(Mirësia e atij njeriu nuk njeh kufi)
Këtë shkrim monografi, të cilin ia kushtoj një aviatori të thjeshtë, nga njerëzit më të thjeshtë e më të mirë që kam njohur, mund ta titulloja tjetërsoj, nisur vetëm nga fakti se tek ai njeri mirësia, urtësia dhe thjeshtësia të cilat nuk kanë anë e fund përbëjnë një trinom të pandarë; ato janë rritur së bashku e i përngjasojnë njëra-tjetrës. Alberti është nga të paktët njerëz, që nuk dëshiron të shkruash për të, në një kohë kur mjaft të tjerë e kërkojnë këtë, me këmbëngulje.
Kemi parë apo kemi punuar në shoqërinë e aviatorëve "brilantë", të cilët, duke kryer detyra të larmishme, kanë "shkëlqyer" për pak kohë dhe, kur mendohej se kishin kapur pikën kulmore të profesionit, ose janë fikur; ose janë venitur. Rrëfimi që vijon, na njeh me një pilot helikopteri, i cili, vërtet nuk "ka vrarë ariun", siç pretendon shumëkush, por për gati 30 vjet me radhë, punoi "si kalliri me kokën plot", në detyra të vështira, pa zhurmë e pa bujë, pa ia ndier njeri zërin e ankesës e të protestës.
Albert Spiro Shkurtin e kam njohur nga afër, qysh në vitin 1960, kur, të dy studionim për t’u bërë pilotë, në shkollën sovjetike të aviacionit, në qytetin e Batajskut, në ish-Bashkimin Sovjetik. Alberti studionte e u diplomua pilot helikopteri e unë, nisa, por nuk e përfundova dot procesin e të mësuarit, për t’u bërë pilot gjuajtës – bombardues. Më pas, u ribashkuam e sërish punuam së bashku, ndonëse fluturonim në tipa të ndryshëm e me natyra jo të njëjta. E kam ruajtur miqësinë me Albertin, falë tipareve, të tij të veçanta, të cilat më pëlqejnë e më përshtaten. E them me përgjegjësi se atij njeriu nuk i "ngjitet" asnjë ves apo nuk e prek asnjë "sëmundje", e cila mund të cenojë figurën e tij të pastër.
Bertin e njoh prej shumë kohësh, por, nga goja e tij, asnjëherë nuk kam dëgjuar të merret me përgojimin e të tjerëve. Në këtë kuptim, pastërtia e figurës së tij është impresionuese. Sa i përket ndershmërisë, në kuptimin e plotë të kësaj fjale, Albert Shkurti nuk e ka shokun. Ai nuk i njeh e nuk mund t’i "ngjiten" dukuri negative si: zilia, smira, egoizmi, karrierizmi, mendjemadhësia, arroganca e prepotenca, servilizmi e konformizmi, mëria dhe hakmarrja etj. etj. pisllëqe, të cilat mund ta ndotnin atë figurë "qelibar". Thuaj çdo gjë të mirë nga ato që mund të thuhen për një njeri të mirë si Alberti dhe figurës së tij do t’i shkonte për bukuri.
Nëse do të më duhej ta portretizoja me pak fjalë, figurën e tij interesante, me siguri që do të thoja, me zë të lartë e me fjalë të kursyera: "Albert mirësia". Sa vërtetësi ka në këtë slogan, edhe pse ai është opinion im vetjak, por, po të lexoni, me interes opinionet e shokëve që kanë punuar më gjatë pranë tij, të cilët me siguri që do ta thonë mendimin që kanë, hapur e me vullnet të lirë dhe ju do të mësoni më shumë për atë njeri, i cili, në jetën e tij aktive ka bërë vetëm të mira. Le të ndalemi pak tek jetëshkrimi:
Albert Shkurti u lind në qytetin e Tiranës, në rrugën e "Durrësit", më 19 prill të vitit 1941. Në atë kohë, Tirana, si e gjithë Shqipëria lëngonte nën zgjedhën e pushtuesve të huaj, fashistëve italianë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Nëna që e pruri në jetë, Margalena, ishte shtëpiake dhe shëndetligë; babai i tij, Spirua, kryente detyrën e infermierit, profesion të cilin e kishte mësuar në Francë. Alberti ishte fëmija i parë i familjes; pas tij erdhën në jetë: motra Suzane; motra Milene dhe e mbylli serinë e lindjeve, vëllai i vetëm – Leoni.
Berti (kështu i flasim shkurt), u lind në një familje të thjeshtë qytetare, e cila mbijetonte në kushtet e skamjes ekstreme dhe kavurdisej me ato pak të ardhura që fitonte nga puna e Babait, dhe me vështirësi përballonte kërkesat e kohës. Familja e Bertit nuk e kishte komoditetin e të jetuarit në bollëk e nuk "notonte" mes të mirave materiale, por i siguronte ato me shumë vështirësi e përjetonte situatën e mbijetesës.
Kësisoj, shoku im i kahershëm, në këto kushte nuk mund të shijonte pekulin e familjes edhe pse pati me vete privilegjin e ardhjes në jetë si i pari i fëmijëve. Alberti nuk u përkund në djepin e kamjes, por në dallgët e shqetësuara të jetës dhe u bë Ai që njoha unë; e njohin dhe të gjithë ata që kanë pasur fatin të ndodhen pranë tij, në punë e në jetë. Në vitet kur u mëkëmb Alberti, familjet shqiptare, në tërësi përjetonin sakrificat dhe kufizimet e kohës.
Albert Shkurti, veç këtyre, kishte dhe një kufizim tjetër: të dy prindërit e tij ishin shëndetligë dhe për rrjedhojë gjendja ekonomike e familjes ishte në kufijtë e skamjes e të varfërisë ekstreme. Megjithatë, edhe në këto kushte, karakteri i Bertit u formua dita-ditës e pak nga pak, duke trashëguar nga Nëna dhe nga Babai që e sollën në jetë: ndershmërinë, thjeshtësinë, shpirtin e mirë, dinjitetin etj. Tiparet e karakterit të tij u formuan e u kalitën larg kapriciove, egoizmit dhe veseve të këqija. Edhe kur u mëkëmb e luante me bashkëmoshatarët, tek djali i xha Spiros ra në sy zgjuarsia natyrale, shkathtësia, ndjenja komunitare dhe dashamirësia. Dukuri si prirja për të qenë lider, tendenca për të këmbëngulur që përherë t’i shkonte e tija nuk gjetën vend në karakterin e tij të brishtë. Si bletë punëtore, mes shokësh Berti kontribuonte ndjeshëm që komuniteti i fëmijëve ku Ai bënte pjesë të përfaqësohej denjësisht në lojërat fëmijërore të kohës, por, kurrë nuk nxirrte gjoksin për të thënë: "Këtë e bëra unë". Albert Shkurti asnjëherë nuk e evidencoi "unin", por qëndroi në radhë me shokët.
Mësimet e arsimimit fillor dhe ato shtatëvjeçare, Berti i përcolli në shkollën kryeqytetase me emrin e "Naim Frashërit", "bilbilit" të gjuhës shqipe. Që në fillimet e shkollimit të tij, tek Alberti akoma i parritur u pa qartë interesi që Ai shfaqi për të nxënë, sjellja e përkryer dhe kujdesimi për të ruajtur e mirëmbajtur librat, fletoret dhe ato pak mjete që konkretizojnë mësimet. Si nxënës i përparuar e me frymë të theksuar komunitare, tek imcaku i zgjuar e i shkathët i xha Spiros, zuri vend dhe shpirti i tij i mirë që gjente shprehje konkrete, në gatishmërinë e Bertit për t’u ardhur në ndihmë nxënësve që ishin më të prapambetur në mësime. Më tej, për shkaqe familjare që lidheshin me ngushtësinë ekonomike dhe shëndetligësinë e prindërve të tij, Ai u sistemua në Shtëpinë e Fëmijëve "8 Nëntori", në Tiranë. Në këtë qendër edukimi dinjitoze, Albert Shkurti përjetoi një transformim të ri, me shumë vlerë, i cili i shërbeu si vlagë, për kohën dhe për të ardhmen e tij. Ndër shokët e fëmijërisë, Alberti pati Skënder Kalenjen, kurse, në Shtëpinë e Fëmijëve, më afër tij ishte mësuesi i fizkulturës, Ahmet Gashi, nga Kosova.
Në shtatorin e vitit 1954, Alberti nisi mësimet në Shkollën e Mesme Ushtarake "Skënderbej" në Tiranë. Disa elemente të jetës në komunitet, Alberti i kishte përjetuar edhe në vitet që përcolli duke qenë nxënës, në Shtëpinë e Fëmijëve "8 Nëntori", në Tiranë. Shkolla e Mesme Ushtarake "Skënderbej", si njëri nga gjimnazet "elitë" të vendit, funksiononte mbi bazën e rregullave dhe të disiplinës së fortë ushtarake, ku çdo veprim ishte i kronometruar e i planëzuar, deri në detaje. Në këtë shkollë, Albert Shkurti gjeti kushte mjaft të mira, për të jetuar e për të mësuar dhe për të ushtruar pasionet e tij rinore, në veçanti futbollin, të cilin e kishte sportin vetjak të preferuar dhe e luante me shumë dëshirë; ishte talent i rrallë.
Në mësime, Albert Shkurti ishte njëri nga nxënësit e "shkëlqyer" të klasës e të shkollës. Ai, nga viti i parë gjimnaz, derisa mori maturën (në vitin e katërt), qëndroi vazhdimisht në nivelin e nxënësve që meritonin medalje ari. Shokë të tij të klasës ishin: Hetem Mehmeti; Agim Veleshnja; Sybi Koci; Allaman Isaku etj. Berti, duke qenë në ballë të klasës për nga rezultatet në mësime, vetiu krijoi lidhje të shëndosha e përkrahje, të qëndrueshme me disa mësues të asaj shkolle. Ia vlen të përmendet fakti që lëndën e historisë e drejtonte mësuesja Drita Hajro, një grua zonjë e cila, jo vetëm që ishte kompetente për lëndën, por dhe i trajtonte mjaft mirë nxënësit, sikur të ishin fëmijët e saj. Mjaft e përkushtuar e me sjellje prej prindi të mirë ishte dhe mësuesja mbresëlënëse Sadete Kasaj. Mësuesi që drejtonte matematikën, me mbiemër Kasmi kishte një huq të keq: Atë që hynte në klasë me vonesë, e urdhëronte të dilte përpara dërrasës së zezë dhe i bënte, me tendencë pyetje të vështira.
Kur e mësoi këtë Berti, i cili ishte mjaft i përparuar e nuk i "trembej syri" as në këtë lëndë të vështirë, vinte me vonesë, posaçërisht që mësuesi ta ngrinte në mësim. Mirëpo Kasmi e mësoi këtë hile të nxënësit dhe i thosh Albertit: "A mistrec, o mistrec; prandaj hyn me vonesë ti, që të të ngre në mësim!"
Në fund të çdo viti mësimor, nxënësit i nënshtroheshin provimit, në çdo lëndë, ku bëhej verifikimi dhe konfirmimi i arritjeve të çdo nxënësi. Kjo metodë rezultoi të ishte metodë e drejtë, mbasi nxënësit e përsëritnin lëndën dhe e "përtypnin" më mirë mësimin, për rrjedhojë ata dilnin më të fortë në mësime. Gjatë viteve të jetesës në Shkollën Ushtarake "Skënderbej", Alberti forcoi bindjet mbi domosdoshmërinë dhe dobinë e jetës në një komunitet të shëndetshëm. Shoqëria e pastër në këtë shkollë, la gjurmë të pashlyera në karakterin e djaloshit dhe i shërbeu përgatitjes së tij për një tjetër jetë komunitare me lidhje shumë të ngushta mes shokësh, në fushën e mësimit të fluturimit.
Jeta e Albert Shkurtit në Shkollën "Skënderbej" i shërbeu forcimit të mëtejshëm dhe konsolidimit të tipareve pozitive në karakterin e tij të brishtë. Zgjuarsia natyrale e adoleshentit Albert Shkurti dhe shkathtësia e fizikut të tij, tërhoqën vëmendjen e mësuesve dhe të shokëve të klasës e të shkollës, në dy drejtime kryesore: E para: vullneti i tij për të nxënë, përbënte një vijë të drejtë, në rritje. Ai nuk dallohej vetëm në zotërimin e një lënde të vetme, por kishte për zemër, të gjitha lëndët dhe kishte vullnetin e mirë, për t’u thelluar, në vazhdimësi në njohuritë shkencore. Ekzigjenca e tij në fushën e të nxënit dhe studimi sistematik, ishin faktorë bazë që krijuan mundësinë e afishimit të fotografisë së tij në tabelën e të shquarve në mësime, të shoqëruar me një sivi të shkurtër. Alberti i kapte shpejt elementet e mësimit, që në shpjegimin e mësuesit dhe, me një të lexuar, mund të përgjigjej e të vlerësohej me notën më të lartë. Maturën, Alberti e mori me "medalje ari".
Vullneti dhe këmbëngulja e tij për të mësuar i dhanë frytet që priteshin e u kthyen në gurë themeli për të pastajmen e tij.
E dyta: ai shtat i shkurtër por i lidhur mirë mblonte përbrenda energji të pashtershme. Alberti, gjatë viteve të shkollës së mesme, mori pjesë në të gjitha veprimtaritë fizkulturore – sportive, ku u shqua për rezistencë e manovrueshmëri. Loja e tij e preferuar ishte ajo e të gjithë fëmijëve të moshës së tij - futbolli. Alberti e luante bukur lojën e futbollit.
Në fushën e blertë, Ai ngjante me një vallëtar elegant, i cili driblonte lehtë e me guxim. Ishte e vështirë t’i "merrje" topin atij futbollisti, i cili kishte qejf t’ua kalonte topin nëpër shalë kundërshtarëve. Ata që e vështronin nga jashtë, bënin pyetjen: Një imcak si Berti, ku e gjen tërë atë energji e rezistencë që rrëshqet aq bukur, sikur të ishte një balerinë patinatore mbi akull? Zakonisht Alberti luante në sulm dhe kishte shumë fantazi e përdorim topi të përkryer. Vetëm me një mbrojtës, të padubluar, vështirë se mund ta përmbante ndonjë ekip tjetër djalin e xha Spiros. Edhe pse luante bukur me top, Ai nuk ishte individualist.
Albert Shkurti gëzohej, pa masë, kur ndonjëri nga shokët e tij të skuadrës, dilte në pozicion të përshtatshëm shënimi dhe pasi që i jepte Berti, nuk dilte huq, por topi përfundonte në rrjetë. Gjithsesi meritat për shënimin e golit, Alberti nuk ia atribuonte vetes, por shokut që realizonte golin. Në lojë, si dhe në jetë, Ai ishte i qetë, tepër aktiv dhe sedërli. Nuk ishte inatçi, smirëzi, e i ngurtë.
Kur dilte fitimtar ekipi në të cilin bënte pjesë Berti ngazëllehej, i qeshte nuri e gëzonte, si fëmijë.
Në fund të gushtit të vitit 1958, në të ngrysur, Albert Shkurti, me shokë, ngjiti shkallët e anijes sovjetike "Bjelloostrov" dhe u nis nga porti detar i Durrësit për në Bashkimin Sovjetik, në udhë ujore. Ata do të studionin për t’u bërë pilotë helikopteri, në shkollën sovjetike të aviacionit, në qytetin e Pugacovit, pranë lumit Vollga dhe kryeqendrës së Saratovit. Shkolla e Pugacovit ishte e vetmja e tillë në hapësirat sovjetike. Shokë të tij në këtë lundrim shpresëshumë ishin: Agim Veleshnja; Agim Nanaj; Agron Galanxhi; Burhan Nurja; Nikolle Zhonga; Hetem Mehmeti; Ndue Logu; Vangjel Nakuci; Vangjel Nasto; Sybi Koci; Nasi Leka; Mikel Janku; Stavri Prenda; Luan Sinaj; Muharrem Hida; Ali Levanaj; Ramo Mejdiaj etj. Anija që transportonte kandidatët për pilotë, u ankorua në portin grek të Pireut (Athinë), për t’u furnizuar, por ata nuk u lejuan të zbrisnin, për të ruajtur sekretin ushtarak.
Në atë kohë, marrëdhëniet e shtetit tonë me Greqinë, nuk ishin siç do t’i donim, por ishim në thikë e në pikë. Më tej, pas kalimit të Ngushticës së Bosforit (Turqi), anija ndaloi në portin bullgar të Detit të Zi, të Varnës. Anija qëndroi në atë port rreth 8 orë dhe djemtë nga vendi ynë patën mundësi të dilnin në qytet, afër portit.
Në portin detar të Kostancës (Rumani), e cila, aso kohë konsiderohej vend mik, anija "Bjelloostrov" ndaloi 6 – 7 orë dhe kandidatët për pilotë, u lejuan të dilnin në qytet. Në këtë qytet, me një student ushtarak shqiptar nga ata që shkonin për të mësuar fluturimin në Pugacov, ngjau një e papritur e këndshme, e cila, po të thellohej, mund të kishte rrjedhoja më të rënda.
Djaloshi Nikolle Zhonga, shok grupi i Albertit, si gjithë të tjerët, doli në qytet. Gjatë shëtitjes nëpër qytet, Nikolla, ndjeu nevojën për të urinuar e u fut në WC-në më të afërt. Për të hyrë ishte e lehtë, por, për të dalë andej, ishte thuajse e pamundur.
Në atë kohë, shërbime të tilla, në qytetin e Konstancës dhe në të gjithë Rumaninë, kryheshin kundrejt shpërblimit, me para në dorë. Nikolla dhe shokët e tij të grupit nuk dispononin të holla në monedhën rumune, prandaj nuk mund të paguante. Ai, si të gjithë shokët e grupit ku bënte pjesë, kishte hipur në anije, me duar në xhepa. Mirëpo në Konstanca, "ngeci sharra në gozhdë". Derisa të paguante taksën, atij i duhej të qëndronte në WC. Mirëpo anija, nga koha në kohë mund të ngrinte spirancën e të nisej dhe Nikolla do të shkëputej nga shokët.
Gjendja që mund të krijohej në këtë rast, e ndërlikonte shumë situatën. Procedurat kryheshin në Bukuresht dhe "futja në lojë" e ambasadës sonë, si veprim i domosdoshëm e me efikasitet, merrte mjaft kohë. Për fatin e Nikollës, aty pari kaloi një emigrant shqiptar, i cili, kur dëgjoi ankimin e shqiptarit, pa pasur njohje me të, "zgjidhi qesenë" dhe e nxori Nikollën nga "ngujimi".
Anija sovjetike, me të gjithë kandidatët në bord, pas "lirimit" të Nikollës dhe bashkimit të tij me grupin, mbërriti në portin sovjetik të Jugut, në Odesa. Të nesërmen, nëpërmjet udhës së hekurt, duke përshkuar anën perëndimore të territorit sovjetik, grupi i djemve nga Shqipëria shkoi në qytetin e Pugacovit, në shkollën e aviacionit ku do të mësonin pilotimin e helikopterit Mi-1 e Mi-4. Ishin studentët e parë shqiptarë që shkuan në këtë shkollë për t’iu nënshtruar një programi të plotë teoriko - praktik. Një vit më parë, në vitin 1957, në këtë shkollë kishin kryer një kurs të shkurtër specializimi dhe kishin mësuar shfrytëzimin e helikopterëve Mi - 1 e Mi - 4, disa pilotë, të ardhur nga Shqipëria dhe disa të tjerë, që u bashkuan me ta për arsye se ishin deklaruar të paaftë për të fluturuar në aeroplanët reaktivë. Grupi i pilotëve të ardhur nga vendi ynë kishte për komandant njërin nga themeltarët e Aviacionit Ushtarak Shqiptar të pasluftës së Dytë Botërore, atë që u ngrit i pari mbi qiellin e Tiranës, më 24 prill të vitit 1951; korçarin – Petraq Polena.
Në përbërje të grupit ishin pilotët: Sulo Saliaj; Zebo Durmishaj; Mersin Minxha; Andrea Stavre; Selman Mecaj; Daut Xhaferri; Sejdo Kamberi dhe Manush Kreshpa. Ata, të gjithë, deri atëherë kishin fluturuar në tipa të ndryshëm aeroplanësh dhe erdhën në këtë shkollë për të përvetësuar veçoritë e fluturimit me helikopter.
Alberti dhe shokët e tij të grupit formuan një klasë dhe nisën përgatitjen teorike, të paraprirë nga mësimi i gjuhës ruse. Kushtet për të jetuar e për të mësuar, në shkollë, djemtë nga vendi ynë i gjetën nga më të mirat e mundshme. Krahasuar me kushtet që lanë në Shqipëri, kushtet në Pugacov ishin disa hapa përpara. Kabinetet, klasat mësimore, literatura tekniko – shkencore dhe ajo letrare – artistike, pedagogët, laboratorët etj, ishin mjaft të sofistikuar e të miklonin për të studiuar. Kaloi dimri i egër rus, në klasa e kabinete dhe në kushte të mira për ushqim, argëtim e për fjetje. Me të vajtur në shkollë, studentët për pilotë iu nënshtruan masave sanitaro - mjekësore, ku vend të rëndësishëm zuri larja, veshja me petka të kursantit sovjetik dhe komisioni ushtarako - mjekësor.
Në pranverë, para se të nisnin fluturimet, studentët u ndanë në grupe fluturimi. Çdo grup fluturimi kishte 3 - 4 studentë dhe drejtohej nga një instruktor i teknikës së pilotimit, i përzgjedhur sa i takon karakterit, nivelit dhe aftësive për të transmetuar ato që dinin. Sipas rregullit të përgjithshëm të mësimit të shkencës së fluturimit, udha e ajrit me studentët e grupit të Albert Shkurtit nisi nga lundrimi ajror me aeroplanin e thjeshtë e të lehtë, me helikë, Jak -18. Këtej ia nisën dhe djemtë e grupit ku bënte pjesë Albert Shkurti.
Por, para se të ngriheshin në ajër me instruktorin, ata, bënë një përgatitje në tokë, e cila zgjati rreth dy javë. Ajo ishte thjesht një përsëritje e veprimeve të pilotit të ardhshëm, nga futja në kabinën e avionit, derisa të dilte prej saj, pas kryerjes së fluturimit. Nisja e lundrimit ajror me serinë e aeroplanëve më të lehtë mësimorë, ka arsyet e veta, të cilat ata që ngrihen në ajër i dinë më mirë. Shpejtësia e vogël që fal shumë dhe manovrueshmëria e madhe, së bashku me tolerancën, janë disa pika të shëndosha ku bazohet gjykimi për t’i dhënë instruktorit të fluturimit më shumë mundësi për të korrigjuar ndonjë gabim të mundshëm të lundruesit ajror fillestar.
Sipas rregullave e instruksioneve të përgatitjes ajrore, ata që përgatiteshin për t’u bërë pilotë, përpara se të nisnin vozitjen ajrore, pas përgatitjes teorike në kabinete dhe asaj në tokë, nëpër grupet e fluturimit, detyrimisht i nënshtroheshin hedhjes me parashutë. Kjo ishte në kuadrin e masave paraprake, për të pasur njohuri mbi parashutën dhe parashutizmin; për braktisjen e aeroplanit me të cilin fluturonin, në rast rreziku. Bëhet fjalë për pamundësinë e vijimit të fluturimit, të shkaktuar nga ndonjë parregullsi në aeroplan apo për gabime të rënda të atij që mësonte pilotimin. Hedhja me parashutë realizohej me parashutën e desantit të veshur, e cila kishte kupolë të madhe (rreth 85 m/2) e cila hapej vetë, nëpërmjet një mekanizmi sahat, me një litar të mbërthyer në bordin e aeroplanit të parashutimit dhe një tjetër, e cila ishte parashutë rezervë, e lidhur me të parën me disa rripa të fortë, të cilën, ai që hidhej e mbante në gjoks dhe e hapte vetë, me anën e një mashe të kuqe, të cilën e mbante me dorë të vendosur sipër saj, për lehtësi. Parashuta rezervë, si rregull hapej në rastin kur ajo kryesore nuk hapej vetë, pas 3 sekondash nga shkëputja prej aeroplanit, ose kur parashuta kryesore nuk mbushej plotësisht me ajër.
Studentët e grupit ku bënte pjesë Albert Shkurti, të cilët e kryen të plotë ciklin trevjeçar të përgatitjes dhe në fund u diplomuan pilotë helikopteri, u hodhën me parashutë tri herë (një herë në çdo vit mësimor, i cili përkonte me përvetësimin e një tipi aeroplani). Hedhja e parë me parashutë, e cila është dhe më e vështira (parashutisti shkon drejt së panjohurës), u përcoll më tepër me gëzimin e të provuarit të një gjeje të re dhe me entuziazmin e moshës adoleshente. Studentët kishin në anën e tyre dhe faktin që ishin shqiptarë dhe kishin sedër e asnjeri nuk donte të shkëputej nga shokët. Dy hedhjet e tjera, paraqitnin vështirësi mbasi ai që do të hidhej e njihte procesin e hedhjes e të rënies; kishte njohuri dhe mbi mundësinë e parregullsive që mund të ngjanin gjatë parashutimit.
Ishte pranverë e vitit 1959. Dëbora e dimrit të gjatë e të ashpër rus, kishte nisur të shkrinte dhe në aerodromin fushor të Staraja Bambioshka, ku do të nisnin fluturimet, vende - vende kishte nisur të buiste bari duke krijuar disa vatra të gjelbërta, në sipërfaqen dominuese të mbuluar nga qilimi i bardhë i borës. Hedhja u bë me aeroplanin An - 2, i cili konsiderohet si më i përshtatshmi për parashutim. Aeroplani An - 2, në mëngjes, herët, kur mbi aerodrom nuk frynte erë, u ngjit në lartësinë 800 m, dhe mbi aerodrom, u realizua hedhja me parashutë e studentëve shqiptarë, hedhje e cila rezultoi e suksesshme. Duhet thënë se masat organizative që merrte shkolla në këto raste ishin të përpikta dhe disiplina, rregulli dhe kërkesa e llogarisë ishin tipike, ushtarake ruse.
Mësimin e fluturimit, Alberti dhe shokët e tij e nisën, në aerodromin fushor të Staraja Bambioshka, pranë qytetit të Pugacovit, disa ditë pas hedhjes së parë me parashutë. Vozitja, në ajër, me instruktorin e teknikës së pilotimit në kabinën e dytë, nisi me aeroplanin e lehtë mësimor me helikë, të tipit Jak – 18 të thjeshtë. Meqenëse sipërfaqja e fushës aerodrome ishte e mbuluar nga bora, vozitja ajrore, fillimisht u krye me përdorimin e slitave nën rrota. Gjatë lëvizjes së aeroplanit nëpër aerodrome, siç ishte procesi i daljes në brezin e ngritjes, ndalimi i aeroplanit, pas shuarjes së shpejtësisë, pas uljes etj, studentët e grupit ishin të detyruar ta shoqëronin aeroplanin, duke e mbajtur për krahu dhe për ta ndihmuar që të rrotullohej. Kjo ishte punë sfilitëse, por e domosdoshme. Të qëndroje, në sferën e veprimit të rrymave të ajrit që prodhon helika, në temperaturat e ajrit rrethues - 20 gradë Celsius (gjatë dy javëve temperatura zbriti në -30 gradë Celsius) ishte një sakrificë e madhe, por ajo u përballua nga djemtë shqiptarë, të mësuar me klimë mesdhetare.
Çdo student, fluturoi në aeroplanin Jak - 18 rreth 100 orë e në të gjitha detyrat e programit të përgatitjes ajrore. Nuk më duken pak. Alberti, si djalë i zgjuar, i urtë, i sjellshëm e i vëmendshëm, i përvetësoi shpejt dhe qëndrueshëm elementet e fluturimit.
Ai u lëshua në fluturime vetëm, (pa instruktorin e fluturimeve në kabinën e dytë) në grupin e parë të studentëve që u lëshuan në fluturime vetëm. Ai pati rritje të vazhdueshme në teknikën e pilotimit dhe i zgjeroi dukshëm njohuritë teorike mbi fluturimin në hapësirë. Edhe instruktori i tij, bënte të habiturin e ndjente kënaqësi kur vështronte progresin e Albertit e krenohej me studentin "e artë" nga Shqipëria.
Në përfundim të programit të përgatitjes ajrore, me aeroplanin e lehtë mësimor me helikë Jak - 18, Albert Shkurti dhe shokët e tij, iu nënshtruan një fluturimi provim, ku ai "shkëlqeu" dhe fitoi të drejtën për të fluturuar në helikopterin MI – 1, i cili është i ndjeshëm e kapricioz, në pilotim. Gjatë fluturimeve në aeroplanin Jak - 18, Alberti kishte instruktor të teknikës së pilotimit togerin sovjetik Cirkov, i cili ishte me kombësi ruse.
Në dimrin e acartë rus, studentët shqiptarë, të pamësuar me temperaturat e ulëta të ajrit, sapo zgjoheshin, në mëngjes, gjysmë të veshur, duhet të dilnin në gjimnastikën e mëngjesit, e cila përfshinte vrapimin, ushtrime të lira gjimnastikore në natyrë dhe ushtrime në vegla gjimnastikore. Vendasit këtë nuk e kishin problem kurse për tanët kjo ishte një sakrificë e madhe. Djemve nga Shqipëria u kishte punuar mendja mbrapsht dhe kishin bërë të veten një prapësi: Ata, derisa të rridhte koha e gjimnastikës së mëngjesit, e cila e kishte kohëzgjatjen rreth 30 minuta, qëndronin "të ngujuar" në WC. Atje ishte më ngrohtë dhe drejtuesve të kursit nuk u shkonte mendja tek kjo "manovër".
Kur i ranë hiles rusët, për këtë "manovër" të shqiptarëve, në kohën e fizkulturës së mëngjesit, pyesnin, me shpoti: "Ku ndodhen studentët shqiptarë?" Dhe përgjigjeshin, vetë: "Ata ndodhen në WC!" Kjo nuk kalonte e pashoqëruar me të qeshura me zë të lartë e me ironi.
Kushtet për jetesë e për të studiuar, në Pugacov ishin në shkallën më të lartë të mundshme. Studentët nga vendi ynë, të pamësuar me temperaturat e ulëta të ajrit, u familjarizuan me vonesë me gjendjen, ama u përshtatën. Atyre u zjente gjaku nga mosha rinore që kishin; ishin të veshur me petka të ngrohta dhe ushtroheshin në sportet e tyre të preferuara. Albert Shkurti e kishte shpirtin tek futbolli edhe pse e dinte që kjo lodër të lë të shkurtër në shtat. E gjente "dritaren" për t’u marrë me futboll djali i xha Spiros, ndonëse luante dhe lodra të tjera, si basketbolli, së bashku me Sotiraq Gjylametin; Sybi Kocin; Vangjel Naston etj. Bënte ç’bënte e dilte për të luajtur futboll Berti, në shoqërinë e Burhan Nures; Mikel Jamkut; Agim Nanaj etj. Po ta vështrosh dhe tani që po u afrohet të tetëdhjetave, Albert Shkurti, në shtat, është po i atillë: i imët e shtatshkurtër. Loja e futbollit, në këtë dukuri ka ndikimin e vet.
I dashuruar pas lojës së futbollit, edhe në ato kushte të vështira (sipërfaqja e tokës ishte e mbuluar nga Dëbora), Alberti dhe idhtarët e tjerë të kësaj loje burrërore i gjetën e i shfrytëzuan mundësitë për të rritur shkallën e kualifikimit, në futboll.
Pugacovi, në rrethina kishte tre aerodrome fushore me përmasa të kufizuara të përshtatshme për shfrytëzimin e aeroplanëve me helikë. Në këtë qytet, studentët shqiptarë të grupit ku bënte pjesë Alberti, fluturuan në aeroplanët fillestarë Jak - 18, një vit dhe në helikopterët e lehtë Mi - 1, një vit tjetër. Si rregull, për shkak të dëborës që binte vazhdimisht, fluturimet, zhvilloheshin në pranverë, mbasi shkrinte Dëbora dhe në stinën e verës, kur fusha jeshilonte nga bari. Vjeshta dhe dimri i kushtoheshin përgatitjes teorike, në klasë e në kabinete. Kushtet për të mësuar teorinë, në këtë shkollë ishin nga më të mirat në hapësirat sovjetike të asaj kohe.
Ato krijonin mundësi për t’u thelluar në problemet teorike dhe në shkencë, si në fushën e aeronautikës dhe në kuadrin e përftimit të kulturës së përgjithshme. Literatura e shumëllojshme bashkëkohore ishte cilësore dhe mbushte raftet e bibliotekës. Ndoshta do të ishte e tepërt të thuhet se pedagogët që drejtonin lëndë të ndryshme ishin në nivele shumë të larta e mund të krahasoheshin vetëm me shkencëtarë.
Për të minimizuar efektin e të ftohtit të pafamiljarizuar, në fjetinat e studentëve, por jo vetëm, natën realizohej ngrohje, me disa soba të veçanta me gaz, të cilat quheshin pjecka. Për të monitoruar pjeckën dhe për të kontrolluar fjetinën, sipas një grafiku, me mirëkuptimin e studentëve, çdo natë njëri syresh bënte shërbim. Në një natë dimri të vitit 1958 - 1959, të gjithë studentët në gjumë dhe të qetë se shoku i tyre monitoronte situatën, pushonin për shtatë palë qejfe. Studenti Nikolle Zhonga, po ai që desh mbeti në WC-në e Kostancës, kishte radhën e shërbimit, nën efektin e ngrohjes që jepte pjecka e kishte kapluar gjumi dhe sobën e kishte lënë të hapur. Natën, nga soba rrodhi gaz e fjetina u mbush me gaz karbonik. Nën efektin e gazit që thithën, studentët ishin në gjumë të thellë, të alivanosur (gjendje lipotimie).
Në mëngjes, falë kujdesit të kapterit që bënte zgjimin dhe ndërhyrjes energjike të personelit rus të shërbimit, u hapën dritaret e fjetinës forcërisht dhe ajri i freskët i atmosferës depërtoi në hapësirën e fjetinës ku dergjeshin studentët shqiptarë të rrezikuar. Kështu u shpëtuan studentët shqiptarë, dhe u shmang një tragjedi e paparë.
Në vitin e dytë të shkollës, që i përket vitit 1960, studentët shqiptarë të grupit ku bënte pjesë Albert Shkurti, fluturuan në helikopterin e lehtë Mi - 1, të cilin ata e emërtuan "mistrec". Fluturimet u zhvilluan në aerodromin e qytetit të Sizranit, qarku i Kuibishevit; afër tij. Muajt e dimrit 1959 - 1960 u shfrytëzuan për të njohur, teorikisht veçoritë e shfrytëzimit të helikopterit Mi-1. Si aparat fluturues, helikopteri ka disa gjëra të përbashkëta, por ka dhe ndryshime cilësore, ai vërtet fluturon, por nuk është aeroplan. Ndryshimet mes dy aparateve fluturuese ishin të domosdoshme të sqaroheshin më parë teorikisht e, me nisjen e fluturimeve instruktori i fluturimit ua dëftonte dhe praktikisht.
Në helikopterin Mi – 1, çdo student fluturoi përafërsisht 60 orë. Kaq ishte e mjaftueshme, për të parë e për t’u ambientuar me aparatin e ri fluturues. Përfundimi i fluturimeve me helikopterin Mi - 1, shënoi mbylljen e vitit të dytë të kohës studimore të shkollës së aviacionit. Siç ishte marrëveshja e lidhur mes dy shteteve e dy ushtrive tona "mike", studentët shkuan në vendlindje, për të takuar njerëzit e tyre të dashur e për të pushuar, një muaj me radhë. Alberti qëndroi në Tiranë, aty ku kishte familjen dhe shoqërinë e tij të fëmijërisë.
Ai u çmall me ta dhe qëndroi në shoqërinë e miqve të tij të kohës para se të shkonte për studime aeronautike në Bashkimin Sovjetik. Kaloi muaji i pushimeve dhe djemtë që studionin për pilotë, në fund të shtatorit të vitit 1960 u kthyen sërish në Bashkimin Sovjetik. Fillimisht, me një aeroplan transporti të tipit TU-104, ata fluturuan nga Rinasi në Moskë e pas 2 ditëve (neteve) rrugëtimi me tren, u sistemuan në qytetin jugor të Batajskut, në qarkun e Rostovit mbi Don, ku do të vijonin përgatitjen teorike dhe fluturimet në helikopterin e mesëm ushtarak MI - 4. Principi i funksionimit të këtij helikopteri, në thelb, ishte i përafërt me atë të helikopterit MI – 1, me të cilin ata, tashmë kishin fluturuar goxha dhe e njihnin. Prandaj, përgatitja teorike, për ta ishte një përsëritje e thjeshtë por, në nivele të reja, më të larta. Duhet thënë se klima në vendstudimin e ri, i cili, shtrihet në rajonin e Kaukazit të Veriut është më e butë dhe disi më e afërt me klimën e vendit tonë.
Prandaj studentët shqiptarë u familjarizuan më lehtë e më shpejt me veçoritë klimaterike të zonës.
Në Regjimentin shkollë të Batajskut studentët e grupit të Albert Shkurtit u bashkuan me një grup solid studentësh shqiptarë, të cilët kishin në përbërje 36 studentë (ishte grupi më i madh i studentëve shqiptarë të aviacionit, që kishte ardhur në shkollën sovjetike të aviacionit). Ata do të fluturonin në aeroplanin fillestar mësimor të tipit Jak - 18A e më pas ndaheshin në destinacione të tjera, përfshi helikopterin kundër nëndetëseve. Në muajin tetor të vitit 1960, nga shkolla e Pugacovit, erdhën në Regjimentin e Batajskut 10 studentë për pilotë, të cilët, deri atëherë kishin fluturuar në aeroplanin Jak - 18, rreth 100 orë e do të mësonin shfrytëzimin e helikopterit Mi - 1 e më pas atë Mi - 4. Të tre grupet e studentëve nga vendi ynë, pavarësisht se fluturonin me tipa të ndryshëm e jo në të njëjtin vend, u sistemuan në të njëjtën banesë, në qytetin e aviacionit (Aviogorodok). Banesa ishte dykatëshe, në mes të pyllit. Përpara saj ishte një shesh i betonuar i cili shfrytëzohej për të bërë përgatitje rreshtore, rreshtimet dhe shëtitjen e mbrëmjes.
Studentët shqiptarë, banonin në seksione të ndryshme, në katin e parë të banesës; mjediset e përdorimit të përbashkët (banjat, lavamanet, lenkomnaten; etj) i shfrytëzonin të tria palët. Në katin e dytë të banesës, ishte sistemuar një grup studentësh nga Hungaria, të cilët fluturonin në aeroplanin Jak - 18 A, në një skuadrile më vete. Ata do të përgatiteshin pilotë gjuajtës – bombardues, në aeroplanë të sofistikuar të kohës.
Në fillimet e vitit 1961, në regjiment erdhi një grup pilotësh nga Kuba, të cilët do të përgatiteshin për të fluturuar me helikopterin Mi - 4, me emergjencë për t’iu përgjigjur flakë për flakë situatave që kalonte vendi i tyre në atë kohë. Ata ishin oficerë me poste drejtuese në Ushtrinë kubane dhe erdhën me statusin e luftëtarit të Revolucionit Kastrist.
Në grupin e ngushtë, (në atë të fluturimit), Albert Shkurti kishte gjirokastritin e zgjuar Nasi Leka dhe studentin e talentuar nga Kuci i Kurveleshit – Ramo Mejdiaj. Mbasi kaluan tre vjet në shkollën sovjetike të aviacionit (dy vjet në Pugacov e një tjetër në Batajsk) dhanë dhe provimet, në teori e në praktikë, Berti dhe shokët e tij të grupit u diplomuan pilotë helikopteri, me "licencë" për të drejtuar helikopterin e mesëm ushtarak Mi - 4. Në fund të muajit gusht të vitit 1961, djemtë të diplomuar pilotë helikopteri, me një aeroplan sovjetik të tipit TU - 104, u kthyen në Tiranë, në rrugë ajrore. Pas lejes së zakonshme pranë familjes, ata u paraqitën për t’u emëruar në detyrë, në repartin e përzier të aviacionit në Laprakë.
Në atë kohë, në Skuadrilen e aviacionit në Laprakë ishin në fluturim 4 helikopterë MI - 4, me limite të kufizuara dhe 3 helikopterë MI - 1, me resurse thuajse të paprekura. Pilotë që fluturonin në këta helikopterë ishin: Sejdo Kamberi; Andrea Stavre; Zebo Durmishi; Llazar Cyci; Manush Kreshpa; Daut Xhaferri dhe Selman Mece. Meqenëse numri dhe resurset e trupit dhe ato motorike ishin të kufizuara, disa pilotë me teknikë pilotimi dhe metodë pune të përshtatshme të sapodiplomuar si Agim Nanaj; Vangjel Nasto e Sybi Koci u dërguan në Vlorë, në Shkollën e Aviacionit, për të dhënë mësime fluturimi ku fluturuan për shumë vite si instruktorë të teknikës së pilotimit në aeroplanët Jak - 18A, me ndryshime të pandjeshme në konstruksion e në të dhëna fluturuese, të cilët ishin emërtuar Tip - 61 të prodhuar në uzinat kineze të aviacionit. Mjaft pilotë të tjerë u dërguan në reparte të ndryshme të aviacionit, në detyra pranë fluturimeve. Disa pilotë të rinj si Nasi Leka; Agim Veleshnja e Nikolle Zhonga u liruan nga ushtria, për shkaqe të ndryshme. Një bërthamë pilotësh të rinj, ku bënin pjesë: Ndue Logu; Hetem Mehmeti dhe Albert Shkurti, u rreshtuan përkrah pilotëve që gjetën dhe u kompaktësuan me ta e fluturuan në helikopterët Mi - 4 për të cilët ishin diplomuar.
Në kushtet që gjetën, pilotët e rinj, nuk mund të avanconin në profesion, por nuk iu ndanë fluturimit edhe pse me orë të kufizuara dhe në detyra ajrore të thjeshta, sa për të ruajtur shprehitë e teknikës së pilotimit, si çështje thelbësore për një pilot. Instruktor i teknikës së pilotimit në fluturimet e tyre ishte mjeshtri i shfrytëzimit të helikopterit Mi – 4, krutani – Selman Mece.
Në pranverën e vitit 1963, nga uzinat kineze të aviacionit mbërritën në skuadrilen e Laprakës, 13 aeroplanë të lehtë transporti të tipit An - 2. Njëri syresh ishte i pajisur me aparaturë për spërkatje dhe pluhurosje nga ajri; dy ishin të pajisur me kolltuqe dhe të izoluar, të cilët shërbyen për transportimin nëpërmjet ajrit të personaliteteve partiake e shtetërore dhe 10 të tjerë, u përdorën për destinacione të ndryshme, në interes të mbrojtjes e të popullsisë. Albert Shkurti dhe disa pilotë të tjerë, të cilët, deri atëherë fluturonin në helikopterë, për shkak të resurseve të pamjaftueshme në këto mjete, u praktikuan për të mësuar e për të shfrytëzuar aeroplanin e ri, të sapoardhur. Në këtë grup bënin pjesë: Albert Shkurti; Zebo Durmishi; Llazar Cyci; Daut Xhaferri etj. U rikthyen në fluturim dhe pilotët e diplomuar për të fluturuar në helikopterin Mi - 4, si dhe ata që kishin ndërprerë fluturimet në Bashkimin Sovjetik, me helikopterët Mi - 1, të cilët, deri atëherë shërbenin në detyra të ndryshme, pranë aviacionit. Me komandant Petrit Majlindin, pas një rikualifikimi në aeroplanët An - 2, ata nisën fluturimet me këtë avion, në detyra të ndryshme.
Albert Shkurti, në përbërje të ekipazheve ajrore, herë në cilësinë e pilotit të dytë e herë si komandant ekipazhi, kreu ulje me aeroplanin An - 2, thuajse në të gjitha aerodromet dhe fushat e blerta të vendit tonë. Teknika e lartë e pilotimit, qetësia, saktësia, disiplina e lartë në veprime dhe kujdesi i shtuar i "heroit" të këtij shkrimi, u shpalosën në çdo rast, sidomos kur shkohej në ulje, në fushën e blertë të Kukësit (Bicaj); në atë të Gjirokastrës (Valare) etj. Berti u ul dhe në aerodromin e Rinasit; në qytetin "Stalin"; në Shkodër (Shtoj); në Vlorë; në Korçë (Drenovë) e gjetkë. Në vajtjet e Albertit dhe të shokëve të tij që fluturonin në aeroplanët An - 2, fillimisht u dërgua në qytetet përkatëse, shtypi i ditës, posta ushtarake dhe në ndonjë rast u transportuan njerëz, në variantin sanitar etj. Pjesëmarrja në të tilla detyra ajrore si dhe duke fluturuar me orë të tëra, i shërbyen Albert Shkurtit për pjekjen e mëtejshme të tij si pilot.
Në vitin 1967, në muajin dhjetor, (data e saktë 5 e muajit të fundit të vitit) u formua Regjimenti i Helikopterëve, me qendër në Farkën e Madhe. Viti pasardhës, ishte vit i organizimit të kësaj njësie luftarake. Regjimenti i helikopterëve u krijua si rezervë e në shërbim të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Popullore. Puna nisi me përkthimin dhe me përshtatjen e literaturës teknike.
Së pari, u përkthye Instruksioni i Teknikës së Pilotimit të helikopterit Mi - 4, i cili do të ishte helikopteri bazë i regjimentit dhe i ushtrisë. Në kohë rekord u përkthye, u redaktua e u daktilografua konstruksioni i motorit Ash – 82 V dhe Konstruksioni i helikopterit MI - 4. Përkthimi u krye nga oficerë specialistë me intelekt të spikatur të cilët kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe që zotëronin gjuhën ruse më mirë nga të tjerët. Me aksion u përgatitën skema e makete funksionale, si dhe u grumbullua literaturë e nevojshme tekniko - shkencore. Ishte shans i madh që në atë kohë, në shërbimin inxhiniero – teknik përfshiheshin kuadro që, jo vetëm zotëronin gjuhën ruse, por kishin dhe njohuri të thella si specialistë aviacioni të mirëfilltë. Me cilësi të lartë e kompetencë shkencore kontribuan kuadrot: Tajar Ramadani; Apollon Bace; Naltor Shehu; Dajlan Birce; Vebi Punavija etj. Në krye të regjimentit të ri u vu piloti i klasit të parë Lulo Musai (Spahaj), i cili, deri atëherë kishte fluturuar në disa tipa aeroplanësh, përfshi aeroplanin e sofistikuar Mig - 19 PM.
Ai kishte akumuluar përvojë të gjatë e me vlerë, si fluturues e si drejtues si dhe kishte disa tipare e aftësi të rralla organizuese dhe drejtuese.
Struktura organike e regjimentit të sapokrijuar u plotësua me pilotë të kategorive e të niveleve të ndryshme të mbledhur nga reparte të tjera dhe me të larguar nga fluturimi përkohësisht dhe me teknikë e specialistë me përvojë në shfrytëzimin e aeroplanëve dhe të helikopterëve, po të mbledhur si të parët. Disa syresh kishin përvojë të gjatë e ishin bërë "mjeshtra" të shfrytëzimit të helikopterit MI - 4. Të tillë ishin Sejdo Kamberi; Andrea Stavre; Selman Mece; Manush Kreshpa etj. dhe kuadrot e profilit teknik e specialist si Andon Koroveshi; Fadil Kashri; Eljaz Kraja; Myslym Gjoka dhe me të rinjtë si: Tajar Ramadani; Dajlan Birce; Jemin Nanaj; Seit Shehu; Naltor Shehu; Petrit Levanaj; Ibrahim Kapllani; Vebi Punavija; Hysen Hila etj. etj. të cilët u bënë shtylla kryesore të regjimentit dhe i vunë shpatullat e i dhanë tonin stërvitjes ajrore me helikopterët Mi - 4. Mjaft kuadro të profilit pilot, teknik e specialist aviacioni që mbushën strukturën organike të regjimentit të ri, erdhën nga repartet e tjera të aviacionit, ku kishin dhënë kontributet e tyre në drejtim të rritjes profesionale individuale dhe si specialitet. Disa pilotë, si Halit Bulku; Mustafa Cici; Jorgo Tabaku; Mentor Rrugia; Mustafa Gjokutaj; Mark Qypi; Nustret Bilani; Baftjar Metaj etj, deri atëherë kishin fluturuar në aeroplanë reaktivë gjuajtës - bombardues. Të tjerë pilotë si Ramo Mejdiaj; Stavri Prenda; Luan Sinaj; Ali Levanaj; Mihallaq Nole; Idriz Kasaj; Sotiraq Gjylameti; Namik Agolli; Cen Cenaj; Vangjel Postoli etj. pas përfundimit të shkollës në Bashkimin Sovjetik ose ndërprerjes së studimeve atje, pas kthimit në Atdhe, kishin shërbyer në reparte të ndryshme të ushtrisë, pranë aviacionit.
Në krye të regjimentit të sapokrijuar, për drejtimin e edukimit ideopolitik të efektivave, u caktua piloti Tomorr Avdia, i cili, më parë kishte fluturuar në aeroplanë reaktivë gjuajtës – bombardues Mig - 15, në Regjimentin "Peza" të Qytetit "Stalin". Tomorri u caktua komisar i regjimentit, në krah të komandantit Lulo Musai (Spahaj). Ai u ul i pari në lëndinën me bar e me ferra, në Fushëfarkë, përpara xhamisë, me një helikopter Mi - 4, me teknik borti Vebi Punavine. Fluturimet me helikopter, derisa u ndërtua baza ajrore e Farkës së Madhe, kryheshin nga aerodromi i Tiranës, në Laprakë. Me argumente bindëse e me logjikë të fortë strategu ushtarak, komandant Lulua argumentoi përpara udhëheqjes së ushtrisë se Farka e Madhe, me afërsinë nga Metropoli Shqiptar dhe me pozicionin strategjik për kohën, ishte vendi më i përshtatshëm për dislokimin e Regjimentit të Helikopterëve, në formim e sipër.
Në programin e fluturimeve nga aerodromi i Tiranës, përfshiheshin, kryesisht ushtrime në "varje"; fluturime në "rreth" e në zonë dhe ndonjë largim i thjeshtë nga vendi ku ngriheshin. Qëllimi i këtyre fluturimeve të thjeshta e pranë aerodromit të ngritjes, ishte rivendosja e mjeshtërisë së pilotimit, për ata që më parë kishin fluturuar në helikopterin Mi - 4 si dhe familjarizimi me veçoritë e shfrytëzimit të helikopterit Mi - 4, për ata që kishin fluturuar në aeroplanë të ndryshëm.
Instruktorë të teknikës së pilotimit me grupin "e madh" të pilotëve "të mbledhur" ishin pilotë me përvojë e me teknikë pilotimi të përsosur si Sejdo Kamberi; Selman Mece; Manush Kreshpa etj. Albert Shkurti, fillimisht u caktua komandant treshe. Kur regjimenti i ri u kompletua me 36 helikopterë të rinj të tipit Mi - 4, të ardhur nga uzinat kineze të aviacionit, Alberti u emërua komisar i skuadriles së tretë. Komandant i kësaj skuadrileje u emërua krutani Selman Mece. Në ekipazhin që drejtonte Alberti, pilot i dytë ishte i rrituri në Korçë, piloti i ri - Petrit Paci, i cili ishte njeri mjaft i mirë dhe pilot pasionant e me teknikë pilotimi të pastër.
Alberti kujton një rast kur Ai, në fluturime natën, me ulje jashtë heliodromit, në Shemill të rrethit të Elbasanit, ku uljet i drejtonte piloti me përvojë Hetem Mehmeti; Berti shkonte në ulje për të tretën herë. Ulja në atë shesh kryhej me përdorimin e projektorit të bordit, për ndriçim kurse sheshi i uljes gjendej me ndihmën e një majaku, me bateri. Kësisoj, piloti përcaktonte drejtimin e uljes, lartësinë dhe pengesat në kursin e zbritjes.
Në kufijtë e prasmë të sheshit, majaku, ftonte ekipazhet të uleshin në vendin e caktuar. Majaku funksiononte me bateri por ajo në uljen e tretë të Bertit, u dobësua aq shumë sa ekipazhi në ajër nuk mund ta dallonte vendin ku duhet të ulej. Alberti, si kontrollues e si pilot me përvojë në të tilla fluturime kishte marrë iniciativën e po vepronte për t’u ulur, por profilin (trajektoren e uljes) e kishte mjaft të ulët.
Ajo nuk e siguronte parrezikshmërinë e uljes. Udhëheqësi i fluturimeve, Hetem Mehmeti, kur pa helikopterin në atë lartësi të papërshtatshme, ndërhyri energjikisht, nëpërmjet radios RSIU - 3M, me mesazhin: "Ku vete?" Piloti i dytë - Petrit Paci, i cili, në atë rast kontrollohej nga Alberti, gjithashtu ndërhyri në komandat e helikopterit dhe i tha Albertit: "… komandant: Ku vete? Përpara kemi një pemë të lartë!" Alberti, sikur të zgjohej nga një përgjumje e thellë, veproi energjikisht e me saktësi.
Ai ngriti lart këndgazin dhe mori nga vetja dorezën e komandimit. Ekipazhi e kaloi helikopterin në "rreth të dytë", saktësoi, llogaritjen dhe u ul në sheshin e ri, në Shemill, sipas normave. Petrit Paci, pilot i vëmendshëm e me teknikë pilotimi të admirueshme, edhe në këtë rast luajti rolin e "shpëtimtarit".
Në dimrin e ashpër e të pazakonshëm të vitit 1985, kur një pjesë e territorit të vendit, në veçanti pjesa verilindore e tij u izolua nga Dëbora e madhe që ra në ato ditë janari dhe u përsërit, e njëjta situatë, në muajin shkurt të atij viti. Në vendet me pjerrësi të theksuar, në disa zona, u formuan orteqe dëbore, të cilët u pasuan nga dëme të pallogaritshme në materiale dhe shkaktuan disa viktima e mjaft të plagosur. Disa jetë njerëzish humbën nga fatkeqësi të tilla natyrore. Regjimenti i Helikopterëve, në atë fatkeqësi të natyrës, ngriti në ajër, thuajse të gjithë parkun e helikopterëve Mi - 4 dhe aktivizoi në fluturime përafërsisht të gjitha ekipazhet. Albert Shkurti, në atë kohë ishte në detyrën e kryenavigatorit të regjimentit. Ai, i kishte përgatitur pilotët nga pikëpamja e navigacionit për të pikasur nga ajri edhe fshatin më të largët e më të vogël, të izoluar nga Dëbora, por u vu fizikisht në krye të aksionit të ndihmës e të shpëtimit.
Fluturimi i datës 16 janar të vitit 1985, ishte ndoshta më heroiku në historinë e Regjimentit të Helikopterëve dhe në jetën e Albert Shkurtit, si pilot. Në fshatin malor të Viles, në rrethin e Kukësit, kishte rënë mjaft dëborë dhe ishte formuar një ortek i fuqishëm, i cili, duke u rrokullisur tatëpjetë, kishte vënë përpara gjithë çfarë kishte gjetur në atë pjerrësi mali dhe kishte rrezikuar disa jetë njerëzore. Disa të plagosur pritnin të transportoheshin në një spital ku mund t’u jepej ndihmë mjekësore e specializuar. Terreni ishte mjaft i vështirë; lartësia e malit të Viles, e konsiderueshme, moti, përveç dëborës që kishte mbuluar sipërfaqen e tokës, ishte dhe me mjegull të dendur, e cila, me ngritjen e diellit, formonte një ndjesi qumështi dhe e pakësonte mjaft transparencën e ajrit; vështrimi horizontal nuk i kalonte të 500 m. I vetmi vend ku mund të prekte tokën (jo të ulej) helikopteri, ishte Qafa e Erërave.
Për të kryer këtë detyrë të vështirë, u dërguan pilotët me përvojë: Vangjel Postoli (komandant ekipazhi) dhe Albert Shkurti (pilot i dytë). Për kryerjen e kësaj detyre u caktua helikopteri Mi - 4 me numër anësor 6 - 59, i cili menaxhohej nga tekniku i bortit Teki Zaimi, nga rrethi i Dibrës. Ekipazhi, ishte i përgatitur për të shkuar në këtë detyrë, por, në një kohë 2 - 3 ditore, ulja në qytetin e Kukësit ishte praktikisht e pamundur. Mjegulla e dendur, në Luginën e Drinit dhe në vendin ku duhet të ulej ekipazhi (përpara godinës së Komitetit të Partisë së rrethit), ngrihej deri në lartësinë 1000 m.
Meqenëse kushtet e terrenit dhe të motit ishin mjaft të vështira, por duhet shkuar patjetër për kryerjen e detyrës u caktuan dy pilotë nga më të sprovuarit, të cilët njihnin në detaje terrenin, ishin mjeshtër të shfrytëzimit të tij dhe kishin teknikë pilotimi mjaft të pastër. Ata, të dy, ishin guximtarë dhe kishin aftësi të veçanta manovruese si fluturues. Në bordin e helikopterit ndodhej dhe piloti Koco Biku, i cili kryente detyrën e kryenavigatorit të aviacionit. Ekipazhi, fillimisht, u ul në qytetin e Kukësit, në sheshin me përmasa të kufizuara, përpara Komitetit të Partisë së rrethit. Mbasi morën një personalitet të lartë të rrethit dhe disa kronistë, ekipazhi e uli helikopterin në vendin e quajtur Qafa e Erërave, ku lartësia mbi nivelin e detit ishte 1103 m. Në atë vend nuk mund të gjendej asnjë shesh sa për të takuar të katër rrotat e helikopterit. Ishte hera e parë që në këtë terren të vështirë do të ulej helikopteri, për të shpëtuar jetë njerëzore të rrezikuara.
Si pika orientimi, për të gjetur vendin e uljes, ekipazhi shfrytëzoi veçoritë dalluese të një grupi malësorësh të cilët kishin dalë për të përcjellë të lënduarit dhe ishin të kallkanosur nga të ftohtit. Ja si e rrëfen këtë ndodhi heroike, vetë Albert Shkurti, i cili ishte protagonist aktiv i këtij aksioni humanitar: "Vangjeli dhe tekniku zbritën për t’u çuar malësorëve shoqërues barelën; helikopterin me motor të ndezur mezi e mbajta, derisa u kthye Vangjeli në kabinë. Kur Vangjeli pilotonte, unë vrojtoja instrumentet e kontrollit të motorit dhe ato të pilotimit si dhe bëja korrigjimet e nevojshme". Mbasi mori në bort të lënduarit, ekipazhi, u ngrit, me vështirësi, doli në lartësinë mbi shtresën e mjegullës; la nevojtarët në Kukës e u kthye në Tiranë.
Ekipazhi, atë ditë fluturoi 1 0re e 56 minuta. Motori punoi në tokë edhe 57 minuta të tjera. Jeta gati 30-vjeçare si fluturues e cila e kishte vënë Albert Shkurtin përpara provave serioze, dhe tiparet vetjake dhe aftësitë profesionale të tij, i dhanë mundësi "heroit" të këtij rrëfimi të përballet me vështirësi të papara e me ndodhi të papritura të cilat, Ai i përballoi, suksesshëm.
Në vazhdën e heroizmit të tij ishte dhe fluturimi i Albertit, më 14 janar të vitit të mbrapshtë 1985, kur Ai, në ekipazh me pilotin trupmadh Enver Taho dhe me teknik fluturues Thoma Becin, i cili menaxhonte helikopterin me numër anësor 6 - 41, mori detyrën për të furnizuar nga ajri bukë, për fshatarët e izoluar të Vuk – Jakut, në krahinën e Shllakut. Ekipazhi u ul në fushën e sportit të qytetit të Shkodrës, fillimisht, ku u furnizua me bukë dhe, në kushte tejet të vështira u ngritën në drejtim të Shllakut mbi një terren të mbuluar nga qilimi i bardhë i dëborës ku çdo gjë zbardhonte e mjegullonte. Buka u hodh nga pozicioni në "varje", mbi kreshtën e malit, në lartësinë 800 - 900 m. Fluturimi "aksion" pati vazhdimësi 2 orë, 03 minuta. Siç kujton Alberti: "Ekipazhi, kaloi Komanin e nuk po diktonte vendin ku do t’i hidhte mallrat ushqimore. Duke vrojtuar, me syçeltësi terrenin, shquam një grumbull malësorësh, të cilët, valëvitnin në ajër çfarë u vinte përdoresh. Mirëpo, kur po përgatiteshim për të ekzekutuar operacionin e hedhjes së bukës, pikasëm se punëtorët që kishin për detyrë të hidhnin bukën, pa na paralajmëruar, ishin spostuar në zonën e bishtit të helikopterit dhe qendra e rëndesës u spostua prapa, drejt bishtit.
Falë fizikut të fuqishëm të pilotit Enver Taho dhe veprimit të shpejtë të tij, u shmang rreziku iminent".
Në një rast tjetër, Alberti ishte në ekipazh me pilotin me përvojë Selman Mece dhe kishin marrë detyrën të transportonin një bust, në fshatin Vlush të rrethit të Skraparit. Ulja e helikopterit Mi - 4 u realizua në një shesh, i cili ndodhej në një lartësi relativisht të madhe dhe i kishte përmasat të kufizuara. Ulja u realizua brenda normave teknike, por ngritja prej andej ishte tepër e vështirë madje paraqiste rrezikshmëri. Ekipazhi, në unitet mendimi e veprimi, e studioi në detaje situatën dhe gjeti si mënyrë më të mundshme, ngritjen e helikopterit si aeroplan. Helikopteri vërtet u ngrit si aeroplan por, sapo ai u shkëput nga toka, kur ishte në marrje lartësie, me shpejtësi evolutive, përpara ekipazhit u shfaq një hon i thellë. Pilotimi i pastër dhe ruajtja e gjakftohtësisë nga të dy pilotët, i nxorën ata faqebardhë, duke kapërcyer vështirësinë e krijuar pas rënies së helikopterit si rrjedhojë e boshllëqeve të ajrit.
Këto raste nuk ishin të vetmet. Tiparet njerëzore dhe aftësitë fluturuese të Albert Shkurtit u vunë në provë serioze dhe fituan mbi rastin e jashtëzakonshëm që ndodhi në datën 30 qershor të vitit 1978, kur, në rolin e kontrolluesit, Alberti bëri të mundur uljen pa motor të helikopterit, me motor të fikur në një terren të thyer e të rrezikshëm, siç ishte Përroi i Togut, në rajonin e Shëngjergjit. Kronika e asaj ndodhie rrezikndjellëse paraqitet si vijon:
Më 30 qershor të vitit 1987, Regjimenti i Helikopterëve, organizoi fluturime kontroll dhe vetëm, me ulje jashtë heliodromit; në Bizë e në Ballenjë Sulltan. Në sheshin e uljes në Bizë do t’i drejtonte ekipazhet që vinin për t’u ulur, piloti me përvojë Ali Levanaj, kurse në Ballenjë – Albert Shkurti. Për të shfrytëzuar uljen në të dy sheshet, Alberti, i cili, në atë kohë kryente detyrën e kryenavigatorit të regjimentit, do të kontrollonte teknikën e pilotimit të pilotit të ri Bajram Doci. Helikopteri, fillimisht do të ulej në Bizë të Shëngjergjit, ku do të linte drejtuesin e fluturimeve – Ali Levanaj dhe mjetet e ndërlidhjes, mandej do të ulej në Ballenjë, ku Alberti do të drejtonte uljen e 8 ekipazheve të planëzuara për këtë detyrë. Në bordin e helikopterit me numër anësor 6 - 59 i cili menaxhohej nga tekniku fluturues Teki Zaimi, ishte dhe piloti Ali Levanaj; oficeri i ndërlidhjes Bektash Malaj dhe ushtari radist Arben Mile.
Helikopteri, me ngarkesë të konsiderueshme u ngrit nga heliodromi i Farkës, rreth orës 11.15. Moti ishte i përshtatshëm për të fluturuar, por temperaturat e ajrit në tokë ishin rreth + 36 gradë Celsius. Pesëmbëdhjetë minuta pas ngritjes, kur helikopteri në fjalë ishte ngjitur në lartësinë 1500 m dhe ndodhej mbi malësinë e Shëngjergjit, ekipazhi vuri re një kërcitje të pazakontë, lëkundje të xhirove të motorit, rritje të temperaturës së kokave të cilindrave, dhe nxjerrje tymi të zi, nga skapamentoja. Brenda disa sekondave, xhirot e motorit ranë në zero dhe motori u fik. Ekipazhi (të dy pilotët dhe tekniku i bordit), çmoi me shpejtësi situatën dhe mori vendimin, pa hezituar, për ta kaluar helikopterin në vetërrotullim e mandej për të përcaktuar një shesh të mundshëm ku do të kryenin ulje të detyruar. Terreni mbi të cilin ngjau fikja e motorit ishte tejet i thyer dhe shkëmbor.
Ekipazhi ruajti gjakftohtësinë dhe veproi me shpejtësi e me saktësi. Në kabinë ishin dy pilotë me përvojë të gjatë në fluturime e me aftësi fluturuese mjaft të mira: Albert Shkurti dhe Ali Levanaj. Ulja e detyruar u krye në Përroin e Togut, i cili mbledh ujërat që rrjedhin nga lartësitë e Shëngjergjit dhe gjendet ndërmjet malit të Fagut dhe faqes lindore të lartësive të asaj zone. Po ta vështroje helikopterin ku ishte ulur, nuk do t’u besoje syve mbasi dukej sikur, dikush e kishte vendosur me dorë, aty mes shkëmbinjve malorë. Ndonjëri, mendoi se ky ishte fat e një rastësi fatlume. Unë mendoj të kundërtën: Ishte mendja, dora, përvoja e pilotëve Albert Shkurti e Bajram Doci, të cilët nuk e humbën toruan, por u orientuan shpejt me situatën dhe morën masa të menjëhershme për të dalë prej saj.
Akti heroik i ekipazhit Shkurti - Doci - Zaimi ka vetëm një emër: Trimëri, me sinonimet: burrëri e dinjitet njerëzor. Prania e mjeshtrit të shfrytëzimit të helikopterit Mi - 4, Ali Levanaj, shok klase i Albertit, ndikoi pozitivisht dhe shtoi besimin në atë zgjedhje që bëri ekipazhi. Jo gjithçka kaloi "si në vaj". Të gjashtë ata që ndodheshin në bordin e helikopterit 6 - 59, patën lëndime të lehta dhe u përcollën në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak ku qëndruan 3 ditë. Helikopteri 6 - 59, nga goditjet në atë terren tërë gurë, u dëmtua plotësisht.
Pas mbërritjes në vendngjarje të ekipit inxhiniero – teknik me në krye kryeinxhinierin e regjimentit, Tajar Ramadani, helikopteri u çmontua, në kohë rekord e u dërgua në Uzinën e Aviacionit në Qytetin "Stalin", për riparim, por, në fakt u përdor si pjesë këmbimi.
Ngjarjen e pikasën fshatarët e Shëngjergjit, të cilët vërshuan tek vendi ku u ul helikopteri 6 - 59. Ata i shkuan në ndihmë ekipazhit të rrezikuar, duke derdhur shpirtin e tyre human dhe mirësinë që mblonin. Në vendngjarje ia behën të parët: Nazmi Rricegu; Shevqet Dika; Halit Vishshkurti; Halit Dardha etj. Atë ditë ngjau dhe diçka e rrallë e tepër interesante, e cila i kalon kufijtë e një mirësjelljeje të thjeshtë: Fillrojtësi i zonës, fshatari nga Domje – Pasho Karaj, me iniciativë, lidhi aparatin që mbante në krahë në linjën telefonike më të afërt, hyri në lidhje me Ministrinë e Mbrojtjes e u bë ndërmjetës në këtë situatë të rëndë. Fillrojtësi Pasho, kishte si motiv për atë që bëri një "detyrim moral" që, sipas tij, kishte për Regjimentin e Helikopterëve. Pashua, nuk e dinte ekipazhin që i shpëtoi jetën bashkëshortes Xhemile, në vitin 1976, kur ajo ishte në lindjen e parë, të vështirë dhe kish nevojë për ndërhyrje të specializuar.
Në atë situatë të vështirë për familjen e Pashos, u thirr me urgjencë helikopteri, i cili u ul pranë shtëpisë së tij, mori Xhemilen dhe e transportoi në shtëpinë e Lindjes, në Tiranë. Ngjarja e datës 30 qershor të vitit 1987, ia solli Pashos "gjahun në pritë" dhe Ai çmoi se kësisoj do ta "shlyente borxhin e dikurshëm", të cilin e mbante peng në shpirt.
Për të përcaktuar natyrën e defektit qartas teknik, u ngrit një grup pune me teknikë e specialistë aviacioni kompetentë për çështjet e teknikës fluturuese. Në këtë grup pune bënin pjesë: Sotir Majko (shef i shtabit të aviacionit); Perikli Teta (kryeinxhinier i aviacionit); Koco Biku (Kryenavigator i aviacionit) dhe Ahmet Selvia (punonjës i Aparatit të Komitetit të Partisë së aviacionit). Grupi, hetoi ngjarjen dhe arriti në përfundimin: "… gjatë kontrollit të motorit të helikopterit 6 - 59, në vendin e ngjarjes dhe në Uzinën e Aviacionit u gjetën grimca metalike në filtër dhe shpim i cilindrit Nr – 4; në pjesën anësore, afër kokës së pistonit. Shpimi ishte një vrimë me dimension 30 mm, nga ana e valvulës së shkarkimit. Motori ishte dëmtuar dhe si rrjedhojë e goditjeve gjatë uljes së detyruar, sidomos në pompën e vajit dhe në atë të benzinës.
Sipas grupit hetimor të ngjarjes, defekti kishte karakter teknologjik". Lidhur me natyrën e defektit, shprehet dhe komisioni teknik. Në aktin teknik, kanë firmosur: Perikli Teta; Koco Biku; Tajar Ramadani; Arqile Peri; Bashkim Zajmi; Petraq Naci dhe Agron Beli. Në aktin teknik shkruhet: "Pistoni i cilindrit Nr - 4 është brejtur në gjysmën e periferisë, në tehun e kokës së pistonit, në anën e valvulës së shkarkimit. Me djegje, është shpuar në faqen anësore ku (ka një vrimë me diametër rreth 30 mm) në zonën e fashave, të cilat, nga grimcat e djegura të pistonit janë salduar ndërmjet tyre dhe pistoni ka punuar duke u fërkuar me cilindrin, pa vajisje. Grimcat e djegura, duke goditur kandelet, kanë shkaktuar prishjen e harkut elektrik dhe i kanë nxjerrë ato jashtë përdorimit.
Si rezultat i këtij defekti teknologjik të pistonit, cilindri Nr – 4 nuk ka punuar më; ranë rrotullimet e motorit, nisën plasjet në sistemin e shkarkimit, të shoqëruara nga dalja e tymit të zi dhe dridhje, të shkaktuara nga disbalanca dhe lëvizja me fërkime e pistonit me cilindrin Nr - 4. Sasia e grimcave metalike nisi të rritet dhe të akumulohet në filtrin e vajit. Ekipazhi, në situatën e krijuar, ka marrë masa për parandalimin e zjarrit, dëmtimin e mëtejshëm të motorit dhe krijimin e kushteve për vetërrotullim e për ulje të detyruar". (Marrë nga akti teknik i komisionit të posaçëm; Qyteti "Stalin"; 03.07.1987).
Dalja faqebardhë nga kjo ngjarje e rëndë, nxori në pah vlerat e vërteta njerëzore dhe profesionale të Albert Shkurtit, puna e të cilit ishte shpalosur me kohë dhe kishte prurë një "erë" të re në përgatitjen shturmane të fluturuesve të Regjimentit të Helikopterëve. Ky akt heroik dëshmon për njohuri të thella shkencore, bindje të patundura në mundësinë e njeriut për të fituar mbi çdo të papritur, kur ka në kraharor një zemër që rreh për Atdheun e tij të lirë dhe kur njohuritë veshin petkun e disiplinës teknike dhe shkencore; tjetër emër nuk mund të ketë.
Në të gjitha shkallët që ngjiti e çdo majë që kapi në profesionin e pilotit, deri në funksionin e lartë të kryenavigatorit të regjimentit, Albert Shkurti la gjurmë, të pashlyera si njeri i urtë, i ditur, me vullnet të fortë, me disiplinë të ndërgjegjshme dhe trim nga ata që e kanë kokën plot dhe e dinë se çfarë bëjnë. Njohuritë e tij "brilante" në fushën e aeronavigacionit, ku "shkëlqente", njohja e territorit të vendit tonë prej tij e vendosën aviodrejtimin në repart, mbi baza të shëndosha shkencore gjë që i bëri pilotët e kësaj njësie luftarake njohës të përsosur të terrenit. Vullneti i tij i hekurt dhe këmbëngulja për të nxënë më tepër, bënë të mundur përfundimin e fakultetit të Inxhinierisë Elektrike, pa shkëputje nga puna, gjë që e bëri atë më kompetent në profil dhe të kompletuar me njohuri shkencore në fusha të ndryshme. Albert Shkurti, nuk iu fut fakultetit për të marrë një diplomë e për ta përdorur atë si stoli, por për të pasur më shumë horizont shkencor, e për të depërtuar më thellë në dukuritë teknike. Kësisoj, duke qenë pilot i përparuar dhe inxhinier elektrik, Ai u lidh më ngushtë me teknikën dhe e thoshte më të argumentuar mendimin, në çdo analizë e diskutim, sidomos kur ndodhnin defekte si ai i 30 qershorit 1987, ku Ai ishte vetë protagonist.
Jeta personale:
Në vitin 1973, Albert Shkurti hodhi një hap serioz në jetën vetjake. Ai u lidh me fejesë e pas një viti u martua me Aleksandra Pulerin, mjeke gjinekologe; një vajzë për kokën e vajzës, me tipare shumë humane, e gjendshme dhe e përkushtuar. Përveç detyrës së mjekes gjinekologe, në klinikën ku shërbente, Aleksandra u bë mikeshë e grave të aviatorëve, të cilave iu ndodh pranë kurdoherë e për të gjitha problemet që u paraqiteshin. Vëllai i saj Mihallaq Puleri menaxhoi me kompetencë e përkushtim, për shumë vjet një aeroplan transporti të lehtë, të shumë destinacioneve An-2.
Ai dhe i ndjeri Lili Ligor Lacka u bënë shkaktarë dhe ndikues vendimtarë për lidhjen e Albertit me Aleksandrën e cila rezultoi e qëndrueshme. Ajo nuk e kurseu kurrë ndihmën e kualifikuar, në çdo orë të ditës (natës), pa përtim dhe me kënaqësinë se po ndihmonte miqtë e bashkëshortit dhe të sajet, njëkohësisht. Pas martesës, të dy, Alberti dhe Aleksandra formuan një familje model, e cila kishte në themel: Dashurinë për njëri-tjetrin; respektin dhe mirëkuptimin, besnikërinë dhe përkushtimin ndaj shoku-shokut. Nga martesa e tyre erdhën në jetë 3 fëmijë (dy vajza dhe një djalë). Familja e tyre shquhej lehtë nga të tjerat për nga mirësjellja, edukata e shëndoshë, kultura qytetare dhe përkimi i mendimeve.
Ata duken sikur janë bërë për njëri-tjetrin.
Nga lidhja martesore mes dy të rinjve, në vitin 1975 erdhi në jetë Pirrua, pinjolli i parë i asaj çerdheje të qetë, të gëzuar e të lumturuar. Pas Pirros, u lind Brikena dhe pas saj Borana. Të tre fëmijët u rritën dhe u edukuan në atë mjedis familjar të ngrohtë ku edukata qytetare dhe mirësia ishin kryefjalë e jetës. Ashtu si të dy prindërit e tyre, edhe tre fëmijët, u bënë njëri më i mirë se tjetri. Ata nderojnë veten por dhe prindërit që i sollën në jetë dhe i rritën e i edukuan me vlerat që bartin, si qytetarë të denjë të këtij vendi.
Duhet vënë fort theksi tek përzgjedhja e shokëve dhe miqve nga Albert Shkurti. Ai, në karrierën e gjatë si oficer e si pilot, ka shërbyer e ka pasur marrëdhënie me shumë njerëz, por, në çdo rrethanë, Alberti i përzgjidhte shokët e miqtë, të ishin siç ishte Ai vetë. Në regjiment, Alberti kishte më tepër shoqëri me Ndue Logun e me Vangjel Postolin, të dy kolegë të nderuar të tij, të cilët e mbuluan veten me lavdi.
Nëse mund të thuash ndonjë gjë negative, sa për të regjistruar një kritikë për të, mund të them se nga njohja që kam me Atë njeri, do të thoja se teshtin shumë. Ndonjërit mund t’i duket e pabesueshme, por, kur Bertin e zë teshtima, ai që ndodhet pranë tij, duhet të përgatitet për të përjetuar shumë "bresheri" teshtimash. Në jetën e tij, ka ndodhur që, Berti të ketë pasur deri në 34 teshtima radhazi. Mund të ngjajë si barcaletë, por do t’ju dëftoj një ndodhi të vërtetë, të cilën e kam përjetuar në vitet 1987 - 1988.
Në një rast, fluturonim me helikopterin Mi - 4, në rrugëkalimin Farke - Kardhiq, me ulje. Në helikopter ishin: Tafil Agaj (pilot i majtë), Albert Shkurti (kontrollues) dhe tekniku i bortit. Isha në rolin e pasagjerit si vëzhgues. Iu luta teknikut të bordit e u vendosa, në mes të dy pilotëve. Kur ishim mbi Tri Gllavat, Tafili po kërkonte fshatin e tij - Komarin. Albertin e kapi teshtima dhe derisa u ulëm në Kardhiq, nuk pushoi së teshtituri.
Në vitin 1991, kur mbushi moshën e përcaktuar në ligj, për të dalë në pension si pilot; (50 vjeç), Albert Shkurti, me gradën e majorit, doli në pension të plotë pleqërie. Ngatërrestarët e pensioneve, me papërgjegjësi, kishin bërë gabime në përllogaritjen e pensioneve dhe Berti, nuk u shpërblye siç i takonte. U desh të trokiste zyrë me zyrë për të përfituar atë që i takonte.
Albert Shkurti ka vite në pension, por, si njeri i mirë, edhe tani, me këtë status që mban, nuk ka rreshtur së punuari, brendapërbrenda familjes dhe në mjedisin ku jeton. Ai jep shembullin e një njeriu me edukatë të shëndoshë familjare dhe me sjellje e me kulturë qytetare; një shembull që duhet ndjekur.
I uroj Albert Shkurtit shëndet e jetë të gjatë!
Shkroi Niazi Xhevit Nelaj, shok dhe koleg i Albertit. Në Tiranë, shtator – tetor 2018
Opinione:
Tajar Ramadani: "Ah, sikur të ishin të gjithë si Alberti!" Kështu e nis opinionin njëri nga bashkëkohësit më jetëgjatë të Albertit. Dhe vijon: "Albert Shkurti - një njeri i veçantë në njohjen time, në disa dekada. Kemi qenë të dy skënderbegas ndonëse Ai ishte një vit përpara meje. Nuk mund të them se kisha komunikim me Të, por, i gëzohesha faktit që Ai ishte një model për të gjithë. Tek Alberti vështroja një njeri të kulturuar; qytetar i mirëfilltë si në pamje dhe në komunikim, mbante mirë uniformën ushtarake dhe vazhdimisht e vështroja në tabelën e nderit të shkollës.
Të shkruash për ata që ke pasur simpati është disi e vështirë se po shkrove gjatë, do të lësh pak hapësirë për të tjerët; po shkrove shkurt, me siguri që nuk do t’i thuash të gjitha ato që di për Të. Sidoqoftë, njohjen më të plotë e më të saktë, me Albertin e kam pasur kur u titulluam oficerë, në vitin 1961. Në grupin ku bënte pjesë, Alberti dallonte nga shokët dhe kishte rritje të dukshme në krahasim me kohën kur ishte skënderbegas. Ai ishte më i pjekur e më i formuar, ishte bërë më shoqëror, ishte modest, i aftë, sportist cilësor dhe dijet e tij nuk i ekspozonte, në një kohë kur kish të drejtë të krenohej.
Në Regjimentin e Helikopterëve kam punuar pranë tij për shumë kohë dhe e kam parë përherë ‘shembullor’. Shkallët e karrierës, i ngjiti një nga një dhe me meritë. Për Albertin, rëndësi kishte të mbetej qytetar me shumë vlera dhe pilot i disiplinuar e serioz. Ato që thosh Alberti për teknikën ajrore dhe për çështjet e njohjes së saj ishin tepër të sakta e të qarta. Ai nuk i zmadhonte problemet, por u ‘binte në kokë’ e propozonte zgjidhje racionale.
Së bashku me Albert Shkurtin kam qenë i angazhuar në detyra kryesore për gati 25 vjet me radhë. Ai ishte një drejtues i përsosur i fluturimeve; ditën dhe natën. Me qetësinë tipike që e karakterizon, Berti u jepte guxim dhe optimizëm pilotëve në fluturim. Kur në drejtimin e fluturimeve ishte Albert Shkurti edhe tek efektivi inxhiniero – teknik njerëzit ishin tepër të qetë. Shkak për këtë ishte komunikimi i tij me ne, me ëmbëlsi e me takt, vërejtjet e tij ishin të sakta e të qarta dhe të thëna me një natyrshmëri të rrallë, pa alarm e pa rënë në panik, por duke dhënë dhe mendime me vlerë për zgjidhjen e mangësive që ishin dukur në punën tonë.
Alberti është një intelektual i mirëfilltë. Ai, së bashku me pilotin Nustret Bilani, përfunduan Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike. Kapacitetet e tyre mendore i dhanë shtysë pozitive punëve të Regjimentit. Kapaciteti intelektual i tyre, më ka ndihmuar shumë në detyrën time të kryeinxhinierit, mbasi, të dy i kisha konsulentë të përhershëm e cilësorë. Mendjet e tyre sillnin argumente të pakundërshtueshme e rekomandonin zgjidhje të pranueshme shkencore.
Pata shansin ta takoj Albertin gjatë kohës kur të dy dolëm në lirim nga reforma që u bë në ushtri. U takuam në Athinë, ku isha emigrant ekonomik dhe Alberti u operua nga veshkat... Sapo mësova për shtrimin e tij në spital, i bëra vizitë. Çfarë kënaqësie ndjemë, të dy? Të takosh shokun e punës kur je jashtë Atdheut është një shans dhe kënaqësi e paprovuar për ne. Kujtuam kohën kur jemi njohur dhe çaste nga jeta dhe puna e përbashkët.
Alberti, si gjithmonë, ishte i qetë, optimist, i ëmbël në bisedë dhe i kujdesshëm në gjykimin e gjërave.
E theksoj, me bindje të plotë se ne, njerëzit e aviacionit: pilotë, teknikë, specialistë, inxhinierë e punonjës civilë duhet të ishim, të gjithë si Alberti. Atëherë do të kishim më pak probleme e do të ishim më të afruar me njëri-tjetrin e më kompaktë."
Shkroi Tajar Ramadani, në Vlorë, më 30.07.2018.
- Seit Shehu
"… Albert Shkurtin e gjeta në Regjimentin e Helikopterëve dhe punova, së bashku e nën drejtimin e tij, deri në fillimet e viteve ’9o të shekullit të shkuar, kur, të dy dolëm në pension. Kur gjykon për Bertin – njeri, nuk ka si të mos zgjedhësh fjalët e të shprehesh me superlativa. I meriton, të gjitha lavdërimet, Ai njeri i rrallë. Albert Shkurti është personifikim i njeriut të edukuar e të kulturuar, me një korrektësi që të bën të mendohesh. Berti, në çdo kohë ka shpalosur modelin e njeriut të sjellshëm, me të gjithë; si me vartësit dhe me kolegët apo me eprorët. Tek Albert Shkurti kam parë një njeri serioz i cili nuk flet shumë, por çdo fjalë e tij është e thënë me vend e me mend.
Mendimet që jepte Berti, gjithnjë linin mbresë tek ata që e dëgjonin. Tek Albert Shkurti, gjeta shokun, mikun, kolegun, këshilltarin e mirë. Ai vështronte punët e tij e nuk ndërhynte në punën e tjetrit, por, kurrsesi nuk është indiferent. Ai i vështronte me interes gjithë ndodhitë që zhvilloheshin rreth tij e nuk kursehej për të rekomanduar udhët e zgjidhjes.
Në funksionin e pilotit të helikopterit, Albert Shkurti shkëlqente. Ai ishte një mjeshtër i madh i fluturimit dhe specialist i rrallë. Gjatë karrierës si fluturues, Berti ka kryer detyra të ndryshme, me rritje graduale, deri në funksionin e kryenavigatorit të regjimentit. Nga përvoja e tij me vlerë, në fluturime në kushte të ndryshme të terrenit e të motit, kanë përfituar disa breza pilotësh. Urtësia, dashamirësia dhe durimi i tij, nuk kanë të krahasuar. Më kanë lënë mbresë aftësitë e tij të rralla, komunikuese me njerëzit dhe zotësia e tij për të transmetuar tek vartësit, atë që di vetë.
Ndihem krenar dhe shumë i privilegjuar që kam punuar, së bashku me të dhe nën drejtimin e tij."
Seit Shehu, veteran i aviacionit, bashkëkohës i Albert Shkurtit. Në Tiranë, 13.07. 2018.
- Arif Mataj
"… Albert Shkurtin, e gjeta në Regjimentin e Helikopterëve, në fund të vitit 1968, kur vajta atje për të mësuar helikopterin MI - 4 e nuk jam ndarë prej tij, derisa Ai doli në pension. Alberti, vazhdimisht ka qenë në funksione drejtuese dhe ka ‘shkëlqyer’, vazhdimisht, si pilot e si organizator i fluturimeve. Berti ka qenë njëri nga specialistët më të mirë të fluturimeve, në regjiment e një instruktor plot bagazh e aftësi transmetimi.
Ai ishte mjaft i qetë, si në tokë dhe në fluturim. Si pilot, Alberti ka qenë i kohës dhe mbante anën e progresit. I edukuar e i kulturuar; me nivel të ngritur teorik dhe praktik; një specialist, i cili nuk toleronte e nuk bënte ‘pazare’, kur bëhej fjalë për fluturimin. Albert Shkurti është shumë i dashur e i sjellshëm me të gjithë. Të gjithë e donin e Ai i donte.
Kur bisedoja me Atë ‘mjeshtër’ në profesion, matesha shumë, se Ai nuk flet shumë, por ato që të thotë i ka të bazuara.
I uroj të bëhet edhe njëqind vjeç!"
Arif Mataj, ish-pilot helikopteri, bashkëkohës i Albert Shkurtit. Në Tiranë, më 30.06.2018.
- Veli Perleka
"… Albert Shkurtin e kam njohur në punë të përbashkët, për shumë vite, në Regjimentin e Helikopterëve, në Farkë. Isha pilot i ri, e Ai – drejtues në sektorin e fluturimeve. Mund të dëshmoj, për të, me përgjegjësi e me kompetencë sa vijon: Alberti ishte një pilot i zoti, drejtues me tipare të rralla, i ditur, i zgjuar e me cilësi të veçanta, si njeri e si fluturues. Alberti shquhej si pilot me qetësi të rrallë, e me disiplinë të lartë, si në tokë dhe në ajër. Albert Shkurti është mjaft shoqëror e human.
Ai është shumë i edukuar e i formuar si nga ana botëkuptimore dhe nga ajo profesionale. Ai ishte ushtarak i zoti, me horizont e me kulturë, portreti i Tij është portreti i një njeriu të mirë e me reputacion. Të flasësh për portretin e Albert Shkurtit, nuk mund të lësh pa theksuar se Ai është dhe njeri i letrave e i pasionuar pas librave.
Ai njeri, nuk e ndante librin nga dora. Ishte me horizont e me kulturë mbasi lexonte shumë dhe e kishte gjenin të tillë. Berti lexonte literaturë teknike, instruksione e rregullore dhe libra artistikë e politikë. Ai ishte dhe është erudit. E kishim drejtues të formave të edukimit dhe shkonim me shumë dëshirë në to. Alberti e konkretizonte problemin që diskutohej në format e edukimit që drejtonte dhe na çelte horizont.
Albert Shkurti është kundër shablonizmit, skolarizmit, të mësuarit përmendësh e në mënyrë mekanike dhe kundër predikimeve të kota. Berti ka fjalor të pasur e leksik të pastër. Ai nuk preferon sloganet dhe referimet boshe. Berti drejtonte me krijimtari e me fantazi.
Në debatet që zhvilloheshin, Alberti, i cili, për hir të së vërtetës ishte mjaft aktiv, mbasi të dëgjonte dhe e mendonte mirë gjënë, jepte mendime të pjekura, të mençura e të sakta. Ai dinte të kapte nyjen kryesore, tërhiqte përfundime me vlerë, të cilat u hynin në punë të gjithëve. Fantazia, intuita shkencore dhe mendimi i pjekur ishin ‘lulet e këndshme’ që zbukurojnë portretin e tij.
Albert Shkurtin e gjeta në detyrën e komisarit të skuadriles por, Ai ishte njëherazi dhe një komandant me horizont e kompetent. Si pilot, Albert Shkurti i kishte shokët të rrallë. Ai ishte instruktor i teknikës së pilotimit dhe u mësonte pilotëve fluturimin në kushte të ndryshme të motit, ditën dhe natën.
Ai ishte dhe pilot kolaudator, me njohuri të thella tekniko - profesionale. Jo vetëm në regjiment, por u bënte provën në ajër e i sillte në heliodrom, agregatet që kalonin procese riparimi në Uzinën e Aviacionit. Ai kolaudonte dhe helikopterët që kalonin në oficinën e regjimentit. Këto fluturime me shkallë të lartë vështirësie kërkojnë njohuri të thella shkencore dhe disa tipare karakteristike të pilotit, si gjakftohtësia, maturia, qetësia në ajër, pastërtia në teknikën e pilotimit, intuita shkencore etj. ishin veçoritë e atij piloti të rrallë.
Albert Shkurti është njeri me vullnet të fortë. Dashuria e tij për të nxënë është shprehje e vullnetit të tij të rrallë. Ai nisi e përfundoi me tregues të lartë cilësorë, Universitetin e Tiranës, në degën e Inxhinierisë Elektrike. Përfundimi i kësaj shkolle të lartë, me rezultate shumë të mira i shërbeu punës së tij, si pilot, sidomos, kur Ai u emërua në detyrën e rëndësishme të kryenavigatorit të regjimentit. Puna e tij, në këtë detyrë është tepër mbresëlënëse. Pilotët e helikopterit lipset ta njohin deri në imtësi territorin e vendit, nga Konispoli, në Vermosh e më gjerë.
Puna drejtuese e tij, në sektorin e aviodrejtimit është interesante dhe origjinale. Ai e ndjente thellë përgjegjësinë e funksionit dhe bënte përpjekje të papara për të qenë në lartësinë e detyrës, por kishte dhe aftësinë për ta justifikuar besimin që iu dha. Po cila ishte metoda e tij e punës? Alberti, fillimisht shkonte vetë, me helikopterin Mi-4 e ulej në çdo shesh ku do të shkonin ekipazhet, në atë ditë fluturimi, me radhë.
Ai studionte terrenin, ndërtonte skemën e futjes në ulje dhe të uljes në sheshin e caktuar, bënte fotografinë e sheshit, përcaktonte korridoret e futjes (afrimit), lartësitë e pengesave, përgatiste album me skema për çdo shesh të cilat i shfrytëzonte për të konkretizuar detyrën, në ditën e përgatitjes për fluturim. Kësisoj, ekipazhet e kishin më të lehtë vajtjen dhe gjetjen e sheshit të uljes; nuk shkonin drejt së panjohurës. Kur ishte drejtues i skuadriles së parë, puna e tij ‘shkëlqeu’ dhe në një drejtim tjetër:
Një bërthamë pilotësh të talentuar të kësaj skuadrileje si: Shpëtim Baxhaj; Llaqi Davidhi; Veri Naci; Veli Perleka etj. në konkurset bazë aviacioni, përfaqësonin Regjimentin e Helikopterëve, dhe në çdo rast, klasifikoheshin të parët. Kjo arritje, kishte brenda dhe punën plot përkushtim të Bertit.
Albert Shkurti ka qenë model i pilotit instruktor. Ai ishte i sigurt, i ‘ëmbël’, i qetë e i disiplinuar; si në tokë dhe në ajër. E kam pasur instruktor të teknikës së pilotimit e më ka mësuar shfrytëzimin e helikopterit MI - 4. Kur dëftonte një element, Ai i fiksonte shigjetat, sikur ato të ishin të ngjitura pas dërrasës së instrumenteve. Pas diplomimit tim pilot, Alberti më ka dhënë fluturime kontrolli, ditën dhe natën, si dhe më ka çuar në disa sheshe, ditën dhe natën. Berti, jo vetëm që të dëftonte me saktësi e me korrektësi, por të linte iniciativë për të vepruar; gjë që nuk e bën çdo instruktor se ajo ka të bëjë, drejtpërdrejt me mundësinë e rikuperimit të gabimeve që mund të lejojë ai që është në procesin e të mësuarit.
I jam shumë mirënjohës Atij njeriu, për sjelljen e ‘butë’ e me kërkesë, nga metoda e të cilit kam mësuar shumë. Vlerat e Albert Shkurtit si njeri e si pilot kualitativ u vunë në provë jo një herë. Ai kreu shumë detyra ‘speciale’ shpëtimi dhe u ul në të gjitha sheshet, jashtë heliodromit.
Në provë serioze u vunë aftësitë e tij në datën 30 qershor të vitit 1987, kur iu bllokua motori, mbi lartësitë e Shëngjergjit, në kuotën 1500 m, në një fluturim stërvitor në të cilin kontrollonte pilotin e ri Bajram Doci. Aftësitë e tij dhe tiparet e karakterit të Bertit, dolën fitimtare, mbi një defekt të rëndë teknologjik. Përpara një situate ajrore reale dhe kërcënuese, Ai nuk u hutua, por çmoi drejt rrethanat, zgjodhi vendin për ulje të detyruar dhe kreu veprime të sakta e u ul mbi një terren të vështirë, shkëmbor. Provë tjetër serioze ishte dhe ulja e tij në Qafën e Erërave, së bashku me Vangjel Postolin.
Albert Shkurti është dhe një bashkëshort e prind për t’u pasur zili. Bashkëshortja e tij – Aleksandra, në profesionin e mjekut gjinekolog, një grua e përkryer, na është gjendur pranë dhe ka ndihmuar bujarisht kur bashkëshortet e aviatorëve ishin në nevojë. Të dy me Albertin, si të bërë për njëri-tjetrin, sollën në jetë tre fëmijë, i rritën dhe i edukuan ata e i bënë qytetarë të kulturuar e me edukatë të shëndoshë, siç janë vetë. Më kujtohet një bisedë intime me Bertin, shpirt njeriu: Kishte një djalë e një vajzë; i lindi vajza e dytë. Në një bisedë mes shokësh (se Berti më trajtonte si shok), i thashë: po vajzën e dytë, ç’e deshët? Ai, me qetësinë olimpike që e karakterizonte, m’u përgjigj: ‘E po ka nevojë motra për motër…!’
Uniformën ushtarake Alberti e mbante të pastër e të rregullt; kapelen ushtarake e kishte vënë në kokë qysh se ishte fëmijë e u rrit në ushtri, me rregull e me disiplinë. Nuk ka pirë e nuk pi duhan; as pije alkoolike. Fizikun e ka të pakët, por është shumë i fortë e i shkathët dhe mjaft rezistent. Në lojën e futbollit, të cilën e ka shumë për zemër, Berti luante si një profesionist i vërtetë.
I uroj shëndet, jetë të gjatë e aktive dhe lumturi në familje!"
Veli Perleka, pilot në pension, ish-nxënës dhe koleg i Albert Shkurtit. Në Tiranë, më 01. 07. 2018.
- Hysen Hila
"… Albert Shkurtin e njoh, në punë të përbashkët dhe pa ndërprerje, nga viti 1967. Në atë kohë, të dy, ishim në Skuadrilen e Tiranës. Ai ishte pilot e fluturonte në helikopterët Mi - 4, i diplomuar në shkollën sovjetike të aviacionit e unë - teknik i ri, i sapoardhur nga shkolla jonë e aviacionit e Vlorës. Fluturonim në të njëjtët helikopterë. Me Bertin dhe me familjen e tij, prej gati 55 vjetësh, jemi gjitonë… Familjet tona kanë shkuar shumë mirë me njëra-tjetrën. Albert Shkurti ka bashkëshorte Aleksandrën, një grua të veçantë, e cila, derisa doli në pension, punoi mjeke gjinekologe.
Ajo na është gjendur pranë si shoqe e si motër. Të tre fëmijët që sollën në jetë, (dy vajza e një djalë), çifti Albert e Aleksandra Shkurti i kanë rritur e i kanë edukuar si qytetarë të denjë, siç janë vetë prindërit e tyre. Ndjej një kënaqësi të veçantë të flas për Albert Shkurtin, si njeri, si gjiton e si pilot i rrallë.
Alberti përfaqëson një prind, një njeri dhe një gjiton të respektuar e të përkushtuar. Ai është i urtë, i edukuar e fjalëpak. Berti nuk ia fut kot kur flet e sa për t’u gjendur në bisedë, por e di mirë kur duhet të flasë e çfarë të thotë.
Ai flet pak, por, fjalët që dalin nga ajo gojë janë të sakta e nuk lëndojnë njeri. Në hierarkinë ushtarake, Albert Shkurti është ngjitur gradualisht e me meritë, deri në kupolën e Regjimentit të Helikopterëve. Për shumë vite ka kryer detyrën e kryenavigatorit të Regjimentit të Helikopterëve. Detyra e tij ishte mjaft e vështirë e me përgjegjësi, por Berti e kreu me nder.
Më ka lënë mbresa fakti që, në çdo detyrë e në çdo hallkë ku ka punuar, Albert Shkurti mbeti i njëjti njeri: i mirë, i sjellshëm, i dashur, i respektuar e tepër korrekt. Si pilot, Ai ishte nga më të mirët e regjimentit. Në tokë e në ajër Berti dallohej për qetësi e për saktësi. Ai ishte mjaft aktiv në çështjet e aeronavigacionit dhe në ato teknike. Berti nuk e lëshonte fjalën kot, por fliste me argumente shkencore dhe në fjalën e tij nuk ishte vështirë të shquaje kompetencën. Përfundimi i fakultetit të inxhinierisë, dëshmoi vullnetin e tij dhe këmbënguljen për të rritur horizontin, i cili i dha më tepër kompetencë e siguri.
Albert Shkurti ka frymë të mirë ballafaqimi e është kurajoz. Ai nuk ka drojë për t’i thënë gjërat me emrin që kanë, pavarësisht se me kë ka të bëjë. E kam parë në krye të aksioneve për kryerjen e detyrave ‘speciale’ të shpëtimit apo të ndihmës nga ajri, në situata të ndryshme.
I uroj shëndet e jetë të gjatë aktive!"
Hysen Hila, veteran, specialist i aviacionit, bashkëkohës i Bertit. Tiranë, më 05. 07. 2018.
- Nustret Bilani
"… Albert Shkurtin e kam njohur qysh në vitin 1967; (në fund të vitit) kur u formua Regjimenti i Helikopterëve. Tek Alberti kam parë një njeri të kompletuar me të gjitha të mirat që mund të thuhen për një njeri. Ai është një shok e mik i qetë, i urtë, i matur, i pjekur, i duruar, me edukatë e me kulturë qytetare. Berti është shok e mik i të gjithëve. Në jetën e tij, nuk besoj të ketë bërë kundërshtarë personalë, ca më tepër, që nuk mund të bëhet fjalë për ‘armiq’ vetjakë. Ka frymë të mirë ballafaqimi dhe është kritik e kundërshtar i rreptë i padrejtësisë.
Tek kolegu e miku im, Albert Shkurti, kam vërejtur një mënyrë të tijën të kërkesës së llogarisë e cila është e veçantë dhe autentike. Berti është i përmbajtur dhe pakënaqësitë, di t’i mbulojë përbrenda vetes. Ai është i etur për dije e kulturë. Me shumë vullnet e me sakrifica të shumta, Alberti, përfundoi, pa shkëputje nga puna, Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike. Përfundimi i Universitetit i dha Atij mundësinë të thellohet më tepër në proceset që ndodhin në helikopter, në tokë e në fluturim. Prind, mik, gjiton e bashkëshort si Albert Shkurti, në jetë njeriu i takon rrallë.
Si pilot, Berti ka shpalosur cilësi të një talenti të lindur e të rrallë.
I uroj jetë të gjatë e të lumtur në familje!"
Nustret Bilani, pilot në pension, koleg e bashkëkohës i Albert Shkurtit; Tiranë, më 08. 07. 2018.
- Bajram Doci
Ja si e kujton piloti i grupit më të ri të pilotëve të helikopterit Mi - 4, Bajram Doci, ngjarjen e datës 30 qershor 1987, në të cilën Ai ishte në të njëjtin ekipazh, me Albert Shkurtin, kur kryen ulje të detyruar, pa motor, në Përroin e Togut: "… Regjimenti i Helikopterëve, ishte regjiment shkollë. Ishim një grup shokësh të cilët kaluam në helikopterin Mi - 4, si shumë grupe paraardhës. Në atë ditë fatkeqe, pilotoja helikopterin me numër anësor 6 - 59. Isha në rolin e pilotit që mëson pilotimin, kurse Albert Shkurti, më kontrollonte, nga kabina e djathtë e helikopterit Mi – 4; atje ku qëndrojnë zakonisht kontrollorët.
Në shkallët mes dy pilotëve, qëndronte, në këmbë mjeshtri i pilotimit, piloti veteran Ali Levanaj. Koha që ka kaluar që atëherë dhe ndryshimet sociale, kanë bërë të tyren, por nga ajo ndodhi tronditëse, ruaj disa gjurmë të cilat nuk shuhen lehtë nga kujtesa. Isha adoleshent e tani jam zbardhur nga ‘bora’. Ndihem mirë që koha dhe ndryshimet që kanë ngjarë nuk e kanë prekur mirësinë e shpirtit të mikut tim të nderuar. I miri mbetet i mirë; i lumi ai që ka atë shpirt.
Ishte ora 09 e datës 30 qershor të vitit 1987. Regjimenti i Helikopterëve, atë ditë kishte organizuar fluturime, ditën, me ngritje nga heliodromi e me ulje në dy fusha. Nuk ishte ditë shumë e përshtatshme për të zhvilluar fluturime në terren malor, por u vendos kështu e nisën fluturimet. Moti ishte me erë dhe ndjeja një lloj zagushie. Temperaturat e ajrit në tokë ishin rreth 36 gradë Celsius dhe ajri kishte lagështi e turbulencë.
Në këto kushte, siç dihet motorët me cilindra, siç është ai që vendoset në helikopterin Mi - 4, nuk e çlirojnë fuqinë motorike, sipas regjimit të punës që ka vendosur piloti. Terreni mbi të cilin do të fluturonim ishte malor, i theksuar. Duhet të merrnim lartësinë 1500 m mbi nivelin e detit (lartësi absolute).
Për këtë qëllim shfrytëzuam luginën pranë heliodromit e në perëndim të Malit të Dajtit. Lartësia duhej për të kapërcyer lartësitë e terrenit dhe për të siguruar parrezikshmërinë e fluturimit. Fluturohej në rajonin e malësisë së Shëngjergjit. Në mëngjes, dolëm në heliodrom për të fluturuar, por ngritjet u anuluan për shkak se moti ishte i papërshtatshëm. Pritëm pak; më vonë u vendos të nisnin fluturimet. Helikopteri me të cilin realizova ngritjen ishte ndër të parët helikopterë Mi - 4 me të cilët nisi ajo ditë fluturimesh.
Në atë fluturim mësimor (për mua), do të më kontrollonte piloti veteran Albert Shkurti, me detyrë kryenavigator i Regjimentit të Helikopterëve. Ai mbante përgjegjësi për suksesin e fluturimit, dhe kontrolli i tij konsistonte, në vrojtimin e elementeve të fluturimit dhe për zbatimin e kërkesave të rregullave të aviodrejtimit dhe të llogarive paraprake. Albert Shkurti ishte njëri nga pilotët me njohuri të thella teorike e shkencore, virtuoz sa i përket teknikës së pilotimit dhe njëri nga specialistët më në zë, në tokë e në ajër. Si Alberti, ishin të rrallë pilotët, si në kupolën e regjimentit dhe në hallkat ndërmjetëse.
Ai ishte nga më të mirët instruktorë dhe kontrollorë të fluturimeve me helikopter. Në helikopter ishte dhe mjeshtri i madh i fluturimeve me helikopterin Mi – 4 - Ali Levanaj. Aliu kishte përvojë të gjatë dhe dorë ‘të ëmbël’ në pilotimin e helikopterit.
Ai qëndronte, në këmbë, në shkallët e helikopterit, i pozicionuar midis dy pilotëve që drejtonin makinën ajrore.
Mbasi do të merrja kontroll e do të ulesha në Bizë të Shëngjergjit, ku pritej të vinin për t’u ulur ekipazhe të tjera, do të lija aty pilotin Ali Levanaj, i cili do të drejtonte uljet e helikopterëve, pas meje dhe mjetet e ndërlidhjes. Në bordin e helikopterit Mi - 4 me numër anësor 6 - 59, ndodhej dhe tekniku i bordit, dibrani Teki Zaimi; oficeri i ndërlidhjes Bektash Malaj dhe ushtari radist - Arben Mile. Ngarkesa e përgjithshme e helikopterit ishte rreth 800 kg. U ngritëm normalisht dhe, me spirale të zgjeruar, u ngjitëm në lartësinë e llogaritur = 1500 m. Gjatë marrjes së lartësisë, në rajonin e Malit të Dajtit dhe mbi lartësitë e Shëngjergjit, nuk vumë re asgjë të veçantë, si në kushtet e motit dhe në regjimin e punës së motorit. Vrojtoja, me vigjilencë të shtuar regjimin e fluturimit dhe e kisha të përqendruar vëmendjen, në mënyrë të veçantë tek treguesit e punës së motorit. Presioni i vajit, në mufte e në motor dhe temperatura e vajit ashtu si presioni i benzinës ishin brenda normave të lejuara.
Ndonëse motori i helikopterit funksiononte normalisht, nuk më pëlqeu zhurma që bënin cilindrat, gjatë funksionimit të tyre dhe treguesi i shpejtësisë vertikale, i cili nuk i përgjigjej regjimit të punës së motorit. Dyshova, por, në përcaktimin tim nuk isha kategorik dhe i prerë. Lëkundja ime dhe pavendosmëria për të vepruar kishte të bënte me faktin që temperaturat e ajrit rrethues ishin të larta dhe zagushia të mbyste. Mendova dhe se era, e cila në tokë frynte e lehtë, me ngjitjen në lartësi do të forcohej. Vigjilencën nuk e humba dhe hamendësitë nuk më vunë në gjumë. Dyshimet kishin zënë vend në mendjen time dhe po e pilotoja helikopterin me ekzigjencë e korrektësi, sikur të isha kursant.
Veprimet pas vetëfikjes së motorit (ulja e levës së këndgazit, mbyllja e pompës së benzinës dhe stakimi i magnetos – veprime sipas kërkesave të instruksionit) dhe kalimi në vetërrotullim ishin të menjëhershme e të sakta. Planerimin për në vendin e uljes e bëmë sipas parametrave, me qetësi. Nuk qe ulje, por përplasje me tokën. Ishim me ‘fat’ se u ulëm midis shkëmbinjve mbasi përpara nesh shtrihej një humnerë. Dolëm nga kabina dhe u larguam nga helikopteri. Pamë të dilte nga skapamentoja flakë e cila u shua shpejt.
Goditjen më të fortë e mori Bektashi; unë pësova disa gërvishtje në fytyrë, të cilat shquhen edhe sot, pas 30 vitesh.
Nga ajo ngjarje mësova shumë. Në vetëdijen time u fiksua kërkesa për të qenë i qetë, çfarëdo që të ngjajë siç ishin Alberti dhe Aliu; se duhet vepruar sipas instruksionit dhe rregulloreve përkatëse; të kisha besim tek vetja e të mos kisha as mëdyshje, as frikë, pavarësisht nga situata. Dy mjeshtrat e mëdhenj të pilotimit të helikopterit Mi - 4: Albert Shkurti dhe Ali Levanaj, më inspiruan të kryja veprime të sakta e të drejta. Kam mendimin se, të tre, dhe tekniku i helikopterit, Teki Zaimi në rastin e vështirë që na u paraqit bëmë gjithë sa mundëm dhe shpëtuam veten dhe makinën luftarake që pilotonim. Fati dhe aftësitë profesionale e thanë fjalën e tyre…"
Bajram Doci, pilot i majtë, në atë fluturim. Nga Italia, më 02. 07. 2018, ora 10.30; me mesenxher.
Sikur të gjithë efektivat e Regjimentit të kisha intervistuar, vetëm fjalë të mira do të kisha marrë për personalitetin e Albert Spiro Shkurtit, i cili e ka gdhendur vetë, figurën e tij të pastër.
Fund i rrëfimit




JU FALEMINDERIT SHUMË PËR KËTË MONOGRAFI BRILANTE