Në vitet 1960 -1961, me një grup djemsh, 18 vjeçarë, nga vendi im, kam qenë për të studiuar e praktikuar shkencën e vështirë të fluturimeve ajrore, në Bashkimin Sovjetik. Grupi ku bëja pjesë kishte në përbërje 36 djem, me shëndet të plotë, të mbledhur nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Disa syresh kishin kryer programin teorik e atë praktik, në vendin tonë, në aeroplanët e lehtë mësimorë Jak – 18A.
Shumica prej nesh, nuk kishin as njohuritë fillestare të fluturimit.Pas një udhëtimi ajror, me një aeroplan sovjetik, të tipit TU-104 dhe dy ditëve, me tren, mbërritëm në qytetin e Batajskut, i cili ndodhet rreth 7 km, në Lindje të Rostovit mbi Don. Atje u sistemuam në një godinë dykatëshe, në mes të pyllit, e cila do të shërbente si fjetore, për ne dhe për dtudentë të tjerë të të njëjtit profil dhe që bënte pjesë në kompleksin e banesave të “qytetit të aviacionit” (aviagorodok), ku ishte qendra e shkollës tonë.
Mbasi iu nënshtruam proçesit teorik dhe ishim në përfundim të proçesit të fluturimeve 9 ishte dita e fundit kur do të merreshim në provim, në ajër në aeroplanin me helikë: JAK-18A, më 15 shtator 1961, me një vendim (ultimativ) të Sovjetit Suprem të BRSS, me urgjencë na kthyen në Atdhe. Ishin prishur e u ndërprenë marrëdhëniet, mes dy vendeve tona, për shkaqe ideologjike e politike . Grupi ynë i studentëve për pilotë ishte ndoshta i fundit i studentëve shqiptarë që lanë atë vend. Pas nesh mbeti vetëm Ambasada Shqiptare, në Moskë.
Në Bashkimin Sovjetik qendruam, pak, veç 13 muaj, por, për mua e për shokët e mi, ata pak muaj luajtën një rol tejet të rëndësishëm, për formimin e përgjithshëm dhe atë profesional si dhe mora një eksperiencë të vyer jetësore, e cila më shërbeu pozitivisht në jetën e pastajme. U njoha, aq sa ishte e mundur, me jetën, psikologjinë, mentalitetine vendasve dhe pashë nga afër shpirtin e gjërë rus. Ishja në një moshë kur rritja dhe formimi i njeriut, zhvillohen vrullshëm dhe tiparet e karakterit skaliten dukshëm. Tek unë, individualisht, qendrimi në Bashkimin Sovjetik la gjurmë të ndieshme sa i takon zhvillimit fizik e intelektual. Nuk mund ta fsheh nostalgjinë që kam ushqyer e kam, sot e kësaj dite, për atë vend e për ata njerëz, të veçantë. Kaluan 33 vjet në të cilët ishte e ndaluar të mbaje lidhje me banorë të atij vendi, madje dënohej edhe shfaqja e mendimeve pozitive, për të. E kishja ëndërr vajtjen sërisht në Rusi, për të parë transformimet demokratike, që vijuan shpërbërjen e perandorisë sovjetike.Ishja tepër kurioz, për të parë, nga afër tjetersimin e atyre njerëzve “ të leshtë” e babaxhanë, për të cilët kishja dëgjuar lloj-lloj fjalësh.
Pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, kur edhe në vendin tonënisi të fryjë një erë e re, me tendencë demokratizimin e jetës së vendit, kur u hoq “ai gardh “ artificial i qëllimshëm, i cili na ndau për shumë kohë nga bota, lindën shpresat për një udhëtim afatshkurtër në vendin e muzhikëve.NJë i afërmi im, i cili kishte nisur një tregti të vogël, nga e cila mblodhi një grusht me para, i mikluar nga fitimi, me shumë dëshirë, synonte të kalonte nga tregtia me sende të imët, në tregtinë e makinerive bujqësore. Kishte dëgjuar se në Bashkimin Sovjetik prodhoheshin e tregtoheshin traktorë të tipit “ Belarus”, të destinacioneve të ndryshëm dhe se çmimet e blerjes e të shitjes të tyre ishin me leverdi.Këmbënguli, intensivisht pranë meje, duke më ofruar dhe pagë e trajtim të lakmuar, që ta shoqëroja në një udhëtim, për tregti, në Moskë. Meqënëse propozimi i tij ishte në të njëjtën vijë me ëndrrën time të kahershme, pranova të luaj rolin e udhërrëfyesit e të përkthyesit, nga gjuha Ruse në Shqip, të “biznesmenit “ tim, kushëri.
Vendosëm ti përfillemi kësaj aventure, në vjeshtën e vitit 1993, akoma pa nisur dimri i egër rus. Bëra disa përgatitje paraprake, të nevojshme .Mora informacion për mundësitë e blerjeve, firmat tregtare, kushtet dhe mundësitë e sistemimit për të fjetur e për t’u ushqyer, për mundësitë e lëvizjes nëpër atë qytet gjigand etj. të dhëna të domosdoshme.Blemë disa veshje, të mira, që të ngjanim si tregtarë, të kamur.Biznesmeni i ri bleu të brendshme dhe këpucë të reja . Nuk gjetëm kostum të përshtatshëm, për të, ndaj veshi kostumin tim, me gjithë kollare .
Mora të dhëna mbi adresat e banimit të disa familjeve moskovite, të cilat jepnin dhoma me qera si dhe u lidha me firmën moskovite që tregtonte makineri bujqesore “Traktor eksport”, e cila, më dërgoi garancinë, me të cilën nxorra vizat për të hyre në territorin rus. Kushëririn tim e bëra me dije se udhëtimi ynë do të ishte i vështirë, e disi i rrezikshëm . Rreziku lidhej me faktin se ne, të gjitha paratë, në valutë të huaj, dollarët amerikanë i kishim, në xhep.Do të operonim në kesh, si të gjithë tregtarët shqiptarë të asaj kohe. Po ta dinin huliganët rusë që ne kishim në xhepet tanë aq shumë para, “të hiqnin qafe “, pa hezitim. Me shaka i thashë njeriut tim se Rusia është e vështirë . Ajo ka mposhtur Çi Nghis Khanin ; Napoleon Bonapartin, Adolf Hitlerin e tani në fund, hëngri kokën e saj. Në kuptimin që udhëtimi ynë në tokën ruse do të ishte një lloj aventure, me të papritura te shumta. Bashkëudhëtari im i ardhshëm, bari dhish, me 4 klasë shkollë, por me një grusht para në xhep, me kokfortësinë e njohur të banorëve të trevës tonë, nuk i përfilli ato që i thashë por vendosi prerazi: ”Do të shkojmë, edhe sikur të mbetemi andej”!
Me qëllim që të jem sa më i saktë në ato që do të shkruaj më pas, po i referohem ditarit vetjak që kam mbajtur në ato ditë aventure, në një fletore të përgatitur enkas:
Emërkurrë, 13 tetor 1993.Në orën 13, 30, me një autobus të linjës Tiranë- Sofije, u nisëm për atë udhëtim të gjatë.Tek autobusi, na përcolli e na uroi udhë të mbarë, Tatjana, bashkëshortja ime. Kishin dalë dheishoficerët: Mane Hoxha e Elham Kondo, të cilët i njihja, prej kohësh. Të dy ishin me origjinë nga Vlora. Sejcili prej tyre mbante në dorë një pako.Manja kishte porosi për të shoqen, Liljanën, e cila ndiqte një kurs kualifikimi të gjuhës Ruse, në Moskë kurse Elhami ia dërgonte pakon së bijës, studente, në Moskë, për diplomaci.Në stacionin e autobusëve për në Sofije kishte dalë dhe Kastriot Lalëzi, një bashkëpunëtor imi, në tregti dhe shoku i tij – Bashkim Sollaku.
Rrugën, deri në Qafëthanë e bëmë qetë- qetë, ndonëse na shoqëroi një ndjenjë disi të hidhur e cila lidhej me faktin që po largoheshim nga Atdheu e po linim pas familjet tona. Kur mbërritëm në Qafëthanë, ishte errësuar. Nisën peripecitë e para. Doganierët maqedonas kërkojnë “kallës në dëborë”.Ata, nën petkun e të qënit rigorozë, bëhen shumë të bezdisshëm për udhëtarët. Me ne u sollën të vrazhdët.Më bëri përshtypje sjellja brutale e tyre me një vajzë shqiptare, e cila, me sa dukej kërkonte të kalonte kufirin, matanë, pa vizë hyrëse.E kapën për fyti, gati e tërhoqën zvarrë, teksa ajo bërtiste, me lebeti, për ndihmë, me fjalët:” O dajo; O dajo”!Pasagjerët shqiptarë që ndodheshin në autobus, u revoltuan, por askush prej tyre nuk kundërveproi. Ndoshta menduam: “Në dhe të huaj, edhe macja të shqyen”.
Ushtarët maqedonas kishin uniformë të mirë, të re dhe e mbania atë, pastër. Në pamje të jashtme, ushtarët e vendit fqinjë të krijonin përshtypjen se qenë të rregullt e të disiplinuar.Sjellja e tyre kundrejt shqiptarëve ishte tejet e ashpër dhe e padrejtë.Gjithë atë natë e kaluam në rrugëtim.Rreth orës 0.30 të datës 14 tetor 1993, u gjendëm në një fshat shqiptar, në rrethinat e Gostivarit.Në një lokal nate, kishte muzikë e bëhej aheng. Klientët, burra, ishin, të gjithë të kombësisë shqiptare. Biznesmeni i lokalit, gjithashtu ishte shqiptar.Klientët, siç duket nga radhët e shqiptarëve të kamur e qejflinj, pinin e dëgjonin muzikë. Këngëtaret (gjithsejt 3 vajza ishin të kombësive të ndryshme . Njëra ishte bullgare ; e dyta sërbe dhe e treta nga Shqipëria (pogradecare). Kur ne u futëm në lokal, këngëtare t e rritën volumin e të kënduarit . Siç duket, ato kishin porosi të na grishnin, me zërin e tyre aspak të pëlqyeshëm.
Biznesmeni i lokalit na propozoi të pinim kafe, nga ana e tij, por ne nuk u ulëm fare. Biznesmeni dhe një miku i tij, hynë në lokalin fqinjë (gjithashtu me pronar shqiptar), ku pinë nga një filxhan kafe.U shlodhëm pak e përsëri u nisëm për udhë. Kur mbërritëm në kufirin Maqedono- Bullgar, ra drita. Kaluam një natë, pa mbyllur sy. Kontrolli i shërbimit kufitar bullgar ishte copë-copë ; më i keq nga ai që përcollëm. Bullgarët, pa gjë të keq, të kërkojnë ryshfet, haptas.
E enjte, 14 tetor 1993.Rreth orës 9.00 mbërritëm në Sofije.Një qytet i madh e me shumë zhurmë.Rrugës, në afërsi të Sofijes, pashë disa fshatra bullgarë, mjaft të bukur. Ndoshta janë fshatrat më të bukur që kam parë, deri më sot.Me autobusin, me të cilin erdhëm nga Tirana, shkuam deri në stacionin e trenit.Për këtë shërbim, i dhamë shoferit (kuptohet, nëndorë, nga 1S.Stacioni i trenit është ndërkombëtar ; prej tij niset dhe linja hekurudhore që do të na çojë në Rusi. Bileta e trenit, për të shkuar në Moskë, kushton 174 dollarë amerikanë. Kjo shumë është 17 dollarë më tepër se vlera normale e biletës . Vendasit e spjegojnë këtë ndryshim me ndryshimin e kursit të nderrimit të monedhave, në stacionin e trenit ku leva bullgare eshte më e lirë. Ndoshta kjo është një hile bullgare.E pranuam ofertën, për arsye se nuk mund të shkonim në qytet, për të këmbyer valutën, mbasi nuk na premtonte koha.
Në orën 12.50, treni ndërkombëtar, u nis, nga stacioni i Sofijes, për në Moskë.Qysh kur futesh në kufirin bullgar e deri sa ndahesh prej tij, më bënë përshtypje e më lanë pa frymë, pyjet masivë, me drurë të lartë pishe, ahu e të llojeve të tjerë ; natyralë e artificialë .NJë gjë mjaft e bukur dhe e këndshme, të cilën nuk e ndesh në vendin tonë.Bukuria e pejsazhit pyjor shtohet, në këtë periudhë, kur gjethet janë zverdhur e kanë filluar të bien . Rusët e pëlqejnë mjaft vjeshtën dhe e kanë emërtuar Zallatoje osenj (vjeshtë e artë).Me tren udhëtuam në vagonin Nr 15, në vendet 21 e 22. Kupeja e vagonit është katërvendëshe, me fjetje.Fillimisht, në kupe jemi vetëm ne, të dy ; unë dhe biznesmeni ;dy vendet e tjerë janë bosh. Si do të zhvillohen gjërat, më vonë, këtë do ta shikojmë.
Në Sofije nuk qendruam por nga sa pashë në atë udhëtim, të shkurtër, rrugët e saj nuk më pëlqyen. Ato janë të ngushta, të shtruara me kalldrëm, kurse qarkullimi brenfa tyre i makinave dhe këmbëssorëve është mjaft i rënduar. Kalldrëmet, me gurë të zi, i japin bukuri rrugës, por, për fat të keq, ata, vende – vende janë të prishur e rruga ngjan sikur është e arnuar.
Tatjana, si nikoqire e mirë, na nisi me vete ushqime të ndryshme . Ato na çuan deri në mbasditën e 14 tetorit 1993.I fundit u konsumua keku. Për darkë, na kanë mbetur vetëm disa copa djathë, të bardhë. Vendosëm njëzëri: do të blejmë bukë e do të zhdëpemi, allashqiptarçe.Planet i bëmë të bukur, por në praktikë, na ngeci sharra në gozhdë. Kërkuam bukë, por nuk gjetëm asgjëkundi. Mëkot u munduam . Të detyruar nga rrethanat, fjetëm pa ngrënë. Do të konsumojmë rezervat dhjamore të trupit.Unë, nuk e kam problem, mund të duroj edhe pa ngrënë, kurse bashkëudhëtari im, i cili rrallë herë ka dalë nga fshati i lindjes, nuk duron fare, për bukë.
Bullgaria është e shtrirë dhe rruga hekurudhore e përshkon, tangent, nga Perëndimi, në Lindje. Nuk u mbaroka, kjo Bullgaria, me tren.Na duket sikur qendrojmë në vend . Ndoshta ngaqë duam të shkojmë sa më parë në Moskë ; ndoshta ngaqë peisazhi që na shpaloset është disi monoton.Në mendje më erdhën vargjet e një poezie shqip: “ Ec, e ec, e ska të sosur…” Bullgaria, krahasuar me vendin tonë është industrializuar më shpejt. Shumë industri ka Bullgaria.Oxhakët, të lartë e të shpeshtë, çajnë qiellin, por prej tyre, për çudi nuk del tym. Diçka ka ndodhur në këtë mes!Mjaft uzina e fabrika, të cilat duken nga traseja hekurudhore, nëpër të cilën udhëtojmë, janë vënë në “stop”. Në tren u njoha me një bullgar, i cili shkonte në Ukrainë.Ishte i begenisur (komunikues). Para se të ndaheshim, më dha adresën e shtëpisë dhe numërin e telefonit, të familjes. Bullgari quhej Stojan Dimitrov, ishte qytetar i qytetit Balçik që ndodhet në Bullgarinë Lindore. Adresa e banimit të tij ishte ; Apartamentet e banimit “Balik “, Blloku – 7, Hyrja 5, Apartamenti-1. Numëri i telefonit familjar: 61-61.Ai më ftoi të shkoja në shtëpinë e tij, kur të kthehesha nga Moska, mbasi, siç më tha vetë, gruan e kishte ruse.
Natën, kaluam kufirin rumun. Në kufi e në doganë, rumunët, u sollën mjaft ashpër, me ne. Një ushtarak rumun, me gradë të ulët, na pyeti: “nga jeni e ku shkoni”? Ne iu përgjigjëm sinqerisht, se jemi shqiptarë e shkojmë në Moskë, për tregti. “Shqiptarët janë banditë “, qe përgjigja e tij. Na ra rëndë . Nuk e prisnim këtë vlerësim . Ushtaraku rumun, vazhdoi më tej: “ Në Rumani ka 10000 shqiptarë. Ata janë në azil politik “ . Shqetësimi i tij ishte se mos mbeteshim në tokën rumune. Thamë me njëri – tjetrin: “ Na marrtë të keqen cigani”! Ne kemi Shqipërinë tonë, të bukur e të begatë, të cilën nuk e ndërrojmë me asnjë vend tjetër. Atje dua të më treten kockat. Ushtarakut rumun nuk i thamë asgjë, nga droja se na griste pasaportat. Arroganca e tij ishte e dukshme. U hoqëm sikur nuk i kuptuam ato që na tha ai.
Bukureshtin e kaluam natën . Më kishte marrë gjumi e nuk e pashë dot.Nga sjellja e atij ushtaraku batakçi dhe nga sa pashë në stacionin hekurudhor të Sofijes, s’di përse m’u krijua një antipati, për rumunët . Udhëtarët rumunë që pashë në stacion, binin në sy lehtë . Ata, nuk ishin si bullgarët, as në veshje, as në qendrim, as në sjellje. Ishin të veshur dosi do e iknin si të trembur, pa krenari e si të përulur . Ushtaraku në kufi, u soll me kapadaillëk se ishte me uniformë e kishte diçka në dorë, mund të bënte keq.
E premte, 15 tetor 1993. Mëngjesi na gjeti në tokën e Ukrainës. Mendova se u sosën kusuret tona, por gabova . Mendimin tim e kishja të bazuar, në faktin që Ukraina ka qenë nën Bashkimin Sovjetik e, me ukrainasit mund të merresh vesh, por jo, më doli krejt ndryshe. Vizë ukrainase nuk kishim, atë do ta merrnim në doganë, në zyrat e kufirit. Kufitarët ukrainas na zbritën nga treni e na çuan në doganë. Duhej të blinim vizën tranzit, për të udhëtuar nëpër territorin ukrainas. Në të hyrë të doganës, më kërkuan dhe plotsova deklaratën, për shumën e parave që kishim me vete. Duke plotsuar atë deklaratë të mallëkuar, mendova me vete: “ kemi ndërmarrë këtë aventurë të rrezikshme . Udhëtoj me tren, me 20.000 dollarë amerikanë, në xhep, në këtë xhungël, ku çdo njeri përpiqet të të shqyejë”! Na bënë presion ; për vizat, për paratë dhe për plaçkat që kishim me vete. Donin ryshfet. U shqetësova shumë, madje më hyri frika, kur dëgjova dy doganierë ukrainas, djem të rinj, tek i thanë njëri-tjetrit, prapa xhamave, të hollit ku ishja ulur unë dhe biznesmeni: “ 20000 dollarë, një pasuri e tërë, sikur ti kishim ne një pjesë të këtyre parave”: I dëgjova tek thurnin plane, për të na marrë paratë dhe, nga sikleti . m’u drodh mjekra. Biznesmeni dhe i parave, i cili nuk dinte asnjë fjalë rusisht (pa lere në gjuhën e vendasve), kur vuri re mjekrën time që dridhej, më tha:” çfarë pate”? “ Hiç, kot “ – i thashë atij .
Doganierët, kur panë deklaratën time, kërkuan të bënin kontrollin fizik të dollarëve që kishim me vete. Po të kishte ndodhur kjo, atëherë punët tona kishin marrë fund. Ata mund të thoshin se, në tufën me dollarë ka banknota të falsifikuara dhe, sipas ligjit, do të bënin sekuestrimin e tyre . Treni do të nisej e ne do të mbeteshim në mëshirën e fatit. Aso kohe, vendi ynë nuk kishte shkëmbyer ambasada me Ukrainën e ne nuk kishim ku të ankoheshim.Ndërkohë, më punoi mendja dhe duke reaguar shpejt, përpunova një hile . Duheshin shpëtuar paratë, në mënyrë që situata jonë të mos ndërlikohej më tej.Biznesmeni, edhe pse diçka të keqe nuhati, rrinte i qetë. Ku ta dinte çobani i dhive se çfarë na priste, po të na merrnin paratë? Provova ti jepja një shishe me konjak cilësor doganierit që më kërkoi paratë, për ti verifikuar, por ai nuk pranoi .Doganierët ukrainas, ndoshta më tepër nga koleget e tyre, të vendeve të tjerë, kanë frikë nga njëri – tjetri.Doganieri më urdhëroi të hyj në dhomën (zyrën) ku lëshoheshin vizat. Bëra si më urdhëroi nëpunësi ukrainas. Në zyrë ishte një grua e re, oficere, me gradën e togerit . Ajo ishte e ulur, në karrige, mbi tavolinë kishte lënë portofolin e xhepit, me përmasat e një kulete grash, me ngjyrë të zezë. Togerja ukrainase kërkoi nga një copë fotografi, për ta vendosur në vizën që do të na jepte. Nuk kishim fotografi, me vetee në atë çast nuk kishim asnjë mundësi për ta siguruar atë. Izgjata oficeres një bakshish, të cilin nuk donte ta pranonte, nga frika . Hapa, me iniciativë portofolin e saj, që ndodhej mbi tavolinë e futa brenda një kartmonedhë, 10 dollarëshe.Ajo, e tronditur bëri një shënjë mohimi me dorë. I thashë rusisht: “Ta jep xhaxhi “ dhe mbylla kuletën e saj.
E ndodhur përpara faktit të kryer, oficerja thirri ushtarin roja, një dymetrosh, me kallashnikov në gjoks, të cilin e urdhëroi :” Shoqëroi këta në tren, mbasi tu kesh vënë vulën në vizat ukrainase” . Falenderova oficeren, i bëra shënjë mikut tim dhe, të dy, ndoqëm ushtarin e kufirit, i cili, na shoqëeroi, derisa u ngjitëm në tren . Mora frymë i lehtësuar . Kaluam një situatë tepër kritike, e cila, po të ishte ndërlikuar më tej, do të na e ndërpriste aventurën tonë e do të na kishte mjeruar nëpër rrugët e Ukrainës. Treni u nis e ne u qetësuam, por kusuret nuk kishin mbaruar . Mbasi bëri përpara 2-3 km. treni ynë ndaloi. Menduam se shkak për ndalesën e tij mund të ishte ndonjë defekt i rastit por nuk ishte ashtu. Treni do të ndalonte 2-3 orë, për arsye teknike. Trenit do ti ndërroheshin shasitë. Deri në Ukrainë, shinat e rrugës hekurudhore janë më të gjera, kur futesh në territorin ukrainas, ato ngushtohen e të tilla zgjaten në brendësi të hapësirave ruse. Hekurudha është projektuar e ndërtuar e tillë, prej Carit, nga frika se mos hynin në hapësirat ruse, trenat e armikut prusian.
E lashë biznesmenin në kupe dhe zbrita nga treni, për të blerë ndonjë gjë për të ngrënë. Ushqime kishte plot, por çmimet ishin mjaft të larta. Me 1 dollar bleva pak bukë e disa qofte. I hëngrëm, me uri, të tre vaktet, së bashku . Pas 3 orësh, u nisëm, për udhë.Nuk thonë kot, në anët tona, se: “Dardha e ka bishtin prapa”. Kjo thënie e urtë e popullit, do të vertetohej shumë shpejt edhe në rastin tonë.Në qytetin Cërnovo, të ukrainës, treni ndaloi, për pak kohë e në kupenë tonë, ku dy vende ishin bosh, u sistemuan dy femra. Ato u prezantuan, si nënë e bijë dhe thanë se ishin nga Kievi. Pyetjes time, ” ku keni qenë”? më e rritura syresh iu përgjigj: “ Kemi qenë në Cërnovo, për Pazar “ dhe na treguan një xhup të bukur që kishin blerë, për më të renë, të markës “Lajka “, prodhuar në Alaskë.Nuk e çanë kokën fare që do të kalonin natën, në një kupe me ne të dy, burra.Zunë vend në jatakët përballë ; njëra lart e tjetra poshtë.Në jatakun tjetër ; lart kishja zënë vend unë .Biznesmenit tim i ra llotasria të flinte poshtë, përballë më të resë.
Kishte rënë nata e ishte vakti për të ngrënë darkë. Nxorrëm ushqimet që kishim me vete . Pula të pjekura, djathë kaçkavall, vezë, të ziera … dhe birrë, me shishe. Nxorrën dhe ato ushqimin e tyre dhe u ulëm për të darkuar, aty, në kupe.Më ra në sy darka e varfër e femrave dhe biznesmeni “bujar”, u ofroi damave ushqime nga tonat . Ato nuk kundërahtuan, përkundrazi, hëngrën, sa deshën ; pinë dhe birrë. Më e reja, një vajzë rreth të tetëmbëdhjetave, simpatike dhe elegante, e cila e kishte emrin Viktoria, tha se ishte maturante, në shkollën e mesme të medicinës. “Nëna”, një grua rreth të dyzetave, me flokë tipike ruse (rrizhaja) dmth kuqalashe dhe me trup mesatar, siç kishte moshën, tha se ishte arsimtare. E pyeta, për burrin e ajo më më tha se ështe inxhenier, kimist dhe se punonte në një kombinat kimie, në Kiev.I kërkova adresën e burrit, me justifikimin: “Ne jemi tregtarë e mund të na hyjë në punë, për punë biznesi, kur të kthehemi nga Moska”. “Mamaja e vajzës” nuk hezitoi por më dha emrin e mbiemrin dhe numërin e telefonit të burrit.Ndoshta ia futi kot.
Hëngrëm darkë e u përfillëm për të fjetur. Damat nuk e çanë kokën fare se drita ishte ndezur por, para syve tanë hoqën veshjet e ditës e veshën ato të gjumit. Kur pa që po zhvisheshin, bashkëudhëtari im, me moshë rreth të dyzetave, i njohur si qejfli femrash, nisi të “lëpihej”. Ai iu “qep” maturantes dhe, me këmbë e me duar, diçka donte ti thoshte. E kuptova se të afërmit tim i kishte rënë në tru të vogël e i thashë, seriozisht: “ Sonte, për ne nuk do të ketë gjumë. Zonjat mund të jenë të futura nga doganierët mafiozë, për të na marrë paratë që kemi me vete, mbasi nuk e realizuan dot qëllimin, për të na i marrë, në doganë”. Ai “ nuk hante pykë “ por vazhdonte në të tijën. Nisi ta joshë vajzën, me ngacmime, i dha çimçakizë e sapunë me erë, madje i ofroi dhe dollarë. Bëra rojë tërë atë natë . Për të ruajtur paratë e biznesmenit qejfli. Ata, të tre fjetën, për “shtatë palë qejfe”!
Në mëngjes, u vertetua profecia ime. U çuam, u lamë e u ulëm për të ngrënë mëngjes. Femrat ankoheshin për gjendjen e rëndë ekonomike që kishte pllakosur Ukrainën, pas shkëputjes nga Rusia. Këtë e vura re dhe në treg . Çmimet ishin stratosferike dhe vlera e monedhës vendase ishte përtokë.Në Kiev, damat do të zbrisnin . Para se të ndaheshim, u bëra një “provokacion “ të vogël. Meqenëse mund të kthehemi, në qytetin e tyre, u kërkova adresën e shtëpisë dhe numërin e telefonit familjar. Ato po shikonin e pyesnin njëra – tjetrën. Kuptova, qartë se ato nuk ishin nënë e bijë, siç na u prezantuan.Kur u ndamë, i fala Viktorias 1 S dhe i urova të jetë e lumtur, në jetë! Kështu e kaluam dhe këtë grackë, të thurur me “ustallëk”.
E shtunë, 16 tetor 1993.Në orën 10.00 mbërritëm në qytetin e Kievit.Femrat na kishin lënë lamtumirën.Në vend të tyre, në kupenë tonë erdhën dy djem.Njëri syresh hiqej si poet por ishte një psikopat i vërtetë.Djali tjetër punonte shofer dhe ishte nga Briansku.Bisedova me shoferin e më la të kuptoj se, me bindje ishte demokrat. “ Poeti “ e kishte emrin Kostia .Atij i kishte ndodhur një fatkeqësi në familje . Kostia është ndarë nga gruaja, mbasi e ka kapur në flagrancë, me një burrë tjetër. Së bashku kishin një fëmijë (djalë) dhe për të ai vuante. Meqënëse bëmë goxha rrugë, së bashku, “poeti “ më recitoi poezi, nga Pushkini, Majakovski, Sergej Jesenin etj. dhe nga poezitë që kishte bërë vetë.Kostja, “miku im” më i ri zbriti në Briansk. Miqësisht e këshillova të tregohet i matur në zgjidhjen e çështjes, mbasi pashë tek ai lëkundje e nostalgji për bashkëshorten, i justifikuar se vuante për të birin.
Kaluam disa orë nëpër territorin moldav. Kufitarët moldavë ishin më të “egrit”.Në ato hapësira pashë vetëm ushtarë, të pajisur me qen . Oficerët e tyre, kushedi ku janë? Ushtarët flisnin një anglishte, e cila edhe mua që nuk e zotëroj atë gjuhë, më vriste veshin. Tek ushtarët moldavë ishte e dukshme injoranca dhe sjellja prej harbuti. Ata e hiqnin veten si, të zgjedhur e të një sëre të lartë; ishin fodullë.Nuk u ramë në sy, mbasi ai bullgari, nga qyteti i Balçikut, gjatë bisedës, në tren, më tregoi, në intimitet të ruhem nga ushtarët moldavë se të zbresin nga treni e mbetesh në mes të udhëve e askush nuk të vjen në ndihmë.Patëm fat që në territorin moldav nuk patëm ndonjë peripeci. Përsëri u futëm në tokën e Ukrainës e udhëtimi vijoi, si më parë.
Kur Kostja, “poeti”im i nderuar më recitonte poezi, unë vrojtoja, majtas trasesë hekurudhore, pak poshtë meje shtratin e lumit Dniestër. Në mendje më erdhi melodia dhe fjalët e një kënge të lashtë ruse, kushtuar lumit Dnjepër, sivëllait të Dnjestrit, i cili gjarpëron, më në Lindje. Kënga, në gjuhën shqipe, kënduar nga basi shqiptar, me zë të veçantë, Llukë Kaçaj, më ishte ngulitur në mendje e m’u kujtua në këto çaste udhëtimi . Teksti i këngës thoshte:
Ja, si buçet ky Dnjepër, i gjerë, Dafinin era e përkund,
Dhe valët çon, si mal i lartë, i ngre përpjetë e prap i ul,
Tej, në katund, të gjithë flenë, kudo qetësia mbretëron,
Të gjithë çohen, kur dëgjojnë, zërin e gjelit që këndon…
Më në fund, toka ruse. Panoramë e njohur . Me disa karakteristika të veçanta, të cilat e bëjnë atë, të ndryshme nga të tjerat. Shikoj këneta, njëra pas tjetrës, të mbuluara nga bimësi kënetore. Pyjet, me drurë të lartë bieroze, të bardhë dhe me drurë të tjerë, të ndryshëm, në pyje masivë, mund të shikosh, në distancë sa të ha syri. Përqark tokë e rrafshët . Nuk të ze syri asnjë kodër apo mal. Izbat karakteristike ruse, na shoqërojnë gjat gjithë udhës, në të dy krahët.NJë monotoni që shkakton bezdi, tek udhëtari.Fshati rus, së largu duket i varfër. Nuk e kam parë prej 34 vjetësh, por nuk ve re ndonjë ndryshim të dukshëm. Futja e fshatit rus, në rrugën kapitaliste, siç duket i ka prishur ekuilibrat e, fshatari rus, pas ndryshimeve të viteve të fundit, akoma nuk e ka gjetur pozicionimin e nevojshëm.
Në orën 00.15 të 16 tetorit 1993, mbërritëm në Moskë.Qëndruam në stacionin hekurudhor të Kievit (Kievskijj vogzall).Ishja në dijeni se natën, nëpër Moskë, nuk mund të lëvizte njeri, mbasi ishte gjendje shtetrrethimi. Kush dilte jashtë stacionit të trenit, vihej pas murit e pushkatohej nga ushtarët e patrullës.Me të zbritur nga treni, pësova “ shok”dhe deziluzion . Na duhej ta kalonim atë natë brenda stacionit të trenit.Në stacionin e Kievit, i cili, në atë kohë ishte stacioni më i madh e më i rëndësishëm që sillte njerëz e mallra, nga Jugu. Stacioni i trenit ishte i mbipopulluar . Brenda tij, në një hapësirë të kufizuar, ishin përqëndruar mjaft njerëz, sende e mallra, jashtë kapacitetit bartës të saj.Mjaft tregtarë kishin ardhur në Moskë, nga treva të Jugut, për të shitur fruta, perime e mallra të tjerë.Nëpër stacion nuk mund të lëvizje asnjë hap.Lumë njerëzish ; me arka, kosha, karroca dore etj etj.Aty pashë njerëz mjeranë, të ngrysur e të mavijosur nga të ftohtit, të pistë e të veshur keq, të parruar e pa pikën e humorit.Ata qendronin, ku të mundnin e si të mundnin, të mbështetur pas njëri- tjetrit . Dukeshin të mjeruar e të braktisur. Shunica e tyre ishin gra e vajza . I pashë ashtu, si të egër e pa dinjitet, siç i kam njohur dhe m’u dhimbsën shumë.
I vrojtova, në detaje ato pamje të trishta që më kujtuan filmat që kam parë me tematikë nga periudha para Revolucionit të Tetorit 1917.Me qëllim që të mos ngrija nga këmbët e të mos mpihesha, lëviza, aq sa më lejonte vendi. Duke lëvizur nëpër stacion, më tërhoqi vemendjen një mesoburrë, i cili, ishte shtrirë mbi llozhura (plehra) e flinte . Ajo që më habiti, ishte fakti që burri që flinte nuk ishte i pirë.Nuk bëhej fjalë për ajër të pastër e të bollshëm në atë tollovi qënjesh njerëzore të fandaksura. Diçka më të lehtë e kishin çiftet e rinj, të dashuruar, pas njëri – tjetrit . Ata ishin të përqafuar dhe ngroheshin me frymën e shoqi- shoqit. Atë që pashë atë natë ishte tejet fyese, makabre, mizore.Biznesmenin tim, nga lodhja dhe pagjumësia, e kishte mundur drema, mbi çantat që kishim me vete. Unë, si më i rrahur në këto punë, nuk mbylla sy, tërë natën. Mezi prita të zbardhte dita e të shporrej ajo natë e mallkuar, plot ankth e frikë.
Ediejë, 17 tetor 1993.Rreth orës 7.00, u hoq shtetrrethimi e ne na lanë të lirë të qarkullonim nëpër Moskë.Nga tja fillonim ? Kishim fituar “lirinë”e dëshiruar. Si punë të parë, na duhej të gjenim një strehë, ku të shlodheshim pak e mundësisht të dremitnim, pa merak. Kemi udhëtuar 4 ditë e 4 netë; jemi të lodhur, të pagjumë e të pangrënë. Dita, në Moskë u gdhi e ftohtë e ne jemi veshur si në Shqipëri. Në bagazhin tonë ka, kryesisht çanta me sende ushqimore për disa studentë shqiptarë, të cilët studiojnë në Moskë. Me kurajo u futëm në metro. Të paktën atje do të gjenim pak ngrohtësi në krahasim me temperaturat e ulëta që ishin në sipërfaqe.Tregtarë si puna jonë, pa makinë, në këtë qytet gjigand, mund të qarkullojnë vetëm nëpëtmjet metrosë.
Mund të them që, futja jonë në metro ishte një provë serioze, për të eksploruar këtë qytet me përmasa të pakrahasueshme, me një shtrirje rreth 60 km. Metroja e Moskës është një nga më të mëdhatë e më të bukurat në botë.E ka nisur Cari ndërtimin e saj, gati 2 shekuj më parë. Dinamika e ndërtimit të saj është e thjeshtë: rritet qyteti, në sipërfaqe ; zmadhohet dhe metroja, në thellësi . Nuk e njihja këtë metro, mbasi nuk kishja hyrë më parë, brenda saj . Nuk e kishja me vete as hartën e metrosë, pa të cilën, çdo njeri do ta kishte të vështirë të orientohej në ato labirinthe të ngatërruar . Me guxim e kokëkrisje, i mora parasysh rreziqet dhe, së bashku me biznesmenin tim, u futëm brenda. Ca me të lexuar tabelat orientuese e ca me të pyetur ia dolëm mbanë. Kaluam, nga stacioni Kaluzhskaja, ku hymë, në stacionin Akademiskaja, ku dolëm në sipërfaqe. Nga çfarë hulumtova, kur ishja në Tiranë një miku im, ish ushtarak, i cili kishte qenë disa herë në Moskë, më kishte dhënë disa adresa familjesh moskovite, të cilat lëshonin, me qera, për të fjetur, sipërfaqe banimi. Njëra nga adresat ishte në shëtitoren “Lenin “, pallati Nr 48. E zonja e shtëpisë quhej Julia Ivanovna dhe banonte në katin e 7 të.
Pallati ishte masiv, në formën e shkronjës L, me tetë shkallë.M’u desh të ngjitesha tetë herë, në katin e shtatë, pa ashensor.U lodha e u këputa. I rashë ziles në dhjetra familje por asnjeri nuk ma hapi derën.Moskovitët janë të tromaksur ; nga frika e krimit, kundër jetës së personit dhe nga grabitjet. Sidomos, janë të frikësuar nga banorët e trevave të Jugut; çeçenë e azerë. Në mjaft raste, kur i bija ziles, në vend të njeriut, më përgjigjej qeni i shtëpisë. Qentë roja, të cilët, mbahen prej moskovitëve brenda apartamenteve të banimit, janë të rracave me trup të madh e të fuqishëm dhe mjaft të egër. Po të afrohesh tek dera e apartamentit, egërsia dhe agresiviteti i tyre shtohet ; kur ata dalin në shëtitje, janë të qetë e mund të luash me ta .Banorët e Moskës dhe të qyteteve të tjerë të Rusisë, ruajtjen e apartamenteve të banimit ua besojnë qenve të tyre, si ujqër ose tip “Lajka”.
I bija ziles së derës, në çdo apartament dhe pyesja: “ A banon këtu, Julia Ivanovna”? Familjarët që ndodheshin në banesë, i përgjigjeshin shkurt e qartë pyetjes time me një “jo”, të prerë.Edhe kjo përgjigje, për mua ishte e qartë, për të kuptuar se, në shpirtin rus, diçka kishte ndryshuar, për të keq.Unë jetoj me përshtypjen e viteve ‘60 të të shekullit të shkuar, kur e shkela tokën Ruse për herë të parë.Në ato vite, po të pyesje një rus të panjohur, për diçka, ai të fuste dorën e nuk të ndahej, pa u bindur se e kishje të qartë përgjigjen e tij . Në mjaft raste, kjo më ka ndodhur personalisht dhe e ruaj si përvojë timen.Harroj që kanë kaluar, jo pak, por 34 vjet, e ata kanë bërë punën e tyre.Ndryshimet që kanë ndodhur në këta vite, e paskan “vrarë” shpirtin rus. Sa keq më vjen, për këtë tjetërsim të atyre njerëzve bujarë. Para 34 vitesh, i kam lënë tjetër e tani po i gjej ndryshe . Tek ata ka ndodhur një metamorfozë e pa konceptueshme, në kahje të kundërt. E them hapët: Në qoftë se erdha, në Rusi, me mall, ky mall, para së gjithash, ishte mall, për ata njerëz . U befasova e u pezmatova njëkohësisht kur gjeta tjeter situatë.Nuk e prisja të gjeja atë që nuk e dëshiroja kurrsesi.Rusët, në veçanti femrat, ishin, të dashur, të çiltër, madje pak naivë, të hapët e dashamirë, me shpirt komunitar, në vitet e rinisë time; tani i gjeta ndryshe . Thuajse nuk ishin ata njerëz, të cilët të afronin, pa hezitim në shoqërinë e tyre, e të bënin vend edhe në familje .Pas kaq vitesh i shikoj të zymtë, të vrazhdët, të paduruar e nervozë.Këtë zymtësi e indiferencë e ndesh kudo e kjo, mua më bën mjaft përshtypje.
Biznesmeni, i lodhur e i pagjumë, i zgjuari natyral, çoban i dhive, me të gjitha çantat që na morën shpirtin, në çdo hap, ishte strukur, në vetmi, në një qoshe të shkallëve të një banese shumëkatëshe .Po rrinte urtë e ngrohtë.Ishte i veshur, vetëm me kostumin tim dhe nuk e kishte të lehtë të qarkullonte në rrugët e qytetit Verior rus, ku ajri i ftohtë i Polit të Veriut, po afrohej dalëngadalë.U lodha e u këputa, nga ngjitje – zbritjet nëpër katet pallatit me numër 48, por Julia Ivanovnën nuk e gjeta.Me vete kishja numërin e telefonit të saj. I telefonova, nga rruga, por, në anën tjetër të linjës nuk u përgjigj njeri.U konsultova me biznesmenin tim, dhe, së bashku vendosëm të shkonim në ndonjë hotel, të lirë, për t’u ngrohur pak e për t’u shlodhur. Më i afërmi, në sheshin “Kalluzhskaja” ku ndodheshim, ishte hoteli “Akademik”. Hymë në holl e u afrova pranë sportelistes. Sportelistja, një femër e re, e bukur dhe e mbajtur mirë, me sjellje adeguate, më priti njerëzishëm, por kërkesës time për t’u sistemuar aty ajo iu përgjigj prerë: Jo. Kur e pyeta për të mësuar përse na refuzojnë ; ajo, përsëri, me mirësjellje, më sqaroi se kërkohet të paraqesim një garanci, nga firma tregtare që na ka ftuar, ose nga Ambasada e vendit tonë, në Federatën Ruse. As njërën, as tjetrën, nuk i kishim.Me firmën “ Traktoreksport” të Moskës, nuk jemi lidhur akoma dhe e kemi të vështirë të komunikojmë, nëpërmjet telefonit. Kërkuam e mezi gjetëm Ambasadën tonë, në Moskë. Selia e Ambasadës ndodhet në një apartament banimi, brenda një ndërtese shumëkatëshe në sheshin “Oktjabrskaja”. Ata që pyetëm nuk e dinë fare vendndodhjen e saj.Për fatin tonë të mirë e të mbrapshtë, takova vetë ambasadorin.Diplomati i Parë, përfaqësues i shtetit tonë, me detyra për të përkrahur e ndihmuar qytetarët e vendit të tij, kur i kërkova një firmë, si biçim garancie, që të na regjistrojnë në hotel, u përgjigj:” Ma ka ndaluar Ministri im”! Sikur më ra qielli moskovit, mbi kokë.Nuk e përfytyroja një përgjigje si kjo që mora prej tij . NJë si lëmsh i madh m’u mblodh në zemër.Kush ka qenë jashtë shtetit, patjetër që e ka provuar gëzimin që ndjen, kur, në dhe të huaj, takon një njeri, i cili flet gjuhën e nënës së tij. I shkuam ambasadorit, me shpresë se do të gjenim mbështetje e ngrohtësi, por ai na priti ftohtë, si ajri polar që po afrohet dhe na tregoi rrugën e madhe. Por, rrugët e këtij qyteti janë të ftohta e të rrezikshme. Po ta dinin huliganët rusë, se ne kishim aq para me vete, mesiguri që do ta kishim paguar shtrenjtë aventurën tonë kryeneçe.
Përsëri shpresa “të vrara”.Shpirti i mirë, njerëzor, nuk qenkas arratisur vetëm nga rusët. Paska dhe shqiptarë, madje ambasadorë, burra shteti, të cilët, në vend të zemrës, kanë një copë gur.Paçin syfetin (fytyrën) e tyre.Diplomatit shqiptar, në Moskë, nuk ja mësova e nuk ja mbaj mend emrin . Më mirë që nuk ja di emrin, atij farë diplomati, i cili nuk e meriton as të kullotë dhitë e biznesmenit tim, në Kalivaç të Tepelenës. Ndryshuam mendim, të detyruar nga rrethanat . Kishim adresën e disa arsimtarëve nga Shqipëria, të cilët kishin shkuar në Moskë, për t’u kualifikuar si rusishtfolës. Ata, studionin e banonin në Universitetin që mban emrin e të madhit A.S. Pushkin. Për njerën nga mësueset, Liljanën e cila është gruaja e shokut tim Mane Hoxha, kemi një pako, me fasule ; kurse për Violetën -250 :S. Sipas adresës, jo pa peripecitë e njohura, të udhëtimit në një qytet gjigand, të panjohur, gjetëm Universitetin “P ushkin” dhe takuam arsimtarët shqiptarë. Ata, u gëzuan e na pritën, me dashuri por nuk na ndihmonin dot që të strehoheshim në konviktin e tyre, ku çmimi, për një natë ishte 5 S për një njeri, në krahasim me 70 S që kushtonte, një natë, në hotelin: “Akademik”. Sportelistet, dy gra me moshë mesatare, të cilat nuk e tregonin moshën, na vunë përpara alternativën: Pa firmën e drejtorit të institucionit, nuk mund të na strehonin në atë universitet. Përsëri pengesë. Siç thotë populli ynë :”Paskemi qimen e derrit”!
Ishte ditë e djelë ; drejtori nuk ndodhej në universitet ; as zëvëndësi i tij, kështuqë firmosja ishte praktikisht e pamundur. Qendruam në korridorin e hotelit universitar, të strukur nëpër stola, e të kërcënuar nga të ftohtit. Hëngrëm çfarë kishim me vete por nuk u ngopëm e nuk u ngrohëm. Dy gratë sporteliste, në një kthinë rrethuar nga xhamat transparentë, na vrojtonin parreshtur, me një farë kurioziteti e me keqardhje. U dergjëm, në atë tip holli, përballë vrojtimit të grave ruse, deri në orën 22.00.Mbasi sportelistet u bindën se ne ishim “hallexhinj” e nuk kishim qëllime të këqija, u erdhi keq, prandaj na strehuan, vetëm për një natë, në një dhomë, në katin e 14 të godinës universitare. Dhoma jonë ishte për dy vetë, por në të njëjtën hyrje banonin disa studentë mongolë.Studentët shqiptarë, shumica femra, atë natë nuk na lanë të flinim në dhomën ku na caktuan sportelistet . Ato na liruan dhomën ku ishin sistemuar, në katin e 12, e ne fjetëm në krevatët e tyre.Në aventurën tonë moskovite, na shoqëroi një mësues nga fshati Kashisht i Tepelenës, i gjate, i thatë, biond si vendasit, mësues me emër në Tepelenë. Ky njeri ishte tip i ngjitur. Ai na u qep e nuk na u nda, 10 ditë radhazi. Hëngri e piu, nga paratë tona, të tre vakt editës, bëri dhe fotografi, qelepir (pa futur dorën në xhep), me një çmim fantastik prej 1500 rubla copën, e, më në fund na kërkoi ta shpërblenim, për shërbimin që na bëri, me 80 S. Ai ishte një mashtrues ordiner, i pafytyrë që hiqej si dashamirës.
E hënë, 18 tetor 1993.U mundova të lidhesha me firmën moskovite “Traktoreksport”, e cila na kishte ftuar për të blerë traktorë, por që nuk na priti. Të jetë një keqkuptim i rëndomtë apo një rastësi fatkeqe? As njëra ; as tjetra. Edhe në Federatën Ruse, kishte nisur “çthurja e çorapit”. Traktorët “Belarus “, të cilët ne synonim të blinim, prodhohen në Bjellorusi dhe tregtohen nga firmat vendase . “ Traktoreksporti “, që dikur tregtonte këto makineri, tashmë kishte dalë jashtë loje; Biellorusia, si mjaft ishrepublika sovjetike kishte dalë s shtet më vete. Vështirësitë, na shoqëruan në çdo hap. Nuk na u ndanë kusuret (telashet).Në Moskë është bërë i vështirë komunikimi telefonik. Disa taksofonë janë prishur, të tjerë s’kanë sinjal. Ne, në Shqipëri, kur duam të themi se është rrëmujë, kemi gjetur një fjalë të vetme: rrumpallë, e cila e jep, të plotë kuptimin e asaj që duam të theksojmë.Ka dhe një vështirësi tjetër: monedhat, me të cilat përdoret taksofoni, në Moskë gjenden me vështirësi.Umundova, gjithë ditën, për tu lidhut në telefon, por ishte e pamundur. U detyrova të bëj telegram, në njësinë postare më të afërt, e cila e kishte emrin: “Jugozapad” dhe ndodhej pranë fshatit olimpik.Kësisoj kaloi dhe një ditë, kot. Patëm fitim që u përshtatëm me metronë dhe me rrugët e qendrës së Moskës.
E martë, 19 tetor 1993.Herët, në mëngjes, shkuam në Ambasadën e Shqipërisë, në Federatën Ruse. Cuam paratë dhe pakon që kishim sjellë për studenten Mimoza Kondo, të bijën e Elhamit e të Zyhrasë. Të dy i kam njohur, në punë të përbashkët.Mimoza studion për diplomaci dhe është vajzë shumë e mirë . Pakon dhe paratë ia dorzova një punonjësi të ambasadës, me emrin Islam, i cili ishte me origjinë nga Tropoja.Islami më ndihmoi të lidhesha me firmën moskovite “Traktoreksport”. Për të më rrefyer udhën, deri tek firma, në ambasadën tonë erdhi një inxhenier, nga stafi i firmës që na ka ftuar . Gjeta selinë e firmës por nuk u angazhova në proçes mbasi drejtuesit e saj ishin të zënë me një delegacion tregtar tjetër. Edhe dita e sotme na kaloi kot. Pamë Sheshin e Kuq, bëmë fotografi dhe brodhëm nëpër dyqanë.
E mërkurrë, 20 tetor 1993.Në orën 10.00, filluam bisedimet dypalëshe, me përfaqësuesit e firmës tregtare moskovite: “Traktoreksport”. Na priti drejtori i seksionit: “Dortrakt”- Jurij Fomiçov dhe ndihmësit e tij.”Ekipi “ ynë përfaqësues përbëhej nga biznesmeni, në cilësinë e presidentit të firmës dhe unë, me detrën e përkthyesit. Siç kanë thënë dikur, në Kalivaç, “si Trakua me Nanon”, dy myteberë (personazhe stigmatizues), që përdoreshin për të ironizuar dikë.Në bisedime, rusët ishin seriozë e komunikonin sipas rregullave të etikës ; ne të dy, bisedonim :kot më kot. U shtirëm sikur përfaqësonim një firmë të fuqishme tregtare që operonte në Kesh.Inxhenieri që na shoqëronte, na priu . Ai na hapte dyert e sillej kundrejt nesh, me shumë nderim.
Në qendër të bisedimeve ishte blerja e traktorëve. Në këtë çështje kishte një paradoks. Qendra e firmës tregtare e kishte selinë në Moskë, kurse traktorët me goma prodhohen e tregtohen nga Biellorusia ; disa të tjerë prodhohen në Harkov e tregtohen prej firmave ukrainase. Rusëve u ka mbetur vetëm uzina e prodhimit të traktorëve, me zinxhirë, me qëndër në Caricin, Stalingradi i dikurshëm.Na paraqitën një traktor, me zinxhirë, të sofistikuar, i cili kushton 12000 dollarë, për copë. Ky çmim, për ne është i papranueshëm e i pa përballueshëm për xhepat e shqiptarëve. Në Shqipëri, një traktor të tillë, nuk e blen asnjeri. Atëherë ata na rekomanduan të blejmë traktorë “Belarus”, me goma, në Greqi ose në Bullgari. Në këta dy vende, traktorët tregtohen prej firmave tregtare të ndërmjetme dhe, siç mund të kuptohet, me çmime të kripura.
U tërhoqëm në një sallë tjetër, për të biseduar, lidhur me blerjen e autokombajnave. Na propozuan dhe makineri për të mbledhur gurët, nga fusha si dhedo ë bisedonim për të blerë pompa për ujitje, me karburant.Autokombajna, më e mirë, që na propozuan ishte e markës “Don “ dhe prodhohej në qytetin e Rostovit mbi Don, atje ku unë kam mësuar fluturimin.Makineria e këtij tipi autokombajne kushton, në uzinë, 30-40.000 dollarë copa.Na rekomanduan dhe autokombajna të tjera, të tipit “ Dniepër”, më të lehta e më pak të kushtueshme . Çmimi i tyre, në uzinë është 20.000 dollarë copa.Edhe sikur ti blejmë autokombajnat, problemi më i vështirë është transportimi i tyre. E diskutuam gjatë problemin e transportimit të autokombajnave, por nuk konkluduam, asgjë. Gabaritet e autokombajnave janë të mëdha e urat mbi lumenjte nga do të kalojnë nuk i kanë kapacitetet bartëse. Dikush propozoi të transportohen me rrugë tokësore, me motorrët e tyre ; disa të tjerë ishin të mendimit që transportimi të kryhet në kuvertën e ndonjë anijeje oqeanike, të tretë ishin të mendimit të transportohen, me pjesë, në rrugë tokësore, duke patur parasysh kapacitetin bartës të urave mbi lumin Danub.
Biseduam dhe për të blerë pompa për ujitje. Specialisti me emrin Oleg, një matrapaz i vërtetë, na propozoi një pompë të markës “neptun”, me të dhëna teknike shumë të mia e me çmim të pranueshëm, 80 dollarë, për copë.I pranuam kushtet dhe kërkuam të firmosim marrëveshjen për të blerë 200 pompa të tilla. Olegu, si pehlivan që është, na e shtyu bisedën, për nesër, me qëllim që të ketë mundësi të lidhet me uzinën e prodhimit, e cila ndodhet diku larg, në Veri të Rusisë, në rajonet ku banojnë eskimezë. Uzina e prodhimit të pompave të tilla, na bëri me dije punonjësi i firmës moskovite është ushtarake. Ramë dakort, pa lëkundje, për ti blerë këto pompa, të ndikuar dhe nga fakti që malli ushtarak, i prodhuar në Rusi është i fortë e i sigurtë.Mbasdreke dolëm nëpër Moskë, në shoqërinë e mësuesit nga Kashishti i Tepelenës.Bëmë fotografi, në Kremlin e në Sheshin e Kuq.
Eenjte, 21 tetor 1993.Përsëri takime e bisedime në firmën moskovite “Traktoreksport”.Në seksionin e pompave të ujitjes, u ndodhëm përpara një të papriture jo të këndshme . Zoti Oleg, brenda natës e kishte ngritur çmimin e një pompe uji, nga 80 në 100 dollarë, për copë.Edhe me këtë çmim, ne pranuam ta blejmë sasinë që vendosëm, dje(200 copë). I vënë përpara asaj që nuk e priste (pranimit nga ana jonë) Olegu përsëri manovroi, me shkathtësi. Ai deklaroi se :” Do ta preçizojmë nesër çmimine pompave”. NJë dredhi e djallëzuar tregtare; e pandershme.
Të mërzitur që dolëm “huq” me blerjet tek firma që tregton makineri bujqësore, shkuam në Ambasadë, për të kërkuar ndonjë variant tjetër.Këshilltari tregtar i Ambasadës, një tip matrapazi, i cili shfrytëzonte dhe ripte tregtarët që shkonin nga Shqipëria, në Rusi, më rekomandoi të bashkpunoj me një grua, e cila siç tha ai:” Eshtë gruaja më e fortë në Rusi”. Siç mësova më vonë, ajo grua, me origjinë çifute ishte e dashura e Jelcinit, Presidentit të Federatës Ruse.Ajo zotëronte një uzinë detergjentësh, në Moskë.Këshilltari ekonimik i Ambasadës, në atë kohë luante rolin e sekserit të saj dhe merrte përqindje nga shitja e mallit.NJë punonjës i ambasadës tonë (shofer), i ngjallur, nga Sauku, na mbajti për drekë.E shoqja, një gruae re, shtatzënë, ishte e bija e kryetarit të këshillit të Saukut, të cilin e njoh qyshse ka qenë shitës, në Farkë.
Në çastin kur dolëm nga Ambasada jonë në Moskë, në rrugën “Mutnaja”, u ndodha përpara një të papriture të këndshme. Në trotuarin përballë, vura re dy burra. Njëri ishte pak ezmer dhe kishte veshur një xhup lëkure, të zi. E njoha ; ishte nipi im, Sami Mehmet Nelaj . Ai ishte oficer policie, në Berat dhe kishte ardhur si shoqërues dhe shofer, me një tregtar nga Berati, i cili quhej Agim . Tregtari beratas do të blinte një kamion frigorifer, të tipit” Kamaz”, të cilin do ta guidonte për në Shqipëri, Samiu. U gëzuam, pa masë, të dy, dhe “uruam” orën e mirë që na bëri bashkë. Hëngrëm drekë, së bashku, shëtitëm nëpër Moskë dhe bëmë fotografi, në Sheshin e Kuq. Samiu, së bashku me biznesmenin e tij fjetën në një shtëpi private, familja e së cilës jepte dhoma me qera, për 5 dollarë, natën.Jemi nga Kalivaçi i Tepelenës ; si unë dhe Samiu e biznesmeni dhe kur takohen tre lebër ia marrin këngës labçe. Kështu bëmë edhe ne ; ia ç’kulëm labçe vënçe e ku ? në qendër të Moskës. Agimi, nga Berati, s’kishte nga tja mbante, u bashkua me grupin tonë” polifonik” dhe mbajti iso. Kënga na vate “gjym”. Kalimtarët e rastit kthenin kokën, të habitur . Ndoshta na kanë marrë për të çmendur? Por neve, aq na bënte ! Ia bëmë qejfin vetes dhe njëri- tjetrit.
E premte, 22 tetor 1993.Në Moskë ra dëbora e parë . Vendasit janë të familjarizuar me dëborën, prandaj nuk u bën përshtypje. Ne, Jugorët, si ata shpendët shtegtarë që kanë ardhur nga vende të nxehta e papritur ranë në ftohtësirë, strukeshim ku e si të mundnim, brenda ndërtesave, me ngrohje të centralizuar. Ka nisur të bëjë ftohët e ne jemi të veshur beharishto. Në Moskë, ndërtesat publike e jo vetëm, kanë ngrohje, me gaz. Ne gjenim ngrohtësi brenda tyre, prandaj dilnim në rrugë, vetëm kur e kishim të domosdoshme.Dëbora që ra dhe të ftohtit, na vunë përpara vështirësive të reja.Meqënëse nuk kishim veturë, ishim të detyruar të ecnim, në këmbë, disa orë në ditë.Në njërën nga këto ecje, njëra nga këpucët, që kishja mbathur, u ça.Dëbora e parë, akoma nuk kishte ngrirë dhe në rrugë kishte ujë (dëborë e shkrirë). Këpuca ime, e çarë, nisi të fuste ujë e uji ishte i ftohët, si dëbora që binte. Në Moskë, riparimi i këpucëve kushton shumë para. NJë riparim i thjeshtë këpucësh, këtu kushton, të paktën 300 rubla. Të reja nuk mund të blija, mbasi ato kushtojnë, të paktën 30.000 rubla.
Dëbora e parë dhe ajo valë të ftohti që pasoi, bëri që edhe në trup të kishim ftohtë.Ishim të veshur lehtë, të dy . NJë pardesy e hollë që kishja veshur, nuk më ngrohte, edhe pse nën të kishja veshur triko. Biznesmeni ishte i veshur edhe më keq. Ai ishte me kostum, pa xhup e pa pallto. Për t’u ngrohur e për të kursyer paratë, ishim të detyruar të udhëtonim nëpërmjet metrosë . Metroja, në Moskë është një lloj strehe varfërore. Mirëpo, të keqen e kishja mbasi hyja në metro e kur dilja prej saj . Rruga nga stacioni fundor i metrosë (Kalluzhskaja) deri në Universitetin “Pushkin “, ku banonim, të cilën e përshkonim në këmbë, ishte rreth 20 minuta . Dëbora që binte, më mbushte flokët, si një kapuç, i bardhë . Me të hyrë në metro, për shkak të diferencës së temperaturës(në metro ishte më ngrohtë se në rrugë), dëbora shkrinte, nga koka ime e më kullonte ujë, i ftohtë, në trup. U plevitosa, prej kësaj “shakaje “që bënte dimri rus, me mua.Kapele nuk kishja e nuk mund të blija . U futa në një dyqan ku sendet shiteshin me çmime të lira, pyeta: sa kushtonte një kapele e thjeshtë, dhe kur shitësja më kërkoi 100 rubla, Ia shkela vrapit. Shtrenjtë, shumë shtrenjtë, për xhepat e mi.Në një farë mënyre u futa në lojën që praktikojnë fëmijët, tek ne: “Ngriva ; shkriva” ! Koka ime, herë ngrinte e herë kullonte ujë. E pësova nga kjo lojë: u ftoha nga rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Qeshë me fat, mbasi nuk m’u rrit temperatura e trupit.
Sot bëmë orvatje për të zgjatur afatin e vizës ruse. Afati i qendrimit tonë, në tokën ruse, po mbaronte kurse ne nuk kemi mbaruar punë . Sipas rregullave, na duhet të zgjatim afatin e qendrimit në Moskë . Kjo punë nuk qe fort e lehtë. Duhet të ndërmjetësonte firma vendase, me të cilën punonim.Përsëri “ na u gjend “ zoti Oleg .Me makinën e tij na çoi në selinë e firmës, ku morëm një shkresë të domosdoshme dhe pastaj na çoi në zyrën ku zgjatej afati i vizave . Tentativa jonë e parë, nuk na buzëqeshi . U kthyem turinjvarur në qendër të Moskës, prej nga mund të orientoheshim më lehtë. Kur u ndamë nga zoti Oleg, i ofruam, si shpërblim, për transportin, 10 dollarë por ai nuk i pranoi paratë tona .Siç duket, tek” matrapazi” ynë, ishte zgjuar geni i bujarisë.
E shtunë, 23 tetor 1993.Natën ka rënë dëborë e mëngjesi u gdhi shumë i ftohtë.Rusët, sot e kanë ditë pushimi e nuk punojnë.”E shtymë “kohën, duke frekuentuar dyqanët e shumtë . Kryesisht për të parë e më pak si blerës.Shkuam deri tek “Shtëpia e Bardhë” (kështu quhet ndërtesa e Parlamentit të Federatës Ruse). Tani ajo është nxirë. Gjurmët e zeza të predhave, me të cilat është bombarduar, në kohën e revoltave që synonin përmbysjen, me dhunë të pushtetit, dukeshin qartë, sapo dilje mbi urën “Borodinskaja “, pranë stacionit hekurudhor Kievskij vokzall.Godinën e bardhë të Parlamentit, mbasi e kanë bombarduar, kanë nisur ta pastrojnë, nga mbetjet e vandalizmit e kanë nisur ta riparojnë.Tamam siç veprojmë ne kur presim sa te asfaltohet një rrugë, për të hapur kanale, sipër saj. Për riparimin e godinës, çdo ditë punojnë 8000 vetë. Rusët, për këtë qëllim kanë marrë specialistë nga Turqia.Në anën e mbrapshme të ndërtesës, aty ku janë vrarë dhjetra njerëz të pafajshëm, si” mish për top “, më zuri syri murana, të ngritura nga qytetarët, për njerëzit e tyre të vrarë dhe mjaft varre të freskët. Mbi çdo varr e muranë ishin vendosur kryqe, lule, fotografi e afishe. Njerëz të ndryshëm mbanin fjalime e bënin pelegrinazh, 24 orë, pa ndërprerje.
Mbi urën e “Borodinos”, një çift fotografësh, me moshë mbi 60 vjeç, bënin fotografi, për kalimtarët, në mënyrë të fshehtë. Në atë kohë ishte e ndaluar të fotografoje mbi urë, sidomos në drejtimin e godinës së Parlamentit.U afrova (kalimi i këmbësorëve, mbi urë lejohej) pranë çiftit, hyra në bisedë me ta dhe dola “i njohur”.Burri, kishte studiuar për sinoptikë e kishte shërbyer, në ushtri, si sinoptikan. Atij i kishte dhënë mësim, kapiten Kaçamirovskij, i cili më kishte dhënë mësim edhe mua, në vitin 1961, në Batajsk.Pensionisti kishte mendim mjaft pozotiv për mësuesin e përbashkët dhe kishte simpati, për Shqipërinë e për shqiptarët. Kur ma tha këtë, m’u bë qejfi e, siç e kemi ne shqiptarët, m’u hap goja, për të kërkuar ndonjë favor.I kërkova të më bënte fotografi, me përmasa kartoline, mbi urë, por me kusht që, në sfond të dukej ndërtesa e Parlamentit të bombarduar.Bënte mjaft ftohtë e mbi urë të thante era. Fotografi, me shpejtësi e në fshehtësi më fotografoi e më orientoi ta futja foton e çastit që më bëri, në gji, për të bërë qartësimin e figurës, nëpërmjet ngrohtësisë të trupit. E falenderova çiftin fotograf, pagova paratë dhe u largova, i kënaqur . Në atë foto duken qartë paturat e dritareve të bombarduara, të paprishura, dëshmi se goditja është realizuar me armë të preçizionit të lartë, të sofistikuara.
Duke “bredhur “ nëpër qendrën e Moskës, pranë teatrit “Bolshoj”, tek një kryqëzim rruge, dëbora e re kishte mbuluar vijat e bardha, të trafikut. Më duhej të kaloja në anën tjetër të rrugës, u futa në radhë pas qytetarëve rusë, të cilët bënin të njëjtën gjë. Nga e djathta, papritur, më afrohet, në pikë të vrapit, një oficer policie, i veshur me xhup të trashë e me një kokore dimri, në kokë. Oficeri më doli përpara, më nderoi ushtarakisht dhe më kërkoi dokumentet . Ishja në njëshkolonë, pas qytetarëve të tjerë ; polici vetëm mua m’u drejtua . Nxorra pasaportën e ia zgjata. Kur lexoi, në pasaportë kombësinë time, tha: “ Kështu kalon dhe në vendin tënd “? Nuk u ndieva, mbasi kishja drojë se mos më merrte pasaportën, e vinte re që viza më kishte skaduar. “ Ke shkelur rregullat prandaj do të gjobitesh “, tha oficeri i policisë . “ Tak toçno “ (në kuptimin: si urdhëron), u përgjigja unë . Shtetari, më preu kuponin e gjobës, i dhashë 800 rubla, e nuk u ndjeva. Po të kishja kundërshtuar, mesiguri do të kishja përfunduar në polici, ku do të më kontrollonin, do të më gjenin tërë ato para që kishja me vete dhe një zot e di si do të zhvillohej situata më tej.
E dielë, 24 tetor 1993.Vazhdon të bjerë dëborë e bën shumë ftohtë.Sot, biznesmeni bleu një xhup, të prodhimit polak, me pupla . Me atë xhup dhe me ato që kishte veshur brenda tij, miku im nuk qe keq. Unë jam i veshur hollë e kam shumë ftohët.Meqënëse anë e mbanë ka rënë bardhësia, për ta patur si kujtim, bëmë një fotografi, në SHeshin e Kuq .Meqënëse me firmat tregtate, sot nuk mund të punojmë, se është ditë pushimi, e përcpllëm një pjesë të paraditës duke vizituar Maozoleun e Vladimir Iliç Leninit. Maozoleu ndodhet në qoshe të Sheshit të kuq, pranë Kremlinit. Sheshi rreth e qark është i rrethuar nga kisha, të moçme, të larta e mjaft të bukura. Në anën Lindore të sheshit, një kishë është në restaurim. Për të hyrë në Maozoleumin e Leninit kishte radhë të gjatë. Eshtë përhapur thashethemi se, së afërmi Iliçin do ta heqin nga Maozoleumi e do ta varrosin në Leningrad, në qytetin e tij të lindjes.Prandaj njerëzit, vendas emjaft të ardhur nxitojnë për ta parë atë .Më parë, në hyrje të Maozoleumit bënin roja nderi ushtarë ; tashmë i kanë larguar e në vend të tyre bëjnë roja oficerë, por vetëm në ambjentet e brendshme të godinës ku ruhet VILenini.Trupin e shokut të tij të Revolucionit të Tetorit, JVStalinit, tashmë e kanë hequr nga maozoleumi dhe e kanë djegur.Leninin e pashë, me vemendje të veçantë, e nderova, me grusht e me zemër, si gjeni të revolucionit proletar e teoricien i shquar marksist. Pashë që fytyra e tij nuk ishte prishur; ai dukej sikur ishte në gjumë.Ishja së bashku me mikun tim. Ai më ndiqte, në heshtje e bënte siç bëja unë.
Dolëm jashtë dhe bëmë një xhiro rreth Murit të Kremlinit.Pamë bustet e shumë udhëheqësve ushtarakë e shtetërorë, të kohëve të ndryshme. Në radhën e udhëheqëave rusë, nuk më zuri syri bustin e Hrushovit e të Brezhnievit. Vetëm tek busti i JVStalinit vizitorët kishin vendosur lule të freskëta.
E hënë, 25 tetor 1993.Me rekomandimin e Viktorit, përfaqësuesit tregtar të Ambasadës Shqiptare, në Moskë, shkova për të takuar atë “gruan e fortë” e cila quhej Galina Baumel, me origjinë çifute, pronare e një fabrike detergjentësh, në Moskë.Thonë që kjo tregtare çifute, është mikeshë e Presidentit të Federatës Ruse Boris Jelcin. Siç duket Galina ishte njoftuar, nga sekseri i saj (Viktori), mbasi, kur shkova në selinë e firmës, ajo kishte dalë, për të më pritur, në hyrje të ndërmarrjes të saj.Uprezantua, e para . Ishte një femër e bukur, me moshë rreth të tridhjetave, me shtat mesatar, e veshur shik, siç dinë të vishen gratë moskovite, me një sjellje delikate, gjithë finesë e koketë.Më udhëhoqi për në ambientet e firmës, diku në qendër të ndërmarrjes . Hyra atje ku më drejtoi Galina, në zyrat e uzinës të detergjenteve. Ambientet ishin të vogla, por të pajisura mjaft mirë dhe të pastra.
U ula pranë një tavoline luksoze, në një zyrë, që të jepte përshtypjen se ishte zyrë “shefi” të rëndësishëm.Në administratën e firmës punonin disa vajza të reja, mjaft të bukura, të veshura “shik”, me çisme lëkure e minifunde, të cilat kalonin para derës të hapur të zyrës ku qendroja unë, sikur të ishin në një paradë mode. Njëra prej tyre, një bukuri e rrallë moskovite, më serviri kafenë, të shoqëruar me biskotë. E falenderova vajzën dhe e piva kafen, me shije . Kafja ekspres ishte me shijën e kafes që bëhet në lokalet më të mirë të Tiranës. Pas pak, në zyrë erdhi Galina, ashtu si vajzat që shërbenin në ato mjedise, edhe ajo nuk i kursente buzëqeshjet . Kur qeshte, sikur i shtohej nuri e bëhej më simpatike.Prapa syzeve të miopit dukeshin dy sy, të zes, të një njeriu të zgjuar. Gala ishte mjaft e zgjuar dhe e shkathët. Biseduam për tregtinë që mund të bënim, së bashku. Gjatë bisedës, çifutja e mprehtë, i kishte “ padoganë “ lajkat dhe “furçat”, për të më tërhequr në tregti.
Galina është gruaja e një tregtari moskovit, me origjinë çifute, i cili quhet Semjon Baumel . Ai, aktualisht ndodhet në Poloni, ku ka shkuar për të firmosur një kontratë shitje detergjentësh.Galina ka qenë në Shqipëri dhe ka ikur andej, me përshtypje të mira për shqiptarët. Qendrova 3-4 orë në zyrën e Galinës, piva edhe një kafe, me biskota e pastaj gruaja e shkathët më përcolli tek porta e uzinës, atje ku më priti. U ndamë, me premtimin se do të takohemi e do te bisedojmë konkretisht, për të hartuar një kontratë të mundëshme, nesër, në të njëjtën orë.U largova nga firma e saj, pa entusiazmë . Çmimet e detergjentëve janë mjaft të larta, për xhepat tanë, si tregtarë dhe për këllqet e shqiptarëve të varfër.
E martë, 26 tetor 1993. Përsëri në zyrën e çifutes Galina Baumel. Ashtu si një ditë më parë, sapo u ula, më erdhi kafja, e shoqëruar me biskota. Me “shefen “ e firmës “baumel” përballë, nisa bisedimet . Folëm konkretisht, për mallrat e për çmimet e tyre. Firma bën tregti, me Belgjikën, Austrinë, Holandën etj . vende të Europës Perëndimore . Me çmimet që shet kjo firmë, në vendet e tjera, ne asqë mund të afrohemi. I kërkova fletore shkolle, në sasi rreth 200000 copë. Ajo më dha çmimin 0.43 cent, për një copë. U habita. Në tregun e lirë të Moskës, unë i kishja gjetur fletoret, të njëjta, me çmimin 24 rubla, për copë(një çmim më i ulët nga ai që më ofroi çifutja). Kur ia thashë këtë bashkbisedueses, ajo u zu ngushtë e nuk dinte si të dilte nga situata. Nisi të justifikohej, me çmimin e lartë të transportimit, nga prodhimi në depo, me çmimin e magazinimit të mallit etj. “dokërra hiri”.
E pashë qartë që partnerja ime simpatike, meqënëse kishte informacion që ne paguajmë me para në dorë dhe me dollarë amerikanë, donte të më ripte.I trembesha shumë ndonjë kurthi të tipit mafioz.Nxitova të largohesha nga ajo ndërmarrje enigmatike. E përshëndeta dhe e falenderova pronaren e detergjentëve, me njerrëzillëk, për gatishmërinë që tregoi e i premtova se do të kthehem për të vijuar bisedimet sapo të kthehet i shoqi, Semjoni, nga Polonia. Ajo më dha adresën e shtëpisë të tyre dhe numërin e telefonit të familjes. Dola nga zyra e saj, nuk e lashë as të më përcillte. Ja dhe një zhgënjim tjetër, i radhës, mendova, me vete. Ika shpejt nga kjo “fole grerëzash”, me frikën e ndonjë veprimi grabitqar, për të cilët vendasit janë të specializuar, me objekt rrëmbimin e parave që mbanim me vete.
Sot, biznesmenin tim e lashë në shoqërinë e mësuesit nga Kashishti i Tepelenës. Ata kanë bërë një punë mjaft të mirë e të dobishme;ata kanë shtyrë afatin e vizës ruse, edhe për dy javë të tjera. Ky njoftim më gëzoi e më qetësoi goxha.Do të qendronim në kryeqytetin rus, tashmë legalë, me një leje qendrimi të rregullt e nuk do të nguteshim në veprimet tona të biznesit.
E mërkurrë, 27 tetor 1993.Sot, me rekomandimin e përfaqësuesit tregtar të Ambasadës tonë, në Moskë, në stacionin e trenave, që emërtohet “ Oktjabrskaja”, diku në qendër të Moskës, u takova me një student shqiptar, i cili ka ardhur në universitet, të mësojë, për diplomaci.Djaloshi, që në prezantimin e parë më dha përshtypjen e një njeriu të zgjuar e të shkathët, por nga ata që nuk hidhen kollaj në xhep . Fliste shumë, hiqej si kompetent e sikur kishte lidhje të ngushta me personalitete të rëndësishëm, në Ambasadën tonë e në dikasteret ruse. Me origjinë ishte nga Kolonja dhe mbante emrin e një planeti. Ai “studion “Në Moskë, për diplomaci, prej 2 vitesh por gjuhën ruse e flet keq sikur të ishte fillestar. Nuk është fjala vetëm për elokuencë në shprehje, por atij i mungonte fjalori dhe në të folur ishte copë-copë.Nga sa kuptova, ai nuk shkonte në mësime por, më shumë shërbente si “karrem” i Ambasadës, për të “peshkuar”tregtarët shqiptarë. Ai ishte i thekur për të rjepur tregtarët shqiptarë ; na zhvati dhe neve.
I kërkova të më çojë deri tek zyrat e një firme tregtare moskovite ku ishte zv/president një femër, me origjinë (nga i ati) shqiptare. Po, e di tha ai e u tregua i gatshëm të më shoqëronte. Për këtë shërbim, sekseri kërkoi 250 dollarë amerikanë. Kuvendova me biznesmenin e ai e pranoi ofertën.Rrugës, për të shkuar në stacionin e metrosë “komsomolskaja” ku kishte selinë firma, e pyeta shoqëruesin tonë:” Cila është tregtarja që na duhet”? “E ka babanë shqiptar “, tha studenti kolonjar. “Tek Liljana Lika, do të na çosh “?- i thashë unë. “Po, tek Liljana “, tha tjetri. “unë e njoh mirë vajzën e Riza Likës, nga Dibra “, i thashë bashkbiseduesit tim. Liljanën e kam takuar 2 herë, në Tiranë, kam pirë kafe me të dhe i kam shërbyer si përkthyes, tek 15 katëshi ; në shtëpinë e Rizait, në rrugën “Fortuzi”, kam takuar dhe burrin e saj.Shkuam në zyrën e Liljana Likës, në katin e tretë të një ndërtese të vjetër, me shkallë druri, por atë nuk e gjetëm në zyrë. Ishte mëngjes e ora shënonte 8.oo, por punonjësit e firmës, akoma nuk kishin ardhur. U ulëm në një stol, në hollin, përpara zyrave, në pritje të Liljanës. Atë njihja unë, në atë firmë ; atë njihte dhe studenti “ karem”. Duke biseduar, të tre, dëgjoj që, nëpër shkallët prej druri, po ngjitej dikush. Nuk e kishim në fushë të pamjes por i dëgjova zërin . Ajo, me dikë bisedonte, me zë të lartë. Enjoha, nga zëri, të njohurën time dhe, me gëzim thashë :” Erdhi Liljana”! “ E njohe “? Pyeti studenti nga Kolonja . “Si s’e njoh, u përgjigja unë ; e kam takuar 2 herë, në Tiranë e kam biseduar me të.U habit studenti me emër planeti. Na u qep e nuk na u nda derisa mori 250 dollarët që i kishim premtuar. Ia dhamë, më tepër nga frika se, mos na punonte ndonjë kurth, nga ata që dinë të thurin mafiozët e këtij vendi të madh.
Liljana, me baba shqiptar e me nënë ruse, kishte lindur në Moskë . Ajo ishte ngjizur, në kohën kur Riza Lika ishte student, në Moskë dhe ishte në lidhje dashurie me nënën e saj . I ati, shqiptar përfundoi studimet, u kthye në Atdhe e lidhja me rusen u ndërpre . Liljana, me moshë rreth të tridhjetave, apo diçka më tepër ishte e martuar me një rus, nga Moska. Ajo merrej me tregtimin e mallrave të ndryshëm, brenda vendit dhe me vende të tjerë.Me ne, Liljana u tregua mjaft e gatëshme për bashkëpunim dhe dashamirëse.Biseduam e ramë dakort për të blerë 200000 fletore, me një çmim të leverdisshëm dhe paguam, për blerjen e tyre, drejtpërdrejt nga prodhimi . Firma që drejtohej nga ruso- shqiptarja, për shërbimin si ndërmjetës do të merrte atë që i takonte. Nga bisedat me Liljanën, kuptova se familja e saj është në krizë. E pashë, të vrarë shpirtërisht e m’u dhimbs.I dhamë dhe disa porosi të tjera e ajo u tregua e gatshme për ti kryer. Firma e saj mori përsipër të bëjë doganimin dhe përcjelljen e mallrave tona, kundrejt shpërblimit, gjë që na krijonte lehtësira. Në Rusi, në ato vite, firmat e huaja nuk mund të bënin tregti e sidomos doganimin e mallrave, pa patur një firmë vendase, si ndërmjetëse, në rolin e garantit.
E enjte, 28 tetor 1993.Sot, mësuesit shqiptarë, të cilët kishin ardhur në Moskë, për specializim, u larguan, në Atdhe.Gruas së shokut tim, oficer Mane Hoxhës, Lefterisë i dhashë, për Tatjanën, një letër dhe një fotografi që kishja dalë përpara Kremlinit.Gjithë ditën e kalova në Kombinatin e Tekstileve “ Triohgornij Kombinat Manufakturu”, ku shkova për të blerë basme pambuku.Kombinati ndodhet pranë godinës të Parlamentit Rus, në stacionin e metrosë “Kievskaja”.
U paraqita tek shefja e planit të kombinatit të tekstileve, me të cilën bisedova për asortimentin dhe për çmimet. U takova e bisedova dhe me zv/drejtoreshën e kombinatit.Këtu pashë një paradoks, të vërtetë. Kur paraqitesh si blerës, po të jesh i huaj, mallrat i blen me dyfishin e çmimeve, krahasuar me tregtarët vendas.Bëra si bëra, rashë në kompromis me gratë hileqare që drejtonin atë ndërmarrje shtetërore.U premtova atyre, një përqindje nga shuma e parave që kushtonte malli. Donin të ma hidhnin në llogaritjen e shumës së parave. Mendova një hile “ allashqiptarçe”. Po të më ulni çmimin, u thashë grave, do të rrit përqindjen e fitimit tuaj vetjak e ju do të merrni, për vete më shumë para. “ E hëngrën “ rrenën time, dhe pranuan kushtin që u vura. Bleva, me para në dorë disa metrazhe pambuku, të bardha e të ngjyrosura.
Derisa të më vinte radha (kishte mjaft firma që blinin metrazhe), qendrova, në pritje, poshtë, në oborr. Binte një llohë bore e bënte ftohtë. Për tu ngrohur pak, i kërkova një djali të ri, shofer, me një kamion tip “GAZ- 51”, për të qendruar në gabinën e kamionit të tij.Më pranoi. Në gabinë n e ftohtë të kamionit zura vend pranë djaloshit, me moshë rreth të njëzetepestave. Bisedova, shtruar me të . Ai ishte nga Kazani dhe punonte me pagë, me kamionin e tij, të dalëmode.Epyeta për përbërjen e familjes së tij, për kushtet e jetesës, në fshatin ku banonte, e për mjaft gjëra që rrokte kurioziteti im . Më la pa mend, kur më tha, se në trevën ku banonte familja e tij, kolkozi nuk ishte prishur . Gjithashtu, ai më bëri me dije se në shtëpi kishin një kopësht, me pemë e perime, një lopë, një derr e mjaft shpendë të ndryshme. Në përgjithësi ishte i kënaqur nga jeta . E pyeta nëse e kishte kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe djaloshi më tha se e kishte kryer, në Avganistan, në luftë. “Si ja çove, në luftë”?- i thashë. “ Atje bëhet ushtri, atje të jepet mundësia të provosh veten, sa vlen”?- tha djali, “jo si këtu, që ushtarët hanë lakra, në kazermë”.Më sqaroi djali nga Kazani e më dhuroi një hartë, me ngjyra, të metrosë të Moskës, të cilën e kishja të domosdoshme.
Kur u larguam nga Kombinati i Tekstileve, në metronë Kievskaja, në kërkim të kamionit që do të transportonte mallrat tona, nga Moska, në Shqipëri, me biznesmenin, shëtisnim e bisedonim, me zë pak të lartë, siç bisedojnë në fshatin tonë. Binte një shtrat bore (llohë)e frynte erë e lehtë, që të thanteduart dhe fytyrën..NJë burrë, me moshë jo më tepër se 35 vjeç, kur dëgjoi të flitej shqip, u afrua e na dëgjonte .Në pamje dukej sikur ishte indiferent . Ishte mbështjellë me një shall ; në trup kishte veshur një pardesy, të gjatë, ngjyrë gri, të çelur, nga ato pardesytë që mbanin oficerët e aviacionit tonë, në vitet kur shteti ynë mbante marrëdhenie normale me Kinën.Në dorë mbante një lodër, të ambalazhuar, në dukje makinë . Mora guximin, i pari dhe e pyeta: Shqiptar je? Po, shqiptar jam, tha tjetri. Gjuhën shqipe e fliste me shumë gabime e deformime . Epyeta: Sa vjet ke këtu që e ke harruar gjuhën e nënës? Shtatë vjet, tha mjerani. U paraqit si tregtar . Në fakt ishte një sekser mjeran. Të njoh, i thashë, ti je nga Qyteti “ Stalin “ (e kishja parë kur ishja me shërbim në atë qytet) dhe pardesyja që ke veshur është e vëllait tënd, Bajramit, i cili shërben si teknik avioni, nëregjiment.Kur tjetri mësoi që e njihja, nuk e deshi veten. Ai ishte martuar me një vajzë moskovite por jetonte i ndarë prej saj, në Moskë.Kuçovari, me gruan ruse dhe kishte një djalë . Kukllën e kishte blerë për tja dhuruar djalit, me rastin e ditëlindjes. I kërkova adresën ku banonte dhe numërin e telefonit të shtëpisë . Burri u zu ngushtë e nuk gjente justifikim . Elamë në fatin e tij.
E premte, 29 tetor 1993.Së bashku me biznesmenin, shkova në metronë “Sokolnikij”, për të parë e për të blerë disa pompa uji . Na pëlqyen, por nuk i paguam . Firma që i shiste, na premtoi se nuk do tja shiste mallin ndonjë tregtari tjetër. Aty, afër ndodhet firma e Liljanës . Shkuam në zyrën e saj. Tregtarja shqiptaro-ruse, na njoftoi se duhet ngarkuar menjëherë fletoret, mbasi në datën 1 dhjetor çmimi i tyre do të rritet ndjeshëm.Djallo punë. Nesër është e shtunë, zyrat vendase nuk punojnë e neve na duhet të ngarkojmë mallin(fletoret prodhohen në një ndërmarrje shtetërore). Kamioni në të cilin do të ngarkohen fletoret, do të qendrojë edhe disa ditë (deri sa të sigurojmë mallrat e tjerë), i hapur, në mes të Moskës, gjë që nuk është pa rreziqe. Aventura jonë, e çmëndur, vazhdon.
E shtunë, 30 tetor 1993. Herët, në mëngjes, së bashku me biznesmenin, nisëm shoferin bullgar dhe një punonjës të firmës, tregtare moskovite, për të ngarkuar fletoret, në magazinë. Me biznesmenin tim, shkova në metronë “Sokolniki “, në dyqanin ku do të blinim pompat e ujit.Kur kishte rënë errësira, na erdhi shoferi bullgar, me kamionin e tij, për të ngarkuar pompat.Pompat e ujit ishin të rënda dhe me zor i ngarkuam, vetë, pa hamall.Na erdhi në ndihmë vetëm shoferi bullgar, Dmitri, një burrë i fuqishëm, i ri. Ai na la përshtypje mjaft të mira, si zanatçi e si njeri. Ngarkuam pompat dhe, të tre shkuam në metronë “Kievskaja”, në parkun ku qendrojnë kamionët bullgarë, në pritje të ndonjë pune (në Moskë është një goxha park kamionësh bullgarë).Biznesmeni ka disa ditë që më kërkon të hamë një darkë, në njërin nga restorantët më të mirë të Moskës.Eshtë shtrenjtë, i thashë tim kushëriri, por ai u përgjigj:” Nuk mbarohen paratë e mija “! Atëherë, për të darkuar e çova në restorantin “Ukraina “, i cili është një restorant për të kamurit dhe ndodhet në metronë “Kievskaja”, pranë urës së famshme të “Borodinos”.Në “ekipin “ tonë ishim, ne të dy dhe dy shoferë bullgarë ; ata që do të transportonin mallrat tanë, nga Moska, në Shqipëri.Nuk ishim të veshur për atë restorant . Ky fakt binte në sy, menjëherë. Megjithatë, në xhep kishim mjaft dollarë e ata na dhanë guxim.Shtojmë këtu kokëngjeshjen tonë si shqiptarë dhe kokëfortësinë e dy bullgarëve që na shoqëronin e ekipi ynë bëhej më “ i fortë”!
Hymë në restorant. Në holl, na priste një burrë, i moshuar, i gjatë, i pashëm e i veshur mirë.Ai, i mësuar me shërbimin si garderobist, na priti me buzëqeshje, na uroi mirseardhjen dhe na dha të kuptonim se ishte në pritje të veshjeve tona të jashtme(xhupa, pallto, pardesy) për ti sistemuar në garderobë, kundrejt një pagese të caktuar . Nga të katër, vetëm unë hoqa pardesynë time, të hollë e ia dorzova burrit . Të tjerët, u futën në sallë, siç ishin, me xhupat veshur . Burri i garderobës, mbasi më falenderoi e më mori “gjobën”, nuk përtoi të bënte ironi, me fjelët: “ Duket kush është njeri i kulturuar” ! Mikut tim nga fshati i mbetën sytë tek një çift, i cili, i përqafuar, po puthej, mbi një divan, në hollin e restorantit.NJë femër, e re, simpatike, me peshqir e sapun në dorë, na ftoi të lanim duart, në një kthinë, ku çesma ishte me ujë të ngrohtë . Edhe atje u futa vetëm unë . Lava duart e, përsëri lashë “gjobën”!
Salla e restorantit, në katin e parë të hotelit shumëkatësh, ishte thuajse bosh. Vetëm 4-5 tavolina ishin të zëna . Në një vend pak të ngritur, si skenë, ishte vendosur orkestra, në përbërje të së cilës ishin rreth 30 instrumentistë. Kur hymë në sallë, të gjithë ata që ishin brenda, u çuan në këmbë, në shënjë mirseardhje. Na morën për njerëz të pasur.Kamerieret, të reja, të bukura, të shkathëta e të zgjuara, si ato, hapën sytë e po prisnin për ku do të drejtoheshim. Kur u bë e qartë se u drejtuam për në një tavolinë, në anën e majtë të hyrjes, pranë mesit të sallës, kamarieret, 4 vajza, të mshpejta e të lehta, si flutura, na rregulluan kariget. Njëra syresh, siç duket “përgjegjësja “ e tyre, mbasi u ulëm, mori, e para fjalën. “sa mirë, ju jeni 4 e ne, gjithashtu jemi 4 “! Besoj nuk ka nevojë për të komentuar domethënien e fjalëve të saj . Kërkoi të merrte porosinë. Pyeta të mitë dhe bëra porosinë. Porosia ishte e bollshme e me asortimente të kushtueshëm . Paguante biznesmeni bujar.Femra që mori porosinë, pyeti përsëri: “ po për ne, çfarë do të porositni”? Ishte fjala të darkonim së bashku . Me besnikëri, fjalët e saj ia përjtheva biznesmenit . Ai, si bujar që është, tha: “le të marrin çfarë të duan”! Vullnetin e tij ua bëra të ditur kameriereve me përvojë.Ato u kënaqën me përgjigjen dhe ndanë rolet . Pranë sejcilit nga ne, u afrua një kameriere. Asaj që erdhi pranë meje, i thashë: “Ctapoct, He padoct” që do të thotë: Pleqëria, nuk është kënaqësi. Përgjigja e saj ishte joshëse . Ajo tha: Çdo moshë, ka kënaqësinë e saj. Nisi darkimi.Me ushqime të shijëshme e me vodkë.
Kur nisëm të hanim, na erdhën “gjobat”, njëra pas tjetrës. NJë zonjë, elegante, me lule në dorë, na ofroi të blinim lule. Një femër tjetër, e pashme dhe e veshur mirë, na paraqiti një bllok me bileta, për të paguar, për orkestrën. Në një tavolinë pranë, qendronte një femër, e vetme, e re dhe e veshur mirë . Ajo hante e pinte alkool dhe cigare . Ishte e vetme në tavolinë. Njëra nga kamerieret, na e rekomandoi, si vajzë të mirë, nga ato që të ofrojnë të kalosh natën, në shoqërinë e saj, me dush, kundreejt një shume 30 dollarë amerikanë.Ia përktheva biznesmenit qejfli femrash, fjalë për fjalë, por ai e refuzoi ofertën, me mendimin se “ është shtrenjtë” . Ra dhe ky variant oportun.Në njërën nga tavolinat, darkën e drejtonte një tregtar italian . “Bosi” nga vendi i Apenineve, si të gjithë italianët, ishte qejfli për të vallëzuar . Gjysmë i dehur, ai nuk linte rast pa u çuar, në vallëzim . Në tavolinë ishte me disa femra ruse, të cilat e joshnin haptaz, me hiret e tyre femërore. Na ftoi dhe ne të vallëzonim, por asnjëri prej nesh nuk doli të kërcente, me femrat e bukura ruse që i bënin shoqëri.Italiani, i cili nuk dinte Rusisht, i kërkoi kamerieres, në gjuhën e tij, djathë. Kamerierja nuk e kuptoi kërkesën e tij dhe, ngaqë mësoi se ne ishim Shqiptarë, pra Mesdhetarë, erdhi pranë tavolinës tonë e pyeti: “ Kush di italisht, nga ju”? I drojtur e i pasigurtë, u përgjigja:”Di unë”! Ajo vijoi të pyeste: “ Kujt i thonë Formaxhio”?, se më kërkon ai italiani, tha ajo.Jepi djathë, të bardhë, i thashë në gjuhën Ruse . Mori djathin e u rehatua pipinua.
Në një tavolinë tjetër hanin e pinin, për shtatë palë qejfe, disa polakë. Ata zbraznin njëra pas tjetrës shishet e vodkës “ Stoliçnaja”. Të njëjtën gjë bënin dhe disa nga Azerbaxhani, në tavolinën e tyre . Në një tavolinë, afër dritares, ishte ulur e bënte dashuri, me një goxha burrë, njëra nga kamerieret e restorantit “Ukraina”. Eshtë e fejuar rishtaz, shoqja jonë, na e sqaroi situatën shoqja e saj, të cilës i ra llotaria të na shërbente neve.Ishim duke ngrënë e duke pirë, sipas qejfit kur, në tavolinën tonë u afrua njëra nga kamerieret, e cila m’u duk si përgjegjëse, e shoqëruar nga një vajzë “perri”, me moshë rreth të tetëmbëdhjetave, me trup mesatar ; as e ngjallur, as e dobët, me tipare brune. Ishte nga vajzat që shërbenin si prostituta, në katin 22 të hotelit, i cili shërbente si shtëpi publike, e padeklaruar. Kamerierja, një tip i zgjuar e i rrafinuar, u afrua tek unë dhe, mbasi pyeti nëse kishim ndonjë nevojë, më tha, gjoja në intimitet (ato që më tha mua i dëgjuan shokët e mi të tavolinës) se :”Pronar është ky – dhe tregoi me gisht, nga kushëriri im ; ti je përkthyesi”-tha ajo. I kishte rënë “pikës” baba (vajzë e madhe, e mbetur pa martuar) ruse, me profecinë e saj . Prostituta, e cila, siç duket ishte e udhëzuar, shkoi drejt e tek biznesmeni . Ajo e joshi “bosin “ me lloj – lloj lajkash dhe i propozoi ta shoqëronte, për një kafe, në njërin nga anekset e restorantit . “Bosi” vështroi, nga unë, me një shikim “lutës”, thuase kërkonte miratimin tim . Ik, i thashë, por, para se të largohesh, më jep mua dollarët që ke me vete. Ai futi dorën në xhepin qe kishte bërë apostafat për të mblojtur dollarët, në pjesën e përparme të të mbathurave dhe, me dorë nën tavolinë më zgjati “dëngun” me monedha 100 dollarëshe . I sistemova paratë në xhepat e mi e i thashë qejfliut: “Tani shko ku të duash “! Vajza e bukur i futi krahun dhe e çoi në aneks.
Ata qendruan gjatë në aneks, së bashku . Kjo gjë nuk kaloi pa rënë në sy të klientëve dhe të personelit të restorantit . Një meso burrë, në cilësinë e “shefit “, u afrua tek tavolina ku darkonim ne dhe m’u drejtua, me flalët: “ Miku juaj po bie në sy për keq” dhe më kërkoi të shkoj ta marr. U mora leje “ bashkëvuajtësve “ të mi, u çova e vajta në aneks . Miku im dhe rusja e bukur, të përqafuar me njëri- tjetrin ndodheshin në “qiellin e shtatë.”Adoleshentja, me sjellje koketë po e puthte dhe e ledhatonte “klientin e saj “, kokëzbathur, e të skuqur, flakë, në fytyrë me një shikim të turbullt . I çakorduar dukej dhe miku im, të cilit i kishin “perënduar “sytë. Ca me të mirë, ca me ton urdhërues (në moshë ishja më i madh në krahasim me kushëririn tim) e largova “bosin “ nga ajo orgji e zhurmëshme. E pashë që atij, si dhe asaj, nuk u erdhi mirë. Përfunduam darkën, pagoi “bosi” dhe u çuam. E paguam mirë darkën, me të gjithë aksesorët. Nga restorant “Ukraina “ dolëm si rruar – qethur. Ushqimi kushtoi: 25000 rubla.Përgjegjësja e kulturës, na mori 500 rubla, për orkestrën. Burri që shërbente në garderobë, na mori 500 rubla dhe ajo nusja që na se rviri sapunin dhe peshqirin, mori, 200 rubla. NJë djall e gjysmë .
Rreth orës 22.30, u ndamë me bullgarët dhe, së bashku me biznesmenin, i cili nuk i arriti “objektivat në marrëdhënie më vajzën e bukur moskovite”, u nisa për në hotelin e Universitetit “Pushkin”. Ishte goxha larg e duhej të udhëtonim nëpër dy linja metroje.Zbritëm në metronë “Kalluzhskaja “, pastaj rreth 20 minuta, në këmbë e sosëm në hotelin tonë. Në hotel, në katin tonë (në katin e 14 të), atë natë nuk mund të flihej . Disa mongolë, femra e meshkuj, të cilët banonin në një hyrje (apartament) me ne, kishin pirë, ishin të dehur e bërtisnin.Unë i kam alergji ata njerëz. Jo se jam rracist, përkundrazi, jam tolerant e dashamirës ndaj të huajve, por, për mongolët, kur kam qenë në Kinë, më kanë thënë se, rreth 70 përqind të tyre, janë sifilitikë. Ky informacion është sa i frikshëm, aq dhe të kall krupën.Kaluam një natë, pa gjumë.Të frikshëm këta mongolët. Pa le po bëjnë dhe orgji, në mes të Moskës.
E djelë, 31 tetor 1993.Sot është ditë pushimi. Pushim nga halli . Vendasit nuk punojnë sot . Edhe ne jemi të detyruar, të “bredhim “ nëpër Moskë, kot më kot, për të “vrarë” kohën.Shkuam në metronë “ Jugozapodnaja”, për të blerë diçka, për vete.Në një MAPO të cilës moskovitët i thonë magazinë, blemë bizhuteri, me çmime të arsyeshme . E lashë biznesmenin në punët e tij dhe shkova, në afërsi të universitetit “Pushkin”, në rrugën “Vollgina”, për të vizituar një mensë punëtorësh .U ngjita, pa asnjë drojë, në katin e dytë të një ndërtese, ku ishte kuzhina dhe mensa e punëtorëve të ndërmarrjes.U futa, serbes, me pamjen e një inspektori . Asnjeri nuk më pyeti e nuk më ndaloi. Në kuzhinë e në mensë punohej . Nëpër lokale kishte pak njerëz. Ndoshta punëtorët ishin në punë ose në orë pushimi, ose kishin dalë jashtë territorit të ndërmarrjes. Bashkëbisedova me disa gra, kuzhiniere e kamereiere. Përshtypje të mirë më la rregulli e pastërtia. Çdo gjë ishte në vendin e vet dhe e paqme. Shkëlqenin enët, mbi sobë, ndritnin veshjet e punonjëseve . Gjellët që kishin gatuar, me mish e sade, nuk i shijova por në dukje më krijuan përshtypje se aty gatuhej dhe haej në mënyrë të kulturuar e pastërtisht . Bëja krahasim me mensat tona, jo të punëtorëve por dhe ato që shërbejnë në lokalet e kryeqytetit, dhe diferenca gjendet lehtë.U kënaqa ; i falenderova punonjëset dhe u largova me një ndjesi të këndshme.
Mbasdite, u takuam me nipin tim, Sami Mehmet Nelaj dhe me biznesmenin e tij, beratasin me emrin Agim.Mbasi shëtitëm nëpër Moskë, në mbrëmje vendosëm të darkojmë, së bashku, në një restorant, të mirë.Biznesmeni e kishte pëlqyer restorantin e shtrenjtë “ Ukraina”dhe mori përsipër të naçojë atje. Nesër bashkatdhetarët tanë (Samiu dhe Agimi) do të largohen nga Moska, për në Shqipëri.Rreth orës 17.00 u gjendëm të ulur, gati për të ngrënë darkë, në restorantin, tashmë të njohur e të preferuar.Përsëri katër vetë; të katër, jo vendas. Ashtu si radhën e parë, darkuam, mes luksit, pastërtisë dhe shtrenjtësisë.U pagua darka ; 50.000rubla. Engritëm “piacën gati dyfish”.Miku im, atë natë nuk erdhi të flinte në hotelin e Universitetit “Pushkin “ ku kishim bërë prenotimin . Ai e kaloi natën në një gabinë kamioni, në jatakun e një shoferi bullgar, së bashku me njërën nga vajzat e katit të 22 të hotelit.Të nesërmen, ai ma tregoi vetë ndodhinë, fije për pe.
Nuk ma kishte ënda ta bëja i vetëm atë rrugë, në mesnatën e datës 31 tetor 1993 dhe nuk doja ta kaloja i vetëm natën, në hotelin tonë, prandaj ftova nipin tim, Saminë të flinte në krevatin e biznesmenit, të cilin, edhe ai e kishte kushëri. Nuk doja të udhëtoja i vetëm, në mesnatë, kur rrugët ishin të boshatisura, në periferi të Moskës, me një shumë të konsiderueshme parash, në xhep. Mbërritëm në hollin e hotelit universitar, pa ndonjë problem . U paraqitëm, tek sporteli, në hollin e hotelit, ku, brenda xhamave ndodheshin dy femra. Në Moskë, shërbimi hoteljer, në ato ditë kryhej i dubluar.Samiu nxori pasaportën shqiptare, për udhëtime jashtë shtetit dhe u kërkoi sportelisteve ta regjistronin, për të fjetur atë natë.Gratë, diçka biseduan me njëra-tjetrën, vështronin Saminë, nga koka tek këmbët dhe, të trembura, bënë, me kokë shënjën e mospranimit.Në Rusi, por jo vetëm, njerëzit, kur duan të thonë jo, e lëvizin kokën: sa në të majtë ; në të djathtë dhe, kur duan të thonë :po, e lëvizin atë, lartë-posht. Pra, jo si ne por në të kundërt.
Aq sa më lejonin xhamat që më ndanin nga gratë sporteliste, më kapi veshi, një copë nga dialogu mes tyre. Njëra i tha tjetrës: Shikoje mirë, si ngjan, si azarbazhanas.Kishin marrë tmerr nga banorët e viseve Jugorë të ish Bashkimit Sovjetik.Upërpoqa t’u sillja argumente që të vertetoja se Samiu ishte nga Shqipëria, se ai kishte lindur në fshatin tim dhe se ishte nipi im, mbante të njëjtin mbiemër. Për këtë qëllim u ofrova zonjave pasaportën time, për të krahasuar elementët e përbashkët të identitetit. Por gratë ruse, të frikësuara, thanë jo e nuk luajtën nga e tyrja. I gjendur para një “muri “ që vetëm mohonte e nuk pranonte asnjë farë logjike, nën kërcënimin e emergjencës për të udhëtuar në atë orë të vonë, nëpër Moskë, sidomos në periferi të saj, kur huliganët janë tepër aktivë, vendosa ta përcillja nipin, për në qendër të qytetit. Samiu nuk e njihte qytetine Moskës dhe nuk e zotëronte gjuhën ruse.Epërcolla Saminë, deri në qendër të metrosë ; pashë orën, ishte 24.30. Në orën 01.00 metroja e Moskës mbyllet . Nuk më premtonte koha për ta përcjellë timnip deri në metronë “Oktjabrskaja “ e cila është nyjë kryesore për të qarkulluar nëpër kryeqytetin Rus.Poros ita një burrë, të moshuar, vendas që ta orientonte Saminë, për të dalë nga metroja, në stacionin e mësipërm.Më duhej të kthehesha, nëpërmjet linjës së metrosë “Kalluzhskaja”, para se të mbyllej metroja. Ora kishte shkuar 01.00. Kishja dhe 30 minuta, kohë që më mjaftonte për të dalë në sipërfaqe .
Po prisja trenin e linjës që do të merrja, pranë shkallëve lëvizëse kur, një djalë, gjysmë i pirë, trupmadh, m’u afrua e më tha: “Ekujt është Rusia “? “ Raccijan “ !- U përgjigja unë. Djaloshi vazhdoi:”Po Moska e kujt është”? “Maskviçjej” ! – i thashë, prerë. Djali turfulloi, shau nëpër dhëmbë, të huajt e shumtë që kanë dyndur në Moskë, e po më vështronte, si me dyshim.U tremba.Shyqyr që djali nuk bëri pyetje të tjera, mbasi, nga theksi me të cilin e flisja Rusishten do ta kishte kuptuar që nuk jam rus.Për t’u larguar sa më parë prej tij, u spostova në shkallën vetëlëvizëse pranë dhe zbrita.Në atë kohë, metroja ishte thuajse bosh. Shpëtova nga një situatë, e cila kushedi si do të kishte precipituar . Më ruajti intuita ime dhe shkujdesja e rusit gjysmë të pirë.
Rrugën nga stacioni i metrosë “Kalluzhskaja”, deri në universitetin “Pushkin “, në mesnatë e bëra në këmbë, i vetëm. Rrugë e frikshme edhe ditën, pa le pastaj në atë orë të natës. Nuk m’u ndanë të pirët. Në atë rrugë të asfaltuar, të mbuluar nga akulli, duhet të ecja me shumë kujdes, mbasi mund të rrëshqisja e të thyeja qafën.Diku nga mesi i rrugës (distancës), dy burra, të pirë, mbanin prej dore njëri-tjetrin dhe, herë rrëzoheshin e herë ngriheshin, vetë.U shmanga nga rruga e nuk rashë në sy të tyre . Nuk thotë kot populli ynë: “Kur s’ke pula, mos bëj hoish”. U ktheva në hotel i lodhur e i dërrmuar . Gjithë ditën kam “bredhur “ nëpër qytet e, së fundmi kalova dy situata, të vështira.Këmbët i kishja të lagura, mbasi këpucët e mija ishin të hapura e futnin ujë.Ishja në merak të madh për nipin tim, Saminë.Për fat të mirë ai kishte shkuar në shtëpinë ku banonte, me Agimin, me taksi. U rehatova, mbas telefonatës së tij, të nesërmen para se ai të nisej për në Shqipëri.
E hënë, 1 nëntor 1993.Gjithë paraditen e kaluam në Kombinatin e Tekstileve ku kishim blerë metrazhet . Ngarkuam mallin. Unë dhe biznesmeni, nuk duhet të binim në sy të stafit të ndërmarrjes, mbasi ata të drejtorisë na njihnin e do të na kërkonin bakshishin që u premtuam.Derisa u ngarkua kamioni, qendrova në kombinat 2-3 orë.Hipëm në kamion e shkuam në sheshin “Sokolniki”, ku kishim biseduar për të blerë një “kombinat “ druri, i cili kryen 15 proçese zdrukthëtarie.Në orën 19.00 na erdhi kamioni.Tentuam ta ngarkonim makinerinë, pa hamall, por ajo ishte mjaft e rëndë.Biseduam me një punëtor, rus, të ri e të fuqishëm. Ai, e mori përsipër ngarkimin e kombinatit, në kamion dhe, për këtë punoi 10 minuta, kohë për të cilën na mori 4000 rubla . Shumë para na mori hamalli por nuk kishim nga tja mbanim ; na e zuri kokën me derë.Kombinati ishte malli i fundit që ngarkuam . Shkuam në stacionin e metrosë “Kievskaja”, në vendin ku parkojnë kamionët bullgarë. Jemi gati për tu nisur për në vendin tonë. Pazarin për transportin e mallit, me bullgarët, e kemi bërë . Ata kërkuan2000 dollarë amerikane e ne ramë dakort me çmimin që kërkuan.I dhamë, në dorë, shoferit të kamionit 1000 dollarë; gjysmën e shumës; gjysmën tjetër do tja japim, në Tiranë, kur të shkarkohet malli. Sonte, më në fund mund të flemë të qetë ; punët i kemi përfunduar, pazaret i kemi bërë, si për firmën dhe për vete.
E martë, 2 nëntor 1993.Herët, në mëngjes, me kamionin bullgar, të ngarkuar me mallrat tanë shkuam në selinë e firmës tregtare moskovite :”Konkordia”.Për të plotsuar e firmosur dokumentet e nevojëshme, për doganimin dhe nisjen e mallrave, të cilët i siguruam me shumë peripeci. Firma që mori përsipër ndërmjetësinë, e kishte selinë në metronë “Sokolnikij”. Shkuam me qejfin e madh se do të niseshim për në Atdhe, për të parë të dashurit tanë, me të cilët, prej një muaji kishim humbur lidhjet.Mirëpo, nuk qe e thënë të bëhej kështu . Sot është ditë e martë dhe, siç besojnë mjaft njerëz, e marta është ditë e mallëkuar ; një orë e saj “ndjell ters”.E provuam në kurrizin tonë, këtë profeci, sot.Në doganën e Moskës, sot, nuk u gjend një nëpunës për të plotsuar dokumentet e mallit tonë. Mëkot shpresuam se nesër do ta nisnim makinën, për udhë.Doemos që u mërzitëm. Më shumë u mërzit shoferi bullgar, të cilin e ka marrë malli shumë për dy djemtë që ka lënë në shtëpi.
Meqënëse na u krijua mundësia dhe për të zënë kohën, menduam për t’u ardhur në ndihmë dy djemve nga Tirana, të cilët kishin ardhur në Moskë, me makinën e tyre, për të blerë disa mallra, por që nuk i nxirrnin dot, jashtë Rusisë. Rregullat e doganës ruse, kërkojnë një firmë vendase, si ndërmjetëse, e garanci për nxjerrjen e mallrave jashtë territorit rus. Shkuam, së bashku, me dy djemtë në firmën “Konkordia”, me qëllim që, në kamionin tonë, të plotsohej vendi bosh, me mallrat e tyre.Drejtuesit e firmës në fjalë, na e paraqitën të pa mundur një veprim të tillë . Ata pranuan ti merrnin mallrat e tyre, në ruajtje dhe t’i nisin në destinacion, në një rast të përshtatshëm.Të dy tiranasit u mërzitën, por dhe ne nuk u ndjemë mirë.
Meqënëse së shpejti (punë orësh), do të largoheshim nga Moska e nga Rusia, biznesmeni, në shënjë mirënjohje e falenderimi, ftoi stafin e firmës moskovite “Konkordia “, për darkë. Ishte darka e lamtumirës. Për të darkuar zgjodhëm restorantin pranë hotelit “Akademik”, i cili, në ata vite ishte ndër më të mirët, në Moskë.Erdhi presidenti i firmës, një ukrainas (me origjinë), rreth 40 vjeç, i gjatë, i bukur e i veshur “shik”.E shoqëronte zëvëndësja e tij, ruso- shqiptarja Liljanë Lika. Të dy kishin ardhur pa bashkëshortët. Restoranti ishte i bukur, i pastër e i qetë.Hëngrëm darkë e biseduam për biznesin . Gjatë darkës, nga mënyra si komunikonin me njëri- tjetrin dy drejtuesit e firmës, kuptova se midis tyre po kristalizohej një lidhje…Darkën e pagoi kavalieri tashmë i afirmuar, biznesmeni;55000 rubla. Shumë para po harxhon ky biznesmeni ; me vend e pa vend. Ndoshta nga kënaqësia që i bleu ca mallra e nuk do të shkojë, pa gjë, në vendin e tij.Ndoshta i del në horizont ai fitim i shumëdëshiruar.
E mërkurrë, 3 nëntor 1993.Pas shumë mundimesh, lodhje e vuajtje, më në fund, sot po përfillemi për tu kthyer në Shqipëri.Herët, në mëngjes, të dy, unë dhe biznesmeni shkuam në metronë “Kievskaja”, atje ku ishin të parkuar kamionët bullgarë . Takuam shoferin që do të na transportojë mallrat, për në Tiranë.U ndamë me bullgarët, duke u uruar :”Udhë të mbarë”!Pastaj kaluam në sportelin e hekurudhave, ku blemë bileta për trenin ndërkombëtar Moskë- Sofije.Ukthyem në hotel, për të marrë valixhet.Në rrugën “Vollgina “, e cila kalon paralel me rrugën e Universitetit “Pushkin”, pa dashje ngatërruam autobusin. Dreq’o punë! Kur nxiton, nganjëherë –ngatërron.Për fat, meqënëse ndodheshim afër Universitetit “Pushkin”, e korrigjuam gabimin, shpejt e pa pasoja të rënda.Në administratën e universitetit, na duhej të plotsonim disa formalitete të nevojshme, por kohaqë kishim në dispozicion nuk mjaftonte. Nuk i plotësuam dokumentet, hëngrëm diçka, në restorantin më të afërt, shpejt e shpejt, morëm valixhet e ikëm nga Universiteti “Pushkin”.Kur dolëm në rrugë, na erdhi keq që e lamë atë institucion shkencor, me emër të mirë, i cili na strehoi, një muaj të tërë.
Hipëm në autobusin e linjës, për të dalë në metronë “Jugozapodnaja”. Në këtë autobus na ndodhi një ngjarje e çuditshme, e paparashikuar.Në duar kishim shumë valixhe e çanta . Shqiptarë hesapi, kishim marrë plaçka e dhurata, për familjarët dhe të afërmit tanë.Në autobus kishte mbipopullim. Aq shumë njerëz kishte në autobus sa nuk mund të lëvizja dot. Nuk kishja mundësi të prisja biletën, më mbetën paratë në dorë . Për fatin tim të keq, në autobus u ndodh kontrolli . Njëri nga kontrollorët, me egërsinë tipike ruse, m’u drejtua e më kërkoi biletën . Nuk mundem të lëviz, i thashë e i tregova paratë që mbaja në dorë. Ku “hante pykë “ rusi kokëtrashë.Më gjobiti me 2000 rubla. Mirë ma bëre, i thashë, gjobën tënde do ta kem kujtim, mbasi sot do të largohem nga Moska e nga vendi juaj. Kontrollori i rreptë, mori të hollat e nuk u ndie ; por veprimi i tij nuk gjeti miratim tek të pranishmit .
Në stacionin e trenave të Jugut e Jug- Perëndimit, mbërritëm në kohë, por na duhej të blinim diçka, për të ngrënë, gjatë rrugës së gjatë që do të bënim.E lashë biznesmenin, së bashku me plaçkat, në stacion dhe dola, për të psonisur.Bleva çfarë munda e çfarë gjeta për kollaj.
Në stacionin e trenave kishte shumë njerëz e disa trena, të cilët i drejtohesdhin Jugut të Rusisë. Me zor gjetëm trenin tonë e me vështirësi hipëm në të . Çantat dhe valixhet plot që mbanim në duar, na pengonin që të ecnim shpejt . Ungjitëm në tren e zumë vend në kupenë ku shënonin biletat tona.Për dreq, në kupe, gjetëm një femër . Nuk na u ndanë femrat, në këtë odise gjithë të papritura. Gruaja quhej Valentina Nikollajevna Igorovna. Ajo rrugëtonte e shoqëruar nga një djalë i ri, me emrin Valeri Saunin . Të dy ishin moskovitë e shkonin në Moldavi. Ata na u prezantuan si teze e nip.Na thanë se do të shkojnë në Kishiniev, tek disa të afërm të tyre. Na duhej të kalonim natën, së bashku e të flinim në një kupe.Gratë ruse nuk e kanë për gjë të kalojnë natën, në të njëjtin mjedis me burra të panjohur . Të huajt, në veçanti, janë të preferuarit e tyre.
Unë, siç është në natyrën time, mbajta qendrim korrekt e pak indiferent. Djaloshi nga Moska, më pëlqeu e bëra goxha bashkëbisedim me të . Ai kishte marrë me vete një magnetofon gjerman, tip i vjetër, aspak të bukur por të fortë .Djaloshi nga Moska xhironte kaseta me muzikë të bukur ruse, nga ajo muzikë, e cila ishte në modë në Rusi. Unë kishja me vete disa kaseta, tip “Sony”, të “bardha “, në të cilat, djaloshi me emrin Valeri më inçizoi dy komplekse me këngë të bukura ruse. E falenderova, për mirësjelljen . Valeri ishte djalë mjaft i mirë . Ai jetonte i vetëm, në Moskë, në konvikt . Ishte në lidhje dashurie me një vajzë, infermiere, me të cilën kishte vendosur të martohej.
Rruga me tren, në tokën ruse e në atë ukrainase, nuk na eci keq . Unë u miqësova me Valerin ; kushëriri im qejfli femrash, zuri miqesi me “tezen “ e djaloshit, me biondinën Valentinë . “Do të dalim pak, në korridor, tha biznesmeni, për të pirë cigare”! Miratova, me kokë. Dolën, të dy, por u vonuan . Si biçim “monitoruesi “ që ishja, për të shuar kuriozitetin e për t’u interesuar për biznesmenin, dola, në korridorin e trenit . Im kushëri ishte përqafuar me Valentinën e po “shijonin ëmbëlsinë e dashurisë të rastësishme”, në krahët e njëri- tjetrit . Kuptova se i kishin “lidhur telat “, prandaj u largova e i lashë në botën e tyre.
Në kufirin ukrainas (në hyrje të tij), kufitarët dhe doganierët vendas, nuk na sollën pengesa.Na kontrolluan dokumentet, i gjetën, në rregull e na lejuan të vazhdonim udhën tonë.Mirëpo dardha e kishte bishtin prapa.Mbërritëm në kufirin moldavian, në qytetin Mogilov –Padovski. Na u qepën e nuk na ndaheshin dy ushtarë, kufitarë moldavë. Në atë kohë, në Moldavi, ushtari kufitar bënte ligjin.Kot së koti, pa asnjë bazë, kufitarët nxorrën pretekstin, se, ne, nuk i kishim të rregullta vizat ukrainase .NJë Zot e di çfarë donin kufitarët moldavë, me vizat ukrainase. NJë fjalë e urtrë e popullit tonë, e shpreh bukur këtë situatë, me fjalët:”Izoti, e shet ; tellalli nuk e jep”! Hajde gjeja fillin këtij “lëmshi”. E keqja ishte se kufitarët kishin kompetencë për të na zbritur nga treni . Dhe, po të ikte treni, ” haje dynjanë”, në atë vend “kanibalësh”.U fola me të mirë ; bënin sikur nuk kuptonin rusisht. Moldavët, unë i njoh për ciganë dhe ciganët kanë ligjet e tyre, ndryshe nga tonat.U ofrova nga 5 dollarë sejcilit ;por ata nuk u bindën. Ua rrita kuotën ; e bëra 10 dollarë, për sejcilin, na lanë të lirë, të kalonim më tej.Siç thonë rëndom në Kalivaç :”Epaguam dyfekçinë”.Tëgëzuar i thamë njëri- tjatrit: “ Qoftë me kaq”!
Në Kishiniev zbritën dy miqtë tanë të rinj :Valentina dhe “nipi i saj”-Valeri. U ndamë, si miq, të mirë . Kushëriri im pronar, e pati të vështirë të ndahej nga e preferuara e tij moldave. Siç më tha, më vonë, i kishte dhënë 10 dollarë, si dhuratë. Më erdhi keq që nuk i fala dot ndonjë gjë djaloshit të mirë noskovit.Ai më bëri dhe një shërbim, me vlerë, më regjistroi dy kaseta, me muzikë të zgjedhur ruse e më fali një kasetë të tijën.Sidoqoftë, gjatë më shumë se 24 orëve që qendruam së bashku, hëngrëm e pimë vodkë e birrë, banane e pula ; me paratë tona.
E enjte, 4 nëntor 1993.Kaluam një natë të tmerrshme; plot ankth e pasiguri.Menduam se i mbyllëm telashet, me 20 dollarët që na morën kot, kufitarët moldavë.Po ç’ne?Më thellë e më rurza. Doganierët ukrainas donin të më sekuestronin bizhuteritë që më dha, në Moskë, Mimoza, e bija, studente e mikut tim Elham Kondo dhe e Zyhrasë, një grua me origjinë nga Çamëria. Bizhuteritë ishin për prindërit e saj, të cilët, aso kohe ushtronin një biznes të vogël.U ndodha mjaft ngushtë.Bizhutë nuk ishin të mijat, por të mikut tim . Mendova: “Çfarë do të mendonin të tjerët kur ta merrnin vesh”? Më vriste opinioni i njerëzve .Për të dalë nga kjo situatë, i propozova doganierit ukrainas 10 dollarë.Ipranoi qeni e më porositi të mos ndihem, mbasi atë e futin në burg, për korrupsion.”Ç’është ajo që thua – iu përgjigja unë, shkoj unë në burg, për ty”! Kuptohet, për të kaluar atë situatë të vështirë.
Shkelëm në kufirin Rumun e na erdhi për kontroll dogana vendase. Oficeri rumun, i kufirit, kur na u afrua, qeshte e ishte në eufori . Ai, me kompetencën që të jep pushteti na tha se duhet të blinim vizë rumune.Treni me të cilin udhëtonim ne duhet të kishte hyrë në kufirin rumun para mesnate. Treni ynë ishte vonuar, në Ukrainë e në Moldavi ; jo për fajin tonë .Meqënëse kishte kaluar mesnata e llogaritej si ditë e re, sipas kapitenit rumun, kishte nisur ditë e re e ne ishim pa vizë hyrëse.E pyeta oficerin rumun: Sa kushton viza, për një njeri ? 20 dollarë, u përgjigj ai, serbes. E ftova në kupenë tonë . Erdhi.I futa në çantë një shishe me vodkë ruse . E pa dhe nuk u ndie; e pranoi.Më pa me verejtje e tha: “Pse, vetëm një”? Iu shtua oreksi këtij birboje të paskrupull. Atëherë i futa në xhep 20 dollarë . Shtetari rumun u rehatua, vuri vulën në pasaportën tonë e vazhdoi kontrollin, më tej .Kishja shpëtuar 20 dollarë. Nuk janë pak.Mezi po presim të kalojmë në kufirin bullgar . Jemi të sigurtë se edhe ata, kasapë janë, por na duken më të moderuar .
Doganieri bullgar ishte i pirë, “tapë “ e nuk na kontrolloi fare.Ai u qep pas disa tregtarëve ukrainas, të cilët shkonin në Ruse (Qytet bullgar, në brigjet e Danubit) për të tregtuar mallra, me pakicë. Njërit prej tyre, doganieri donte ti merrte një palë këpucë, të reja, të cilat, ky, ia bleu në tren, një udhëtari rumun.Në qytetin Ruse treni ndaloi e zbritën dy gratë dhe burri, nga Ukraina, të cilët shkonin për të tregtuar mallra. Ata kishin shumë mallra e nuk i zbrisnin dot, brenda kohës të kufizuar të qendrimit të trenit. NJë grua e re, po i tërhiqte zvarrë, me mundim arkat e saj . M’u dhimbs dhe e ndihmova . Nga shkallët e trenit, më falenderoi e më puthi . Nuk e prisja këtë sjellje të saj .Më krijoi përshtypjen e një njeriu të mirë, mirënjohës.
Rruga, me tren, nëpër Bullgari, kur ke kaluar një herë, nuk paraqet interes, për ta parë, në ecje.Nuk të shtyn kurioziteti e pritmëria, si në rastin kur e përshkon atë udhë, për herë të parë.Në tren, më bëri mjaft përshtypje një djalë bullgar.Ai kishte punuar dy vjet radhazi, në Rusi, diku në Veri, në brigjet e Oqeanit të Ngrirë të Veriut, në “ tokën e eskimezëve”.Shkonte në familje, pas dy vjetësh.Punëtori bullgar, kishte lënë në shtëpi djalin dymbëdhjetë muajsh, i cili, tashmë ishte tre vjeç dhe nuk e njihte, as ai babanë e tij e as i ati të birin. Babai i ri vetëm sa e kishte dëgjuar të birin nëpërmjet telefonit .Një histori njerëzore me shumë dhimbje brenda.Si ato rrëfimet tona për kurbetlinjtë.Djaloshin bullgar, nuk e zinte vendi, nga gëzimi se do të takohej me djalin dhe me të tijët. Nganjëherë bëhej nervoz, nga padurimi, e i kishte sytë me lot . Nuk i besohej e mezi priste të zbriste nga treni.Endjej djalin nga Bullgaria, i cili punon në Rusi ; e kuptoj dhe dramën njerëzore që përjeton ai . Ngushëllohem me mendimin se ai djalë hallexhi, i cili ka udhëtuar qindra kilometra, pikërisht për të ushqyer të birin, nuk është i vetëm. I kuptoj mirë shqetësimet që shoqërojnë padurimin e tij, për të parë djalin e vetëm. Unë jam larguar nga shtëpia vetëm para tri javësh dhe, më hidhet zemra përpjetë, kur kujtoj: Tatjanën, Dritanin, Albanin, Oltionin dhe Ardjanin.Po ai që ka dy vjet pa parë të tijët?I jap plotësisht të drejtë, atij njeriu.Kur treni ndaloi, në stacionin e tij, djali u thuajse u hodh, nuk zbriti .Unda nga ne e mori udhën, me hapa të shpejtë. Nxitonte, nga padurimi e nga malli . Nuk i besohej të gjorit që kishte ardhur në vendlindje.
Në orën 01.30 minuta, mbërritëm në Sofije.Eshtë pak, pas mesnate dhe në këtë orë nuk kemi ku të shkojmë . Deri në mëngjes, na duhet të kalojmë edhe disa orë, në rrugë.I kërkova shoqërueasit të trenit, të na lejonte të qendronim në vagon derisa të niste qarkullimi i makinave nëpër qytet. ”Mirë, më tha burri, por dua të më japësh 4 dollarë amerikanë, për të dy”! I dhashë “shefit” të vagonit 3 dollarë e ai nuk u ndie. Fjetëm rehat, deri në orën 8, të mëngjesit.
E premte, 5 nëntor 1993.Jemi në Sofija. Në vendin e quajtur “Centralna Gora”, ku duhet të merrnim autobusin për të shkuar në qendër të qytetit, por që nuk dinim, si shkohej, deri atje . Pyetëm njëburrë, i cili punonte ne stacionin hekurudhor të kryeqytetit bullgar. Ai ishte mjaft zemërmirë, siç janë punëtorët dhe u tregua i gatshëmpër të na ndihmuar.Ishte njeri shumë i mirë . Zaten, të tillë janë punëtorët, kudo, zemërmirë e zemërgjerë.Punëtori nga Sofija, me emrin Mirko Georgiev, na shoqëroi, na dha kafe (nuk e lashë të paguante), na dha bileta për të hipur në autobus e monedha për të folur në telefon, të cilat nuk i dispononim, si dhe na dha adresën e tij e të djalit të vet. Cfarë shpirti? Cfarë njeriu ? Në këtë botë ka dhe mjaft njërëz të mirë! Nuk thonë kot, se “njerëzit e mirë dhe fëmijët e mbajnë botën.”
Hipëm në tramvajin qytetës dhe shkuam në hotelin “Rodina “. U mundova të lidhem nëpërmjet telefonit, me dy familje bullgare, të cilat lëshojnë shtëpi, me qera.Në të dyja shtëpitë, nuk kishte dhama bosh ; të gjitha kishin mysafirë.Itelefonova një tregtari bullgar, me emrin Sekullov.Ai u ndodh në shtëpi e më tha se do të vijë, pas 30 minutash . Në fakt erdhi, me korrektesë.Së bashku me Sekullovin hëngrëm drekë në një restorant, në rajonin “ Gorna Banja “, i cili ndodhej pranë shtëpisë të bullgarit me emrin Sekullov, në rajonin “Liulin “. Me ndihmën e mikut të ri bullgar, blemë biletat, për t’u nisur për në Tiranë, ditën e djelë.Hëngrëm drekë e u kthyem në hotelin “Rodina”.Telefonova në një familje bullgare, që është familja e një shoferi, të cilin e kam njohur në Tiranë, para një viti. Shoferi, për fatin tim të keq, ndodhet, me punë, në Greqi.I biri, gjithashtu nuk ndodhej në shtëpi . E ëma, një inxheniere e zonja, u zotua se do ta njoftojë të birin, për ardhjen time, në Sofije.E prita djalin e mikut tim por nuk erdhi . Mendova:” Djali, po djalë”! Të nesërmen, ai më telefonoi, në hotel.
E dielë, 7 nëntor 1993. Në orën 9.00 e kishim lënë, të vinte në hotel Sekullovi, me makinë të vogël, i cili do të na shëtististe nëpër Sofije, për të parë qytetin. Shëtitja jonë do të vijonte, deri në orën 17.30, kur do të nisej autobusi, për në Tiranë. Në orën 9.00 erdhi Sekullovi. Ai na njoftoi se i duhej të nisej me ngutësi, për në Shqipëri . Miku bullgar na propozoi të udhëtonim dhe ne, me makinën e tij. Pranuam . Biletat e autobusit, të cilat i kishim blerë, i shitëm rishtaz, pa problem.Biletat e autobusit kushtonin 5o dollarë amerikanë. Ia dhashë Sekullovit ; ai mezi i pranoi.U nisëm e rruga na shkoi mirë. Pas 12 orësh ishim në Tiranë . Nuk na prisnin . Na kishte marrë malli, shumë. Biznesmeni, si njeri i shtëpisë, u shtri, në shtëpinë tonë, por nuk fjeti fare. Ai u ngrit në orën 3.00 e donte të nisej për në fshat. Mezi e mbajta, deri në orën 5.30
E hënë, 8 nëntor 1993. Së bashku me bullgarin Sekullov dhe me sekserin Hysni Sula, nga Tirana, shkuam në qytetin e Elbasanit, për një problem biznesi, të Sekullovit. Qendruam në Elbasan, gjithë paraditen, derisa problemi u zgjidh, me kompromis. Gjithsesi Sekullovi mbeti i kënaqur . Rreth orës 16.00 u kthyem në Tiranë.Tek kafe “Europa “ hëngrëm diçka; pastaj, Sekullovi erdhi në shtëpinë tonë, ku darkoi atë natë.
E martë, 9 nëntor 1993. Në mëngjes, përcolla Sekullovin, deri tek Liceu Artistik. Mikut bullgar i dhurova dy kaseta: njërën me muzikë shqiptare ; tjetrën, me muzikë ruse…
E mërkurrë, 10 nëntor 1993.U mora me shlyerjen e borxheve të biznesmenit tim, kushëri. (Ai, para se të niseshim për në Rusi, një pjesë të mirë të parave i ka marrë me përqindje. Përqindja është me afat dhe interesi i huadhënësit rritet çdo ditë. Kushëriri im, me 4 klasë fillore nuk di ta bëjë llogari, rritjen e përqindjes, prandaj “nuk e vret mendjen. Me dollarët që na tepruan nga udhëtimi, shlyeva disa borxhe që kishte marrë nga një gambist, me mbiemër Çutra, në Tiranë e tek ndonjë tjetër).
E enjte, 11 nëntor 1993. Shkova në parkun ndërkombëtar të Tiranës, për t’u interesuar për kamionin bullgar, i cili do të sjellë mallin nga Rusia.Kamioni bullgar nuk ka ardhur akoma.
E premte, 12 nëntor 1993.Mezi u shtyra, deri tek parku, nga dhimbjet. (natën kam qenë me dhimbje veshkash). Biznesmeni ka shkuar në fshat por nuk po kthehet. M’u shtua dhe një merak: njëri – për makinën ; tjetri – për kushëririn.
E shtunë, 13 nëntor 1993. Me Ibrahimin (një shoku im kambist), shleva lekët që i ka marrëbiznesmeni, me përqindje Xhevahirit (një tjetër kambisti). Kushërinjtë e biznesmenit tim, (dy vëllezër kambistë) morën para të tjera, me përqindje, për të shlyer2.4 milionë lekë. D.mth, kjo punë shkoi: “Merr borxh, e laj hua).
E dielë, 14 nëntor 1993.Shkova përsëri në park, por makina nuk ka ardhur.Meraku shtohet, dita – ditës. Jam me dhimbje të forta veshkash. Rrugës më shoqëroi Dritani. Ai është mjaft i ndjeshëm dhe, herë pas here më pyeste:” Ke dhimbje ? O ba.
E hënë, 15 nëntor 1993. Thuajse gjithë ditën nuk dola nga shtëpia. Kam dhimbje të forta. Afër dreke, me vështirësi u shtyva, deri në parkun ndërkombëtar por nuk ka asnjë lajm për kamionin tonë.
E mërkurrë, 17 nëntor 1993.Po bëhesha gati, për të shkuar në park.Thuajse çdo ditë kam shkuar në park, për të marrë ndonjë njoftim, për fatin e kamionit bullgar.Erdhi biznesmeni, nga Kalivaçi. Ai është shumë i mërzitur.Nuk i mbahen lotët.Kur ne ishim në Rusi, i kishin grabitur magazinën, në Krahës të Tepelenës.Cfarë poshtërsie?Endjej mikun tim. Malli është i dhimbsur. Meqenëse ai ka ardhur me taksi, e dërgova, në park, për të pyetur për kamionin.Pastaj shkova deri tek Banka, në qendër të Tiranës, e gjeta biznesmenin me të dy shoferët bullgarë. U gëzova shumë.M’u duk sikur hoqa një mal nga supet.Aq shumë më rëndonte përgjegjësia morale.Kushëriri m’i kishte lënë, të gjitha punët, në dorë e kjo më shtynte, më tepër, në korrektesën time karakteristike.Duket qartë që biznesmeni ka besim tek unë. Më duhet ta justifikoj besimin e tij, me besnikëri e ndershmëri.
Për fatin tonë të keq, dogana e QafëTHanës e ka adresuar zhdoganimin e mallit, në pikën doganore të Gjirokastrës ; gati 200 km larg nga Tirana. Meqenëse shoferët bullgarëishin të pashoqëruar e nuk dinë shqip, bakshish nuk dha njeri, prandaj doganierët, pa përgjegjësi “ia veshën” dhe e adresuan kamionin në Gjirokastër.Shkova tek drejtori i Doganës të Tiranës, për ta ndryshuar vendimin por ai nuk pranoi.U nisëm për në Gjirokastër. Deri në qytetin e Fierit, rruga na eci mirë. Në të dalë te Fierit, një kamion me targa të Përmetit, iu fut rimorkios tonë . Ishim me fat që shpëtuam vetëm me një të gërvishtur të bezes së rimorkios. Kush e qan këtë, përpara ndonjë “hataje “ të mundëshme?Në Tepelenë mbërritëm rreth orës 20.30. Vendosëm ta kalojmë natën, në Tepelenë.Kamionin bullgar, të ngarkuar me mall, e siguruam, me polic. Njëri nga policët që paguam për ruajtjen e tij, ishte Bilbili, djalë i kushëririt tim: Zaim Xhemal Nelaj . Biznesmeni dhe dy shoferët bullgarë e kaluan natën në hotel “turizmi “, të Tepelenës; unë, fjeta, në shtëpinë e vjehrrit tim, Tahir Ilirjani.Nuk më prisnin ; shkova në befasi.U mërzita, mbasi nuk e gjeta Meton (vjehrrën), në shtëpi . Ajo ka shkuar në Kashisht, tek njerëzit e saj. Nuk e identifikojnë kot, me “Nënë Terezën”e Tepelenës vjehrrën time. Për të gjithë do të kujdeset ajo.U mërzita dhe për faktin se, në dyqanin tonë ishin dëmtuar disa mallra.
E enjte, 18 nëntor 1993.Së bashku me biznesmenin dhe dy shoferët bullgarë: Dimitrin dhe Stojanin, shkuam në Gjirokastër, për të zhdoganuar mallrat.Nuk është e vështirë për ta gjetur doganën e Gjirokastrës. Ajo ndodhet në anë të rrugës automobilistike, kryesore, që të çon në Dropull e më tej.Në doganë na pritën mirë e mbaruam punë shpejt, por na morën shumë para.Rreth orës 13.00 ishim në Tepelenë . Për llogarinë time (si shpërblim për punën që bëra në aventurën tonë në Rusi), biznesmeni më shpërbleu, në natyrë. Shkarkuam, në dyqanin tonë, 21000 fletore dhe 13 topa me metrazhe, të cilat, u llogaritën, 1000000 lekë (të vjetra) ; aq sa ishte bërë marrëveshja, mes nesh.Mbasdite ishim në Krahës (qendër) ku shkarkuam mallin, në magazinën e madhe të firmës . Thuajse e shkarkova vetë, të gjithë mallin.Rreth orës 18.30, u nisëm, në rrugën e kthimit. Po afrohej nata.Bullgarët këmbëngulën, për t’u kthyer por nuk e njihnin rrugën.Si të bëja ? Dilemë e madhe dhe përgjegjësi, për pasigurinë e udhës. Darkën na e dha biznesmeni, në një lokal afër Kolonjës së Lushnjes.Biznesmeni u kthye mbrapsht.I shoqërova shoferët bullgarë, deri në Elbasan . Në Elbasan mbërritëm në mesnatë. Nuk mund të kthehsha në Tiranë, mbasi, me vete kam shumë para (janë paratë e dyqanit, të Tepelenës) ndërsa rruga është fare e pasigurtë (të grabitin, në mes të fitës, jo më nstën). U shtriva në gabinën e kamionit bullgar, së bashku me shoferët . Darkën e hëngra nga ushqimi që kishin marrë me vete shoferët bullgarë . U mbështolla me xhupin e Dimitrit, por gjumi nuk më mori; nga meraku e nga frika.
E premte, 19 nëntor 1993. Në një kioskë u dhashë mëngjesin shoferëve bullgarë, të cilët u bënë bashkëvuajtësit e mi, në atë udhëtim, si në skëterrë, pastaj i përcolla deri afër stadiumit “Labinoti “ të qytetit dhe, me një autobus të linjës, u ktheva në Tiranë.
E shtunë, 20 nëntor 1993.Ndava borxhet që ka marrë biznesmeni para nisjes së aventurës ruse.Fillimisht Shleva shokun tim Skënder Shahinin.Shleva dhe një pjesë të parave që ai i ka marrë, me përqindje Ibrahim Kapllanit (një shok imi). Këtu mbaron, për mua, kjo aventurë e frikshme, për në Rusi . Siç thonë tironsit ;”i hyna detit në kambë”!Vërtet fitova 1000000 lekë, mall, por nga mungesa ime e gjatë, dyqani humbi disa milionë lekë .Gjithsesi, ky udhëtim më vlejti mjaft si një eksperiencë e re dhe për të shuar disi atë mall e nostalgji që ishte akumuluar, në vite, për atë vend e për ata njerëz, të cilët i gjeta të tjetërsuar e të komerçializuar.
I bindur se një reportazh, edhe pse i bazuar në ditarin tim personal me material jetësor te bollshëm, sido që mund të jetë: I plotë e i saktë, gjithmonë lë diçka për të shtuar e komentuar, më poshtë po paraqes disa përshtypje individuale, të jetuara në ato ditë, të cilat i kam titulluar:
DISA EPISODE, TE SHKEPUTUR, JO PA RENDESI!
E para, një ditë, duke ecur nëpër shëtitoren me emrin e Leninit (“prospekt Lenina”). Vura re një goxha djalë, të ri, të pashëm e të fuqishëm . Ai mbante përpara duarve të dashurën dhe ecte gjatë shëtitores, me të në duar, duke përkëdhelur njëri – tjetrin. NJë pamje të tillë, nuk më kishin zënë sytë. E njoh disi natyrën e njerëzve rusë por këtë nuk e kishja parë . E vrojtova, jo pa kërshëri dhe më pëlqeu kjo skenë, e cila tregon “butësi “, e cila ndeshet rrallë tek vendasit.Djaloshi e përkedhelte vajzën, me fjalë e me xheste, kurse ajo, në duart e tij hargalisej e tundëte këmbët, brenda çismeve prej lëkure, sikur të gudulisej.
E dyta, Nëpër Moskë ndesh shumë lypsarë, të cilët, ndryshe nga ata që takon nëpër rrugët e Tiranës, kanë diçka të veçantë, të tyre. Ja disa shëmbuj, tipikë, të cilët më tërhoqën vemendjen: Në metro, e cila konsiderohet si streha e fukarenjve, një i moshuar, me një kasketë në kokë, i ulur mbi një stol, i binte violinës, sipas avazeve që pëlqeheshin nga kalimtarët. Përpara këmbëve, burri kishte një tip dajre, në të cilën, kalimtarët e rastit hidhnin monedha. NJë njeri tjetër, më i ri në moshë, me letër vizatimi, të shtrirë e me një laps karboni, në dorë, ftonte kalimtarët që të ndalonin pak, për t’u bërë portretin, në çast, kundrejt një shpërblimi.NJë djalë, i ri qendronte i mbështetur, pas murit mbajtës, të metrosë . Në qafë, mbante një goxha karton, i cili shkonte deri tek këmbët e tij, në të cilin ishte shkruar gjendja e tij, e vështirë ekonomike e familjare, ose renditeshin padrejtësitë që i ishin bërë. Djaloshi lypte pak mëshirë e keqardhje dhe … ndonjë monedhë, për të ngrënë.
Rusët e në veçanti moskovitët, e pëlqejnë shumë muzikën dhe e ndjejnë atë. Në metro, në një nga këmbimet, ku ka më tepër hapësirë, një ditë dëgjova muzikë, Ishte një melodi e bukur, ”shqipja e andeve “ të cilën e pëlqej shumë . U afrova, i gëzuar ! Ishte një grup muzikor, nga Peruja e largët.Ata u binin shumë bukur veglave muzikore bashkëkohore. Më pëlqeu shumë një instrument tip gajde, i cili është mjaft i përhapur, në Skoci . Qendrova një copë herë, për të dëgjuar muzikën e latinoamerikanëve . Kur pushoi muzika, nga grupi u shkëput një djalë, i cili hoqi kasketën nga koka dhe, me të në dorë, shkonte tek çdo “spektator” ; kërkonte para. Më habiti një vajzë e re, e pashme dhe e veshur mirë, shumë llafazane, në hyrje të metrosë “Oktiabrskaja”. Vajza qendronte vazhdimisht në këmbë dhe fliste pa pushim . Kalimtarët ndalonin përpara saj dhe dëgjonin, me vemendje. Vajza tregonte barcaleta, të bukura, me të cilat argëtonte klienteë e saj, kundrejt një shpërblimi. Njerëz mjeranë, të papunë e pa të ardhura kanë zgjedhur një mënyrë origjinale për të mbijetuar, jo me grabitje.
E treta, Kurreshtja për të gërmuar në gjurmët e të shkuarës, më shtyu të futem një mëngjes, në një njësi ku qytetarë të zakonshëm hanin mëngjesin . Lokali ishte në qendër të Moskës, por nuk binte në sy.Hyra serbes, për të parë çfarë hanë këta njerëz, jo të kamur. Qysh në hyrje, u befasova. Rreth 20 vajza cigane, të bukura, siç janë ciganet ruse, të veshura hijëshëm, thuajse të gjitha me çisme lëkure që ndritnin, kishin bashkuar tavolinat dhe pinin, hanin, këndonin e vallëzonin, për qejfin e tyre. Ndesha një bukuri të rrallë, si në ato përrallat e këndshme që mbarojnë lumtur.Mirëpo unë nuk hyra atje për të parë ciganet e bukura siç i përshkruan i madhi Pushkin, por për tjetër gjë . Doja të prekja nostalgjinë time, ushqimin e lashtë të ushtarit rus . Mbajta radhën e gjatë të njerëzve që synonin ti afroheshin sportelit, ku shërbente një vajzë e një djalë, të veshur pastër e bukur . Të dy ishin” të bukur “ e të këndshëm dhe me sjellje qytetare. Deri sa më erdhi radha, pata kohë për të vrojtuar . Brenda asaj salle, të zakonshme, pashë dy botë, të kundërta. Në njërën anë ishin ciganet e hijëshme, në eufori të plotë ; në anën tjetër ishin disa hallexhinj, nuk e teproj po të thoshja mjeranë, të cilët prisnin, me disiplinë, në radhën e gjatë, për të ngrohur stomakun me diçka të ngrohtë, të lirë dhe … falas.
Më erdhi radha e iu drejtova banakierit, me atë rusishten time, si gjeorgjian.I kërkova dy gjellëra mjaft të herëshme, të cilat janë përdorur tradicionalisht, si ushqim i ushtarëve rusë. “ A keni shi, i thashë? Shija është një lloj supe, me lakra, mjaft e hollë, siç i thonë tek ne, ujë kroi. Hapi sytë, i habitur, tjetri e u përgjigj: “kemi” . Të lutem, më jep një pjatë, vijova unë . Ma dha . I kërkova kashë, një lloj pilafi me farë sorgumi . U habit çuni ; ma dha dhe kashën . I mora në dorë pjatat me gjellët e mija “ të preferuara “ dhe kërkova të ulesha . NJë djalë i ri, po hante, në një tavolinë, i vetëm . I mora leje të riut e zura vend, pranë tij . Kur pa gjellët e mija, djaloshi, gjithashtu bëri të habiturin e më pyeti :” Po ti nga je dhe ku i ke mësuar këto gjellë”? U përgjigja se jam nga krahina Ujgur, e Kinës dhe i kam mësuar në ushtri, kur kryeja shërbimin e detyrueshëm, në U De. Pastaj, e pyeta unë, për ata që janë të pajisur me nga një biletë dhe hanë ushqim, pa paguar . Kush paguan, për ta, i thashë djalit? “Asistenca sociale “, u përgjigj ai. Bëra sikur hëngra e u çova, nga vendi . Ika nga ai mjedis interesant ku bashkëjetojnë dy botë, të ndryshme, të pabarabarta mes tyre.
E katërta, Kishja qenë në qytetin olimpik e prisja autobusin e linjës, për të shkuar në Universitetin “Pushkin “. Në Moskë, autobusët e linjave të ndryshme dhe ndalojnë në të njëjtin stacion, por shkojnë në rajone të ndryshëm.Vendasit i dallojnë nga numërat e ndryshëm që mbajnë në vende të ndryshme, Një grua, e moshuar e gjatë, më pa që prita gjatë e m’u afrua . Ajo më pyeti se ku shkoja e unë i thashë: “ shkoj në universitetin “Pushkin” . Sa mirë ! tha ajo, edhe unë në rrugën “Vollgina “ banoj, atë autobus pres . Do ta bënim atë copë rrugë, së bashku . Më pyeti, nga je e përse ke ardhur ? Iu përgjigja, me pastërti . Gruaja quhej Zina e ishte historiane . Më tha se kishte qenë në një kurs me disa shqiptarë, të cilët, siç tha ajo, ishin djem shumë të mirë.E pyeta nëse mban mend ndonjë emër, e ajo, e pasigurtë në atë që thoshte, më përmendi: Bellova, Bellvoda etj . Ndërhyra, jo pa qëllim . Mos ka qenë Shyqyri Ballvora ? Ah, po, tha gruaja, e gëzuar që i rashë në të . E kam patur në një grup, tha tjetra e do të mi bësh të fala ! Ai është profesor, i thashë dhe punon në një dikaster të rendësishëm. Kur u ktheva në Tiranë e takova profesorin dhe i dhashë të falat, por, kur vura re se ai “ kishte rrjedhur “ e lashë në fatin e tij.
E pesta, në ditët kur ne ndodheshim në Moskë, aty erdhën dy djem, nga Memaliajt e Tepelenës, për të bërë tregti. Si ne, edhe ata paguanin me valutë, në dorë. Biznesmeni i njihte e ata gjithashtu e njihnin atë.Djemtë kishin udhëtuar nga Memaliajt, në Moskë, me makinën e tyre, të mbajtur mirë.Nuk e njihnin Rusinë e Moskën, as tregtinë, së cilës i ishin futur . Kishin ardhur në Rusi “kuturu”, me mendimin: të marrim, çfarë të gjejmë; pa ndonjë objeksion konkret . Në Moskë erdhën kur temperaturat e ajrit ishin pozitive, shpejt ato kaluan në minus.Një natë kishin harruar të hiqnin ujin nga motorri i makinës e asaj iu ça radiatori. E çuan veturën, në servis, por atje u kërkuan aq shumë para sa nuk ja vlente . Të detyruar, djemtë e braktisën veturën e tyre.Kishin shkuar në fabrikën ku prodhohen hekurat e lektrikë dhe kishin blerë një ngarkesë, me hekura. Në fabrikë, ku punëtorët ishin kryesisht gra, për “bamirësi”, u kishin ndarë para punëtoreve . Ato, të gëzuara nga ky akt i djemve nga Shqipëria, kishin improvizuar një minimiting ku kishin duartrokitur e brohoritur, për vendin tonë.Mirëpo djemtë harxhuan shumë para, e mbetën pa gjë . I kërkuan para borxh biznesmenit tim, që të ktheheshin në shtëpitë e tyre e ai u dha . Memaliotët ishin katandisur copë- copë dhe rrugës ishin të detyruar të lypnin.
E gjashta, Moska është qytet gjigand, me hapësira të mëdha, të cilat shkojnë deri në 60 km. diametër.Qyteti është i ndërtuar me banesa e ngrehina institucionesh shumëkatëshe . Ndërtesat me 22 kate e lart, janë të bardha e të bukura . Qyteti është mjaft i pastër e i zhurmshëm . Fukarenjtë udhëtojnë kryesisht nëpërmjet metrosë ; ata që kanë makina ; udhëtojnë në sipërfaqe. Si në Tiranë, dhe atje, rreth 2000 km . larg, nëpër qytet, nuk pashë wc publike. Udhëtonim tërë ditën nëpër qytet e nuk gjenim vend për të urinuar . Duhet të shkoje nëpër lokale, ku çmimet ishin të kripura . Unë, duke u kthyer disi në origjinën time, shfrytëzova, për këtë qëllim, një rrethanë lehtësuese. Në qendër të Moskës, restaurohej një kishë, e lashtë.Në rrenojat e saj, mes pirgut të mbeturinave, gjeta vendin më të përshtatshëm e më të fshehtë për të urinuar. Kjo gjë, ndodhte me mua thuajse çdo ditë.
E shtata, Ishte koha kur Rusët bëheshin gati për zgjedhjet e përgjithshme . Opozita, e pakënaqur nga ligji i athershëm zgjedhor, vazhdimisht protestonte, në qendër të kryeqytetit, nëpërmjet mitingjeve elektorale. NJë ditë, në Sheshin e Kuq, fare pranë Kremlinit, u organizua një miting i madh, nga Partia Komuniste, e cila ishte tepër aktive, në politikë .Bënte ftohët e binte një shtrat bore (llohë). U ndodha aty epër të shuar kureshtjen, qendrova për të parë e për të dëgjuar . Zura vend në trot uar, u mbështeta pas një kollone nga ku vrojtoja e dëgjoja çdo diskutim . Ngjiteshin në tribunë, burra e gra të rinj e të reja dhe flisnin, lirshëm, pa letër e me entusiazmë. Më bëri përshtypje diskutimi i një gruaje, me trup e moshë mesatare, me profesion inxhenier ndërtimi, mjaft elokuente në të folur, nga goja –“brisk”. Në fjalën e saj, ajo grua, kritikonte qeverinë e Federatës Ruse …
Prita sa mbaroi fjalën, gruaja, e cila, zbriti nga tribuna e u bashkua me turmën. Epashë ku ndaloi e iu afrova . Me terezi e pyeta zonjën: “ Nga të buron gjithë ai mëllef që shpalose në fjalimin tënd”? Gruaja, më pa, nga koka, tek këmbët dhe, pa u nxituar, u përgjigj, me pyetje:”Nga je ti zotëri”? Iu përgjigja çiltër se “ Jam nga Shqipëria, e cila ndodhet buzë Adriatikut “.(E theksova këtë fakt mbasi, në Rusi, pak njerëz e dinë ku ndodhet vendi ynë). A-ha, tha gruaja, ke të drejtë ti, se në vendin tënd nuk e godet njeri me top parlamentin! (ato ditë, parlamenti rus, në Moskë ishte goditur, me top, për të elimimuar një revoltë të disa ushtarakëve të lartë).Në familjen time jemi 16 vetë, më bëri me dije gruaja e panjohur; të gjithë të arsimuar, por asnjëri nuk është në marrëdhënie pune.
Kishja vendosur ta ngacmoja atë grua të zgjuar e guximtare, në çështjet që lidhen me zgjedhjet elektorale. “ Së shpejti (më 5 dhjetor 1993), ju do të zhvilloni zgjedhjet, i thashë ; votoni për ndryshim”!Gruaja, përsëri më vrojtoi, jo pa ironi dhe shtoi: “çfarë thua ti? Me ligjin aktual, po votuan 2o përqind e atyre që janë në listë, zgjedhjet konsiderohen të vlefshme . Tek ne, 20 përqind janë të burgosurit dhe të sëmurët mendorë, nuk bëhet punë me këtë ligj”, tha ajo. I futa krahun biznesmenit tim dhe u largova nga ai sheshi ku “ziente” diskutimi i zjarrtë politik.
Së fundi, kur po kthehesha, nga Moska, për në Sofije, me tren . Në territorin rus, doja të shkoja, nga kupeja (gabina), në restorantin e trenit . në korridor, me mirësjellje, i kërkova leje, për të kaluar një djali, 2 m të gjatë, e mbi 100 kg peshë . Djali, me seriozitet, më tha: “ Do të kalosh këtej, dhe tregoi korridorin bosh të trenit apo do këtej dhe tregoi dritaren e hapur, nga ku ishte i gatshëm të më flakte nën rrotat e trenit. E ndjeva rrezikun që më kanosej, seriozisht dhe “rrëshqita”poshtë sqetullave të atij gjigandi. Ishte koha kur në rajon qarkullonin shumë “hipi”, të cilët lëviznin nga njëri shtet në tjetrin, pa viza e pa kontroll.
JASHTE KONTEKSTIT
Pa dashur të bëj “qaramanin “, as njeriun që kërkon të ruajë një statukuo të caktuar, me vërtetësi e çiltërsi dua të rrëfej një ngjarje, e cila, edhe po të mos i hyjë në punë njeriu, le të jetë një eksperiencë më tepër, për atë që do ta lexojë.
Siç është e njohur, pas prishjes së marrëdhënieve ndërshtetërore mes Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik e disa vendeve të bllokut socialist, në marrëdhëniet mes njerëzve u krijua një situatë tejet e vështirë . Ne që kishim studiuar jashtë, se si na shikonin “ shtrembër”.Jo njerëzit e thjeshtë, por pushtetarët dhe servilët e tyre. Për ne që ishim fluturues, edhe sikur të mësonte sigurimi i shtetit se na shkonte nëpër mend jeta jonë në Bshkimin Sovjetik, jo më po të tentonim të mbanim lidhje me njerëzit e atij vendi, mesiguri do të ndëshkoheshim me largim nga profesioni . Si armë “delikate “, aviacioni ishte plotësisht i izoluar e nuk mund të lejohej asnjë përpjekje për të dalë nga kjo suazë. Në fakt, nostalgjia, për vendin ku kishim studiuar e jetuar, edhe pse për pak kohë, dhe lidhjet me njerëzit e atij vendi të ftohtë, egzistonin, porvetëm brendapërbrenda krijesës, pa u shfaqur, në botën e jashtme (në jetën e përditshme). Ata që kishin guxuar të shpreheshin hapur, e kishin pësuar keq, e kishin paguar me largim nga aviacioni.
Pas ndryshimeve demokratike që ndodhën në vendin tonë, pas shëmbjes së murit të Berlinit, u krijuan mundësi komunikimi, në forma të ndryshme, legale, me banorë të vendeve të cilët, deri atëherë konsideroheshin si vende armiq. Hapja me botën bëri të mundur lidhjen dhe komunikimin nëpërmjet dërgimit të letrave; më vonë erdhën dhe telefonatat. Mirëpo kishin kaluar mjaft vite (30), të cilët kishin prurë ndryshime të ndjeshme, në ato mjedise ashtu si dhe në vendin tonë .Edhe në ato vise, kanë lindur e janë zhdukur rrugë e rrugica, janë transformuar qytete të tërë dhe njerëzit, ata që nuk janë ndarë nga jeta (pa njoftim), nuk janë më si dikur . Disa kanë ndryshuar, të tjerë janë tjetërsuar apo kanë harruar .
Në muajt e parë të vitit 1993, mora guximin e dërgova një letër, në Federatën Ruse. Bashkimi i dikurshëm Sovjetik ishte shpërbërë. Mbaja mend një adresë, në qytetin Batajskut, ku mësoja teorinë dhe praktikën e të fluturuarit dhe shkrojta, me mendimin: “Le të dalë, ku të dalë ; po nuk fitova, nuk humbas asgjë”.Në zarf shkrojta: “ I dashur mik i panjohur, po qe se në adresën e shkruar nuk gjendet personi, të lutem, letrën çoje në ndertesën përeballë, të cilën e ka ngritur kapteri Drozd, në vitin 1961”. Pas 3-4 muajsh më erdhi përgjigja. Letra i kishte shkuar shoqes time të dikurshme, Aleksandrës, me të cilën shoqërohesha e mësoja gjuhën ruse, në vitet 1960-1961.Ajo më njoftoi se ishte martuar, me një pilot rus, i cili ishte vrarë në Avganistan dhe, njoftime të tjera.Kështu kishte funksionuar kjo taktikë, e denjë për emisionin e Aida Shtinos “njerëz të humbur”.
Në ditën që mbërrita në Moskë, në këtë udhëtim aventurë, i bëra telegram shoqes time të dikurshme . E njoftova se ishja në Moskë, dhe shënova adresën e saktë. Të nesërmen mora prej saj njoftimin, me telefon, se “ për arsyet e saj, nuk mund të vinte në Moskë, po të mund të shkoja unë në Batajsk, ishja i mirëpritur” . Për shkak se ishja mjaft i angazhuar me punët si përkthyes dhe se vendimet për të lëvizur aq larg, nuk i merrja unë, praktikisht e kishja të pamundur vajtjen . Ky ishte komunikimi i fundit me atë njeri.
Kur morën vesh që do të shkoja në një udhëtim në Rusi, disa nga shokët e mi, nostalgjikë për atë vend, vrapuan tek unë, me porosi, për të shkuar në Harkov, në Odesa, në Krasnodar e gjetkë, për të takuar vajzat e tyre, të para 34 vjetëve. Praktikisht e kishja të pamundur një mision të tillë . Për respekt ndaj shokëve, i mora adresat e tyre, por nuk bëra asnjë tentativë për t’u lidhur me to.
Kështu përfundoi një “ aventurë” e rrezikshme, në një udhëtim tejet të vështirë. U ktheva në shtëpi, pas një muaji, i lodhur e i drobitur dhe i malluar për njerëzit që lash pas . I kënaqur që erdha shëndoshë e mirë iu përfilla punës time të biznesit familjar, për të siguruar mbijetesën, në këtë “xhungël “ku ha njeriu njerinë.Jam i detyruar të bëj këtë
Shënim sqarues: Materiali i shkruar është marrë nga ditari personal. Ndodhitë janë evidencuar në kohën kur kanë ngjarë, hap pas hapi e ditë pas dite. Ndodhitë dhe personazhet janë të vërtetë e konfidencialë. Eshtë ruajtur, sa ka qenë e mundur, me kujdes e përgjegjësi, autoktonia dhe intimiteti. Materiali është konceptuar, në formë reportazhi, me besnikëri ngjarjesh . Ndonjë shmangje e vogël, e domosdoshme, nuk ia ka ndryshuar natyrën ndodhisë që është përshkruar.
Seç te kujton “Te Mjeret ” e V.Hygoit…..