Barjam Hitaj, të cilit, shoqërisht e në shenjë respekti i thonin "Batja", piloti më jetëgjatë i aeroplanit të vetëm bombardues të tipit IL-28, u intervistua, në një kafeteri, pranë fushës "Ali Demi" në Tiranë, më 3 korrik 2012 rreth orës 19.00. Materialin e intervistës, "Batja" ma dorëzoi dhe të shkruar, kopjen autentike të të cilit e disponoj. Barjam Hitaj, nga fshati Kuç i Kurveleshit të Poshtëm, ka qenë partizan i Brigadës së 6-të Sulmuese, pas kryerjes së Shkollës Sovjetike të Aviacionit, në qytetin "Engels" e më pas në atë të Novosibirskut, u përgatit si pilot gjuajtës dhe pas stërvitjes ajrore me aeroplanë të ndryshëm, u diplomua pilot gjuajtës në aeroplanët Jak-9P.
Shokë grupi të tij ishin: Flamur Mickaj; Lulo Musai; Haki Jupasi; Qwemal Mertiri; Hektor Lako; Shaban Danaj; Seo Trola; Mersin Minxha; Sejdo Kamberi etj. Kontributet më jetëgjata e më me vlerë Barjam Hitaj i shpalosi duke fluturuar, në kushte të vështira (pa aeroplan mësimor dhe në fluturime të rralla), në aeroplanin IL-28. Vijon intervista...
... vijon intervista
... Niko Hoxha, për Barjam Hitaj ishte idhull, komandant, shok, vëlla, mësues dhe edukator i mirë. Më mirë le t’ia lëmë Barjamit të flasë nëpërmjet intervistës ekskluzive ku do të shpalosë opinionin e tij për të Madhin Niko Selman Hoxha:
"... Niko Hoxhën e kam njohur më 12. 3.1948, në Shkollën e Aviacionit: " Maria Raskova "të qytetit" Engels ", në Bashkimin Sovjetik. Ky (Nikua NN) së bashku me Edip Ohrin kishin vajtur në atë shkollë fill pas çlirimit të Shqipërisë, që në vitin 1945.
... Më 12.3.'49 mbërritëm, me tren, në Saratov, ku na priste Niko Hoxha me majorin jugosllav Papic. Në atë kohë, kur marrëdhëniet sovjeto-jugosllave ishin prishur, një grup studentësh jugosllavë të cilët kishin mbaruar studimet në vitin 1948, së bashku me Nikon, qëndruan në Bashkimin Sovjetik dhe morën shtetësinë sovjetike.
... Nikua, qysh në ditën e parë të takimit me ne, u lidh ngushtë me grupin tonë dhe na u bë: Shok, vëlla, mësues dhe edukator. Ne nuk dinim asnjë fjalë rusisht, por, me ndihmën e Nikos, brenda 4-5 muajve filluam të përgjigjeshim në gjuhën ruse, në mësimet që merrnim.
Që në ditën e parë të njohjes me Nikon dhe në vazhdim, kam vënë re tek Niko Hoxha një karakter burrëror, dashamirës, bujar, me dashuri të pakufishme për shokun. Ai, çdo gjë që dinte vetë mundohej t’ua mësonte dhe të tjerëve. Çdo gjë që kishte të mirë vetë, do ta ndante me shokët. Si p.sh.: mençurinë, diturinë, zgjuarsinë, guximin dhe trimërinë, të cilën e kishte të tepruar, dhe për të cilën është kritikuar. Vijon intervista...
... Vijon intervista
"... Në vitin 1951, Nikua dhe Edipi ishin në Akademinë e Aviacionit, në Moskë. Grupi ynë i pilotëve ishte transferuar nga sektori i përgatitjes së pilotëve bombardues, në shkollën ku përgatiteshin pilotët gjuajtës, në qytetin e Novosibirskut (Siberi N N).... Aty na erdhën: Niko Hoxha dhe Edip Ohri, për të mësuar aeroplanin Jak-9P, me të cilin ne fluturonim. Nikua, i cili, në vitin 1948-1949 u bë mësuesi ynë në" Engels ", tash u bë nxënësi ynë për këtë avion dhe krenohej e gëzohej për sukseset tona në përvetësimin e programit mësimor. Ai na pyeste, për çdo problem që kishte të bënte me cilësitë luftarake dhe për përdorimin e tij në pilotim, në qitje dhe veçanërisht për procesin e uljes, avion, i cili, ishte shumë kapricioz.
Në shtator të vitit 1952, kur mbaruam studimet dhe u diplomuam pilotë gjuajtës, e u kthyem në Shqipëri, paraqitemi në Komandën e Skuadriljes (në Laprakë NN) ku komandant ishte emëruar majori Niko Selman Hoxha, i cili, na priti në sallon, jo si komandant, por si shok, si vëlla e si koleg; na puthi e na uroi mirëseardhjen dhe fluturim të mbarë!
Në kohën e lirë, me efektivin, Nikua sillej si i barabartë, me shumë dashamirësi e me tolerancë. Ama, në orarin e punës, e sidomos gjatë përgatitjes për fluturim dhe gjatë fluturimeve ishte tepër kërkues dhe shumë i rreptë. Ai ishte mësues shumë i mirë në tokë dhe një metodist i "shkëlqyer" në pilotim. Niko Hoxha ishte mjaft kërkues për zbatimin e ligjeve dhe të rregulloreve ushtarake. Uniformën e mbante shumë mirë dhe të ngjallte detyrimin e respektin për ta mbajtur dhe ti të tillë.
Kur ndonjë kuadër oficer gabonte, Nikua nuk ngutej për t’i thënë si shumë kuadro të tjerë aty për aty: "Shko në burg!", por, me atë mënyrën e tij autoritare, të thosh: Shoku "X", do të marr masë disiplinore për ty dhe masën që do të jepte, e analizonte, duke nxjerrë shkaqet e duke rrëfyer pasojat e gabimit; të thërriste në zyrë e të komunikonte masën disiplinore... Vijon intervista
... Vijon intervista
Niko Hoxha nuk ishte hakmarrës. Ai nuk e njihte hakmarrjen dhe e luftonte, me të gjitha forcat, edhe tek kuadrot e tjerë...
Një shembull që më ka ndodhur me Nikon:
Unë, me Nikon, kam qenë shok i mirë, qysh nga viti 1948, kur u njoha për herë të parë, në "Engels" e më pas. Nikua, për rregull, për disiplinë dhe për mbajtjen e uniformës, nuk të falte.
Një ditë nuk e kisha ndërruar këmishën, të cilën duhet ta ndërronim përditë (e kishim të bardhë këmishën). Në shikimin rreshtor, të cilin e kishim të përditshëm, më thotë: "Përse nuk e ke ndërruar këmishën?" Unë i them: "Më fal, shoku major!" Ai më ofendoi aq rëndë, sa unë nuk e përmbajta veten dhe u përgjigja: "Për këtë fjalë që më thatë, unë, shoku major – vras."
U prish rreshtimi. Ai nuk e bëri dysh, la shikimin rreshtor e shkoi në zyrën e tij ku ndezi një cigare. Shokët e komandës së skuadriljes e ndoqën nga pas dhe ngulën këmbë që unë të dënohesha, deri në heqjen e së drejtës si pilot. Nikua, nuk u tha gjë, atyre, por dërgoi një person e më thirri, në zyrë.... U paraqita, sipas rregullores. Nikua, siç ishte, energjik, brofi, në këmbë e më tha, me sinqeritet të kulluar e me respekt: "Më fal, shoku Barjam, se të kam ofenduar rëndë; Ti më dhe një mësim të mirë sot, i cili, do të më vlejë për tërë jetën si ushtarak. Unë, këto fjalë që të thashë këtu, mund t’i them dhe përpara rreshtit..."
Nxori e më dha një cigare, të cilën ma ndezi vetë. Sapo mblodha veten, se isha i tronditur shumë iu përgjigja: "Jo, shoku major, para rreshtit nuk do të dalim, por mjafton që ne, kështu siç jemi, me cigare në dorë, të dalim në shkallë dhe shokët do ta kuptojnë se çdo gjë u mbyll, me të mirë. Kështu u bë, dhe unë, me Nikon, isha shok e ngela shok, deri në vdekje..."
Niko Hoxha ka qenë pilot i zoti, komandant, organizator e drejtues i "Shkëlqyer"; i dashur e i respektuar nga të gjithë, mësues dhe edukator i rrallë; metodist i mirëfilltë, trim, guximtar, me iniciativë dhe novator.
Ministri i Mbrojtjes – Beqir Balluku, kur u vra Nikua, ka thënë: "Nikua, edhe me vrasjen e tij, na mësoi si të mos vriten pilotët..."
Komente
Nga faqja e mëparshme · vetëm për lexim
Ky shkrim nuk ka komente nga faqja e mëparshme.
Komentet e reja do të hapen më vonë. Deri atëherë, komentoni në faqen tonë në Facebook.