin luanin fëmijët. Rreth shtëpisë kishte bahçe ku vegjetonin mana, fiq, hardhi e pemë të tjera frutore. Në bahçe e në oborrin e shtëpisë nuk kishte agrume, ndonëse klima e favorizon vegjetimin e tyre. Arat, familja Melica i kishte në Shën Argjiro; në Luca; në Ngulle e gjetkë. Familja i punonte dhe i mbillte e i manipulonte vetë arat dhe prodhimtarinë e tyre. Në arat e familjes së xha Vangjelit, mbilleshin, kryesisht drithëra buke, sidomos: grurë, misër, patate dhe perime.

Mes perimeve, vend të rëndësishëm zinte domatja, speci, patllixhani etj., të cilat shërbenin për ushqimin e familjes. Në inventarin bujqësor të familjes, sa i përket gjësë së gjallë, familja dispononte një ka parmende; një gomar dhe rreth 30 krerë të dhirta. Menaxhimin e tyre e bënte vetë familja bujqësore.

Pas përfundimit të shkollës shtatëvjeçare në fshatin e lindjes, me rezultate shumë të mira, Sillo Melica, në vjeshtën e parë të vitit 1957, nisi mësimet në vitin e parë të shkollës së mesme profesionale, e cila, në atë kohë quhej: Politeknikumi “7 Nëntori”, në Tiranë. Djali nga Çorrajt – Sillo Vangjel Melica, i ardhur në metropol nga një provincë e largët, me zgjuarsinë tipike që e karakterizonte, u përshtat shpejt me jetën e re dhe u shqua ndër bashkënxënësit e klasës e të shkollës sa i takon përvetësimit të lëndëve dhe jetës në komunitet. Sjellja e tij e paqortueshme dhe vullneti i tij i rrallë për të mësuar, bënë që Sillua të miqësohej shpejt me të ardhurit nga vise të ndryshme të vendit, me të cilët u lidh ngushtë e pati ndikim të ndërsjelltë.

Në vjeshtën e vitit 1959, kur Ai sapo kishte nisur mësimet në vitin e tretë të shkollës së mesme, sipas ligjit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, Sillua u mobilizua për të kryer shërbimin ushtarak. Ishte me shans për faktin se në atë vit, disa djem të zgjedhur, do t’i nënshtroheshin programit të fluturimeve, me synimin që të bëheshin pilotë ushtarakë. Aso kohe, brenda Regjimentit “Peza”, të dislokuar në Qytetin “Stalin”, me nismën dhe nën kujdesin e komandantit të regjimentit, të lavdishmit Niko Selman Hoxha, ishte formuar e funksiononte një skuadrilje shkollë, e pajisur me aeroplanë të lehtë mësimorë, me helikë, të tipit Jak-18A, e cila kishte funksionuar dhe një vit më parë.

Sillua, u bashkua me djemtë: Bardhyl Lubonja; Koço Biku; Lutfi Islamaj; Rrapo Kodheli; Bahri Meshau (Permeti) dhe Sazan Abibi dhe iu nënshtruan vizitave dhe ekzaminimeve laboratorike mjekësore, pranë Spitalit të Përgjithshëm Ushtarak, në Tiranë ku u përcaktua kondicioni i tyre shëndetësor në përshtatje me kërkesat për t’u bërë pilotë. Fizikisht dhe mendërisht (ana psikologjike e tij), Sillua rezultoi i shëndoshë dhe më 2 nëntor të vitit 1958, me një autobus ushtarak të regjimentit, kontingjenti i kandidaturave për t’u bërë pilotë, rrugëtoi nga Tirana, për në Qytetin “Stalin”. Me të mbërritur në regjiment, djemtë u veshën me uniformën e kursantit për pilot dhe iu nënshtruan procesit të sistemimit e të organizimit. Më vonë, me ta u bashkuan të tjerë kandidatë, të cilët erdhën nga reparte të tjera të ushtrisë dhe nga shkollat civile.

Me kursantët për pilotë, ku bënte pjesë Sillo Melica, të cilët arritën numrin 20 vetë, u organizua një skuadrilje fluturuese. Në grupin e kursantëve, bënin pjesë: Agim Ismaili; Sillo Melica; Bardhyl Lubonja; Koço Biku; Lutfi Islamaj; Sazan Abibi; Bahri Meshau (Permeti); Surri Barbullushi; Rrapo Kodheli; Thanas Papa; Lili Xharo; Vaso Koço Pesha etj. Komandant i shkollës ishte piloti i klasit të parë, nga Kudhesi, Thanas Gjiknuri. Instruktorë të teknikës së pilotimit ishin: Flamur Mickaj; Refit Jazoj; Irakli Grazhdani (komandant skuadrilje): Naun Todo; Admir Fllaga; Nehar Jazexhi; etj. Grupi i kursantëve, pas kryerjes së programit teorik, nëpërmjet të cilit, ata u njohën me aeronautikën dhe problemet e lundrimit ajror, në pranverën e vitit 1959, nisi fluturimet në aeroplanin e lehtë mësimor me helikë, të tipit Jak -18 A, të prodhuar në uzinat sovjetike të aviacionit. Fluturimet u zhvilluan në brezin e butë (jeshil), të aerodromit të Qytetit “Stalin”, duke u alternuar në ditë, me fluturimet e pilotëve të regjimentit në aeroplanët reaktivë Mig-15, të cilët, ngriheshin e uleshin në brezin e betonuar.

Fluturuan, kursantët për pilotë, në këtë tip aeroplani, me instruktorin e teknikës së pilotimit, në kabinën e dytë dhe në fluturime vetëm, rreth 50 orë. Por, në kohën kur ata do të kalonin nga fluturimet në rreth, mbi aerodrom, në detyra ajrore më të vështira, në muajin qershor të vitit 1960, në radhët e kursantëve për pilotë që fluturonin në aerodromin ranor të Poros, në aeroplanët reaktivë Mig -15, ndodhën dy ngjarje të rënda ajrore, njëra pas tjetrës. Në një fluturim rutinë, duke kryer një akrobaci të pamësuar, humbi jetën kursanti “brilant” nga Boboshtica Jovan Kacorri dhe gati dy javë më pas, në një fluturim në zonë (pilotim), braktisi avionin e u hodh me katapultë, kursanti Petraq Qafezezi, nga Kolonja. Këto dy ngjarje të rënda u bënë shkak për mbylljen e shkollës shqiptare të aviacionit, e cila u çel me shumë sakrifica e me këmbënguljen e themeltarit të aviacionit shqiptar- Niko Hoxha. Mbyllja përfundimisht e shkollës së aviacionit, vështirësoi mjaft procesin e përgatitjes së pilotëve, në vend, në një kohë kur repartet e aviacionit, kishin mjaft nevojë për kontingjente të rinj pilotësh. Shteti ynë, si vend Anëtar i Traktatit të Varshavës e hodhi vështrimin tek “miku i madh”, i cili ishte ish-Bashkimi Sovjetik.

Më 26 gusht të vitit 1960, kursantët për pilotë, të të dy grupeve, me një aeroplan transporti të tipit Tu-104, u nisën nga aerodromi i Rinasit dhe, pas 2 orësh, u ulën në aeroportin e Sheremetjevos, në Moskë. Grupi fluturues në të cilin bënte pjesë Sillo Melica, u shtua me të tjerë djem të përzgjedhur dhe arriti numrin 36. Ishte grupi më i madh i kursantëve shqiptarë, për pilotë që kishte shkuar ndonjëherë në shkollën sovjetike të aviacionit.

Në atë kohë, shkolla e aviacionit ku mësonin fluturimin shqiptarët, ishte shpërngulur nga Borisoglebsi, në Krasnodar dhe një regjiment i saj funksiononte në qytetin e Batajskut, i cili, ishte në juridiksionin e qarkut të Rostovit mbi Don, në rajonin e Kaukazit të Veriut. Në atë regjiment, funksiononin dy skuadrilje fluturuese me helikë; njëra me shqiptarë; tjetra me hungarezë. Ishte dhe një skuadrilje me helikopterë të përbashkët, të tipit: Mi-4 e Mi -1. Më vonë, në atë degë të shkollës së aviacionit erdhën kursantë nga Kuba, të cilët mësuan helikopterin Mi-4 dhe të tjerë, nga Vietnami e nga Laosi, të cilët u përgatitën si pilotë gjuajtës.

Sillo Melica dhe shokët e tij, të cilët kishin fluturuar dhe në Qytetin “Stalin”, u kompaktësuan me grupin e fillestarëve dhe nisën përgatitjen teorike e më pas atë praktike, sërish në avionët Jak-18 A. E patën relativisht më të lehtë Sillua dhe shokët e tij të grupit këtë përsëritje, por nuk kaloi në eufori. Ai, me karakterin e tij disi të çuditshëm, studionte, deri në hollësi, çdo element teorik dhe praktik; njëlloj sikur ta kishte për herë të parë. Kur Ai kishte fluturuar rreth 100 orë, në ditën e provimit të përgatitjes ajrore, një urdhër i beftë, i përzuri të gjithë studentët ushtarakë, nga territori i Bashkimit Sovjetik, duke e mbyllur “traun” e të mësuarit të shkencës aeronautike. Një tjetër fatkeqësi ra mbi supet e njomë të Sillo Melices- ndërprerje e të mësuarit për t’u bërë pilot. Ai e përjetoi me dhimbje këtë “mënxyrë”, edhe për arsyen se donte të fluturonte mbasi ishte i zoti të bënte diçka ndryshe nga të tjerët. Është fjala për bashkëmoshatarët e tij që kishte lënë në fshat, të cilët ndoqën rrugë tjetër dhe kapën të tjera “maja”.

Më 16 shtator të vitit të mbrapshtë 1961, pa përfunduar qëllimin që i kishte vënë vetes, Sillua dhe shokët e tij të grupit, të dëshpëruar por krenarë për qëndrimin dinjitoz që mbajtën duke sfiduar provokacionet dhe joshjet e shtetarëve vendas, me një aeroplan Tu-104, fluturuan në udhën e kthimit: Moskë- Rinas. E “brente” shqetësimi për fatin e mëtejshëm të procesit mësimor ajror, në kushtet e reja, kur prognoza ishte ogurzezë. Pritej një bllokadë e përgjithshme e vendeve Lindore, ndaj vendit e ushtrisë sonë. Pas një grumbullimi rreth 3-mujor në një mjedis ushtarakësh tek i ashtuquajturi: “Rrapi i Treshit”, ku Sillua dhe shokët e tij kaluan nëpër një kalvar mundimesh e pikëpyetjesh për të ardhmen, Sillua rinisi procesin mësimor, në Vlorë, ku u rihap Shkolla Shqiptare e Aviacionit. Meqenëse, u bë shumë kohë pa u ngritur në ajër, gjë që tek piloti ndikon mjaft negativisht, (si puna e një futbollisti kur nuk del në stërvitje) për të rivendosur shprehitë e fluturimit, studentët për pilotë, fluturuan sërish, në avionin Jak-18, por kësaj here, në një tip më pak të avancuar dhe me veçori pilotimi. Ky kthim prapa, nuk e stepi Sillo Melicen e nuk ia largoi dëshirën për t’u bërë pilot gjuajtës-bombardues.

Një vit më pas, në verën e vitit 1963, Stillo Melica dhe studentët për pilotë që i shpëtuan “kasaphanes” gjoja mjekësore, si: Sefedin Tomçini; Petraq Koroveshi; Thanas Papa; Ahmet Sulejmani; Surri Barbullushi; Bahri Meshau (Permeti); Pandeli Lëngu; Mustafa Gjokutaj; Jorgaq Bahshevani; Bardhyl Lubonja; Koço Biku; Roland Sofroni dhe Vangjel Baba e Skënder Shahini, të cilët iu bashkangjitën grupit, nisën dhe përfunduan programin e fluturimeve në aeroplanët reaktivë, Mig-15 dhe, në nëntor të atij viti u titulluan oficerë (nëntogerë) e u diplomuan pilotë gjuajtës-bombardues. Instruktor i teknikës së pilotimit, i Sillo Melices ishte Piloti me përvojë, njeriu i mirë, libohoviti Mustafa Çici. Duhet theksuar fakti se, në fluturimet në aerodromin e Poros, vapës përvëluese i shtohej pluhuri si re tymi që linin turbinat e avionëve, dhe bezdia e mushkonjave të imëta, të cilat zhdukeshin më 10 korrik. Dëshira për të fluturuar prevalonte mbi lodhjen dhe sakrificat që duhet të kalonin studentët për pilotë dhe ata ia dolën.

Në pranverë të vitit 1964, Sillon dhe Kocon, Bardhin, Surrine, Mustafane, Rolandin, Ahmetin, Skënderin, Sefedinin dhe Jorgaqin i priti Regjimenti i Aviacionit, në Rinas. Sillua u caktua pilot gjuajtës-bombardues, në Skuadriljen e dytë, me komandant skuadrilje, vunjotin Kosta Neco Dede dhe zëvendës të tij, birin e Picarit të Gjirokastrës – Gezdar Riza Veipi. Në çift, Ai ishte me pilotin Skënder Mersin Kanina, me të cilin, në formacion kreu mjaft detyra luftarake, deri në pranverë të vitit 1966, kur, së bashku me skuadriljen me aeroplanë Mig-17F, u transferua në Regjimentin “Peza” të Qytetit “Stalin”, së bashku me pilotët: Nazmi Dautaj; Bashkim Agolli e Petraq Koroveshi. Duke parë nivelin e lartë teorik dhe atë praktik të Sillo Melices, organi i nomenklaturës, pas rreth 2 vitesh e caktoi atë në detyrën e instruktorit të teknikës së pilotimit, në Skuadriljen Reaktive të Shkollës së Aviacionit, në Vlorë. Një detyrë tejet e vështirë dhe serioze kjo, që kërkon jo vetëm aftësi, nivel e përkushtim por dhe metodë bashkëkohore, për t’i transmetuar studentit që mëson të fluturojë, gjithë sa di vetë.

Jeta e Sillo Melices, në shkollën e aviacionit, në detyrën e instruktorit të teknikës së pilotimit në aeroplanët reaktivë, Mig-15, në aerodromin e veçantë të Poros, ku efektivi instruktor, student, teknik, specialist e ushtar, jetonin e punonin në kushte mjaft të vështira, të cilat, po të mos i kesh përjetuar, vështirë se mund t’i përfytyrosh; është një histori me vete. Mjafton të përmend se instruktori, në atë mjedis e në atë komunitet interesant ishte strumbullari i të gjithë veprimtarisë. Fundja, tek instruktori i kishin sytë të gjithë, dhe fjala e tij ishte vlerësim i punës për të gjithë të tjerët. Përpara një prove mjaft të rëndë e të vështirë u vu Sillo Melica, por mendja dhe supet e tij ishin të përgatitur, për ta përballuar këtë sfidë që i solli jeta. Studentët që u përgatitën prej tij, si pilotë gjuajtës-bombardues: Dante Dusha; Përparim Hila; Asip Budo; Enver Bajraktari; Ahmet Kamberi etj, pas diplomimit, u vunë shpatullat detyrave luftarake, në repartet ku u emëruan dhe u rritën gradualisht, por të sigurt në profesion. Të gjithë ata, nga majat ku mbërritën, kur vështrojnë pas, nuk ka si të mos kujtojnë sa kanë vuajtur ata e sa është munduar instruktori i tyre, për t’u mësuar pilotimin e aeroplanit, sipas kërkesave të instruksioneve e rregulloreve të aviacionit, dhe sidomos për të marrë nga aeroplani gjithë kapacitetet e tij luftarake.

Si nxënësi i klasit të parë të shkollës fillestare, i cili, kur rritet, pyet veten, kush m’i ka mësuar shkronjat e Shqipes, edhe ata, me siguri, kanë pyetur e vetë janë përgjigjur: Kush ua mësoi fluturimin dhe sa ka vuajtur ai njeri, për t’i bërë të njohura gjithë skutat e profesionit të vështirë të lundrimit ajror.

Në fund të vitit 1971, kur u projektua shtimi i ekipazheve të aeroplanëve të transportit Il-14 nga një, që ishte deri atëherë, në katër, Sillo Melica, bazuar në tiparet vetjake, si njeri e për vlerat si fluturues, si dhe duke marrë parasysh, garancitë e tjera, sipas rregullave të kohës, u thirr për të bërë kalimin nga aeroplanët reaktivë Mig-15 në ata të transportit ajror Il-14. Për këtë qëllim, më 2 shkurt të vitit 1972, së bashku me një grup kolegësh të profileve të ndryshëm, me një aeroplan Tu-104, u nis, nga aerodromi i Rinasit, në drejtim të Kinës së largët. Në grupin e kalimit bënin pjesë: Fari Bubësi (përgjegjës); Koço Andoni; Çobo Skënderi (Komisar i grupit); Llazar Çyci; Sillo Melica; Halit Bulku; Niko Gambeta; Spiro Burda; Ramadan Taçi; Luan Sinaj; Ramo Mejdiaj; Sotiraq Gjylameti; Gaqo Rapi dhe Sulo Gorica. Lundrimi ajror i këtij grupi të përzier, u krye në rrugëkalimin: Rinas- Budapest- Moskë- Irkutsk- Pekin- Vuhan. Në aeroportin e Irkutskut, i cili, aso kohe ishte në juridiksionin e ish-Bashkimit Sovjetik, pasagjerët, kaluan nga aeroplani i flotës ajrore sovjetike në atë të Kinës. Avioni ishte i të njëjtit tip Tu-104 por me ekipazh kinez.

Në Pekin, grupi qëndroi një javë e më pas u vendos në qytetin Jugor të Vuhanit, ku dhe bëri kalimin në aeroplanin e ri. Ky qytet, në atë kohë numëronte rreth 10.000.000 banorë. Në lumin Jangce, që kalon pranë tij, kishte kaluar me not, Kryetari Mao Ce Dun. Në dhomat ku flinin, Sillua ishte me pilotin e klasit të dytë Llazar Çyci, nga Myzeqeja; një pilot i cili kishte pasion letërsinë dhe ishte krijues i rrallë.

Programin e fluturimeve të kalimit në avionin Il-14, Sillua e përcolli me një instruktor kinez. Duke u bazuar në të dhënat tipike vetjake të Sillos, ku binte në sy dëshira e madhe e tij për të mësuar çdo gjë që lidhej me shfrytëzimin e këtij avioni, fluturoi: Ditën dhe natën në kushte të thjeshta të motit të cilat i përkisnin klasit të dytë të pilotit. Temperaturat e larta të mjedisit dhe vështirësitë e tjera, Sillo Melica dhe shokët e tij të grupit i përballuan me përkushtim e me sedër shqiptare, e cila mbështetej dhe tek mosha e tyre e rritur dhe përvoja në fluturime. Në mes të janarit (15 janar) të vitit 1973, mbasi përfunduan programin e parashikuar, grupi u kthye në Tiranë. Në kthim, pjesëtarët e grupit u nisën nga Pekini, me një aeroplan rus, i tipit Tu-104, në itinerarin: Pekin-Moskë- Budapest- Rinas. Ekipazhi ishte rus.

Në katërshen “speciale” ku u rreshtua Sillo Melica, punoi me përkushtim e vijoi të njëjtën vijë sjelljeje, si më parë. Puna e tij, në përbërje të ekipazhit në variant transporti dhe për fotografim ajror u çmua me shumë vlerë. Sillua ishte pilot cilësor dhe njeri për t’u pasur zili. Me shumë vullnet e këmbëngulje, Sillo Melica nisi dhe përfundoi fakultetin e Historisë e të Gjeografise të Universitetit të Tiranës, me tregues të lartë. Arsimimi i tij i shërbeu përmirësimit të të gjithë punës së tij si pilot. Këtë do ta mësoni nga opinionet e disa kolegëve të tij, të cilët kanë punuar, së bashku, për shumë vite dhe e kanë njohur protagonistin e këtij shkrimi, në të gjitha shtigjet e jetës.

Në vitin 1981, Sillo Melices, organi i nomenklaturës i dha një sipërfaqe banimi, në rrugën “Mustafa Lleshi”, pranë Shkollës së Baletit, në Tiranë. Një rast i rrallë ky, në ato vite kur problemi i strehimit të familjeve të oficerëve ishte bërë gangrenë. U bë zhurmë e dikush, me të drejtë shtroi pyetjen: Si është e mundur që i dhanë shtëpi një të pamartuari, kur, prindër të disa fëmijëve, banonin në kushte të mjeruara? Do t’i përgjigjem fare shkurt kësaj pyetjeje e cila, në thelb ka diçka të drejtë: Më thoni një tjetër oficer të Ushtrisë Popullore, jo vetëm të Aviacionit që të kishte tiparet e Sillo Melices? Në optikën time, pa tërhequr kërraba nga vetja, kam bindjen se Ai njeri meritonte çdo nderim dhe kanë bërë shumë mirë që i dhanë një sipërfaqe banimi, me shpresën se do të bëhej si të tjerët.

Për fat të keq, Sillua e kaloi jetën i vetmuar dhe u nda nga jeta, aksidentalisht, më 23 nëntor të vitit 2002, në shtëpinë e tij, në Tiranë. Sillo Melica u përcoll për në banesën e fundit, në varrezat publike të Sharrës, nga një “lumë” njerëzish. Sillon e përcollën, me dhimbje e lotë në sy, shokët, të afërmit, miqtë e dashamirët e tij të shumtë. Varri i tij ndodhet në Sharrë; vëllai i madh, Jorgua dhe familjarët e tij përballuan me dinjitet dhimbjen e madhe që shkaktoi ndarja para kohe dhe aksidentale nga jeta e të mirit Sillo Melica. Në vendin ku Ai prehet, vizitori vështron një objekt përkujtimor, të dukshëm, të denjë për atë njeri, i cili u shua pa u ndjerë; në vetmi. Më tej do të njiheni me disa nga opinionet e shumta që më dhanë, kolegë, bashkëkohës e miq të tij.

Për të shkruar këtë monografi, edhe pse Sillon e kam pasur shumë shok e mjaft kujtime i kam të ngulitura në mendje, për të freskuar e pasuruar kujtimet, bisedova me: Çobo Skënderin; Delo Isufin (Seraj); Mustafa Çicin, pilot i klasit të dytë, instruktor i teknikës së pilotimit i Sillo Melices, në aeroplanin Mig-15; Koço Bikun; Ahmet Sulejmanin; Bahri Meshaun (Permeti); Mehmet Haskaj; Milo Budini; Përparim Hila; Agim Balili; Shyqyri Kolli; Guri Pashaj; Arqile Kosta; Gani Progonati; Skënder Dusha; Spiro Burda; Ramadan Taçi, Niko Gambeta; Fadil Nenaj (Braho); etj. Etj. Në pamundësi për t’i paraqitur të gjitha opinionet e shokëve po ju citoj, me besnikëri disa syresh.

Çobo Skënderi – pilot i klasit të parë, veteran i aviacionit

… E kam njohur Sillo Melicen, qysh kur erdhi në Regjimentin e Rinasit, kur sapo kishte mbaruar Shkollën e Aviacionit, në pranverë të vitit 1964. Në vitin 1972-1973, ishim, së bashku, në Republikën Popullore të Kinës, ku fluturuam e kaluam në aeroplanin Il-14. Pas kësaj periudhe, fluturuam, së bashku në të njëjtën “katërshe speciale”, në Skuadriljen e Tiranës, derisa më caktuan në një detyrë tjetër. Tiparet e atij njeriu të thjeshtë, të urtë, të çiltër, të dashur e dashamirës, pa cmirë e pa zili, fisnik në të gjithë botën e tij më janë ngulitur fort në kujtesë e nuk dalin lehtë prej saj. Nëse mund të kërkohet një njeri që të jetë model e shembull për t’u ndjekur, ky ishte Sillo Melica. Sillua i vlerësonte maksimalisht detyrat dhe i plotësonte ato, cilësisht e pa pretendime.

Delo Isufi (Seraj)

… Në vitin 1968, isha instruktor i teknikës së pilotimit, në aeroplanët reaktivë Mig-15, në Poro. Sillo Melica, kur erdhi instruktor, më gjeti në detyrë. Ai erdhi nga Regjimenti “Peza”, ku kishte fluturuar në avionët Mig-17F. Sillon e kam pasur shumë shok, si në Poro dhe më vonë, në Tiranë. Si pilot, Ai ishte mjaft i mirë e i kujdesshëm.

Sillo Melica ishte shumë krenar e nuk i përulej njeriu; as vëllait të tij, nuk ia shtrinte dorën. Atij nuk i pëlqenin lëvdatat e nuk mburrej kurrë; nuk e zinte në gojë faktin se e kishte vëllanë në funksione të larta shtetërore. Si tip, ishte disi “i mbyllur” e nuk i hapej lehtë askujt. Më pëlqente fakti se Sillua ishte njeri pa fjalë; Ai nuk fliste shumë, nuk merrej me thashetheme e nuk fliste keq, për të tjerët. Si shok, nuk e kishte shokun; ishte tepër besnik dhe shumë kavalier. Po të uleshe me të në tavolinë, nuk të linte kurrë të paguaje. Mbahej mirë e ishte njeri shpirtmirë e me zemër të madhe.

Së bashku me bashkëshorten time të ndjerë, i kishim rekomanduar të lidhej me vajza të mira; Ai premtonte por nuk i vështronte kurrë. Sa kohë ishim beqarë, Ai bënte shoqëri me ne, por, sapo formonim familje, Ai largohej e nuk përzihej më. Sillo Melica ishte njeri me individualitet e me dinjitet.

Kur i referohem individualitetit të tij, kam parasysh një njeri të mençur e të zgjuar, i cili lexonte mjaft e dinte shumë. Ai, në lexime ishte selektiv. I pëlqenin sidomos shkrimtarët rusë të brezit të Anton Çehovit. Preferonte të lexonte më tepër novela dhe tregime të shkurtra. Poezitë nuk e tërhiqnin dhe lexonte pak poezi. Kisha pikasur prirjen e tij për të diskutuar rreth letërsisë dhe ishte kompetent, në këtë drejtim. Lexonte edhe në Gjuhën Ruse. Kur dikush tentonte ta zhvendoste bisedën tek politika, Ai, duke u shmangur me takt thosh: ‘Lerini këto!’ E largohej nga diskutimi.

Sillo Melica i donte shumë njerëzit dhe i ndihmonte kur ata kishin nevojë për të. Ai ishte shumë krenar por dhe i ndjeshëm. Mbaj mend sa keq u ndie Sillua, kur një i afërm i tij, njeriu i letrave, Viktor Qyrku, i dha fund jetës me vetëgjyqësi. Humbja e jetës së një njeriu e bënte të ndihej keq. Sillo Melica ishte i drejtë e i ndershëm, nuk kisha dëgjuar të ketë pasur ndonjë fërkim apo mosmarrëveshje me të tjerë. Mbasi doli në pension, gjendja e tij ekonomike u përkeqësua, por krenarinë e ruajti, edhe pse ishte i detyruar të mos mbahej më si më parë.

4. Mehmet Haskaj – specialist aviacioni, shok i afërt e bashkëkohës i Sillo Melices

… Sillo Melicen, e kam njohur, për herë të parë, në vitin 1969, kur studioja në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë. Sillua ishte pilot, instruktor i teknikës së pilotimit, në Poro, me detyrë zëvendëskomandant i skuadriljes e unë student.

Në vitin 1973, në muajin gusht, u ribashkuam në Skuadriljen e Transportit Ajror, në Tiranë, në aerodromin e Laprakës. Në atë kohë, Sillua, sapo ishte kthyer nga një specializim që kishte kryer në Kinë, ku kishte bërë kalimin në aeroplanët e transportit ajror Il-14. Të dy ishim beqarë e banonim në hotelin e Klubit Sportiv “Partizani”, në të njëjtën dhomë me oficerin e profilit teknik, Spiro Burda. Dhomat ishin me dy krevate tek, por ne të dy hapëm një vend, në mes, për Sillon.

Në dhomën fqinjë banonte piloti i ekipazhit të parë të udhëheqjes, Babaçe Faiku, i cili, në dhomë kishte vendosur televizor. Në atë kohë televizorët ishin të kufizuar e ne shkonim shpesh në dhomën ku flinte Babacja, për të ndjekur emisione të ndryshme televizive. Në dhomën tjetër, pranë tonës banonin disa basketbollistë të “elitës”, si: Gazmend Çaci; Kushtrim Zace; Robert Kuqo; Kastriot Mushi etj, me të cilët Sillua bisedonte shpesh; madje, ata i kërkonin dhe mendim për lojën që bënin.

Me Sillon, kam fjetur në të njëjtën dhomë, nga muaji gusht i vitit 1973, deri në dhjetor të vitit 1979; plot 6.4 vjet. Sillo Melica ishte tip studiues dhe lexonte shumë. Ai ishte i vetmi prej nesh, që dispononte një bibliotekë vetjake, të pasur. Për Sillon, e preferuar ishte literatura artistike dhe ajo historike. Sillua merrte pjesë në diskutimet për letërsinë dhe fliste me kompetencë. Gjatë kësaj kohe, Ai nisi e përfundoi studimet me korrespondencë në fakultetin Histori-Gjeografi të Universitetit të Tiranës.

Sillos, i pëlqente shumë muzika e lehtë dhe ajo klasike. Kur dilnim shëtitje në qytet, së bashku me Sillon dhe me Spiron, Sillua vishej mjaft bukur e pastër dhe me shije. Shpesh shkonim në teatër dhe, pas shfaqjes diskutonim, për pjesën dhe për lojën e aktorëve. Sillua diskutonte me kompetencë. Ai kishte njohuri të thella edhe në këtë fushë. Uniforma ushtarake, si dhe ajo civile, në shtatin e Sillo Melices shndrinte.

Kur kalonim në rrugë, njerëzit që na vështronin, kthenin kokën e i pëshpëritnin njëri-tjetrit; Sillon e dinin që ishte mjek. Pas largimit nga dhoma të Spiro Burdes, në dhomën tonë erdhi zagoriti i mirë nga Nivani- Robert Vito. Sillua zuri shoqëri të ngushtë dhe me Atë njeri të mirë.

Kur zhvillohej Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, në tetor të vitit 1974, Sillua qëndroi në Gjirokastër plot një javë. Gjatë atyre ditëve, Sillo Melica erdhi në shtëpinë time, në Gjirokastër, për të takuar prindërit e mi, për të cilët i kisha folur, kur flinim në të njëjtën dhomë.

Në Tiranë, kur banonim në hotelin e Klubit Sportiv “Partizani”, darkat, si rregull i konsumonim në restorantin “Drini”, në Tiranë. Në ndonjë rast, uleshim dhe në Klubin e Ministrisë së Brendshme, po në Tiranë. Rrallëherë shkonim në Shtëpinë e Ushtarakëve. Sillos nuk i pëlqente të ulej në mjedise ku mblidheshin shumë oficerë e bëhej zhurmë, siç ishte Shtëpia e Ushtarakëve. Atje shkonin mjaft oficerë të aviacionit e nuk e merrte vesh, i pari të dytin.

Në konfidencë, si shok i afërt i tij, jo një herë, Ai më kishte thënë: “Mos qëndro në shoqëri me mua se do të mbetesh beqar; siç jam unë!” Si kundërpërgjigje, i thosha: “Unë do të shoqërohem me ty; edhe kur të bëhem vetë i dytë (me grua)”. Në të vërtetë, Sillua, kur unë u martova, më erdhi në shtëpi, për të më uruar. Edhe kur na lindi fëmija i parë, Ai, përsëri erdhi në shtëpinë tonë.

Sillo Melicen, për një periudhë të gjatë kohore e kam qethur. Si të thuash kam qenë berber personal i tij. Sillua e kishte të vështirë qethjen e flokëve dhe vetëm unë ia dija terezinë. Unë e kam qethur Sillon edhe mbasi u largova nga hoteli i Klubit Sportiv “Partizani”.

Gjatë kohës kur banonim së bashku në një dhomë, mësova se Sillo Melica vuante nga një sëmundje në veshka. Këtë fakt, Ai nuk e bënte të ditur për të tjerët, por e mbante të fshehtë, nisur nga droja se mos e deklaronin të paaftë për të fluturuar. Kur Atij i dhanë shtëpi, në rrugën “Mustafa Lleshi”, pranë Shkollës së Baletit, së bashku me bashkëshorten i bëmë një vizitë kortezie. Si njeri afër tij, i kisha rekomanduar të lidhej me një vajzë, të njohurën time. Interesante ishte përgjigja e tij: “Ç’interes ka ajo, që të marrë mua?” Dhe nuk e pa, fare.

Në vitet 1996-2002, kemi qenë sërish pranë njëri-tjetrit. Ai ishte në pension pleqërie dhe banonte në shtëpinë që ndërtoi Skuadrilja e Transportit Ajror; kurse unë punoja, si menaxher tek një miku im biznesmen. Gjatë asaj kohe, e kisha parë Sillon të tensionuar dhe gjendja ekonomike e tij u përkeqësua ndjeshëm. Pensioni mujor që i caktuan ishte i papërfillshëm; por Sillo Melica ishte shumë krenar e nuk ia shtrinte dorën askujt. Nën trysninë e situatës ekonomike të vështirë, Ai u detyrua të shiste bibliotekën e tij të pasur, e cila, jo vetëm që ishte pasuria e tij më me vlerë por dhe më e dashura. Librat që ishin të sistemuar në atë bibliotekë, ishin të zgjedhur; Ai i kishte qëmtuar librat për vite radhazi.

Sillua e kishte shumë për zemër bibliotekën vetjake; shpirti i tij e di sa e vuajti këtë hap të detyruar që bëri, duke e shitur atë, për të mbijetuar.

Më ka lënë mjaft mbresa, krenaria e tij. Edhe në gjendjen që iu krijua, pas daljes në pension, Ai mbeti njeri me karakter të fortë dhe nuk pranonte t’i jepje asgjë, pa pagesë. Kur ishte i detyruar të kërkonte borxh; “më parë ta kthente se sa e merrte”. Nëse nuk pranoje t’ia merrje borxhin e dhënë, Ai të thosh: “Po nuk i more, do të më bësh një të keqe të madhe, mbasi nuk të kërkoj më…!” Kur i krijoheshin mundësitë, Sillua merrte udhën e shkonte në Çorraj e më pas në Sarandë, ku banonin prindërit e tij.

Kam dhe disa mbresa të veçanta, nga jeta dhe puna, pranë Sillo Melices: Në një rast, kur një ekipazh, shkoi në Athinë, për të çuar një personalitet të lartë shtetëror, njëri nga anëtarët e ekipazhit nuk kishte kostum të përshtatshëm. Pa i thënë njeri e pa ia kërkuar personi vetë, Sillua i ofroi kolegut kostumin e tij të ri e më të mirë, të cilin ai e mbajti të veshur një javë rresht. Sa herë dilte jashtë vendit, me detyra fluturimi, në kthim, nuk harronte kurrë, të më sillte ndonjë dhuratë simbolike.

  • I paharruar qoftë kujtimi i atij njeriu të mirë, i cili rrallëherë ndeshet në jetë!

5. Agim Ismaili, koleg i Sillos, bashkëkohës, shok grupi, veteran i aviacionit

… Sillo Melicen e kam njohur në vitin 1959, në qytetin e Kucoves, kur nisëm studimet në Shkollën e Aviacionit, për t’u bërë pilotë.

Në vitin 1960, kur shkolla shqiptare e aviacionit u mbyll e na dërguan për të vijuar studimet në Bashkimin Sovjetik, me Sillon, isha në të njëjtën katërshe. Instruktor të teknikës së pilotimit kishim V. I. Ciculin. Sillua (ndjesë pastë), ishte një student shumë i rregullt e i përqendruar dhe një shok i shkëlqyer sa i përket sjelljes dhe marrëdhënieve në shoqëri. Ai ishte i rregullt dhe si familjar; i lidhur ngushtë me të tijtë, por që fati e la të vetëm në një periudhë delikate të jetës. Me punën e me sjelljen e tij, Sillo Melica ka lënë gjurmë shumë të mira. Këtë e theksoj me ndërgjegje e me përgjegjësi të plotë.

Edhe një herë them: Të jetë i përjetshëm kujtimi i tij!

6. Koço Biku, shok i ngushtë i Sillo Melices, bashkëkohës, koleg, shok grupi, veteran i aviacionit

… Sillo Melicen e kam pasur shumë shok. Qysh se u njohëm, kur bëmë vizitat mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak, në Tiranë, në shtator të vitit 1959, më tërhoqi vëmendjen dhe, tek ai djalosh vura re tipare të cilat “më ngjitën”. E bëra shok se Sillua ishte nga ata tipa, të cilët e meritojnë shoqërinë. Më 2 nëntor të atij viti, shkuam në Qytetin “Stalin”, ku iu nënshtruam një kursi të domosdoshëm teorik dhe, në pranverë të vitit 1960 nisëm fluturimet me aeroplanët fillestarë me helikë Jak-18A. Instruktor i teknikës së pilotimit të Sillos ishte devolliu Admir Fllaga; një profesionist nga më të mirët e vendit tonë; pilot i qetë, i saktë në fluturim dhe njeri me zemër të mirë.

Ai i trajtonte kursantët si shokë, pavarësisht nga diferenca në moshë, me ta. Instruktor Admiri ishte me humor të këndshëm e i qartë në ato që dëftonte.

Sillo Melica ishte tip i mbyllur. Ai dinte shumë por njohuritë që kish, nuk i reklamonte e nuk ishte shitmendes. Nuk i pëlqente të polemizonte, prandaj qëndronte larg debateve të kota. Detyrat që i ngarkoheshin, nuk i kundërshtonte, por mobilizohej e mendohej thellë për zbatimin e tyre. Kisha vënë re tek shoku im prirjen për të qenë korrekt dhe me kërkesë të lartë ndaj vetes. Qëndrimin disi mënjanë të Sillos, instruktor Admiri diti ta kanalizonte në dobi të përgatitjes ajrore.

7. Skënder Dusha, bashkëkohës dhe koleg pune i Sillo Melices, bashkëtrevas, veteran i aviacionit

… Fshatrat tanë janë kufitarë. Unë jam nga Fterra e ai nga Çorrajt. Fisi i Sillos është autokton; njëri nga fiset më të lashta e më luftarake të fshatit. Çorrajt është një fshat i cili është i ndarë më dysh; një pjesë e fshatit është e besimit fetar mysliman; pjesa tjetër është e besimit fetar ortodoks. Të parët e Sillos, përfshi gjyshin e tij, Qyrkun, kanë qenë predikues të fesë ortodokse. Për të shkuar në det bashkëfshatarët e Sillos kalonin lumin e fshatit të tyre, i cili buron nga Qafa e Dërrasës.

Sillo Melicen e kam pasur koleg në repart dhe gjiton, në vendin ku banoj. Ai ishte njeri pozitiv, i qëndrueshëm e me sjellje mjaft të mira. Si pilot ishte nga më të mirët, në njësinë ku bënte pjesë. Sillo Melica nuk ishte hileqar por u vinte gjoksin detyrave. Ai nuk doli i paaftë si pilot por doli në pension pleqërie, nga kabina e aeroplanit. Qetësia e tij, në çdo situatë e në çdo rast ishte emocionuese.

Nëse mund të thuhet ndonjë mangësi e tij, them se nuk e kishte të zhvilluar frymën e ballafaqimit dhe ishte disi i drojtur e i mbyllur. Është rast i rrallë, sidomos në atë situatë krize, për strehim, që një beqari t’i jepej sipërfaqe banimi, me vete. Sillo Melica e meritonte një trajtim të tillë, me sjelljen dhe qëndrimin e tij korrekt e miqësor. Vdekja e Sillo Melices ishte një aksident; përcjellja e tij u bë madhështore, siç e meritonte, Ai njeri i mirë!

8. Ahmet Sulejman Zogu, shok i ngushtë i Sillo Melices, pilot, instruktor i teknikës së pilotimit, bashkëkohës, shok grupi, veteran i aviacionit

… Sillo Melicen e njoh nga gushti i vitit 1960, kohë kur shkuam në Bashkimin Sovjetik, për të studiuar, për pilotë. Si pilot, nivelin fillestar e kishte mesatar; gradualisht erdhi në ngjitje. Në cilësinë e instruktorit të teknikës së pilotimit, në aeroplanët reaktivë Mig-15, ku mësoi Ahmet Kamberin; Maliq Xhafen; Përparim Hilen; Asip Budon etj, Sillua fitoi e konsolidoi përvojë pozitive, në fluturim, të cilën e pasuroi më tej, kur fluturoi në Il-14.

Sillua ishte shok shumë i mirë, me edukatë të shëndoshë e me kulturë. Ai ishte i ndershëm e me moral të lartë. Përfundimi i shkollës së lartë dhe leximet e shumta e poqën dhe e bënë mjaft të kulturuar. Si të metë, mund të vë në dukje faktin se në tërësi ishte tip i mbyllur e nuk shfaqej lehtë.

9. Guri Pashaj, koleg i Sillos, bashkëkohës i tij, veteran i aviacionit, inxhinier mekanik, në pension

… Sillon e kam njohur, në kohën kur kryeja detyrën e inxhinierit mekanik të armatimit, në skuadriljen reaktive të Shkollës së Aviacionit. Sillua ishte instruktor i teknikës së pilotimit dhe zëvendëskomandant i skuadriljes. Tek Sillua njoha një njeri shumë të mirë dhe një fluturues kompetent e të saktë në fluturim. Ai dallohej për korrektesë e si njeri i rregullt, me kërkesë ndaj vetes. Dashamirësia e tij ndaj njerëzve ishte emocionuese dhe e prekshme. Sillua i donte e i respektonte njerëzit. Me vartësit sillej mjaft mirë. E kam të freskët një rast.

Një aeroplan mësimor i tipit Mig-15, kishte kryer punime shërbimi në ofiçinë. Pas shërbimeve që i ishin bërë duhet të kryente një fluturim prove, në ajër. Kjo detyrë iu caktua Sillos, si pilot me përvojë e me teknikë pilotimi të përkryer. I shkova pranë e iu drejtova me kërkesën: “… komandant; të gjithë kanë fluturuar vetëm unë kam mbetur pa u ngritur në ajër. Një herë që kam fluturuar, mjeti ajror ka qenë helikopter. Dua të fluturoj!” i thashë. Sillua, pa u menduar gjatë, më pa në sy e më bëri shenjë me kokë që të futesha në kabinën e parë të avionit. Vetë zuri vend në kabinën e dytë. Donte të më plotësonte dëshirën por nuk donte që këtë ta mësonin të tjerët.

U çuam në ajër dhe, sipas instruksionit, bëmë kontrollin e aeroplanit në të gjithë planet. Kur zbritëm në tokë e dolëm nga kabinat, Sillua më porositi që këtë veprim tonin të mos e mësonin të tjerët. Do ta mbaj mend sa të jem këtë nder që më bëri Sillo Melica, si njeri dashamirës e me zemër të madhe. U ligështova shumë kur mësova për vdekjen aksidentale të tij! Qoftë i paharruar kujtimi i atij njeriu të mirë!

10. Shyqyri Kolli, koleg i Sillo Melices, teknik fluturues, bashkëkohës i tij, veteran i aviacionit

…Sillo Melicen e kam njohur në punë të përbashkët, në katërshen Il-14, nga shkurti i vitit 1972, derisa doli në pension. Sillua ishte njeri i mrekullueshëm dhe pilot shumë i mirë. I urtë, i qetë, i drejtë i ndershëm; nuk përzihej në punët e të tjerëve. Ai dallohej për dashamirësi dhe ishte shumë bamirës.

Kur doja të bëja riparimin e shtëpisë sime të vjetër, tironse, dhe për këtë qëllim kisha kërkuar e më ishte akorduar një kredi nga shteti, e cila po vonohej; Sillua, e mësoi këtë rrethanë e më tha: “Shyqyri: kam mbledhur ca para, të cilat po flenë; merri ti, përdori për riparimin e shtëpisë dhe kur t’i kesh, m’i kthe”. Jo, i thashë se paratë duhet t’i kthej përsëri. “Punë e madhe, tha ai; po m’i dhe – mirë; por dhe po nuk m’i dhe; prapë mirë”! I tillë ishte Sillo Melica; zemërgjerësia e tij nuk kishte kufi!

11. Milo Budini, specialist aviacioni për fotografim nga ajri, bashkëkohës dhe bashkëpunëtor i Sillo Melices, veteran i aviacionit

… Sillo Melicen e kam njohur në punë të përbashkët qysh nga viti 1976, kur ai fluturonte në aeroplanin Il-14; me ngritje e me ulje nga aerodromi i Rinasit. Sillua, në atë kohë, fluturonte për të bërë fotografimin nga ajri të territorit të Republikës së Shqipërisë. Kryente fluturime të këtij karakteri, për llogari të Institutit të Topografise Ushtarake. Në ekipazh ishte me pilotin me përvojë Serafin Shegani.

Për të kryer këtë detyrë, Sillua ishte i specializuar dhe fluturonte shumë mirë. Ai njihte mjaft mirë pjesët materiale të aeroplanit Il-14 dhe funksionimin e tyre. Si pilot, Sillo Melica zotëronte parimet bazë të aeronautikës dhe ishte i mençur. Nuk gjej dot fjalë për të shprehur mirësinë e atij njeriu. Sikur të mundja e të mblidhja gjithë fjalët e mira që përmban fjalori i Gjuhës Shqipe, prapë nuk do të mundja t’i shprehja dot, plotësisht ato që përjetova gjatë kohës së njohjes e të punës së përbashkët me atë njeri.

Sillo Melica ishte njeri me edukatë të shëndoshë e me kulturë qytetare. Në raporte shoqërore ishte shumë i dashur e i komunikueshëm. Isha fillestar në atë detyrë dhe mjaft procese pune nuk i njihja. Sillua, me cilësinë e njeriut të gatshëm për t’i ardhur në ndihmë cilitdo që i drejtohej me kërkesën për ndihmë, më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Në punë e në jetë ishte i urtë, i qetë e shumë i dashur. Gjithë ditën lexonte dhe e kishte kokën plot. Në fluturim ishte mjaft i aftë dhe e zotëronte në mënyrë të përsosur teknikën ajrore; Ai ishte kompetent si profesionalist.

Kur fluturonim së bashku, në ajër, duke parë detyrën dhe pozicionin e vështirë timin, herë pas here kthehej nga unë e më pyeste: “Si ndihesh, Milo?” Në pilotim ishte i saktë dhe e kishte dorën “të lehtë”! Kur e pyesja: Çfarë do të bëjmë tani? Mbasi e kishim kryer një proces aerofotografimi, Ai, kthente kokën, më buzëqeshte e, me fjalë të ëmbël, qetë-qetë, më thosh: “Mos e çaj kokën! Ti vështro punën tënde, të tjerat i dimë e i kryejmë ne!”

Sillo Melica, në opinionin tim, ishte një njeri “Nobël” dhe pilot i përgatitur e mjaft i saktë. Ndarja e tij nga jeta, më befasoi e më ligështoi! I paharruar qoftë kujtimi i tij!

12. Admir Fllaga, ish-instruktor i teknikës së pilotimit, bashkëkohës i Sillo Melices, veteran i aviacionit

… Sillon e kam njohur qyshkur erdhi në Skuadriljen shkollë të Qytetit “Stalin”, në vitin 1958, për t’u bërë pilot. Ai ishte nga ata njerëz që nuk i gjendet shoku, për korrektësi e për krenari. Po ta mendosh thellë jetën e tij, të vjen keq që një njeri aq i mirë u traumatizua në vitet e fundit të jetës, siç nuk e meritonte. Më vjen keq që jeta nuk e përkëdheli, por u dëftua e ashpër me të dhe e ndëshkoi me vetmi. Që kur erdhi, e në vazhdimësi, formova për të një opinion pozitiv. Për mua, Sillo Melica ishte njëri nga njerëzit më të mirë që kam njohur në jetë.

Mbasi doli në pension, me një shpërblim të pamerituar (shumë të ulët), dhe u ngushtua ekonomikisht, e kisha takuar disa herë, në Tiranë. E njihja dhe e respektoja për atë që ishte, para së gjithash, si njeri. Jo në një rast, si dashamirës i tij, e kisha ftuar për kafe. “Sapo e kam pirë” – ishte përgjigja e tij standarde. Në një rast i thashë: “Po mirë o Sillo, dy kafe nuk të bëjnë keq; mund ta pimë një kafe së bashku!” U bind, erdhi e kafen e pimë.

Vura re që Sillua rrinte si mbi gjemba e i drojtur. Kur dolëm nga kafja, në udhë takova shokun tim të shkollës Q.Dh. E ia përshkrova situatën. Shoku im më qetësoi me fjalët: “Është i rezervuar, mbasi është ngushtë nga ana ekonomike dhe ndoshta mendon se nuk do të ketë mundësi ta kthejë qerasjen!” Argumentim bindës ky duke njohur natyrën e Sillos.

Sillo Melica, ka qenë instruktor i teknikës së pilotimit në aeroplanët reaktivë Mig-15. Si instruktor, Ai ishte mjaft i qetë, i saktë e kompetent. Studentët që Ai mësoi të fluturojnë, në ndonjë rast lejonin dhe gabime e shmangeshin nga ato që u thosh Ai. Sillua kishte durim dhe pakënaqësitë nuk i shprehte por i mblonte përbrenda e i bënte objekt analize; atje ku duhej e në kohën e duhur.

Më erdhi keq për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të atij njeriu të mirë. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!

13. Përparim Hila, ish-pilot, student, të cilit Sillo Melica i ka mësuar teknikën e pilotimit, veteran i aviacionit

… Sillo Melica, së bashku me pilotë të tjerë, shokë të tij si: Nazmi Dautaj; Bashkim Agolli dhe Petraq Koroveshi, së bashku me aeroplanët Mig-17F, që pilotonin, u transferua nga Regjimenti i Rinasit në atë të Qytetit “Stalin”. Në vitin 1969, Sillua u transferua, në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, për të bërë detyrën e instruktorit të teknikës së pilotimit, në aeroplanët Mig-15. Studentë të tij ishin: Përparim Hila; Asip Budo; Enver Bajraktari; Ahmet Kamberi; Dante Dusha etj.

Sillua ishte njeri shumë i mirë dhe instruktor nga më kompetentët. Teorikisht ishte shumë i përgatitur dhe nga ana praktike e zotëronte mjaft mirë pilotimin e aeroplanit. Ai, si instruktor, fliste pak, por na thosh gjëra të vlefshme, të sakta e të qarta. Në ajër ishte i qetë, i duruar e pilotonte pastër. Studenti kishte çfarë të përfitonte prej tij. Sillo Melica ishte mjaft i përkushtuar në detyrë. Ai e donte shumë profesionin e pilotit dhe bënte çmos të na mësonte ato që dinte vetë.

14. Mustafa Çici, ish-pilot, instruktor i teknikës së pilotimit, i ka mësuar Sillo Melices fluturimin në aeroplanët Mig-15, në Poro, në vitin 1963

… Sillon e kam njohur në fillim të vitit 1963, kur më caktuan instruktor i teknikës së pilotimit, në aeroplanët Mig-15. Në grup kisha 4 studentë për pilotë; të katër ishin të “shkëlqyer”: (Koço Biku; Thanas Papa; Roland Sofroni dhe Sillo Melica) ishin studentët që m’u besuan t’i vozitja në ajër. Nga të katër, më i urti ishte Sillua. Ai ishte shumë i qetë, në tokë e në ajër; mjaft i disiplinuar; i sjellshëm e me një pasion të çuditshëm për t’u bërë pilot gjuajtës-bombardues në aeroplanët reaktivë të kohës. Sillua e donte shumë aeroplanin dhe fluturimin.

Ai përgatitej e punonte shumë për të qenë i gatshëm në çdo fluturim. Dashurinë e tij për të fluturuar e vështroja në përpjekjet që bënte, nëpërmjet leximit të literaturës përkatëse, trenerimit në kabinë, përsëritjes së veprimeve me model aeroplani, në dorë, etj. Ai pyeste në mënyrë të thelluar për gjëra që nuk i dinte dhe ishte i vëmendshëm në kohën e përgatitjes për fluturim. Aq shumë e donte fluturimin Ai njeri, i cili e kishte qëllim të jetës së tij dhe gëzimin e tij. Sapo ta prekje në çështjen e fluturimit, Sillua ishte gati të shpërthente. Në fund të vitit 1963, Sillua dhe shokët e tij të grupit u titulluan oficerë e u diplomuan pilotë gjuajtës-bombardues, siç ëndërronte.

Pas mbarimit të shkollës së aviacionit, Sillon e caktuan në Regjimentin e Rinasit, ku përsëri u bashkuam, por kësaj here, si kolegë. Me shumë vullnet e përgatitje të gjithanshme, Sillua eci mjaft në çështjen e teknikës së pilotimit.

Pastaj u bë instruktor e më në fund u specializua për të fluturuar në aeroplanët e transportit ajror Il-14.

Mbasi doli në pension, e kisha takuar disa herë, në Tiranë. Kur e pyesja: ku po shkon? Ai përgjigjej njëlloj: “Po shkoj të blej cigare!” Kishte nisur ta shpeshtonte pirjen e duhanit. E këshillova ta rrallonte duhanin se e dëmtonte. Ai më pa në sy e me habi, m’u përgjigj: “Më dashke të mirën! Përse nuk më thua, të çmendem!” E po, lëviz atëherë, i thashë, në kuptimin që të çiftohej. “A-ha, u përgjigj ai; tani është tepër vonë!”

U ndjeva keq kur mësova për ndarjen e tij nga jeta, i vetmuar e në mënyrë tragjike; qoftë i paharruar!

15. Bahri Meshau (Permeti), pilot, kryenavigator i Shkollës së Lartë të Aviacionit; shok i ngushtë i Sillo Melices; veteran i aviacionit

… Sillo Melicen e kam njohur në muajin tetor të vitit 1959, në ditët kur, një grup djemsh iu nënshtruam analizave dhe këqyrjeve mjekësore, në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak, në Tiranë, ku u përcaktua përshtatshmëria jonë shëndetësore, për fluturime ajrore. Në këtë grup ishin: Koço Biku; Bardhyl Lubonja; Bahri Meshau (Permeti); Sillo Melica; Rrapo Kodheli dhe Lili Xharo.

U njoha me Sillon, fillimisht, në korridoret dhe në kabinetet e Spitalit të Përgjithshëm Ushtarak. Kur u shpallën rezultatet dhe kaluam në komisionin ushtarako-mjekësor të aviacionit, një ditë më pas, më 2 nëntor 1959 me një autobus ushtarak, në komandën e oficerit të aviacionit, pilotit instruktor Flamur Mickaj, morëm udhën për në Qytetin “Stalin” e u sistemuam në godinat e Regjimentit të Aviacionit “Peza”, me qendër në Urën Vajgurore. Sillua vinte nga Politeknikumi “7 nëntori”; unë nga Teknikumi i Ndërtimit- të dyja shkolla me emër e cilësore. Disa ditë më pas, grupit tonë të kursantëve iu shtuan kandidatura të tjera si: Surri Barbullushi; Sazan Abibi; Lutfi Islamaj; Thanas Papa; Agim Ismaili; Vaso Koço Pesha etj. Mbasi u kompletua grupi i kursantëve për pilotë, nisëm përgatitjen teorike ku u njohëm, teorikisht me aerodinamikën dhe me veçoritë e aeroplanit të lehtë mësimor, me helikë, të tipit Jak-18 A, me të cilin do të fluturonim në pranverën e vitit që pasoi.

Fluturimet nisën në fushën e blertë të aerodromit të Qytetit “Stalin”, fillimisht me instruktorin e teknikës së pilotimit në kabinën e dytë. Brenda Regjimentit “Peza”, me iniciativën e Komandantit të tij, Kolonel Niko Hoxha, pilot i klasit të parë, një vit më parë ishte formuar e funksiononte skuadrilja shkollë, e pajisur me aeroplanë Jak-18A. Komandant i shkollës ishte piloti i klasit të parë – Thanas Gjiknuri; zëvendës i tij – Irakli Grazhdani. Instruktorë të teknikës së pilotimit ishin pilotët: Flamur Mickaj; Refit Jazoj; Hektor Lako; Admir Fllaga; Naun Todo; Nehar Jazexhi dhe Petrit Majlindi. Instruktorët e teknikës së pilotimit, kishin fituar përvojën e nevojshme, mbasi, në vitin paraardhës – 1959, ata kishin përcjellë një grup tjetër kursantësh për pilotë, të cilët, në vitin 1960 fluturonin në aeroplanët Mig-15, në aerodromin fushor të Poros.

Fluturuam deri në mes të korrikut 1960. Kishim dalë në fluturime vetëm dhe pas trenerimit në “rreth” kishim nisur të fluturonim në pilotazh. Por, në fund të korrikut të vitit 1960, fluturimet tona u ndërprenë e shkolla e Aviacionit u mbyll. Në aerodromin fqinjë ku fluturonin shokët tanë, në aeroplanët reaktivë, kursantët e vitit të dytë, ndodhën dy ngjarje të rënda ajrore. Në njërën prej tyre humbi jetën kursanti Jovan Llazi Kacorri, i cili u përplas pas tokës, në afërsi të qytetit të Fierit; katastrofë të cilën e pasoi braktisja e aeroplanit me katapultë, nga kursanti Petraq Qafezezi. Mbyllja e shkollës ishte një ngjarje e rëndë, për ne dhe për të gjithë Aviacionin Shqiptar.

Më 26 gusht të vitit 1960, grupi i kursantëve ku bëja pjesë, i shtuar dhe me djem të tjerë, 4 nga të cilët, kishin kryer Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe të tjerë të ardhur nga shkollat civile të vendit, gjithsej 36 vetë, me një aeroplan sovjetik të tipit Tu-104, rrugëtuam nëpërmjet ajrit, nga Rinasi në Moskë e më pas, me tren, shkuam e u sistemuam në qytetin e Batajskut, rreth 9 km në Juglindje të Rostovit mbi Don. Atje, nisëm sërish përgatitjen teorike dhe në pranverë të vitit 1961 nisëm fluturimet me avionët Jak-18A. Sillo Melica ishte student “shembullor”. Ai e çmonte, me seriozitet maksimal çdo gjë që lidhej me fluturimin. Në jetën e tij si ushtarak, nuk pashë asnjëherë “xingla” por Ai ishte shumë korrekt. Sillua ishte shumë korrekt edhe në shoqëri ku sjellja e tij ishte e përkryer.

Edhe në Bashkimin Sovjetik ku shkuam me shpresë, nuk na eci. Pas një viti, për shkak të prishjes së marrëdhënieve mes dy vendeve tona, morëm udhën e kthimit. 12 nga shokët e mi, nisën sërish përgatitjen ajrore; fillimisht me avionin Jak-18, i cili ishte më pak i kualifikuar nga paraardhësi i tij, me të cilin kishim fluturuar, 2 herë. Me shumë vështirësi, u rihap shkolla e aviacionit, në Vlorë. Vështirësitë dhe sakrificat që na dolën në rrugën e rritjes, na lidhën e na miqësuan më fort njërin me tjetrin.

Sillua u titullua oficer (nëntoger) e u diplomua pilot gjuajtës-bombardues dhe u emërua në Regjimentin e Rinasit, ku fluturoi në aeroplanët Mig -17F, nga pranvera e vitit 1964 deri në pranverën e vitit 1966, kur, së bashku me skuadriljen e këtyre avionëve dhe me disa kolegë, u transferua në Regjimentin “Peza”. Në këtë repart, fluturuam së bashku, ndonëse në skuadrilje të ndryshme. Banonim në të njëjtën dhomë në hotelin e beqarëve. Në vitet që pasuan, punuam të dy në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, në detyrën e instruktorit të teknikës së pilotimit, në aeroplanët reaktivë – Mig-15. Në fillim të vitit 1972, Sillo Melica u dërgua në Kinë ku u specializua në aeroplanët e Transportit ajror Il-14, me të cilët, Ai fluturoi derisa doli në pension.

Shoku im Sillo Melica, e pati fatin të keq. Ai nuk arriti të formojë “strehën familjare”, aq të domosdoshme, ndonëse rastet për këtë nuk i munguan. Në jetën e Sillos ngjanë të papritura të dhimbshme, të cilat, Ai i përcolli jo pa vështirësi.

Në një rast, kur shoku im i ngushtë ishte në katërshen “speciale” Il-14, u takuam dhe u ulëm në një lokal, në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë Popullore. Biseduam gjatë për tema që na interesonin. Kujtuam të kaluarën tonë të përbashkët dhe atë pas ndarjes. Para se të ndaheshim, Sillua më tha: “Mos shko të flesh në hotel; hajde në shtëpinë time, se kam vend plot dhe e kalojmë kohën me biseda, meqenëse takohemi rrallë!” Mes të tjerash, fola për martesën. U mundova t’i mbushja mendjen që të martohej.

Për këtë qëllim i solla dhe argumentin: “Martohu se jeta nuk shtyhet i vetëm!” Ai, më vështronte në sy, përthithte çdo fjalë timen e në të rrallë fliste. Kishte marrë nga komanda një dhomë e një kuzhinë, të cilën e kishte kompletuar, dhe e mbante mjaft mirë. Kaloi mesnata e dita po gdhihej. Ajo i kishte marrë nja 2 orë natës. Sillua propozoi: “Shkojmë të flemë nja 2-3 orë se nesër do të vemi në punë, pa çështja ime është e mbaruar; unë do ta shtyj jetën, kështu, siç jam, i pamartuar!”

Këto fjalë nuk kam për t’i harruar kurrë; ishte komunikimi i fundit me të. Sillo Melica u nda nga jeta, i vetmuar, siç nuk e meritonte. Nuk i premtoi koha as për të vendosur në vendet e tyre ato që kishte psonisur; as për të çelur shishen me raki. … Mbase ajo do ta kishte ndihmuar alkooli, që zemra e tij të mos ndalej.

Më vjen në mend dhe një shaka, nga koha kur ishim kursantë e bënim stërvitje rreshtore, me armë, nën drejtimin e kapitenit R. V. Sillua i drejtoi armën, me shaka, shokut të tij: Bardhyl Lubonja të cilit i tha: “Mos luaj! Duart lart!” Drejtuesi R., i cili i pa këto veprime, ndërhyri me fjalët: “E di ti se çfarë ka brenda arma?” “Si nuk e di, shoku kapiten! Arma, brenda ka viaska!” E pagoi shtrenjtë këtë shaka Sillo Melica; drejtuesi R. V. e ndëshkoi Atë!

15. Spiro Burda, teknik bordi, njëri nga specialistët më në zë të aviacionit shqiptar, shok i afërt dhe jetëgjatë i Sillo Melices; më i riu i grupit të kalimit (25 vjeç)

… Sillo Melicen e kam pasur më tepër se vëlla. Me Sillon jam njohur që në kohën kur isha në Shkollën e Aviacionit; por lidhje më të ngushta patëm kur flinim në të njëjtën dhomë, në hotelin e Klubit Sportiv “Partizani”, në Tiranë. Më pas, kur shkuam në Kinë, për specializim në aeroplanët e transportit Il-14 e më vonë, gjatë punës së përbashkët, në katërshen “speciale”, shoqëria jonë u forcua e u bë më e afërt. Sillua ishte njeri i mirë; shoqëria me të më pëlqente, prandaj e kemi ruajtur dhe e kemi forcuar atë, në çdo rrethanë, e derisa Ai ishte në jetë.

Sillo Melica erdhi në Katërshen “speciale”, nga Shkolla e Aviacionit ku kishte qenë instruktor i teknikës së pilotimit, në aeroplanët reaktivë Mig-15. Pas gati një muaji trenerimi, në Tiranë, më 24 janar të vitit 1972, morëm udhën për në Kinë, ku do të kalonim në aeroplanët e transportit me helikë Il-14. Grupi ynë përbëhej nga pilotë, bortteknikë dhe navigatorë fluturues. Në grup ishin: Fari Bubësi, pilot ushtarak i klasit të parë (përgjegjës i grupit); Koço Andoni, pilot ushtarak i klasit të dytë, komandant ekipazhi; Çobo Skënderi, pilot ushtarak i klasit të parë (komisar i grupit); Halit Bulku, pilot ushtarak i klasit të parë, komandant ekipazhi. Llazar Çyci e Sillo Melica, pilotë ushtarakë të klasit të dytë, komandantë ekipazhi. Sulo Gorica; Gaqo Rapi; Spiro Burda, Niko Gambeta dhe Ramadan Taçi- bortteknikë dhe Ramo Mejdiaj; Luan Sinaj dhe Sotiraq Gjylameti- aviodrejtues fluturues.

U nisëm nga aerodromi i Rinasit, në mbrëmjen e 24 janarit të vitit 1972; me një aeroplan të shoqërisë ajrore gjermane: “Interflug”. Pas më se 2.5 orësh në ajër, në mbrëmje vonë, mbërritëm në Budapest. Atje na priti kolegu Ylber Laknori, i cili vinte nga radhët e pilotëve, por që kishte kaluar në diplomaci. Fjetëm atë natë në Budapest dhe rreth orës 04.30 të ditës së nesërme, me një aeroplan Il-18 të shoqërisë hungareze “Mlev”, mbërritëm në Moskë. Në mbrëmjen e datës 25 janar 1972, me një aeroplan Tu-104, të shoqërisë ajrore sovjetike “Aeroflot”, fluturuam nga Moska, në qytetin e Omskut e pastaj në aeroportin e Irkutskut. Në të dy aeroportet, bënte mjaft ftohtë; temperaturat e ajrit rrethues, arrinin nga -25 gradë celsius deri në -34 gradë celsius.

Në Omsk, frynte shumë erë dhe ulja e aeroplanit me të cilin fluturonim, u rrezikua. Në Irkutsk ndërruam aeroplan dhe nga Irkutsku në Pekin, fluturuam me një aeroplan të tipit Tu-104 të shoqërisë ajrore kineze. Në aeroportin e Pekinit mbërritëm rreth orës 23.00. Bënte shumë ftohtë dhe, disa prej nesh ishin pa kapele. Më keq e kishin ata që nuk kishin flokë, të cilët u bënë objekt bisede e shakaje.

Në Pekin, në një hotel luksoz qëndruam 1 javë. Atje, pamë qytetin, bëmë disa vizita turistike, në objekte të rëndësishme muzeale dhe iu nënshtruam analizave e këqyrjeve mjekësore, në të cilat rezultuam të shëndoshë për misionin për të cilin kishim shkuar. Në këto analiza e vizita, u konfirmua dobësimi i dëgjimit tek kolegu Sotiraq Gjylameti. Pati dhe ndonjë lëkundje të tensionit arterial, tek ndonjë koleg, nga emocionet dhe sforcimi.

Pas një jave, me një tren luksoz morëm udhën për në Jug të Kinës. Shkuam në qytetin disa milionësh të Vu- Hanit, ku do të bënim kalimin në aeroplanët Il-14. Kaluam lumin Jang Ce, i cili është i lundrueshëm dhe kalohet nëpërmjet dy urave gjigande. Pas sistemimit, në mjediset e fjetjes, të mësimit dhe të stërvitjes ajrore, fillimisht kryem një program teorik, sipas specialiteteve. Ishte regjiment aviacioni, i përshtatur për stërvitjen ajrore të VIP-ave. Shumica e pilotëve, ishin përgatitur në shkollat sovjetike të aviacionit dhe dinin Rusisht. Pilotët tanë, të cilët, gjithashtu kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe dinin Rusisht, e kryen procesin teorik dhe atë praktik në gjuhën Ruse, pa përkthyes, kurse ne, të profilit teknik, kishim përkthyes, nga gjuha Kineze, në atë Shqipe.

Ishte koha kur në Kinë, erdhi për një vizitë zyrtare dhe miqësore, për herë të parë në historinë e Kinës Komuniste, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nikson.

Banesa ku u sistemuam ishte dykatëshe. Të tre shefat (Fariu, Çobua dhe Kocua), flinin në dhoma me vete. Ne, të tjerët flinim në dhoma dyshe; sipas preferencave dhe profilit të punës. Kur nisëm përgatitjen ajrore, u pa qartë se instruktorët ishin të përcaktuar dhe programet ishin të diferencuara. Instruktori që drejtonte përgatitjen ajrore të Sillos, ishte një kinez i shëndetshëm; pak brun. Për shkak të trupit të madh dhe shëndetit që kish, ne e “pagëzuam”: “ariu kinez”. Ai, në çdo rast kishte në gojë fjalët: mamandi-mamandi, që do të thotë: avash-avash. Në çdo ekipazh që ngrihej në ajër, për ne që nuk dinim Rusisht, ishte i pranishëm një përkthyes.

Gjatë muajit gusht të vitit 1972, temperaturat e ajrit në Vu Han, ishin mjaft të larta (deri +40 gradë celsius). Në atë muaj nuk u organizua asnjë ditë fluturimi. Mbasditeve, çdo ditë, shkonim në pishinë, në një kompleks pishinash, ku funksiononin 9 vaska të pajisura me të gjithë aksesorët. Vu Hani ku ne banonim e stërviteshim, ishte njëri nga tre “kazanet” e Kinës.

Në fluturim, Sillo Melica ishte nga më të mirët që kisha parë e vështroja aty. Ai “e qepte uljen” dhe avioni, kur prekte tokën, nuk ndihej fare. Sillua ishte tepër i kujdesshëm e i vëmendshëm në fluturim, siç ishte i tillë dhe në jetën e përditshme. Sillo Melica ishte dhe një navigator i përsosur. Në mjaft raste, Çobua, si pilot me përvojë, i kryente fluturimet, në ekipazh me Sillo Melicen.

Ishim të veshur me uniformë ushtarake kineze, të mbyllur, si ajo që vishte Kryetari Mao Ce Dun. Veshjet me të cilat shkuam, i varëm në dollape e nuk i veshëm, asnjëherë, gjatë qëndrimit në Kinë. Me ushqimin, nuk u miqësuam asnjëherë. Sillo Melica, i cili ishte me naze në çështjen e të ushqyerit, e pati më të vështirë. Në ato kushte, të vështira për punë e për të jetuar, natyra e Sillos, durimi i tij ishte inkurajues. Shpesh më thoshte: “Do ta kalojmë dhe këtë vështirësi; e përkohshme është koha e qëndrimit tonë këtu.” Kësisoj, Ai më jepte kurajo e shpresë.

Më 13 janar të vitit 1973, u nisëm në udhën e kthimit. Në Rinas, u ulëm pas 2 ditësh (48 orë). Nga Pekini, në Moskë, fluturuam me një aeroplan Tu-104 të kompanisë ajrore ruse (Aeroflot). Nga Moska, në Rinas, fluturuam me një aeroplan Il-18, nëpërmjet Budapestit.

Sillo Melicen e kisha shok të ngushtë por ishte e vështirë të depërtoja në mendimet e tij. Ai lexonte gjithë ditën dhe fliste pak e vetëm kur këtë ia kërkoje. Rrallëherë bënte ndonjë shaka me kripë. I kishin lezet shakatë atij njeriu. Në leximet e tij, vend kryesor zinte letërsia artistike. Shkrimtarët shqiptarë cilësorë, si: Dritëro Agolli; Ismail Kadare; Fan Noli; Jakov Xoxa etj, i kishte mjaft për zemër.

Sillua blinte çdo libër të ri që hidhej në treg; e lexonte dhe e vendoste në bibliotekën vetjake. Diskutimet për letërsinë, Sillua i bënte me Xhulian Popen dhe me Llazar Çycin, të cilët, gjithashtu lexonin e dinin shumë. Me Xhulianin, Sillua ngjante si i prerë nga një sharrë.

Kur diskutonte në mbledhje, Sillua nuk i binte rrotull çështjes që diskutohej, por fliste shkurt e qartë dhe i binte problemit në kokë. Ai nuk ishte as inatçi; as i thashethemeve; por futej tek njerëzit e urtë e të qetë që vështrojnë punët e tyre.

Sillo Melica, vazhdimisht frekuentonte lokale “speciale” për t’u ushqyer. Atë e gjeje aty ku gatuhej me cilësi. Më shpesh, Atë e vështroje të darkonte tek 15-katëshi; te “Drini”; tek “Vollga”; tek “Donika”; shkonte tek “Tajvani” dhe në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë. Nuk kishte qejf kur porosia vonohej. Po të uleshe me të, nuk të linte të paguaje, kurrë. Kjo ishte mosmarrëveshja më e madhe që kisha me Sillon.

Pas daljes në pension, sipas ligjit për moshën e pilotëve, Sillon e trajtuan me një pension “mjeran”, i cili nuk i përgjigjej punës që kishte bërë. Për këtë shkak, Ai u ngushtua shumë nga ana ekonomike. Edhe kur ishte në pension, takohesha me Të, thuajse çdo mbasdite. Në mjaft raste, kur vinte puna tek pagesa, Ai hidhej, si më parë, por unë i theshnja: “Tani rri se e kam unë fjalën!” Më dëgjonte. Sillo Melica ishte një engjëll e i tillë u nda nga jeta, siç ndahen qiellorët.

Në një rast, kur ishte në pension dhe banonte në apartamentin që i dha komanda, i shkova në banesë, së bashku me bashkëshorten. Nuk e njoftuam paraprakisht, me qëllim që ta gjenim në befasi. Për qerasje kishte vetëm një shishe “Grapa”. U turpërua, e na bëri vërejtje që i shkuam ashtu, pa e njoftuar, më parë. “Më pritni sa të vishem”, na tha dhe dolëm e na dha darkë. Për herë të fundit e takova 3 ditë, para se të ndahej nga jeta.

I premtova ta çoja diku, jashtë qytetit, për ta qerasur, por kjo nuk ndodhi. Sillo Melica, pati një fund siç nuk e meritonte. Ndarja e tij nga jeta më mori një shok e mik të ngushtë, të cilin, njeriu e ndesh rrallë në jetë. U dëshpërova shumë dhe e kujtoj, siç ishte, si një engjëll.

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Epilog

Jam i sigurt se sikur të kisha pyetur dhe shumë të tjerë, nga ata që e kanë njohur shokun tim të ngushtë, Sillo Vangjl Melica, besoj se të njëjtat fjalë të mira, në mos më tepër, do të më thoshin. I miri mbetet i mirë dhe në kujtesën e njerëzve ulet e nuk “çohet” lehtë. Në të njëjtën kohë, shpresoj se opinionet e shokëve, me ato fjalë të zgjedhura, natyrisht, të merituara, e plotësojnë në njëfarë mase figurën e pastër të njeriut të ndershëm, i cili u nda nga jeta siç nuk e meritonte. Për ta mbyllur këtë monografi, jo të paqortueshme, kam shumë dëshirë të shfrytëzoj, me dashamirësi, një thënie të vëllait të madh të Sillos, Jorgo Melica, marrë nga libri i tij i arrirë: “Çorraj, traditat dhe njerëzit e tij”, i cili, në faqen 39 të librit shkruan: “… Ne u rritëm bashkë me fshatin dhe fshati bashkë me ne. Ai na përcolli në shkolla, në Ushtri, në aksione dhe ne, kudo që shkuam ia ruajtëm emrin e mirë dhe dëshirën për të bërë gjithnjë të mira, për të dhe për Atdheun”.

Sillo Melica ishte njëri nga djemtë e fshatit Çorraj, i cili, me figurën e tij të pastër dhe me veprimtarinë e tij të dobishme, jo vetëm që ia zbardhi faqen fshatit të tij por dhe la emër të mirë, në historinë që llamburin të fshatit të tij të dashur. Ai do të mbahet mend, përjetë, si një njeri i mirë e i veçantë që la gjurmë të pashlyera në kujtesën e shokëve, miqve, të shumtë që bëri, familjarëve dhe bashkëfshatarëve të tij. Kjo monografi, kushtuar Atij njeriu të rrallë, me siguri që do t’i shërbejë, qoftë dhe sadopak përjetësimit të kujtimit të tij. Ne, prej kohësh nuk e kemi më mes nesh atë deli shok, por kemi ruajtur të freskët kujtimin e tij të ndritur. Ky shkrim, me gjithë mangësitë që bart, mendoj se do të vlejë për ta njohur e për ta përjetësuar veprimtarinë dhe jetën e Tij të veçantë.

I paharruar qoftë kujtimi i Atij njeriu të mirë!

Në Tiranë, shkurt-prill 2018

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, shok grupi i Sillo Melices