(Sipas intervistës telefonike me pedagogun e teknikës së pilotimit - Sybi Lamçe Koçi)

Sybi Koçi është njëri nga pilotët e Shkollës Sovjetike të Aviacionit. Aktualisht i ka përcjellë të tetëdhjetat e ka fluturuar në disa tipa aeroplanësh dhe në helikopter.

Në vitin 1958, Sybiu përfundoi mësimet e Shkollës së Mesme Ushtarake "Skënderbej", në Tiranë, me rezultate mjaft të mira. Përveçse në gjimnazin e kësaj shkolle Sybiu renditej ndër nxënësit më të përparuar, Ai ishte dhe një sportist i shquar në disa lloje sporti. Sybiu ishte kapiten i ekipit të të rinjve të ekipit të "Partizanit" në basketboll; rekordmen në kërcim njëhapësh dhe pjesëtar i ekipit të gjimnastikës në vegla.

Në fund të gushtit të vitit 1958, Sybiu me shokë mori udhën lundruese për të shkuar në Bashkimin Sovjetik, me qëllim që të studionte aeronautikë e të bëhej pilot helikopteri. Ai, si sportist cilësor dhe djalë i zgjuar e i mençur, i plotësonte të gjitha kushtet e nevojshme për t’u bërë pilot dhe i përcolli me sukses analizat dhe këqyrjet mjekësore të kohës.

Në qytetin e Pugaçovit (BRSS), grupi i shqiptarëve në të cilin bënte pjesë përbëhej nga studentët e parë që do të mësonin helikopterin. Disa nga shokët e grupit të tij ishin: Agim Nanaj; Ndue Logu (ndjesë pastë); Stavri Prenda (ndjesë pastë); Mikel Janku (ndjesë pastë); Vangjel Nakuçi (ndjesë pastë); Agron Galanxhi (ndjesë pastë); Muharrem Hidaj (ndjesë pastë) etj. Qyteti i Pugaçovit aso kohë kishte tre aerodrome fushore. Sybiu dhe shokët e tij të grupit, pas përcjelljes së programit të përgatitjes teorike, u hodhën me parashutë nga aeroplani LI-2 dhe nisën e përfunduan programin e fluturimeve në aeroplanin e lehtë mësimor të tipit Jak-18U.

Pas kësaj, djemtë nga Shqipëria mësuan shfrytëzimin e helikopterit MI-1, në qytetin e Sizranit (Siberi).

Në vitet 1960 dhe 1961, në kuadrin e grumbullimit të studentëve nga Vendi Ynë, në Jug të Bashkimit Sovjetik, në qytetet Krasnodar; Kushovskaja dhe Batajsk, studentët që përgatiteshin për pilotë helikopteri (dy grupe), u transferuan në aerodromin fushor të qytetit të Batajskut. Meqenëse ky aerodrom ishte tepër i ngarkuar me fluturime, studentët që stërviteshin në helikopterët MI-1 e MI-4 fluturonin në aerodromin fushor të Mokrij (i lagur) Batajskut, rreth 7 km në juglindje të aerodromit nënë.

Në muajin gusht të vitit 1961, Sybi Koçi dhe shokët e tij të grupit përfunduan shkollën sovjetike të aviacionit ushtarak e u titulluan: "Pilot – shturman helikopteri", të specializuar për të fluturuar në helikopterët MI-4. Në atë kohë, në vendin tonë ishin në shfrytëzim 3 helikopterë MI-4, të cilët ishin të pamjaftueshëm për të përballuar përgatitjen ajrore të pilotëve të rinj dhe të atyre ekzistues. Thuajse të gjithë shokët e grupit të Sybiut u shpërndanë në repartet e tjera të aviacionit e jashtë tyre; Sybi Koçi dhe Agim Nanaj, në vitin 1962 u përzgjodhën për t’u bërë pedagogë të fluturimit, në Shkollën e Aviacionit të sapoformuar, në Vlorë. Ata, të dy, patën shansin të mos e ndërpritnin lundrimin ajror meqenëse kishin nivel të shquar teoriko-praktik, aftësi të dukshme pedagogjike dhe figurë të pastër. Ata do të përgatitnin kontingjente studentësh për pilotë. Detyrën që u vu përpara tyre, të dy e çmuan të "shenjtë", prandaj e mirëpritën dhe u mobilizuan, me përkushtim, për të merituar besimin që morën.

Ishin me fat, pilotët e rinj të helikopterit, të cilët u caktuan në Shkollën e Aviacionit, si pedagogë të fluturimit, mbasi përftuan nga përvoja në lundrime ajrore e "korifejve" të aviacionit tonë si Babaçe Faiku (ndjesë pastë); Hamit Ulqinaku (ndjesë pastë); Flamur Mickaj (ndjesë pastë); Refit Jazoj (ndjesë pastë); Kaso Petroshati (ndjesë pastë) dhe "mjeshtërve të mëdhenj të mësimit të teknikës së pilotimit" si Naun Todo; Admir Fllaga; Nehar Jazexhi etj. Djali i zgjuar nga Dardha e Beratit, në auditorët në formim e sipër të Shkollës së Aviacionit Shqiptar dhe nga njohuritë e thella teorike të pedagogëve të mësimeve teorike, pati shansin të zgjeronte njohuritë teorike mbi shkencën aeronautike dhe rastet e veçanta në praktikën shqiptare e në atë ndërkombëtare. Si pilot që i kapte shpejt elementet e ndryshme të fluturimit, Sybiu përvetësoi shpejt mënyrën e pilotimit nga kabina e dytë e aeroplanit, në rolin e pedagogut të teknikës së pilotimit. Me vullnetin dhe aftësinë për të pilotuar, Sybiu u rrit, dita-ditës e u bë mjeshtër i vërtetë i delegimit të aftësive dhe vlerave të tij si fluturues, tek studentët që mësonte. Ai u bë njëri nga metodistët më të mirë të grupit të instruktorëve. Vlerat e kësaj shkalle të kualifikimit të tij nuk vonuan të duken në praktikë.

Si pedagog i teknikës së pilotimit, Sybiu, por jo vetëm Ai, e merrte djalin profan në çështjet e lundrimit ajror dhe i mësonte një nga një elementet e fluturimit, duke nisur nga ato më të thjeshtat. Kësisoj, puna e tij dhe e kolegëve pedagogë të teknikës së pilotimit i ngjante punës së atij skulptorit, i cili merr një trung, e gdhend, i jep format e nevojshme dhe nxjerr prej tij një figurë, vepër arti të dëshiruar.

Sybi Koçi shërbeu në Shkollën e Lartë të Aviacionit, në Vlorë, si pedagog i pilotimit për një kohë relativisht të gjatë (plot 8 vjet). Gjatë kësaj kohe, Ai përgatiti si pilotë në aeroplanin fillestar mësimor mjaft djem azganë, disa nga të cilët me aftësi e guxim kaluan në aeroplanë të kohës apo u bënë drejtues të reparteve të aviacionit. Të tjerë e dhanë jetën në rrugën e ngjitjes së Aviacionit Shqiptar. Po të tentoja të bëja evidencë, ajo do të dilte mjaft e gjatë. Mjaftohem të përmend disa syresh, nga më të spikaturit, si: Lutfi Jaho; Petrit Bebeçi; Delo Isufi (Seraj); Sabri Toçi (Dëshmor i Atdheut); Stiljan Tanka (Dëshmor i Atdheut); Agim Balili; Maksim Rexha; Bajram Hysa; Sami Guzina; Bilbil Kasa; Bardhyl Hamzallari; Zylfi Hoxha; Ylli Sina; Osman Kushta etj.

Në vitin 1970, Sybi Koçin e transferuan në aeroplanët e transportit ajror të tipit IL-14 dhe pas 2 vitesh, e çuan në aeroplanët AN-2. Në vitin 1989 Ai doli në pension si pilot; jeton në Tiranë, i rrethuar nga familjarët, shoqëria e nga miqësia, i nderuar e i respektuar.

Në datën 17 mars të vitit 2020, Sybi Koçin e intervistova, në rrugë telefonike, me qëllim, për t’i marrë një opinion, për pilotin Refit Jazoj (Dëshmor i Atdheut), me të cilin ka punuar në kohën kur, të dy ishin pedagogë të pilotimit, në Shkollën e Aviacionit Shqiptar; në Vlorë. Me vështirësitë e moshës e të gjendjes shëndetësore të rënduar, Sybiu, jo vetëm që u dëftua i gatshëm për të rrëfyer mbresat që i ka lënë dukatasi trim i çartur, por, pa përtesë bëri dhe disa plotësime të nevojshme, më vonë. Ja si e portretizon ishkolegun e tij Refit Asllan Jazoj, të cilin e ka njohur nga afër e në punë të përbashkët, Sybi Lamçe Koçi:

«... Refiti i përket brezit të të rinjve që dolën në mal. Ai doli partizan, kur ishte 14 vjeç. Refiti luftoi, me trimëri, brenda e jashtë vendit tonë.

Pas çlirimit të vendit, Refiti, si i parritur, u fut në Shkollën e Mesme Ushtarake "Skënderbej" e më pas në Shkollën e Aviacionit Sovjetik, për pilot. Refiti i përket brezit të pilotëve me gjoksin plot me dekorata, të cilët, me të drejtë i kemi quajtur "Baballarë". U njoha me Refit Jazon, që në fillimet e punës sime në Shkollën e Aviacionit, kohë, e cila përkon me vitin 1962. Ishim të dy në Skuadriljen e parë dhe fluturonim me aeroplanët Jak-18Y. Komandant i Skuadriljes ishte Flamur Micko (ndjesë pastë); Zëvendëskomandant i Skuadriljes ishte Refiti (ndjesë pastë). Komandant katërshe kishim Hamit Ulqinakun (ndjesë pastë).

Aeroplanët Jak 18Y, me të cilët fluturonim, ishin të pasigurt. Në vitin 1963, në Shkollën e Aviacionit erdhi një grup studentësh për pilotë, nga Shkolla e Mesme Ushtarake "Skënderbej". Ne, si pedagogë të teknikës së pilotimit, nuk i përballonim dot, prandaj, në vitin 1964, mbasi u shtuan studentët për pilotë, lindi nevoja e shtimit të pedagogëve të pilotimit. Si të tillë erdhën: Kaso Petroshati (Dëshmor i Atdheut) dhe Vangjel Nasto.

Isha beqar e u stabilizova për fjetje, në hotelin e ushtarakëve, pranë hotel Turizmit. Në dhomë isha me Refit Jazon, i cili e kishte familjen në Tiranë. E kujtoj Refitin, tërë jetë; me atë trup të shëndoshë e gjithë muskuj.

Kur shtrihej, në krevat, këmbët nuk i mbulonte se kishte vapë. Unë hidhja, sipër mbulesave, edhe kapotën. Refiti flinte i qetë e pa gërrhitje. Ai bënte gjumë "të ëmbël". Fillimisht kisha drojë. Ndikonte diferenca në moshë dhe hierarkia. Këtë ngërç e zgjidhi vetë Refiti, me edukatën e shëndoshë dhe me sjelljen qytetare të tij.

Në kohën e lirë nga puna, dilnim në qytet, për kafe; takonim shokë e kolegë. Refit Jazoi ishte tepër familjar. Kujtoj: Dy herë në javë, Ai zinte radhë, tek postë-telegrafa e qytetit, për të komunikuar me fëmijët dhe në fundjavë merrte udhën për në Tiranë, ku kishte familjen, për t’i takuar.

Refiti tërhiqte libra artistikë në bibliotekën e pasur të Shkollës së Aviacionit dhe i lexonte, në dhomë, ku ishim, së bashku. Roman të preferuar kishte Ushtarin e Mirë Shvejk. Lexonte e qeshte me zë të lartë. Ai lexonte me dritën e tavanit të hapur dhe kujtohej që nuk ishte i vetëm në dhomë, rreth orës 23.oo. Qeshte me të madhe e, të nesërmen ua rrëfente shokëve. Shkriheshin së qeshuri dhe ata, nga mënyra e rrëfimit.

Kur në skuadriljen tonë erdhi dukatasi Kaso Salo Petroshati, i cili banonte në Vlorë, Refiti, si bashkëfshatar dhe si koleg i tij, i shkonte Kasos edhe në shtëpi. Kasua i rrëfente, për fshatin dhe për babanë e tij – Salon, i cili ishte shpallur Dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare. Me shumë pasion e me një farë "mburrjeje", Refiti rrëfente, për faktin që Salo Petroshati, kish qenë partizan e kishte rënë dëshmor. Gëzohej Refiti kur mësonte se një dukatas, dhe familja e tij, ishin të lidhur me Luftën Nacionalçlirimtare.

Kur u ngrit Shkolla e Aviacionit, fillimisht mungonte çdo gjë. Kuadrot, pavarësisht nga profili, morën mbi supe përgjegjësi e angazhime, jashtë profilit. Aksion i madh ishte ngritja e katedrave mësimore. Skuadrilja fluturuese u përball me vështirësi serioze. Instruktorë të veçantë të teknikës së pilotimit u angazhuan me përkthimin e literaturës nga gjuha ruse dhe me drejtimin e lëndëve të veçanta.

Flamuri ishte përgjegjësi kryesor; Ai i drejtonte punët, me kompetencë. Refiti i njihte shumë mirë detyrat e tij. Atij (Refitit) i takoi nderi të ishte njëri nga kuadrot e parë që hapi shkollën për pedagogë të teknikës së pilotimit. Refit Jazoj e nisi punën e Pedagogut të fluturimit në Laprakë; në Shijak; në Qytetin "Stalin" dhe në Vlorë. Për fluturimin ishte kompetent dhe mbante përgjegjësitë që i takonin.

Në vitin 1964, skuadrilja me helikë u kompletua me aeroplanë të lehtë, fillestarë të emërtuar në origjinë, Tip-61, i cili ishte variant kinez i aeroplanit Jak-18A. Në shkollë erdhën, fillimisht 5 aeroplanë të tillë. Në një rast, kur fluturonim në aerodromin e Vlorës, isha në ajër me studentin Delo Isufi (Seraj). Duke plotësuar kthesën e dytë na u fik motori i avionit. I raportova Refitit, i cili ishte në rolin e udhëheqësit të fluturimeve. Refiti, si njeri i veprimit, mori masa të menjëhershme për të më siguruar kushtet për të bërë ulje të detyruar. Ai nxori në pistë atë që ngrihej, të tjerët i kaloi në rreth të dytë e mua më ndihmoi në ulje. Siç u pa nga kontrolli inxhiniero-teknik, kishim të bënim me një mangësi teknologjike.

Mangësia u zbulua dhe në dy aeroplanë të tjerë të këtij tipi. Ishte prodhim i ri i uzinës kineze të aeroplanëve me helikë.

Refiti afrohej me të gjithë e ishte i lirë në biseda. Ai ishte mjaft i thjeshtë por tepër i ndjeshëm. Refiti nuk shiste mend e nuk bënte moral, kur diskutonte por i binte problemit në kokë e fliste shkurt. Ai nuk i mërziste njerëzit me llafe bosh. Refit Jazoj ishte "i lirë" në vetvete. Si me vartësit dhe me eprorët, ndihej i barabartë: servilizmin nuk e njihte dhe e urrente shumë. Me eprorët nuk tendosej e nuk konfrontohej kot por vinte në punë logjikën e shëndoshë. Çdo ditë e më shumë, Atij njeriu i rritej autoriteti përpara njerëzve dhe respekti i merituar. Refiti qeshte kur me të vërtetë i qeshej e nuk ishte hipokrit.

Kur bisedonte me një epror të tij, largohej kur e mendonte të justifikuar.

Në një rast, kur po zbukuronim territorin e Shkollës së Aviacionit e përgjegjës i grupit të studentëve ishte Lutfi Jaho, natën, studentët, morën një sasi vazosh me lule nga lulishta që kultivonte lule për qytetin e Vlorës. Të nesërmen, kur u mësua kjo ndodhi, në Ndërmarrjen e Gjelbërimit të qytetit por dhe në shkollë, u bë alarm. Studentët dhe pedagogët ishin të mbledhur. Komandanti i Shkollës së Aviacionit, legjendari Babaçe Faiku, telefonoi e dha urdhër ta pritnin, në Shkollë. Flamuri nisi të çirrej e të komunikonte me njerëzit – ushtarakisht. Ai e trajtoi rastin si thyerje të disiplinës. Refiti, i cili e kishte shok dhe ia dinte huqet Flamurit, po e vështronte dhe e dëgjonte duke lëvizur, në karrigen ku qe ulur.

Ai ia krisi gazit, u ngrit e doli jashtë nga salla që të mos ta shtonte ilaritetin që u krijua. Erdhi Babaçja, e qetësoi situatën dhe i dha urdhër Refitit: "Çoi vazot me lule në lulishtë, se kam biseduar unë". U tha; u bë. Refiti nuk e bënte dysh urdhrin.

Kaso Petroshati, njëri nga pedagogët e fluturimit më interesantë, akoma pa lindur bashkëshortja, ia kishte vënë emrin djalit: "Valerij Çkallov". Kur djali erdhi në jetë, Kasua ishte në fluturim. Refiti i foli me radio, me tekst të hapët e interesant: "... x, ndërpre detyrën e hajde në aerodrom se po të pret Valerij (i biri)!" Kasua, i cili nuk e dëgjoi mirë komandën, pyeti, në konfidencë: "Ë; Ë - si the?" Refiti përsëriti, më qartë e shoku i tij e mori mesazhin: "... Ik në shtëpi e merrna ca fiq!" – tha Refiti... I hante shumë fiqtë Refiti. Dhe Kasua vajti në shtëpi, pa djalin dhe bashkëshorten lehonë e u kthye me një shportë me fiq. Hëngrëm të gjithë dhe uruam kolegun tonë.

Për të çtensionuar shkrimin (N. N.): Kur fluturohej në Poro dhe pinim ujë nga pusi, Babaçja, fshehurazi nga ne, pinte nga një shtëmbë me ujë që vinte nga Vlora. Ai u thosh studentëve se uji i pusit ishte i pijshëm dhe bënte sikur pinte prej tij. Refiti, i cili ishte mjaft i drejtpërdrejtë e i çiltër, e pikasi shtëmbën e Babaçes, piu ujë prej saj, na dha të pinim dhe neve e shtëmba u boshatis.

Kur erdhi Babaçja dhe e pa veprën tonë, "bëri namin"!

Refitin e mundonte një brengë. Këtë ma besoi mua e ma tha, për herë të parë: Të gjithë kishin marrë shtëpi në Vlorë; Refiti – jo. Këtë, më pas, e mësuan të gjithë kolegët.

Kur Arif Haskua (në atë kohë komandant i Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit), vinte në Vlorë, e thërriste Refitin dhe e këshillonte të merrte shtëpi, në Vlorë. Refiti, si ushtarak i regjur, këshillës së tij i përgjigjej: "Urdhrin e zbatoj, nuk e kundërshtoj, por edhe kështu, detyrat i kryej." Në çdo rast, Refiti shpaloste burrëri e trimëri dhe kujdesej shumë për familjen.

Shkrimin e dorës, Refiti e kishte thuajse të palexueshëm. Më jepte programin e fluturimeve, për ta hedhur në të pastër e unë, këtë detyrë e kryeja me shumë dëshirë.

Kur në skuadriljen tonë erdhi Kasua, Refiti shpëtoi se Kasua e kishte shkrimin të mirë. Shpëtova dhe unë. Tek pedagogët e fluturimit, të cilët kishin mësuar në Shkollën Sovjetike të Aviacionit, kishte mbetur, si praktikë e papëlqyer për karakterin e shqiptarit, sharja në rusisht, madje dhe nga Nëna. Refiti, kurrë nuk e praktikonte këtë. Ai, në veprimtarinë e tij si pedagog fluturues, ishte më tepër praktik se sa teorik. Nuk futej lehtë në polemikë e nuk i mërziste njerëzit. Si ushtarak ishte i rregullt e korrekt. Nuk ishte inatçi e nuk hakmerrej; nuk mbante mëri. Edhe kur duhej të thumbonte, me humor, asnjëherë nuk e prekte tjetrin në sedër e nuk i ulte dinjitetin njerëzor.»

Në përfundim të kësaj interviste, Sybi Koçi theksoi:

«Jeta i ngjan një vallëzimi të cilin e mëson udhës, por nganjëherë të mësuarit e vallëzimit ndërpritet... Refit Jazoj dhe Kaso Petroshati ishin dy pilotë, pedagogë të teknikës së pilotimit. Të dy ishin oficerë me gradën e kapitenit. Të dy, kur ishin të vetëm, ia çkulnin këngës labçe të cilën e këndonin me pasion e bukur. Të dy ishin njerëz të respektuar. U ngritën në ajër e nuk u kthyen... Të dy mbetën "yje të pashuar" e u shpallën: "Dëshmorë të Atdheut". Piloti, në fluturim, një herë gabon!» Kujtimet dhe mbresat i shpalosi Sybi Lamçe Koçi, pilot, Pedagog i fluturimit.

  • I paharruar qoftë kujtimi i Refit Asllan Jazoit; t’i rrojnë fëmijët dhe ata që ka lënë pas!

Intervistoi e përshtati Niazi Xhevit Nelaj, shok i Refitit dhe i Kasos. Tiranë, më 05.10.2020

N. N. Po kërkoja të gjeja e të intervistoja një student, pilot, nga ata që ka përgatitur Refit Jazoi. Koha e gjatë që ka kaluar ka bërë të sajën; megjithatë rastësisht takova pilotin veteran Robert Marko, të cilit i shkëputa këtë opinion: «... Kam qenë student i pedagogut të fluturimit Refit Jazoj, kur u çel Shkolla e Aviacionit, fillimisht në Laprakë, më pas në Shijak e, nën përgjegjësinë dhe kujdesin e të Madhit - Niko Hoxha, në përbërje të Regjimentit "Peza". Fluturonim në aerodromin e Qytetit "Stalin". Isha në ajër me pedagog Refitin. Ishim në fund të programit të fluturimeve. Përpara provimit në ajër, bëja ca fluturime në zonë, me Refitin kontrollues në kabinën e dytë.

Kur erdhëm në ulje lëshuam rrotat, por rrota e djathtë nuk u lëshua. Udhëheqësi i fluturimeve, Thanas Gjiknuri, i alarmuar, na dha urdhër të përsëritnim lëshimin e rrotave dhe të kalonim mbi start. E provuam, më se një herë por rrota nuk u lëshua. UF, na urdhëroi të vinim në ulje, me një rrotë të lëshuar, në brezin jeshil, dhe na porositi: të uleshim "butë" e të takonim fillimisht me rrotën e majtë. Ashtu bëmë; falë përvojës dhe guximit të Refitit, u ulëm, mbi një rrotë e nuk pësuam asgjë.

Refiti ishte njeri serioz; në fluturime nuk bënte lëshime; na trajtonte si prind. Ai ishte guximtar dhe i saktë në plotësimin e elementeve të fluturimit.

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij; t’i rrojnë fëmijët!»

Opinion i Robert Markos, ish-student për pilot, në vitin 1960, me pedagog fluturimi Refit Asllan Jazoj.

Interesant e i pasur në kujtime është opinioni që më dha kolegu i tij, Pedagogu i fluturimeve, devolliu Nehar Jazexhi. Në kujtimet e Neharit shkruhet: «... Refit Jazon e kam njohur në vitin 1960, në Qytetin "Stalin", kur u paraqita për të punuar pedagog i teknikës së pilotimit. Refiti kishte mbaruar Shkollën e Aviacionit, në Bashkimin Sovjetik, së bashku me Flamur Mickon; Hektor Lakon; Zebo Durmishin etj. Ai e kish nisur punën e pedagogut fluturues që nga viti 1957 dhe e vazhdoi edhe në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë. Si pilot, ishte mjaft i përgatitur dhe kish fituar përvojë të pasur e me vlerë. U ambientuam shumë shpejt ne me Atë e Ai, me ne. Refiti ishte mjaft i aftë, në fluturim. Ai punonte me kërkesë të lartë llogarie, si me studentët dhe me pedagogët e fluturimit.

Refiti pedagog u jepte studentëve çështjet më kryesore; gabimet e tyre i analizonte thellë dhe ia bënte të qarta studentit pasojat e çdo gabimi. Këmbëngulte, nëpërmjet përgatitjes në tokë dhe fluturimit që studentët e grupit të tij, të lëshoheshin vetëm në ajër me sa më pak fluturime kontroll. Kish kërkesë llogarie të lartë dhe i mëshonte veprimeve të shpejta e të sakta në fluturim. U kujtonte shpesh studentëve se: "Po e ditëm një gjë shumë mirë në tokë; në ajër do ta dimë mjaftueshëm." Në ajër ishte i qetë e i vëmendshëm; studentëve u linte iniciativë. Asnjë student i tij nuk u kthye nga kontrolluesit, falë punës së tij të kujdesshme. Me ne, kolegët e tij, ishte mjaft i komunikueshëm e na mbante afër.

Vazhdimisht na jepte porosi që studentëve mos t’u bërtisnim në ajër, mbasi ata hutohen, po u bërtite. Në vitin 1965, Refiti u transferua në Tiranë, në Skuadriljen e Transportit, ku fluturoi në detyra të ndryshme, derisa në një fluturim humbi jetën, në një aksident ajror.

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij!» Nehar Jazexhi - koleg i Refit Jazoit.

N. N. Refit Jazon e kam njohur personalisht dhe kam pasur shoqëri të pastër me të. Ai më ka mësuar kalimin në aeroplanin An-2, në vitin 1967, kur erdha në Skuadriljen e Transportit, nga Shkolla e Aviacionit. Kishim disa tipare të përbashkëta dhe kishte dëshirë të fluturonim së bashku. Mbi të gjitha tiparet që e shquanin nga të tjerët, Refiti ishte trim i çartur dhe shumë guximtar. Në shoqëri ishte i çiltër e i thjeshtë. Ra, në një fluturim, në një ngritje fatkeqe nga fusha lëndinë e Lushnjës, më 5 shtator të vitit 1970, ku gabimi njerëzor u pleks me atë teknik. Është shpallur: "Dëshmor i Atdheut"; prehet në varrezat e dëshmorëve të Atdheut, në Tiranë. Së bashku me Refitin kam kryer mjaft fluturime, në detyra të ndryshme, ditën dhe natën.

Ruaj një kujtim, të cilin mendova ta ndaj me ju:

Në muajin korrik të vitit 1971, me një aeroplan An-2, u ulëm në aerodromin lëndinë të Drenovës, në Korçë. Fusha e uljes ishte lëndinë, me përmasa normale për tipat e avionëve me helikë. Ajo fushë kish dhe një mangësi të njohur. Kish pjerrësi të dukshme në drejtim të Perëndimit. Atë ditë, çuam në Korçë disa kuadro të komandës së Aviacionit. Kujtoj se në bordin e aeroplanit tonë ishin: Elmaz Hasamataj; Niazi Manaj; Thanas Gjiknuri etj. Siç duket, ata shkuan në Korçë për të kompletuar dokumentacionin e aerodromit të Lumalasit, i cili ishte në ndërtim.

Refiti (ndjesë pastë) ishte komandant ekuipazhi e unë pilot i dytë. Pas uljes në aerodromin e Drenovës, nisi një rrebesh i fuqishëm. Temperaturat e ajrit pësuan ulje. Ishim të veshur me këmishë e u plevitosëm. Veshëm ca rroba të sinoptikanëve dhe të punonjësve të stacionit sinoptik.

Kur u thye dita, oficerët që çuam, siç duket mbaruan punë e donin të ktheheshin në Tiranë. Mirëpo aeroplani nuk mund të çohej në ajër. Provuam të ngriheshim; me fuqi motorike maksimale, nga nisja dhe me flatrat e krahut të lëshuara, por rrotat kryesore futeshin në tokë, sikur të ishin plug e bënin një vijë të thellë. Bishti i avionit çohej, nga rezistenca që hasnin rrotat kryesore, gjatë fërkimit me tokën e lagur. Zbriti Refiti dhe bëri një matje të fushës, me hap. Ai konkludoi se nuk mund të ngriheshim. Qëndruam në Korçë edhe 2 - 3 ditë, sa u ter sipërfaqja e fushës së ngritjes. Situata të tilla, në fluturimet e përbashkëta me Refitin nuk ishin të pakta; Ai i kapërcente situatat e vështira, me guxim e me iniciativë të rrallë.

  • I paharruar qoftë kujtimi i tij; të rrojnë e ta kujtojnë të prasmit!

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, shok i Refitit.

Shkruar në Tiranë, në muajin tetor 2020.