Çfarë të mendoj? Ku të lë korona për të vrarë mendjen? Megjithatë, mund t’i thërras kujtesës t’ju bëj me dije, një ngjarje të vërtetë:
Dialog kolegësh në rrugëtim: Ky është titulli i shkrimit-kujtim.
Në hyrje të viteve '60 të shekullit të shkuar, në një lëndinë të bukur që jeshilonte, nisën themelet e një qyteze ushtarake, sipas modelit të gubernave ushtarake sovjetike. Vendimin për të përcaktuar parcelën ku do të ngrihej qyteza, e mori një grup “ekspertësh ushtarakë” të cilët mund të kishin njohuri në shkencën ushtarake, por që ishin të paditur, në fushën e urbanistikës. Grupi i “ekspertëve” kryesohej nga hierarku gjeneral, me gjoksin plot me dekorata lufte e pune. U tha; u bë!
Në banesat e asaj qyteze do të strehoheshin familjet e ushtarakëve që shërbenin në Regjimentin e Aviacionit, në Rinas. “Ekspertët” gjykuan, shkurt: Vend i bukur; pranë aerodromit, oficerët nuk do të braktiseshin udhëve e familjet e tyre do të ishin të sistemuara në pallate e pranë kryefamiljarëve të tyre. Guberna u piketua pranë fshatit Valias ku, në atë kohë kishte nisur shpimi i puseve të qymyrgurit. Pas strehimit të familjeve të oficerëve të aviacionit dhe të atyre të Regjimentit të AKA, që mbulonte aerodromin, u ndërtuan dhe disa ngrehina, për punëtorët e qymyrgurit.
U ngrit një gubernë e këndshme por, për nga kushtet e jetesës, ishte e mbeti larg kërkesave të kohës. Fëmijët shkonin në Kamzë për të mësuar, në këmbë, të zbathur e nëpër baltovina, rreth 5 km larg vendbanimit të tyre. Ujët e pijshëm vinte nga Tirana, me një bot 4-tonësh, të guiduar nga i paharruari Lekë Marashi. Autobusi urban, vinte nga Tirana, 3 herë në ditë, me orar të caktuar. Jashtë këtij orari, njerëzit ndalonin në Kamzë dhe, prej andej iknin në këmbë, rreth 1 orë.
Kishte dhe anë të mira; Banorët u miqësuan e u lidhën ngushtë me njëri-tjetrin. Mbasditeve, shpesh luanin futboll, pa përfillur hierarkinë dhe moshën.
Meqenëse është përvjetori i rënies së të madhit Niko Hoxha; jam i shtrënguar të them dy fjalë për rolin e tij. Niko Hoxha ishte hero, në çdo hap të tij. Ai dha shembullin vetjak dhe mori familjen në Valias, për t'u dëftuar atyre që ishin të lëkundur se edhe në Valias, mund të jetohet, si në Tiranë e në qytetet e tjera. Nikoja, mbasditeve, futej në lojën e futbollit e luante, si të tjerët. Ai bëri çfarë varej prej tij për të ndërtuar shkollën në Valias, për të çuar ujin, energjinë elektrike etj. etj.
Të vijmë tek tema jonë: Dy pilotë, familjet e të cilëve banonin në Valias, një ditë kishin dalë në Tiranë, me “liridalje” dhe u kthyen, tej orarit të autobusit urban. Rrugën, nga Kamza në Valias, e bënë në këmbë.
Më i riu prej tyre, nisi një rrëfim. Tjetri pohonte me kokë e vazhdimisht thosh: Po; po, siç thosh gjithnjë. Ai ishte disi indiferent e i pavëmendshëm, në bisedë.
Ai që rrëfente, e provokoi, duke e sharë bashkudhëtarin, me emër. Tjetri, kur dëgjoi emrin e tij, sikur u zgjua nga një gjumë letargjik dhe u prononcua, me fjalët: E; E; E; si the? Kuptoi ai që ligjëronte se bashkudhëtari i tij nuk e kishte mendjen tek ajo që i rrëfeu!


Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.