Të nderuar pjesëmarrës,
Nuk po i gjej dot fjalët që i shkojnë për shtat kësaj „feste“ me shumë vlerë. Ngërçi lidhet me përgjegjësinë dhe nderin e madh që përjetoj, për të folur përpara jush. Para së gjithash, përshëndes, me përunjësi e nderim, familjarët dhe të afërmit e të rënëve dhe personalitetet e shquara që na nderojnë këtë „festë“! Kjo që po ndodh ka vlera të shumta historike dhe njohëse. Është njoftuar se do të bëhet promovimi i librit „Meteor“, shkruar nga mendjendrituri me shpirt bujari, zoti Aleksandër Çala. Në fakt, nuk kemi të bëjmë me një promovim libri të rëndomtë, nga ata që dergjen rafteve të librarive e u bëjnë jehonë „bëmave“ të autorit apo të afërmve të tij duke stisur të paqena, por bëhet fjalë për një enciklopedi të mirëfilltë, me vlera historike dhe njohëse.
Libri „Meteor“ është një vepër dinjitoze e serioze, me vërtetësi brenda. Është libri i dytë që po na jep në dorë autori; prandaj i jemi dy herë mirënjohës Aleksandrit. Në këtë libër, autori, me përkushtim dinjitoz e me vullnet të pamatë dhe me një durim të lakmueshëm, ka mbledhur, tok, të rënët aviatorë, të profileve të ndryshme, në krye të detyrës. Ata, nuk u dergjën në shtrat, por ranë heroikisht, në ajër dhe për fluturimin. Për të lartësuar arritjet, „heronjtë“ tanë vunë jetën në themelet e ngrehinës lavdiplotë: lundrimit ajror.
Nga Ibish Vokshi që ra në Slloveni, në vitin 1947, tek Qemal Mërtiri, eshtrat e të cilit prehen nën ftohtësinë e tokës siberiane, deri tek dy „dëshmorët“ e kohëve të fundit: Florian Delia e Donald Hoxha, shtrihet një periudhë kohore relativisht e madhe. Zoti Aleksandër Çala, me zgjuarsi të admirueshme, me aftësi krijuese shembullore dhe me durim të paparë, ka ditur të qëmtojë e të gdhendë, bukur, me vërtetësi dhe art portretin e secilit, nga të 43 „heronjtë“ tanë. Të mbledhur në një libër, na duket sikur sot, të kapur dorë për dorë, ata vallëzojnë atje ku e kanë vendin, në qiellin e lavdisë e të përjetësisë.
Ata u bënë shokë me yjet se yje ishin e yje mbeten. „Heronjtë“ tanë vunë gurë themeli e ngjitën shkallë të sigurta, në udhën tonë të ngjitjes, po na mbledhin dhe sot, për t’i nderuar e për t’i kujtuar, siç do të ngjajë edhe më pas, pafundësisht. Të rënët, nuk u ndanë nga jeta në të njëjtën ditë; secili ka diçka të veten, por i bashkon e njëjta gjë: dashuria për avionin e për fluturimin dhe dëshira për ta parë veten „zot“ të qiellit shqiptar. Prandaj u shprehim edhe një herë sot, respektin dhe nderimin pa kufi, për atë që bënë, duke u përulur, me nderim, ne, kolegët e tyre, familjarët, të afërmit, shokët e miqtë e shumtë. I gjithë libri është një homazh, fund e krye, që gurgullon si gurrë e pashterrur, nga thellësitë e zemrave tona.
Faleminderit, zoti Aleksandër Çala, për këtë „perlë“ që po na dhuron, sot, kur së afërmi presim të festojmë, ditën e aviacionit tonë tashmë të çbërë e jo siç na e latë e siç do ta donit ju, të paharruarit tanë.
Promovimi i librit „Meteor“ iniciohet nga Shoqata e të Rënëve të Aviacionit, në kujdesin e posaçëm të zotit Kujtim Seranaj, i cili ka një aktivitet mbresëlënës, në këtë lëmë. Mes nesh ndodhen të dy pilotët e mbetur të certifikuar me titullin e pilotit ushtarak të klasit të parë, qysh në vitin 1965: Çobo Skënderi e Halit Bulku. Pjesëmarrja e tyre na e zbukuron festën, për vlerat që kanë. Në promovimin e këtij libri na nderojnë me pjesëmarrje: Zëvendësministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi; Komandanti i Aviacionit, gjeneral Vladimir Avdia; ish-komandantët e aviacionit, gjeneralët: Perlat Binaj; Astrit Jaupi e Dhori Spirollari; më i moshuari nga efektivat inxhiniero-teknikë të aviacionit, veterani Koli Çobo; piloti me akt heroik – Bilal Sina; përfaqësuesi i shoqatave amerikano-shqiptare me qendër në Filadelfia të SHBA-ve; anëtari i kryesisë së shoqatës së Dëshmorëve të Atdheut e mjaft personalitete të tjera; shokë e miq dhe kolegë të të rënëve.
Shoqata Atdhetare „Myzeqeja“ na është gjendur pranë në këto veprimtari përkujtimore. Nga Amerika e largët na vijnë mesazhe inkurajuese në mbështetje të kauzës sonë për të mos i harruar „fajkojtë“ e qiellit. Shoqata e Aviacionit është e ingranuar seriozisht në veprimtari të ngjashme nderimi dhe në zemrën e çdo shqiptari të ndershëm buron gëzimi për t’i shpeshtuar këto veprimtari përkujtimore. Në këtë „festë“ tonën pjesëmarrja është masive. Me një organizim më të mirë, të ardhurit në këtë veprimtari përkujtimore, me siguri që do të ishin më të shumtë. Me këtë rast, më del vetiu urimi i zemrës:
I përjetshëm qoftë kujtimi i „fajkojve qiellorë“ të vendit tonë!
Të prasmëve të „heronjve“ tanë të qiellit u uroj t’u burojë e mos u shteroftë kurrë vullneti për të mos harruar ata që ranë për një çështje kaq të madhe siç është zotërimi i hapësirave qiellore të vendit tonë!
Zotit Aleksandër Çala i uroj krijime të tjera cilësore si kjo që po na jep sot!
Në Tiranë, më 22 prill 2017-04-17
Shkroi Niazi Nelaj, ish-aviator.




Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.