Kush nuk e kujton mësuesin e parë të tij? Atë që të ka mësuar alfabetin shqip; shkrim e këndim dhe të ka futur në udhën e dijes. Thonë se njeriu mëson gjatë gjithë jetës dhe mbetet nxënës i përjetshëm. Herë me mësuesin pranë, e herë autodidakt. Ekzistojnë disa profesione, siç është ai i të fluturuarit, i cili nuk mësohet pa “marrë takim me ajrin nën drejtimin e mësuesit”, i cili të shoqëron në çdo hap e vazhdimisht. Me përulje e me respekt të merituar për punën e veçantë që bën, këtë tip mësuesi do ta quaja, pa ia pakësuar vlerat instruktor të fluturimit.

Njëri syresh është Nehar Ali Jazexhiu; të cilin, praktikisht e njohin të gjithë ata që kanë shërbyer e shërbejnë në aviacionin tonë dhe që e kanë nisur udhën e ajrit, këtu, në Shqipëri. Monografia që vijon, bën fjalë, për punën e tij të lavdishme gati 35-vjeçare, në kabinën e dytë të aeroplanit Jak- 18; i cili, në periudha të ndryshme është emërtuar me emra jo të njëjtë. Në esencë, ky lloj aeroplani ka pasur destinacionin e vozitjes në ajër të nxënësit, i cili nuk është i ngjashëm me nxënësit e zakonshëm që ulen në bankat e shkollës por ka disa veçori që e dallojnë prej tyre.

Nehari e nisi udhën e qiellit kur ishte 18 vjeç e nuk iu nda lundrimit ajror derisa koha dhe mosha bënë të tyren. Nuk di ndonjë peshore, e cila të na dëftojë: kush ka sakrifikuar më shumë e kush më pak. Për të mësuar mbi kontributet e secilit, ndoshta metoda krahasimore është më e sakta e ajo na bind. Le t’i referohemi praktikës jetësore e cila është më e besueshmja dhe paraqet peshoren më të saktë. Nehar Ali Jazexhiu është i vetmi pilot, që mësoi e u diplomua, instruktor i teknikës së pilotimit në Bashkimin Sovjetik, në Shkollën famëmadhe të Borisoglebsit, e cila mbante emrin e legjendarit Valerij Çkallov. Të tjerët, pas tij, u bënë instruktorë të teknikës së pilotimit, autodidaktë, bazuar në të dhënat fluturuese vetjake; në kapacitetin teorik dhe në figurën e secilit.

Së bashku me Neharin, në Shkollën e Borisoglebsit u diplomuan pilotë: Naun Todo; Kostandin Sadikaj; Mustafa Çici; Kapo Selmanaj; Abdi Gjonmemaj; Dalip Shabanaj dhe ndonjë tjetër. Disa nga shokët e Neharit sidomos: Naun Todo; Kostandin Sadikaj; Admir Fllaga; Flamur Mickaj; Refit Jazoj; Hamit Ulqinaku etj. Kanë punuar shumë vite me radhë, si instruktorë të teknikës së pilotimit, në aeroplanët fillestarë mësimorë, me helikë: Jak-18; Jak-18 A; dhe Tip-61. Në aerodromin fushor të Poros, në fushën e blertë dhe në pistën e betonuar të aerodromit të Qytetit “Stalin” dhe në atë të Vlorës ku, së bashku me kolegët e tyre, kanë përgatitur, praktikisht, të gjithë pilotët që janë diplomuar në vendin tonë.

Siç është bërë e njohur dhe në shkrime të tjera, grupi i parë i kursantëve shqiptarë për pilotë, e nisi praktikën fluturuese diku në vitin 1958, por Shkolla e Aviacionit Shqiptar mori formë, në vitin 1959, kur u formua si skuadrile më vete brenda Regjimentit të Qytetit “Stalin”. Kursantë të parë ishin: Jovan Kacorri - (Dëshmor i Atdheut); Sotir Majko; Robert Marko; Divin Abazaj; Çerciz Zeka; Lirim Kokona; Muco Mucaj; Bilush Imeraj; Baftjar Meta; Servet Murati; Servet Muka, Myrteza Arapi; etj. Në vitin 1960, në pranverë, nisën të fluturojnë kursantët e grupit të dytë, ku bënin pjesë: Bardhyl Lubonja; Koço Biku; Rrapo Kodheli; Bahri Meshau (Permeti); Lutfi Islamaj; Agim Ismaili; Surri Barbullushi; Thanas Papa; etj. Në të dy kurset, Nehari kishte grupet e tij me kursantë për pilotë.

Derisa u nda nga procesi i fluturimit, Nehari shkriu aftësitë mendore dhe fizike, talentin e atij që di të transmetojë jo vetëm profesionin, por dhe qasje njerëzore tek nxënësit e tij. Nxënësit e tij ishin të veçantë, jo nga mosha, por nga profesioni i vështirë që mësonin - fluturimi. Në dukje, kur vrojton një aeroplan duke fluturuar, njeriu kënaqet me bukurinë që vështron; dukuria paraqitet mjaft e bukur, e këndshme, ekzotike dhe interesante. Gjithsecili që e vështron këtë dukuri, nga jashtë, nuk ka si të mos shprehet, qoftë dhe me veten e tij se do të donte të shkëputej nga toka e të lundronte në ajër, si zogjtë e qiellit. Por, kur futesh në disa detaje, të shkencës së fluturimeve, mëson gjëra të cilat, jo vetëm që nuk i dije, por dhe nuk t’i merrte mendja. Të fluturuarit është shkencë, shans i rrallë e privilegj.

Nehari i ka gëzuar të gjitha. Ai shquhej si mësimdhënës dhe përjetonte çdo situatë, si nxënësi i tij.

Djemtë e qiellit (kështu më pëlqen t’i quaj fluturuesit) ku bën pjesë Nehari, janë të respektuar e nderohen për punën që bëjnë e për vështirësitë që përcjellin. Do të doja të ndalesha pak, për të përsëritur disa dukuri të cilat nuk thuhen për herë të parë. Kam dëgjuar të thonë se instruktori i fluturimeve, është njeri i sakrificës dhe gjatë procesit të të mësuarit, është i detyruar të sakrifikojë mjaft nga vetja duke bërë jetë të kufizuar e të kushtëzuar. Le të më quajnë si të duan; do ta them siç e di e si e kuptoj se të jesh instruktor i teknikës së pilotimit, duhet të jesh, jo vetëm pilot me nivel të ngritur teorik dhe me aftësi praktike, por lipset të jesh pedagog, psikolog dhe metodist i mirë. Këto dhe të tjera karakteristika kërkohet të jenë të grupuara në një vend e t’i shpalosë i njëjti individ. Po ku e si sakrifikon instruktori i fluturimit?

Nehar Jazexhiu, të cilin e kam njohur nga afër dhe kam punuar me të e nën drejtimin e tij, por m’i kanë thënë dhe ata që e kanë njohur më gjatë në kohë, të cilat do t’ua servir besnikërisht, më tej, ka qenë njeri i sakrificave dhe ka dhënë, shpesh edhe nga vetja. Nuk është e lehtë të familjarizohesh e të përballosh kufizimet sa i takon mënyrës së jetesës së instruktorit dhe regjimit ditor të tij.

Në muajin gusht të vitit 1962, Nehari u martua dhe më pas u bë babai i dy vajzave. Ndërkohë vazhdonte të ishte në detyrën e instruktorit të fluturimit. Le ta mendojmë për një çast veten, në vendin e Neharit të sapomartuar, i cili lë bashkëshorten e më pas edhe dy vajzat në Vlorë dhe vetë bënte regjimin e kazermës, si ushtar. Ai, të gjithë kohën e kalonte duke u marrë me përgatitjen për fluturim ose ndodhej në ajër, jo për të lundruar, për hobi apo për turizëm, por për të mësuar nxënësit e tij pilotë. Si ushtari i shërbimit të detyrueshëm që pret radhën kur do të dalë në dalje të lirë, Nehari, pilot instruktor dhe oficer, priste mesin e javës apo fundin e saj, për të shkuar pranë familjes. Kur fluturohej në aerodromin e Qytetit “Staslin”, grupi i instruktorëve dhe personeli tjetër kuadër, shkonin pranë familjeve, në Vlorë, vetëm në fundjavë.

Për të pasur një përfytyrim sa më të plotë e më të qartë për ata që nuk e kanë provuar, instruktori, i cili qëndronte 24 orë pranë nxënësve të tij, dhe ndiqte me merak të madh ecurinë e tyre, e kishte të varfër e të pamjaftueshëm informacionin për situatën në familje dhe për fëmijët e tij, që ndodheshin larg. Mendoni se në kohën kur Nehari ishte në kushte të tilla, mjetet e komunikimit nuk ishin siç janë sot, kur e merr informacionin menjëherë dhe mund t’u urosh fëmijëve: “Mirëmëngjes” apo “natën e mirë”! Në kohën për të cilën bëhet fjalë, instruktori dhe kuadrot e tjerë nuk dinin si po shkonte regjimi i fëmijëve të tij që kish lënë me temperaturë të lartë apo me shqetësime të tjera shëndeti. Për kë të mendonte më parë instruktori? Për fëmijët që kishte lënë në familje apo për nxënësit që duheshin mësuar? Ky që përshkruam është vetëm njëri nga kufizimet dhe sakrificat që përjetonin ata që merreshin me procesin e mësimit të fluturimit.

Nuk mund të numërohen vështirësitë dhe sakrificat e instruktorit të fluturimeve. Nehar Jazexhiu, si tip inteligjent që është por dhe me përvojën që fitoi, u bë mjeshtër i madh i mësimit të lundrimit ajror. Po t’u referohemi tipareve karakteristike të tij, ku prevalonte dashuria për profesionin dhe etja për t’u transmetuar nxënësve të tij gjithë sa dinte e atë që mund të bënte vetë. Kaq nuk mjafton për të qenë mësues i mirë. Po t’u shtosh tipareve të qenësishme të Neharit; seriozitetin, ndershmërinë, të qenit i drejtë, kurajon dhe guximin për t’i thënë gjërat drejt e me emrin që kanë dhe plot të tjera, do të vesh re se Ai na del përpara syve i kompletuar me të gjitha kualitetet. Nuk ma do mendja se do të bezdiset ndonjëri, po të tentoja të shtjelloj vështirësitë që përcjell një instruktor i teknikës së pilotimit në procesin e mësimdhënies.

E para: duke qenë i kompletuar me kualitetet që kërkohen, instruktori i teknikës së pilotimit, për të kryer misionin e tij fisnik, i transmeton nxënësit gjithë sa di për aeroplanin dhe për fluturimin. Merrni me mend, çfarë gëzimi të padëftuar përjeton instruktori, kur merr përsipër të vozitë në ajër një njeri, i cili, deri atëherë vetëm sa kish dëgjuar apo kish parë nga toka ata që fluturonin, në hapësirë, e përgatit atë dhe e lejon të ngrihet i vetëm në ajër, me një aeroplan duke i pasur rripat e ndenjëses së kabinës së dytë të lidhur dhe hapësirën qiellore të veten e të lirë. Por, derisa të mbërrijë çasti fatlum i “lëshimit në fluturime vetëm”, kërkohet të rrjedhë një proces relativisht i gjatë mësimdhënieje, teorik dhe praktik, si dhe vozitje në ajër, në praninë e instruktorit të fluturimit në kabinën e dytë.

Studenti që i futet të mësuarit të fluturimit, anën teorike, vërtet e mëson në kabinete, me pedagogë të specializuar nëpërmjet mësimeve të ndryshme por, ai që i mëson atij drejtimin e aeroplanit në fluturim, e ka të domosdoshme të ketë nivel të ngritur teorik, ndryshe nuk është në gjendje të shpjegojë, të sqarojë e të argumentojë dukuritë që ngjajnë në ajër. Instruktori i fluturimit i ngjan atij skulptorit, i cili merr në dorë një sasi gipsi dhe me mendjen e me duart e tij i jep formën e dëshiruar. Ashtu dhe instruktori i fluturimit merr përsipër t’i mësojë një djali të ri shkencën dhe teknikën e të fluturuarit.

Nuk mund të perceptohet mundimi i rrallë i instruktorit të fluturimit, qysh në tokë, për t’i sqaruar nxënësit edhe a-në; edhe b-në; edhe shkronjat e tjera të alfabetit. Sakrifica, në këtë plan lidhet me intensitetin e punës së tij, për t’i bërë të qarta çdo nxënësi, kandidat për pilot, anën materiale dhe funksionimin e agregateve dhe të mekanizmave të vendosur në avion. Instruktori, ngrihet nga gjumi akoma pa u gdhirë dita dhe, derisa të përfundojë procesin ditor të punës, ai është në aktivitet intensiv, si atëherë kur është në tokë dhe kur vozit në ajër. Kjo është punë e përditshme dhe nuk kemi të bëjmë me një rast të shkëputur. Intensitetit fizik, i shtohet lodhja mendore dhe shqetësimi. Instruktorit i rri mendja tek përgatitja e gjithanshme e nxënësit (nxënësve) të tij, për t’u ngritur në ajër e për ta kryer fluturimin me sukses.

Shtojmë këtu dhe përgjegjësinë që ndjen instruktori për jetën e nxënësit. Mos t’u duket çudi; kur kursanti ngrihet i vetëm në ajër, instruktori, derisa ai të zbresë në tokë, përjeton një kalvar të vërtetë. Kjo nuk lidhet me trimërinë vetjake por me ndjenjën e përgjegjësisë për jetën e atij që i është besuar.

E dyta: instruktori i teknikës së pilotimit punon e jeton në kushte mjaft të vështira. Vetëm ata që e kanë përjetuar regjimin e punës në Poro, mund t’i ndjejnë kolegët e t’i konceptojnë qartësisht sakrificat që kërkohen për ata njerëz, në dukje të zakonshëm.

Dikur, kampingu ishte në masivin e pishave të Poros. Atje, fjetja, të ushqyerit, “pushimi”, gjithë regjimi ditor përcillej në një mjedis ku të “grinin” mushkonjat dhe kushtet higjieno-sanitare ishin larg kërkesave. Ditën, nxënësit, instruktorët dhe ata që siguronin fluturimet (inxhinieri, teknikët, mekanikët, ushtarët etj.) e përcillnin vapën në aerodrom, në pikën e diellit, mes vapës, pluhurit dhe pickimit të mushkonjave. Hije, për të futur pak kokën, mund të gjeje vetëm nën krahët e aeroplanëve. Furnizimi me ujë të pijshëm bëhej me një mjet transporti me bot, sipër, nga Vlora, kurse të konsumoje ushqimin ditor, në ato kushte, ishte jo vetëm vështirësi e sakrificë, por, me plot gojën mund të them se ishte në kufijtë e heroizmit masiv. Vetëm tiparet e rralla të atyre njerëzve, të cilët ishin aq të përkushtuar e me shpirt të madh, dhe mosha relativisht e re e tyre, bënte të mundur përballimin e atyre kushteve.

Zhvendosja e kampingut në Akërni dhe disa përmirësime që u bënë në kushtet e jetesës, sollën një farë ndryshimi, por sakrificat e shoqëruan jetën e efektivave edhe në kushtet e reja.

Një instruktori, si rregull i ishin besuar të mësonte tre deri në katër kursantë për pilotë. Sipas grafikut ditor të fluturimeve, i cili, rëndom quhet plantabelë e fluturimeve, në ditën e fluturimeve parashikohet, deri në detaje, procesi i lundrimit ajror të asaj dite. Zakonisht, kur fluturohet në rreth (në fakt është një kuadrat), çdo instruktori i takon të ngrihet në ajër e të ulet 24 herë d.m.th.: 4 kursantë x 6 fluturime në rreth. Çfarë ndodh? Çdo kursant, mbasi përfundon numrin e fluturimeve të planëzuara në plantabelë, del nga kabina e avionit e u bashkohet shokëve. Në aeroplan zë vend kursanti tjetër; pastaj i treti e në fund, i katërti.

Ata, të katër zëvendësojnë njëri-tjetrin kurse instruktori i tyre qëndron në kabinë. Atij i takon të vozitë të katër nxënësit e tij duke përballuar kërkesat e veçanta të secilit. Problemi nuk shtrohet se tek instruktori, veç lodhjes krijohet monotoni, dhe ai përjeton një ngarkesë të paparë psikike dhe fizike. Pa e ekzagjeruar problemin, dua vetëm të kujtoj se instruktorit në kabinën e aeroplanit i thahej pështyma për një pikë ujë dhe nuk arrinte të gëlltiste disa gllënjka uji, nga ai që i servirnin kursantët, me disa qypa balte, të cilët, për ta ruajtur të freskët ujin, e futnin në rërë. Shpesh, ai nuk arrinte ta shijonte këtë shërbim të dëshiruar, për arsye se duhet të linte të lirë brezin ku uleshin e ngriheshin avionët, pa pushim.

E treta, a keni vrojtuar ndonjë mësues, në fund të ditës së punës, sa i lodhur e i drobitur është? Ai u ka folur e dëftuar disa orë me radhë, me qëllim që t’u ngulitë nxënësve shprehitë e nevojshme të mësimit. Po instruktori i teknikës së pilotimit? Ai nuk e përfundon detyrën kur ka vozitur në ajër kursantët e tij, por i duhet të drejtojë, duke qenë aktiv, përgatitjen për fluturimet e ditës që pason. Çdo fjalë që lëshon instruktori i teknikës së pilotimit, duhet të jetë e menduar mirë dhe të bëjë vend. Ajo zë vend, vetëm atëherë kur dëfton si duhen kryer veprimet, në tokë e në ajër dhe të argumentojë domosdoshmërinë e çdo veprimi.

Puna e instruktorit nuk mund të jetë një punë rutinë dhe nuk mund të kryhet me sukses nga çdo njeri, qoftë dhe pilot i mirë individualisht. Ka një gjë, e cila nuk mund të nënvleftësohet as të anashkalohet: Njeriu mund të dijë shumë, por ato që di vetë jo në çdo rast mund t’ia transmetojë tjetrit. Është dhunti e veçantë dhe pronë e disa individëve aftësia për të transmetuar. Vetëm bagazhi vetjak dhe elokuenca nuk mjaftojnë; bindjen e sjell argumenti dhe besueshmërinë - horizonti i mësuesit të fluturimeve. Derisa është kështu, një instruktor i teknikës së pilotimit mund të jetë i kompletuar me të gjitha cilësitë, vetëm kur zotëron aftësinë për t’u dhënë nxënësve të tij, gjithë sa di vetë. Nehar Jazexhiu e ka aftësinë për t’i bindur të tjerët e për t’u përcjellë atyre dituri, jo me fjalën sa me shembullin e tij vetjak.

Nuk është pak t’i dëftosh kursantit që ke në kabinën e parë, si plotësohet një figurë pilotazhi, jo me moralizime, por duke ia dëftuar atij, me saktësi. Nxënësi, në fund të fundit fikson atë që vështron me sy, kur instruktori i tij ka pastërti në pilotim.

Jetëshkrimi

Nehar Jazexhiu u lind në fshatin Poloske të krahinës së Devollit, më 7 janar të vitit 1934. Nëna e tij quhej Feride kurse babai – Ali. Të dy, ishin devollinj autoktonë dhe njerëz të traditës luftarake të fshatit. Devollinjtë janë të veçantë e interesantë. Në Devoll mund të gjesh mentarë të rrallë; si i Madhi e i papërsëritshmi Dritëro Agolli dhe punëtorë të rrallë e shembullorë, të cilëve nuk u mjafton drapëri i zakonshëm për të korrur grurin, por, në vend të tij përdorin lejlekun i cili, mbledh më tepër masë. Çdo fshat në Luginën e Devollit; nga Gryka e Cangonjit deri në Vishoshice apo në Çete, nga lumi me të njëjtin emër, në të dyja shpatet, si në Lindje dhe në Perëndim, ka veçoritë e tij.

Fusharakët, (nëse mund t’i quajmë kështu), në tërësi janë punëtorë të mirë, të urtë e të duruar; fshatarët e shpateve, të cilët më tepër kanë “rrahur” udhët e kurbetit si Grapshi, Verleni etj dhe në anën tjetër “shulet”, kanë një lloj krenarie dhe e ndjejnë veten më të gjezdisur e më të fisëm. Por, ka dhe fshatra të veçantë, interesantë, si Hocishti; Progri; Poloska, etj. Të cilët kanë karakteristika që nuk ngjajnë me të tjerët. Nëse hocishtarët, e kanë çmuar fshatin e tyre si “kryeqytetin” e Devollit, kurse fshatarët e Poloskes kanë qenë e janë luftarakë, siç është Nehari.

Çifti: Feride dhe Ali Jazexhiu, sollën në jetë 5 fëmijë. I pari u lind Shefkiu; i dyti- Selami; i treti Satberi; i katërti Nehari dhe e mbylli serinë e djemve -Tomorri. Pesë djem e asnjë vajzë; pesë pushkë në një derë: ky është bilanci i asaj martese fatlume. Të pesë vëllezërit u rritën, me shpërgënjtë e me petkat e njëri-tjetrit, me zgjuarsinë natyrale dhe me damarin luftarak të gjenit. Origjina shoqërore e familjes ishte fshatar i varfër. Fëmijërinë Nehari e përcolli në fshatin e lindjes, në Poloske, ku kreu dhe 2 klasë të shkollës fillore.

Mes bashkëmoshatarëve, Nehari, kur luanin lodrat e fëmijërisë, shquhej për zhdërvjelltësi, sedër, guxim, por dhe për dashamirësi. Edhe kur luante me shokët: me top, dërrakthi, me cingla e lodra të tjera të moshës Nehari vinte në lojë jo fizikun e tij të imët sa sedrën e zhvilluar, e cila shndërrohej në prirje për të fituar çdo lodër.

Pas dy viteve të para të shkollës fillore që kreu në fshatin e lindjes, Nehari kreu dhe vitin e tretë e të katërt dhe tre vite të shkollës unike (shtatëvjeçare), në Tiranë. Në të gjitha lëndët, Nehari “shkëlqente” e ishte në ballë të klasës. I urtë, i qetë, i dashur, i sinqertë e i shkuar me shokët; ky ishte, në vija të përgjithshme portreti i djalit të Aliut e të Feride Jazexhiut. Këto tipare, të ngulitura që nga fëmijëria e tij, e shoqëruan Neharin gjatë gjithë jetës aktive, i manifeston dhe aktualisht kur ka hyrë në moshën e tretë.

Nehari, tre vite të shkollës së mesme i kreu në Tiranë, por meqenëse u fut në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, në Tiranë nuk e përfundoi shkollën e mesme. Me mësime ishte i dalluar, fizikisht i shëndetshëm e i shkathët dhe me sjellje të pëlqyeshme, ndoshta dhe nën një farë presioni të prindërve, Nehari, për të plotësuar dëshirën e madhe të bëhej mbrojtës i Atdheut, nisi udhën për t’u bërë oficer. Në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, Nehari studioi në degën e xhenjos por, si “as” nën mëngë kishte ëndrrën e kahershme për të fluturuar. Dëshira për t’u bërë pilot, Atij i kishte lindur që kur ishte fëmijë, në fshatin e lindjes dhe vështronte avionët e huaj tek ndesheshin me njëri-tjetrin, në ajër, gjatë viteve të Luftës Italo-Greke. Ëndrra për t’u bërë pilot, tek kursanti i Shkollës së Bashkuar të oficerëve, mbeti në sirtar, deri në vitin e tretë të shkollës, kur iu akordua e drejta e studimeve në shkollat sovjetike të aviacionit, ku përgatiteshin pilotë.

Në vjeshtën e parë të vitit 1955, me një aeroplan të prodhimit sovjetik të tipit Il-14, me ekipazh sovjetik, 18 djem të rinj, nga efektivat e Shkollës së Bashkuar të oficerëve dhe të tjerë, të ardhur nga shkolla të ndryshme të vendit, u nisën, nga Aerodromi i Tiranës, në itinerarin: Tiranë- Budapest- Moskë. Në grupin e kandidatëve për t’u bërë pilotë ishin: Nehar Jazexhiu; Kostandin Sadikaj; Mustafa Çici; Naun Todo; Abdi Gjonmemaj; Dalip Shabanaj; Kadri Guri; Pali Proletari; Rexhep Zenelaj; Fejzi Alemi (Rrokaj) dhe Fuat Sula. Më vonë, me grupin u bashkua dhe Kapo Selmanaj. Nga metropoli rus, me tren, djemtë shkuan në Borisoglebsk. Në stacionin e trenit i priste kujdestari i skuadriles, i cili, me një autobus ushtarak, i shoqëroi në shkollën ku do të jetonin e do të mësonin fluturimin.

Pas disa procedurave të domosdoshme, ata u sistemuan në fjetina, në mensë e në kabinetet mësimore. Kushtet në shkollë ishin mjaft cilësore dhe trajtimi që u bënë tanëve vendasit ishte miqësor. Pedagogët sovjetikë të lëndëve teorike: Majori- Tollpov, i cili drejtonte Teorinë e Fluturimeve; nënkolonel- Komskij, i cili u mësonte Konstruksionin e motorit; nënkolonel- Konov, që drejtonte konstruksionin e avionit etj. Ishin shkencëtarë të vërtetë. Instruktor të teknikës së pilotimit, në aeroplanin Jak-18, Nehari kishte- Kapitenin- Villomov.

Vitin e parë bënë përgatitje teorike; nuk fluturuan. Lëndët që i pëlqenin më tepër Neharit ishin: Teoria e Fluturimeve; Aeronavigimi; Historia e Artit Ushtarak; Konstruksioni i Aeroplanit; Konstruksioni i Motorit, etj. Përgatitja teorike dhe mësimi i Gjuhës Ruse, vijuan deri në muajin prill të vitit 1957, kur nisën, për herë të parë stërvitjen ajrore. Fillimisht fluturimet nisën me aeroplanin e lehtë mësimor me helikë të tipit Jak-18, të thjeshtë; me rrotë në bisht. Në muajin gusht të atij viti, Nehari, përfundoi programin e fluturimeve me këtë tip dhe kapi tregues shumë të lartë, si në teori dhe në praktikën fluturuese. Në muajin prill të vitit 1958, Nehari dhe shokët e tij të grupit të kursantëve për pilotë, nisën fluturimet në aeroplanin reaktiv gjuajtës-bombardues Mig-15; të variantit mësimor (me dy vende) dhe luftarak (me një pilot). Deri në muajin shtator të vitit 1958, Nehari kishte realizuar programin vjetor të fluturimeve, 60 orë, në avionin Mig-15, me tregues mjaft të mirë.

Viti 1959, për Nehar Jazexhine ishte vit kthesë, në synimet e tij për t’u bërë pilot gjuajtës-bombardues. Ai nuk fluturoi në aeroplanët Mig-15, gjatë këtij viti. Një komision ushtarako-mjekësor i shkollës, gjatë këqyrjeve periodike, diktoi tek Nehari, një zhurmë në zemër, dhe vendosi ta largojë atë nga fluturimi, si i paaftë për shkaqe shëndetësore. Me qëllim që të përcaktohej me saktësi, diagnoza, komanda e shkollës e dërgoi Neharin në Spitalin Ushtarak të aviacionit, në Voronezh (në spitalin e qarkut). Në përfundim të analizave dhe të këqyrjeve mjekësore, komisioni i këtij spitali e deklaroi Neharin të aftë për të fluturuar në avionët reaktivë, ndërkohë që shokët e tij të grupit kishin përparuar mjaft në program e Ai po përballej me sorollatje, nga njëri spital, në tjetrin. Komanda e shkollës, e dërgoi Neharin në Spitalin Qendror të Aviacionit, në Moskë ku do të përcaktohej, përfundimisht, aftësia apo paaftësia e tij për të fluturuar.

Qëndroi i shtruar në këtë spital Nehari, plot tri javë, derisa erdhi profesori kompetent. Në konkluzionet përfundimtare, Nehari u deklarua i aftë për të fluturuar në të gjithë tipat e avionëve, por, “për të qenë brenda”, meqenëse Nehari ishte i huaj; u vendos që ai të fluturonte në aeroplanët e transportit. Me ndërmjetësinë e Atasheut tonë Ushtarak në Moskë, gjeneral Halim Ramohito, Nehari u caktua të përgatitej si instruktor, në avionët me helikë, me perspektivë që në vendin tonë të çelej shkolla e aviacionit.

Sipas një programimi ajror të posaçëm, Nehar Jazexhiu, në Shkollën e Borisoglebskit, nisi praktikimin për të fluturuar nga kabina e dytë, në rolin e instruktorit. Fluturoi rreth 60 orë, nga kabina e dytë, në aeroplanin Jak -18 dhe u diplomua instruktor i teknikës së pilotimit.

Pas provimeve teorike, Nehari iu nënshtrua dhe provimit në fluturim, me Komandantin e Shkollës së Aviacionit “Valerij Çkallov”, i cili mbante gradën e gjeneralit. Ai e vlerësoi Neharin: “shkëlqyeshëm”. Nehari është i vetmi pilot nga Shqipëria, i cili është përgatitur dhe është diplomuar, për të fluturuar në rolin e instruktorit në shkollën sovjetike të aviacionit. Shokët e grupit të tij, gjatë vitit 1959, kur Nehari përgatitej si instruktor, në Jak-18, fluturuan në avionin reaktiv Mig-15. Ai dhe shokët e tij të grupit që fluturuan në avionët gjuajtës-bombardues Mig-15, e përfunduan programin e përgatitjes ajrore, njëkohësisht dhe u diplomuan e u titulluan oficerë, në të njëjtën kohë.

Në vjeshtën e vitit 1959, grupi ku bënte pjesë Nehari, u kthye në Durrës, me anijen sovjetike “Transilvania”. Ata, të sapodiplomuar pilotë, u paraqitën në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, ku u emëruan në detyrë. Nehar Jazexhiu, i cili kishte arritur tregues mjaft të lartë e ishte me gradën e togerit u caktua instruktor, në shkollën e aviacionit që ishte projektuar të hapej.

Në vitin 1960, Nehari dhe kolegët e tij, nisën punën si instruktorë të teknikës së pilotimit. Në skuadrilen shkollë, e cila u formua brenda Regjimentit “Peza” të qytetit “Stalin”, në përbërje të grupit të instruktorëve: Thanas Gjiknuri, pilot i klasit të parë (komandant i shkollës); zëvendës i tij ishte devolliu nga Progri, Irakli Grazhdani dhe kolegë të Neharit ishin pilotët: Flamur Mickaj; Refit Jazoj; Naun Todo; Admir Fllaga; Petrit Majlindi dhe Hektor Lako. Kursantët e parë, në grupin fluturues që voziti Nehari, ishin: Bahri Meshau (Permeti); Surri Barbullushi dhe Vaso Kico Pesha. Deri në pranverën e vitit 1966 (kohë kur u hoqën gradat), Nehar Jazexhiu shërbeu në detyrën e instruktorit të fluturimit, me gradën e kapitenit të parë.

Disa nga pilotët që mësoi Nehari, kur ata ndiqnin programin e fluturimeve ajrore në Shkollën e Aviacionit, u avancuan në detyrë dhe u perfeksionuan për të fluturuar në aeroplanë të “sofistikuar” të tipave dhe të destinacioneve të ndryshme. Nga më të suksesshmit studentë që kaluan nga “shtrunga” e Neharit, mund të përmendim: Klement Aliko; Bilal Sina; Koço Biku; E’them Alia; Përparim Mehmeti etj.

Gjatë punës shumëvjeçare, në Shkollën e Aviacionit Shqiptar, në Qytetin “Stalin” e nga formimi i saj, në Vlorë, Nehari ka kryer detyra të ndryshme si: instruktor i teknikës së pilotimit; komandant katërshe; komandant skuadrile; Sekretar i Komitetit të Partisë së shkollës së aviacionit dhe, nga viti 1974 – Shef katedre, në degën mësimore të Shkollës. Aktualisht, Nehari gëzon pension të plotë si pilot. Duhet theksuar fakti se Nehar Jazexhiu, në çdo detyrë që kreu, fluturimeve nuk iu nda.

Hap i rëndësishëm në jetën e “heroit” tonë, ishte lidhja me martesë, më 19 gusht të vitit 1962, me zonjën Lumturi Kushe, nga fshati Mborje i rrethit të Korçës, e cila, në atë kohë e derisa doli në pension, ka kryer detyrën e mësueses së përkushtuar; sot, e nderuar si pensioniste. Martesa mes Neharit dhe Lumturise, u konkretizua me dasma madhështore, si në familjen e Lumturise, në Mborje dhe në atë të Neharit. Nusja, sipas traditës u vesh me petka të bardha, por pas martesës, muaj mjalti nuk pati; të dy i thirri detyra. Nga lidhja e Neharit me Lumturinë, u lindën dy vajza; njëra më e mirë se tjetra: Dhurata Jazexhiu, e datëlindjes 11 janar 1965 dhe Vilma Jazexhiu, ardhur në jetë më 23 shkurt të vitit 1970. Familja Jazexhiu është e njohur dhe e nderuar në mjedisin ku banon, në Vlorë; e dalluar për sjellje të qytetëruar e të kulturuar, si shembull i mirë, për ata që ka përqark. Nehari është bërë 4 herë gjysh dhe i gëzohet çerdhës që ka veselitur, së bashku me zonjën Lumturi.

Si në rininë e tij dhe tani që përcjell vitet e pleqërisë, Nehari, në komunitetin e aviatorëve dhe në tërësi në shoqëri, është i nderuar e i respektuar. Ai mban lidhje të ngushta me kolegët: Kostandin Sadikaj; Agim Balili; Viktor Backa; Guri Merkaj; Lutfi Mishkeri; Bahri Meshau (Permeti) e me të tjerë, në qytetin ku banon dhe me të tjerë si: Kapo Selmanaj; Mustafa Çici; Drini Shtylla; Niazi Nelaj etj. Në Tiranë, me të cilët komunikon herë pas here nëpërmjet telefonit. Gëzim të madh përjeton ai burrë, kur mblidhet me kolegët, miqtë e shokët e tij të shumtë, të lashtë e të rinj, në raste festash, siç janë ato të aviacionit dhe në dasma e në gosti familjare. Të tilla veprimtari, të cilat Nehar Jazexhiut i pëlqejnë mjaft, e rinojnë e përtërijnë e i shtojnë jetën “heroit” të këtij rrëfimi. Me qëllim që të kompletohet opinioni për Nehar Ali Jazexhine, këtë pilot që u shkri për t’i dhënë Atdheut pilotë të denjë, më poshtë po ju paraqes disa opinione të kolegëve të tij, të formuar hap pas hapi, gjatë njohjes në punë të përbashkët dhe në vitet e shkollimit të tyre:

  • Kostandin Sadikaj, shok i Neharit, nga viti 1955, kur së bashku shkuan për të mësuar lundrimin ajror, në shkollën famëmadhe të Borisoglebskit dhe kur ishin në detyrën e instruktorit të teknikës së pilotimit, në shkollën shqiptare të aviacionit, në Vlorë. Të dy kanë qenë e janë shokë të pandarë, të lidhur ngushtë në një shoqëri të pastër e të çiltër, si në vitet e rinisë dhe tani që gëzojnë moshën e Kostandini, i cili e njeh Neharin, “me dhëmbë e me dhëmballë”, opinionin për shokun jetëgjatë e shprehu me pak fjalë por të kuptimta: “… Nehari është nga shokët e mi më të mirë dhe më jetëgjatë, si në shkollë dhe në jetë. Ai është me karakter të fortë e të pastër dhe besnik. Shoqëria ime me të ka qenë e qëndrueshme dhe në rritje…”.

  • Naun Todo, njëri nga instruktorët e teknikës së pilotimit, i cili “u shkri”, si dhe Nehari, për t’u mësuar si të fluturojnë, shumicës së pilotëve të flotës ajrore shqiptare, kur artikulon disi me vështirësi, për shkak të moshës dhe disa veçorive fizike, opinionin për shokun e tij të shkollës e të punës, sikur ia nxjerr fjalët “me grep”, sjell këto kujtime: “… Neharin e kam njohur qysh në vitin Të dy, ishim kursantë në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, në Tiranë. Ai në degën e xhenjos, e unë, në atë të këmbësorisë. Nuk kishim lidhje mësimore por mjediset e përbashkëta për jetesë dhe veprimtaritë e njëjta, na afruan e na bënë të mundur njohjen me njëri-tjetrin. Shok të afërt Neharin e bëra kur shkuam në Shkollën Sovjetike të Aviacionit, në Borisoglebsk, ku mësuam shkencën e aeronautikës.

Në Bashkimin Sovjetik, shkuam në vjeshtën e vitit 1955. Në grup ishim 18 vetë. Para nisjes, iu nënshtruam një komisioni ushtarako-mjekësor, në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak, në Tiranë. Nehar Jazexhiu; Kostandin Sadikaj; Mustafa Çici; Naun Todo; Kapo Selmanaj; Dalip Shabanaj; etj. U deklaruan të aftë nga ana shëndetësore për t’u bërë pilotë.

Në një mëngjes shtatori të vitit 1955, me një aeroplan sovjetik të tipit Il-14, u nisëm nga aerodromi i Laprakës (Tiranë) dhe, pas një qëndrimi të shkurtër në Budapest, sa u furnizua aeroplani mbasdite u ulëm në aeroportin “Sheremetjevo” të Moskës. Atë mbrëmje, me tren, u nisëm për në Jug. Ndaluam në stacionin e trenit të Borisoglebskit, ku na priti kursanti shqiptar Abaz Shkëmbi, i cili, në atë kohë ishte deklaruar i paaftë si fluturues dhe ishte përkohësisht i paangazhuar. Në shkollë, gjetëm kursantët shqiptarë të grupit paraardhës, të cilët mësonin pilotimin. Në atë grup bënin pjesë: Salih Dibra; Sokrat Prifti; Hamdi Arapi; Llazar Çyci; Daut Xhaferri; etj.

Mbasi kryem “ritin” e zakonshëm të larjes e të veshjes me petkat e reja të kursantit sovjetik të aviacionit, u akomoduam në fjetinë e në mjediset e tjera për jetesë e për të mësuar. Në çdo hap ishim të monitoruar e nën kujdesin e kujdestarit të kursit dhe të komandantit të kurseve të shqiptarëve; kolonelit rus- Lisnic.

Në Shkollën ku u sistemuam, kushtet për të jetuar, për të studiuar e për të fluturuar ishin shumë të mira; më të mira se ato që lamë në vendin tonë. Ishim të pashkolluar. Niveli ynë arsimor ishte i ndryshëm dhe Gjuhën Ruse nuk e njihnim. Shumë prej nesh vinim nga bankat e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. Mosnjohja e Gjuhës Ruse na pengonte të orientoheshim drejt e të futeshim në brendësi të proceseve teoriko-praktike. Nehari kishte kryer tri klasë të shkollës së mesme dhe nuk e zotëronte Gjuhën Ruse. Nga ne, më mirë këtë gjuhë e njihte dhe e fliste shoku ynë i grupit Fejzi Alemi (Rrokaj).

Me stafin drejtues të shkollës, u dakordësuam që gjatë vitit 1956 të mos fluturonim por kohën në dispozicion ta shfrytëzonim për mësimin e Gjuhës Ruse dhe për të mësuar disa lëndë teorike, si përgatitje paraprake. Qëllimi ishte ta kishim më të lehtë orientimin në proceset teorike, kur të nisnim përgatitjen ajrore.

Programin e stërvitjes ajrore e nisëm në pranverën e vitit 1957, me aeroplanin mësimor me helikë, Jak-18, nga aerodromi fushor i fshatit Kallmik, pranë qytetit të Borisoglebsit. Aeroplani i lehtë mësimor, me helikë ishte me rrotë, përpara (në hundë). Sa për të pasur një njohuri të përgjithshme, meqenëse sipërfaqja lëndinë ishte e mbuluar nga bora, bëmë disa fluturime, me slita (ski), nën rrota.

Shkolla e Aviacionit të Borisoglebsit kishte në përdorim 3-4 aerodrome. Në aerodromin e Povorinos, në atë kohë, fluturonin kursantët shqiptarë që mësonin pilotimin të grupit para nesh, me aeroplanët Jak-11. Pas vitit 1957, aeroplani Jak-11 u hoq nga përdorimi e nuk shërbente më si avion mësimor.

Nga Nehari nuk jam shkëputur asnjëherë, derisa më nxorën të paaftë për të fluturuar e u ktheva në Shqipëri.

Komisioni mjekësor i aviacionit i spitalit të Borisoglebsit e nxori të papërshtatshëm për të fluturuar në aeroplanët gjuajtës-bombardues reaktivë, mbasi mjekët pikasën një zhurmë në zemër. Pas kësaj, Nehari mësoi të fluturonte në rolin e instruktorit të teknikës së pilotimit, nga kabina e dytë. Nehari, përfundoi programin e fluturimeve, në rolin e instruktorit, në aeroplanët Jak-18; u diplomua e u kthye në Atdhe. I prita në Portin e Durrësit; ata, erdhën si grup.

Në vitin 1959, nisëm fluturimet, në rolin e instruktorit të teknikës së pilotimit, mbasi kaluam në “filtrin” e komisionit ushtarako-mjekësor të aviacionit, në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak, në Tiranë. Fluturimet i nisëm me ngritje dhe me ulje, nga aerodromi i Qytetit “Stalin”.

Në atë kohë, në përbërje të Regjimentit “Peza”, me iniciativën e nën përgjegjësinë e Niko Hoxhës, u formua një skuadrile, me 12 aeroplanë me helikë të tipit Jak-18 A. Vetëm autoriteti dhe përgjegjëshmëria e Niko Hoxhës, e mundësuan këtë sipërmarrje serioze. Asnjëri tjetër nuk mund ta merrte përsipër atë nismë të guximshme. Komandant i skuadriles shkollë, u emërua piloti i klasit të parë Thanas Gjiknuri, nga fshati Kudhës i Himares. Zëvendës i tij u caktua devolliu nga Progri- Irakli Grazhdani, njëri nga pionierët e aviacionit tonë. Inxhinier i skuadriles ishte një tjetër devolli - Nevruz Kocileri, një specialist i urtë e i papërtuar. Instruktorë të teknikës së pilotimit ishin: Nehar Jazexhiu; Naun Todo; Hektor Lako; Flamur Mickaj; Refit Jazoj; Petrit Majlindi; Admir Flaga; etj. Në vitin e parë, edhe pse fluturonim me kursantë në kabinën e parë, në fakt punonim për llogarinë tonë, me qëllim që të afirmoheshim në rolin e instruktorit.

Në vitin 1968, për nevoja organike, u formuan dy skuadrile me aeroplanë Tip-61 dhe Nehari u emërua komandant i skuadriles së dytë. Unë isha komandant i skuadriles së parë. Gjatë punës si instruktor i teknikës së pilotimit, Nehar Jazexhiu është renditur mes më të mirëve instruktorë që kishte Shkolla e Aviacionit. Ai, me ndershmërinë, drejtësinë dhe me paanësinë që reflektonte kishte fituar zemrat e kursantëve, të kolegëve dhe të eprorëve. Nehari është njeri me ambicie të shëndoshë dhe vështron përpara. Ai synonte që kursantët e grupit të tij të fluturimit, të ishin më të mirët.

Në çdo rast e me këdo fliste hapët dhe kishte frymë të lartë ballafaqimi. Ai ia thoshte cilitdo të vërtetat, në fytyrë e nuk ia bënte terr syri. Teknikën e pilotimit, Nehari, e kishte të pastër e ishte i saktë kur dëftonte elementët e fluturimit. Gjatë punës si instruktor i teknikës së pilotimit, në asnjë rast nuk shmangej nga detyra e nuk u dëftonte kursantëve, asgjë jashtë ushtrimit (detyrës). Korrektesa është tipar dallues i tij.”

  • Telo Dedi, veteran, ish-pilot, bashkëkohës i Nehar Jazexhiut, më dha opinionin:

“… Neharin e kam njohur që nga fundi i shtatorit të vitit 1958. Shkova në shkollën sovjetike të aviacionit, me emrin e Valerij Çkallovit, në qytetin e Borisoglebsit, qarku i Voronezhit. Nehari dhe shokët e tij të grupit të kursantëve shqiptarë për pilotë: Kostandin Sadikaj; Mustafa Çici; Naun Todo; Kapo Selmanaj; Fejzi Alemi (Rrokaj); Dalip Shabanaj; etj. Kishin shkuar në atë shkollë, një vit më parë. Ata kishin kryer periudhën përgatitore dhe kishin nisur të fluturonin në aeroplanët fillestarë mësimorë, me helikë, të tipit Jak-18U.

Nehari ishte në shoqëri të ngushtë me djaloshin simpatik nga Libohova e Gjirokastrës- Mustafa Çici. Tek Nahar Jazexhiu, binte në sy mirësia e shpirtit, korrektësia dhe kultura qytetare në sjellje dhe ishte mjaft dashamirës. Ai nuk përzihej e nuk ngatërrohej me njeri por qëndronte brenda botës së tij të pasur. Në shoqërinë e ngushtë të Neharit bënte pjesë dhe shoku i tij i grupit Kapo Selmanaj. Edhe ai nuk përzihej e nuk ngatërrohej me njeri. Nehari shkonte mirë me të gjithë shokët e nuk bënte diferencime mes tyre, por i trajtonte të gjithë njëlloj.

Këtë qasje e ruajti dhe më pas, në kohën kur shërbeu instruktor i teknikës së pilotimit në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë. Në komunikim, edhe kur ishte mes shokësh, Nehari “nuk i jepte gojës” e në fjalorin e tij nuk kishte vend slogani banal. Ky qëndrim i tij krijonte opinionin e rremë sikur Nehari ishte individualist. Ai vetëm ruante etiketën në komunikim dhe ishte i edukuar e i kulturuar.

Mbasi nuk ia doli të fluturonte në aeroplanët reaktivë, për shkaqe shëndetësore jo fort bindëse, Nehari u kualifikua, 6 muaj rresht si instruktor i teknikës së pilotimit, në avionët fillestarë, me helikë të tipit Jak-18. Ai është i vetmi instruktor i teknikës së pilotimit, i diplomuar në shkollën sovjetike të aviacionit. Në punën shumëvjeçare të instruktorit, tek Nehar Jazexhiu ishte e dukshme sedra e mirë, saktësia, korrektësia dhe serioziteti. Në metodën e punës, ishte disi i “ngurtë”, në kuptimin që nuk bënte diferencime tek kursantët, sipas shkallës së përvetësimit të elementëve të fluturimit, por i trajtonte ata njëlloj. Në raporte vartësie ishte tepër korrekt. Nehar Jazexhiu, nuk e njihte servilizmin, nënshtrimin dhe akraballekun.

Ai njeri, as nuk ndërhynte; as nuk pranonte ndërhyrje. Nehari kishte nevojë dhe i pëlqente përkrahja nga autoritarë të trevës së tij.

Nehar Jazexhiu është njeri i sakrificës. Ai ka sakrifikuar shumë e nuk i ka bërë bisht punës. Kudo ku është caktuar për të shërbyer, tek Nehari ka qenë karakteristike dalluese përkushtimi dhe korrektësia. Tek personaliteti i Neharit kisha parë një këmbëngulje për të mbrojtur të vërtetën. Kjo, herë-herës shkonte deri në kokëfortësi. Jetëgjatësia e tij si instruktor është vlerë më vete; ajo dëshmon aftësitë dhe karakterin e tij të palëkundur. I uroj: pleqëri të mbarë e jetë të gjatë!”

  • Aleksandër Bubullima, pilot në pension, ish-instruktor dhe komandant i skuadriles reaktive të Shkollës së Aviacionit; bashkëkohës i Neharit:

“… Neharin e kam njohur, në punë të përbashkët, kur të dy shërbenim në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, si instruktorë të teknikës së pilotimit dhe në funksione drejtuese. Në kohën kur e kam njohur, unë isha komandant i skuadriles reaktive e ai – sekretar i Komitetit të Partisë së Shkollës së Aviacionit. Ai ishte në funksione të larta partie dhe në të njëjtën kohë fluturonte në aeroplanët Tip-61 (një variant i përshtatur i avionit Jak-18A). E kam njohur, si kur ishte instruktor i thjeshtë dhe kur u ngjit në hallka të tjera, më lart. Më kanë lënë mbresë disa tipare të tij të veçanta, nga të cilat kam mësuar shumë. Mbi të gjitha, Nehari është i ndershëm e i drejtë.

Në raportet me vartësit është korrekt dhe i rreptë, kur bëhet fjalë për zbatimin e instruksioneve e të rregulloreve. Ai është njeri me sedër e me ambicie dhe nuk të fal, si në detyrë dhe në jetë. Nehari, kur ishte instruktor, çdo kursanti i jepte atë që i takonte. Prej tij, secili merrte hakun. Nehari nuk mban asnjeri me hatër e nuk pranon ndërhyrje. I uroj pleqëri të bardhë!”

  • Petraq Truja; pensionist, ish-pedagog i matematikës, në Shkollën e Aviacionit, në

“… Neharin e kam njohur prej një periudhe të gjatë (1968-1992). Nehari është mjaft korrekt e i saktë, deri në ashpërsi, për zbatimin e urdhrave, udhëzimeve, instruksioneve, rregulloreve dhe të detyrave. E kam parë të jetë mjaft kërkues dhe këmbëngulës.”

  • Kapo Selmanaj, ish-pilot, veteran i aviacionit, shok shkolle dhe koleg në punë i Nehar Jazexhiut:

“… Neharin e kam njohur në vitin 1955; në muajin shtator, kur nisëm, së bashku shkollën e aviacionit, për pilot, në Borisoglebsk të Bashkimit Sovjetik. Në fjetinë, krevatët i kishim pranë njëri-tjetrit dhe komunikonim shumë mirë. Ai, vazhdimisht ka qenë njeri shumë i mirë; i drejtë; i sjellshëm; korrekt; i edukuar e i kulturuar.

Në vitin e dytë të shkollës, Nehari nuk mundi të fluturonte në aeroplanët reaktivë, por u bë instruktor i fluturimit, në aeroplanët e lehtë me helikë Jak-18. Nehari është i vetmi pilot shqiptar, i përgatitur e i diplomuar si instruktor, në Bashkimin Sovjetik. Nehari, është metodist mjaft i mirë dhe ka nivel të ngritur teorik e zotëron aftësi praktike.

Kur ishte kursant, në shkollën e Borisoglebskit, Ai kishte instruktor majorin sovjetik – Sozin, e më pas Kondrash e Tkacenko.”

  • Mustafa Çici, ish-pilot, veteran i aviacionit, shok grupi dhe koleg i Nehar Jazexhiut:

“… Nehar Jazexhiu, është njëri nga shokët më të mirë të grupit tonë. Ai, në grupin tonë të kursantëve, dallohej për sjellje me edukatë të shëndoshë dhe për qytetari. Nehari kishte personalitetin e vet. Tek Ai, binte në sy sinqeriteti, karakteri i fortë dhe të qenit i drejtë. Nehari ka qenë, gjithmonë i lidhur me njerëzit; me të gjithë ishte i çiltër e dashamirës. Ai ishte mjaft i disiplinuar e i përkushtuar, ambicioz për të kapur majat e profesionit e të metodës së punës si instruktor i teknikës së pilotimit.

Përkushtimi i tij të bënte me turp…. Kam përshtypjen se nuk mundi të fluturonte në aeroplanët reaktivë, për shkaqe shëndetësore.

Pas kërkesave që erdhën nga Tirana (nga Ministria e Mbrojtjes), Nehari u përgatit si instruktor i teknikës së pilotimit në avionët Jak-18. Më kujtohet, si tani, situata, kur Ai, edhe pse i profilizuar në një tjetër funksion e përfshirë mes fluturuesve, u shkëput nga grupi ynë i kursantëve për pilotë dhe nga aeroplanët reaktivë Mig-15 me shumë keqardhje e i “mbeti mendja”, atje.

Kur ishim së bashku, në Borisoglebsk, Nehari ishte mjaft ekzigjent në përzgjedhjen e ushqimit. Mjafton t’i thoje diçka, për ushqimin e Ai e linte atë në tavolinë e çohej.

Siç kam dëgjuar, Nehari, në detyrën e edukatorit të brezit të ri fluturues dhe si i pari pilot shqiptar i profilizuar në detyrën e instruktorit të fluturimeve iu vu punës me mish e me shpirt, për të bërë më të mirën. Ky qëndrim i tij buronte nga dashuria që kish për profesionin dhe nga karakteri i tij i veçantë. Nehari shërbeu në detyrën e instruktorit të teknikës së pilotimit, e cila është mjaft e bukur por dhe e vështirë për gati 30 vjet dhe u nda prej saj, me nder e dinjitoz.

Kontributin që ka dhënë Nehar Jazexhiu për plotësimin e reparteve me pilotë të rinj dhe me cilësi, mund ta kuptojmë vetëm ne, shokët e tij të grupit dhe kolegët e tij instruktorë. Në përfundim, mund të pohoj se Nehar Jazexhiu është njëri nga “heronjtë” e pashpallur të aviacionit tonë i cili ka firmosur shumicën e librezave të fluturimit të “fidanëve” që kanë çelur e kanë lulëzuar në atë shkollë nga ku u diplomuan vetëm atdhetarë të flaktë e profesionistë të shquar. Për të gjitha këto, e nderoj dhe e respektoj shokun tim të shkollës e të punës dhe i uroj jetë të gjatë e të lumtur!”

  • Admir Fllaga; pilot instruktor, në pension, njëri nga shokët më jetëgjatë të Nehar Jazexhiut.

Në opinionin e tij, Admiri e vuri theksin tek fakti që Nehar Jazexhiu ka trashëguar nga të parët e tij tipare luftarake dhe është sedërli. Jo më kot e kanë cilësuar Polosken, fshatin ku është lindur e u mëkëmb Nehari: “Poloske e kuqe” dhe vend ku njerëzit aspirojnë lirinë. Ja çfarë gjej në opinionin e instruktor Admirit, të cilin, jo rastësisht e thërres “Profesor”. Ai, si Nehari, ka mësuar të fluturojnë thuajse më të shumtët e pilotëve që janë diplomuar në Shkollën e Aviacionit. Admiri thekson: “… Neharin e kam njohur në vitin 1957, kur ishim kursantë për pilotë, në Shkollën Sovjetike të Aviacionit, të qytetit Borisoglebsk, e cila mbante emrin e të lavdishmit Valerij Çkallov. Ai, pas përfundimit të programit të fluturimeve në aeroplanët e lehtë mësimorë, me helikë- Jak 18, fluturoi dhe në avionët reaktivë Mig-15, por, kur ishte duke plotësuar programin, në vitin e dytë, një komision mjekësor e deklaroi të paaftë për të vazhduar fluturimet në aeroplanët reaktivë, me një dyshim për zhurmë në zemër.

Nehari, me kërkesën e autoriteteve shqiptare të Ushtrisë u specializua e u diplomua si instruktor i teknikës së pilotimit në avionët Jak-18 të të gjithë varianteve. Ai u përgatit si teorikisht dhe në praktikë e si metodist i spikatur.

Kur u kthye në Shqipëri, Nehari ishte i përgatitur për të fluturuar në rolin e instruktorit të fluturimeve, me një bagazh të pasur teoriko-praktik dhe metodik. Në vitin 1959 u formua shkolla e aviacionit, brenda Regjimentit “Peza” të Qytetit “Stalin”, ku Nehari u emërua për të vozitur në ajër, kursantët e grupit të parë. Komandant i shkollës u caktua piloti Thanas Gjiknuri, i cili, në atë kohë mbante klasin e parë të pilotit ushtarak. Zëvendës i tij ishte bashkëtrevasi i Neharit; Irakli Grazhdani. Instruktorë të teknikës së pilotimit ishin: Flamur Mickaj; Refit Jazoj; Petrit Majlindi; Hektor Lako; Agim Spahiu; Nehar Jazexhiu; Naun Todo dhe Admir Flaga.

Nehari, e kishte mbaruar shkollën e aviacionit të Borisoglebsit, “shkëlqyeshëm” dhe kishte njohuri mjaft të mira teorike, praktike dhe metodike. Ai erdhi i veshur oficer, me gradën e togerit. Teknikën e pilotimit, Nehari e kishte të pastër. Kur i dëftonte kursantit elementët e fluturimit ishte i saktë dhe në ajër, ishte i “lehtë” në plotësimin e figurave të pilotimit. Ai ishte shumë korrekt e nuk i falte gabimet. Ishte këmbëngulës dhe sedërli, kur ishte fjala për të realizuar objektivat. Në detyrë, Ai ishte me ambicie të mirë por nuk e shfaqte sedrën.

Për Nehar Jazexhine ishin të huaja prapaskenat; Ai nuk merrej me llafe e nuk përgojonte njeri. Në karakter ishte i pastër, i drejtë e i ndershëm. Kur të kritikonte Nehari, e mendonte dhe e peshonte mirë fjalën dhe t’i vinte në dukje gabimet me tone shoqërore. Nehari është parimor; njerëzit i çmon sipas punës që bëjnë dhe nuk ndërhyn; as nuk pranon ndërhyrje. Ai, të jep atë që meriton; as nuk t’i shton vlerat; as nuk i zvogëlon ato.

Nehar Jazexhiu është luftarak dhe ka frymë të mirë ballafaqimi. Ai flet hapët, në çdo rast dhe pa tendenca. Me eprorët është korrekt; me vartësit dhe me shokët- i dashur e dashamirës. Shok të ngushtë, kur ishte në skuadrile, kishte Admirin dhe Naunin. Me ne diskutonte çdo gjë. Nehari nuk e njeh servilizmin e nuk është njeri që shtirret por është i vërtetë në qëndrimet e tij.

Nuk përdor alkool; duhanin ia mësova unë, kur fluturonim në Poro. I jepja nga një cigare, sa për të më bërë shoqëri, i merrja lekët dhe ia ktheja përsëri, në fund të ditës. Ai e shponte cigaren, në fund dhe e tymoste atë, sa i digjte buzën. Dalëngadalë, Nehari u bë me paketë në xhep dhe e nisi pirjen e duhanit rregullisht.

Në vitin 1962, Nehari lidhi martesë me zonjën Lumturi, me profesion arsimtare, nga fshati Mborje i rrethit të Korçës. Lidhja mes tyre u realizua me shkuesi. Nga lidhja mes tyre u lindën 2 vajza, të cilat u rritën me edukatë e të kulturuara; të dyja banojnë në qytetin e Vlorës.

Nehari, është parimor e jo njeri i konflikteve. Ai, përkundrazi, kur vinte re konflikte, luante rolin e “zjarrfikësit” e jo të nxitësit. Këmbëngulja e Neharit lidhet me kërkimin e të vërtetës. Në çdo rast, Ai ka marrë anën e zbatimit të instruksioneve, rregulloreve teknike dhe normave të sjelljes njerëzore. Edhe kur u bë sekretar i Komitetit të Partisë, Nehari, me njerëzit sillej me korrektesë, me edukatë e me kulturë. Nuk i binte njeriu në qafë, kot së koti e me tendencë, por ishte parimor e dashamirës.

Shoqëria jonë është jetëgjatë e ne nuk e kemi “shitur” njëri-tjetrin, nuk ia kemi pasur me hile shoqi-shoqit dhe i ruajmë lidhjet miqësore prej shumë kohësh, si kur ishim në punë dhe tani që jemi në pension. Herë pas here, takohemi me njëri-tjetrin dhe kur kjo nuk është e mundur, komunikojmë nëpërmjet telefonit. Nëse miqësia jonë është jetëgjatë kjo lidhet dhe me veçoritë e profesionit të vështirë të pilotit. Kemi qenë së bashku; kemi përballuar të njëjtat kushte, kemi ndihmuar e kemi mbështetur njëri-tjetrin, ia kemi njohur fare mirë karakterin shoqi-shoqit e nuk ia kemi pasur me hile njëri-tjetrit. Nehari dhe ne të tjerët, nuk i dëftonim kurrë kursantit, ato që nuk parashikoheshin në planin ditor të fluturimeve dhe në program.”

Epilog

Siç ndodh rëndom, me ata që kanë pasur jetë intensive e të tensionuar, të pasur me arritje e me të papritura, Nehar Jazexhiu iu nënshtrua ligjeve të jetës, prej ndikimit të të cilave nuk mund të shpëtojë asnjeri. U lodh e u sfilit Nehari dhe u konsumua, si fizikisht dhe nga ana psikike. Mosha e tretë, i solli atij njeriu, i cili, në rininë e tij nuk qëndronte në një vend, plogështinë fizike dhe disa shqetësime shëndetësore. Ato janë reflekse dhe të jetës së rënduar që ka përcjellë “heroi” i këtij rrëfimi.

Aktualisht, Nehari është 84 vjeç, gëzon pension të plotë pleqërie, si fluturues dhe banon në qytetin e Vlorës. Ai jeton mes fëmijëve të tij, fëmijëve të (vajzave) dhe të afërmve, miqve e shokëve të shumtë, i zhytur në kujtimet e begata të punës e të jetës që ka kaluar. Nehar Jazexhiu ka përballuar një jetë e një punë të vështirë por të lavdishme. Ka Çfarë të dëftojë devolliu “shpuzë”; zemërmirë e zemërzjarrtë. I kënaqur që i ka dhënë Atdheut dhjetëra pilotë, të cilët janë bërë dikushi por mësuesin e tyre nuk e harrojnë.

Emri i mirë që ka bërë dhe mendimi pozitiv i nxënësve të tij për atë figurë në kufijtë e legjendës, është ndoshta shpërblimi më i madh për atë burrë; të paktë nga shtati por i pakufishëm për nga dashuria dhe mirësia që dhuronte. Sa të nderuar e të vlerësuar e ndjen veten djali i Poloskes flakërimë, i cili çau qiejt vetë e u dha krahë mjaft djemve nga i gjithë vendi për t’u ngjitur në hapësirë. Kam punuar pranë e nën drejtimin e tij. Ndihem fatlum e krenar për faktin që kam pasur e kam një mik si Nehar Jazexhiu. I uroj jetë të gjatë e të paqtë; shëndet të plotë e sa më shumë kënaqësi, mes atyre që do dhe e duan aq shumë!

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, shok pune e koleg i Nehar Jazexhiut

Në Tiranë, gjatë muajve prill-maj 2018.