Sot, data shënon 23 nëntor 2020. E di që e dini, por më ngjan se nuk u kujton asgjë, kjo datë. Më kujtohet mua: Është dita e themelimit të Bashkimit të Rinisë Antifashiste.
Nuk më interesojnë e nuk merrem me emrat e atyre që morën pjesë në mbledhjen themeluese. Më interesojnë ata mijëra të reja e të rinj që mbushën radhët e ushtrisë partizane; disa syresh ishin më të shkurtër se arma që mbanin në krah.
Kam njohur e kam punuar me partizanin e vogël, Lulo Musai (Spahaj) të cilin, komisari nuk e pranoi në çetë por i tha: "Rritu e hajde vitin tjetër". Ai i ndoqi pas partizanët, nëpër rrapishte e nuk iu nda atyre.
Kam njohur e kam punuar me partizanin fëmijë Refit Asllan Jazoj, i cili u bë partizan, pa mbushur 14 vjeç dhe ishte trim mbi trimat. I tillë ka qenë dhe partizani i vogël Elmaz Hasamataj; Shaqo Hoxha etj. etj.
Nuk e kuptoj, përse nuk përmendet kjo datë; kujt i ka mbetur qejfi? Nimete Progonati ishte fare e vogël kur u shkëput nga shoqet, tek kroi i fshatit e u bë partizane, a nuk janë popull këto bija e këta bij nga më të mirët e vendit?
Lavdi, në jetë të jetëve atyre që në moshë të re mbushën radhët e partizanëve!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.