Këto që po shkruaj, nuk janë të sajuara apo të kërkuara, por kanë ngjarë në praktikën e jetës së viteve të Diktaturës. Ishin vitet kur pilotët fluturonin me orë të kufizuara dhe shalonin aeroplane, në të cilët ishin ndryshuar agregate jetike, të cilët, edhe në vendin e origjinës ishin në fazën e eksperimentimit. Nuk mund të them më tepër; ata që e kanë provuar, me siguri që dinë më tepër se unë.
Njerëzit që i shërbenin teknikës ajrore, pavarësisht nga profili dhe pozicioni, kishin një përgjegjësi të madhe, për jetën e shokëve, dhe e ndjenin këtë. Oficinat e riparimit, që bënin dhe zëvendësimin e agregateve, kishin një përgjegjësi të madhe. Puna e tyre kërkonte saktësi kronometri e precizion të madh.
Më ka rastisur të shkoj, me ekip ndihme e kontrolli, në Regjimentin e Gjadrit, ku aso kohë fluturohej me aeroplanët Mig-19S dhe me Mig-21.
Si ekip, shkonim me një makinë kineze BC. Në ekip, zakonisht ishin 3 titullarë dhe të tjerë, nëpunës të komandës e të Aparatit të Komitetit të Partisë. Sapo zbritnim, në qendër të repartit; Perikli Tetën (ndjesë pastë), e rrethonin teknikët dhe specialistët, të cilët i drejtonin pyetje nga më të ndryshmet. Koçon e rrethonin pilotët, të cilët donin të dinin për sjelljen e avionit në raste të ndryshme, sidomos, kur ishte vendosur ndonjë agregat i ri. Me Ilijan (ndjesë pastë) dhe me punonjësit e propagandës e të edukimit, merresha unë.
Te punonjësit e Oficinës, ata që do të bënin ndërrimin e agregateve, sipas buletineve teknike, vihej re një shqetësim e seriozitet i ligjshëm. Disiplina teknike, tek ata njerëz duarartë, nisur nga shefi i Oficinës, Musa Xifaj, i cili nuk të falte, kur bëhej fjalë, për saktësi. Ky ishte njëri nga faktorët që bëri të mundur suksesin e punës disavjeçare, në atë aerodrom të vështirë e me tipa avionesh të sofistikuar.
Këto janë kujtime e i përkasin një të kaluare të largët; tashmë, nga gjithë ajo punë heroike kanë mbetur copëza kujtimesh!
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.