Katastrofa ajrore ngjau më 17 korrik të vitit 1963, në orën 21.36 minuta, në kodrat e Prezës, në rrethin e Tiranës.

  • Udhëheqës i fluturimeve- Kolonel Niko Hoxha, pilot i klasit të parë.
  • Zëvendëskomandant i regjimentit - Major Haki Jupasi- pilot i klasit të parë.

Nata e parë e lëshimit në fluturime vetëm të pilotëve që përgatiteshin për të marrë klasin e dytë.

  • Aeroplani Mig -17 F, i prodhimit Kinës
  • Nata, me hënë.
  • Pilotët që do të fluturonin vetëm, atë natë, pritnin, në grup, sa të dilte hëna, në gatishmërinë Nr-1 të aerodromit (në startin e Veriut).
  • Kur doli hëna, meteorologu Seit Berisha, i cili mbulonte shërbimin atë natë bërtiti: "Shoku komandant, doli hëna!" Niko Hoxha u çua në këmbë e pa horizontin në drejtim të Prezës dhe lëshoi urdhrin: "Djema – fillojmë fluturimet, sipas plantabelës, të gjithë, nëpër vende!" Dhe nisën fluturimet, natën.

Karakteristika fluturuese e pilotit Sokrat Basha:

  • Emëruar pilot, në muajin tetor të vitit 1960. Kish kryer kursin e plotë për pilot gjuajtës -bombardues, në Borisoglebsk të Bashkimit Sovjetik.

Në Regjimentin e Rinasit, erdhi nga Qyteti "Stalin", në muajin shkurt të vitit 1962; kur u formua Regjimenti i Rinasit.

Deri atëherë kish fluturuar në aeroplanët Mig-15 Bis dhe mësimorë, si në shkollë dhe në Qytetin "Stalin"; në Rinas fluturoi në aeroplanët Mig 17F.

Në Rinas, para fluturimeve të natës kish fluturuar për njohjen e rajonit dhe fluturime kontroll, në rreth e një në zonë; pastaj iu nënshtrua provimit për t’u lëshuar vetëm; natën, me hënë.

Më 12 korrik 1963 u lëshua, në fluturime vetëm, në Mig-17F. Atë natë kreu 1 fluturim në rreth të madh= 16 minuta. Rezultati në ajër dhe ulja, u vlerësuan "Mirë!"

Më 17 korrik të vitit 1963, në orët 07.00- 12.00 kreu përgatitjen për fluturim; u pyet, u vlerësua "mirë". Në orët 12.00 - 15.30 pushoi, pranë familjes, në Valias.

  • 18.00- u ngrit në ajër, për kontrollin e motit dhe të teknikës ajrore.
  • Në orën 21.36 min. e 17 sekonda, mbasi lëshoi rrotat e kërkoi leje për ulje, pa kthyer "kuitancë" (përgjigjen që duhet t’i kthente udhëheqësit të fluturimeve), u përplas me kodrën dhe avioni i tij eksplodoi.

Analiza hetimore e ngjarjes:

Katastrofa ajrore ngjau si rezultat i thyerjes së kërkesave të Kursit të Përgatitjes Luftarake dhe planit perspektiv të stërvitjes ajrore, si dhe të udhëzimeve metodike mbi zhvillimin e fluturimeve natën.

Analiza psikofiziologjike:

Sokrat Basha u lind në fshatin Mazhaj të rrethit të Lushnjes. I martuar, bashkëshortja ishte shtatzënë.

Tregimi i Babait, të tij- Gorit: Familja ka pasur dhe 2 djem të tjerë. Djali i madh, u vra në Luftën Nacionalçlirimtare, ku ishte partizan. Djalin e dytë, e shkeli makina aksidentalisht. Familja ka dhe dy vajza. Njëra është e martuar; tjetra është në shtëpi, e sëmurë psikike. Prisja të vinte Sokrati nga fluturimi, që ta shtronim të motrën në spitalin psikiatrik të Elbasanit.

Me strehimin ishim keq. Në një dhomë e një kuzhinë, strehohen: Unë me bashkëshorten; Sokrati me bashkëshorten shtatzënë dhe vajza e sëmurë psikike. Sokrati, atë ditë erdhi në shtëpi, për të pushuar, por nuk pushoi asnjë minutë. Vajza ishte me kriza.

Në dukje, Sokrati paraqitej mjaft i qetë, i heshtur e i mbyllur. Aktivizohej pak. Një qeshje, më tepër jo reale, lozte në fytyrën e tij të bëshme, brune, e cila shkonte nga e zbehta në të gjelbër. Sytë e tij diçka kërkonin, veshët e tij ishin gjithmonë në përgjim. Të linte përshtypjen se donte të largohej, nga çdo gjë. Vetëm tek fusha e sportit gjente qetësi.

Pilotit Sokrat Basha, nuk i ishte dhënë as minimumi i fluturimeve vozitëse të planifikuara; përgatitja e tij ka qenë e nxituar e janë lejuar pushime të gjata midis fluturimeve.

Konkluzioni përfundimtar, mbi vrasjen e Sokrat Gori Bashës:

Komisioni mjekësor i aviacionit, kur e ka piketuar për pilot nuk ka parë si duhet vetitë individuale-psikofiziologjike si vëmendja, kujtesa dhe aftësitë për të formuar shprehi. Deklarata e të shoqes, pas vdekjes së tij se "I shoqi ka qenë i sëmurë nga zemra", nuk qëndron. Shkak për katastrofën ajrore janë bërë:

  • Orët e pakta të fluturimit, mosformimi sa duhet i shprehive fluturuese në terren.
  • Nga vetitë psikofiziologjike individuale të dobëta si ngathtësia, qenia i mbyllur; mosshoqërimi me shokët, duke pasur dhe të sëmurë psikike, në familje.
  • Nuk ka pushuar mjaftueshëm para fluturimeve natën.
  • Kur kontrollohej në barokamera, ku ishte rezistent, të dhënat e tij ishin: Pulsi= 72-88; tensioni arterial= 120/80 mm. hg.