Si në çdo punë, edhe në atë të aviatorëve, njerëzit nuk janë të prerë me një sharrë. Disa bëhen shtysë për t’i shpurë punët përpara, teksa të tjerë frenojnë e pengojnë progresin. Flitet shumë se veteranët janë “fond i artë”, apo “magazinë vlerash”. Këto janë të vërteta e nuk kanë nevojë të vërtetohen. Vetë mosha që mbajnë mbi supe është jo vetëm fat e privilegj, por nuk mund të thuhet se mosha është gjithçka. Ajo është vetëm një premisë e mirë. Vlerat individuale të njerëzve janë ato që bëjnë diferencën.

Vlerat e njeriut janë motive të brendshme të formuara që nga thithja e qumështit të Nënës. Karakteri i njeriut, me të gjitha tiparet, shpaloset çdo ditë, me qasjen ndaj problemit dhe me punën vetjake të tij. Gjithashtu është i njohur dhe fakti se në një apo më tepër pika kulmore të veprimtarisë së njeriut, me qëndrimin e tij, ndaj një dukurie të rrallë, njeriu dëfton veten. Një çast i vetëm, ndonjëherë bëhet kufi ndarës për heroizmin nga e kundërta e tij.

Në aviacionin tonë, sot, kemi një mori teknikësh, specialistësh, pilotësh dhe të profileve të tjera, të cilët mbajnë mbi shpinë përvojë me vlerë, të qëmtuar pak nga pak e ditë për ditë, në përpjekjet e tyre për të zgjidhur detyra të vështira, në kondita të vështira pune e jetese. Sa sakrifica u është dashur të përjetojnë e të kapërcejnë breza të tërë aviatorësh, në kushtet e mungesës së përvojës për ta çuar lavdinë e aviacionit, atje ku ai ishte, para se të shpërbëhej, mizorisht. Çdo njeri, në funksionin që ka pasur e në punën që ka kryer ka përvojën e vet, e cila nuk ngjan me të tjerat e nuk mund t’i ngjitet asnjeriu. Detyra e brezave pasardhës është ta qëmtojnë, ta përzgjedhin, ta studiojnë e ta shfrytëzojnë, duke e bërë të tyren.

Në Regjimentin e Aviacionit, në Rinas, kohë më parë, ka shërbyer, si shumë të tjerë drejtpërdrejt në teknikën ajrore, për rreth 25 vjet me radhë, në detyrën e teknikut të aeroplanit e më pas në atë të teknikut të katërshes së aeroplanëve gjuajtës-bombardues, me dy motorë reaktivë të tipit Rd-9B – Mig-19S, Gani Progonati. Si “bletë punëtore”, me punë të ndershme e me korrektësi, pa e ngritur zërin e ankesës për të kërkuar, privilegje e lehtësira. Ai, me punë frytdhënëse i ka zbardhur faqen vetes, dhe ka lënë emër të mirë. Sot, Ganiu është pensionist i nderuar dhe e përcjell kohën, në Laprakë, i rrethuar nga miq e shokë të shumtë, të cilët e duan, e nderojnë dhe e respektojnë, për atë që ka qenë e për atë që është.

E çmoj personalitetin e tij të pastër, jo vetëm për punën me përkushtim e me shumë sakrifica që ka bërë, por dhe për diçka tjetër, për një dukuri tejet të veçantë. Më ka tërhequr vëmendjen fakti që Ganiu mban mbiemrin Progonati edhe pse është lindur, në Tepelenë dhe është rritur në fshatin Luzat të rrethit të Tepelenës. Nuk është se të dy fshatrat janë aq afër me njëri-tjetrin ndonëse dhe tepër larg nuk janë. Ka diçka të veçantë që e bën të mundur këtë dukuri emocionuese. Mbiemrin Progonati, Ganiu nuk e ka marrë udhës së jetës por e ka trashëguar nga rrënja. Atë mbiemër e mban i gjithë fisi i tij dhe kjo është me domethënie.

Pra nuk kemi të bëjmë me një rastësi por me lidhje gjaku, të cilat, siç dihet janë të qëndrueshme. Rrënjët e trungut familjar të Ganiut, janë të mbështetura në të njëjtin shkëmb, në të cilin ka bazën treva e tij, përfshi dhe Progonatin. Padyshim që Ganiu dhe fisi i tij kanë marrë tiparet më vitale të njerëzve të trevës së origjinës së largët, të cilave u kanë shtuar ato të vendasve luzatarë, mes të cilëve u rrit, tipare të cilat janë si ato të paraardhësve të tij.

Në këtë çështje kemi të bëjmë me vazhdimësi traditash të ngritura në pika kulmore siç është heroizmi i vajzës partizane nga Luzati i Tepelenës - Nimete Progonati, kushërirë e babait të Ganiut.

Parë në rrjedhën e historisë, kam mësuar se njerëz të shquar e me personalitet të spikatur kanë marrë e mbajnë për mbiemër, emrin e trevës nga vijnë, të cilën e kanë shumë për zemër, por nuk është vetëm ky qëllimi. Është sinjifikative të mbash mbiemrin e trevës apo të fshatit ku je lindur e ta ka ënda për ta përfaqësuar atë edhe kështu. Ali Pashë Tepelena; Tafil Buzi; Rrapo Hekali; Çelo Picari; Babë Dudë Karbunara; Frasherllinjte; Ndre Mjeda; Filip Shiroka; Hasan Prishtina; Çelo Arreza; Lucie Miloti; Edip Ohri; Fari Bubësi; Peço Polena; Bardhyl Taçi; Miro Tërbaci; Baki Starja; Meleq Gosnishti; Fuat Babani; Bashkim Kozeli; Jakub Kalivaçi etj., etj. Janë vetëm disa personalitete, të cilat, vërtet kanë marrë diçka nga lavdia e vendit të cilin e kanë preferuar për mbiemër, por i kanë shtuar atij vlera të reja, nga lavdia e tyre.

Në rastin e Ganiut, “heroit” të këtij rrëfimi, dhe të paraardhësve të tij, më duhet të hamendësoj për të konkluduar me saktësi: Përse kanë preferuar të mbajnë mbiemrin Progonati, kur ka plot fshatra të tjerë, të lavdishëm, përfshi dhe Luzatin? Nuk m’u desh ta vrisja shumë mendjen, se më erdhi në ndihmë vetë Ganiu. Ditën që e intervistova për të nxjerrë të dhënat që më duheshin për ta “gatuar” këtë shkrim, më 3 dhjetor të vitit 2018, në vendbanimin e tij, në Laprakë, pyetjes sime Ai iu përgjigj: “… Progonati është fshat autokton shqiptar, me tradita të lashta dhe aktuale atdhetarie. Banorët e këtij fshati malor shquhen për kulturë qytetare dhe për qëndrime të matura e të ekuilibruara. Ata janë njerëz dinjitozë, të përkushtuar dhe tolerantë. Progonatit, kurrë nuk i kanë munguar trimat, njerëzit e besës dhe personalitetet e spikatura, në çdo fushë të jetës.

Dua t’u ngjaj, sadopak atyre njerëzve të rrallë dhe t’i shtoj atij fshati të lavdishëm kontributet e mia modeste. Mikpritja, bujaria e shpirtit, humanizmi dhe qëndrimet plot sakrifica, janë dukuri konstante dhe emocionuese të progonatasve. Fakti që janë bartës dhe përçues të traditave më të mira dhe se janë lindur e janë rritur në atë ashpërsi klime malore, i bëjnë progonatasit krenarë për qenien e tyre. Si të mos e quaj për nder të mbaj për mbiemër emrin e atij fshati, bijat dhe bijtë e të cilit e kanë mbuluar veten me lavdi? E kam për nder ta mbush gojën plot e, me krenari, kur më pyesin ‘Nga je?’, të përgjigjem, krenar se origjina ime është në ato male, në vendin e quajtur Progonat…”.

Orientimi biografik

Gani Progonati është lindur në qytetin e Tepelenës, më 15 gusht, të vitit 1947. Prindërit e tij; Nënë Hatixhja dhe Baba Dulja që e sollën në jetë, ishin nga fshati Luzat i rrethit të Tepelenës. Origjina e largët e tyre ishte nga fshati Progonat i të njëjtit rreth dhe fisi i tyre mban mbiemrin Progonati. Fëmijërinë, Ganiu e përcolli në fshatin Luzat, pranë prindërve dhe familjarëve të tij. Baba Dulja, sipas traditës, banonte në të njëjtën strehë me vëllezërit dhe me fëmijët e tyre. Kështu që Ganiu u rrit në një familje të madhe, mes fëmijëve të shumtë.

Nga martesa e çiftit: Hatixhe dhe Dule Progonati erdhën në jetë fëmijët: Gani; Abaz; Baftjar; Xhevat e Maksim dhe vajzat: Suzane; Vojsave; Luljete dhe Mimoze. Ganiu ishte fëmija i parë i atij çifti. Një marrëdhënie interesante dhe e rrallë u formësua mes Ganiut dhe gjyshes së tij, nga Babai - Rabihanes. Ajo ishte nga fshati Dukaj, i rrethit të Tepelenës. Rabihana rridhte nga një familje fisnike, e dëgjuar. Shkak për lidhjen e veçantë të saj me Ganiun u bë një ngjarje fatkeqe në familjen e Rabihanes.

Ajo u bë Nënë, pa derë babë. Ngjau kjo mbasi Rabihanes, iu nda nga jeta, vëllai i vetëm; në moshë të re, i cili mbante emrin Gani. Më vonë dera e saj në Dukaj “u shua”. Për ta kujtuar sa të ishte gjallë, vëllanë e saj të ndier, Ajo grua fisnike i vuri emrin Gani, djalit të djalit, në Luzat. Sa herë zinte në gojë emrin e të ndjerit, gjyshe Rabihana psherëtinte thellë e “i çahej zemra”! Siç thotë vetë Ganiu: “… gjyshe Rabihana u bë engjëlli im mbrojtës!”

Po të guxonte njeri t’i bërtiste apo t’i fliste me inat Ganiut, mes tij dhe gjyshe Rabihanes, të cilës Ganiu dhe fëmijët e tjerë të familjes i flisnin, jo në emër, por - Boce (Në zhargonin e trevave të Jugut, fjala Boce është nderim dhe përkëdheli), bëhej sherr i sherr. Ajo, e donte shumë Ganiun dhe e thërriste me emër.

Nuk mund ta vazhdoj rrëfimin, pa thënë dy fjalë nderimi për portretin e gjyshe Rabihanes. Ajo ishte një grua tipike labe. Me shtat të lartë e të drejtë si kavak; e veshur me petka të zeza, të cilat nuk i hoqi, nga shtati, derisa dha shpirt. Ajo vishej kësisoj, edhe pse i biri, Dulja, ia mbushi vatrën plot me fëmijë. Për gjyshen e dhimbsur, në kujtim të vëllait, “helmimi” për të cilin nuk kishte anë e udhë, mbajtja “zi” ishte gjëja më e paktë që mund të bënte labushja trimëreshë. Përfytyrimi i tij, kudo shkonte e me çdo punë që të merrej, asaj i fanitej, si kur ishte zgjuar dhe në gjumë.

Gjyshe Rabihana vishte një fustan të zi, të gjatë deri në kërcinj e me mëngë të gjata. Në shtat mbante një setër, gjithashtu me ngjyrë të zezë dhe në kokë lidhte një shami, po të tillë. Në mes ngjishte një fute (përparëse), me një xhep, në brezin e futës qëndronin të varur hapësit e sepetës, të cilët ishin të shkuar si në një varg, në një gjalmë që lidhej fort, pas rripit të futës. Njëri nga hapësit e tufës që varej në mesin e saj, ishte çelësi i sepetës së saj të nusërisë, e cila prej shumë kohësh qëndronte kapardisur, në fund të shtëpisë. Hera-herës, në veçanti kur shkonte mike, gjyshja Rabihane lidhte një shall për gushë, së shumti të thurur me fije leshi nga tufa e dhenve të shtëpisë ose vinte një shami (lahur) të zezë, në kokë.

Gani Progonati, nën mbrojtjen e gjyshe Rabihanes dhe i rrethuar nga dashuria e prindërve, xhaxhallarëve dhe të tijve, u rrit, nëpër këmbët e më të rriturve, çapkën e kanakar. Si i përkëdheluri i gjyshes, Ganiut nuk i dilte dot njeri përpara për ta ndaluar në tekat e tij fëmijërore. Ai u rrit çamarrok, i zgjuar natyralisht dhe i shkathët. Nuk ishte “ujë i ndenjur” por i prapë e i papërmbajtur. Fëmijët e tjerë, pas tij, u rritën me petkat e Ganiut e u përkundën në të njëjtin djep.

Shtëpia e familjes së Gani Progonatit, në fshatin Luzat të rrethit të Tepelnes, ishte një shtëpi tipike fshati e asaj kohe. Ajo përfaqësonte një përdhesë, njëkatëshe, me dy dhoma, njëra nga të cilat i përkiste babait; tjetra “mblidhte” fëmijët e shumtë të familjes. Ajo ishte shtëpi e thjeshtë, me çati të mbuluar me tjegulla (qoromidhe), pa dysheme e pa tavan. Sheshi i shtëpisë ishte prej balte, i lyer me baltë të bardhë (vapem), i rrahur me bajga lope. Muret ishin të ngritura me gurë e me llaç gëlqereje. Në çdo 1 metër lartësi, vendosej një brez prej druri. Shtëpia e ndenjjes, ajo ku mblidheshin fëmijët ishte me vatër e me zjarr, por që nuk ngrohej kurrë, edhe pse zjarri në vatër nuk fikej kurrë por digjej kalafak.

Në vatër ndizej zjarr, me dru, mbi të cilin vendosej saçi, sipër një këmbje, për të pjekur bukë ose sende të tjera ushqimore. Prushi që krijohej dhe hiri i vatrës, hiqeshin me një mashe, në formë podkoi, me bisht të gjatë e të sheshtë hekuri. Tymin që dilte nga djegja e druve e thithte një buhari, në të cilën nuk varej ndonjë çengel. Në dhomë, gjendej djepja prej druri në të cilën ishin përkundur të gjithë fëmijët. Në mur varej një sergjen, ku vendoseshin enët e kuzhinës dhe në fund të dhomës ndodhej një vedër, një taler, dhe një dollap buke. Dritaret e shtëpisë ishin tip frëngjie, të siguruara me hekura të cilat mbylleshin me kapakë dhoge të trashë.

Në fund të dhomës ishte një musëndër, ku vendoseshin jatakët e miqve dhe të njerëzve të shtëpisë. Një sepetë, madhështore, kapardisej në fund të shtëpisë, në të cilën gjyshe Rabihana kishte vendosur pajën; disa nga plaçkat e së cilës, Ajo i ruante me fanatizëm, si relike. Në sepetë, gjyshja ruante të mblojturat e saj, sidomos një apo më tepër kokrra shege, ftonj, një grusht me arra, apo me bajame, një varg me fiq etj. Që të mos afroheshin dëmtuesit brejtës gjyshja vendoste në sepetë, një dorë me duhan apo disa gjethe arre ose dafine. Aty vendoseshin dhe dhuratat e gjyshes, për të dashurit e saj (bija, mbesa, nuse etj.) si: ndonjë sapun me erë, ndonjë shami dore apo shami kokë, një e më tepër palë çorape burrash e grash, etj. Hapësin e drynit të sepetës, gjyshe Rabihana e ruante si gjënë më të shtrenjtë të saj. Ajo nuk e lëshonte nga vetja hapësin e sepetës, në asnjë rast dhe e konsideronte vetëm në urdhëratën e saj. Në çdo rast të mblojturat në sepetën e gjyshes, nëse duhet të dilnin, me qëllim që të dhuroheshin, patjetër që duhet të kalonin nga dora e saj.

Gjyshe Rabihana ishte autoritare; të gjithë ia dëgjonin fjalën e ia dinin hallin.

Fëmijët e Nënë Hatixhes e të Baba Dules, u rritën në shpërgënjtë dhe në petkat e njëri-tjetrit. Më të miturit, vishnin petkat që nuk u bënin më në trup më të rriturve. Për të ngrënë, ata mblidheshin rreth sufrase ku Nëna servirte gatimin e vaktit në një tas të përbashkët. Për të përcjellë stinën e ftohtë, derisa të mbërrinin të korrat e reja, nikoqiret mendonin që në gusht. Ato përgatitnin, në mënyrë artizanale trahana të thartë e të ëmbël, bollgur, peta dhe nënprodukte bulmeti, të cilat ruheshin në enë të përshtatshme për konservim. Fëmijët, shtronin për të fjetur në një jatak, në shesh dhe ngroheshin me frymën e njëri-tjetrit. Kësisoj ata u rritën me të njëjtën frymë e u lidhën fort shpirtërisht me njëri-tjetrin.

Nënë Hatixhja ishte një grua e thjeshtë labe, e urtë si ajo dhe e dhimbsur sa më nuk ka. Ajo, sipas traditës labe, vishej me fustan të gjatë, me setër e në kokë lidhte një shami, të shumtën e herës të zezë. E ka një shpjegim çështja e shamisë së zezë, tek gratë labe.

Kur ndahej nga jeta një njeri i fisit të tyre, ato ishin të detyruara të respektonin lidhjen e shamisë së zezë, si shenjë zije. Mirëpo, sapo i takonte ta hiqte nga koka shaminë e zezë, mbajtja e të cilës lidhej me kalimin e një afati të caktuar, qëllonte që të vdiste një tjetër njeri dhe kështu, gruas i mbetej në kokë shamia e zezë, tërë jetën. Në traditën e fshatit Luzat të rrethit të Tepelenës, ishte dhe një dukuri kuptimplotë, të cilën nuk e ndeshim në të gjitha trevat e vendit. Një grua e rregullt, në asnjë rast nuk duhet të kishte në trup fustan të grisur (me andra) apo nuk duhet të çapitej këmbëzbathur. Nuk po e shtjelloj më tej këtë dukuri e cila mendoj se nuk ishte e pakuptimtë.

Babai i Ganiut, xha Dulja, vërtet ishte i pashkolluar, por jeta dhe tradita shumëvjeçare e fshatit dhe e fisit të tij, kishin “gdhendur” tek Ai tipare burrërore të një fshatari tipik lab. Veshja e tij e përditshme ishte: një palë pantallona qillota prej shajaku, me ngjyrë të zezë, me kopsa që mbërtheheshin tek pulpa e këmbës dhe një xhaketë shajaku, po me ngjyrë të zezë, të hapur përpara e me kadife të zezë, tek qafa. Në trup, Ai mbante një jelek të thurur me grep apo me shtiza, prej fijesh leshi. Gratë e shtëpisë apo të fisit, e punonin jelekun me disa lule karakteristike, ku sunduese ishin motivet kombëtare. Nën këmishë, xha Dulja, si në verë dhe në dimër mbante një fanellë mishi, prej leshi. Ajo i thithte mbajtësit djersën dhe e ruante nga plevitia.

Xha Dulja, në kokë nuk mbante qylah të bardhë, prej shajaku, me: “antenë” në krye, si bashkëmoshatarët e tij, por mbante kapele me strehë. Në stinën e verës, rrobat prej shajaku, xha Dulja i zëvendësonte me veshje prej pambuku. Ai mbante mustaqe të vogla, të prera “spic”, të cilat hijeshonin atë fytyrë me tipare serioze burrërore. Xha Dulja pinte duhan me çibuk. Duhanin e pinte të fortë dhe e kultivonte vetë, në yrtrat rreth shtëpisë. Kishte një karakteristikë dalluese babai i Ganiut: Ai e mbante në gojë çibukun, edhe kur nuk e kishte të ndezur.

Përpara shtëpisë së xha Dules ishte një avlli, e madhe, e rrethuar me mur guri dhe pranë saj një arishtë ku të parët e fisit kishin mbjellë pemë të ndryshme, si: fiq; rrush; shegë; ftonj; kumbulla; etj. Pemët pranë shtëpisë ishin mbjellë me qëllim të dyfishtë: fëmijët të hanin kur ato piqeshin e të mos i hidhnin sytë nga pemët e gjitonëve. Familjet pranë Progonateve ishin: Shatrafilet; Bedo Musaraj; Tare Kopaci; Ali Xhani etj. Me gjitonët, familja Progonati ishte në paqe, mirëkuptohej dhe kalonte shumë mirë. Kohezioni mes tyre ishte arritur si rrjedhojë e sjelljes korrekte dhe dashamirëse të të dyja palëve. Gjitonët e mirë shekullorë edhe ata që nuk kishin lidhje gjaku me Progonatet nuk e jepnin kollaj por e ndihmonin dhe e plotësonin njëri-tjetrin, si në të mirë dhe kur u zinte halli derën.

Arat e familjes Progonati ishin në Kongjine; në Breg - Lundër; në Vasillaqe e gjetkë. Ato i punonte vetë familja, me parmendë por kishte në pronësi vetëm një ka. Për ta bërë pendë, ajo ishte e detyruar të kooperonte me një familje tjetër të sërës së saj, e cila dispononte, gjithashtu një ka. Zakonisht çiftosja e qeve të parmendës bëhej me ata të familjeve Rodaj dhe Milaj. Tokat e Progonate mbilleshin me misër, me grurë, me thekër, me koçulla e me fasule. Këto të fundit mbilleshin si bimë më vete ose të shoqëruara me misër, si bimë kacavjerrëse.

Arat ishin kryesisht nën ujë, vetëm ato në Vasillaqe ishin kseriko (mbi ujë). Rreth shtëpisë, në bahçe e në yrtra, xha Dulja mbillte duhan. Perimet i mbillnin në tokat nën ujë. Ujitjen e bimëve e bënte vetë xha Dulja, me metodën e ujitjes me brazda, për të kursyer ujin, vijën e të cilit e kishin të përbashkët me familjet kufitare dhe me fshatin.

Xha Dulja, në inventarin e gjësë së gjallë kishte rreth 80 krerë dhen, të cilat i shkëmbeu me dhi; një kalë, të verbuar nga njëri sy, të cilit i thoshin qorri; një lopë me qumësht dhe një ka parmende. Dhitë i ruante gjyshi i Ganiut, sa qe gjallë, pastaj i ruante vetë xha Dulja. Lopën e përcillnin me tufën e lopëve, të mëhallës, në mal, e ato ktheheshin vetë, në shtëpi, në mbrëmje. Kalin qorr, xha Dulja e shkëmbeu me një mushkë, e pastaj me një gomar. Sot pjesëtarët e familjes që jetojnë në fshat disponojnë makina të vogla, në vend të kafshëve të ngarkesës.

Ushqimi bazë i familjes ishte buka e misrit, e gatuar në ponice; si nukevale ose trazake, e shoqëruar kryesisht me fasule, por dhe me djathë të bardhë; me gjizë e me urrel; me turshi; me kos e me dhallë. Kusia me fasule, “kishte hedhur rrënjë” në vatër. Në familjen Progonati, përdorej gjerësisht trahanaja, por dhe bollguri, të përgatitura nga nikoqiret e shtëpisë. Miellin e bluanin në mullirin e fshatit; kur drithi ishte i pakët, dhe kur gruri duhej copëtuar për të përgatitur bollgurin, shfrytëzoheshin mokrat, të cilat ishin në pronësi të familjes. Babai i Ganiut - xha Dulja, një farë kohe kishte punuar mullis, në Kelcyre. Ai, në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore kishte qenë komandant i parë i postës kufitare të Theollogos.

Gani Progonati, në fëmijëri shquhej si djalë i shkathët e çamarrok. Ai, në çdo lodër që aktivizohej, kishte mbështetjen, pa rezerva të gjyshe Nurihanes, e cila ishte në rolin e mbrojtësit të tij. Lodrat kryesore në të cilat aktivizohej Ganiu i parritur ishin ato të moshatarëve të tij, të asaj kohe. Lodrat me cingëla; dërrakthi; grackat; syllambyllazi; kalaja dibrançe; dokthi; korroile etj. ishin shumë të preferuara prej tij. Ganiu, luante dhe lojën e futbollit, me topa lecke të bërë vetë, për hir të shoqërisë por nuk shquhej, si futbollist, as në fëmijëri; as më vonë. Pozicioni i tij i preferuar ishte ai i mbrojtësit, falë fizikut të tij të fuqishëm e trupit të lidhur mirë.

Shkollën fillore, Gani Progonati e kreu në fshatin Luzat të Tepelenës, me shtysën kryesore të babait të tij dhe të gjyshes, “engjëll mbrojtës”. Duhet theksuar se Baba Dulja, pavarësisht se vetë ishte i pashkolluar, kishte vizion të qartë për arsimimin e fëmijëve dhe ishte shtytësi kryesor i Ganiut për të vijuar shkollimin. Rol të ndjeshëm pozitiv kanë luajtur dhe xhaxhallarët e Ganiut, të cilët, në atë kohë banonin në të njëjtën çati me Babanë e tij.

Kushtet e mësimit, në shkollën fillore të fshatit Luzat ishin ato që karakterizonin shkollën e fshatit të atyre viteve. Mangësitë në libra, fletore e në bazë materiale-didaktike ishin të dukshme. Mësues të parë të Ganiut ishin: Stathi Kume, nga fshati Peshtan i rrethit të Tepelenës; Aleko Lezo e Pirro Zeno, nga Fieri etj. Shokë shkolle, Ai kishte: Hamza Karafilin; Dukagjin Kocin; Isuf Llapin; Ali Bonin; Beko Musaraj; Nure Gumen etj. Treguesit cilësorë në shkollën fillore të Ganiut ishin mbi nivelin mesatar të klasës kurse të qenit çapkën dhe tiparet komunitare të tij ishin të theksuara.

Mësimet e shkollës shtatëvjeçare (unike i kanë thënë në atë kohë), Ganiu i përcolli në qytetin e Tepelenës; në shkollën që mbante emrin e “Heroit të Popullit” Abas Shehu. Në zhargonin e përditshëm të kohës, ajo shkollë njihej si shkolla e vjetër e xha Muratit. Ishte fjala për mësuesin më të vjetër e të vetëm të rrethit të Tepelenës, në atë kohë, xha Murat Kociun e paharruar; i cili ishte një atdhetar i flaktë. Përcjellja e mësimeve të kësaj shkolle me emër, prej Ganiut, ishte një hap serioz i tij drejt të nxënit dhe qytetërimit. E them këtë i shtrënguar nga fakti kokëfortë se vajtja e tij në Tepelenë i shërbeu, jo vetëm shkollimit të Tij në një stad të ri, më të lartë por dhe një prirje drejt hullive të qytetërimit bashkëkohor. E di që disa kritizerë pa shërim do të më kundërshtojnë me mendimin pa vlerë se Tepelena, në ato vite s’ishte veç një fshat.

Jo! Them unë, dhe jo i pabazuar. Me gjithë gjynahet që kish, në Tepelenen e atyre viteve jetohej në komunitet dhe mbi bazën e disa normave të sjelljes e të jetës qytetare. Këtë e dinë më mirë ata që e kanë përjetuar kalvarin e kapërcimit, të jetesës nga fshati në qytet.

Tregues konkret i vështirësive të të nxënit ishte vajtja në një udhë që rrihej nga makina nga më të ndryshmet, e cila ishte e ngushtë, tërë gropa, pa trotuare, dhe e paasfaltuar, ku rreziku ishte iminent, në çdo hap. Nxënësit që frekuentonin shkollën shtatëvjeçare, në Tepelenë, ishin dhjetëvjeçarë; të parritur e pa përvojën e jetës. Ata, çdo ditë, në verë e në dimër, në vapë e në thellimin e dimrit, përshkonin rreth 4 km udhë për të vajtur, në shkollë dhe po aq të tjera për t’u kthyer pranë familjeve të tyre, falë dëshirës së zjarrtë të tyre për të nxënë dhe këmbënguljes së prindërve të tyre. Udhën, nga Luzati, në Tepelenë dhe kthimin, nxënësit e bënin në këmbë e ajo u merrte rreth katër orë.

Kur ishin me fat, ata bënin, të paktën njërin segment të udhës, të hipur në autobusin e vetëm të linjës interurbane Gjirokastër - Tiranë. Më shpesh, ata rrugëtonin sipër kamioneve të qymyrgurit, të cilët transportonin mineralin e zi, nga Miniera në Memaliaj dhe e çonin në portin detar të Sarandës. Në ditët me shi dhe kur rastiste ndonjë shofer me shpirt të mirë, fëmijët udhëtonin në kabinën e makinës dhe kjo ishte ditë e lumtur për ta.

Shokë me të cilët Ganiu shkonte nga Luzati në Tepelenë ishin bashkëmoshatarët: Bashkim Shatrafili; Hamza Karafili; Ali Boni; Shevqet Qendro; Zhanete Koçi; Bedena Dena dhe dy gjimnazistë: Mustafa Cako dhe Merqez Gaci. Në klasë kishte dhe Selman Dervishin; Ago Kellicin; Sllavica Kalemin; Ervehe Zhupen etj. të cilët banonin në qytetin e Tepelenës. Mësues të Ganiut, në vitet e shkollës shtatëvjeçare, ishin: Murat Kociaj; Hetem Pazaj; vëllezërit nga Kosova: Isuf e Hajdar Qetka; Leonidha Xhuharo; Thoma Milo; Stefan Arseni; Odise Zhupa; Myzafer Jaho etj. Nxënësit nga Luzati, gjatë viteve të shkollës shtatëvjeçare, në Tepelenë, përftuan shumë nga edukata e shëndoshë dhe nga sjellja e mirë e mësuesve dhe nga përqasja pa përçmim e banorëve të qytetit. Dalja nga fshati e vajtja në qytet bëri të mundur miqësimin e bashkëfshatarëve nxënës të Ganiut dhe vetë atij, me të tjerë nxënës, të cilët banonin në qytet dhe kishin të tjera kushte jetese e një mentalitet të ri. Ata, siç ndodh në një komunitet nxënësish, dhanë e morën reciprokisht, përftuan elementë kulture dhe qytetërimi, të cilët i përthithën shpejt e i transmetuan në familjet e tyre.

Ganiu u ndodh me fat që në Tepelenë, madje në shkollën shtatëvjeçare jepte mësim kushëriri i parë i babait të tij mësues Krenari, vëlla i “Heroinës së Popullit” - Nimete Progonati. Krenari drejtonte lëndën e gjuhës, dhe, pavarësisht se nuk bënte lëshime e privilegje për Ganine, prapëseprapë hija e tij ishte e pranishme në shkollë.

Nëna e Krenarit dhe e Nimete Progonatit - Fatimeja, kur Ganiu i shkonte në shtëpi, e sajdiste si kushëri, me atë që i ndodhej dhe e porosiste që, çdo ditë t’i vinte në shtëpi, të paktën për të ngrënë drekë. Mirëpo Ganiu ishte kokë më vete dhe shkonte atje vetëm kur merrte porosi nga prindërit ose nga gjyshe Rabihana. Ganiu dhe bashkudhëtarët e tij, në çantën e librave, krahas dijeve, vendosnin dhe një copë bukë misri me bulmet. Sapo mbërrinin në Tepelenë, ata paraqiteshin në furrën e bukës më të afërt ku blinin 10 lekë bukë gruri, nga shitësja Metullahja, e cila, pavarësisht se buka ishte me triskë, toleronte tek të parriturit e u jepte bukë gruri. Fëmijët nga fshati, sapo blinin bukën e grurit, e hanin atë e linin mënjanë bukën e misrit.

Në ditët e nxehta, kur mësimi mbaronte në mesditë e nxënësit, duke rrugëtuar për në Luzat kullonin në djersë, ata rrekeshin të freskoheshin disi duke lënë teshat në zallin e lumit e kridheshin në Drinos, tek rrepet e Ujit të Ftohtë ose në disa pellgje me ujë që ndodheshin në Fushën e Luzatit. Kishte dhe raste kur ata gaboheshin; duke kaluar mes misrit, vinin dorë në ndonjë kokërr bostan. Kur bënin gabime të cilat binin në sy të familjeve të tyre dhe të fshatit, ata binin më shpejt në gjumë, se e dinin çfarë i priste. Ganiu, në çdo rast ishte nën mbrojtjen e gjyshes së tij - Rabihane, e cila, sa herë përmendte emrin Gani, i fanepsej vëllai i vetëm, i ndarë nga jeta në rininë e tij.

Vazhdimi dhe përfundimi me sukses i shkollës shtatëvjeçare nga Gani Progonati, në ato kushte ishte një sakrificë e madhe, e cila u përballua me shumë vullnet e këmbëngulje. Ganiu, nën ndikimin e fuqishëm të Baba Dules, xhaxhallarëve të tij dhe gjyshes Rabihane, e kishte ndarë mendjen për të ndjekur njëra pas tjetrës shkollat, e të mos kënaqej me arritjen e një suksesi. Kur përfundoi mësimet dhe dha provimet e klasës së shtatë, Ganiu e hodhi vështrimin përpara, drejt shkollës së mesme, e cila, me siguri që do ta pajiste me më tepër njohuri për jetën e për shkencën.

Në verën e vitit 1964, Ganiu përfundoi, me rezultate mesatare, mësimet e shkollës shtatëvjeçare, në Tepelenë dhe iu drejtua, më 1 shtator të atij viti Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë. Djali nga Luzati i Tepelenës, në shkollën e mesme do të kishte status të dyfishtë. Ai do të ishte “skënderbegas” por mësimet do t’i merrte në Politeknikumin “7 nëntori” të kryeqytetit. Të ishje “skënderbegas” dhe njëkohësisht të uleshe në bankat e shkollës “7 nëntori” ishte privilegj, të cilin nuk e kishte kushdo. Të dyja shkollat, në atë kohë ishin të nderuara dhe të preferuara. Tashmë Ganiu ishte më i rritur dhe shkolla shtatëvjeçare në Tepelenë e përgatiti për një hap më tej e më të madh.

Erdhi në Tiranë, ku jo vetëm qyteti ishte më i madh e zhurmëshumë, por dhe jeta në të ishte disi ndryshe. Në rrugë kishte më tepër qarkullim; njerëzit ishin të veshur më mirë; veprimtaritë kulturore-sportive dhe jeta artistike e metropolit ishin më të gjalla etj. Etj.

Ganiut dhe shokëve të tij “skënderbegas” fillimisht u takoi të jetonin në një konvikt pranë Politeknikumit “7 nëntori”, ku kushtet e jetesës linin për të dëshiruar. Shpirti kryengritës i Ganiut dhe djemve të tjerë që kishin statusin e “Skënderbegasit”, bëri që ata të revoltoheshin e të bënin raprezalje, në kërkim të kushteve më të mira të jetesës. U krijua një shqetësim serioz, për shkollat dhe për Ministrinë e Mbrojtjes. Vetë Ministri i Mbrojtjes i asaj kohe, u shtrëngua të vinte vetë, për të qetësuar gjendjen e acaruar. Revolta e kadetëve, bëri që të merrej masa për t’i strehuar ata në mjedise më vete, të shkollës ushtarake “Skënderbej”, ku kishin fjetinat, mensën dhe klasa të veçanta. Rrugëtimin deri në Politeknikum, “skënderbegasit”, fillimisht e bënin në këmbë.

Kur u ndërtua “unaza” e kryeqytetit, në vitin 1966, një pjesë të udhës e bënin me autobus. Shokë klase të Gani Progonatit, në Politeknikum ishin: Kahreman Dervishi; Selman Dervishi; Bashkim Limaj; Thanas Kuraj; Abedin Mullaj; Arjan Lamaj; Vladimir Lilo; Arif Spaho etj. Këta ishin “skënderbegas” por në klasë ishin dhe nxënës e nxënëse të tjerë, të cilët kishin ardhur nga vise të larmishme të vendit. Kishte dhe nga ata që ishin lindur e ishin rritur në Tiranë. Bashkënxënësit e Ganiut, të ardhur nga krahina e qytete të ndryshme, kishin prurë me vete, psikologji e mentalitete jo të njëjta me ato të “heroit” tonë, i cili ishte i detyruar t’i njihte e të bashkëjetonte me to. Në procesin e dhënies e të marrjes së ndërsjelltë, të asaj që ishte tjetër, Ganiu mësoi mjaft gjëra që deri atëherë nuk i dinte. Ai përftoi mjaft nga programet mësimore të cilat ishin bashkëkohore dhe çelnin horizonte të reja.

Vetë jetesa në metropol diktonte një qasje tjetër ndaj dukurive të jetës dhe ndaj banorëve. Mësuesit e shkollës së mesme “7 nëntori”, si njëra nga shkollat “elitë” të vendit, ishin të zgjedhur e kompetentë dhe me qasje tejet qytetare e dashamirëse ndaj nxënësve. Shkolla e mesme ushtarake “Skënderbej”, me mjediset, terrenet, disiplinën dhe detyrimet që rridhnin prej saj, e mësoi Ganiun të ishte i zoti për të jetuar larg familjes dhe gjyshes së tij të dashur, si dhe të mësohej me mëvetësi. Ai, tashmë çohej në orar, kryente vetë shërbimet e nevojshme vetjake, vishej, lahej, hekurosej, mbante uniformën sipas rregullores dhe sillej në mënyrë qytetare.

Pedagogë të Ganiut dhe të shokëve të tij, në Politeknikum ishin: Antoneta Troshani; Ibrahim Babamusta; Vedat Qarri; Koço Cimbi; Andromaqi Koço; Kleanthi Çici; Tole Kekezi; Gëzim Tole etj. Të gjithë pedagogët ishin metodistë të mirë dhe me njohuri të thella shkencore. Me njohuritë dhe me metodën e tyre të drejtimit të lëndëve, ata ua bënin nxënësve sa më të qarta e më të kuptueshme mësimet dhe kërkesën e llogarisë e kishin në lartësinë e duhur. Këta ishin faktorë themeltarë që i shtoheshin vullnetit të nxënësve për të nxënë; prandaj prurjet nga Politeknikumi gjithmonë ishin të preferuara e të maturuara.

Nxënësit që vinin nga Shkolla e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, të cilët ishin kursi i dytë i këtij lloji, ishin “ajka” e shkollës. Ata shquheshin për tregues të mirë, në çdo drejtim. Skënderbegasit jo vetëm ishin të rregullt, të pastër e të disiplinuar, por dhe në mësime ishin në radhët e të përparuarve dhe në veprimtaritë fizkulturore-sportive dhe në ato artistike i jepnin tonin veprimtarive. Në këtë mënyrë, ata e nderonin Politeknikumin “7 nëntori”, në çdo paraqitje e dalje, në publik.

Gani Progonati, edhe në shkollën e mesme e ruajti konstanten në rezultate, madje në disa drejtime pati rritje. Ai, shfrytëzoi me efektivitet mundësitë e krijuara për t’u orientuar në lëndët ekzakte, ku kishte stabilitet dhe i studionte me dëshirë, por aty hodhi baza të shëndosha në njohuritë e mekanikës dhe në shkenca të tjera që ishin afër aeronautikës. Në lojërat sportive, Ganiu ishte aktiv, por prirej sidomos drejt futbollit, si tendencë kryesore e të rinjve të moshës së tij. Pozicioni i tij, në lojën e futbollit ishte ai i mbrojtësit. Fiziku i tij i formësuar mirë dhe trupi i ngjeshur e i fuqishëm plus guximi dhe trimëria si tipare dalluese të tij, e lejonin Ganine të përplasej me kundërshtarin, në lojë dhe t’i merrte topin apo t’i prishte lojën.

Në Politeknikumin “7 nëntori” ku Ganiu u ul e mësoi, në bankat e shkollës plot katër vjet, Ai ishte në degën e mekanikës. Dëshira e tij për të nxënë, pedagogët e kualifikuar e të njerëzishëm, literaturë e bollshme e cilësore, baza didaktike (oficina) funksionale dhe mjedisi imponues ishin disa faktorë që bënë të mundur hedhjen e një themeli të shëndoshë, i cili e përgatiti Ganine për t’u futur në hullitë e shkencës së fluturimit dhe teknikës së ndërlikuar të aeroplanëve gjuajtës-bombardues reaktivë.

Ganiu dhe shokët e tij të klasës, ishin të veshur me uniformën e skënderbegasit, e cila ishte e bukur dhe atyre u pëlqente shumë. Vetëm paraqitja e jashtme e tyre, me atë uniformë solide i shquante nga të gjithë ata që i rrethonin. Skënderbegasit e mbanin të pastër e të hekurosur uniformën dhe ishin mjaft të lidhur me njëri-tjetrin, si në shkollë dhe jashtë saj. Tek ata funksiononte, pa e zënë në gojë parimi i heshtur sipas të cilit: “një për të gjithë e të gjithë për një”. Ishte fat i madh që ata, siç ishin, në grup, shkuan në Shkollën e Aviacionit, në Vlorë, për të vijuar mësimet e larta. E mira e kësaj pune ishte se ata njiheshin mirë me njëri-tjetrin, i dinin shoqi-shoqit, si i thonë një fjalë: “dhëmbë e dhëmballë” dhe “hidheshin në zjarr” për njëri-tjetrin.

Më 20 gusht të vitit 1968, një kamion ushtarak bojëbari, i pajisur me stola druri e me mushama sipër, në orët e mbasditës u fut në postabllokun e Shkollës së Aviacionit, në Vlorë. Brenda tij ishin skënderbegasit e grupit të dytë (politeknikumas), të cilët ishin piketuar për t’u bërë kuadro të aviacionit, në profile të ndryshme. Dominonte bërthama e studentëve që do të mësonin për t’u bërë teknikë aeroplani. Kuadrot e Shkollës së aviacionit; si ata të korpusit mësimor dhe ata të shtabit, e të shërbimeve ndihmëse, në atë orë të vonë të ditës normale të punës ishin larguar për në familje, prandaj studentët e ardhshëm, takimin e parë në shkollë e patën me sinoptikanin Luto Memushaj, të cilit i kishte rënë radha të kryente detyrën e oficerit të rojës, në atë shkollë - repart ushtarak. Si prezantim i parë, nuk kishte të sharë. Oficeri i rojës, me atë shtat të lartë, me uniformë të rregullt e me sjellje të kulturuar dhe mjediset e pastra që panë, u lanë mbresa djemve që vinin nga Shkolla e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, ku sundonte rregulli dhe disiplina, se edhe këtu do të kishin të bënin me një regjim të përafërt ditor dhe me kërkesë llogarie të lartë.

Pas përshëndetjes së rastit dhe mirëseardhjes nga oficeri i rojës, grupi i studentëve të ardhshëm në shoqërinë e nënoficerit aktiv, me detyrë kujdestar kursi - Thoma Mali, u sistemua në fjetinë dhe u përcoll në mensën e shkollës ku shijuan gatimet e përgatitura enkas. Në atë vit, Shkolla e Aviacionit në Vlorë, e rihapur në vitin 1962, tashmë ishte konsoliduar dhe funksiononte si institucioni i vetëm arsimor i aviacionit, në vendin tonë.

Nga rihapja e Shkollës së Aviacionit, në vitin 1962, me punën “titanike” të efektivave, pa përjashtim, të drejtuar e të udhëhequr me punë të drejtpërdrejtë të lavdimadhit të papërsëritshëm, Babaçe Faiku, shkolla e aviacionit kishte marrë fizionomi të plotë si shkollë dhe në të njëjtën kohë ishte dhe repart luftarak i gatishmërisë së përhershme. Të tre aerodromet që funksiononin për llogari të shkollës së aviacionit (në Vlorë, në Qytetin “Stalin” dhe në Pisheporo) ku derdhej djersa lumë e konkretizoheshin mësimet teorike, dhe mjediset brenda shkollës ia kishin ndryshuar fizionominë shkollës dhe e kishin nxjerrë atë vatër të dijes në ballë të shoqeve.

Në shtatorin e atij viti, kur Ganiu dhe shokët e tij morën në dorë programin mësimor dhe u njohën me lëndët dhe me temat që do të lëvronin, pikasën se, në këtë shkollë dinjitoze nuk do të përsëritnin thjesht ato që kishin mësuar në politeknikumin “7 nëntori”, por do të thelloheshin në shkencën e aeronautikës, si dhe do të njiheshin me mjaft elementë shkencorë të lundrimit ajror. Bazat teorike ata i kishin hedhur që në politeknikum ku kishin mësuar matematikë, fizikë, kimi, mekanikë, termodinamikë, astronomi etj. Tani do të mësonin aplikimin e parimeve teorike, në dinamikën e jetës.

Ashtu si në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” edhe në auditorët e Shkollës së Aviacionit, djemtë e ardhur nga Politeknikumi “7 Nëntori”, gjetën kushte optimale, për të jetuar e për të studiuar. Pedagogët e Shkollës së Aviacionit, ishin të përzgjedhur, nga kuadrot më me nivel, të cilët kishin studiuar në auditorët e shkollave sovjetike të aviacionit. Ata ishin jo vetëm me nivel të spikatur teorik por kishin dhe figurë të pastër morale dhe aftësi të veçantë komunikimi me auditorin.

Lëndën e teorisë dhe të konstruksionit të motorëve reaktivë e drejtonte përmetari Viktor Konomi, i pasionuar pas lëndës që drejtonte. Dikur, vetë Viktori, kur niste drejtimin e mësimit të motorëve reaktivë, nuk harronte, natyrisht me shaka, të theksonte se seria e motorëve të aeroplanëve reaktivë parazanorë, ishte me siglën Vk, e cila ishte shkurtim i shkronjave të para të emrit e mbiemrit të tij.

Lëndën e teorisë së fluturimeve e drejtonte, me kompetencë Drini Shtylla; atë të radiopajisjeve, i “mëndafshti” Sotir Kano; lëndën e pajisjeve elektrike dhe instrumentale e drejtonte, i shkathëti e i zgjuari Petrika Manastirli, sistemet e armatimit të aeroplanit ishin në kompetencën e të papërsëritshmit, ing. Razip Shyti e Sami Sokoli etj. Pedagogë të tjerë ishin: Kico Mëhilli; Guri Pashaj; Qazim Krasniqi etj. Etj. Këta pedagogë të profilit teknik më pas u shtuan me të tjerë pedagogë të profileve të tjera dhe formuan katedra të veçanta, sipas specialiteteve.

Shokë klase, në Shkollën e Aviacionit, Ganiu kishte po ata, me të cilët Ai përcolli katër vjet në Politeknikumin “7 nëntori”, në Tiranë. Veç të tjerash, ky fakt ishte në të mirë të “heroit” të këtij rrëfimi dhe ndikonte pozitivisht edhe në ecurinë e procesit mësimor, në tërësi. Ata, jo vetëm që njiheshin mirë me njëri-tjetrin, deri në detaje, por edhe ishin në mbështetje e në përkrahje të njëri-tjetrit. Në klasën teknike ku bënin pjesë, djemtë e ardhur nga Politeknikumi “7 nëntori” përbënin një bërthamë të shëndoshë, e cila ndikoi pozitivisht për arritjen e atij kohezioni dhe në dobi të ecurisë së programit mësimor. Ky ishte një shans i madh që bëri të mundur diplomimin e studentëve të klasës ku bënte pjesë Gani Progonati në specialitetin e teknikut të aeroplanit gjuajtës-bombardues mbizanor të tipit Mig-19S, jo dosido, por me nivel shkencor e me aftësi praktike të pranueshme. Treguesit cilësorë të Ganiut, në përfundim të studimeve në Shkollën e Aviacionit, ishin diçka mbi mesataren e klasës së tij.

Në 26 tetor të vitit 1970, Gani Progonati u titullua oficer, me profil tekniku në aeroplanët Mig-19S. Ai u emërua, teknik aeroplani, në Regjimentin e Rinasit, ku u caktua të menaxhonte aeroplanin me numër anësor 3 - 12, i cili ishte njëri nga aeroplanët më të stabilizuar të tipit të tij dhe thuajse në çdo plantabelë fluturimi ishte i pranishëm. Ganiu, kur mori në dorëzim aeroplanin e sofistikuar e shumë të kërkuar, u gëzua që do të punonte me kualitete të larta pilotësh, teknikësh e specialistësh të aviacionit dhe se në krye të regjimentit do të kishte njërin nga pilotët e talentuar, Haki Jupasi, i cili mbante titullin e nderit të pilotit ushtarak të klasit të parë dhe ishte talent edhe në drejtimin e regjimentit.

Në datën 4 dhjetor të vitit 1970, në aerodromin e Rinasit u organizuan fluturime ditën, në kushte të thjeshta të motit. Detyrat ajrore ishin të larmishme dhe lejonin të fluturohej në pilotazh vertikal e horizontal, në zonë, fluturimet në rrugëkalim, në çift dhe në detyra të tjera ajrore. Moti ishte i bukur dhe për Gani Progonatin kjo ishte dita e parë e fluturimit, ose, si i thonë fjalës, ishte “prova e zjarrit”, për “heroin” tonë. Si i ri në profesion e në veçanti në shfrytëzimin e një aeroplani të tillë, gjuajtës-bombardues supersonik, me dy motorë reaktivë të tipit Rd-9B, Ganiu, një ditë më parë i bëri të gjitha përgatitjet, mjetit të tij fluturues, me rregullore në dorë, nën drejtimin e teknikut të katërshes Bejkush Bockaj dhe të inxhinierit të Skuadriljes, të ndjerit Qani Topollaj. Nuk e gjykoj të tepërt po të përmend këtu një fakt, fare të thjeshtë: Gani Progonati, në atë fluturim të parë, veç emocioneve që përjetonte nga kjo “provë zjarri”, kishte si mbështetje, kurajon e tij të rrallë dhe ndjenjën e lartë për detyrën, shto kapacitetin intelektual dhe pastërtinë e shpirtit të tij. Ai ishte i aftë teorikisht dhe i zoti në praktikë për të realizuar përgatitje cilësore të aeroplanit për fluturim.

Prandaj ishte më se i bindur se fluturimi i tij i parë do të dilte me sukses.

Atë mëngjes, Ai i bëri kontrolle të imtësishme, me përgjegjësi e me merakun e një rishtari në profesion, avionit që do të lëshonte në ajër, dhe ishte jo vetëm i kënaqur nga puna e duarve të tij pa lënë shtigje dyshimi, por dhe nga fakti që po i besohej një punë e madhe. Ganiu u ndodh me fat se do të punonte me njerëz të mirë e të zotë, si pilotë dhe teknikë e specialistë të devotshëm, të cilët e kishin dëftuar veten në sa e sa raste. Ganiu u bë me krahë e i gufonte zemra nga kënaqësia kur mësoi se në aeroplanin e tij do të ngrihej në ajër, Bilal Murat Josja, njëri nga pilotët më të talentuar të regjimentit e të Aviacionit.

Bilali, çamarrok dhe mjeshtër i ajrit dhe talent i qitjeve ajrore; atë ditë do të fluturonte në çift, në rrugëkalim, me të paharruarin Luto Sadikaj, një pilot cilësor e me perspektivë të qartë. Tekniku i aeroplanit Gani Progonati, kishte sigurinë e punës së tij dhe të talentit që do të çohej në ajër me avionin e tij se ai fluturim, e kishte të garantuar suksesin. Prandaj Ganiu ishte i qetë e mezi priste të shkrepej raketa sinjalizuese me ngjyrë jeshile, për të nisur “beteja” ajrore e shumëpritur prej tij. Kur mësoi se me aeroplanin Mig-19S, me numër anësor 3 - 12, i cili menaxhohej prej tij, do të ngrihej në ajër çuni i Ijes, jo vetëm që u ndje me fat, por sikur iu zgjerua gjoksi e iu shtua krenaria që buronte nga mendja dhe nga duart e tij. Tashmë emocionet e fluturimit të parë ia kishin lënë vendin sigurisë dhe krenarisë tek djaloshi nga Luzati dhe besimit të ndërsjelltë në raportin pilot - teknik.

Me sigurinë e atij që di se ç’bën, Ganiu, atë ditë, si të gjithë kolegët teknikë, avionin e kishte nxjerrë në vijën e parë në një radhë me aeroplanët e kolegëve që atë ditë do të merrnin pjesë në fluturim. Ishte ulur në pistë aeroplani i udhëheqësit të fluturimeve, i cili bëri kolaudimin e motit dhe provoi kushtet e uljes, dha udhëzimet përpara efektivave të rreshtuar dhe pritej shkrepja e raketës sinjalizuese me ngjyrë jeshile, si shenjë për të nisur ditën e fluturimeve. Ganiu qëndronte pranë aeroplanit të tij, i gatshëm për të përcjellë pilotin në ajër. Mes shokësh, u pa të vinte Bilali. Si zakonisht, me çantën e shlemafonit në dorë, të cilën e tundte sa në njërin krah, në tjetrin, me buzë në gaz e duke dhuruar ndonjë batutë të rastit, Tironsi tipik u afrua tek avioni. Aty mori pamje serioze dhe drejtqëndroi.

Ai u drejtua për nga Ganiu, dhe mundohej ta bënte sa më të natyrshme nisjen për në ajër, duke e ditur se Ganiu, sot e kishte për herë të parë që lëshonte avionin e tij, në ajër. Se Bilal Josja nuk ishte vetëm “As”, nga ata që nuk kanë emocione, kur nisen në ajër, por luante dhe rolin e një psikologu të mirëfilltë dhe kishte aftësi komunikuese të atilla sa të çlironte nga emocionet edhe vartësit e tij.

Kur Bilali u afrua aq sa mund t’i raportohej, Ganiu, i sigurt në suksesin e fluturimit të pritshëm, i raportoi komandantit të çiftit, se aeroplani i tij, ishte gati për fluturim. Për ta çtensionuar situatën, Bilali, duke i bërë një shaka, nga ato që dinte të bënte vetëm ai, iu drejtua teknikut të aeroplanit me një shprehje, me zhargon vulgar, nga ato që përdoreshin aso kohe për rishtarët të ardhur në Regjimentin e Rinasit. Buzagaz e me ngjitje prej atleti, Bilali ngjiti shkallët e aeroplanit, u fut në kabinën e aeroplanit, u ul në ndenjësen me katapultë dhe i kërkoi Ganiut fletoren me fletët e kontrollit ku shënohet gjendja e aeroplanit pas kontrollit dhe merret përgjegjësia mbi vete. Ganiu e ndihmoi pilotin të rehatohej në kabinë, të lidhte rripat e më pas të mbyllte fanarin. Ndërkohë që makina e lëshimit kishte dalë në regjimin e nevojshëm të punës dhe Ganiu dha komandën: nga motorët; Bilali realizoi lëshimin dhe provën e motorëve, mbasi Ganiu kishte hequr shkallët. Mbasi i kreu detyrat e tij, dhe vuri re se edhe piloti, i kishte kryer të vetat; Ganiu në pozicionin: “gatitu”, nderoi dhe me dorë të shtrirë i dëftoi pilotit udhën e lëvizjes për të dalë në brezin e ngritjes.

Tekniku i aeroplanit 3 - 12, pasi zunë vend përbri njëri-tjetrit avionët që përbënin çiftin luftarak dhe nisën lëvizjen për t’u ngritur, nuk ia ndau sytë çiftit të aeroplanëve, duke vrojtuar ngritjen e tyre. Duhet ta kesh “në lëkurë” e ta ndjesh siç e ndjeu Ganiu, atë çast, që të mundesh, me vërtetësi, të thuash ato fjalë që janë të domosdoshme. Ganiu e ndoqi me sy çiftin e të ngriturve nga pista e Rinasit derisa ai u zhduk nga fushëpamja; aq sa e lejonte vështrimi horizontal dhe të parit me sy të lirë.

Aeroplani i Ganiut fluturonte në lartësinë rreth 6000 m mbi nivelin e detit, në rrugëkalimin e përcaktuar. Kurse Ganiu, atje ku ndodhej, mes kolegëve teknikë, specialistë e mekanikë përjetonte, me mendje, atë fluturim, sikur të ishte në kullën e komandimit të avionëve apo në stacionin e radiollokacionit, ku operonin Kalemi dhe kolegët e tij.

Kur vazhdonte studimet në Shkollën e Aviacionit, në biseda mes shokësh, Ganiu kishte dëgjuar se në Regjimentin e Rinasit fluturonte një pilot i talentuar me emrin: Bilal Josja, i cili kishte një veprimtari ajrore të “shkëlqyer” e të pasur me shumë bëma. Ja tek erdhi radha ta kishte nisur vetë në ajër e ta kishte ndihmuar të lidhte rripat në atë fluturim prove për të. Ku nuk i shkonte mendja, në ato çaste fatlume Ganiut tonë rishtar? Ai qëndronte, së bashku me kolegët, në Zonën Nr. 3, në pritje të aeroplanëve që ktheheshin nga ajri, vetëm formalisht; si trup se mendja e tij bridhte gjetkë. Ganiu tundte kokën në shenjë miratimi për ato që bisedonin kolegët e tij, por Ai thuajse nuk dëgjonte asgjë. Tekniku i brishtë i aeroplanëve Mig-19S, Gani Progonati, e kishte mendjen tek avioni i tij, i cili kushedi ku ndodhej, në etapat e rrugëkalimit dhe si funksiononin agregatet e tij.

Ganiu pyeste veten dhe po vetë përgjigjej, pa u dëgjuar nga të tjerët: Si punojnë motorët e aeroplanit; a janë sinkronë dhe a i nxjerrin të dhënat, siç e provova, në tokë? A i nxjerrin xhirot e nevojshme, sipas regjimit të fluturimit; si funksionojnë të dy sistemet e busterit? Si është komandimi gjatësor, ai transversal dhe vertikali? Si reagojnë komandat kur pilotit i duhet të ndryshojë regjimin e fluturimit? Si funksionon sistemi i hermetizimit të kabinës dhe ai i frymëmarrjes me ndihmën e oksigjenit? Etj.

Etj. I vajti në mendje dhe mendimi ogurzi: “Larg qoftë”, po sikur t’i duhet të braktisë aeroplanin e të hidhet me katapultë, si do të funksionojnë pirofishekët dhe seria e mekanizmave që sigurojnë daljen e pilotit nga kabina e avionit dhe hapjen e parashutës mbajtëse? E ndërpriste rrjedhën e gjykimit me skepticizëm dhe sërish thosh me vete: Fluturimi është i sigurt, çfarë mendoj unë truckuluri? Unë vetë, me duart e mia kam prekur e kam shtrënguar çdo vidë e kam kontruar çdo nyje. Atëherë përse dyshoj tek vetja kur i kam bërë avionit tërë shërbimet e nevojshme dhe me cilësi? Dhe qetësohej në vetvete; binte në paqe me shpirtin e tij kurajoz.

Piloti Bilal Josja ishte nga më të mirët e regjimentit dhe të aviacionit. Ganiu ishte besimplotë se edhe sikur t’i ngjante në ajër ndonjë e papritur, Ai do të dilte faqebardhë edhe sikur situata të ishte nga më të ndërlikuarat e mundshme. Moti, atë ditë ishte mjaft i përshtatshëm për të fluturuar dhe ky fakt ishte në të mirë të pilotëve. Në drejtimin e fluturimeve, në pikën e drejtimit të regjimentit ishte një pilot i talentuar e me përvojë të gjatë në fluturime të larmishme si Haki Jupasi. Kompetenca e tij dhe zëri i qartë, melodik, i qetë e inkurajues i shtonin suksesit një faktor më shumë dhe Ganiut besimin në të mirën, pa e menduar të keqen. Dhe ashtu ngjau vërtet: Çifti i aeroplanëve Mig-19S, i udhëhequr nga Bilal Josja u shfaq, zhurmshëm mbi aerodromin e Rinasit, në lartësinë e rrethit (700 m), me uterime, u fut në rreth dhe erdhi në ulje, një nga një.

Bilali me aeroplanin 3 - 12 u ul si “i madh”, me të gjithë treguesit e uljes të cilësisë së lartë dhe erdhi në zonën 3 ku e priste Ganiu, me tjagacin (makinën tërheqëse), për ta çuar avionin e ulur në pikën e furnizimit. Kur piloti zbriti shkallët e avionit e u afrua tek Ganiu, ky i fundit ndjeu një lehtësi në shpirt dhe, vetiu e përfshiu një psherëtimë e pavullnetshme. Mundi dhe përkushtimi i tij nuk kishin shkuar dëm. Bilali firmosi në fletën e kontrollit ku shënoi: “Çdo gjë në rregull; të lumshin duart!” Dhe u largua për tek kolegët pilotë që e pritnin disa hapa më tej.

Tekniku Gani Progonati “e kaloi klasën” me këtë fluturim dhe, me besim të plotë tek vetja vijoi punën për t’u përgjigjur kërkesave të fluturimit, në ngritjet e radhës. 2 - 3 ditë më pas, me aeroplanin që menaxhonte Ganiu, i takoi radha të fluturonte një tjetër pilot, i cili nuk e kishte shkallën e kualifikimit dhe aftësitë praktike të Bilal Joses. Kur u kthye nga ajri, piloti i radhës shkroi në fletën e kontrollit, një vërejtje, e cila i përkiste funksionimit të motorëve, në një manovër luftarake. Aso kohe, në rrethet e menaxherëve të aeroplanëve Mig-19S, kishte nisur të pëshpëritej, pa konfirmim, mbi dukurinë e “pompazhit”, pa analizë e pa ndonjë rrugëzgjidhje. Më vonë u konkretizua dukuria dhe u saktësuan masat parandaluese. Ganiu, nën drejtimin e teknikut të katërshes Bejkush Bockaj dhe të inxhinierit të skuadriljes, kompetentit me shpirt njeriu Qani Topollaj, (të dy, për hir të së vërtetës, ishin mjaft të njerëzishëm), i bënë avionit kontrollet dhe shërbimet e nevojshme, por nuk konkluduan për ndonjë defekt. Ndaj kërkuan të bëhej edhe një provë teknike, në ajër.

Iu desh të talentuarit Haki Jupasi, të ngrihej vetë në ajër; e provoi aeroplanin në regjime të ndryshme fluturimi; bëri pilotazh vertikal, erdhi mbi aerodrom e në lartësi kositëse, “e shtroi”, jo një por dy herë mbi pistë dhe u ul, siç dinte të ulej Ai. Në fletën e kontrollit, Hakiu shënoi se aeroplani me numër anësor 3 - 12 funksiononte normalisht, në të gjitha regjimet e punës, prandaj mund të shfrytëzohej për zbatimin e programit të stërvitjes ajrore.

Prova në ajër që bëri komandanti i regjimentit, fshiu çdo hije dyshimi mbi funksionimin e agregatit në fjalë. Pas kësaj dite aeroplani që menaxhonte Ganiu, vazhdoi të ishte ndër avionët më të preferuar dhe mori pjesë në të gjitha detyrat ajrore, sipas planit vjetor të përgatitjes ajrore të regjimentit. Ganiu, me përkushtim e me rregullore në dorë, me një seriozitet e aftësi, në një shoqëri të zgjedhur, (nuk dua ta teproj me epitete e lëvdata) vijoi punën, plot përkushtim e ndjenjë të lartë përgjegjësie. Nga ajo që i ndodhi (vërejtja e pabazuar e pilotit), Gani Progonati, nuk u thye, përkundrazi u mobilizua më shumë, për të nxjerrë nga duart e tij punë të përkryera, sipas kërkesave të rregulloreve.

Duke “shëtitur” nëpër skuadrilje të ndryshme dhe me aeroplanë të të njëjtit tip, por me numra anësorë të ndryshëm (fillimisht Ganiu menaxhoi avionin 3 - 12; më pas dhe aeroplanin me numër anësor 302 e më pas u bë teknik katërsheje), Gani Progonati shërbeu, në Regjimentin e Rinasit nga viti 1970, kur u emërua teknik aeroplani për herë të parë e ishte 22-vjeçar, pa rrudha e pa thinja; deri më 31 janar të vitit 1996, kohë kur la detyrën e teknikut të katërshes dhe aeroplanin e tij të preferuar Mig-19S, me të cilin “ishte rritur” e kishte fituar sa e sa “beteja” ajrore, duke siguruar një respekt e dashuri të merituar mes shokëve. Në Regjimentin e Rinasit, Ganiu shoqërohej më tepër me kolegët: Islam Hoti; Selam Alikaj; Tahsin Hereni; Nasip Salihu (ndjesë pastë); Thoma Peçi; Spartak Andoni; Kahreman Dervishi; Musa Vokshi; Spase Mengri; Spartak Vehbiu; Lulzim Ibrahimi; Pehlivan Qendro etj. Me mjaft prej tyre, si: Spase Mengri; Tahsim Hereni; Selam Alikaj; Islam Hoti etj., ai takohet periodikisht; me të tjerët, pi kafe, një herë në muaj, në lokalet në zonën e “Pazarit të Ri”.

Jetën që kaloi në Regjimentin e Rinasit, në komunitet me shokë e me kolegë të preferuar, me atë intensitet fizik e me tension nervor të përhershëm, mes sakrificave të panumërta, Ganiu nuk e harron por e kujton me nostalgji. Atje, në vendqëndrimin e aeroplanëve, me kaçavidë e me çelësa në dorë, me Shqipërinë në zemër, duke i parë vështirësitë drejt e në sy, pa i neglizhuar ato, por duke shërbyer me ndjenjë përgjegjësie për detyrën, Gani Progonati u rrit, u poq e u maturua, i përgatitur për jetën dhe si specialist aviacioni; aty, mes “dallgëve të jetës”. Ganiu në punë e nëpërmjet saj formoi personalitetin e vet, i cili nuk ngjan me atë të të tjerëve.

Nuk mund të lë jashtë vëmendjes një tipar të veçantë tek Gani Progonati. Kam parë e kam dëgjuar se djem nga fshati apo nga familje të varfra, kur janë bërë dikushi, e kanë harruar origjinën dhe kanë “hedhur një gur pas kurrizit”. Ata kanë ikur nga fshati i lindjes e nuk janë dukur më atje, derisa janë ndarë nga jeta. Ganiu, përkundrazi, edhe pse u caktua të punonte në një repart në rrethina të metropolit dhe jeton prej vitesh në Tiranë, jo vetëm që nuk i shkëputi lidhjet me fshatin e tij, me Luzatin e dashur e të bukur, por, në çdo rast, e evidencon, atë, me krenari se është me fat që është nga ai deli fshat.

Kur u lidh me zonjën Qerime, ishte i pari që e shoqëroi atë, jo me pompozitet, por me modesti, në fshatin e tij të zemrës. E bëri këtë veprim jo për t’u kapardisur përpara të tijve, por për të dëftuar se kishte mbetur ashtu siç e njihnin ata; “Totua” me takeme (atribute), siç e thërrisnin motrat dhe vëllezërit. Arsyeja tjetër është se, nga rrethi i miqve dhe dashamirësve të tij, ndoshta kishte njerëz që nuk i kishin mundësitë për të ardhur në Tiranë.

Në punë e në jetë, lidhur me përzgjedhjen e miqve të tij, mbante parasysh parimin sipas të cilit: “Shokët zgjidhi më të mirë nga vetja!” Këtë rregull (të pashkruar), Ganiu e ruan dhe sot, kur e kanë mbuluar thinjat dhe është bërë 5 herë gjysh. Thjeshtësia e karakterit dhe dashamirësia për njerëzit bëjnë që Ganiu të ulet e të kuvendojë me këdo por ai ka përzgjedhur ta konsumojë kafen e mëngjesit, thuajse çdo ditë, në një lokal pranë kinemasë së Laprakës, me njerëz të nderuar si: Çobo Skënderi; Qamil Hila, të cilët janë kurveleshas e i lidh diçka e qenësishme me njëri-tjetrin dhe me Vehbi Lalen, një dibran për së mbari.

Jeta familjare

Gani Progonati, u lidh me zj. Qerime, më 7 maj të vitit 1972 (data kur ata u fejuan) dhe u martua në shtator të vitit 1973. Kushtet sociale nuk i favorizuan ata të bënin dasmë, të zhurmshme, me shumë njerëz e me salltanete, por preferuan martesë të qetë, në rreth të ngushtë. Ia vlen të nxjerrim në pah meritën e veprimit burrëror të padiskutueshëm si i pari nga të larguarit që shpuri nusen e re në fshatin e tij të lindjes. Ky ishte një rast i rrallë për kohën. Ky veprim domethënës gëzoi, jo vetëm familjarët dhe gjitonët e Ganiut, por të gjithë fshatin Luzat të Tepelenës, në veçanti rrethin e tij miqësor.

Peripecitë që përcolli Gani Progonati lidhur me strehimin, u stabilizuan vetëm me këmbënguljen dhe me iniciativën e tij, jo nga dashamirësia e drejtuesve të repartit e më gjerë. Fillimisht, çifti i ri u strehua në një banesë kundrejt qirasë, në zonën e Yzberishtit e më pas u fut, me iniciativën e tij, në një apartament në Laprakë.

Jeta bashkëshortore e Gani Progonatit është shembull konkret i mirëkuptimit dhe i korrektesës. Marrëdhëniet në çift njohën vetëm gëzimet dhe kënaqësitë që dhuron jeta. Ata sollën në jetë dy fëmijë: Altinin, më 18.08.1974, i cili u bë pilot helikopteri dhe Julianin, i cili erdhi në jetë më 1.09.1979. Të dy u rritën e u edukuan me norma e u bënë qytetarë të denjë të këtij vendi. Ata, në çdo detyrë që kanë kryer e kryejnë, me seriozitetin dhe me përkushtimin që i karakterizon në punë e në jetë dhe me figurën e tyre të pastër, kanë nderuar e nderojnë veten, prindërit që i sollën në jetë dhe i edukuan për së mbari dhe fisin e rrënjët kudo ku i kanë.

Dashurinë dhe respektin që Ganiu ka pasur e ka për njerëzit, ai dhe bashkëshortja e tij e nderuar, me shumë kujdes ua kanë mëkuar dy djemve të tyre, të cilët, tani që janë bërë vetë prindër, i kuptojnë sakrificat që kanë bërë prindërit për ta.

Në vend të epilogut

Më 31 janar të vitit 1996, kur sapo kishte mbushur 49 vjeç e ishte në kulmin e pjekurisë dhe të aftësive fizike, Gani Progonatin e nxorën në asistencë, pavarësisht dëshirës së tij dhe në kundërshtim me ligjin përkatës. E nisi e nuk iu nda kërkesës për ta korrigjuar padrejtësinë ata që e shkaktuan atë dhe më 15 korrik të vitit 1997, pas një viti e gjysmë, Ganiu e pa veten në radhët e oficerëve aktivë, por, kësaj here jo në Regjimentin e Rinasit, ku kishte shërbyer një jetë të tërë, por në Regjimentin e Helikopterëve Mi-4, në detyrën e teknikut të katërshes, ku shërbeu deri më 31 maj të vitit 2001, kur doli në pension të plotë.

Në atë kohë, Regjimenti i Helikopterëve kishte përthithur dhe Skuadriljen e Transportit Ajror të bazuar në Aerodromin e Tiranës (Laprakë). Ganine, në muajin shkurt të vitit 2001, katër muaj para se të dilte në pension, atë e komanduan përkohësisht në Skuadriljen e Transportit Ajror, në detyrën e teknikut fluturues në aeroplanët An-2. Nuk e kundërshtoi këtë detyrë, edhe pse nuk e kishte kryer më parë por iu përvesh punës, për ta kryer detyrën, me ndershmëri e me përkushtim, siç e kishte në karakter. Viti i mbrapshtë 1997, nuk kishte kaluar pa lënë gjurmë edhe në këtë repart aviacioni. Ajo që do të mësoni në vijim është tronditëse, unikale dhe heroike.

Me rastin e festës së aviacionit luftarak të Shqipërisë, 24 prillit të vitit 2001, Gani Progonati u urdhërua të përgatiste një aeroplan An-2, nga ata të pajisur me kolltukë, për ta ekspozuar. Për këtë qëllim, u përzgjodh aeroplani me numër anësor – 21. Ky aeroplan nuk ngrihej në ajër, prej shumë kohësh e nuk i bëheshin shërbime teknike. Atë e kishin parkuar në angar, ku e kishte mbuluar pluhuri i pakujdesisë dhe i harresës, në çdo pjesë të tij. E zbuloi Ganiu aeroplanin, e pastroi me detergjente, i ndihmuar nga disa punonjës të oficinës, në çdo skutë ku kishte zënë pluhur dhe merimanga. Veç kësaj, gjatë kontrollit teknik të imtësishëm e me rregullore në dorë, Ganiu pikasi se në kabinën e pilotëve dhe në cilindrin Nr – 3 të motorit të aeroplanit dukeshin qartë gjurmët e dy predhave.

Ekspozimi i këtij aeroplani në gjendjen e sipërdëftuar ishte praktikisht i pamundur. Ganiu bëri përgatitjen e aeroplanit në vëllim para fluturimit dhe këmbënguli që mjeti ajror të ngrihej në ajër, në një fluturim kolaudues ku atij t’i “shkrifeshin kockat”.

Paraprakisht duhej bërë lëshimi dhe prova e plotë e motorit në tokë, si masë e parë që do të përcaktonte gatishmërinë e avionit për në fluturim. Ganiu zuri vend në kabinën e avionit, atje ku i takonte dhe po priste, sipas rregullit, të vinte piloti, pa të cilin nuk mund të kryhej lëshimi dhe prova e motorit. Aty pranë kaloi piloti Thanas Kuraj, njëri nga pilotët më të përgatitur në Skuadriljen e Transportit Ajror dhe “mjeshtër”, për shfrytëzimin e aeroplanit An-2, në tokë e në ajër. Pyetjes së Thanasit: “Çfarë po pret, o Gani?” “heroi” i këtij rrëfimi iu përgjigj, me korrektësi e çiltër: “Po pres të vijë piloti, që ta lëshoj motorin e avionit e t’i bëj provën në tokë”. “Vij unë” – tha Nashua dhe u hodh në kabinë. Lëshimi dhe prova e motorit të aeroplanit në tokë, në të gjitha regjimet, nxirrnin treguesit e kërkuar dhe Ganiu vendosi ta lejonte avionin An-2, me numër anësor - 21, në fluturim.

U caktua ekipazhi që do të bënte fluturimin kolaudues, në përbërje të të cilit ishin pilotët: Agim Aliaj (komandant ekipazhi) dhe Prenge Kodra (pilot i dytë). Në mes të tyre, në kabinën e avionit zuri vend vetë Gani Progonati. Ai donte të vështronte sjelljen e aeroplanit që përgatiti për fluturim, me duart e tij.

Ekipazhi i aeroplanit, në përbërje të plotë (dy pilotë dhe një teknik fluturues), për t’u bindur në rregullshmërinë e funksionimit të të gjitha pjesëve dhe agregateve përbërëse të avionit, kreu një rreth të madh e një tjetër më të vogël dhe u ul, në aerodromin e ngritjes, normalisht. Pas fluturimit të parë, u krye dhe një tjetër, me të njëjtët pilotë, por në bordin e aeroplanit hipën dhe pilotët: Anduel Llazari; Luan Sadiku; Gazmend Çobani dhe Altin Progonati (i biri i Ganiut). Kështu u provua, në dy ngritje, se aeroplani i caktuar nxirrte të gjitha të dhënat, siç përshkruhen në instruksionin e teknikës së pilotimit të tipit të dhënë. Këtu e përfundon rrëfimin rrëqethës Gani Progonati, me vërtetësi brenda, pa glorifikime e pa mburrka dhe pa hiperbolizime. Tërheqin vëmendjen disa detaje, të cilat nuk janë të rastësishme e pa domethënie, prandaj nuk duhen anashkaluar.

Përfundimi i parë është se në këtë rast, kemi të bëjmë me një veprim trimëror, jo me një aventurë. E di që për këtë përkufizim do të ketë kundërshti por ky është pozicioni im i menduar. Raste si ky, kanë qenë e janë të rralla, jo vetëm në aviacionin tonë, por dhe në atë botëror (aq sa njoh unë). Do të pyesë dikush, me të drejtë: “Ku qëndron trimëria në këtë rast dhe a ishte i nevojshëm ky veprim trimëror?” Do të përpiqem ta bëj të qartë këtë çështje, natyrisht, aq sa mundem:

Josif Visarionovic Stalini, i mirënjohur si strategu i fitores mbi fashizmin në Luftën e Dytë Botërore, duke folur për pilotët, ka theksuar: “Pilot do të thotë koncentrim vullneti, karakteri dhe aftësie për të shkuar në rrezik. Kjo është njëra anë e heroizmit; ana tjetër, jo më pak e rëndësishme është vetëdija…”. Shpresoj të mos ju lodh e mërzit po t’ju dëftoj dhe një ndodhi tjetër, të ngjarë vite më parë në shkollën sovjetike të aviacionit, e cila mbante emrin e legjendarit Valerij Çkallov. Pilotit kolaudator, majorit shtatshkurtër Sozin (ata që kanë kaluar nga ajo shkollë e kanë njohur), i kishin vënë detyrën t’i bënte provën në ajër një aeroplani mësimor, të tipit Mig-15, të cilit i ishin kryer disa punime, në oficinë. Tekniku i avionit (jo fluturues), mbasi i kishte bërë avionit të tij gjithë përgatitjet dhe kontrollet para fluturimit, iu paraqit Sozinit, dhe i zgjati dorën, për të firmosur në fletën e kontrollit; Sozini, me dashamirësi i tha: “Villaz na samoljotje, pozhalluista!” Që do të thotë: (hip në avion, të lutem).

Atëherë, tekniku tha: “Razrjeshitje, provjerit jeshjo raz!” Dhe ashtu bëri; e kontrolloi edhe një herë avionin, pastaj hipi. Me këtë nuk kam për qëllim të bëj diferencën mes profesioneve, por të sjell në vëmendjen tuaj, se vajtja e Ganiut, në ajër së bashku me pilotët, duke e ditur se avioni ishte i goditur me dy predha; është vetëdije dhe trimëri; tjetër emër nuk ka. Veprimi i tij i vë vulën e afirmimit karakterit trimëror të tij e nuk lë shteg për ekuivok në interpretim.

Në jetën aktive të Gani Progonatit sjellja trimërore nuk është e rastit, por një fill që përshkon tejembanë jetën e tij. E them këtë nisur nga faktet e thjeshta: Gani Progonati u lind e u rrit dhe u burrërua në një truall ku burrëria dhe trimëria mëkohen qysh në djep. Gjyshe Rabihana dhe Nënë Hatixheja, duke e tundur djalin në djepën prej druri i këndonin ninulla ku kryefjalë ishte: “Ngjafte nga rrënja!” “U bëfsh si të parët e tu” etj. Po cilat janë rrënjët e Ganiut dhe paraardhësit e tij? Udha të shpie në Progonatin malor nga ku ai ka prejardhjen. Ai truall, dhe e gjithë treva janë “të mbjellë” me trimëri e me heroizma.

Në malet e thepisura që harkojnë atë trevë, rriten shqiponja e i këndohet vetëm Atdheut dhe trimave me fletë. Në rrembat e tij rrjedh gjak trimash të çartur e Ganiu nuk mund të jetë ndryshe.

Jeta nuk e ka përkëdhelur Gani Progonatin; përkundrazi, ajo është dëftuar e ashpër me të. Jeta e Ganiut nuk ka ecur si në vaj por ka kaluar nëpër një “luftë” e në përpjekje pa numër për të fituar dije, për t’u aftësuar e për t’u rritur në profesion si dhe për t’u përballur me vështirësitë, duke i parë ato në sy. Gani Progonati, nuk është rritur e maturuar i përkëdhelur nga fati e si kungulli në gardh, por ai i ngjan një lisi me degë shumë e me rrënjë të forta, në tokën mëmë. Le t’u referohemi disa detajeve të thjeshta të jetës së tij. Ganiu, vërtet nuk është shquar si futbollist cilësor, por ai është aktivizuar në pozicionin e mbrojtësit, gjë që kërkon të jesh i guximshëm e të përplasesh me tjetrin që ke përballë e të sulmon.

Ganiu u rrit mes trimash e përftoi prej tyre burrërinë dhe trimërinë, të cilat nuk t’i fal njeri. Në Regjimentin e Rinasit, ku Ganiu shërbeu për shumë vite, trimërinë e ndeshim kudo, në çdo hap e ditë për ditë. Ajo ndodhet kudo e është sheshit. Çdo shërbim që siguron fluturimet, pavarësisht se nuk çohen të gjithë në ajër, nuk mund të kryhet pa qenë trim. Të lëshosh aeroplanin në ajër, duke garantuar suksesin e tij, që më parë, nuk është veç trimëri. Po veprimi i tij me iniciativë, për të siguruar një sipërfaqe banimi ku të strehohej familja e tij, me vetëgjyqësi, a nuk dëfton trimëri?

Nuk mjaftojnë vetëm këto; Gani Progonati ka kurajon të të vështrojë në sy e të t’i thotë të vërtetat ballazi, pa iu dridhur qerpiku. Rasti me avionin An-2 me numër anësor 21, mendoj se u vë vulën të tëra thënieve për karakterin e tij burrëror e trimëror. Unë them se ishte trimëri; ndonjëri mund ta quajë dhe aventurë; kjo nuk ndryshon asgjë, në karakterin e tij. T’i veçojmë gjërat: Ganiu e dinte defektin, e përgatiti avionin dhe u ngrit në ajër së bashku me pilotët. Deri këtu kemi të bëjmë me trimëri.

Mirëpo në fluturimin e dytë u ngrit në ajër së bashku me të birin. Këtu kemi kapërcim të trimërisë dhe anim nga kokëshkretia. Kam edhe më: Ganiu, duke i njohur rreziqet që përcjell e kapërcen një pilot, influencoi që i biri, Altini, të bëhej pilot. Fakti është që në aviacionin tonë janë të rrallë ata pilotë, specialistë apo teknikë avionësh që e kanë bërë këtë. A nuk është trimëri edhe ky qëndrim? Patjetër e pa mëdyshje.

Mendoj ta kërkojmë trimërinë atje ku është, e si na shfaqet ajo, pa qenë nevoja t’i sajojmë apo t’i ekzagjerojmë rastet. Ka ardhur koha të qëndrojmë larg qëndrimeve standarde e klisheve, sipas të cilave, trimëria kufizohet shumë mbasi kërkohet në disa terrene. Në një mbledhje, analizë, takim etj., ku kërkohet mendimi i secilit, ai që ngroh karrigen e gërhin, pa ia dëgjuar njeri zërin, nuk mund të jetë trim. Ushtari në vendroje, shoferi në timon, operatori pranë ekranit etj., etj. Të gjithë kanë fushë ku mund ta shfaqin trimërinë.

Në aviacion trimërinë e ndeshim në çdo pllakë të lëvizjes nëpër aerodrome, apo në gumëzhimën e avionëve që ngrihen e ulen, me uturimë të madhe. Duke qenë sheshit, trimëria kalon nga njëri tek tjetri dhe merr përmasat e një epidemie që përhapet me shpejtësi marramendëse. Jeta aktive e Gani Progonatit është një shembull i mirë që na dëfton si mund të mbahen lart traditat e mira të vendit e të popullit tonë, pa përfillur moshën apo gjendjen sociale. Ai ka ditur e ka mundur t’i mposhtë vështirësitë dhe pengesat, falë karakterit dhe vendosmërisë së tij për t’u marrë shembull.

  • I uroj Gani Progonatit, jetë të gjatë, të shëndetshme e të paqtë!

Shkroi Niazi Xhevit Nelaj. Në Tiranë, dhjetor 2018 – janar 2019