Mençuria e popullit na ka përcjellë nga lashtësia një mësim me vlerë për të gjitha kohët. "Shokë e miq të rinj zër, por të vjetrit mos i lër!" Sa më pëlqen kjo thënie e sa më vjen për shtat. Prandaj e qëmtova mes gurrës dhe po e theksoj këtu. Gjysmë shekulli, në jetën e një njeriu nuk është pak.

Disa lidhje shoqërore të hershme e të shëndosha i rezistojnë kohës e mbeten. Në mënyrë të veçantë janë më jetëgjata ato që janë shfaqur në rini e janë kalitur në vështirësi.

Gjurmët e tyre janë vërtet të pashlyeshme e kujtimi të shoqëron në çdo hap. Ca më tepër kur lidhjet mes njerëzve janë farkëtuar e kanë përthithur nektarin e disa rrethanave që nuk vijnë përditë në jetën e një njeriu. Ndikim të fuqishëm kanë sidomos jeta në ushtri, kur je duke kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, jeta shkollore, të qenit në kurbet apo në emigracion, kur të duhet të jetosh në dhe të huaj, kufizimet që përjetojnë ata që janë privuar nga të drejtat dhe përjetojnë kufizime drastike të lirive e të drejtave njerëzore etj. E kam kërkuar, në vazhdimësi shokun e mikun tim të mirë, nga Gjirokastra: Vasil Leko Pesha. Me zor u lidha me të nëpërmjet telefonit dhe komunikova, me letra, por nuk isha takuar e nuk kisha biseduar me të sy në sy, apo siç i thonë francezët: "Teta-tetë". Nuk kam lënë njeri pa pyetur, për vendndodhjen e Vasos dhe për jetën e tij.

Disa që e kanë njohur, më kanë folur për të me superlativa. Reputacioni i tij është i qenësishëm. Puna si arsimtar, në gjimnazin e qytetit dhe si punonjës i këshillit bashkiak të qarkut e ka bërë të njohur në të gjithë trevën. Një çift nga Gjirokastra, i cili ushtron një biznes familjar, në Tiranë, kur e pyeta më tha: "Vaso Pesha më ka dhënë matematikë, në gjimnaz, është ‘njësh’; njeri për së mbari. Bashkëshortja e tij, gjithashtu mësuese letërsie, në gjimnaz, gjithashtu është ‘njësh’!" Doemos u ndjeva mirë. Mendova: I miri, sado kohë të kalojë, mbetet i mirë. Karakteri i njeriut formohet në rini e ndryshon me vështirësi. Edhe të tjerë, kur më është paraqitur rasti e i kam pyetur për mikun tim, më kanë folur me të njëjtat nota, pozitive.

Pak histori

Kur shkuam në Bashkimin Sovjetik, në shkollën e aviacionit të qytetit të Batajskut, për t’u bërë pilotë, ishim 36 adoleshentë të mbledhur nga treva të ndryshme të vendit. Ishte data 28 gusht e vitit 1960. Shumicën e përbënin të ardhurit nga shkollat e mesme civile të vendit. Mes nesh binte në sy një tetëmbëdhjetëvjeçar, i cili kishte përfunduar gjimnazin me histori të Gjirokastrës. Parë nga shtatlartësia, ai vinte i treti, në radhë; pas Koco Bikut e Bardhyl Lubonjës, të cilët ishin më të gjatët e grupit.

Ne të tjerët, siç i thonë një fjale, "zienim në një kazan!" Java e parë e shkollës kaloi me sistemimin, veshjen, larjen dhe të ushqyerit. Drejtuesit na dëftuan çdo gjë, nisur nga peri e gjilpëra, të cilat duhet t’i kishim në kapele; mbathja e çizmeve, me pece fanelati; na mësuan si të qepnim bukur qaforen; deri tek mënyra e shkëlqimit të kopsave e çizmeve, prej lëkure. Ta them siç ka qenë, aty mësuam dhe si të sillemi, në rrugë, në mensë, në fjetinë etj., etj... Të gjithë ishim të interesuar të mësonim e të bënim siç na thoshin.

Njëri prej nesh më bëri përshtypje. Ai ishte mjaft i vëmendshëm ndaj shpjegimeve të vendasve dhe i shikonte në sy e i përpinte mësimet e tyre. Djali quhej Vaso Leko Pesha. Më ranë në sy serioziteti, vullneti dhe këmbëngulja e tij për të mësuar, çdo gjë e për së mbari. Më pëlqenin sjellja korrekte e tij dhe edukata qytetare që manifestonte.

Seç kishte diçka të veçantë ai djalë. Zgjuarsia dhe mençuria bënin diferencën e tij me ne të tjerët. Qëndronte disi i mënjanuar nga shokët por jo i drojtur. Po t’i ofroje miqësi, ai të afrohej pa më të voglin hezitim. Qëndrimi i tij disi i rezervuar mund të lidhej me faktin që, në grup ishte i vetmi gjirokastrit.

Ishte dhe shumë sqimatar, i paqmë e fjalëpak. Më pëlqeu tipi i tij dhe u afrova me të dita-ditës. Bënim të njëjtën jetë e përjetonim të njëjtat kushte. Disa tipare të përbashkëta na afruan njëri me tjetrin, e ne u bëmë shokë e miq të mirë. Vlerat intelektuale të tij dolën në pah, sidomos kur nisën mësimet teorike.

E filluam me mësimin e gjuhës ruse. Vasua tregonte vullnet e këmbëngulje të paparë, për të mësuar gramatikën e vështirë të gjuhës ruse dhe për të zotëruar sa më shumë fjalë. Gjatë ditës, bënim garë njëri me tjetrin, kush të mësonte më tepër fjalë të reja dhe në mbrëmje, para se të binim në gjumë, i dëftonim shoqi-shoqit ato që kishim mësuar.

Kur nisëm programin teorik të fluturimeve, Vaso Pesha e ruajti ritmin e ishte nga më të mirët. Kështu dhe kur zhvilluam përgatitjen në tokë, ku Vasua nuk të falte.

Sipas rregullit numër një, para se të nisnin fluturimet, u hodhëm me parashutë. Ishte 15 prilli i vitit 1961, një ditë e bukur, me diell, por me një erë të lehtë. Meqenëse ishte trup i rëndë, duhej të hidhej nga të parët. Ai u hodh, pa hezitim e sipas rregullave, por, gjatë takimit me tokën, për shkak të erës, e cila atë çast u forcua, parashuta e tërhoqi e ai e preku tokën rëndë, pa dëmtime.

Kur u caktuan grupet e fluturimit, Vaso Peshës i ra shansi dhe fati i mirë të ishte në të njëjtin grup me Dhori Zhezhën, një tjetër student "brilant", dhe të kishin për instruktor majorin Razinkov; një qejfli peshkimi me grep dhe një njeri i cili nuk e duronte dot disiplinën. Ky "huq" i tij bënte të mundur që ky Razinkovi, pilot i "shkëlqyer", një vit të mbante spaletat e Majorit e një vit tjetër e shikoje me gradën e kapitenit të parë. Këtë rokadë, Razinkovi e kishte përsëritur disa herë. I tillë ishte instruktori, por studentët e tij, Dhori Zhezha e Vaso Pesha, nuk ndoqën shembullin e tij. Ata, të dy, ishin nga më të rregulltit e më të disiplinuarit dhe më të përparuarit, në çdo drejtim.

Në çështjet e fluturimit, Vaso Pesha ishte një "talent i lindur"! Ai, me intelektin e tij të spikatur, me iniciativën karakteristike, i kapte shpejt e i përvetësonte saktë elementet e fluturimit. E kisha "zili" ecurinë e tij dhe përpiqesha ta arrija në rezultate. U shokuam, unë dhe shokët e mi, kur, mbasi u kthyem, dhunshëm në Atdhe, Vaso Pesha u largua nga fluturimi e nga ushtria dhe iu përkushtua mësuesisë e detyrave të tjera. Në fund të nëntorit 1961, me disa shokë të grupit të Batajskut, u nisa për të vijuar studimet në shkollën kineze të aviacionit.

Nga ajo kohë nuk ishim parë. Koha e gjatë pa u parë, me ashpërsinë e saj të butë, ka derdhur, mbi të dy pasoja të njohura sa i takon fizikut tonë, por shpirtin dhe dashurinë e respektin për njëri-tjetrin, nuk ka mundur t’i tjetërsojë. Me shokët e tjerë, e ka prurë rasti të takohem 2-3 herë, për një kafe apo për të drekuar, së bashku. Me Vason, nuk jam takuar mbasi kushtet fizike atë nuk e kanë lejuar të udhëtojë larg. E kam dëshiruar dhe e kam kërkuar gjatë një takim me mikun tim nga Gjirokastra; rasti, për të cilin thonë se është "Mbret i botës" e pruri, të shihemi në këtë fund qershori, pas 55 vitesh.

Data 25 qershor 2014 rezultoi fatlume, për të dy. Megjithë gjendjen shëndetësore, aspak komode, pa përfillur rreziqet, mora guximin e udhëtova për në Gjirokastër, me të vetmin qëllim, të takohem me mikun tim të viteve '60 të shekullit të shkuar. Nuk shkova për të vizituar qytetin, edhe pse e dua shumë dhe kam bindje që ka pësuar transformime, as për t’u takuar me të afërmit e shumtë që kam në atë qytet, por për të takuar Mikun tim, tani, në një moshë kur të dyve na ka mbuluar bora e po na lënë fuqitë. I falem asaj ore që e bëri të mundur këtë dhe djalit të katërt e bashkëshortes, të cilët sakrifikuan nga vetja, për ta mundësuar këtë takim.

Ishte takim apo përgjërim?

E kam dëgjuar shpesh këtë thënie të kuptimtë, edhe pse e ka brenda ironinë se: "Kur del fukarai në valle, çahet daullja!" Edhe pse nuk e besoj, prapëseprapë nuk mund ta injoroj. Më së fundi m’u bë mbarë të marr atë udhë të gjatë, rreth 200 km, në zhegun e vapës përvëluese të këtyre ditëve. Fillimisht, shansi ishte në anën time. Njëri nga djemtë (i vogli) mori përsipër të më çonte në drejtimin e Jugut të vendit, për të bërë disa "qoka", siç thonë tiranasit.

Më duhej të ndaloja në Krahas, në qytetin e Tepelenës, në Gjirokastër e gjetkë. Secila nga këto "qoka" kishte peshën e vet, në këtë rrugëtim. Para se të nisesha për udhë, u telefonova disa shokëve të grupit të Batajskut. Secili e dëshiron një takim me Vason, por, deri tani nuk ka qenë e mundur ta kontaktojë. Të gjithë u gëzuan kur i njoftova se kisha vendosur të shkoj në Gjirokastër; tek miku ynë i përbashkët.

Ata më uruan: "Udhë të mbarë!" e më porositën t’i çoj të fala Vasos, nga ana e tyre. Njëri nga miqtë, i cili ka zgjedhur të banojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mihal Puleri, me origjinë nga Lunxheria, më shkroi në fb; citoj: "Si fisi Pesha, dhe Kutra (bëhet fjalë për bashkëshorten e Vasos, N. N.), janë të dëgjuar në Lunxheri, si njerëz të dashur e mikpritës; do të kënaqesh në takim me ta... Ah, more Niazi, të isha atje unë, sa bukur do të kalonim... Shpresoj të ngelesh i kënaqur!" Profecia e mikut tim Mihal Puleri u vërtetua shumë shpejt. Vërtet rrugëtimi nuk më shkoi si në vaj, por, pengesat, shpejt u davaritën e çdo gjë shkoi për së mbari. Kështu, në rajonin e Tepelenës, nuk kishte sinjal për telefonat celularë Wodafone, por me të kaluar Ujin e Ftohtë, ndërlidhja telefonike u stabilizua.

Komunikova, më së fundi me Vason e ai më premtoi se do të më presë tek stadiumi i qytetit. Një sipërmarrje e rrezikshme kjo, për një njeri i cili, kohët e fundit është aksidentuar e nuk është rikuperuar plotësisht. Nuk mjaftuan këto, Vasos i është ndarë nga jeta komshiu ballë për ballë dhe ai, si njeri i traditës e me reputacion në qytet, duhet t’i bëjë nderet e fundit. Mendova: "Nuk paskan të sosur prapësitë; kam pritur 50 vjet për këtë takim dhe ja, si ndodh...?" Këto u rregulluan por kisha dhe një hall të madh: A do ta njihja e a do të më njihte miku im, pas kaq vitesh? Si nuk më vajti mendja t’i kërkoj të më dërgonte një foto të kohëve të fundit? E justifikova veten, me mendimin se "më mirë ta mbaj mend mikun tim, siç ka qenë atëherë". I bindur se vitet e shumta kishin derdhur ndryshimin, shpresoja se tiparet e fytyrës dhe gjatësia e trupit të mikut tim, mbase kanë mbetur po ato të mëparshmet.

Nuk u zhgënjeva në këtë pikë. Në rrugicën kryesore të qytetit, përballë stadiumit ku luhet futboll, mbështetur pas një shtylle apo peme, qëndronte një burrë i moshës sime, i gjatë, me flokë të rënë përpara, me tipare të fytyrës si të mikut tim. Në kokë nuk mbante kapele, edhe pse temperaturat e ajrit ishin të larta e zagushia të bllokonte frymëmarrjen. E shëmbëlleva. Nuk ia ndava sytë, por dhe ai më vështronte.

Vasua më njohu i pari; buzëqeshi e më tundi dorën, si shprehje në heshtje e fjalës "hajde, afrohu!" Zbrita nga makina e i shkova pranë. Ishte Vaso Pesha. Fjalët nuk mjaftojnë e nuk mund t’i gjej as tani, pas kaq orësh për të shprehur atë që ndjeva atë çast. Pa i thënë njëri-tjetrit asnjë fjalë, u përqafuam e na mbyti ngashërimi.

Të dy të emocionuar. Fjalët kishin marrë "arratinë". Vendin e tyre e zunë lotët. Pas pak e morëm veten. Kërkuam të pimë një kafe, më tepër për të biseduar, tek një kafeteri e cila i ka hyrë në pjesë stadiumit, por ajo ishte e mbyllur e nuk shërbente njeri. Djali dhe bashkëshortja u larguan, me pretekstin për të parë qytetin, me qëllim që të na linin vetëm.

U ulëm për një kafe në lokalin pranë, i cili ka një tabelë, mbi të cilën shkruhet: "Kafe Shehu"! Meqenëse kishim shumë vite pa u parë, nuk dinim nga t’ia nisnim bisedës. Sikur të ishim në një garë, secili prej nesh nxitonte t’i dëftonte shokut jetën e tij. Mirëpo koha në dispozicion ishte e kufizuar e neve na duhej t’i binim shkurt. Kujtuam ndodhitë më pikante të jetës së përbashkët; kujtuam shokët; ata që jetojnë e ata që janë ndarë nga jeta.

Vendin e parë e zunë të rënët në aksidente ajrore: Swefedin Tomcini, Thanas Papa; Minush Karalliu; Mustafa Gjokutaj; Sillo Melica; Andrea Toli; Roland Sofroni; Lutfi Islamaj dhe të sëmurët rëndë, të cilët nuk mund të lëvizin. Kujtuam dhe ata që, të detyruar, për shkaqe të ndryshme jetojnë jashtë shtetit tonë e kanë shtegtuar deri përtej oqeanit. Vasua ishte mjaft i malluar e donte të dinte çdo gjë. Ai është njeri me shumë intelekt e me kërkesa për jetën; i ekuilibruar e me gjykim të pavarur. Nuk e kuptuam si na kaloi koha. Donim të mos ndaheshim nga njëri-tjetri.

Mos pastë ndarje, kurrë, se ajo të hidhëron. Fati e ka përcaktuar dhe këtë. U ndava nga miku im por koka më mbeti pas, duke vështruar nga ai. Vasua, si unë, mbeti me dorën lart, duke përshëndetur, në shenjë lamtumire! E tillë është jeta, e pamëshirshme dhe shpesh e padrejtë!