Dauti dhe Damini- dy vëllezër si drita

Gjatë jetës, na ka rastisur të dëgjojmë e të përsëritim një togfjalësh, i cili, na pëlqen e duam ta dëgjojmë vazhdimisht. Kush nuk i ka dëgjuar fjalët: “Ai, është njeri i mirë”! “ Ai, renditet ndër më të mirët e më të mirëve”! “ Ky, është xhanan e shpirt njeriu”! “ “X” apo “Y”- është nga ata njerëz që të falin vetëm mirësi”! “ Tek ai njeri, mirësia nuk ka të sosur”! etj.etj. Dakort! Këto, e të tjera, të ngjashme, janë të sakta e të merituara, për ata, të cilëve  u përkasin. Kam një rezervë e atë ua them, hapët: Ta përcaktosh tjetrin “ të mirë”, ke thënë shumë e, në të njëjtën kohë, nuk ke thënë asgjë. Nuk bëhet fjalë për një “ lojë fjalësh”, por për një vlerësim, i cili ka nevojë të zbërthehet e të sqarohet, më tej. I miri dhe mirësia e tij, janë të pranishme e përjetohen nga të gjithë komunitarët por, jo të gjithë e  çmojnë mirësinë, me “notat” që ajo meriton.

Dauti dhe vëllai i tij më i vogël, në moshë – Damini, të cilët i kam njohur së afërmi e për një kohë jo të shkurtër, të rritur jetimë, mes halleve e derteve dhe kufizimeve të kohës, u bënë “të mirë”, e lanë gjurmë, të pashlyera, në punët që bënë, në Ushtri. Njëri ( Dauti)- pilot; tjetri (Damini)- ndërlidhës; të rritur me mundin dhe djersën e tyre, të derdhur në fushat e stërvitjes, me përkushtim të pazakontë e   me karakterin e tyre të pastër. Ata, sejcili në profilin e vet dhe me prirje e aftësi jo të njëjta, çdo gjë të mirë që kishin, e hodhën, pa rezerva, në dobi të zhvillimit e prosperitetit. Dauti, u bë pilot dhe, në fushën e aeronautikës, në kohën kur veproi, shpalosi vullnet të paparë, ndërgjegjshmëri të shkallës së lartë dhe pastërti të karakterit. Damini, i të njëjtit “brumë”, u gatua oficer i aftë e i devotshëm dhe me meritë, bëri karrierë në sektorin e ndërlidhjes, duke kapur “maja”, si detyra e komandantit të brigatës. Ai e shndërroi repartin që drejtonte, në një “ repart elitë”, të Ushtrisë Popullore.

Kam punuar, nga afër e për një kohë të gjatë, me Dautin, prandaj, në këtë shkrim homazh, do të përpiqem të shpalos, në veçanti përpara atyre që nuk e kanë njohur, vlerat e tij, të cilat i kam njohur nga afër, prej vitit 1967, deri sa ai u nda nga jeta, në vitin 2007.

Dauti, i biri i Jaho Xhaferrit dhe i Mahijes, u lind në fshatin Gjashtë të rrethit të Sarandës, në vitin 1937. Të parët e tij, kishin shtegtuar nga Margëlliçi i Çamërisë, në Gjashtë e në Nivicë Bubar, në fillimet e shekullit që lamëpaas. Fëmijërinë, të cilën e përcolli në fshatin e lindjes, por nuk e pati të lumtur. Ende pa u mëkëmbur mirë, ai mbeti jetim, nga i ati, Jahua dhe u rrit e u veselit, ashtu si vëllai i tij – Damini, nën kujdesin e njërit prind; Nënë Mahijes, “ heroinë”. Nëna e tyre, një  çame tipike, nuk i rrethoi djemtë e saj, me pekule, por me kujdesin e nënës të mirë, për ti rritur, siç u kishte hije, dy djem të mirë e me emër që nderuan veten, nënën e babanë e ndjerë, fisin, fshatin e origjinës dhe komunitetin ku jetuan e punuan. Nëna hallemadhe, Mahija, një grua çame e traditës, e fortë fizikisht e me sedër të shtuar, pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit,lidhi në kokë shaminë e bardhë të vejushës, u bë, vetë burrë e vetë grua dhe, duke sakrifikuar mjaft nga vetja, u dha djemve gjithë sa u nevojitej, për t’u rritur, si bashkëmoshatarët, madje dhe më mirë se ata.

Duke përjetuar vështirësitë ekonomike të viteve të parë të pasçlirimit të vendit, të cilat ndikonin negativisht tek djemtë bonjakë dhe për faktin se Nëna sedërmadhe nuk e përballonte dot jetën,e vetme, ajo shfrytëzoi gjithë mundësitë e u shpërngul në Tiranë, për një jetë më të mirë. Ajo i solli në Tiranë , të dy djemtë e mitur, “në futët” e nuk rreshti përkushtimin ndaj tyre.

Në muajin shtator të vitit 1950, Dauti nisi mësimet në Shkollën Ushtarake “ Skënderbej”, ku u regjistrua në klasën e parë gjimnaz. U lehtësua disi barra që mbante mbi supe, Nënë Mahija; njëri nga djemtë do të ndiqte një shkollë ushtarake serioze ku fjetja, ushqimi, veshja dhe mësimi përballoheshin nga shteti. Në shtëpi i mbeti djali i vogël, Damini, i cili, aso kohe ishte në shkollën fillore dhe banonte së bashku me Nënën, në një shtëpi, afër fushës së aviacionit ( pranë Kroit të Shëngjinit apo, siç njihet rëndom, pranë lava Nëna kryefamiljare, me ndjenjën e përgjegjësisë të prindit të përgjegjshëm,  organizoi ekonominë e familjes, në kushtet e rinj, duke ndërtuar shtëpinë, përdhese, me çati, edhe një bahçe, ku kultivonte perime, të traditës, për nevojat e familjes. Meraku i Nënës “ heroinë” ishte të çonte në vend amanetin e të shoqit të ndjerë që djemtë e tij të bëheshin dikushi, në jetë e të shkolloheshin, sipas niveleve të kohës. Prandaj, Ajo, e dërgoi Daminin në Politeknikumin “ 7 Nëntori”, në Tiranë; në një shkollë me kërkesa të larta ku fëmijët mësonin një profesion e u hapej horizont dhe perspektivë për më tej. Damini ndoqi mësimet në degën elektrike dhe më vonë u bë ndërlidhës cilësor.

Familja e Mahije e Jaho Xhaferit, e ardhur nga Çamëria ( Margëlliçi), para Luftës së Dytë Bptërore, u vendos në fshatin Gjashtë të Sarandës dhe ishte nga më të nderuarat në fshat e më gjerë. Edhe në Tiranë, ku u vendos Nënë Mahija, me dy djemtë, e atillë mbeti, e nderuar dhe e respektuar. Ajo, edhe pse ishte vetëm 2 vjeçe kur erdhi në Shqipëri,  kujtonte me dhimbje, e me nderim martirët e Çamërisë, të cilët përjetuan genocidin grek të vitit 1946. Në radhët e të masakruarve kishte dhe njerëz të origjinës të saj. Vërshimi i rreth 300.000 çamëve, në vendin tonë të pasluftës, kur kudo sundonte fukarallëku,  përqëndrimi i tyre, kryesisht në periferi të qyteteve, sidomos, në Tiranë, në Durrës, në Vlorë, në Elbasan, në Fier etj, pas dëbimit nga trojet e tyre, u kthye në një tragjedi me përmasa kombëtare. Nënë Mahija dhe fëmijët e saj, pa shfaqur dukuri krahinarizmi, krahas integrimit në mjedisin e ri ku u vendos, në Tiranë i ruajti lidhjet me vendin e të parëve dhe me popullsinë e saj martire.

Në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, katër vite me radhë, Dauti u rrit e u edukua për së mbari. Në këtë shkollë, rregulli, disiplina dhe regjimi i përcaktuar me rregullore, ishin motua e jetës së përditshme të djemve adoleshentë. Nën kujdesin e një stafi pedagogjik e komandues të përzgjedhur  dhe në shoqërinë e djemve si ai, Dauti nuk e ndjeu aq efektin negativ që shkakton të qënit jetim. Ai u mëkua me ndjenjën e të barabartit me shokët, pa zënë pozicione të tërhequr e pa u mbyllur në vetvete, pa mungesë iniciative.  Ai e ndoqi ritmin e jetës e të shkollimit njëlloj si shokët  dhe u formua me tipare të mira e të dobishme, jo vetëm për atë e për familjen e tij. Në komunitetin ku jetoi e punoi, Dauti, i shpalosi tiparet e kultivuara në familje e në shkollën e mesme, dita-ditës e gjat gjithë kohës.

Shkolla Ushtarake “ Skënderbej”, në ata vite ( vitet ’50 të shekullit që lamë pas), ishte  konsoliduar, si një gjimnaz i “ elitës” së shkollave të mesme të vendit. Aty, skënderbegasit, formoheshin me njohuri të përgjithshme, si në shkencat egzakte dhe në ato shoqërore, përfshi dhe njohuritë në fushën e astronomisë. Nxënësit ushtarakë të kësaj shkolle, gjatë qëndrimit në këtë shkollë, i nënshtroheshin një regjimi të caktuar ushtarak, ku jeta dhe veprimtaria ndërtohej mbi bazën e kërkesave të rregulloreve ushtarake.

Daut Xhaferi dhe shokët e tij, në këtë institucion arsimor me vlera, para së gjithash mësuan të jetojnë në komunitet. Në klasë e në shkollë, djaloshi me origjinë nga Çamëria, u njoh e u miqësua me shumë shokë të moshës së tij, të ardhur nga treva të ndryshme të vendit. Ai, nuk ishte më në shtëpinë e tij, e nuk jetonte vetëm me Nënën e me vëllanë e vetëm, por me shumë shokë të rinj e nën të njëjtin regjim jetese. Në shkollë, Dauti mësoi të vishej vetë e të mirëmbante uniformën e bukur të skënderbegasit, e cila i pëlqente mjaft. Në fjetinën e shkollës, ai mësoi të flinte në një krevat, më vete, të cilin ishte i detyruar ta rregullonte vetë, shpejt e sipas rregullit të caktuar. Nuk ishte fort e lehtë dhe e pëlqyer, për të, të shtrihej e të flinte në orar, të zgjohej, kur binte borija e të bënte fizkulturën e mëngjesit, me detyrim, të hante në orar, të pastronte territorin dhe fjetinën, të lante sytë me ujë të ftohtë, të bënte banjë e të ndërronte petkat, sistematikisht etj.

Kësisoj, djali i madh i Nënë Mahijes, u rrit e u maturua dhe u bë goxha djalë. Ai ishte i pashëm, i zgjuar, i sjellshëm, i urtë e i dashur; i qeshur e i shkathët; një njeri tepër shoqëror. Kur përfundoi Shkollën e Mesme Ushtarake “ Skënderbej”, në vitin 1955, Daut Xhaferi ishte një djalë i mirëformuar për moshën që kish, arriti një pjekuri të lakmueshme dhe kishte ndjenjë të pastër komunitare. Gjatë katër viteve, kur Dauti vijonte mësimet në Shkollën Ushtarake “ Skënderbej” dhe pas saj, e ëma e Dautit , Nënë Mahija, punoi e sakrifikoi, si ajo, në punën tejet të rëndë, me tre turne, në repartin e tezgjahut të Kombinatit të Tekstileve “ Stalin” në Tiranë. Pavarësisht se djali i saj i kishte kushtet e jetesës të siguruara, Ajo, me ndjesinë e të qënit nënë, herë pas here, shkonte në shkollë e kujdesej për të dhe, kur i biri vinte në shtëpi, me dalje të lirë,përpiqej ti plotsonte ato që nuk i kishte në shkollë si i tëhollte byrek; i bënte pertulla; paluze,pulë me rosnica, etj gjellë shtëpie, nga ato që Dauti shijonte më shumë.

Për djalin tjetër, Daminin, të cilin Nënë Mahija e kishte në shtëpi, ajo u kujdes që atij mos ti mungonte asgjë dhe ai të rritej e të edukohej për së mbari. Në përfundim të vitit shkollor të maturës, Dauti iu nënshtrua analizave të hollësishme mjekësore dhe një komision ushtarako-mjekësor, mbi bazën  e  një sërë analizash e këqyrjesh, e deklaroi të aftë, për të vijuar studimet për pilot gjuajtës-bombardues, në shkollat sovjetike të aviacionit.

Nënë Mahija, kur mori njoftimin se Dauti do të largohej nga  Shqipëria, për të studiuar shkencën e aeronautikës, në një vend tjetër, larg Shqipërisë, u ndodh në dilemë të madhe e në udhëkryq. Nuk dinte çfarë qëndrimi të mbante e si të vendoste. Jo se nuk pëlqente profesionin e nderuar që do të merrte i biri, por sesi i dukej, ta largonte djalin e madh të saj, bukën e parë, atë që mezi e rriti, si i thonë: “ me thërrime, e vetme, larg nga vetja. I dukej sikur, kësisoj nuk do ta mbante, plotësisht premtimin që bëri kur u nda nga jeta bashkëshorti i saj, se djemtë do ti mbante pranë e do të ndikonte që ata të nderonin kujtimin e Babait të tyre të ndjerë.

Në vjeshtën e vitit 1955, me një anije ushtarake sovjetike transporti, ku ishin përshtatur disa kabina për udhëtarë, Dauti dhe shokët e tij të grupit, u nisën nga Porti i Durrësit në drejtim të Odesës. Shokë të tij, në këtë lundrim katërditor ishin: Sokrat Prifti ( ndjesë pastë); Salih Dibra ( ndjesë pastë); Hamdi Arapi; Llazar Çyçi ( ndjesë pastë ); Teki Salata; Muhedin Imeraj ( ndjesë pastë);  Abaz Shkëmbi; e Petrit Veizi.

Pas katër ditë dhe netë lundrimi, grupi i ushtarakëve nga vendi ynë, mbërritën në qytetin e bukur port të Odesës, ku qëndruan rreth 2 ditë për t’u shlodhur e për të parë bukuritë e tij. Në vijim të rrugëtimit të tyre historik, djemtë, u ngjitën në një tren të kohës dhe nëpërmjet Harkovit e më tej, Voronezhit, mbërritën në shkollën e aviacionit të qytetit të Borisoglebsit, e cila mbante emrin e legjendarit Valerij Çkallov. Kursantëve për pilotë, me të shkelur në këtë institucion, me përvojë të gjatë pune, që kishte veprimtari prej vitit 1920 dhe kish përgatitur pilotë cilësorë, mes tyre dhe “ Heronj të Bashkimit Sovjetik”, nga ata që mbajtën peshë të madhe në betejat ajrore të Luftës së Dytë Botërore, u bënë përshtypje kushtet mjaft të mira, për jetesë e për të mësuar.

Në dimrin e vitit 1955-1956, rreth gjashtë muaj, ata përcollën mësimin e gjuhës Ruse dhe programin e përgatitjes teorike të shkencës së aeronautikës. Dauti dhe shokët e tij, u përshtatën relativisht shpejt, me kushtet e reja të jetesës e të mësimit, të cilat, për hir të së vërtetës, në shkollën “ elitë” të aviacionit sovjetik, ishin krahasimisht më të mira nga ato që lanë në Shqipëri, qoftë dhe në Shkollën e Mesme Ushtarake, “ Skënderbej”, ku kishte kaluar Dauti dhe disa nga shokët e grupit të tij. Dauti, me natyrë të “ butë” e tejet njerëzore, u “ familjarizua” Shpejt me shokët e grupit në të cilin bënte pjesë dhe me mënyrën e të jetuarit e të mësuarit. Disa nga shokët e klasës, ai i njihte qysh më parë  (bëhet fjalë për ata që kishin përjetuar, regjimin e Shkollës “ Skënderbej”); në Borisoglebsk, ai u njoh e u kompaktësua dhe me ata që nuk i kish njohur më parë.

Daut Xhaferi ishte një djalë me vullnet të madh e me sedër. Ai, sipas përvojës që kish fituar në Shkollën “Skënderbej”, bënte mjaft përpjekje për të depërtuar në detajet e shkencës së aeronautikës. Dauti, nuk shquhej nga shokët e grupit ku bënte pjesë, për nivel të ngritur teorik e për shkathtësi fizike, por veçohej  për vullnet e këmbëngulje, durim dhe shpirt të mirë. Djali i Nënë Mahijes ishte shumë i afrueshëm me shokët dhe ishte ekzigjent, për të përthithur përvojën vetjake të tyre.

Dauti dhe shokët e klasës ishin me fat që grupi i kursantëve përpara tyre, përbëhej nga  djem model, “ për ti pirë në kupë”, si: Gëzdar Veipi; Çobo Skënderi; Mahmut Hysa; Halit Bulku; Bajazit Jaho etj, nga të cilët ata mësuan shumë. Kishin çfarë të mësonin rishtarët, nga ata djem shëmbullorë. Mund të thuhet, pa asnjë mëdyshje se grupi i kursantëve që rrjeshtuam më sipër, ishte njëri nga grupet më të mirë, në çdo drejtim, nga kontigjentet e kursantëve për pilotë që mësuan në shkollën sovjetike të aviacionit.

“Bagazhi”, i akkumuluar gjatë mësimeve në Shkollën e Mesme Ushtarake “ Skënderbej”, dhe pjkuria e moshës, së bashku me edukatën e shëndoshë që i mëkoi atij Nënë Mahija, i shërbyen Dautit si bazanent i shëndoshë për t’u futur në thellësi të mësimeve teorike, në shkollën “ elitë” të aviacionit sovjetik.

Në pranverë, grupi i kursantëve në të cilin bënte pjesë Dauti, nisi përgatitjen në tokë e, pas gati dy javësh, kur bora nisi të shkrihej e moti të ngrohej, nën drejtimin e instruktorëve me përvojë të fluturimit, nisën lundrimin ajror. Instruktor i Dautit dhe i shokëve të grupit fluturues ku ai bënte pjesë, ishte rusi Dokuçajev. Me drejtimin e proçeit të përgatitjes ajrore të skuadriles ku bënin pjesë kursantët shqiptarë, ishte ngarkuar majori rus Sozin, me përvojë të gjatë si instruktor dhe njëri nga kuadrot më të rregullt e më të rreptë ushtarakë, të asaj shkolle model që përgatiste pilotë, në hapësirat sovjetike. Lisniçi, një pilot i deklaruar i paaftë për shkaqe shëndetësore, ishte drejtues i proçesit mësimor.

Gjatë përgatitjes dyjavore në tokë, Dauti, me seriozitet e përkushtim dhe me durimin e tij tipik, mësoi veprimet e pilotit, në tokë e në ajër, në situata të ndryshme ajrore, me aeroplanin e lehtë mësimor Jak-18 U. Me shumë përpjekje e vemendje të shtuar, Daut Xhaferi, duke përsëritur mjaft herë veprimet që duhet të kryente, arriti të lëshohej në fluturime vetëm, pa praninë e instruktorit në kabinën e dytë, dhe, në dy vitet e parë, realizoi progranin e përgatitjes ajrore të kursantit, në këtë tip aeroplani, sipas kursit të përgatitjes ajrore.

Meqënëse fluturimet nisën herët në pranverë, në një periudhë kur sipërfaqja e blertë e aerodromit të Borisoglebsit, mbi të cilin zhvilloheshin fluturimet stërvitore, ishte e mbuluar nga bora, aeroplanët lëviznin në tokë dhe ngriheshin e uleshin me ndihmën e slitave  (skive), të vendosura nën rrota. Kur bora shkriu e bari jeshiloi dhenë,  lëvizjet nëpër start; ngritjet dhe uljet e aeroplanëve, zhvilloheshin pa përdorimin e slitave ( skive ). Në përvetësimin e elementëve të fluturimit dhe, në tërësi, në plotsimin e ushtrimeve, në ajër, Dauti ishte në nivel mesastar. Ai, në përghithësi i kapte me vonesë elementët e pilotimit dhe i duhej ti përsëriste shumë herë e me durim ata, në mënyrë që shprehitë e tij në fluturim të ishin të qëndrueshme. Roli dhe ndihmesa e instruktorit të tij të pilotimit, rusit me përvojë nëpërgatitjen e pilotëve, Dokuçajevit, ishin të dukshme dhe konstante.

Pas përfundimit të programit të përgatitjes ajrore me aeroplanin fillestar mësimor, me helikë, Jak-18U, të cilin e realizoi me vlerësim mesatar, Dauti, në vitin e tretë të shkollës, kaloi në aeroplanin e kalimit të tipit Jak 11, i cili kishte motorr më të fuqishëm, çlironte shpejtësi më të madhe, dhe, në ajër kishte manovrim më të thellë. Natyra kalimtare e këtij avioni, u paraprinte nisjes së fluturimeve në aeroplanin gjuajtës-bombardues reaktiv Mig 15 bis. Në fluturimet me aeroplnët Jak-11, ecuria fluturuese  Dautit, ishte normale; ai e përfundoi programin ajror, njëlloj si shokët e grupit dhe u përgatit për të kaluar në avionin e ri. Futja e aeroplanit Mig-15 bis, në proçesin e përgatitjes ajrore të kursantëve ishte risi dhe përbënte një përmbysje, në koncepte e në praktikën fluturuese me kursantët. Por ai kërkonte më tepër aftësi e vemendje të shtuar , nga ata që e pilotonin.

Aeroplani reaktiv, i tipit Mig-15 bis, kishte disa lehtësi sa i përket lëvizjes në start, ngritjes, uljes dhe manovrimit në ajër, por kërkonte disa aftësi praktike, të veçanta, lidhur me kapjen e elementëve dhe qendrueshmërinë e teknikës së pilotimit si dhe reflekse më të shpejtë, për të kapur në kohë epër të ndërhyrë për korrigjimin e shmangjeve, gjatë pilotimit. Në vitin e katërt të proçesit mësimor,  gjatë fluturimeve në tipin e ri të avionit, në atë reaktiv Mig-15, ndonëse i tejkaloi gjithë limitet e parashikuar në instruksionet përkatëse, në ngritje, në ajër, dhe në ulje me aeroplan dyvendësh, nuk e bindën instruktorin e tij dhe stafin drejtues të skuadrilesh e të shkollës, se Dauti mund ta drejtonte këtë avion, në mënyrë autonome.

Meqënëse lejimi i tij në fluturime vetëm, me aeroplanët Mig-15 bis, nuk garantonte parrezikshmërinë e tyre; mbasi kaloi gjithë limitet e parashikuara në rregulloren e zhvillimit të fluturimeve, pas vozitjes dhe kontrolleve rigorozë, sipas shkallës së hierarkisë, me një vendim unanim, të “ kompetentëve”, kursanti për pilot- Daut Xhaferi, nuk u lejua në fluturime vetëm, në avionin Mig-15, dhe u rekomandua te fluturonte në helikopterë e në aeroplanë me helikë.  Dauti e kishte të vështirë zotërimin e elementëve të uljes, me avionin reaktiv, për shkak të tensionimit të tij në kabinë, mospërcaktimit të saktë të lartësisë të aeroplanit nga toka, dhe lëvizjeve konfuze të tij me komandat e drjetimit për uljen e aeroplanit. Mos përcaktimi i saktë i lartësisë të rrotave nga toka, dhe i shpejtësis e tempit të afrimit të tokës, bënte që ai të ishte i “ ashpër” me komandat dhe bënte shpesh, vzmivanie e kozjolle ( valëzim dhe kërcime, si cjap) që pasoheshin nga rënje e rëndë e avionit të mbarsura me rreziqe të shtuara.

Ishte viti 1957. Në komandën e Përgjithshme të Ushtrisë Shqiptare ishte vendosur të dërgoheshin disa pilotë, për të mësuar shfrytëzimin e helikopterëve Mi-1 e Mi-4, në shkollën serioze dhe me përvojë të gjatë të Pugaçovit, e cila përgatiste pilotë që fluturonin në këto makina ajrore. Dauti, u bashkangjit pilotëve të ardhur nga Shqipëria dhe atyre që ishin deklaruar të pa aftë për të fluturuar në avionët reaktivë Sejdo Kamberi ( ndjesë pastë); Andrea Stavre ( ndjesë pastë); Selman Meçe; Zebo Durmishi ( ndjesë pastë); Peço Polena ( ndjesë pastë); Petrit Majlindi; Manush Kreshpa ( ndjesë pastë); etj.

Në verën e vitit 1958, Dauti dhe kolegët e tij që kaluan në Helikopter, u kthye në Atdhe. Dauti u titullua oficer ( nëntoger) dhe ishte  diplomuar  pilot, në helikopterët Mi-4. Ai, e gjeti në riorganizim, repartin e aviacionit me  numër konvencional 5818 të dislokuar në aerodromin e lashtë në Laprakë. Në këtë repart të përzier, bashkëjetonin ekipazhet e helikopterëve Mi-4 e Mi-1, pilotët e disa aeroplanëve të mbetur nga Lufta e Dytë Botërore, një skuadrile avionësh Jak-11, 1 aeroplan transporti i tipit Il-14, i destinuar për fluturime me udhëheqjen e lartë të partisë shtet dhe 1 aeroplan Jak-18 A, i cili shfrytëzohej, nga Komandanti i Aviacionit.

Daut Xhaferi fluturoi me helikopterin e mesëm Mi-4, në detyra stërvitore, sipas programit të përgatitjes ajrore dhe kreu disa detyra “ speciale”, të karakterit shpëtues, deri në pranverën e vitit 1963, kohë kur erdhën nga Kina 13 aeroplanë transporti të lehtë, An-2, të pajisur me një motorr me cilindra  të tipit ASH – 62 IR dhe me helikë. Pas mbërritjes, montimit dhe kolaudimit në ajër të këtyre aeroplanëve, në Repartin 5818, u organizuan 2 skuadrile, si formacione më vete: Njëra me helikopterë Mi-4 e Mi-1, nën komandën e pilotit veteran Sejdo Bilush Kamberi ( ndjesë pastë); tjetra me aeroplanë An-2, e cila komandohej nga piloti me përvojë i cili kish fluturuar në disa tipa avionësh- Petrit Majlindi.

Pas këtij riorganizimi u bë e mundur të kalonin për fluturime me aeroplanët An-2 disa pilotë, të cilët, deri atëherë fluturonin në helikopter.  Në këtë kategori hynë pilotët: Petrit Majlindi; Zebo Durmishi  (ndjesë pastë); Llazar Çyçi ( ndjesë pastë) e Daut Xhaferi ( ndjesë pastë). Ata, si të familjarizuar me fluturimin, për të kaluar në tipin e ri të aeroplanit, kryen një program teoriko-praktik të reduktuar, morën disa fluturime kontroll,me instruktor të teknikës së pilotimit – Irakli Grazhdanin ( ndjesë pastë) dhe u renditën në ekipazhet e aerolpanëve An-2.

Në këtë tip aeroplani, në funksione të ndryshëm, Daut Xhaferi fluturoi nga pranvera e vitit 1963, deri sa doli në pension pleqërie, si fluturues,në vitin 1987. Fillimisht, Ai u praktikua në rolin e pilotit të dytë; shumë shpejt u aktivizua në rolin e komandantit të ekipazhit dhe, nga viti 1966, deri sa doli në pension, kreu detyrën e komandantit të katërshes. Në vartësi të tij ishin 4 aeroplanë An-2; 4 teknikë fluturues, 8 pilotë, 1 teknik katërshe dhe 4 ushtarë mekanikë. Dauti fluturoi gjatë në drejtimin e katërshes, u ngrit mijëra herë në ajër, fluturoi qindra orë dhe mori pjesë në të gjitha detyrat stërvitore e ato speciale, në të cilat u përdor ky aeroplan. Dauti, me përvojën që fitoi, u bë një mjeshtër i vërtetë i shfrytëzimit të aereoplanit An-2 dhe kontribuoi për përgatitjen e disa brezave të pilotëve të kalimit.

Nëse do të veçonim kontributet e Daut Xhaferit, në çështjen e kompaktësimit të ekipazheve nuk mund të mos pranonim rolin e tij aktiv për kryerjen e detyrave në të mirë të ekonomisë bujqësore të vendit. Roli i Daut Xhaferit në çështjet e përpunimit nga ajri të të mbjellave, nëpërmjet spërkatjes dhe pluhurosjes të të lashtave dhe  të vonave si misri e pambuku,sipërfaqet e mbjella me oriz, përpunimi i sipërfaqeve të mbjella me pemë frutore etj. për të luftuar dëmtuesit e ndryshëm, ka qenë i padiskutueshëm e i pakrahasueshëm. Dauti mori pjesë, herë në rolin e drejtuesit të “njësitit” fluturues e herë në rolin e komandantit të ekipazhit, në fluturimet e shpeshta, sipas sezoneve dhe shërbimeve kulturore të bimëve të arave dhe pemishteve. Ai fluturoi qindra orë, në rrethet: Lushnje; Fier; Krujë ( thumanë); Lezhë  (Kakariq ); Nënshkodër; Sarandë e në Korçë. Nuk ishte i lehtë fluturimi në lartësi rreth 5 metra, mbi sipërfaqen e tokës ( lexo të mbjellave), dhe në atë intensitet të lartë pune, i cili diktohej, ca nga vapa, ca nga helmet që përdoreshin dhe gjithmonë nga kujdesi i shtuar, për të ruajtur uniformitetin e të fluturuarit, në lartësi e në drejtim, nëpër arat e mbjella, jo vetëm me kultura bujqësore, por dhe me shtylla elektrike e telefonike dhe me pemë frutore apo me drurë pyjorë të lartësive të ndryshme.

Mund të duket si barcaletë, kur e dëgjon pas kaq kohësh dhe kur nuk e ke përjetuar, por një nga vështirësitë serioze që ndeshte Dauti dhe shokët e tij, gjatë punës, mbi të mbjellat, ishte roli i njerëzve ( kooperativistëve apo punonjësve të ndërmarrjeve bujqësore), të cilët mbanin në dorë flamurë të bardhë, për të dëftuar drejtimin, ku duhet të kalonte aeroplani. Në fshatin Këmishtaj të rrethit të Lushnjës, ku kooperativistët dhe stafi drejtues i bashkësisë ishin të pasionuar pas rendimenteve të grurit, ndryshe nga sa ishte biseduar e kishin rënë dakort, të dyja palët, një ditë më parë, gjatë rikonicionit, “ flamurtarët”, të nesërmen, kishin “ mbirë”, në çdo parcelë të mbjellë me grurë dhe pilotët, e kishin të vështirë të gjenin sipërfaqen që duhej përpunuar, me kimikate.

Interesant e për të qeshur është rasti i spërkatjes nga ajri, me herbicide, i grunoreve në tokat e përftuara nga tharja e kënetës së Kakariqit, në rrethin e Lezhës. Sipërfaqja e mbjellë me grurë ndodhej midis dy vargkodrave të Kakariqit ku gjatësia e parcelës është rreth 12 km. dhe aeroplani nuk mund të rrotullohet në hapësirën që ndan vargun e kodrave. Ata që mbanin flamurë në duar, ishin kryesisht të dënuar me riedukim nëpërmjet punës ( një masë penale e asaj kohe). Avioni An-2, futej në hyrjen Veriore të asaj lugine dhe dilte nga puna, në atë Jugore. Ulja e avionit kryhej në aerodromin e Gjadrit. Aty bëhej dhe furnizimi i aaoplanit, me ujë e me preparatin kimik . Kishte raste, kur ata që mbanin flamurin e duhet të dëftonin drejtimin e punës, e ngulnin atë në tokë e, duke u shtrirë në ndonjë hije, i zinte gjumi. Atëherë, avioni, kalonte me shumë se një herë, në drejtimin që dëftonin flamurët në tokë, lëshonin preparatin e ai dëmtonte ( digjte ) bimët. Në vend që të luftoheshin barërat e këqija, luftohej ( digjej) dhe gruri.

Vitet ’60 të shekullit që lamë pas, ishin vite kur Instituti i Higjienës dhe Epidemiologjisë,me qëndër në Tiranë ( Kinostudio), në bashkëpunim me seksionet e shëndetësisë të disa rretheve  kryenin spërkatjen nga ajri të disa kënetave, për të luftuar mushkonjat, qysh në fazën e larvës. Aeroplani An-2, i pilotuar nga Daut Xhaferi, ishte ndër të parët që u pa të fluturonte, rrafsh me tokën apo mbi pyll, në lartësi 5-10 metro, sipas rastit; mbi Shëngjin e Ishull Lezhë; mbi Karpan, në rajonin e Kavajës; mbi kënetën e Karavastasë, në rrethin e Lushnjës; në Lagunën e Orikumit, në rrethin e Vlorës e gjetkë, tek lëshonte pas, një gjuhëzë të bardhë lëngu, në përbërje të të cilit, përveç ujit, kish dhe insekticid.

Këto, nuk ishin të vetmet detyra që kreu, në fluturim, piloti Daut Xhaferi, mjeshtër në profesionin e pilotimit të aeroplanit An-2. Ai mori pjesë, në rolin e drejtuesit të “njësitit”, apo drejtpërdrejt në kabinën e aeroplanit, në të gjitha detyrat ajrore që zgjidh tipi i dhënë i avionit, sipas instruksionit përkatës. Nuk besoj të jetë e tepërt të përmenden detyrat që zgjidh, aeroplani An-2, në variante të ndryshëm.

Në variantin e transportit të njerëzve me anë të ajrit, Dauti u ul me aeroplan, plot me pasagjerë, në aerodromin e Qytetit “ Stalin”; në atë të Vlorës dhe në Rinas, si dhe në fushën e gjelbër të Shtoit, në rrethin e Shkodrës; në lëndinën e fushës së vështirë për ulje, në Bicaj të rrethit të Kukësit; në fushën e blertë të Valaresë, përballë qytetit të Gjirokastrës; në të trija fushat e improvizuar si aerodrom , në Plug, në Savër e pranë Drejtorisë të Fermës “ 29 nëntori”, të rrethit të Lushnjës; në fushën e uljes të Drenovës dhe në aerodromin e Lumalasit, në rrethin e Korçës; në fushën e improvizuar të  Fierit e të Sarandës e gjetkë.

Kontribute me vlerë  që kanë lënë gjurmë të qarta e me jetë të gjatë, piloti Daut Xhaferi ka dhënë për rritjen e shkallës së kualifikimit të kolegëvetë tij dhe për të shtuar aftësitë vepruese të repartit 5818, të njohur si Skuadrilja e Transportit, në Tiranë. Një sërë eksperimentimesh e novacionesh, me vlerë, mbajnë nënshkrimin e pilotit Daut Xhaferi. Të tillë, mund të përmendim eksperimentimin dhe futjen në programin e përgatitjes ajrore të pilotëve, të përshtatjes së aeroplanit An-2 për të bërë bombardime nga ajri, pa patur shënjestër apo aparatura të posaçme, e cila dha rezultatet e pritshme.

Jo më pak me vlerë ishte konceptimi dhe praktikimi i uljeve te aeroplanit An-2, në regjim planërimi, me parashutim. Ky lloj fluturimi paraqet vështirësi lidhur me kërkesën e lartë për të patur pastërti në fluturim dhe veprime të sakta e të qeta, nga  pilotët. Theksoj se në kushtet kur në avion janë dy pilotë e detyrat e tyre janë të përcaktuara; në çdo etapë të fluturimit, ata nuk duhet të pengojnë njëri-tjetrin. Ulja në fusha me përmasa të kufizuara, ose, siç mund të thuhet, në sheshe të improvizuar, siç ka patur raste në Shënavlash, gjatë parashutimeve nga ajri; në Lushnje; në Sarandë e gjetkë, e ka imperativ bashkërendimin e veprimeve mes pilotëve.  Në këtë kuadër duhen përmendur eksperimentimet që u kryen për transportimin e të plagosurve rëndë,të vendosur mbi barela; transportimi i municioneve luftarake dhe pajisjeve të tjera logjistike etj.

Daut Xhaferi ishte në përbërje të të gjithë ekipazheve që kryen fluturime dhe realizuan ulje, natën, në aerodrome e fusha ulje operative, në skaje të ndryshëm të vendit, pa përdorimin e mjeteve radioteknike të aviacionit, që sigurojnë fluturimin dhe uljen e aeroplanëve. Mjete të tillë, janë prurëset; pelengatorët; dritat e afrimit; dritat anësore që dëftojnë brezin euljes; projektorët stacionarë etj. Për t’u theksuar është fakti që, në vend të dritave anësore që kufizojnë brezin e uljes, shfrytëzoheshin të ashtuquajturit zjarre partizane dhe projektorët stacionarë të aerodromit zëvëndësoheshin nga ata të bortit të aeroplanit. Të kësaj natyre ishin uljet në Shtoj; në Vlorë; në Qytetin “ Stalin” e sidomos në Gjirokastër, ku, për shkak të terrenit, zbritja dhe ulja në Luginën e Drinosit ishte më e vështira.

Rritjes së mjeshtërisë të pilotimit, tek Dauti i shërbeu përfshirja e tij në programimin e fluturimeve që i dhanë atij klasin e dytë të pilotit ushtarak. Në këtë kuadër, veç uljeve që u cituan më lart, natën, kryheshin dhe fluturime ditën, në kushtet e pamjes vizive të kufizuar, me vështrim horizontal, jo më tepër se 500m.

Daut Xhaferi fluturoi me aeroplanin An-2, me shtrirje kohore tepër të gjatë e u bë mjeshtër i vërtetë i shfrytëzimit të tij. Ai u aftësua për të pilotuar nga të dyja kabinat; si nga e majta dhe nga e djathta. Nga kabina e djathtë, Dauti kontrollonte në fluturim pilotët e katërshes që drejtonte dhe të tjerë. Pilotët që e mësuan aeroplanin An-2, në Skuadrilen e Transportit Ajror, kur ishin akoma kursantë: Riza Lahi ( ndjesë pastë); Ylli Sinaj; Vladimir Treska ; Thanas Kura; Selaudin Sukniqi dhe Nazif Dokaj  (ndjesë pastë ), do ta mbajnë mend gjatë Dautin si njërin nga pilotët më të sigurt që i ndihmoi ata në fluturimet vetëm, pas atyre me instruktorin.

Rolin në ndihmë të tyre, e kanë ndjerë e nuk mund ta harrojnë pilotët e shumtë që vërshuan në Skuadrilen e Transportit, nga repartet e tjerë dhe nga Shkolla e Aviacionit, ku kishin qenë në detyra hierarkisht më të larta dhe, në prag të pensionit, provuan dhe fluturimet me aeroplanin e lehtë të transportit ajror An-2. Ata, mbasi kalonin një program afatshkurtër e të thjeshtëzuauar, njohës, në teori e në praktikë, kryenin një program të plotë kalimi, në fluturime. Dautin, ata, si rregull, e kishin si të “mbirë” në kabinën e djathtë. Në radhët e pilotëve të tillë ishin: Skënder Kanina; Llazar Çupa  (ndjesë pastë); Lili Laçka ( ndjesë pastë); Halit Bulku; Agim Vodopi; Koço Andoni; Flamur Mickaj  (ndjesë pastë); Refit Jazoj ( ndjesë pastë); Naum Todo; Lutfi Hyseni (ndjesë pastë); Shyqyri Tabaku; Besnik Shahi ( ndjesë pastë); Jorgaq Çipi ( ndjesë pastë); Vangjel Llazari; Adem Çeça ( ndjesë pastë); Maksim Gjerazi ( ndjesë pastë); Dhimitër Vasho ( ndjesë pastë); Andrea Toli ( ndjesë pastë) Hamza Koçi; Sillo Mëlica ( ndjesë pastë);Budjon Tollkuçi; Sybi Koçi; Bardhyl Hamzallari,Filip Çyço, etj. etj. Të qënit në kabinën e djathtë e Daut Xhaferit, si pilot me përvojë, në këtë tip, i jepte fluturimit më shumë qetësi e siguri, për arsye se mjeshtri, pa ndërhyrë, me fjalë por kur ishte e domosdoshme, edhe  me veprime, ishte në gjendje të korrigjonte çfarëdo shmangje nga parametrat.

Me shumë përgjegjësi kanë qenë fluturimet e shumta që ka kryer Daut Xhaferi, në përbërje të formacioneve apo me aeroplanë të vetmuar për hedhjen e desantëve ajrorë, me parashutë. Desantët ajrorë ishin oficerë, nënoficerë të shërbimit aktiv e të detyrueshëm dhe ushtarë, aktivë e rezervistë, të cilët hidheshin me parashutë nën drejtimin e instruktorëve të tyre të profilit parashutist. Po, ku qendron vështirësia në punën e pilotëve që drejtonin aeeroplanin An-2, në një operacion parashutimi? E përshkruar shkurtimisht: Aerolani duhet të dalë mbi objekt, me saktësi të madhe. Kjo lidhet, jo vetëm me kundërveprimin e armikut por dhe me terrenin , poshtë, mbi të cilin fluturon aeroplani.

Veprimet e pilotit që kryen hedhjen e desantit ajror, në kohën e hedhjes duhet të jenë të pastra, të qeta, të përpikta e të mos krijojnë lëkundje artificiale . Mund të pohoj se Dauti, me përvojën e gjatë kishte fituar siguri dhe i kryente veprimet e pilotimit të avionit, brenda parametrave të nevojshëm. Ai ishte tepër ekzigjent dhe njihte mirë veprimet e komandantit të ekipazhit kur piloti i dytë linte vendin e tij në kabinë e dilte tek dera e aeroplanit, për të mbledhur litarët e për të mbyllur derën .

Hedhja e desantëve ajrorë, nga  aeroplanët An-2, në kohë e situata të ndryshme  luftarake dhe të motit, është kryer mbi hapësirat e Shënavlashit; dhe në vende të tjerë. Duhet thënë se nga më të vështirat e me më tepër përgjegjësi ka qenë desantimi në agim, në një stërvitje me trupa, në rajonin e Patosit dhe në mjaft misione të tjerë desantimi ajror. Daut Xhaferi, duke patur në gjak përpikmërinë, me praktikë të gjatë ajrore, kishte përvetësuar më së miri normat dhe rregullat e desantimit dhe ishte tepër i përpiktë, kur ishte puna për zbatimin e tyre.

Përpikmëria në veprimet e hedhjes të desantëve ajrorë nuk ka të bëjë vetëm me daljen e avionit në kohë, mbi objekt, në vendin e caktuar, në kohën e caktuar dhe në lartësinë e dhënë, me shpejtësi të caktuar por dhe me disa parametra të mirëfilltë pilotimi, siç janë: Në çastin e desantimit, aeroplani duhet të jetë në pozicion horizontal e të fluturojë në vijë të drejtë, pa shmangje e rrotullim. Në çastin e hedhjes, desantët, një nga një, sipas peshës trupore, çvendosen tek dera dhe, në këtë kohë avionit i çvendoset qendra e rëndesës, prapa, gjë që ngre hundën e tij lart, e ai ka tendencë të marrë lartësi. Ndërhyrja energjike por graduale e pilotit, bën që avioni të qëndrojë e të vijojë fluturimin në pozicion horizontal.

Për të kryer siç duhej detyrat, Dautit i vinte në ndihmë qetësia dhe pastërtia në pilotim. Ai njihte e zbatonte me korrektësi rregullat dhe veprimet e nevojshme, kur në ajër paraqiteshin raste të veçantë. Dihet që dalja nga gjendjet e padëshiruara kërkojnë dhe veprime të qeta e të sakta. Në një rast, kur Daut Xhaferi dhe kolegët e tij hodhën desantë ajrorë mbi hapësirat e Shënavlashit, në rrethin e Durrësit, njërit nga desantët, në çastin e shkëputjes nga aeroplani, kur gjilpëra e parashutës kishte dalë nga foleja por parashuta nuk ishte hapur, në hapësirën mes derës së avionit dhe trupit të tij, kishte ngecur tyta e automatikut kallashnikov dhe desanti qëndronte i varur, jashtë avionit e fluturonte, së bashku me mjetin ajror, me të njëjtën shpejtësi. Dauti e pa këtë ndodhi të rrallë e ruajti gjakftohtësinë e nevojshme. Shokët që ishin shkëputur normalisht nga avioni i tij, kishin rënë në tokë;tek sa shoku i tyre vijonte të fluturonte. Dauti, nuk mund të bënte asnjë manovrim për të shkëputur desantin e “ varur”. Këtë ngërç të rrezikshëm e zgjidhi, unaza e çeliktë e tytës të automatikut, e cila rezultoi më e fortë se nyja e përforcuar ku montohet dera e avionit, dhe e shqeu duraluminin. Pas kësaj desanti u shkëput nga avioni, parashuta e tij u hap e ai ra diku afër plazhit.

Le të mos largohemi nga ajo ndodhi e rrallë që u shfaq në hapësirat e Shënavlashit. Ekipazhet që u aktivizuan atë ditë për desasntimin nga ajri të efektivave të Detashmentit të Zbulimit të Ministrisë të Mbrojtjes Popullore, u ulën e u ngritën, të mbushur me desantë ajrorë, të cilët kishin me vete pajisjet e domosdoshme të kompletit luftarak, në një parcelë,me dimensione të kufizuara, të improvizuar si fushë për uljen dhe ngritjen e aeroplanëve. Planërimi dhe ulja në atë shesh, si dhe në Stjar, në Savër e gjetkë, kryheshin me regjimin e parashutimit të avionit, i cili është një proçes delikat që kërkon veprime të sakta e pilotim të pastër të cilat Dauti i zotëronte.

Me shumë vlera e me tregues burrërie ishin fluturimet e e kipazheve të aeroplanëve An-2 për të konkretizuar e korrigjuar qitjet e efektivave të reparteve kundërajrore të shtetit kundër shënjave ajrore. Krahas fluturimeve të aeroplanëve gjuajtës- bombardues të reparteve të aviacionit të Rinasit e të Qytetit “ Stalin” dhe atyre të avionit të vetëm bombardues IL-28, në misione të tillë morën pjesë dhe ekipazhet e avionëve An-2. Edhe në këta raste, piloti Daut Xhaferi, në cilësinë e komandantit të ekipazhit, kreu mjaft fluturime, me rrezikshmëri të dukshme. Artilierët kundërajrorë, shënjimin e bënin drejtpërdrejt  në aeroplan, kurse qitjen e realizonin me pasqyrë. Nuk ishte ndonjë kënaqësi e veçantë të vështroje tymin e zi të predhave që shpërthenin, në travers me avionin, në të njëjtën lartësi. Një gabim i mundshëm njerëzor, mund të çonte në ngjarje të rëndë.

Pjesëmarrja drejtpërdrejt, në fluturimet për zgjidhjen e  detyrave të ndryshme ajrore, në krye apo nëpërbërje të formacioneve luftarake, Dautit i dhanë mundësinë të shpaloste, në mënyrë konkrete, në sy të njerëzve, vlerat e larta morale dhe si specialist. Ai kreu lundrime ajrore me avionët e lehtë mësimorë Jak-18, me ata Jak-11, me Mig-15, me helikopteret Mi-4 e së fundime aeroplanët e transportit të lehtë ajror An-2. Duhet thënë se Daut Xhaferi e gjeti veten  si fluturues, me avionët An-2, nga ku doli dhe nëpension pleqërie. Vërtet ky avion, për shkak të shpejtësis relativisht të pakët dhe manovrueshmërisë të lartë në ajër, i fal pilotit edhe ndonjë shmangje të korrigjueshme, por Dauti e pilotoi edhe këtë tip avioni, me siguri, me njohuri e kompetencë, pa asnjë premisë për ngjarje të jashtzakonshme.

Ata që kanë patur fatin të ishin nën komandën e Daut Xhaferit, do ta kujtojnë gjatë komandantin e tyre dhe kanë çfarë të kujtojnë, prej tij. Daut Xhaferi ishte i jashtzakonshëm si njeri, e do të kujtohet për marrëdhëniet korrekte e dashamirëse me njerëzit. Ai ishte modeli i korrektësisë e i thjeshtësisë njerëzore.

Daut Xhaferi ishte sedërli, por jo inatçi. Ai përfaqësonte një tip interesant e disi misterioz. Në karakter ishte i pastër, i ndershëm e i drejtë; këmbëngulës për tu shkuar punëve deri në fund. Më ka lënë mbresë thjeshtësia, urtësia dhe dashamirësia e tij. Në zemrën bujare të tij kishte vend për të gjithë dashamirët. Dauti shquhej si  fjalëmbajtur. Një njeri që nuk kishte mburrka e nuk shiste mend. Dautin e vështroje në ballë të aksionit tek printe me shëmbullin vetjak. Ai nuk dinte të thosh : “ bëj ashtu e vepro kështu”, por hajdeni ta bejmë, së bashku. Daut Xhaferin nuk e dëgjoi njeri të thosh se : “ Këtë punë nuk e bëj dot”; Ai u  vinte gjoksin punëve dhe i kryente ato me përkushtim të lartë. I donte e i respektonte shumë, shokët, vartësit dhe gjithë sa e rrethonin. Sjellja e tij ishte mjaft njerëzore dhe e “mëndafshtë”. Ai të “ vriste me fjalën e mirë”. Ndihma për tjetrin ishte tipar tjetër i qënësishëm i tij. Dauti “bëhej copë” për të ndihmuar tjetrin. Përvojën e fituar në fluturim ,nuk e mbante për vete por e transmetonte bujarisht e me tepri, tek të tjerët.

Disa karakteristika fizike dhe të personalitetit të Daut Xhaferit:

Dauti nuk ishte shtatlartë; as me shtat të shkurtër. Lartësia e trupit të tij ishte rreth 170 cm. Ai ishte trupngjeshur, muskuloz e tepër rezistent. Dauti, fytyrën e kish ezmere, të theksuar e tepër simpatike. Vetullat e tij , të trasha, të ngjitura e të zeza, e hijeshonin , së tepërmi fytyrën e tij. Flokët i kish të rënë , përpara dhe ballin të lartë. Në vargun e dhëmbëve, kur vinte buzën në gaz, shkëlqenin dy dhëmbë të verdhë, prej floriri. Shokët e tij të grupit, kur studionte në shkollën e Borisoglebsit, me shaka i thërrisnin “ evgjit”.

Dauti ishte fizikisht i fortë e rezistent. Këmbëngulja  dhe përkushtimi i tij, serioziteti me të cilin i përcillte detyrat dhe sedra për t’u shkuar gjërave deri në fund, e shumëfishonin rezistencën trupore. Në shkollë e në jetë, Dauti shpalosi shkathtësi e zgjuarsi të lindur por nuk vetëlëvdohej kurrë e nuk binte në sy. Trupin e kish të rregullt e të lidhur mirë; i veshur, trajtat e trupit nuk bënin veçimin nga të tjerët.

Në personalitetin e Daut Xhaferit, interesimi dhe kujdesi për gjithçka që zhvillohej rreth tij ishin si një lule që e zbukuronte portretin e tij. Nuk kishte sferë të jetës së komunitetit që të mbetej jashtë interesimit të komandantit të katërshes. Ai të vështronte, me shumë vemendje, të dëgjonte me kujdes e përzgjidhte informacionin që duhej. Dauti dinte shumë por fliste pak. Nuk ishte llafazan e kishte bezdi kur vinte re që përgojoheshin të tretët. Dauti nuk i nxiste kurrë grindjet por bënte çmos që ato të shuheshin, sapo lindnin. Në figurën e tij të pastër, binte në sy trajtimi i njerëzve me njerëzillëk e pa diferencime. Dauti i jepte gjithkujt atë që meritonte. Ai ishte shok e mik  i mirë, i të gjithëve. Preferencae tij, kriteri i vleresimit të njerëzve ishte puna konkrete. Nuk e pashë të mbante njeri  nën “sqetull”, gjatë njohjes, në punë të përbashkët e më pas.

Për Daut Xhaferin, shoqëria ishte e shënjtë, por, kur ishte fjala për detyrën ai ish shumë i rreptë e nuk falte. Shokë të afërt kish Zebo Durmishaj ( ndjesë pastë); Llazar Çyçin ( ndjesë pastë); Manush Kreshpën ( ndjesë pastë) etj. Më kish rënë në sy, shoqëria e ngushtë e tij me njeriun e mirë, si ai – Llazar Çyçin ( ndjesë pastë), të cilit ia dëgjonte shumë fjalën. Për Dautin, Llazari ishte si “ sistem frenimi”. Me të, Dauti ishte mik prej kohës kur ishin kursantë, për pilotë, në Borisoglebsk e në Pugaçov.

Siç e kam njohur unë e siç e çmoj aktualisht, personaliteti i Daut Xhaferit ishte i veçantë e kompleks. I kish e i manifestonte, të gjitha tiparet e karakterit, ai njeri i mirë. Vitet e fundit të karrierës e të jetës,  Daut Xhaferi e teproi me përdorimin sistematik të alkoolit. Kam patur njohje të thellë me të dhe me kompetencën që më jep kjo njohje, mund të hedh dritë, aq sa është e mundur për kompleksitetin e karakterit të tij; si pilot, si njeri, si shok e mik; si bashkëshort e si baba. Po ti përmblidhja, me pak fjalë, tiparet e karakterit të tij, do të nënvizoja tri shtylla kryesore ku mbështetej personaliteti i tij. Ato ishin: Çiltërsia, përkushtimi serioz dhe zemërbardhësia. Si përfundim, mund të pohoj, pa lëkundje se Daut Xhaferi ishte simpatik, jo vetëm së jashtmi, por sidomos së brendshmi.

Kur bisedoje me Dautin, ai të vështronte në sy dhe me vemendje; nuk ishte syunjur, nga ata që “ të hanë” prapa krahëve. Si fjalëmbajtur që ish, për zbatimin e atyre që binim dakort, bëhej copë e çikë, sa ti bënte realitet.  Kur merrte një detyrë, i përkushtohej asaj, me gjithë qënien e tij dhe me përkushtim. Dashamirësia e tij, nuk njihte  kufij. Dauti ishte kërkues, por jo imponues e i bezdisur. Ai të jepte “ edhe shpirtin”, po tja kërkoje. Pastërtia morale e tij të bënte të skuqeshe.

Kam punuar gjatë me Daut Xhaferin, e kam mbajtur afër, për vlerat që kish; e kisha mik e shok të mirë dhe miqësinë e shtrimë dhe në familje. Ai respektonte kufirin që krijon detyra dhe ishte njeri shumë i respektueshëm. Ndonëse kam qenë afër tij, për një kohë të gjatë, sot e kësaj dite nuk arrij të spjegoj një farë mërzie që e mundonte atë njeri. Këtu qëndron dhe etiketimi im si disi misterioz. Kjo, për mua mbetet mister dhe nuk arrij ta zbërthej domethënien e qëndrimit të tij, të menduar, të vrarë shpirtërisht e fjalëpak. Dukej sikur diçka e mundonte; sikur përjetonte një lloj brengosje të paspjegueshme.  Pyes veten dhe gjej disa përgjigje, të cilat ,janë më tepër hamendje e mundësi hipotetike. Më poshtë po tentoj të spjegohem:

Daut Xhaferi besonte mjaft tek, ata që kish pranë. Besonte, deri në naivitet. Sa kohë ishte në shoqërinë e Zebos, të Manushit dhe të Llazarit, me raste, Dauti përdorte alkool, gjithmonë me masë dhe, më tepër për hir të tavolinës e për t’u bërë qejfin shokëve.  Pas ndarjes së tyre nga jeta, sidomos , pas largimit të Llazar Çyçit, të cilin e kishte monitorues dhe ekuilibrist, Dauti “ e liroi rripin”dhe shtoi përdorimin e alkoolit. Parë në tërësi, personaliteti i Dautit ishte pozitiv e figura e tij mund të merret si model. Veç, tërë ato tipare pozitive, që përbënin personalitetin e tij, vinë në kundërshtim e nuk qasen kërrkund me naivitetin  që shfaqej, hera-herës tek ai njeri. Atëherë çfarë të jetë ky devijim  i tij nga e përgjithshmja pozitive? Po vazhdoj të hamendësoj, pa e paragjykuar heroin e këtij rrëfimi:

Dautit iu dha shansi të bëhej pilot gjuajtës- bombardues e të fluturonte në aeroplanë reaktivë, por nuk mundi. Ndoshta, për Dautin kjo ish një brengë e pashprehur, por që e vuante brenda vetes. Kur vështronte shokët e tij të grupit: Salih Dibrën ( ndjesë pastë); Sokrat Priftin ( ndjesë pastë); Hamdi Arapin etj, të çoheshin në ajër e të lundronin në hapësirë, të hipur në avionë reaktivë kurse ai fluturonte në helikopter, nuk ndihej mirë. Ndoshta ai brengosej dhe për faktin që përfundoi shkollën e aviacionit, për të shfrytëzuar helikopterin Mi-4, por dhe atje, nuk i shpalosi  dot vlerat e tij. Siç duket, fluturimet në avionet An-2, ndonëse ai gjeti veten aty, nuk e “mbushnin”, pritmërinë e tij, si pilot. Djali i vetëm i tij,  Artani, të cilin e donte shumë, iu fut lojës së futbollit; ai u aktivizua dhe me të rinjtë e “Partizanit”, përfundoi Shkollën e Mjeshtërisë Sportive, por nuk u konfirmua si futbollist cilësor. Largimi nga jeta, para kohe dhe kur ishte formuar mirë si specialist e kuadër ushtarak e vëllait të vetëm të tij – Daminit, i preu njërin krah e kjo e ligështoi shumë. Ndoshta ka patur dhe të tjerë faktorë, të cilët nuk kam mundur ti njoh. Gjithsesi Dauti kishte ku ta bazonte largimin e stresit e kurrsesi nuk duhet ti nënshtrohej përdorimit të alkoolit.

Jeta vetjake e Daut Xhaferit:

Në verën e vitit 1962, kur shërbente në repartin e përzier të Laprakës dhe fluturonte me helikopterin Mi-4, Dauti lidhi martesë me bukuroshen Thëllëza Murati, nga komuniteti çam i rrethit të Durrësit. Në këtë përzgjedhje, Dauti i qëndroi besnik, një norme të pa shkruar por të mirëpranuar, nga komuniteti përkatës, për martesën e çamëve me çame. Një lidhje e tillë, me martesë e çamëve me çame është e prerë e nuk vihet në diskutim.  Kjo nuk ka të bëjë me racizëm por me respektimin e traditave të mira të një populli të tërë.

Zakonet, traditat, mentaliteti  i përafërt dhe profesioni i preferuar i pilotit, e çuan simpatikun tonë Daut Jaho Xhaferi, në bregdetin e Durrësit ku u lidh me martesë me bukuroshen Thëllëzë, e cila është, siç ka emrin. Lidhja e çiftit të ri, u konkretizua në Tiranë, në shtëpinë e Nënë Mahijes, ku u bë një dasmë modeste, me pjesëmarrje të kufizuar, kryesisht të familjarëve e të afërmve të shtëpisë. Dasma u bë ditën e dielë. Nusja, e bukur, me faqe të kuqe e flokë të dredhur, erdhi, në kryeqytet nga Durrësi; me taksi. Dhëndrri nuk vajti për të marrë nusen, siç e donte zakoni, por, në vend të tij shkoi krushk i vëllai, Damini dhe halla e Dautit.

U tund vendi, prej këngëve dhe valleve të bukura çame. Kishin ardhur dasmorë dhe të afërm, gjitonë të familjes, shokë e miq të dhëndrrit.Të gjithë dasmorëve u ndriçonin sytë e u qeshte nuri.  Më e lumturuara ishte Nënë Mahija, heroina jonë, e cila rriti e veseliti dy bonjakë. Ajo, pas gjithë atyre sakrificave, ku u vu në provë serioze, dinjiteti i saj çam arriti ti gëzohet të birit, Dautit, me nuse në krah, e me cilën? Me një Thëllëzë të praruar! Nënë Mahija e priti nusen tek dera e oborrit; e puthi në ballë, i futi krahun dhe, tek pragu i shtëpisë i lyeu, sipas traditës, dorën e djathtë, me mjaltë, që nusja të ishte e ëmbël ,me të gjithë. Thëllëza lyeu harkun e derës së shtëpisë, me mjaltë. Pas kësaj,  Zonja vjehrrë e shoqëroi nusen e re , të ul;ej në divan dhe i vari në qafë një varëse floriri, me pendolirë. Duke kryer këtë rit, Nënë Mahija uroi: “ Të trashëgohesh dhe e paç këmb ën të mbarë”! Dauti, i veshur shik e i gëzuar e shoqëroi bashkëshorten e ardhshme, në dhonë dhre e ndihmoi të ulej në divanin e zbukuruar, enkas për të.

Sipas traditës çame, Vjehrra ia shkuli këngës:

“… Erdhe; vajzë e shtëpisë;

Ti bësh ballënjerëzisë;

Të mbash burrin, të mbash fëmijët; jetë të lumtur të kalosh;

Do të kemi si fëmijë;

Se je nuse e shtëpisë…”!

Krushqit që patën fatin të shkojnë në Durrës, për të marrë nusen, në një valixhe të stolisur i shpunë asaj dhuratat e dhëndrrit, për nusen. Midis të tjerash, si dhuratë ishte nje unazë floriri ( rreth floriri) dhe një tjetër unazë floriri, me pllakë; vathë floriri, byzylykë ari, orë dore cilësore, një varëse floriri  (pendolirë), një çadër, një çantë dore, një palë këpucë, fine, një pallto dhe kostum cohe. Dhuratat hapeshin përpara gjithë krushqisë e i nënshtroheshin kritikës. Në valixhe, gratë që formonin pajën e dhëndrrit për nusen, nuk harronin të vinin dhe një shishe me parfum dhe një grusht me karamele, bonbone apo çokollata, sipas mundësive. Në të njëjtën valixhe, pala e nuses, vendosi dhuratat për dhëndrrin. Në kompletin e dhuratave që Thëllëza i dërgoi Dautit bënin pjesë: Unaza prej floriri, një këmishë cilësore, një kollaro, një palë xhurape dhe një orë dore, cilësore. Së bashku me to, vendosej dhe dhurata për vjehrrën, kunatin dhe hallën.

Nusja e re, Thëllëza Murati, me hiret e saj vajzërore e me bukurinë e rrallë, e ndriti atë shtëpi e gjitoninë përqark. Ajo, me shtatin e saj të bëshëm, mbushi me jetë atë strehë bonjakësh, e cila ishte  e dëshiruar të shtohej me njerëz. Dauti simpatik e serioz, i veshur dhëndërr, i lumturuar që vuri në krah një bashkëshorte si Thëllëza e bukur e sojlleshë, atë ditë, qeshi, ndoshta më shumë nga sa kishte qeshur gjithë jetën. Gëzimi që kaploi djalin e madh të xha Jahos kish të bënte me faktin se familja që i ati, i ndjerë e la me tre vetë, ishte shtuar e do të shumohej në të ardhmen.

Mes asaj tollovie gëzimi e hareje, Dauti dhëndërr kujtonte, si në një film, me nostalgji e krenar, tërë jetën e tij, nisur nga Gjashta, shkollën ushtarake “ Skënderbej”, shkollën për pilot, në Bashkimin Sovjetik; peripecitë që iu desh të kalonte, kënaqësitë dhe ptapësitë që i dhuroi jeta. Si në ëndërr, atij i dilte para sysh i ati, i cili e la të parritur, dhe mendonte: “Sa i gëzuar do të ndihej Babai, sot “? Por Dauti i dinte mirë padrejtësitë dhe të papriturat e jetës dhe çmonte shumë heroizmin e Nënë Mahijes, e cila u kish dhënë djemve çdo gjë të mirë nga vetja, duke i bërë të mos ta ndjenin mungesën e të atit.

Gëzimi i Nënës vejushë, për martesën e të birit, u shtua më tepër, të nesërmen e bashkimit të çiftit; pas kalimit të natës, në të njëjtin jatak. Kur vuri re se tradita e komunitetit të cilit i përkiste, ishte vertetuar, ajo u bë me fletë e sa nuk bërtiti, me zë të lartë, për zbulimin që kish bërë.

Pas një viti nga martesa, çifti i ri u shtua me një vajzë. Laureta u fut në jetën e tyre, si një ëngjëll, i bukur mbrojtës. Ardhja e saj në jetë, e mbushi, e zbukuroi dhe e shtoi shumë gëzimin në atë prag. Lindja e Lauretës së bukur, e cila, ka marrë bukuri nga të dy prindërit, i përngjet shkëputjes së një ylli  nga yllësia, i cili, duke rënë, përhap bukuri e ndriçon njerëzinë. Gëzimi i gjyshes fisnike nuk kishte kufi; vatra e saj, ishte shtuar e hijeshuar me një krijesë fatlume. Dhe çfarë emri, mori vogëlushja? Ajo u quajt Lauretë, emër, i cili, në Çamëri ka simbolikën e një shpendi të bukur, të shkathët, të zgjuar e fatsjellës.

Pas dy vitesh, nga martesa e çiftit, erdhi në jetë djali i vetëm i tyre, të cilin e quajtën Artan. Edhe në caktimin e emrit të djalit, Nënë Mahija, Dauti dhe Thëllëza, në unitet iu përmbajtën traditës të emrave shqiptarë, me domethënie e simbolikë atdhetare. Ata, të tre dhe Damini kishin gjak çam, ishin nostalgjikë për trevën e origjinës, Margëlliçin dhe donin ta kujtonin Çamërinë edhe nëpërmjet emrave të fëmijëve. Ndoshta këtë emër për djalin e kishin përzgjedhur për të patur në zemër, e në kujtesë qytetin e Artës dhe vetë Çamërinë.

Dauti, me detyrë në një repart aviacioni; Thëllëza, me profesion e në punërrobaqepëse dhe Nënë Mahija tekstiliste, të tre, të përkushtuar për çerdhen që ngritën me sakrifica, i rritën të dy fëmijët e Dautit, duke mos u lënë asgjë mangut, bazuar në kërkesat e kohës dhe i edukuan ata si qytetarë të devotshëm, me vizion të qartë, për jetën. Ata mëkuan tek djali dhe tek vajza, dashurinë për vendin e të parëve dhe respektin për njerëzit e komunitetit, të cilit ipërkasin.

Daut Xhaferi i donte shumë, të dy fëmijët. Në mentalitetin e tij mashkullor, Artani ishte më i lakuari e  dukej sikur babai interesohej më shumë për të. Ai, ishte mjaft i përkushtuar që fëmijët e tij të ecnin në jetë me këmbët e tyre dhe të beheshin dikush. E kujtoj kur qëndronte me ore të tëra, tek stadiumi ku stërvitej ekipi i “ Partizanit”, për të ndjekur stërvitjen e Artanit në futboll. Tani, duke qenë nxënës i shkollës së Mjeshtërisë Sportive, aktivizohej me ekipin e të rinjve të “ Partizanit”. Këmbëngulte Dauti  që i biri të zinte vend në ekipin e të rriturve dhe të bëhej futbollist me emër, por u zhgënjye dhe zhgënjimi u konvertua në stres. Por fëmijët, nuk e turpëruan Babanë dhe Mamanë. Ata u rritën me edukatë të shëndoshë e me sjellje të qytetëruar dhe nuk u sollën kurrë telashe prindërve.

Dukej sikur puna dhe jeta e çiftit  rridhnin në shtratin e tyre të zakonshëm. Nënë Mahija doli në pension pleqërie, e nderuar dhe e respektuar, nga kolektivi i tekstilistëve dhe nga komuniteti ku jetonte; Dauti fluturonte dhe ishte bërë mjeshtër nëprofesion; Thëllëza, kontribuonte, jopa telashe për familjen, me punë në ndërmarrje dhe në shtëpi; dy fëmijët po rriteshin e po arsimoheshin për së mbari dhe familja ishte sistemuar në një banesë të re, në Rrugën e Elbasanit; harmonia dhe mirëkuptimi sundonin në atë çerdhe me njerëz të mirë.

Në vitin 1985, kur ndodhej në kulmin e pjekurisë e të karrierës si ndërlidhës, në moshën 46 vjeçare, pas një sëmundje të rëndë, u nda nga jeta vëllai i vetëm i Dautit – Damin Xhaferi. Babai i la jetimë, herët, në fëmijëri;  ata i rriti me shumë sakriofica Nënë Mahija dhe ja, papritur,kur vëllezërit mendonin se çdo gjë e kishin vënë në vijë, ndodhi ajo gjëmë, të cilën Dauti e përjetoi keq. Me dhimbje e përcolli të birin Nëna “korbë”, e cila e kishte lidhur shaminë e zisë që kur ishte  njëzet vjeçe. “Helmimi” që pësoi nga vdekja e vëllait të vetëm, atij njeriu e kuadri të rrallë, e bënë më të menduar e më të tërhequr Dautin. Në vitin 1987, kur ai mbushi 50 vjeç, sipas ligjit të kohës, Daut Xhaferi doli në pension pleqërie.

Ishte mjaft vital dhe mosha e tij mund të përballonte një punë tjetër, të përshtatshme për moshën, fizikun dhe aftësitë e tij.  I biri biznesmen, Artani, e aktivizoi atë në biznesin e tij,  në punë me orë të reduktuara, të alternuar me Lauretën. Me qëllim që Babai të mos ropatej nëpër autobusët urbanë të linjave, i biri i bleu një motocikël, të manovrueshëm, mbi të cilin Dauti qarkullonte nëpër Tiranë. Më 28 maj të vitit 2007, duke dalë nga puna, në udhën për të shkuar në shtëpi, aksidentalisht, Daut Xhaferi, pësoi katastrofë rrugore, në të cilën ai gjeti vdekjen. Të nesërmen, Dauti u përcoll, në banesën e fundit, ku prehet, i kujtuar e i nderuar nga familjarët, të afërmit, miqtë e shokët e shumtë. Kështu u mbyll një jetë njeriu, i cili i përjetoi të gjitha, si  sukseset dhe të përpjetat; vuajtjet dhe gëzimet, të cilat, i përcolli me dinjitet e njerëzi.

 

Daut Xhaferi, do të kujtohet, për vlerat pozitive që kish dhe për kontributet me vlerë që dha, për shfrytëzimin e aeroplanit që shfrytëzoi, me korrektesë shëmbullore e me njohuri të sakta. Pastërtia morale e tij dhe përkushtimi i rrallë në detyrë, le të mbeten një shëmbull i ndjerë, për sot e për nesër. Kjo monografi, e shkruar ne vështirësitë e ndeshura udhës, le të shërbejë si një homazh e nderim për njeriun e palodhur e me karakter të pastër!

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij!

Shkroi Niazi Nelaj

Në Tiranë, Shkurt 2017

One thought on “Dauti dhe Damini- dy vëllezër si drita”

  1. Shume bukur dhe prekes e ke shkruar Niazi.Une e njoha pak,por kuptova se ishte njeri shume i mire.E takoja shpesh ne Tirane.Ai shoqerohej shume me Skender Kaninen,gjithashtu,po aq i mire si vete Dauti. U prfte ne qetesi.

Comments are closed.